• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2021

NË 35 VJETORIN E VDEKJES, NJË ELEGJI DHE NJË KARTELË PËR POETIN ÇAM BILAL XHAFERRI

October 15, 2021 by s p

nga Visar Zhiti 

Në SHBA, në Chicago, 35 vjet më parë u shua shkrimtari çam Bilal Xhaferri, i arratisur nga Shqipëria, kur atje sundonte diktatura më e egër në perandorisë komuniste.. 

Një elegji dhe një kartelë, të shkruara nga Visar Zhiti, kemi zgjedhur sot për të kujtuar dhe nderuar Poetin……

ELEGJI E JUGUT 

PËR KTHIMIN E BIRIT TË VDEKUR 

Bilal Xhaferrit 

Ç’anije zije 

ç’avion malli 

do të çajë OqeanQiellin e ëndrrës 

për të sjellë vdekjen tënde në Atdhe? 

Ndërsa funerali i dallgëve dhe i reve 

s’mbaron e s’mbaron. Mbi një flatër 

të bardhë varet një ylber i këputur… 

si frerët e një kali, 

e dëgjon? Pegasi 

rend me arkivolin tënd mbi shpinë, 

ndali duke ngulur potkonjtë 

në baltë. 

Ku është shtëpia jote? E dogjën të huajt, 

tanët dogjën këngën tënde. Truall 

i zhuritur 

me kufomat e ullinjve të jetës, – 

të pushkatuar përreth, 

varret bosh- i përzunë të vdekurit, 

po a mund të hedhim në çdo gropë dhëmbjeje 

nga një eshtër tënden, 

sa për shenjë; këtu 

fillon Epiri dhe mbaron në shpirt… 

Fantazma e Çamërisë kapërceu 

Gurin e Fatit, 

më gjunjë të ra. A do ta ngjallin dot 

fjalët e gjuhës së përlotur Ballin tend? 

Ku-do të prekin gishtat e përgjakur të erës 

kufirin si brinjët. 

Ç’ helm t’i mavijosi porositë prej mishi? 

E deshe Fisin sa vdekjen s’ia dhe, e mërgove larg, 

por tufa e ujqërve vazhdimisht shqyen me dhëmbë 

atë blegërimë jetime 

që mardh mbi borën ballkanike. 

Befas u bërë fëmijë përsëri 

dhe jot motër t’u bë mëmë e vogël. 

Kush po tregon me zërin tënd për udhët 

që shtrove me zi-ftin e brengave? Dhe tërhiqeshe 

për t’u mbrojtur në kështjellat e Skënderbeut 

që i ringrite 

dhe si me magji u shndërruan në qiellgërvishtëse 

në Kontinentin e Ri, 

arratia është e vjetër, si zjarri 

që të ndoqi nga pas, jo vetëm ai i frymëzimit, 

por dhe i atij që të dogji shkrimet. Medet! 

E fundmja gjë në botën moderne 

nuk është morgu, jo, 

as lavdia, e ftohtë po aq. E ç’mbetet nga dashuria? 

Si dikur…

Buzëqeshjen jote- trëndafil Jugu 

ka çelur në një përkrenare ilire, 

me pakëz dhé tragjedish brenda.  

________________________________________ 

Nxjerrë nga “Vepra, Bilal Xhaferri”, Vol. V, Tiranë, 2010

Kartela Bilal Xhaferri

(1935 – 1986)

Me baba të pushkatuar, çami i përndjekur Bilal Xhaferri, i kishte të gjitha rrugët e së ardhmes të mbyllura. Ai dhe një jetë të zakonshme si jetët e tjera në diktaturë nuk mund ta bënte dot, jo më të lejohej të bëhej shkrimtar,

Është punëtor krahu. Në shkollë të lartë as që bëhet fjalë se mund të shkojë, madje as në gjimnaz. Megjithate në mynxyrën e tij do të ketë një lloj shprese si dritë vobektë, Është talenti i tij.

Dërgon tregimet e para për botim. Pëlqehet menjëherë. Por bashkë me famën, do t’i vinte shpejt dhe rënia. Rënie brenda rënies, pikërisht atje mes shkrimtarëve…

Dhe s’i mbetet gjë tjetër, veçse të arratiset. Shkon në SHBA… vdes në Çikago në rrethana të dyshimta, ku thuhet se mund ta jetë asgjësuar dhe nga kanale të fshehta, ndonjë agjent në shërbim të regjimit Stalinist shqiptar.

…lindi në fshatin Ninat afër Konispolit në 1935, babai i tij, Xhaferr Hoxha, i lidhur me Ballin Kombëtar, dënohet nga fitimtarët si antikomunist, e vrasin në 1945, në vitin e parë të lirisë,,, e ç’liri zeza do të tundnin

kokat nënat çame.

Bilal u rrit në internim bashkë me motrën, emrin e të atit e bëri mbiemër, të mos e njihnin, mbas shkollës 7–vjeçare, bëri një vit shkollë për gjeometër, por jo, mjaft, kaq… Dhe nisi punën herët, punëtor krahu,

shtronte rrugët, ku ta çonin. Andej nga Veriu, afër Rrëshenit, gjeti një mecenate shpirtërore, shkrimtaren e dalë nga burgu, Musine Kokalari.

Edhe kjo miqësi do të përndiqej, janë raportet në dosjet deri dhe të ministrit të Punëve të Brendshme K. A.

Boton poezitë e para, tregimet e para, ndjeshmeria ishte e madhe por dhe befasia, ngjante me mahnitjen. Dhe u lejua të dale libri i tij me tregime “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”. Në vitin 1967 u bë gati libri tjetër, ai me poezi “Lirishta e kuqe”. Ai i donte vargjet e tij: Krejt të lira/ si hapësira,/ si era,/ si drita./ Me vargjet si vargmalet/ që shtrihen nga veriu në jug/ dhe nga jugu në veri,/ me vargje të mbirë nga balta jote,/ Shqipëri.

Dhe dorëzoi në konkursin e shpallur me rastin e 500 vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti– Skënderbeu romanin “Krastakraus”. Dhe një konflikt i beftë i tij në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, dalja kundë romanit të bujshëm “Dasma” të Ismail Kadaresë, bënë që atë ta përzënë. Autoritete të Realizmit Socialist, Fadil Paçrami, deri dhe anëtari i Byrosë Politike të Partisë në pushtet, Rita Marko, e kritikuan rëndë.

Dhe e hodhën sërisht në humnerë. Vepra iu ndalua. Libri i tij me poezi, që priste shpërndarjen, u dërgua në fabrikën e Letrës ne Lushnjë, për t’u ricikluar në letër të bardhë si harrimi, autorin e riçuan në internim.

“Poet i nëmur” do ta quante shkrimtari Sabri Hamiti. Meqënëse vendlindja e tij ishte fare në Jug, në kufi, ai gjeti rastin fatlum dhe u arratis për në Greqi. Pa Çamërinë e tij dhe këndoi i dëshpëruar.

Një vit më pas fluturoi përtej oqeanit, në kontinentin e ri, në SHBA.

Punon në Boston në gazetën “Dielli”. Dërgon për botim në Prishtinë romanin për Skënderbeun, në fakt për Shqipërinë mesjatare, tani me titullin “Ra Berati”, por nuk i dhanë përgjigje.

Shkon në Çikago në vitin 1974, ku dhe themelon gazetën “Krahu I Shqiponjës”, botim i Lidhjes Çame në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, ku krahas historisë së fisit, do të shkruante dhe për diktatura e lënë në atdhe, për krimet e regjimit.

Vend i vogël,/ kohë e vogël,/ racion i vogël. / Errësirë e madhe,/ frikë e madhe,/ mjerim i madh./ Dhe rrugëve të Atdheut/ Si kukuvajkë nën hënë/Leh dhe ulërin/“Gazi 69”

Makina e arrestimeve. Vinte pa i rënë sirenës. Kur ikte, mbase po.

Ndërkaq nuk kishte ende seriana të makinave te ndihmës së shpejtë, epidemia ideologjike sundonte vdekshmërisht. Dhe andej nga u arratis, ku iku, edhe pse nuk nuk mbërrinte dot “Gazi 69”, do t’i ndaheshin djajtë e kuq, jo ata vetë, por tentakulat e fshehta të regjimit do të kërkonin kokën e tij.

Në kokë e mori goditjen dhe në spital mbaroi në rrethana të dyshimtanë vitin 1986 .

Pas rënies së diktaturës, edhe pas kthimit të eshtrave të Bilal Xhaferrit ne Atdhe, për t’u prehur në vendlindjen e tij, u botua dhe vepra e plotë në pesë vëllime e Bilal Xhaferrit.

Ndërkaq dhe i vdekur ai s’është lënë i qetë. Herë pas here përfliten dhe dyshime në arratisjen e tij si i dërguar… aq sa duket sikur duan të vazhdohet ai konflikti i lënë në mes dikur, në Tiranën e kuqe për “Dasmën”, por tani i përmbysur, ende pa titull.

Gjithsesi Bilal Xhaferrit i janë dhënë medaljet e larta “Martir i demokracisë” dhe “Nderi i Kombit”, iu vu dhe busti para shtëpisë së tij muze në Sarandë.

______________________________________________________

Nxjerrë nga libri “Kartela të Realizmit të Dënuar”.të Visar Zhitit, Tiranë 2020…

*   *   *

Si poet e shkrimtar Bilal Xhaferri mbart fatin muhaxhir të fisit të tij çam, të përndjekur, të goditur gjithandej, të shpërndarë:nëpër Shqipëri e Ballkan, në Europë e deri në SHBA, ata qendruan me heshtje dinjitoze. Bilal Xhaferri i dha zë dhimbjes çame duke u bërë një nga zërat më tronditës, por dhe më të bukur në letrat shqipe. Edhe pse e këputën ashtu si dhe jetën e tij.  

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bilal Xhaferii, Visar Zhiti

ÇKA DO TË THOSHTE BORELI NËSE SHQIPTARËT NË MAQEDONI SILLEN NJËSOJ SI SERBËT NË KOSOVË?!

October 15, 2021 by s p

Nëse ndjekim budallaqëllet e Borrelit për ndonjë koordinim të aksioneve, kjo i bie që Kosova mund të funksionojë në mënyrë selektive si shtet. Pra, ndryshe për shqiptarët, boshnjakët, turqit, romët etj. dhe krejt ndryshe për serbët. Ky veçim i serbëve “hyjnorë” dhe mbivendosja e tyre në një shkallë superiore ndaj të tjerëve, ku dora e shtetit të Kosovës është e paarritshme, do të krijonte precedente të rrezikshme në logjikën e funksionimit të shteteve shumetnike.

Nga Emin AZEMI

Kosova është shtet edhe në Zveçan dhe në Zubin Potok, por këtë e mohon Vuçiqi. Fundja këtë e kemi ditur. E kemi ditur që Kosova ende është pjesë e Kushtetutës së Serbisë dhe Vuçiqi sillet me Kosovën si të ishte ajo pjesë e Serbisë (!)
Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, po zbaton Kushtetutën e shtetit të saj dhe policia sillet konform frymës së kësaj kushtetute. Policia e Kosovës ka të drejtë të futet në çdo cep të Kosovës, të zbatoj ligjet e shtetit të shpallur i pavarur më 17 shkurt 2008. Madje nëse ka nevojë policia jonë ka të drejtë edhe minjtë me ua nxjerrë matrapazëve serbë që fshehin mall të padeklaruar në institucionet tatimore të Kosovës… Çka ka këtu diçka të paqartë që nuke ka të qartë çdo kontrabandist në Gjermani, në Francë, në Spanjë, në Suedi, në Angli….
Nëse ndjekim logjikën e Vuçiqit, policia e Kosovës nuk duhet të futet në territoret që ai i konsideron si pjesë të projekti të Serbisë së Madhe. Pra, policia e Kosovës, sipas Vuçiqit, nuk paska të drejtë të futet në veriun e Kosovës sepse atje nesër do të jetë Serbi, ose një version i bosnjizimit të Kosovës, sipas Vuçiqit.

Nëse e ndjekim këtë logjikë dhe, çka është më katatrofale, nëse e mbështesim këtë logjikë antiKosovë të Vuçiqit, atëherë i bie që forcat policore të Kosovës para se të intervenojnë në këtë pjesë, duhet t’ia shkruajnë një “MOLLBË” Vuçiqit, dhe pasi të merr përgjigje nga ai, tek pastaj të (mos)veprojë…. Nëse ndodhë kështu, atëherë ne me dy duart po ia dorëzojmë Serbisë një pjesë të Kosovës dhe për rrjedhojë ne bëhemi ortak të krimit mbi shtetësinë e Kosovës.

Kuptohet që çdo aksion ka edhe rreziqet e saj, ashtu siç ishte me plot rreziqe edhe vet formimi dhe zhvillimi në terren i UÇK-së. Po t’ishte ndjekë logjika që UÇK-ja të kishte pritur miratimin e Beogradit, ajo as që do të ekzistonte ndonjëherë.

Edhe tani nëse ndjekim budallaqëllet e Borrelit për ndonjë koordinim të aksioneve, kjo i bie që Kosova mund të funksionojë në mënyrë selektive si shtet. Pra, ndryshe për shqiptarët, boshnjakët, turqit, romët etj. dhe krejt ndryshe për serbët.
Ndërkohë që NATO dhe Washingtoni folën me një zë: Ata e përkrahin Kosovën të shtrijë sovranitetin në çdo cep të territorit të saj…
Ky veçim i serbëve “hyjnorë” dhe mbivendosja e tyre në një shkallë superiore ndaj të tjerëve, ku dora e shtetit të Kosovës është e paaritshme, do të krijonte precedente të rrezikshme në logjikën e funksionimit të shteteve shumetnike.
Çka do të thoshte Boreli nëse një ditë të bukur me diell, bie fjala, policia maqedonase gdhin e bllokuar në ndonjë lagje apo fshat shqiptar të Pollogut, apo të Karadakur të Kumanovës? Ose, edhe më keq, nëse shqiptarët e Tërrnocit vendosin barrikada dhe pengojnë xhandarmërinë të zbatojë ligjet e Serbisë?!

Si do ta komentonte këtë gjendje baci Borell, i cili si duket kur flet nuk e dëgjon mirë veten çka flet.

Turp për të dhe hala ma turp për disa në Prishtinë që ishin gati në valë të njejta me Borelin dhe me një pjesë të shtypit racist të Beogradit!

Mosnjohja e Albin Kurtit për kryeministër, pra mohimi i vulnetit të popullit shumicë, nga ana e atyre që i kontestojnë dhe i stigmatizojnë aksionet e policisë në verit të Kosovës, ia shtojnë Albinit edhe nja 2-3 mandate qeverisëse, kurse popullin e shkretë e lënë pa një alternativë të mirëfilltë qeverisëse!

Kosova ka nevojë për qeveri të fortë dhe për opozitë që i zë fjala vend kur flet… Kështu siç po flet, askush nuk do ta merr vesh. Apo do ta marrin vesh vetëm ata që duan një qeveri që i nënshtrohet çdo presioni të Serbisë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Emin Azemi

Homazh për Migjenin/ “Kapërcim logjik”, nga vetvrasja te “kanga” e trumcakut

October 15, 2021 by s p

Zija Vukaj

Në skicën “Vetvrasja e trumcakut’ ndeshemi për herë të parë në letërsinë shqiptare me surrealizmin. Brenda hapësirave të vogla të këtij etydi autori ka marrë pozicionin e krijesës dhe të Krijuesit. Drama e trumcakut është tragjedi. Tragjedi moderne ekzistenciale. Procedimi artistik është sa surreal, aq edhe i guximshëm. Vetë autorit i duket e parakohshme për nivelin e lexuesit shqiptar, sepse fut fenomenin e kapërcimit logjik, që me sa duket është togfjalëshi më i saktë dhe i përshtatshëm për të shpjeguar fjalën surrealizëm, i pabindur mirë nëse do të kuptohet dhe ndërgjegjja e tij prej krijuesi tejpamës zbret në nivelin e shpjegimit të tekstit të vet: (Çka janë këto kapërcime logjike? Ka me bërtitë ndokush.) “Mos pyesni si e tek u gjet trumcaku n’at vend dhe si e tek u gjet njeriu në këtë pikë kozmike; nuk dijmë shumë. Hipoteza dhe andrra. Miliona vjetësh dhe një fjalë goje, si për shembull: “… t’bahet dritë! Dhe drita u ba!”- A e shifni? Një fjalë magjike! Hokus- pokus! Sa bukur! Dhe unë thashë: të lindet trumcaku në një vend, ku në vend të barit bijnë qimet e derrit e në vend të pemve- brinat e një kafshe prehistorike.”Këto dy nivele krijimi: Zoti krijoi Migjenin dhe e vendosi ku deshi ose e flaku në një pikë çfarĕdo të kozmosit, ky krijoi trumcakun dhe e vendosi ku deshi ose e flaku në një antibotë, që nuk ofron asgjë, madje as aq sa i duhet një trumcaku për të jetuar; që të dyja arbitrare (sipas autorit), realizuar nga Zoti i madh dhe zoti i vogël, shprehin edhe kredon filozofike, thelbin dhe vijën ndarëse mes dy degëve të ekzistencializmit dhe unisonin e autorit me bashkëkohësit e vet evropianë, përfaqësues të ekzistencializmit ateist, që krijuan realitete artistike, si ai i “Procesit”, “Metamorfozës” “Murtajës” dhe personazhe si Jozef K, Merso, Gregor Zamza etj., të zhytur në qerthullin fatal e pa rrugëdalje të jetës. Fatalitet ose ironi e fatit, që paralajmërohet edhe nga mbititulli “Rrota e jetës”. Antimaterien artistike autori e ka vizatuar me dy penelata, që janë të mjaftueshme për të dhënë të plota dimensionet e ferrit social (natyra që nuk mund të quhet natyrë): qimet e derrit dhe brinat e një kafshe prehistorike, sepse kjo prehistoria është torturuese për autorin futurist në të gjitha kuptimet, kurse trumcaku jepet që në fillim i humanizuar, pra një qenie sociale (bëhet melankolik). Në këtë habitat infernal, të denjë për vegimin dantesk, luhet drama e individit që nuk ka asnjë shpëtim dhe robinsonada e tij është e paralajmëruar të dështojë pa nisur. Loja simbolike është tepër e thjeshtë, gati pa nëntekst, sepse gjithkush e di se cili është trumcaku dhe vendi apo fati i tij (thuajse autobiografi), por edhe këtu kemi Migjenin çmitizues. Pse trumcaku? Një zog pa simbolikë, pa romancë, pa lavdinë e shqiponjës apo të albatrosit, pa zymtësinë e korbit apo kotësinë e sorrës, pa muzikën e bilbilit apo të laureshës, pa misterin dhe bukurinë e pëllumbit, pa krekosjen e gjelit. Pa ngjyra të ndezura. Pa asgjë mitike. E zakonshmja dhe e përditshmja vetë, por më konkretja, më e besueshmja, individi mesatar. Mimetizmi, si dukuri biologjike, bëhet aleati i autorit. Ambienti të jep ngjyrën e vet të murrme, aspak romantike. Por trumcaku është gjëja më e vërtetë, ajo që të bind më shumë, tipikja, e përgjithshmja, e zakonshmja, modestja. Kësisoj është drama e vërtetë sociale. Ndërsa vetëvrasja, përveç revoltës, ka ndër të tjera dy aspekte: së pari, është një vetëvrasje që kufizon me heroizmin, me respektin e individit ndaj vetes. Reagim ekstrem dhe fatal. Si e tillë kthehet në tragjedi: cicrroi një herë, cicrroi dy herë, cicrroi tri herë. Mandej një crrrr e gjatë e plot mallëngjim ishte porosia e tij e fundit. Testamenti i dhimbave të tij. Mos vallë cicrrimat e tij janë akoma çastet dilematike para vetvrasjes; apo piskamat dhe klithjet alarmuese që vajtojnë dhe akuzojnë këtë realitet dhe që duhen transmetuar diku. Mbase edhe një lloj egoizmi për të mos ikur pa u vënë re dhe një lloj përmallimi për jetën e humbur. Klithma e fundit, e gjatë, me jehona kozmike, që del nga shpirti i autorit, kumbon thekshëm në çdo shpirt, si një testament tragjik. Aspekti i dytë, prapë çmitizues, ka të bëjë me kundrimin e kësaj vdekjeje si diçka cinike. Më së shumti një hara-kiri. Një bjerrje e heroizmit, që jepet nga pamja e erës që luan me puplat e trumcakut të ngulur në heshtën- qime derri, që sillet si gjeli metalik sipër oxhaqeve tona. Ja sa vlen heroizmi. Këtu, duket sikur na thotë autori, s’ke si të rrosh dhe s’ke si të bësh as edhe një veprim të denjë edhe po sakrifikove jetën. Në finalen e këtij teksti Migjeni duket sikur ndihet i shqetësuar nga ashpërsia me të cilën ia përplas lexuesit këtë absurd dramatik deri në grotesk dhe në mënyrë empatike tenton ta zbusë impaktin që krijon realiteti artistik, por edhe procedimi i tij surreal. Pra gjakon ta fusë edhe lexuesin e nivelit mesatar në zonën e double coding-ut të tekstit, për ta “miqësuar” me kapërcimin logjik: “Po, lexues i dashtun e jo i cekët. Po! A pak po kemi kapërcime logjike, morale dhe dogmatike në botën tonë reale? Pse po zemrohe dhe po don me më gjykue për disa kapërcime logjike aspak damsjellse?” Dhe siç duket, këto kapërcime logjike janë logjika e vetme dhe më efikase për të kumtuar përmasat e vërteta të skenës dhe të personazhit. Ç’mund t’i themi këtij teksti? Fillim i një vepre të gjatë e të madhe? Thjesht, skicë? Kapriçio? Pikturë? Apo shpalosje sintetike e një pjese të kredos filozofike të autorit? Sepse motivi i trumcakut është rimarrë në një tjetër kohë, me gjykime më të zgjeruara dhe alternative e mbase edhe më të thelluara, te dorëshkrimi “Kanga e trumcakut”. Megjithëse dorëshkrimit i mungon faqja e parë, nuk është e vështirë të merret me mend ajo çfarë mund të jetë trajtuar në tekstin e munguar. Këtu kemi evoluimin e personazhit, që nuk e merr vetëvrasjen si të vetmen alternativë. Në rastin e vetvrasjes konflikti është me botën që e rrethon, me natyrën që s’është natyrë dhe jeta është e pamundur. Por tek “Kanga e trumcakut” jepet apo sprovohet alternativa e jetës. Dhe konflikti më së shumti është me veten. Në tekstin e munguar autori duket se e ka quajtur trumcakun e vetëvrarë pa fat, sepse në fillim të dorëshkrimit të mbetur autori shprehet: “… i lodhun dhe ma i pakënaqun trumcaku me fat, qëndron mbi degë. Me urrejtje shikon natyrën që s’e krijoi ma artistikisht. Me përbuzje vërente bilbilin.” Në ballafaqimin me fatin apo fatalitetin e vet, (pse trumcaku asht trumcak e nuk mund ta thotë kangën e bilbilit), trumcaku i “kangës” është shndërruar në një filozof jete. Por në një filozof dinak e pragmatist, “cinik e faqezi.” Sokrati i vuajtur është bërë gati një derr i kënaqur: “…trumcaku filozof e mundi trumcakun harbut.” Në këtë zhvendosje ontologjike, nga vetvrasja te kanga, Migjeni ruan kohezionin e një gjykimi në zhvillim, duke na shfaqur metamorfozën e individit të kushtëzuar nga nevoja për mbijetesë, përballjen e fatalitetit duke bjerrë me vetëdije idealizmin e tij dhe vlera të tjera, pra duke “kënduar” këngën banale të jetës së vet dhe duke iu nënshtruar paktit me djallin. Por këtu vjen paradoksi: për t’ia arritur kësaj duhet edhe një milion vjet. Një e ardhme e largët. Ndërkohë që ne e mendojmë të ardhmen si shpresë drejt përsosjes së individit, ajo na projektohet si stërmundim i gjatë drejt shpërbërjes së modelit nëpërmes një evolucioni që ecën së prapthi. Pra, nëse duam të jetojmë në natyrën që s’është natyrë, të mos vetëvritemi dhe të mos ua kemi zili njerëzve që na rrethojnë, duhet të mësohemi të këndojmë këngën e shpërfytyrimit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Zija Vukaj

Krimi me shkrimin

October 15, 2021 by s p

Fatmir Terziu

Dhe ndodh të ndjehemi kështu me shkrimin. Me shkrimin, që e lexojmë nga kënde të ndryshme. Të ndryshme?! Hera-herës edhe të ndryshme dhe të pa-arsyeshme! Të lexueshme sipas arsyeve dhe jo-arsyeve, sipas shijeve. Shijeve tona. Shijeve që na dalin mes dritës, dhe hera-herës edhe si pjesë e errësirrës. Si pjesë e dukshme dhe e padukshme. Si pjesë e gjendjes së brendshme. Por, edhe si errësirë e nëndheshme. Edhe, edhe pos zbrazëtisë dhe hapësirës, mes dritësisë së errësirës. E logjikshme! E gjitha në një mur që shemb dhe përthyen gjërat, dritërat, emocionet, zërat. E gjitha …në një mur që shembet përditë e më shumë. Një mur që e paskemi ngritur me zor. Një mur që rezulton si gur mbi gur dhe vetëm me zhavorr. Në një mur…. Në një mur, pa nur, që ka mbetur i lidhur ende krijimtarisht me ushkur. Në një mur vrasës nëpër errësirën e ditë-natës! Në një mur të tillë që na ndan, na cfilit, na bën të kthejmë kokën vetëm ndanë, pas, në kohën që na lë në fraq. Dhe bëjmë ende paq. Paq me shkrimin e shkruar dhe të harruar! Tronditje! Gjendje alarmante. Fjalë pikante?! Fjalë që të shkulin mendtë …, edhe sot, edhe për nesër, edhe mes nesh, ende përshesh, fjalë pa vend edhe atje në parlament. Tronditje dhe çapitje të turpshme, të ngutshme, të palogjikshme, të frikshme. Tronditje të mundimshme, të zbritura nga koka tek këmbët që dridhen pa ekuilibër, duke kërcyer me fjalën lart e poshtë, e duke sharë me libër. Dhe pastaj vazhdojmë të pranojmë se na hedhin hi syve, sikurse ndodh jashtë kësaj hamendësije në vallëzimin binjak të tyre. Ne mbetëm një shkëndijë përcëllyese në sy. Eh, or mik, or vëlla, or …Njeri i shkrimit të lirë, moj shoqe, moj zonjë… hej, a je ti i zgjuar për të vazhduar, për të ndryshuar? Më kot e zgjata. Dhe ndoshta kaq e pata. Nuk gjeta përgjigje. Nuk gjeta ligje? Të gjithë ishin për ofiqe. Që nga koha kur e dëgjuan këtë fjalë, askush më pas nuk u bë më i gjallë. Madje dhe kur e kishin me bindje e shkruan nga jashtë tërë atë Rilindje. E atëherë? Prit dimër të dalë pranverë… si përherë. Doni të dini kush ishte më e sakta, më e qarta? Thjesht një rrjetosje nga një merimangë me këmbë të gjata. Në të vërtetë një merimangë e dashurisë së dashurive të përhumbura bëhej pe dhe pre. Vetë rrjetosja e mburrte, e ajo vazhdonte të thurrte. Thurrje, thurrje në dritë-errrësirën jetike me rrjetën e saj. E rrjetosja ndiqje modele, variante dhe yrniqe të huaja. E, Unë? Unë vazhdoja vetëm të shkruaja? Ende me leximin e Klubit të Selanikut…, ende me shenjën e turpit të bërë letërsi të lexueshme prej Çajupit. E merimanga ende rrjetos. Nakatos. Ajo zbret mes alfabetit të germave të Gjuhës Shqipe dhe godet, duke u përpjekur për të udhëzuar forma të reja, për të zhvendosur, apo arratisur diku larg shkrimin e tjetërsuar mendërisht nga ky makth. Në fakt, ky makth ndjehet në këtë rast mjaft. Zhubroset si një modul i butë, i ngjeshur mes shkrimit dhe kësaj ndjesie shumëkëmbore të zvarritjes shkrimore, i jepet një përqafim i helmët i qelqurinës së kapakosur të dy syve. Kështu ndodh para një gazete. Kështu ndodh para një libri. Kështu sillet dhe në ekranin e ndonjë filmi. Dhe koha transferohet në tashmëri. E tashme?! Dashurisht dashuritë nisën përshpëritjet. Dashurisht nuk mund të kuptohej shkrimi, aq thjesht sa vetë krimi. Dashurisht shkrimtaritë reflektoheshin sikur kilikoseshin nga shkrimi. Ishte një klishe dyfishe. Ndjesia ishte ndryshe. Zbehej vegimi. Aty kishte zbritur frymëzimi. Frymëzimi pëshpëriti heshtazi dhe paksa fjalorthazi lëshoi një mesazh për të zgjuar: “Shkrimi zbret dhe ngjizet vetëm dashurisht mes dashurive!” Dhe tutje nguci zvarritjen e ikjes. Zvarritjen e ikjes së një kohe të shkrimit të sakatuar, aq kaq nga një kohë e zymtë, thjesht në një të kaluar. Një hije e gjatë, e harruar në humnerën e ngarkesave të kohës, zbriti dhe zhveshi merimangën lakuriq. Ishte bruto. S’kisha parë një të tilllë nudo. Qoftë dashurisht? E shkruar në letrën zyrtare të pa shpirt, që errësirës i thoshte dritë. Ishte hapi i nxituar i shkrimit intim. Nuk kishte pushim. Kishte vetëm pasion. Pushimi nuk ishte opsion. Ishte shkrim intim. Ishte një përkushtim. Ishte i urritur. Një përkushtim i përgjakshëm i errësirës së zhuritur, që ngadalë po bëhej fantazmë në shkrim. Fantazma shkruhej dashurisht prej dashurisë së urdhëruar për të. Ah, fantazma! Fantazma të shkrimit. Dhe kuptohej…, koha na rrëfente. Po të gjithë heshtnim, të gjithë heshtim. Merimangat, mblidhen në një natë të errët të caktuar pas krimit. Bëhen një rrjetë e pagrisshme. E pagrisshme…Tarantula. Një tarantula e tillë tejkaloi idenë time, pa ndonjë qëllim për të kafshuar, por la pas hijen e kafshimeve, atë më të frikshmen, më të rrezikshmen. Ajo ishte vërtet hija. Ishte hija …, por nuk ishte hija me të cilën po rrjetëthurrej. Nuk ishte …, nuk ishte aty afër. Ajo jargavitej djersërisht me kalorësit e Fjalës. Dhe vetëm mburrej. Kalorësit, si të mpirë, kalorësit e mi të dashuruar, më saktë, thirrën përreth meje të gjitha dashuritë, dhe vazhduan gjatë gjithë dritë-errësirës të shmangin kilivitjet. Ata mbetën duke kërcyer në tokë me këmbët e tyre në vallëzimin e tyre shkrimor. Ishte realizimi më i errët i syve. Realizimi përmbyti mendjen time. U bë i pamëshirshëm, duke mpirë të gjitha shqisat e mia. E aty mbeti e veja e zezë e tij. Kërkoi ti hidhte hi syve. E veja e zezë e urrejtjes u duk në një tërbim të pastër, në dorë mbante zambakë të synimit vrasës. Nuk isha unë! Ishte shkrimi! Ishte krimi me shkrimin …, me shkrimin më vrasëtar se krimi. Ndaj vrapoja të ikja. Të ikja nga ky lloj shkrimi. Të ikja nga krimi. Ikja dhe vetëm ikja. Ikja nga vetja ishte ajo që unë e bëra në të gjitha këto vite, por jo më si një ikje nga e vërteta. E vërteta më ka folur ndryshe. Ende më flet ndryshe. Ndryshe dhe në poret e lëkurës, ndryshe dhe në timbrin e lëvizjet dhe dëgjimet muzikale. Është kërcimi dhe vallëzimi më i mirë kur shkrimi është vërtet jeta dhe ëndrra. Ishte më mirë të jem kështu. Sepse më duhej baza fantastike, përjetësia e kësaj fushe të fantazisë. Në fund të fundit, ne të gjithë kemi kohë të pafundme që fantazojmë dhe jetojmë mes fantazisë edhe në ëndrrat tona. Pastaj u zgjova, u hodha ujë syve dhe rikujtova: “Shkrimi zbret dhe ngjizet vetëm dashurisht mes dashurive!” Dhe ndodhi… Dhe ndodh të ndjehemi kështu me shkrimin. Me shkrimin, që e lexuam, na detyruan ta lexojmë, dhe që lirisht vazhdojmë ta lexojmë nga kënde të ndryshme. Ende sot… përloten vetvetiu arkivat, kur rilexojnë qëllimisht direktivat. Direktiva në shkrim, thjesht një krim!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Fatmir Terziu

A PO AFROHET FUNDI I COVID-19?

October 15, 2021 by s p

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik *

Numrat, si globalisht ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara tregojnë rënie të shpejtë të rasteve të Covid-19 gjatë muajit të fundit, duke zbuluar shenja se vala e tretë dhe shpresojmë se vala e fundit e madhe është prapa nesh. Ndërsa shkencëtarët vazhdojnë të kuptojnë arsyet e baticës dhe zbaticës së infeksioneve, që mbeten disi të paqarta, nuk ka asnjë garanci që rënia e ngarkesave të rasteve do të vazhdojë. Tani për tani, ne shohim shumë të mira, edhe pse është e mbështjellë me disa lajme jo aq të mira.

Lajmi i mirë: Numri i infeksioneve të reja ka rënë 45% gjatë muajit të fundit në një mesatare shtatë ditore prej rreth 88,000, dhe shtrimet në spitale janë ulur 15,5% gjatë javës së kaluar, sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC). Vdekjet po bien gjithashtu 30% gjatë muajit të fundit – megjithëse më shumë se 1,400 njerëz kanë vdekur ende mesatarisht gjatë shtatë ditëve të fundit.

Lajmi i keq: Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, më shumë se 361,000 vdekje nga koronavirusi janë raportuar këtë vit, duke kaluar 352,000 të regjistruar në vitin 2020. Pra, po, më shumë amerikanë kanë vdekur nga Covid në 2021, sesa në 2020, dhe ne ende kemi më shumë se dy muaj deri në fund të këtij viti. Duke marrë parasysh që vaksina ishte në dispozicion për shumicën e amerikanëve nga Marsi dhe përparime të rëndësishme në trajtimin e pacientëve me Covid, një pyetje-të paktën retorikisht-ka nevojë dhe duhet bërë: pse 2021 do të jetë viti më pandemik, më vdekjeprurës që nga viti 1919? Një pyetje lutet të pyetet: sa nga ato jetë mund të ishin shpëtuar me një vaksinë të thjeshtë që ka qenë gjerësisht e arritshme për të gjithë amerikanët për pjesën më të madhe të vitit? Ndërsa varianti delta shumë i transmetueshëm u bë tendenca dominuese e kombit, duke nxitur një valë tjetër që pa që rastet dhe vdekjet të rriteshin dhe shumë spitale të mbingarkoheshin. Pjesë të vendit, ku normat e vaksinimit ishin më të ulëtat, u goditën veçanërisht rëndë.

Vala e fundit dhe ndoshta e fundit e madhe e Covid-19 është përsëri në tërheqje 

Rëniet më të fundit janë në përputhje me një model që shumë epidemiologë tani e njohin: një cikël disi misterioz dy mujor i valëve të Covid. Që kur filloi në fund të vitit 2019 në Kinë, infeksionet shpesh janë rritur për rreth dy muaj – ndonjëherë për shkak të një varianti, si Delta – dhe më pas kanë rënë për dy muajt në vijim. Arsyet e këtyre cikleve nuk janë kuptuar ende nga epidemiologët. Sugjerimet se këto cikle ndoshta ishin të lidhura me sezonalitetin ose baticat dhe zbaticat e distancimit shoqëror dhe përdorimit të maskës, ka shumë të ngjarë të jenë të pasakta. Prova është në faktin se ciklet dymujore kanë ndodhur gjatë stinëve të ndryshme të vitit dhe kanë ndodhur edhe kur sjellja njerëzore nuk po ndryshonte në mënyra të dukshme. Kjo na lë të konkludojmë se shpjegimet më të besueshme përfshijnë një kombinim të biologjisë së virusit dhe praktikave që lidhen me rrjetet sociale. Variantet në zhvillim të virusit kanë më shumë gjasa të infektojnë disa njerëz, por jo të tjerë. Të pavaksinuarit janë grupi në të cilin virusi gjen hapësirë ​​për të transmetuar dhe “rrotulluar” lirshëm. Pasi të jenë ekspozuar më të prekshmit mes nesh, virusi tenton të tërhiqet, ndoshta të tërhiqet ose të rigrupohet për një valë tjetër. Ata mund të jenë faktorët përcaktues që i duhen një virusi ose varianteve të tij të reja për rreth dy muaj kohë për të qarkulluar nëpër një rajon të caktuar. Ne kemi mësuar se sjellja njerëzore luan një rol në atë se sa i rëndësishëm mund të jetë një shpërthim, me njerëzit që shpesh bëhen më të kujdesshëm pasi ngarkesat e rasteve fillojnë të rriten. Por distancimi shoqëror vetëm mund të mos jetë aq i rëndësishëm sa diskutimet publike shpesh diktojnë, ne priremi të caktojmë shumë autoritet dhe kontroll njerëzor mbi virusin. Ne kemi parë që rëniet e fundit, për shembull, kanë ndodhur edhe kur miliona punëtorë amerikanë u bashkuan me fuqinë punëtore dhe miliona fëmijë u mblodhën përsëri në ndërtesat e shkollave. Cilado qoftë arsyeja, ciklet dy mujore të “kodrave dhe luginave” të Covid vazhdojnë të ndodhin. Është e dukshme si në numrin global ashtu edhe në atë amerikan. Ne pamë që rastet u ngritën nga fundi i Shkurtit në fund të Prillit, pastaj ranë deri në fund të Qershorit, u rritën përsëri deri në fund të mesit të Shtatorit dhe kanë rënë që atëherë.

 Shtrimet në spital dhe vdekjet janë në rënie

Siç e pamë në SHBA, rritja e Delta filloi në disa shtete jugore së pari në Qershor dhe filloi të tërhiqej në Gusht. Në pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara, filloi në Korrik dhe rastet kanë filluar të bien javët e fundit. Rastet kanë rënë edhe te fëmijët, dhe kjo pavarësisht nga mungesa e vaksinës për fëmijët nën 12 vjeç. Lajmi më inkurajues është se sëmundjet serioze Covid gjithashtu janë në rënie. Numri i amerikanëve të shtruar në spital me Covid ka rënë rreth 25 përqind që nga 1 Shtatori. Vdekjet ditore – treguesit e mbetur – të cilët zakonisht ndryshojnë drejtim disa javë pas rasteve dhe shtrimeve në spital, kanë rënë 10 përqind që nga mesi i Shtatorit. Është rënia e parë e vazhdueshme e vdekjeve që nga fillimi i verës. E rëndësishmja, ndihma është gjithashtu në rrugë për ata persona që kontaktojnë sëmundjen, pasi një pilulë antivirale është zhvilluar nga kompania farmaceutike Merck që së shpejti mund të sigurojë një armë tjetër në luftën kundër Covid-19. Pilula është treguar se zvogëlon përgjysmë shtrimet në spital dhe vdekjet për njerëzit që janë infektuar nga virusi. Ndërsa rënia e rasteve të Covid që po shohim tani mund të mos vazhdojë, pasi cikli dy mujor i Covid nuk është një lloj ligji i provuar i shkencës. Ka pasur shumë përjashtime nga teoritë e ciklit dy mujor. Por kjo pasiguri do të thotë gjithashtu se e ardhmja e afërt mund të jetë më inkurajuese nga sa e prisnim. Dhe ka disa arsye legjitime dhe të mira për optimizmin qe më në fund po e mposhtim këtë pandemi. Përmes përpjekjeve të vazhdueshme të vaksinimit, ne tani kemi 77 përqind të amerikanëve 12 vjeç e lart që kanë marrë të paktën një vaksinë. Së bashku me autorizimin e mundshëm të vaksinës Pfizer për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç, ne do të shohim një rritje të konsiderueshme të numrit të vaksinimeve këtë vjeshtë. Pothuajse po aq e rëndësishme, diçka si gjysma e amerikanëve ndoshta kanë pasur tashmë virusin Covid, duke u dhënë atyre një imunitet natyral. Përfundimisht, imuniteti do të bëhet mjaft i përhapur – imuniteti i tufës – që një valë tjetër aq e madhe dhe dëmtuese sa ishte vala e Delta, nuk do të jetë e mundur. Covid-19 do të jetë provuar të jetë një nga pandemitë më të këqija në kohët moderne. Në shumë mënyra, do të jetë një pandemi e panevojshme e tmerrshme. Nga më shumë se 700,000 që kanë vdekur prej tij, vetëm në Shtetet e Bashkuara, ndoshta shumë qindra mijëra ndoshta do të ishin shpëtuar nëse do të zgjidhnin vetëm vaksinimin. Ky fakt është ai që e ndan këtë pandemi nga të tjerët, si gripi spanjoll i vitit 1918, për të cilin nuk kishte vaksinë në dispozicion.

Më e keqja është pas nesh

Ne e dimë që Covid nuk do të zhduket së shpejti, të paktën jo globalisht. Me sfidat e vazhdueshme globale për të shpërndarë vaksina të mjaftueshme dhe mjaft shpejt, virusi mund të vazhdojë të qarkullojë për ca kohë, ndoshta vite. Por ne gjithashtu e dimë se qasja në vaksina, veçanërisht në vende të tilla si SHBA, do ta shndërrojë Covid në një sëmundje të menaxhueshme, jo shumë të ndryshme nga gripi ose ftohja e zakonshme. Javët e fundit kanë treguar se po i afrohemi një të ardhmeje më të qëndrueshme se ajo që u shfaq gjatë 2-3 muajve të fundit. Mund të themi se çfarëdo që të sjellin muajt e ardhshëm, më e keqja e pandemisë Covid-19, veçanërisht për të vaksinuarit, është prapa nesh.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr Pashko Camaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT