• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2021

Pse 25 qershori është “Dita e detarit”…

June 18, 2021 by dgreca

Day of the Seafarer 2012

Nga Karine Langlois- Shefe e informimit publik  në IMO /

Përktheu Shefqet Kërcelli/

25 Qershori i çdo viti është “Dita e Detarit”,  për të njohur kontributin e paçmuar që detarët japin në tregtinë ndërkombëtare dhe ekonominë botërore, shpesh me kosto të mëdha personale për veten dhe familjet e tyre.

Qeveritë, organizatat e transportit, kompanitë, pronarët e anijeve dhe të gjitha palët e tjera të interesuara janë të ftuar të promovojnë dhe festojnë Ditën në një mënyrë të përshtatshme dhe kuptimplote.

Dita e Detarit u festua për herë të parë në 2011, pas miratimit të saj nga një rezolutë e miratuar nga Konferenca e Palëve në Konventën Ndërkombëtare mbi Standardet e Trajnimit, Certifikimit dhe Mbajtjes së Rojës për Detarët (STCË), 1978, mbajtur në Manila, Filipine, në Qershor 2010, i cili miratoi ndryshimet kryesore të Konventës dhe Kodit STCË.

Dita e Detarit tani është përfshirë në listën vjetore të Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2011, kremtimi mori formën e një fushate në internet, në të cilën IMO u kërkoi të gjithëve të shprehnin mbështetjen e tyre duke përdorur rrjetet sociale. Në Ditën e Detarit, ne u kërkuam njerëzve anembanë globit të shprehin Faleminderimet e tyre për detarët kudo në botë, nëpërmjet  rrjeteve Facebook, përmes tëeets, duke postuar një video në YouTube, duke diskutuar në LinkedIn, apo edhe duke shkruar një blog frymëzues.

Dita e Detarit ofron një mundësi, për të vlerësuar sakrificat e mbi 1.5 milion detarëve të botës, për kontributin unik dhe shumë shpesh të neglizhuar në mirëqenien e publikut të gjerë, dhe ne do të dëshironim ta bënim atë duke përdorur sa më shumë rrjetet e mediave sociale të jetë e mundur.

Duke frymëzuar ndërveprim në internet rreth detarëve, ne duam të tregojmë respekt, njohje dhe mirënjohje ndaj detarëve kudo që ndodhen. Përhapja universale e mediave sociale do të rrisë ndërgjegjësimin për rolin jetësor që luajnë detarët në ekonominë botërore dhe, në shumë aspekte, në zhvillimin e qëndrueshëm, duke u mundësuar anijeve të mbajnë më shumë se 90% të tregtisë botërore në mënyrë të sigurt, me efikasitet dhe me ndikim minimal në mjedis. .

Dita e Detarit, është gjithashtu një mundësi për të edukuar publikun në lidhje me çështjet me të cilat përballet detari i ditëve të sotme – çështje të tilla si pirateria, siguria, paga, pensioni, ushqimi, etj. Por, më e rëndësishmja, është rasti që ne, bota, të themi Faleminderit detarë!  

Ne i inkurajojmë të gjithë të marrin pjesë në këtë përpjekje mbarëbotërore duke festuar dhe bashkuar me ne në internet e aktivitete në terren. 

Për të kujtuar dhe sensibilizuar opinionin publik e më gjërë, në respekt të kontributit të pazvëndësueshëm që japin detarët në ekonominë botërore, konkretisht detarët shqiptarë në ekonominë shqiptare,

Shoqata Mbarëkombëtare Detare “Adrijon”, më datën 25 qershor 2021, organizon disa aktivitete.

Janë të ftuar të gjithë detarët të bëhen pjesë e këtyre aktiviteteve.

Ja ftesa.                C:\Users\shefqet.kercelli\Desktop\logo e shoqates adrijon..jpg

                                             FTESË

Z._______________________

Ju lajmërojmë se ditën e premte, Data 25 qershor, ora 10.00, tek rimorkiakiatori “epidamn”, PORTI DURRËS.

Shoqata Mbarë Kombëtare Detare “ADRIJON”, 

ORGANIZON NJË AKTIVITET PËR NDER TË 25 qershorit, DITËS NDËRKOMBËTARE TË DETARËVE.

1-Fjala përshëndetse.

2-Lundrim në Gjirin e Durrësit.

3-Koktejl. 

SQARIM. Grumbullimi i pjesmarrësve do bëhet tek hyrja e portit.

Për Shoqatën Detare “ADRIJON”,  

 KRYETARI ALEKSANDËR GJERMENI                  D.V.

Filed Under: Histori Tagged With: 25 Qershori, Dita e Detarise, Shefqet Kercelli

REPUBLIKANI ALEKSANDER MICI, NJË SHQIPTAR PËR KËSHILLIN BASHKIAK TË NEW YORKUT

June 18, 2021 by dgreca

Avokat Aleksander Mici kandidat për Këshillin Bashkiak të New Yorkut, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, kandidimin e tij, platformën politike, zonën elektorale, formim profesional dhe ndihmën në komunitetin shqiptar. Me Aleksander Micin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol Paja.

NJË SHQIPTAR QË SYNON KËSHILLIN BASHKIAK TË NEW YORKUT

Unë kandidoj për Këshillin e Qytetit në Distriktin 13-të në zonën e Pelham Parkway, Morris Park, Pelham Bay, Throgs Neck Pelham Gardens Allerton, Williamsbridge dhe City Island. Në këtë zonë zgjedhore votuesit shqiptarë përbëjnë një numër të rëndësishëm në këtë distrikt por përfaqësimi i komunitetit tonë ka qenë shumë i zbehtë në zgjedhjet e shkuara. Pjesëmarrja e votuesve dhe mbi të gjitha e komunitetit shqiptar në masë në këto votime do të siguronte një fitore të sigurtë për kandidaturën time. 11,000 vota janë të mjaftueshme për fitore në këtë garë. Për momentin në fushatën elektorale po zhvillohen garat në partitë politike nga ana e demokratëve por gjasat janë që në zgjedhjet e përgjithshme përfundimtare unë të përballem me Marjorie Velazquez. Unë nuk kam garë brenda partisë time, kjo më favorizon dhe më motivon për të punuar me elektoratin dhe për tu fokusuar në fushatë si kandidaturë e vetme partiake në kampin Republikan. Ky është një besim i madh nga partia që unë përfaqësoj. Sigurisht është një vlerësim edhe për komunitetin shqiptar. Komuniteti ynë ka rastin të mbështesë për herë të parë një kandidat të mirëfilltë me eksperiencën e duhur, me integritet moral, qytetar e profesional dhe tejet i kualifikuar që ta përfaqësojë atë denjësisht dhe shqiptarët duhet ta marrin më me seriozitet pjesëmarrjen në politikë sepse është e vetmja mënyrë për të kërkuar të drejtat tona si komunitet. Fuqia e votës është fuqi përfaqësuese. Pjesëmarrja e gjërë në votime na faktorizon si komunitet. Unë pres shumë nga bashkëkombasit e mi. Historikisht, kur shqiptarët kanë qenë të bashkuar, kanë bërë punë të mëdha dhe kanë arritur rezultate historike. Ky është një moment i artë për ne si komunitet. Unë kam bindjen dhe kam shpresë të plotë se edhe këtë herë shqiptarët do të hedhin një hap të madh në suksesin e përfaqësimit të tyre në Këshillin e Bashkisë së New Yorkut. 

RRUGËTIMI POLITIK I ALEKSANDER MICIT NISI NË SHESHIN 2 PRILLI NË SHKODËR

Veprimtaria ime politike nisi në një moshë shumë të re. Kontributi dhe sakrifica ime për democraci fillon në vitin e largët 1991, me daten 2 Prill në qytetin e lindjes në Shkodër. Në një kohë kur ende diktatura nuk ishte larguar, frika e Sigurimit të Shtetit dhe dhunës së diktaturës ishte instaluar kudo në qytet. Unë me bashkëmoshataret e mi të shkollës Jordan Misja ishim të parët që morëm guximin të sfidonim regjimin e atëhershëm diktatorial, duke organizuar dhe rrezikuar seriozisht jeten në demonstraten e 2 Prillit të Shkodrës. Pas nesh erdhi i gjithë qyteti. Ishte një moment guximi dhe lirie. Të sfidoje diktaturën donte një guxim të çmendur në atë kohë. Ne besuam te liria, luftuam për liri dhe e gjetëm lirinë.

LARGIMI NGA SHQIPËRIA ME ANIJEN VLORA

Në Gusht të vitit 1991, bashkë me 30 mijë shqiptarë të tjerë, morëm rrugën për në Itali nga porti i Durrësit, duke imbarkuar në anijën famëkeqe Vlora. Vuajtjet që kaluam ishin të pa imagjinueshme. 24 orë pa ujë dhe 4 ditë pa asnjë kafshatë buke. Kemi parë njerëz duke humbur gjymtyrët nga vinçat e anijes. Kemi parë bandat kriminale duke hedhur njerëz në mes të detit Adriatik sepse nuk dorëzonin paratë që kishin në xhepa. Vrasje dhe therje, grabitje të të gjithë njerëzve që ishin aty. Nëpërmjet disa manovrave patëm rastin të largoheshim nga stadiumi i tmerrshëm i Barit dhe filluam punë nga më të vështirat, si në bujqësi, ndërtim, shërbime komunitare etj, me qëllim që të kishim mundësi që të punonim për të siguruar minimumin jetik. Ishin ditë shumë të vështira mbijetese për të gjithë ne. Fakti që kishim ikur nga diktatura na lehtësonte në shpirt. Pas njëmbëdhjetë muajsh qëndrimi në Itali, në Qershor të vitit 1992 fituam të drejten të vinim në Amerikë. 

ARDHJA NË AMERIKË

Në moshën 16 vjeçare sapo mbërrita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fillova punë në turnin e natës si pastrues supermarkatash dhe në mëngjes shkoja në shkollen e mesme. Fillimi ishte jashtëzakonisht sfilitës pasi pa ditur asnjë fjalë të vetme anglisht, u desh shumë sakrificë që të arrija nivelin e bashkëmoshatarëve në shkollë dhe pas një pune kërkuese e mbarova shkollën e mesme me nota të shkëlqyera. Në vitin 1996 fitova të drejtën për të studiuar në Fordham University dhe vendosa të fokusohem në dy degë Filozofi dhe Komunikim. Duke vazhduar më tej studimet e mia, hyra në Fordham University School of Law për të studiuar Juridik dhe me të mbaruar aty, fillova të punoj si avokat për Bashkinë e New York-ut. Pas një eksperience të gjatë dhe shumë formuese, vendosa të hap zyrën time të avokatisë ku vazhdoj dhe sot të punoj e ti përkushtohem familjes e komunitetit tim shqiptar.

NJË ZË AKTIV DHE VEPRIMTAR NË NDIHMË TË BASHKËATDHETARËVE

Që në vitin e parë që erdha në Amerikë dhe deri më sot, kam ndihmuar me dhjetëra njerëz në mënyrë vullnetare, sidomos ata që kishin probleme me çështje emigracioni, strehimi ose që kërkonin të hynin në shkolla dhe nuk dinin rrugët, hapat, procedurat apo njerëz që kishin mundësi të pakta ekonomike dhe kërkonin asistencë nga shteti, apo thjeshtë kishin nevojë për ti mësuar vendet dhe përdorja mjetet e mia e infrastrukturën time për tu ardhur në ndihmë bashkëkombasve të mi. Ndihma ndaj komunitetit tim është një ndër krenaritë dhe lumturitë e mia më të mëdha. Nuk doja që askush të kalonte në hapat e vuajtjeve të mia të fillimit. Kushdo që më ka kërkuar ndihmë i kam dhënë maksimumin tim pa asnjë kompensim sepse kam pasur dëshirë gjithnjë që të jap kontribut sidomos për komunitetin tim. 

NGA AVOKATIA TE FILMI

Perveç studimeve akademike, kam mbaruar edhe një konservator privat aktrimi i cili më dha mundësinë të merrja pjesë në disa TV show me famë botërore si: “The Blacklist”, ‟Person of Interest”, ‟Elementary”, ‟White Collar”, etj dhe një film të Hollywood me titullin “Dead Man Down”. Gjithashtu jam “Black Belt” i gradës së tretë dhe instruktor në Tae Kwon Do, kam marrë vend të dytë në Gorvernors Cup dhe New York State Championship. Në skenën politike dhe angazhimin politik e qytetar, është e dyta herë që kandidoj për post politik, një herë si New York State Senator dhe tani si anëtar i Këshillit Bashkiak për qytetin e New Yorkut.

PLATFORMA E KANDIDIMIT POLITIK PËR KËSHILLIN E BASHKISË NEW YORK

Platforma ime e kandidimit është një platformë konservative ku si parim kryesor është limitimi i rolit të qeverisë në jetën e njerëzve, ku qeveria duhet të jetë si arbiter dhe jo si xhandar. Lëvizjet sociale të kohëve të fundit kanë nxjerrë në pah një luftë të re neo marxiste kundër tregut të lirë. Kjo luftë e rreme që po bëhet nuk është gjë tjetër veçse një revolucion si ai i tetorit në Rusi i kamufluar në emër të drejtësisë raciale për të instaluar sërish sistemin socialist. Dhe kjo intrige e radhës e Marxistave të rinj për të uzurpuar pushtetin vjen e paraqitur si një lëvizje benine që kërkon të përmirësojë jetën e njerëzve por në fakt ka si qëllim final instalimin e diktaturës së re. Kjo po bëhet në një mënyrë gjeniale nga e majta ekstreme Amerikane duke prezantuar disa teori të reja siç është ajo e “critical race theory” dhe “cancel culture” etj, ku po tentohet të fshihet kultura 300 vjeçare e demokracisë më të avancuar në botë, duke deklaruar se historia e kësaj perandorie është ajo prej racisteje dhe shfrytëzimit të njeriut me ngjyrë. Kjo po bëhet nëpërmjet përpjekjeve për të indoktrinuar brezin e ri me falsitete marxiste e raciale. Lufta ime politike, ndonëse për Anëtar i Këshillit Bashkiak, fokusohet tek ky fenomen. Për mua çështjet lokale me të cilat përballet një politikan i këtij niveli janë të rëndësishme por jo aq sa lufta ideologjike për të cilën sapo përshkrova. Ky eshtë thelbi i fushates time. Kjo është platforma ime fituese. Në krahasim me fushatën e parë politike, zhvillimi im politik ka qenë më tepër paralel sesa vertikal. Gjithmonë kam tentuar të kem një këndvështrim thelbësor më tepër se sa një qasje ndaj zgjidhjes së problemeve të ditës. Bandat e motoçiklistëve që terrorizojnë lagjen duhen ndaluar por duhet shikuar pse ky fenomen ka lindur jo vetëm si ta zhdukim etj, shembuj që janë pjesë e jetës së përditshme të zonës ku jetoj dhe po përpiqem ta përfaqësoj. Kandidatura ime fokusohet pikërisht në këto pikëpamje filozofiko politike. Zgjidhja e gjithë këtyre ndodhive gjendet tek një shqyrtim i thellë bazuar në sensin komun por edhe në një kerkim të thellë intelektual për të zbuluar embrionin.  

Filed Under: Featured Tagged With: Aleksander Mici, Keshilli Bashkiak NY, Sokol Paja

Edhe kështu mund të ketë ndodhur

June 18, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Në kohë zbulimesh të mëdha, shpesh për interesa të ndryshme, fshihen edhe identitetet e njerëzve që i kryejnë ato. Dhe historia përzihet.
Ndërsa Kristofor Kolombi është pretenduar prej kohësh nga Italia, ka gjithashtu spekulime se ai mund të ketë qenë spanjoll, portugez, bask, hebre, kroat, polak grek, francez e tjetër. Një studim i ADN-së së tij ka filluar.
A ishte Kolombi një punues leshi nga Gjenova, apo Princ Bizantin dhe marinar nga ishulli Kios në atë kohë pjesë e Republikës së Gjenovës?
Gjithashtu, ka kohë të mjaftueshme për t’u ndalur rastësisht në ndonjë kiosk për të gjetur një libër të vogël të harruar që mund të ndryshojë mendjen për origjinën e Kolombit, njeriut që zbuloi Amerikën. Libri është shkruar më 1908 nga Ruth G Durlacher-Wolper, themeluese e  Muzeut të Botës së Re në San Salvador, Bahamas, ku anijet e Kolombit zbarkuan për herë të parë në vitin 1492.
Shumë është shkruar për Kristofor Kolombin, dhe megjithatë e kaluara e tij është mbështjellë me mister. Të gjithëve na është thënë se ai erdhi nga Gjenova, qytet në Itali, lundroi për mbretin dhe mbretëreshën e Spanjës, pas shumë vite përpjekjesh për t’i bindur ata se bota ishte e rrumbullakët, një besim i pazakontë pavarësisht nga fakti që Aristoteli e kishte thënë mbi një mijë e 500 vjet para Kolombit.
Por shumica e asaj që dimë për Kolombin është hamendësim; shumë nga historia e tij u shkrua nga njerëz që nuk e njohën kurrë ose kishin arsyet e tyre për rishkrimin ose paraqitjen si të vërtetë të diçkaje që ishte thjesht një teori. Historia e të qenit bir i një leshpunuesi nga Gjenova, për shembull, erdhi vetëm nga fakti se ishte dikush me emrin Kolombi nga Gjenova i cili ishte punëtor leshi; dhe kjo është një legjendë që i atribuohet Peter Martyr de Anghiera, historian italian në shërbim të mbretërisë së Spanjës në kohën e eksplorimeve. Shkoni në Gjenova dhe do të shihni se ka monumente dhe shfaqje krenarie që qyteti është vendlindja e Kolombit.
Mbiemri i Kolombit erdhi nga koha kur Palaiologu i Bizantit rreth vitit 1235 vendosi arbëreshë në rajonet e pa populluara të Greqisë. Të parët e Kolombit mund të ishin të vendosur në Kios fillimisht me mbiemrin “Pllumi”, që u bë italisht “Colomb”, e spanjisht “Colon”.
Origjina e familjes Palaiologo është gjithashtu e paqartë. Sipas disa traditave gojore, Palaiologët e kishin origjinën në Itali, në qytetin Viterbo. Sipas këtij versioni, emri i familjes Palaiologos (Palaios logos, “fjala e vjetër”) ishte përkthim greqisht i latinishtes “vetus verbum”, një etimologji e Viterbos.
Një version tjetër i historisë mbi origjinën e Palaiologos pohon se ata kishin origjinë të lashtë dhe kishin udhëtuar në Konstandinopojë së bashku me Kostandinin e Madh (ilir), kur qyteti u themelua dhe u bë kryeqyteti i ri i Perandorisë Romake në vitin 330. Kjo histori e dytë e origjinës është e ngjashme me traditat e familjeve të tjera fisnike, të tilla si Dukas ose Phokas, të cilët gjithashtu përdorën histori antike për të forcuar prestigjin e tyre dhe për të legjitimuar disi pretendimet për fronin e Perandorisë Bizantine, që ishte vazhdimi mesjetar i Perandorisë Romake.
Libri i Durlacher-Wolper, pasi e lexon, edhe nëse je i bindur, me siguri që bindjet do të lëkunden dhe do të bëhesh më pak i sigurt se gjithçka që dije më parë ishte e vërteta. Për ata që mendojnë historinë bizantine, mund të kujtojnë se Palaiologët ishin Perandorët Bizantinë që gjurmuan pasardhësit e tyre deri në Shtëpinë Mbretërore të Davidit dhe ikën në perëndim pas rënies së Kostandinopojës nën sundimin osman në vitin 1453. Kolombi dhe vëllai i tij Colon-i Riu shkuan në Francë me familjen e Palaiologëve. Kështu bënë edhe shumë arbëreshë, prej tyre Kalmirët (Bonopartët), të cilët u vendosën në Korsikë e më pas u bënë perandorë të Francës.
Pra, përse mbreti dhe mbretëresha e Spanjës do t’i jepnin tre anije dhe shumë para Kolombit nëse ai do të ishte djali i një punuesi leshi gjenovez?
Kolombi kurrë nuk tha se ishte nga Gjenova, por nga Republika e Gjenovës, që është diçka shumë ndryshe. Ishulli i Kios ishte koloni e Republikës së Gjenovës. Kolombi kurrë nuk i kërkoi Italisë anije ose ushqime dhe strehim kur kishte nevojë për ndihmë. Nëse ishte nga Genova, pse jo? As ai nuk e përmend kurrë familjen Kolombi të Gjenovës me të cilën historia thotë se ishte i lidhur. Kolombi as fliste dhe as lexonte italisht. Megjithatë, mbi librin e tij të preferuar Imago Mundi të Kardinalit Pierre d’Ailly, ai shkroi në Greqisht që ishte gjuha e Bizantit.
Kolombi u quajt gjenovez sepse vishej sipas modës gjenoveze. Ai nënshkroi emrin e tij “Columbus de terra Rubra” që do të thotë “Kolombi nga toka e kuqe”. Ku ndodhej kjo tokë ‘rubik’ që Kolombi përpiqej të mos e harronte?! Edhe zonat mastike të Kiosit njiheshin për ngjyrën e kuqe të dheut. Kolombi mbajti dy regjistra në udhëtimin e tij, një të vërtetë dhe një të rremë. Në regjistrin e vërtetë ai përdori matjet në lega greke dhe në të rremin shënonte matjet në lega romake. Autorja Durlacher-Wolper përdori regjistrat dhe matjet e vërteta për të rindërtuar zbulimin e ishullit të San Salvadorit dhe pastroi shumë mospërputhje në gjeografinë e zonës.
Familja Kolombi e Gjenovës ishte analfabete dhe Kristofori ishte një leshpunues. Që ky person të fitojë mësimin, përvojën dhe vullnetin për të bindur një mbret dhe një mbretëreshë të huaj që t’i besonte një marinë të vogël dhe një pasuri nuk duket e mundshme. Ndoshta në Amerikën e shekullit XIX,  biri i një familje fermeri të varfër si ajo e Linkolnit mund të rritej për t’u bërë President, por në Evropën e shekullit XV një leshpunues nuk kishte gjasa për t’u bërë Kapiten, aq më tepër Admiral në krye të një flote. Ka më shumë të ngjarë që Kolombi, për të marrë audiencë me një mbret dhe mbretëreshë, duhej të ishte vetë mbretëror ose të kishte lidhje mjaft të mira.
Djali i Kolombit, Ferdinandi shkroi se paraardhësit e tij kanë ndjekur gjithmonë detin. Në qoftë se familja Kolombi e Genovës kishte një histori të gjatë të të qenit endës pëlhurash ose qethës delesh, ata nuk do të njiheshin. Në fakt edhe pse jetonin në Genovë në kohën kur Ferdinandi po shkruante për babanë e tij, paraardhësit nuk përmenden. Ata nuk përmenden as në Testamentin e Kolombit.
Kolombi nuk ishte një punëtor leshi i goditur në kokë nga Zoti, si Zhan D’Arka, dhe i mbushur papritur me njohuri të lundrimit, filozofisë, astronomisë, psikologjisë, gjuhëve dhe fuqisë për të bindur mbretërit t’i jepnin çfarë të donte. Ai ishte një njeri me arsim, kulturë, përvojë dhe i nisur nga një ndjenjë fati që e shtynte për ta përmbushur atë.
Banorët e ishujve Kios janë të njohur për aftësitë e tyre në det dhe për numrin e madh të kapedanëve të anijeve. Nëse Kolombi do të ishte nga Bizanti, atëherë Kios është vendi më i mundshëm nga ai do të ishte. Me arkitekturën gjenoveze, historinë e lundrimeve të largëta, heroizmat e njerëzve, dhe gjithashtu me provat se Kios ishte vendlindja e Homerit të verbër (O i Mjeri), nga cili vend tjetër do të ishte Kolombi?

Filed Under: Analiza Tagged With: Edhe kështu, mund të ketë, ndodhur

STUDIUESI IDRIZ LAMAJ I DHUROI ARKIVIT TË VATRËS REKORDIN E VITIT 1919

June 17, 2021 by dgreca

Sot kisha në Vatër mikun tim, studiuesin e njohur Idriz Lamaj. Ashtu si në të shkuarën ai nuk erdhi duarbosh në selinë e Vatrës: Këtë herë solli rekordin e shtypur në Shtypshkronjën e  Diellit, record që ka regjistruar punimet, vendimet, zgjedhjet, bilancet financiare të Kuvendit të Vatrë, 6 Korrik 1919. Z. Lamaj i ka dhuruar Vatrës një sërë dokumentesh me vlerë, Letërkëmbime të personaliteteve të Vatrës dhe Diellit, kopje të plotë të dosjeve të emigrantëve shqiptarë të ardhur në SHBA me ndërmjetësimin e Komitetit Shqipëria e Lirë dhe Kisha, qindra libra të bibliotekës së tij etj etj…Cfarë përmbanë broshura e dhuruar sot?

Është i plotë Rekordi i Kuvendit të Federatës Pan-Shqiptare “VATRA” për Kuvendin që filloi punimet me 6 Korrik dhe përfundoi me 15 Korrik 1919. U zhvilluan gjithsej 21 sesione dhe aty përshkruhen me detaje se cfarë ndodhi në secilin prej tyre.

Kjo ishte një praktikë mjaft e mirë që i shërbente shumë Vatrës për të mos krijuar precedente pas Kuvendeve. Gjithcka është shkruar në 36 faqet e broshurës.

Faleminderit z. Lamaj!

Shenim: -Kushdo që disponon materiale të Vatrës, koleksione te Diellit, dëshmi, apo fotografi, relike, është i lutur t’i sjell në Vater…

Filed Under: Politike Tagged With: Idriz Lamaj, Rekordi 1919

Kosova kërkon njohjen nga shtetet që s’e kanë njohur ende shtetin e pavarur

June 17, 2021 by dgreca

-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) kërkon njohjen e Kosovës nga shtetet pjesëmarrëse që s’e kanë njohur ende/

PRISHTINË, 17 Qershor 2021- Gazeta DIELLI/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot mori pjesë në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP). Në fjalimin e saj para përfaqësuesve të vendeve anëtare të këtij forumi, Presidentja Osmani foli mbi sfidat e rajonit, procesin e integrimit në BE, si dhe mbi mundësitë e bashkëpunimit rajonal. Në mënyrë të veçantë ajo foli për rolin që Republika e Kosovës po luan në krijimin dhe ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon.

Duke e falënderuar organizatorin e sivjetmë, Turqinë, për organizimin e samitit të sivjetmë, Presidentja Osmani u shpreh e lumtur që vitin e shkuar, si vend nikoqir, Kosova ia doli ta organizonte samitin e SEECP-së, megjithë sfidat e jashtëzakonshme me të cilat u ballafaquam për shkak të pandemisë Covid-19.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, ajo theksoi se bashkëpunimi është i domosdoshëm, por duhet të zhvillohet duke respektuar njëri-tjetrin.

“Bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, por edhe i mundur”, tha ajo, “nëse mbështetet në njohjen dhe respektimin e tjetrit”.

Sipas saj, rajoni ka bërë përpjekje të mëdha, dhjetëravjeçare, për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë  në rajon.

“Ne duhet t’i vazhdojmë këto përpjekje”, tha Presidentja Osmani. “Ne kemi sfida të ngjashme, por mund të ndikojmë në krijimin e një ambienti më të sigurt dhe në rritjen e sigurisë dhe të stabilitetit në rajon”, tha ajo.

Ajo u bëri edhe një herë thirrjeve vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin sa më parë atë, ngase ai është realitet i pakthyeshëm, si dhe ta respektojnë në plotni sovranitetin e saj dhe integritetin territorial të vendit tonë.

“Republika e Kosovës ka krijuar besim të qartë se integrimi euroatlantik është synim i qytetarëve të saj, por ne duam të sigurohemi që ky proces do të përshpejtohet, për ta garantuar paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe për ta rritur mirëqenien e qytetarëve të rajonit”, tha znj. Osmani.

“E ardhmja jonë është në Bashkimin Europian dhe në NATO”, theksoi ajo. Integrimi euroatlantik nuk përbën vetëm një alternativë për ne, ai parqet rrugën e vetme përpara”, nënvizoi Presidentja Osmani.

“Por, përkushtimi ynë ndaj integrimeve duhet të njihet nga Bashkimi Evropian. Siç po lëvizim ne me shpejtësi drejt integrimit të vendit tonë, duke i përmbushur të gjitha kërkesat e parashtruara ndaj nesh, edhe Bashkimi Europian duhet ta vlerësojë angazhimin e qytetarëve të Kosovës dhe ta mbajë premtimin për liberalizim të vizave për qytetarët e vendit tonë, por edhe për integrim më të shpejtë të të gjitha vendeve të rajonit në BE”, tha Presidentja Osmani.

Filed Under: Kronike Tagged With: kosova, Presidentja Osmani, SEECP

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT