• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THAÇI NE HAGE-Mbrojtja: Specialja s’ka juridiksion për gjykimin e tij

March 16, 2021 by dgreca

Nga Shkumbin Ahmetxhekaj-*Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka dorëzuar në Dhomat e Specializuara dhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, disa mocionet e parakohshme, e ku në njërën prej tyre kërkohet heqja e aktakuzës ndaj Thaçit, për siç thuhet, “mungesë të juridiksionit”.

Sipas mbrojtjes, akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit e tejkalojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara pasi që “asnjë nga akuzat nuk kanë të bëjnë me pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës, të përpiluar nga senatori Dick Marty, për ‘trajtim johuman të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm me organet njerëzore në Kosovë’”.

Mbrojtja e Thaçit mbështetet në argumentet e saja se Dhomat e Specializuara janë themeluar për të zbardhur të vërtetën për akuzat e Dick Martyt.

“Debatet në Kuvendin e Kosovës për ndryshmet kushtetuese konfirmojnë se qëllimi ishte që të kufizohej juridiksioni i Dhomave të Specializuara, vetëm për pretendimet e raportit të Dick Martyt dhe që ky institucion të kishte mandat pesëvjeçar… Referenca për raportin e Dick Martyt në Kushtetutë nuk është thjesht ‘mbiemër’, por është qenësore për juridiksionin e saj”, thuhet në mocion.

Ndërkaq, në mocionin tjetër, që është deponuar, mbrojtja argumenton se Thaçit i janë shkelur të drejtat për një dëgjim të drejtë dhe të paanshëm publik si dhe për një gjykim të drejtë, brenda një kohe të arsyeshme. Andaj, ata kërkojnë nga gjyqtari i procedurës paraprake që ta lirojë Thaçin dhe të hedhë poshtë akuzat ndaj tij.

Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Pretendimet e palës mbrojtëse 

Në këtë mocion, pala mbrojtëse pretendon se Dhomat e Specializuara kanë ngritur aktakuzë pas përfundimit të afatit të përkohshëm pesëvjeçar, që sipas tyre ka përfunduar në gusht të vitit 2020.

“Mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në thelb ishte i thjesht. (Ish-kryeprokurorja e Tribunalit në Hagë, Carla) Del Ponte kishte folur për trafik organesh, të cilat u konfirmuan me entuziazëm nga raporti i Martyt. Ky raport ishte shkas për hetimin e Task-Forcës speciale hetuese”, thuhet në mocionin e palës mbrojtëse, të cilët thonë se edhe vetë prokurori, që hetoi pretendimet e Martyt, Clint Williamson në gjetjet e tij, nuk kishte gjetur dëshmi të mjaftueshme për “trafikim organesh”.

“Përkundrazi, aktakuza nuk i referohet krimit të organizuar në Kosovë ose diku tjetër. Në këtë aktakuzë, Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk po ndjek penalisht krimet e pretenduara në raportin e Dick Martyt, por po ndjek një çështje tjetër, e cila, për arsyet e përcaktuara më sipër, nuk ka as juridiksion as autoritet për ta bërë këtë”, shtohet në mocion.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.(Evropa e Lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: mbrojtja, Thaçi ne Hage

KOSOVA ËSHTË E ORIENTUAR NË KAPACITETE MBROJTËSE

July 29, 2020 by dgreca

-Kryeministri Avdullah Hoti vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Qendrën Mjekësore të FSK-së .Ministri i Mbojtjes Anton Quni njoftoi edhe me luftën speciale që po e bëhet në mediat ruse, se gjoja FSK-ja, ka blerë armatim fshehurazi nga Gjermania në vlerë deri në 170 milion euro…Deklaroi se kapacitete kërcënues posedon Serbia, si me armatimin që ka, me teknologjinë prodhuese dhe buxhetin e lartë që posedon, kurse Kosova është e orientuar në kapacitete mbrojtëse, e ka buxhetin transparent, dhe ngritja e FSK-së, është duke u bërë në koordinim me partnerin strategjik SHBA, dhe në transparencë me NATO-n/ 

PRISHTINË, 28 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Te Marten, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti së bashku me ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, kanë vizituar Qendrën Mjekësore të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. 

Kryeministri Hoti, fillimisht u prit në ambientet e Ministrisë nga ministri Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, sekretari i përgjithshëm i MM-së, Faruk Geci, shefi i Kabinetit të Ministrit, Jashar Ramadani, si dhe stafi i lartë i ministrisë dhe FSK-së. 

Ministri Anton Quni pas urimit të mirëseardhjes e njoftoi kryeministrin Hoti, me gjendjen si e ka gjetur ministrinë dhe FSK-në, me punën e mirë që është bërë edhe nga ministrat paraprak, dhe me angazhimet aktuale për tranzicionin e FSK-së, bazuar në ligjet e reja dhe me mision të ri, që ka si Ministria e Mbrojtjes ashtu dhe FSK-ja, duke i kushtuar vazhdimisht rëndësi bashkëpunimit me partnerin strategjik SHBA-të, bashkëpunimet bilaterale, për prezencën dhe bashkëpunimin e mirë me ekipin e NALT-it, që është prezentë, si në Ministri ashtu edhe në Forcë. 

Për angazhimin e FSK-së, në kuadër të gjendjes së pandemisë COVID-19, ku FSK-ja ka dhanë kontributin në mbështetje të autoriteteve civile, me logjistikë, transport dhe gatishmërinë që ka për të dhënë mbështetje me kapacitete shtesë në raste të përkeqësimit të gjendjes, duke vënë në dispozicion edhe kapacitetet për akomodim dhe për trajtim. 

Ndër të tjera, ministri Quni e njoftoi kryeministrin Hoti edhe me luftën speciale që po e bëhet në mediat ruse, se gjoja FSK-ja, ka blerë armatim fshehurazi nga Gjermania në vlerë deri në 170 milion euro, të gjitha këto sipas ministrit Quni bëhen për të destabilizuar paqen në Ballkan, dhe për të krijuar pretekst për armatosjen e mëtejme të Serbisë, si dhe duke  tentuar  të komprometojë bashkëpunimin tonë  të mirë dhe transparent me shtetin e Gjermanisë. 

Ndërsa, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me këtë rast, e  njoftoi  kryeministrin Hoti me angazhimet konkrete të FSK-së, me planin e zhvillimit dhe transformimit, me trajnimet dhe shkollimet që po bëjnë ushtarët dhe oficerët e FSK-së, në akademitë ushtarake të vendeve mike dhe partnere. Për menaxhimin e financave të FSK-së, buxhetin aktual dhe pajisjen me teknikë të nevojshme për të rritë operacionalitetin e FSK-së sipas planit të zhvillimit dhe ngritjes së FSK-së. Ai foli për takimin që ka pasur me ministrin e shëndetësisë Armend Zemaj, për bashkëpunimin e mirë që ka Qendra Mjekësore e FSK-së me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me QSUK-në. 

Në fjalën e tij, kryeministri Hoti, falënderoi për pritjen duke ju shpreh përgëzimet ministrit Quni dhe komandantë Ramës, për punën e bërë deri më tash, duke theksuar se FSK-ja është  me besueshmëri më të lartë në vend, që na bënë me u ndie krenarë të gjithëve, dhe është një storie e suksesit, vlerësim që e ka dëgjuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë. 

Ai me këtë rast, shprehu gatishmërinë që në emër të qeverisë së tij, të jap mbështetjen e  duhur pavarësisht rrethanave aktuale, për të punuar në zbatim dhe realizimin e planit të transformimit dhe ngritjeve të kapaciteteve të FSK-së. 

Gjatë vizitës në Qendrën Mjekësore të FSK-së, kryeministri Hoti u shoqërua nga ministri Zemaj, ministri Quni, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, sekretari i përgjithshëm i MM, Faruk Geci dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Ai u pritë nga rreshtermajori përgjegjës Afrim Preteni, i cili prezantoi kapacitet e kësaj qendre, mjetet që posedojnë, dhomat e akomodimit në rast nevoje për të shtruar të sëmurët dhe kapacitet tjera që ka kjo qendër. 

Duke vlerësuar lartë punën e FSK-së, në deklarimin para mediave, kryeministri Hoti, tha: “Inspektuam spitalin ushtarak për të parë kapacitete që FSK-ja, do t’i vëmë në dispozicion në rast se do të kemi nevojë t’i përdorim. Unë nuk jam njeri ushtarak, por jam i impresionuar dhe emocionuar me disiplinën ushtarake. Do të punojmë së bashku me stafin për të përballuar situatën nëpër të cilën po kalojmë. I falënderova për mbështetjen që ka dhënë FSK-ja për institucionet tjera që tash po duket se po përkeqësohet dhe ne duhet të përgatitemi për të gjitha variantet që i kemi përpara”. 

Më pastaj, kryeministri Hoti me tërë delegacionin, vizituan automjetet e blera HMMWV që ishin të rreshtuara në pistën e FSK-së. 

Në fund të këtij aktiviteti, ministri Quni, duke ju përgjigjur interesimit dhe pyetjeve të gazetarëve, dha një prononcim për media, me theks të posaçëm për deklaratat e fundit që vijnë  nga Rusia dhe  Serbia, dhe tendencën e kësaj të fundit për armatosje shtesë. 

Ministri Quni deklaroi se kapacitete kërcënues posedon Serbia, si me armatimin që ka, me teknologjinë prodhuese dhe buxhetin e lartë që posedon, kurse Kosova është e orientuar në kapacitete mbrojtëse, e ka buxhetin transparent, dhe ngritja e FSK-së, është duke u bërë në koordinim me partnerin strategjik SHBA, dhe në transparencë me NATO-n, duke shprehur gatishmërinë e FSK-së, për tu angazhuar në misione paqësore, se FSK-ja është forcë që rritë stabilitetin në rajon dhe me gjerë. Kosova nuk ka shprehur asnjëherë ambicie territoriale ndaj fqinjëve, ashtu si Serbia që e ka Kosovën ende në preambulën e kushtetutës së saj. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Hoti, kosova, mbrojtja

MBROJTJA E SKENDERBEUT NE PARIS

February 11, 2018 by dgreca

Kur studenti Edmond Tupja mbronte në Paris Skënderbeun dhe prishte një mbledhje shkencore…/

1 skenderbNga Nga Fotaq Andrea/1 ok skenderb

Jemi në vitin 1970. “Shoqëria franceze e Historisë Moderne” bën bilancin e punës së kryer nën kryesinë e Prof. Lucien Genet. Që në seancën e saj të parë të 6 dhjetorit ka ftuar orientalistin grek Evangelos Zakhos Papazahariu të mbajë kumtesën “Skënderbeu apo peripecitë e një miti nacional”. Në atë mbledhje shkencore hijerëndë, në kërthizë të Parisit, me profesorë gjithë tituj e grada, merrte pjesë edhe një student i ri shqiptar, Edmond Tupja..1 Scopa.Çuditërisht, prej kohësh i është mëshuar fort idesë së “mitit” për figurën historike të Heroit kombëtar shqiptar. Dhe kjo nga “studiues” të angazhuar në synime të caktuara, por të zhveshur nga objektiviteti shkencor dhe të prirë kokë e këmbë drejt një subjektiviteti që përkëdhel, as më shumë e as më pak, egon e tyre në emër të gjoja ideve origjinale, mendimeve personale, gjykimeve të veçanta që veç ata dinë të japin! Sepse veç ata na qenkan në gjendje të zhbirilojnë “mite” e të na bëjnë catharsis për të ndarë “të rremen” nga e “vërteta”, “të keqen” nga “e mira”, apo në gjuhën popullore “shapin nga sheqeri”. Mirëpo, lepuri fle gjetkë, në folenë e bastardimit shkencor e të denigrimit, dhe tjetër kund e kanë hallin, sado thërrasin e bërtasin për gjoja vlerësim shkencor “me mend e me vend”. Por le t’ia lëmë më mirë fjalën Z.Papazahariu, profesor i Universitetit të Athinës, tek mban speech-in e vet në Paris, botuar në “Bulletin de la Société d’Histoire Moderne”, nr. 2, 1971, dhe mbështetur në këto pesë drejtime, nga A në E:

  1. Skënderbeu, simbol kombëtar;
  2. Historia e tij;
  3. Legjenda e tij;
  4. Si ai bëhet simbol kombëtar i shqiptarëve;
  5. Rikthimi i Skënderbeut.

1 dok skend

 Duke dashur t’i kundërvihet atmosferës së kohës pas Kuvendit II të studimeve albanologjike (janar 1968) mbajtur në Tiranë me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut me pjesëmarrje të gjerë studiuesish të huaj, prof. E. Zakhos Papazahariu hyn drejt e në thelbin e kumtesës së vet kur thotë:“Është fati i tij [i Skënderbeut], shndërruar në mënyrë të veçantë në simbol që na intereson” në një kohë kur “…miti i tij mbahet fort me një vazhdimësi të çuditshme deri në rënien e Perandorisë së tyre [të Otomanëve]!”

 

1 Scopa

Me fjalë të tjera, shndërrimin e figurës së Skënderbeut në simbol të përhershëm kombëtar të shqiptarëve, profesori grek e quan thjesht “mit”, që sipas tij u dashka zhbërë! Edhe pse ai detyrohet të pranojë se shqiptarët “me një simbol aq të lashtë dhe aq të njohur sa ç’është Skënderbeu, arritën me anë të forcës të kalisin një ndërgjegje nacionale”, përsëri, ai e sheh “paradoksin e simbolit Skënderbe në aventurën e mitit të tij gjatë pesë shekujve dhe në përligjjen e plotë të mitit nga vetë shteti komunist…”! Në fakt, kemi këtu një amalgamë vërtet të çuditshme dhe diabolike nga Papazahariu, i cili lodhet më kot ta lidhë figurën e Skënderbeut me regjimin komunist, kur fjala është për dy gjëra krejt të ndryshme dhe pa lidhje organike: sepse Skënderbeu është dhe mbetet simbol historik i përjetshëm i shqiptarëve, është pjesë koherente e vetëdijes së tyre kombëtare, dhe dashuria e tyre për të nuk njeh kufij ideologjikë e politikë, ndërkohë që regjimi komunist e diktatorial, si çdo diktaturë kalimtare dhe e përkohshme është i destinuar thjesht të zhduket, siç u zhduk! “Oburrani!” – duket sikur thërret historiani grek, një rrugë e dy punë: të dënojmë regjimin komunist, e të shembim edhe simbolin e përjetshëm kombëtar të shqiptarëve në emër të “mitit të Skënderbeut”! Ja qëllimi i errët i prof. Papazahariut qepur me pe të bardhë.

Më poshtë, në pikën B – Historia e Skënderbeut, kumtuesi grek jep me penelata të shpejta një pasqyrë të perandorisë osmane, si superfuqi e kohës, karakterizuar, siç thotë, nga “stil i ri shtetëror, sistem koherent e i plotë dhe shumë më modern nga tërë ata që ekzistonin në atë kohë”. Çfarë lajkash të pacipa, për një perandori agresore që fuqinë e saj e mbështeste thjesht në forcën numerike të skllevërve e të ushtarëve shumëkombësh e shumëmilionësh që hidhte në luftë! Dhe menjëherë pas kësaj, autori grek veç kur zë e deformon me dashje, kokë e këmbë, krejt faktet historike kokëforta që kanë të bëjnë me Heroin tonë Kombëtar dhe epopenë kastriotine, dhe konkretisht:

  1. Deformon çështjen e dhënies peng të Skënderbeut me një marifet prej pelivani kur shprehet: “I dhënë në moshën 9 apo 18 vjeçare tek Otomanët nga i ati i tij Jean [Gjon] Kastrioti si peng, na thuhet, [nënvizimi ynë], për të garantuar ndershmërinë e tij ndaj tyre, ai [Skënderbeu] frekuentoi gjatë 15 vjetëve Oborrin e Andrinopojës…”. Mjaftojnë këtu vetëm këto dy fjalë – “na thuhet” – nën penën e tij, për të hedhur hije dyshimi që Skënderbeu nuk qenka dhënë peng te sulltani! Dhe menjëherë ai del në konkluzionin se “… shumë fisnikë të popujve të krishterë të Ballkanit i dërgonin vullnetarisht bijtë e tyre në oborrin e Andrinopojës për të përqafuar këtë karrierë të re. Me sa duket, i tillë është rasti edhe për bijtë e klaneve princërore apo e kryetarëve të fiseve të Albanumit”(nënvizimet tonat). Ja pra dredhia, ja djallëzia: sipas profesorit grek, që na paska bërë një zbulim të hatashëm, Skënderbeu u dërgua vullnetarisht dhe me shumë dëshirë nga i ati Gjoni tek turqit, për të bërë karrierë ushtarake! Mendojmë se nuk ia vlen të zgjatemi me komente, por thjesht po kujtojmë këtu se aleancat martesore me pleksje gjaku në atë kohë, kishin bërë e do binin Oborri mbretëror serb me Oborrin sulltanor të Andrinopojës e Kostandinopojës (pa folur për Bizantin në rënie!), ndërkohë që shqiptarët e epokës kastriotine i shihnin agresorët osmanë si armiq dhe as që bëhej fjalë për krushqi me ta e për karrierë ushtarake nën hijen e tyre !… Përkundrazi, shqiptarët të vinin damkën e tradhtarit e të renegatit po të bëje aleancë me armikun!
  2. I cilëson shqiptarët si xhandarë të Perandorisë osmane në shërbim të skllavërisë të bujkut serb e ballkanik dhe më keq akoma si mercenarë të Venedikut, si post-roje pritash, cuba, piratë etj. që “ndërronin padronë si të donin e kur të donin, falë famës së mirë që kishin në tregjet e mercenariatit” (!) Po ashtu, i sheh ushtritë osmane mbushur dëng me “malësorë të Albanumit… [që] u shquan për nga numri në gjirin e ushtrisë osmane dhe në gjirin e trupës së jeniçerëve” (!) Pra, nuk ka më blozë!

Në fakt, dihet, dhe është meritë e tyre historike, që shqiptarët bënë emër të mirë (sidomos pas vdekjes së Skënderbeut) jo vetëm si luftëtarë të zotë të angazhuar në çështjen kombëtare, por edhe si luftëtarë me pagesë apo si mercenarë në Perëndim, nën frymën e kohës, ashtu sikurse shquheshin edhe mercenarët zviceranë, kroatë, spanjollë apo gjermanikë në ushtritë e oborreve mbretërore të Europës. Dihet po ashtu që ishin shqiptarët ata që themeluan kalorësinë e lehtë franceze dhe, më tej, kalorësinë e lehtë europiane me Gjergj e Nikolla Bastën. Dhe kjo, sepse ata dinin mbi të gjitha të bënin luftën moderne të kohës në mënyrë cilësore dhe jo sasiore, ndërkohë që perandoria osmane përdorte mish skllevërish për top duke çuar miliona njerëz në satër! Edhe më tej, shqiptarët dinin mbi të gjitha se ç’do të thoshte të ishe “fier comme un albanois – krenar si shqiptar”, sipas proverbit francez të kohës, tek mbanin mbi krye kryelartë kapelën shqiptare në pararojë dhe në shesh të luftës! E në këtë rast, i themi profesorit grek të mos harrojë se vetë grekët në ato kohëra lufte, për të shpëtuar kokën para masakrave turke, kërkonin rrugëve të Selanikut, Artës e kudo në qytete kapelën e lartë shqiptare për ta vënë mbi krye që të hiqeshin si shqiptarë e të shpëtonin kokën! Nga ana tjetër, nëse shqiptarët u dalluan si luftëtarë në artin e luftës moderne të kohës, profesori grek duhet ta dijë që po aq shqiptarët u shquan edhe në fillimet e Rilindjes italiane e europiane të Arteve të Bukura, Humanizmit dhe Letrave, me korifej të tillë si piktorët me famë botërore Francesk Albani, Mark Bazajti, Viktor Karpaçi, filozofët Leonik Tomeu, Mikel Maruli, Marin Beçikemi e sidomos me familjen e madhe Albani që dha disa kardinalë edhe vetë papa Klementin XI.

E vërteta e thjeshtë është se shqiptarët, siç bënë bëma në Perëndimin europian, u lartuan edhe në Lindje, nga Kostandinopoja në Janinë, Misir, Kajro, Misolongji, Tripoli e Tripolitza, e gjer në Urale, malet Çarçan dhe rrugëve të Dehlit në Indi! Dhe sa për emra shqiptarësh të shquar në Orient, ata njihen tashmë jo vetëm në fushën e artit të luftës, por edhe të kulturës, Letrave, historisë, enciklopedisë, administrimit shtetëror etj.etj.

Mirëpo, tjetërkund e ka hallin profesori orientalist grek në kumtesën e tij: do se s’bën (dhe këtu ai nuk është aspak origjinal, nuk është as i pari, as i fundit) që t’i qisë shqiptarët barbarë, të egër, tribalë, me kanune çnjerëzore, pa komb e kombësi, por me një “Albanitie” që, sipas tij na qenkësh thjesht nocion gjeografik, duke na përmendur madje edhe Bismarkun për të mbështetur argumentimin e tij! O temporal o mores!

  1. Vazhdon orientalisti grek të deformojë faktet historike tek shpik tezën se Skënderbeu në moshën 33 vjeçare “u dërgua, thotë ai, si kapiten në “vilajetin” e Krujës (1438) për të qeverisur zotërimet e babait të tij. Dhe këtu, vijon greku, ai [Skënderbeu] realizon projektin e tij të guximshëm: të krijojë një ushtri të përhershme me luftëtarë nga të malit të tij të lindjes dhe të bëjë luftën për hesap të vet” (!) Ipse dixit, thotë latini – E tha mu kështu profesori e ia vuri vulën! Apo, ia bëri topin! – siç thoshte ime gjyshe. Po ja që zotëria e tij e paska lexuar mbrapshtë Barlecin e të tjerë, dhe harron, i nderuari profesor, që Skënderbeu u arratis me 300 trimat e tij nga ushtria osmane, me një qëllim e mision të lartë (e jo për hesap të vet!): për të themeluar shtetin e parë të Arbrit nëpërmjet bashkimit dhe aleancave të fisnikëve të mëdhenj shqiptarë që me Lidhjen e Lezhës! Dhe që pikërisht, për këtë arsye madhore, duke i bërë qëndresë heroike 25 vjeçare Perandorisë më të madhe të kohës, Skënderbeu është dhe mbetet Heroi kombëtar i shqiptarëve dhe shembull heroizmi e frymëzimi në botë!
  2. Pa e mbështetur kumtesën e vet në dokumente, pa cituar studiues seriozë, Z. Zakhos Papazahariu parapëlqen të servirë konkluzionet e tij se Skënderbeu “në krye të malësorëve të vet bëri luftë ndaj të gjithëve, duke u përplasur me Lindjen e me Perëndimin, me Venedikun e me osmanët”. E nxjerr dhe e nxin kështu qëllimisht figurën historike të Skënderbeut si “sherrxhi”, duke anashkaluar tërësisht politikat dhe synimet imperialiste të kohës, si dhe aleancat e Skënderbeut me Papatin, i cili e vlerësoi, siç dihet, aq lart Heroin tonë me titullin e nderuar “Atlet i Krishtit”. Dhe nuk do vonojë të vijë konkluzioni i profesorit se “as shtetet e Lindjes, as shtetet e Perëndimit nuk e panë me sy të mirë nismën e tij [Skënderbeut]” dhe se “Skënderbeu … nuk mundi të çlirohet nga dara e Orientit dhe e Perëndimit”. E në këtë rast, profesori grek, nisur nga motoja “shpif, shpif se diçka do mbetet”, konkludon se edhe fundi i Skënderbeut s’ka si të ishte i lavdishëm me pushtimin e Shqipërisë, kur shqiptarët, që tashmë ai i quan “arnavutë”, do të vazhdonin të bënin “ligjin e cubit” në gadishullin ballkanik! Argumente dhe paragjykim më zi sterr ndaj shqiptarëve zor se gjen!…

Lidhur me pikën C, legjenda e Skënderbeut, ai pohon se është letërsia perëndimore ajo që rroku figurën e Skënderbeut për bëmat e tij duke e bërë këtë, citojmë autorin, “një hero në përmasën e legjendave perëndimore” dhe se, nga ana tjetër, ishin “shkrimtarët e Rilindjes [ata që] këmbëngulën së tepërmi për temën “Skënderbeu, mbrojtës i lirisë”. Këtej lind, kërkon të na mbushë mendjen profesori grek, edhe miti për Skënderbeun, sepse nocioni i lirisë te heroi shqiptar, “nocion tribal” siç e quan ai, “përputhet, me vullnetin e qyteteve italiane për të mos u përfshirë në gjirin e shteteve të gjera dhe të centralizuara…”. Duke u hequr kësisoj se po çmitizon figurën emblemë të shqiptarëve, ai në fakt nuk bën gjë tjetër veçse e deformon atë krejtësisht, e minimizon dhe orvatet ta asgjësojë aq sa të mundë, duke e konsideruar si figurë të tejkaluar, madje edhe të përfunduar në kohë. Por, nuk kanë munguar as dje, as sot të ashtuquajturit studiues që përpiqen ta paraqesin Skënderbeun një princ të vogël të një shteti të vogël, tek orvaten t’i bien malit me grusht përpara vlerësimit absolut të figurës së Skënderbeut nga korifej të mendimit njerëzor, emra të shquar të Historisë, Letrave dhe Artit ushtarak.

I pakënaqur me kaq, Zakhos Papazahariu shkon edhe më tej në “çmitizimin” e tij absurd. Citon me ironi “artikullin” (nuk thotë studimin!) e prof. Androkli Kostallarit, i cili vinte bukur në dukje se, ndërsa më 1881 bibliografi Petrovitch hartonte bibliografinë për Skënderbeun me 185 vepra historike e letrare, më 1968, prof. Kostallari nxirrte në pah që bibliografia për Skënderbeun e tejkalonte tashmë shifrën e 1000 librave e studimeve për Heroin shqiptar. Kur sot, bibliografët e figurës së Skënderbeut (siç e thotë gjithë krenari Krenar Zejno, ky botues modern, sa krijues e serioz) numërojnë mbi 2000 vepra e studime kushtuar figurës së Heroit tonë (po aq sa për N. Bonapartin!) Pa folur këtu për Artet e Bukura ku monumentet e Kastriotit të Madh zbukurojnë sheshet e Europës dhe Amerikës dhe figura e tij emblematike është dhënë në tablo nga piktorë me famë botërore. E dëshmon këtë edhe Album-Antologjia jonë e përmasave të mëdha enciklopedike “Skënderbeu, 1413-2017” me mbi 200 autorë dhe rreth 1000 ilustrime, që pret të botohet për publikun e gjerë në Vitin Skënderbeu.

Pikërisht, tërë këtë jehonë, tërë këtë madhështi europiane e botërore të Skënderbeut tonë, tërë këtë vlerësim objektiv historik e shkencor që i bënë e bëjnë figurës së tij mendimtarë të mëdhenj, Z. Papazahariu na e quan thjesht “mit”, që ai e do dhe e kërkon doemos drejt shuarjes e në asgjësim, gjoja në emër të “së vërtetës shkencore”! Por, nëse ka mit në figurën e Skënderbeut, kjo duhet kërkuar jo në legjendat me krijimtari të bukur popullore, jo në vetëdijen kombëtare të shqiptarëve që krenohen me të drejtë për figurën e tij si rrallëkush te kombet e tjerë, por në ato mangësi, në ato të pavërteta shkencore, në ato mbufatje dhe deformime me dashje apo pa dashje të figurës së tij historike, kur sot, historiografia shqiptare e botërore përherë e më shumë po fokusohen te figura e tij si burrë shteti dhe prijës i një populli liridashës.

Tek ndjek me këmbëngulje linjën e vet antishqiptare, edhe në pikat 4 dhe 5, Si u bë Skënderbeu simboli kombëtar i shqiptarëve, dhe Rikthimi i Skënderbeut, gjithë meraku i Z. Papazahariu është si e si të zhdukë e asgjësojë, aq sa të mundë, vetë bazën historike të vlerësimit të figurës së Skënderbeut, duke u hallakatur për këtë në sofizma e ekzotizma të mjera, gjer edhe të llojit “bektashi” që “ushqyen” gjoja Ali Pashë Tepelenën në veprimet dhe bëmat e tij (në parantezë, duket sikur Aliu i Tepelenit i ka mbetur Papa-Ziut halë në fyt!) …

Si mbaroi kështu ekspozenë e tij dhe si u duartrokit nga të pranishmit, në seancën “diskutime”, Z. Papazahariu hyn në dialog të stërzgjatë me Z. Portal, ku bie dukshëm në sy meraku i tyre në gjoja “idealizimin artificial” të figurës së Skënderbeut, nisur sipas tyre, nga “prapamendime a motive politike, ideologjike e fetare” që e bëjnë “Historinë të jetë subjektive”! Krejt diskutimi, gjoja “i lirë”, shfaqet inkoherent dhe pa shtyllë kurrizore, me kapërcime nga coq à l’âne (nga gjeli te magjari), ku kumtuesi grek orvatet të shpalosë në mënyrë konfuze e të pasaktë erudicionin e vet…

Dhe pikërisht, në një nga këto çaste euforike për studiuesin grek, që dukej sikur kish kapur qiellin me dorë nga suksesi, ngrihet dhe ndërhyn një djalosh shqiptar, shtat-hedhur, i hajthëm dhe elegant, i biri dhe nipi i dy Skënderëve, studenti Edmond Tupja. Dhe bën, në mënyrë modeste, të përkorë, një ndërhyrje, një koment të shpejtë tek e sheh fatin epik dhe faktin historik të shqiptarëve te “qëndresa e tyre e gjatë ndaj turqve”, te “skllavërimi dhe shtypja e përgjakshme që këta ushtruan mbi Shqipërinë dhe shqiptarët pas vdekjes së Skënderbeut” dhe te “arsyeja ekonomike e shndërrimit të 60 % të shqiptarëve nga katolikë në myslimanë”… Konkluzioni dilte vetë, nuk kish më bukur: ja pse, Zotërinj, Skënderbeu është dhe mbetet simbol i vetëdijes kombëtare shqiptare!

Pas fjalëve të djaloshit Tupja, me efektin e një bombe,  Z. Papazahariu nis atëherë të përtypë fjalët, të hidhet e të përdridhet, se nuk janë thjesht arsyet ekonomike dhe taksat motivet e shtypjes, të vuajtjes dhe qëndresës historike shqiptare; se nuk janë skllavëria dhe osmanët fatkeqësia e popujve ballkanikë (sic!) Se shqiptarët kanë gëzuar liri, sidomos ata të malit (sic)! Se kanë gëzuar privilegje… “Mos ua hedhim fajin osmanëve!” – përfundon greku me një thirrje dëshpëruese…

  1. Tupja, edhe një herë të dytë merr fjalën dhe vë në dukje se “skllavëria osmane ishte sistem social në dy rrafshe, në atë shtetëror, midis Perandorisë osmane dhe popullit shqiptar të skllavëruar, dhe në atë lokal, në vetë gjirin e shoqërisë shqiptare të kohës”…

– Jo, nuk jam dakord! e kundërshton Z. Papazahariu dhe nis e i merret goja:  – Problemi i skllavërisë, vijon ai rrëmujshëm, nuk shtrohet  midis shqiptarëve dhe osmanëve, duke qenë se shqiptarët janë edhe osmanë… Malësorët nuk janë skllevër… Në fund të fundit otomanët nuk përbëjnë një etni, as komb… Otomanët ishin kompani ushtarake … Midis tyre kishte një shumicë shqiptarësh … (!)

Ohoh! ç’kakofoni “argumentesh” e konkuzionesh absurde në gojën e një studiuesi “kompetent” të orientalistikës për t’i qepur gojën djaloshit Tupja, që rri dhe gozhdon me vështrim të rreptë Profesorin grek ftuar në Paris të ligjërojë!…

– E deklaroj mbledhjen të mbyllur! – nxiton të thotë Kryetari, pasi falënderon edhe një herë  Zotërinë e tij Papazahariu për speech-in e shkëlqyer antishqiptar që ai mbajti në prani kokash shkencore!…

(P.S. Artikullin tonë e shoqërojmë me ilustrime të figurës së Skënderbeut që ndodhen në muzeumet e Greqisë, vepra të piktorëve grekë që dëshmojnë drejtpërdrejt dashurinë e popullit grek për figurën e Heroit kombëtar të shqiptarëve).

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Edmond Tupja, Fotaq Andrea, mbrojtja, Skenderbeu

Forcimi i politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes në BE

August 6, 2015 by dgreca

Nga Bahri BEQIRI/
Bashkëpunimi i përhershëm strukturor si mjet për më shumë integrim/
Duke pasur parasysh negociatat mbi mbetjen e Greqisë në Eurozonë, Samitit të Këshillit të Sigurimit, të mbajtur më 25 e 26 qershor 2015, nuk i mbeti pothuajse fare hapësirë për temën aktuale: zhvillimin e mëtutjeshëm të politikave të përbashkëta të sigurisë dhe mbrojtjes. Megjithatë, duke marrë për bazë krizat dhe konfliktet jashtë kufijve të saj, BE-ja nuk qëndron para një testi vetëm sa i përket sigurisë së saj të brendshme. Në politikën e saj të jashtme, ajo ka nevojë të parandalojë një ndarje tematike (politika e refugjatëve vs. agresioni rus) si dhe ndarjen gjeografike (Jug vs. Lindje) dhe të mundësojë më shumë integrim në politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Mjeti më i përshtatshëm për këtë qëllim është dakordimi për bashkëpunim të përhershëm strukturor sipas Traktatit të Lisbonës. Vendet anëtare duhet ta jetësojnë këtë nëpërmjet propozimeve konkrete për bashkëpunim.
Në mbledhjen e Këshillit, të mbajtur në dhjetor të vitit 2013, shefat e qeverive të 28 shteteve anëtare të BE-së, vendosën që Politikat e Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes t’i bëjnë më efikase, më të dukshme dhe më efektive. Më shume se 60 projekte duhej të siguroheshin për të ardhmen në zbrazëtirat e kësaj sfere politike. Një vlerësim i progresit ishte paraparë që të bëhej në qershor të vitit 2015. Përveç kësaj, në këtë datë, Këshilli Europian donte të zgjeronte më shumë rekomandimet për veprim sa i përket zhvillimit të Politikave të Përgjithshme, të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Që nga atëherë është punuar intensivisht në shtetet anëtare të BE-së, me Shërbimin për Marrëdhënie me Jashtë dhe po ashtu në Komisionin Europian. Nga dhjetori i vitit 2013, janë miratuar plane për veprim, janë përgatitur dokumente strategjike dhe janë iniciuar misione dhe operacione të reja sa u përket Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Por, samiti i datës 25/26 qershor 2015, nuk arriti që ta mbajë atë tempo, përkundrazi: Konkluzionet e pakta të Këshillit mbi temën “Siguria dhe Mbrojtja” vënë çdo dinamikë në një përfundim të papritur. Ata vetëm i angazhuan akterët e Shërbimit të Jashtëm të Unionit që të vazhdojnë me punët aktuale lidhur me ndryshimin e strategjisë së sigurisë së brendshme të BE-së. Nga Përfaqësuesja e Lartë e Unionit për Politikë të Jashtme dhe Siguri u kërkua që procesin e refleksionit të strategjisë mbi Politikat e Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, t’i shndërrojë në një strategji globale për politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Përfundimisht, mbetet të zbatohen masat e miratuara në vitin 2013, por pa caktuar ndonjë datë për të shqyrtuar përparimin e mëtejshëm.

Sfidat e Politikave të Përbashkëta për Siguri dhe Mbrojtje në BE

Do të ishte e nevojshme që shefat e shteteve dhe qeverive të merren më detajisht me sfidat aktuale të politikave të sigurisë dhe të mbrojtjes. Këto pothuajse paraqesin kërcënim të njëjtë serioz për kompaktësinë e BE-së, sikurse një dalje e mundshme e Greqisë nga Eurozona ose e Britanisë së Madhe nga BE-ja.
Që nga viti 2003, BE-ja i ka angazhuar instrumentet e saja politike të sigurisë dhe të mbrojtjes në parandalimin e krizave, si në Subsaharë/Afrikë. Objektivi i përgjithshëm këtu është që me ndihmën e misioneve dhe operacioneve të Politikave të Përgjithshme të Sigurisë dhe Mbrojtjes t’u ndihmohet vendeve me shtetësi së dobët, apo edhe nga pasojat e kësaj të fundit. Megjithatë e pa përvojë është treguar BE-ja, në trajtimin e krizave që zhvillohen në afërsinë e saj gjeografike dhe drejtpërdrejt në ndikimin dhe mirëqenien e qytetarëve të saj. Kjo vlen për sulmet terroriste në Francë si dhe për manovrat ushtarake të Rusisë përgjatë kufijve lindorë të BE-së, ose strehimi i refugjatëve në Itali dhe në Greqi. BE-ja nuk e ka mundësinë që njërës nga këto konflikte t’i japë më shumë prioritet se tjetrës, sepse që të gjitha janë njësoj urgjente.
Veçanërisht, shtetet anëtare, të cilat janë më shumë të ngarkuara si Italia, Franca, Suedia ose Shtetet Baltike nuk kanë edhe aq mirëkuptim për tërheqjen e partnerëve të tyre të BE-së, kur është fjala për veprime të ashpra kundër Rusisë ose për rregullsinë e kuotave të shpërndarjes së refugjatëve të Afrikës Veriore. Ata ankohen se nuk u ofrohet mbështetja për të cilën BE-ja dhe shtetet anëtare të saj janë të obliguara të ofrojnë sipas Traktatit të Lisbonës dhe e shohin veten e tyre të ekspozuar ndaj solidaritetit europian. Besimi i tyre në aftësinë e BE-së, për t’i zgjidhur problemet zhduket shpejt. Këshilli i Europës nuk ka qenë në gjendje që të japë përgjigje në këto sfida të reja. Në vend të kësaj ai është kufizuar në shqyrtimin e “dimensionit të brendshëm” të krizave jashtë kufijve të BE-së, qoftë edhe me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit policor në luftën kundër terrorizmit apo zgjatjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë. Pasojat e këtyre krizave nuk i mori edhe aq parasysh, ashtu siç nuk i mori parasysh nevojat e politikave të jashtme të shteteve anëtare në fjalë.

Niveli i ri: Kooperimi në fushën e sigurisë

Për të mos lejuar një erozion të mëtejmë në kompaktësinë e shteteve anëtare të BE-së, tani është koha që Politikat e Përbashkëta të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, të ngriten në një nivel të ri. Në këtë rast duhet të apelohet për një bashkëpunim të përhershëm strukturor. Klauzola e shkruar në Traktatin e Lisbonës (Neni 42 [6] TEU) u hap rrugë shteteve të tilla anëtare për bashkëpunim, që duan t’i përmbushin kriteret e kërkuara për krijimin dhe ofrimin e aftësive ushtarake dhe që të pranojnë obligimet e mëtejshme të njëri–tjetrit në “Misionet me kërkesa të mëdha”.
Deri më tani, shtetet anëtare të BE-së kanë qenë më të strukura sa i përket shfrytëzimit të kësaj klauzole të Traktatit, në mënyrë që të përshkojnë rrugën e një integrimi gjithnjë e më të ngushtë në politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Përkundrazi, ata lejuan tretjen e reformave të parapara, të cilat tërhoqën me vete një integrim në rritje të forcave të armatosura, si ato reformat e Grupeve të Betejës së BE-së, (Weimarer Dreiecks 2010) për të krijuar një Shtab Qendror të BE-së dhe të zhvillimit të aftësive në nivel të BE-së. Shtetet anëtare të BE-së u përcaktuan që të bashkëpunojnë vetëm atëherë kur interesat e përgjithshme përputhen me ato të shteteve veç e veç. Marrëdhëniet bashkëpunuese ndodhën atëherë kur aftësitë që zakonisht rrallë kanë ekzistuar, duhej të përdoreshin bashkërisht (Komandoja e Transportit Ajror Europian), duhej të siguroheshin pajisje të shtrenjta (Kontratat francezo–britanike të Lancaster House) ose u pa i arsyeshëm përmirësimi i integrimit rajonal të forcave të armatosura (Grupi i Visegrad-it, NORDEFCO). Në këtë mënyrë u shfaq një mozaik i formave të bashkëpunimit me gjeometri të ndryshueshme, të cilat në parim nuk kanë lidhje me kornizat e BE-së. Në këtë mënyrë nuk mund të krijoheshin as aftësi të reja e të rëndësishme e as të shfrytëzoheshin resurset e disponueshme.

Integrimi përmes strukturave të përhershme bashkëpunuese

Duke u referuar në një bashkëpunim të përhershëm dhe të strukturuar, ky fragmentim nuk do të mund të zëvendësohet plotësisht. Sidoqoftë, ky bashkëpunim do të krijojë përshtypjen se shtetet anëtare pjesëmarrëse dëshirojnë të arrijnë sa më shumë integrim dhe t’i ngritin Politikat e Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, në një nivel të ri. Për këtë qëllim janë të nevojshëm dy hapa:
a) Nga njëra anë shtetet anëtare të BE-së duhet të vendosin që të zgjerojnë fushën e veprimit përmes strukturave të përhershme bashkëpunuese, me gjenerimin dhe ofrimin e aftësive civile. Dakordimi kontraktual i fushëveprimit operativ të politikës së sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së (Detyrat e Petersburgut), përfshijnë po ashtu qartë instrumentet civile që nga mbikëqyrja e zgjedhjeve ose e kufijve deri tek trajnimi dhe formësimi i forcave civile të sigurisë. Edhe më tutje integrimi i aftësive civile të shteteve anëtare të BE-së qëndron prapa bashkëpunimit ushtarak. Një riformulim i (Nenit 42 (6) TUE) për Bashkëpunim përmes Strukturave të Përhershme, do ta bënte të domosdoshëm ndryshimin e Traktatit të BE-së. Neni 20, megjithatë, lë të hapur mundësinë që brenda kornizave të ashtuquajtura instrumente të përforcimit të bashkëpunimit, të bashkëpunohet edhe në sferën civile dhe të dyja sferat e Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes të avancohen paralelisht.
b) Nga ana tjetër, shtetet anëtare do të duhej të pajtoheshin me një varg projektesh të përbashkëta, të cilat do të mund t’i realizonin në periudha të ndryshme kohore. Këto projekte jo vetëm që do të lehtësonin gradualisht procesin e integrimit, por edhe do ta bënin më koherente politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së. Ndryshe nga përpjekjet e deritanishme integruese, bashkëpunimi nuk do të krijohej më si rrjedhojë e interesave nacionale të shteteve anëtare veç e veç dhe nuk do të kufizohej edhe më tutje vetëm me projekte selektive.

Gjermania, iniciuese e këtyre kooperimeve të sigurisë
Muajve të fundit, Gjermania ka lobuar fuqishëm për krijim e një ushtrie europiane. Kjo duhet të shfrytëzohet në vazhdën e Këshillit të Europës (siç ishte në qershor ) për të avancuar bashkëpunimin e përhershëm strukturor dhe në këtë mënyrë të iniciohen hapa të rëndësishëm drejt integrimit civil dhe ushtarak në BE. Për rolin e saj iniciues, Gjermania është përcaktuar për shumë arsye. Këtu përfshihet pozita e saj gjeografike, bashkëpunimi i saj gjithëpërfshirës politik i sigurisë dhe i mbrojtjes me Francën, Poloninë, Holandën, Belgjikën ose edhe me Shtetet Baltike, në profilin e politikës së saj të jashtme civile si dhe përpjekjet e saj për një integrim europian më të thellë.
Përzgjedhja e Projekteve, të cilat do të duhej të implementoheshin në Struktura të Përhershme Bashkëpunuese, bazohet në sfidat e politikës së sigurisë, angazhimin e misioneve dhe operacioneve të Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, dhe në nismat ekzistuese për bashkëpunim.
Për të përmirësuar planifikimin, zbatimin dhe kontrollin e operacioneve të ardhshme të Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duhet si parësore të shqyrtohet ideja franceze/gjermane/polake, për themelimin e një Shtabi të BE-së. Kështu, jo vetëm planifikimi i misioneve, por dhe operacionet do të ishin më efikase.
Integrimi i forcave të armatosura do të duhej të gëzonte prioritetin dytësor më të lartë, të sigurohet mbikëqyrje e integruar detare në Detin Baltik për Gjermaninë, Poloninë si dhe shtetet skandinave dhe baltike. Kjo do të ishte në përputhje me frymën e Strategjisë së BE-së mbi sigurinë detare, të miratuar në qershor të vitit 2014 dhe do të ishte përtej llogaritjeve të frikës së shteteve të prekura, se Rusia edhe më tej do të mund ta shtrinte politikën e saj ekspansioniste. Përveç kësaj, me kapacitetet e mbikëqyrjes detare do të vendosej bazamenti i kërkuar qe një kohë të gjatë i integrimit të fuqishëm të aftësive detare. Aktualisht ky është i kufizuar në harmonizimin e formacioneve të ndryshme të forcave detare.
Si një projekt tjetër i rëndësishëm politik i integrimit do të ishte krijimi i trupave të reagimit të shpejtë të Forcave Ajrore. Krijimi i tyre do të ishte i ngjashëm me Battlegroups të BE-së dhe do ta ngritnin aftësinë e tyre për reagime të shpejta. Tek mbikëqyrja detare ata do të mund të ishin të nevojshëm po ashtu për veprim sikurse tek evakuimi i shtetasve të BE-së nga zonat e krizës.
Praktika operative e Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka treguar se veprimet ushtarake mund të jenë të suksesshme vetëm me bashkëveprim me misionet civile. Kështu, operacioni EUNAFVOR Atalanta në Bririn e Afrikës kishte treguar sukses vetëm atëherë kur BE-ja ishte aktive edhe në vend. Misioni civil EUCAP Nestor kontribuon që nga viti 2012 në ngritjen e kapaciteteve të Forcave Detare të Sigurisë. Veçanërisht, popullit të Somalisë i është hapur perspektivë ekonomike dhe janë përforcuar strukturat vendore qeverisëse, falë aftësive civile.
Në sfondin e këtyre përvojave duhet që në sferën civile t’i jepet prioritet harmonizimit të trajnimeve të ekspertëve të sigurisë civile dhe të intensifikohet bashkëpunimi në menaxhimin e kufirit.
Profesionistët e sigurisë, të cilët BE-ja në kuadër të Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i dërgon në misione edukuese dhe trajnuese në vendet e treta, deri më tani shkollohen në programet nacionale. Mirëpo, në to nuk barten edhe aq shumë njohuri mbi BE-në dhe strukturat e saj. Kjo e bën të pafavorshëm zbatimin e veprimeve, për arsye se shpesh procedurat nuk funksionojnë ashtu siç duhet dhe se politikat e sigurisë së BE-së, në radhë të parë duhet sqaruar. Një vlerësim i European Security and Defence College (ESDC) përmes një Agjencioni të BE-së do të mund t’i eliminonte këto probleme duke unifikuar shkollimin e ekspertëve të BE-së.
Për më tepër kur kemi të bëjmë me kufijtë e pasigurt, kontrabandimin dhe krimin e organizuar si ato në mes të Tunizisë dhe Libisë, Izraelit dhe vendbanimeve palestineze ose Ukrainës dhe Rusisë. Për këtë arsye, BE-ja ka angazhuar misione të shumta të Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për mbrojtjen e kufijve. Një polici për mbrojtjen kufitare, do të ishte e aftë që të reagonte shpejt do të ngriste në mënyrë të konsiderueshme ndikimin e saj. Për më tepër ajo do të mund të ndihmonte që të shmangte kërcënimet e politikës së sigurisë, lidhur me depërtimin e forcave xhihadiste në BE.
Rritja e cilësisë së Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, nuk është vetëm e mundshme, por edhe e domosdoshme, duke pasur parasysh situatën aktuale të sigurisë. Integrimi i Përhershëm Bashkëpunues për këtë qëllim ia siguron kornizën e përshtatshme. Projektet e bashkëpunimit në sferat civile dhe ushtarake mund të dëshmojnë të jenë e arritur e madhe për zgjidhjen e sfidave të ngutshme në fqinjësinë jugore dhe lindore të BE-së. Së bashku me partnerët e saj të ngushtë, Francën dhe Poloninë, por edhe me shtetet europiane veriore, të cilat janë të gatshme për t’u integruar si Shtetet Baltike dhe të Beneluxit. Gjermania do të duhej të ndiqte rrugën e integrimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm, dhe këto masa të sugjeruara do të mund të shpijnë drejt kësaj rruge.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bahri Beqiri, Bashkimi Europan, mbrojtja, siguria

Artikujt e fundit

  • Mallkimi i diktaturave komuniste
  • Mesdheu – Gramatika e qytetërimeve dhe roli i Shqipërisë në hartën e trashëgimisë mesdhetare
  • Fatime Sokoli, kumbimi këndues i Dragobisë përmes zërit dhe shpirtit të një gruaje që erdhi t’i përkiste përjetësisë
  • Orët dhe orëndreqësit shqiptarë
  • Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë, detyrim kombëtar
  • A Festival to Remember – Celebrating Our Albanian Heritage
  • U PËRURUA LIBRI “ÇAMI, TEK GURI POLAR” 
  • KËSHILLI KOORDINUES I ARSIMTARËVE NË DIASPORË (KKAD) MBAJTI TAKIMIN E RADHËS DHE PREZANTOI PUNËN E SAJ NJËVJEÇARE
  • Parkimi dhe Qarkullimi – Plaga më e Madhe e Rrugëve të Tiranës
  • Figura e Skënderbeut sipas një kompozimi në gravurë në vitin 1631
  • Prishtina Court issues second conviction of Serb for war crimes in Kosova & Strongest Link is released
  • Çfarë dite e mrekullueshme! Pikniku ynë Tradicional i Komunitetit ishte një sukses i jashtëzakonshëm!
  • Botimi i katërt i librit “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit” tashmë është në qarkullim! 
  • Kryeministri Kurti vizitoi Shtëpinë Muze të Ukshin Hotit
  • Interesting Facts about Albanian Film Festival Fan Noli 2025

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT