• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2021

KOSOVA FESTON DITEN E PAVARESISE

February 17, 2021 by dgreca

FSK-ja me ceremoni ushtarake shënoi 13-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës/

Në kazermën „Adem Jashari“ të FSK-së, në Prishtinë, sot u shënua me ceremoni ushtarake manifestimi qendror i shënimit të 13-të vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në ceremoni morën pjesë: UD. e presidentit, znj. Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, z. Abdullah Hoti, ministri i Mbrojtjes, z. Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretarja e përgjithshme e MM-së, znj. Rozafa Ukimeraj, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes, ambasadorët e QUINT-it, atashe të korit diplomatik, këshilltarë të NALT-it, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të FSK-së. 

U.D. e presidentit, znj. Vjosa Osmani, pasi përshëndeti të pranishmit tha: „Pavarësia e vendit nuk do të arrihej pa rezistencën qytetare të prirë nga presidenti Ibrahim Rugova, pa sakrificën sublime të djemve dhe vajzave të UÇK-së dhe komandantit Adem Jasharit me familje, por edhe të heronjve e dëshmorëve të tjerë të vendit, pa të cilët, liria do të mbetej vetëm ëndërr! Kjo nuk do të ishte e mundshme as pa kontributin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, ngase secili nga ta bëri diçka për ta vendosur një gur në projektin e pavarësisë së vendit! Ata guxuan, prandaj fituan”!   

                      

  Ajo pati edhe një falënderim të veçantë për aleatët të cilët ndihmuan në çlirimin e Kosovës. “U jemi përjetë mirënjohës NATO-s, SHBA-ve dhe Evropës, ngaqë pavarësia e vendit nuk mund të imagjinohej pa ndihmën e tyre”. Në fund, UD. znj. Osmani shprehi synimet e FSK-së dhe shtetit të Kosovës: “Forca e Sigurisë së Kosovës është ushtria më e re në botë dhe po kalon nëpër periudhën e tranzicionit 10-vjeçar. Por, gjatë gjithë kësaj kohe, FSK-ja krahas ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të veta, po punon edhe për realizimin e synimit strategjik të anëtarësimit në NATO. Shpresojmë dhe besojmë që në një të ardhme të afërt, ushtarët tanë do të jenë krahas atyre të NATO-s, kudo ku nevojë për ta mbrojtur paqen globale! Synim i vendit tonë është integrimi në bashkësinë e popujve evropianë”.      

Ndërsa, në fjalën e tij, kryeministri në detyrë, z. Abdullah Hoti, tha: „Përvjetorët janë momente të veçanta, për të kujtuar ata që sakrifikuan çdo gjë për realizimin e aspiratës shekullore për liri dhe pavarësi. Sot me shumë mirënjohje përkulemi para kontributit të të gjithë atyre që udhëhoqën rezistencën paqësore dhe ushtarake dhe para gjakut të dëshmorëve“.                                          

Më tej, kryeministri në detyrë, Hoti, shtoi se: “Ditët si këto, na sjellin në vëmendje vlerat më të larta të atdhedashurisë, që jetojnë në përjetësi. Ndërkohë, në ditët si këto ne marrim fuqinë dhe përkushtohemi për borxhin që iu kemi fëmijëve tanë që Kosovën ta bëjmë një vend të realizimit të ëndrrave të çdo të riu, çdo prindi e çdo gjyshi, çdo mësuesi, çdo artisti, çdo bujku dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës“.                                                                                                         

Ai tha se ende mbetët shumë punë për të realizuar aspiratën për integrime euroatlantike. „Edhe në këtë përvjetor, kujtimi dhe mirënjohja për kontributin e pashembullt na bëhen udhërrëfyes që na jep forcë për të ngritur flamurin e Kosovës përkrah vendeve më të fuqishme për të garantuar paqen dhe sigurinë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare“.                                                                

Manifestimi qendror u përmbyll me ekzekutimin artistik të Orkestrës Frymore të FSK-së.

Filed Under: Featured Tagged With: ceremoni, FSK, Pervjetori i Pavaresise

VATRA URON QYTETARËT E KOSOVËS PËR 13 VJETORIN E PAVARËSISË

February 16, 2021 by dgreca

Me rastin e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, në emër të Kryesisë, degëve dhe të gjithë vatranëve, uroj ushtrusen e detyrës së presidentes DR. Vjosa Osmani, qytetarët e Kosovës në vendlindje dhe në mërgim, liderët politik, dhe të gjithë shqiptarët: Gëzuar Pavarësinë e Kosovës! 

      Pavarësia e Kosovës e shpallur nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të saj me 17 Shkurt 2008, përfaqëson një ngjarje madhore në historinë e popullit shqiptar. 

         Në themelet e Pavarësisë është gjaku heronjëve dhe i dëshmorëve të lirisë, është sakrifica sublime e Adem Jasharit me familjen e martirizuar, është mendja dhe largapamësia e arkitektit të shtetit të pavarur të Kosovës presidenti historik dr. Ibrahim Rugova me bashkëpunëtorët e tij, është rezistenca e mbarë popullit martir të Kosovës, është kontributi i mërgatës në Europë dhe në SHBA, është kontributi i luftëtarëve të batalionit “Atlantiku” dhe gjaku i vëllezërit Bytyçi, që mbetën dëshmorë të lirisë, janë të pagjeturit e luftës. Le t’i kujtojmë me nderim e respekt të gjithë ata që dhuruan jetën për idealet e lirisë dhe sollën Pavarësinë.

     Për asnjë moment Kosova nuk duhet të harrojë miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa të cilën do të ishte e pamundur pavarësia dhe liria që gëzon sot Kosova. Të mos harrojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aletatët e tyre europianë, ishin mbështetës dhe udhëheqës të luftës, siç ishin dhe mbështetës të pavarësisë, e njohur deri më sot nga 117 shtete.
     Përshëndetja e Presidentit Joseph Biden me rastin e 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është një tregues tjetër i miqësisë dhe angzhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbetur partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës. Brenda rreshtave të letrës të presidentit, liderët e Kosovës dhe ekipi i ri qeveritar, duhet të gjejnë detyrat e shtëpisë për të sotmen dhe të nesërmen e Kosovës, për forcimin e shtetit, luftën kundër korrupsionit, uljen e varfërisë, rritjen e ekonomisë, thellimin e reformave, integrimin europian, bisedimet e vështira me Serbinë etj.

       Federata Panshqiptare e Amerikës ”VATRA” gjenë rast që të përcjellë me këtë rast përgëzimet më të mira për qytetarët e Kosovës, shtetin dhe klasën politike,Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për modelin demokratik që dhanë me 14 Shkurt, ditën e Zgjedhjeve, duke realizuar zgjedhje të qeta, të sakta, të pranushme nga të gjithë faktorët, një model për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Vatra dëshiron që të ruhen këto standarte demokratike, bashkëpunimi e mirëkuptimi edhe në krijimin dhe funksionimin e Kuvendit të ri, në krijimin e Qeverisë funksionale mbështetur në rezultatet e zgjedhjeve. Kosova nuk ka kohë për të humbur.

  Federata Panshqiptare e Amerikës” Vatra” uron z. Albin Kurti për fitoren në zgjedhjet e 14 Shkurtit dhe shpreson që ai të ndërtojë një qeveri bashkëpunuese, funksionale në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës.

        Vatra, ashtu siç bashkëpunoi me të gjitha qeveritë paraardhëse, si dhe me qeverinë e z. Avdullah Hoti, ku edhe nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës, shpreh gatishëmrinë e saj për bashkëpunim edhe me Qeverinë e tij.

Gëzuar Pavarësia e Kosovës!

ELMI BERISHA

KRYETAR I FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS ”VATRA”

New York, 17 Shkurt, 2021  

Filed Under: Featured Tagged With: 13 Vjet Pavaresi, Elmi Berisha, Urim

SERBIA I KA NDEZUR MOTORAT E LOBIMIT NË WASHINGTON

February 16, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli*/ Ka disa vite tashti që jam përpjekur të paralajmëroj për situatën në të cilin gjëndet sot, si komuniteti shqiptaro-amerikan ashtu edhe dy shtete shqiptare, përsa i përket lobizmit në Washington, në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.  Janë dy ngjarje të kohëve të fundit që e dramatizojnë këtë situatë edhe mëtej dhe bëjnë thirrje për veprim: njëra është largimi, Janarin që kaloi nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, i njërit prej mbështetësve më të mëdhej dhe më të fundit të Kosovës, të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, ish-kongresmeni Eliot Engel, pas pothuaj tri dekadash në detyrë, duke pasur parasyshë se pothuaj asnjë nga mbështetsit e mëdhej të shqiptarëve dikurë në Kongresin amerikan, nuk janë më aty. Tjetra ka të bëjë me shtimin, kohët e fundit, të përpjekjeve lobiste të Serbisë në Washington dhe anë e mbanë Amerikës – e cila i sheh ndryshimet politike në kryeqytetin amerikan dhe humbjen e influencës së shqiptarëve, sidomos gjatë 10-15 viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara, si një rast të volitshëm për të plotësuar, si të thuash, këtë hapësirë të zbrazët ndikimi në Amerikë sa i përket Ballkanit Perëndimor – ndërsa politikanët shqiptarë i kanë zenë ethet e zgjedhjeve dhe nuk duan të dinë se çfarë po ndodhë në rajon dhe në botë, përtej interesave të tyre personale dhe partiake — me të vetmin qëllim të ekzistencës së tyre politike dhe ruajtjes së pushtetit të tyre personal dhe të partive që ata përfaqësojnë.  

Komuniteti shqiptaro-amerikan bëri histori me lobizmin e mirë- organizuar gjatë luftës së ftohtë e veçanërisht gjatë luftës në Kosovë dhe ish-Jugosllavi — ndërsa shquhej si një prej forcave lobiste më të fuqishme në Washington, në një periudhë prej tre dekadash. Gjatë 10-15 viteve të fundit, me përjashtim të ndonjë individi aty këtu që mban kontakte personale me ndonjë antarë të Kongresit nga shteti ku jetojnë shqiptarët, nuk ka pasur ndonjë organizim as përqendrim serioz të vëmendjes për lobizëm në interes të çështjeve shqiptare në Shtetet e Bashkuara.  Një lajm i mirë i kohëve të fundit, përsa i përket kësaj teme, është krijimi i një organizate të re lobizmi nga komuniteti shqiptaro-amerikan, i quajtur Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA).  Një grup veprimtarësh shqiptaro-amerikanë, themelues të këtij kongresi, janë shprehur se, “KPA-ja është themeluar me qëllim që të promovojë vlerat dhe interesat e shqiptarëve dhe të amerikanëve, të përkrahë parimet demokratike dhe të mbrojë identitetin e shqiptarëve, sot dhe për brezat që vijnë”, thuhej në njoftimin për media.  Ata kanë premtuar gjithashtu se do të bashkëpunojnë me të gjitha organizatat ekzistuese shqiptaro-amerikane siç janë Federata Pan-Shqiptare Vatra, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Gazeta Illyria dhe Gazeta Dielli dhe organizata të tjera përfaqësuese të komunitetit në New York, Detroit, Dallas, Chicago, etj.  Ndonëse është në fazën fillestare të organizimit, KPA-së i urojmë sukses në këtë ndërmarrje fisnike.

Lobimi, siç dihet, është një ushtrim ligjor politik për influencë në Shtetet e Bashkuara që kontrollohet me ligj e që komuniteti shqiptaro-amerikan ka ditur ta përdor dhe të përfitojë në raste kur Kombi kishte më shumëse kurrë nevojë për ndihmën politike dhe ushtarake amerikane.  Deri më sot, fatkeqësisht, komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos nga pikëpamja organizative këto 10-15 vitet e fundit ishte më tepër si një spektator, pothuaj indiferent, ndaj zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse kështu duket se i konvenonte klasës aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë, megjithë zhurmën e madhe të tyre për bashkpunim me diasporën.  Krijimi me bujë të madhe i ministrive të diasporës disa vite më parë në Tiranë, Prishtinë e Shkup – në vend që të organizonte dhe të bashkrendonte veprimtaritë e emigrantëve shqiptarë në interes të çështjeve kombëtare, sidomos në botën perëndimore, në të vërtetë, duket se politikisht e ka çangazhuar, diasporën – diçka që më duket se vetëm tashti e kanë kuptuar diasporat shqiptare në perëndim.

Ndërkaq, shikoni se ç’po ndodhë muajt e fundit këtu në Shtetet e Bashkuara.  Shteti agresor Serbia, ka ndërmarrë një fushatë të re lobimi në Washington, sikurë do të përfitojë nga mungesa e veprimtarisë së shqiptarëve në këtë fushë.  Serbia nuk do ta ketë lehtë me administratën e re të Presidentit Joe Biden, i cili e di mirë historinë e konflikteve të fund viteve të shekullit të kaluar – dhe e cila e dallon mirë kush është agresori e kush janë viktimat e këtij agresori, sidomos në rastin e Kosovës.  Por, me një realitet të ri politik në Washington — me një administratë të re amerikane e që nuk pritet të jetë tepër miqësore ndaj Serbisë, duket se Beogradi zyrtar ka vendosur të shikojë nga e ardhmja sa u përket marrëdhënieve me Amerikën, pa u larguar asnjë centimetër nga qendrimet e tija anti-shqiptare në përgjithësi dhe kundër pavarësisë dhe njohjes së shtetit të Kosovës, në veçanti, duke i kushtuar këtij misioni lobues serb në Washington burime të mëdha njerëzore dhe financiare. 

Ndër masat e fundit që ka ndërmarrë Serbia për të shtuar influencën e saj politike dhe ekonomike, me qëllim të vendosjes së lidhjeve më të ngushta me Shtetet e Bashkuara janë disa multi-dimensionale, sipas një numri burimesh serbe dhe ndërkombëtare: Serbia ka blerë një ambasadë të re të madhe, simbol i një investimi të ri politik dhe ekonomik në Shtetet e Bashkuara, me një ambasador të ri, njërin prej bashkpuntorëve më të ngushtë të Aleksandë Vuçiqit dhe ish-Drejtor i Zyrës së Kosovës në qeverinë serbe nga viti 2013 deri në tetor të vitit 2020, Marko Gjuriq, i njohur mirë nga bashkbiseduesit shqiptarë në Prishtinë.  Ndër masat e fushatës së re diplomatike dhe ekonomike të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, përfshihet edhe hapja e zyrave të reja tregtare dhe konsullore, ndërkohë që Beogradi kërkon të shtojë lidhjet edhe me industrinë teknologjike amerikane, duke shpresuar edhe për një bashkpunim më të madh madje edhe në fushën ushtarake.  Një prej masave të kësaj fushate të re diplomatike të Serbisë është edhe rivendosja e lidhjeve më të ngushta me diasporën serbe në Amerikë. Si pjesë e kësaj fushate lobiste serbe në Shtetet e Bashkuara, sipas disa burimeve mediatike, personeli i ambasadës së Serbisë në Washington është rritur me 50%.  

Nuk është aspak e rastit që Vuçiqi ka dërguar si ambasador të Serbisë në Washington, Marko Gujriqin, njeriun e besueshëm të tij, i cili ka kryesuar Zyrën e qverisë serbe, përgjegjëse për Kosovën, për një periudhë prej pothuaj 10-vjetësh.  Për fat të mirë të Kosovës dhe për interesat shqiptare në përgjithësi — ambsadorit të ri të Serbisë në Washington dhe bashkpuntorëve të tij, do t’i duhet të përballet me administratën më mirë të informuar, ndoshta në histori, mbi çështjet e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi dhe mbi Kosovën, në veçanti. Sidomos duke marrë në konsideratë thirrjen e disa ditëve më parë të Presidentit Biden që Serbia të punojë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Kosovën, duke u përqendëruar në njohjen e ndërsjellët, diçka që Serbia deri tani është shprehur kategorikisht kundër.

Absolutisht, megjithë fushatën e re diplomatike serbe, ambasadori i ri i Serbisë në Washington, Marko Gjuriq nuk do t’a ketë të lehtë të bindë politikën amerikane se Serbia po ndryshon, sidomos, duke marrë parasyshë edhe lidhjet e ngushta historike dhe fetare të Serbisë me Rusinë, si dhe lidhjet ekonomike me Kinën komuniste, në rritje e sipër.  Por kjo nuk do të thotë – në asnjë kusht e në asnjë rrethanë – se komuniteti shqiptaro-amerikan duhet të vazhdojë të jetë vetëm një spektator ndaj zhvillimeve në rajon si edhe ndaj fushatës së re diplomatike dhe lobiste të Serbisë në Wshington – për të mos folur për rolin që do të duhej të luanin Tirana dhe Prishtina zyrtare, në bashkpunim dhe bashkrendim me njëra tjetrën. Deri më sot, një rol ky që, fatkeqësisht, nuk ekziston – as nuk duket të jetë një përparësi që mund të merret parasyshë në një të ardhme të afërt nga Shqipëria dhe Kosova në bashkpunim me njëra tjetrën dhe me diasporën për të bashkrenduar interesat kombëtare – afatshkurtëra dhe afatgjata — për tu mbrojtur, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Uroj që qeveria e re e Kosovës t’i marrë këto punë pak më seriozisht se në të kaluarën.

*Autori ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në Washington DC

Filed Under: Politike Tagged With: E LOBIMIT, Frank shkreli, I KA NDEZUR MOTORAT, NË WASHINGTON, Serbia

Biden mesazh Osmanit: SHBA-ja e gatshme të punojë me qeverinë e re

February 16, 2021 by dgreca

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara shprehin gatishmërinë për të punuar me qeverinë e re të Kosovës në rrugën e integrimit evropian.

“Ka ende shumë punë për të bërë, përfshirë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë e fokusuar në njohjen e ndërsjellë, që fuqizon sundimin të ligjit, përballjen me pandeminë dhe nxitjen e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhme të begatë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën të cilën presidenti Biden i ka dërguar ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17 shkurtit Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Në letër, presidenti Biden thekson se lidhjet mes njerëzve të të dyja vendeve mbeten të fuqishme, bazuar në angazhimin e përbashkët për zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës si një vend sovran, i pavarur, multietnik dhe demokratik.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës në këto përpjekje. Ndërkaq për mua personalisht, Kosova vazhdon të mbajë një vend të veçantë për familjen Biden, në shenjë respekti të kohës gjatë së cilës djali ynë i ndjerë Beau Biden punoi për ta siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letër.

Shtetet e Bashkuara janë ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sipas të dhënave, që nga viti 1999, Qeveria e SHBA-së ka investuar në Kosovë rreth 2 miliardë dollarë.

Më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trumpit për dialogun, Richard Grenell.

Pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Prishtina dhe Beogradi janë zotuar se do të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve, pavarësisht ndryshimit të administratës amerikane.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmëri nga të gjitha palët për të bërë kompromis.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, ndërsa janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Vjosa Osmani, President Biden, Urim

AMBASADORI AMERIKAN KOSNETT: URIME QYTETARËVE TË KOSOVËS!

February 16, 2021 by dgreca

Kosovë-Ambasadori Amerikan Kosnett uroi Albin Kurtin për fitoren në zgjedhje/PRISHTINË, 16 Shkurt 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, z. Philip S. Kosnett të shoqëruar nga këshilltarja e tij për çështje politike Amy Carnie, i priti sot në mëngjes në takim Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me anëtaren e kryesisë së Lëvizjes, Arbërie Nagavci, dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.

Ambasadori, z. Kosnett uroi kryetarin Kurti për fitoren në këto zgjedhje duke i dëshiruar sukses të mëtejmë. Ai uroi që nga ky proces sa më parë të kemi një qeveri e parlament funksional. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin dhe vizitën, dhe ndau bindjen që shumë shpejt do ta kemi qeverinë e re, dhe mundësinë për të bashkëpunuar për projekte konkrete që ndihmojnë shtetndërtimin demokratik, zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve tona, thekson njoftimi i Lëvizjes Vetëvendosje.

 AMBASADORI AMERIKAN KOSNETT: URIME QYTETARËVE TË KOSOVËS

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, uron  qytetarët e Kosovës për zgjedhjet parlamentare të zhvilluara të dielën e 14 Shkurtit 2021:

 “Urime qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë demonstruar përkushtim ndaj demokracisë dhe një vizion për të ardhmen. Amerika qëndron me Kosovën dhe ne shpresojmë të punojmë me qeverinë e re, sapo të formohet, në qëllimet e përbashkëta të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit”, ka shkrur ambasadori Kosnett në Twitter.

Filed Under: Kronike Tagged With: ambasadori amerikan, Kosnett, uron kurtin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT