• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2020

ARRESTIMET E LUFTËTARËVE TË UÇK PËR TË NJOLLOSUR KOSOVËN DHE LUFTËN

December 15, 2020 by dgreca

Pren Marashi, Anëtar i kryesisë qëndrore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK në Prishtinë, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se: Akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj krerëve të UÇK -ës janë të përpiluara me të vetmin qëllim që UÇK të paraqitet si ndërmarrje kriminale dhe të zhvlerësohet roli i saj çlirimtar në betejat e lavdishme për liri e pavarësi. 

ARRESTIMET PËR TË NJOLLOSUR KOSOVËN

Arrestimet e fundit nga ana e Prokurorisë Speciale i  shoh si një vazhdimësi e disa qarqeve anti shqiptare me qëllim që të njollosin luftën tonë çlirimtare për liri e pavarësi por edhe shtetin e Kosovës. Që nga nisma e themelimit të kësaj Gjykate me mandat të skaduar, ne si veteranë të luftës për liri e pavarësi në Kosovë, ishim kategorikisht  kundër dhe vazhdojmë edhe sot që të jemi kundër kësaj padrejtësie. Mjerisht edhe përkundër thirrjeve të pa ndërprera, protestave dhe peticionit me mbi 230 mijë nënshkrimeve dërguar Parlamentit Evropian, Kuvendi i Kosovës me shumicë votash e ka miratuar ndryshimin kushtetues dhe ka themeluar një Gjykatë e cila aspak nuk është e Kosovës dhe nuk bashkëpunon me organet e sigurisë e as të drejtësisë  së Kosovës, përkundrazi të vetmin burim të informacioneve e ka nga organet kriminale serbe, e kuptohet se çfarë shënimesh dhe akuzash janë në gjendje të përpilojnë ata.

AKUZAT NDAJ UÇK PËR TË ZHVLERËSUAR LUFTËN

Akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj krerëve të UÇK -ës janë te përpiluara me të vetmin qëllim që UÇK të paraqitet si ndërmarrje kriminale dhe të zhvlerësohet roli i saj çlirimtar. Vetë fakti se në një pikë të aktakuzës ceket se kinse cak i UCK-së ishin katolikët  e dëshmon cqartë se kjo është e Serbisë dhe se qëllimi është të nxitet urrejtja ndërfetare në mes të shqiptarëve. Akuzat janë të poshtra, të pavërteta dhe kurdoherë të papranueshme. Këto akuza janë përbaltje dhe kanë synim të destabilizojnë Kosovën. 

EUROPA PO LUAN LOJËN E RUSISË DHE SERBISË

Bashkimi Evropian nën presionin e Rusisë, dhe disa shteteve të tjera të cilat ishin dhe vazhdojnë të jenë kundër pavarësisë së Kosovës e progresit të Kosovës. Duke u bazuar në dëshmi të rrejshme dhe me ndihmën e raportit të Dick Martit, përpiluan akuza me të cilat çdo njeri normal rrënqethej nga përshkrimi dhe imagjinata e tyre fantastiko-shkencore. Kjo fanta-imagjinatë ka bërë që të futen në lajthitje edhe deputetët e Kosovës, SHBA-ja e cila insistonte që për shkak të këtij raporti të themelohej gjykata, por tani të gjithë jemi veç dëshmitar se u mashtruan dhe ranë në grackën e përgatitur nga rusët, kinezët, Serbia dhe disa shtete të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Është pra pikërisht kjo Evropa që për mëse një shekull e ushqente nacionalizmin shovinist serb dhe i mbyllte sytë për padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve dhe në fund përkundër dëshmive të cilat i ka parë e tërë bota, ngriti një gjykatë vetëm kundër shqiptarve si vazhdimësi e miklimit të Serbisë dhe miqve të saj, turp. Një padrejtësi e vazhdueshme dhe e papranueshme.

KOSOVA KALON DITË TË VËSHTIRA

Sot në Kosovë  situata  është jo stabile në shumë aspekte, kemi një ekonomi më të dobtën në rajon, dhe mbi 30% të popullsisë që jeton në varfëri të skajshme, në anën tjetër skena politike shqiptare është e përçare deri në maksimum si pasojë e dëshirës për pushtet e jo për shkak të koncepteve të ndryshme politike, kishte një reagim kundër veprimeve të kësaj gjykate por mungoi guximi i deputetëve të Kuvendit  të Kosovës që të rishqyrtohet kushtetutshmëria e kësaj gjykate të cilës në momentin që bëri arrestimet në Kosovë ishte pa afat kushtetues. Në ditët në vazhdim Këshilli Drejtues i OVL të UCK-së së bashku me organizatat simotra do të vendosë  për mënyrën e veprimit me qëllim të  kundërshtimit të kësaj gjykate e prokurorie antikushtetuese.

Filed Under: Featured Tagged With: Luftetaret e UÇK, Pren Marashi, Sokol Paja

Ambasador Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në New York, vizitoi VATRËN

December 14, 2020 by dgreca

Sokol PAJA – DIELLI/

Ambasador Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Shtetin e New Yorkut, USA, i shoqëruar nga Albesjana Iberhysaj Kapitaj, Ministër Këshilltar pranë Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, vizituan Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra. Në këtë takim të përzemërt diplomatët shqiptarë nga Kosova u pritën nga kryetari z.Elmi Berisha dhe përfaqësia më e lartë e VATRËS. Në përshëndetjen vëllazërore të mikpritjes, kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha u shpreh: “I nderuar Shkëlqësi Ambasador z.Isufaj, e nderuar diplomate e nderuar zonja Iberhysaj Kapitaj. Jam shumë i gëzuar që ju sot vizitoni Vatrën, shtëpinë e të gjithë shqiptarëve. Vatra nuk është thjeshtë një Federatë, por një institucion shpirtëror, patriotik dhe atdhetar që ka punuar ditë e natë për kombin shqiptar. Vatra ka qenë dhe do të jetë kurdoherë në çdo qëndër diplomacie si në Uashington dhe në Perëndim ku merren vendime në dobi të çështjes kombëtare. Prej më shumë se një shekulli, Vatra ka zhvilluar fuqishëm diplomacinë e saj në dobi të kombit shqiptar. Jo më larg se dy muaj më parë, unë personalisht në emër të Vatrës nënshkrova me Ministren e Jashtme të Kosovës zonjwn Haradinaj Stublla, një memorandum, së shpejti do ta nënshkruaj edhe në Tiranë me Ministrinë e Diasporës për një bashkëpunim mes Vatrës dhe këtyre digastereve diplomatike, një bashkëpunim të thellë, të sinqertë, të plotë dhe dinjitoz me qëllim që ta çojmë përpara çështjen kombëtare, zhvillimin dhe bëgatinë e shteteve tona. Është domosdoshmëri për kombin tonë që të krijojmë miq dhe ura bashkëpunimi me Perëndimin dhe Uashingtonin. Vatra do jetë në çdo moment aty për të luajtur rolin e saj historik e shekullor. Vatra është shtëpija e juaj z.Ambasador. Ne do ju ndihmojmë me çdo kusht për të çuar përpara fuqinë tuaj diplomatike dhe misionin tuaj. Jam i gëzuar dhe i privilegjuar që të punojmë me një diplomat me cilësi të veçanta si ju” përfundoi fjalën e tij kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Ambasador Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Shtetin e New Yorkut u shpreh shumë i entuziazmuar për mikëpritjen dhe atë që i ofroi Vatra në të ardhmen. Ndër të tjera diplomati Isufaj tha: “Jam shumë i lumtur që gjendem në mesin tuaj. U jam mirënjohës për mikëpritjen. Kjo është vizita ime e parë në organizatat dhe shoqatat shqiptare në New York. Jo më kot kam zgjedhur Vatrën të parën sepse ju jeni të parët. Roli dhe kontributi juaj në histori është i jashtëzakonshëm. Shpreh vlerësim dhe nderim për Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra, për historinë e saj dhe kontributin e saj tash një shekull. Veç kur shikon rreth e rrotull gjithë këto figura të larta të kombit e shtetit shqiptar, ndjehesh shumë krenar dhe mirënjohës për rolin dhe kontributin e diasporës. Shqiptarët e Amerikës kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm që nga lufta, Pavarësia e shtetndërtimi në Kosovë. Ju keni mbajtur zjarrin ndezur dhe keni kontribuar në proceset historike të shtetit të Kosovës. Falë jush ne kemi miq shumë të fuqishëm në Senat dhe Kongres. Progresi dhe suskesi i  Kosovës dhe institucioneve ka edhe rolin tuaj të jashtëzakonshëm. Si diplomat dhe si Ministri, ne do të bashkëpunojmë jashtëzakonisht shumë ngushtë me Vatrën. Konsullata e Kosovës në New York do jetë derë e hapur për Vatrën e çdo vatran e çdo shqiptar. Sëbashku me Vatrën do ulemi e do punojmë me axhendë të përbashkët në fushat specifike diplomatike si shkenca politike, ekonomi politike e dipomaci ekonomike. Ne si Konsullatë dhe ju si Vatër do bëjmë një punë të shkëlqyer në vazhdim duke ftuar dhe bërë pjesë të pandashme tonën të rinisë shqiptare në New York sidomos. Jemi me fat se rinia jonë studion në universitetet më të mira në USA. Kjo rini do të rrisë kapacitetet tona diplomatike dhe kombëtare” u shpreh Ambasador Frymëzim Isufaj. Sekretarja e Përgjithshme e Vatrës, Nazo Veliu përshëndeti takimin duke deklaruar: “Sot Kosova ka shumë nevojë për mbështetje dhe njohje ndërkombëtare. Puna juaj si Ambasador do të ndihmojë që në Kosovë të vihet drejtësi  dhe shteti i Kosovës e progresi i saj të pasqyrohet kudo. Të gjithë së bashku në vendet ku jemi ti tregojmë botës së sa mund të bëjmë për vendin, për shtetin për kombin tonë. Ju urojmë sukses në këtë mision fisnik. Respekt dhe për punën e diplomatëve të shkëlqyer që ka pasur Kosova më përpara jush në Uashington dhe në New York. Ju jeni gjeneratë e re në politikë e diplomaci. Kjo është diçka fantastike sepse ju i jepni shpresë brezit të ri për themelet e shtetit të ri e të fortë të Kosovës. Ju e fituat lirinë me gjak e shtetin e ndërtuat me sakrifica. Në Hagë duhet të jenë kriminelët e Serbisë e jo trimat e luftëtarët e Kosovës. Në këtë pikë lypet shumë diplomaci e përpjekeje që të zbardhim faqen e luftës, lirisë e pavarësisë së Kosovës”. Arkëtari i Vatrës Marjan Cubi u shpreh në takim se: “Komunizmi në Shqipëri dhe Serbia në Kosovë kanë lënë pasoja të mëdha që na takon neve dhe ju brezit të ri të punoni fort. Unë kam besim se ju do të bëni një punë të shkelqyer. Ju do ta çoni përpara diplomacinë e Kosovës dhe ju premtoj se Vatara do ju mbështesë fuqishëm në çdo hap”. Mark Mrnaçaj, Anëtar i Kryesisë së Vatrës përshëndeti takimin patriotik dhe u shpreh se: “Ju uroj sa më shumë sukses në punën tuaj diplomatike. Ju falenderoj për mirënjohjen që i tregoni Vatrës. Si vatranë ne do të bëjmë gjithçka për të përparuar kombi shqiptar dhe shteti i Kosovës e Shqipërisë dhe çdo shqiptar kudo në botë”. Zef Balaj, Anëtar i Kryesisë së Vatrës u shpreh se: “Vatra ka punuar dhe do të punojë gjithmonë në dobi të çështjes shqiptare dhe në dobi të zhvillimit të Kosovës. Është kënaqësi që Vatra do jetë dera juaj e hapur në çdo kohë. Ju dëshirojmë sukses dhe punë të mira. Qofshi faqebardhë në punën tuaj. Paçi vetëm të mira”. Dr. Pashko Camaj, Nënkryetar i Vatrës deklaroi në takimin vëllazëror: “U jemi mirënjohës për vizitën dhe ju dëshirojmë sukseset më të larta në misionin tuaj. Vatra ka qenë gjithmonë një shtëpi e vogël e veprave të mëdha, veprave të jashtëzkaonshme në dobi të çështjes shqiptare. Edhe për Kosovën dhe Vatrën, bashkëpunimet në të ardhmen do të jenë një punë fantastike. Ardhja e rinisë në Vatër dhe Konsullatë do të na ndihmojë shumë në punët e mrekullueshme që ne si Vatër dhe ju si mision diplomatik do të bëjmë në të ardhmen. Rinia dhe intelektualët janë një potencial i madh për shtetet tona dhe të ardhmen e mirë të shqiptarëve në hapsirat shqipfolëse. Në çdo pikëpamje ju mbështesim dhe ju garantojmë se Vatra do të jetë përkrah nismave tuaja në dobi të shtetit dhe çështjes kombëtare”. Takimi u përmbyll shumë vëllazërisht dhe u la në të ardhmen e afër një tjetër tryezë vëllazërore për të vazhduar sëbashku axhendën diplomatike të shtetit të Kosovës e çështjes kombëtare e prosperitetit të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Kosovë, Shqipë, New York, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kudo në botë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Konsulli Frymzim Isufaj, Sokol Paja, vizite ne Vater

A po shitet porti i Durrësit ?

December 14, 2020 by dgreca

NGA GEZIM ZILJA/

A po shitet porti i Durrësit ?

Ditë më parë Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin Arben Ahmetaj u kthyen nga Emiratet e Bashkuara Arabe me lajmin e bujshëm se ky vend do të jap 70 milion dollarë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti. Madje si kurrë ndonjëherë me një shpejtësi të pazakontë pamë përfaqësuesin arab në Shqipëri bashkë me kryeministrin, në vendin ku do të ndërtoheshin mbi 2.000 apartamente. Rama nga ana e tij nuk harroi të riktheksoi se miqtë e largët do të ndërtojnë portin e jahteve, aty ku sot është porti i Durrrësit, ndërkohë që Porti i Durrësit do të zhvendoset në Porto Romano. Kaq iu është thënë shqiptarëve nga kryeministri për këtë pasuri me vlera të shumfishta. Kryeministri nuk dha asnjë shpjegim nëse këto 70 milionë dollarë janë dhuratë neto,  janë marrë borxh apo janë kapar (paradhënie) bër blerjen nga “miqtë” arabë, të Portit të Durrësit. Për të kuptuar rëndësinë e portit të Durrësit (Investimet gjatë tri dekadave në këtë port kalojnë qindra milionë dollarë) po jap shkurt disa të dhëna paraprake zyrtare: Pozicioni shumë i favorshëm gjeografik e bën portin e Durrësit portin më të madh në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në detin Adriatik dhe Jon, një nyje shumë të rëndësishme për tregun ndërkombëtar. Infrastruktura operacionale e tij përbëhet nga 11 kalata me një thellësi kalate që varion nga 7.5m-11.5m. Mallrat kryesore që përpunohen e magazinohen në port janë mallrat të tilla si: rifuxhio të thata, rifuxhio të lëngshme, mallra të përgjithshme, kimikate, mallra të rrezikshme, plehra kimike, konteinerë, ro-ro, ngarkesa të rënda etj. Importohen mallra si miell, grurë, cimento, karburant, materiale ndërtimi, qymyr, mallra ushqimore, konteinerë.  Eksportohen  mallra si: mineral kromi, ferro-krom, skrap, konteinerë, klinker, mallra të përgjithshme etj. Porti i Durrësit kryen  78% të tregëtisë detare në nivel kombëtar. Ai është gjithashtu një vendndodhje kyçe për rrjetet e trageteve dhe tranzitin e pasagjerëve, duke i dhënë Durrësit nje pozicion strategjik në lidhje me Korridorin VIII, që do lehtësojë tranzitin e pasagjerëve dhe mallrave në kontinentin Europian. Porti i Durrësit administrohet nga Autoriteti Portual Durrës (DPA,) që është përgjegjës për planifikimin e strategjisë dhe hartimin e planeve të ndryshme për zhvillimin e Portit të Durrësit, duke marrë parasysh interesat e industrisë së portit, biznesit, dhe të tregtisë. Në dokumentin e Strategjisë së Sigurimit Kombëtar (SSK) botuar nga Minisria e Mbrojtjes në korrik 2014 për domosdoshmërinë strategjike thuhet: “SSK është dokumenti më themelor planifikues për sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë…” Për portin e Durrësit theksohet: “Nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik do të arrihet duke nxitur projekte strategjike për ndërtimin e një aksi të rëndësishëm ndërkombëtar që lidh një port në bregun shqiptar të Detit Adriatik (Mesdheun) me Detin e Zi, përmes lidhjes rrugore, hekurudhore, energjetike dhe të telekomunikacionit.” Nga këto detyrime ligjore të shkruara dhe veprimin e kryeministrit, marrëveshja me Emiratet duket aferë e dyshimtë dhe jo me interes kombëtar sepse: 

E para: A është kjo shitje apo dhënie me qira e Portit të Durrësit, ( i përcaktuar si një qytet, brenda qytetit të Durrësit)  në në përputhje me Strategjinë e Sigurimit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë? A është pyetur DPA-ja, komuniteti durrsak lidhur me këtë veprim të kryeministrit dhe gjithë grupet e interesit duke përfshirë specialist, inxhinjerë lundrimi, ndërtimi, arkitektë, ekonomistë, etj, etj? 

E dyta: Sa do të jetë kostua e zhvendosjes dhe e rindërtimit të portit të ri dhe kur fillon e mbaron ndërtimi i tij?? 

E treta: Pse nuk ndërtohet porti arab i jahteve në Porto Romano, në Bish-Pallë apo Triport të Vlorës?

E Katërta: Porto Romano nuk lejon ndërtime kalate më shumë se 200m, është shumë më i cekët se Porti Durrësit dhe nuk i plotëson kushtet për një park industrial dhe ankorimin e anijeve të tonazhit të rëndë. Si do të zgjidhen këto probleme dhe sa do të jetë kostua e thellimit dhe mirëmbajtjes së portit të ri?

E pesta: Çfarë kapaciteti do të ketë porti i jahteve (është thjesht parking) dhe nga do gjënden këto anije qejfesh që do të parkojnë pikërisht në Durrës, kur bregdeti grek me ishujt, bregdeti dalmat dhe sidomos ai italian janë të mbushura me porte të tilla. E kemi një port jahtesh në Vlorë dhe ai nuk mbushet kurrë as në dimër e as në behar?! 

E gjashta: Pse Shqipëria nuk ka ende një Strategji të Sigurisë Kombëtare Detare? 

Shtesë 1. Për marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë pozita dhe opozita shpallën tradhëtare njëra-tjetrën. Ndërkaq ne e kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata e Strasburgut nuk është zoti mbi tokë. Edhe atje luhet me lobingje si kudo në forumet botërore dhe Greqia është më e favorizuar. Po le të bëjmë “sehir” e mos nxitohemi në parashikime. Tani duam të japim Portin Strategjik të Durrësit me tokën dhe me detin!?

Shtesë 2. Dokumenti për Strategjinë e Sigurimit Kombëtar përpilohet çdo pesë vjet. Ai i vitit 2014 ka skaduar në 14 korrik 2019.  Dokumenti i ri ende nuk ka dalë. Kjo tregon mungesë përgjegjësie dhe amatorizëm në drejtimin e shtetit. 

Shënim 3. Dëshiroj shumë, që kjo marrëveshje të jetë një tollumbace elektorale e kryeministrit. Sa për dhurata e  zemërgjërësi të “ vëllezërve arabë” unë nuk besoj. Arabët janë “baballarët e tregëtisë” dhe kurrë nuk investojnë qoftë një dollar pa fituar tre të tillë.

Filed Under: Politike Tagged With: Gezim Zilja, Porti i Durresit

Shkollat e mbyllura të vagabondëve…Rrofshin adoleshentët!

December 14, 2020 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Ata që të gjithë sot i shërbejnë regjimit të Edi Ramës, nuk ka asnjë diskutim që ndjejnë mungesën e shkollave të riedukimit. Arsyeja është e thjeshtë, nuk i rrëzoi dot Luli e Meta, apo Saliu me pleqërinë e tij, por po i rrëzojnë adoleshentët. Madje Edi Ramës vet po i vjen plasja, ka në mes një fakt kokëfortë, e gjeti me Xhozin dhe Rudinën, me Gjuzin, si nuk po
e gjen dot me adoleshentët. Kjo është e pa pranueshme për mentalitetin e regjimit, e pa konceptueshme. Megjithëse vet e mbushi historinë me djem dëshmorë deri 13 vjeçarë. Nga ata që i iknin gjermanit nga duart, që shqyenin gazerma. Dhe që më vonë fusnin në kurth diversantët. Prapë është e pa pranueshme sot që adoleshentët të të rrëzojnë. Aq shumë
duheshin sot ato shkolla sa nuk metal të çmuar që i peshon. Shkollat e riedukimit, apo shkollat e vagabondëve, janë hapur e mbyllur disa herë tek ne. Fillimisht erdhi si ide nga miqësia me Bashkimin Sovjetik. Vendi i madh kishte plot syresh për shkak të revolucionit a luftës së ashpër të klasave por edhe luftës së dytë botërore. Ideja ishte rehabilitimi i të rinjëve me probleme sociale, jetimëve fatkeq por edhe i atyre që dilnin nga rreshti, pra
vagabondëve. U mbyllën diku nga vitet 70-të me preteksin se sistemi i kohës ishte 100% i pastër, nuk kishte më rrugëve vagabondë dhe se jetimët trajtoheshin në institucionet e tyre.
Por nuk zgjati shumë, u rihapën, pasi koha dëshmoi se absolutizmi ndodh në letër a laboratore, jo në grahmat e gjindjes që quhet popull. Sidomos në regjimet diktatoriale. Dhe sigurisht u mbyllën pas viteve 90-të, kjo për shkak të rënies së njërës administratë. Dhe infantilitetit të tjetrës që vinte me devizën ta bëjmë Shqipërinë si Europa. Nuk e di se çfarë
bëhet tani, mbaj mend që vonë u hap një e tillë në Kavajë, që trajtonte minorenët, ata të cilët nuk kishin mbushur moshën për të bërë burg. Dhe nuk e di nëse është më apo jo? Por të jeni të bindur që këta që po ndërtojnë regjimin Rama, po mallkojnë veten që nuk i kanë.
Nuk kanë për t’ja falur kurrë vetes. Madje janë gati të presin shpullat e shefit mbi këtë mungesë administrative. Për më tepër që burgjet u mbushën, gjyqtarë mjaftueshëm nuk ka, drejtësia kë të kap e kë të lërë etj. Shkollat e vagabondëve do ishin një shpëtim real. Mund t’i shërbenin regjimit edhe për djemtë plangëprishës të drogës. Ata që bien në rrjetë nga
budallallëku, nga pangopësia. Për ndonjë deputet që dilte i zi nga komisioni i pastërtisë së figurës etj. Kësisoj i thoshin edhe gjindjes se e shikoni, po punojmë, kemi kapur plot peshq. Shkollat e vagabondëve rusë, sidomos ajo e Antony Makarenkos. Do ishin sot ideale. Rrugët janë plot me adoleshentë që po demonstrojnë shfaqe të huaja. Nuk binden, janë kthyer në piromanë, kapuçonë të zinj. Për më tepër që nuk po i ha më kush pykat mbi
Lulin, Metën a Berishën. Skicuesit e regjimit kanë filluar të bëjnë pazaret, se sa kushton një e tillë, sa shpejt mund t’i ndërtojmë, sa lekë ka mbetur nga bonuset e tërmetit, sa do na japin ata nga lindja e mesme. Dhe sa baba Erdogani. Eshtë një nga konfliktet më të sikletshmet, përballë armiqtë janë ca adoleshentë. Nuk po e ha më kush propogandën për protesta të qeta. Sikur edhe një vit të marshosh i qetë rrugëve, regjimi as që do t’ja di. Të vjen menatë herët, të nxjerr me shqelma, të tërheq zvarrë. Dhe pas dy ditëve çdo gjë rrjedh normalisht. Por ato, shkollat e vagabondëve janë të mbyllura. Se, ku ta dish, ndofta këtë radhë fati është me shqiptarët, me Shqipërinë, jo me regjimin. Rrofshin adoleshentët.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Rrofshin adoleshentet, Shkollat e mbyllura

SHBA fillon shpërndarjen e vaksinës kundër COVID-19

December 14, 2020 by dgreca

Shtetet e Bashkuara kanë filluar të shpërndajnë vaksinat kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer-BioNTech, thanë zyrtarët. Shpërndarja e saj pritet të jetë një operacion logjistik kompleks, pasi muajt e ardhshëm pritet të vaksinohen dhjetëra miliona njerëz. 

Gjenerali Gustave Perna, një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane, tha më 12 dhjetor se procesi i shpërndarjes ka filluar tashmë me paketimin e vaksinave Pfizer në fabrikën e saj të prodhimit. Kompanitë e transportit do të fillojnë të zhvendosin vaksinën në mëngjesin e 13 dhjetorit në qendrat e shpërndarjes, nga ku do të dërgohen në spitale dhe qendra shëndetësore duke filluar nga 14 dhjetori.

Shpërndarja dhe administrimi i vaksinës përbën një sfidë të madhe logjistike për shkak se ajo duhet të mbahet në temperaturë -70 gradë Celsius.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në SHBA, më 11 dhjetor, miratoi vaksinën, e cila jepet me dy doza. Vaksinimi do të bëhet tek njerëzit e moshës 16 deri 85 vjeç. Pfizer ka në plan të sigurojë rreth 3 milionë doza në dërgesën e parë këtë javë, ose të mjaftueshme për 1.5 milion njerëz. 

Vaksinimet e para do t’i japin përparësi punonjësve të kujdesit shëndetësor.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se vaksina Pfizer-BioNTech dhe të tjerat, do të jenë më të disponueshme për një masë më të gjerë të njerëzve, deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Fillimi i menjëhershëm i fushatës së vaksinimit masiv vjen derisa virusi po përhapet në të gjithë vendin. Numri i përgjithshëm i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara nga koronavirusi ka arritur në gati 300.000.

Filed Under: Kronike Tagged With: Nis shperndarja, SHBA, vaksinave

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË BRONX, NEW YORK
  • Në ditën ndërkombëtare të shtypit…
  • Në ditën e lindjes kujtojmë baron Franz Nopcsa, paleontologun dhe gjeologun e shquar, një nga figurat më të mëdha të albanologjisë
  • Gazetaria si ndëshkim publik…
  • Disa qasje hermeneutike dhe fenomenologjike ndaj tekstit poetit të Martin Camajt
  • Kongresmenët Amerikanë Paraqesin Rezolutë për Vazhdimin e Pranisë Ushtarake të SHBA-ve në Kosovë
  • Helmi virtual
  • Vatra u prit në Selinë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK
  • SKËNDERBEU NDËRMJET BARLETIT DHE ZANOVIQ-IT: NGA HISTORIOGRAFI HUMANISTE NË MODEL KONCEPTUAL ILUMINIST
  • Patronimet kolektive me -aj , si identitet shqiptar i Malësisë së Madhe
  • Ledia Xhoga Captivates at Fan Noli’s Virtual Cultural Event
  • Congressman Keith Self Introduces Resolution Supporting the Integration of Kosovo into NATO
  • NJË MOMENT I RI GJEOSTRATEGJIK DHE NJË HAP I RI NË ARKITEKTURËN EURO-ATLANTIKE TË SIGURISË
  • Me virtuozen Alda Dizdarin në zemër të Londrës
  • Kur një masakër bëhet gjenocid? Reçaku, Panariti, Tivari dhe Çamëria në dritën e së drejtës ndërkombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT