• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2021

SHËRIM TË SHPEJTË KOÇO RISTANI !

April 18, 2021 by dgreca

I dashur Prof. Miho ju uroj shendet e gjithe te mirat ne te lashten Athine .Te lutem kame nje porosi nga Donika Ristani bashkshortja e Kocos .Vite me pare keni botuar nje shkrim per Kocon Mjeshtri I Pastelit .A mundet ta ripublikoni ne gazete perseri (Koco nuk eshte mire shendeterisht ka thuajse 2 vite qe eshte ne situata jo te mira nga Alzheimer. )Une flas shpesh ju e dini qe me teoer jame si nje vella me Kocon dhe ju nje mik I vyer Ndihem I trishtuar askerkujt sdo ja deshiroja kto situata .Nuk hahet dot njeriu me fatin e jetes .Profesor I dashur ju uroj te mira per ju e perhere me vitalitet e frymezues ne botimet tuaja Shendet per ju dhe familjen tuaj Te lutem jepi te fala Jani Zhongos .Jame mire familjarisht Ne kto kohe kame ne proces nje film me animation 

Ju perqafoj 

Me respekt Vlash. New York 16/04/2021

I dashur Vlash Droboniku!,Me dhe nje lajm te trishtuar, nderkohe qe po na ikin miqte tane-artista, nga te mirat qe kemei akoma…Do t’ia plotesj dëshirn Zonjës së tij të nderuar, sa kam jetë edhe unë në kete botë të trishtë! Ndofta qe sonte, Te perafoj me shume mall….

“Mbreti” i Pastelit 

***

NË STUDION E PIKTORIT KOÇO RISTANI 

Nuk e pandehja se në njërën nga rrugicat e Korçës do të përballesha pas aq motesh me një mik të vjetër, piktorin Koço Ristani. Ishte po aq i qeshur e qyfyrexhi si njëherë e një kohë. Dikush e pat quajtur atëherë “Mbret të Pastelit” dhe kjo superlativë nuk më kishte pëlqyer shumë. Korça qe mburrur me një piktor të madh, sikundër qe Vangjush Mio dhe në hierarkinë e vlerave, nuk qe dëgjuar dikush tjetër…Pata thënë me vete se ky përcaktim do të ishte si ato “erashkat” që përdoren dendur në shtypin shqiptar. Piktori, përkundër këtij paragjykimi, m’u duk po ai njeri që kisha njohur më parë në bankat e Institutit të Arteve, po me atë humor që bënte me Nellën (Minella Borovën) dhe po me atë vështrim të përzemërt. 

Në studion e tij do të ulesha rehat-rehat në kolltukun e vetëm, me shumë kënaqësi. Atje mbretëronte një kaos i vërtetë, si një “rregull” i përhershëm që u pëlqen shumë piktorëve. Mbi tavolinën e rrumbullakët vura re romanin voluminoz të Dritëro Agollit “Arka e Djallit”. Hapa fontespicin dhe atje, me habi, më zuri syri një shënim të autorit, me disa rreshta që do t’i kishte zili gjithkush: “Koços, mikut tim të vjetër, piktorit të brishtë dhe elegant, mbretit të pastelit”. Dritëro. 

Vegimi 

Kështu u gjenda në mbretërinë e tij të pasur duke harruar gjithçka, Vështrimi im tani përpinte njërën pas tjetrës tablotë e shumta, ca të ekspozuara, shumica stivë mbi njëra-tjetrën. Një raft i shtrembëruar nga pesha e skicave dhe fletëve plot etyde e ide, një tavolinë e mbushur edhe ajo me albume, ku dallohej një shishe e bardhë me raki mani, siç do të mësoja më pas dhe po ai mjedis i hutuar që endej si pa rrugëdalje. Koçoja qëndronte aty buzëqeshur, me një mjekër të shkurtër të zbardhëllyer tanimë nga “Dëbora “ e fundit, sikur nuk dinte se ku të më vinte që të rrija e të rehatohesha e sikur nuk dinte ç’të më rrëfente më parë, pas asaj mungese aq të gjatë, kur gati e patëm harruar njëri-tjetrin. Pastaj, siç dukej, e mori veten, rrëkëllyem të dy gotat me atë lëngun e bekuar të manit dhe nisi të më tregonte punët e fundit, ndërsa unë mrekullohesha ashtu i zhytur në po atë kolltuk ku vinin e uleshin njerëzit e mëdhenj të Shqipërisë si Kadareja dhe Agolli, sa herë që ia behnin në Korçë e donin t’u vidheshin protokolleve zyrtare. 

Duke parë pastaj një e nga një pikturat e stivosura do të gjeja aty, në mbretërinë e rrëmujës, ca punë, të cilat jo vetëm do të më pëlqenin shumë, por do të më ngjallnin edhe kujtime të një moshe më të re. Ja tek me erdhi ndër mend njëri prej studentëve e miqve të mi të mëvonshëm, në papafingon e të cilit, sa herë vija në Korçë, do të bisedonim jo vetëm për teatrin, por edhe për të dashurën e tij. Biseda kalonte tek ajo, sepse Koçoja i kishte bërë një portret të mrekullueshëm dhe ne të dy e soditnim si një vegim, jashtë së zakonshmes. Ia thashë “mbretit të pastelit” këtë fakt dhe ai u vu ta kërkonte portretin e dikurshëm në dëngun e madh të krijimeve të tij të vjetra. Dhe e gjeti. U befasova në një pozicion të kundërt. Dikur, përkrah mikut tim, tek shëtisnim nga” Lëndina e Lotëve”,vija re tinëzisht brishtësinë e saj , të veshur me magjinë e vajzës naive, por tani portreti, në këndvështrimin e piktorit, kishte marrë ngjyrime të një bukurie të ftohtë, duke ekspozuar deri në thellësinë e shpirtit të saj karakterin e paqëndrueshëm të ëngjëllushesdjallushe… 

E pata vënë re menjëherë,-shtoi ai kur pa se unë isha i përpirë i tëri pas portretit,- Ishte një femër gjakftohtësisht e akullt që e bëri shokun tonë të vuante aq tepër. Dhe gra të tilla gjithmonë të braktisin…Të braktisin për një pasuri, për një pozitë më të lartë, për… 

Dhe Koçoja gati e vërtiti portretin sikur ta kishte gjetur në rrugë. Mua më mbeti mendja te miku ynë fatkeq, i cili nga zhgënjimi e marazi emigroi në kontinentin e largët, në anën tjetër të globit. Gjithsesi nuk mund ta harronte, edhe pse kaluan vite. Janë katastrofa shpirtërore që i shkaktojnë gra të pashpirta dhe duhej një artist si Koço Ristani që ta shprehte në telajo gjithë këtë psikologji njerëzore të dyanshme. 

Bota piktorike 

Bota e Koço Ristanit, bota e tij them, është stivosur mes kornizash të vjetra e të reja, ashtu siç e kap ai fluturimthi, siç i ndodh ai “trëk” i fortë që has rrugës, kafeneve, lëndinave, përballë kishave të vjetra, buzë liqenit a kodrinave të blerta që rrethojnë Korçën që ka në sfond Malin e Thatë. Në këtë studjo te rrëmujshme të katit të katërt të një pallati, karshi sheshit të Kinemasë së dikurshme “Majistik” derdhen e fiksohen në telajo mendimet e tij të zymta e të gëzuara, frymëzimi, e bukura dhe e gjithë natyra njerëzore e shprehur në art. Një botë e tërë është po aty me të gjitha ngjyrat e saj. Natyrat e qeta që dalin nga furça e piktorit kanë sjellë peisazhet e rrugëve karakteristike të Korçës, akuarelet e shumta kanë fiksuar brigjet e Liqenit të Pogradecit apo pemishtet ngjyrë ari të vjeshtës dhe nuk ka se si mos të mbushesh me lirizëm. Një lirizëm poetik. Teknika e pastelit e ka ndihmuar piktorin të zhbirojë në thellësi shpirtin e ngrohtë të njeriut dhe të natyrës përreth tij. Qilimi i dëborës të ngazëllen, si një mrekulli e natyrës, po aq sa edhe një vazo me lule shumëngjyrëshe që nuk mund të mos më kujtojnë veprat e piktorit të famshëm Pol Sezan. Pastaj, ja edhe një shtëpi tjetër karakteristike korçare, çatia e së cilës e mbuluar nga dëbora, ndrit aq shumë në mugëtirë sa habitesh me impresionizmin mjeshtëror të piktorit. Mandej, ja edhe tabloja ekspresive që paraqet Kishën e Ristozit në Mborje të Korçës, e cila ngjan se ka mbetur në telajon e madhe si një mrekulli qiellore. Objektin e shenjtë e rrethon një dritë e kuqërreme, pastaj bluja, kafja dhe e zeza, të kombinuara mjeshtërisht krijojnë një mozaik të tillë sa edhe një tablo e Van Gogut. Teknika e Pastelit është më tepër se kushdo tjetër më afër impresionizmit dhe kjo i bën krijimet e Koço Ristanit sa origjinale, aq edhe te bukura. 

Piktorit i interesojnë të gjitha ndjesitë njerëzore, të syrit dhe të shpirtit. Ja tek shoh një kompozim tjetër ku paraqiten dy të dashuruar në përqafimin e tyre të zjarrtë që do të ngazëllente edhe njeriun me ndjesitë më të akullta. I prirur më shumë nga realizmi, për shkak të shkollës që ka mbaruar, Koço Ristani, megjithatë është një artist origjinal që vërtetësinë e figurës njerëzore di ta interpretojë artistikisht, duke vendosur aty frymëzimin e tij, me një etikë estetike bashkëkohore. I tillë është edhe portreti i aktorit Jani Riza, i cili nuk arriti kurrë ta shihte veten të pikturuar nga “mbreti i pastelit”. Sapo kishte bërë disa seanca modelimi në studion e piktorit, ku vinte shpesh për t’u çlodhur në këtë “botë ndryshe” dhe për të soditur artin e këtij piktori, me të cilin e rrëkëllente edhe ndonjë gotë raki mani. .. Po Jani dhe ata që do të vinin pas tij do të magjepseshin me portretin e poetit Lasgush Poradeci. Aty ka një magji piktorike që e ndjen më shumë kur zhytesh në të thella. Poeti vjen para teje si hije e mistershme, si të ishte pjesë e shpirtit të tij liqenor, një njësim i shpirtit të tij me natyrën. Nuk dallojmë asnjë nuancë shprehëse te fytyra e Lasgushit, po njëherësh është po ai, i tëri, me pallton e vjetër që ia merr era, me atë trup të hollë e të kërrusur. I them mikut tim të vjetër se kjo vepër është një nga pikturat e tij më të mira dhe tani e kuptoja studjuesen e huaj Ivanka Gergova kur thoshte se Koço Ristani është si “….ai demi në vijat e bardha!” 

Filli poetik 

Që të jesh piktor nuk do të thotë që të jesh medoemos edhe poet, ndonëse piktura e ka në thelbin e vet poezinë. Edhe piktori. Mirëpo, kur në shpirtin e njeriut vlojnë që të dyja, doemos që piktura del akoma më intime, më e ndjerë , më lirike. Një duf tanimë i dyfishtë shfryn mbi kanavacë, por edhe në letër… 

Miku im poet është megjithëmend një poet i mirë, jo se i ka ndjerë nga afër vargjet e frymëzuara të Lasgushit, të Kadaresë dhe të Agollit, porse lëndën poetike ai e kishte ngjizur qysh në lindje në shpirtin e tij prej bohemi. Duke u endur buzë liqenit edhe ai, Koço Piktori, me trekëndëshin e kavaletit mbi kurriz, i lindin në shpirt vargje të tilla: “Dogja liqenin me flekadan,/ nga dëshira për të gjetur poetin,/ mbi mal shpërthen një vullkan…” Dhe hedh mbi kanavacë, si një trajtë vullkanike figurën e Lasgushit, që zapton të tërë liqenin dhe erërat e forta i rrëmbejnë pallton…Duke pritur dëborën e parë mbi rrugicat e serenatave të Korçës, mbi çatitë me tjegulla të kuqe, mbi pemë dhe mbi supet e statujave, Koço-poeti do të shkruajë: “ I bardhi shirit i borës,/ Diçka më mërmëriste…” Këto dhe të tjera janë lajtmotive që do të përbënin, jo thjesht thelbin e shpirtit të tij poetik, por edhe shprehjen e tablove të tij me pastel. Duke qenë vetë poet, ai i sheh me sytë e mendjes krijimet e Nolit, të Lasgushit e të Kutelit, si vizione të gjalla, të cilat duhet të shihen me sy, sikundër ndihen nëpër vargje. Ndaj ai ka krijuar cikle albumesh të plota me figura të përkryera poetike që ngjizen nëpër ngjyra me po atë shpirt poetik. 

E, ky Koço Ristani, piktori-poet, ka lënë mbresa të forta e të pashlyeshme në të gjitha vendet ku kaloi dhe u ekspozua vepra e tij, si në Rusi, Suedi, Gjermani, Greqi e Maqedoni dhe mbresat e përkufizimet tona nuk janë veçse një shfaqje e thjeshtë e vlerave të tij artistike e njerëzore… ( Botuar në “ Gazeta e Athinës” dhe në librin “ Biseda me Muzat”. Viti 2008)

Filed Under: ESSE Tagged With: Koço Ristani, Miho Gjini, Vlash droboniku

Kryeministri Kurti nderon dëshmorët e Komunës së Prishtinës

April 18, 2021 by dgreca

–Kryekuvendari Konjufca: Serbia kishte qëllim shfarosjen e popullit tonë/

Prishtinë, 18 prill 2021– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë sot homazhe te varret e dëshmorëve të Prishtinës, në Velani.

“Dëshmorët e kombit e bashkojnë popullin”, tha kryeministri Kurti në shënim të kësaj Dite, duke thënë se sot bënë nderime të varret e dëshmorëve të kryeqytetit,  të cilët luftuan për  liri dhe ranë heroikisht që të ngritet edhe kauza jonë, e më pas të vijnë çlirimi, liria dhe pavarësia.

“Andaj në kthehemi e rikthehemi në këto vende në mënyrë që t’i kujtojmë ata, t’ia përkujtojmë vetes çmimin e madh që ka paguar populli ynë me gjakun e vet, për lirinë dhe pavarësinë që e kemi sot, por në të njëjtën kohë edhe për të përkujtuar amanetet dhe idealet e tyre që të vazhdojmë për progres, për barazi, e mirëqenie që nuk e përjashton asnjërin”, u shpreh kryeministri Kurti.

Kryekuvendari Konjufca: Serbia kishte qëllim shfarosjen e popullit tonë/

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, nderuan sot dëshmorët dhe martirët që ranë për liri në Komunën e Prishtinës.

Të tre krerët shtetërorë fillimisht bën homazhe dhe vendosën lule në varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, duke vazhduar më pas në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në disa fshatra të Gollakut.

“Sakrifica e dëshmorëve qëndron e palëkundur në themelet e shtetit tonë. Pa sakrificën dhe rënien e tyre, nuk do të ishte e mundshme liria e popullit tonë, as shtetësia e pavarësia e vendit tonë”, tha z. Konjucfa.

Tutje, Kryekuvendari Konjufca, së bashku me Presidenten Osmani, vazhduan me nderime tek varrezat e Dëshmorëve dhe Martirëve në Makoc të Gollakut, të një prej masakrave më të tmerrshme të luftës në Kosovë.

“Ky është një akt i qartë i gjenocidit mbi popullin shqiptar të Kosovës. Qëllimi ishte shfarosja e popullit tonë, meqenëse nuk u kursyen as fëmijët, as gratë dhe pleqtë”, tha ndër të tjera Kryetari Konjufca.

Më pas, Kryekuvendari Konjufca takoi disa nga familjarët e të rënëve të Marecit, me ç’rast çmoi lart kontributin e më të dashurve të tyre dhënë për liri.

“Sa të ketë gjallë popull shqiptar, do të kujtohet dhe do të nderohet gjithmonë beteja e Marevcit, 27 dëshmorët dhe 16 martirët e rënë për lirinë e Kosovës, për shtetin tonë”, theksoi pas homazheve Kryetari Konjufca.

Ndalesa e radhës e nderimeve e kryetarit të Kuvendit ishte te Monumenti Memorial i masakrës së Dyzit dhe Koliqit.

“Pjesa më e dhimbshme në këtë situatë është se nuk ka drejtësi”, tha Kryetari Konjufca para banorëve të fshatrave Dyz dhe Koliq.

Tutje, Kryekuvendari Konjufca vlerësoi lart sakrificën e të rënëve dhe dëshmorëve nga Ribari i Vogël i Lipjanit, ku po ashtu ndaloi për të bërë homazhe.

Vazhdën e vizitave dhe nderimeve ndaj dëshmorëve, Kryetari Konjufca e përfundoi me nderime para shtatores së heroit Zahir Pajaziti, në Prishtinë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, deshmorete. Prishtines, kryeministri

SOVRANITETI I RI DHE I PAPRITUR: KËSHTU KTHEHET SHTETI KOMBËTAR

April 18, 2021 by dgreca

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/

Përktheu Eugjen Merlika /Me efektet që prodhon në realitetin e gjërave e në mendësinë e njerëzve pandemia, që prej kohësh ka pllakosur botën, po ndihmon fuqimisht për t’a bërë të dukëshme krizën e globalizimit. Krizën pra – në mos qoftë fundi – të asaj faze historike që, për së paku një tridhjetëvjeçar, ka zotëruar realitetin ekonomik e ideologjik të planetit tonë.  Janë së paku tre faktorët që po shënojnë fundin e mundshëm të një qarku historik të nisur në vitet 80 të shekullit të shkuar.

Faktori i parë është thërmimi përfundimtar i rendit ndërkombëtar të dalë nga fundi i “luftës së ftohtë” (1991). Në perëndimin e mbizotërimit amerikan që atëherë arriti majën e tij, të tjera fuqi botërore e rajonale në mënyrë mujshare dolën përpara gjithandej – Kina, Rusia, Turqia, Irani, Hindia – e të tjera më të vogla trysnojnë në kërkim të hapësirës. Të gjitha synojnë të krijojnë hapësira ndikimi, kërkojnë të zgjerohen, shkaktojnë konflikte, prishin barazpesha, duke ndjekur vetëm interesin e tyre, pa marrë parasysh asnjë normë, marrëveshje apo status quo të mëparëshme. Nga ana tjetër globalizimi duket se nuk ka sjellë asnjë përhapje të vlerësueshme të demokracisë, ndërsa miti i paqes – për më tepër si “botërore” – po zbulohet gjithënjë e më shumë se mbetet vetëm një mit.

Edhe themeli i dytë i globalizimit, shkëmbimi i lirë – që pati simbolin e tij në pranimin e Kinës komuniste në Organizatën e Tregëtisë Botërore më 2001 – ka humbur një pjesë të mirë të miratimit. Shkëmbimi i lirë, në fakt, ka përcaktuar po rritjen ekonomike të disa Vëndeve (me shumë gjasë në kurriz të asaj të të tjerëve), por ka nxjerrë në dukje një pikë të dobët dramatike. Madje dy. Para së gjithash mbas ekranit të tij dhe në sajë të tij ka mundur të marrë formë projekti alarmues i Pekinit për t’u bërë zot i pikave kyçe gjeografike, të burimeve dhe teknologjisë strategjike të ekonomisë botërore, me synimin për të ndërtuar zotërimin e vet planetar. Madje duhet të shtojmë nga ana tjetër, se çdo Vend është përpjekur në të vërtetë të vërtisë gjërat vetëm e vetëm në dobinë e vet e në rradhë të dytë, pikërisht gjatë pandemisë është parë se sa e pasigurtë është ajo aksiomë në themel të shkëmbimit të lirë, simbas së cilës pronësia dhe vendosja gjeografike e prodhimeve do të ishte krejtësisht e parëndësishme, sepse ajo që do të vlente do të ishte vetëm kostoja e tyre. Por sot po kuptojmë se pikërisht mbi këtë pikë është e drejtë të ushqehet më shumë se një dyshim: me të vërtetë, për shembull nuk ka asnjë rëndësi që një fabrikë, t’a zëmë vaksinash ose mbulesash fytyre, të gjëndet në Itali apo kush e di se ku? A është e parëndësishme që të kihet mundësi apo jo të prodhohen disa pjesë elektronike në shtëpi?

Elementi i tretë që shtyn të mendohet që po mbaron koha e globalizimit ka të bëjë me rolin e Shtetit, që vetë globalizimi parashihte e uronte të shkonte drejt perëndimit të tij. E diskutueshme apo jo mbetet dëshira e uruar, por sigurisht parashikimi nuk po shfaqet i goditur në shenjë. Në të vërtetë ardhja e kohëve të vështira të sjella nga pandemia ka detyruar të gjithë t’i drejtohen Shtetit: për të shpresuar që të kurohen, për të gjetur treguesit se çfarë duhet bërë, për të patur ndihma të çdo lloji, për të përfytyruar rikthimin e zhvillimit ekonomik. Nën sytë e pabesuar të shumëve Shteti, organizimi i pushteteve publikë, ndërhyrja e tij në rruzullin shoqëror, po marrin sot në Perëndim një riligjësim shumë të fuqishëm ideologjik nga i cili do të jetë shumë i vështirë rikthimi mbrapa. Aq më tepër se me ardhjen e piskamës, i gjithë gërshetimi i shumëanësisë dhe organizatave ndërkombëtare – në veçanti ai i Bashkimit Evropian që na intereson më shumë –  sigurisht nuk kanë treguar as një efektshmëri të madhe dhe as një përqindje të lartë të thuknisë e të përgjegjësisë së përbashkët. Si pikë riferimi ka mbetur për mirë apo për keq vetëm Shteti: e të mos i vijë keq askujt se për Shtet kuptohet natyrisht Shteti kombëtar.      

Nëse gjërat e thëna deri këtu janë të vërteta na zbulojnë një fakt shumë të rëndësishëm: ripohimin fuqishëm të temës së sovranitetit dhe gërshetimin e saj me politikën, pra temën e vetë aftësisë së Shtetit të ushtrojë pushtetin e shërbimit kundrejt një projekti të përbashkët. Një pushtet që mund të gjejë një kufizim vetëm në sajë të një vendimi të tij të pavarur: një pushtet sovran të Shtetit kombëtar që në regjimet demokratike, si i yni, është i barazvlefshëm me sovranitetin e popullit, burim i gjithë vendimeve dhe veprimeve të vetë Shtetit nëpërmjet përfaqësuesve të tij.

Një ndryshim i këtillë i perspektivës nuk mund të mos ketë pasoja pohenike mbi diskutimin politik italian, të përqëndruar në vitet e fundit në një pjesë të mirë të tij, në mënyrë të rreme rreth temës së sovranitetit. Me të majtën të gatëshme të nënvizojë dobinë e çfarëdo lëshimi apo ushtrimi të pakësuar të sovranitetit nga ana e Italisë – sikurse të trajtohej për pale çfarë shfaqjeje të një qytetërimi epror – dhe së djathtës shtazërisht kundër, të vënë në të njëjtën hulli  me përfaqësuesit më të shpëlarë të skenës evropiane, duke tërhequr mbi vete padinë e “sovranizmit”, që tashmë në të folmen e konformizmit ideologjik tingëllon pak a shumë si sinonim i nazizmit.

Por kohët këshillojnë që të bindemi se nuk është më çështje poje ose joje sovranizmit. Është çështje vetëm sovraniteti. Sot më shumë se kurrë duket i nevojshëm ripërcaktimi, për vitet që kemi përpara, i një roli veprues e shtytësi përpara në të gjitha fushat të Shtetit kombëtar e të vullnetit të tij politik. Ajo që nga një anë e bën tepër urgjente reformën e të gjithë administratave dhe kundërshtimin më të vendosur kundrejt copëzimit krahinor, e n’anën tjetër duhet të na shtyjë të mbajmë shtrënguar fuqimisht të gjitha lidhjet tona evropiane dhe atllantike, por duke mbajtur  të palëvizshëm kushtin paraprak që jo gjithmonë në të shkuarën e kemi mbajtur parasysh. Atë që të respektohet në mënyrë të rreptë një kusht i barazisë dhe i ndërsjelltësisë, pa kokëfortësi llogaribërëse por me një vendosmëri të mënçur.

“Corriere della Sera”, 15 prill 2021           Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ernesto Galli Della Loggia, Eugjen Merlika

Gjenocidi serb në Makofc të Prishtinës me rrethinë!

April 18, 2021 by dgreca

MOS-HARRESA NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE!/

Në këtë krim gjenocidal Serbia fashiste, më 17, 18 e 19 prill 1999,  i vrau 160 shqiptarë civilë, pa kursyer moshë as gjini, pleq e fëmijë, në mesin e tyre 8 trupa ende konsiderohen të zhdukur./

Nga Prof. dr. Nusret Pllana*/

Të rënët për liri kanë përmasë historike dhe kombëtare. Të rënët në luftën për liri dhe çlirim, janë themeli i kësaj Kosove që kemi sot, por edhe procesi i madh historik i bashkimit kombëtar. 

Të rënët në logun e betejës janë peshorja e ndërgjegjës së shqiptarëve. Ideali i lirisë, i të rënëve në të njëjtën kohë, për ata shqiptarë që ende kanë dilema se a duhej të bëhej lufta çlirimtare, është  kamxhikosje e psikologjisë së robit. Atdheu i të rënëve për lirinë e Kosovës është atdheu i të gjithë shqiptarëve. 

Masakra  në Gollak, përkatsisht në Makofc, më 17, 18 e 19  prill të vitit 1999, është ajo pjesa tragjike e jetës historike të popullit shqiptar, vazhdimësi e masakrës gjenocidale të masakrës së Parapashticës e Keqekollës, ku edhe para 100 viteve regjim barbar serb i pat vrarë dhe djegur 1020 shqiptarë të kësaj Prapashticës, kurse 514 të Keqekollës, e që pat shpëtuar vetëm një foshnjë në djep, dhe për fat të keq, sot e kësaj dite, as edhe një film dokumentar nuk e kanë bërë institucionet tona kompetente për këtë gjenocid të paparë të fillim shekullit XX në Kosovë.

Mëngjesin e 18 prillit 1999 forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe sulmuan shumë fshatra të Gollakut, të Komunës së Prishtinës,  ku vranë e masakruan në mënyrën më barbare 160 civilë shqiptarë duarthatë, burra, gra, pleq e fëmijë. Kjo ngjarje tragjike ka hyrë në histori me emrin Masakra e Makofcit me rrethinë.

Në Kosovë Lufta e UÇK-së kundër forcave ushtarake dhe policore pushtuese serbe kishte mbi dy vjet që zhvillohej. Gjatë kësaj periudhe në Kosovë kishin ndodhur edhe masakra të tjera, secila më e rëndë se tjetra, shumë tragjike dhe shumë të tmerrshme, por ajo që ndodhi në Makofc, kur edhe me sharrë druri ekzekutoheshin njerëzit e kësaj ane, andaj, këtë barbari e mizori fashizoide nuk do ta  duronte as logjika e as truri i njeriut, po të ndodhte edhe në kohë të mesjetës, e lëre më në zemër të Evropës, të ashtuquajtur ‘demokratike’, e cila për fat të keq, me gjithë këtë gjenocid të ushtruar nga barbaria dhe mizoria serbe mbi shqiptarët, për gati dy shekuj me radhë, ajo(Evropa pra) shqiptarët edhe sot e kësaj dite i konsideron qytetarë të rendit të dytë, ndërkaq Serbinë pushtuese e gjenocidiale e trajton edhe më tutje  si  të përkëdhelurën e Ballkanit.  

Skenat barbare nga masakra e Makofcit kishin tronditur opinionin ndërkombëtar, por edhe ngjarjet me kufomat e kësaj masakre dhe të masakrave të shumta gjithandej Kosovës, ishin akte shumë çnjerëzore, që e vërtetonte  për të satën herë brenda dy shekujve, urrejtjen patologjike të çmendurisë serbe ndaj racës pellazgo-iliro-dardane, përkatësisht shqiptare. 

Të nderuar udhëheqës të Republikës së përgjakur të Kosovës,

Të nderuar qytetarë të Gollakut me rrethinë,

Të nderuar të pranishëm të këtij këtij tubimi përkujtimor,

Nuk e mban në mend as një periudhë e historisë njerëzore lojen me të vdekurit, varrosjen dhe zhvarrosjen e tyre sa herë ju tekej, siç e kanë bërë regjimet barbare serbe mbi shqiptarët në vazhdimësi, e sidomos në fund luftën e viteve 1998/1999, vetëm e vetëm që të zhduknin gjurmët e këtij gjenocidi të paparë në Evropë, pas luftës së dytë botërore. Këtë lojë të çmendurisë së tyre me kufomat shqiptare, vazhdojnë ta bëjnë qe 22 vite rresht, dhe për fat të keq, në mungesë të presionit të mirëfillt ndërkombëtar, edhe më tutje na i mbajnë gjithandej Serbisë gjenocidale trupat e 1645 shqiptarëve civilë, që i vranë e masakruan barbarisht, vetëm e vetëm pse ishin racë e kundërt me ekzekutorin.

Dihet se pas masakrës, një luftë tjetër e ashpër u zhvillua për marrjen e kufomave, për varrimin e tyre dhe për analizat e komisionit ndërkombëtar, të cilat për pushtetin e satrapit të Ballkanit Milosheviq kishin pak rëndësi. 

Krimi shtetëror serb në Makofc ndikoi drejtpërdrejtë në ndërgjegjësimin e  opinionit ndërkombëtar dhe të qarqeve e të qendrave botërore vendimmarrëse për atë çfarë po ndodhte në të vërtetë në Kosovë. 

Prandaj, mos – harresa e kujtesës historike është jo vetëm obligim moral, edukativ e kulturor për ne të gjallët e vdekur, por edhe obligim historik, që t’i kujtojmë më të dashurit tanë, jo vetëm gjatë përvjetorëve të rënjes së tyre, por me vepra e punë të mira për atdheun tonë të larë me gjakun e djemëve dhe vajzave tona, të nënave dhe baballarëve tanë që u therrorizuan me shekuj për lirinë e Kosovës dhe Bashkimin e trojeve shqiptare. Sa herë atdheu i një populli të robëruar përgjaket, janë të rënët ata që bëjnë shenjat e ringjalljes së tij.

Andaj, sot jemi tubuar këtu të përkulemi para tyre, edhe pse në rrethana të jashtëzakonshme pandemike, të betohemi para gjeneratave të reja dhe brezave që do të vijnë, se këto flijime me përmasë antologjike të djemëve dhe vajzave tona më të mira, të nënave dhe baballarëve tanë, nuk do t’i harrojmë kurrë, sepse gjaku i tyre është vet liria e Kosovës.

Sido që të merret, flijimi dhe sakrifica e të rënëve për lirinë e atdheut, janë pjesë e kujtesës sonë historike, të brezave që do të vijnë, sepse çdo gjë mund të harrohet, por gjaku i derdhur për liri nuk harrohet kurrë. Andaj, nuk harrohet as gjaku i këtyre 160 qytetarëve të Makofcit e fshatrave të tjera të Gollakut me rrethinë, të rënë këtu, sot e 22 vite më parë, nuk harrohet as gjaku i asaj nëne, i atij plaku, por as gjaku i asaj foshnje, që është bërë pjesë e lirisë sonë.

Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, të rënët për lirinë e Kosovës kanë përmasë historike dhe kombëtare. 

Të kësaj përmase janë edhe të rënët e Masakrës së Makofcit e të fshatrave të Gollakut me rrethinë.

LAVDI!

* Fjala e mbajtur ne takimin perkujtimor me 18 Prill 2021 

P.S. Një falënderim i veçantë nga ky manifestim përkujtimor i takon studentit të familjes së martirizuar Haxholli, z.Albion Haxholli, i cili sot(më 18 prill 2021) me shpenzime të veta e kishte stolisur Kompleksin Memorial të Makofcit, rreth e rreth me flamuj kuq e zi. 

Filed Under: Featured Tagged With: Gjenocidi Serb, Makofc, Prof.dr. Nusret Pllana

PERSE NUK KA DEMOKRACI NE SHQIPERI?

April 17, 2021 by dgreca

Nga Muharrem Xhydollari-Hudenishti/ Qeverite shqiptare mbas vitit 1920, me boten i hapen udhet. Dhe atehere prej Shqiperise dolen “te paudhet”. Ata qe t’i thoshin kominternit, jemi te vlefshem per ju, shkuan ne Spanje ne 1936 te mesonin si beheshe vrases, dhe sesi mbyteshe bota ne gjak. Nga rreth 200 shpirtera te paditur qe shkuan, vetem Mehmet Shehu mundi te diplomoheshe si kriminel, e gjakatar kryesisht per – dhe ne kombin e tij. Qe kete gjakderdhje se fundimi e provoi dhe mbi vetveten. 

Por, ne kete kohe qe ishin hapur udhet, jo pak djallezore shkuan dhe ne Parisin e Robespjerit, ku mesuan shume nga e kaluara Jakobine se si ndertoheshin dhe si funksiononin Revolucionet, per te cilat me vone Robespjeri i kishte quajtur te gabuara. Enver Hoxha vetem per keto mesime “u diplomua”, sa kur u kthye ne Shqiperine e varfer e te pushtuar, beri te pamunduren qe keshilltaret sllave te ishin me te suksesshem ne politiken e tyre kunder Shqiperise e shqiptareve, sesa ata keshilltare Angleze qe vepronin ne vendin tone gjate luftes. Shqiperine e mbasluftes e coi ne ate katrahure, sa shqiptaret arriten te mos e njihnin me njeri-tjetrin. E megjithate, jeta e tij perfundoi nen thirrjet e shqiptareve fatkeqe “Marsh nga ditet tona”. 

Eh sa nxuarren jashte keto udhe te hapura… Kostandin (Koco) Pashko dhe Sejfulla Maleshova studiuan e studiuan ne Mosken bolshevike dhe mesuan se derdhja e gjak-vellait kish pas qene e ligjshme. Ata mesuan se si shkaktoheshe varferia, si organizoheshin festat, dhe se si funksiononte litari per te siguruar pushtetin e diktatures leniniste-staliniste. Dhe keta personalitete studioze perfunduan rrugeve dhe burgjeve, vetkuptohet per ate ideal qe vet e kishin injektuar. 

Ne vendin tone fatkeq mbas vitit 1944, te paudhet, formuan pushtetin e tyre dhe gjate ketij pushteti ata u “nderzyen” me sllavo-kinezerine. Shtatzania e tyre shkoi gjate, afro gjysme shekulli. Krizat e lindjes ne fillimin e dekades se fundit te shekullit te njezet, nuk u shkaktuan lendime. Ata qete-qete linden Binjaket qe ua vune emrin PS dhe PD. Keta Binjake u rriten nen kujdesin e atij prindi shpirteror te diktatures, I cili u injektoi virusin e variantit shqiptar te Katovices, qe duke thirrur parullen “Poshte Komunizimi!”, te ngrinin lart komunistet me ekonomi te paligjshme, dhe si rezultat me nje pushtet ilegjitim. Ky pushtet ishte dhe eshte jashte standarteve perendimore, qe formalisht keta Binjake kerkojne te futen.

Binjaket ashtu sic I kane mesuar, hiqen sikur jane kunder njeri-tjetrit, por ideja e tyre eshte e njejte. Binjaket nuk I marrin per gjykim bemat anti-kombetare te njeri-tjetrit, por bejne cdo gje per tu siguruar imunitetet penale te secilit prej tyre. 

Eee, shqiptaret mbeten turme, ku instikti eshte gjithandej e mendimi asgjekundi… Binjaket turpshem e deshtuan tranzicionin e pretenduar. Ata nuk ndertojne demokraci, sepse nuk jane demokrate…

Filed Under: Analiza Tagged With: Muharrem Xhydollari-Hudenishti, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT