• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

THAÇI NE HAGE-Mbrojtja: Specialja s’ka juridiksion për gjykimin e tij

March 16, 2021 by dgreca

Nga Shkumbin Ahmetxhekaj-*Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka dorëzuar në Dhomat e Specializuara dhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, disa mocionet e parakohshme, e ku në njërën prej tyre kërkohet heqja e aktakuzës ndaj Thaçit, për siç thuhet, “mungesë të juridiksionit”.

Sipas mbrojtjes, akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit e tejkalojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara pasi që “asnjë nga akuzat nuk kanë të bëjnë me pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës, të përpiluar nga senatori Dick Marty, për ‘trajtim johuman të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm me organet njerëzore në Kosovë’”.

Mbrojtja e Thaçit mbështetet në argumentet e saja se Dhomat e Specializuara janë themeluar për të zbardhur të vërtetën për akuzat e Dick Martyt.

“Debatet në Kuvendin e Kosovës për ndryshmet kushtetuese konfirmojnë se qëllimi ishte që të kufizohej juridiksioni i Dhomave të Specializuara, vetëm për pretendimet e raportit të Dick Martyt dhe që ky institucion të kishte mandat pesëvjeçar… Referenca për raportin e Dick Martyt në Kushtetutë nuk është thjesht ‘mbiemër’, por është qenësore për juridiksionin e saj”, thuhet në mocion.

Ndërkaq, në mocionin tjetër, që është deponuar, mbrojtja argumenton se Thaçit i janë shkelur të drejtat për një dëgjim të drejtë dhe të paanshëm publik si dhe për një gjykim të drejtë, brenda një kohe të arsyeshme. Andaj, ata kërkojnë nga gjyqtari i procedurës paraprake që ta lirojë Thaçin dhe të hedhë poshtë akuzat ndaj tij.

Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Pretendimet e palës mbrojtëse 

Në këtë mocion, pala mbrojtëse pretendon se Dhomat e Specializuara kanë ngritur aktakuzë pas përfundimit të afatit të përkohshëm pesëvjeçar, që sipas tyre ka përfunduar në gusht të vitit 2020.

“Mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në thelb ishte i thjesht. (Ish-kryeprokurorja e Tribunalit në Hagë, Carla) Del Ponte kishte folur për trafik organesh, të cilat u konfirmuan me entuziazëm nga raporti i Martyt. Ky raport ishte shkas për hetimin e Task-Forcës speciale hetuese”, thuhet në mocionin e palës mbrojtëse, të cilët thonë se edhe vetë prokurori, që hetoi pretendimet e Martyt, Clint Williamson në gjetjet e tij, nuk kishte gjetur dëshmi të mjaftueshme për “trafikim organesh”.

“Përkundrazi, aktakuza nuk i referohet krimit të organizuar në Kosovë ose diku tjetër. Në këtë aktakuzë, Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk po ndjek penalisht krimet e pretenduara në raportin e Dick Martyt, por po ndjek një çështje tjetër, e cila, për arsyet e përcaktuara më sipër, nuk ka as juridiksion as autoritet për ta bërë këtë”, shtohet në mocion.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.(Evropa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: mbrojtja, Thaçi ne Hage

GJENIA SHKODRANE NË LIBRIN E XHAHID BUSHATIT PËR TEATRIN ‘MIGJENI

March 16, 2021 by dgreca

Shënime nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

Një dhuratë tejet e çmuar për mua nga Shkodra në javët e para të këtij viti – libri “Teatri ‘Migjeni’, kujtesa e një qyteti” (Biografi, role, intervista, kujtime, biseda, dëshmi, dorëshkrime, ditare, letra, arkiv.. etj.).

Autori i librit Xhahid Bushati, miku im i hershëm që nga fillimi i viteve ’70, është shkrimtar shumë i njohur, me dhjetëra libra të botuar të letërsisë për fëmijë të të gjitha moshave dhe me shumë libra për të rritur, lëvrues i shquar i poezisë, i përrallës, i tregimeve, novelave, pjesëve për kukulla, fitues çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare, i botuar në revistat e specializuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mal të Zi, pjesëmarrës aktiv dhe i vlerësuar në panairet shqiptare të librit, me rol të rëndësishëm në funksione drejtuese në Shoqatën e pavarur të shkrimtarëve shqiptarë të letërsisë për fëmijë e të rinj. Ai është mësimdhënës që nga mesi i viteve ’70, fillimisht në malësitë e Kukësit, më pas në malësitë e Veriut dhe në qytetin e lindjes, pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, kritik dhe studiues serioz i letërsisë, njeri dhe artist me interesa shumë të gjera dhe me pasion e dashuri të mëkuar qëkur ka lindur për Shkodrën e tij, qytetin tonë të përjetshëm.

XHAHID BUSHATI

Që nga mesi i viteve ’80, pas specializimit pasuniversitar në Universitetin e Tiranës, Xhahid Bushati u muar për 15 vjet me gazetari kulturore në Radio Shkodra. Këtu zuri fill edhe libri për Teatrin “Migjeni”, i cili ia mori autorit të tij 31 vjet punë.

Pa të gjitha cilësitë dhe përvojat e mësipërme vështirë të mund të përfytyrohej poetika e kujtesës së qytetit, e përbërë nga jetëshkrime aktorësh, burime arkivore, koleksione gazetash dhe revistash, dëshmi kolegësh, dorëshkrime të vetë aktorëve, letra, intervista që i ka marrë autori i librit, nuk mund të kuptohej poetika e ngjizjes dhe krijimit të këtij libri, i cili përfshin dekada të tëra kujtese të disa brezave të artistëve shkodranë, nuk mund të kuptohet as poetika e leximit të këtij libri.

Teatër është një fjalë e greqishtes së vjetë që do të thotë “vend për të parë”, pra vend ku njerëzit shkonin e shkojnë për të parë jetën e tyre të shndërruar në art. Është hapësirë e shenjtë për aktorët. Është rreze rëntgen për shpirtin e kohës dhe të shoqërisë. Teoritë përkatëse e shikojnë si formë arti të së tashmes: ai ekziston vetëm në të tashmen, dhe menjëherë zhduket. Këtë përgjegjësi e kanë ndjerë edhe aktorët e mëdhenj të Shkodrës. “Në teatër çdo natë lind, rritet dhe vdes një vepër”, është një fjalë e urtë të cilën Bep Shiroka dhe kolegët e tij e kishin si refren të jetës. Prandaj për këtë formë të artit thonë edhe se është një realitet që ekziston vetëm në mendjen e publikut, për rrjedhojë vetëm në kujtesën e publikut.   Edhe Xhahid Bushati e shikon, me të drejtë, si kujtesë të qytetit të Shkodrës teatrin “Migjeni”.

37 emra që i dhanë kuptim më të plotë jetës shkodrane dhe gjenisë shkodrane

Janë 37 emra të mëdhenj pa të cilët Shkodra mijëravjeçare do të ishte e mangët, 37 emra që i dhanë kuptim më të plotë jetës shkodrane dhe gjenisë shkodrane në gjithë gjysmën e dytë të Shekullit XX dhe në gati krejt çerekun e parë të Shekullit XXI.

Xhahid Bushati, në librin e tij, i pari dhe deri tani i vetmi për Teatrin “Migjeni”, një libër që vetëm ai (siç do ta argumentojmë në këto shënime) mund ta shkruante, i ka sjellë këtu sipas rendit alfabetik. Këtij rregulli nuk i binden vetëm emrat Paulin Lacaj ( 28 prill 1914 – 14 janar 1976) dhe Fejzi Spahija. I pari është ai që mendoj se, po të mos mendojnë për historinë e teatrit themeluesit e saj, nuk do të ketë kush të mendojë. Dhe u bë edhe themelues i arkivit, ku ka gjetur lëndë edhe ky libër, ku mund të gjejnë lëndë të gjithë librat, të gjitha veprat e artit që do t’i kushtohen në veçanti këtij institucioni dhe në tërësi këtij qyteti që është djepi i kulturës sonë kombëtare. Lacaj e kuptonte se, me kohën, gjithçka që do të shqiptohej në skenën e teatrit, do të shuhej në eter dhe se ai arkiv do të ishte pavdekësia e teatrit. (“Për të e rëndësishme ishte çdo gjë: një telegram, një ftesë teatri, një pjesë, një shirit incizimi, data se kur është dhënë shfaqja, platforma e regjisorit…”) Autori i librit vë re një veçanti karakterizuese të Lacajt, gjithçka e shkruante me penë. Megjithëse e zotëronte makinën e shkrimit, ai parapëlqente bukurshkrimin e tij, atij ia besonte jetëgjatësinë arkivit, joshjen ndaj studiuesve që do të interesohen për historinë e teatrit. Në fakt, Lacaj çonte më tej traditën e skribëve, shkruesve të saktë e të bukur të teksteve, pa të cilët deri vonë as që mund përfytyrohej asnjë burokraci. Nga kjo trashëgimi, autori i librit, ka shkëputur një faqe shembullore, atë të organikës së parë, mbi bazën e vendimit të Këshillit të Ministrave, datë 24 nëntor 1949, mbi themelimin e teatrit profesionist të Shkodrës, i cili hynte në fuqi më 1 dhjetor 1949.

I dyti, Fejzi Spahija, aktor dhe më vonë drejtor i insitucionit, mendon dhe punon për pavdekësinë e teatrit në një mënyrë tjetër, ai shkruan ditar.  Në libër vijnë fletë ditari nga vitet 1960-1961, shumë të rëndësishme për rritjen profesioniste të institucionit. Ndër të tjera janë penelatat brilante për përcjelljen që ia bëri Shkodra piktorit Simon Rrota, i ndarë nga jeta me 28 janar 1961 dhe eklipsit të diellit të 15 shkurtit të atij viti.

Pa i periodizuar, thjesht mbi kritere enciklopedike, sipas renditjes alfabetike, vijnë 35 emrat e tjerë të mëdhenj: Adem Kastrati (13 shkurt 1909 – 14 qershor 1972), Andrea Skanjeti (21 gusht 1906 – 29 nëntor 1992), Antoneta Fishta (22 janar 1922 – 26 tetor 2006), Athanas (Tano) Banushi (4 shkurt 1927 – , Bep Shiroka (25 shtator 1933 – 1 korrik 2010), Çezarina Çiftja (26 shkurt 1927 – 16 maj 2008), Esat Oktrova (28 prill 1930 – 21 mars 2001), Fadil Kraja (1931), Fatbardh (Bardh) Smaja (2 shtator 1956 – shtator 2016), Gjosho Vasia (28 tetor 1931 – 31 dhjetor 2019), Hajrije Sula, Hasan Smaja (25 korrik 1922 – 23 korrik 1997), Jolanda (Landi) Shala (14 maj 1947 – 22 nëntor 1984), Julka Kakarriqi, Justina Alia, Lec Bushati (10 korrik 1923 – 16 shtator 1996) , Lec Fishta (5 mars 1920 – 4 korrik 1995), Lec Shllaku (3 nëntor 1921 – 4 gusht 2007), Mirjam Bruçeti (15 mars 1949 – , Ndrek Prela (13 mars 1920 – 14 nëntor 2011), Ndoc Deda ( – 22 shkurt 1983) , Nefail Piraniqi (18 mars 1940 – 8 shkurt 1996), Paulin Preka (2 shkurt 1935 – , Pjetër Deda, Pjetër Gjoka (2 gusht 1912 – 12 maj 1982), Preng Lëkunda (6 korrik 1921 – 3 mars 1968), Ramiz Rama (9 nëntor 1911 – 3 korrik 2015), Roza Xhuxha (Anagnosti) (27 tetor 1943) , Serafin Fanko (24 maj 1937 – 29 nëntor 2017), Tefë Krroqi (28 shtator 1924 – 1 dhjetor 1995), Tinka Kurti (17 dhjetor 1932), Violeta Sekuj, Zef Deda (27 korrik 1950), Zef Jubani (2 dhjetor 1910 – 1 dhjetor 1958), Zyliha Miloti (11 janar 1946).

Janë të gjithë zëra enciklopedikë, ku kërkohet që dijetari të bëhet një me artistin e fjalës, stili shkrimor dituror të bëhet një me stilin letrar, çka këtu është arritur më së miri.

Janë të gjithë emra që i zgjojnë nostalgji një brezi më të hershëm se ne, brezit tonë, si dhe brezave pas nesh. Shumë prej tyre kam pasur fatin t’i ndjek në skenën e teatrit “Migjeni” në periudhën time të shkurtër studimore në Shkodër, ndonjë prej tyre edhe e kam takuar e njohur më nga afër në mjediset kulturore shkodrane, më vonë edhe në mjedise të kryeqytetit. I kam ndjekur gjithnjë në emisionet “Teatri në mikrofon” apo “Teatri në ekran” të asaj kohe. Disa prej tyre edhe në filmat që ata kanë luajtur. Shumë nga ata që nuk kam pasur si t’i njoh as t’i shoh, kishin filluar jetën e tyre të dytë, të shndërruar në legjendë, në Shkodrën e tyre. Nga yje tokësorë ishin shndërruar tashmë në yje qiellorë. Nga yje të përditshmërisë shkodrane ishin shndërruar në yje të qiellit të përjetësisë së artit shkodran dhe atij kombëtar.

Nga këndi i një admiruesi të përkushtuar, aq më tepër i një bashkëqytetari, i një njohësi të afërt, nganjëherë edhe shoqëror e familjar, si dhe të një hulmtuesi të zellshëm e të palodhur iu është qasur Xhahidi, i cili ka pasur fatin e veçantë, të privilegjuar, se është lindur e rritur me artin e tyre. Pa këtë përmasë që e përshkon tejendanë librin, vështirë se do t’ia arrinte të sillte jetën 70 vjeçare të Teatrit “Migjeni”, të përbërë nga jetë dhe vepra të të gjithë atyre 37 emrave, të denjë secili për romane më vete.

Kjo jetë 70 vjeçare ka një parajetë që daton, për skenën teatrore, që nga viti 1880, me lindjen e artit amator, por edhe në karnavalet të cilat askund nuk ishin më të bukura se në Shkodër derisa i ndaluan më 1967, prej ku degëzohen teatri dhe humori, të pasuara në estradën, në dramën dhe në komedinë, prej ku degëzohen arti muzikor dhe artet e lojës skenike, derisa pikërisht në Teatrin “Migjeni” do të luhej opera e parë shqiptare, “Mrika”.

Lexuesit i është lehtësuar gjithçka që, nëpërmjet renditjes alfabetike, të bëjë vetë renditje të tjera sipas rrafshesh të ndryshme që libri i ngërthen thellë vetes. Sipas kësaj poetike, do të kishim disa nën-ndarje të emrave të mëdhenj të teatrit shkodra, si (1) jetë të ndërprera (2) talente të ndërprera (3) jetë dhe talente të mbijetuara (4) jetë dhe talente të përmbushura. Në mënyrë të përmbysur do të kishim ata që patën fat në jetë dhe në karrierë, ata që patën peripeci në jetë dhe në karrierë, ata që nuk patën fat të bënin karrierë dhe ata që nuk patën fat të jetonin.

Në kohën tonë qarkullonte shpesh e kudo thënia e Gorkit se rruga e artit është e shtruar me gozhdë.  Për artin skenik në Shkodër majat e gozhdëve ndoshta ishin më të mprehta se kudo tjetër. Artistët e skenës përballeshin me luftën e klasave në shoqëri e në arte, me biografitë e tyre, me sfidat e rritjes artistike, deri me sfidat e jetës së tyre të përditshme.

Vdekjet engjëllore në Teatrin “Migjeni”

Jetë dhe karrierë e ndërprerë është Zef Jubani, sinonim i vetë Teatrit. Në moshën 48 vjeçare, në kulmin e tij artistik, Zefi vendosi të mos e dërgojë shpirtin e tij në qiell, por ta mbajë brenda atyre mureve, ku kishte jehuar edhe zëri i tij. Me biletën në xhep për të parë operën e Prenk Jakovës, papritur e pakujtuar, ai, në krahët e shokëve pushon së jetuari dhe nis përjetësinë e tij. Deri atëherë ka realizuar 40 role, secili më kryevepër se tjetri. I mbeten pa luajtur edhe dhjetëra role të tjera. Vdekja e tij është ëngjëllore.  Xhahid Bushati nuk ka pasur si të takohet, si të njihet, si të bisedojë me Zefin, por arrin të takohet me jetën e Zefit, të njihet e të bisedojë me të nëpërmjet kujtimeve të Tinka Kurtit, Ymer Balës, Ndrekë Prelës, Violeta Sekujt, Bep Shirokës, Antoneta Fishtës, Lec Bushatit, Dionis Bubanit, Xhemal Brojës. Xhahidi i drejtohet metaforikisht Jubanit: “Këto kujtime i mblodha siç mblidhen xixëllonjat, por nëpër vite.”

Në të njëjtën mënyrë Xhahidi rindërton jetën Pjetër Dedës, babait të aktorit Zef Deda, atij që ndërtoi traditën e skenografisë në Teatër, i larguar këso bote në moshën 36 vjeçare. Xixëllonjat e kujtimeve tregojnë se ishte një vizatues i pashoq. Ishte i vetmi që u ndodh pranë Gjergj Fishtës në çastin e vdekjes dhe e përjetësoi atë moment me laps e letër. I tij, në laps e letër, është edhe portreti më i njohur i Mjedës. Ai është rritur jetim, është nga një familje e varfër brez pas brezi. Dhe pas vetes lë, po ashtu, fëmijë të varfër e jetimë. Edhe vdekja e tij është ëngjëllore.

Në një tjetër dritë, tashmë intime, sjell autori Nefail Piraniqin, mikun e tij të ngushtë, me shumë miq të përbashkët, të cilit vdekja ia ndërpreu jetën dhe karrierën në moshën 56 vjeçare. Është një tjetër vdekje engjëllore në Teatrin Migjeni.

Jetë dhe karrierë e ndërprerë dhimbshëm dhe trishtueshëm, në moshën 29 vjeçare, është Çezarina Çiftja, aktorja e parë e profesioniste e teatrit “Migjeni”, së cilës teksa bisedon me autorin e librit, i shpëton një lot “mbi faqen e mplakur…”. Një jetë dhe karrierë e ndërprerë, një poemë tragjike, një dhimbje që për Shkodrën, qytetin më artdashës në botë, nuk ka të shuar as të mbaruar kurrë është Jolanda Shala. Në kapitullin e saj, Xhahid Bushati shpalos poetin më shumë se në çdo kapitull tjetër të librit të tij: “Një jetë me ëndrra! Çelën në maj, u venitën dhe u thanë në nëntor. Një rriskë qielli mbushur me xixëllonja maji!” Më tej: “Fëmijëria e saj rrinte si pikë loti mbi qerpikun e njomë, pezull mbi faqen e brishtë. Prindërit i vdiqën herët.” Të papërsëritshme janë edhe portretet e prindërve të saj, Gasprit, babait violinist virtuoz, Marijes, këngëtares me zë të ëmbël të jareve shkodrane. Është edhe kjo një vdekja engjëllore në Teatrin “Migjeni”.

            Jetë dhe karrierë e ndërprerë është Preng Lëkunda, i larguar nga jeta në moshën 47 vjeçare, në kulmin e përkryerjes artistike në teatër dhe në fillimet e para në kinematografi, pas një sëmundje që e mori brenda ditës. Reklama e shfaqjes ku ai do të luante në mbrëmje, do të hiqej. Preng Lëkuda vdiq! Shfaqja nuk do të jepet. Shkodra mezi mban frymën. Është vdekje tjetër engjëllore në Teatrin “Migjeni”.

Ndërprerjet dramatike në Teatrin “Migjeni”

Karrierë e ndërprerë është Ndoc Deda, i ardhur edhe ai nga një mjerim i skajshëm familjar. E fillon jetën e teatrit 13 vjeç dhe ia ndërpresin kur ai është 44 vjeç. Më 8 maj 1951 kur ia vënë prangat dhe bën 8 vjet burg të rëndë në kampet e punës. Pas daljes nga burgu i kthehet jetës teatrore amatore, por kurrë asaj profesioniste.

Karrierë e ndërprerë, pa rikthim, për arsye biografike, është aktorja Hajrije Sula. Karrierë e ndërprerë dhe e mbijetuar është Justina Alia, e goditur pas Plenumit të IV-t për shkak të Festivalit të 11-të Këngës në Radiotelevizion.

Karrierë e ndërprerë është edhe Lec Bushati, epiku më i madh i skenës dhe ekranit shqiptar, i përballur pothuaj gjithnjë e tejet suksesshëm me role të mëdhenj. Zërin e tij shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë qëkur ai dubloi zërin e Skënderbeut në filmin sovjetik për Heroin tonë Kombëtar. Portreti i zëri të tij, që duket sikur e shqiptojnë grykat e maleve, është më harmonik se te kushdo tjetër me portretin fizik të njeriut. Lec Bushati e ndërpreu karrierën e tij në Paris, kur në sheshxhirimin e tij të fundit, pësoi krizë në zemër dhe iu nënshtrua një operacioni shumë të vështirë. Kështu që në njëzet ditët e fundit të jetës së tij Lec Bushati nuk i pa më skenat as sheshxhirimet.

Të gjithë këta emra janë sinonim i Teatrit “Migjeni”

Jetë dhe karrierë e përmbushur është Andrea Skanjeti, njëri ndër tre regjisorët (bashkë me Esat Oktrovën dhe Serafin Fankon) dhe njëri ndër tre dramaturgët (bashkë me Fadil Krajën dhe Serafin Fankon) që ka lënë përjetë vulën e tij në teatrin “Migjeni”. Skanjeti ka bërë mbi 300 regji në këtë teatër dhe plot të tjera në teatrin e kukullave, është vlerësuar gjithnjë nga kritika bashkëkohore dhe ka marrë titullin më të lartë të atëhershëm, Artist i Popullit. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Athanas (Tano Banushi), të cilin Xhahid Bushati e quan “univers aktoresk”. Ka dalë mbi 1000 herë në skenën e teatrit, ka realizuar mbi 1000 personazhe, në mënyrë brilante. Është aktori komik shqiptar me rrezatimin më të gjerë. Autori i librit nuk ka përtuar t’i shterojë të gjithë përfundimet e arritura nga njohësit më të thellë të artit të tij shumë kompleks dhe të sjellë edhe analizat e sintezat e tij. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Bep Shiroka aktor i roleve të mëdha në drama dhe komedi. Në më se 40 vjet karrierë ka luajtur 160 drama e komedi dhe në shumë filma. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Fadil Kraja, i cili ka në fondin e teatrit rreth 60 drama. Pa to, ky institucion nuk mund të kuptohet. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Hasan Smaja, me mbi 100 role në estradë, realizuar plot kolorit dhe dhe me larmi të pashoqe. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Ndrek Prela, nga 91 vjet 60 prej tyre në skenë dhe ekran, aktor i paharrueshëm i përkryerjes së të ashtuquajturave role të vogla. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Paulin Preka, tetë vite në teatrin e dramës dhe 37 vite në teatrin e estradës, duke realizuar mjeshtër me qindra personazhe. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Serafin Fanko si aktor, regjisor dhe dramaturg që solli përmasën moderne në teatrin e Shkodrës dhe me ndikim në teatrin e kinematografinë shqiptare. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Tinka Kurti, “interpretuesja rrezatuese, me një diapazon të gjerë aktorial në skenë dhe në kinematografi,” – siç e cilëson Xhahid Bushati. Jetë dhe karrierë e përmbushur është Zyliha Miloti me mbi 50 vjet në skenë. Të gjithë këta emra janë sinonim i Teatrit “Migjeni”.

            Aktorë shumëplanësh, artistë shumëtalentësh

Aktore shumëplanesh është Atoneta Fishta, e sukseshme rolet komike, dramatike dhe në kinematografi. Tano Banushi siç nënvizon Xhahid Bushati, “ishte aktor shumëplanësh. Dinte të luante tragjedinë, komedinë, skeçin, parodinë, vodevilin, farsën, intermexon etj.”.  E suksesshme në dramë e komedi është Mirjam Bruçeti. I suksesshëm në teatër e kinematografi është Ndrek Prela. Aktor i sukseshëm drame dhe humori është Paulin Preka. Aktor i sukseshsëm i dramës dhe komedisë është Ramiz Rama. E suksesshme në teatër dhe kinematografi është Tinka Kurti. Aktore e sukesshme e dramës dhe komedisë është Zyliha Miloti.

Artist shumëtalentësh e personalitet i shumanshëm është Andrea Skanjeti, “drejtor, regjisor, dramaturg, përkthyes, shkrimtar, filatelist, përgatitës fjalori…” Artisti Bep Shiroka tregonte se në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve nuk ishte pranuar si aktor, por si piktor. Me pikturë ka vazhduar të merret gjithë jetën. Ka marrë pjesë në ekspozitat e arteve figurative në Shkodër 25 vjet rresht. . Ishte edhe fotograf. Përveçse aktor i suksesshëm i dramës dhe komedisë, ai është autor i 30 skenografive në teatrin “Migjeni”. Një pasion që e ka shoqëruar nga fëmijëria deri në fund të jetës është ai për kanarinat. Fatbardh Smaja ishte klarinetist i talentuar dhe piktor krahas kushtimit ndaj teatrit dhe televizionit. Gjosho Vasia “parodist e kupletist, aktor e imitues, këngëtar duet me kitarën e tij ‘besnike’”, madje edhe kompozitor e autor tekstesh të këngëve. I tillë është edhe Zef Deda. Kitarist e prestixhator, përveçse kupletist i pashoq është Hasan Smaja. Këngëtare, aktore shumplanëshe e teatrit dhe kinematografisë është Justina Alia. Nefail Piraniqi, krahas galerisë së roleve, ka lënë pas vetes edhe batuta pafund me humorin e tij karakteristik shkodran. Preng Lëkunda deri në fund të jetës krahas skalitjes së roleve u muar me skalitjen e vargjeve poetike. Serafin Fanko, regjisori i katërt i teatrit “Migjeni” është gjithashtu aktor, është dramaturg, është skenograf (ka bërë 18 skenografi të shfaqjeve të veta dhe të kolegëve), i shquar është edhe në Teatrin e Poezisë. Tefë Krroqi është aktor, iu përkushtua poezisë deri në fund të jetës. Shkroi dramë. U muar me përkthime dhe me punë botuese.

Xhahid Bushati e mrekullon lexuesin në çdo faqe të librit të tij duke u marrë në masën e duhur me çdo aspekt të lartpërmendur të 37 figurave të teatrit “Migjeni”. Dhe çdo lexues, në mënyrë të pavarur, mund të nxjerrë prej këndej përfundimin e tij se këta aktorë të mëdhenj, këta artistë të talentuar të Shkodrës dhe të kombit, para se të jenë të tillë, janë njerëz me botë të madhe.

Itinerare teatrore

7 nga të 37 emrat e mëdhenj të artit teatror shkodran nuk kanë lindur në Shkodër. Antoneta Fishta lindi në Vjenë, kur është 6 vjeçe dhe banon me familjen në Korfuz mbetet jetime nga nëna, kthehet në Shqipëri, ia kushton jetën dhe talentin Shkodrës, vdes në Itali. Esat Oktrova lind në Pogradec, mbaron studimet në Moskë, është regjisori i tretë i Teatrit “Migjeni”, për tetë vjet punë, krijon shkollën “Oktrova”, – siç nënvizon Xhahid Bushati. Me origjinë prej babait nga Shkodra, lind në Jugosllavi, në Korçola, Julka Kakarriqi, më 1928, kthehet në Shkodër, ku punon mësuese e pastaj aktore deri në pensionim. Ndrek Prela lindi në Tivar, 5 vjeç erdhi në Shkodër, më 1927 me familjen mërgojnë në Argjentinë, rikthehen në Shkodër, ku ai vdes në moshën 91 vjeçare, pasi ia kushtuar gjithë shekullin e tij. Pjetër Gjoka lindi në Ulqin, erdhi 2 vjeç në Shkodër, ku kaloi fëmijërinë dhe rininë. Jetën dhe karrierën i vazhdoi e i mbylli në Tiranë pa u shkëputur asnjëherë nga Shkodra dhe shkodraniteti i tij. Roza Xhuxha (Anagnosti) lindi më 1943 në Tiranë në një familje mirditore. Një vjeçe vjen në Shkodër ku transferohet babai oficer. Ka një karrierë të pasur në “Migjeni”, para se të vendoset në Tiranë. Tinka Kurti lindi në Sarajevë më 1932, në moshë të re vjen në Shkodër, ku arrin majat e karrierës. Aktorja e regjisorja Violeta Sekuj vjen me martesë në këtë qytet, të cilit ia kushton jetën dhe karrierën.

Është pothuaj rregull: emrat e mësipërm, me ndonjë përjashtim, kanë ardhur nga jeta tejet e gjallë amatore e qytetit, janë formuar në teatër dhe kanë krijuar secili shkollën e vet teatrore. Nuk janë të pakët ata që kanë ardhur nga një fushë krejt tjetër e jetës. Bep Shiroka është nisur për piktor dhe është bërë aktor. Fatbardh Smaja është nisur për muzikant dhe është shkolluar për këtë, pastaj e ka bërë për vete përfundimisht teatri. Edhe i ati Hasan Smaja e nisi jetën si muzikan me një orkestër të vogël popullore, si sportist me një skuadër futbolli. Paulin Preka e nisi jetën si mekanik, e vazhdon si marangoz, pastaj kalon në jetën amatore e profesioniste teatrore. Pjetër Gjoka  më 1933 është mbrojtës në ekipin e futbollit “Vllaznia”, më 1934 është kampion kombëtar dhe përfaqësues i vendit në Olimpiadën Ballkanike të Athinës në trehapësh dhe në stafetë. Është edhe muzikant, pjesëtar i bandës së qytetit në instrumentin e kornos. Në vitet ’30 është ndër  tenorët më të mirë të kohës, saqë Tefta Tashko Koço është e interesuar për një bursë për Konservator. Por pasioni për teatrin triumfon ndaj të gjitha pasioneve. Preng Lëkunda e nisi jetën si endacak nëpër çadrat e ciganëve, edhe pa bukën e gojës. Dhe nuk dihet si erdhi tek Teatri. Me fëmijëri tragjike është edhe Serafin Fanko. Ai niset për balerin. Madje në Asamblin e Ushtrisë. Largohet prej andej dhe merret me punë të tjera. Pastaj vjen shkollimi i lartë në vend dhe jashtë vendit për aktor. Zef Deda e nis jetën si tornitor në Vaun e Dejës, e zbulon Gjosho Vasija si artist dhe jeta e tij merr tjetër rrugë.

***

Djepi i kulturës sonë kombëtare, kryeqyteti antik ilir, qyteti shqiptar më iluminist, Shkodra kishte tri institucione me të cilat e sfidonte statusin e provincës: Institutin e Lartë Pedagogjik, Teatrin “Migjeni”, klubin “Vllaznia”.

Xhahid Bushati, me librin për teatrin “Migjeni” hedh dritë në një nga këto përmasa. Ndërkohë ai nuk ka pushuar dhe nuk pushon së kërkuari dhe së punuari për të ndriçuar në të gjitha përmasat gjeninë shkodrane.

Filed Under: Opinion Tagged With: Migjeni, Skender Buçpapaj, Teatri Migjeni, Xhahid Bushati

SHQIPTARO-GJERMANËT KRIJOJNË RRJETIN POLITIK

March 16, 2021 by dgreca

-Më 6 Mars 2021 u mbajt takimi i parë online për themelimin e “Rrjetit  Politik” shqiptar në Gjermani)-

Shkruan: Nue Oroshi-Gjermani/

Rrugëtimi i politikanëve shqiptar në Gjermani është i ri dhe nuk ka shumë kohë që e ka filluar veprimtarinë e tij.Ky rrugëtim tani ka filluar që të ecë në drejtim të mbarë falë angazhimit  të të rejave dhe të rinjve shqiptar që jetojnë,punojnë e veprojnë në Gjermani.Çdo herë dhe për çdo punë të re fillimi është i vështirë. Në këtë rast është i vështirë për arsyen se përkundër koncepteve të ndryshme politike në të cilat besojnë, ata duan të përqendrohen në qëllimet e tyre të përbashëkta për ta ndihmuar njëri –tjetrin në bazë të përvojës së krijuar.Në këtë rast rrjeti  politik shqiptaro-gjerman në Gjermani do të veprojë në të ardhmën në dy drejtime.Drejtimi i parë është integrimi i të rinjve dhe të rejave shqiptare në politikën gjermane në të gjitha vendet ku jetojnë dhe veprojnë,mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Gjermani në të gjitha lëmitë e jetës si dhe të ofrojë përkrahje për zhvillimin e politikave në trojet shqiptare, në mënyra të ndryshme.Takimi i mbajtur online përmes platformës Zoom më, 6 mars 2021 ishte një takim mbresëlënes, i cili na gëzoj të gjithëve.Edhe vetë mbeta i impresionuar nga të gjithë ato të reja dhe të rinj që janë  në politikën dhe në institucionet gjermane,por ata ishin vetëm një numër i konsiderushëm sepse kësaj iniciative politike në të ardhmën do t’i bashkohen edhe shumë të rinj dhe të reja që janë pjesë e organizatave të ndryshme politike në Gjermani.Në këtë rrjet politik do të marrin pjesë politikanët shqiptaro-gjerman nga të gjitha partitë demokratike gjermane siç janë: CDU (Bashkimi Demokristian), SPD (Partia Socialdemokrate),Grüne (Të Gjelbrit) dhe FDP (Partia e Lirë Demokratike).Ky takim u organizua me iniciativën e deputetit të Parlamentit të Hamburgut Sami Musa dhe veprimtarit Arbër Bytyqi.Në këtë takim morën pjesë 14 politikane,politikanë, si dhe zyrtarë dhe zyrtare që punojnë  në institucionet gjermane nga të gjitha pjesët e Gjermanisë dhe që kanë  prejardhje shqiptare.Këtu shkurtimisht po i japim vetëm emrat dhe një pjesë të funksioneve që kryejnë: 

1.      Sami Musa (SPD), deputet në (Landes) Parlamentin e Hamburgut (Hamburgische Bürgerschaft) ;

2.      Aneta Wolter Ahmati (CDU), Lübeck, Schleswig-Holstein, anëtare e Këshillit Bashkiak (Asamblese) të Lübeckut, anëtare e kryesisë së CDU-së në Lübeck, drejtuese politike aty për temat e migrimit dhe integrimit;

3.      Lenda Musliu (GRÜNE), Asambleiste në një komunë të  Munihut,përfaqësuese në Kreisverband (Beauftragte des Kreisverbands) për migrim, integrim, ekstremizem të djathtë, zhvillim të qytetit, banim, digjitalizim, mjedis etj. në Munih;

4.      Mevlyde Hyseni, Berlin & Prishtinë, ka përvojë 10-vjeçare si menaxhere e projekteve në fondacionin Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë. Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung është fondacion i afërt me Partinë Socialdemokrate Gjermane  (SPD), Mevlydja është doktorrante në Freie Universität Berlin;

5.      Dorieta Gjura (SPD), Berlin, këshilltare politike (Wiss. MA) e z. Christian Hochgrebe, anëtarit të Parlamentit të Berlinit (Abgeordnetenhaus) ,aktive në lobim për çështjet shqiptare ;

6.      Berat Arifi (SPD), asambleist (Stadtrat) i komunës se Gelsenkirchenit në NRW, pjesë e Komitetit (Ausschuss) për Kulturë dhe Arsim të Gelsenkirchenit, pjesë e Këshillit të Intregrimit (Integrationsrat) në Düsseldorf, NRW;

7.      Besnik Kelmendi (CDU), Essen, NRW, referent në Ministrinë e Puneve të Brendshme të NRW-se, anëtar i Këshillit për Integrim (Integrationsrat) në Essen, anëtar kryesie i CDU-së në Essen;

8.      Arbër Aliu (SPD), asambleist (Stadtrat) në Fröndenberg/Ruhr, NRW; udhëheqës i Komitetit (Ausschuss) për Kulturë, Turizem, Marketing dhe Binjakëzim të qyteteve (Städtepartnerschaft);

9.      Mimoza Sejdiu, politologe dhe referente në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë në repartin për Digjitalizim dhe Teknologji Informative në Berlin;

10.  Drivalda Delia, Berlin/Regensburg, hulumtuese dhe mësimdhënëse në Universitetin e Regensburgut, e interesuar ta zgjeroj angazhimin politik edhe në Gjermani (fokusi: drejtësia sociale);

11.  Ilir Aliu (CDU) nga Bonni, anëtar i CDU-së në Saarland;

12. Albana Tërstena (SPD), Saarland është administratore e zyrës së grupit parlamentar evropian të SPD-së (Europa-SPD) në Saarland (Regionalbüro Saarland).

13.  Elmedin Sopa (SPD), Berlin, vlerësues në grupin punues shtetëror (Beisitzer der Landesarbeitsgemeinschaft) “Migration und Vielfalt” (migracion dhe diversitet) të SPD-së dhe 

14.  Nue Oroshi (CDU), asambleist në Kiel, Schleswig-Holstein – mandati i dytë, pjesë e Komitetit (Ausschuss) për Financa, Shkolla dhe Sport, zëdhenës për politikat e migrimit në Kiel.

Në këtë takim morën pjesë edhe të rinjët dhe të rejat e posa anëtarërsuar në partitë politike gjermane dhe ato apo ata  që janë në prag të futjes në politikë siç janë:Arber Bytyqi, Nita Kama, Shqiponjë Rexha, Ardi Bello, Bilal Osmani, Kimete Petsch, Kaltrina Misini-Mani, Vesel Berisha, dhe Irjad Ajvazi. Përpjekjet e këtyre të rinjve dhe të rejave që ta ndihmojnë çështjen shqiptare qoftë në vendin ku jetojnë e veprojnë qoftë në vendet nga e kanë prejardhjen tregon qartë se këta të rinj dhe të reja vijnë nga familjet me prindër që kanë dhënë një kontribut kombëtar në bazë të mundësive që kanë pasur.Dhe derisa në vitet e nëntëdhjeta punuam me prindërit e këtyre të rinjve dhe të rejave dhe me shumë shqiptar të tjerë në mërgatë për Pavarsinë e Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve në Evropën juglindore duke organizuar demonstrata,protesta, mbledhur mjete materiale për përkrahjen e luftës në Kosovë dhe ndërtimin e shtetit të dytë shqiptar,në mendje më rrinë gjithë ata veprimtar nga mërgata shqiptare që nuk kursyen asgjë që ta ndimojnë shqiptarinë.

Meqë e kam fatin të punoj me dy gjenerata, tash me fëmijët e këtyre mërgimtarëve, dëshiroj t´iu shprehi një falënderim publik prindërve të këtyre të rejave dhe të rinjëve shqiptar në Gjermani, që edhe përkundër punëve të rënda dhe të vështira që punuan , ata ndërtuan familje të shëndosha.Tani falë talentit të këtyre të rejave dhe të rinjeve  ne shqiptarët në Gjermani po e fillojmë një organizim tjetër.Nese në të kaluarën shqiptarët vepruan jashtë institucioneve politike dhe qeveritare gjermane për ta bërë senzibilizimin për çështjen shqiptare dhe për çështjet e tyre, sot ata janëe tashmë pjesë e brendëshme e tyre. Dhe me këtë organizim fillon një etapë dhe nivel i ri i mirëorganizuar mbarëshqiptar brenda politikës dhe institucioneve gjermane me influencë brenda dhe jashtë vendit. Ne krijuam më në fund një zë dhe një lidhje të rëndësishme politike në Gjermani për çështjet shqiptare që deri tani kishte munguar” theksojnë me entuziazëm anëtarët e këtij rrjeti.

Filed Under: Politike Tagged With: Nue Oroshi-Rrjeti Politik, Shqiptare-Gjerman

KUJTOJMË FAIK BEJ KONICËN NË DITËN E LINDJES

March 15, 2021 by dgreca

15 MARS 1875- 2021: KUJTOJMË FAIK BEJ KONICËN NË DITËN E LINDJES/

FAIK KONICA- Kolosi i mendimit dhe letrave shqipe,mjeshtri i penës, kryeustai i Gjuhës shqipe, eseisti i shkëlqyer, stilisti i përkryer, themeluesi teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar i shquar politik me orientim perëndimor, zbulonjësi i Flamurit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Enciklopedia shëtitse, poligloti, publicist, diplomati i shkëlqyer, u lind me 15 Mars 1875 në Konicë me Kombësi Shqiptare. Për ta kujtuar sot në Ditën e Lindjes, kemi zgjedhur katër poezi të tij, vlerësimin e Imzot Nolit si dhe shuarjen e tij përmes fragmentit të shkëputur nga libri i studiuesit Ilir Ikonomi“Faik Konica, Jeta ne Uashington”….

DRIT’ E SHPIRTIT TIM

Drit’ e Shpirtit t’im,

Ki pakëz besim:

Se pa ty s’roj dot,

Jeta është kot.

Unë i mjeri heq,

Zëmra më rënkon:

Si s’të vjen keq,

Pse më mundon?

FITOVA MOJ ZEMBËR

Fitova, fitova, fitova, fitova, moj zembër

Ah mos derth më lot ah mos derth më lot

Nga zgjedhë e dashurisë shpëtova sot.

I flaktë i verbër gjer sot un’ i gjori,

E desha diallushen lumi mënt më mori,

Remës marësisht i shkoj tani koha,

Zjarri i dashurisë mu shua shpëtova.

Kur buz’ e saj qeshte zembra ndizej ,

Vështronjam pshertinja nga malli dot s’flisnje,

Tani ësht’ i thyer zinxhiri mërzitshmë,

Që më mbante lidhur posi skllav të frikshm.

NJË TË DASHUR KUSH KA GJETUR

Një të dashur kush ka gjetur,

Q’është e besës dhe e drejtë

Le ta puthë le ta dojë,

Jetën le t’ja ëmbëlsojë,

Dhe me lule le t’ja shtrojë.

Po besnike që të jetë,

Në kafas duhet ta ketë,

Djallushet kur ndrojnë erë,

Ju pëlqen nga no njëherë,

Të shijojnë tjatër verë.

Kur veçan Hëna kadritë,

Miq, i hapni mirë sytë,

Se bandilli përgjon çastin,

Vogëloshes i jep rastin,

Hap edhe zbraz kafazin.

HELENA E TROJËS

Në Trojë, nga maja e një kullë të lartë
Helena e bardhë zgjat kryet dhe përgjon
Poshtë nën’ muret luftën që lufton

Menella syzi me Parin flokëartë…

Shikon buzëqeshur e me ballë të qartë
zjarrin që ka ndezur vetë dhe ëndërron
e stolisur si ditën që hipi në fron
Kur vajti nus’e re nga Amykla në Spartë.

Dhe në shesh Menella me Parin të tërbuar
Goditën me sulm për të mundur a për të vdekur
Gjëmojnë duke çuar zërin në qiell.

Gjaku u ka hyrë faqe dhe duar
Kordhë me kordhë hekuri me hekur
Përpiqen, tringëllojnë, shkëlqejnë në diell.

***

NOLI PER KONICEN

… E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurrë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij. Unë mbeta i shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja një mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare. Ndonëse nuk kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave. Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica ishte i gjatë e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica.

Meqë ra fjala, lexuesi mund ta gjejë në librin e Konicës ndryshimin ndërmjet kostumit grek dhe veshjes shqiptare: është e vërtetë se grekët e kanë përshtatur nga shqiptarët, por ata u përpoqën ta stërhollojnë sa që e bënë një veshje grash me aq sa mundën.

Veshja e Konicës nuk ishte e vetmja gjë që më habiti. Thjesht mbeta pa mend, kur ai nisi të më “mësonte” për çdo gjë në botë. Ishte njeri me kulturë të lartë. Gijom Apoliner, një shkrimtar dhe mik i tij, e ka quajtur “enciklopedi shëtitëse” që e fliste frëngjishten si një francez. Një shkrimtar tjetër, Zhyl lë Metrë, ka shkruar për të: “Ky i huaj që e shkruan kaq mirë gjuhën tonë”.

Si studiues i pasionuar i muzikës, Konica e adhuronte shumë Vagnerin. Një nga gjërat e para që bëri ai pasi u takuam, ishte të më tregonte për Vagnerin dhe operat e tij. Me këshillën e tij e pashë përherë të parë Parisfalin, kur u dha më 1910 në Boston. Në varrimin e tij, tridhjetë vjet më vonë, duke e ditur se sa shumë e donte Vagnerin, iu luta organistit të luante muzikën e Vagnerit nga kreu deri në fund.

Ka disa fakte që mungojnë në librin e papërfunduar të Konicës, fakte për Shqipërinë, që i kam mësuar prej tij. Për shembull, Konica flet për krenarinë e malësorëve shqiptarë. Zonja Durham e pranon këtë në librin e saj “Brenga e Ballkanit”. Kur përshkruan shpërndarjen e ndihmave në Maqedoni gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, ajo na tregon se si gratë fshatare e rrethonin ditë e natë, duke i kërkuar ushqime dhe rroba. Ata vendoseshin rrotull shtëpisë ku banonte ajo dhe nuk largosheshin derisa të merrnin diçka. Edhe kur u shpjegoi se nuk kishte më asgjë për t’u dhënë, ato nuk shkuleshin. Kur zonja Durham vajti në Shqipëri, priste që t’i ndodhte njësoj. Për habinë e saj, askush nuk iu afrua për t’i kërkuar ndihmë.

Konica përmend edhe faktin se zonja Durham ka qenë një adhuruese e madhe e amvisës shqiptare. Ajo mendonte se vetëm amvisa holandeze mund të krahasohej me të për pastërtinë. Zonja Durham kishte të drejtë. Mjafton të shkosh për vizitë në shtëpitë e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara dhe mund ta shohësh dallimin ndërmjet amvisës shqiptare dhe shumë prej fqinjëve të saj që nuk janë shqiptare.

Një gjë që e ka lënë jashtë Konica është fakti që fqinjët ballkanas e italianë kanë shpifur se shqiptarët janë të egër e të pamëshirshëm. Zonja Durham na thotë se kjo nuk është e vërtetë. Ajo kishte parë fshatarët siçilianë se si i rrihnin pa mëshirë kuajt dhe gomerët, por kurrë nuk kishte qenë dëshmitare se si një shqiptar rrihte një kafshë. Unë e kam vënë re edhe vetë kur kam udhëtuar me kalë në Shqipëri. Sa herë vinim te ndonjë copë rrugë e vështirë, ishim të detyruar të zbrisnim dhe kafsharët gjithnjë përdornin fjalët përkdhelëse për t’u dhënë zemër kafshëve, si për shembull: “Hajde, vëlla. Ec, or bir; Nuk është dhe kaq e vështirë. Do ta kalojmë”.

Një shpifje tjetër e përhapur nga fqinjët tanë, është se shqiptarët qenkan njerëz që nuk u shtrohen ligjeve. E vërteta është krejt e kundërt. Ata u shumë më tepër se gjithë fqinjët e tyre. Statistikat e rajoneve të policisë në qytetet amerikane ku ka shqiptarë, dëshmojnë qartë se ata janë nga grupet më të mira ndër të gjithë të ardhurit e huaj. Përvoja ime e gjatë më ka vërtetuar se shqiptarët u binden ligjeve në shqipëri po ashtu siç u binden në Shtetet e Bashkuara. E keqja është se, kur fqinjët e Shqipërisë përpiqen të shkelin tërësinë e saj tokësore, atëherë shqiptarët “e paligj” ngrenë krye.

Kur përshkruan pamjet e bukura të Shqipërisë, Konica përmend shumë turistë të huaj që e kanë admiruar këte vend. Një emër, që megjithatë mungon, është ai i prozatorit, dramaturgut dhe kritikut muzikor francez, Roman Rolanit, i cili në njërin nga librat e vet flet për “kodrat e bukura të valëzuara të Shqipërisë”. Unë për vete i kam soditur nga maja e malit Tomor dhe nga kështjella e Krujës, kryeqyhteti i vjetër i Skënderbeut. Nuk kam parë gjithë jetën time gjë më të bukur.

Mjaft shtesa mund t’i bëhen kapitullit të Konicës për vetitë luftarake të shqiptarëve. Për shembull, kalorësit shqiptarë u bënë proverbialë në gjithë Europën pas vdekjes së Skënderbeut. Gjithë mbretërit dhe sundimtarët e Italisë, Francës, Britanisë së Madhe kanë marrë kalorës të lehtë shqiptarë për ushtritë e tyre. Konica më ka thënë një herë se në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kur francezët kërkonin të lavdëronin një kalorës, shpreheshin: “E nget kalin si një shqiptar”.

Kemi disa dokumente italiane, që flasin për kalorësinë shqiptare dhe që na shpjegojnë se si Skënderbeu e shpëtoi mbretin Ferdinand të Napolit me kalorësinë e vet të lehtë. Sipas dëshmisë së historianëve bashkëkohës, Ferdinandi e kishte humbur davanë kur e braktisën banorët feudalë dhe u bashkuan me Rene Anzhuanë, që ishte rivali i tij francez dhe që pretendonte fronin e Napolit.

Dihet mirë se ushtritë mercenare të Rilindjes asnjëherë nuk bënë ndonjë betejë të vërtetë. Ata kujdeseshin jo për lavdinë ushtarake, por për pagat. Zakonisht krijohej një komitet i përbashkët i të dy ushtrive rivale dhe vendoste kush do të shpërblehej me fitoren. Për shembull, kur njëra nga ushtritë kundërshtare kishte epërsi të padyshimtë si numër, asaj i jepej fitorja pa e zgjatur shumë. Kur ushtritë ishin të barabarta nga numuri dhe komiteti nuk mund të merrte vesh se cila palë mund të fitonte, atëherë kurdisej një betejë e shtirë, në të cilën nuk dëmtohej ose nuk vritej askush, me përjashtim të ndonjë aksidenti. Por kjo manovër shërbente për të ndihmuar komitetin e përbashkët që të merrte një vendim.

Diçka e ngjashme ndodhi kur skënderbu zbriti në Itali me kalorësinë e vet të lehtë. Komandanti i ushtrisë kundërshtare konti Piçinino dhe Skënderbeu rregulluan një betejë të tillë të shtirë për të parë se cila nga të dy ushtritë do të kishte më shumë shanse për të marrë fitoren. Dy reparte të zgjedhura nga ushtria shqiptare dhe italiane bënë një paraqitje të kalorësisë dhe të aftësisë luftarake. Shqiptarët e fituan ndeshjen dhe kështu u mbyll gjithë kjo histori. Italianët asnjëherë më nuk e kundërshtuan epërsinë e kalorësisë shqiptare. Natyrisht, me turret ishte një pun krejt tjetër. Atëherë Skënderbeut i duhej të bënte beteja reale dhe të arrinte fitore reale. Turqve nuk u bënte përshtypje asnjë paradë.

Skënderbeu ka qenë, padyshim, një gjeneral i madh dhe ai meriton nderime të mëdha për kryqëzatën e tij heroike kundër turqve. Por ne nuk duhet të harrojmë se edhe ushtarët e tij meritojnë pjesën e tyre të nderit. Kryengritja shqiptare e viteve 1910 – 1912 kundër turqve tregoi se luftëtarët e çetave shqiptare ende e ruanin trimërinë dhe forcën e gjallë që kishin dëshmuar në kohët e vjetra në Skënderbeun. Vetëm për vetëm ata i mundën turqit, marshuan në Selanik dhe e detyruan qeverinë turke t’u jepte autonominë. Pas disa muajsh iu desh gjithë kombeve të Ballkanit që të bashkoheshin për t’i mundur po ata turq. Më 1920 atje u përsërit po ajo histori e përjetshme. Shqipërinë e kërcënonte copëtimi. Italia kishte pushtuar Vlorën dhe prapatokën e saj deri në Gjirokastër. Fqinjët e tjerë kërkonin copat e tyre sipas traktatit të fshehtë të vitit 1915. Vetëm një zë u ngrit për të kundërshtuar, ai i president Wilson. Por ai mjaftoi për të ngritur kombin. Malësorët shqiptarë të bregdetit jugor qenë të parët që u ngritën, pastaj i ndoqën edhe të tjerët. Brenda pak muajve italianët u hodhën në det dhe u detyruan ta linin Vlorën dhe rrethin e saj. Rreth njëzetë vjet më vonë, më 1940 grekët, pothuaj shtatë herë më të shumtë si numër sesa shqiptarët, nuk mundën ta përsëritnin këte marifet, ndonëse kishin mbështetjen e flotës angleze dhe të forcave ajrore angleze, që i penguan italianët të sillnin përforcime.

Tani disa fjalë për vendin e Konicës në historinë e Shqipërisë së sotme. Si mysliman dhe si përkrahës i një familjeje të vjetër aristokratësh nga Shqipëria e jugut, Konica kishte të gjitha mundësite që të fitonte poste të larta në Perandorinë Turke, ku Shqipëria bënte pjesë, që pas vdekjes së Skënderbeut. Në të vërtetë, shumë shqiptarë të tjerë gjatë shekujve ishin ngjitur në postet më të larta të Perandorisë Turke. Për shembull, kur Konica ishte i ri, Vezir i madh ose kryeministri i Perandorisë Turke ishte Ferid Pasha, një shqiptar nga Vlora.

Por kjo karrierë nuk e tërhiqte Konicën. Ai mendonte se misioni i tij ishte të luftonte për pavarësinë e Shqipërisë. Nga viti 1897 deri më 1912, dy nga pionierët më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja, botuesit e dy revistave shqiptare, që dolën jashtë: “Albania” dhe “Drita” përkatësisht.

Gjatë sundimit turk shqiptarët kishin harruar gjithçka për lavdinë e tyre të kaluar nën Skënderbeun. Konica ka qenë njeriu që e rizbuloi dhe e popullarizoi Skënderbeun e flamurin e tij, shqipen e zezë dy krenare në një fushë të kuqe. Ky flamur u bë simbol i pavarësisë kombëtare dhe më në fund u ngrit në Vlorë më 1912 nga Ismail Qemali kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur.

Konica është quajtur si krijuesi i prozës moderne shqipe. Kur unë vendosa të bashkohesha me kryqëzatën për pavarësinë e Shqipërisë, e para gjë që më bëri përshtypje ishte mungesa e plotë e veprave letrare shqipe me vlera artistike. Por kur vajta në Egjipt më 1903, një atdhetar shqiptar, Spiro Dineja, më dha vëllimet e revistës “Albania” nga viti 1897 deri më 1903. I lexova të gjitha nga faqja e parë deri tek e fundit dhe atëherë e mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe. Për më tepër, Konica zbuloi dhe popullarizoi shqiptarë të veprimtarisë letrare si Kristofordhi, Mitkoja, Fishta dhe Zako Çajupi. Me këshillën dhe udhëzimet e tij unë përktheva disa vepra nga Shekspiri, Ibseni, Edgar Alan Poeja dhe Don Kishotin e Servantesit. Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë dhe shkruesin e këtyre radhëve.

***

ILIR IKONOMI: SHUARJA E KOLOSIT

Faik Konica ndërroi jetë në Washington me 15 Dhjetor 1942. Ja si e ka përshkruar fundin e kolosit, gazetari dhe  studiuesi Ilir Ikonomi në librin e  tij “Faik Konica, Jeta ne Uashington”:Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor(1942), kur Faiku pësoi papritur hemoragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në hapësirën e ngushtë të banjës dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash.

Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden.

Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital. Në atë kohë hipertensioni nuk njihej mirë si sëmundje, por as Faiku nuk i dëgjonte këshillat e mjekut dhe nuk mbante dietë. Veç kësaj, pinte deri në tre paketa cigare në ditë.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë. Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë.

Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar.

Marre nga: Ilir Ikonomi “Faik Konica, Jeta ne Uashington”…(Dielli 15 Dhjetor 2016)

Filed Under: Featured Tagged With: ditelindja, Ditelindja 15 Mars, Faik Konica

Kuvendi i Ri i Kosovës, seanca konstituive në 22 Mars 2021

March 15, 2021 by dgreca

-Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka caktuar për datën 22 Mars (e hënë) seancën konstituive të Legjislaturës VIII  të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 14 Shkurtit/

-Të dielen e 14 Shkurtit 2021 Kosova votoi në zgjedhjet parlamentare  – të tetat në 22 vjet liri, të pesta në 13 vjet pavarësi e të katërta të njëpasnjëshme të parakohëshme/

-Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001/

-Legjislatura e tretë, e  zgjedhjeve të 17 Nëntorit 2007,  ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008/

-Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 15 Mars 2021/ Kuvendi i Kosovës me 120 deputetët e zgjedhjeve të parakohëshme të 14 Shkurtit 2021 konstituohet pas një jave – në 22 Mars 2021.

“U.d. Presidentja Vjosa Osmani, në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja, ka caktuar për datën 22 mars (e hënë) seancën konstituive të Legjislaturës VIII  të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

Kjo seancë do të mbahet në orën 10:00, teksa përgatitjet për mbajtjen e saj do të kryhen konform procedurave në fuqi”, thekson njoftimi i dërguar sot nga Presidenca e Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani dhe kryetari i partisë fituese – Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë zhvilluar sot takimet e para me subjekte politike për t’u konsultuar për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës pas zgjedhjeve.

Në Kosovë, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 Shkurtit 2021, sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,  Lista e Lëvizjes Vetëvendosje është fituese me 438.335 vota  – 50,280 përqind  – 58 mandate deputetësh të Kuvendit 120 anëtarësh,  e numri dy në këtë listë Vjosa Osmani është më e votuara nga të gjithë kandidatët e të gjitha listave me 300 756 vota. Gjatë historisë së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më shumë vota ka marrë vetëm Presidenti historik i Kosovës Ibrahim  Rugova.

Nga votimet në zgjedhjet e Kosovës të 14 Shkurtit 2021 janë edhe këto rezultate përfundimtare të certifikuara:

E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 17,009 përqind – 148.285 vota e 19 deputetë.

E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 12,731 përqind – 110.985 vota e  15 deputetë.

E katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7,124% përqind – 62.111 vota e 8 deputetë.

Me vendet e garantuara me Kushtetutën e Kosovës serbët kanë 10 deputetë dhe komunitetet tjera pakicë poashtu 10 deputetë.

Nisma Soacialdemokrate me 2,523 përqind – 21.997 vota  dhe parti të tjera shqiptare nuk e kanë kaluar pragun prej 5 përqind dhe nuk do jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Kosova të dielen e 14 Shkurtit 2021 votoi në zgjedhjet parlamentare  – të tetat në 22 vjet liri, të pesta në 13 vjet pavarësi e të katërta të njëpasnjëshme të parakohëshme.

Në Vitin e Ri 2021 Kosova shkoi në zgjedhje parlamentare  të jashtëzakonshme pas rënes së dy qeverive në vitin 2020 të pas zgjedhjeve të parakohëshme të 6 Tetorit të vitit 2019.

Në 2020-tën qëveria me kryeministër Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje e zgjedhur në 3  Shkurt u rrëzua me mocion mosbesimi të inicuar nga partneri i koalicionit qeverisës – Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila mori drejtimin e qeverisë me kryeministër Avdullah Hotin të zgjedhur në  3 Qershor, por në dhjetor Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshme votën e një deputeti të minoriteteve, Etem Arifi, pasi kishte të humbur mandatin për shkak të një dënimi të formës së prerë nga gjykata. Vota e tij ishte vendimtare për zgjedhjen e qeverisë pasi mundësoi arritjen e minimumit të nevoshem  prej 61 votave të parlamentit 120 anëtarësh.

Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001, kur numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,249,987, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 803,796 votuesë – 64.30%.

Zgjedhjet e dyta parlamentare u zhvilluan në 23 Tetor 2004. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,412,680, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 699,519 votuesë – 49.52%.

 Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2007. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,567,690, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 628,630 votuesë – 40.09%. Legjislatura e këtyre zgjedhjeve, e treta, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008.

 Zgjedhjet e katërta parlamentare në liri, të parat në pavarësi, u zhvilluan në 12 Dhjetor 2010. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,632,276, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 706,317 votuesë – 45.29%.

 Zgjedhjet e pesta parlamentare në liri, të dytat në pavarësi, u zhvilluan në 8 Qershor 2014. Numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,799,023, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 734,055 votuesë – 42.63%. 

 Zgjedhjet e gjashta parlamentare në liri, të tretat në pavarësi, u zhvilluan në 11 Qershor 2017. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,888,059, ndërsa  pjesëmarrja në zgjedhje 779,729 votuesë – 41.3%.

 Zgjedhjet e shtata parlamentare në liri, të katërta në pavarësi, u zhvilluan në 6 Tetor 2019 . Numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,961,213, pjesëmarrja në zgjedhje 826,916 votuesë – 44.56%.

Në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurt 2021 – të tetat në liri e të pestat në pavarësi numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,851,927, pjesëmarrja në zgjedhje 48.78% – numri i pranuar i fletëvotimeve të vlefshme 877,503.

 Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të dhunës e shtetrrethimit nga Serbia okupatore.

 Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e zhvilluar nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan pro 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.

Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Konstituimi me 22 Mars, Kuvendi I ri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT