• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2020

HOTI:Ujmani, Liqeni i Presidentit Trump…

September 25, 2020 by dgreca

HOTI: Ne i kemi pagëzuar sheshet më të bukrua të qyteteve tona me emrat e personaliteteve më të shquara të Shteteve të Bashkuara Amerikës, si: Presidenti Klinton, Xhorxh Bush, Senatori Bob Dol, Sekretarja Medlin Olbrajt etj…

Shkruan Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti*

E kam mirëpritur propozimin e ambasadorit Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Presidentit Trump, në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare politike, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke.


Në shenjë nderimi për rolin e tyre vendimtar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen e shtetësisë së Republikës sonë anekënd botës, ne i kemi pagëzuar sheshet më të bukrua të qyteteve tona me emrat e personaliteteve më të shquara të Shteteve të Bashkuara Amerikës, si: Presidenti Klinton, Xhorxh Bush, Senatori Bob Dol, Sekretarja Medlin Olbrajt etj.Kosova dhe qytetarët e saj do t’u jenë përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat, siç thoshte Presidenti Rugova, ne kemi miqësi speciale dhe të përhershme.
Është traditë dhe kulturë jona për ta nderuar Mikun! Këtë traditë fisnike të të parëve tanë, ne do ta ruajmë dhe do ta kultivojmë gjithnjë!(FB)

Filed Under: Featured Tagged With: Hoti, Liqeni i Presidentit Trump, Ujmani

BAYERNI, SUPERFUQIA E EUROPËS

September 25, 2020 by dgreca

Bavarezët fitojnë Superkupën e Europës dhe trofeun e katërt për këtë sezon. Sevilla humb finalen e pestë radhazi të Superkupës Europiane.-

Përgatit : Albano Kolonjari-

Bayerni i Mynihut shtoi në listën e saj mbresëlënëse të trofeve për vitin 2020  edhe Super Kupën e Europës. Bavarezët mundën Sevilla 2-1 të Enjten në në mbrëmje në stadiumin Puskas Arena të Budapestit, në Hungari. Javi Martinez ishte në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të shënuar golin vendimtar në kohën shtesë, pasi 90-të minutat e takimit kishin përfunduar 1-1. Portieri spanjoll Yassine Bounou grushtoi topin pas një goditje nga David Alaba por nuk arriti të pastrojë rrezikun. Martinez i pambuluar nga mbrojtësit spanjollët pati kohë të mjaftueshme për të gjuajtur me kokë duke shënuar golin e dytë për Bayernin e Mynihut. Kjo mund të jetë ndeshja e fundit e Javi Martinez me skuadrën e Bayerni të Mynihut. E ardhmja e Martinez në Allianz Arena ka qenë në dyshime  që më fillim të sezonit 2020-21. Mediat sportive kanë raportuar rikthimi e tij tek Atletico e Madridit. Pas fitimit të Ligës së Kampioneve, Bayern nuk fjeti në dafina. Në hapjen e sezonin në Gjermani ata shkatërruan Schalke 8-0. Nga ana tjetër, Sevilla, nuk kishte luajtur një ndeshje konkurruese që nga fitorja e tyre 3-2 ndaj Inter Milan në finalen e Europa League më 21 gusht. Gjithsesi Sevilla u paraqit një skuadër e vështirë për Bayernin.  Një dorë të madhe në triumfin e Bayernit dha edhe portieri dhe kapiteni i ekipit Manuel Neuer. Një gabim i Alaba lejoi Sevilla të kundërsulmojë në minutën e 87-të. Youssef En-Nesyri ishte i vetëm përballë Neuer por portieri i Bayern e largoi topin e goditur jashtë vijës fundore. Në kohën shtesë,  Manuel Neuer i mohon golin e barazimit En-Nesyri. Neuer bëri një pritje fantastike me këmbë ndërsa sfera e rrumbullakët u përplas në shtyllën  e majtë. Në pjesën e parë Bayern për pak kohë u detyrua të luante i tërhequr mbrapa pasi Lucas Ocampos i dha Sevilla epërsinë 1-0 nga pika e bardhë në minutën e 13-të të takimit. Në të 22 minutë gjatë ekzekutimit të një goditje dënimi, Robert Leëandoëski kroson në zonë tek Thomas Muller, ky i fundit jep një asis për Leon Goretzka që pas një gjuajte prefekte brenda zonës barazon shifrta në 1-1. Në 30 minutat shtesë tranjeri gjerman hedh ne fushë Javi Martinez që në të 104 minutë do ti jepte fitoren bavarezëve. Bayerni i Mynihut fitoi trofeun e katërt për këtë vit. Në Gjermani Bayren fitoi titullin Kampion dhe Kupën e Gjermanisë.  Ndërsa në Europë Ligën e Kampionëve, dhe Superkupën e Europës. Bayerni i Mynihut konfirmoi se është skuadra më e fortë  në Gjermani dhe Europë. Me 30 shtator bavarëzët do të diskutojnë edhe një trofe tjetër. Ata do të luajnë përballë Borusias së Dortmundit për Superkupën e Gjermanisë. 

Man of the Match: Thomas Müller (Bayern)

Tibor Sisa, UEFA technical observer: Ai ishte në të gjithë fushën. Me lëvizjet e tij e vazhdueshme au bëri të vështirë spanjolleve mbulimin e tij. Ai krijoi hapësira ​​që ndihmuan shokët e tij të ekipit të zinin pozicione të rrezikshme. Fitorja e sotme ishte e gjitha për ekipin, dhe ai është njeri kyc i ekipit. Ai dha gjithçka për fitoren “.

Kuriozitete

• Gjashtë nga tetë Super Kupat e fundit të UEFA-s kanë kaluar në kohën shtesë.

• Mbajtësit e Kupës Evropiane / UEFA Champions League kanë fituar 25 nga 45 edicionet e Superkupës.

• Bayern është klubi i dhjetë që ka triumfime të shumta të Super Kupës UEFA për emrin e tyre.

• Bayern ka fituar 23 ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

• Javi Martínez ka shënuar në kohën shtesë në dy Kupat e fundit të UEFA-s në Bayern – në 2013 dhe 2020.

• Sevilla ka humbur një rekord të pesë Superupave të UEFA-s.

• Lucas Ocampos ka shënuar të gjashtë penalltitë që ka marrë ndonjëherë për Sevilla.

Bayern: Neuer; Pavard, Hernández (Javi Martínez 99), Süle, Alaba (Boateng 112); Goretzka (Davies 99), Kimmich; Sané (Tolisso 70), Müller, Gnabry; Leëandoëski. 

Sevilla: Bounou; Navas, Diego Carlos, Koundé, Escudero; Jordán (Vázquez 94), Fernando, Rakitić (Óliver Torres 56); Suso (Gudelj 73), De Jong (En-Nesyri 56), Ocampos.

Filed Under: Featured Tagged With: albano kolonjari, BAYERNI, SUPERFUQIA E EUROPËS

Arsim e Propagandë

September 25, 2020 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI- Një nga pasojat serioze të propagandës është se ajo ka bërë që publiku të besojë se arsimi dhe propaganda janë e njëjta gjë, dhe kështu një turmë injorante mendon se po arsimohet, ndërsa vetëm manipulohet.
Edukimi synon pavarësinë e mendimit; Propaganda jep mendime të gatshme për turmën që nuk mendon. Tërheqja e parëndësishme, buja, fanatizmi i vjetëruar, i jep propagandës publicitetin më të madh, duke e bërë karikaturë të thjeshtë vulgare të vetvetes.
Edukatori synon një proces të ngadaltë të zhvillimit; propaganduesi, kërkon rezultate të shpejta. Mësuesi përpiqet t’u tregojë nxënësve se si të mendojnë; propaganduesi u thotë se çfarë të mendojnë. Edukatori përpiqet të zhvillojë përgjegjësinë individuale; propaganduesi synon përgjegjësinë kolektive. Edukatori dëshiron që njerëzit të mendojnë para se të hidhen në veprim; propaganduesi i mëson të veprojnë pa menduar më parë. Edukatori dështon nëse nuk arrin të hapë një mendje; propaganduesi, dështon nëse nuk arrin një mendje të mbyllur.
Mendo tani se çfarë ndodhi nën diktaturën e proletariatit, ku kolektivizmi u shtri në njerëz e bagëti dhe regjimi me ngulm synonte për të mos pasur asnjë analfabet, për të shtrirë propagandën në masë e në shkolla. Pasojat e këtij lloj arsimi të egër ndihen sot; ndryshimi vjen me ndarjen e edukimit nga propaganda; dhe për këtë do të duhen breza.

Filed Under: Analiza Tagged With: Arsim e Propagandë, Astrit Lulushi

DEDË GJON LULI – NJË KUJTIM I BJERRUR

September 25, 2020 by dgreca

Shkruan: Frank Shkreli- Na ishte njëherë një Ded Gjon Luli!  Por po të vërejmë se si kujtohet ai sot nga shqiptarët, me rastin e vrasjes së tij 105 vjetë më parë nga forcat serbo-malazeze, njeriu kollaj mund të vijë në përfundim se ai nuk ekziston më në memorien e kombit të vet, si njëri prej figurave më të dalluara kombëtare të historisë së shqiptarëve. 

Historia e kombit shqiptar gjatë shekujsh është përballur vazhdimisht me pengesa të llojllojshme të cilat kanë bërë të pamundur bashkimin shpirtëror dhe kombëtar të Shqiptarëve.  Ishin këto pengesa të vjetra e të reja, sipas orekseve të rastit, të armiqëve të shqiptarëve, por të cilat ishin shumë më të rënda se pengesat me të cilat janë përballuar kombe të ndryshme të Ballkanit dhe të Europës, në rrugën e tyre drejtë bashkimit kombëtar.  Megjithë këto pengesa — dëshira dhe ndërgjegjia e shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar nuk u shua kurrë.  Por megjithë pengesat historike për bashkimin e shqiptarëve, historia ka plot raste personalitetesh kombëtare që janë dalluar për veprimtarinë dhe luftën e tyre për bashkim shpirtëror dhe kombëtar të shqiptarëve.  Njëri prej këtyre figurave më të dalluaraa është Ded Gjon Luli nga Malësia e Madhe.  Me 24 Shtator 2020 u mbushën 105-vjetë nga vrasja tradhtisht e tij. Ishte 24 Shtatori, 1915 kur mbaroi njëri prej kreshnikëve më të shquar të kombit shqiptar.

Megjithëse – në mungesë të kujtimit të kësaj date dhe të këtij heroi të kombit, nga faktorët zytar shqiptarë – përpjekja ime modeste për të kujtuar këtë burrë të maleve tona – më duket krejtësisht si një përpjekje e bjerrur, por nuk po mundem të kursehem pa i thënë dy fjalë, me këtë rast.

Dedë Gjo’ Luli ishte prijsi i kryengritjes së Malësorëve kundër Perandorisë Osmane, kryengritje e cila çoi në ngritjen e flamurit kombëtar për herë të parë në trojet shqiptare, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit — Skënderbeut.  Sipas historianëve, kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin kundër otomanëve dallohej nga kryengritjet e tjera të shqiptarëve — mbi të gjitha — për nga karakteri mbarëkombëtar që e frymëzonte atë, që më në fund, tërhoqi edhe interesimin dhe mbështetjen e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit.  Pasi angazhimi dhe lufta serioze e Malësorëve me Ded Gjon Lulin tërhoqi vëmendjen e tyre, ata shkuan për tu takuar me malësorët e Ded Gjo Lulit dhe si përfundim përpiluan, atë që njihet si, “Memorandumi”, i cili përmbante kërkesat mbarëkombëtare të Shqiptarëve për një Shqipëri me administratë, gjuhë dhe buxhet të vetin.  Memorandumi në fjalë ishte, në të vërtetë, një pasqyrim i kërkesave të gjithë shqiptarëve për vetadministrim.  Kërkesa kryesore e Ded Gjo Lulit dhe e malësorëve të tij, ishte se Shqipëria, vetëm “donte vedin me sundue”.

Lufta e tyre kishte qëllime, kryekëput, mbarëkombëtare.  Si frymëzuesi i këtyre përpjekjeve gjithë kombëtare, Ded Gjon Luli mbetet edhe në këtë 105-vjetor të vrasjes së tij — një simbol mbështetës i përjetshëm i idealeve dhe i bashkrendimit të interesave dhe të fateve, afat-shkurta dhe afat-gjata, të trojeve etnike shqiptare

për bashkim.  Për më tepër, Dedë Gjon Luli duhej të konsiderohej edhe si njeriu që ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare, në atë kohë. Si përfundim i luftërave të malësorëve për liri, gazetat europiane të kohës shkruanin për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo më duke përdorur një fraza të zbrazta gjeografike, por shkruanin për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore e pushtimit turk: për një popull i cili dëshironte bashkim të trojeve të veta etnike — ndër më homogjenet në Europë– pasi si sanxhak ottoman, Shqipëria ishte e ndarë në vilajete dhe administrohej nga një sistem i egër otoman.  Për më tepër, Kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi edhe kryengritjet e tjera mbarë shqiptare në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, duke çuar më në fund në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor, 1912. 

Dedë Gjo’ Luli, si rradhë ndonjë tjetër patriot shqiptar, pati guximin dhe trimërinë të sfidonte perandorinë osmane dhe kolonializimin shekullor të shqiptarëve ngaa institucionet e sajë. Si i tillë, ai ndryshoi përgjithmonë historinë e kombit shqiptar, duke e çuar atë drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe të pavarësisë politike të një shteti të pavarur, të quajtur Shqipëri. Vepra e Dedë Gjon Lulit dhe e malësorëve të tij mbetet sot e kësaj dite një akt i madh historik e patriotik, që do që meritonte të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale dhe të vlerave atdhedashëse të malësorëve dhe të kombit shqiptar, në përgjithësi, për të jetuar në liri dhe duke sunduar veten, larg influencave të huaja, kundër pushtuesve të huaj dhe të gjithë atyre që, historikisht, nuk ia kanë dashur kurrë të mirën shqiptarëve — as atëherë, as sot!  Me heroizëm dhe sakrificë Dedë Gjon Luli dhe malësorët e tij —  i ndëjtën besnikë vlerave shekullore të fisit të shqiptarëve: mbi të gjitha drejtësisë dhe lirisë, si dhe vet-sundimit dhe vlerave të Kombit Shqiptar – besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë robërisë shekullore të perandorisë turke, si dhe të armiqëve të tjerë të afërt dhe të largët të Kombit shqiptar, ndër shekuj. Dedë Gjon Luli ishte personfikimi i këtyre vlerave shekullore të shqiptarit.

 Ded Gjon Luli duhet të kujtohet edhe sot si një figurë e kombit shqiptar i cili  i  me shembullin e tij u thotë edhe sot shqiptarëve se kjo tokë e vjetër nuk mund të nxirret në ankand për tu shitur nga askush.  Duke ngritur flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbe, për herë të parë në pesë shekuj, Dede Gjon Luli ka  ndërruar përgjithmonë fatin dhe epokën e Shqiptarëve.

Prandaj, në këtë 105-vjetor të vrasjes nga serbo-malazezët, Ded Gjon Luli meriton të njëjtin respekt që i akordohet rilindasëve të kombit dhe baballarëve të pavarësisë së Shqipërisë, si Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Mungesa e vazhdueshme e respektit zyrtar për Ded Gjo Lulin, si figurë historike dhe e veprës së tij atdhetare por – të pakën edhe e një kujtimi sadopak simbolik të tij në përvjetorë si ky 105-vjetor, më bën të ndihem se edhe ky kujtim modest nga ana ime –mijëra kilometra larg trojeve shqiptare – në të vërtetë nuk është asgjë më shumë se një kujtim i bjerrur.  Si rrejdhim, në këtë përvjetor,  së bashku me Fan Nolin, dua të shprehem se megjithë,  “Trimëritë, mençurinë, guximin dhe vetëdijen e lartë që kishte dhe për sakrificat që bënte për Atdheun e tij”, Ded Gjon Luli — edhe unë ashtu siç është shprehur edhe Noli —  “Jam ndjerë i pezmatuar, kur vonë u rehabilitua nga sistemi komunist dhe shumë pak u përmend”, Ded Gjon Luli, sipas Fan Nolit.  Besoj se Noli do të shprehte të njëjtin zhgënjim edhe sot se si politika 30-vjeçare post-komuniste trajton Herojt e Kombit si Dedë Gjon Lulin dhe kontributin e tij ndaj lirisë dhe vet-sundimit të Kombit!

Me heshtjen e tij, regjimi komunist i Enver Hoxhës e dënoi për së vdekuri Dedë Gjon Lulin, heroin e luftërave për Flamur dhe Pavarësi të shqiptarëve.  Fatkeqsisht, është kjo një heshtje që vazhdon edhe në periudhën post-komuniste.  Çdo komb tjetër po mos të kishte një hero si Ded Gjo Lu do ta çpikte një të tillë. Sot, udhëheqsit shqiptarë, për fat të keq, adhurojnë më shumë pasardhësit e atyre kombeve që kolonizuan tokat shqiptare për pesë shekuj, madje duke u ndërtuar atyre edhe përmendore në tokat shqiptare që dikur i kishin zaptuar dhe jo heronjtë, e luftërave për Flamur dhe Pavarësi të Shqipërisë, si Dede Gjon Luli. Megjithëkëte, “Historia vonon, por nuk harron”, ka shkruar Fan Noli, në kujtim të heroit mbarëkombëtar, Ded Gjon Lulit.

See the source image

  Marrë nga libreza “Kryengritja e Ded Gjo’ Lulit” (1911-1971), Ernest Koliqi, Romë, 1971

Filed Under: Opinion Tagged With: Dede Gjo luli, Frank shkreli

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË (3)

September 25, 2020 by dgreca

(Tridhjetë vite historie shqiptare)–

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”– J. F. KENNEDY– SHKRUAN:EUGJEN MERLIKA-*

Kohët e fundit është diskutuar shumë për një ligj të miratuar nga Këshilli i ministrave mbi një amnisti fiskale për kapitalet shqiptare që aktualisht janë jashtë shtetit. Praktikisht bëhet fjalë për një ligjësim të shumave të mëdha të parave që nuk janë të regjistruara n’asnjë bankë, apo janë në banka fantazma që i shërbejnë veprimtarisë mafioze. Kjo mbulohet me një vello “bamirësie”, për t’i ardhur në ndihmë shumë shqiptarëve që kanë “kursyer” gjatë jetës së tyre e tani duan të vijnë të investojnë në Shqipëri. Po t’ishte i vërtetë ky motiv nuk do të kishte nevojë për një amnisti, mbasi paratë e fituara me punë të ndershme, janë të depozituara në banka dhe i janë nënështruar taksimit në Vendin ku kanë punuar. Pra shteti shqiptar nuk ka të drejtë tjetër t’i taksojë ato e prandaj nuk ka kuptim të shpallë një amnisti, mbasi është e drejtë e tyre e ligjëshme t’i sjellin nëse dëshirojnë. Kështjella e amnistimit si një përkrahje nga ana e tij për qytetarët e tij që jetojnë jashtë është e ngritur mbi rërë.

E vërteta është se demokratura është e interesuar jo për kursimet e shumicës, të cilët janë simbolike, po të mbahen parasysh kërkesat e familjeve për jetesën e rritjen e shkollimin e fëmijëve. Të gjithë ata që, në këto tridhjetë vite, kanë jetuar e punuar ndershmërisht jashtë Shqipërisë, kudo qoftë, e dinë mirë se sa e vështirë e me sa shumë flijime ka qënë e mundur të vihen kapitale, më së shumti kanë kursyer diçka për të mos i shtrirë dorën bijve të tyre në pleqërinë që ndoshta e ëndërrojnë t’a kalojnë në Vendin ku kanë lindur për mall, për t’u varrosur aty apo për leverdi ekonomike.

Ligji i ri, i miratuar nga qeveria, ka hasur në kundërshtimin e organizmave ekonomikë ndërkombëtarë, që e dijnë mirë se çfarë fshihet mbas tij. Hartuesit e tij mund të thonë, me të drejtë, se veprime të këtilla nuk janë dukuri vetëm shqiptare, se ndodhin edhe gjetkë e janë mënyra të ligjëshme të shtetit për të pasuruar thesarin e tij, nëpërmjet faljes së parregullsisë së disa individëve në këmbim të një takse të kripur që duhet të paguajnë ata. Sidoqoftë janë lëvizje parash, frute të shmangies së pagimit të taksave, e si të tilla, ligjërisht të diskutueshme. Mbas përvojave të financiareve e të parave të drogës masive të kanabizimit, besoj se nuk kemi nevojë për një ligj të mbytjes së tregut financiar shqiptar me kapitale të paligjëshme. Gjithmonë pasojat e këtyre dukurive bien mbi qytetarët e thjeshtë, mbasi ata që i gatuajnë e hedhin vaun pa u lagur. Ndoshta ky ligj synon të verë rregull në paratë që investohen me lehtësi vetëm në Shqipëri, ku mbyllen sy e veshë përsa i përket prejardhjes së tyre. Me siguri nuk është kjo rruga m’e mirë për përparimin e mirëqënien e shqiptarëve.

Zhvillimi i një Vendi arrihet nëpërmjet shfrytëzimit më t’arsyeshëm të mundësive ekonomike që ai premton. Çuditërisht, në gjithë këto vite, pasuritë nëntokësore që dikur ishin nga bazat më të sigurta të ekonomisë, edhe në sajë të punës së papaguar të të dënuarve politikë e jo, janë kthyer në problematika shtetërore e shoqërore, me dukuri të tilla si mungesa e t’ardhurave shtetërore nga taksat e veprimtarive të tyre ekonomike e aq më keq mungesa e pagesave të rrogave të vetë punonjësve, që detyrohen të ushtrojnë trysni mbi shtetin, për të ndërhyrë tek ndërmarrjet konçesionare duke ju kujtuar atyre se duhen paguar rrogat e punonjësve. Është e pakonceptueshme që të ketë konçesione për nxjerrjen e naftës apo mineraleve, që nuk paguajnë asnjë taksë prej 15 vjetësh. Bujari e lashtë e demokraturës shqiptare! Kjo dukuri është tregues i një politike ekonomike krejtësisht të dështuar në dhënien e konçesioneve për shfrytëzimin e pasurive nëntokësore, që mund të kenë luhatjet e veta, por është e papranueshme që të tkurren në zero përsa i përket përfitimit të veprimtarisë ekonomike. Është shëmbull domethënës i papërgjegjshmërisë së klasës drejtuese të demokraturës, në të gjithë përbërëset e saj dhe i trajtimit të pasurisë së përbashkët si pasuri që nuk i përket askujt e në të cilën mund të verë dorë kushdo. Është tregues i diletantizmit marramendës me të cilin mbarështohet ekonomia, e përfaqësuar në organet e saj drejtuese nga njerëz krejtësisht jashtë fushës e kompetencave. Janë dëshmi të kësaj keq-qeverisjeje faktet e heqjes e tani të rivendosjes së kazinove, të marrjes së vendimeve që mbas ankimimeve në organizmat e Drejtësisë evropiane e detyrojnë shtetin shqiptar të paguajë dhjetra  miliona euro si dëmshpërblim për ndërmarrjet apo individët e goditur, faktet e panumurta të dhënies së tënderave për ndërtime rrugësh apo objektesh të tjera shtetërore me një farë çmimi të përcaktuar me marrëveshje e më pas të miratohen çuditërisht të tjera shtesa financiare, krejtësisht të paligjësuara. Të gjitha këto parregullsi që i kushtojnë humbje shtetit e qytetarëve, kalojnë në heshtje ose shumë shumë shkaktojnë ndonjë ndrrim vendi apo shkarkim të ndonjë ministri, pa shpjeguar asnjëherë se ku qëndron e vërteta e shkarkimit e sa janë përgjegjës n’atë të vërtetë kryeministri apo zëvendësi i tij. Në këtë drejtim demokratura përcjell shëmbujt që vijnë nga diktatura, përsa i përket shpërndarjes së përgjegjësisë, edhe se nuk zbaton kriterin e saj sa i takon dënimit të njerëzve.  

Sot i gjithë synimi i strategjisë së zhvillimit të Vendit përqëndrohet te turizmi. Është një synim i arsyeshëm, sepse mbështetet në nismat vetiake e familjare, duke mobilizuar në sendërtimin e tij një sasi banorësh, të cilët me punën e tyre mund t’i japin një vlerë të shtuar vetë përfytyresës së Shqipërisë në fushën e turizmit. Por ky zotim nuk përjashton edhe investimin e kapitalit të madh në destinacione luksoze që mbeten objekte pushimi e dëfrimi të mjerëzve të pasur, të huaj apo vendës, tepër larg nivelit mesatar të përgjithshëm të shoqërisë. Duket se demokratura është mjaft e ndjeshme ndaj kësaj veprimtarie, duke e ndihmuar në të gjitha mënyrat e mundëshme e duke e quajtur një përparësi të zhvillimit, ndoshta dhe t’interesave të saj lëndore. Kjo fushë e re duhet të synojë t’a kthejë Vendin në një objekt të stërmadh turistik që të jetë tërheqës në të gjitha stinat e vitit, falë shumllojshmërisë së mjediseve natyrore që janë të pranishëm në Shqipëri.

Por turizmi duhet të ketë edhe bazën e furnizimit me produkte ushqimore të kultivuara në vend (agroturizëm) që të vlerësojnë traditën tonë të lashtë, sa i përket larmisë së ushqimeve e të gatimit të tyre, të cilat janë nga përbërësit më të rëndësishëm të vetë veprimtarisë turistike. Ky lidhet me bujqësinë e gjëndjen aspak të kënaqëshme, në të cilën ajo është zhytur në këta tre dhjetëvjeçarë. Ka nisma vetiake të lëvdueshme e përfundime shpresandjellëse n’atë drejtim, por nuk ka një strategji shtetërore që të ndihmojë investitorët dhe punonjësit e bujqësisë në punën e tyre.  

Nga komunizmi trashëguam një bujqësi jo shumë të përparuar, por t’organizuar në ndërmarrje shtetërore e kooperativa bujqësore. Krahas tyre plotësonin kuadrin ndërmarrjet e ujitjes e të bonifikimit, të mekanikave bujqësore e të grumbullimeve të prodhimeve. Në sajë të bashkërendimit të veprimtarive të këtyre formave të organizimit shtetëror, bujqësia ishte njëra nga përbërëset më të rëndësishme të vetë ekonomisë. Nxjerrja jashtë veprimit apo shkrirja e plotë e tyre krijoi një zbrazësirë që ende sot nuk po mbyllet e që nuk po gjen asnjë alternativë të vlefshme për zëvëndësimin e funksionit të tyre në dobi të gjithë ekonomisë bujqësore. Bujqësia bashkëkohore, e aftë të përballohej me tregjet e huaja, mbeti një ëndërr të cilën edhe mbas tridhjetë vitesh po e shohim me sy hapur.

Është për t’ardhur keq, por demokratura shqiptare nuk pati asnjë ide të qartë për të ndihmuar zhvillimin e kësaj pjese t’ekonomisë që, në shekuj, ka qenë baza e jetesës së shqiptarëve. Kjo mungesë idesh vazhdon edhe sot. Është e vërtetë se tjetërsimi i sistemit detyronte kthimin e pronës në duart e fshatarëve, por atyre askush nuk i tha se në fazën e re të marrjes së tokave në zotërim, ishte i domosdoshëm një organizim mbi baza vullnetare të miqësive a të lidhjeve familjare, për të krijuar ekonomi më të mëdha që do t’ishin në gjëndje të ishin, për shumë arsye, konkuruese në treg. Si pasojë e këtij organizimi të ri do të kishte më shumë prodhim, më shumë pasuri për vetë punonjësit e tokës, më pak toka djerrë e më pak njerëz të papunë.

Nëse sot ka në Shqipëri ekonomi bujqësore, blegtorale a të pemtarisë, që janë vepruese e rentabël, kjo i detyrohet krejtësisht nismave të lëvdueshme të vetë fshatarëve shqiptarë, e deri diku edhe përvojës së fituar jashtë, kryesisht në Itali e Greqi, Vëndeve ku më së shumti mërguan shqiptarët, duke përsëritur dukuri të shekujve të shkuar, të viteve të para të pushtimit osman. Por nëse nismave të individëve apo familjeve do t’i ishte përgjigjur një strategji krijuese e bashkëkohore e klasës drejtuese, përfundimet do të kishin qënë shumë më të mira në shumë drejtime. Madje jo vetëm kjo strategji është e paqënë, por në të kundërt ka tregues që dëshmojnë mungesën e plotë të organeve qeveritare në gjithë këto vite, për t’i ardhur në ndihmë kësaj dege të rëndësishme t’ekonomisë. Është i paligjërueshëm fakti i çmimeve shumë të larta të naftës që zbatohen në Shqipëri. Nafta është një nga përbërësit kryesorë të kostos së një veprimtarie ekonomike, për më tepër bujqësore. Dihet se çmimi  i shitjes të saj, më shumë se sa vlera e blerjes varet nga sasia e taksave që ngrenë në qiell atë. Janë demagogji e pastër premtimet e ndryshme të kastave drejtuese për të ulur taksat nëse nuk ndërhyhet në ato të tërthortat, që janë TVSH apo taksat e naftës.

Shtator 2020 VIJON

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, ne demokrature 3, nga diktatura

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT