• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2020

QYTETET FANTAZMA NË PANDEMI

December 16, 2020 by dgreca

Brixhita Deda arkitekte, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon qytetet dhe qëndrat urbane të metropoleve në kushtet e pandemive, karantinës, fatkeqësive dhe katastrofave natyrore. Arkitektja Deda analizon Tiranën dhe “vrasjen” e qyteteve prej betonit, mungesës së planeve të zhvillimit, planeve urbanistike dhe projektimeve dinjitoze për qytetet e së nesërmes. Babëzia dhe makuteria i ktheu qytetet në fantazma. 

PANDEMIA TREGOI SI I KEMI VRARË QYTETET

Qyteti në pandemi është temë e trajtuar shumë pak nga mediat, arkitektët dhe urbanistët në Shqipëri. Nuk reflektohet mbi pasojat e zhvillimit kaotik në Shqipëri, por dominon shqetësimi se sa po mund ta dëmtojë sektorin e pasurive të palujtshme kjo situatë pandemie. Shqetësimet nga  industria e projektimit dhe ndërtimit ishin të llojit : a do e pengojë pandemia procesin e dhënies së lejeve apo punën në kantjere, a do ndërpriten investimet etj.

Pandemia ka qenë një rast i mirë ndërgjegjësimi por edhe provë e pakontekstueshme që secili qytetar, por edhe ne që merremi me projektim apo planifikim urban të shohim se si i kemi vrarë qytetet, se sa të pajetueshme janë  bërë në aspektin ekologjik (ndotja e mjedisit nga automjetet dhe aktivitetet e tjera, ndotja akustike), psikologjik (stresi dhe ankthi i shtuar nga të jetuarit në qytet, nga ndërtimet pa kriter, uzurpimi i parqeve dhe hapësirave të përbashkëta, hapësirat e kufizuara të jetesës brenda apartamenteve, pamjet e palakmueshme nga dritarja, distancat e pamjaftueshme ndërmet ndërtesave), faktorë këta që ndikojnë në mirëqënien e njerëzve duke ua kufizuar hapësirën e të vepruarit, të menduarit, të çlodhurit dhe të argëtuarit. 

Duke marrë rastin e Tiranës, fakti pse ky qytet është mbipopulluar dhe ka marrë zhvillimin kuturu të sotëm, vjen si pasojë e mungesës së investimeve në zonat rurale dhe qytetet e tjera të Shqipërisë. Centralizimi i zhvillimit ekonomik, e po ashtu edhe shëndetësor në rastin e pandemive, sjell në kolapsimin e qytetit. Ndaj një mësim i mirë i marrë nga pandemia është që në qëndrueshmërinë dhe jetueshmërinë në qytete do të ndihmonte decentralizimi i ekonomisë dhe zhvillimit të përgjithshëm,  mbështetja e bizneseve lokale, pra e komunitetit dhe ekonomisë lokale.  

Ajo që e konsideroj tragjike është që në Tiranë, gjatë karantinës, u ndërmor një politikë shkatërruese nga instancat e qeverisë lokale. U shembën në mënyrë të fshehtë dhe në kundërshtim me ligjin shumë vila të Tiranës (mund të numërohen rreth 30-40 vila gjatë karantinës), vila këto ndër të fundit në tipologjinë e tyre. Pra, në vend të reflektohej mbi urbanizmin, përkundrazi gëluan ndërtimet katlarta në Tiranë. Shumë profesionistë të fushës përveçse nuk ngrenë zërin për këto vila që u rrënuan, ashtu siç edhe për Teatrin Kombëtar, kauzë për të cilin u zhvilluan protesta të vazhdueshme, nuk kanë madje as guximin që edhe pas aktit shkatërrimtar të shprehin një mendim të tyrin profesional objekiv.  Shoqëruar kjo edhe me shembullin e Ministres së Kulturës, e cila ka mbaruar studimet për restaurim në Itali dhe nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar për këto veprime fatale për trashëgiminë tonë kulturore. I përmenda vilat e Tiranës, sepse ky proces ka shumë vite që ka filluar kundrejt shpërblimeve qesharake për pronarët, të cilët besoj fort që sidomos në kohën e karantinës i kanë kujtuar me nostalgji dhe lakmuar shtëpitë e tyre të dikurshme, me kthimin e lagjeve të vjetra te nënkateshet, Rr. e Dibrës, Kont Urani, Mihal Duri dhe e gjithë zona qendrore në zonë me ndërtime të larta rezidenciale, afariste, komerciale, pasuar me fryrjen e çmimeve të blerjes apo qerasë. Një situatë të ngjashme e hasim edhe në rastin e zgjatimin e Bulevardit të Ri dhe Unazës së Re, ku edhe përmes politikës së densifikimit përmes gjentrifikimit, banorët e këtyre zonave i kanë detyruar me dhunë të shpërngulen nga shtëpitë e tyre për t’i lënë vend një popullsie më të pasur që përballon financiarisht jetesën në pallate më luksoze në të ardhmen. 

GJATË KARANTINËS QYTETET U KTHYEN NË QYTETE FANTAZMA

Gjatë karantinës qytetet u kthyen në qytete fantazma, si të ishin simotra të Pripyat në Ukraninën veriore pas shpërthimit te centralit nuklear të Çernobilit. Jeta zhvillohej brenda 4 mureve të banesës. Të jetuarit në qytete në kohë pandemie i bën njerëzit më vulnerabël. Puna nga shtëpia, pasiguria financiare dhe shëndetësore shoqërohej me probleme të shëndetit mendor, në ulje të përqëndrimit dhe produktivitetit. Njerëzit u bënë si hija e njëri-tjetrit, ose ferri siç do të thoshte Sartri (“Ferri janë njerëzit e tjerë”). Çdo njeri në rrugë përceptohej si një transmetues potencial i virusit, edhe nëse ishte disa metra larg. Shumë njerëz zhvilluan ankthin social gjatë dhe pas karantinës. 

Ne jemi dëshmitarë të trazirave sociale dhe ekonomike të shkaktuara prej COVID sidomos në karantinë. Qendrat komerciale dhe biznesore të tejmbushura më përpara me njerëz u boshatisën. E njëjta gjë ndodhi me zyrat, duke qenë se puna nga shtëpia u caktua si në një praktikë e rekomandueshme, përmes përdorimit të teknologjisë si video-konferencat. Baret, dyqanet dhe restorantet u mbyllën gjatë dhe pas karantinës sipas valës së pandemisë në vende të ndryshme, ose nuk punojnë në kapacitetet të plotë. E njëjta masë është ndërmarrë edhe për objektet fetare, kulturore, artistike, sportive. Po ashtu transporti publik evitohet sa më shumë të jetë e mundur.  Nga ana tjetër vërehet përdorimi gjithmonë në rritje e komunikimit virtual përmes medias sociale, gati gati si e vetmja mënyrë argëtimi dhe takimi, ndonëse virtual, për njerëzit. E gjithë kjo të jep përshtypjen sikur qëndrat urbane nuk janë më motorri i lidhjeve ekonomike dhe sociale. 

MIGRIMI DREJT FSHATIT

Në këtë ankth të të jetuarit në zona urbane, dukej sikur pandemia po shkakton ose mund të sjellë një rivlerësim të jetesës urbane, me një numër të banorëve gjithnjë e në rritje që arratisen nga qytetet për t’iu drejtuar zonave rurale. Por kjo nuk është hera e parë që ndodh. Historikisht, të pasurit ne Europë kanë ikur gjithmonë në fshat në kohë krizash ose murtaje, duke lënë në qytet shtresën e varfër dhe punëtore. Gjatë karantinës, u rrit kërkesa për shtëpi në fshat, psh. në disa qytete të Britanisë, më shumë se 2.5 herë në krahasim me vitin e kaluar, të shtyrë nga kostoja e lartë e pronave në metropole, por kryesisht me qëllimin për të gjetur privatësinë, për të luftuar klaustrofobinë e hapësirave në qytet, dhe për të praktikuar më lehtësisht distancën fizike ndërnjerëzore.  

Migrimi drejt fshatit mund të perceptohet si një skenar i thjeshtë dhe i shpejtë në mendim të parë, por është shumë i vështirë për t’u realizuar e në të njëtën kohë edhe për t’u përqafuar sidomos nga banorët që janë mësuar me jetën sociale në qytet. Pikësëpari zonat rurale, nuk kanë infrastrukturën që përdorin banorët ne qytete, internetin, shkollat, shërbimin mjekësor etj. 

Sipas statistikave, në vitin 2018, 44.8 përqind e popullsisë së BE-së jetonte në qytet, 36 për qind në të ashtuquajturat zona të ndërmjetme si qyteza dhe periferi, ndërsa 19.2 për qind në zonat rurale.  Fati i qyteteve, do të varet kryesisht nga vendimet që do të marrin politikëbërësit ne bashkëpunim me komunitetin dhe profesionistë për të ndërmarrë politikat e duhura në të ardhmen. Nëse do të kemi migrime të vazhdueshme drejt fshatit, fondet e BE-së do të duhej të shkonin drejt investimeve te tilla si ne rrjetin e transportit dhe infrastrukturen digjitale në zonat rurale. 

Pasojat që mund të ketë migrimi drejt fshatit me sjellin ndërmend Garden cities ose qytetet kopesht, nje koncept dhe praktikë më e hershme, që në fund të 1800tës, ku 2 qytete angleze u konceptuan me shtëpi individuale të rrethuara me greenbelt (një brez i gjelbërt, zonë buferike)  me të gjitha facilitetet dhe industrinë e përfshirë në qytet. Por kjo mënyrë zhvillimi doli jashtë kontrolli pasi nuk parashikonte zgjerimin e qytetit. Po ashtu në Amerikë, jetesa në zona periferike në shtëpi individuale dhe puna në qytet është praktikë shumë e përhapur duke qenë një shoqëri e orientuar nga makina, por solli pasoja të mëvonshme në rëndimin e trafikut, shtimin e infrastrukturës bazë, disintegrimin social etj. Kështuqë, pavarësisht sa tërheqëse mund të tingellojë ideja e të jetuarit në fshat, ose rikthimi në fshat, mund të mos jetë afatgjatë, nuk mund të bëhet në hapa shumë të shpejtë, dhe pasojat mund të jenë goxha të mëdha si nga ana infrastrukturore, ashtu edhe sociale, ekonomike dhe mjedisore.  

Sic ka ndodhur deri në ditët e sotme, mundësitë për punësim, zhvillim personal dhe arsimim që ofrojnë zonat urbane bën që çdo brez i të rinjve të preferojë qytetin. Të rinjtë ka më shumë të ngjarë të jetojnë në qytet për të arritur progres më të shpejtë në karrierë dhe më vonë të largohen për të krijuar  familje ose në moshën e pensionit. Thënë këto, tendenca për të migruar drejt fshatit nuk mendoj që do jetë një praktikë e së ardhmes. Përkundër hedhjes në dyshim të avantazheve të jetësës në xhunglën urbane sidomos gjatë krizës pandemike, mendoj që nëse përmirësohet cilësia e ndërtimit, nëse sheshohet pabarazia dhe sigurohet strehim i përballueshëm dhe i sigurt për të gjithë, nëse përmirësohen hapësirat publike, hapësirat e gjëlbërta dhe rregullohen problemet e mobilitetit, qyteti do vazhdojë të jetë tërheqës për shkak të jetës së pasur sociale, kulturore, artistike, mundësive më të mëdha për ndërveprim, për rekreacion, për risi, për shkëmbime, për ndryshim të staus quosë etj. 

PERIFERIA E TIRANËS

Në Shqipëri jemi mësuar jo të adaptojmë, por të sjellim në mënyrë bukëfale praktika të huaja, pa marrë në konsideratë pasojat në të ardhmen, pa bërë një studim fizibiliteti në kontekstin shqiptar, pa  hedhur asnjë fije dyshimi mbi funksionimin e një praktikë të tillë  në vendet e huaja. Pas viteve 2005, në periferitë e Tiranës kryesisht në Lundër, Mullet janë ndërtuar lagje periferike me hyrje të kufizuar vetëm për banorët (gated communities) . Në këtë mënyrë është bërë me qëllim një zonim për shtresa shoqërie sipas të ardhurave, sepse çmimet e shitjes së këtyre shtëpive individuale janë goxha të kripura. Këto grupe shoqërore përveçse jetojnë tërësisht të izoluara nga shtresat e tjera, sjellin një pjesë të madhe të trafikut në hyrje të qytetit të Tiranës. Një gjë është të jetosh në fshat dhe t’i kthehesh agrikulturës, pra të merresh me bujqësi e blegtori, një gjë tjetër është në fshat vetëm të jetohet dhe të mos ndodhë asgjë tjetër (kemi lagje të fjetjes), kështu shtohet infrastruktura në zona periferike apo rurale për elektricitet, ujë, kanalizime, rrugë, dhe gjithashtu shtohet trafiku për në qytet. 

SI NDIKOJNE KRIZAT EPIDEMIKE DHE EKONOMIKE NE QYTET? 

Pandemia ka nxjerrë në pah shumë problematika të mëparshme të të jetuarit në qytete. Krizat historike konsiderohen si momente për ndryshime të rëndësishme urbane, por jo gjithmonë janë afatgjata apo gjithëpërfshirëse.  Për shembull pandemitë e shekullit XIX ndihmuan në përmirësimin e standardit të ndërtimit dhe arkitekturën e drejtuar nga shëndetësia, sidomos në sistemin e ujit dhe kanalizimeve, pavaresisht se u deshën shumë vite për të siguruar infrastrukturën e nevojshme. Tuberkulozi ndikoi në lëvizjen moderne në arkitekturë – dritare të mëdha për dritë natyrale, duke qenë se sugjerohej ekspozimi ndaj rrezeve të diellit dhe ajrit. “Një shtëpi është e banueshme vetëm kur është plot dritë dhe ajër” Le Corbusier. 

Në Shekullin 21 deri më tani kemi qenë dëshmitarë të përhapjes së Sars, Ebola, gripit të pulave, gripit të derrit dhe së fundmi pandemisë së shkaktuar nga COVID, e ashtuquajtur World War Virus ngaprofesionistë të fushave të ndryshme, që potenciojnë se mund të shënohet si ndarje historike paracovid and pascovid, në rast se do të ketë implikime afatgjata në shoqëri.

Në rastin e COVID, jo të gjitha qytetet janë njësoj të prekura. Shumë mite qarkullojnë mbi densitetin, se si lidhet densiteti me mundësinë më të madhe për të trasmetuar këtë virus, por në thelb nuk varet vetëm nga densiteti. Nese bëjmë një krahasim, në fakt vdekjet në qytete nuk kanë qenë universalisht më të larta se në zonat më pak të populluara. Varfëria ka luajtur një rol më të rëndësishëm sesa dendësia. Disa qytete kanë reaguar shumë mirë, psh.Hong Kongu, një qytet me densitet të lartë, por me një meaxhim shumë të mirë të qytetit.  Ndryshe ndodh në vendbanimet me planifikim të dobët ose informale, në qytetet më pak të zhvilluara ekonomikisht, siç mund të përmendim slums në Nairobi, Kenia, ose Ahmadabad, Mumbai, Bangalore, Kolkata në Indi,  Dhaka në Bangladesh, apo në favelat e Brazilit. Në vendet që nuk kanë kanalizime të rregulluara ose qasje në ujë të pastër,  epidemitë kanë më shumë potencial për t’u përhapur. Parashikohet që për 10 vite, nje shifër alarmante për rreth 20% e popullsisë e botës do të jetojë në mjedise urbane me qasje të kufizuar në ujë, shëndet dhe infrastrukturë të papërshtatshme shëndetësore. 

Nga ana tjetër jo çdo krizë ka sjellë përmirësime të jetesës urbane, kujtojmë këtu krizën financiare të 2008, që goditi ekonomitë në të gjithë botën por nuk arriti të ndryshojë rrënjësisht trajektoren e zhvillimit të zonave urbane. Ndërtesat shumëkatëshe vazhduan të ndërtoheshin, dhe paralelisht me rritjen e pagave në vendet e zhvilluara ose mega-qytetet, u rritën dhe çmimet e pasurive të paluajtshme, e bashkë me to edhe pabarazia.

SI DO NDRYSHOJNË QYTETET?

Duke parë rrjedhën e historisë, ka pak gjasë që pandemia e koronavirusit të ketë ndikim afatgjatë në qytete, dhe rrjedhimisht nuk do të mundë të ndryshojë rrënjësisht qytetet, por mund të përshpejtojë trendet e filluara që përpara pandemisë, sic janë arkitektura e qëndrueshme ose dizajni biofilik që ka në thelb përdorimin e materialeve ekologjike, të padëmshme për njeriun, dhe që sjell njerëzit më pranë natyrës duke ulur impaktin në mjedis, apo transporti i qëndrueshëm me anë të përdorimit të mjeteve të reja të transportit si biçikletave, skuterëve dhe makinave elektrike, përdorimi i të cilëve bëhet më e preferueshme në momentin e vendosjes së një takse më të lartë për parking të automjeteve të deritanishme, ose e subvencioneve në rast të përdorimit të transportit të qëndrueshëm. 

Krahas politikave të reja të ndërtimit dhe transportit, një ndikim të rëndësishëm do të mund të ketë përhapja dhe zbatimi i bujqësisë urbane ose fermave urbane (urban farming), mbjellja e parcelave private, për të prodhuar vetë ushqimin ose e kopshteve që menaxhohen nga komuniteti në lagje të ndryshme për të prodhuar / shitur për banorët e asaj lagjeje. Kjo nënkupton që bujqësia të zhvillohet edhe në qytete, si një nga mënyrat që zonat urbane të mund të bëhen më të gjelbërta, më atraktive për jetesë, dhe më elastike ndaj çështjeve të shëndetit në të ardhmen duke krijuar lagje më të qeta, më të pastra, më të sigurta, më të ecshme. Nga ana tjeter prodhimi lokal do të ulte cmimet e ushqimeve, e për pasojë edhe varfërinë, do të prodhonte vende të reja pune etj. 

Një tjetër projekt pilot që po zbatohet në disa qytete të mëdha është krijimi i njësive të vogla bërthamore, secila me burimet e veta, i ashtuquajturi qytet 15 ose 20-minutësh, që do të thotë që për gjithçka për të cilën një banor në qytet ka nevojë, që nga ushqimi, kujdesi shëndetësor, deri te aktivitet fizike, kulturore, argëtuese, gjenden  brenda një perimetri që përshkruhet për 15 ose 20-minuta në këmbë ose biçikletë. Një shembull i tillë është startuar në Melburn, po ashtu në Brazil dhe Francë para dhe gjatë pandemisë së koronavirusit. 

Pavarësisht këtyre propozimeve, dua të theksoj se sot nuk kemi një model të saktë se si mund të funksionojë një qytet i së ardhmes, për të cilin do të duhej të bashkëpunonin arkitektë, urbanistë, ekonomistë, ambientalistë, inxhinierë, sociologë, psikologë, mjekë e eskpertë të fushave të tjera, shoqëria civile dhe komuniteti. Përpos gjithëpërfshirjes, do të duhej që secili vend në bazë të demografisë, shtrirjes urbane, klimës, resurseve, gjendjes ekzistuese dhe elementeve të tjerë të studiohej si rast më vete. Uroj që situata e COVID19 të na bëjë të reflektojmë mbi qytetet e shtrenjta dhe shumë të ndotura, mbi cilësinë e dobët të ndërtimit dhe planifikimit urban. 

Të mos harrojmë që popullsia aktuale e botës është 7.6 miliardë, dhe sipas parashikimeve nga Kombet e bashkuara do të arrijë në 9.7 miliardë për 30 vite. Nëse kemi shtime të popullsisë me këtë ritëm, dhe përballje me katastrofa të tjera natyrore, do të duhej të sinkronizonim qasje të reja duke marrë parasysh të gjithë faktorët shëndetësor, ekonomik, mjedisor dhe social.

Filed Under: Opinion Tagged With: BRIXHITA DEDA, QYTETET FANTAZME, Sokol Paja

TE HENEN E 15 DHJETORIT NDERROI JETE FAIK KONICA

December 16, 2020 by dgreca

…Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor(1942), kur Faiku pësoi papritur hemoragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në hapësirën e ngushtë të banjës dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash.

Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden.

Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital. Në atë kohë hipertensioni nuk njihej mirë si sëmundje, por as Faiku nuk i dëgjonte këshillat e mjekut dhe nuk mbante dietë. Veç kësaj, pinte deri në tre paketa cigare në ditë.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë. Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë.

Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar.

Marre nga: Ilir Ikonomi “Faik Konica, Jeta ne Uashington”…(Dielli 15 Dhjetor 2016)

Filed Under: Featured Tagged With: 15 Dhjetor, Faik Konica, Ilir Ikonomi

Dr.Vjosa Osmani e nisi viziten ne Shqiperi nga Lezha…

December 16, 2020 by dgreca

-Ajo bëri homazhe te Memoriali i Skënderbeut në Lezhë-U.d. Presidentja e Kosovës, dr.Vjosa Osmani ka nisur një vizitë dy ditore në Shqipëri me një homazh të Memoriali i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Lezhë.Ajo tha se nisja e vizitës me homazh te varri i heroit kombëtar është në funksion të rikujtimit të strategut që bëri shumë me projektin integrues mesjetar, duke u shndërruar në fortifikatë të civilizimit perëndimor.Sipas saj, figura e Skënderbeut duhet të shërbejë si model i unifikimit në kohë të trazuara si kjo e sotmja.“Ai bëri atë që na duhet më së shumti sot. Përveç se ishte gardian i vlerave të qytetërimit perëndimor, ishte edhe model i unifikimit. Ai dikur mbrojti vlerat e qytetërimit, të cilin e synojnë bashkë Kosova e Shqipëria”, ka theksuar u.d. Presidentja Osmani.Ajo tha se figura e Skënderbeut është e përbotshme, siç janë Kosova dhe Shqipëria, të cilat pavarësisht sfidave e pengesave, në një të ardhme do të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Filed Under: Featured Tagged With: dr

Biden: Demokracia “u vu në provë”, por qëndroi e fortë

December 15, 2020 by dgreca

  • Udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit amerikan McConnel njeh Biden si fitues të zgjedhjeve presidenciale/

Në një fjalim të mbajtur në Uilmington të shtetit Delauer, ai tha se demokracia “u vu në provë dhe u kërcënua, por rezultoi e qëndrueshme, e besueshme dhe e fortë.” …”Sundimi i ligjit, Kushtetuta jonë dhe vullneti i popullit fituan,” tha Presidenti i zgjedhur.

Zoti Biden u kërkoi amerikanëve ta hidhnin vështrimin përtej fushatës së zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të mos pranuar humbjen.

“Nëse dikush nuk e dinte më parë, tani ne e dimë. Ajo që rreh thellë në zemrat e popullit amerikan është demokracia… Është e drejta për t’u dëgjuar. Që vota juaj të numërohet. Që ju të zgjidhni udhëheqësit e këtij vendi. Që të qeverisni veten,” tha zoti Biden.

Duke iu referuar përpjekjeve të zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve përmes sfidave ligjore që janë refuzuar nga gjykatësit në të gjithë spektrin politik, përfshirë Gjykatën e Lartë, zoti Biden argumentoi se sistemi qeverisës i Amerikës mbetet i paprekur.

“Në Amerikë, politikanët nuk e marrin pushtetin, është populli që ua jep atyre”, tha ai. “Flaka e demokracisë është ndezur në këtë vend shumë kohë më parë. Dhe tani ne e dimë se asgjë, madje as një pandemi, apo një abuzim i pushtetit, nuk mund ta shuajë atë flakë,” tha zoti Biden.

Në fjalimin e tij, Presidenti i zgjedhur tha se fitoi me të njëjtën diferencë votash elektorale si edhe zoti Trump në vitin 2016, duke shtuar se kjo ishte “një fitore e qartë” si atëherë ashtu edhe tani.

Ai vuri në dukje pjesëmarrjen rekord të zgjedhësve në votime dhe tha se kjo pjesëmarrje “duhet të festohet dhe jo të sulmohet”.

Ai u zotua se do të jetë “një president për të gjithë amerikanët.” 

“Do të punoj po aq shumë për ata që nuk më votuan, sa edhe për ata që më votuan,”tha zoti Biden.

Trump, me sfida të reja ligjore

Presidenti Trump, ende këmbëngul në mënyrë të pasaktë, se ai ka fituar në zgjedhjet e muajit të kaluar.

“Kjo çështje nuk është mbyllur”, tha zoti Trump për televizionin Fox News në një intervistë të dielën në mëngjes, megjithëse dhjetra padi lidhur me pretendimet e tij se po i mohohet padrejtësisht një mandat i dytë, janë hedhur poshtë nga gjykatat.

“Ne vazhdojmë përpjekjet. Kemi çështje të shumta në shkallë lokale. Ne fituam në Pensilvani. Fituam në Miçigan. Fituam në Xhorxhia me diferencë të madhe”, tha ai.

Pas humbjes së dhjetra sfidave ligjore në nivel shtetëror dhe federal, Presidenti Trump pritet të ngrejë padi gjyqësore të reja këtë javë. Avokati i tij Rudy Giuliani thotë se pret që të ngrihen pesë procese gjyqësore në nivel shtetesh.

Ndërkohë, senatori republikan Ron Johnson i shtetit Uiskonsin pritet të mbajë të mërkurën një seancë mbi parregullsitë në zgjedhje.

Ai ka ngritur pyetje se përse Kongresi nuk ishte informuar për faktin që taksat e djalit të zotit Biden, Hunter, ishin nën hetim federal gjatë gjyqit të presidentit Trump në përpjeket e demokratëve për shkarkimin e tij.

***.

McConnel njeh Biden si fitues të zgjedhjeve presidenciale

Udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit amerikan, Mitch McConnell, uroi të martën presidentin e zgjedhur demokrat Joe Biden dhe nënpresidenten e zgjedhur Kamala Harris për fitoren e tyre në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke i dhënë fund heshtjes së gjatë për rezultatin e garës presidenciale. 

Në komentet e tij në sallën e senatit, zoti McConnell pranoi fitoren e demokratëve pas rezultatit zyrtar të Kolegjit Zgjedhor të hënën. 

Zoti McConnell e mbylli fjalimin e tij prej afro 10 minutash ku ai kryesisht vlerësoi Presidentin republikan Donald Trump, duke thënë: “Sot dua të përgëzoj Presidentin e zgjedhur Joe Biden”, duke shtuar se zoti Biden “i është përkushtuar shërbimit publik për shumë vjet. ” 

Senatori McConnell tha se kishte shpresuar për një “rezultat tjetër” në zgjedhjet e 3 nëntorit, por shtoi se “të gjithë Amerikanët mund të krenohen që vendi ynë për herë të parë ka një nënpresidente të zgjedhur”. 

Që nga fillimi i nëntorit, zoti McConnell kishte shpërfillur presionin për të njohur fitoren e zotit Biden, duke thënë se Presienti Trump kishte të drejtën të ndërmerrte sfida ligjore ndaj rezultatit të zgjedhjeve. 

Të hënën, Kolegji Zgjedhor konfirmoi rezultatet që ishin të qarta që nga 7 nëntori, sipas së cilave presidenti Trump nuk kishte asnjë shans për të fituar zgjedhjet, pavarësisht pretendimeve të tij të përsëritura, të pabazuara për mashtrime zgjedhore, për të cilat ai vazhdoi të këmbëngulte të hënën.(Kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Biden, demokracia u vu ne prove

U. d. Presidentja Osmani vizitë zyrtare 3 ditore në Shqipëri

December 15, 2020 by dgreca

Prishtinë, 15 dhjetor 2020 – U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, njëherësh Kryetare e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, nga data 16-18 dhjetor do të qëndroj në Shqipëri, në vizitën e parë zyrtare prejse e ka marrë detyrën. Gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri, u.d Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Osmani do të zhvillojë një sërë takimesh.

Të mërkurën (16 dhjetor), në orën 13:30, u.d Presidentja do të bëjë nderime te memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut në qytetin e Lezhës.

Kurse, në orën 15:30, u.d Presidentja, do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ndërsa, në orën 17:00, do të mbajnë konferencë të përbashkët për medie.

Të enjten (17 dhjetor), në orën 09:30 u.d Presidentja Osmani do të takohet me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. (Vendi: Zyra e Kryetarit të Kuvendit, Kryesia e Kuvendit përballë godinës se Kryeministrisë).

Ndërsa në orën 10:15, u.d. Presidentja do të bëjë nderime dhe vendos kurorë lulesh te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Ndërkaq, në orën 12:30, u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani, do të mbajë fjalim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Në orën 16:00, u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani do të takohet me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Të premten (18 dhjetor), në orën 10:00, u.d Presidentja Osmani do të takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. (Vendi: Selia e PD-së).

Ndërkaq, në orën 11:00, në Bashkinë e Tiranës do të takohet me kryebashkiakun Erion Veliaj, ku do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të Çelësit të Qytetit.

Kurse, në orën 11:45, u.d Presidentja Osmani do të ketë takim me ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.

Filed Under: Politike Tagged With: 3 dite visite ne Tirane, Dr. Vjosa Osmani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT