• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2021

Kosovë-“Takimet e Gjeçovit” në edicionin e 50-të jubilar

October 25, 2021 by s p

-Të shtunën e 30 Tetorit 2021 në Zym të Hasit, zonë e kufirit ndërshqiptar Kosovë-Shqipëri, mbahen në edicionin e 50-të  jubilar “Takimet e Gjeçovit”, manifestim tradicional letrar, kulturor e shkencor, me pjesëmarrës nga të gjitha hapësirat e kombit dhe diaspora shqiptare/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 25 Tetor 2021/ Në Zym të Hasit, zonë kufitare e Kosovës me Shqipërinë në rajonin e Prizrenit, të shtunën e 30 Tetorit 2021 mbahen “Takimet e Gjeçovit”,  në edicionin e 50-të  jubilar të këtij manifestimi tradicional letrar, kulturor e shkencor, me pjesëmarrës nga të gjitha hapësirat e kombit dhe diaspora shqiptare.

Manifestimi i sivjetmë mbahet nën patronatin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani,  ndërsa mysafir pritet të jetë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, bëhet e ditur në ftesën e dërguar sot nga Këshilli Organizativ.

Në ftesën e dërguar nga Frrok Kristaj theksohet se, në manifestim marrin pjesë shumë shkrimtarë, shkencëtarë, etnografë, arkeologë, historianë, pedagogë, artistë të teatrit, të filmit, të muzikës, të artit figurativ, pastaj veprimtarë të aktiviteteve kulturore dhe të tjerë nga mbarë viset etnike shqiptare dhe nga diaspora.

Manifestimin “Takimet e Gjeçovit” e organizon Klubi Letrar “Shtjefën Gjeçovi” në Zym në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit të Republikës së Kosovës.

Pjesë e manifestimit do jetë ora letrare  “Anton Pashku” – me emrin shkrimtarit të lindur në fshatin Grazhdanik të Hasit të Thatë, afër Prizrenit, ku lexojnë 15 poetë nga viset etnike shqiptare.

Në tre ekspozita prezantohen veprat letrare, shkencore e publicistike të autorëve hasianë, Llesh N. Biba nga kryeqyteti shqiptar Tirana me drugëdhendje dhe Luan Rr. Çoçaj nga Gjonaj – fshat i Hasit me eksponate etnografike.

Para se të përmbyllen “Takimet e Gjeçovit” me programin kulturo-artistik të Ansamblit Etno-Kulturor “Katarina Josipi” të Zymit dhe me Mikpritjen Zymjane bëhet ndarja e katër çmimeve tradicionale: “Unaza e Katit (Katarina Josipit)”, Plaketa “Pena e Pjetër Bogdanit”, Plaketa “Pena e Shtjefën Gjeçovit” dhe Plaketa “Pena e Anton Pashkut”.

Manifestimi “Takimet e Gjeçovit”  nis mbrëmjen e të premtes së 29 Tetor 2021 me promovimin e tre veprave të Atë Ndue Kajtazit: “Ai vetë është Drita” (Përsiatje përshpirtshmërie) – vëllimi I, “Çështje të identitetit të krishterë” – vëllimi II dhe “Biseda si mundësi njohje dhe komunikimi”- vëllimi III (Botues “Faik Konica” dhe Kuvendi Françeskan i Gjakovës 2020). Vazhdohet me promovimin e monografisë “Buka e Zymit” të Frrok Kristajt si dhe me prezantimin e disa personaliteteve zymjane që veprojnë në botë.

 “Takimet e Gjeçovit” mbahen çdo tetor.  Në Zym të Hasit të Thatë, në 14 Tetor të vitit 1929, nga okupatorët serbë u vra prifti i devotshem, arkeologu, etnografi, shkrimtari, dramaturgu, speleologu, përkthyesi, pedagogu e atdhetari i spikatur Atë Shtjefën Konstantin Gjeçovi – Kryeziu, të cilin zymjanët e varrosën në oborrin e Kishës së Shën Prenës në fshatin Shëngjergj të Hasit. Kjo figurë poliedrike la mbi 75 vepra, duke filluar nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (e mblodhi dhe e kodifikoi Gjeçovi), “Agimi i Gjydetnis”, “Trashegime thrrako-ilirijane” e shumë të tjera, prej të cilave deri më tash i janë botuar rreth 25.

Në një nga “Takimet e Gjeçovit”, akademik Mark Krasniqi theksonte se “Zymi dhe në përgjithësi Hasi i  kanë dhënë njerëz të mëdhenj kombit, kurse Gjeçovi, pas Ungjillit, në rend të ditës kishte çështjen kombëtare, duke marrë pjesë edhe vetë si luftëtar me armë në dorë në luftën e Vlorës më 1920”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Takimet e Gjecovit

KLUBI I TURPEVE TË PËRBASHKËTA

October 25, 2021 by s p

Me rastin e vdekjes së ish-prokurorit xhelat komunist Arianit Çela 

Nga Frank Shkreli

See the source imageNë një takim me kryetarët e bashkive të vendit të premten që kaloi, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, e ka cilësuar “turp të përbashkët” çështjen e mbetjeve, anë e mbanë vendit. Ai u ka bërë thirrje kryetarëve të bashkive që të mobilizohen për pastrimin e mbeturinave.  

Fillimisht, nuk isha i sigurt se cilave mbeturina po i referohej Z. Rama, duke marrë me mend se ndoshta e ka fjalën për “mbeturinat e komunizmit”, por jo, Kryeministri shqiptar po u fliste kryetarëve të bashkive për “çeshtjen e mbetjeve”, atyre mbetjeve që shihen grumbuj anës rrugëve dhe në hyrje të qyteteve, por edhe në zona të izoluara.  Kryeministri Rama ka të drejtë se, “çeshtja e mbetjeve” është një problem serioz për vendin, por në mendimin tim jo aq serioz sa “mbetjet ose mbeturinat komuniste”, gjithë ato qelizat e atij ish-regjimi që gjallojnë ende në Shqipëri, si askund tjetër në Evropë, e që vazhdojnë të influencojnë jetën politike, shoqërore dhe akademike – por edhe drejtësinë – e sidomos drejtësinë, në atë vend. 

Mediat njoftojnë se Z. Rama u premtoi krye-bashkiakëve se ai do ua zgjidhë atyre problemin e “mbetjeve”, duke filluar nga marsi që vjen, kur dy satelitët që do i hedhi ai në orbit (To the moon Alice, to the moon”), do të identifikojnë grumbujt e këtyre mbetjeve, sikur nuk i shohin tani se ku janë — edhe pa satelit. 

Nejse, kur lexova javën që kaloi për vdekjen e njërit prej kryexhelatëve të komunizmit dhe pas njoftimit të Z. Rama se Shqipëria do të vendos satelitë në orbit thashë me vete ndoshta Tirana zyrtare e ka në mend të përdor mjetet më të sofistikuara të teknologjisë moderne, përfshir satelitët, për të zbuluar pas 30-vjetë “post-komunizëm”, se ku janë hedhur eshtrat e mijëra viktimave, kundërshtarë të komunzimit të Enver Hoxhës.  Mendova kështu, përballë kërkesave të fundit të disa organizatave ndërkombëtare ndërkombëtare, por edhe detyrimeve shtetërore ndërkombëtare të Shqipërisë se ai vend duhet të bëjë më shumë për të gjetur eshtrat e viktimave të komunizmit, të shpërndara anë e mbanë vendit. 

Në raportin e fundit të Brukselit, dorëzuar, disa ditë më parë, në Tiranë – ndër të tjera i kërkohet, qeverisë dhe drejtësisë shqiptare, një angazhim serioz për të gjetur eshtrat e personave të zhdukur me forcë gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës.  Në raportin e Komisionit Evropian 2021 për Shqipërinë thuhet se gjatë periudhës që mbulon raporti në fjalë, prokurorët shqiptarë nuk bënë asgjë: drejtësia e re ka dështuar të bëjë hetime për gjetjen eshtrave të personave të humbur gjatë periudhës së komunizmit. Raporti i Brukselit flet për mos vullnet politik, si nga pozita ashtu edhe nga opozita gjatë 30-viteve tranzicion në Shqipëri, për tu marrë me çeshtjen e krimeve të komunizmit, përfshir edhe dështimin e kësaj klase politike për të marrë masa konkrete për ndërgjegjësimin e publikut shqiptar në lidhje me këtë çeshtje, thuhet në raportin e Brukselit për Shqipërinë, 2021. Megjithëse vonë, të pakën Brukseli filloi të flasë për këtë çeshtje me rëndësi, sidomos për familjet e viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Partitë dhe politikanët shqiptarë – të ashtuquajturave qeveri të “majta e të djathta”, janë antarët origjinal të këtij klubi të turpshëm që për 30-vjetë nuk kanë bërë asgjë për të zbardhur fatin e keq të mijëra viktimave të komunizmit. Ata nuk kanë bashkpunuar as me organizatat ndërkombëtare që kanaë qenë dhe janë gati të ndihmojnë në këtë drejtim. Nuk kanë dënuar krimet e komunizmit dhe nuk janë distancuar nga e kaluara komuniste. Ashtu si edhe përfaqësitë diplomatike në Tiranë, gjatë dekadave e deri më sot, klasa politike shqiptare ka heshtur për krimet dhe viktimat e regjimit komunist të Enver Hoxhës, sikur viktimat e komunizmit në Shqipëri të ishin dërguar në ndonjë piknik.  Klasa politike shqiptare e ka treguar, gjatë këtyre dekadave, arrogancën e saj duke mos treguar asnjë interesim për viktimat e komunizmit dhe nuk presim gjë prej tyre. Por ajo që më “djeg” mua dhe shumë shqiptaro-amerikanë është mos interesimi i ndërkombëtarëve për këtë tragjedi të viktimave të komunizmit dhe të familjeve të tyre, brenda dhe jashtë vendit. Si përfundim, përfaqsuesit diplomatikë në Tiranë, me HESHTJEN e tyre ndaj krimeve të Enver Hoxhës dhe viktimave të komunizmit në sytë e shumë njerëzve, duan a s’duan, tani janë bërë pjesë — e pafalshme dhe e pa-pranueshme për rolin e tyre diplomatik — e këtij “turpi të përbashkët” me përfaqsuesit arrogantë të politikës aktuale shqiptare.  Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf.  Viktimat e pafajshme të komunizmit në Shqipëri janë vrarë dhe ekzekutuar nga shteti shqiptar me urdhër të prokurorëve xhelatë si Arianit Çela, i cili vdiq javën e kaluar.  Prandaj — kjo klasë politike sot, “të majtë e të djathtë”, për mire a për keq, më sës shumti për keq – fatkeqsisht, ju jeni sot shteti shqiptar. Ju duhet të merrni përgjegjësi dhe të kërkoni drejtësi për viktimat e pafajshme të komunizmit, nqëoftse jo për ataa vet, atëherë për familjet e tyre.  Kështu duhej të vepronte një shtet modern i shekullit XXI, i cili pretendon të dërgojë satelit në orbit.  Ndërsa ndërkombëtarët — qoftë përfaqsuesit e Brukselit qoftë të Washingtonit — duhej dhe duhet të kërkoni përgjegjësi prej përfaqësuesve të shtetit shqiptar në lidhje me këtë çeshtje me rëndësi tepër morale, por edhe politike e shoqërore. 

Sa i përket kësaj çështjeje – viktimave të komunizmit dhe të kaluarës komuniste në atë vend — edhe ju që përfaqësoni Evropën dhe Amerikën në Tiranën “post-komuniste, me heshtjen tuaj, jeni po aq përgjegjës për këtë mohim të historisë dhe mos përballimit të Tiranës zyrtare me të kaluarën komuniste, sa edhe vetë Tirana zyrtare.  Megjithë qëllimet e  mira tuajat, në lidhje me këtë çeshtje të rëndësishme, ju jeni në rrugë të gabuar. Ju kini braktisur, për të mos thënë se po abuzoni me rolin tuaj sa i përket kësaj çeshtjeje me rëndësi morale. Siç e kam thenë disa herë në të kaluarën – duke thirrur si Shën Gjon Pagëzuesi në shkretëtirë: se për derisa nuk e adresoni të kaluarën komuniste në Shqipëri — me HESHTJEN tuaj ndaj krimeve të komunizmit në Shqipëri – që na i kujton sot aq brutalisht vdekja e xhelatit të regjimit komunist Arianit Çela – ju jeni bërë palë me politikën aktuale shqiptare, që i mohon ato krime, gjithnjë.  Me këtë qendrim – që është vështirë të justifikohet – ju nuk i bëni nder vetes as rolit tuaj si diplomatë perëndimorë. Me heshtjen tuaj ndaj krimeve të tilla, ju nuk përfaqësoni vlerat e demokracisë dhe lirisë të vendeve që ju përfaqësoni. 

Të shtunën që kaloi, Departmenti i Shtetit, nepërmjet zedhënsit të vet, Z. Ned Price me një deklaratë me rastin e 65-vjetorit të Revolucionit Hungarez, rë vitit 1956, përshëndeti në emër të Shteteve të Bashkuara: “Ne kujtojmë burrat dhe gratë e guximshme (të Revolucionit Hungarez), të cilët luftuan nepër rrugët e Budapeshtit në mbrojtje të lirisë së vendit të tyre dhe lirisë në botë. Pasioni i tyre për liri është realizuar në vitin 1989 kur Hungaria përqafoi demokracinë. Ne shënojmë këtë përvjetor solemn së bashku me Hungarinë, partnerin tonë dhe aleatin e NATO-s”, thuhet ndër të tjera në përshëndetjen e Depatmentit të Shtetit Amerikan me rastin e 65-vjetorit të Revolucionit anti-komunist/anti-sovjetik të Hungarisë.  Unë kam pas fatin e mirë të punoja me disa pjesëmarrës në atë revolucion anti-komunist – kolegë gazetarë hungarezë — me të cilët kam punuar tek Zëri i Amerikës për shumë vite. Nuk e kuptoj këtë standard të dyfishtë! Viktimat e komunizmit në Shqipëri nuk meritojnë asgjë më pak se viktimat e komunizmit kudo në Evropën lindore dhe qendrore, përfshir ato të Revolucionit hungarez. 

Nuk po mund të mos përmend, me ketë rast, fjalët e At Gjergj Fishtës në 150-vjetorin e lindjes, që ai i ka përdorë në Konferencën e Paqës në Paris më 1919 se, “  Historinë e kemi aty, zotni të mij, që na flet kjartë, e asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare a se gjysëm-zyrtare…”.   Heshtja e perëndimorëve ndaj krimeve të komunizmit në Shqipëri, sidomos heshtja e diplomatëve amerikanë për këtë çeshtje, mua si shtetas amerikanë për pothuaj një gjysëm shekulli por edhe si taksapagues amerikanë, më shqetëson shumë.  Më shqetëson heshtja e diplomatëve amerikanë ndaj krimeve komuniste sepse një përqindje dërmuese e viktimave të komunizmit në Shqipëri, disa prej tyre edhe shtetas amerikanë, të cilët prokurori komunist Arianit Çela i dërgonte drejtë ekzekutimit ose burgimit, vetëm e vetëm, për lidhjet e tyre ose për respektin që ata mund të shprehnin për demokracinë dhe lirinë amerikane.  Dënoheshin se dëgjonin Zërin e Amerikës (ku kam punuar për 30-vjet), me akuzën e “famshëme” se kundërshtarët e regjimit komunist të Enverit — sipas prokurorëve të regjimit si Arianit Çela — vepronin, “në shërbim të imperializmit amerikan kundër republikës sonë popullore…me mision për ta këthyer vendin tonë në një koloni të imperializmit amerikan…”.  Sipas prokurorëve dhe gjyqtarëve komunistë, si pro-amerikanë që ishin, kundërshtarët e komunizmit të Enver Hoxhës — si pro-amerikanë që ishin — meritonin dënimet maksimale, madje edhe vdekjen me ekzekutim.  A nuk meritojnë këto viktima të komunizmit shqiptar, të pakën një kujtesë me një deklaratë!?  Fatkeqësisht, duket sikur drejtësia e re për të kapur hajdutët e kotecave të pulave sot është shumë më e rëndësishme, më e moralshme dhe më njerëzore se sa dënimi i krimeve të komunizmit dhe përballimi zyrtar me të kaluarën e tmershme komuniste në Shqipëri. 

Më mirë vonë se kurrrë, në raportin e ditëve të fundit të Komisionit Evropian, cituar më lartë, u kërkohet prokurorëve shqiptarë që të hetojnë vrasjet dhe ekzekutimet me forcë gjatë regjimit barbar të Enver Hoxhës, “si ngjarje kriminale dhe me persona përgjegjës për ato krime”.  Ndoshta ishte i rastit fakti – ndoshta ishte një kujtim nga Perëndia — që 2-3 ditë pas botimit të raportit të Komisionit Evropian, në Shqipëri u njoftua vdekja e njërit prej atyre të cilëve raporti u referohet si “përgjegjës të atyre krimeve”, gjatë regjimit kriminal të Enver Hoxhës.

Shkoi në rrethin e nëntë të ferrit të Dantës, Arianit Çela. Megjithëkëte, duke marrë parasysh faktin se si u trajtua ai nga “drejtësia” e Shqipërisë “demokratike” sa ishte gjallë, Arianit Çela dhe disa ish-kolegë të tij prokurorë e gjyqtarë — disa prej të cilëve mund të jenë edhe pjesë e sistemit të “drejtësisë së re” në Shqipëri — mund të konsiderohen si gurthemeli, si trashgimtarë të denjë të drejtësisë së Enver Hoxhës ndaj kundërshtarëve, mbi të cilin pushon dhe vepron sot drejtësia e re në Shqipëri. Thashë me vete, pasi Ariant Çelës nuk i kërkoi askush përgjegjësi për krimet e tija monstroze në këtë botë, tashti ai do të përballet me drejtësinë e vëretetë, para të Madhit Zot për dënimin e qindra e ndoshta edhe mijëra njerëz të pafajshëm, me burgosje, ekzekutime e deri me vdekje.  Një zë mbrenda meje sikur më korigjoi duke më thënë mos se po të ndjenë ndokush dhe për inat tëndin vendosin t’i japin edhe Arianit Çelës ndonjë dekoratë si, “kampion drejtësie” për kontributet e tija në reformën e drejtësisë së re ose edhe “kampion i anti-korrupsionit”.  Post-mortem, kuptohet.

Në portalin “Kujto.al” jepet një biografi e shkurtër e këtij krimineli të “drejtësisë” së Enver Hoxhës. Aty thuhet se Arianit Çela, njëri prej xhelatëve më barbar të komunizmit enverist, ka mbi 650 procese politike mbi shpinë ndërsa gjithë jetën e tij në Shqipërinë “post-komuniste” e kaloi i patrazuar fare në shtëpinë e tij aty në Tiranë deri në orën që vdiq, sipas portalit “Kujto.al”, i pandëshkuar kurrë për asnjë nga krimet e kryera gjatë 45 viteve të regjimit komunist.


“Drejtësia post-komuniste” shqiptare në veprim: Sipas portalit Kujto, al, Arianit Çela – pasi ka shërbyer si deputet 1958-1991) dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës (pasardhëse e Partisë Komuniste dhe para-ardhëse e Partisë aktuale Socialiste) — është arrestuar (“në kohën e demokracisë”) më 3 nëntor 1993 dhe është dënuar me akuzën, “Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut dhe në dëm të jetës së personit, të parashikuara nga nenet e Kodit Penal.” Pavarësisht kësaj, ai doli nga burgu në ngjarjet e vitit 1997, me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste”.  Drejtësia shqiptare e kishte shpallur atë të pafajshëm dhe madje kishte urdhëruar dëmshpërblim për xhelatin, thuhet ndër të tjera për ish-prokurorin e vdekur komunist, Arianit Çelën. Deri më sot, jo vetëm që nuk u kërkohet përgjegjësi, harroje dënimin e ish-prokorurëve, si Arianit Çela dhe ish-gjyqtarëve barbarë komunistë për krimet e tyre ç’njerëzore ndaj bashkvëllëzërve/motrave të tyre, por disa nga ata po shpërblehen dhe po dekorohen nga ndërkombëtarët për shërbimet e tyre si “kampionë të drejtësisë” dhe të “anti-korrupsionit”. VAJMEDET!

Fatkeqësisht, shumë prej viktimave të komunizmit të Enver Hoxhës në Shqipëri, që me nënshkrimin e prokurorëve si xhelati Arianit Çela dënuan me vdekje mijëra kundërshtarë të regjimit – nuk u dihen varret. Por, ne ua dijmë vendin se ku janë. Janë atje lartë, në përjetësi – në jetën e pasosur – prej ku shikojnë poshtë dhe luten edhe për xhelatët — që brutalisht dhe arbitrarisht ua ndërprenë jetën në këtë tokë — duke thenë: “Fali i Zot se nuk dinin së ç’bënin”, ashtu siç bënin shumë prej tyre para se të ekzekutoheshin – ishte tesatmenti i tyre i fundit. Këte e kërkonte Enver Hoxha, donte të dinte se cilat ishin fjalët e fundit të viktimave të tija. 

Viktimat e komunizmit luten edhe për pushtetarët e sotëm të Tiranës ndonëse 3 dekada pas shembjes së komunizmit zyrtar, refuzojnë të zbardhin atë histori të tmershme, me qëllim që të mos përsëritet më për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve. Viktimat e komunizmit shqiptar luten edhe për diplomatët perëndimorë në Tiranë që heshtin — e që siç duket me këtë heshtje, kanë braktisur vlerat e vendeve që ata përfaqësojnë, duke mbështetur në mënyrë arrogante dhe pa kushte, këtë klasë politike të papërgjegjëshme e cila ndryshe nga shumë vende të tjera ish-komuniste gjithnjë refuzon të përballet, zyrtarisht, me të kaluarën komuniste dhe të dënojë krimet e komunizmit. Nuk ka drejtësi të re as të reformuar pa drejtësi për viktimat e komunizmit në Shqipëri!  Ju të nderuar diplomatë duhet të dini pak më mirë se kaq. Për hir të vendeve që përfaqësoni, mos u bëni pjesë e këtij klubi “turpesh të përbashkëta” të politikës së fëlliqt shqiptare në lidhje me viktimat e komunizmit. Vdekja e Arianit Çelës, ish-prokurorit kriminel komunist, duhet të jetë një rast reflektimi edhe për ju, të nderuar diplomatë perëndimorë, sa i përket drejtësisë për viktimat e pafajshme të komunizmit, por edhe për çfarë drejtësie ka nevojë sot Shqipëria. Qoftë edhe në Shqipëri, ju duhet të mbroni vlerat perëndimore, përfshir të drejtën për të jetuar, lirinë dhe dinjitetin e çdo personi, pa dallim dhe në çdo kohë dhe jo të mbroni dhe të promovoni njerëz të caktuar të politikës dhe drejtësisë – të cilët janë indiferent ndaj krimeve të një diktature komuniste, ndër më të tmershmet e Evropës dhe botës.

Këtë ia kini borxh qindra mijëra shqiptaro-amerikanëve, qytetarë të denjë dhe taksapagues amerikanë të cilët, në një mënyrë ose një tjetër, e kanë pësuar keq nga komunizmi, ndërkohë që gjatë sundimit komunist kanë humbur anëtarë të familjeve nga vendimet kriminale të nënshkruara nga ish-prokurorët komunist, si Arianit Çela.  Eshtrat e këtyre viktimave të komunizmit, familjet e të cilëve nuk dinë as sot se ku i kanë hedhur xhelatët e atij regjimi. Është shembulli i këtyre viktimave të komunizmit dhe i qendresës së tyre kundër regjimit diktatorial — dhe jo nostalgjikët e preferuar të komunizmit të Enver Hoxhës – që frymëzojnë shqiptarët e Amerikës se edhe kombi shqiptar do të shoh ditë më të mira në të ardhmen.  Është komuniteti shqiptaro-amerikan ai që gjatë dekadave ka ruajtur dhe fuqizuar lidhjet me Shtetet e Bashkuara. Është ky komunitet dhe familjet e shqiptaro-amerikanëve që – në emër të Amerikës dhe në mbrojtje të vlerave demokratike të saj — kanë vuajtur më së shumti nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.  Është një komunitet që ka kontribuar dhe vazhdon të kontribojë në zhvillimin e Shteteve të Bashkuara, por i cili, në emër të Amerikës, edhe ka vuajtur më shumë se të tjerët nga regjimi komunist. Si i tillë, ky komunitet që adhuron lirinë dhe demokracinë dhe që dashuron Amerikën dhe Shqipërinë, meriton të pakën, që përfaqsuesit diplomatikë amerikanë në Tiranë, të jenë disi më të ndjeshëm dhe më të kuptueshëm për shqetësimet e shqiptaro-amerikanëve për ato që po ndodhin në atdheun e tyre të origjinës, përfshir qendrimin e Shteteve të Bashkuara në lidhje me krimet e komunizmit dhe përballimin me të kaluarën komuniste të Shqipërisë.   Refuzimi i qeverive shqiptare për t’u marrë me viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe për tu përballur, zyrtarisht, me të kaluarën komuniste siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste – ka vazhduar të jetë një histori turpi për klasën politike shqiptare “post-komuniste”, siç është një histori turpi edhe heshtja e ndërkombëtarëve në lidhje me këtë çeshtje.

O Zot bekoje Amerikën dhe mbroje Shqipërinë në këtë kohë kritike! 

Frank Shkreli

See the source image

 Ish-Prokurori komunist Arianit Çela — Edhe ky si Nexhmije Hoxha dhe shumë 

                  komunistë të tjerë shqiptarë – nga fashist në komunist!

A group of men in uniform

Description automatically generated with medium confidence

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli

PËRFUNDOI EDICIONI I XXV I FESTIVALIT NDËRKOMBËTAR TË POEZISË “DITËT E NAIMIT”

October 25, 2021 by s p

D. Hadri/

Prej 21–24 tetor 2021, në Tetovë u mbajt Edicioni i 25-të Jubilar i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Përgjatë tri ditëve u mbajtën aktivitetete të shumta letrare, artistike, shkencore dhe kulturore. Në te morrën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si: Kama Syvor Kamanda (Kongo), Nivedita Lakhera (SHBA), Xhuzepe Napolitano (Itali), Chad Norman (Kanada), Jorge Medina (Kolumbi), Jona Burghart dhe Esteban Charpantier (Argjentinë), Erling Kitelsen (Norvegji), Rati Raksena (Indi), Mohamed al Amroi (Maroko), Metin Çengiz (Turqi), Atila F. Balazs (Rumani), Triin Somets (Lituani), Tobias Burghart (Gjermani), Mehmet Ismail (Azarbajxhan), Endre Kukureli (Rumani), Agneshka Herman dhe Alicja Kuberska (Poloni), Rosana (Bullgari), Olimbi Velaj dhe Viola Isufaj (Shqipëri), Naime Beqiraj dhe Shqipe Malushi (Kosovë), Marta Markoska, Salajdin Salihu dhe Isuf Sherifi (Maqedonia e Veriut),

Hapja festive e Edicionit Jubilar të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë me anë të ndezjes së fishekzjarreve dhe flakadanëve që bartnin të rinjtë me veshje kombëtare shqiptare, para Qendrës së Kulturës, në Tetovë. Ndërkaq, Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu dhe laureati Kama Kamanda vendosën buqete lulesh para shtatores dhe i dhanë një minute heshtje poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri. 

Edicionin e 25-të Jubilar të FNP “Ditët e Naimit” e hapi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash, theksoi se, ‘Ishte sfidë e madhe ngritja e një operatori poetik e kulturor ndërkombëtar. U deshtë një energji, këmbëngulësi dhe një punë e jashtëzakonshme për të ardhë deri në këtë ditë festive të mbushur me plot emocione dhe gëzimi dhe vazhdoi, “Ditët e Naimit” janë operatori letrar dhe kulturor që për një çerekshekulli ka promovuar dhe afirmuar letërsinë, kulturën, gjuhën tonë, poetin Naim Frashëri jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe ndër njerëz të letrave, të artit, të kulturës dhe mediumeve nga mbarë bota. 

Ky projektshenjues i artit poetik, muzikor dhe pamor u ngrit në një përvjetor të tij, me emrin e tij, para një çerekshekulli në një nga cepet e gjeokulturës sonë, Tetovë. Në fillim si një manifestim poetik, që shenjoi ditëvdekjen e tij, e më pas si një projektshenjues me nivele e formate të shumta dialogimi. Ideja, ishte se, vetëm një figurë shumdimensionale si kjo e Naimit ishte e domethënëse për një kohë dhe hapsirë shqiptare, ku arsimimi dhe qenia e tij ishte rrezikuar… dhe punohej parreshtur për t’u instaluar institucioni i parë i arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Ishte koha, kur gjithnjë e më shumë ndjehej nevoja për të besuar në thënien lapidare të tij “vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë”. Mësimet e tij, në Tetovën e trazuar ishin më të dobishmet në vitet e trazuara të dekadës së fundit të mijëvjeçarit që lamë pas. Krijuesit shqiptarë që kishin dalë nga getoja e totalitarizmit komunist dhe ajo e hegjemonizmit sllav, gjetën një kuvend promovimi të fjalës së tyre poetike, një vend takimi e rinjohjeje me njëri-tjetrin, me artin e tyre etj.

Nëse në krye të herës, “Ditët e Naimit” shenjoi arenën e dialogimit të poezisë shqipe, një vit më vonë, ai prezentoi ndërkomunikimin me poezinë dhe kulturën e huaj. Ne jetonim një periudhë, ku ndjenim nevojë të flisnim me të tjerët. Gjykonim se, kishim çka ju thoshim me vlerat tona…, dhe ndjenim etjen të njihnim vlerat e tyre.

Kështu ishte në të shkuarën… I tillë do të mbetet për sa kohë poezia/letërsia do t’i duhet njerëzimit. 

Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, 25 poetë lexuan poezitë e tyre me prezencë fizike, ndërsa 7 poetë në mënyrë virtuale. 

Aty, në atë skenë të bukur të mbushur me publik, laureatit Kama Kamanda iu nda çmimi i madh “Naim Frashëri”, dhe iu akordua titulli i lartë Anëtar Nderi, nga ana e drejtorit të Festivalit, Shaip Emërllahu. Laureati me këtë rast falenderoj për ketë nder që iu bë poezisë, veprës së tij duke thënë se, ndjehet i nderuar dhe i vlerësuar, si dhe falenderoi Drejtorinë e Festivalit. Jurinë e Festivalit e përbënin Prof. Dr. Ymer Çiraku, Mr. Ndue Ukaj dhe Prof. Xhelal Zejneli.

Në ditën e dytë të Programit, poetët vizituan qytetin e Strugës dhe të Pogradecit, ku në odeonin e bukur buzë liqenit mbajtën orën letrare “Poetë dhe vargje”.

Sipas programit, në ditën e tretë u bë hapja e ekspozitës me fotografi të titulluar “25 vjet Ditët e Naimit”, ndërkaq me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes së poetes Silke Liria Blumbah, u dha filmi dokumentar i Narta Emërllahut, “Një vit pas vdekjes sime”. 

Në kuadër të programit, u bë edhe përurimi i pesë titujve të Sh. B. “Ditët e Naimit”: “Tash dhe këtu” i laureates maqedone Lidija Dimkovska, libri me punime shkencore “Naim Frashëri dhe atdheu”, i studjusve të huaj dhe shqiptarë, antologjia me poezi e poetëve pjesëmarrës “Simfonia e erës” e përgatitur nga Shaip Emërllahu, vëllimin me poezi “Frymë” i poetit Isuf Sherifi dhe libri poetik dy gjuhësh shqip/anglisht “Fjala e gjymtë” i poetit Bujar Plloshtani.

Gjithashtu, me rastin e Edicionit të 25-të Jubilar u mbajt Konferenca shkencore ,,Ditët e Naimit, Naim Frashëri dhe Silke Liria Blumbach”, ku studjues dhe poetë shqiptarë e të huaj lexuan dhe depozituan kumtesat e tyre, si; profesori dhe laureati amerikan Xhorxh Vallas nga SHBA, Xhuzepe Napolitano nga Italia, Mr. Jasmina Salija nga Sllovakia, Prof.dr. Ymer Çiraku, Prof. dr. Olimbi Velaj, Prof. dr. Begzat Baliu, Prof. Dr. Myrvete Dreshaj, Prof. Dr. Salajdin Salihu, Prof. Dr. Flamur Shala, Dr. Izmit Durmishi, Prof. Dr. Jeton Kelmendi, Mr. Ndue Ukaj, Prof. Arjan Kallço, poetja Puntorie Muça Ziba, Prof. Xhelal Zejneli, poeti Remzi Salihu, poeti Iljaz Osmani, poeti Bujar Plloshtani, etj.

Ndërkaq, 

Në mbrëmjen e natës së tretë u mbajt ora e madhe letrare “Meridiane Poetike”, ku lexuan poezi dhe u ndanë çmimet e tjera letrare të Festivalit. Kështu, çmimi letrar “Ditët e Naimit”, i cili jepet për karierë letrare iu dha poetit norvegjez, Erlin Kitersen, çmimi ‘Menada’, që jepet për vlera të veçanta poetike iu dha poetit turk Metin Çengiz, çmimi letrar ‘Oaeneumi’, që jepet për ciklin më të mirë poetik iu dha poetes nga Kosova, Naime Beqiraj, çmimi letrar ‘Qiriu i Naimit’, që jepet për poezi më të mirë e mori poetja, Viola Isufaj dhe çmimin letrar “Silke/Liria që jepet për shprehjen poetike iu dha poetes polake, Alicja Kuberska.

Festivalin e udhëhoqi moderatorja Narta Emërllahu, ndërsa poezitë i lexoi në gjuhën shqipe aktori i njohur Arsim Kaleci. Nga një pikë muzikore ekzekutuan pianistja shqiptaro-sllovake, Jasmina Salia, me flautë performoi Emine Sumeja, ndërsa kitaristi Granit Vela përcolli leximin e poezive të poetëve. 

Festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, ndërsa e sponzorizoi restorant “Kurtishi”.

Si hapja e Festivalit, ashtu edhe mbyllja e Festivalit, është transmetuar drejtëpërdrejtë (Live Stream) në FB.

D. Hadri

Filed Under: Kulture Tagged With: “DITËT E NAIMIT”, D.Hadri

Studentë ekselentë nga St.Francis College Brooklyn vlerësuan me pllakë mirënjohje Shkollën Shqipe “Alba Life”, NY

October 25, 2021 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Si çdo të shtunë në Shkollën Shqipe “ALBA Life” Ambasador i Kombit zhvillohet mësimi i Gjuhës Shqipe në lagjet e Nju Jorkut dhe për rrjedhojë dhe në Bronx.  Kjo shkollë i vazhdon mësimet në Qendrën “Illyria” dhuruar nga Zoti Mark Gjonaj Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut.  Mësimi në Online prej gati një vit e gjysmë për shkak të Panedemisë botërore kaloi në mësimin rregullisht qysh nga data 15 e muajit gusht. E meqënse sot jemi në 150 Vjetorin e ditëlindjes së Gjergj Fishtës doemos që mësuesit, prindërit dhe nxënësit plotësojnë amanetin e Gjergj Fishtës Poetit tonë Kombëtar që s’tretet kurrë i cili na ka dhuruar vargjet lapidar për Gjuhën Shqipe si:   

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,

qi këtë gjuhë të Perëndis’,

trashigim, që na la i pari,

trashigim s’ia len ai fmis…

Sot këtë shkollë e vizituan një grup studentësh eksellent shqiptarësh nga St.Francis College Brooklyn i krijuar që nga viti 1859.  Ky Isntitucion Universitar u themelua nga vëllezërit Françeskanë të Bruklinit, një urdhër françeskan, si Akademia e Shën Françeskut dhe ishte shkolla e parë private në Dioqezën Katolike Romake të Bruklinit. Studentët u pritën përzemërsisht nga të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Studentët u prezantuan nga z.Qemal Zylo themelues  TV dhe drejtor i shkollës Shqipe “Alba Life” i cili i falënderoi përzermërsisht dhe i uroi për rezultatet e shkëlqyera si dhe për aktivitetet e tyre me organizatën e mirënjohur “Rrënjët Shqiptare”. Vlen për të theksuar se Shkolla Shqipe “Alba Life” është përkrahur vazhdimisht nga Rrënjët Shqiptare me president ish kandidatin për në Këshillin e Bashkisë së Nju Jorkut aktivistin e shquar z.Marko Kepi. Zoti Zylo iu tha se ndjehej tejet krenar me arritjet e tyre të shkëlqyera dhe tha se me punën e tyre dhe studimet nderojnë vehten, Kombin dhe bëhen një shembull i mirë për brezat që vijnë. Ata prezantuan klubin e studentëve “Rrenjet Shqiptare” dhe afruan bashkëpunimin me Shkollën Shqipe “Alba Life”.  Ekipi i studentëve të Klubit Rrënjët Shqiptare i pyetën nxënësit në shqip duke bërë një quiz, ndërsa për ata që përgjigjeshin të parët dhanë dhurata simbolike.  Ekipi i studentëve dëgjuan dhe duartrokitën programin e nxënësve që po përgatiten për festën e shenjtë të Flamurit prej disa javësh nën drejtimin e artistes së njohur Valbona Peraj dhe mësuese Majlinda Tafaj në bashkëpunim me koordinatorët Arta Xhaferri dhe Blerim Gjocaj, drejtuesin teknik dhe professional Elton Xhaferri si dhe mësueset Fatbardha Shiqerukaj, Mirvete Krasniqi Veselaj dhe Jetona Bacelli. Në emër të ekipit të studentëve Albion Veliu, Adjola Rrashi, Kleid Saraci, Emiljan Bodini, Sarah Shurdha, Herta Hada, Xhessika Hasankolli dhe Alkida Koleci pllakën e mirënjohjes e dorëzoi zonjusha Megi Rama me motivacionin: “Certifikatë mirënjohje Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit për kontribut të jashtëzakonshëm në Komunitetin shqiptar në mësimin e Gjjuhës Shqipe, kulturës dhe traditave fëmijëve me origjinë shqiptare.”. Klubi Rrënjët Shqipetare në St.Francis College është një klub prej profesionistësh të rinj Shqiptarë që është i formuar prej 5 vitesh ku funksioni parësor është forcimi i komunitetit shqiptar duke integruar shqiptarët me njëri -tjetrin dhe vendet e tyre të adoptuara në të gjithë diasporën shqiptare si edhe të bëhen një pikë reference për t’u bashkuar si komunitet. Ata fokusohen në promovimin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare te brezat e rinj duke përmirësuar komunitetin në organizimin e ngjarjeve të tilla si ngjarje në rrjet, aktivitete argëtuese, punë në shkollë, ndihmë në karrierë, shfaqje arti dhe festivale. Pavarësisht se mund të jenë një komunitet i vogël, në raport me numrin e studentëve që universiteti ka, ata kanë një numër të konsiderueshëm shqiptarësh në shkollë nga të gjitha krahinat dhe trevat. Në vitin e fundit mund të numërohen deri në 20 studentë shqiptarë të pajisur me dokumentin I-20, dhe mbi 26 të tjerë që janë me dy nënshtetësi ose të lindur në Amerikë, por me origjinë shqiptare. Komuniteti shqiptare është tepër i angazhuar në shumë departamente dhe fusha të shkollës, si për shembull, shqiptar të aktivizuar në ekipin e futbollit për meshkuj, ekipin e notit për meshkuj, ekipin e volejbollit për meshkuj, në klube të ndryshme, qeverisje të studentëve, ambasadorë, apo si edhe në konviktin e shkollës. Më duhet të theksoj se të gjithë studentët shqiptarë në St.Francis College kanë titullin ekselentë, gjë e cila na bën të ndihemi shumë krenarë si shqiptarë. Çdo semestër si klub mundohen të promovojnë sa më shumë se sa të bashkuar janë dhe se sa shumë kanë dëshirë të kontribojmë në Diasporën tonë Shqiptaro Amerikane. Në këtë të shtunë të dielltë, u bashkuan si simboli i shiqponjës nxënësit ambasadorë të Kombit të Shkollës Shqipe “Alba Life” me studentët eksellentë të St.Francis College në Brooklyn. 

Ata janë shqiponjat e Diasporës dhe të Kombit!

23 tetor, 2021

Bronx, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kozeta Zylo

LE PETIT TROYEN (1913) / SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE NGA GREKËT DHE SERBËT – MEMORANDUMI I KOMITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR

October 23, 2021 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Tetor 2021

“Le Petit Troyen” ka botuar, të martën e 11 shkurtit 1913, në ballinë, memorandumin e Komitetit kombëtar shqiptar drejtuar asokohe ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër në lidhje me shpërnguljen e bashkëatdhetarëve tanë nga grekët dhe serbët, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Romë, 10 shkurt. — Na shkruajnë nga Durrësi :

Komiteti kombëtar shqiptar sapo u ka dërguar një memorandum ambasadorëve të Fuqive në Londër për të tërhequr vëmendjen e tyre ndaj veprimeve të grekëve dhe serbëve; këta dëbojnë manu militari të gjithë popullsinë shqiptare të zonave të përziera për të qenë në gjendje t’i kërkojnë ato, gjatë përcaktimit të kufijve të Shqipërisë. Kështu në Kosovë, në Gjakovë, Prilep, nuk ka më një shqiptar të vetëm; në Manastir, kanë mbetur vetëm disa familje të pasura. Kudo tjetër, shqiptarët janë dëbuar në masë.

 Burimi: https://www.darsiani.com/la-gazette/le-petit-troyen-1913-shperngulja-e-shqiptareve-nga-greket-dhe-serbet-memorandumi-i-komitetit-kombetar-shqiptar/.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT