• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2020

SHQIPTARËT NË RUSI DHE DEBATI PËR VAKSINAT RUSE…

October 26, 2020 by dgreca

SHQIPTARËT NË RUSI DHE DEBATI PËR VAKSINAT RUSE ANTI- COVID-19 “SPUTNIK 5” DHE “EPI VAC CORONA”

Diana Dyrzi Tarasova, redaktore prej 18 vitesh e sektorit shqip pranë medias shtetërore “Zëri i Rusisë”, dhe aktualisht pedagoge e gjuhës shqipe në Universitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës (MGIMO), rrëfen nga Rusia ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e pandemisë globale në Rusi, masat e ndërmarra nga autoritetet ruse në betejën ndaj pandemisë globale, gjëndjen e shqiptarëve në Rusi, ecurinë e infektimeve, trendin e shifrave në rritje dhe mbi të gjitha hedh dritë mbi vaksinat ruse Anti-Covid “Sputnik 5” dhe “EpiVac Corona”. Me Diana Dyrzi Tarasovën bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SITUATA E COVID-19 NË RUSI DHE MASAT E AUTORITETEVE NDAJ PANDEMISË 

Diana Dyrzi Tarasova.

Deri më sot, pra më 24.10.2020, në Rusi janë regjistruar 1. 497. 167 (+16. 521) raste të infektimit me COVID-19. Numri i përgjithshëm i vdekjeve nga koronavirusi në Rusi për momentin është 25. 821 (+296) persona, ç’ka përbën 1.72%. Rastet e konfirmuara të shërimit të plotë nga koronavirusi COVID-19 në Rusi – 1. 130. 818 (+11. 567). Numri i testeve të kryera deri më sot: 56.7 milion. Testet e kryera në ditë: 0.5 milion. Aktualisht të sëmurë: 340 528 persona. Për të patur një ide më të qartë të këtyre treguesve e shikoj me vend të bëj me dije për lexuesit se popullsia e Federatës Ruse (në përbërjen e së cilës përfshihen 85 subjekte federale) në vitin 2020 numëron 146.748.590. Duhet thënë se shifrat e përmendura aktualisht janë shumë më të larta sesa në periudhën e pandemisë në pranverë dhe gjatë periudhës së verës. Dinamika e tyre po vjen duke u rritur dita-ditës. Situatën e komplikojnë dhe më shumë ftohja e ndjeshme e motit dhe gripi stinor. Për këtë arsye qeveria e vendit ka marrë masat vijuese: u përgatit sistemi i informacionit që do të lejojë mbajtjen shënim të qytetarëve që kthehen nga  vendet me situatë të pafavorshme sanitare dhe epidemiologjike si dhe kontrollin e atyre që janë në vetë-izolim dhe karantinë. Për këtë përdoret një portal i vetëm i shërbimeve shtetërore dhe komunale si dhe mundësitë teknike të operatorëve celularë. Në varësi të zhvillimit të situatës epidemiologjike subjektet federale të vendit marrin masat përkatëse parandaluese në mënyrë të mëvetësishme. Unë do të përqendrohem në masat e aplikuara në kryeqytetin e vendit, meqenëse këtu janë shifrat më të larta të të infektuarve me Covid. (Moska ka 12.678.079 banorë). Në Moskë dhe rajonin e Moskës qytetarët mbi 65 vjeç dhe moskovitët me sëmundje kronike duhet të ndjekin regjim shtëpiak. Atyre u janë bllokuar kartat për qarkullim në mjetet e transportit. Veprojnë rekomandime për biznesin moskovit për transferimin e punonjësve në punë në distancë. Masa tjetër janë kërkesat më të rrepta për transferimin e të paktën 30 përqind të punonjësve në punë në distancë. Sanksione të rënda mund të vendosen ndaj shkelësve. Punëdhënësit u inkurajuan të transferojnë punonjësit e moshuar në punë në distancë. Nxënësit e shkollës në Moskë nga 5 deri në 18 tetor u dërguan me pushime. Përveç kësaj, fëmijët u inkurajuan të dalin për një shëtitje vetëm në oborrin më të afërt dhe të mos vizitojnë qendrat tregtare për argëtim. Nga 19 tetori, nxënësit në klasat 6-11 të qytetit të Moskës kaluan në mësimin në distancë. Nxënësit e klasave 1-5 do të vazhdojnë mësimin si zakonisht. Vepron regjimi i mbajtjes së detyruar të maskave dhe dorezave në të gjitha mjetet e transportit, dyqanet dhe ambjentet e mbyllura. Për të hyrë në klubet e natës dhe në bare, që janë të hapura nga 00:00 deri në 06:00, vizitorët do të duhet të kalojnë përmes një check-in. Kjo është e nevojshme që në rast të zbulimit të njerëzve të sëmurë midis klientëve, lokalet të mund të njoftojnë të gjithë të tjerët me telefon. Situata në kryeqytet u vlerësua nga kryetari i bashkisë si afër asaj kritike. Dhe nëse nuk është e mundur të ndalohet rritja e sëmundshmërisë, atëherë do të merren masa edhe më të rrepta.

NDIKIMET E COVID NË PROBLEMET E SHËNDETIT MENDOR 

Përveç problemeve shëndetësore serioze që ka sjellë COVID-19, për shumë e shumë njerëz ky virus gjeneroi tek një pjesë e madhe e tyre probleme me shëndetin mendor. Ndër simptomat më të spikatura janë depresioni, ankthet, frika, pasiguria. Dhe shoqëria ruse aktualisht po përballet si e gjithë bota me to. 

Sipas të dhënave zyrtare, numri i vetëvrasjeve në vitin 2020 në Rusi është rreth 2.000 persona, nga të cilët më shumë se 1/3 janë fëmijë dhe adoleshentë. Ky është një numër shumë i madh. Por shifra nuk ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me pasojat e pandemisë së koronavirusit. Ka plot shkaqe të tjera. Përkatësisht divorceve. Sot, në të gjitha vendet e zhvilluara të botës, familja si institucion shoqëror po përjeton kohërat jo më të mira. Askujt nuk i pëlqen kjo situatë, por sado që përpiqen autoritetet të ndikojnë në të, ka gjithnjë e më pak mbështetës parimorë të martesës së fortë, tradicionale. Ka shumë arsye për këtë gjendje: ekonomike, morale, fetare. Por të gjitha ato çojnë në një rezultat – numri i divorceve po rritet me një ritëm të frikshëm. Rusia ka një shkallë të madhe të ndarjeve mes çifteve, konkretisht rreth 50 për qind të martesave në vend përfundojnë në divorc. Dhe shkaktare e kësaj gjendjeje nuk është vetëm pandemia e Koronavirusit. Edhe pse ekspertët mendojnë se dhuna në familje dhe numri i kërkesave për divorc është rritur shumë që prej krizës së Covid-19, si pasojë e detyrimit të qytetarëve për të qendruar në shtëpi, fakt është se numri i divorceve në Rusi shënon tashmë rritje që prej tre vitesh.

NDIKIMI I COVID NË EKONOMI DHE TURIZËM NË RUSI

Ndikimi i pandemisë Covid-19 ka goditur ndjeshëm ekonominë dhe turizmin si dhe sektorë të tjerë të lidhur me të. Një faktor tjetër i rëndësishëm i ndikimit negativ është niveli i çmimeve të hidrokarbureve në tregun botëror. Parashikohet që në të ardhmen e afërt, çmimet mesatare vjetore të naftës nuk do të tejkalojnë shifrën 25 $, dhe, siç dihet, nafta është malli kryesor i eksportit rus. Ekspertët parashikojnë gjithashtu një rritje në daljen e kapitalit nga vendi. Historia tashmë ka provuar se gjatë çdo ngjarjeje krize në Rusi ndodh arratia e kapitalit për në ekonomi më të qëndrueshme si dhe në zona offshore. Deri në fund të vitit në vazhdim ekonomistët prognozojnë devalvimin serioz të rublës. Sipas parashikimeve kryesore, ekspertët presin që ekonomia ruse, e cila vitin e kaluar u rrit me 1.3 për qind, të zvogëlohet me 5 për qind këtë vit. Presidenti i Rusisë, duke deklaruar se pandemia e koronavirusit të ri ka shkaktuar një «shok» të vërtetë për kompanitë në Rusi, tha se ekonomia dhe kompanitë ruse ndodhen nën një presion serioz. Pasi nënvizoi se vështirësi po përjetohen si në ekonominë ruse ashtu dhe në atë globale, Putin vlerësoi «Ekonomia dhe kompanitë ruse ndodhen nën trysni serioze. Por kjo nuk duhet të krijojë një shok të ngjashëm për qeverinë. Pandemia e COVID-19 ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë negativisht në tregtinë dhe fuqinë punëtore. Por ne disponojmë mjetet dhe rezervat e nevojshme kundër krizës. Këto burime ne duhet t’i përdorim në mënyrën më efektive». Ja disa nga masat e marra për arritjen e objektivave të përcaktuara. Masat e mbështetjes së biznesit nga autoritetet e vendit: ulje e primeve të sigurimit; moratorium për inspektimet e biznesit; pushimet e kreditit рër biznesin; kreditë pa interes për pagat; pushimet tatimore; shtyrje e pagesave të qirasë; ndihmë për eksportuesit; subvencione falas; rinovim i licencave; mbështetje për ndërmarrjet unitare shtetërore; kredi të pakthyeshme. Masat mbështetëse shtetërore për turizmin: rimbursim për paketat turistike të paguara; rinovim i licencave; ndihmë për shtetasit rusë që u gjendën jashtë vendit; subvencionet shtetërore për kompanitë ajrore; rimbursimet ose transferimet e turneve dhe rezervimeve; rimbursimet për tarifat e pakthyeshme; anulimi i kontributeve në fondin “Turpomosch” (“Ndihma turistike”); mbështetje për kompanitë e transportit detar; tarifa të reduktuara për operatorët turistikë; rimbursim i shpenzimeve të udhëtimit për kthimin e turistëve në atdhe, etj. 

DEBATI MBI VAKSINAT RUSE ANTI-COVID

Fillimisht dua t’ju njoh pak me vetë vaksinat ruse, për të cilat është folur e debatuar kaq shumë. Në kohën kur bota po përjeton një garë fytafyt për vaksinën ndaj koronavirusit të ri, Rusia patenton dy vaksinat e saj: “Sputnik V” (“Sputnik 5”) zhvilluar nga Qendra Kombëtare e Kërkimit për Epidemiologji dhe Mikrobiologji me emrin e Akademikut të Nderit N.F. Gamaleya dhe “EpiVacCorona” përpunuar nga Qendra Shtetërore e Kërkimit të Virologjisë dhe Bioteknologjisë «Vektor». 

“Sputnik V” (u quajt kështu për analogji me lëshimin e satelitit të parë artificial të Tokës në 1957) e Qendrës «Gamaleya» u bë vaksina e parë e regjistruar në Rusi dhe botë. Presidenti Vladimir Putin njoftoi patentimin e saj në 11 gusht. Kjo është një vaksinë vektoriale. Është prodhuar ajo në bazë të adenovirusit, të padëmshëm për njeriun, në të cilin inkorporohet një gjen i vogël – pjesë e gjenomës së koronavirusit SARS-CoV-2. Si rezultat, ky virus i padëmshëm, i cili quhet vektor, domethënë mjet për shpërndarjen (transportimin) në qelizë, sjell proteinat e antigjenit SARS-CoV-2 në organizëm dhe provokon përgjigjen imune të tij.

Raportimet për dukjen e vaksinës ruse janë shoqëruar me shqetësime për sigurinë dhe efektin e saj, si dhe hamendësimeve që Rusia nuk i ka zbatuar të gjitha hapat e zhvillimit dhe testimit shkencor. Kritikët shprehen se Rusia nuk ka publikuar asnjë të dhënë shkencore mbi testimet për vaksinën dhe se këmbëngulja për prodhimin sa më të shpejtë të saj vjen pas presionit politik nga Kremlini, që kërkon ta portretizojë Rusinë si një fuqi botërore mjekësore. Kreu i Institutit «Gamaleya», ku ajo u zhvillua, hedh poshtë dyshimet e ngritura në Perëndim se “Sputnik V” nuk i ka kaluar të gjitha fazat për t’u konsideruar vaksinë e sigurtë. Puna mbi zhvillimin e vaksinës në fjalë u pasqyrua në mënyrë të detajuar në një artikull të akademikëve rusë. Recensuesit e The Lancet, duke qenë profesionistë, studiuan në mënyrë skrupoloze artikullin e shkencëtarëve rusë nga Qendra Kombëtare e Kërkimit për Epidemiologji dhe Mikrobiologji «Gamaleya» (website sputnikvaccine.com përmban informacion të azhurnuar dhe të paraqitur në 7 gjuhë në lidhje me vaksinën e parë ruse kundër infeksionit të koronavirusit), në lidhje me vaksinën vektoriale kundër COVID-19, dhe morën vendimin për ta botuar në këtë revistë serioze. Artikulli gjithashtu përmban përgjigjen ndaj pyetjes së skeptikëve – si është e mundur që vaksina u zhvillua kaq shpejt. Sepse ajo bazohet në të njëjtët vektorë viralë të përdorur në vaksinat kundër viruseve Ebola dhe MERS, siguria e të cilëve tashmë është studiuar mirë. Këto infeksione, ashtu si dhe COVID-19, shkaktohen po nga koronavirusi. Dhe, për këtë arsye, nga “Sputnik V” nuk pritet kurrfarë tinëzarie e re. Kjo vaksinë ruse formon antitrupa dhe imunitet të qëndrueshëm qelizor ndaj Covid-19.

Vaksina e dytë “EpiVacCorona” u patentua pak kohë më parë. Ajo është një “vaksinë rekombinante, e cila vjen jo nga një virus i gjallë, por nga proteina që kanë të ashtuquajturat “epitope”, ose vende që lidhen me virusin. Një epitop është pjesa e makro-molekulës së antigjenit që njihet nga sistemi imunitar. Deri tani ajo ka kaluar dy faza testimi, kurse faza e tretë është planifikuar për muajin nëntor.  

Shkencëtarët rusë pohojnë se fushata e vaksinimit të popullatës do të jetë 1-vjeçare. Pritet që vaksina ruse të hyjë në qarkullimin civil në 1 janar 2021.Të parët që pritet të vaksinohen janë punonjësit e shëndetësisë dhe mësuesit. Në vit do të lëshohen në qarkullim rreth 500 milion doza të vaksinës kundër Covid-19. Qendra “Gamaleya”, e cila mban autorësinë e saj, thotë se duhet të prodhohen 80 milionë doza për të arritur imunitetin e masës. Ministri rus i Shëndetësisë njoftoi se vaksinimi kundër koronavirusit do të jetë vullnetar.

MOSKA NË BETEJËN NDAJ COVID, QYTETI NUK ËSHTË MË SI MË PARË

Statistikat për avancimin e pandemisë së koronavirusit Covid-19 në Moskë rezultojnë të tilla: më 22 tetor 2020 janë të konfirmuara 391. 361 (+4.453) raste të infektimit me Covid-19. Fatkeqësisht, 6.312 (+63) njerëz kanë vdekur. Shërimi i plotë nga virusi në kryeqytetin rus sot shënoi shifrën 287. 910 (+2.639) njerëz. Kjo tabllo është tejet pikëlluese për këtë qytet mjaft dinamik me jetë të shumanshme e të larmishme ekonomike, sociale, kulturore. Intensiteti i fluksit turistik të jashtëm në Moskë ka rënë ndjeshëm gjatë periudhës së pandemisë. Më parë ishin turistët e shumtë të huaj që e vizitonin aktivisht atë kryesisht gjatë muajve të pranverës, verës dhe fillimvjeshtës. Ndërsa tani të zë syri më tepër turistë të ardhur nga rajone të ndryshme të vendit, i cili shtrihet në një sipërfaqe që përfshin 11 breza kohorë. Pra mund të thuhet se kufizimet pasuese për turizmin jashtë kufijve të vendit kanë stimuluar ndjeshëm turizmin e brendshëm. Dhe Moska vazhdon të mbetet mjaft atraktive me bukuritë e saj vërtetë përrallore. Por jeta kulturore është bërë më e kufizuar. Teatrot po shtyjnë aktualisht për kohëra më të mira shfaqjet, restorantet nuk kanë fluks të kënaqshëm klientësh, muzetë kanë numër të kufizuar vizitorësh, rrymat e njerëzve në metro nuk janë më aq të vrullshme si më parë. Moskovitët preferojnë tani të merren me sport në natyrë, me ecje aktive skandinave, të shëtitin nëpër parqet e shumta të bukura kryeqytetase. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë se çdo e keqe (koronavirusi) ka fundin e vet të natyrshëm dhe se së shpejti njerëzit kudo do të mund t’i rikthehen jetës normale. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DISPORËN SHQIPTARE NË USA

Së fundi dua të përshëndes përzemërsisht dhe ti uroj gjithçka më të mirë të mundshme stafit të Diellit në punën e tij të rëndësishme. Mbi të gjitha shëndet të fortë. I uroj prosperitet gazetës suaj, autonomi editoriale e profesionale, auditor në rritje kërkues, inteligjet e bashkëpjesëmarrës. Le të mbetet gazetë e dritës, e Diellit e mbushur me përmbajtje cilësore, profesionalizëm, paanësi, përkushtim dhe etikë mediale. Suksese në vazhdimësi në punën tuaj!

Urimet më të mira shpreh dhe për Diasporën shqiptare, e cila krijon kushtet e nevojshme për njohjen e bashkatdhetarëve me traditat kombëtare, vlerat shpirtërore, gjuhën dhe kulturën amtare, merr pjesë aktive në të gjitha fushat e jetës së vendit ku jeton. Jam e bindur se puna e vazhdueshme e Diasporës do të kurorëohet me suksese të reja. Shëndet, lumturi dhe prosperitet!

Filed Under: Featured Tagged With: Diana Dyrzi Tarasova, Shqiptaret ne Rusi, Sokol Paja

17 nxënës nga Halifax, Kanada pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” NY

October 25, 2020 by dgreca

Shkolla Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit me 12 klasa në Online iu shtuan nxënës nga Halifax, Kanada/

Nga Keze Kozeta Zylo-

O diell-i llaftaruar që ndrin si pikë lot . . .

Covidi 19 kjo sëmundje paralizuese që bllokoi një botë të tërë, e ka të pamundur të sfidojë mësimin shqip.  Bordi, koordinatorët dhe mësuesit e përkushtuar të Shkollës Shqipe “Alba Life”, New York e gjetën udhën për të dalë nga kafshimi i bishës paralizuese Covidi 19, dhe kjo vaksinë për Shkollën tonë është vetëm SHQIPJA HYJNORE.  Sapo mbaroi java e shtatë e mësimit shqip në Online.  

Tashmë në Shkollën “Alba Life” nuk ka vetëm nxënës nga Nju Jorku meqënse e ushtron mësimin në të gjitha lagjet e Nju Jorkut, por janë regjistruar nxënës dhe nga shtete të tjera si nga Washington State, Suedi, Georgia, Michigan, Pennsylvania etj.  

Këtë javë erdhën disa nxenes nga Halifax, Kanada dhe të regjistruar janë 17 nxënës.  

U mirepritëm me plot dashuri nga mësueset Vlera, Dr.Duli etj. dhe do të jenë dhe me mësuese të tjera që janë pranë këtij programi serioz dhe plot profesionalizëm, si rezultat i drejtimit, i mësueseve tejet të kualifikuara, shumica e tyre nga Shqipëria dhe Bordi i Edukimit, Amerikë.

Bashkëpunimi i ngushtë me mësuese Mira Shehu e cila jeton dhe punon ne Halifax, e përfshirë në mësimin e Gjuhës shqipe dhe n/kryetare e këshillit të mesimit shqip në Diasporë, bëri që t’i kemi këta nxënës midis nesh.  

Me shumë dashuri e mirëprita këtë lajm jo vetëm si mësuese dhe shqiptare, por dhe kënaqësinë që më jep emri i Halifax-it të cilin e kam vizituar disa vite më parë dhe kam shkruar reportazhin me temë: “Halifax në Kanada, një qytet ushtarak që mban brenda eshtrat e Titanikut”

Shume pranë në imagjinate midis ujit dhe qiellit të vjen Amphitrite, mbretëresha e detit, gruaja e Poseidonit, perëndeshë që pjellë bujarinë e pasur të detit dhe jep frymezim me fllade oqeanike…

Për rrjedhojë mua më duken që këta nxënës vetëm frymëzojnë, janë muzë perëndie dhe Ëngjëj mbrojtës të Gjuhës Shqipe, e cila është siç shkruan Lasgush Poradeci si: “O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot”…  

Ardhja e nxënësve nga shtete të tjera është sukses, seriozitet dhe sfidë.

Në takimin që patëm në Google Meet me mësuese Mirën nga Halifax, si dhe mësuese Vlerën dhe Manjolën drejtuar nga Qemal Zylo themelues i Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York u bisedua për bashkëpunimin tonë, përvojat dhe metodikat e mësimit Shqip të ndërsjellta midis dy vendeve që na bashkon GJUHA SHQIPE.  Ishte një bashkëbisedim i frytshëm, i ngrohtë dhe vëllazëror, bashkëbisedime që kemi aq shume nevojë sidomos kur jeton dhe punon jashtë Atdheut mëmë.

Takimi me mësuese Miren ishte frymëzues për të ecur më tej në udhën e ndritur që ndriçohet nga 36 gërmat e arta të Alfabetit Shqip.

Mirë se erdhët nxënës të dashur nga Halifax, Kanada pranë Shkollës Shqipe “Alba Life”, NY!  

25 tetor, 2020, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: 17 nxënës nga Halifax, Alba Life

AFTËSIA E PA AFTËSISË

October 25, 2020 by dgreca

AFTËSIA E PA AFTËSISË OSE UNË JAM UNË/

(“rebel që fati i ka buzëqeshur kurvërisht” e ku,  ”zbardh e zeza dhe e bardha nxin; er’endyr” e mjegull na përpin”…(Nga Makbethi)/

ESE NGA PIRRO LOLI/

   Akoma nuk e kuptojmë mirë as ne shqiptarët, as disa nga miqtë tanë perëndimorë se aspirata jonë  evropiane( BE) pengohet vetëm nga kreu i qeverisë sonë, me emrin Edi Rama. Ai e di shumë mirë se ai shteg ta merr dyfekun e katundit  dhe nuk të lë të livadhisësh e të lëpish nëpër kusira e tepsira.  Në BE nuk e ka  kaq të lehtë të vjedhë e të mashtrojë, as nuk e lë njëri të uzurpojë të gjitha pushtetet e të sillet si pashallarët e qëmotit me popullin e vet. Kështu, hiq e mos e këput,  pa fre e me ca miq burokratë andej e përkëtej,  me para të pista andej e përkëtej, në krahun e djathtë të oligarkëve dhe nën skeletin e një partie kufomë,  e ka të lehtë të mashtrojë e  përsëri e përsëri nuk shqitet nga pushteti. Sepse ai, është ai. Dhe historia e ka thirrur në skenë për të qenë ai, ose kryeministri triumfator që historia do ta mbajë mend si barsaletë.

UNË JAM “BABAI I KOMBIT”…      

 Nuk e mban kot në sfond IsmailQemalin e së fundi dhe Skëndërbeun. Nuk duhet t’i harrojmë aftësitë e tij. Nuk e bën kushdo punën e tij. Në krye të pushtetit ai e ka sofistikuar  mashtrimin. Aftësia e paaftësisë së Edi Ramës rrezikon ta lërë vendin jashtë BE. Mos i besoni kurtheve te tij! As për Këshillin politik, as për kodin zgjedhor, as për ndryshime nenesh në Kushtetutë pa konsensum.Çdo mirëkuptim me të është një kurth i ri.Ai erdhi kryetar i PS pa qenë anëtar. Kur u bë kryeministër(2013), BE kishte vetëm tri kushte pranimi, tani pas shtatë vjet në krye  të pashallëkut, Shqipëria duhet të plotësojë 15 kushte të rënda. Ai, uzurpues i  katër pushteteve, me këtë shtet të dhunshëm partiak, me polici thellësisht ishsigurimse, “PS-iste e rilindase”, përplot  oligarkë e hajdutë në krah, me një grup çapaçulësh gjoja opozitarë që nuk përfaqësojnë asgjë brenda  Kuvendit,  nuk e  njeh dot vetveten jashtë pazareve të xhepit dhe pushtetit. Narcizmi i tij i tejskajshëm dhe urrejtja për Tjetrin (jo vetëm për opozitën, por dhe për median, drejtësinë, aleatët, pse jo, për popullin opozitar) e pengojnë atë të kryej çdo lloj dialogu për mirëkuptim.  Ky është thelbi dramës së  politikës shqiptare që drejtohet nga ky kryeministër, që e heq veten si lider i shquar i rajonit dhe si babai i kombit. Duke pasur në dorë dhe nën dorë të qeverisë-shtet të gjitha qelizat, në bazë e në qendër, me babëzinë e vet, synon fitore të tretë, të katërt e pse jo të përhershme …Dhe, si kloun, kapërcen nga suksesi në sukses duke shpalosur tablonë më hipokrite në statusin e Shqipërisë, që është bërë si pashallëku i tij.

..Në këtë sprovë do mundohem ta trajtoj jo vetëm si thotë ai “baba i kombit”, por dhe si personazh që u bë aksidentalisht kryeministër. Tanimë, pas dy dekada e ca në pushtet,  ai është i bindur se ai është ai, “i zgjedhuri”, triumfatori, qenie e vetësajuar me epsh, me ndërgjegje të plotë, i qëllimshëm për t’u dukur i përveçëm;  vetë ai, me të gjithë kompleksitetin e një qenie pa thelb, pa substancë, është personazh i gatshëm. Pse jo, personazh i plotë dhe i dashur romanesk për çdo shkrimtar.

UNË JAM I VEÇANTI…

Ai dallon jo vetëm midis shqiptarëve, por dhe në krye të tyre; atij ia thotë mendja se  duhet të përveçohet  edhe midis kolegëve evropianë, ku e shpie puna, në formë e në përmbajtje, në gjuhë e në mendime. Synimi: të paktën lider i Ballkanit. E fillon me Minishegen “madein serbo, Vuçiç” për të arritur në BE në hiç. S’ka rëndësi, mjafton të pëlqehet ca ditë, të tregohet me gisht –  nga gjatësia natyrore po se po, por sidomos nga veshja. Që nga refugjati në Paris deri te kryeministri këtu, nuk besoj se ndonjë tjetër koleg i tij, të spikati nga forma si ky yni. Nuk besoj të ketë garderobë më të madhe  më fantastike më të pabesueshme, më dis`harmonke, ( lexo moderne) që nga veshi me një vath, nga një çorape e kuqe tjetra e zezë, nga kostumet më të shtrenjta në botë, te kanatjeret,  nga poturet turke, gravata, distiktivat, atletike deri te oshkuret…. E domosdo më i veçanti në fjalorin kaq të pasur të shqipes, gallata, banalitete, për të sharë e ofenduar tjetrin me batutat, qyfyre, humor bajat, “ Që jashtëqit” nga goja  ( fjalë e  tij kjo që e përdor “pa teklif” për opozitën) te kokëkruarja, ngërdheshja, gjestomania e pakontrolluar… Ky personazh grotesk, që kur doli në pjacën e politikës si ministër i kulturës, e kryebashkiak, e ka parë veten se dikush është, madje, shpëtimtar i kulturës i qytetit i Shqipërisë, (tani lexo,  shkatërrues) dhe, si çdo diktator që fillon nga zërua, përqafuar me fatin e tij, dekorin mavi të PS-së, u ngrit vertikalisht,  e, sipas tij, çdo gjë duhet të fillojë nga emri i tij. Tjetri përballë, veçanërisht kundërshtarin politik e pa si armik, primitiv, mjeran, idiot, debil, katundar, malok, servil, prapanik, prepotent, diktator, konservator, tenxhere, jashtëqitje,  qenef… ( a ka tjetër fjalë sharëse kjo shqipja jonë?!) Nuk është vendi këtu për fakte e tjerrime. Ai i përkëdheluri i bllokut,  është veçuar si nxënës, si student, si pedagog, si piktor, si sportist, si i sëmurë… Pastaj si refugjat, si ministër i katapultuar, krye bashkiak, e kryeministër, pra, personazh krejtësisht i gatshëm për roman, deri në “ i pa besueshëm” në absurd, jashtë defterit që çdo fantazi krijuesi do ta kish zili.Në fjalën e tij të pamenduar që e hedh kundër kundërshtarit, ( si pështymë, gëlbazë a shuplakë), është i pabesueshëm, i pa krahasueshëm, ka shok vetëm veten.  Ndjenja e të qenit person i veçantë, fatkeqësisht e ka yshtur  që të gjithë të tjerët veçanërisht opozitarët, t’i duken të huaj, të këqij, të paaftë, llum, jashtëqitje, kundërshtarë që duhen eliminuar. Por kjo nuk i mjafton. Të tillët psikoanaliza i sheh si tipa me smirë, sepse nuk i arrijnë dot; i urren ata se nuk është si ata. Por dhe i “do”  ata sepse nuk rri dot pa objekt urrejtjeje. Në këtë pikë qytetari ER, me egocentrizmin e tij, nuk e përballon dot   kryeministrin të ushtrojë funksionet e tij të rëndësishme;  kudo e kurdo, ai ballafaqohet  me vetveten, i trishtuar, i lodhur, i thinjur, i plakur para kohe, artificial, i çakërdisur, cinik, sfidues banal, xheloz, kokëngjeshur duke u distancuar edhe nga rrethi i ngushtë  i familjes, farefisit, shokëve e miqve deri në mohim. Të gjitha këto, të thëna  e të stërthëna, me gojë e me shkrim, atij nuk i bëjnë përshtypje, mjafton të përflitet, të duket i veçanti, se ai është ai. Lideri i madh nuk mban inat.  Le të përpiqemi t’i futemi sadopak në psikozën e përveçimit të tij, duke e “dëgjuar e përfytyruar” në vetën e tij primare, që përbën thelbin e kompleksit të tij.

UNË JAM UNË ..

Kjo urrejtje e bën më të veçantë, kështu faktikisht, del një qenie e ndarë vetëm me vetveten. Unë jam Edi.  Këtë gjendje Hegeli e përcakton  me barazimin , unë = unë. Ai karakterizohet nga një super egoizëm,  krenari që, duke qenë varur në boshllëk, duke e parë veten jashtë tij te kundërshtarët e tij, ndjen ankth dhe dhimbje, që e brejnë si një tumor, pa pranuar asnjë kimioterapi. Ai luan vetveten, përkulet mbi vetveten  si narcist tragjik.  Veten e sheh në kamera dhe në ndjesinë hipotetike se si u duken të tjerëve,  i suvejuar prandaj i duhet të kruajë kokën, të aktrojë me një plasticitet maskash. A thua se dikush e zmadhon duke i bërë qejfin në dylbi, apo e shpërfill duke e parë me neveri. Është vetëdija e tij pa thelb, pa substancë. Është foto pa qenë objekt e kjo  reflektohet dhe në pikturat e tij surealiste dhe në dekoret e përgatitura, ku dominon gjaku i partisë mëmë tashmë, është bërë mavi. Ai dështimin e quan arritje, madje kënaqësi. Kjo veti, objekt psikoanalize,  e vetëndan të zotin si një personazh shkëputur nga “lulet e së keqes”; enthusiazmohet veçanërisht kur e gjen pasionin në shembje pallatesh e  shtëpish për të ndërtuar kulla me fitime milionash, ngjyer nga jashtë me shijen e piktorit të madh.. E pabesueshme që një artist të shkatërrojë kulturën e vendit të vet në në këto përmasa. Të kesh pasion shkatërrimin. Pastaj betonizimin. Pastaj dekoret. Pastaj ngjyrat, bojatizmin, thelbin që mungon. Që për të shërben si arterje vitale. Fotot, kamerat, aktrimi sukses i një karjere në krye të shtetit –  .. A thua dhe këtu i duket vetja se është ai, i përveçmi, skandalozi? A thua është natyra e tij, karakteri i një qenie komplekse e pakontrolluar? Nuk mund të thuash që nuk është inteligjent, veçse inteligjenca e tij ka kufij vetveten, ajo mbetet e pa krahasuar, varur në boshllëk e kjo përbën një nga kurthet e pakalueshme të dijes, ndaj i thonë ”i gjithëdituri”, antipodi i Sokratit të madh që dinte një gjë që “nuk dinte asgjë”. Unë (baras)(=)unë është përmbushje me vetveten, i pamjaftueshëm, njëkohësisht i përmbytur. Sepse pa thelb, pa substancë, pa lëndë, pa moral,  pa humanizëm. Një tejngopje e tillë me vetveten, e bën të vjellë, dhe i duhet të vjellë dhe nga poltroni i parlamentit për t’iu përgjigjur kritikave dhe broçkullave të dikujt, pa u frenuar gjëkund, pa u distancuar,  për të heshtur e për t’u menduar. Problemi është se ai, po nuk foli, veçanërisht kundër opozitës, por dhe kundër kujtdo që guxon ta kundërshtojë e ta kritikojë,  nuk ekziston. Diku e thashë – opozita është shfaqje e ekzistencës së tij, është ndjenjë kalorsiake,  “opozita e rrugës “, ( cinizëm kryeministror) dhe i duhet të recitojë për t’u dukur si pasha turk bashkë me poture.  Është shkak dhe pasojë, oligark, gjykatës, prokuror dhe viktimë…E gjitha kjo – luftë për të mbajtur pushtetin, por përballë tij, si një qenie të dyzuar me vetveten, segment ekzistencial, që fillon e zgjatet nga ai, e ravijëzon një tjetër qenie identike me fytyrën dhe rrezikun e tij. Por  (“ unë jam unë”) të mos ia hamë hakun, ai është mjeshtër i propagandës, mashtruese, personazh komik o tragjik, shqiptar e rajonal, “minishegist” dhelparak e qesharak që Shekspiri do ta etikonte: “rebel që fati i ka buzëqeshur kurvërisht” e ku,  ”zbardh e zeza dhe e bardha nxin; er’endyr” e mjegull na përpin”…  Po më shumë frikë ka pasur ata të fortët që kanë dalë nga tenxherja e së majtës. Grupin e Fatosit të dikurshëm apo president Ilirin e tanishëm.  Me Saliun e me Lulin e ka mirë se i ka në barrikadën e armikut përballë. E gojët e liga  thonë se “është kaq i malluar për ta”, sa nuk bën dot pa ta. Te kundërshtarët gjen vetveten, i vjen ajo energjia djallëzore për t’i anatemuar, për t’u paraqitur, pa e pasur problem sepse lejfenët që e rrethojnë, e quajnë “Skëndërbej” me shpatë në dorë; ndërsa ata që lë rrugës, “i pa besë’, dhe Hamza apo Ballaban me thikë në brez…  Po ç’ mund të thuash për vetveten e tij, kur ajo nuk ekziston?; Duke qenë një konglomerat vesesh e tiparesh, talente dhe mediokritete, vlerash dhe antivlerash,  cilësish eklektike,  papërgjegjësish, fytyrash e maskash, i pa imitueshëm në role pervese;  kudo pa bosht, mungesë vertebrash të rrëshqitshme deri në  mosqenie; burim force i bëhet urrejtja, dhe ia mjegullon shikimin për të parë realitetin dhe gropat që po i përgatit vetvetes. Ndoshta këta tipa kish parasysh Bodleri  kur tha “ Unë jam plaga  dhe thika, viktima dhe xhelati..”

AFTËSIA E PA AFTËSISË …

Analistë, gazetarë a shkrimtarë ( Oh, sa pak, sa pak shkrimtarë…), gënjejnë veten  që thonë se kryeministri ynë është i paaftë. Madje, kam vënë re se kur e pyesin për dështimet, kur fjalia e tyre fillon me “Pse” ai bëhet më agresiv, më i fuqishëm.  Të luash pa aftësinë të duhet talenti.  Mbajtja me thonj e me dhëmbë  e mbajtjes së pushtetit me çdo kusht  mbi 22 vjet në krye të pushtetit, është argument aftësie, jo paaftësie. Ju lutem , mos ma ofendioni personazhin tim! Si personazh, them, jo si person. Si qenie subjektive, them, jo si kryeministër.  Personazhi im është portret i pa mbaruar. Ai po kërkon kryeministrin për herë të tretë, ai po ndryshon kushtetutën si me qenë një fletushkë paçavure.Kjo nuk duhet të na çudisë. Etja shkretinore për pushtet është aftësi psikopatie, furi seksuale do ta quante nobelisti(S. Rushdie), verbëri  kozmike, epsh, drogë, marrëveshje me Orfeun dhe me djallin …  Ky “i pa afti”, që thoni ju zotërinj analistë e politikanë, (ti moj blablaiste ordinereZonjëzaSpiropali e quan Skëndërbej. Mirë bën, s’është e lehtë të jesh ngrohtë pranë tij, të kesh të bësh me para të madje tatime a dogana, të bëhesh ministre…)Ai ka siguruar një kontroll vertikal, qelizor në raportin padron klient  ku, që në hapat e parë të pushtetit, nuk ka qenë vetëm i përkëdhelur, por dhe me fat, dhe i talentuar nga natyra. Ai mundohet të jetë vetvetja por duke mos qenë në maja si sportist, piktor modernist, pedagog; pak ashtu e pak kështu, orator i lindur, cinik dhe ironik herë me muzat e artit e të sportit, herë me demonët e pushtetit, përjeton psikologjikisht ankthet e dështimit. Ai i do muzat e krijimtarisë artistike, por e kanë mbytur sirenat e egoizmit. Përpjekjet për të aplikuar të bukurën bashkë me antivlerat artistike  edhe në politikë, madje,  dhe në rolin e kryeminmistrit, përbëjnë ADN-në dështimit së tij, ankthin patologjik dhe thelbin e një mosqenie, në art dhe në politikë. Ose të një mosqenie masive që e zuri ledhi dhe preu rrugën.. Ai u kënaq që opozita doli nga parlamenti, njëkohësisht e kritikon atë, pse doli. Ai harron vetveten që për arsye të mosarsyes, braktisi parlamentin gjashtë muaj rresht që Shqipëria të mos pranohej si kandidate në BE.  Shkaku kish të bënte me mustaqet e Çelos, … “Këto mustaqe” e lanë Shqipërinë rrugë prerë shtatë vjet pas duke e rrukullisur në fundin e fundit.  Dhe pse? Vetëm e vetëm që të mos i numërohej të djathtës si meritë. Kujtesa e qytetarit shqiptar dhëmb. Ai u mundua me të gjitha mundësitë në çdo hap që  qeveria e PD-së hidhte para që Shqipëria të futej në NATO, që qytetarit shqiptar t’i  liberalizohej e drejta e udhëtimit pa viza, të aplikonte pasaportat  diçitale, të modernizonte kufijtë etj, etj.,  Ai është regjisori dhe aktori në këtë dramën tonë që me aftësinë e pa përgjegjësinë e tij virusale, na u bë epidemi shoqërore. Për të,  nuk ka ilaç e vaksinë e, kështu, brutal e agresiv, po bën dëme dhe po kapërcen lumin mes për mes pa u lagur?! Të mos bëjmë sikur nuk e dimë, të majtë e të djathtë. Kushdo që do analizojë përmbajtjen e dramës shqiptare me këtë regjisor e aktor, mbi 22 vjet nga skena në skenë, kujtesa  sadopak do na kujtojë uzurpatorin jo vetëm të  PS, diktatorin e rafinuar që [U1]  rrëmbeu të gjithë pushtetet; që shkatërroi Republikën, demokracinë parlamentarizmin; që e katandisi shtetin e brishtë pluralist, në një shtet policor duke inkuadruar në poste të policisë e gardës, të gjitha mbeturinat e ish sigurimit, enveristë të inkriminuar, drogamanë, banditë,  hajdutë, e, ai, talent i lindur,  që nuk qe as anëtar i PS, u bë kryetar i saj brenda një nate dhe arriti ta katandisë PS-në ngjeshur pas trupit të tij si poture turke që e vesh dhe e zhvesh kur të dojë;  e po të flasim me gjuhën e Makbethit,  siç e ka qejf ai në fjalimet e fundit, kur e shpon ndonjë gjemb murrizi  (deputet i klonuar), ai manifeston vetveten; – pozantin që dridhet e përdridhet, piktorin dhe në zyrën e  kryeministrit, liderin  e oratorin në ER-tv – aktorin mjeshtëror, princ e mbret pa kurorë, i pari në rajon, dukshëm perandor, krah për  krah me mefistofelin e ndershëm, Erion.. . Dhe vetë citon Shekspirin … ; Ferri është bosh dhe të gjithë djajtë janë këtu…”…Gëzuash , Makbeth, që nesër bëhesh mbret...Megjithatë, të mos gënjejmë veten, duhet të pranojmë  se cinizmiitij, babëzia, patologjia a drogamania, janëmëpaktëdëmshme se servilizmidhememecllëku socialistmasivshartuar me hibritinvirusal me emrin “Rilindja”. Shkatërrimiitëmajtëssonë, katandisursi parti e hajdutëvedheoligartëve, më e djathtë se e djathta,  ështëmeritëpersonale e tij, njëkohësishtmjerimkombëtaripolitikësdhekulturëssonë. Këtëgjendjemjeranee vështirëson më tepër edhe niveli shumë i ulët intelektual i deputetëve në parlamentin aktual që, më së miri i përgjigjen mediokritetit kryeministror. Pra si tenxherja dhe kapaku. Të aftë vetëm për të zhvatur. Deputetë vetëm për të ngritur e ulurkartonat sa herë u fishkëllen binomi enigmatik “Rama-Ruçi”.


 [U1]Mit

Filed Under: ESSE Tagged With: AFTËSIA E PA AFTËSISË, Pirro Loli

GOJË MJALTË, ZEMËR FLORI

October 25, 2020 by dgreca

Nga Bashkim Saliasi–

Të shkruash për kolonel Delo Isufaj (Seraj) që fluturoj në ditë me diell, shi e hënë në lartësi të stratosferës, mendimet të rrjedhin vrullshëm si uji i kristaltë i një burimi që buron nga mali dhe i jep jetë florës dhe faunës në rrjedhën e tij dhe natyra begatohet me shumëllojshmëri jete.

Në këto ditë vjeshte, në kushte pandemie, kohën e kemi me tepri. Si një lexues i rregullt këto ditë lexova dhe rilexova librat dhuratë me poezi nga miku im poeti, avokati dhe piloti – kolonel Delo Isufi në pension.

C:\Users\viron\Desktop\IMG-20190330-WA0000.jpg

Në foto dy miqtë e mi: Vironi Kona, Delo Isufi dhe Bashkim Saliasi.

Miku im Delo Isufi një vit më parë se të dilja në pension më dhuroj tre botimet e tij të fundit: “Kur lahet hëna”, “Ëndërr e grisur”, “Tavolina e rezervuar” dhe “Vajza e manaferrave”.

Libra dhuratë nga poeti Delo Isufi

Çdo mëngjes në faqen e facebookut kafenë  do e shoqëroj me leximin e poezive të dy miqve të mij Delo Isufi dhe Përparim Hysi.

Të parin libër lexova “Ëndërra e grisur”, botim i shtëpis botuese “Uegen” redaktuar nga shkrimtari i mirënjohur Viron Kona me recensent Ruzhdi Pulaha.

Sa nis të lexosh poezinë e parë “Bukuri e krisur” mendja të shkon te vlerësimi që i bën autori bukurive të vendit tonë, një vend me katër stinë të mrekullueshme, ku pas dimrit vjen pranvera dhe manushaqet arrijnë të rriten dhe të lulëzojnë edhe majë shkëmbit. Autori me vargun e tij të lirë që të tërheq si me magji i jep rëndësi dashurisë për vendlindjen. Gojë mjaltë e zemër flori Deloja me vargun e tij të lirë dhe pa shumë komplekse të bënë për vete sapo  nis të lexosh faqen e parë të librit.

Nga bukuria ndali./Trokun kali hazdisur,/Kokën e përuli mali,/Prej bukurisë sate të krisur.

Metafora dhe krahsimi i poetit Delo Isufi të bën të mendosh se ai frymëzimin e gjen te visaret e vendlindjes, bukuritë e natyrës shqiptare dhe jetën shoqërore.

Miku ynë durrsak Kadri Tarelli e ka etiketuar avokatin dhe poetin e vargut të lirë “Poet i dashurisë”. Jam i një mendimi me Kadriun sepse në çdo poezi të Delos ndien dashur, mirëkuptim dhe tolerancë të cilën ai di ta shpreh kaq bukur në poezitë e tij që pasi njihesh me to të mbeten në mendje.

I dashuruar me vendlindjen dhe dashurinë për jetën, shumicën e krijimtaris së tij poeti ia kushton vendlindjes Vlorës së flamurit, ku u lind, u arsimua dhe hodhi shtat e nga nisi rrugët e jetës si pilot dhe instruktor në përdorimin e avionve supersonik. Krahas arsimimit për pilot ndjek studimet e drejtësisë dhe njeh shumë mirë ligjëshmërin e zhvillimit të jetës shoqërore. 

Janë të shumta poezitë që autori ia kushton vendlindjes. Ai shprehet me dashuri për bukuritë e natyrës shqiptare dhe njerëzit trima dhe puntorë. 

Në vëllimin “Ëndërra e grisura” të gjitha poezitë janë të bukura dhe të ëmbla plot nektar, por mua më mbetën në mendje dy prej tyre, Gabriela dhe Lypsarët.

Në poezinë Gabriela tregon për dashurinë dhe mirësinë që kanë bashkfshatarët e tij për njerëzit e punës dhe të argëtimit. Me një gjuhë të thjeshtë ai tregon se kur ciganët mbrrijnë në fshat dalin të vegjël dhe të mëdhenj dhe jo vetëm argëtohen me ta, por edhe krijojnë miqësi.

Pleqtë gajdet bëjnë gati,/Mbushin kacekët me frymë,/Në lëndinë po zbret fshati,/Të shikojnë arixhinjtë.

Nis mëngjesi me ahenge,/Gajde, dajre dhe daulle, /Dëgjohet kënga breg më breg,/Melodi e ëmbël e hinduve.

Autori shpreh konsiderata të veçanta për banorët e krahinës së tij për bashkjetesën dhe mos përbuzjen e racës së arixhinjve. Kënga bënë fjalë për një shpirt të trazuar që ka braktisur të dashurin e saj dhe këndohet gjithë pasion nga grupi arxhinjëve dhe ndiqet me lot në sy nga dëgjuesit e mbledhur rreth çadrave të tyre.

Mesaxhi që jepet në fund të poezisë të bën të mendosh sesa mirë shkojnë njerëzit midis tyre dhe krijojnë ura lidhëse me dashuri dhe tolerancë zero pavarësisht se i përkasin racave të ndryshme.

Në mbrëmje e lënë punën,/Karrocat ngarkojnë me thasë,/Ciganet nisen për udhë,/Qetësinë e duhur lënë pas.

Muzika dëgjohet larg,/Jet’ e tyre plot gëzime,/Kur yjet shfaqen lart,/Lugina mbetet jetime.

Autori në këtë poezi bën thirrje për bashkjetesë pa dallim feje e race dhe kjo gjë arrihet më së miri midis njerëzve të punës, ku secili ka huqet dhe karakterin e vet në mënyrën e jetesës.

Në poezinë “Lypsarët” të mbeten në mendje mesazhet që Deloja jep në këtë poezi. Nuk jetohet pa punuar dhe duke lypur, por deri sa Zoti të ka dhënë mendjen, krah e sy njeriu duhet të përpiqet të rrojë me djersën e ballit, por kur të zë halli dhe shoqëria nuk kujdeset për ty atëherë jeta të detyron të lypësh dhe të flesh në qell të hapur.

Vargu i tij është perfekt. Midis pyllit edhe lumit,/Ku qyteti shfaqet larg,/Çdo mbrëmje aty bujtin, Tre lypsar në një barakë.

Nëpërmjet kësaj poezie autori bën i bën thirrje shoqërisë që të mos braktis fëmijët jetim dhe ata të braktisur nga prindërit dhe të mbetur pa streh.

Dashuria për njerëzit në poezitë e Delos, është një ndiesi e veçantë që të rrënqeth kur kujton viktimat e luftës apo dhe ndodhitë nga fatkeqësit natyrore.

Si një njeri i dashur dhe shpirt mirë Deloja është i ndjeshëm ndaj braktisjes së njerëzve fatkeq në jetë. Në çdo takim që kam pasur me poetin Delo Isufi dhe shkrimtarin Viron Kona në bisedat e tyre dëgjoj që flasin me dashuri dhe respekt të madh për vendlindjen e tyre, Vlorën.

Këtu buron frymëzimi i poetit, i cili me penën e tij arrin të çimentojë vargje mbresëlënëse, që kanë jetëgjatësi dhe pëlqehen nga lexuesi. Vargjet e tij janë si një kala e ndërtuar me kollona betonarmeje, ku nuk i mungon asnjë element, që nga fijet e hekurit të vendosura në vendin e duhur dhe fijet e telit, që nuk lejojnë hekurin të lëviz gjatë lëkundjeve të tërmetit të fuqishëm.

Poezitë e Delos i bëjnë ball çdo furtune apo cikloni të kohës, sepse shkruhen me zemër dhe shpirt atdhetar, ku brenda mbartin mesazhet e përmendura më lartë, dashurinë, mirësinë dhe tolerancën.

Por, Deloja nuk është vetëm pilot dhe avokat i sukseshëm, që në karierën e tij  arriti deri avokat i Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit, por dhe një poet e përkthyes, që ka krijuar ura miqësie deri në Indin e largët.

I dashur, i sinqert, zemër flori të pret dhe të përcjell me fjal të ëmbël dhe me një mirësjellje që e karakterizon njeriun e dashur dhe poetin e talentuar. Delo Isufit sa herë t`i kërkosh të recitojë një poezi, ai pa përtuar nis e reciton “Lahutën e Malcisë”, vargje nga  Migjeni, Ali Asllani dhe shumë e shumë autor të huaj e vendas. Me një memorje perfekte, që kush ka fatin të qëndroi qoftë edhe pak kohë në një tavolinë kafeje me të, do ketë mundësi ta njohi nga afër dhe besoj se të puqet me mendimin tim human.

Në vëllimin e dytë poetik “Tavolina e rezervuar”, botimet Ada me redaktor shkrimtarin Viron Kona dhe recensensat nga Halil Xani, Skënderaj, Sejdi Berisha, Pejë që në hyrje të bie në sy vlerësimi që i bënë shkrimtari Viron Kona poezive të poetit Delo Isufaj.

Ai shkruan: Talenti i vertetë i krijuesit ngjason me një ortek që rritet pandërprerë e, teksa krijimtaria shtohet, teknika dhe mendimi poetik zenë vend, ashtu dhe gurët e themelit në një ngrehinë të fuqishme e të bukur që shkon drejt përsosjes.

Vargjet e poetit Delo Isufi e marrin frymëzimin në jetën e përditshme, ku nëpërmjet vargut të tij shpreh impresionet e njerëzve duke na dhënë botën e brendshme të tij të skalitur si një skluptor i kujdesshëm i tipeve dhe karaktereve, me plot dashuri dhe mesazhe të ëmbla poetike.

Dashuria për njeriun, respekti dhe dashamirësia për jetën tingëllojnë ëmbël që në poezinë e parë të titulluar “Lozonjarja”.

Përballë më rri e qeshur,/Me sytë e bukur lozonjarë,/Buza jote e çelur, e heshtur,/Flet më shumë se mijra fjalë.

Frymëzimi i poetit thur në vargje, dashurinë njerëzore që e bën lexuesin të mendohet se jeta është e bukur kur jetohet me të mirat dhe të këqiat e saj.

Në këtë vëllim poetik poezia “Mos e mos”, poeti e merr frymzimin në vendlindje dhe brenda saj përcjell mesazhe dashurie e dhimbje, por në fund të fundit ngushullohemi me shprehjen se jeta vazhdon në rrjedhën e saj.

I hodha dorën në qafë,/Ajo heshti, vetëm heshti,/Buk’ e dhallë më vu në trastë,/Dhe një palë çorape leshi. 

Zjarri që ndizet në shpirtin e të rinjve thyen çdo tabu si në poezinë “Këto vajzat tona”.

Këto vajzat tona,/Porsi lule mali,/Ku shkel këmb’ e tyr,/Xixa shkrep stralli. 

Në poezitë e Delos spikat sinqeriteti dhe çdo poezi përcjell një mesazh poetik njerëzor.

Në poezinë, “Çika Kosovare” poeti na tregon se e njeh shumë mirë botën hyjnore të femrës. Ai me një konfiguracion prej artisti na jep portretin e vajzave dardane.

Sorkadhe, flokët e verdhë,/Krela-krela përmbi supe,/Midis perlave, një perlë,/Veshur me rroba të kuqe.

Dhe në mbyllje metafora dhe krahasimi që përdor poeti spikat për kulturën e gjerë të njohjes së letrësisë dhe artit të shkruar dhe lexuar.

Deti digjej merrte zjarr,/Retë në qiell hidhnin valle,/Pyeta një nuse pranë,/Tha: – Është çikë kosovare.

Sa bukur është shprehur shkrimtari Viron Kona për poezinë  Nuses sime.

…Ajo i shfaqet përherë në ëndrra e përfytyrime, i sjellë pranë jetën e vërtetë dhe rininë e zjarrtë e që, sot, shëndrit në shpirtin e tij përmes dritës dhe shkëlqimit hyjnor.

Të shikoj e bukura ime,/Pranë të kam e pranë më rri,/Endem larg në kujtime,/Kur ishim të dy të rinj.

Në këtë poezi del në pah besnikëria dhe dashuria e madhe që kishin në rini, por ajo hera-herës edhe pse ka disa vjet që ka ndërruar jetë poetit i shfaqet në vegime dhe kjo tregon dashurinë e pastër dhe të sinqertë të dy të dashuruarve, që nuk shuhet kurrë. 

Teksa lexoj këto vargje më buron urimi i sinqertë duke i uruar poetit jetë të gjatë, t`i rrojnë vajzat, nipërit e mbesat, që i do dhe e duan aq shumë.

Të lexosh poezitë e Delos do të thotë të mrekullohesh. Ai shkruan me shpirt njerëzor të pastër dhe të sinqert. Vëllimet poetike të Delos janë xhevahir i çmuar.

Vëllimi fundit “Vajza e manaferrave” është një perlë që brenda vetes përmban thesare të vyera. Poeti nga dita në ditë ndeshet me emocione dhe arrin të reflektojë duke i hedhur ato në letër. Tematka e poezive në vëllimin “Vajza e manaferrave” është e gjerë dhe shumë dimesionale.

Ai arrin të përjetojë hallet dhe brengat e mbarë shoqërisë, të cilat i pasqyron mjaftë bukur me penën e tij të artë, pa lënë pasdore mesazhet e dashurisë për të bukurën, por edhe kritikën që hera herës del në vargjet e tij.

Krijimet e bukura të poetit Delo Isufi kanë një përmbajtje dhe lirizëm të ngrohtë, të ngjallin shpresë dhe të bëjnë ta dashurosh jetën. Në poezitë e tij vlon shpirti i njeriut që e dashuron jetën. Poezia e tij dallohet për larmin e formës dhe të përmbajtjes e shkruar me një gjuhë të pasur letraro-artistike. Por nga ana tjetër ajo që të bie në sy dhe të mbetet në mendja është gjerësia e tematkave që poeti trajton në vargun e tij të lirë.

Poeti Delo Isufi ka cilësinë në zgjedhjen e fjalës për të shprehur mendimet e tij me dashuri dhe largpamësi për jetën njerëzore duke vënë në lëvizje mendimin krijues.

Të gjitha krijimet e Delos përshkohen nga ideja e dashurisë për jetën dhe i japin forcë lexuesit që ta jetoj jetën ashtu sikundër i vjenë. Ai e dashuron jetën dhe njerëzit që e rrethojnë.

S’ka gjë sesi shkruan, mjafton që shkruan, atë që ndien, u shpreh në një bisedë miqësore për disa poezi apo tregime që hidhen të pa redaktuara në faqen e facebookut..

Forma artistike e Delos është në unitet të plot me përmbajtjen e krijimtarisë së tij artistike. Vargjet e poezis së tij janë të thjeshta, të kuptueshme me një gjuhë të pasur letrare që buron nga gurra popullore.

Duke qenë një njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja poeti përdor një folklor të pasur në krijimtarinë e tij artistike. Kjo e ka ndihmuar atë të krijoj ura lidhëse të miqësisë me poetët indjanë dhe në diasporë. Poezia “India ime” e krijuar në Indi, kur poeti ynë Isufi ishte i ftuar për të marrë pjesë në një festival mbarë botëror poetik, siç tregon Deloja, vendasit indianë dhe pjesëmarrësit e atij festivali, kishin shprehur dëshirën që poeti ynë ta lexonte poezinë, veç anglishtes, edhe në gjuhën shqipe, shkruan Viron Kona në parathënien e librit të bënë të mendosh për urtësinë, mençurinë dhe kulturën e gjerë që zotëron poeti Delo Isufi. 

Për botimin e librit “Vajza e manaferrave” nuk po ua shuaj kureshtjen më shumë sepse më mirë se ç`e ka vlerësuar shkrimtari Viron Kona në parathënien e librit, unë nuk mud të shprehem më mirë.

I uroj mikut tim nga Vlora, Kolonel, avokat dhe poetit të fjalës magjike: jetë të gjatë e plot shëndet, krijime sa më të bukura dhe në botime të tjera. Urime poeti Delo Isufaj!

Filed Under: ESSE Tagged With: Bashkim Saliasi, Goje mjalte

Amerika ende nuk është aleate e Serbisë

October 25, 2020 by dgreca

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI/ Një fjalë urtë popullore thotë: “Nga e thëna në të bërë, është një det i tërë”. Ose si thonë anglezët : “ From  words to deeds is a great  sea”. 

*** Edhe pse A.Vuçiqit këta ia “kana” shumë, që edhe Amerika të jetë një aleat i Serbisë sikurse Rusia dhe Kina, mirëpo, ai, duhet të ketë parasysh faktin se ka për të kryr shumë “detyra shtëpie” për ta bindur Amerikën dhe aleatët e saj evro-perëndimorë, se Serbia vërtet e meriton që Amerikën ta ketë aleat të saj, A. Vuçiqi, së pari, duhet ta njohë Republikën e Kosovës, ashtu si e ka njohur Amerika. Ndryshe, Serbia  nuk ka gjasa minimale që ta  përfitojë Amerikën si aleat të saj ndërkombëtar.

*** Natyrisht, këtë do ta dëshironte shumë presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Serbia, mirëpo, derisa  Beogradi zyrtar nuk e njeh Reublikën e Kosovës, është e pabesushme dhe joreale, që Amerika të jetë  aleate e Serbisë, ashtu sikurse janë Rusia dhe Kina.

Me gjithë ndihmën e deritashme ekonomike, tregtare, të bizneseve dhe të investimeve të ndryshme të Amerikës në Serbi (2001-2020), si dhe të marrëdhënieve të mira ndërshtetërore diplomatike midis Beogradit dhe Uashingtonit, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes ekonomike në Uashington, më 4 shtator 2020, ku presidenti Donald Tramp me emisarin e tij shtetëror Richard Grenell për Dialogun e Brukselit të palëve negociuese serbo – shqiptare (Beograd-Prishtinë) inkurajoi dhe mbështeti presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kreyeministrin Avdulla Hoti, që të nënshkruanin marrëveshjen  për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës, kjo nuk do të thotë se tani, pas 4 shtatorit, Amerika  “është bërë aleate e Serbisë”, ashtu sikurse është prononcuar  naivisht A. Vuçiq : “Me gjithë standradin e dyfishtë, Serbia nuk ka rrugë tjetër  përveç rrugës evropiane, të cilën, duhet ta vazhodjë dhe, njëkohësisht  t’i ruajë aleatët  dhe miqtë e vet tradicionalë siç janë Rusia, Kina dhe SHBA-ja”.( https://www.novosti.rs/vesti/politika/922750/vucic-srbija-nema-bolji-put-evropskog).

Edhe pse presidenti A.Vuçiq Amerikën e konsideron si aleat të mundshëm, duke i riparuar dhe, duke i ngritur marrëdhëniet dhe lidhjet në shkallën më të lartë ndërshtetërore, jetësimi në praktikë i kësaj  skeme strategjike nuk është fare e lehtë, sepse derisa Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës (17.02.2008), ashtu siç e ka njohur Amerika dhe më se 100 shtete të tjera të OKB-së, as presidenti Aleksandar Vuçiq, as Serbisa nuk mund të llogarisin e as të shpesojnë se Amerika do bëhet aleat i tyre. Kjo nuk do të ndodhë pavarësisht  nga dëshira e presientit A. Vuçiq, si dhe nga  shkalla e tanishme e marrëdhënieve diplomatike të Beogradit me Uashingtonin.

Në Bruksel nuk do arrihet kurrfarë kompromisi politik mes Beogradit dhe Prishtinës, nëse Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës !

Kjo nuk e vështirë për t’u ditur, sepse qe 8 vjet presidenti serb Aleksandar Vuçiq me fanatizëm mbron konceptin strategjik të politikës, të diplomacisë dhe propagandës së regjimit të Slobodan Milosheviqit, të Kishës Ortodokse Serbe, të Akademisë Shkencave dhe të Arteve Serbe të Beogradit, si dhe të “Velika Srbija” të Vojislav Sheshelit, se  “Kosova është e Serbisë”. Kështu thuhet edhe në Kushtetutën e Republikës së Serbisë së vitit 2006.

Prandaj, ata liderë politikë  me medium e tyre të verdha ditore, që po propagandojnë se Serbia do ta njohë Kosovën me të përfunduar Dialogu i Brukeslit,  janë duke parë  “ëndrra duke ecur”, përkatësisht janë duke e mashtruar  dhe dezorientuar popullin shqiptar në Kosovë, që ai t’u japë ndonjë “dritë të gjelbër” përfaqësuesve të vet në qeveri apo në parlament, në mënyrë që të bëjnë ndonjë “kompromis të dhembshëm” , të keq, të dëmshëm dhe katastrofik për fatin e Kosovës shqiptare.

Mirëpo, kjo nuk do të ndodhë, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën brenda kufijve të sajt ekzistues. Këtë pazar të keq-anipavarësi dhe antisovranitet territorial dhe shtetëror të Kosovës, do ta prishë Lëvizja Vetëvendosje së bashku me popullin, i cili nuk do të lejojë copëtimin e territorit të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, ashtu si i konvenon politikës kolonialiste dhe neokolonialiste të saj.

“Kompromisi” sipas “syzeve diplomatike” të presidentit A. Vuçiq !?

Ende pa u arritur Marrëveshja e Uashingtonit (4 shtator 2020) për normalizimin e marredhënieve ekonomike mes Prishtinës dhe Beogradit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq që në mbledhjen trilaterale në Bruksel (16 korrik 2020), ku veç palëve negociuese serbo – shqiptare të Serbisë dhe të Kosovës, morën pjesë edhe  ndërmjetësit e BE-së, Zhosep Borell dhe Miroslav Lajçak, pati deklaruar se gjoja “pala negociuese shqiptare me kryeministrin Abdulla Hoti në krye, nuk i kanë të qarta temat për të cilat duhet biseduar, duke qenë se kryeministri Hoti 20 herë përsëriti sintagmën  ‘dy shtete’. –E,  çfarë, do bëhej nëse,  edhe unë do përsërisja çdo herë ‘ një shtet dhe një krahinë autonome. Kjo do të thoshte se ndokush ka ardhur këtu jo të bisedojë, por të mendojë se ekziston mundësia për  ndonjë nënçmim të rëndë, që të pranohet ajo çfarë është në interesin e tyre.”

Së pari, ky është  një budallallëk apolitik i Vuçiqit, i cili  kurrë nuk do ta shpierë drejt BE-së dhe Amerikës, pa e njohur de fakto dhe de jure shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, edhe pse  sipas Kushtetutës në fuqi të Serbisë, “Kosova është krahinë e Serbisë”(2006),  Kosova është shtet i pavarur, ashtu si Serbia , edhe pse Kosova ende nuk është e njohur nga OKB-ja, si rrjedhim i VETO-s së Rusisë dhe abstenimit të Kinës, që duke favorizuar kolonializmin gjenocidal dhe hegjemonizmin e Serbisë,  duke u mbështetur në Rezolutën 1244 të KS-së të OKB-së (10.VI.1999), e cila nuk e njeh  shtetin e pavarur të Kosovës. Mirëpo, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e së OKB-së, në bazë të Opinionit të saj këshillëdhënës e njeh Republikën e Kosovës (22 korrik 2010), duke vlerësuar se, është shpallur në përputhje me parimet dhe me normat e së drejtës ndërkombëtare.

-E tërë kjo gjendje faktike dhe juridike, do të thotë se Kosova është shtet i pavarur, edhe pse  këtë nuk e njeh Beogradi zyrtar. Mirëpo, kjo është çështje e brendshme politike e Serbisë, jo e së drejtës ndërkombëtare , siç ka konstatuar në mënyrë të argumentuar dhe me plot të drejtë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Pra, në rastin konkret, presidenti Serb A.Vuçiq nuk ka pse ta kritikojë kryeministrin Avdullah Hoti, pse ai  “20 herë e paska përsëritur togfjalëshin-DY SHTETE”. -Hoti, shumë mirë ia paska qëlluar, se vërtet Kosova dhe Serbia janë dy shtete, pavarësisht kundërshtimit të gabuar të Vuçiqit, i cili, sikurse dikur kryekrimineli Slobodan Milosheviq, ashtu edhe sot krimineli Vojislav Sheshel nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran jashtë Serbisë kolonialiste.

Mirëpo, kryeministri A. Hoti ka të drejtë dhe, sipas Kushtetutës, është i detyruar të shprehet, se Kosova dhe Serbia janë dy shtete të barabarta, edhe pse nuk janë të barabarta në OKB, sepse Rusia dhe Kina kanë bllokuar ndryshimin e Rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit  të OKB-s. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se Kosova nuk është shtet i pavarur nga Serbia, edhe pse kjo, Rusia, Kina, Greqia, Sllovakia, Rumania, Spanja dhe gjysmëqiproja greke nuk e njohin  Republikën e Kosovës.

Prandaj, kështu, si Avdullah Hoti, “edhe SHBA-ja, edhe shumica e BE-së, Kosovën dhe Serbinë i konsiderojnë si dy shtete të pavarura”. Këtë e ka deklruar vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq” . (Shih në: https://www.blic.rs/vesti/politika/vucic-i-sad-i-vecina-eu-srbiju-i-kosovo-posmatraju-kao-dve-nezavisne-drzave/fh2t0cj).

Andaj, Aleksandar Vuçiqit nuk ka pse t’i “dhembë koka” ,dhe, pse të “ndihet alergjik”  ose “ i nënçmuar”, kur ulet përballë Hotit, dhe nga ai dëgjon akuzat e tij të drejta dhe të argumentuara se “ shqiptarët janë viktima e serbët kriminelë, se ne duhet t’i paguajmë reparacionet e luftës…, se Kosova është shtet etj. Të gjitha këto i kam  hedhur poshtë, duke mbyllur çdo bisedë lidhur me to.” !?

Po, meqë Vuçiqi qenka  alrgjik në cilësimin e serbëve si “kriminelë”, ashtu sikurse akademiku Frashër Demaj, i cili në një panel televiziv me kryeakademikun Mehmet Kraja,  deklaroi se “Serbët nuk janë ata që kanë kryer terror dhe vrasje në Kosovë; se Gjykatat serbe nuk janë ato që kanë dënuar me qindra e me mija shqiptarë, por ishin gjykatat jugosllave” (Shih në: https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=2736067606656832&id=100007608580549 ).

-Atëherë, shtrohet pyetja serioze, pse, ç’kërkon presidenti Aleksandar Vuçiq në negociatat e Brukselit, kur ai nuk pranon ta njohë Republikën e Kosovës (2008); nuk pranon që të paguajë të gjitha reparacionet e luftës së Serbisë, e  cila ka shkatërruar dhe djegur Kosovën, si dhe ka vrarë e maskaruar mbi “13.0000” shqiptarë të të gjitha moshave.

-Ja,  këto janë faktet dhe argumentet  për të cilat presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duhet të ndihet keq dhe të kërkojë falje publike në emër të të gjithë serbëve dhe të Serbisë për shkak të krimeve të gjenocidit të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë (1989-1999).

Sipas  “Telegrafi.com” të Prishtinës,  bilanci i vrasjeve  në njerëz, si dhe i shkatërrimeve dhe i dëmeve materiale në Kosovë nga ana e Serbisë gjenocidale pushtuese , është ky:  ““Shtëpi të shkatërruara – dëmtuara të popullatës shqiptare: 100.589; shkolla të shkatërruara – të dëmtuara me dokumentacion: 358; zyra të vendit: 71; shtëpi kulture: 30; biblioteka publike dhe shkollore: 93; objekte shëndetësore: 123; objekte fetare (xhami, teqe, tyrbe): 215; kisha katolike: 5; objekte ndihmëse – përcjellëse: 88.101; pasojat e luftës në njerëz, masakra të mëdha, vrasje e organizuar, madje edhe të familjeve të tëra gjatë periudhës janar 1998 – 12 qershor 1999; Të vrarë: 11.840 viktima nga Kosova,  1.392 fëmijë deri në 18 vjeç;  296 fëmijë deri në 5 vjeç;  1.739 femra;  1.882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare;  1.450 banorë ende janë të pagjetur; Janë dhunuar 20.400 femra shqiptare. Sipas të dhënave të UNCHR, në fillim të qershorit 1999, nga Kosova ka pasur afro 1 milion refugjatët të dëbuar prej Kosove, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-së. Vendosja e refugjatëve sipas shteteve ishte: 443.300 ishin vendosur në Shqipëri; 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi; 21.700 në Bosnjë-Hercegovinë. Pra, një totali prej 782.100. Në vendet e tjera të botës u vendosën gjithsej 76.475 refugjatë, duke përfshirë 13.639 në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.829 në Itali, 5.730 në SHBA, pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani të Madhe, Poloni, Spanjë, Portugali, Finlandë, Zvicër, Izrael etj.”” (Burimi: Bilanci i krimeve serbe në Kosovë).
Bilanci i krimeve serbe në KosovëIsh funksionari i lartë shqiptar, në kohën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) dhe njohësi…

Sa më sipër, këto shifra statistikore të kryerjes së gjenocidit serb në Kosovë ndaj shqiptarëve nuk mund të cilësohen ndryshe veçse krime kundër njerëzimit,që kanë pasur për qëllim shfarosjen e  një pjese të kombit shqiptar në Kosovën e Shqipërisë Etnike.

Këtë të vërtetë  dhe tragjedi të hidhur historike, kombëtare dhe të përgjkashme të mbi 90% të shqiptarëve nuk mund ta shlyejnë as  pseudoakademikët serbomëdhenjë të ASHAS-së,  as priftërinjtë, peshkopët dhe patriarkët falsifikatorë dhe manipulues serbomëdhnejë, të cilët me shekuj kanë misitifikuar dhe shtrembëruar të vërtetën historike, kombëtare, territoriale dhe shtetëore shqiptare dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan (1389-2020).

Gjithashtu, këtë të vërtetë të gjenicidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë (1989-1999) nuk mund “retushojnë”  dhe ta shlyejnë nga kujtesa historike e  brezit të sotëm dhe, e asnjë brezi të nesërm shqiptar, as ato paçavure të  alla-akadmikëve shqipfolës, të cilët pohojnë dhe shkruajnë botërisht, se në “Kosovë serbët nuk kanë kryer krime dhe terror; se në Kosovë, shqiptarët nuk i kanë dënuar gjykatat serbe, por ato jugosllave” !?

-Letra duron gjithëçka, por faktet dhe argumentet e krimeve të gjenocidit serb në Kosovë janë të parrëzueshme dhe nuk parashkruhen kurrë sipas së drejtës ndërkombëtare. Zbardhja e këtyre fakteve varet vetëm nga vetë shqiptarët, domethënë  nga Qeveria dhe nga Kuvendi i Kosovës, duke u bazuar edhe në “Rezolutën për gjenocidin serb të kryer në Kosovë,  të miratuar në Kuvendin e Kosovës, më 16 maj 2019”, në mënyrë të ngritet procedura ligjore për formimin e një Gjykate Ndërkombëtare për dënimin e krimeve të gjenocidit serb në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999.

Filed Under: Analiza Tagged With: amerika, Prof.Dr.Mehdi Hyseni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 37
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT