• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2021

POLITIZIMI PARTIAK NUK I LE KRIJUESI TË EVOLUOJNË

April 23, 2021 by dgreca

(Kujtime dhe meditime për Prof. Kristo Frashërin)

NGA THANAS L.GJIKA/

U gëzova shumë kur mësova se z. Bamir Topi, President i Republikës, e shpalli Profesor Kristo Frashërin Nder i Kombit me rastin e 88-vjetorit të lindjes së tij. Ky vlerësim për mua ishte korrigjim i një gabimi dhe shënjë emancipimi e pushetarëve shqiptarë. Ky historian ka pësuar herë pas here goditje si prej Enver Hoxhës në kohën e monizmit dhe prej Sali Berishës gjatë tranzicionit. E vlerësoja sidomos për interpretimet e drejta që u kishte dhënë shumë problemeve të historisë së popullit tonë gjatë Mesjetës, Rilindjes dhe periudhës së pavarësisë. Para se të lexoja librin e studjuesit Uran Butka “Dritëhije të Historisë – Polemikë me Kristo Frashërin” unë e vlerësoja këtë historian si studiuesin më të shquar midis historianëve tanë të gjallë. Për ta bërë të kuptueshme këtë konsideratë për të, po sjell kujtimet e mia botuar në vitin 2011:

“Në fillim të viteve ’80-të Instituti i Gjuhësisë e Letërsisë dhe Instituti i Historisë, dy institute të Akademisë së Shkencave, ishin në një godinë të një shkolle 8-vjecare në Rr. Naim Frashëri, Tiranë. Godina ishte krejt e papërshtatshme, por njerzit punonin me përkushtim. Për fat të keq këto dy institute vijojnë të jenë aty.

Dhoma e tij e punës ishte karshi dhomës ku punonim ne studiuesit e letërsisë shqiptare të së kaluarës. Unë e kisha për zemër historinë e Shqipërisë, ndërkohë dhe fusha e studimit tim ishte gazetaria dhe letësia e Rilindjes, gjë që më lidhte me historinë tonë, kështu që shpesh herë shoqërohesha me historianë. Shoqërimet e pirjet e kafes me studjues historianë si Kristo Frashëri, etj i konsideroja si takime pune, sepse ata me përgjigjet që u jepnin pyetjeve të mia, më ndihmonin për sqarimin e problemeve që më delnin në punë e sipër. Shpesh herë i shkoja Kristos dhe në dhomën e vogël, ku punonte i vetëm dhe mund të bisedonim pa i prishur qetësinë ndokujt tjetër.

Ai më jepte herë pas here për të lexuar artikuj shkencorë që kishte botuar më parë e që unë nuk i kisha lexuar. Diskutonim rreth problemesh historike dhe gjithnjë përfitoja. Kur lexova veprën e tij “Abdyl Frashëri 1839-1892” N.B. 8 Nëntori 1984, u entusiazmova sepse kjo vepër i mungonte historiografisë shqiptare. Në fund të bisedës e pyeta:

– Për nga kontributi shkencor ti meriton të jesh profesor, mirëpo prej shumë vitesh ti ke mbetur vetëm “Bashëpunëtor i Vjetës Shkencor” (Docent), pse nuk ta dhanë gradën “Profesor” më 1972, kur ua dhanë kolegëve të tu si Stefanaq Pollos, Androkli Kostallari, Luan Omari e të tjerëve?

– Nuk thua shyqyr që më kthyen nga qarkullimi, ma ktheu Kristoja me të qeshur dhe vijoi: po të mos ngulte këmbë Aleks Buda, kryetari i Akademisë së Shkencave, unë do të isha ende mësues në Përmet. Më 24 Maj të vitit 1969, kur erdhi Enver Hoxha në Përmet për të festuar 25-vjetorin e Kongresit të Përmetit, organizatorët e ceremonisë e pyetën: -Shoku Enver ku ta vendosim Kristo Frashërin?

Organizatorët kishin respekt për mua si një përmetar, si ish-partizan e pjesëmarrës i Kongresit dhe si historian që i kisha ndihmuar për muzeumet e rrethit. Ata mendonin të më vinin në presidium ose në rreshtin e parë të sallës, kur Enveri, në vend që t’u përgjigjej, pyeti: – ‘Pse mo gjallë qënka Kristoja’?

Kjo pyetje e kishte dhe përgjigjen brenda, prandaj më caktuan të rrija nga mesi i sallës.

Më 1968 Kriston e kishin qarkulluar në Përmet sepse e kishte interpretuar kryengritjen e Haxhi Qamilit të viteve 1913-14 si një lëvizje rebele, ashtu si e kishin quajtur patriotët e asaj kohe. Enver Hoxha deshi ta shpallte atë si një lëvizje të ndërgjegjshme fshatare, madje mbas disa vjetësh ai shkroi një artikull vlerësues për të, për të dhënë orientimin e duhur e për të sfiduar pikërisht historianin Kristo Frashëri…

Një herë tjetër duke folur për mungesën e kulturës së anëtarëve të byrosë politike, Kristoja, më tha: Enveri nuk i pëlqen njrëzit që mendojnë me kokën e tyre, ai ka qejf njerëzit që i servilosen dhe që përsërisin mendimet e tij…

Mua nuk më ka pasur qejf kurrë. Unë kam qenë një nga komunistët e hershëm, por në muajt e parë të vitit ’42 udhëheqja e PKSh më ndëshkoi duke më bërë kandidat partie dhe më dërgoi në Peshkopi për të bërë pjesë në njësitet partizane të terrenit. As kur mbaroi lufta, as më vonë nuk u thirra ndonjëherë për të m’u dhënë triska e anëtarit të partisë…

Një të premte në muaj, si të gjithë edhe ne punonjësit shkencorë, bënim format e edukimit politik, ku diskutonim materiale të ndryshme të PPSh-së. Ishte vjeshta e vitit 1984. Një të shtunë, mbasi kishim diskutuar të premte për luftën e klasave, shkova tek Kristoja dhe u hap biseda për këtë temë. Ai duke dashur të më sqaronte për thelbin e luftës së klasave tha: Lufta e klasave nuk është tjetër veçse shprehje e zilisë dhe lakmisë njerëzore. Ç’ të drejtë ka një klasë politike t’ia marrë pasurinë njerëzve që e kanë vënë me mund e djersë. Ky shpronësim nuk e ndihmon progresin.

Mua sikur më ra pika, sepse, ndonse e dija që Kristoja kishte rezerva ndaj diktaturës së proletariatit, por që të shprehej kaq hapur kundër boshtit ideologjik të saj, nuk e prisja. Pata frikë mos më provokoi… Ai duke e parë se unë u nemita, më qetësoi: Këto mendime nuk ia them tjetër kujt…

Të hënë unë mora me vete aparatin tim fotografik dhe i bëra një foto po aty në dhomën e tij ulur para tavolinës së punës, ku i kishte thënë ato fjalë tronditëse dhe ia dhurova një kopje pas disa ditësh.

Në vitin 2001, kur Akademia e Shkencave i festoi Kristos 80-vjetorin, folën për të shumë studiues. Materialet e këtij takimi u botuan në një libër, në kopertinë të të cilit u vendosur pikërisht ajo fotografi. Po të kisha qenë aty do të kisha dhënë edhe unë disa kujtime, që po tregoj këtu, me vonesë.

Në fund të viteteve 80-të, Kriston e kishin nxjerrë në pension pa i dhënë asnjë gradë a titull tjetër përveç grades Kandidat i Shkencave dhe titullit Docent, që i kishte marrë shumë vite para qarkullimit. Ndonse pensionist, ai vinte e punonte disa ditë në javë po tek ajo dhoma e tij. Kur u takuam në një nga javët e para të janarit 1991, i thashë: Të erdhi koha Kristo, tani ti më shumë se kushdo tjetër, duhet të aktivizohesh në këtë lëvizje. Më të pjekur se ty për t’u marrë me politikë nuk ka, ke qënë i nënvlerësuar e i ndëshkuar prej partisë.

Kristoja duke nënqeshur m’u përgjigj: Në vitet 1936-37-të unë e pyeta tim atë: Pse, ti, që je intelektual e patriot më i mirë se shumë prej deputetëve, nuk kandidon për deputet? Im atë më tregoi se një profesor i tij në Stamboll gjatë orës së fundit të leksioneve të së Drejtës u kishte thënë: Ju tani keni një formim ligjor të mirë dhe mund të merreni dhe me politikë, por që të jeni të suksesshëm në politikë duhet pa tjetër të jeni të pavarur ekonomikish të paktën të keni një pasuri me të cilën mund të jetoni nja 20 vjet pa ndihmën e rrogës a të tjetërkujt. Një politikan i varfër korruptohet shpejt. Po të jeni të vatfër mos iu fusni karrierës politike, se do t’ju tërheqin për hunde të tjerët.

Ky leksion, shtoi Kristoja, që i vleu tim eti, mendoj se vlen edhe për mua. Ne po dalim nga regjimi diktatorial shumë të varfër, kushdo që do të merret me politikë, ka për tu turpëruar shumë shpejt. Natyrisht që disa njerëz duhet të dalin për të udhëhequr proceset, por ata, mendoj se do të jenë nga ata që nuk e kanë dëgjuar një leksion të tillë.

Gjatë vitit 1991, udhëheqja e PPSh-së, duke pasur frikë nga disa intelektualë si Kristoja, Sali Berisha, etj, organizoi dhënien e titullit Profesor, për t’i marrë me të mirë, për të krijuar përshtypjen se ata ishin kuadrot e saj dhe se ajo i kishte në konsideratë, etj.

Në mars të vitit 1992, kur fitoi zgjedhjet partia demokratike, u takova përsëri me Kriston dhe i thashë: Mirë që nuk deshe të aktivizoheshe drejtpërdrejt si politikan dhe nuk u fute në Partinë Demokratike e nuk more pjesë në fushatën e zgjedhjeve, po tani të paktën duhet të ndihmosh me njohuritë e tua. Mendoj se presidenti i ri, duke qenë mjek, duhet të ketë pranë një konsulent të aftë si ty për t’i përgatitur e redaktuar fjalimet. A pranon t’ia shtie në vesh Saliut këtë gjë?.

– Për të ndihmuar në këtë mënyrë jam dakord, m’u përgjigj Profesori.

Shkova te selia e Partisë Demokratike dhe takova ing. Petraq Kolevicën, deputet i Partisë Demokratike, bisedova me të dhe i thashë se Prof. Kristo Frashëri është i gatshëm të punojë si ndihmës i z. Sali Berishës për t’i përgatitur, ose redaktuar fjalimet…. Petraqi e pëlqeu mendimin dhe shkoi e pyeti z. Berisha, por ky i qe përgjigjur: Kristoja është një nga personat e dënuar nga partia dhe po na akuzojnë se kemi aktivizuar shumë prej ish-të dënuarve. Në ata detyrë, unë kam menduar të marrr Prof. Bujar Hoxhën.

Më 1997, kur erdhën socialistët në fuqi e emëruan prof. Kristo Frashërin Zv.Kryetar të Akademisë së Shkencave, ndonëse ai ishte personi më i përshtatshëm për t’u emëruar kryetar. Vënia e mjekut Ylli Popa për kryetar të ASH tregonte qartë se ky ishte besniku i pushtetarëve socialistë dhe jo Kristoja. Studiuesi Kristo Frashëri dukej se kishte mbetur i pavarur, ndonëse disa demokratë e kishin sulmuar.

Kur Kristoja botoi monografinë monumentale Gjergj Kastrioti Skënderbeu Jeta dhe Vepra (2002), qeveria socialiste nuk ia dha titullin NDERI I KOMBIT, dhe as u interesua ta botonte këtë vepër në anglisht, sepse ajo nuk ia falte Prof. Kristos faktin se ai nuk ishte një historian servil i saj…

Për herë të fundit e takova në 4 nëntor 2007, kur i shkova me Dr. Iliaz Gogën në shtëpi, një apartament modest me një dhomë e një kuzhinë, pronë e të birit që kishte emigruar në Gjermani me familjen. Aty jetonte i vetmuar, sepse si djali dhe dy vajzat, ashtu si shumicën e ne të ikurve, i kishte dëbuar atdheu me fukarallëkun e skajshëm ku na kishte katandisur diktatura e gjatë. Për fat të keq në vitin 1995 i kishte vdekur edhe gruaja. Ai e mposhtëte vetminë duke vijuar të punonte në kuzhinë ku kishte ngritur studion me tavolinën e punës dhe raftet me libra e dorëshkrime. Dhëmbët e gojës i ishin rralluar tepër, tek karrigeja mbante një bastun, nga sytë nuk shikonte mirë, por në bisedë ishte energjik si më parë.

– Më thanë se ke dhënë një intervistë në television për figurën e Enverit, e pyeta sa për të filluar bisedën.

– Po, më tha, e vlerësova për periudhën e Luftës Antifashiste, sepse pavarësisht nga gabimet, ka merita si komandant i forcave partizane në ato vite kur Shqipëria luftoi përkrah aleatëve. E shava për vitet e mbasluftës, kur u bë çdo vit e më beterr…

Para se të largohesha, i shkrova dedikimin në librin tim Kur dhe Ku u Shkrua Dhiata e Re, KUMI 2007, të cilin Iliazi ia kishte shpënë dy javë më parë. Më uroi me gjithë zemër:

– Të lumtë ajo dorë, problemin e ke shpënë shumë përpara, por do të më falësh, sytë po më lenë dhe nuk mund ta lexoj dot, vura të tjerë për të më lexuar disa pjesë, ku polemizoje me mua.

–Mirë, mirë, i thashë, ne kemi biseduar kaq herë në telefon, edhe letrën që më shkrove me sugjerime e vërejtje, e kam pasur parasysh, por dhe të kam kritikuar, se ti, si ke thënë shpesh, nuk do lajka.

–Ku nuk ka kritikë nuk ka shkencë, shtoi ai me të qeshur. Pastaj na tregoi vëllimin e parë të veprës së tij më të re Historia e Tiranës. E përgëzuam, ishte mjaft e vëllimshme. Kur e pyetëm se ku ishte me botimin e vëllimit të dytë, na shprehu keqardhjen se nuk kishte gjetur ende sponsorë.

Profesor Kristoja punoi dhe botoi tërë jetën vepra shkencore dinjitoze, por me to nuk kishte bërë para, madje as sa për të botuar vëllimin e dytë të historisë së kryeqytetit tonë, pa lere pastaj për të paguar një përkthyes e për ta botuar anglisht monogrfinë për jetën e Skënderbeut, heroit tonë të lavdishëm…

Para se të ndaheshim, desha të bënim një foto të re, sepse ajo që kisha bërë katër muaj më parë nuk më pëlqente, por Kristoja tha si me përtim:

-E ç’ vlerë ka një foto tjetër, kur tani jam edhe më plak, lere fare.

U ndamë duke uruar të shihemi prapë…”

(Publikuar në Alb-Shkenca më 27 tetor 2009 dhe te libri im “Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit”, DDS Durrës 2011, f. 303-308).

* * *

Gjatë vizitës sime në Tiranë, nëntor 2018, shkova urova studjuesin Uran Butka, i cili ishte emëruar Drejtor i Institutit të Studimeve Lumo Skendo. Mbas bisedës Prof. Urani më tha të merrja dhuratë disa nga librat e tij. Më intriguan dy prej tyre: “Dritëhije të Historisë – Polemikë me Kristo Frashërin” MALUKA 2012, 220 f. dhe “Vetëm një natë … – Tregime e novela” BOTA SHQIPTARE 2016, 288 f. 

Më kënaqën disa tregime, kurse libri polemik më tërhoqi shumë dhe pasi e lexova me vëmendje duke mbajtur shënime, krijova një vlerësim më të saktë për Prof. Kristo Frashërin si historian, i cili në biseda me mua kishte shprehur mendime të guximshme kundër diktaturës dhe diktatorit Hoxha, kurse në shkrime të ndryshme (disa prej të cilave nuk i kisha lexuar se ishin botuar pas largimit tim 1996), kishte vijuar të shprehte ide dhe interpretime të politizuar ndaj mjaft ngjarjeve historike, si ndaj dokumentit të shpalljes së pavarësisë, ndaj Mbretit Zogu I, mbivlerësime ndaj forcave partizane dhe nënvlerësime të forcave nacionaliste e balliste në Luftën Antifashiste, nënvlerësime për figurën e Mid’hat Frashërit, Abaz Ermenjit, etj.

Nga ana tjetër studjuesi Spartak Ngjela ka vënë në dukje se procesverbalet e mbledhjes së themelimit të PKSh-së ishin marrë prej Karabinierisë italiane dhe ruhen në arkivat italiane në dosjen e Zef Malës. Avokati S. Ngjela ka shkruar e ka thënë dhe në TV se udhëheqës i PKSh-së, që nga dita e themelimit të saj, – 8 nëntor 1941 e deri më 16-22 mars 1943, – kur u mbajt Konferenca e parë e partisë, udhëheqës i PKSh-së ishte Miladin Popoviçi. Kurse Enver Hoxha u zgjodh udhëheqës i PKSh-së pikërisht në këtë konferencë. Historiani Kristo Frashëri, ish-anëtar i PKSh-së që në fillim të vitit 1942 e dinte mirë këtë fakt, por nuk e përmendi kurrë dhe nuk tha se PKSh-ja u krijua dhe u manipulua prej emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave, të drejtuar prej J. B. Titos. 

Këto dobësi e lëkundje të Prof. Kristo Frashërit, më kujtuan dobësitë dhe lëkundjet e shumë intelektualëve partiakë. Kështu Prof. Pëllumb Xhufit, kuadër që ka moshë të re, por, ashtu si Prof. Kr. Frashëri, ndonëse është studjues shumë i mirë për problemet historike të shekujve të kaluar, për vlerësimet dhe interpretimet e ngjarjeve të shekullit të XX nuk shkëputen dot nga vlerësimet e politizuar të bëra prej studjuesve partiakë gjatë viteve të diktaturës komuniste. Edhe pse ata mund të kenë rezerva dhe mund të kenë shprehur midis shokësh, si Krisua ndaj meje) kritika ndaj aspekteve të ndryshme të diktaturës komuniste shqiptare dhe diktatorit Hoxha, përsëri në shkrimet e tyre publike nuk tregohen objektivë dhe vijojnë të shprehin për shumë ngjarje dhe personalitete historike të njëjat mendime sii patën shprehur gjatë kohës së diktaturës. Nënvlerësojnë përpjekjet europianizuese të Mbretit Zogu I, nënvlerësojnë karakterin atdhetar të nacionalistëve dhe të krerëve të Ballit Kombëtar deri në fund të gushtit 1943. Nuk duan t’ia njohin përgjegjësinë Enver Hoxhës, që duke e shpallur organizatë tradhëtare Ballin Kombëta, pa bërë ende tradhëti, i shtyu shumë forca të Ballit që të gabonin e të lidheshin me pushtuesit gjermanë për të shpëtuar nga pushkët e partizanëve. 

Krijuesit shqiptarë dhe studjuesit e shkencave shoqërore në veprat e tyre kanë shprehur e do të shqprehin vlerësimin e tyre ideo-emocional ndaj dukurive që trajtojnë dhe interpretojnë në veprat e tyre. Kjo është e drejta e tyre për të bërë poitikë. Dhe nuk ka art e shkenca shoqërore jashtë politikës. Kur ata e interpretojnë një dukuri, ngjarje ose personalitet historik sipas ligjeve objektive, bëjnë politikë përparimtare, krijojnë vepra jetëgjata. Kurse, kur interpretimi i tyre është i ndikuar prej interesave të një partie politike, ata krijojnë vepra të politizuara partiake, të cilat nuk janë jetëgjata. 

Krijuesit dhe studjuesit që krijuan gjatë viteve të diktaturës komuniste e pas saj, do të vlerësohen për veprat e tyre të shëndosha, por nuk ka pse të mos kritikohen për veprat e tyre të politizuara, me të cilat shtrembëruan të vërtetat historike. Kur njeriu hesht ndaj një padrejtësie, kjo do të thotë se ai e miraton atë. Mirëpo një ditë secili do t’i japë llogari shoqërisë, qoftë dhe pas vdekjes. Zhvillimi dhe emancipimi i shoqërisë shqiptare do ta sjellë atë ndërgjegjësim kur çdo shqiptar do ta vlerësojë padrejtësinë, që i është bërë ose i bëhet dikujt, si padrejtësi ndaj gjithë shoqërisë.

Filed Under: Politike Tagged With: Krijuesit, Politizimi, Thanas L.Gjika

VATRA, SHTËPI PËR FAMILJET JAKU, NË MALLKUÇ,

April 22, 2021 by dgreca

-VATRA MERR PËRSIPËR NDËRTIMIN E SHTËPIVE TË SHEMBURA NGA TËRMETI I 26 NËNTORIT 2019 NË MALLKUÇ, BUBQ-KRUJË/

Gjatë pasditës së Enjte, 22 Prill 2021, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, z. Elmi Berisha, i shoqëruar nga Sekretarja Nazo Veliu, zv/Kryetari Adriatik Spahiu, anëtarët e Kryesisë Anton Raja dhe Mondi Rakaj, vizituan familjet Jaku në fshatin Mallkuç të Komunës Bubq në bashkinë e Krujës. Familjet Jaku kanë humbur shtëpitë gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe prej asaj kohe jetojnë në çadër. Deri tani premtimet e dhëna nga qeveritarët i ka marrë era. Ata vazhdojnë të jetojnë në qiell të hapur.

Vizita e delegacionit të Vatrës i mbushi me shpresa pjestarët e familjeve Jaku. Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha dhe pjestarët e delegacionit të tij u pritën me respekt e dashuri nga familjarët. Kryetari i Vatrës shprehu dhimbjen për gjithçka që familjet kanë humbur dhe premtoi se Vatra do të bëjë më të mirën për t’ua ndryshuar atyre jetësën e për t’i kthyer në normalitet.

Ne erdhëm këtu, tha Berisha, për ta parë në vend gjendjen, për t’ju shprehur dhimbjen për çfarë keni pësuar dhe për t’ju ofruar ndihmën e vatarnëve nga Amerika.

Delegacioni i Vatërs shoqërohej në këtë vizitë nga aktivisti i njohur i Shoqërisë civile Aulon Kalaja, një nga kritikët e fortë të qeverisë.

Filed Under: Featured Tagged With: mallkuc, Vatra

PROF. DR. SALI BERISHA PRITI VATRËN

April 22, 2021 by dgreca

ISH PRESIDENTI DHE KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË, PROF. DR. SALI BERISHA PRITI VATRËN/

Prof. Dr. Sali Berisha: Vatra ka qenë gjithmonë në mbështetje të Shqipërisë e demokracisë/

Në mesditën e së Enjtes, 22 Prill 2021, ish Presidenti dhe Kryeministri Demokrat i Shqipërisë, Prof. dr. Sali Berisha priti në zyrën e tij delegacionin e Vatrës. Z. Berisha gjatë pritjes i uroi mirëseardhjen delegacionit të Vatrës dhe shprehu mirënjohjen për praninë në procesin më të rëndësishëm zgjedhor për integrimin e Shqipërisë. Ai tha se zgjedhjet e 25 prillit përbëjnë moment historik për Shqipërinë.

Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha e falenderoi z. Sali Berisha në emër të delegacionit dhe të gjithë vatranëve për pritjen e ngorhtë dhe vlerësimin në vazhdimësi që ai i ka bërë Vatrës. Kryetari i Vatrës tha se në këto momente kaq të rënësishme jo vetëm për shtetin shqiptar por të gjithë Kombin tonë, Vatra nuk mund të rrinte jashtë këtij procesi zgjedhor. Nga këto zgjedhje varen fatet e demokarcisë shqiptare, prandaj dhe Vatra është këtu .

Z. Sali Berisha e informoi Vatrën me detaje për situatën e renduar , jo vetëm nga ana politike, por edhe për situatën më të vështirë ekonomike dhe varfërinë e mjerushme të shqiptarve. Ai u ndal dhe komentoi me shqetësim edhe vjedhejn e informacionit personal të shtetasve shqiptarë, duke e vënë atë në dispozicion të partisë në pushtet dhe grupeve me rrezikshmëri kriminale. Ai me ato të dhëna tenton t’i mbajë nën presion shqiptarët, duke shkelur privatësinë dhe liritë e shtetasve shqiptarë.Ky mbetet një shqetësim jo vetëm sot në procesin e  votimit, por edhe për të ardhmen.

Z. Berisha u interesua për Vatrën dhe zhvillimet në Dasporën shqiptare të Amerikës.

Ai e përshkroi takimin me Vatrën në statusin e tij në rrjetet sociale, duke informuar miqtë:-Të dashur miq, sot pata kënaqësinë të prisja në një takim një delegacion te Federatës Panshqiptare ”Vatra”, kryetarin e saj, biznesmenin dhe personalitetin e shquar të diasporës tonë në SHBA, Elmi Berisha dhe zotin Naim Dedushaj, ideator e drejtor ekzekutiv i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Botë.

Në këtë takim diskutuam mbi zhvillimet aktuale në Shqipëri dhe cështje të tjera në interes të bashkëatdhetarëve shqiptaro amerikanë.

I falenderova me shumë mirënjohje për vizitën e tyre si dhe theksova se Vatra ka qenë gjithmonë në mbështetje të Shqipërisë e demokracisë.

Ardhja e tyre është një inkurajim për shqiptarët për pjesëmarrje masive në këto zgjedhje. Udhëheqësit e Vatrës dhe përfaqësuesit e diasporës tonë shprehën besimin te programi dhe vizioni i opozitës për ndryshimin me rëndësi jetike për Shqipërinë. sb

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, PRITI VATRËN, Prof. Dr. Sali berisha

Maas: Idetë për prekje kufijsh në Ballkan – jorealiste dhe të rrezikshme

April 22, 2021 by dgreca

Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, tha sot në Prishtinë se idetë e hedhura kohëve të fundit që çështjet sociale dhe politike në Ballkan mund të zgjidhen me vizatim të vijave në harta, janë jo vetëm jo realiste por edhe tejet të rrezikshme.

Shefi i diplomacisë gjermane, i bëri këto komente gjatë vizitës së tij në Kosovë, prej nga do të shkojë më pas në Serbi në një përpjekje për të nxitur palët që të rifillojnë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Në një konferencë me gazetarë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ai hodhi poshtë idetë për prekjen e kufijve si zgjidhje për cështjet e hapura në Ballkanin Perëndimor.

“Ne i konsiderojmë të rrezikshme edhe diskutimet që bëhen rreth tyre prandaj jam i lumtur që përpjekja e fundit në këtë drejtim, pavarësisht se nga kush u hap, shpejt të mbyllet në sirtarë dhe shpresojmë që të jetë një dosje e së kaluarës”, tha ministri Maas.

Debatet rreth kufijve ringritën pas shkrimeve në mediet kroate e boshnjake për një dokument joformal me siç thuhet, propozimin për ndryshimin e kufijve ne Ballkan. Sipas tyre një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, në të propozohet ripërcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon.

“Unë nuk e di nëse ka përpjekje të tilla. Fakti që gjithë kohën është folur për një ‘non-paper’ besoj se është edhe shprehja e duhur dhe duhet mbetur një ‘non paper’…”, tha ai, duke nënvizuar se idetë për prekje kufijsh “qeveria gjermane i refuzon në mënyrë të theksuar sepse një zgjidhje e tillë nuk do të çonte në atë që konfliktet të zgjidhen por të ashpërsohen. Prandaj ne e refuzojmë dhe gjatë debatit të fundit në Bashkimin Evropian është shprehur një mendim shumë i qartë se brenda BE-së askush nuk do të paramendonte që kjo mund të bëhet realitet”, tha ministri Maas i cili foli gjermanisht gjatë konferencës.

Në Bashkimin Evropian thanë disa herë se nuk kanë njohuri për një dokument të tillë, ndërsa kryeministri slloven, Janez Jansha, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, shkroi se pretendimet për një dokument të tillë janë veprime që synojnë “të dëmtojnë Slloveninë në BE”.

Presidentja Osmani tha se çështja e dokumentit të pretenduar është diskutuar edhe me autoritetet e Sllovenisë.

“Përgjigja që kemi marr nga autoritetet sllovene është se një lajm i tillë nuk është i vërtetë. Megjithatë ne e kemi ritheksuar në atë moment dhe do ta ritheksoj sërish se idetë të tilla janë të rrezikshme jo vetëm për Republikën e Kosovës, janë të rrezikshme për gjithë rajonin por edhe përtej rajonit. Idetë e tilla i takojnë shekullit të XIX”, tha presidentja Osmani.

Ajo tha ndërkaq se bisedimet me Serbinë kanë nevojë për një rifreskim dhe se Kosova do të shtrojë në tryezë çështjet që janë në interes të qytetarëve të saj.

“Ky proces i dialogut ka nevojë një reset pra nuk është thjeshtë një vazhdimësi dhe të gjitha institucionet tona vëmendshëm do të shqyrtojnë secilën marrëveshje të arritur, secilin dokument të shqyrtuar deri më tani dhe do të zhvillojmë një dialog të bazuar në parime të qarta ku Republika e Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të pranoj të hyjë në aventura të rrezikshme që kanë të bëjnë qoftë me ndryshim kufijsh”, tha ajo.

Ministri i jashtëm gjerman tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbeten pengesë për zhvillimin e rajonit.

“Lidhur me këtë unë sot kam theksuar edhe njëherë mbështetjen tonë të pakursyer për bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe kam dëgjuar edhe temat të cilat janë të rëndësishme për njerëzit në Kosovë, Këto do t’i marr me vete dhe do t’ia përcjellë përfaqësuesit të Bashkimit Evropian zotit Lajçak dhe do të flas në mënyrë intensive lidhur me këtë. Ai ka mbështetjen tonë për punën e tij sepse mendoj që BE-ja mund të jap një kontribut që këto çështje të zgjidhen”, tha zoti Mass.

Procesi i bisedimeve që shënoi një rifillim në korrik të vitit të kaluar, u pezullua sërish për shkak të zgjedhjeve në Kosovë. Muajin e ardhshëm, Bashkimi Evropian shpreson që të organizojë takimin e parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Këtyre përpjekjeve javën që vjen do t’i paraprijnë vizitat e ndara të të dy zyrtarëve të lartë në Bruksel.

Filed Under: Politike Tagged With: Kufijte e Ballkanit, Mass- Osmani, te rreziskshem

Zgedhjet parlamentare në Shqipëri 2021

April 22, 2021 by dgreca

ROTACION I PUSHTETIT APO VAZHDIMËSI E QEVERISJËS AKTUALE/

Në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri të cilat do të mbahën të dielën me 25 prill, do të marrin pjesë 12  subjekte politike dhe 5 kandidatë të pavarur, ku qytetarët me votën e tyre do të përcaktohen për rotacionin e pushtetit apo për vazhdimin e qeverisjës aktuale, ndërsa    parashihet një garë e ngushtë ne mes PS dhe PD, ku  përcaktuese  si duket do të jetë  LSI-ja në formimin e shumicës parlamentare, përkatësisht të qeverisë për mandatin e ardhshëm katërvjeçar

Shkruan: Nail  Draga-DIELLI

Sipas të dhënave nga  KQZ, bëhët me dije se në zgjedhjet e 25 prillit do të marrin pjesë 12 parti politike dhe 5 kandidatë të pavarur, të cilët do të renditën në vendin e 13 në qarkun ku konkurojnë. Ndërsa të drejtë vote  kanë  3.588.869 qytetarë, të cilët do të votojnë në 12 qarqe, në 5.199 qendra votimi ku do të zgjedhin  140 deputet të Kuvendit të Shqipërisë. Nga qarqet më numër më të madh të elektoratit votues është Tiranës me 910.494 zgjedhës duke dhënë 36 deputet, ndërsa më i vogël ai i Kukësit me 83027 zgjedhës dhe do te japë 3 deputet.

Fushata parazgjedhore në sajë të pandemisë Covid-19, nuk ishte si vitëve të shkuara, duke dëshmuar një kujdes ndaj qytetarëve, por nuk ishin në një qendrim të tillë subjektët kryesore politike. Kështu derisa PS në takime kishte numër të  përzgjedhur apo të kufizar të qytetarëve  e kundërta ishte me PD ku  takimet e tyre kanë qenë masive duke mos marrë parasysh situatën e pandemisë sipas   rekomandimeve mjekësore. E tërë fushata zgjedhore është udhëhequr  nga liderët e partive E.Rama dhe L.Basha, duke demonstruar angazhimet për mandatin e tyre të ardhshëm katërvjeçar. Kështu Rama si favor të tij ka prezantuar rindërtimin  dhe ndërtimin e banesave të reja për qytetarët që kanë qenë të shkatërruar nga termeti  nëntorit 2019, pastaj angazhimin e vaksinimit të qytetarëve kundër pandemisë Covid-19, si dhe vazhdimin e përfundimin e objektëve të infrastrukturës rrugore në të gjithë vendin. Nga ana tjetër L.Basha si shefi i opozitës dhe të kalicionit  Aleanca për ndryshim kryesisht është fokusuar në papunësi, emigrimin e qytetarëve, uljen e taksave etj., duke e cilësuar konkurentin e tij politik si person të konsumuar se nuk ka së çka iu ofron  më shqiptarëve në të ardhmën.

Sipas sondazheve PD në përparësi  ndaj PS  

Në kuadër të fushatës parazgjedhore në Shqipëri nga kompani apo agjenci të ndryshme janë realizuar sondazhe të cilat janë bërë publike për opinionin e gjerë, duke iu mundësuar subjektëve politike dhe mediave e opinionistëve të prezantojnë pikëpamjet e tyre. 

Kështu ditë më parë “Smith Research &Consulting” ka realizuar një pyetësor të strukturuar me pyetje të mbyllura. Në këtë sondazh është përdorur metodologjia e studimit sasior janë pyetur njëmijë vetë nga data 27 mars e deri me 9 prill. Sipas këtij sondazhi del se qytetarët  janë shumë të interesuar që të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Ky sondazh po ashtu potencon se Partia Demokratike e Shqipërisë do të dalë fituese e zgjedhjeve të 25 prillit. Në pyetjen e tretë, nëse zgjedhjet do të mbaheshin  sot, për cilën parti do të votonit? Dhe me 44.7% e pjesëmarrësve kanë zgjedhur Partinë Demokratike të Shqipërisë-Aleanca për Ndryshim, ndërsa 42.5% për Partinë socialiste si dhe 11.3% Lëvizja Socialiste për Integrim.

Ndërsa në pyetjen e gjashtë të këtij sondazhi, se kush mendoni se do të fitojë zgjedhjet e ardhshme?, 53.1% janë deklaruar për Partinë Demokratike, ndërsa 44.2% ate të PS. Nga ky pyetësor del qartë se PD është në përparësi ndaj PS, duke dëshmuar se ajo do të jetë fituese e zgjedhjeve të 25 prillit. 

Por, nga sondazhët e prezantuara deri më tash çështje të veçantë paraqesin  partitë e vogla, të cilat  marrin pjesë në zgjedhje, ku  sipas analistëve vetëm Partia Socialdemokrate ka mundësi të fitojë mandat të deputetit, ndërsa për të tjerat mundësitë janë minimale, pa ndonjë peshë të veçantë, por me mundësi të dëmtojnë tri partitë e mëdha në ndarjën e mandatëve(!?).

Të ndryshohet kodi zgjedhor

Duke marrë parasysh se në shqipëri ekziston kodi zgjedhor i cili është dhuratë nga marrëveshja Berisha-Rama nga viti 2008, pa zgjedhjeve në mandatin e ardhshëm duhet të inivcohet ndryshimi  i kodit zgjedhor. Nga 12 njësi zgjedhore sa janë tash përmes qarqeve, Shqipëria duhet të jetë një njësi zgjedhore, me sistem proporcional, me pragun zgjedhor prej 3%. Një veprim i tillë do të ishte në favor të qytetarëve dhe demokracisë pluraliste, duke iu mundësuar të gjithë qytetarëve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në nivel republike. Po ashtu një kod i tillë zgjedhor do të ishte në favor edhe të partive të vogla, të cilat në sajë të kodit zgjedhor aktual janë pothuaj të eliminuara, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Në rastin konkret partitë e vogla për të ekzistuar kanë mundësi të jenë nën ombrellën e partive të mëdha, si pjesë e tyre te koalicionit.

Sa i përket kodit zgjedhor  për Shqipërinë mendoj se më i pranueshëm është modeli i Kosovës, duke përfshi edhe listat e hapura. Vetëm në këtë formë do të kishim zgjedhje të pranueshme për të gjithë qytetarët, në favor të pluralizmit  dhe të demokracisë parlamentare.

Presidenti të zgjidhet nga populli 

Varësisht prej vendeve të ndryshme presidenti zgjidhet në dy forma ate të votimit nga populli dhe nga kuvendi. 

Vetëm me zgjedhje të drejtpërdrejta nga ana e popullit presidenti apo presidentja  edhe pse me ingerenca të kufizuara në një sistem shumëpartiak, mund të jet përfaqësues i  të gjithë qytetarëve e jo si deri më tash, të jetë përfaqësues i  shumicës parlamentare, ku Shqipëria e Kosova, janë rast tipik  në regjion që nuk është në favor të demokracisë, përkatësisht të votës popullore.

Edhe pse në Shqipëri  është debatuar në lidhje me ketë çështje, si nga forumet politike, shqoëria civile e mediat e ndryshme dy partitë e mëdha(PS,PD) nuk kanë treguar interesimin e duhur që kjo çështje të debatohet në parlamentin shqiptar. Fillimisht, në Kuvend duhet të ndryshohen nenet e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit nga populli, por deri më tash del qartë se nuk ekziston vullneti politik për këtë çështje. Nga një qendrim i tillë është zenë peng dëshira e popullit për të zgjedhur kandidatin e tyre  si kudo në botën demokratike, e jo të imponuar nga deputetët  në emër të kompromisit  për  ”presidenti konsensual”. 

Andaj duke qenë i zgjedhur në atë post pa votën e qytetarëve, me ose pa dashje keqpërdorët apo bëhet marionetë e shumicës parlamentare, që nuk është në favor të demokracisë parlamentare, ku shëmbull tipik është presidenti aktual I.Meta, prandaj zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet drejtpërdrejtë nga populli, duke eliminuar dilemat e tilla.

Qytetarët presin ndryshimin

Në sajë të pabarazisë  së theksuar shoqërore e ekonomike janë të pranishme  kontrastët e  mëdha sociale  ku dukuria e kohezionit social mbetët kërcënim i vazhdueshëm për shoqërinë shqiptare. Dhe nga një gjendje e tillë e pavolitshme ekonomike në botën e jashtme  sipas të dhënave nga Shqipëria kanë emigruar rreth 1.7 milion shqiptarë dukuri e cila vazhdon gjithnjë, me pasoja të mëdha kombëtare. 

Andaj, qytetarët këto zgjedhje i shohin si mundësi e ndryshimit, në avancim të çështjeve preokupuese në nivel vendi, si kudo në vendet me demokraci të konsoliduar. Janë pikërisht zgjedhjet e 25 prillit  ata të cilat do të jenë përcaktuese për ardhmën e tyre për rotacion të pushtetit apo vazhdimin e qeverisjës aktuale.

 (Prill  2021)

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga, Zgjedhjet Parlamentare 2021

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT