• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2020

Përplasje në mes të ideve romantike nga diaspora dhe realitetit në vendin amë

November 21, 2020 by dgreca

Elvin Guri: Investimi në atdhe: Përplasje në mes të ideve romantike nga diaspora dhe realitetit në vendin amë /

Në ditën e dytë të konferencës Diaspora Flet 2020, profesionistë e ekspertë nga fusha e ekonomisë, biznesit, teknologjisë dhe filantropisë reflektuan në ditën e dytë mbi angazhimin e diasporës në 20 vitet e fundit dhe sfidat e reja që e presin koorndimin e bashkëpunimit mes vendit amë dhe atyre jashtë vendit.

Hapja e ditës së dytë të konferencës virtuale “Diaspora Flet 20 20”, filloi me diskutimin e investimeve lokale dhe lidhjet e tregut me jashtë. Skender Rama, moderues i këtij paneli nga programi Kosovo Compete, projekt i financuar nga USAID-i, e hapi debatin mbi mundësitë dhe potencialet për t’i rritur produktet e prodhuara në Kosovë, dhe më pas për t’i eksportuar jashtë vendit. Duke analizuar sfidat me të cilat ballafaqohet diaspora kosovare për të investuar më shumë në bizneset kosovare, u përmenden 3 fushat ku do të fokusohet ky program: 1. Identifikimi i agjentëve në diasporë të cilët janë blerës për t’i blerë produktet kosovare; 2. Idenfitimi i personave me ndikim që kanë pozita në koorporata të fuqishme – lobimi për t’i prezantuar dhe integruar produktet e lokale; dhe 3. Krjimi i ndonjë fondi nga Diaspora ose edhe ndonjë iniciative për rritjen e investtimeve direkte të diasporës në Kosovës. Në këtë panel u përmend edhe industria e drurit, si një potencial i jashtëzakonshëm në lidhjen e tregjeve. 

Por, shfaqja e pandemisë globale COVID-19 ka ndikuar në shumë aspekte shoqërore dhe ekonomike. Megjithëse komunitetet e Diasporës kanë qenë të ndikuar nga pandemia në shtetin e tyre rezident, ata kanë vazhduar të dërgojnë shumë më shumë remitanca në vendin e origjinës gjatë kësaj kohe. Prandaj, sa i përket kontributit të diasporës më shumë se sa sjellja e lekëve, panelistët e ketij paneli theksuan nevojnë e strukturimit të remitancave dhe nevojën e zhvillimit kolektiv dhe jo individual. Përtej pasoja ekonomike, u theksuan edhe ndikimet shoqërore të kësaj pandemie. Indira Kartallozi, e pyetur nga Hilmi Gashi se nësë ka ndonjë praktikë më të mirë për të tejkaluar krizën, ajo u shpreh: Industria duhet të ndryshohet dhe strukturat e reja ekonomike duhet të fuqizohen si psh ekonomia qarkore. Përvec rimëkëmbjes duhet edhe të fuqizojmë bizneset se si t’i rezistojnë reziqeve të reja sikurse pandemia, ndryshimet klimatike, pa harruar edhe shëndetin personal dhe ndikimet shoqërore. 

Edhe në këtë ditë nuk munguan edhe fjalimet inspiruese nga Visar Morina, Krenar Komoni, Erila Haska, Mike Bailey. Pas përfudnimit të këtij paneli, në një sesion live në Facebook u zhvillua një bisedë e përqendruar dhe inspiruese me filantropin dhe biznesmenin Elvin Gurin, moderur nga gazetarja e mirënjohur Ilva Tare. 

Në vitin 2019 vendos në investoj në Shqipëri, dhe i pyetur pse kaq vonë ai u shpreh: Nuk isha i gatshëm dhe nuk e kisha gjetur momentin e duhur. Kur mu dha mundësi kam luajtur gjithë gurët e mundshëm që ta shfrytëzoja. I pyetur se si është balanca e investimeve në një vend me problem, z. Guri ofroi disa faktorë që mund ta vendosnin Kosvën dhe Shqipërinë në një destinacion të investimeve. Sipas tij duhet përmirësuar infrastruktura fizike, digjitale, të përmirësohet politikëbërja, ekonomia dhe në fund të rritet cilësia në arsim dhe edukim. Z. Guri theksoi se siguria e investimeve në atdhe lë për të dëshiruar dhe kjo rritë rrezikun (rriskun) për investitorë nga diaspora gjë që i bën ata të hezitojnë të investojnë. Shtetet amë duhet të trajtojnë investitorët nga diaspora me prioritet në aspektin insititucional përtej fjalëve. Si një filantrop i sukeshëm duke dhuruar resurset e tija në edukim, tha se diaspora duhet të investojë në vendin amë përtej ideve romantike dhe patriotike ngase ato përplasen me realitetin aktual. 

Në pjesën e dytë të ditës, u realizua debati Gratë në teknologji. Ky panel shqyrtoi arritjet e grave shqiptare në teknologji si dhe sfidat me të cilat ato përballen në një fushë të mëparshme të dominuar nga meshkujt. Sipas panelisteve, në hapësirat e rajonit të ballkanit vërehët një mungesë e tranimeve dhe certifikimeve të grave në teknologji. Një problem tjetër i potencuar nga paneli ishte edhe mungesa e vetëbesimi dhe kurajos tek gratë dhe ndarja e ideve dhe ambiceve për herë të parë. “Secila nga gratë duhet të kemi një role model që të inspirohemi dhe në cdo konferencë duhet të kemi tregime inspiruese për t’i treguar vajzave të reja që jo vetëm burrat mund të jenë të aftë të fushën e teknologjië, por edhe gratë mund të jenë të afta për të zhvilluar uebsite ejt”, u shpreh Adelina Gojani, njëra nga panelistet. Ndërsa në panelin Teknologjia, inovacioni dhe kontraktimi i jashtëm u potencuan sfidat dhe si bizneset po përdorin teknologjinë si një domosdoshmëri strategjike. Panelisët u shprehën se kontraktimi i jashtëm sjellë sfida të ndryshme, duke u nisur nga pagesat online e deri në tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve brenda kompanive. Edhe në këtë fushë, u theksua roli dhe ndihma e diasporës. Sipas z.Qeliku nga kompania “Frakton” shumë herë pjesëtarët nga diaspora janë zhgënyer me produktet e prodhuara në Kosovë, por githmonë kanë instituar me sjellë tregun në Kosovë, dhe kjo ëshë shumë e bukur. Në fund, z.Demaj drejtoi gishitn edhe ngapolitikëbrja duke kërkuar që të vendoset teknologjia si një prioritet shtetëor. 

Dita e dytë u përmbyll me sesionin me temë “Filantropia dhe roli i OJQ-ve”, i cili u moderua nga Dajana Berisha (FIQ), me panelistë: Shpresa Xhakli (Filantrope), Laura Ivezaj (Ivezaj Foundation), Mark Kosmo (Global Albanian Foundation), Riçard Lukaj (Lukaj Foundation), dhe Taulant Hoxha (Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile). Në këtë panel u theksua se nevojitet të kalojmë nga lloji humanitar / urgjent i donacioneve dhe projekteve në donacione për projekte me objektiva të zhvillimit të qendrueshëm. Riçard Lukaj tha se, nga perspektiva e një donatori, organizatat që implementojnë projekte duhet të dërgojnë më shumë raporte dhe fakte mbi impaktin e projekteve, karshi fotove dhe vizibilitetit të punëve në terren.

Germin sot përmbyll Konferencën Diaspora Flet, me shumë diskutime stimuluese për remitancat, kapitalin njerëzor, edukimin, kulturën  Rreth agjendes, pjesëmarrësve dhe detajeve të tjerave rreth Konferencës klikoni vegzën: https://germin.org/diaspora-flet/sq/, ndërsa rreth detajeve të tjera të Konferecës do ju mbajmë të informuar.

Filed Under: Emigracion Tagged With: diaspora, Elvin Guri, perplasje

Shqiptarët kanë nevojë edhe tani për Amerikën sikur para 101 vjetësh…

November 21, 2020 by dgreca

Gati 101 vjet pas Konferencës së Parisit, shqiptarët, falë përkrahjes së madhe të SHBA-ve, udhëheqin dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, e cila ende nuk e ka përmbyllur procesin e anëtarësimit në OKB dhe organizatat e mekanizmat tjerë euro-atlantik dhe ndodhet përballë një rreziku për zhbërje të pavarësisë, nëse hynë në kurthin e korrigjimit të kufijve.

NGA XHYLIJE IBRAHIMI*-

Populli shqiptar, me shekuj ka luftuar për mëvetësi dhe identitet shtetëror. Pa Amerikën, sikur para 101 viteve, edhe tash 101 vite më vonë shqiptarët nuk do të ishin këta që janë dhe këtu ku janë. 

Kërkohet shumë mençuri nga politikanët shqiptarë për ta përballuar edhe sfidën e fundit në rrugën e gjatë të arritjes së pavarësisë dhe konsolidimit të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan. Po e përsëris: Pa Amerikën, rreziku për humbje, është i madh.

Fati deshi që në Paris, më 1919, ku ishin mbledhur burra shteti, diplomatë, bankierë, ushtarakë, profesorë, ekonomistë dhe gjykatës nga të gjitha anët e botës për të vendosur për çështje të mëdha, të jetë edhe presidenti amerikan Uilson.

SHBA-ja, me këmbëngulje kundërshtoi ndarjen e Shqipërisë, që ishte kërkesë e pareshtur e shteteve fqinje dhe Fuqive të Mëdha. 

Presidenti i SHBA-së Uillson (Woodrow Wilson), në fjalimin tij, kishte deklaruar se: ”Është diçka e frikshme të çosh këtë popull të madh paqësor në luftë… Por e drejta është më e çmuar se paqja dhe ne do të luftojmë për çështjet që i kemi ruajtur gjithmonë si më të dashurat në zemrat tona, për demokracinë, për të drejtën e atyre që i nënshtrohen pushtetit, që t’u dëgjohet zëri në qeveritë e tyre, për të drejtat dhe liritë e kombeve të vogla, për një pushtet universal të së drejtës, nëpërmjet një bashkimi të tillë të popujve të lirë, që do t’u sillte paqen dhe sigurinë gjithë vendeve dhe do ta bënte më në fund vetë botën të lirë”.

Kishte zëra për ndarjen e Shqipërisë në mënyrë të atillë që pjesa veriore, përfshirë edhe Shkodrën t`i jepet Malit të Zi, pjesa qendrore, përfshirë edhe Durrësin, t`i jepet Serbisë, ndërsa ajo jugore, përfshirë edhe Vlorën, t`i jepet Greqisë. Kjo arsyetohej me faktin se “shqiptarët janë një popull jo i qetë, malësor dhe pa një shoqëri të organizuar mirë”.

Shqiptarët mbështetën shumë shpresa tek Konferenca e Paqes dhe sidomos tek presidenti Uillson. Në një takim me Nolin, presidenti Uilson kishte siguruar atë se do ta ndihmonte Shqipërinë. 

Presidenti Uilson, së bashku me delegacionin amerikan pati ndikim vendimtar në zgjidhjen e çështjes së Shqipërisë, në kuptimin që me qëndrimin e tij pengoi zgjidhje të parakohshme, të cilat në kushtet e asaj kohe, do të ishin me siguri në dëm të Shqipërisë. 

Në Konferencën e Paqes në Paris, nuk u zgjidh çështja e Shqipërisë së jugut, por suksesi i kësaj konference në favor të shqiptarëve qëndron në faktin se Presidenti Uillson pengoi jetësimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, të vitit 1915, i cili nënkuptonte eliminimin e Shqipërisë. 

Presidenti Uillson dhe delegacioni amerikan, me vendimet e tyre në këtë Konferencë penguan fuqitë evropiane të realizojnë propozimet mbi zgjidhjen e problemeve të Ballkanit, të paraqitura nga shtete fqinje të Shqipërisë, propozime këto që dosido çonin në copëtimin e trojeve shqiptare.

Presidenti Uillson kishte vdekur në shkurt 1924 dhe ishte varrosur pa ceremoni shtetërore.

Konsullata e Shqipërisë në Amerikë e njoftonte përmes një shkrese Ministrinë e Jashtme (shih shkresën zyrtare) për dërgimin e një telegrami ngushëllimi zonës së presidentit Uillson, ku i shprehte ngushëllime në emër të popullit shqiptar. Njëherësh, Konsullata njoftonte se me kërkesën e zonjës Uillson, varrimi nuk u bë me ceremoni shtetërore.

………………………………

*(Autorja është master i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)

Filed Under: Analiza Tagged With: 101 vjet me pas, Nevoaj e shqiptareve, Xhylije Ibrahimi

E gjetëm edhe tradhtarin, po më tej?

November 21, 2020 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/ Si përfundim, tani që Lulzim Basha u shpall ”tradhtar” i UÇK-ës, a ja ulëm vlerën borxhit publik. A e ulëm shifrën 84% në 64%, aq sa e kishim në vitin 2013? A na i fali arbitrazhi në Washington (2019) detyrimet kontraktore të anulluara nga kjo qeveri, si gjoja korruptive nga qeveria e mëparshme. 110 milion euro, jo pak. Borxh i detyrueshëm publik. A u rregullua statusi publik i nëpunësit civil, pasi edhe këtu ka një firo të konsiderueshme rrjedhje parash nga buxheti, për ata që humbin vendin e punës në administratë nga ndryshimi i pushtetit? Një postulat që u rri shqiptarëve si laku i kërpit rreth qafës, aman mos më merr në qafë se kam kalamaj për të ushqyer. Mezi e rregullova këtë vend pune. Pagova sa qimet e kokës. E ropa djalin në Gjermani. Ku di unë, i shkreti. U ngritën pensionet e mjeruara? Po nga përkrahja, a u hoq pyetja se kush ka dush e televizor, nuk i takon gjë. Duhet të jesh i vobektë që të japin 15 mijë lekë. Madje mish me dy sy, ku të ketë mundësi lal legeni dhe Ed shallvarexhiu, të vi me kamerat e ERTV e tu japi ndonjë thes miell. Tu flasi për ”tradhtarin” Lul hollandezin. Tani që e sqaruam se figura morale e kandidadit të ardhshëm për kryeministër është bizarre. Dhe se nuk ia vlen për kryeministër të ardhshëm, a u futëm në Europë? U hapën negociatat apo jo? Se kemi kaq vjet me gërrvërre se kush na fut në Europë, apo jo? Dhe e kaluam refuzimin e para dy ditëve, refuzimin e njëmbëdhjetë, ashtu si pa gajle. Studiot vlonin…, Luli, Luli, UNMIK, UÇK, tradhtari, ka qënë përkthyes apo oficer legal? Europa na refuzoi rishtas, na tha sysh, gjeni gjuhën e bashkëpunimit, vini gjykatat në funksion, por ne kemi hallin se sa i pastër është moralisht kryeministri i ardhshëm. Tani që gjetëm dhe atë që një ish futbollist i kombëtarës, një çfarë të them, ”tradhtar”, ”armik”, një garip që i duket vetja se çfarë ka qënë etj. A e fituam betejën me covidin? A i përmisuam spitalet? I ulëm numrat e infektimit? I shtuam testimet ditore, me qëllim izolimin e vatrave? Po humbim njëri-tjetrin sikur nuk kemi qënë kurrë. Dhe as që po na dhëmb fare. Nuk po kemi kohë të qajmë sikur një minutë, të kuptojmë që jemi njerëz. Nuk e kemi më një familjar, një të afërm, një mik me të cilin ndanim jetën. Jemi bërë grerëza, shifra, gumëzhimë, sende.  Nga që nuk na lënë Edi Rama, Lali Eri, Ilir Meta apo ”tradhtari” Lul Basha. Ka qënë apo nuk ka qënë futbollist i madh Andi Lila? Pika neve… nuk po i shkojmë dot në varrim shoqi-shoqit. Nuk po i gjëndemi dot njëri-tjetrit, të ndajmë atë kafen e hidhur, tymin e duhanit, këtej çirremi për futbollistë e artistë. Të gjitha këtyre figurave, si majtas dhe djathtas, se e drejta e Zotit e do t’i drejtohesh njësoj si këtij Lilës edhe Eli Farës, ndryshe ecim mënjanë. U duhet thënë shkoqur…, ose më mirë juve se ata kanë strategji karriere. Të fashmën i bëri adhurimi jonë, jo plateja e politkës. Që domethënë, nëse je sportist i famshëm falu asaj bukurie fyti e sysh me mijra në shkallët e stadiumit, asaj që të adhuron, që çirret për ty. E nëse je artist i famshëm, falu asaj gjindje që të duartroket se ata të bënë ky që je. Nuk të bëri politika. Boll me poza krah lali Erit apo lali Verit. Ne e dimë që sportisti a artisti është më i madh se Zoti, mos na rrëzoni adhurimin. Se po na mbushni mendjen që jeni të përdorueshëm si prezervativi. Eshtë e dhimbshme. Shenjtëria vjen nga poshtë, jo nga lart. Vëllezër ua kanë futur thellë. Aq thellë ua kanë futur aq sa jeni imunizuar kokë e këmbë. Nuk po ndjeni më asgjë. Jeni bërë engjuj të ndërgjegjshëm të djallit. Mashtroni me ndërgjegje të plotë, pa pikë turpi a sedre, pa pikë përgjegjësie për ato mut titujsh që mbani si medaljone. Madje ju rrofshin hekurosja, kollarja, apo klasi shtresë e ngritur. Eshtë e pabesueshme të dëgjosh në 2020 në një emison televiziv se akoma uji është me orar të kufizuar. Si mund të merresh me tradhtinë e një personi që ka çelsat e kashtës. Eshtë absurd kolektiv. Eshtë budallepsje. Se je akoma me depozita. Dhe për më keq, i pa përdorueshëm, i pistë dhe me mbetje të zeza. Merruni me tradhtinë e Lulit, ju të tredhurit dhe tradhtuarit njëmijë herë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja

Për ata që do t’mërziten pa praninë fizike të Dr. Shaqir Shehut….

November 21, 2020 by dgreca

Shkruan:Dr Zekri Palushi, Australi/

Fillimisht më duhet ti kërkoj falje familjes së Shaqirit, njerëzve të tij të afërt, far-e-fisit, miqëve, shokëve, kolegëve, stafit të infermjereve,-si dhe pacjentëve të tij të shumtë, për pa-aftësinë time, për t’gjetë ato fjalë të përshtatshme, që do t’ju jepnin za mendimeve dhe emocioneve të brendshme që po përjetoj gjatë shkrimit të ktyre rreshtave.

Shaqiri, mund të ketë qenë nga doktorët e pakët që ushtrimin profesional te tij, e mbështetse në parimin Hippocratic ‘S’pari mos  damto’, – parim me një domethanje të madhe, por që fatkeqësisht, çdo ditë e ma shumë, po ç’vleftësohet nga burokratët politiko-shëndetësor, të përkrahur nga disa doktorë, që për hir të kolegjialitetit, dhe në emër të “ruajtjes së shëndetit të popullit, nga COVID-19”, -po justifikojnë  krimet kundra njerëzimit.

Jemi njoft me Shaqir Shehun, në vitin 1968, -kur studjonim në Shkollën e Mesme Mjekësore ‘Jani Minga’ në Vlorë, – që nga ajo kohë, -megjithse në distanca të mdha,- ne s’jemi nda kurrë ma me njani-tjetrin. 

Shaqiri gzonte një personalitet tepër t’veçantë, dhe ruante në vete-vehte, vlerat ma të larta morale e njerëzore, të mësuara nga familja e tij fisnike, – veçanërisht nga baba i tij, Sadik Shehu, -apo ‘La-Dik’, -siç e thërriste Shaqiri.

M’kujtohen mirë, vitet kur Shaqiri mbaroj studimet në Fakultetin e Mjekësisë, dhe u emrue të punojë në fshatrat e thella të Topojanit, -ku gjatë asaj periudhe pati edhe orteqe bore, ku humbën edhe jetë njerëzish, Shaqiri aty u ba shpresa e vetme e asaj popullsie,-ndihmoj me mish-e-me-shpirt sa mundi e kë mundi, ndigjoj dhimbjet e asaj popullsie dhe u ba pjestar  familje në sejcilën shtëpi. Këta njerëz të mirë, e ndoqën, e nuk ju ndanë ktij njeriu-doktor, edhe kur ky ushtronte profesionin e ortopedisë, në spitalin e Kukësit, e ma vonë edhe në Tiranë e Durrës. Janë të rrallë ata doktorë, që punojnë me një ndërgjegje profesionale e njerëzore të atij niveli, kur seicili prej pacjentve ndjehet i privilegjuar.

Duke përfituar nga shoqëria e ngushtë që kisha me të,-arrita të organizoj konsulta ortopedike për pacjentët e mij, në Fushë-Arrëz, -ku Shaqiri vinte vullnetarisht, me qjith qejf, një herë në muaj. Kjo ishte një ndihmë e madhe për në atë kohë, kur rrethi I Pukës s’kishte një specialist ortoped.

Për një kohë, Shaqiri ishte edhe Shefi I Shëndetësisë së rrethit të Kukësit, -por kurrë se përdori sistemin e Luftës së Klasave, -ai trajtoj dhe ndihmoi personelin mjekësore, sipas meritave dhe aftësive personale, -me ndërhyrjet e shumta dhe kambënguljet e tij, shumë prej kolegëve shkuan në specializime të ndryshme. 

Gjatë luftës Serbo-Kosovare, -Shaqiri pati një rol vullnetar, por tepër aktiv, -ai u dha ndihmën e parë mjekësore dhjetra, qindra luftëtarve të UÇK-së, -dedikoj shumë kohë për to, -I ndoqi ato pa u lodhur e kudo -në kushte dhe terrene t’vështira, n’shi e borë, male-n’male,-ku shpesh vuni edhe jetën e tij në rrezik. Këto kontribute të jasht-zakonshme, ja njofti ç’do Kosovar, që e banë mik t’përhershëm, duke e konkretizue këtë me titullin e dhënë: ‘Qytetar Nderi’.

Shaqiri me një dhimbje të madhe më tregonte gjithmonë, për këtë luftë t’përgjakshme, që i kishte mbetë në mendje,-më tregonte edhe episod nga ma të ndryshmet, -por që i kishte mbetur në mendje, për dy arsye, ishte rasti i një djali 8 vjeçar, -t’cilit i kishte plasë një granatë në dorë,- ndërkohë që Shaqiri po mundohej të ri-konstruktonte sado pak atë dorë të vogël e t’shkatrrueme, -një person i afrohet duke e prezantue vehten si Dr Willard Noyes,-ky kishte qenë një kirurg Amerikan që kishte ardhë për t’ndihmue luftëtarët Kosovar, në luftën e tyre për pamvarësi. Ky mjek fisnik Amerikan, ndihmoj Shaqirin në përpjekjet e tij, jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë-e-shumë raste të tjera, -duke mbetë miq t’përjetshëm.

 Pas fitores së pamvarësisë së Kosovës, edhe kirurgut Amerikan, Dr Willard Noyes,-gjithmonë i shoqëruar nga Shaqiri, ju dha titulli ‘Qytetar Nderi’ i Qarkut të Kukësit.  

Po aq mirë,- me ndërgjegje të lartë, drejtësi e ndershmëri, – për disa vite, Shaqiri bani edhe detyrën e ngarkuar të Prefektit, për Qarkun e Kukësit dhe Tropojës, -për t’cilën Kuksianët e Tropojanët e kanë respektuar e vlerësuar gjithmonë si njeri ‘korrekt, i drejtë e me dinjitet burrnor’,-e kështu ky njeri I mirë, do t’mbahet mend gjithmonë.

Pata rastin fatlum, që rreth 18 muaj më parë, të shifeshim në Australi, e t’kalonim 3 javë të shkurta, me Shaqirin dhe bashkshorten e tij të urtë, fjalë-pak, e fisnike Dhuratën, -një çift i mrekullueshëm,- me profesione të ndryshme, por shumë afër në karaktere e vyrtyte. 

Ato me kishin sjellë si dhuratë kangët patriotike të Ilir Shaqirit, (të cilin Shaqiri e adhuronte),- një hartë n’reljev të Kosovës, të “qendisur” me gurët e Trepçës, si dhe një shishe konjaku, ‘Stone Castle’, t’prodhuar në Rahovec,-këto dhurata do të mbeten pergjithmonë  reliket ma te shtrejnta, n’shtëpinë time.

Tre javë, nuk ishin t’mjaftueshme për të sjellë kujtimet në bisedat tona t’pa fundme, admirimi për patriotizmin, ilustrimet e bisedave me thënie nga dietarë, shkrimtarë dhe filozofë antikë e modern si dhe citimet e herë-pas-herëshme të novelistit Anglez, George Orwell, (që njihet kryesisht për opozicionin e tij ndaj totalitarizmit), ma shtuan edhe ma tepër respektin dhe admirimin për këtë njeri të mirë, të ditur, e humanist.

Shaqiri më tregonte për vështirsitë që kishte hasur në profesionin e tij, si doktor ortoped, -ku jo rrallë, i ishte dashur të skiconte vegla të ndryshme orthopedike, e që pastaj, shokë e miq  tornitorë, ia prodhonin në mënyrë artizanale në ofiçina të ndryshme, për ti përdorur në sallën e operacionit.

Falë talentit të tij artistik të jashtzakonshëm, -Shaqiri vizatonte me precizion, pjesët anatomike të trupit të njeriut, të cilat pastaj i përdorte për memorizim e ilustrime shpjeguese për kolegët, dhe pacjentët, për procedurat e ndryshme kirurgjikale që do të ndërmerrte.

 Ai kishte një admirim t’veçantë për natyrën, dhe ngjyrat e stinëve, -dëshironte të komentonte edhe për një lule, e ngjyrat e sajë, edhe për një pemë, gjethet, e formën e sajë, edhe për një zog, e cicërimat e tij.

Ai ishte mjaft i vëmendshëm në biseda, dhe kurrë nuk nënvleftsonte njerëzit e çdo niveli qofshin. Besonte në t’vërtetën, ndershmërinë, dhe vlerat njerëzore, -dhe jo rrallë, sakrifikonte jetën e tij familjare, për t’ju gjetur gjithkujt, në kohë t’vështira.

Siç shkrova edhe n’fillim, asht tepër e vështirë që t’konkretizoj me fjalë, ato ç’far ndjej në shpirt,-por një gja kurrë s’do ta harroj, kur në një bisedë telefonike (me kamera),shoku im i ngushtë, nën maskën e oksigjenit më shqiptoj fjalët ‘T’kam vlla o Zekri’, -dhe rreth 10 ditë ma vonë, -djali I tij, -fisniku I ri, Toni, me njoftoj me një tekst nga Stambolli….”  Xhaxhi Zekri, me hidhërim të thellë ju njoftoj që Babi nuk jeton ma”,…. 

Në kët rast edhe unë s’gjej fjalë për t’vazhdue ma tepër, por e di, se si unë edhe ju,- njerëzit e Shaqirit, e kushdo tjetër, në Shqipëri e Kosovë, që ka njoft kët njeri, do t’shkojmë për të fjetë me Shaqirin në zemër, e do të zgjohemi në mëngjez me Shaqirin n’mendimet tona t’perditëshme. 

Lamtumirë o Shaqir Shehu!

Ngushllimë për ju të gjithë, 

Dr Zekri Palushi, Australi, 21/11/2020

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Zekri Palushi, DR.Shaqir Shehu, elegji

LEGALITETI NJE VLERË KOMBETARE!

November 21, 2020 by dgreca

LINDI NË LUFTË PËR TË SIGURUAR PAQE- 1943-21 Nentor-2020.

Nga Shpëtim AXHAMI-
Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit/

Riorganizimi i Legalitetit, si subjekt politik i pavarur, dje në mbështetje të luftës çlirimtare e në vazhdimësi për një zhvillim me shtet të së drejtës dhe Komb të Bashkuar nën Kurorën Mbretërore.
Nën frymën e “Triumfit të Legalitetit” të 1924, si një domosdoshmëri historike kombetare, me 21 Nëntorë të vitit 1943 krijohet Organizata Kombêtare “Levizja e Legalitetit” (OKLL) sot PLL.
Vetë rrjedha e ngjarjeve, përgjatë Luftës së Dytë Botrore, e kërkonte krijimin e këtij formacioni politik, në shërbim të interesit kombëtar dhe në përpjekje për kthimin e Mbretit Zog në fronin e Tij legjitim.
Pas pushtimit fashist, ku si rezultat ranë institucionet legjitime shtetërore dhe me vendim të qeverisë e të parlamentit, Mbreti ZOG ishte i detyruar të largohej jashtë vendit, ku prej atje do të vazhdonte veprimtarinē politike, zogistet brenda vendit nën drejtimin e gjeneral Abaz Kupit dhe figurave te tjera patriotike vazhduan veprimtaritë e tyre duke bashkëpunuar në luftë kundër okupatorëve.
Pas rezistences luftarake kundër pushtimit fashist, të 7 Prillit 1939 nën drejtimin e gjeneral Abaz Kupit, zogistët morën pjesë në Konferencën e Pezës të perfaqësuar nga vetë Abaz Kupi dhe nga figura të tjera patriotike.
Abaz Kupi do të deklaronte:”…bashkohem me ju, vetëm sa me luftu armikun dhe në rast se partitë e tjera, veprojnë në bazë programesh të tyre, ateherë unë kam me u ndarë dhe kam për me veprue në bazë të programit të organeve legjitime të Legalitetit mbretëror të para okupimit”.
Parimet e Konferencës Pezës po shkeleshin në çdo plan prej drejtuesve të PKSH-së
Në vazhdimësi, zogistët, në kontakte të vazhdushme me Mbretin Zog, vazhduan të ishin aktiv në gjithë skemen politike dhe luftarake të kohës.
Në Gusht të 1943, me ndërmjetësimin e Abaz Kupit, u thirr Konferenca e Mukjes.
Kjo konferencë kishte baza pluraliste, bashkëpunuese dhe vlera të veçanta për një Shqipëri që sot do të ishte shumë më ndryshe, duke krijuar të gjitha mundësitë për mos vendosjen e diktatures komuniste në ‘44.
Parimisht, në konferencë, ndër të tjera kërkohej:
-Luftë pa kompromis nga të gjithë.
-Vazhdimi i luftës deri në çlirimin e Kosovës dhe Çamerisë.
-Çeshtja e formës së regjimit do të vendosej pas lufte në mënyrë legjitime me vullnet të vetë popullit.
Pas saj, filluan luftime frontale të perbashkëta për çlirimin e vendit (këto të faktuara prej historisë siç ishte rasti i Qaf Shtames pak ditë pas konferences)
Misionarët jugosllav me urdher të Beogradit urdhëruan prishjen e kësaj marrëveshje ku qëllimi kryesor i kësaj prishje ishte çeshtja e Kosovës, drejtuesit e PKSH e zbatuan me fanatizëm këtë urdhër.
Me Konferencën e Labinotit të Shtatorit të ‘43, u bë prishja përfundimtare e kesaj Marrëveshjeje.
U shpall luftë e hapur nacionalizmit dhe çdo formacioni tjetër politik jashtë PKSH si ai i BK etj, lufta kunder okupatorit po shëndërrohej thellësisht në luftë vlla-vrasjeje për pushtet dhe ndarje kombi.
Prishja e kësaj marrëveshje përbën një prej akteve më kriminale komuniste me ndikim serb të kohës.
Zogistët, nuk mund të pajtoheshin me ketë çorbë që po gatuhej në guzhinat sllavo-ruse me përkrahjen e Enver Hoxhes.
Tashmë kuptohej qartë, se interesat kombëtare dhe lufta e mbeshtetur në menyrë të përgjithshme ishte tradhëtuar, ajo ishte kthyer në luftë për pushtet pa marrë parasyshë pasojat negative antikombetare.
Të gjendur përpara fakteve të tilla të rrezikshme, ishte nevoje dhe domosdoshmëri kombëtare e historike mos pajtimi me atë që po ndodhte.

Në lidhje për sa më sipër, zogistët nëpërmjet Abaz Kupit, lëshuan më 19 nëntor 1943, një trakt të posaçëm drejtuar KNÇ, ku i kërkonin me këmbëngulje mbajtjen e një qëndrimi të qartë për ecurinë e mëtejshme të luftës së përbashkët kundër okupatorit, prej të cilit nuk morën asnjë përgjigje.
Atëherë me datë 20 Nëntor 1943, nën udheheqjen e Abaz Kupit në Zall-Herr të Tiranës, u thirr Kuvendi Kombetar duke shpallur me datë 21 Nentor 1943 krijimin Organizatës Kombëtare “Lëvizje e Legalitetit”, si lëvizje politik kombëtare.
Zogistët legalistët tani ishin të organizuar jo vetëm ushtarakisht por edhe politikisht.
Abaz Kupi do të deklaronte për shpalljen e Legalitetit “ Mora insiativën e shpalljes Legalitetit, vetëm atëherë kur pashë shenjat e para të vllavrasjes dhe nuk doja me ba pjesë nē njē organizatë që vret shqiptarët.
Ky formacion politiko-ushtarak kombëtar e ka zanafillën e vet me “Triumfin e Legalitetit” me 24 Dhjetor 1924 gjë e cila praktikisht e bën Partinë Lëvizja e Legalitetit, sot, një subjekt politik me histori 96-vjeçare ku në thelb të këtij subjekti mbi gjithçkaje ka qenë dhe ngelet interesin kombetarë.
Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Legalitetit u zgjodh major Abaz Kupi.
Kryetar i kryesisë u zgjodh atdhetari dhe dekegati i Kongresit të Lushnjes Ndoc Çoba.
Vlen për tu theksuar se pjesmarrës të këtij kuvendi ishin efhe shumë patriotë, intelektuale, atdhetarë, nacionalistë e diplomatë që perfaqësonin ajkën e shoqërisë aktuale të kohës.
Nga ana programore nder të tjera kerkohej;
Vazhdimin e luftës kunder okupatoreve, pa dallim dhe nga të gjithë.
Forma e regjimit nuk diskutohej, pasi de jure, ishte ajo e para 7 Prillit 1939, pasi Mbreti Zog, ishte larguar në mënyrë jolegjitime si rezultat i LDB.
Në lidhje me çeshtjen kombëtare, Legaliteti kerkonte, të luftohej deri në pikën e fundit të gjakut për çlirimin e Kosovës dhe të Çamërisë, për të bashkuar trojet shqiptare.
Në lidhje me qëndrimin ndaj aleatëve, Legaliteti ishte i bindur dhe u shpreh, se “interesat e Shqipërisë janë të mbështetura vetëm në politikēn e aleatëve të mëdhenjë perendimorë.
Të shqetësuar dhe të friksuar nga ky formacion politik, PKSH thirri Kongresin fatkeq të Permetit, i cili ndau përfundimisht shqiptarët.
Kjo ndarje, e bërë prej komunisteve, u bë me qëllim e vetëm, atë të marrjes së pushtetit dhe të eleminimit të kundershtarëve të tjerë politik.
Ky formacion politiko – luftarak udhëhoqi dhe luftoj deri ne fund të luftës në shumicën e krahinave të Shqipërisë.
Në momentin, kur Gjermania kishte humbur luftën dhe revanshi komunist kishte filluar spastrimet e kundershtarëve politik, Abaz Kupi dhe një pjesë tjetër e drejtuesve të tjerë, detyrohen të largohet nga vendi, me të vetmen arsye, shmangjen e gjakderdhjes mes shqiptarëve pasi vazhdimi i luftës në kushtet e krijuara do të krijonte patjetër këtë përplasje.
Vetë deklarata e Tij në momentin e largimit e vërteton kētë.
Veprimtaria politike e OKLL, vazhdoi edhe në mërgim, nderkohë kur vendi gjendej nēn diktaturën komuniste.
Kjo veprimtari zogiste konsistonte kryesisht, në rrëzimin e regjimit komunist të vendosur në Shqipëri, në bashkimin kombëtar të trojeve etnike, si dhe në rikthimin e Mbretit Zog në fronin e Tij.
Aktivitet kanë qenë të shumta, të gjithanshme dhe në shumë forma, duke perjetuar, duke u arganizuar dhe duke percjellë kudo në botë shqetësimin, për atë që regjimi komunist po bënte në Shqipëri.
Pas pluralizmit politik të viteve 1990, aktiviteti politik i PLL kalon me qendër në Tiranë.
Aktiviteti politik i këtij subjekti, ka qenë në vazhdimësi në interes të kombit Shqiptarë, duke mos u bërë pjesë e fenomeneve negative të politikës pluraliste të pas viteve ‘90.
Pavarsisht situatave dhe turbulencave politike të kësaj periudhe të gjatë tranzicioni, PLL ka ditur të ruaj vlerat dhe virtytet e saja më të mira për vetë atë çfarë ajo përfaqson dhe ka si vijë programore të saj.

Sot PLL, e ngritur si formacion politik në 1943 nën frymën e “Triumfit të Legalitetit” të vitin 1924, luan rol serioz ne politiken Shqiptare, për një zhvillim të gjithanshëm brenda një shteti me rend e ligj funksional ku në thelb qëndron interesi kombetarë me bashkim të trojeve etnike nën kurorën mbretërore!
Të gjithë duhet të jemi krenarë për atë që vetë përfaqëson PLL, prandaj është momonti i bashkimit rreth kësaj vlere,
ESHTE MOMENTI i bashkimit i të gjithë atyre që mendojnë dhe e kanë besimin se Kombin Shqiptarë dhe Shqipërinë e bëjnë vetë shqiptarët.

Tiranë 21 Nëntor 2020.

Filed Under: Politike Tagged With: Shpetim Axhami, Vlere Kom

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT