• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2021

DIELLI me shqiptarët në Teksas – USA

May 3, 2021 by dgreca

–SHKOLLA “UDHA E SHKRONJAVE” NË HUSTON, GJUHA DHE IDENTITETIT KOMBËTAR  SHQIPTAR NË TEKSAS /

Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Teksas, USA nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Edmond Shkurtin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “UDHA E SHKRONJAVE”

Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas tregon për “Diellin” se fillimet e para të kësaj shkolle filluan në vitin 2005, me iniciativën e komunitetit të Huston-it u bë e mundur që të hapej kjo shkollë, e cila funksionoi për rreth 6 muaj. Jeta e saj ishte e shkurtër si rezultat i një komuniteti të ri, të cilët nuk bënë të mundur vazhdimësinë e kësaj shkolle. Pavarësisht nga dëshira e komunitetit për të angazhuar fëmijët për të mësuar gjuhën shqipe, vijimi i kësaj shkolle u bë e pamundur për shkak të një komuniteti të ri.

RIHAPJA E SHKOLLËS MË 2016

Viti shkollor 2016-2017 do të ishte shumë i lumtur për prindërit dhe nxënësit e shkollës shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas pasi ajo vihet në funksion të plotë dhe më e organizuar se kurrë. Duket se pas një mungesë të madhe, kishte rifilluar me energji dhe pasion patriotik më të fortë se kurrë. Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas tregon se mundësia e komunitetit dhe dëshira e prindërve bënë të mundur që shkolla të rihapej sërish në Shtator 2016. Hapja e shkollës ishte inciativë e Znj. Pranvera Selenica Haxhillari dhe Z. Ergi Agolli, të mbështetur nga mësuesit: Znj. Rafaela Bani, Znj. Nora Sulejmani, Znj. Erjona Rramaj dhe Z. Edmond Shkurti. Një kontribut të shquar në këtë shkollë ka pasur dhe Znj. Ilira Struga Pitarka, e cila fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Sipas z.Shkurti organizimi ishte model, interesimi po ashtu dhe themelet e shkollës sapo kishin filluar të viheshin në një dimension tjetër, më të sigurtë dhe afatgjatë për vitet në vazhdim. Drejtuesi i Shkollës z.Shkurti kujton se me fillimin e shkollës, u krijuan 3 klasa me rreth 50 nxënës në total. Një ndër klasat përbëhej nga nxënës duke filluar nga mosha 6 vjeç e në vijim, të cilën e drejtonte Z. Edmond Shkurti dhe Znj. Erjona Rramaj. Klasa e dytë përbëhej nga nxënës të grupmoshës 3-6 vjeç dhe drejtohej nga Znj. Nora Sulejmani. Klasa e tretë përbëhej nga nxënës të moshës nën 3 vjeç dhe drejtohej nga Znj. Rafaela Bani. Përkushtimi, profesionalizmi dhe devotshmëria e këtyre mësuesve të talentuar dhe me eksperiencë janë një garanci e shtuar për  nxënësit, prindërit, komunitetin dhe Shkollën Shqipe “Udha e Shkronjave” në ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Teksas nëpërmjet mësimit të gjuhës së bukur shqipe. 

KOMUNITETI SHQIPTAR MBËSHTET SHKOLLËN SHQIPE NË HUSTON

E gjithë kjo veprimtari e shkollës do të ishte e pamundur nëse nuk do të ishte mbështetur nga komuniteti shqiptar në Huston. Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”Huston, Teksas, tregon për Diellin e Vatrës se në shkollë bëjnë pjesë femijë të cilët kanë të dy prindërit shqiptarë ose një nga prindërit shqiptarë. Qëllimi i shkollës shqipe është t’i mësojë komunikimin në gjuhën shqipe këtyre fëmijëve, si dhe bëjnë të mundur krijimin e identitetit shqiptar në atë vend ku nesër do të jetojnë e punojnë. Përkushtimi i mësuesve, gatishmëria për të punuar me nxënësit pavarësisht vështirësive dhe përgatitja e lartë shkencore e mësuesve kanë bërë që shkolla shqipe “Udha e Shkronjave” nëHuston të jetë një model i shkëlqyer funksionimi për të gjitha shkollat shqipe të Diasporës Shqiptare. Sipas z.Shkurti, në gjithë aktivitetin e saj shkolla ka bërë të mundur mësimin e gjuhës shqipe, zhvillimin e një sërë aktivitetesh lidhur me festat shqiptare (festa e fëmijëve, festa e flamurit, Krishtlindjet, Vitin e Ri). Gjithashtu, janë organizuar festat e ditëlindjeve të fëmijëve pjesë e shkollës, si dhe janë zhvilluar orë mësimore në natyrë. Aktiviteti i shkollës është më i gjerë, por u përpoqa të jap një panoramë të shkurtër për atë çfarë kjo shkollë ka zhvilluar këto 5 vite, të cilat për ne si mësues kanë qenë vite sfiduese të mbushura me gëzim e krenari për atë që i kemi ofruar nxënësve dhe komunitetit shqiptar në Huston të Teksasit.

SHKOLLA “UDHA E SHKRONJAVE”HUSTON PËRGJATË PANDEMISË

Viti i shpërthimit të pandemisë globale ka qenë një vit i mbushur me vështirësi edhe për shtetet më të fuqishme jo vetëm për shkollën tonë apo komunitetin shqiptar në Teksas, kujton Edmond Shkurti, drejtues i Shkollës Shqipe “Udha e Shkronjave”. Edhe pse pandemia na kufizoi fizikisht, shpirtërisht nuk jemi ndalur për asnjë moment dhe ne i kemi shërbyer nxënësve tanë e komunitetit tonë këtu. Aktualisht, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, shkolla funksionon online nëpërmjet platformës “Zoom”, por me shpresë që gjatë muajit shtator të vitit 2021 çdo gjë ti kthehet normalitetit dhe shkolla shqipe “Udha e Shkronjave”do të kthehet me klasa të reja, nxënës të rinj dhe bashkëpunëtorë të rinj- përfundoi bashkëbisedimin e tij për Diellin e Vatrës në New York, z.Shkurti.  

Filed Under: Featured Tagged With: Edmond Shkurti, Shkolla shqipe, Sokol Paja, UDHA E SHKRONJAVE

MJAFT U TALLËT ME ATË POPULL!

May 3, 2021 by dgreca

“Diktatura më e rrezikshme, është ajo, që paraqitet me maskën e demokracisë!”/

  Nga Frank Shkreli/

“Diktatura ma e rrezikshme, asht ajo, që paraqitet popullit me maskën e demokracisë!”, At Pjetër Meshkalla, Jezuit, martir i Kishës Katolike Shqiptare, gjigand i fesë dhe i kulturës shqiptare – në përvjetorin e arrestimit të tij më 29 prill të vitit 1967 nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.  Vërtetë “Një pishtar i demokracisë” dhe simbol i inteligjencës së përsekutuar katolike shqiptare nga komunizmi emverist, At Meshkalla ishte dënuar dy herë me 25 vjetë burgim, gjithsejt – si kundërshtar i regjimit enverist — për “agjitacion e propagandë”, nga regjimi komunist i asaj kohe.

Duke lexuar disa shkrime për fatin e keq të tij nën komunizëm në këtë përvjetor (muajin që kaloi) të arrestimit të tij, përfshir kujtimin që I bëri Radio Vatikani shqip, më ra në sy citimi i mësipërm i At Pjetër Meshkallës, i quajtur ndryshe “Engjëlli i birucave”, për predikimet e tija në burgjet komuniste.  Një thënje kjo që më tërhoqi vëmendjen, sidomos, duke pasur parasysh zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit në Shqipëri, por edhe të gjithë historinë e tranzicionit të ashtuquajtur post-komunist në Shqipëri, këto tre dekadat e kaluara.  Dihet se për 30-vjet tranzicion, nga një sistem në tjetrin, Shqipëria, asnjëherë, deri më sot, nuk ka mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme me standarde ndërkombëtare dhe të pakontestueshme.  Si rrjedhim, Shqipëria, asnjëherë, nuk është renditur me shumicën e vendeve si motra post-komuniste, që organizatat ndërkombëtare të drejtave njeriut si dhe qeveritë perëndimore, i kanë cilësuar si vende “plotësisht të lira” gjatë tre dekadave të fundit, por gjithmonë Shqipëria është cilësuar dhe cilësohet edhe sot si një shtet, “pjesërisht i lirë”.  Janë disa faktorë që organizatat dhe qeveritë perëndimore përdorin për të identifikuar vendet e botës se në cilin prej këtyre dy grupeve bejnë pjesë ato ose edhe në grupin e tretë, si “vende jo të lira”, por një ndër faktorët e rëndësishëm që një vend të karakterizohet si “plotësisht i lirë” si dhe baza e një shoqërie të lirë është, natyrisht, mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, bazuar në disa vlera, liri, parime dhe të drejta ndërkombëtare. Pa zgjedhje të lira nuk mund të jesh vend i lirë e demokratik. 

Fatkeqësisht, në këto 30-vjet tranzicioni, asgjë nuk ka ndryshuar për më mirë në Shqipëri, sidomos kur është fjala për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të ndershme, bazuar në një numër faktorësh dhe parimesh ndërkombëtare, kryesisht të botës perëndimore. Për fat të keq, këtë, po e provojnë edhe zgjedhjet e fundit, ndonëse procesi i të cilave nuk ka përfunduar ende.  Gjatë viteve kam shprehur mendimet e mia se pse ndodhë kjo në Shqipëri, madje edhe tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit, se pse “zgjedhjet” në atë vend nuk sjellin asnjë ndryshim për më më mire në shoqërinë shqiptare.  Shpeshëherë kam thenë se problemet me të cilat është përballur Shqipëria, në të gjitha fushat shoqërore, politike, ekonomike, integruese e të tjera, e kanë bazën në të kaluarën komuniste të vendit si dhe në refuzimin e kësaj klase politike 30-vjeçare që qeverisë Shqipërinë, për tu përballur seriozisht me atë histori të tmershme, ndryshe nga shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës.  Zgjedhjet e 25 prillit nuk bënë asgjë për të më bindur se diçka ka ndryshuar për më mire, në këtë mes.  Falënderës Zotit që Shqipëria është në NATO sepse mos të ishte anëtare e NATO-s, nuk jam i sigurt se cili do ishte fati i saj sot, e udhëhequr nga kjo klasë politike aq e papërgjegjëshme për fatet afatgjat dhe afat shkurtëra të Kombit.

Dikush mund të thotë, në rregull, po çfarë ka të bejë i ndjeri At Pjetër  Mëshkalla me aktualitetet politike të tranzicionit Shqipëri, përfshir edhe zgjedhjet e tre dekadave të fundit në Shqipëri, një vend që 30-vjet si sot vazhdon të cilësohet nga perendimorët si një shtet, “pjesërisht i lirë”.  Shumë veta, brenda dhe jashtë Shqipërisë, përfshir opozitën, i pritën këto zgjedhje me shumë entuziazëm, si mundësinë për “ndryshimin e madh”, si “këthesën historike”, e tjera.  Unë nuk isha aspak entuziast për këto zgjedhje (rezultati përfundimtar i të cilave mbetet ende për tu parë falë ankesave për ç’rregullime, megjith nxitimin e ndërkombëtarëve për të bërë urimet e rastit) dhe as nuk isha optimist se këto zgjedhje do të sjellin ndonjë ndryshim të madh në Shqipëri, sepse ndryshimi i vërtetë dhe i sinqert kërkon, në themel, ndër të tjera, zgjedhje vërtetë të lira e të ndershme dhe jo vetëm urimin e ndërkombëtarëve, për t’i berë ato legjitime dhe një mjet  që ato të sjelli “ndryshimin” aq të nevojshëm politik dhe ekonomik në Shqipëri dhe që të ndalohet zbrazja e trojeve nga rinia shqiptare.  Koha do e tregoj se kush ka të drejtë!   Por një gjë nuk është e drejtë as e pranueshme, që sot pas tre dekadash tranzicion, Shqipëria në qendër të Evropës, vazhdon të konsiderohet një vend “pjesërisht i lirë”.

Gjatë viteve, jam shprehur, në përputhje me shumë kolegë të mijë në përendim, se është e domosdoshme që Shqipëria të përballet me historinë dhe krimet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, para se në Shqipëri të mund të ketë ndonjë ndryshim domethënës të jetës politike dhe shoqërore.  Kjo nuk ka ndodhur.  Përkundrazi, gjatë fushatës së fundit në Shqipëri, udhëheqës të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, përfshir Kryeministrin dhe kandidatë me profil të lartë të kësaj partie, haptazi dhe publikisht dhe me krenari folën për “meritat” dhe për të “mirat” e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës.  Po si ndodhë që në Shqipëri, ndryshe nga çdo vend tjetër i Evropës ish-komuniste, nuk po ndodhë ndryshimi që miliona shqiptarë anë e mbanë trojeve dhe në mbarë botën prisnin dhe presin se do ndodhë?  Përgjigjen na e jep viktima e ish-regjimit komunist, At Pjetër Meshkalla, në përvjetorin e burgosjes së tij në prill të vitit 1967, i cili citohet të ketë thenë se pseudo-demokracia nuk sjellë ndryshimin.  Se një shtet “pjesërisht i lirë”, siç kategorizohet sot Shqipëria, nuk garanton as të drejtat më themeltare të njeriut dhe jo më të sjellë “ndryshimin”, me votën e lirë të shqiptarëve.  Si të ketë ndryshim nepërmjet zgjedhjeve ku haptas blihet vota dhe ku qeveria në fuqi përdori burimet shtetërore në favor të vetin, sipas ODIHR-it?  

Se pse në Shqipëri nuk mund të ndodhë ndryshimi që zakonisht pritet nga zgjedhjet e lira në një vend normal, përgjigjen na e jep një i ish-burgosur i komunizmit eneverist, At Pjetër Meshkalla, i cili është shprehur se asgjë e mirë nuk mund të vijë nga një pseudo-demokraci, ku, “Autokracia me makijazh demokratik lëshon rrenjë më të shëndosha se sa vet diktatura e shpallur tek një popull i lodhur e i demoralizuar, i cili bie në prehërin e saj symbyllas”.  At Pjetër Meshkalla, Pishtari i demokracisë shqiptare, ka paralajmëruar se pasojat e rënda të autokracisë me makijazh demokratik, “janë më afatgjata se ato të një diktature të ligjëruar mbasi populli i shpresëhumbur gjunjëzohet prej deshpërimit duke u bërë një pre e lehtë për despotët e rinj me grim demokratik”.  Në një shkrim botuar në portalin, “Radi and Radi”, At Meshkalla citohet të ketë thenë se, “duke i lenë kastile të hapura dhe të pa mjekuara plagët e diktaturës ato do të infektohen dhe shoqëria shqiptare do të gangrenizohet duke u dobësuar dhe ç’orientuar progresivisht derisa të katandiset në një turmë të hallakatur lypësarësh të nënshtruar.”   Për më tepër thekson At Meshkalla, “Pseudo-demokracia është një anarshi e organizuar me qëllim që pushtetarët despotë dhe bashkpuntorët e tyre mëkatarë të përfitojnë në mënyrë të paligjshme atë që ua ndalon ligji i tyre fasadë mashtrimi!”

Shpresoj se si “fituesit” ashtu edhe “humbësit” e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, por edhe ndërkombëtarët të cilët për 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit vazhdojnë të mos njohin realitetin e “autokracisë shqiptare me makijazh demokratik”, si pengesën kryesore drejtë një shoqërie vërtetë të lirë e demokratike — të reflektojnë edhe kësaj radhe me rastin e zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri dhe të mbajnë përgjegjëse këtë autokraci shqiptare me makijazh demokratik për gjëndjen aktuale politike dhe ekonomike në atë vend. 

“Prej të parëve tanë pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumtun!”, citohet të jetë shprehur At Pjetër Meshkalla.  Fatkeqësisht, unë e kam vështirë të besoj se zgjedhjet e 25 prillit– sido që të karakterizohen ato nga ndërkombëtarët — nuk japin asnjë përspektivë as shpresë për një Shqipëri më të lumtur dhe vërtetë të lirë dhe demokratike perëndimore, siç e dëshironte brezi i At Pjetër Meshkallës, por – as brezat e tanishëm nuk kanë ndonjë arsye të jenë më optimist për të ardhmen e Kombit shqiptar! Uroj të jem i gabuar. Zot ndihmojë shqiptarët në këtë periudhë të historisë së tyre.

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, ME ATË POPULL, MJAFT U TALLËT

PAS ZGJEDHJEVE “DEMOKRATIKE” NË SHQIPËRI

May 3, 2021 by dgreca

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ *

-KM i Dardanisë (Kosovës) votoi në Shqipëri dhe u “bë kiameti”

         Nuk na habit reagimi i shovenistit Vuçiq dhe ish-ambasadorit amerikan pro-serb Grenell, sa ai i parlamentares së nderuar Evropjane Znj. Viola Von Cramon dhe disa politikanëve dhe analistëve shqiptarë.

         Vuçiq është urrejtës dhe armik i përbetuar i kombit shqiptar dhe nuk ka punë tjetër. 

          Grenell e ka ende vështirë ta kuptojë dështimin e tij në rrënimin e demokracisë dhe shtetit të Dardanisë. Komenti im për te në twitter me njoftim të Sekretarit të shtetit Blinken, Këshilltarit për Siguri Nacionale Sullivan dhe Shtëpisë së Bardhë ishte: “KM i Republikës së Kosovës Z. Albin Kurti, e ushtroi të drejtën e vet për të votuar si shtetas. Kjo quhet demokraci. Askush nuk ka të drejtë të vërë motivet e tij në dyshim. Ato nuk janë kundër askujt. Një ish-diplomat Amerikan, duhet të shmangë përhapjen e propagandës pro-serbe dhe pro-ruse”.

        Znj. Viola, gjithmonë e drejt dhe parimore, e huqi kësaj radhe. U shpreh se nuk e kuptonte votimin e Albinit në Shqipëri duke e krahasuar me përzierjen serbe në Dardani. Komenti im për te, poashtu në Twitter, ishte: “Është fare e lehtë. Unë nuk jam Kryeministër si Albini, por ndihem i rëndësishëm. Votoj në Amerikë dhe Kosovë, kisha votuar edhe në Shqipëri. Si është e mundur të krahasohet e drejta demokratike për të votuar me përpjekjet sistematike të Vuçiqit dhe Serbisë shoveniste për ta shkatërruar një shtet tjetër”?!!

         Reagimet negative të disa politikanëve dhe analistëve shqiptar e kalojnë kufirin e absurditetit. Të detyrojnë me zor për të mos i konsideruar fare. Shihet se nuk kanë mësuar asgjë nga zgjedhjet Dardane të 14 Shkurtit. Populli i dënoi. Nuk e kanë të qartë se për ta mundur Vjosen dhe Albinin duhen të bëhen më të aftë dhe më të mirë se ata, ti kritikojnë me fakte të argumentuara, jo me pallavra.  Shtrohet pyetja, deri kur ata do të vazhdojnë me nënshtrim ndaj opinioneve të huaja, sidomos të armiqëve të popullit shqiptar?!

  FANTAZIA E KIMETES PËR “URREJTJE” NDAJ EDI RAMËS

         Shkrimet e Znj. Kimete Berisha, janë interesante dhe të jashtëzakonshme, nganjëherë të çuditshme dhe kontradiktore. 

        Befasojnë dy shkrimet e fundit lidhur me Edi Ramën, larg realitetit. Një huqje e madhe, shkrirje e talentit palidhje. Mospërmendja e emrit të tij nuk është urrejtje. Ka mundësi, nuk ekziston respekt. Pyetja është a e meriton ai respektin pas “mikpritjes” që tregoi për Presidenten Osmani gjatë vizitës në Shqipëri. 

         Nuk është fer dhe as e vërtetë të thuhet se Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti e kanë “zgjedhur vdekjen” për shqiptarët e Dardanisë për inati të Edi Ramës dhe se Presidentja “nuk merret me të gjallët”, pra na qenka “e ahiretit”. Përkujtimet, vizitat përmendoreve të heronjve dhe ekspozimi i masakrave serbe, është detyrë humane, njerëzore, kombëtare  dhe shtetërore e Presidentes dhe Kryeministrit. Krimet serbe nuk bën dhe nuk mund të harrohen kurrrë. Vetëm me paraqitjen e tyre të përherëshme ulet në bisht Serbia shoveniste. Këtë e filloi në mënyrë të suksesshme diplomatike në OKB, Ministrja e Jashtme Znj. Donika Gërvalla-Shwarz.

        Vjosa as Albini nuk kanë pse t’i marrin lakmi Edit për asgjë. Hiq fare. 

Veprat  dhe rezultatet e tij për dy mandate janë dështuese dhe dëshpruese. Largim nga Evropa dhe afrim kah Serbia, Rusia, Kina dhe Turqia. Vaksinat ruso-kineze nuk paraqesin sukses, nuk janë Pfizer. Mund t’i siguronte çdokush, veç të jetë i gatshëm të përulet te armiqt e kombit shqiptar. Natyrisht, për interesa zgjedhore. 

         Na thotë Kimetja se “askush nuk di të tregojë se çfarë vepre të keqe ka bërë Edi Rama”!! Edhe zogjët e malit e kanë pa “duke vrapuar” bashkë me Thaçin pas Vuçiqit.

Hartat  përpara, thikat në dorë, të gatshëm me ja pre edhe do tokë Dardane, si ”hise vëllazërore”. Se, pak ka grabitë shteti kriminal serb nga shqiptarët! Ka mundësi që gjatë kësaj kohe ajo ishte në gjumë të thellë dhe të gjatë.

         Në shkrimin e saj në Bota Sot, të datës 21 Dhjetor 2019 drejtuar Edi Ramës me titull “Vuçiqi t’shtiftë n’dhe”, ndër tjera ajo thotë: “ Vuçiqi që e ka mohuar masakrën e Reçakut, i ka mohuar fëmijët e vrarë shqiptarë; ka shkel në gjak deri në gju; nuk ka kërku falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, sepse ka marrë pjesë edhe vetë në ato krime, e mohon lirinë dhe ekzistencën tonë, por ama ndjen dhimbje për Edi Ramën…Raport pervers i këtyre të dyve…Gjithë kjo afërsi mes jush po na bën me vjell…Kishe shumë po duheni”. Shtrohet pyetja, cila është Znj. Kimete Berisha?!

Shkrimi është aktual edhe sot. Meriton të lexohet prapë.  

Qasja: http://37.59.72.86/opinione/1205290/vuciqi-tshtifte-ndhe/

         Një gjë duhet pranuar Edi Ramës, është  ekspert për manipulime. Të vjedh para syve dhe ti nuk e sheh deri sa të bëhet vonë. Po duket se i ka “vjedh” edhe kulet e ndonjë vajzeje tradicionale shqiptare. I vesh, edhe pse aspak nuk i kanë hije. M’i ka qitë qejfi do pizhama me shara, të cilat i hoqa nga garderoba. Dhe, Kimetja prapë e lavdëron atë sikur të ishte kandidat për Playboy, jo për lider të një shteti. 

         Populli i Shqipërisë  “e votoi” dhe ia paftë hajrin. Noshta ndryshon. I desh kulet dhe veshë tesha kat, me kravatë, sahat e qystek.  Dhe nuk “vjedh më”, deri në mandatin tjetër. Ndoshta e harron arrogancën dhe sjelljet e pahijshme për një Kryeminister. Ndoshta e harron edhe Minishengenin, copëtimin e tokave shqiptare, si dhe përqafimet me Vuçiqin dhe Thaçin, “pas kaplimit nga paniku i dashurisë”. Dhe bëhet i mirë, si në fantazinë e zhvilluar të znj. Kimete Berisha.

         Kimetja prapë befason për së miri. Në shkrimin e saj të fundit për viziten madhështore të Kryeministrit Kurti në Bruksel thotë: “Hera e parë që një Kryeminister i Kosovës i tregon Brukselit si është puna dhe ku po i dhemb Kosovës!… Këtë fjalim po e pres që nga pas lufta”! E shpërndava edhe në Facebook. 

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçka, PAS ZGJEDHJEVE, shqiperi

MONOGRAFI MË PASION PËR VENDLINDJEN

May 1, 2021 by dgreca

Shaqir Ismaili, BOJKU NË ANË TË MALIT, Botoi: ART CLUB, Ulqin, 2011/

Në sajë të ndryshimit të rrethanave shoqërore në këto dy dekadat e fundit janë botuar libra më vlerë nga autorë të ndryshëm shqiptarë të cilët kanë trajtuar tema nga fahu i tyre profesional. Botimet e tilla nuk ka dilemë se kanë pasuruar fondin e botimit të librit në shqip, duke ofruar të dhëna të cilat deri më tash kanë qenë të panjohura nga opinioni i gjerë. 

Shkruan: DR. Nail  Draga

Një e dhënë e tillë nuk është e panjohur sepse deri më tash për shqiptarët në Mal të Zi kanë shkruar autorë të ndryshëm joshqiptarë kryesisht sllavë duke i trajtuar çështjet në mënyrë subjektive, sipas interesit të tyre dhe te politikës së kohës. Por, gjatë  dy dekadave të fundit janë pikërisht autorët shqiptarë ata të cilët me pasion opinionit i kanë dhuruar botime më vlerë, në sajë të punës hulumtuese disa vjeçare. Dhe janë pikërisht këto botime që kanë shpalosur tema të cilat kanë qenë jo të panjohura për opinionin  e gjerë por të ndaluara, sepse pasojat kanë qenë evidente nga pushteti i kohës Madje ishte pikërisht ky motivi kryesor për t’u ballafaquar më temat e tilla për të shpalosur çështjet përkatëse që opinioni i gjerë i ka  pritur më padurim.

Në gamën e gjerë të tyre botimeve, bën pjesë edhe libri Bojku në Anë të Malit i autorit Shaqir Ismaili, i cili kohë më parë në botim të Art Club-it ka dalë  në qarkullim.

Pas parathënies së autorit libri përbëhet nga nëntë njësi duke filluar me trajtimin e Anës së Malit si krahinë të veçantë etnografike, duke vazhduar me rrethanat shoqërore-historike, sipas periudhave kohore, duke ardhur deri në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, pastaj  çështjet e traditës etj. Në fund është publikuar gjenealogjia familjare e fiseve dhe vllazërive familjare të Bojkut, duke përfshi një periudhë kohore prej tre shekujsh. Pjesë e librit janë edhe   hartat, skicat dhe sidomos fotografitë e botuara që  paraqesin vlera të veçanta për një koleksion sepse një numër i konsideruar  i tyre publikohen për herë të parë dhe si të tilla e pasurojnë këtë botim.

Duke lexuar ketë libër  del qartë pozita e vështirë sociale e popullsisë përkatëse që ishte identike për popullsinë shqiptare në përgjithësi në Mal të Zi. Por, aspak më e lehtë nuk ishte as ajo politike, sepse pushtetit të kohës iu ka penguar edhe shkollimi fetar i të rinjëve, që është dëshmuar me mos mundësinë e punësimit të tyre qoftë në vendlindje apo në komunën e Ulqinit, por duke i drejtuar në mjedise të largëta, me popullsi sllavofone. Një veprim i tillë perfid dëshmon në mënyrë transparente se edhe edukimi fetar ka qenë i padeshirueshëm,kur janë në pyetje shqiptarët ku autori në libër na ofron shembuj përkatës. Me këto veprime pushteti i kohës u demaskua, sepse ishte veprimi përfid për pengimin e shkollimit të te rinjëve tanë edhe ne profilin teologjik, nga del se iu kanë penguar edhe takimet dhe tubimet e rastit të kësaj natyre, që ishte kundër   të drejtave  dhe lirive të qytetarëve  të cilat  ishin  të garantuara edhe  me konventat ndërkombëtare.

Lexuesi në ketë libër ka rastin të informohet me përmbajtje të ndryshme sikurse është edhe migrimi i popullsisë nga Bojku, por edhe e kundërta të ardhurit nga vendbanimet tjera në Bojk, në kohën e kaluar.Të dhënat e tilla  nuk janë të imagjinuara por të argumentuara madje  me emër dhe mbiemër të familjarëve në një tabelë përkatëse. Po ashtu prezantimi i toponimeve të fshatit paraqet një vlerë të veçantë onomastike sidomos për fushën e gjuhësisë.

Nëse ndonjë fshat, zonë apo krahinë e veçantë dallohet me ndonjë veti dalluese me vlera nuk ka dilemë se  bojkanjorët nga ky moment kanë se me çka të krenohen. Ata pa dyshim se janë të parët qe kanë një monografi të shkruar për vendin-fshatin  e tyre. Jo vetëm kaq por me sa jam i informuar kjo është monografia e parë për një fshat në viset shqiptare në Mal të Zi. Andaj, të gjithë ata që në të ardhmën do të marrin guximin për të shkruar një monografi të tillë për ndonjë vendbanim tjetër, patjetër duhet ta konsultojnë monografinë e Bojkut të shkruar nga Shaqir Ismaili.

Nuk ka dilemë se me ketë botim autori ka nderuar vendlindjen e tij Bojkun por edhe të tjerët  si në Anë të Malit, Ulqin dhe më gjerë. Sepse ka shkruar një libër më plot pasion dhe dashuri. Materiali i mbledhur për një periudhë të gjatë  kohore prej  gati prej pesë dekadash ai sot është publik dhe do ta vlerësojë  opinioni i gjerë. Por, në lidhje me këtë botim me duhet të them një konstatim që  është dëshmuar shumë her deri më tash. E ajo ka të bëj me faktin se askush nuk e do më shumë vendlindjen se sa ai i cili është larg saj. 

Pikërisht, duke qenë larg saj, i larguar nga mosha 15 vjeçare autori  gjithmonë ishte me vendlindjen në zemër dhe në ndërgjegjën e tij. Sepse kudo që ka shkuar dhe qendruar vendlindja e tij ishte dhe mbeti përjetësisht Bojku. Dhe vetëm një individ i tillë ka mundur të na dhuroj një botim me ketë përmbajte, ku ka shënuar dhe evidentuar çdo gjë nga vendlindja, në kuptimin e ngushtë por edhe për Anën e Malit në kuptim më të gjerë. Ndërsa literatura e konsultuar ia rrit vlerën botimit, duke ofruar argumente për çështjet e trajtuara.

Madje, nuk gabojmë nëse themi, se disa çështje të trajtuara në libër, duhet të jenë edhe motiv dhe nxitje për hulumtime në të ardhmën. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë do të dëshmonte në praktikë se kjo monografi ia ka arritë qellimit, sepse asgjë nuk është ideale dhe e përkryer, sepse vazhdimisht mund të ofrohen të dhëna të reja  që janë në favor të çështjeve përkatëse.

Libri iu dedikohet kryesisht  banorëve të Bojkut, por ai është i mirëseardhur edhe për opinionin e gjerë të cilët dëshirojnë të informohen për këtë vendbanim në veçanti dhe Anën e Malit në përgjithësi. Nuk ka dilemë se ky libër do të zgjojë kureshtjen edhe të ata të cilët janë me origjinë nga Bojku, ndërsa tash jetojnë në vende të ndryshme.Në këtë aspekt mendoj  se ka të bëj në veçanti me ata qytetarë të cilët tash janë në diasporë. Për këtë  kategori, ky botim do të jetë një lloj letër njoftimi, dhe dëshmi e origjinës dhe identitetit të tyre, sepse ofron të dhëna me interes për të kaluarën dhe të tashmën e Bojkut.

Autori ka qenë i vetdijshëm se vetëm ajo çka është e shkruar do të mbesë, bëri ate që është dashur të bëhët me bindje  të plotë, se ate qe mund ta bëjmë sot duhet bërë sa më parë sepse brezat që do të vijnë nuk do të na falin dot. Sepse sa ngjarje kanë ndodhur më parë, por nuk janë shënuar, çka paraqet një humbje të madhe për të gjithë ne, sepse  ka ndodhur vetëm ajo që është shkruar.

Përfundimisht, autori i librit ka kryer një mision të rëndësishëm sa personal poaq edhe moral, duke i dhuruar vendlindjes dhe bashëvandasve të tij një botim i cili pasqyron të kaluarën dhe të tashmën, por do të përdorët në të ardhmën si referencë e domosdoshme për Anën e Malit e Ulqinin në përgjithësi.

In memoriam

Shaqir Ismajli(1937-2021)

Me 13 prill në Sarajevë në moshën 84 vjeçare  vdiq Shaqir Ismajli, klerik islam dhe autor i disa artikujve, përkthimeve dhe  botimeve të veçanta. Ka lindur në Bojk të Anës së Malit(Ulqin) më 27 prill 1937. Shkollën fillore tetëvjeçare e ka kryer në Katërkollë, medresën e ulët “Alaudin” në Prishtinë në vitin 1959.Në mungesë të punësimit në Anë të Malit, si imam filloi të punoj në Bukovicë, komuna e Plevlës(1960-67). Duke ushtruar profesionin e imamit u regjistrua në medresën “Gazi Husrevbeg” në Sarajevë, të cilën e kreu në vitin 1968. Nga viti 1967-1980, punoj si referent fetar në Bijello Pole. Nga ai qytet u regjistrua me korrespondencë në SHLP”Bajram Curri” në Gjakovë, dega Histori-Gjeografi, ku diplomoj në vitin 1978. Prej vitit 1980-2004, ka ushtru detyrën e kryeimamit në Podgoricë, ndërsa nga viti 2006, është vendosur me banim në Sarajevë, ku edhe ka vdekur me 13 prill 2021.

Shaqir Ismajli, përveç angazhimit profesional si klerik islam,  në gazeta e revista të ndryshme është paraqitur me shkrime, artikuj, përkthime e botime, duke dëshmuar pasionin për librin dhe trashëgimin kulturore.

Duke jetuar e punuar jashtë vendlindjës ai nuk ka qenë statik por ka mbledhur material më vlerë  për vendlindjen e tij Bojkun dhe Anën e Malit  duke qenë model për të tjerët. Kam qenë i nderuar   në redaktimin, botimin dhe organizimin e  përurimit të   librit “Bojku në Anë të Malit”, Art Club, Ulqin, 2011, në “Lamiga” me 17 mars 2012. Ishte ky një përurim i veçantë emocional për autorin e librit dhe të gjithë të pranishmit. Me rastin e vdekjës së autorit, në nderim të tij, po botoj recensionin e lexuar me rastin e përurimit të librit(17.3.2012).

Filed Under: Analiza Tagged With: Monografi, Nail Draga, Shaqir Ismaili

VATRA URON BESIMTARËT ORTHODOKSË: PËR SHUMËVJET PASHKËT!

May 1, 2021 by dgreca

Të dashur bashkëkombas Orthodoksë;/

Vatranët bashkohen shpirtrisht sot me Ju në përjetimin e festimit të Pashkëve!Më lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, të gjitha degëve dhe strukturave të saj; në emër të familjes sime dhe në emrin tim personal, t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar dhe Për shumë vjet Pashkët. Pashkët, ngjallja e Krishtit, festa më e madhe në besimin e Krishterë, na kujton dhe një herë që jeta e mund gjithmonë vdekjen, e mira fiton ndaj të keqes, drita e mposht errësirën dhe e vërteta triumfon përherë ndaj gënjeshtrës. Simbolika e fuqishme që përcjell kjo festë le të përcjellë për të gjithë ne më shumë optimizëm, shpresë, prosperitet, paqe dhe dashuri për çdo shqiptar anëkënd botës. Uroj lumturi për ju dhe paçi bekimin e të madhit Zot në çdo ditë të jetës suaj. Kjo festë e madhe, qoftë për secilin prej nesh një moment reflektimi, pastrimi e kthese në rrugën e drejtë të arsyes, besimit e shpresës për ditë më të bukura e më të lumtura në jetën tonë. Sot më shumë se kurrë duhet të jemi të bashkuar dhe të punojmë fort për një të ardhme më të ndritur për familjet tona dhe atdheun tonë.

Le të bashkohemi shpirtërisht si Komb në këtë ditë të Paqtë!

 Zoti ju bekoftë të gjithëve.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

New York, 1 Maj 2021

 

 


Të dashur bashkëkombas Orthodoksë;

 

Vatranët bashkohen shpirtrisht me Ju përjetimin e festimit
të Pashkëve!

Më lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare të
Amerikës VATRA, të gjitha degëve dhe strukturave të saj; në emër të familjes
sime dhe në emrin tim personal, t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar dhe Për shumë vjet
Pashkët. Pashkët, ngjallja e Krishtit, festa më e madhe në besimin e Krishterë,
na kujton dhe një herë që jeta e mund gjithmonë vdekjen, e mira fiton ndaj të
keqes, drita e mposht errësirën dhe e vërteta triumfon përherë ndaj
gënjeshtrës. Simbolika e fuqishme që përcjell kjo festë le të përcjellë për të
gjithë ne më shumë optimizëm, shpresë, prosperitet, paqe dhe dashuri për çdo
shqiptar anëkënd botës. Uroj lumturi për ju dhe paçi bekimin e të madhit Zot në
çdo ditë të jetës suaj. Kjo festë e madhe, qoftë për secilin prej nesh një
moment reflektimi, pastrimi e kthese në rrugën e drejtë të arsyes, besimit e
shpresës për ditë më të bukura e më të lumtura në jetën tonë. Sot më shumë se
kurrë duhet të jemi të bashkuar dhe të punojmë fort për një të ardhme më të
ndritur për familjet tona dhe atdheun tonë.

Le të bashkohemi shpirtërisht si Komb në këtë ditë të
Paqtë!

 Zoti ju bekoftë të
gjithëve.

Me respekt e gëzim

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

New York, 1 Maj 2021

 

Filed Under: Politike Tagged With: Elmi Berisha, pashket Orthodokse, urime

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT