• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2021

Vajzë reaksionari, moter tradhetari dhe grua komunisti

January 24, 2021 by dgreca

nga” Bota me nje sy”(2019) – (Episodi Rrefimi i nenes)/

Nga Albana M. Lifschin/

Lajmi që im vella u vra si tradhëtar më ra në kokë si bombë. Isha e rrethuar nga komunistë e nuk guxoja të pyesja askënd për më gjatë. Qaja çdo kohë, sa herë mbetesha vetëm. Lotët e mia ishin bërë një liqen me rrathë e sikur do të më përpinin në fund të tij. Im shoq më ndiqte me sy në çdo lëvizje. M’u duk vetja jetime. Ndjeja nevojën e një vetëpërmbajtje e fortë dhe e vendosur për të qëndruar mbi ujë. S’më ndahej nga mendja endëra që kisha parë ato ditë. Sikur më qe këputur krahu i djathtë e unë përpiqesha ta ngjisja me pe.

-Lëre , o Marie , sikur më tha dikush- nuk ngjitet krahu me pe.

Im vella që krahu im i djathtë që e humba përgjithmonë.

* * *

Ditët kalonin njëra më e zezë se tjetra. Midis meje dhe bashkëshortit qe hapur një hon i madh në mes.

Ai përpiqej të hante heshtjen me dhëmbë, por të vetëpërmbajturit ishte shumë i vështirë për të. Kur dallga e mërzisë dhe helmit u bë mal, ai u zbraz:

-Ma nxive jetën, ma nxive! E ke të gjithë rrethin familjar të përlyer me armikun!

Unë nuk flisja. Ndryshe nga ai, njerëzit e tij ishin bërë si mure mbrojtëse për mua.

Ata më donin dhe kjo më mbante gjallë. Asnjëherë nuk ma zinin në gojë familjen vetëm që të mos më lëndonin. Një ditë i vëllai, Hamiti, i tha:

-Ti nuk e meriton Marien! Ajo është fisnike dhe shumë po të duron. Lëre rehat, se e ke tepëruar!

Ai e pa të vëllanë me inat dhe iu kthye:

-Punët e mia i di vetë!

-Pa më thuaj një çikë, ç’të ka bërë?

-Asgjë! Por është reaksionare! Çfarë tjetër, duhet të më bëjë?

Unë mësova të hesht. Më qe coptuar zëmra.

* * *

Ai i ndiqte me vëmendje ngjarjet dhe ndihej i pasigurtë. Martesa me mua i kishte lëkundur pozitën në Parti dhe në shoqëri. Filloi të ankohej se ishte i sëmurë, por unë e kuptoja që nuk ishte ajo arsyeja. Ai vinte i lodhur dhe i mërzitur nuk hapej në bisedë dhe unë nuk e pyesja se ç’kishte, por nga sa dëgjoja nga të afërmit e tij, atë vazhdonin ta kritikonin se përse kishte marrë për grua një vajzë nga një derë e reaksionarëve më të mëdhenj të vendit. Këto kritika nuk ia ndanin në parti dhe në shoqëri, madje kishte edhe disa nga ata të fisit të tij. Në organizatën e partisë i bënin presion se do ta përjashtonin nga Partia. Ai filloi të lëkundej.

I pata thënë që në fillim, që ne nuk përputheshim në asnjë drejtim. Por nuk më dëgjoi.

Më pisk se aq, e kisha unë jetën. Me përjashtim të nënës sime dhe vëllezërve, i gjithë trungu familjar me farë e me fis , më kishin marrë inat. Isha e braktisur nga të gjithë. Së pari, sepse kisha vajtur në hekurudhë, dhe së dyti sepse u martova me një komunist dhe mysliman. Por sa e sa vajza kishin vepruar si unë, në të katër anët e Shqipërisë. “Por jo, thoshte opinjoni injorant,-ato për ne janë të përdala”. Si e si të njollosnin vajzat e pafajshme. Këto epitete silleshin vërdallë nëpër Mirditë.

Triskat e bukës

Krizën e bukës, mos e provofshi kurrë!

Im shoq kishte një çantë dore që ia mbaja mënd që kur punonte në komitetin e rinisë në Mirditë. Në këtë çantë me shumë xhepa mbante dokumentat e ditës dhe triskat e bukës

që u jepeshin familjeve të qytetit për dy, katër deri 6 muaj. Ato duhet të ruheshin me shumë kujdes se shteti nuk jepte dublikatë, pra mbeteshe pa bukë. Muka duke e marrë poshtë e lart çantën diku kishte lënë triskat. Kur erdhi në fshat për të më marrë mua se isha në prag të lindjes të fëmijës, më thotë:

-Ku i ke lënë triskat e bukës? 

Unë hapa sytë.

-Ato i mban ti, -i thashë.

-Kam kaq ditë që i kërkoj.

-Mendohu, se ku i ke vënë.

Ai m’u kthye dhe në prezencën e së ëmës më tha:

-Ato triska do t’i gjesh ti! Gjallë a vdekur, nëqoftëse nuk i ke zhdukur me qëllim!

-Çfarë thua, more! Iu ktheva unë,- janë buka jonë, ato janë të përbashkëta. Pa ato s’jetojmë dot asnjë ditë.

-Ti je reaksionare! Ato triska vetëm ti e di se ç’ke bërë me to. Si reaksionare që je, kaq ke në dorë të bësh kundra një komunisti!

Ishte mbushur kaq keq sa kishte humbur arsyen. Kishte filluar ashpërsisht lufta e klasave në familjen tonë. Unë me barkun tek goja, përpiqesha të mbaja veten. Isha tmerrësisht e dëshpëruar.

-Kjo që thua ti, nuk ka llogjikë, që të vdes veten për bukë. Ndërsa që jam bijë e reaksionarit, duke jetuar dy vjet me ty, dashje pa dashje jam bërë komuniste!

* * *

Horizonti për mua kish dy drejtime

Jeta po më shkonte e hidhur si duhani. Dolëm nga shtëpia dhe u ngjitëm në xhade, pranë shkollës. Aty ndaluam se duhet të prisnim për ndonjë makinë të rastit. U duk një kamjon. Ai u ngjit shpejt e shpejt dhe zuri vend. Shoferi po priste të hipja edhe unë. Muka s’e zgjati dorën të më tërhiqte, pa pyetur fare që unë isha në muajin e fundit dhe s’më linte barku të ngjitesha në atë karroceri aq të lartë. Shoferi po çuditej. Atëhere ai nxorri kokën nga kabina dhe tha:

-Ore, ose zbrit dhe ti, ose ndihmoje këtë nuse që ngjitet, nëqoftëse e ke tënden. Dhe u fut në kabinë pa e ndezur makinën. Muka gjithë inat më thirri:

-Hip lart, moj!

U përpoqa pak dhe ai shtriu dorën e më tërhoqi rrëshqanthi tek tehu i makinës. Aty pashë jo burrin, por djallin! Çudi si lindi fëmija pa cen.

Kur hymë në Kotë, “ Zbrit! më tha, -e më prit këtu se kam një punë te zyrat”.

U kthye pas një gjysmë ore.

-Tani, makina e parë që do të vijë, unë do të iki dhe ti do të rrish këtu. Dy drejtime ke, zgjidh e merr : ose shko drejt në Vlorë, por jo me mua, ose ktheu prapa në Tepelenë.

Atëhere iu ktheva:

-Unë vetëm nuk shkoj asgjëkundi! Nuk më ke marrë nga rruga! Ti, që do vrisje veten, po te mos me merrje mua!

Erdhën e shkuan disa makina. Asnjëri nga ne nuk lëvizi nga vendi. Më në fund i erdhi truri. Hipëm në një makinë dhe shkuam në Vlorë.

* * *

Motra e madhe e tij, Faria, që më donte si fëmijët e saj, banonte në një shtëpi ngjitur me tonën. Sa zbritëm nga makina u futa në shtëpinë e saj. Tek ajo gjeja ngushëllim, me atë qaja hallet që m’i shkaktonte i vëllai. Ajo si më e madhe që ish, i fliste: “Mos e mërzit Marien, se është njeri pa njeri. Vetëm ne na ka”.

Faria na jepte hua çdo tre ditë një triskë buke. Vjehrra na dërgoi një thes me miell gruri, por në kohën që e shmangëm urinë. Se fundi triskat u gjeten. Siç tha, ishin ” futur” në astarin e çantës. Dhe as që më kërkoi falje për tronditjen që më shkaktoi. “Me fal” nuk ishte në fjalorin e tij.

Pas këtyre ngjarjeve, në fund të dhjetorit më lindi Albana. Ky fëmijë erdhi në jetë si për të më larguar trishtimin dhe për të m’u bërë shoqe. Ditët e para qante shumë, por pastaj u shëndosh dhe vetëm qeshte. Duke bërë punët e shtëpisë e duke u marrë më vajzën e kaloja ditën më e qetë dhe më e gëzuar. Ishte fëmijë e bukur dhe e pastër. Para se t’i mbushte ditët erdhi dhe më mori me vete nëna e një shoqes sime. Quhej Lale Koka. Asaj i kishte rënë vajza në luftë , quhej Qeriba Koka. Lale-ja ishte tipike labe, e fortë, trime dhe e gojës. Ajo më mbajti dy javë në shtëpinë e saj, si për të më zëvëndësuar nënën që më mungonte. Lale-ja , gjithashtu ishte e motra e Lutfi Shehut, ish kuestorit të Elbasanit, që u burgos nga partia komuniste dhe vuante dënimin në burgun famëkeq të Burrelit. Laleja ishte nga ato gra që nuk pyeste për luftë klase. Ajo, pasi u njoh me mua, mori guximin të shkonte të njihte nënën time në internim në kampin e Tepelenës duke i çuar ushqime e shumë gjëra të tjera.

Nana jonë kishte një natyrë që nuk kërkonte kurrë ndihma. Ajo mbahej me dinjitet. “ Ky është fati im”- thosh gjithnjë.

Pak drite ne jeten time

—….

Një ditë, një polic i quajtur Medin, nja 40 vjeç, tek kisha dalë me Albanën në oborr më pyeti:

-Nga të kemi moj nuse?

-Jam nga veriu, thashë.

-Po, nga ç’vend?

-Nga Mirdita, u përgjigja.

-Po, si e ke llagapin?

-Melyshi.

-Po, një Nikoll Melyshi që ka punuar në këto anë, e ke gjë ti?

-Jam e bija,- i thashë.

Ai m’u afrua duke më përqafuar.

-E të keqen Çeçua! Ta dish ti moj bijë, çfarë babai ke! Ai ishte zotëri burrë. E kishte ngritur shtabin në fshatin Mazhar, aty më tutje Sevasterit. Po Nikolla megjithëse kishte ardhur me batalionin e major Dod Nikollës për punë të tjera, i dha një ndihmë të madhe njerëzve të kësaj krahine.

-Po, si?- e pyeta unë me kureshtje. Sa kohë kisha pa e parë babanë!

Medini që dukej kishte nostalgji, nxorri kutinë e duhanit dhe u ul në një gur që të vazhdonte bisedën më mua.

-Po, si ishte ngritur ky shtab?

-Ky shtab, filloi ai, drejtonte punët e mercenarëve. Babai yt, ishte njeri i ndershëm e nuk pajtohej me plaçkitjet e reprezaljet që bënin ata në jug. Orientimet i jepte major Dod Nikolla, vetë. Ai vetë vendoste me karta biankë për të vrarë shumë njerëz të komunistëve dhe për t’iu internuar familjet komunistëve. “Çudi, thashë me vete . Edhe këta si partizanët! A thua të ketë kryer veprime të tilla edhe babai im?” dhe e pyeta Medinin:

-Po babai im, a merrte pjesë në këto operacione?

-Jo, përkundrazi. Ai shkonte keq me majorin, e nuk i zbatonte urdhërat e tij. Nga sjelljet e tij mizore, majorit ju vranë shumë mercenarë dhe plani i dështoi dhe ai vetë u çmend. Kurse babai yt që unë dhe shumë sevasteras dhe shkozjotë kemi mall për të, ai kur merrte urdhëra nga ato që lëshonte Doda, bënte të kundërtën. Për tërë natën u çonte njoftim familjarëve që do të dënoheshin, që të mos i gjente mëngjezi në shtëpi. Sa familje ka shpëtuar ai! Unë vetë kam qënë dëshmitar i këtyre ngjarjeve , prandaj Nikoll Melyshi ka lënë emër të mirë në këto anë. Kështu moj bija e mikut tonë. Pastaj ai hodhi pushkën në krah dhe iku.

M’u ngroh zemra. Babai m’u shfaq në dritë, e m’u bë se më erdhi pranë.

(Albana M Lifschin , shkeputur nga libri ” Bota me nje sy”, Rrefim i nenes, 2019. Charlotte, NC. )

Filed Under: Histori Tagged With: Albana M. Lifshin, Vajze reaksionari

TIRANA, MAFIA E BETONIT DHE TEMPULLI I ZOTIT

January 24, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA – DIELLI/

Tirana kthehet 54 vite pas. Tempulli i Zotit kërcënohet nga mafia e betonit. Babëzia e lejeve të ndërtimit shkatërron minaren e xhamisë së Et’hem Beut, një prej simboleve karakteristike të kryeqytetit të Shqipërisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ndërmori një akt të pashembullt kundër historisë, trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës së qytetit. Veliaj bëri atë që nuk e bëri as diktatori Enver Hoxha kur rrënoi Kishat e Xhamitë dhe çdo objekt kulti fetar 54 vite më parë. Leja e ndërtimit ngjitur me Kullën e Sahatit, simbolit historik të kryeqytetit dhe Xhamisë së Tiranës, është njësoj si urdhëri i diktatorit Hoxha për ti shkatërruar tempujt e Zotit në kohën e revolucionit ateist në Shqipërinë komuniste. Madhështia e tempullit të Zotit mbulohet nga perversiteti korruptiv i kullës hijerëndë. Pushteti i lidhur me mafien, pastrimin e parave, lejet e pafundme korruptive të ndërtimit, babëzia dhe makutëria tashmë nuk pyesin as për Zotin dhe tempujt e tij.

Verbëria para pasurimit të shpejtë, gjobës 20% të ndërtimit, shërbimit ndaj shefit të radhës dhe lidhja e tmerrshme me mafien që pastron çdo para të krimit e trafiqeve ndërkombëtare, i ka kthyer politikanët shqiptarë në përbindësha gjigandë që nuk pyesin për asgjë, as për ligj, as për interes kombëtar, as për Zot e aq më pak për tempujt apo faltoret e tij. Qyteti është i asfiksuar. Shteti në shërbim të krimit. Pushteti në shërbim të mafies. Kryeqyteti shqiptar ka humbur çdo pikë identiteti dhe vlere historike. Kullat që gërvishtin qiellin shqiptar dhe mbushin xhepat e pushtetarëve të kurruptuar kokë e këmbë tash 30 vjet e kanë shndërruar Tiranën në një prej destinacioneve më fantastike të pastrimit të parave në Ballkan. Pushteti e ka kthyer Shqipërinë në një çiflig personal. Pushteti i ka kthyer shpinën me kohë qytetarëve dhe interesit kombëtar.

Njerëz që ikin nga sytë këmbët sepse vidhen dhe pushtetarë që pasurohen çdo ditë e më shumë. Përgjimet e Ndragheta-s janë maja e Ajsbergut. Mafia italiane, bullgare, turke, serbe, arabe etj nën bekimin e pushtetarëve lokal dhe qëndror e kanë kthyer Shqipërinë në një shtet problem jo vetëm në Ballkan por edhe më gjërë për institucionet inteligjente, të hetimit e parandalimit të krimit dhe me transfertat e fuqishme bankare kanë destabilizuar ekonominë dhe sistemin bankar në vend. Qarkullimi i kësaj paraje të frikshme mafioze ka vënë në rrezik serioz sigurinë kombëtare të shtetit shqiptar. Zaptimi i të gjitha hapësirave publike, i ka kthyer sytë e pushtetit tashmë edhe drejtë centimetrave të fundit në oborret e Tempujve të Zotit. Tirana është në asfiksi inxhinierike dhe arkitekturore. Kullat që po ngrihen në Tiranë e kanë shndërruar kryeqytetin në një qytet kozmopolit. Qeratë në kullat e Tiranës janë më të shtrenjta se në Nju Jork, Londër, Milano apo Paris. Një qytet që lundron në paratë e mafies. Tirana nuk u përket më qytetarëve, Tirana nuk u përket më shqiptarëve. Mafia e Tiranës rrafshon e kafshon çdo gjë, tashmë pas Minares së Xhamisë së Et’hem Beut me siguri një tjetër objekt kulti fetar do shkatërrohet. Dhe për Zotin do kujtohemi vetëm në një ditë gjëme apo termeti kur të lutemi si shtiracakë: O Zot mbaj dorën. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Mafia e betonit, Sokol Paja

Përse këmbëngulin demokratët për gjykimin e ish-presidentit Trump

January 24, 2021 by dgreca

Nga Patsy Widakuswara*/

Dhoma e Përfaqësuesve do të dërgojë të hënën në Senat akuzën zyrtare kundër ish-Presidentit Donald Trump. Zoti Trump akuzohet se ka nxitur dhunë gjatë protestave të 6 janarit kur turma u fut me forcë në ndërtesën e Kongresit amerikan. Materiali në vazhdim shqyrton arsyet se pse demokratët po i mëshojnë procesit për të dënuar zotin Trump edhe pse tashmë ai e ka mbaruar mandatin.

Një javë pasi mijëra mbështetës të zotit Donald Trump u futën me dhunë në Kapitolin amerikan me 6 janar, Dhoma e Përfaqësuesve votoi për ngritjen e akuzave kundër tij. Të hënën Dhoma e Përfaqësueve i dërgon Senatit akuzën se ish-presidenti nxiti protesta të dhunshme që rezultuan me sulmin në Kapitol. 

Senati do të zhvillojë gjyqin për të gjetur fajtor ose jo zotin Trump. Republikanët thonë se demokratët po nxitojnë me procesin. Mitch McConnell është udhëheqës i pakicës republikane në Senat.

“Dhoma e Përfaqësuesve e filloi procesin me një shpejtësi të paparë dhe procedurë tepër minimale. Senati nuk mund të ofrojë një gjyq të cunguar që i mohon ish-Presidentit Trump proces të rregullt, ose përndryshe kjo do të dëmtonte Senatin dhe vetë presidencën.”

Ndërsa Presidenti Joe Biden theksoi mesazhin e unitetit në fjalimin e inaugurimit, presioni i demokratëve për dënimin e zotit Trump po kritikohet si hipokrizi, një akuzë e hedhur poshtë nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi. 

“Të thuash le ta harrojmë atë që nodhi, nuk ëshë diçka që i bashkon palët.”

Ekspertët ligjorë nuk pajtohen nëse Sentati mund të gjejë fajor ish- Presidentin. Por me epërsinë e vogël që kanë demokratët, gjykimi ka gjasa të vazhdojë.

Që të shpallet fajtor zoti Trump kërkohet një votim i shumicës prej dy të tretash, që do të thotë të 50 senatorët demokratë dhe të paktën 17 senatorë republikanë.Aziz Huq është profesor i së drejtës kueshtetuese në Universitetin e Çikagos. 

“Një nga pasojat e gjetjes fajtor mund të jetë skualifikimi për poste të ardhshme. Mendoj se qëllimi i demokratëve është dërgimi i mesazhit për futjen me dhunë në Kapitol me 6 janar dhe së dyti, për t’u siguruar që zoti Trump nuk mund të konkurrojë për post publik.”

Zoti Trump ka lënë të kuptohet se mund të kandidojë përsëri në vitin 2024. 

“Ju duam shumë. Do të kthehemi në një mënyrë.”

Meqenëse zoti Trump nuk u hoq deri sa i mbaroi mandati, ai gëzon privilegje, përfshirë pensionin, fonde për zyrën dhe punonjësit dhe mbrojtje nga Sherbimi Sekret. Por kjo mund të ndryshojë nëse demokratët ndryshojnë ligjin për ish-presidentët nëse zoti Trump shpallet fajtor. 

Ndërsa zoti Biden tha se po e lë çështjen e zotit Trump në duart e Kongresit, ai dëshiron të sigurohet se kjo nuk do të ngadalësojë procesin e konfirmimit të kabinetit të tij nga Senati.

“Sa më shpejt të fillojmë nga puna përballë këtyre krizave, aq më mirë do të jetë”, tha Presidenti Biden.

Gjyqi ndaj zotit Trump mund të nisë në fillim të shkurtit. Ai është i vetmi president amerikan ndaj të cilit janë ngritur akuza dy herë. Asnjë president tjetër nuk është gjykuar në Senat pas largimit nga detyra.Kortezi Zeri i Amerikes

Filed Under: Analiza Tagged With: Kembengulja e demokratve

Rrugëtimi i suksesit i Jeton Kadriut cDJ Dark Child”

January 23, 2021 by dgreca

Nga Ermira Babamusta, Nju Jork/

DJ i mirënjohur shqiptar Jeton Kadriu në profesionin e tij njihet me emrin “DJ Dark Child”. Ai ka patur shumë sukses si në bashkëpunime me artistë shqiptarë dhe botërorë me renome, por edhe në këngët e punuara së fundmi në të gjitha platformat muzikore. 

Lindur në vitin 1991 në Gostivar, Maqedonia Veriore, me prindër Naser (baterist) dhe Nevrije, Jetoni u shpërngul në Zvicër në vitin 2016, ku jeton edhe sot. Shkollimin e lartë e ka kryer në Universitetin Shtetëror të Tetovës, dega “Gjuha Angleze dhe Letërsi” (2016).

Jeton Kadriu, që në moshën 10-vjeçare është marrë me sportin e futobllit deri në moshën 19-vjeçare. Ka luajtur në të gjitha grupmoshat e KF Gostivarit, por pas lëndimit në kurriz e kishte të pamundur të vazhdonte karrierën në këtë fushë si profesionist. 

Karrierën si DJ Jeton Kadriu (DJ Dark Child) e nisi në fund të vitit 2008. Sot DJ Dark Child është një nga DJ-t më të kërkuar, qoftë në festivale, koncerte apo turne. Ka luajtur krah artistëve botëror si Tyga, The Game, Lloyd Banks, G4SHI, Migos, Wiz Khalifa, Lil Jon, etj. Nga bashkëpunimet me artistët shqiptar, Jeton Kadriu njihet për bashkëpunimin me këngëtarin e mirënjohur, Butrint Imeri, me të cilin ka realizuar turne në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni dhe Europë. 

Si DJ resident në klubin më të famshëm në Europë, “Rinora4”, Jeton Kadriu ka pushtuar skenat e muzikës dhe zemrën e mijëra adhuruesve. Fama e tij ka bërë jehonë në klubet e muzikës në Gjermani, Austri, Turqi, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Itali, etj. 

Intervista me Jeton Kadriun: Të jesh DJ është art në vete

Babai juaj Z. Naser Kadriu ka qenë baterist, që e keni luajtur dhe ju si fëmijë. Çfarë kujtimesh të bukura ke nga fëmijëria me babin, dhe muzikën?

Jeton Kadriu: Babai im Naseri është një ndër bateristët më të vjetër të qytetit tonë, ndoshta me një karrierë diku 30 vite. Ka diçka interesante që sot e kësaj dite them si nuk ka përtuar sa herë që unë kam dashur të luaj në bateri gjithmonë i ka pru nga vendi i punës, i ka montuar dhe çmontuar për mua. Gjë që kërkon shumë punë dhe sjell lodhje fizike. Nuk e di për vete a do e kisha bërë këtë për fëmijën tim. Kam luajtur bateri ndoshta që prej moshës 7 vjeçare. Sepse atëherë kam pasur edhe fuqinë t’i çoj vetë dhe t’i montoj vetë (qesh). 

Çfarë mund të na thuash për qytetin e lindjes, Gostivarin? Kur ishte vizita juaj e fundit në vendlindje?

Jeton Kadriu: Qyteti i Gostivarit është një qytet i vogël, i bukur, jo se ka shumë gjëra për të bërë po çka do që të bësh do të ishte kënaqësi. Ndonjëherë kur rri mendoj ose shoh foto të vjetra më kujtohet dhe ndonjëherë më mungon, sidomos familja që jetojnë atje pastaj dhe shoqërija e fëmijërisë që disa kanë ngelur atje dhe nuk kanë emigruar jashtë si unë. Hera e fundit kur vizitova Gostivarin ishte në verën e 2020-ës. Po nuk ishte ai lezeti siç jam mësuar me atë vend, shkaktar ishte pandemija dhe shkaku i kufizimeve që i kemi patur.

Përshtypjet e para kur lëvizët në Zvicër. Çfarë mund të na tregosh për kulturën dhe ambjetimin tuaj me jetën atje?

Jeton Kadriu: Para se të shkoja të jetoja në Zvicër, kam qenë dy herë më parë si turist, dhe më ka pëlqyer jashtë mase siç e kam gjetur veten në atë vend. E adhuroj sepse ka rend jete, çdo gjë është në rregull dhe në vendin e vet pa marrë parasysh se për çka bëhet fjalë. Unë lëviza në Zvicër në vitin 2016-të, ishte fundi i verës në gusht. 

Besoj secili që e len një vend për të shkuar diku tjetër fillon nga zero dhe është shumë e vështirë fillimisht ambjentimi. Mirëpo unë kam pasur shumë shokë që i kam njohur dhe nuk jam ndjerë shumë i vetmuar. Me kalimin e kohës ata miq u bënë familje për mua, meqë familja ime është në Gostivar. Bëhet fjalë për Ilberin, Kujtimin, Jonnyn, etj, etj, që më kanë ftuar edhe në shtëpitë e veta shumë herë për drekë, për darkë, për grill. 

Tashme jetoj në Zyrih (Zürich), qytet i cili gjithmonë është “i gjallë” dhe asnjëherë “i vdekur”. Them kështu pasi që nuk të bëhet bajat asgjë sepse ka shumë gjëra për të parë dhe për të bërë. Jam me fat që kam një rreth shumë të mirë, dhe jam ambijentuar shumë shpejt. Jam pranuar ashtu siç do doja unë, të më pranojnë ky që jam. Vlen të theksohet që rrethi shoqëror të bën edhe njeri më të mirë, më të integruar e ashtu e kam edhe unë falë Zotit. Ju jam mirënjohës Lilit, DJ Kont, Habibit, Shabit, Metit, etj, etj, që janë si një familje për mua. 

Tjetër çka më pëlqen në Zyrih është se aspak nuk mungon profesioni im – muzika. Ka shumë hapësira për të punuar, për t’u promovuar, per tu rritur gradualisht si artist. Flas sepse vetë m’u ka dhënë mundësia nëpër shumë vende të performoj në Zyrih dhe jashtë tij.

Si e kujtoni fillimin e punës tuaj si Dj?

Jeton Kadriu: Kam filluar të mësoj njëherë se si shkon kjo gjë, diku nga viti 2008-të pa ndihmën e asnjërit sepse nuk më ka ndihmuar asnjë DJ në fillim. Të gjithë më kanë anashkaluar, më kanë lënë “out of the game” (jashtë loje). Pastaj dikur m’u ka dhënë hapësira të luaj në real klub, ka qenë në vitin 2010-të në Intermezzo Club në qytetin tim. Pastaj pas disa vite kam pasur suport nga DJ lokal, që sot e kësaj dite i falemenderoj, përkatësisht Fecky Farris dhe DJ Dark Beat (ky i fundit më ka vënë edhe emrin Dark Child). Prej 2010-tës jam aktiv deri sot, d.m.th. kam filluar të merm profesionalisht, dhe i jam kushtuar maksimalisht muzikës dhe karrierës. Pastaj vitet dhe karriera tregojnë vetë se kush jam, ku jam, çka kam lënë pas.

Puna e DJ është art. Sipas jush çfarë e bën një DJ të suksesshëm?

Jeton Kadriu: Kam thënë gjithmonë që të jesh DJ është art në vete, njejtë si një piktor, skulptor, apo aktor. Ajo që tëbën të suksesshëm është të jesh ky që je në fillim, pa dalur nga vetja që t’ju dukesh interesant të tjerëve, apo tëdalësh gjoja më i miri. Ky qëndrim do ishte gabim. Pastaj përveç kësaj ka edhe shumë sende të tjera, sepse rruga e suksesit nuk kalohet sot për nesër. Mund të theksoj që vijon përkushtimi, vullneti për punë, lufta kundër atyre qëdojnë të të “shkelin” dhe më e rëndësishmja që mendoj unë është se nëse e bën atë që e don dhe e bën me pasion e shumë dashuri, patjetër që suksesi do të vijë, herët apo vonë!

Rinora 4 është klubi më i famshëm në Europë. Si ka qenë eksperienca juaj në këtë klub si DJ? 

Jeton Kadriu: Ka diçka interesante, kur kam qenë në fillimet e karrierës me shokun tim të ngushtë Lefin e kemi ndjekur Rinorën dhe gjithmonë i kam thënë, “ah sikur vetëm një herë të bëj muzikë këtu, të kem një foto, një video”. Gjithmonë më ka pëlqyer ky vend pa ditur se një ditë do të jetë residenca ime. Kush do ma kishte thënë këtë në ate kohë do i thoja ke lujt mendsh ti (qesh). Po ja sot ja dola mbanë. Për mua është privilegj të jem pjesë e familjes Rinora4 që padyshim ëndërr e çdo artisti apo DJ është të performojë aty. Dhe çdo shqiptar/e që jeton në diasporë një herë në jete ka qejf që të vijë aty, kush të thotë jo dihet që rren (qesh). 

Cilat janë disa nga vendet qe keni udhëtuar gjatë turneve të muzikës?

Jeton Kadriu: Përveç çdo qyteti në Maqedoni dhe Kosovë, gjithashtu kam performuar edhe në Shqipëri, Serbi, Turqi, Gjermani, Austri, Zvicer, dhe Itali.

Si ka qene përvoja juaj krah yjeve botëtore?


Jeton Kadriu: Përveç G4SHI edhe Wizz Khalifa-s vlen të theksohet se me çdo yll i famshëm botëror kam performuar në Lion Club, që ka qenë rezidenca ime në Luzern. Aty kam pasur nderin që ta ndaj skenën me artistët qe deri dikur vetem i kam luajtur dhe kurrë nuk e kam menduar që do luaj në të njëjtën skenë me ata. E kam kuptuar pastaj se sa “chill” njerëz janë, se sa janë me këmbë në tokë, e kam kuptuar që s’janë ashtu të paprekshëm siç e paramendojmë ne. Kanë qenë të hapur për bisedim, jo që kam folur me të gjithë, po me ata qe kam patur mundësinë të kem një bisedë normale. Ndërsa më vonë e kam kuptuar në fund të fundit muzika na bashkon, s’ka lidhje që ai është artist botëror, e kupton botën artistike të personit tjetër.

Cilin bashkëpunim do veçonit në bashkëpunimet e tua me artistët shqiptarë?

Jeton Kadriu: Unë kam kontakt dhe shoqëri të mirë gati me çdo artist shqiptar, edhe pse nuk kam punuar me të gjithë, përveç Butrint Imerit me të cilin kam kaluar shumë mirë duke qenë tour DJ i tij për 2 vite.

Planet tuaja për vitin 2021? Ku do ju gjeja vera e këtij viti? 

Jeton Kadriu: Ne fillim dua të vazhdoj këtë që jam duke bërë, DJ dhe remix-a të këngeve anglisht dhe shqip. Po më vone kam plan të lansoj projekte të mia personale, me bashkpunime gjithashtu. Vera do më gjejë me siguri në Diamonds Club në Ferizaj, që njëkohësisht është ndër klubet më të mira në Kosovë.

Filed Under: Kulture Tagged With: DJ Dark Child, Ermira Babamusta, Jeton Kadriu

Gjyqi i dytë ndaj Trump, dhe rreziku për Biden

January 23, 2021 by dgreca

Analizë nga Rafael Floqi/

Tani që Donald Trump është një qytetar privat, Senati duhet të hedhë poshtë nenin e shkarkimit ( impeachment) kundër tij për mungesë juridiksioni. Kushtetuta është e qartë: “Presidenti. . . do të hiqet nga detyra për fajësimin. . . dhe bindje ”- jo me mbarimin e mandatit të tij para se të përfundojë procesi i shkarkimit

Gjyqi i ish-Presidentit Donald Trump do të fillojë në javën e dytë të shkurtit, tha udhëheqësi i shumicës në Senat, ChuckSchumer të premten, pasi Dhoma e Përfaqësuesve të dorëzojë zyrtarisht akuzën në Senat të hënën.

Ndaj ish-presidentit është ngritur një akuzë e vetme: “Nxitja e protestave me dhunë lidhur me sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar”. Zoti Schumer tha se ligjvënësit që do të veprojnë si prokurorë si dhe ekipi mbrojtës i ish-presidentit Trump, do të kenë kohë të përgatitet për të prezantuar argumentet në proces.

Vendimi erdhi pasi zoti McConnell i kishte kërkuar Dhomës së Përfaqësuesve që të shtynte dorëzimin e akuzave deri të enjten e ardhshme dhe të binte dakord që fillimi i gjyqit kundër ish-Presidentit Trump të shtyhej deri në mes të shkurtit, për t’u dhënë kohë avokatëve të tij për të përgatitur një mbrojtje kundër akuzës. “Procesi për shkarkimin filloi me një procedurë jashtëzakonisht të nxituar dhe minimale në Dhomën e Përfaqësuesve, tha zoti McConnell të premten. “Nuk mund të pasohet me një proces të mangët në Senat që do t’i mohonte ish-Presidentit Trump procesin e duhur, ose të dëmtonte senatin apo edhe vetë presidencën”, shtoi ai. Por pse?

Kushtetuta dhe impeachment

“Tani që Donald Trump është një qytetar privat, Senati duhet të hedhë poshtë nenin e shkarkimit (impeachment) kundër tij për mungesë juridiksioni. Kushtetuta është e qartë: “Presidenti. . . do të hiqet nga detyra për fajësimin. . . dhe bindje ”- jo me mbarimin e mandatit të tij para se të përfundojë procesi i shkarkimit, shkruante në një opinion në  WorldStreatJournal : The PoliticsandLawofTrump’sSecondImpeachment, avokati prof. i Havard-it  Alan M. Dershowitz.

Kushtetuta gjithashtu urdhëron që “gjykimi në rastet e shkarkimit nuk duhet të shtrihet më shumë sesa në shkarkimin edhe skualifikimin” – dhe jo ose vetëm skualifikimin.

Kur u shkrua Kushtetuta, disa shtete lejuan fajësimin e ish-zyrtarëve. Hartuesit e Kushtetutës, lehtësisht mund ta kishin përfshirë atë në dispozitë, por nuk e bënë. Ata gjithashtu zgjodhën shprehimisht të ndalonin praktikën britanike të gjykimit nga legjislatura – me përjashtim të vetëm shkarkimit  “impeachment “- dhe ” Billofattainder “, çdo akt legjislativ ndëshkues ndaj një personi të caktuar.  Ky i fundit, është një veprim i një ligjvënësi që deklaron një person, ose një grup personash, fajtorë për ndonjë krim, dhe i ndëshkon ata, shpeshherë  pa gjyq.

Gjykatat kanë vendosur që dënimet e ndaluara nga Klauzola e BillofAttainder përfshijnë skualifikimin nga mbajtja e detyrës zyrtare.  Për më tepër, Kushtetuta kërkon që Kryetari i Gjykatës duhet te kryesoje seancën “kur gjykohet presidenti i Shteteve të Bashkuara”.

A do të paraqitet në senat z Alito, Kryetari I Gjykatës së Lartë , duke e ditur se ky gjykim nuk ka bazë juridike?

Nëse ai nuk do të paraqitej atëherë do të kishim vetëm një paradë akuzash  nga demokratë dhe asgjë më shumë, të njëjtat me ato në Kongres,  pasi nuk do të kishte një votim nga Senati. Ku në kushtet e senatit me votat 50 me 50 vota e KamalaHarisdo të ishte vota decizive.Nga ana tjetër veprimet e dënueshme të mbështetësve të Trumpit nuk tregojnë për organizim të një grushti shteti. Grushti i shtetit nuk bëhet me ca “tifoza politikë të mjerë” të indoktrinuar nga rrjetet sociale apo qoftë edhe nga Quanon.

Trump fiton po të mos paraqitet në gjyq

Duke mos pranuar të paraqitej në gjyq Trump apo avokatët e tij  Senati do të përballej me problemin e dukshëm të mbajtjes së një gjykimi të një qytetari të  thjeshtë për të vendosur, sipas Nenit I, Seksioni 4, nëse ai “do të hiqet nga detyra” – pasi ai ta ketë lënë tashmë detyrën. Ky është një paradoks dhe vetëm një dëshirë politike e demokratëve dhe e frikës së tyre nga një kanditimimundshëmi pashprehur ende gojarisht, apo si ambicie nga Trump për t’u kandiduar për vitin 2024. Kjo drojë e demokratëve nga Trump ka marrë tashmë përmasa patologjike.

Senati mund të tregojë vetëpërmbajtje institucionale pavarësisht zemërimit të ligjshëm mbi fjalimin e Trump në 6 janar, para trazirave të Kapitolit. Kjo nuk është një çështje individuale, por një çështje institucionale, që duhet të ngrihet para çdo gjykimi. Çdo senator duhet të vendosë nëse një gjykim i tillë është kushtetues, para se të vendosë nëse një i akuzuar mund të hiqet në mënyrë retroaktive, për një krim të lartë apo kundërvajtje. Kjo është një çështje për të cilën njerëzit e arsyeshëm, mund të mos bien dakord.

Precedentët e paqartë

Asnjë ish zyrtar nuk është dënuar kurrë nga Senati, dhe vetëm një është fajësuar. Sekretari i Luftës William W. Belknapqë ishte një fajtor i padiskutueshëm për shkelje të shumta të pafalshme, për të cilat ai rrëfeu vetë, ndërsa dha dorëheqjen nga zyra e tij, disa orë para se Kongresi  unanimisht ta fajësonte atë në 1876. Por senati votoi në favor të një mocioni procedural, që konfirmon juridiksionin e tij për të gjykuar shkarkimin e Belknap-it.

Por dy duzina senatorësh që besuan se ai ishte fajtor, votuan për ta liruar nga akuza për arsye juridiksioni. Një votim i afro gati një shekull e gjysmë më parë nuk krijon një precedent të detyrueshëm. Një precedent më bindës është vendimi i Kongresit për të mos përjashtuar RichardNiksonin,pasi ai u largua nga detyra në 1974, për të shmangur fajësimin dhe me bindje caktuan, se nuk kishte asnjë mundësi lëvizjeje për të vazhduar procesin.

Precedenti i Belknap-it, me fjalë të tjera, ofron ushqim për të dyja palët e debatit, nëse Trump mbetet i prekshëm nga fajësimi. Mbështetësit e shkarkimit të Trump mund të tregojnë për faktin se shumica e Senatit votuan për të lejuar procedurat e shkarkimitqë të shkojnë përpara. Ndërkohë, kundërshtarët e shkarkimit të Trump mund të tregojnë për pafajësinë përfundimtare të Belknap dhe për faktin se një pakicë kritike e senatorëve besuan se një impeachment i Belknap ishte i paligjshëm.

Schumer nxiton, Biden s’kupton

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi akuzën javën e kaluar në përgjigje të sulmit vdekjeprurës në Kapitol nga mbështetësit e ish-presidentit Trump. “Ne duam ta mbyllim dhe ta lëmë pas këtë kapitull të tmerrshëm në historinë e vendit tonë. Por shërimi i plagëve dhe uniteti arrihen vetëm nëse ekziston e vërteta dhe llogaridhënia; këtë do ta ofrojë gjyqi,” tha zoti Schumer.

I pyetur lidhur me procesin për gjykimin e ish-presidentit Trump në Senat, zoti Biden nga ana e tij tha: “Nuk kam dëgjuar gjë për hollësitë akoma, por mendoj se nevojitet pak kohë që administrata jonë të vihet në punë. Dua të falënderoj Senatin që miratoi Sekretarin e Mbrojtjes. Duket se do të kemi edhe Sekretarët e Thesarit dhe të Shtetit. Sa më shumë kohë të kemi për të filluar punën në përgjigje të krizës, aq më mirë,” tha zoti Biden.

Rreziku i gjyqit për kabinetin e Bidenit

Si një tregues prove se cili mund të jetë qëndrimi i republikanëve në raport me planet e Presidentit Biden për të miratuar paketën e ndihmës mbi koronavirusin, investimet në infrastrukturë dhe rritjen e taksave. Shpresat e Presidentit Biden për të bërë përpara me shpejtësi me agjendën e tij legjislative dhe emërimet në kabinet pritet të ndërlikohen nga nisja e gjyqit në Senat ndaj ish-Presidentit Donald Trump në fillim të javës së ardhshme dhe mosmarrëveshjet dypartiake për çështje të ndryshme në një Senat të ndarë në mënyrë të barabartë.

Ka argumente të mirëbesimit për autoritetin kushtetues për të dhënë gjykim mbi akte të tilla dhe për të imponuar skualifikimin e ardhshëm nga zyra federale. Sidoqoftë, sipas kësaj teorie, çdo presidenti i mëparshëm mund të ndalohet të kandidojë përsëri nga ndryshimi i bilancit të forcave në Kongres. Impeachments mund të përdoren për të dhënë madje rezultate afatgjata ose favor të disa votuesve.Kështu sot disa republikanë mund tëkërkonin shkarkimin e Biden bazuar në akuzat e FBI për korrupsion të djalit të tij Hunter.

Nëse Senati vazhdon një gjyq pavarësisht nga mungesa e autoritetit kushtetues, Trump mund të rrijë i qetë në Mar-a-Lago dhe të premtojë të sfidojë çdo përpjekje për ta s’kualifikuar atë nga zyra e ardhshme. Në të vërtetë, llogaritja e gabuar politike mund të jetë më e madhe se llogaritja e gabuar kushtetuese. Shkuan konstitucoinalistiJonathanTurley në editorialin në FoxNews: “Trump impeachment trial – whyhisbestdefensemay be nodefense”.

Një gjyq me një tryezë të zbrazët, për mbrojtjen do të zmadhonte pikëpamjen e shumë njerëzve se ky është një ushtrim jo i duhur i presionit politik ose, në minimum, i panevojshëm. Për më tepër, nëse një gjykatë do ta shpallte gjyqin më vonë jo kushtetues, kjo do të shihej si një justifikim i Trump, i cili ka thënë prej kohësh që institucionet e Uashingtonit e kanë përdorur çdo mjet për ta shkarkuar atë nga detyra. Nëse një përpjekje për të ndaluar kandidaturën e tij në 2024 do të dështonte në gjykata, atëherë kjo mund të ringjallë pozitën e tij, e cila aktualisht është në një minimum të ulët  miratimi të të gjitha kohërave. Përtej kushtetutës, ka arsye të forta politike dhe historike që një administratë e ardhshme, nuk duhet të kërkojë akuza ndaj paraardhësit të saj. Në disa vende ish-presidentët dhe kryeministrat e mundur ndiqen rregullisht.

Precedenti Nikson

Nëse Senati zgjedh ta dënojë Trump dhe ta s’ kualifikojë atë nga detyra, gjykatat do tëduhej t’i nënshtrohen këtij vendimi si për ish- Presidentin Nikson. Në mënyrë domethënëse, mendimi i Gjykatës nuk do të thotë se argumentet ligjore përNiksoninnëse Trump është apo jo i prekshëm nga fajësimi janë të parëndësishme. Thjesht do të thotë se i takon secilit senator të vendosë vetë, nëse Kushtetuta lejon që Trump të dënohet dhe gjykatat, nuk duhet t’i marrin me mend ato vendime. 

Demokratët dhe paranoja Trump

Nga ana tjetër po rriten shqetësimet edhe nga vetëdemokratëtnë lidhje me shkarkimin e Trumpit, pasi ditët e para të presidencës së Biden do tëmund të konsumohen nga një mori çështjesh anësore që mund të vonojnë emërimet e Kabinetit të tij dhe, më e rëndësishmja, çdo lloj fitore legjislative. Kur një pjesë e urdhrave administrativë që ai mori ishin agjendë e politikave të krahut radikal të partisë duan miratimin e kongresit, gjë që do të  bënte dëshirën për politika bipartizanetë Bidenit të tingëllonte thjesht hipokrizi. Asnjë çështje nuk është shfaqur si një pengesë më e madhe, sesa gjyqi i shkarkimittë ish-presidentit Donald Trump.

Ka kaq shumë arsye të mira për të dalë kundër Donald Trump gjatë gjyqit të tij të dytë për fajësimin, saqë do të ishte turp ta bëje këtë, për një vërtet të keqe: për ta mbajtur ish-presidentin e turpëruar nga përballja me votuesit e kombit mendojnë disa demokratë. “Një nga qëllimet e tjera të shkarkimit në këtë rast është të sigurohemi që Presidenti Trump nuk është në gjendje të kandidojë përsëri për zyrë federale, se ai nuk është në gjendje të kërkojë presidencën,” tha Përf. Joakin Kastro, D-Texas, gjatë një paraqitje të fundit në televizion.

Pavarësisht nëse duhet një shumicë prej dy të tretave të Senatit Amerikan që tëvotojë për të dënuar Trump, mund të duhet një votim i dytë, i veçantë, i vendosur me një shumicë të thjeshtë votash, për ta ndaluar atë të mbajë ndonjë zyrë të ardhshme, por kjo ështënjë gambit juridik për demokratët, dhe mund të shihet si fitore partiake por do tëtejhuazonte74 milionëamerikanëtqë votuan pro Trumpit.

Sado që demokratët dëshirojnë të ndëshkojnë Trumpin për inkurajimin e mbështetësve të tij për të zbritur në Kapitol, disa demokratë shprehen të hidhëruar për idenë, për të vënë në pritje punët në ditët e para të Biden për një burrë tashmë të larguar nga Zyra Ovale.

 “Unë dua të përqendroj sa më shumë vëmendjen tani në agjendën e Biden sa më shumë që të jetë e mundur dhe të minimizoj vëmendjen për çdo gjë tjetër përveç agjendës së Bidenit,” tha senatori Tim Kaine (D-Va.), I nominuari për nënkryetar i partisë së tij më 2016. Ai do të preferonte ta ndëshkonte Trump me legjislacion për ta ndaluar atë nga mbajtja e detyrës në të ardhmen. “Kjo do të na jepte më shumë kohë për t’u përqendruar në gjërat që janë më të rëndësishme për publikun,” u tha Kaine gazetarëve të premten.

Pelosi dhe Schumer kanë vendosur një afat kohor që do të lejojë që postet më kritike të Kabinetit të plotësoheshin, por me pak shanse për fitore thelbësore, që dalin nga Kongresi. Biden ka lëshuar më shumë se dy duzina urdhrash ekzekutivë, disa që përmbysin vendimet e diskutueshme nga Trump, por asgjë me fuqinë e plotë të një ligji aktual. Kjo do ta dëmtontedefinitivishtpresidencën Biden.

 “Por edhe nëse vetëm demokratët, të cilët kontrollojnë të dy dhomat e Kongresit, kanë fuqinë për t’i dhënë fund ambicieve të ardhshme politike të Trump nuk do të thotë, se duhet. Përveç sfidave të pashmangshme ligjore, kjo do të ushqejë mentalitetin e viktimave gjë që e dëshirojnë Trump dhe ndjekësit e tij. Arsenali i tyre i gënjeshtrave do të zgjerohej për të përfshirë pretendimet se ai do të kishte fituar në njëmasë dërrmuese, vetëm sikur të ishte lejuar të kandidonte”. -thuhej nënjë opinion të një demokrati nëMiamiHerald.

Dënimi i Trump me çmim për vendin

Zoti Trump është i vetmi president amerikan ndaj të cilit janë ngritur akuza dy herë, dhe gjyqi i tij në Senat do të jetë i vetmi që ka ndodhur ndonjëherë pasi një president është larguar nga detyra. Senati mund të tregonte vetëpërmbajtje institucionale pavarësisht zemërimit të ligjshëm për fjalimin e Trump të 6 janarit para trazirave të Kapitolit. Trashëgimia e Trump tashmë përfshin dallimin e lavdishëm të dy fajësimeve. Senati nuk do të bënte gjë tjetër veçse ta minonte, atë trashëgimi të papërfillshme me një akt të diskutueshëm jashtëkushtetues. Dëshira për t’i shtuar këtë dënim të mëtejshëm Trump do të vinte me një çmim shumë të lartë për Kushtetutën për presidencën Biden dhe, në fund të fundit, për vendin.

Por Amerika ka jetuar më shumë në përputhje me mesazhin e Presidentit Linkolndrejtuar për Konfederatave që po mposhteshin së shpejti: “Pa keqdashje ndaj askujt, me bamirësi për të gjithë, me vendosmëri në të djathtë, pasi Zoti na jep të shohim të drejtën, le të përpiqemi për të përfunduar punën në të cilën jemi, për të lidhur plagët e kombit “.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjyqi i dytë, Rafael Floqi, Trump

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT