• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2020

Dr. Ruki KONDAJ: Lidhja me arbëreshët një frymëzim për mua

October 20, 2020 by dgreca

NGA MARJANA BULKU*-

Dr. Ruki Kondaj (Ambasadore Kombi ) është  një intelektuale e formular brenda dhe jashtë  shqiperise , aktiviste e njohur në mbare  Diasporen e jo vetem në Kanada, puna dhe pasioni i saj është  promovimi I vlerave më të mira kombetare , ëndrra  e saj e madhe mbetet Bashkimi kombetar. Ajo  aktualisht është Presidente Nderi e Shoqates  Shqiptaro Kanedeze dhe njihet si lobiste e fuqishme e Ligjit të trashegimise Shqiptare në Parlamentin ON, Kanada. Lidhja me arbereshet është  nje lidhje shpirterore e vecante e saj e cila ka shtuar veprimtaritë , miqtë dhe aktivistët në mbrojtje të kulturës dhe pasurive tona kombëtare . Ndiqeni intervisten:

Marjana Bulku : Nga e ka zanafillën lidhja juaj me arbëreshët, a mundeni të na sillni një kronologji konçize të kësaj marrdhënieje?

Dr Ruki Kondaj: Lidhja me arbëreshët është më shumë se një dekadë,  filloi me arbereshët e Torontos dhe vazhdoi më tej, unë e kujtoj gjithmonë si fillimin ashtu edhe vazhdimin duke   parë gjërat  tona të përbashkëta, ato qe na lidhin aq shumë, gjaku, gjuha, flamuri, zakonet , traditat, simbolet kombëtare etj.  duke e konsideruar  si një lidhje  shpirtërore, shumë të veçantë dhe tejet frymëzuese jo vetem për mua si person, por edhe një pikënisje për punë e projekte të përbashkëta që kemi pasur në tëre  këto vite. 

Arbëreshët e parë në Toronto me të cilët kam patur rastin të takohem  10 vjet më parë kanë qenë drejtuesit e Shoqatës Italo-Arbëreshe me Presidentin e saj për shumë vite zoti Frank Figlia dhe sekretarin  e kësaj shoqate,   aktualisht punonjës  në Universitetin Rayerson zotin  Salvatore Greco, të cilët kanë mbajtur për vite e vite së bashku komunitetin arbëresh në Toronto me  shumë aktivitete jo vetëm për të qenë më afër njeri tjetrit dhe për të mbajtur gjallë komunitetin e tyre arbëresh të cilët nuk kanë qenë pak në Toronto.Dëshirën  për t’u  lidhur me arbëreshët në Toronto ma plotësoi  producenti i televizionit Pasqyra Shqiptare , zoti Ilir Lena i cili më mundēsoi kontaktet me zotin Frank Figlia. Nga bisedat dhe takimet me të u  njoha  me shumë aktivtete të tyre, vështirësi , sfida dhe arritje me të cilat përballet një shoqatë në perëndimin e zhvilluar  ku antarësia e vjetër dhe ajo e re e kanë të domosdoshme,  por shumë herë të pamundur bashkëpunimin .Me z.Frank Figlia kam mbajtur kontakte të vazhdueshme,e kam vizituar në shtëpi disa herë vetëm dhe me miq, e kemi ftuar në evente të shoqates sonë , edhe pse fiziku i tij ia ka pamundësuar pjesëmarrjen. Më  shumë kontakte kemi pasur me z.Salvatore Greco, sekretarin e shoqatës  të cilin e kemi ftuar nëpërmejt shoqatë që nga 100 vjetori I  Pavarësisë,   për çdo vit në festat e  flamurit veçanërisht në festimet e muajit  të trashëgimisë shqiptare në Parlamentin  e ONTARIOS, I cili  jo vetem ka marrë pjesë rregullisht, por ka përshëndetur për çdo herë me shumë emocione në këto festime  të bukura të ruajtjes së trashëgimisë shqiptare e institucionalizuar me ligj per komunitetit shqiptar në Ontario Kanada ne 2016, produkt I SHBSHK.

Në 2011 Z.Frank Figlia më besoi dokumentacionin e shoqatës se tyre, në pamundësi  për të vazhduar dhe një listë të plotë të antarësisë së tyre si dhe një foto të veçantë të aktivistit të hershëm shqiptar z.Duro Çini ku ai ruante një respekt të veçantë për bashkëpunimin që kishin patur sëbashku,   të cilat I kam depozituar në dokumentacionin e shoqates tone, ndërsa foton ja  kam dorëzuar motrës së tij,  të ndjeres znj.Meshane Çini.

M.Bulku : Në jetën e komunitetit shqiptar në Kanada bie në sy Laura Albaneze dhe marrdhënia juaj e veçantë me të , si lindi ajo?

Ruki Kondaj :Personi më i veçantë nga arbëreshët në Toronto ka qenë njohja me  ish Ministren e Emigracionit dhe Shtetësisë së ON dhe deputete në Parlament të ON znj.Laura Albanese.Historia e njohjes me të lidhet me 100 -vjetorin e pavarësisë kur unë kisha dy vjet që drejtoja shoqatën shqiptaro kanadeze të Torontos.Nxitja për t’a ftuar  atë në organizimet tona më erdhi nga mbiemri i saj “Albanese” e sigurtë që  duhet të ishte arbëreshe.Origjina e saj vjen nga Taranto në Regjionin e Puglias ku kanë emigruar herët  shumë arbëreshë dhe shumë nga mbiemrat  atje janë Albanese.Në fillim të vitit 2013 e ftuam në zyren e shoqatës  për një vizitë dhe ajo  erdhi në një takim i cili ishte planifikuar 30 minuta,  por në fakt shkoi më shumë se tre orë .Ishte një takim i këndshëm dhe tejet miqësor midis nesh ku na dukej sikur e njihnim me vite dhe ndjehej se do të lindte një miqësi e gjatë me të.Ajo nuk ishte aq e sigurtë për të deklaruar publikisht origjinën arbëreshe duke premtuar se do bëj kërkime, por as nuk e ka mohuar kurrë edhe kur deputeti dr. Shafiq  Qaadri I thoshte me zë të lartë në seancat parlamentare të diskutimeve të Ligjit të Trashëgimisë shqiptare “Ministria shqiptare” kjo ishte më shumë se ta pranonte vetë publikisht, vetë mbiemri Albanese flet shumë për të. Fillimi i procedures së festimeve të muajit të trashëgimnisë më nxiti që ta piketojmë Zonjën Albanese për të udhehequr proçesin  e njohjes së ligjit në parlament për ta shpallur nëntorin muaj të trashegimisë  shqiptare, gjë që ajo e realizoi me shumë sukses.Laura ishte jo vetem një lidere e fuqishme, por edhe shumë bashkëpunuese, e thjeshtë dhe e dashur me njerzit dhe strikte me rregullat.Në sajë  të punës së saj si dhe kolegeve të saj të nderuar z. Brad Dugud, z. Yvan Baker, dr.Shafik Qadri  me mbështetjen e  të gjithë deputeteve të gjithë partive parlamentare dhe punën e  palodhur të SHBSHK muaji Nëntor u shpall muaji I trashëgimisë Shqiptare në ONTARIO më 5 Dhjetor 2016,  ngjarje kjo që ka lënë gjurmë të thella në gjirin e komunitetit shqiptaro-kanadez. Takimet  me të kanë qenë të shumta , nga ky kontribut I madh për Shqiptaret e ON Laura është e njohur tashmë jo vetëm në Kanada,  por anë e mbanë shqiptarisë. Më tregoi një rast kur kishte udhëtuar për Ottawa dhe në aeroport kishte diçka metalike që jepte sinjal, kontrolluesja e ktheu dy,  tre here dhe  kur kishte parë emrin Laura Albanese,  ndaloi dhe I kishte thëne  kalo për ty s’duhet të të kisha lënë në radhë,  ajo grua ishte shqiptare dhe kjo në shenjë respekti e mirënjohje. Tani ajo nuk është më në parlament,  por miqësia dhe raportet tona janë edhe me  të forta se më parë sepse ajo meriton përhere mirënjohjen dhe respektin tim.

Marjana .Bulku:  Po me Arbereshet e Kalabrise a keni artitur të kontaktoni apo ti keni pjesë e festimeve tuaja në kuadrin e muajit të trashëgimnisë kulturore?

Dr. Ruki Kondaj: Kontaktimi dhe njohja me Arbëreshët e Kalabrise ka qenë me të madhin At Antonio Belluscin, prift e studjues  i konsideruar De Rada i ditëve  të sotme, një shqiptar I madh me të cilin jam njoihur  në 100 vjetorin e Vatrës në Amerikë në Prill të 2012 dhe pas këtij takimi ai më ftoi në 100 vjetorin e pavarësisë në Frasnitë të provinzës së Cozencës në Maj të  vitit 2013.Të ftuar ishin anë e mbanë  shqiptarisë në botë ngaqë ishte një ngjarje me përmasa të mëdha e cila është skalitur përjetësisht në mendjen time.Keta njerëz emigruan  pas vdekjes së Skënderbeut dhe për shumë vite kanë jetuar në ato troje duke ruajtur me fanatizem gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre. Antonio Bellusci ky personalitet i lartë shqiptar ishte organizatori së bashku me Peshkopin e Eparhisë së Ungres z.Donato Oliverio këtë përvjetor të madh ku për dy ditë me radhë u shpalos flamuri shqiptar,u realizuan  referimet shkencore për të kujtuar 100 vjetorin e pavaresise së Shqipërisë dhe rolin e arbëreshëve ndër vite.Ajo që më  la mbresa shumë të mëdha ishte jo vetëm në Frasnitë,  por dhe në katundet rrotull  që jane rreth 15 fshatra ishin rrugët (Udhë) ku shkruhej në dy gjuhët , italisht & arbërisht, busti I Skënderbeut në qendër, vallja e  kënguar e fitores së Skënderbeut,  polifonia e kënduar nga këngëtari I madh arbëresh I vet quajtur “Princi I Arberise” z.Francesco Frega dhe grupi I tij që më  ngjau me polifoninë tonë të jugut, por me një ndryshim se ata nuk kishin kthyes,  por vetem marrës dhe iso në grup, gatimet e tyre shumë të veçanta sidomos “Shtriglat” e gatuara nga Lucia Martino, apo pastat dhe pizat e gatuara nga zonja Rina (motra e At Antonios) dhe mbi të gjitha Biblioteka e ngritur mbi gërmadhat e shtëpise së Antonio Belluscit,  në cati të së cilës valvitet në çdo festë kombëtare flamuri shqiptar I cili  është dhe themeluesi dhe mirëmbajtësi i kësaj  bibloteke  me mbi 10.000 libra, një pasuri kjo me vlera mbarë kombëtare.Në atë biblotekë në emër të shoqatës  dhurova tre punime të artistit tonë të nderuar të komunitet të ndjerit  z. Hytbi Tarelli ku janë dhe sot e kësaj dite si një basoreliev të Skënderbeut, Hymnin Kombëtar dhe Kongresin  e Manastirit , kongresin e gjuhës  shqipe. Nëpërmjet At Antonios kam takuar shume arbëreshë të tjerë midis tyre z.Tomaso Ferrari dhe z.Tomaso Belluschi , bashkë autorë të organizmit të 100 vjetorit. Nuk mund të ndaj nga At Antonio motrën e tij znj.Rina, një grua tipike arbëreshe jo vetëm në mikpritjen e saj,  por edhe në zërin e saj të veçante që na këndonte  këngët e vjetra arbëreshe në shenjë respekti për vëllezërit  shqiptarë.Nga duart e saj jane bërë pëlhura të bukura në tazgjahun e saj karakteristik që ngjajnë deri diku me punimet e Zadrimës, një prej të cilave e kam dhe unë dhuratë në shtëpi.Në ato dy ditë dëgjova shumë shprehje dhe fjalë, disa me theksin tonë të vjeter jugor, p.sh. vajzës së bukur I thonin “kopile”, që unë nuk e kisha hasur më pare më parë,  “ne nuk e kemi fjale te mirë”  dhe një shprehje “ “kur folje ti mu bene mishtë koqes koqes”e mora me mend si shprehjen tone mu bënë mishtë kokrra, kokrra…

Në  këtë takim une njoha një mike shumë të veçantë të cilën e kam mike të ngushtë  edhe sot e kesaj dite, znj. Lucia Martino, mjeshtre e madhe, mbrojtëse fanatike e gjuhës , kulturës dhe traditës arbëreshe.Lucia drejton shoqaten Vorea , por edhe Ambasadore e guzhinës arbëreshe, ka një familje të mrekullueshme me bashkëshortin Salvatore Ferrari dhe dy djemtë Pierfrancesco dhe Mimmo Ferrari me gratë dhe 4 femijët e tyre të mrekullueshëm. Ajo ka një grup artistik  teatri dhe komedie ku gjithnjë  promovojnë  kulturën e tyre arbereshe.Jam takuar me ta me shumë se tre herë dhe janë një grup shumë simpatik ku çdo gjë e bëjnë me vullnetarizëm duke vënë shume dashuri në të. Dua të permend emrat e tyre në shenjë respekti e të me falin në se harroj ndonjë,  Amato Elena, Cessarini Gemma, Basile Salvatore, Basile Giuzepe, Ferrari Margarita,Ferrari Maria, Belluschi Rosela, Blaiota Emilia, Di Cunto Maria, Pace Salvatore, Scutari Maria Pia, Filo Basilica, De Bartolo Santino, kantautor, Frega Maria Francesco si dhe nje  këngëtare kalabreze mike tê Lucias, që këndon aq bukur  këngën arbereshe znj.Francesca Prestia . 

Vitin e kaluar une isha atje përsëri dhe mora pjesë dhe në çfaqjet e tyre të bukura plot humor  ku gjithnjë merrte pjesë dhe kryebashkiaku I tanishëm Angelo Catapano. Ndërmjet Lucias kam njohur shumë arbëreshë si ish kryebashkiakun e vitit 2013 z.Francesco Pellicano, ku të dy me At Antonin më realizuan një takim të te cilit  I dhurova po një punim të Skenderbeut,  të Hytbi Tarellit,  por edhe shumë të tjerë si sipërmarrësi me shumë kontribute në komunitetin arbëresh z. Francesco Pellicori,  z.Agostino Giordano, drejtor I revistes Jeta Arbëreshe,   ish senatorin arbëresh në Kanada z. Basilio Giordano,  sipërmarrësin  Mario Brunettin , zj. Flavia D’agostino  një njohëse shumë e mirë e gjuhës shqipe, zonjat e komunës së Civitës, të me falin nuk i kujtoj emrat,  por I kam në mendje dhe në foto dhe artistin Paolo Cozzolino, drejtor i muzeut në katundin Firmo.

Miqësia me Lucian erdhi kaq natyrshëm sa duket sikur kishim qënë tërë jetën bashkë.Sipas  Lucias në ruajtjen e gjuhës arbëreshe dhe traditave rolin kryesor e ka gruaja dhe kisha.  Në  festimet e muajit të trashëgimnisë në vitin 2016 nëpërmjet SHBSHK  e ftuam Lucian dhe studenten Maria Ferrari në parlamentin e Ontarios si protagoniste të një ngjarjeje  që do jetojē  gjatë në mendjen e shqiptarëve, por edhe të parlamentarëve që mësuan më  shumë për Arbëreshët dhe jo vetem për shqiptarët e famshëm, heroin tonë kombëtar, GJ.K. Skëderbeun, besën shqiptare, gjuhen shqipe etj.Vizita e Lucias dhe Marias bëri  jo vetëm të shpalosin kulturën arbëreshe,  por të njohin arbëreshët në Toronto si arbëreshen e tyre Laura Albanese, Frank Figlian, Salavatore Grecon,  por edhe shumë shqiptarë,  miq e familjarët tanë.

Marjana Bulku  Kur përmendni Luçian ju kujtoni emra, njerëz dhe veprimtari që nuk reshtin …

Ruki Kondaj ; Po , miqësia me Luçian ka prodhuar miq dhe ngjarje të  përbashkëta, të bukura, të paharrueshme . Përmes Luçias unē njoha jo vetëm arbëreshët e Kalabrisë,  por edhe arbëreshët e NY siç është mësuese  Lindia Lucrezia,një grua shumë e kulturuar,  Pisarri Cristina (Intrater) që është njëkohësisht edhe bija e Maria Lidia Zappa nga Argjentina, kusherira e Lucias,Cristina një vajzë e shkathët dhe shumë mikpritëse e lindur në Argjentinë dhe banuese në NY, 

Takimi me arbereshet e NY nisi me parë me kontaktime me email me prof.Lucrezian, dhe vazhdoi   në festimet e Columbus Day në NY në Tetor të vitit të kaluar organizuar nga kalabrezi Luciano Siciliano I cili mirëpriti në shtëpi të tij kalabresë e arbëreshë bashkë   sepse ata janë jo vetëm pjesë e një zone gjeografike,  por edhe kanë kulturë të përafërta ,sigurisht se arbereshet janë të integruar në Itali sepse kanë  mbi 500 vjet në një vend europian  si Italia.

Në New york Lucia erdhi me grupin e saj Vorea nga Frasnita e unë ju bashkova duke vajtur atje nga Kanadaja me qëllim suportimin e veprimtarive  të  tyre , me vete kisha marrë një flamur të madh kuq e zi që sapo e kisha sjellë nga Tirana, ndërkohe kisha kontaktuar  me median shqiptare në NY  si me Albanian Culture TV,  me gazetaren e mirënjohur miken  e përbashket time e të  Lucias,  znj. Marjana Bulku dhe Bota Sot të drejtuar nga gazetari i palodhur z.Beqir Sina.Parakalimi i grupit arbëresh ku dhe unë Marjana e Beqiri ishim pjesë e këtij manifestimi madhështor dhe mbresëlenës ku grupi arbëresh valviste flamurin kuq e zi të Skënderbeut, veshur me kostumet popullore, duke interpretuar këngë e valle arbëreshe,  por edhe shume kengë shqiptare nën flamurin kuq e zi që është valvit ndër shekuj e vite, flamurin më të  bukur në botë, rrugëve të Manhatenit gjigand.

Kujtime të bukura e të paharruara që I kam gjithnjë në memorjen time më të bukur.Mirënjohje e respekt për Luciano Sicilannon për këtë organizim gjigand dhe  Lucias qe asnjëherë nuk më harron ashtu si dhe unë atë.

Njohjet e ndërsjellta kanë qene shumë të veçanta dhe kane prodhuar ngjarje, ndermjet Lucias njoha shume arbëreshë dhe Lucia shumë shqiptarë, ajo është pjesë e miqësisë time, e familjes time dhe perveç ngjarjeve  që kemi qenë sëbashku të cilat  nuk po I citoj në detaje se jane disa dhe nuk janë subjekt I  këtij shkrimi veç për arbëreshët,  ne vazhdojmë në komunikim pothuaj ditor me  një grup shoqesh të ngushta që e kemi quajtur “Grupi shurupi” ku bëjnë pjesë përveç meje dhe Lucias,  artistët e medha Lili Cingu, Myfarete Laze, Alida Hisku si dhe gazetarja Marjana Bulku dhe  fale kësaj njohje të dy artistet e medha Myfarete Laze dhe Alida Hisku shkuan dy vjet më parë e dhane një koncert në Frasnitë te ftuara nga Lucia dhe ne respekt për arbëreshët.

Marjana Bulku: Bota arbëreshe duket se nuk ka fund , itali ,Kanada, Nju Jork, ku tjetër she Çfarëmbart tjetër kujtesa juaj aktive? 

Ruki Kondaj : po, Arvanitase e Greqise.

Përveç  arbëreshëve të Torontos, Kalabrisë , NY, dhe Argjentinës një momenti I veçantë ka qenë në vitin e mbrapshtë  të 1997 me arvanitesan  Vasilika Kuturiotis,  në se e mbaj mend ta shkruaj  tamam mbiemrin, ku une kisha shkuar për pak muaj në Athine dhe pata fatin të takoj këtë grua me gjak arbëror, një mesuese e zonja, një grua me shpirt të butë dhe me një  mirësi të pashoqe e cila për fat të keq sot nuk jeton më. Ajo u tregua shumë e gatshme të më ndihmonte dhe une nuk dija që ajo ishte një arvanitase, por përmes bisedash  të shumta  mësova  që e ema e saj fliste arberisht një gjuhë që nuk ia trasmetoi fëmijëve të saj të cilët vetëm më vone e kuptuan origjinen e tyre duke pyetur shpesh të emëm se çfarë ishte kjo gjuhë e veçantë .Nga Vasilika, që shkurt e thërrisnim Vaso   kam ruajtur një flamur shqiptar të vjeter ,viti nuk dihet -është shumë i vjetër ,-thoshte Vaso mbase më shume se 100 vjet që është ruajtur nga gjyshja e pastaj tek nena e saj dhe në fund tek unë dhe unë ia dhurova shoqatës në mbyllje të mandatit tim te dytë në shkurt 2015 dhe është në zyre të SHBSHK.Për fat të mire kam nje foto me të ku fytyra e saj I tregon gjithë ato miresi që thashe me lart.

 Une kam një ndjenjë shumë të veçantë për arbërshët, e kam ndjerë nga afër ate dashuri  të madhe edhe të tyre , mikpritjen respektin, dëshirën për të mësuar shumë për Shqipërinë dhe Kosovën.Lucia  më ka thënë gjithnjë sa herë e takoj: 

të gitthe ikën pas 100 vjetorit  nuk e kthyen kokën pas,  por ti jo, jo  vetem nuk na harrove,  por na viziton e na kujton shpesh dhe është plotesiht e vërtetë sepse kjo ishte ndjesia ime që unë kam për ta,  ndaj do ti vizitoj sa here të mundem edhe pse distanca është shumë e largët,  une atje gjej dashuri vëllazërore dhe shume frymëzim. Faleminderit Marjana që më nxite për të shprehur lidhjen time shpirtërore e të veçantë me  arbërshët “gjakun tonë të shprishur “siç thonë ata vetë.

*Me shume fotografi i gjeni ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Arbereshet, Dr.Ruki Konda, Marjana Bulku

TURIZMI BREGDETAR MES KOLAPSIT DHE RIMËKËMBJES….

October 20, 2020 by dgreca

Dritan Sterkaj, menaxher në fushën e turizmit dhe në industrinë e Hoteleri-Resorteve pranë “Divjaka Resort” analizon ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën ekonomike në industrinë e hoteleri – turizmit në Shqipëri dhe skanon masat e dështuara ekonomike dhe keqmenaxhimin shtetëror ekonomik të vendit çka e ka çuar industrinë e turizmit bregdetar drejtë rrënimit të plotë. Me Dritan Sterkajn bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

TURIZMI BREGDETAR DHE INSTUSTRIA E HOTELERISË NËN EFEKTIN E PANDEMISË GLOBALE

Kriza globale që shkaktoi pandemia e COVID-19 ka dëmtuar rëndë turizmin në Shqipëri, ashtu si edhe në çdo vend të botës dhe në ekonominë shqiptare po ndjehen efektet e menjëhershme. Prenotimet që ishin bëra nga shtetasit e huaj u unulluan pothuajse të gjitha. Kjo çoi industrinë e turizmit bregdetar në kolaps. Një rol negativ këtu luajti edhe vendimi i BE-së për të mos hapur kufijtë me Shqipërinë duke e bërë krizën edhe më të madhe. Përveç turistëve nga Evropa perëndimore, vitet e fundit kemi pasur një bum turistik nga vendet e lindjes së Evropës si Ceki, Poloni, Hungari, Rumani etj. Pandemia ka krijuar një krizë totale dhe pasiguri të madhe për të ardhmen e turizmit kryesisht bregdetar dhe industrinë e hotelerisë. Ne këtë vit nuk kemi punuar me staf të reduktuar dhe kapacitetet akomoduese të restortit që ne menaxhojmë nuk u plotësuan as në 20 përqind të tyre. Pra, ta themi troç, nuk po punojmë më për fitim por për mbijetesë.

SI PARASHIKOHET E ARDHMJA E SEKTORIT TË TURIZMIT NË SHQIPËRI

Turizmi në Shqipëri është një ndër faktorët kyç të zhvillimit të vendit pavarësisht kujdesit të pakët nga ana qeverisë, sepse i jep zhvillim vendit dhe zonës ku ushtrohet turizmi. Vetë industria e turizmit në vetvete ndërthur një zinxhir të madh të zhvillimit sepse punëson banorët e zonës por edhe nxit ekonominë lokale të furnizimeve. Natyrisht, që turizmi ka të ardhme në Shqipëri por kërkohet ndërhyrje e madhe në infrastukturë dhe kujdes i veçantë nga qeveria. Shteti nuk duhet ta shohë industrinë e turizmit vetëm për të vjelur taksa por duhet ta fusë në strategjinë kryesore të zhvillimit të vendit. Qeveria duhet ta shikojë si aleatë industrinë e turizmit jo si një plaçkë që ti sulë ushtrinë tatimore. 

QEVERIA E PAAFTË NË MENAXHIMIN E KRIZËS DHE QËNDRUESHMËRINË EKONOMIKE TË VENDIT

Zyrtarisht kemi 7 muaj në pandemi globale dhe qeveria ka qenë shumë e dobët në menaxhimin e krizës dhe shumë e paaftë që të ruajë stabilitetin ekonomik të vendit. Me dhjetëra biznese që falimentojnë çdo ditë, me qindra të papunë çdo ditë, me rritje të lartë të borxhit publik, me rritjen e pesimizmit dhe vdekjen e shpresës se ky vend do kthehet një ditë në binarë. Keqmenaxhimi qeveritar i pandemisë ishte ekonomikisht rrënuese për çdo shqiptar dhe sidomos për bizneset, hotelet, resortet që punësojnë mijëra qytetarë në këtë industri shërbimesh. Qeveria nuk nxiti punësimin. Qeveria frikësoi qytetarët dhe sipërmarrësit. Qeveria pasuroi dhe ndihmoi vetëm oligarkët. E keqja më e madhe sot për shqipërinë dhe shqiptarët nuk është pandemia, por qeveria që zhytet në korrupsion dhe varfëron qytetarët e pambrojtur. Shoqëria shqiptare, insdustria shqiptare, bisnesi shqiptar është i dërrmuar dhe lufton në kushtet e mbijetesës. Mijëra biznese mbyllen çdo ditë, qindra të papunë çdo ditë dhe qeveria vazhdon propagandën neveritëse. Në menaxhimin e fatkeqësisë Qeveria nuk mori masat e duhura, por improvizoi akte normative në kundërshtim me ligjin dhe shpesh herë edhe me vetë ekspertët e komitetit teknik. Qeveria iu kundërvu bizneseve dhe qytetarëve me mjete represive, dhunë policore, inspektore, propagande dhe gjuhë kërcënuese gjobash apo privim i lirisë ekstreme nëpërmjet burgosjes. Qeveria shqiptare nuk ka një strategjitë antikrizë. Ndërhyrjet me paketa lehtësuese dhe mbështëse për të papunët, të varfërit dhe biznesin rezultuan të pa studjuara mirë, të pa kordinuara dhe ta pa harmonizuara çka jo vetëm që nuk rezultuan pozitive por thelluan krizën ekonomike dhe sociale. Qeveria u vonua të implementonte paketa financiare funksionale për të garantuar likujditetet shtesë në ekonomi. Shqipëria varfërohet çdo ditë, qeveria krekoset përballë humbjeve të jahstëzakonshme në ekonomi, industrinë e turizmit dhe nuk ka një plan për shpëtimin e kolapsit ekonomik të shtetit dhe qytetarëve. 

PSE PUSHUESIT DUHET TË VIZITOJNË PARKUN KOMBËTAR TË DIVJAKËS

Pushuesit duhet ta vizitojnë Divjakën sepse nuk ofron vetëm turizëm detar por edhe atë natyror, atë të  vëzhgimit të shpendëve ujorë dhe kulinarinë me bazë prodhimet e detit dhe perimet bio të fushave të saj. Ne operojojmë gjatë gjithë vitit duke u mbështetur në këto karakteristika që të ofron Divjaka. Divjaka Resort ndodhet në mes të Parkut Kombëtar dhe vizitorët që vijnë tek ne do të gjejnë një ndërthurje të turizmit, ata mund të çlodhen në bregdet apo të shëtisin në pyllin e veçantë me pisha të buta, të shijojnë peshkun apo ngjalat e shijshme të Kënetës së Karavastasë, por ata mund të vëzhgojnë edhe shpendë të ndryshëm në jetën e tyre të egër. 

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja, Turizmi bregdetar

DITËT E NAIMIT E HAPËN SIPARIN NË TETOVË DHE E MBYLLËN NË TIRANË

October 19, 2020 by dgreca

– Përfundoi Edicioni i XXIV i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”

Prej 15–18 tetor 2020, në Tetovë u mbajt Edicioni i XXIV i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Përgjatë tri ditëve u mbajtën aktivitetete të shumta letrare, artistike, shkencore dhe kulturore. Në te morrën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si: Lidija Dimkovska (Maqedoni e Veriut). Bardhyl Maliqi (Shqipëri), Craig Czury (SHBA), Xhuzepe Napolitano (Itali), Diti Ronen (Izrael), Francoise Roy (Kanada/Meksikë), Nikole Kazhë Florentini (Martinike), Puntorie Muça (Maqedoni e Veriut), Krystina Lenkovska (Poloni), Dalila Hiaoui (Maroko), Olimbi Velaj (Shqipëri), Poul Dabaard (Danimarkë), Elena Prenxhova (Maqedoni e Veriut), Ida di Iani (Itali), Mitko Gogov (Maqedoni e Veriut), Ioana Gruia (Spanjë), Ana Bageriana (Ukrainë), Zosi Zografidu (Greqi), Dimitar Hristov (Bullgari), Daim Miftari (Maqedoni e Veriut), Sofia Skleida (GreqI), Arlind Farizi (Maqedoni e Veriut), Bujar Plloshtani (Maqedoni e Veriut).

Hapja festive e Edicionit të XXIV të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë me anë të ndezjes së fishekzjarreve dhe flakadanëve që bartnin të rinjtë me veshje kombëtare shqiptare, para Qendrës së Kulturës, në Tetovë. Ndërkaq, buqete lulesh u vendosën para shtatores së poetit tonë kombëtar Naim Frashëri dhe një minute heshtje, në 120 vjetorin e vdekjes, iu dha poetit kombëtar Naim Frashëri. 

Edicionin e XXIV të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” e hapi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash, theksoi se, ‘Ky është viti i errët për njerëzimin. Pandemia ka përmbysur sistemin dhe kodin e të jetuarit. Ka rritur paqartësinë e të tashmes dhe të ardhmes. Jeta është privuar në masë të madhe nga bukuria e saj. Shoqëria jonë ka momentet e saj më të këqia stresive e depresive. 

Një fotografi e tillë është frikësuese. Ajo ka nevojë për vepra, të cilat do ta ndriçojnë njerëzimin, do ta fisnikërojnë dhe plotësojnë ate. Andaj, duhet besuar se, poezia (dhe artet tjera), duhet të flasin çdo ditë, që të mund të rruhet mendja e shpirti ynë. 

Edhe “Ditët e Naimit”, si operator shumdimensional kulturor e letrar, po provojnë në kushte pandemie të jenë pjesë e këtij kontributi për të mundur të keqen dhe për të sjellë normalitetin. Duhet të besojmë fort se, “Jeta është e bukur”, dhe se, ne me anë të poezisë qëndrojmë më pranë perendisë. 

Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, poetët lexuan poezitë e tyre (poetët e huaj në mënyrë virtuale). Ndërkaq, Laureatja e Festivalit, poetja maqedone Lidija Dimkovska, për shkak të pandemisë nuk arriti të jetë në Tetovë. Ajo ajo të pranishmëve përmes videos i drejtua me fjalët se “Asnjëherë deri më tani, nuk kam qenë njëkohësisht aq e lumtur dhe e pikëlluar, në botën e poezisë. Jam e lumtur që sivjet pikërisht poezia ime është zgjedhur të shpërblehet me çmimin e lartë ndërkombëtar poetik që e mban emrin e poetit të madh shqiptar, Naim Frashëri, dhe jam e pikëlluar njëherazi , që për shkak të situatës momentale me virusin e COVID-19 nuk munda të vijë nga Lubjana e Sllovenisë ku jetoj në Tetovë, që të jem me ju. Gjithë këtë kohë kam shpresuar se kjo do të jetë e mundshme dhe i jam gëzuar Festivalit, por tani jam e detyruar të jem prezente vetëm në këtë video mënyrë. Por, megjithatë, edhe kjo është më mirë se mungesa e tërësishme nga kjo ngjarje e mrekullueshme.

Për mua paraqet një nder të vecantë që në 24 vjetorin e ekzitencës së çmimit dhe të vetë festivalit  poetik, “Ditët e  Naimit”, jam fituesja e  parë maqedonase e çmimit. Ndjej nevojën që çmimin në mënyrë simbolike ta ndaj dhe t’jua përkushtoj të gjithë atyre poetëve dhe poeteve maqedonase që kanë mundur ta fitojnë, por ja që ky çmim më priti mua. Ne jemi bashkëkohës të fjalës, ndërsa pa fjalë nuk ka poezi.

Çmimi Naim Frashëri për mua paraqet konfirmim se, besimi im ndaj multikulturalizmit, në të tanishmen e përbashkët të të gjithë popujve, në bashkëjetesë, në respektimin e të drejtave të njeriut, në mundësinë që popujt të mos jetojnë njëri përskaj tetrit në botë paralele, por së bashku në botë të gërshetimeve kulturore, dhe para së gjithash  besimin tim në poezi dhe kulturë si vlerë universale dhe pasuri e gjithëmbarshme botërore, është tërësisht në rrugë të drejtë. Edhe sot, vargjet e Naim Frashërit e zgjerojnë dhe përhapin të njëjtin mesazh humanist, se fanari i përbashkët duhet të jenë respekti i ndërsjellë dhe mirëkuptimi.

Edhe pse çmimin e fitoj në kohën e një tjetërsimi të imponuar për shkak të koronavirusit, që  të jemi dhe mbetemi të afërt, ne parasëgjithash na nevojitet arti, poezia, për shkak se vetëm ajo i shëron të gjitha plagët e botës në të cilën jetojmë.

Edhe një herë ju faliminderit për këtë çmim të jashtëzakonshëm. Jam e sigurt  se Naim Frashëri nga hapësirat e amshimit na përcjell mesazhin poetik dhe jetësor në të cilin edhe vetë besoj “ duani jetën , duani punën dhe njëri tjetrin”.

Jurinë e Festivalit e përbënin, Prof. dr. Ymer Çiraku (kryetar), poeti dhe kritiku Remzi Salihu (anëtar) dhe Mr. Ndue Ukaj, anëtar).   

Në natën e hapjes së Festivalit, titulli Anëtar Nderi i Festivalit i akordua poetes Puntorie Muça Ziba, ndërkaq çmimi letrar “Ditët e Naimit” iu dha poetit shqiptar Bardhl Maliqi.

Në ditën e dytë të Programit, në sallën e Kuvendit Komunal të Tetovës me rastin e 120 vjetorit të vdekjes së poetit Naim Frashëri, u mbajt konferenca shkencore ,,Naim Frashëri dhe Atdheu”, ku studjues dhe poetë shqiptarë e të huaj lexuan/depozituan kumtesat e tyre, si Prof.dr. Ymer Çiraku, Prof.dr. Olimbi Velaj, Prof.dr. Belfjore Qose, Prof. Dr. Bardhyl Maliqi, Prof. Dr. Dije Demiri Frangu, Pierfranko Bruni dhe Xhuzepe Napolitano (Itali) Prof dr. Dalila Haioui (Maroko), Prof. Dr. Neli Naço, Dr. Haxhi Shabani, Mr. Ndue Ukaj, Prof. Dr Izmit Durmishi, Prof. Dr. Arlind Farizi, Mr. Daim Miftari, Prof. Arjan Kallço, Prof. Xhelal Zejneli, kritikët dhe poetet Remzi Salihu, Bujar Plloshtani, Puntorie Muça Ziba, etj.

Sipas programit, në ditën e tretë u bë hapja e ekspozitës “Pelikani” me piktura të piktores shqiptare Flutura Maçi, si dhe u bë përururimi librave të Sh. B. “Ditët e Naimit” si, “Shpella e Dantes” i Fiona Sampson, “Hëna e gjelbërt” e Tua Forstrom, “Ëndrrat e vogla” i Mohamed Rabie,”Dritë/Luminance” i Belfjore Qoses, “Troja e kalit” i Shaip Emërllahu dhe Antologjia e Festivalit. Për këto vepra poetike folën kritikët letrar Remzi Salihu, Xhelal Zejneli, Remzi Salihu, Elena Prenxhova dhe Mitko Gogov.

Në natën e tretë u mbajt ora e madhe letrare “Meridiane Poetike” u lexuan poezi dhe u ndanë çmimet e tjera letrare të Festivalit. Kështu, çmimi që jepet për vlera të veçanta poetike ‘Menada’ iu dha poetes shqiptare Olimbi Velaj, çmimi letrar ‘Oaeneumi’ që jepet për ciklin më të mirë poetik iu dha poetes nga Spanja, Ioana Gruia, çmimi letrar ‘Qiriu i Naimit’ që jepet për poezi më të mirë mori poeti Daim Miftari dhe çmimin letrar “Silke/Liria që jepet për shprehjen poetike iu dha poetit Arlind Farizi.

Festivalin e udhëhoqi moderatorja Narta Emërllahu, ndërsa poezitë i lexoi në gjuhën shqipe aktori i njohur Arsim Kaleci. Nga një pikë muzikore ekzekutuan violinisti Shkëlzen Pajaziti, me flautë dhe kitaristi përcolli leximin e poezive të poetëve. 

Festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë, Komuna e Tetovës, restorant “Parajsa e Sharrit” dhe restorant “Kurtishi”.

Si hapja e Festivalit, ashtu edhe mbyllja e Festivalit, është transmetuar drejtëpërdrejtë (Live Stream) në FB.(D. Hadri)

Filed Under: LETERSI Tagged With: DITËT E NAIMIT, Tetove-Tirane

Negociatat Kosove-Serbi,as andej,as këndej

October 19, 2020 by dgreca

Pavarësia dhe tërësia teritoriale e Kosovës janë të pa negociushme-

NGA SADIK ELSHANI*- PHILADELPHIA- Kohëve të fundit janë shtuar përpjekjet për ta vazhduar procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë. Një ngjarje e rëndësishme ishte marrëveshja e 4 shtatorit që u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë në Uoshington. Është shkruar mjaft për këtë marrëveshje, prandaj nuk ka nevojë që të thellohemi më tepër në këte shkrim. Dikush e cilësoi si historike e dikush tjetër si tradhti. Kjo marrëveshje, që më tepër ishte një nënshkrim i një dokumenti të parapërgatitur nga Shtëpia e Bardhe dhe jo si një rrjedhojë e një procesi negociator në mes të dy palëve, nuk ishte as historik dhe as tradhti. Historike do të ishte kur Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës, Vuciqi vjen në Kosovë dhe në Prekaz përkulet përpara viktimave, ashtu siç bëri Vili Brandti në Varshavë; Serbia kërkon falje për krimet dhe shkatërrimet e bëra dhe zotohet që t’i kryejë te gjitha detyrimet e saj, e në radhë të parë të angazhohet për gjetjen e më shumë se 1600 shqiptarëve të zhdukur. Por, siç duket nga ky hap jemi shumë larg dhe ndoshta nuk do të ndodhë kurrë.

Ata, qofshin qeveritarë, politikanë e gazetarë që deklarojnë se njohja reciproke Kosovë – Serbi do të vijë së shpejti gabohen rëndë. Serbia kurrë nuk do ta njehë Kosovën pa ia futur dikush asaj te dyja këmbët në një këpucë ose pa u ballafaquar me një gjendje të rëndë, izolim të përgjithshëm nga bashkësia ndërkombëtare – dilemë hamletiane: Të jeshë apo të mos jeshë. Do te jeshë nëse e pranon pavarësinë e Kosovës, ose përndryshe nuk do të jeshë. Derisa Serbia e gëzon përkrahjen e Rusisë dhe Kinës dhe deri diku përkëdheljen e BE-së, ajo kurrë nuk do të ngutet që ta njohë Kosovën. Kush mendon ndryshe e gënjen veten dhe popullin e Kosovës. Është me rëndësi që Serbia ta njehë shtetin e Kosovës, sepse do ta mundësonte njohjen edhe nga shumë vende si dhe anëtarësimin në organizatat botërore, OKB, etj. Por, në ndërkohë Kosova nuk duhet të mbetet peng i këtij procesi, akti të munguar. Ne duhet të përqëndrohemi që ta ndërtojmë shtetin e Kosovës sikur Serbia të mos ekzistonte fare dhe të përgatitemi, të jemi gjithmonë të gatshëm që të ballafaqohemi me të në çdo çast e cdo rrethanë.Tekefundit, kemi të bëjmë me një shtet që nuk na ka njohur kurrë, madje gjithmonë është munduar që të na zhdukë nga faqja e dheut.Të mos e krijojmë dhe të mos bëhemi të varur nga një Sindrom i Serbisë, sikur nuk mundemi pa Serbinë. Të mos e lidhim fatin tonë me Serbinë. Mirë do të ishte që armiqtë shekullorë të pajtohen, por për këtë ka një proces që u cek pak më lart. Pa e njohur Serbia Kosovën nuk mund të ketë as “Mni Schengen”, sepse ky koncept ngërthen në vete, nënkupton marrëdhëniet e mira në mes të dy vendeve dhe jo vendeve që nuk e njohin njëri – tjetrin.

Kosova në mes të Shillës dhe Haribdës

Në këtë proces të negociatave secila palë, Serbia, SHBA-të, BE-ja, po mundohet që ta hedhë vallen e vet, por ne duhet ta hedhim vallen tonë nën ritmin e daulleve tona dhe të mos lejojmë që askush të hedhë valle në kurrizin tonë. Gjer më tani vetëm SHBA-të janë treguar si partner, përkrahës e dorëzan serioz të Kosovës, ndërsa nga BE-ja vetëm Gjermania e deri diku edhe Anglia. Ndaj udhëheqjes së Kosovës është duke u ushtruar një trysni e vazhdueshme dhe e pakuptimtë që të bëjnë lëshime në dobi të Serbisë. Prandaj, faktori politik i Kosovës duhet të jetë i bashkuar dhe jo i përcarë siç është tani. Ndërtimi i një shteti ligjor me institucione demokratike e funkcionale është mënyra më e mirë për t’ua mbyllur gojën kundërshtarëve tanë. Ne u jemi mirenjohes perjete te gjithe miqve tane qe na perkrahen ne ditet me te veshtira, por sot disa nga ata nuk jane duke u sjellur si miq te vertete. Atij që i është bërë një e mirë duhet ta vlerësojë atë, por edhe ai që e ka bërë atë të mirë nuk duhet ta keqpërdoë atë. Miku i mire, miku i vërtetë nuk të vë në pozitë të vështirë. Kërkesat e ndërkombëtarëve për krijimin e Associacionit të Komunave Serbe në formën e tanishme janë të papranueshme. Nuk e di a ka asociacione të tilla komunash të pakicave kombëtare në ndonjë shtet të BE-se, si p. sh. në Sllovakinë e z. Lajçak. Madje, një shtet anëtar i BE-së, Greqia, as që e njeh ekzistencën e shqiptarëve në shtetin e saj. Shqiptarët në Greqi nuk gëzojnë kurrëfar të drejta: u mohohet kombësia, gjuha, nuk kanë shkolla, gazeta në gjuhën shqipe, etj. Udhëheqësit e Kosovës duhet t’i ngulin këmbët dhe t’i mbrojnë interesat e Kosovës. Ne i dimë më mirë problemet tona sesa ndërkombëtarët, ata nuk do të jetojnë në Kosovë, ne do të jetojmë dhe do të ballafaqohemi me këto probleme tërë jetën. “Mikun prite mirë, nderoje, por zot shtëpie mos e bëj” – thotë një fjalë e urtë shqipe. Ne duhet të këshillohemi, t’i dëgjojmë kur e kanë me vend, por vendimet duhet t’i marrim vetë. E di që ky është një process delikat dhe i ndieshëm, por siç ka thënë poeti dhe prozatori gjermano – amerikan, Charles Bukoëski (1920 – 1994): “Ajo që ka rëndësi më tepër, është menyra sesi ecën përmes zjarrit”. Qeveria e Kosovës nuk e ka luksin që të ballafaqohet me BE-në dhe përfaqësuesit e saj të ngarkuar në proceset e dialogut Kosovë – Serbi. Këtë më së miri mund ta bëjnë shqiptarët përmes lidhjeve të tyre në vendet përkatëse të BE-së dhe në vetë selinë e BE-së. Duhet bërë një lobim duke shfrytëzuar të gjitha mënyrat: kontakte me politikanë, gazetarë e publicistë që gëzojnë autoritet në profesionin e tyre dhe që kanë ndikim të fortë në qeveritë e vendeve përkatëse, si dhe te publiku i gjërë.

Asociacioni – kurtha, Kali i Trojës i Serbisë

Kërkesa e BE-së për krijimin e asociacionit sipas orekseve të Serbisë është një kërkesë paradoksale. Europa e bashkuar që hoqi barrierat, kufijtë në pjesën dërmuese të teritorit të saj, tani kërkon nga një shtet i ri me 10 mijë kilometra katrore që të krijojë një shoqëri, shtet të stilit, modelit “Apartheid” në gjirin e saj. Përmes krijimit të këtij asociacioni Serbia është duke u munduar që ta fusë përsëri Kosovën nën kthetrat e saj. Vështirë shuhen ëndrrat dhe lakmitë shekullore të Serbisë për tokat shqiptare. Serbët dhe të gjitha pakicat tjera kombëtare, grupet etnike në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e vendit. Ata gëzojnë më shumë të drejta se shumë pakica kombëtare që jetojnë në shtetet anëtare të BE-së. Rastin ekstrem (të tejskajshëm) të Greqisë e cekëm pak më lart. Ndërsa shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës e Sanxhak gëzojnë shumë më pak të drejta sesa serbët që jetojnë në Kosovë. Por, për këtë BE-ja nuk e çanë fare kokën.  BE-ja nuk kërkon nga pesë shtetet anëtare të saj që ta njohin Kosovën, ndër këto është edhe Sllovakia e z. Lajçak. Ne shqiptarët si pjesë përbërëse e kontinentit europian që nga lashtësia e gher në ditën esotme, duhet t’i përqafojmë idealet europiane, t’i mishërojmë vlerat europiane, perendimore. Është për t’u habitur se i dërguari i BE-së për Kosovën, z. Lajçak, komisioneri Borrell dhe para tij komisionerja Mogherini, me sjelljet, veprimet e tyre mospërfillëse ndaj shtetit të Kosovë tregojnë qartë se janë pikërisht ata që snuk i mishërojnë këto vlera, këto ideale. Vlen të thekësohet këtu se edhe vendi prej nga vjen z. Borrell, Spanja, ende nuk e ka njohur Kosovën.

Deklaratat joserioze, skandaloze të z. Lajçak

Zoti Lajçak deklaroi se Kosova duhet ta ndryshojë kushtetutën e saj për ta formuar asociacionin sipas kërkesave të papranueshme të Serbisë, kërkesa të cilat i përkrahë edhe z. Lajçak.Është Serbia ajo që duhet ta ndryshojë kushtetutën e saj në të cilën Kosova ende figuron si pjesë përbërëse e saj. Z. Lajcak dhe BE-ja duhet ta ndryshojnë qasjen, qëndrimin e tyre për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, për t’i dhënë fund konfliktit Kosovë – Serbi, duke përfunduar me njohje reciproke. Z. Lajcak pastaj deklaroi se për të marrë diçka duhet dhënë diçka, domethënë, për të arritur një kompromis, Kosova duhet të japë diçka. Duhet t’ia bëjmë të ditur z. Lajcak se Kosova ka dhënë shumë, ka sakrifikuar shumë ndër shekuj për lirinë dhe pavarësinë e saj: mijëra shqiptarë të burgosur, të vrarë, gra të dhunuara, shtëpi dhe objekte industriale, shkollore, kulturore të shkatërruara. Lista e vuajtjeve të shqiptarëve nga dhuna serbe është shumë e gjatë dhe shqiptarët do të bëjnë cdo gjë që kurrë më të mos kthehen nën sundimin serb. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë, miqtë dhe armiqtë tanë. Qëndrimet e z. Lajçak nuk janë në të njejtat valë me vendet kryesore të BE-së të cilat e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës me kufijtë ekzistues. Ka mjaft tema, ceshtje që duhen diskutuar me Serbinë, por jo pavarësia dhe tërësia teritoriale e shtetit të Kosovës. Kosova ka dhënë mjaft, ndërsa Serbia nuk është ndëshkuar fare për krimet e saj të kryera në tërë teritorin e ish Jugosllavisë.

Philadelphia, 18 tetor, 2020

*Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: negociatat-Serbi-Kosove, Sadik Elshani

Lumturimi i Nënës Tereze, në ceremoni Presidenti historik Rugova

October 19, 2020 by dgreca

Para 17 viteve, 19 Tetorin 2003 të lumturimit të Nënës Terezes, në Vatikan, nga Papa Gjon Pali i dytë, -Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e vlerësonte ditë historike për shqiptarët dhe botën/

-Ishte viti 1995, kur në 7 Dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës takohet për hërë të parë e të vetme me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen në Aeroportin e Romës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 19 Tetor 2020/  Para 17 vitesh, më 19 Tetor 2003, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Vatikan, mori pjesë në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i dytë ka lumturuar Nënë Terezën.

Presidenti historik Rugova, pas kthimit nga pjesëmarrja në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, e vlerësoi këtë akt si ditë historike për Kosovën dhe popullin shqiptar.

 “Po kthehem nga Roma, ku ishim në ditën e beatifikimit të Nënës Tereze, që është një ditë e madhe për Kosovën, për popullin shqiptar.

 Mund të themi se është një ditë historike dhe një ditë e madhe për gjithë botën, sepse ajo është Nënë shqiptare dhe poashtu Nënë e gjithë botës”, theksoi Presidenti Rugova në një deklaratë para mediave në Aeroportin e Prishtinës, në 22 Tetor 2003.


Gjithashtu Presidentti Rugova shprehu kënaqësinë që në ceremoninë e lumturimit të Nënës Tereze morën pjesë me mijëra shqiptarë nga Kosova, viset shqiptare dhe nga bota.

Me këtë rast, Presidenti Rugova falenderonte Papa Gjon Pali II për lumturimin e Nënës Tereze dhe organizimin e ceremonisë madhështore që hapi rrugën për shenjtërimin e Nënës Tereze.

Në 17 Tetor 2003, para ceremonisë së lumturimit, Vatikani publikoi një biografi të Nënës Tereze. Teksti fillonte pikërisht me një deklarim të Nënë Tërezes në vitin 1995, ku ajo theksonte prejardhjen dhe besimin e saj me këto fjalë: “Me gjak jam shqiptare, me shtetësi jam indiane dhe me zemër i përkas Jezu Krishtit”.

 Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka takuar tëLumen Nënë Tereza, nobelisten – nënën tipike shqiptare, që është edhe e gjithë botës, siç është shprehur ai.

Ishte viti 1995, kur në 7 DhjetorPresidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, takohet për hërë të parë e të vetme me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen.  “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova.  Takimi u zhvillua në Aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington. “Unë e kam takuar vetëm një herë Nënën Tereze në Aeroportin e Romës, rastësisht, por veprën e saj e njoh shumë, shumë mirë…Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës i rodhën lotët, ishte në vitin 1995…dhe dëshiroi sukses dhe punë dhe e ndinte në zemër popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar që e ka dëshmuar edhe me vepër”, ka treguar Presidenti Rugova…

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, Lumturimi i Nënës Tereze

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 37
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT