• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shengeni dhe sfidat!

May 28, 2016 by dgreca

Nga Bahri BEQIRI/

 Dekada me radhë Unioni Evropian (Bashkimi Evropian) ka qenë i preokupuar në gjetjen e rrugës së drejtë sa i përket integrimit të mëtutjeshëm. Mirëpo, sot mendohet rreth shpërbërjes. Deri te ky diskutim erdhi me rastin e trajtimit të krizës financiare në Greqi, por edhe më shumë me rastin e ballafaqimit me numrin e madh të refugjatëve, e cila në raste të caktuara çoi deri tek rifillimi i kontrolleve kufitare.

Mbretëria e Bashkuar këtë vit do të votojë për mbetjen e saj në Union. Ky zhvillim krijon pasiguri në rrjedhën e mëtejshme të Unionit. Një vështrim i thellë në politikën e përbashkët tregtare dhe në tregun e brendshëm, e cila është shtyllë kryesore e integrimit evropian, tregon se të gjitha shtetet anëtare do të humbasin shumë në rast të shpërbërjes së BE-së.  

Në rast të shpërbërjes së BE-së janë të mundshme shkallë të ndryshme të një eskalimi, përgjatë të cilave do të përmbyseshin hapat e suksesshëm të integrimit. Pas shpërbërjes së pjesshme ose në të ardhmen edhe të vazhdueshme të zonës Shengen, disa shtete, siç është Mbretëria e Bashkuar mund ta përjashtonin veten nga tregu i përbashkët. Edhe brenda vetë BE-së, mund të shuheshin katër liritë themelore (liria e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit). Përfundimisht, nëse do të ndodhte një gjë e tillë, madje edhe zona e tregtisë së lirë e Evropës dhe politika e përbashkët komerciale mund të viheshin në pikëpyetje.

Çka nëse shpërbëhet zona Shengen?

Marrëveshja e Shengenit u fuqizua në vitin 1995 dhe kishte për qëllim realizimin e lëvizjes së lirë të njerëzve në tregun e përbashkët evropian (me ç‘rast Mbretëria e Bashkuar, Irlanda dhe Qiproja nuk ishin të përfshira, kurse Bullgaria, Rumania dhe Kroacia ishin të përfshira vetëm pjesërisht). Kjo u plotësua me masa të bashkëpunimit në mes të policisë e të drejtësisë dhe rregullave të përbashkëta të azilit, nëpërmjet të cilës do të formohej një zonë e përbashkët e sigurisë dhe e drejtësisë. Marrëveshja parashikon një pezullim të përkohshëm, siç praktikohet tani pjesërisht në lidhje me çështjen e refugjatëve. Pezullimi i përhershëm mund të ndodhë nëse BE-ja nuk arrin të gjejë zgjidhje të përbashkët për problemin e refugjatëve. Edhe rikthimi i kontrollit të kufijve është i kushtueshëm. Sipas disa hulumtimeve që janë bërë nga ana e disa institucioneve gjermane, llogaritet një barrë shtesë financiare e Gjermanisë, e cila do të arrijë deri në 235 miliardë euro për periudhën kohore 2016-2025. Një rezultat i ngjashëm, po ashtu, del edhe duke e vlerësuar koston, varësisht nga shkalla e kontrollit, prej 17 deri 132 euro në vit për kokë banori në këtë vend. Edhe qytetarët dhe kompanitë do të kenë disavantazhe financiare, si: turizmi ndërkufitar (dhe ai i blerjes) do të ulet, nëse merret parasysh koha e pritjes nëpër kufij. Për më tepër kjo e pengon shkëmbimin social dhe kulturor, i cili lulëzon veçanërisht në rajonet kufitare. Në periudha afatmesme dhe afatgjata do të bie edhe numri i udhëtarëve, të cilët udhëtojnë për arsye profesionale. Rrjedhimisht, tregjet evropiane të punës do të pësojnë sërish ndryshime të mëdha. Tek kompanitë do të ndikojë koha e pritjes në kufi për të kryer obligimet doganore.

Hulumtimet e lartpërmendura, mbështeten në burimet, sipas të cilave në këtë mënyrë do të ngritet kostoja e vlerës së mallrave në lartësi prej 1.4% deri në 3%. Duke marrë parasysh se importet do të jenë 3% më të shtrenjta, mund të llogaritet se performanca ekonomike në BE nga viti 2016 deri në vitin 2025 do të tkurret në masë të madhe. Në rast të rikthimit të vizave në zonën Shengen, për kompanitë do të jetë veçanërisht problematike, sepse do të ketë më pak vizita të kompanive të huaja, që vijnë me qëllim të investimeve dhe blerjeve të pritshme. Pasojat nga kontrolli i kufijve do t’i ndiejnë edhe shtetet e treta, siç janë SHBA dhe Kina, të cilat tregtojnë ose investojnë në Evropë.

 

Dalja individuale e anëtarëve nga politika tregtare dhe tregu i brendshëm         

BE-ja njeh opsione të ndryshme për të rregulluar mbrojtjen e kufijve dhe tregun e përbashkët në raport me vendet e treta. Për tregun e brendshëm, para së gjithash, është i rëndësishëm trajtimi i normave të prodhimit dhe marketingut. Edhe në mes shteteve anëtare të BE-së, këto janë zhvilluar në mënyra të ndryshme për një periudhë të gjatë kohore. Rezultati i tregut të përbashkët nuk është aspak harmonizim i plotë i standardeve në të gjithë BE-në, por më shumë një njohje reciproke, edhe në raport me vendet e treta.

Parimi i njohjes reciproke bazohet në vendimin e mëhershëm të Gjykatës Europiane për Drejtësi të vitit 1979. Rasti, i cili shikuar nga perspektiva e sotme duket mjaft i çuditshëm, kishte të bënte me kontestin mbi Cassis de Dijon, një pije (liker) alkoolike me më pak se 25% alkool. Kjo mund të tregtohej në Gjermani vetëm pas vendimit të Gjykatës, pasi që autorizimi për marketing ishte i vlefshëm në të gjithë tregun e brendshëm. Për aspekte të tilla të tregut të brendshëm ekzistojnë forma të ndryshme të marrëveshjeve për tarifa të jashtme doganore.

Në rast se shtetet anëtare individualisht dalin nga BE-ja atëherë mund të zhvillohen negociata me ta për një riorganizim të marrëdhënieve. Në raste të rralla mund të orientoheshin në modelet ekzistuese si në vijim:

“Modeli Norvegjez”: Zonë e lirë tregtare me treg të brendshëm. Në kuadër të Zonës Ekonomike Evropiane, tregtia në mes shteteve si Norvegjia, Lishtenshtajni dhe Islanda si pjesë të Organizatës për Tregti të Lirë në Evropë dhe BE, u liruan në masë të madhe nga doganimi, por detyrimet doganore në raport me shtetet e tjera mbeten individuale. Një zonë e lirë tregtare, si e tillë, kërkon kontrolle komplekse dhe të shtrenjta të treguesit të origjinës në mënyrë që të parandalohen importet e vendeve të treta, që mund të qarkullonin përmes shtetit anëtar me më pak mbrojtje të jashtme dhe pastaj të përfitojnë nga zona e lirë doganore evropiane. Të përjashtuara reciprokisht nga tregtia e lirë në kuadër të Zonës Ekonomike Evropiane, janë produktet e ndjeshme bujqësore dhe të peshkimit. Shtetet e Organizatës për Tregti të Lirë, duhet t’i plotësojnë të gjitha standardet relevante të prodhimeve, në mënyrë që të importohen në BE, por rregullat e Unionit janë më pak në përputhje me shtetet e tjera anëtare. Në këtë mënyrë, Norvegjia brenda një viti ngarkohet me rreth 300 nga mesatarisht 1000 rregulla të reja të BE-së. Shtetet e Organizatës për Tregti të Lirë e kanë statusin e vëzhguesit në organizata të rëndësishme, siç është Autoriteti Publik Evropian për Sigurinë e Ushqimit, por nuk e kanë të drejtën e bashkëvendosjes për ruajtjen e standardeve.

 

“Modeli Zviceran”: E definuar si zonë e lirë tregtare me treg të brendshëm. Zvicra është anëtare e Organizatës për Tregti të Lirë Evropiane, por jo edhe e Zonës Ekonomike Evropiane. Ajo formon një zonë të lirë tregtare me BE-në, që do të thotë se të dy partnerët i mbajnë doganat e tyre. Vendi merr një pjesë të madhe të tregut të brendshëm për produktet që janë të përcaktuara edhe me marrëveshjet sektoriale. Lëvizja e lirë e njerëzve ka qenë shpesh objekt i mosmarrëveshjeve, por Marrëveshja e vitit 2002 mbetet në fuqi edhe pas miratimit të iniciativës popullore ››Kundër Emigracionit Masiv‹‹ nga ana e popullsisë zvicerane në vitin 2014.

 

“Modeli fqinjësor”: Përpjekje për një Bashkim Doganor. Një bashkim doganor shkon përtej një zone të lirë tregtare nëse tarifa e jashtme doganore do të përcaktohej bashkërisht. Kështu, një shtet e humb fushëveprimin për një politikë të saj doganore. Në vitin 1995, me Turqinë u arrit marrëveshja për Bashkim Doganor, e cila do të jetësohej me ndihmën e periudhave kalimtare. U përjashtuan prodhimet bujqësore. Përmes kësaj janë hequr shumë tarifa doganore në mes të Turqisë dhe BE-së dhe është kërkuar që bashkërisht të vendosin mbi tarifat e jashtme të BE-së. Duhet të krijohen bashkësi doganore edhe me shtete të tjera të Mesdheut, të cilat deri më tani kanë dështuar qysh në fillim për arsye të detyrimeve të ndryshme të shteteve të Mesdheut. Nuk është paraparë treg i përbashkët me vendosje të përbashkët të standardeve, por standardet e BE-së, në kuptimin e detyrimeve që dalin rreth importit duhet respektuar.

 

“Modeli i shteteve të treta”: Tregu i brendshëm kombëtar doganor. Shtetet të cilat janë larguar (në rast se largohen) nga BE-ja mund t’i mbajnë doganat e tyre ose të negociojnë me BE-në e mbetur hartimin e marrëdhënieve të tyre në të ardhmen. Edhe në politikat e nacionalizuara të tregtisë së jashtme mund të definohen edhe më tutje bashkërisht aspekte të tregut të bashkuar, siç janë harmonizimi ose njohja reciproke e standardeve teknike në raport me shtetet e treta. Edhe para negociatave për një marrëveshje transatlantike të tregtisë së lirë një model i tillë është praktikuar edhe me SHBA-në, për disa sektorë dhe për disa standarde të veçanta si p.sh.: në lidhje me telekomunikacionin dhe sigurinë në aviacionin civil.

 

Shpërbërja e tregut të brendshëm dhe e zonës së lirë tregtare. Në një hap të tillë të ardhshëm (nëse ndodhë) të gjitha shtetet anëtare të BE-së, do ta nacionalizonin politikën e tyre tregtare dhe do t’i anulonin katër liritë themelore. Kjo do të kishte efekt të konsiderueshëm në tregti, investime dhe në mirëqenie në të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Besohet se tregu i bashkuar ka gjeneruar në mënyrë të vazhdueshme bruto-produktin e brendshëm për rreth 2–3%. Sipas vlerësimeve, eksportet e shteteve të Unionit janë rreth 8% më të larta në krahasim me kohën jashtë integrimit evropian. Para së gjithash janë krijuar zinxhirë të vlerave ndërkufitare, të cilat do të shkatërroheshin në rast të shpërbërjes së tregut të brendshëm. Standardet e caktuara bashkërisht do të ishin në fuqi edhe më tutje, por shtetet anëtare do t’i krijonin ato vet në të ardhmen. Nëse vendosen dogana në mes të shteteve evropiane, atëherë BE-ja nuk do të jetë më zonë e lirë tregtare.

 

 

Rasti ekstrem: Shpërbërja e Bashkimit Doganor dhe e politikave të përbashkëta tregtare. Shpërbërja e tërësishme e Bashkimit Doganor dhe e politikave të përbashkëta tregtare do të ishte hapi i fundit i shpërbërjes. Secili shtet anëtar i BE-së, atëherë do të vendoste tarifat e veta doganore dhe do të negocionte marrëveshje tregtare me shtete të treta. Shtetet e Unionit nuk do t’i kontrollonin vetëm kufijtë kombëtarë, por edhe administratën kombëtare doganore dhe do të themelonin  administratën për politika tregtare. Sa u përket marrëveshjeve ekzistuese, do të duhej që shtetet anëtare veç e veç të ri-negociojnë. Edhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare do të duhej të vendosej mbi një bazë të re. Shpërbërja do të ngritë shumë pyetje, të cilat do të duhej të qartësoheshin. Për këtë kemi shumë pak shembuj, dhe këta kryesisht shembuj me ndikim negativ.

 

Cilat do të ishin efektet e pezullimit? Me pezullimin e përkohshëm të Marrëveshjes së Shengenit do të rriteshin disavantazhet për qytetarët e BE-së si dhe për kompanitë e zhvilluara. Si rrjedhojë e saj, do të prekej një fushë e integrimit evropian e cila nga shumica është vlerësuar si një arritje pozitive. Por, kjo do të ndikonte negativisht edhe nga jashtë – tek politikanët, turistët ose investitorët potencialë. Kjo lloj politike do të ngjallte përshtypjen se Evropa nuk do të mund t’i mbajë në kontroll problemet e saj dhe se kërcënohet të shkatërrohet politikisht dhe ekonomikisht. Për një kohë të shkurtër, shpërbërja e tregut të bashkuar do të shkaktonte vetëm pasoja. Do të shpartalloheshin zinxhirët evropianë të vlerave ndërkufitare. Në periudhë afatmesme dhe afatgjatë do të dëmtonte konkurrencën e produkteve evropiane në tregun botëror. Ky ndikim do të ishte edhe më i rëndë për aq sa tregjet përmes krijimit të hapave të tjerë nacionalë hartojnë standarde teknike ose standarde të ndryshme shëndetësore. Kjo është e rëndësisë së veçantë meqenëse në rajone të tjera të botës, siç është Azia, tashmë ekzistojnë zona të reja të integrimit. BE-ja, tashmë një zone e madhe ekonomike dhe e integruar fuqishëm globalisht, në mënyrë dramatike do të humbiste në atraktivitet.

Deri më tani shtetet e huaja kanë investuar 14% më shumë brenda tregut të bashkuar në krahasim me shtetet që nuk janë pjesë e BE-së. Interesi i investitorëve evropianë dhe atyre të huaj në tregje të vogla do të zhdukej, për arsye të politikave të shumëfishta doganore brenda BE-së. Gjërat do të përkeqësoheshin edhe më shumë meqenëse efekti do të ndjehej menjëherë, kur shihet se tani investitorët kanë vetëm dyshime për hapa të mundshëm të mëtutjeshëm drejt shpërbërjes evropiane, siç është aktualisht rasti me Mbretërinë e Bashkuar.

Edhe pse shtetet e vogla anëtare mund të përfaqësonin më mirë vetë pozicionet e tyre, ndikimi i tyre në rezultat do të ishte i kufizuar. Përveç kësaj, kjo dobësi do të prekte ndoshta edhe sferën politike, duke pasur parasysh se tregtia e jashtme është prijëse e integrimeve evropiane. Nëse kjo do të binte poshtë, atëherë do të luhatej edhe besueshmëria dhe forca e sferave të tjera. Meqenëse politika e paqëndrueshme e BE-së, është e lidhur me integrimin e tregtisë, ajo gjithashtu është e kërcënuar.

Një shpërbërje e mundshme e BE-së, përmes pezullimit të përkohshëm të Marrëveshjes Shengen do të ishte shumë irracionale. Në atmosferën e tanishme, ku është e pranishme armiqësia evropiane dhe nacionalizimi, konsekuencat e mundshme, mund të paraqiten në mënyrë të gabueshme për qytetarët e BE-së. Këta të fundit duhet të kenë parasysh dhe të jenë të informuar se sa shumë është e rrezikshme kjo për të gjithë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bahri Beqiri, Shengeni dhe sfidat!

SIGURIA DIGJITALE, INTELIGJENCA DHE POLITIKA E JASHTME

February 15, 2016 by dgreca

Nga Bahri Beqiri/
Zbulimet e informatorit të CIA-s, Edward Snowden kanë treguar se monitorimi i paarsyeshëm global dhe masiv i komunikimit digjital është shndërruar në biznes kryesor të shërbimeve inteligjente. Ky vëzhgim, i ashtuquajtur “strategjik”, i cili operon pothuajse në çdo vend, ka po ashtu edhe pasoja në politikën e jashtme dhe pjesërisht nuk është në përputhje me normat tradicionale dhe detyrimet ndërkombëtare të shteteve. Humbja e besueshmërisë ndaj politikës së jashtme mund të shmanget nëse ndaj shërbimeve inteligjente fuqizohet kontrolli parlamentar dhe misioni i tyre do të fokusohej prapë fuqishëm në mbledhjen e të dhënave dhe analizave të ngjarjeve që ndërlidhen. Përfundimisht, secili vend (shtet) duhet të shtrijë angazhimin e tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut në hapësirën digjitale.
Më 18 dhjetor 2014, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, duke pasur parasysh vëzhgimin e paarsyeshëm masiv të komunikimit digjital në mbarë botën përmes shërbimeve te informimit, miratoi për herë të dytë një Rezolutë mbi të drejtat e mbrojtjes së privatësisë në epokën digjitale (Right to Privacy in the Digjital Age, A/RES/69/166; e paraprirë nga A/RES/69/167 e datës 18.12.2013). Përveç këtyre dy Rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme doli edhe një raport i Ekspertëve në Këshillin e të Drejtave të Njeriut (Raport i Komisares së Lartë të Këshillit për të Drejtat e Njeriut Navi Pillay, A/HRC/27/37, 30.6.2014).
Me rezolutat e saj të vitit 2013 dhe 2014, Bashkësia Ndërkombëtare ka konfirmuar unanimisht se të drejtat e njeriut duhet të zbatohen edhe në botën digjitale. Edhe nëse mungojnë dispozitat kombëtare për strategjinë e vëzhgimit të huaj, shërbimet informative janë të lidhura me të drejtën ndërkombëtare.

Shërbimet informative dhe Siguria Digjitale.
Sa i përket vëzhgimit masiv, përveç problematikës ligjore, në ndërkohë, është qartësuar edhe problematika e politikës së jashtme. Për këtë arsye shërbimet e informimit me kooperimin e tyre ndërkombëtar kanë ndërtuar një lloj diplomacie në hije: Ata tregtojnë me të dhënat inteligjente pjesërisht pa kontrollin operativ, parlamentar ose ligjor. Përgjimet e tyre të shënjestruara dhe peshkimi i të dhënave globale, i pengojnë për më tepër marrëdhëniet politike të shteteve dhe i dëmtojnë vlerat e politikës së jashtme. Është e padiskutueshme se shërbimet informative (inteligjente) në gjithë botën janë strukturë e rëndësisë së veçantë. Ata duhet të jenë seizmografë dhe në të njëjtën kohë paralajmërues të krizave të afërta dhe t’i sigurojnë njohuritë, të cilat, si rrjedhojë e mungesës së transparencës së akterëve të vëzhguar, janë të paarritshme nëpërmjet mjeteve të zakonshme. Në këtë kuptim shërbimet e informimit janë mekanizma që kanë për qëllim furnizimin me informacione të politikës së jashtme dhe ushtarake. Në këtë aspekt, ato i plotësojnë mjetet diplomatike, sidomos në sistemet e errëta politike, kushtet jostabile dhe të pasigurta shtetërore dhe në një jo-transparencë të akterëve jo-shtetërorë. Mbledhja e informacioneve të dëshiruara në mënyrë të zakonshme është e vështirë ose edhe fare e pamundshme. Përfaqësuesit e shërbimeve informative gjermane theksojnë në mënyrë të përsëritshme se sikurse shërbimet e tjera edhe ato veprojnë për interesa të qeverisë nga e cila edhe kontrollohen.
Pra, politika duhet të vlerësojë se sa larg mund të shkojnë realisht shtetet me veprimet e shërbimeve të tyre të fshehta jashtë vendit. Aty ku ligji i përgjithshëm ndërkombëtar nuk bën dallime në mes të banorëve vendas dhe të huaj diferencimin e bëjnë faktik shtetet në legjislacionin e tyre kombëtar në mes të banorëve të vet dhe atyre të vendeve të tjera. Madje, edhe atëherë kur kushtetutat e tyre anojnë kah normat universale mbi të drejtat ndërkombëtare, siç është Karta e OKB-së dhe konventat ndërkombëtare, ku të gjithë janë deklaruar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Përfaqësuesit e Shërbimeve Federale Informative në Gjermani argumentojnë me termin “bartës i së drejtës themelore”. Sipas asaj, jo të gjithë shtetasit gjermanë që jetojnë jashtë shtetit janë nën mbrojtje të plotë të Kushtetutës. Nëse për shembull, punoni për një firmë të huaj dhe keni detyra interesante të shërbimit informativ ose mbani kontakte, ju mund të vëzhgoheni nga Shërbimi Federal Informativ si çdo qytetar tjetër jo-gjerman. Ky gjithsesi është interpretimi ligjor nga ana e qeverisë gjermane.

Detyra të reja, probleme të reja
Pas përfundimit të luftës së ftohtë janë shtuar konfliktet asimetrike dhe jo të zakonta siç janë: aktivitetet e kriminelëve të organizuar ndërkombëtarisht dhe aktet e grupeve globale terroriste. Kjo ka bërë që shërbimeve informative t’u shtohen fusha të reja vepruese dhe objektiva të reja zbuluese. Meqenëse shumë nga akterët e rinj janë të organizuar në mënyrë jo-shtetërore dhe e përdorin infrastrukturën e komunikimit civil, edhe shërbimet informative botërore janë përqendruar dukshëm në zbulimet teknike (signal and network intelligence). Përveç vëzhgimit të shënjestruar të personave dhe grupeve të rrezikshme ata fokusohen edhe në vëzhgimin, vlerësimin dhe ruajtjen për një periudhë të gjatë kohore të komunikimit digjital në atë zonë dhe në nivel global.
Këtë e kanë bërë të mundshme dy zbulime: së pari, zëvendësimi pothuajse i plotë i komunikimit analog me tela me komunikimin digjital të kyçur përmes kabllove të fibrave optikë, lidhjeve satelitore dhe internetit. Së dyti, fuqia procesuese dhe kapaciteti ruajtës i sistemeve kompjuterike janë rritur në atë masë sa të lejon në kohë reale kapjen e plotë të komunikimit dhe analizimin e gjerë të saj. Vëzhgimi gjithëpërfshirës global i komunikimit në mbarë botën, është përgjigja e aparatit të sigurisë ndaj kërcënimit të delokalizuar asimetrik, përmes terrorizmit ndërkombëtar dhe krimit të organizuar. Ky burim i rreziqeve përshkruhet zakonisht me imazhin e gjilpërës në kashtë. Ndryshe nga e kaluara tani edhe kashta është në interes të shërbimeve informative. Dhe kjo kashtë, në këtë rast, janë të dhënat private të të gjithë qytetarëve. Në praktikë lejon vetëm analizimin e të dhënave të tyre për ta përshkruar dhe identifikuar gjilpërën. Është e qartë se të dhënat e fituara në këtë mënyrë mund të përdoren edhe për qëllime të tjera. Implikimi i vëzhgimit te përgjithshëm gjeneron një sasi gjigante të ashtuquajtura të gjetura, të cilat edhe më tutje janë të paspecifikuara si më herët. Edhe për këtë arsye është rritur nxitja e shfrytëzimit dytësor.

Politika e Jashtme dhe Siguria Digjitale
Vëzhgimi i internetit dhe i komunikimit të mbështetur nga interneti në marrëdhëniet ndërkombëtare është shndërruar në një instrument bazik pushtues. Njohuritë e fituara promovojnë ruajtjen strategjike të bashkëpunimit ndërkombëtar të shërbimeve informative. Veprimet politike gjithnjë e më shumë definohen sipas asaj se sa suksesshëm arrihet të posedohen informacionet e tjetrit. Dhe si rrjedhojë e këtij posedimi zbatimi i disa qëllimeve të synuara politike mund të rezultojë përsëri me rezerva, p.sh.: përballë detyrimit për të informuar parlamentet kontrolluese. Normat dhe qëllimet e politikës së jashtme, të përfaqësuara ndërkombëtarisht përmes diplomacisë së shteteve, rrjedhimisht bien në kundërshtim me praktikat e shërbimeve informative.
Përderisa diplomacia është e vendosur në ndërtimin e besimit, shërbimet informative nuk tërhiqen nga përgjimi i aleatëve në bisedimet dhe negociatat ndërkombëtare. Kjo dëshmon jo vetëm mungesën e besimit në diplomacitë e tyre, por edhe i delegjitimon veprimet diplomatike nga brenda dhe jashtë. Këtu mund të përmendet si shembull përgjimi i Samitit G/20 në vitin 2009 nga ana e Shërbimit Informativ Anglez GCHQ. Shërbimet e informimit dhe autorizuesi politik i tyre, në raste të tilla, luajnë me një rrezik shumë të madh, sepse në rast të zbulimit dëmi që i shkaktohet politikës së jashtme është i konsiderueshëm.
Disponimi në marrëdhëniet gjermano-amerikane mbetet akoma i stagnuar edhe pse ka kaluar një kohë që nga zbulimi i faktit se celulari privat i Kancelares Merkel ishte përgjuar. Marrëdhëniet transatlantike, raportet personale në mes Merkelit dhe Obamas dhe roli i SHBA-së si partner nga ana e Gjermanisë kanë rënë në tjetër nivel.
Vëzhgimi global masiv i komunikimeve i dëmton jo vetëm veprimet e diplomacisë, por qëndron në raporte të tensionuara edhe me interesat tradicionale të politikës së jashtme, sa u përket të drejtave universale të njeriut dhe kohezionin e vlerave të komunitetit perëndimor. Se shteti mund të ndërhyjë në raste të caktuara justifikuese në të drejtat e qytetarëve kur ka të bëjë me ruajtjen e interesit mbrojtës, është konsensus ndërkombëtar.
Ndërhyrjet e tilla duhet të jenë në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare dhe në përputhje me parimet e ligjshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit. Njerëzit kanë të drejtë universale për mbrojtjen nga ndërhyrjet në privatësinë e tyre në formën e vëzhgimit masiv shtetëror jashtë-territorial. Megjithatë, konsensusi i vlerave të komunitetit perëndimor, i përmendur në fillim, duket i ndërprerë nëse i kemi parasysh negociatat dhe Rezolutën e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila doli nga këto negociata. Anëtarët e Aleancës së ashtuquajtur “5 sytë” (SHBA, Kanadaja, Britania e Madhe, Australia dhe Zelanda e Re) nuk kanë qenë të gatshëm të respektojnë parimin e të drejtës ndërkombëtare të proporcionalitetit sa i përket ndërhyrjes në sferën private të qytetarëve dhe këtë jo vetëm në vëzhgimin e komunikimeve.
Në projekt-rezolutën e fundit vihet re se në çdo komunikim digjital mbledhja e të dhënave – Meta, nuk përmenden si te vlefshme për t’u mbrojtur. Këto të dhëna, të cilat nga ana e shërbimeve informative lejojnë shumë lehtë kapjen dhe analizimin e tyre në nivel mbarëkombëtar mundësojnë depërtime të thella në sferën private të njerëzve, duke përshirë p.sh. krijimin e profileve të personalitetit, marrëdhënieve dhe të lëvizjes. Edhe në raste të tjera, vlerat e politikës së jashtme gjermane janë të rrezikuara.
Liria e shprehjes dhe e medieve në një shoqëri të vëzhguar kolektivisht në mënyrë digjitale nuk mbrohet pothuajse fare. Kryeministri britanik, David Cameron, ka iniciuar një diskutim lidhur mbi ndalimin, respektivisht, shmangien e kodimit të komunikimit. Ky diskutim tregon se tek balancimi në mes të interesave shtetërore të sigurisë dhe të drejtave individuale të njerëzve teknologjia perëndimore vë në dyshim bujarinë. Me anë të kësaj, kërkesat liberale të drejtuara ndaj diktaturës dhe autokracisë e humbin besueshmërinë.

Primati politik dhe siguria digjitale
Sulmet e janarit dhe nëntorit të vitit 2015, në Paris, kanë bërë që roli i shërbimeve informative kundër terrorizmit të shndërrohet sërish në temë të diskutimit politik. Rasti i ndërlidhur me të drejtë nuk vë në dyshim bashkëpunimin ndërkombëtar. Edhe njoftimi nga ana e Ministrit të Brendshëm të Francës, mbi shtimin e autoriteteve për zbatimin e ligjit duket i kuptueshëm, vrasësit ishin të njohur për policinë por, për arsye të resurseve të kufizuara nuk janë vëzhguar intensivisht.
Mbetet e diskutueshme nëse vëzhgimi masiv global i komunikimit ka efekt parandalues. Nuk ka dëshmi të qarta sa i përket kësaj. Se vëzhgimi megjithatë ekziston është një dëshmi e mungesës së transparencës së aktiviteteve të shërbimeve informative. Krejt kjo flet për nevojën e të drejtuarit politikisht. Kjo ka të bëjë me lidhjen e sërishme të kontratës në mes të politikës së jashtme dhe të drejtave të njeriut me shërbimet informative dhe përmbushjen efikase të saj.
Si shembull, Republika Federale e Gjermanisë edhe më tutje njihet ndërkombëtarisht si mbështetëse e besueshme e normave të së drejtës ndërkombëtare dhe në veçanti universalitetit të të drejtave të njeriut. Sqarimi i ngadalshëm i NSA – Komisionit hetimor, i cili ndriçon edhe bashkëpunimin e SHIGJ me Shërbimet Inteligjente të SHBA-ve, sa i përket vëzhgimit global, i ka shkaktuar gërvishtjet e para kësaj renomeje.

Politika që duhet ta rikthejë primatin mbi shërbimet
Për të arritur këtë janë të nevojshme disa masa:
a. Përmirësimi i bazave ligjore për punën dhe kontrollin parlamentar të Shërbimeve Inteligjente. Jo shërbimi, por Vëzhguesit e tyre kanë nevojë për pajisje të reja teknike dhe të personelit. Në kuptimin e të drejtave universale të njeriut duhet që vëzhgimi strategjik i trafikantëve të huaj të nxirret nga “vakumi ligjor” dhe të rregullohet konform bazave ligjore.
b. Largimi i Shërbimeve inteligjente nga vëzhgimet masive dhe një kthesë në analizimin dhe bashkëpunimin e rasteve të veçanta në bazë të një kontrate konkrete politike.
c. Vazhdimi i angazhimit të treguar nga ana e OKB-së për forcimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut në botën digjitale. Standardet teknike dhe politike për kodimin, mbrojtjen e të dhënave dhe sigurisë së të dhënave janë elemente të rëndësishme në implementimin e Rezolutës 69/166.
d. Bashkëpunim më të mirë dhe më përmbajtjesor me partnerë të rinj të mendimit të njëjtë, përveç kësaj një pozicionim edhe më i mirë dhe më i arsyeshëm kundrejt aleatëve si: SHBA-të dhe Britania e Madhe, për jetësimin e normave të së drejtës ndërkombëtare për shërbimet inteligjente.

Filed Under: Opinion Tagged With: Bahri Beqiri, INTELIGJENCA DHE, Politika e jashtme, SIGURIA DIGJITALE

Kriza mes NATO-s dhe Rusise

November 23, 2015 by dgreca

Shkruan: Bahri Beqiri/
Marrëdhëniet e institucionalizuara ndërmjet NATO-s dhe Rusisë janë pezulluar që nga aneksimi i Krimesë, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, në vitin 2014, dhe luftës në Ukrainën Lindore.
Sa i përket rendit dhe sigurisë euro-atlantike, për shkak të pikëpamjeve kundërshtuese, raportet në vazhdimësi janë përkeqësuar thellësisht. Për më tepër, është e rëndësishme të qartësohen faktorët përcaktues dhe perspektivë në raportet bilaterale. Se si do të zhvillohen këto raporte në pesë deri dhjetë vitet në vijim, para së gjithash varet prej ngjarjeve të ardhshme siç janë Samiti i NATO-s në Varshavë (në vitin 2016), zgjedhjet në ShBA (2016) dhe zgjedhjet në Rusi (në vitin 2016 e 2018). Zhvillimet e jashtme do të luajnë po ashtu një rol të rëndësishëm.
Raportet ndërmjet Rusisë dhe NATO-s janë në krizën më të thellë që nga përfundimi i luftës së ftohtë. Edhe më tutje ka dështuar objektivi i vitit 2010, që të ndërtohet një “partneritet strategjik”, i cili do të bazohej në besimin reciprok, jetësimin e interesave të përbashkëta dhe respektimin e parimeve të dakorduara, sipas Kartës së Parisit, të vitit 1990. Përkeqësimi i thellë i këtyre raporteve reflekton në pezullimin e dialogut dhe të strukturave bashkëpunuese. Për arsye të aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë dhe destabilizimit të Ukrainës Lindore, NATO në prill të vitit 2014 prezantoi bashkëpunimin civil dhe ushtarak në Këshillin NATO-Rusi (KNR). Më herët këto shërbenin si masa për krijimin e besimit, siç është dialogu mbi doktrinat e mbrojtjes e deri tek bashkëpunimi praktik, duke përfshirë trajnimin e njësiteve për luftimin e drogës në Afganistan. Përkundër kritikave thelbësore ndaj Moskës, NATO-ja mbështetë mundësinë e dialogut politik me Rusinë.
Në prill të vitit 2014, u vendos që kanalet në nivel ambasadorësh të mbahen të hapura. Faktikisht edhe këtu mbretëron heshtja: që nga viti 2014 KNR është takuar vetëm një herë. Edhe më rëndë se përfundimi i bashkëpunimit praktik peshon humbja masive e besimit dhe ri-jetësimi i ideve tradicionale kërcënuese para së gjithash në disa shtete lindore të Evropës Qendrore dhe në një pjesë të lidershipit rus.
Për NATO-n, Rusia nuk është më një partner. Si përgjigje ndaj qasjes së Rusisë, Aleanca ka reaguar me reformat më të thella ushtarake që nga Lufta e Dytë Botërore, me të cilat dëshiron t’i forcojë dhe t’i përshtatë aftësitë e saj mbrojtëse. Kështu, mbrojtja e Aleancës u rikthye sërish si detyrë thelbësore. Për këtë qëllim Readiness Action Plan (RAP), i miratuar në Samitin e Uellsit në vitin 2014, përmbanë masa të menjëhershme dhe afatgjata të ri-sigurisë dhe përshtatjes. Me anë të ri-sigurisë, siç janë ushtrimet më të shpeshta dhe përforcimi i mbikëqyrjes së hapësirës ajrore, Aleanca i sinjalizon anëtarët e saj të shqetësuar se mund të llogarisin në mbështetjen e premtuar të NATO-s. Në vazhdën e përshtatjes Aleanca ka rritur gatishmërinë e saj vepruese dhe aftësinë e saj reaguese, siç janë: krijimi i një force të re për reagim të shpejtë dhe ndërtimi i shtabeve vëzhguese (Force Integration Unit) në Evropën Lindore. NATO-ja i konsideron këto si masa mbrojtëse të Aleancës, të cilat janë në harmoni me Aktin Themelues NATO-Rusi të vitit 1997. Aty, të dyja palët ranë dakord që të promovojnë parimet e besimit dhe të bashkëpunimit.
Në anën tjetër, Moska zyrtare i vlerëson këto masa si dëshmi të karakterit agresiv dhe ekspansionist të NATO-s. Në vitet 2014 dhe 2015 ajo i ndërtoi kapacitetet e saj ushtarake në distriktin ushtarak Perëndim, e cila kufizohet me shtetet anëtare të NATO-s si Norvegjinë, Poloninë dhe Shtetet Baltike, duke vazhduar me intensifikimin e aktiviteteve stërvitore, modernizimin e sistemeve të armatimit, do të ri-ndërtohet një ushtri e blinduar dhe do të stacionohen më shumë sisteme moderne të mbrojtjes ajrore. Pas aneksimit të Krimesë u eliminuan madje edhe kufizimet për modernizimin e Flotës Ruse e stacionuar në Detin e Zi. Për më tepër Moska demonstrimin e fuqisë ushtarake e shfrytëzon si skenar kërcënues. Kështu, në vitin e fundit numri i aeroplanëve rusë, që fluturojnë në afërsi të hapësirës ajrore të NATO-s është rritur dukshëm. Shqetësuese janë po ashtu edhe kërcënimet bërthamore të Krimesë. Ata u përforcuan në dhjetor të vitit 2014 dhe në mars të vitit 2015, me rastin e vendosjes së raketave me kapacitet bërthamor me rreze të shkurtër “Iskander”, për stërvitje në Kalingrad. Në këtë mënyrë, kjo kthen prapa dilemën e sigurisë, që besonim të jetë tashmë e kaluar, ku veprimet e caktuara mbrojtëse të njërës palë interpretohen nga tjetri si ofensivë dhe përdoret si shkak për eskalim. Rezultati është një spirale e rrezikshme Veprim-Reagim.
Skenarët e zhvillimit – Qëllimi i një partneriteti strategjik ndërmjet NATO-s dhe Rusisë, para së gjithash duket i dështuar. Nisur nga kjo, hapësira vepruese për zhvillimin e marrëdhënieve është e kufizuar. Skenarët e mundshëm janë si në vijim:
• Konfrontimi, me një shkallë të lartë të përshkallëzimit. Mungesa e besimit, dialogu i mangët dhe armatosja rezulton me jo- stabilitetin e lartë të krizës. Marrëdhëniet e acaruara mund të eskalojnë ushtarakisht ose pa dashje, për arsye të ndonjë keqinterpretimi, ose qëllimisht, për arsye të brendshme politike.
• Shmangia e konfrontimit. Edhe këtu ka si pretendime ashtu edhe shpresa për të zgjidhur konfliktin e rendit politik. Të dyja palët megjithatë janë duke punuar që të evitojnë eskalimin ushtarak, mbase me ndihmën e transparencës, masave për ndërtimin e besimit dhe marrëveshjeve bilaterale. Aty ku ka interesa të përbashkëta mund të bashkëpunohet ad hoc.
• Partneriteti pragmatik. Konflikti i rendit politik ekziston ende, por akterët janë të gatshëm që ta modifikojnë atë në zona të përzgjedhura. Kjo shkon krahas bashkëpunimit intensiv, afatgjatë dhe institucional, por që është e përçarë nga rivaliteti. Mundësia e eskalimit ushtarak është e ulët, kurse ajo e besueshmërisë më e lartë. Ndryshe nga një partneritet strategjik, i mungojnë bazat e përbashkëta të vlerave dhe një vizion i marrëdhënieve bilaterale. Se cili skenar do të dominojë për një afat të gjatë kohor varet nga zhvillimet e brendshme në Rusi dhe në NATO, por edhe nga faktorët e jashtëm.
Orientimi i Rusisë – Situata e brendshme politike nxitë aktualisht një sjellje konfrontuese të lidershipit rus. Që nga fillimi i mandatit të tretë të Putinit në vitin 2012, Rusia kufizohet gjithnjë e më shumë nga Perëndimi. Kjo është, para së gjithash, e motivuar nga politika e brendshme. Pas shkatërrimit të bazave të deritanishme legjitime të një ekonomie të suksesshme dhe aftësive për arritjen e mirëqenies, shkatërrim që filloi qysh para krizës në Ukrainë, Kremlini në vend të kësaj instrumentalizoi një ideologji, e përbërë nga nacionalizmi, superfuqia e së kaluarës dhe distanca normative ndaj Perëndimit “të pasur”. Në politikën e jashtme kjo reflekton në forcimin e përpjekjeve homogjene në hapësirën post-sovjetike dhe kthimin e serishëm në Kinë. Megjithatë, Putini edhe më tutje mund të mbështetet në vlerësime të larta të propagandës dhe instrumenteve represive. Zvarritja e reformave ekonomike, ndikimi i sanksioneve perëndimore dhe ulja e çmimit të naftës mund ta dëmtojnë stabilitetin e regjimit. Kjo mund ta nxiste lidershipin rus të ashpërsojë retorikën e saj anti-perëndimore dhe të demonstrimeve provokatore të fuqisë ushtarake si ajo e manovrave të mëdha në kufirin perëndimor ose një ngrohje e konfliktit në Ukrainë, mundësisht para zgjedhjeve të Dumës ruse, që do të mbahen në shtator të vitit 2016, vetëm pak javë pas Samitit të NATO-s dhe para pranverës së vitit 2018, kur janë planifikuar të mbahen zgjedhjet presidenciale.
Megjithatë nuk përjashtohet mundësia e afrimit të Rusisë me Perëndimin. Nxitëse për këtë qëllim mund të jetë domosdoshmëria ekonomike dhe kostoja e një partneriteti fillestar me Kinën. Kjo do të kërkonte uljen e ndikimit të ekstremistëve dhe rritjen e peshës politike të realistëve dhe liberalëve modernë.
Zhvillimet në NATO – Samiti i NATO-s që do të mbahet në Varshavë, në vitin 2016, mund ta përkeqësonte përkohësisht konfrontimin me Rusinë. Në Samit do të publikohen konkluzionet e arritura mbi ri-organizmin strategjik të Aleancës, të nisura në Uells. Është e mundshme që të jepen edhe këshilla mbi hapat e mëtutjeshëm adaptues, të cilat i ka kërkuar veçanërisht nikoqiri i këtij Samiti, Polonia. Përveç kësaj, mund të vijnë në rend të ditës pika të tjera, të cilat Moska tradicionalisht i kritikon, siç janë zgjerimi i Aleancës (pritet t’i bëhet ftesë Malit të Zi) ose përparimi i mbrojtjes raketore. Ajo që do të jetë vendimtare është nëse NATO përkundër pozicioneve të ndryshme do të arrijë ta ruajë unitetin e saj. Megjithëse të gjithë aleatët e kritikojnë ashpër sjelljen e Moskës, përderisa disa shtete lindore të Evropës Qendrore ndjehen drejtpërdrejt të kërcënuara, të tjerët nuk e shohin Rusinë si një problem kryesor për sigurinë e tyre. Franca është më shumë e shqetësuar për jo-stabilitetin në Afrikë. Për këtë arsye ndryshojnë edhe mendimet se deri ku mund të shkojë përshtatja ushtarake e NATO-s dhe sa e fuqishme mund t’i drejtohet Lindjes. Disa aleatë e refuzojnë dialogun e gjerë me Moskën përderisa të tjerët si Gjermania dëshirojnë t’i shfrytëzojnë kanalet e dialogut, të tilla si një mbledhje e KNR-së.
Zhvillimet e jashtme – Zhvillimet jashtë NATO-s dhe Rusisë në njërën anë mund të ndikojnë pozitivisht në marrëdhëniet bilaterale. Shuarja e konfliktit në Ukrainë mund t’i hapë rrugë uljes së tensioneve ndërmjet Rusisë dhe NATO-s. Ky mund të jetë rezultat i suksesshëm i diplomacisë së krizave ose i ndryshimeve politike në Ukrainë ose në Rusi. Edhe rreziqet e jashtme, si rreziku i islamizmit mund të përbëjnë nxitjen e bashkëpunimit të përkohshëm NATO- Rusi. Frikësuese është po ashtu intensifikimi i situatës së sigurisë në Afganistan dhe në shtetet qendrore fqinje. Ka mundësi që NATO të angazhohet atje përsëri ndjeshëm ushtarakisht, me kusht që ajo të jetë në gjendje për ta bërë këtë duke pasur parasysh fokusin e saj kryesor mbrojtjen e Aleancës. Prandaj, Rusia me pëlqimin e NATO-s do të mund të bëhet aktere përforcuese e sigurisë. Në anën tjetër, ndezja e ndonjë konflikti territorial etnik në hapësirën post-sovjetike, mund t’i rëndonte marrëdhëniet. E njëjta vlen edhe për revolucionet me ngjyra, të cilat Moska i sheh si forma perëndimore të luftës.
Pikëpamjet dhe opinionet – Konflikti i rendit politik ndërmjet NATO-s dhe Rusisë për momentin duket i pakalueshëm me marrëdhënie të shkatërruara. Andaj, ka gjasa që të jetë e pashmangshme një faze e gjatë e jostabilitetit relativ dhe e tensioneve. Për të parandaluar eskalimin ushtarak dhe për të rritur stabilitetin në zonën euroatlantike do të duhej që përpjekjet aktuale të fokusoheshin si në shmangien e përshkallëzimit (Skenari 1) ashtu edhe mbajtjen nën kontroll të konfliktit (Skenari 2) dhe që të punohet drejt një partneriteti pragmatik (Skenari 3). Kjo e fundit nuk do të thotë zbutje e normave legjitime të Kartës së Parisit. Sovraniteti, integriteti territorial dhe zgjidhjet e lira të Aleancës janë të pa negociueshme për shtetet anëtare të NATO-s. Në mënyrë që lidershipi rus ofertat për dialog dhe bashkëpunim praktik të mos mund t’i interpretojë si legjitimim i veprimeve të tij në Ukrainë, partneriteti pragmatik mund të drejtohej vetëm atëherë kur Rusia të kontribuojë ndjeshëm në zbatimin e Minskut 2.
Një partneritet i tillë në NATO mund të jetësohet vetëm atëherë kur është e garantuar mbrojtja e aleatëve nëpërmjet parandalimit të besueshëm, aftësisë mbrojtëse dhe fleksibilitetit. Nëse janë të plotësuara këto kushte atëherë nevojiten tre hapa në rrugën drejt partneritetit pragmatik:
Komunikimi dhe Dialogu – rrjeti tashmë i dendur i kontakteve nuk do të ri-aktivizohet në një të ardhme të afërt, mirëpo pikërisht në kohën e krizave, komunikimi me qëllim të de-eskalimit nuk duhet të jetë i vendosur plotësisht. Në afat të shkurtër vlen të shfrytëzohen kanalet jo-formale siç janë takimet e Sekretarit Gjeneral të NATO-s me përfaqësuesin rus në NATO. Suksesi i përparimit substancial në implementimin e Minskut 2 këshillon që të ri-fillohet gradualisht me formatet e dialogut në KNR.
Ndërtimi i besimit dhe ligjshmëria – me gjithë bllokadën e vazhdueshme politike hapat praktiko-teknikë mund të pajtohen që së pari të evitohet eskalimi i paqëllimshëm ushtarak dhe së dyti të ringjallet kontrolli klasik i armëve. Për fushën e parë nevojitet përdorimi i mekanizmit të propozuar të kontakteve të krizave në nivelin ushtarak ndërmjet NATO-s dhe Rusisë. Po ashtu do të ishte e dobishme një marrëveshje ndërmjet Moskës dhe Brukselit, që të definohen rregullat e mirësjelljes për sigurinë nga përballjet në hapësirën ajrore dhe detare. Në fushën e dytë, si objektiv duhet të jetë ndalimi i erozionit të marrëveshjeve ekzistuese për kontrollin e armëve. Kjo ka të bëjë, në rend të parë, me pranimin e Dokumentit të Vjenës, aktualisht paketës më të rëndësishme të OSBE-së për masat e kontrollit të armëve konvencionale.
Bashkëpunimi praktik – nëse do të përmirësoheshin marrëdhëniet, bashkëpunimi praktik në KNR mund të ngritej përsëri hap pas hapi. Kontaktet në nivelin ushtarak së pari mund të aktivizoheshin në fushat jo-kundërshtuese politike, ku të dyja palët kanë përfitime të njëjta, siç është kërkim-shpëtimi në det. Këtu Aleanca do të mund të mbështetej në përvojat e anëtarëve individualë, siç është Norvegjia.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bahri Beqiri, Kriza mes, NATO-s dhe Rusise

Forcimi i politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes në BE

August 6, 2015 by dgreca

Nga Bahri BEQIRI/
Bashkëpunimi i përhershëm strukturor si mjet për më shumë integrim/
Duke pasur parasysh negociatat mbi mbetjen e Greqisë në Eurozonë, Samitit të Këshillit të Sigurimit, të mbajtur më 25 e 26 qershor 2015, nuk i mbeti pothuajse fare hapësirë për temën aktuale: zhvillimin e mëtutjeshëm të politikave të përbashkëta të sigurisë dhe mbrojtjes. Megjithatë, duke marrë për bazë krizat dhe konfliktet jashtë kufijve të saj, BE-ja nuk qëndron para një testi vetëm sa i përket sigurisë së saj të brendshme. Në politikën e saj të jashtme, ajo ka nevojë të parandalojë një ndarje tematike (politika e refugjatëve vs. agresioni rus) si dhe ndarjen gjeografike (Jug vs. Lindje) dhe të mundësojë më shumë integrim në politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Mjeti më i përshtatshëm për këtë qëllim është dakordimi për bashkëpunim të përhershëm strukturor sipas Traktatit të Lisbonës. Vendet anëtare duhet ta jetësojnë këtë nëpërmjet propozimeve konkrete për bashkëpunim.
Në mbledhjen e Këshillit, të mbajtur në dhjetor të vitit 2013, shefat e qeverive të 28 shteteve anëtare të BE-së, vendosën që Politikat e Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes t’i bëjnë më efikase, më të dukshme dhe më efektive. Më shume se 60 projekte duhej të siguroheshin për të ardhmen në zbrazëtirat e kësaj sfere politike. Një vlerësim i progresit ishte paraparë që të bëhej në qershor të vitit 2015. Përveç kësaj, në këtë datë, Këshilli Europian donte të zgjeronte më shumë rekomandimet për veprim sa i përket zhvillimit të Politikave të Përgjithshme, të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Që nga atëherë është punuar intensivisht në shtetet anëtare të BE-së, me Shërbimin për Marrëdhënie me Jashtë dhe po ashtu në Komisionin Europian. Nga dhjetori i vitit 2013, janë miratuar plane për veprim, janë përgatitur dokumente strategjike dhe janë iniciuar misione dhe operacione të reja sa u përket Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Por, samiti i datës 25/26 qershor 2015, nuk arriti që ta mbajë atë tempo, përkundrazi: Konkluzionet e pakta të Këshillit mbi temën “Siguria dhe Mbrojtja” vënë çdo dinamikë në një përfundim të papritur. Ata vetëm i angazhuan akterët e Shërbimit të Jashtëm të Unionit që të vazhdojnë me punët aktuale lidhur me ndryshimin e strategjisë së sigurisë së brendshme të BE-së. Nga Përfaqësuesja e Lartë e Unionit për Politikë të Jashtme dhe Siguri u kërkua që procesin e refleksionit të strategjisë mbi Politikat e Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, t’i shndërrojë në një strategji globale për politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Përfundimisht, mbetet të zbatohen masat e miratuara në vitin 2013, por pa caktuar ndonjë datë për të shqyrtuar përparimin e mëtejshëm.

Sfidat e Politikave të Përbashkëta për Siguri dhe Mbrojtje në BE

Do të ishte e nevojshme që shefat e shteteve dhe qeverive të merren më detajisht me sfidat aktuale të politikave të sigurisë dhe të mbrojtjes. Këto pothuajse paraqesin kërcënim të njëjtë serioz për kompaktësinë e BE-së, sikurse një dalje e mundshme e Greqisë nga Eurozona ose e Britanisë së Madhe nga BE-ja.
Që nga viti 2003, BE-ja i ka angazhuar instrumentet e saja politike të sigurisë dhe të mbrojtjes në parandalimin e krizave, si në Subsaharë/Afrikë. Objektivi i përgjithshëm këtu është që me ndihmën e misioneve dhe operacioneve të Politikave të Përgjithshme të Sigurisë dhe Mbrojtjes t’u ndihmohet vendeve me shtetësi së dobët, apo edhe nga pasojat e kësaj të fundit. Megjithatë e pa përvojë është treguar BE-ja, në trajtimin e krizave që zhvillohen në afërsinë e saj gjeografike dhe drejtpërdrejt në ndikimin dhe mirëqenien e qytetarëve të saj. Kjo vlen për sulmet terroriste në Francë si dhe për manovrat ushtarake të Rusisë përgjatë kufijve lindorë të BE-së, ose strehimi i refugjatëve në Itali dhe në Greqi. BE-ja nuk e ka mundësinë që njërës nga këto konflikte t’i japë më shumë prioritet se tjetrës, sepse që të gjitha janë njësoj urgjente.
Veçanërisht, shtetet anëtare, të cilat janë më shumë të ngarkuara si Italia, Franca, Suedia ose Shtetet Baltike nuk kanë edhe aq mirëkuptim për tërheqjen e partnerëve të tyre të BE-së, kur është fjala për veprime të ashpra kundër Rusisë ose për rregullsinë e kuotave të shpërndarjes së refugjatëve të Afrikës Veriore. Ata ankohen se nuk u ofrohet mbështetja për të cilën BE-ja dhe shtetet anëtare të saj janë të obliguara të ofrojnë sipas Traktatit të Lisbonës dhe e shohin veten e tyre të ekspozuar ndaj solidaritetit europian. Besimi i tyre në aftësinë e BE-së, për t’i zgjidhur problemet zhduket shpejt. Këshilli i Europës nuk ka qenë në gjendje që të japë përgjigje në këto sfida të reja. Në vend të kësaj ai është kufizuar në shqyrtimin e “dimensionit të brendshëm” të krizave jashtë kufijve të BE-së, qoftë edhe me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit policor në luftën kundër terrorizmit apo zgjatjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë. Pasojat e këtyre krizave nuk i mori edhe aq parasysh, ashtu siç nuk i mori parasysh nevojat e politikave të jashtme të shteteve anëtare në fjalë.

Niveli i ri: Kooperimi në fushën e sigurisë

Për të mos lejuar një erozion të mëtejmë në kompaktësinë e shteteve anëtare të BE-së, tani është koha që Politikat e Përbashkëta të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, të ngriten në një nivel të ri. Në këtë rast duhet të apelohet për një bashkëpunim të përhershëm strukturor. Klauzola e shkruar në Traktatin e Lisbonës (Neni 42 [6] TEU) u hap rrugë shteteve të tilla anëtare për bashkëpunim, që duan t’i përmbushin kriteret e kërkuara për krijimin dhe ofrimin e aftësive ushtarake dhe që të pranojnë obligimet e mëtejshme të njëri–tjetrit në “Misionet me kërkesa të mëdha”.
Deri më tani, shtetet anëtare të BE-së kanë qenë më të strukura sa i përket shfrytëzimit të kësaj klauzole të Traktatit, në mënyrë që të përshkojnë rrugën e një integrimi gjithnjë e më të ngushtë në politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Përkundrazi, ata lejuan tretjen e reformave të parapara, të cilat tërhoqën me vete një integrim në rritje të forcave të armatosura, si ato reformat e Grupeve të Betejës së BE-së, (Weimarer Dreiecks 2010) për të krijuar një Shtab Qendror të BE-së dhe të zhvillimit të aftësive në nivel të BE-së. Shtetet anëtare të BE-së u përcaktuan që të bashkëpunojnë vetëm atëherë kur interesat e përgjithshme përputhen me ato të shteteve veç e veç. Marrëdhëniet bashkëpunuese ndodhën atëherë kur aftësitë që zakonisht rrallë kanë ekzistuar, duhej të përdoreshin bashkërisht (Komandoja e Transportit Ajror Europian), duhej të siguroheshin pajisje të shtrenjta (Kontratat francezo–britanike të Lancaster House) ose u pa i arsyeshëm përmirësimi i integrimit rajonal të forcave të armatosura (Grupi i Visegrad-it, NORDEFCO). Në këtë mënyrë u shfaq një mozaik i formave të bashkëpunimit me gjeometri të ndryshueshme, të cilat në parim nuk kanë lidhje me kornizat e BE-së. Në këtë mënyrë nuk mund të krijoheshin as aftësi të reja e të rëndësishme e as të shfrytëzoheshin resurset e disponueshme.

Integrimi përmes strukturave të përhershme bashkëpunuese

Duke u referuar në një bashkëpunim të përhershëm dhe të strukturuar, ky fragmentim nuk do të mund të zëvendësohet plotësisht. Sidoqoftë, ky bashkëpunim do të krijojë përshtypjen se shtetet anëtare pjesëmarrëse dëshirojnë të arrijnë sa më shumë integrim dhe t’i ngritin Politikat e Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, në një nivel të ri. Për këtë qëllim janë të nevojshëm dy hapa:
a) Nga njëra anë shtetet anëtare të BE-së duhet të vendosin që të zgjerojnë fushën e veprimit përmes strukturave të përhershme bashkëpunuese, me gjenerimin dhe ofrimin e aftësive civile. Dakordimi kontraktual i fushëveprimit operativ të politikës së sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së (Detyrat e Petersburgut), përfshijnë po ashtu qartë instrumentet civile që nga mbikëqyrja e zgjedhjeve ose e kufijve deri tek trajnimi dhe formësimi i forcave civile të sigurisë. Edhe më tutje integrimi i aftësive civile të shteteve anëtare të BE-së qëndron prapa bashkëpunimit ushtarak. Një riformulim i (Nenit 42 (6) TUE) për Bashkëpunim përmes Strukturave të Përhershme, do ta bënte të domosdoshëm ndryshimin e Traktatit të BE-së. Neni 20, megjithatë, lë të hapur mundësinë që brenda kornizave të ashtuquajtura instrumente të përforcimit të bashkëpunimit, të bashkëpunohet edhe në sferën civile dhe të dyja sferat e Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes të avancohen paralelisht.
b) Nga ana tjetër, shtetet anëtare do të duhej të pajtoheshin me një varg projektesh të përbashkëta, të cilat do të mund t’i realizonin në periudha të ndryshme kohore. Këto projekte jo vetëm që do të lehtësonin gradualisht procesin e integrimit, por edhe do ta bënin më koherente politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së. Ndryshe nga përpjekjet e deritanishme integruese, bashkëpunimi nuk do të krijohej më si rrjedhojë e interesave nacionale të shteteve anëtare veç e veç dhe nuk do të kufizohej edhe më tutje vetëm me projekte selektive.

Gjermania, iniciuese e këtyre kooperimeve të sigurisë
Muajve të fundit, Gjermania ka lobuar fuqishëm për krijim e një ushtrie europiane. Kjo duhet të shfrytëzohet në vazhdën e Këshillit të Europës (siç ishte në qershor ) për të avancuar bashkëpunimin e përhershëm strukturor dhe në këtë mënyrë të iniciohen hapa të rëndësishëm drejt integrimit civil dhe ushtarak në BE. Për rolin e saj iniciues, Gjermania është përcaktuar për shumë arsye. Këtu përfshihet pozita e saj gjeografike, bashkëpunimi i saj gjithëpërfshirës politik i sigurisë dhe i mbrojtjes me Francën, Poloninë, Holandën, Belgjikën ose edhe me Shtetet Baltike, në profilin e politikës së saj të jashtme civile si dhe përpjekjet e saj për një integrim europian më të thellë.
Përzgjedhja e Projekteve, të cilat do të duhej të implementoheshin në Struktura të Përhershme Bashkëpunuese, bazohet në sfidat e politikës së sigurisë, angazhimin e misioneve dhe operacioneve të Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, dhe në nismat ekzistuese për bashkëpunim.
Për të përmirësuar planifikimin, zbatimin dhe kontrollin e operacioneve të ardhshme të Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duhet si parësore të shqyrtohet ideja franceze/gjermane/polake, për themelimin e një Shtabi të BE-së. Kështu, jo vetëm planifikimi i misioneve, por dhe operacionet do të ishin më efikase.
Integrimi i forcave të armatosura do të duhej të gëzonte prioritetin dytësor më të lartë, të sigurohet mbikëqyrje e integruar detare në Detin Baltik për Gjermaninë, Poloninë si dhe shtetet skandinave dhe baltike. Kjo do të ishte në përputhje me frymën e Strategjisë së BE-së mbi sigurinë detare, të miratuar në qershor të vitit 2014 dhe do të ishte përtej llogaritjeve të frikës së shteteve të prekura, se Rusia edhe më tej do të mund ta shtrinte politikën e saj ekspansioniste. Përveç kësaj, me kapacitetet e mbikëqyrjes detare do të vendosej bazamenti i kërkuar qe një kohë të gjatë i integrimit të fuqishëm të aftësive detare. Aktualisht ky është i kufizuar në harmonizimin e formacioneve të ndryshme të forcave detare.
Si një projekt tjetër i rëndësishëm politik i integrimit do të ishte krijimi i trupave të reagimit të shpejtë të Forcave Ajrore. Krijimi i tyre do të ishte i ngjashëm me Battlegroups të BE-së dhe do ta ngritnin aftësinë e tyre për reagime të shpejta. Tek mbikëqyrja detare ata do të mund të ishin të nevojshëm po ashtu për veprim sikurse tek evakuimi i shtetasve të BE-së nga zonat e krizës.
Praktika operative e Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka treguar se veprimet ushtarake mund të jenë të suksesshme vetëm me bashkëveprim me misionet civile. Kështu, operacioni EUNAFVOR Atalanta në Bririn e Afrikës kishte treguar sukses vetëm atëherë kur BE-ja ishte aktive edhe në vend. Misioni civil EUCAP Nestor kontribuon që nga viti 2012 në ngritjen e kapaciteteve të Forcave Detare të Sigurisë. Veçanërisht, popullit të Somalisë i është hapur perspektivë ekonomike dhe janë përforcuar strukturat vendore qeverisëse, falë aftësive civile.
Në sfondin e këtyre përvojave duhet që në sferën civile t’i jepet prioritet harmonizimit të trajnimeve të ekspertëve të sigurisë civile dhe të intensifikohet bashkëpunimi në menaxhimin e kufirit.
Profesionistët e sigurisë, të cilët BE-ja në kuadër të Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i dërgon në misione edukuese dhe trajnuese në vendet e treta, deri më tani shkollohen në programet nacionale. Mirëpo, në to nuk barten edhe aq shumë njohuri mbi BE-në dhe strukturat e saj. Kjo e bën të pafavorshëm zbatimin e veprimeve, për arsye se shpesh procedurat nuk funksionojnë ashtu siç duhet dhe se politikat e sigurisë së BE-së, në radhë të parë duhet sqaruar. Një vlerësim i European Security and Defence College (ESDC) përmes një Agjencioni të BE-së do të mund t’i eliminonte këto probleme duke unifikuar shkollimin e ekspertëve të BE-së.
Për më tepër kur kemi të bëjmë me kufijtë e pasigurt, kontrabandimin dhe krimin e organizuar si ato në mes të Tunizisë dhe Libisë, Izraelit dhe vendbanimeve palestineze ose Ukrainës dhe Rusisë. Për këtë arsye, BE-ja ka angazhuar misione të shumta të Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për mbrojtjen e kufijve. Një polici për mbrojtjen kufitare, do të ishte e aftë që të reagonte shpejt do të ngriste në mënyrë të konsiderueshme ndikimin e saj. Për më tepër ajo do të mund të ndihmonte që të shmangte kërcënimet e politikës së sigurisë, lidhur me depërtimin e forcave xhihadiste në BE.
Rritja e cilësisë së Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes, nuk është vetëm e mundshme, por edhe e domosdoshme, duke pasur parasysh situatën aktuale të sigurisë. Integrimi i Përhershëm Bashkëpunues për këtë qëllim ia siguron kornizën e përshtatshme. Projektet e bashkëpunimit në sferat civile dhe ushtarake mund të dëshmojnë të jenë e arritur e madhe për zgjidhjen e sfidave të ngutshme në fqinjësinë jugore dhe lindore të BE-së. Së bashku me partnerët e saj të ngushtë, Francën dhe Poloninë, por edhe me shtetet europiane veriore, të cilat janë të gatshme për t’u integruar si Shtetet Baltike dhe të Beneluxit. Gjermania do të duhej të ndiqte rrugën e integrimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm, dhe këto masa të sugjeruara do të mund të shpijnë drejt kësaj rruge.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bahri Beqiri, Bashkimi Europan, mbrojtja, siguria

LUFTËTARËT SUNIT NË MARSHIM

September 10, 2014 by dgreca

Ushtrimi i terrorit që po ushtron “Shteti Islamik” në Irak dhe në Siri, e kanë shndërruar këtë rrjet terrorist në një ndër shqetësimet kryesore të sigurisë në botë. Shteti Islamik – IS, është bërë një faktor real i destabilitetit në Irak dhe njëkohësisht paraqet një shqetësim real për të ardhmen e rajonit. Terroristët e Shtetit Islamik – IS, kanë mijëra luftëtarë dhe armë moderne. Të hollat e nevojshme vijnë nga arabët e pasur të Gjirit (Kuvajti, Bahraini, Katari, Omani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara), të cilët i adhurojnë rebelët “për luftën sakrifikuese për Zotin”, si dhe nga plaçkitjet, detyrimet doganore, të hollat të cilat paguhen për lirimin e të zënëve peng, etj./
Shkruan:Ma.Sc. Bahri Beqiri/
Sipas medieve të huaja dhe në veçanti atyre gjermane, tashmë kanë filluar të dërgohen furnizimet e para me armatim gjerman në Irak. Për herë të parë qeveria gjermane ka vendosur, që në një regjion konflikti të përkrahë në mënyrë ushtarake (duke e pajisur me armatim) jo një shtet, por një palë të luftës civile. Por, shtrohet pyetja: në çfarë force ushtarake do të ndeshin armët gjermane? Kush janë financuesit e palës së kundërt, çfarë potencialesh kanë ata dhe çka mund të shkaktojnë armët gjermane atje?
Historiku i Grupit Terrorist – IS
Organizata “Shteti Islamik”- IS (që nga fundi i qershorit kjo organizatë njihet vetëm si IS – Islamic State, në shqip: Shteti Islamik, e cila njihej si “Shteti Islamik në Irak dhe Siri”- ISIS) i përket grupeve më radikale islamike në Lindjen e Afërt. Ata, siç thonë, luftojnë për një shtet sunit të Zotit në regjionin arab. IS-i prejardhjen e ka nga rezistenca irakiane e grupit “Tahwid dhe Xhihad”, i themeluar në vitin 2003, i cili është ngritur kundër ndërhyrjes së SHBA-ve në Irak. Ky grup i sulmonte në Irak jo vetëm ushtarët e SHBA-ve, por kryente dhe sulme vetëvrasëse kundrejt grupeve shiite dhe të krishterëve në atë shtet. Emri i mëparshëm i organizatës ishte: “Shtetit Islamik në Irak dhe Levant”. Pra, vet emri i kësaj organizate e sqaronte pretendimin për krijimin e një shteti të madh në mes të Detit Mesdhe dhe Eufrat-it.
Termi “Levant” (Lindja e Diellit) nënkupton pjesën e pasme bregdetare lindore të Detit Mesdhe. Anëtarët e grupit terrorist “Shteti Islamik – IS” luftojnë “për një shtet sunit të Zotit në regjionin arab”. Udhëheqësi i parë ishte jordanezi Abu Mussab Al-Sarkawi, i njohur si person i paskrupullt dhe mizor. Al-Sarkawi është vrarë në vitin 2006 nga ushtria amerikane. Që nga atëherë organizatën e udhëheqin irakianët. Prej muajit maj 2010, në krye të IS-it qëndron irakiani Abu Bakr Al-Bagdadi.
IS-terroristët kanë fituar në fuqi kur janë përzier në luftën civile në Siri në pranverën e vitit 2013. Atje këta janë armiqësuar me Frontin Al-Nusra, i përbërë nga salafistët sirianë, edhe pse në atë kohë të dy grupet kanë qenë të afërta me rrjetin terrorist Al-Kaida. Sidomos në Verilindje të Sirisë Is-terroristët sulmojnë qytete siriano-kurde dhe vrasin popullatën civile. Në Irak IS-terroristët përfitojnë nga grindja në mes qeverisë irakiane e dominuar nga shiitët nën udhëheqjen e kryeministrit Nuri Al-Maliki me Partinë Sunite të vendit. (Më 14 gusht 2014, kryeministri i Irakut, Nuri Al-Maliki ka dhënë dorëheqjen, duke i dhënë fund bllokimit politik në Bagdad).
IS-Terroristët financohen para të gjithash nga donacionet e shteteve të Gjirit, siç janë Katari dhe Arabia Saudite, por edhe nga taksat doganore përgjatë kufijve ndërmjet Irakut dhe Sirisë. Në radhët e grupit luftojnë brigada ndërkombëtare, në mesin e tyre myslimanë nga Afrika Veriore dhe nga shtetet arabe të Gjirit si dhe të tjerë të konvertuar nga Evropa dhe Amerika Veriore.
IS-Terroristët furnizohen nga rezervat e SHBA-ve, të cilat amerikanët i kanë lënë në Irak me rastin e tërheqjes së tyre. Ata blejnë në tregun e zi armë të tjera dhe municion me të hollat, të cilat i pranojnë para të gjithash nga arabët e pasur të Gjirit. Në shtetet sunite ekzistojnë disa fondacione religjioze, nëpërmjet të cilave rrjedhin mjetet financiare direkt për te terroristët e Shtetit Islamik-IS. Ekzistojnë edhe arabë të pasur të Gjirit, para të gjithash nga Arabia-Saudite, por në përmasa më të vogla edhe nga Katari dhe Kuvajti, të cilët i adhurojnë “Luftëtarët e Xhihadit” dhe i financojnë ata.
Ata ëndërrojnë për një jetë të thjeshtë në shkretëtirë si në kohën e profetit. Për IS-terroristët kjo është ëndrra e jetës së sy tyre, sakrifikim në luftë për Zotin. Ata kanë urrejtje të madhe ndaj shiitëve, kjo sipas një raporti nga eksperti për Lindjen e Afërt Michel Lüders. Për ata shiitët janë qenë, jo njerëz, krijesa satanike, dhe çdo gjë që i dëmton shiitët përkrahet nga arabët fanatikë të Gjirit të besimit sunit. Por, duhet vënë në dukje se nga shumë shtete me shumicë sunite nuk u është dhënë mbështetje direke këtyre të fundit.
IS-terroristët i përfitojnë mjetet e tyre edhe nga të ardhurat që vazhdimisht rrjedhin në përfitimet e tyre. Në marshimin e tyre përparues ata plaçkitin banka, vënë tatime dhe taksa doganore në regjionet e pushtuara, këtu bëjnë pjesë edhe dy pika kufitare me Turqinë. Ata kidnapojnë personalitete të ndryshme si dhe gazetarë perëndimorë dhe marrin para të majme në këmbim të pengjeve.
Sipas vlerësimeve të deritanishme forca njerëzore e IS-terroristëve tani është 30.000 deri 50.000 luftëtarë. Ata tani kanë bërë të obligueshëm kryerjen e shërbimit ushtarak për të gjithë meshkujt sunitë, gjë që do ta rritë forcën e tyre në kohë të gjatë.
Partneri i NATO-s, Turqia luan një rol të posaçëm kundrejt IS-terroristëve. Korrespondentët e televizionit ARD të Gjermanisë raportojnë që luftëtarët e tyre kalojnë pa pengesa kufirin e përbashkët për në Irak. Turqia viteve të kaluara ka shfrytëzuar edhe forcën luftuese dhe brutalitetin e tyre në luftë kundër kurdëve të PKK-së. Para të gjithash, sipas këtyre raportimeve, mendohet se shërbimi sekret turk dhe shefi i tyre luajnë lojë të dyfishtë.
Posaçërisht paradoksale është gjendja e IS-terroristëve në Siri. Pushtetari i Sirisë, Assadi, nuk i ka luftuar kohë të gjatë IS-terroristët. Ai ka parandjerë që kjo në kohë të gjatë do t’i shkakton më shumë probleme Perëndimit se sa Koalicioni mes Assadit dhe Mullave në Iran. Por tani Assadi e ka ndryshuar qëndrimin e tij dhe e ka kuptuar se terroristët e Shtetit Islamik-IS e rrezikojnë edhe regjimin e tij. Sipas shumë analistëve të sigurisë, amerikanët më nuk e konsiderojnë Assadin, por IS-terroristët si armikun kryesor në Lindjen e Afërt. Ekspertët e sigurisë për Lindjen e Afërt flasin për ironinë e fatit: “Ndoshta së shpejti aeroplanët luftarakë sirianë dhe amerikanë do të bombardojnë së bashku IS-terroristët në qytetin kryesor të tyre në Siri-Rakka.”
Ekspertët e Sigurisë vlerësojnë se “armët të cilat po dërgohen nga evropianët e në veçanti nga gjermanët për kurdët, të cilët po i luftojnë IS-terroristët, do të kontribuojnë në një involvim në një luftë të lodhshme dhe afatgjatë, ku më nuk do të dihet se në emër të kujt do të përdoren këto armë”. Por as refugjatët këtu nuk do të fitojnë rritje të sigurisë, por edhe këta ndoshta nuk do të mund të kthehen në regjionet e tyre për një kohë të gjatë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bahri Beqiri, LUFTËTARËT SUNIT, NË MARSHIM

Artikujt e fundit

  • VATRA Boston mikpret Luan Ramën në një takim për kulturën dhe çështjet kombëtare
  • VOTA E GJAKUT …
  • “Çekani i mesnatës”, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbi operacionin e SHBA në Iran
  • “Parada Shqiptare 2025” – Shqiptarët e Amerikës u mikpriten në “shtëpinë” e kryetarit të Bashkisë së New York-ut Eric Adams
  • Shqiptarët e Amerikës, krenari kombëtare
  • Presidenti Trump i flet kombit – SHBA-të godasin 3 baza iraniane të programit bërthamor
  • “Godita e SHBA ndaj bazave bërthamore të Iranit, ndëshkim shembullor ndaj diktatorëve gjakatarë dhe mëndjeve terrorise”
  • Shqipja Futet në Komunikimet Zyrtare të Shkollave Publike në Nju Jork – Një tjetër arritje historike për arsimin dhe familjet shqiptare në Diasporë
  • EROTIKA E VIOLINÇELËS NGA BALLKANI NË DOWN TOWN NË CHICAGO
  • Kosova – shtet i pavarur, por pjesë e pandashme e Shqipërisë kombëtare
  • Albanian Parade in New York City
  • “Të dëgjojmë zërat e tyre dhe të luftojmë për të drejtat e tyre”
  • EDHE NJЁ VEPЁR ME PESHЁ TЁ MADHE STUDIMORE PЁR EPOSIN E KRESHNIKЁVE
  • Diplomacia e Fuqive të Mëdha dhe kompromisi austro-rus në lindjen e shtetit shqiptar
  • Ambalazhet plastike ushqimore dhe siguria e shëndetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT