• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

DITA E FLAMURIT

November 25, 2021 by s p

Processed with VSCO with ih5 preset

Mendime e kujtime

LUIGJ  GURAKUQI

KUVȆNDI Romë, 30 Nëntor 1919

Paris më 20 nânduer 1919 

Në nji ditë t’errtë e të trishtueshme të Kallëndorit, i lodhun nga vjetët, e, mâ fort, nga mundimet e të vështirat e nji jete të kalueme, pa ndalim, mbi brigje e nën shatorre në mest të fushavet të luftës luâni i Krues, Skandërbeu, ulte kryet madhështuer, e dirgjej e rënkonte në shtrat të vdekës atje në Lesh. Rriba e murrânit i sillte në vesh ushtimën e tmershme të luftës s’ashpër që ziente në breg të Kirit, pranë Drishtit ndërmjet Turqvet e të Shqiptarvet. Gjaku i ndezun i valonte ndëpër dejt e çeliktë, e zemra trimoshe i dridhte parzmën tue rrahun me rrëmbim, e i pëlciste nga dëshiri për të fluturuem si rrufeë në ndihmë të vllazënvet të vet. Por trupi i tij i rândë nuk tundej dot nga vendi. I mundun nga sëmundja, por jo nga luftat e rrebta e të parreshtuna nga të cilat kishte dalë gjithmonë Burri i famshëm mbyllte syt, e me tê errej e shuhej edhe fati i Atdheut !

Trimat, shokët e tij, qi bashkë me tê kishin ndamun, për sa e sa vjet gëzim e rreziqe, e luftarët e tij mâ të përmendunit mirrshin udhën e mërgimit e përndaheshin në të katër anët. Qytetet e tija mâ të fortat, fole sokolash e sqifterësh, bijshin njena mbas tjetrës nën sulmin e anmiqvet. Shqipja rregjineshë, qi kishte fluturuem gjithnji ngadhnjyese mbi ajrin e lirë të Shqipniës, përmblidhte kthetrat, varte krahët e strukej në shpellat e maleve të larta ; e flamuri kuq e zi, shenj lirie e ngadhnjimi, përmbysej e zhdukej, e mbyllej i palosun në zemrat e Shqiptarvet të veshun në të zeza.

Në atë ditë të vajtueshme e fatkeqe, robnia mâ e ashpër e dhunore nisi të rândonte mbi kryet e kurrusun të Shqiptarvet të mjerë. I ndrydhun e i shtypun nga pushtuesi barbar, komi i ynë ra në shkretnim e në vobeksië. Të harruem prej të gjithve, edhe prej atyne të cilvet u kishin dhânë pa kursim ndihmën e vet në ditën e rrezikut, e të mbetun pa mbështetije e pa shpresë, Shqiptarët u shtrenguen, mâ në fund, t’i shtroheshin fatit e të hyjshin në marrëveshje me pushtuesin. Por edhe në qoftë se gjyshat t’anë e harruen, pak nga pak, mëniën kundër anmikut qi të parët u kishin lânë trashigim, me gjithë këtê nuk e buerën kurrë ndiesiën e liriës. Sado herë qi u erdhi rasa e qi i a pan gjasën, Shqiptarët nuk e kursyen kurrë jetën e vet e nuk prituen kurrë me ngritun krye kundër Turqvet qi kërkojshin me u rrëmbyem edhe gjurmat mâ të mbrâme të të drejtavet kombtare.

Po nga nji tok shkajqesh, qi nuk âsht nevoja t’i përmendim këtu, Shqiptarët, që lypsej t’ishin mâ të parët me shpëtuem nga sgjedha e Turqiës, nuk e patën fatin e mirë të fqinjve të vet. Këta, jo vetëm qi u liruen mâ parë se na nga robnia e përbashkme, po mbasandaj, tue harruem gjakun e derdhun prej burravet t’anë për liriën e tyne, nisën të ndêjnë dëshiret e veta lakmuese mbi tokët e Shqipniës. Gâdi gjithmonë të duruem, e shumë herë edhe të mbështetun e të përkrahun nga Qeveria turke qi nuk donte t’a shihte varrin qi ditë për ditë po i hapej përpara, fqinjt t’anë, në vend qi të na tregojshin mirënjohsiën e vet e të na shpërbleshin me të mirë ndihmën qi u kishim dhânë, rrokën propagandën e shkomsimit ndë mest të popullit t’ënë të padishëm tue përdorun ç’farë do mjeti e dhelpnie e tue bâmun vegël edhe feën e shkollat për të na helmuem gjakun, për të na prishun zemrat, për të na rrëmbyem trashigimet kombtaret mâ të shtrenjtat.

Mjerimet e salvimet qi ka hekun komi shqiptar, sidomos në pesdhjetë vjetët e mbráme të robniës së vet, janë të panjehuna.

Ndonse kom më vete e të ndamun prej Turqvet për nga gjuha e nga zakonet, Shqiptarët qén dënuem të bâheshin flîja e lajthimevet dhe e fajevet të Turqiës me të cilën vetëm fati i zi i kishte pjekun. Kështu ndodhi kohën e Traktatit të Berlinit e kështu do të ngjante edhe mbas luftës balkanike, kur Europa, tue mohuem të drejtat e Shqiptarvet, mendohej me shpërblyem, me copa t’Atdheut t’ënë, fitimin e beslidhunvet të Balkanit mbi Turqiën, atë fitim të cilin Shqiptarët e kishin pregatitun me kryengritjet e veta të fundit. 

Mbase 450 vjetë kishin kaluem, 450 vjetë të gjata pësimesh e të vështirash, që kur se flamuri i kuq me shqipen e zezë dykrenshe, ai flamuri i lumnueshëm i Skandërbeut, ishte shdukun prej qiellit të kaltër të Shqipniës. Anmiqt shekullorë të komit shqiptar kishin shkelun me kâmbë dhunuese tokën arbnore të lame me gjakun e bijvet të vet, mbi trupat e të cilvet topitej pareshtun tehi i shpatavet e i thikavet të pushtuesvet barbarë. Të dehun nga fitimi i papritun kundër Turqiës, e të ndezun prej mëniës gjakpijse kundër fisit t’ënë, ushtarët beslidhun të Balkanit kishin urdhën qi të mos kurseshin asfare jetën vllazënvet t’anë, pse kështu qeveriët e tyne do të mundshin mâ vonë me mbretnuem e me sunduem mâ lehtas mbi pakicat shqiptare të shpëtueme prej atyne therjeve të pamëshira.

Përpara këtij rreziku të kobshëm qi varej mbi fatin e Atdheut, Shqiptarët, ndonse të turbulluem e të turitun prej rrjedhës së vrulltë t’atyne ngjarjeve të papandehuna e të trishtueshme, e mblodhën mendjen, i bashkuen zemrat e i dhan besën njeni tjetrit qi me u përpjekun e me marrë masat e duhuna për shpëtimin e vendit të të parvet.

Pa humbun kohë, burrat e krenët e tyne mâ të vjefshmit u mblodhën në Vlonë ku, nën kryesiën e të ndëjyemit Ismail Qemal Bej, prokllamuen mvetësiën  e Shqipniës e ngritën flamurin të kuq e të zi, qi shtërgjyshat u kishin lânë trashigim të palosun e të mbyllun në varret e veta.

Kujtimin e kësaj dite gazmore, të cilën të parët t’anë e kishin pritun me aqë dëshir e qi na, mâ të lumë se ata, patëm fatin e bardhë qi t’a shohim me sy, komi shqiptar po pregatitet t’a kremtojë me lulzim më 28 të këtij mueji.

Po të hedhim një sy mbi të ndodhunat e panumërta, të ndryshme e të vajtueshme qi kanë përsjellun jetën e Shqipniës së lirë e qi na vërtiten përpara me shpejtim si fytyrat mbi pëlhurën e nji kinematografi, nuk duem t’i besojmë vetes s’onë, na duket si të jemi n’andërr : e shtatë vjetët, qi na ndajnë prej ditës së proklamimit të mvetësiës s’onë, na bâhen mâ të gjata e na dalin mâ të hidhuna se 450 vjetët e robniës së vjetër.

Përpara mjerimit t’Atdheut të cunguem prej Konferencës së Londonit, e tue pamun vendin e të parvet e vllaznit e vet akoma të paliruem prej thonjvet t’anmiqvet, Shqiptarët e humbën shpresën, e buerën guximin. Të lânun prej Qeverivet të mëdha pa atë mbështetje e pa atë ndihmë për të cilat ka pasun nevojë çdo komb i vogël në kohët e para të të mkambunit të vet, Shqiptarët muerën prapë tatpjetën e nisën përsëri t’u vên veshin propagandavet të hueja e, sikurse pësimet e të ligat e vuejtuna të mos u kishin vjeftun fare mësim, ran për prapë në fajet e përparshme.

Edhe nji herë gjaku i Shqiptarvet nisi me shkuem rrëkeë, edhe nji herë flamuri i ynë u rrëzue e u shduk, edhe nji herë anmiqt e pushtuen tokën e Shqipniës e sunduen edhe mâ rreptësisht mbi popullin t’ënë të ndamun në çeta e në partië gjithfarësh. E as sot të zezat t’ona nuk kanë marrë fund, e fati i Atdheut t’ënë ndodhet akoma i padalluem.

E kremtja e 28 Nândorit duhet të jetë pra për né të gjithë, jo vetëm nji ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe nji ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bâjmë sqyrtimin e vetdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vêmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten t’onë ndë a kemi bâmun gjithkund e gjithmonë detyrën qi kishim përpara Atdheut. T’i tregojmë pa turp e t’i njohim fajet t’ona, të harrojmë hidhnimet e anmiqsiët qi na ndajnë, t’i japim vllaznisht dorën njeni tjetrit e të betohemi mbi besën e gjyshavet t’anë se sot e mbrapa do të përpiqemi për të mirën e Atdheut, për lulzimin e komit, për nderin e flamurit t’ënë. 

Në veprimin e në sjellën t’onë të mbajmë gjithnji ndër mend këshillet e vlerta urtësie, vllaznie e atdhetarie qi, në veprën e tij profetike, u jipte Shqiptarvet, ndëpër gojë të Marash Ucit, vjershëtori i ynë kombtar tue u thânë :

Armët e mbushme mos me i dhânë,

Me shokë t’uej kurr mos me u zânë.

Kurr ujt turbull mos me i rá, 

Mos me dalun n’và t’pa và.

Vendin t’uej me e dashtë për ore, 

Me ruejt besë, mos me çartë ndore.

T’huejnë me fjalë mos t’a poshtnoni,

Bukën para por t’i a shtroni

Në Shqipní si âsht qênë zakoni ;

Me i besue mos i besoni !

Paris më 20 nânduer 1919                        LUIGJ  GURAKUQI

KUVȆNDI Romë, 30 Nëntor 1919

Filed Under: Histori Tagged With: Luigj Gurrakuqi

Me rastin e 49 vjetorit të Gjuhës sonë letrare

November 25, 2021 by s p

Nga Bexhet Asani/


Në shekullin e njëzetë që lam pas, mund të shënohen vetëm dy ngjarje të mëdha historike: Kongresi i Manastirit dhe Kongresi i drejtshkrimit. Intelektualët e mëdhenj të Kongresit të Manastirit përveç halleve të mëdha që kishin me unifikimin e alfabetit ata ishin tepër largpamës që atëherë hodhën idenë për unifikimin e gjuhës shqipe. Për unifikimin e Gjuhës letrare shqipe kanë merita edhe shqiptarët e Maqedonisë (që llogaritet se mund të jenë tani afër njëmilionë). Ishte gazeta “ Flaka e vëllazërimit” e para që vuri në praktikë Gjuhën letrare shqipe, shumë vjet më parë se të mbahej Kongresi i drejtshkrimit në Tiranë më 1972.Për nder të gjashtëdhjetë vjetorit të Kongresit të Manastirit më 1968 u ngrit pllaka përkujtimore te restoranti i Themistokli Gërmenjit, aty ku u mbajtën mbledhjet plenare të Kongresit me këtë rast shkrimtari i njohur maqedonas Vlado Maleski, njëherit dhe njohës i mirë i çështjes shqiptare tha: “….Jetojmë afër njëri tjetrit. Jetojmë rrëzë malit e buzë detit. Jetojmë me vizionin për një të ardhme më të bukur, me kujtime të bukura për të kaluarën. Një kujtim i tillë është edhe kjo pllakë e mermerit, të cilën po e inaugurojmë në emër të Këshillit republikan për kremtimin e këtij jubileu. E mermeri nuk thyhet lehtë “. E ka thënë bukur. Ky mendim i artë i Vlado Maleskit vlen edhe për Kongresin e drejtshkrimit: “E mermeri nuk thyhet lehtë!”Katër vjet më vonë , pikërisht në nëtor të vitit 1972 në Tiranë u mbajt Kongresi i drejtshkrimit, i cili nuk ishte asgjë tjetër përveçse vazhdimësi e Kongresit të Manastirit. Në qoftë se mund t’i referohem thënies së bukur të shkrimtarit Vlado Maleskit: “e mermeri nuk thyhet lehtë”, atëherë Kongresit të drejtshkrimit i është vënë pllaka e granitit e cila nuk mund të thyhet lehtë. Kongresi i Manastirit si dhe Kongresi i Tiranës janë Kongrese gjithëkombëtare. Që të dy Kongreset janë mbajtur në muajin nëntor, në muajin e festave, kështu që të dy Kongreset e kanë kryer me sukses misionin e madh historik e kombëtar. Profesor Zeqirja Neziri nga Shkupi deklaron: “Kur panë autoritetet e Beogradit seriozitetin e shqiptarëve për unifikimin e gjuhës shqipe, atëherë reaguan nëpërmjet Komitetit Qendror të Maqedonisë e pastaj Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës të Maqedonisë kërkoi një raport në lidhje me gjuhën letrare shqipe nga prof. Petro Janura, për të themeluar një gjuhë letrare për shqiptarët e ish Jugosllavisë.Profesor Petro Janura kur pa qëllimet djallëzore të Beogradit, nuk pranoi në asnjë mënyrë. Ai përgatiti një raport prej pesëdhetë faqesh, në të cilin raport me argumente shkencore e arsyetonte pse shqiptarët duhet të kenë një Gjuhë letrare”. Nismës së “Flakës së vëllazërimit” për unifikimin e Gjuhës shqipe i parapriu Konsulta e Prishtinës në vitin 1968. Me Konsultën e Prishtinës, po e theksoj edhe njëherë në mes të gegërisë, tanimë ishte trasuar rruga për mbajtjen e një Kongresi ku vetëm se do të bëhej AMINI dhe kjo ndodhi në nëntor të vitit 1972 në Tiranë. E themi me bindje të plotë se çdo Kongres tjetër për Drejtshkrimin e Gjuhës shqipe do të dështojë më keq se Kongresi i Dibrës, Kongresi i Elbasanit dhe Kongresi i Janinës.Themelet e Gjuhës së sotme letrare u vunë në zemër të gegërishtes nga studiues e gjuhëtarë të mirëfilltë të gjuhës shqipe. Në Kongresin e drejtshkrimit në Tiranë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi morën pjesë këta delegatë: Idriz Ajeti, Rexhep Qosja, Remzi Nesimi, Ajet Bytyçi, Besim Bokshi, Isa Bajçinca, Ismail Bajra, Ismail Doda, Petro Janura, dhe Sefedin Sulejmani. Profesor Idriz Ajeti, si njeri që mbante mbi supe peshën e robërisë, ai e dinte sesa vlerë ka për një komb gjuha letrare, përveç rrojtjes së tij mbi një shekull ai do të mbahet mend edhe për thënien e tij të famshme e me peshë kombëtare: “Gjuha letrare s’ është vetëm thesari i kulturës sonë, por mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë shqiptare!” Themelet e gjuhës së sotme shqipe u vunë në qytetin e Shkupit dhe të Prishtinës, në zemër të gegërisë, e jo në Tiranë apo në Gjirokastër, si mundohen disa ta paraqesin si “gjuha e Enverit”, këtë mund ta bëjnë vetëm pseudoshkencëtarët, atë që s’ mundi ta bënte politika e Beogradit ja po e bëjnë sot argatët e saj, xhonturqit shqiptarë pa marrë parasysh myslimanë apo të krishterë qofshin ata. Sot mund të deklarojmë dhe mund të krenohemi se u bë realitet ëndrra e delegatëve të Manastirit për Unifikimin e Gjuhës shqipe. Pra, siç e shikoni peripecitë po e ndjekin shqipen tonë hyjnore hap pas hapi. Asnjë pseudoshkencëtar nuk do të mund t’ ia dalë dot të përçajë më popullin shqiptar dhe gjuhën e tij hyjnore.Muaji nëntor është muaji i dy Kongreseve, që të dy Kongreset kanë hyrë në historinë e gjuhës shqipe si ngjarjet më të mëdha të shekullit të njëzetë, të cilët janë mbështetur thellë në tabanin kombëtar.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bexhet Asani

Qeveria e Kosovës niset drejt Elbasanit…

November 25, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/


-Në Elbasan në 26 Nëntor 2021 mbahet mbledhja e shtatë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës/ -Një shkrim imi në Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para mbledhjes së parë historike të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në 11 janar 2014 në Prizren…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 25 Nëntor 2021/ Qeveria e Kosovës nesër herët në mëngjes niset drejt Elbasanit për mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë.Të premten, më 26.11.2021 në Elbasan, do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, bëhet e ditur në Tiranë e Prishtinë.Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës mbajnë mbledhjen e shtatë të përbashkët në Elbasan në 26 Nëntor 2021, pas të gjashtës në Tiranë në 2 Tetor 2020.Më parë, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë në 26 Nëntor 2018 në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 Janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 Mars 2015 , të tretës në 3 Qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës të zhvilluar në 27 Nëntor 2017 në Korçë.NGA ARKIVI- SHKRIM PARA MBLEDHJES SË PARË HISTORIKE TË QEVERIVE KOSOVË-SHQIPËRI NË PRIZREN MBAJTUR NE 11 JANAR 2014: Udhëtimi për në Prizren….
PRISHTINË, 10 Janar /ATSH-Behlul Jashari/.- “Udhëtimi për në Prizren”, ishte reportazhi që kam shkruar në fundvitin 1996, në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt “Mollës së Kuqe”, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, shkoi edhe në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ndodhte diç e ngjashme me takimin e parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në 11 janar 2014 pikërisht në Prizren.Ai reportazh është botuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, në 31 dhjetor 1996, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip.Në të dy anët e kufirit që i ndante shqiptarët që edhe e kishin të ndaluar ta kalojnë, madje edhe t’i afrohen, janë botuar edhe shkrimet tjera në këtë “udhëtim” titujve nëpër vite e nëpër kohë.Ishte koha kur mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si titullohej shkrimi që u botua në 19 mars 1996.“Sa afër e sa larg Shqipëria” thoshte titulli i shkrimit të asaj kohe, botuar në 11 gusht 1996.“Në robëri pritet veç festa e lirisë”, ishin raportimet e ATSH nga Kosova të asaj kohe, që nga maji 1992 nga korrespondenti në Prishtinë, në fundivitet e para 1999-ës, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave e gjenocidit kundër shqiptarëve.Ishte koha e pragluftës dhe e luftës, e sulmeve me “Bomba edhe mbi fëmijët shqiptarë”, që i raportoja me këtë titull në shkrimin e botuar në 5 maj 1996.Por, ishte edhe kohë me “Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet” (titull shkrimi i botuar në 5 janar 1997), sepse u bë “Kosova preokupim i vazhdueshëm ndërkombëtar” siç thoja në titullin e shkrimit të botuar që në 6 korrik 1996.Ishte “Vija amerikane në Kosovë mbrojtëse e interesave në rajon” që e raportoja me këtë titull në shkrimin e botuar në 8 korrik 1995.“SHBA-të udhëheqëse e ndërmjetësuese në çështjen e Kosovës”, ishte titull shkrimi botuar në 10 gusht 1996.“Lajmi i ardhmërisë: Kosova e lirë” ishte titulli i shkrimit botuar në 12 shkurt, 1998, pikërisht 1 vit e 4 muaj para 12 qershorit 1999, kur herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin nga ana e Maqedonisë në orën 05 e 17 minuta (të nesërmen nga ana e Shqipërisë) raportoja për ATSH-në se “në Kosovë po ndodhë liria”.Në vendin e lirë, që shpalli edhe pavarësinë në 17 shkurtin historik 2008, një prej shumë shkrimeve ka titullin “Kosova e komuniteteve të barabarta” botuar në 20 maj 2001.“Kosova e pavarur – e drejtë dhe kompromis i shqiptarëve”, ishte qëndrimi i përsëritur shumë e shumë herë nëpër vite, para, gjatë e pas lufte, dhe ky ishte dhe titulli i shkrimit botuar në 2 korrik 1997.Ishin vite udhëtimi edhe drejt ditës së 11 janarit 2014 për në Prizren. “Ecim kah një mrekulli”, ëshë titulli i librit që kam botuar në 1973 te Rilindja në Prishtinë për mrekullinë e lirisë së Kosovës që e ëndërronim. E ajo ishte “E teta mrekulli” sipas titullit të vjershës, të cilën e hoqi censura nga libri…Megjithate, titulli i librit i dalë nga ajo vjershë mbeti në ballinë, dhe gjejë edhe sot në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, ku janë edhe titujt e shkrimeve gazetareske që përmenda dhe të tjerë.Si edhe Shqipëria, edhe Kosova e lirë dhe e pavrur është mrekullia, arritja historike e shqiptarëve në “udhëtim për në Prizren”, ku në ditën hitorike të 11 janarit 2014 qeveritë e dy shteteve në mbledhjen e përbashkët do të bisedojnë edhe për avancimin e axhendave integruese të dy vendeve edhe në udhëtimin për në Bruksel, drejt Bashkimit Evropian./a.g/

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Behlul Jashari

Pse Amerika ka nevojë për Ditën e Falënderimeve

November 25, 2021 by s p

Ese nga Rafael Floqi

Amerika ka kaluar një kohë të vështirë. Me një zgjedhje elektorale kombëtare që ndau miqtë dhe familjen, na ndau edhe mes nesh, na ndau edhe ne shqiptaro- amerikanëve  dhe pushtoi median tonë këtu dhe në Atdhe. Ne si amerikanë kemi qenë të dehur me retorikë helmuese dhe tubime toksike në rrugë, gjithë këtë kohë që çuan në më shumë ndarje, lëndime dhe madje edhe vdekje. Ndaj sot më  shumë se kurrë kemi nevojë për (Thanksgiving), -Ditën e Falënderimeve. 

Amerikanët e panë në mënyrë të tmerrshme vrasjen e George Floyd nga një oficer policie në Minneapolis dhe thanë se ne nuk do ta pranojmë më atë situatë.  Nga ana tjetër pandemia,  gjer tani 775,000 njerëz kanë vdekur nga Covid-19 në Amerikë. Mbi 47 milionë prej nesh kanë qenë të sëmurë. Familjet që kanë varrosur të dashurit nuk kanë nevojë të bindin për realitetet e Covid-19. Amerikanët që kanë kaluar javë në njësitë e kujdesit intensiv spitalor e dinë se janë me fat që janë gjallë. Sidoqoftë, në mes të makthit pandemik të Amerikës, amerikanët kanë debatuar me njëri-tjetrin për vaksinat, maskat, mbylljen e shkollave dhe bizneseve. Ne kemi parë që bizneset tona të vuajnë. Financat e qeverisë sonë janë tendosur më tej për të furnizuar para për të dëmtuarit e të papunëve. Qeveria vetëm ka prerë para duke ia kaluar barrën e borxhit brezave që vijnë.  

Amerikanët e panë të tmerruar largimin tonë nga Afganistani. U grindëm mes veti se si duhej të ishim larguar, për kohën e nisjes dhe nëse duhej të largoheshim apo jo fare. Ne po vazhdojmë të luftojmë me racizmin në Amerikë. Njerëzit që e kanë përjetuar e dinë realitetin. Në të gjitha nivelet e shoqërisë ne duhet të ngrihemi mbi çdo fjalë apo veprim që denigron të tjerët. Media i fryjnë zjarrit të përçarjes. Kujto reagimet e fundit pas gjyqit të Kyle Rittenhouse  në Kenosha dhe tragjedinë e vrasjeve gjatë paradës së Krishtlindjeve në Waukesha, të kuptosh se racizmi nuk është shkaku, por mjeti me të cilin e majta kërkon të mbajë pushtetin. 

Njëzet e një vjet e disa ditë më parë, Ronald Reagan ftoi votuesit të gjykojnë Presidentin Jimmy Carter, sipas një standardi të thjeshtë, sapo të hynë në qendrat e votimit: “Pyesni veten: A jeni më mirë sot se sa ishit katër vjet më parë?” 

Testi Biden i Ditës së Falënderimeve 

Ndërsa dy javë më parë, duke përfunduar një udhëtim në Evropë pas as edhe një vit që nga marrja e detyrës, Presidenti Biden sugjeroi një version të përditësuar të asaj pyetjeje të famshme, duke inkurajuar amerikanët që e gjykojnë atë, e të krahasonin Ditën e Falënderimeve 2021 me Ditën e Falënderimeve 2020. “Këtë Ditën e Falënderimeve ne jemi të gjithë në një rrethanë shumë të ndryshme, gjërat janë shumë më mirë,” u tha ai gazetarëve në një konferencë shtypi në Glasgou, Skoci. A do ta këmbente dikush “aq keq sa janë gjërat, për sa i përket çmimeve që dëmtojnë familjet tani, këtë Ditë Falënderimesh për Falënderimet e fundit”, tha ai.  Por realiteti është ndryshe dhe administrata jeton në flluskën e saj.

Rezultatet e zgjedhjeve të së 2 Nëntorit sugjerojnë se votuesit nuk mendojnë se ata janë në të vërtetë më mirë rreth nëntë muaj në presidencën e Biden. Në Virxhinia, të cilën Biden e mbajti me 10 pikë vitin e kaluar, votuesit e bënë Glenn Youngkin guvernator, republikanin e parë që fiton në mbarë vendin që nga viti 2009. or tronditësi i vërtetë është në Nju Xhersi të supozuar të sigurt, ku guvernatori aktual Phil Murphy (D) mezi fitoi ndaj Republikanit Jack Ciattarelli. Përpara se të shpalleshin rezultatet, Biden hodhi poshtë idenë se paraqitja e tij në sondazhet e opinionit publik dhe gjendja e agjendës së tij të brendshme në Kongres kishte “ndonjë ndikim real” në Virxhinia.  

Zhgënjimi i votuesve është një forcë e fuqishme politike. Pra, cila është përgjigja? Çfarë na kthen te testi i Bidenit: A do ta shkëmbenin amerikanët Ditën e Falënderimeve 2021 me Ditën e Falënderimeve 2020 kur bëhet fjalë për pandeminë? Trump apo Bajden?

Pandemia  

Ndoshta faktori më i madh në një përgjigje “jo” këtu është se në nëntor 2020 vendi u përball me rritje të rasteve dhe vdekjeve pa përfitimin e një vaksine të lirë, gjerësisht të disponueshme dhe efektive kundër koronavirusit. Në vitin 2021, amerikanët që nuk i janë nënshtruar injeksionit përbënin një pjesë dërrmuese të njerëzve që u sëmurën rëndë nga sëmundja, u shtruan në spital dhe vdiqën. Ndoshta klisheja më e madhe për Covid-in e vitit është se vendi po kalon një “pandemi të të pavaksinuarve”. 

Ekonomia 

Kjo kërkon shumë analizë të zërave të ndryshëm . A do të thotë punë? Inflacioni? Ndërprerje të zinxhirit të furnizimit? Pagat? Nëse po flasim për rritjen e vendeve të punës, përgjigja ka shumë të ngjarë të jetë “jo”, edhe pas disa muajsh thellësisht zhgënjyes, që përkojnë me variantin Delta. Nga shkurti deri në shtator, ekonomia amerikane krijoi rreth 4.7 milionë vende pune. Janë ende të me pak se 5 milionë vende pune nga para pandemisë. Në nëntor 2020, shkalla e papunësisë ra nga 6.9 përqind në 6.7 përqind. Në shtator 2021, ajo ra nga 5.2 përqind në 4.8 përqind. Megjithatë, është një pamje e ndërlikuar. Një numër rekord i amerikanëve po lënë punën e tyre dhe sindikatat në sektorë të ndryshëm ekonomikë në të gjithë vendin janë në grevë, ndërsa miliona punëtorë ulen në mënjanë duke kërkuar paga më të larta dhe përfitime më të mira – të gjitha simptomat e rritjes së levave të punës. Kjo na çon drejt rritjes së pagave dhe inflacionit. Çmimet e makinave të reja, makinave të përdorura dhe darkës së Falënderimeve me të gjitha aksesorët janë të gjitha në rritje. Shpenzimet e konsumatorëve janë rritur. AAA vendos çmimin mesatar të një gallon gazi në 3,401 dollarë. Një vit më parë, ishte 2,122 dollarë. Sa i përket ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit amerikan, të cilat janë kompetenca e sektorit privat dhe jo e presidentit, dimri 2021 mund të duket shumë si dimri 2020, me paketat që nuk arrijnë në adresat e tyre të Krishtlindjeve. 

Emigracioni dhe inflacioni

Shifrat mbeten të zymta. Kur Gallup pyeti në shtator nëse amerikanët ishin të kënaqur apo të pakënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat në Shtetet e Bashkuara, një 75 për qind thanë se ishin të pakënaqur. (Në nëntor 2020, ishte 76 përqind.) Një sondazh i ri i NBC News zbuloi se shtatë në 10 të rritur – dhe gati gjysma e demokratëve – thonë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar. Biden shpreson t’u japë atyre diçka për të cilën të jenë mirënjohës së shpejti. Po a mundet. Lirimi i rezervës kombëtare të karburanteve të vendit me 50 milion fuçi, duket si dhurata e fundit e presidentit, kur Amerika harxhon në ditë 19 milion fuçi është thjesht një sheqerkë. ( Pyetje që e bëri sekretaren e shtetit Jeniffer Grandholm , të stepet si një nxënëse e papërgatitur.)

Ne po vazhdojmë të kemi kriza të tjera që ndikojnë në vendin tonë. Njerëz që derdhen mbi kufirin amerikan jugor në mënyrë të paligjshme, (sipas Fox News në një raport nga terreni kanë filluar të vijnë dhe shqiptarë)  një epidemi e vazhdueshme droge, të pastrehë, kosto në rritje të trajtimit mjekësor dhe sigurimit, shkollime të papërballueshme për universitetin, strehim të papërballueshëm dhe sende ushqimore të papërballueshme dhe ndonjëherë të padisponueshme.

 Amerikanët tani po përballen me zjarrin e inflacionit në rritje. Ushqimet po bëhen edhe më të papërballueshme për amerikanët e varfër. Rregullimi i kostos së jetesës që vjen për pensionistët e Amerikës në janar, i cili raportohet të jetë 5.9 për qind, me të cilën mund të blejë një qese të vogël me sende ushqimore, ndoshta…

Të kujtojmë ditën e Falënderimeve. 

Në nëntor të vitit 1621, sipas History.com pasi korrja e parë e misrit nga pelegrinët rezultoi e suksesshme, guvernatori William Bradford organizoi një festë festive dhe ftoi një grup aleatësh amerikanë vendas të kolonisë së re, duke përfshirë shefin e Wampanoag Massasoit. Tani kujtohet si “Falënderimi i parë” i amerikanëve – megjithëse vetë pelegrinët mund të mos e kishin përdorur termin në atë kohë – festivali zgjati tre ditë.

Atë dimrin e parë brutal, shumica e kolonistëve mbetën në bordin e anijes Mayflower, ku vuajtën nga ekspozimi, skorbuti dhe shpërthimet e sëmundjeve ngjitëse. Vetëm gjysma e pasagjerëve dhe ekuipazhit origjinal të Mayflower jetuan për të parë pranverën e tyre të parë në New England. Në mars, kolonët e mbetur u zhvendosën në breg, ku morën një vizitë mahnitëse nga një anëtar i fisit Abenaki i cili i përshëndeti në anglisht.

Disa ditë më vonë, ai u kthye me një tjetër amerikan vendas, Squanto. Squanto u mësoi pelegrinëve, të dobësuar nga kequshqyerja dhe sëmundjet, se si të kultivonin misër, të nxirrnin lëngje nga pemët e panjave, të kapnin peshq në lumenj dhe të shmangnin bimët helmuese. Ai gjithashtu i ndihmoi kolonët të krijonin një aleancë me Wampanoag, një fis lokal, i cili do të duronte për më shumë se 50 vjet dhe tragjikisht mbetet një nga shembujt e vetëm të harmonisë midis kolonistëve evropianë dhe amerikanëve vendas.

Kolonët e hershëm që erdhën në Amerikë pësuan vështirësi që pak amerikanë mund t’i kuptojnë. Në mes të kaq shumë vdekjeve, sëmundjeve dhe urisë ata gjetën një mënyrë për të ndaluar dhe për të shprehur mirënjohjen. Miqësia dhe ndihma humanitare që u është dhënë atyre nga amerikanët vendas bie në sy se çfarë e bën me të vërtetë Amerikën të madhe. Të gjithë duhet të mësojmë nga Dita e parë e Falënderimeve. Këtë vit ndoshta ne të gjithë mund të gjejmë kohë për të qenë mirënjohës dhe për të bërë diçka për të ndihmuar njëri-tjetrin. 

Kur Presidenti Abraham Lincoln lëshoi shpalljen e tij të parë të Falënderimeve më 3 tetor 1863, mesazhi erdhi në mes të Luftës Civile. Mund të kishte qenë veçanërisht e vështirë për qytetarët që ta dëgjonin të shënonte se “[Që vitit që po i afrohet fundit, ka qenë i mbushur me bekimet e fushave pjellore dhe qiejve të shëndetshëm”, por megjithatë Lincoln përshkroi bujari dhe dhurata të hirshme, dhe përparimet në industri. Ai ftoi qytetarët “në çdo pjesë të Shteteve të Bashkuara, si dhe ata që ishin në  det dhe ata që në tokat e huaja”, t’i bashkoheshin atij në falënderimet e së enjten e fundit të nëntorit. Jo të gjithë ranë dakord, dhe sigurisht jo të gjithë morën pjesë, por një traditë e përvitshme filloi të përhapet qysh atëherë.

Domethënia shpirtërore e Ditës së Falënderimeve 

Kur bëhet fjalë për Ditën e Falënderimeve, i vihet shumë theks ushqimit, dhe me të drejtë. Midis gjelit të detit me lëng, pjatave të shijshme dhe ëmbëlsirave të ëmbla, ka shumë elementë të ngrënshëm për t’u përqendruar, në kuptimin e mirëfilltë të Ditës së Falënderimeve. Por është plotësisht e mundur të gjetur kohë për rikthimin e fokusit tek mirënjohja gjë që është gjithmonë një ide e mirë. Ndërsa kaloni rrugës gjatë ditës, përpiquni të gjeni kohë për të falënderuar për të mirat që ju kanë ardhur, si gjërat e mëdha ashtu edhe ato të vogla. Një mënyrë për ta bërë këtë është të lexoni një citim të Ditës së Falënderimeve – me zë të lartë ose me  vete – për të kapur kuptimin e vërtetë të festës. ( Reflektoni disi me sa zor  ne shqiptarët themi “Faleminderit”).

Pasi me kalimin e viteve, Dita e Falënderimeve është bërë sinonim i falënderimit (në fund të fundit është në emër!). Prandaj, sigurohuni që të kaloni një moment nga dita juaj e ngarkuar për të falënderuar dhe ndarë pak mirënjohje. Ato theksojnë rolin që mund të luajë mirënjohja në jetën tuaj – dhe jo vetëm për një ditë në vit. Edhe në kohët më të errëta, ka kaq shumë për të qenë mirënjohës Zotit dhe Njerëzve dhe Dita e Falënderimeve është një kujtesë e shkëlqyeshme për këtë.  E madhja Oprah Winfrey pat shkruar “Ji mirënjohës për atë që ke; e do të kesh më shumë. Nëse përqendrohesh në atë që nuk ke, kurrë nuk ke për të pasur mjaftueshëm.”  

Biden dhe Dita e Falënderimeve 

Deklarata e Presidentit Biden për Ditën e Falënderimeve vjen pas ndërgjegjësimit të kuptimit të zgjeruar historik dhe kulturor të miteve dhe historive tona themeluese, dhe në mes të një pandemie të vazhdueshme në një kohe të zhurmshme, përçarëse. Amerika ka kaluar një kohë të vështirë, ndoshta më mirë të themi, ne po kalojmë një kohë të vështirë. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë me dëshpërim për Ditën e Falënderimeve. 

Dhe këtë 25 nëntor, kur Joe Biden do të lexojë shpalljen e tij të parë të Falënderimeve si President i Shteteve të Bashkuara. Ajo do të jetë shpallja e 159-të radhazi e tillë. Gjatë viteve, toni i shpalljeve ka ndryshuar shumë, me disa presidentë që kanë shfrytëzuar mundësinë për të nxjerrë në pah – nën maskën e mirënjohjes – arritjet e tyre gjatë vitit. Të tjerët me deklarata që vinin nga zemra, të shkruara për të mbledhur shpirtrat gjatë kohëve të errëta. 

Mesazhi i tij këtë vit, në mes të ndjenjave tona të humbjes dhe pasigurisë, nuk mund të jetë një lloj ringrohje e fjalimeve të presidentëve të mëparshëm si gjellë të ftohta së shkuarës – as dhe një përzierje e gjelit të detit me ndjenjat e mbetura rreth tryezës. Biden duhet të ofrojë një mesazh uniteti. Sa do jetë në gjendje ta bëj këtë, është punë tjetër . 

Filed Under: Politike Tagged With: Rafail Floqi

Flamuri ynë Kuq e Zi

November 25, 2021 by s p

Dr. Sadik Elshani

Nëntori është muaji i Shqipërisë, muaji i shqiptarëve, muaji i flamurit. Sa herë që afrohet 28 Nëntori, mendja na fluturon te flamuri ynë Kuq e Zi, flamuri ynë i lyer me gjak që sjell në kujtesën tonë përpjekjet, luftërat dhe fitoret tona. Na sjell në kujtesën tonë Epokën e lavdishme të Skenderbeut që me shekuj mbajti gjallë qëndresën, shpirtin dhe identitetin tonë kombëtar. U valvit pa u përkulur kurrë nëpër dallgët e stuhitë e historisë dhe më 28 Nëntor të vitit 1912, Flamuri i Skenderbeut u ngrit në qiellin e Shqipërisë së saposhpallur shtet i pavarur. Vite më vonë mbi kokat e shqiponjës i vunë simbole të huaja ideologjike, por shqiponja nuk i duroi, i shporri se ia zinin frymën, ia zinin frymën Shqipërisë, popullit shqiptar. Shqiponja dhe shqiptari e duan vetëm lirinë dhe qiellin e kaltërt mbi kokat e tyre.

Për shqiptarët nuk ka simbol më të shenjtë se flamuri ynë. Është ky flamur që na priu nëpër beteja të përgjakshme shumëshekullore në përpjekjet e popullit tonë për liri e pavarësi. Për këtë flamur dhe nën hijen e këtij flamuri e kanë flijuar jetën e tyre bijat dhe bijtë më të mirë të kombit tonë. Është ky flamuri i lirisë që mishëron e pasqyron shpirtin e pastër, karakterin e fortë dhe vlerat e larta morale e njerëzore të kombit tonë. Është ky flamur i bukur e hijerëndë që rrezaton pastërtinë morale, dinjitetin, nderin e kombit tonë, sepse atë nuk e shemtojnë njollat e pushtimit të tokave të huaja, robërimit të popujve të tjerë. Flamuri ynë është vetëm flamuri i lirisë! Ështe ky flamur që i mban së bashku të gjithë shqiptarët dhe të gjitha trojet tona padrejtësisht të ndara. Është kjo shqiponjë që nën krahët e saj të fuqishëm, me një ngrohtësi prej nëne i mban së bashku të gjitha bijat dhe bijtë e saj kudo që ndodhen në botë. Kjo është forca magjike e padukshme e flamurit tonë! Këtë forcë e kam ndier, e kam përjetuar vetë që në moshë të njomë. Në femijërinë time, në Kosovë flamuri ynë ishte i ndaluar. E dinim si dukej flamuri ynë, e kishim parë nëpër librat e ndaluara, por kurrë nuk e kishim parë duke u valvitur para syve tanë. Por një ditë nëntori të vitit 1968 në qytetin tim te Suharekës (Therandës), nxënësit e gjimnazit, normales dhe qytetarët organizuan një parakalim, një demonstratë të fuqishme dhe ne ballë u printe Flamuri Ynë Kuq e Zi që ishte qëndisur fshehurazi. Organizator ishte studenti, Haxhi Bajraktari, i cili e kishte siguruar edhe flamurin.  Policia u mundua t’i ndalonte, por nuk ia doli dot. Që nga ajo ditë flamuri ynë u valvit i lirë ne qytetin tim dhe në tërë Kosovën. Ishte ajo ngjarja më e shënuar, dita me e lavdishme në jetën e qytetit tim dhe është ngulitur thellë në qenjen dhe kujtesën time. Ishte ajo ngjarje, ishte ai flamur që nga një femijë, më bëri burrë para kohe, më ngjalli krenarinë kombëtare, ma shtoi e ma thelloi edhe më tepër dashurinë për Shqipërinë, kombin tim, historinë tonë. Me shporri frikën dhe mbolli guximin në zemrën time të njomë. Flamuri ynë është flamur që të trimëron, të jep zemër, të jep guxim, të jep shpresë. Atë ditë nuk valvitej një copë pëlhurë, por valvitej Shqipëria, shqiptarizmi, krenaria jonë kombëtare. Po, ai flamur ishte vetë Shqipëria! Dhe atë ditë së bashku me gjimnazistët, normalistet marshonin edhe bijat e bijtë më të mirë të kombit tonë, fytyrat më të ndritura të kombit tonë. Të mbështjellur me flamur, ata kishin zbritur nga qielli i perjetësisë, kishin dalur nga faqet më të lavdishme të historisë sonë, nga rrëfimet e baballarëve tanë dhe u prinin rinisë sonë, u jepnin zemër, u shkrinë me ta dhe u bënë një, u bënë flamur. Si dikur në Vlorë, aty ishin edhe Ismail Qemali e Isa Boletini me trimat e tij. Shqiptarët tani ishin zgjuar nga gjumi i thellë, e kishin shporrur frikën, përbuzjen shekullore, i kishin ringjallur energjitë e tyre të fjetura. Lëvizja për lirinë e Kosovës tani kishte marrë hov dhe flamuri ynë na printe drejt cakut, qëllimit tonë përfundimtar – pavarësisë së Kosovës. Më në fund ajo ditë e shumëpritur, ajo ditë e bekuar arriti më 17 shkurt të vitit 2008 – plot dyzet vite pas Vitit të Madh 1968.

Marrëdhënja, afërsia e shqiptarit me flamurin, ndjenjat, dashuria e shqiptarit për flamurin janë diçka karakteristike dhe të paspjegueshme që fjalët nuk mund t’i shprehin aq lehtë, diçka që na dallon nga kombet tjera. Kuptohet, edhe popujt dhe vendet tjera e duan dhe e nderojnë flamurin e tyre, por asnjëri nuk përnjeëjtësohet (identifikohet) më tepër me flamurin sesa shqiptarët. Festa jonë kombëtare ka hyrë në kujtesën e popullit tonë si, “Dita e Flamurit”, ndersa himni ynë kombëtar është: “Rreth flamurit të përbashkuar”. Ai është bërë gjymtyrë, pjesë e qenjes, ndërgjegjes dhe kujtesës sonë kolektive si komb. Flamuri ynë është historia jonë e qëndisur në pëlhurë, aty është i shkruar rrugëtimi ynë nëpër shekuj si komb, aty janë të shkruara përpjekjet, luftërat dhe fitoret tona për liri e pavarësi. Populli ynë këngët më të bukura ia ka kushtuar flamurit, poetët tanë atij ia kanë kushtuar vargjet më të bukura: “O flamur gjak, o flamur shkabë”. Nga të gjitha kombet që njohim ne, shqiptarët janë të vetmit që fëmijve të tyre u vënë emrin: Flamur. Dhe tingëllon bukur! Tani flamuri nuk është vetëm një copë pëlhurë, por janë edhe zemrat që rrahin për kombin, atdheun, të ardhmen tonë.

Rreth flamurit tonë kombëtar të bashkohemi si shqiptarë e të mos përçahemi nga ideologjitë e huaja.Ta mbajmë gjithmonë të pastër e lart e më lart Flamurin e Shenjtë të Skenderbeut, flamurin e lirisë, flamurin e bashkimit kombëtar! Një komb, një flamur, një shtet i përbashkët për të gjithë shqiptarët!
Shqiptarë, kudo që jeni: Gëzuar Ditën e Flamurit!

Philadelphia, nëntor, 2021
Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT