• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

Tri arsye pse jam kundër ndërtimit të HEC Skavica

November 9, 2021 by s p

Nga Ferzileta Gjika*

New York, 4 nëntor 2021

Gjatë viteve të fundit, rezistenca e komunitetit dibran ndaj ndërtimit të digës së madhe të Skavicës, është intensifikuar dhe është bërë gjithnjë e me e koordinuar. Në disa rajone, si në Fushe-Alie, Luzni, Kastriot etj., rezistenca lokale është bërë më e organizuar dhe më efektive. Në fakt, forcimi i lidhjeve ndërlokale kontribuon në shpërndarjen e informacionit dhe burimeve njerëzore dhe materiale për të mbrojtur të drejtat e popullit dibran, me të drejta të plota  të banorëve vendas. 

Unë jam lindur dhe rritur në fshatin Fushë-Alie. Vendlindja ime rrezikohet të mbulohet me ujë nga hidrocentrali i Skavicës. Bashkë me to zhduken varret e të parëve tanë, kultura, historia dibrane dhe kombëtare , dinjiteti, tradita dhe e drejta humane për të pasur tokën dhe shtëpinë që ne trashëgojmë. Sot i bashkohem thirrjes “Po Dibra, Jo Skavica”, e cila është kundër ndërtimit të HEC Skavica dhe që do të jetë hidrocentrali më i madh, jo vetëm në Shqipëri por një nga hidrocentralet më të mëdha në Europë. 

Ndërkohë që SHBA ka ndaluar me ligj ndërtimin e hidrocentraleve të mëdha, siç është ai i Skavicës, dhe shteti federal merret vetëm me mirëmbajten e hidrocentraleve ekzistuese, është e pakuptueshme se si është përfshirë një kompanie amerikane në ndërtimin e HEC Skavica. Gjithashtu, ndërsa  Komisioni Europian, përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanit Perëndimor (WBIF),është tërhequr nga financimi i hidrocentralit, Bashkimi Europian dhe organizmat e saj nuk po kërkojnë ruajtjen standardeve mjedisore në këtë rast, ngjashëm me rastin e Lumit Vjosa.  

Cilat janë arsyet e ndërtimit të një hidrocentrali të madh në Shqipëri? A është kjo e vetmja rrugë për të siguruar energjinë elektrike në vend?

Energjia hidroelektrike ka qenë një burim i zhvillimit në shumë vende europiane dhe ende përfaqëson një pjesë të madhe të pjesës energjetike të rajonit. Por, a është kjo alternativa më e mirë për shqiptarët dhe aq më tepër për popullin e Dibrës? 

Në përgjigje të vendimit të fundit të qeverisë shqiptare për të ndërtuar digën më të madhe në vend në rajonin e Dibrës, e njohur si diga e Skavicës, po shpjegoj se çfarë do të thotë të vazhdosh të nënshkruash kontrata ndërtimi për digat e mëdha në Shqipëri dhe konkretisht në Dibër. 

Ajo që vijon janë tri arsye pse duhet t’u themi “jo” digave më të mëdha:

1. Sot ekzistojnë alternativa më të mira sesa ndërtimi i hidrocentralit të madh të Skavicës dhe duhet të merren parasysh në planifikimin e projektit. 

Përpara se të zgjedhë një burim alternativ energjie, qeveria shqiptare duhet të hartojë një plan strategjik që analizon nevojat për energji dhe mënyrën më të mirë për t’i arritur ato. Në këtë analizë, duhet të merren parasysh të gjitha opsionet. Është shqetësuese që kjo nuk ndodh tashmë.

Për shembull, në rastin e digës së Skavicës, që mendohet të jetë më e madhja në Shqipëri dhe kështu sjell dëmtime serioze sociale dhe mjedisore, qeveria shqiptare ka vendosur të mos kryejë një vlerësim paraprak të alternativave. Edhe pse ligjet mjedisore ekzistojnë dhe vlerësimi është rekomanduar nga ekspertë të shkencës, gjeologjisë dhe mjedisit. Ky hidrocentral ka më shumë efekte negative sesa përfitime. Qeveria shqiptare nuk ka marrë parasysh asnjë nga këto rekomandime. Diskutime dhe analiza të mirëfillta janë një standard ndërkombëtar që institucionet e mëdha financiare duhet ta zbatojnë kur investojnë në projekte të këtij lloji.

Burimet e tjera të energjisë – që vijnë nga era dhe dielli – janë provuar të jenë ekonomikisht konkuruese, mund të ndërtohen më shpejt dhe nuk përkeqësojnë klimën në vend. Sasia e energjisë elektrike e prodhuar nga era është rritur me shpejtësi vitet e fundit, kjo falë avancimit të teknologjisë, e cila ka ndikuar në uljen e kostos së prodhimit të energjisë elektrike nga era. Në të njëjtën kohë, prodhimi i energjisë nga era është inkurajuar, pasi rrit përfitimet tatimore shtetërore dhe federale për zhvillimin e energjisë së rinovueshme në vend.  Shumë kompani private sot ofrojnë opsione të “çmimeve të gjelbra”  që u jep mundësi klientëve për të blerë energjinë nga burime të rinovueshme, siç është era. Turbinat me erë nuk ndikojnë në ndotjen e ajrit ose të ujit, sepse nuk digjet karburant për të prodhuar energji elektrike.  Janë shqetësuese emetimet e gazit serë në atmosferë, që vjen nga gjenerimi i lëndëve djegëse fosile dhe rritja e emetimit të metanit si rrjedhojë e ndërtimit dhe ekzistencës së hidrocentraleve.

Energjia diellore që vë në përdorim panelet diellore, vjen nga qendra e diellit dhe çliron energji në formën e rrezeve diellore. Sipas studimeve shkencore, më shumë energji nga dielli bie në tokë në një orë sesa përdoret nga e gjithë bota në një vit.  Teknologjia e përdorimit të paneleve diellor shndërrojnë rrezet e diellit në energji të përdorshme për konsumatorët. Procesi i shndërrimit të dritës (fotoneve) në energji elektrike (tension) quhet efekti PV, teknologji e cila përdor fotone të dritës diellore për të goditur silikonin gjysmëpërçues për të prodhuar energji elektrike. Shumë kompani të energjisë elektrike përdorin PV teknologji për të rritur fuqinë e prodhimit të energjisë elektrike.  Sistemet e PV konsiderohen si mënyra më e mirë dhe eficente për prodhimin e energjisë së rinovueshme për shkak të disponueshmërisë së bollshme për një kohë të gjatë të energjisë diellore falas (si lëndë e parë) në sipërfaqen e tokës. 

Inovacionet në fushën e teknologjisë, po përqendrohen në mënyre aktive për materialet që kanë një efikasitet të lartë në prodhimin dhe ruajtjen e energjisë, teknologji inverter për konvertimin efikas të rrymës direkte në rrymën alternative, si dhe teknologjinë e baterive për sistemet e ruajtjes së energjisë më sistem PV (panel diellor) në shkallë të gjerë.  Promovimi i politikave të sistemit PV (panel diellor) nga qeveria shqiptare, inkurajojnë zhvillimin e tregjeve të PV me potencial të lartë. 

Energjia gjeotermale e baticës dhe e valës janë alternativa, potencialin e të cilave as që e kemi parë.

Promovimi i digave të mëdha vetëm vonon miratimin e zgjidhjeve të vërteta të energjisë së pastër, për të cilat Shqipëria dhe planeti kanë nevojë në mënyre urgjente.  Shqipëria ka sasinë më të madhe dhe burimet më të larmishme të energjisë së rinovueshme në Europë. Burimet e rinovueshme të rajonit mund të sigurojnë pothuajse shtatë herë kapacitetin e instaluar në Europë, duke përjashtuar energjinë hidroelektrike.

Megjithëse rajoni i Dibrës ka ende një potencial të madh për hidrocentrale të pashfrytëzuara, është e nevojshme të bëhet një vlerësim gjithëpërfshirës i situatës, duke marrë parasysh kostot dhe përfitimet në krahasim me opsionet e tjera të energjisë. Qeveria duhet të ulet në një tryezë të rrumbullakët me të gjithë palët e interesuara, edhe dibranët, identiteti, historia, kultura dhe shtëpitë e trojet e të cilëve rrezikohen të zhduken përgjithmonë. Të gjithë palët e interesuara duhet të vendosin nëse ia vlen të vazhdohet të investohet në hidrocentrale, apo nëse është më mirë të zgjedhësh lloje të tjera të energjisë – duke shmangur kështu ndikimet sociale, mjedisore dhe financiare që vijnë nga digat e mëdha.

2. Digat e mëdha që shkaktojnë dëme sociale dhe mjedisore nuk janë fitimprurëse.

Digat hidroelektrike në shkallë të gjerë kanë pasur – gjatë gjithë historisë së tyre – ndikime negative në grupet e popullsisë vendase, burimet natyrore dhe ekosistemet e tëra, duke çuar më tej rezistencën dhe protestën kundër tyre. Debati mbi digat e mëdha ndërlikohet më tej në vendet si Shqipëria, ku digat e mëdha kërkohen të përdoren si simbole të fuqishme të krenarisë kombëtare dhe nderohen si dëshmi e përparimit të një kombi, apo përkushtimit ndaj modernizimit. Për mua, digat e mëdha janë struktura betoni dhe shkëmbore që prodhojnë energji elektrike duke ruajtur ujin, rrezikojnë fqinjët me përmbytje dhe zhvendosin apo zhdukin komunitetet apo vendbanuesit. Megjithëse qeveria e sheh ndërtimin e digës së madhe së Sakavicës si monument të përparimit, unë e shoh si monument të korrupsionit politik kombëtar e ndërkombëtar, si dhe të pabarazisë sociale. 

Është demonstruar në mënyrë të përsëritur se ndikimet sociale dhe mjedisore të hidrocentraleve janë më të mëdha se sa u menduan fillimisht. Përveç zhvendosjes së detyruar të popullsisë dhe kriminalizimit të atyre që i kundërshtojnë, digat e mëdha përmbytin tokat, zvogëlojnë rrjedhat e lumenjve dhe ndryshojnë ekosistemet e rajoneve fqinje, duke shkatërruar habitatet dhe duke kontribuar në zhdukjen e specieve. E gjithë kjo ndikon në jetën ekonomike, sociale, klimatike dhe mjedisit të komunitetit të Dibrës dhe të komuniteteve përreth, duke kufizuar aftësinë e tyre për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike, që vijnë si rrjedhojë e hidrocentralit të ndërtuar përbri. 

 Në aspektin ekonomik kostot aktuale të ndërtimit të digave të mëdha janë shumë të lartë për të dhëne një përfitim pozitiv. Buxhetet dhe afatet kohore të projekteve të mëdha të digave janë vazhdimisht të nënvlerësuara ose kanë një kosto të fshehur që nuk dihet. Mirëmbajta e digave të mëdha, po ashtu kërkon një investim trefish në krahasim me koston që e ndërton. 

Duke pranuar se kostot janë shumë më të mëdha se përfitimet, shumë vende europiane kanë zgjedhur të çmontojnë diga të mëdha. Kompanitë private i kanë hequr tërësisht projektet hidroelektrike, sepse nuk janë as ekonomikisht të qëndrueshme dhe as fitimprurëse. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka miratuar një politikë për të refuzuar çdo hua, donacion, strategji ose politikë që mbështet ndërtimin e digave të mëdha. Shteti federal merret vetëm me mirëmbajten e digave ekzistuese.

Që nga viti 1990, në SHBA janë çmontuar mbi 1700 diga të mëdha. Sipas Komisionit Botëror rë Digave (The World Commission on Dams) 1) një digë quhet e madhe kur lartësia e saj është mbi 15 metra mbi themelin ose rezervuari i saj është më shumë se 3 milionë metër kub. Vetëm heqja e katër digave  në lumin Klamath në Kaliforni do të kushtojë 450 milionë dollarë, afërsisht sa shuma që planifikohet të ndërtohet Skavica.

3. Digat e mëdha kontribuojnë në ndryshimet klimatike.

Ndryshimet klimatike duhet të merren parasysh kur diskutohet rëndësia e hidrocentralit. Rezervuarët gjenerojnë sasi të konsiderueshme (1.3% nga njerëzimi) të efektit serë, veçanërisht metanin, i cili është 30 herë më efektiv në kapjen e nxehtësisë sesa dioksidi i karbonit. Po kështu, ndërtimi i digave rrezikon shtime të vlefshme të sasisë së karbonit. Për këtë arsye, duhet të bëhet një analizë e duhur e emetimeve të dioksidit të karbonit dhe metanit, përpara se të zgjidhet një projekt dige – një proces që zakonisht nuk ndodh.

Një aspekt tjetër për t’u marrë parasysh është që ndërtimi i digave të mëdha kontribuon në ndryshime klimatike të pakthyera. Reshjet ekstreme rritin sedimentimin, i cili mund të shkaktojë probleme strukturore dhe të zvogëlojë jetëgjatësinë e digës. Thatësirat, tani gjithnjë e më të shpeshta, mund t’i bëjnë digat joefikase. 

Akoma më serioze është kërcënimi i digave të mëdha në rastet e motit ekstrem. Ne duhet të rimendojmë se si do të trajtohen evakuimet masive kur shirat e dendur kërcënojnë një shembje dige dhe përmbytje të pashmangshme. Keqmenaxhimi i  mundshëm i digave të mëdha, si diga e Skavicës, mund të shkaktojë përmbytje të paprecedentë. Për këtë arsye, ndërtimi i një dige të madhe si diga e Skavicës në Dibër, rrit rrezikun e tejmbushjes, shembjes së digës dhe duhet njohur si një problem serioz. Me kalimin e kohës, diga e madhe si Skavicës mund do të fillojë të përkeqësohet dhe do të kërkojë investime të mëdha për të mbrojtur komunitetet që jetojnë në rrjedhën e poshtme.

Shqiptarët në New York, kanë hartuar një peticion, ku bëjnë thirrje institucioneve financiare në Shqipëri të mbështesin ndryshimin që ne, si qark i Dibrës, kemi nevojë. Ne u bëjmë thirrje atyre të ndalojnë investimin në diga të mëdha, të cilat janë demonstruar herë pas here se janë të rrezikshme për mjedisin dhe komunitetet lokale, të kushtueshme për vendet dhe të papërshtatshme për klimën tonë, që po ndryshon me shpejtësi, si dhe një vend i paqëndrueshëm nga ana e tërmeteve sizmike. 

Është koha për një plan më të mirë energjie. Dhe është koha për të investuar në energjinë e rinovueshme, jokonvencionale, bazuar në vlerësime të plota, të pavarura dhe me cilësi të lartë të ndikimit social dhe mjedisor, planifikimi dhe zbatimi i të cilave respekton të drejtat e njeriut. 

*Autorja, Ferzileta Gjika eshte kandidate per doktore te shkencave ne Graduate Center City University of New York. Actualisht ajo mban titullin Adjunct Assistant Professor po prane CUNY (Universiteti i qytetit te New York). 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ferzileta Gjika

“VESHJA E NUSËNISË KRAJANE” PROMOVOHET NË VATËR MË 16 NËNTOR 2021

November 8, 2021 by s p

Sokol Paja/

Të Martën më 16 Nëntor 2021, në orën 6.00 pm, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” në New York, organizohet promovimi i librit “VESHJA E NUSËNISË KRAJANE” i studiuesit Hamid Alaj. Libri është një studim për veshjet tradicionale të zonës së Krajës. Veshjet kombëtare e tradicionale vishen për të shfaqur identitetin kombëtar dhe atë kulturor të një populli. Ato përveç që përfaqësojnë një komb në tërësi, herë përfaqësojnë edhe një trevë apo një zonë të vogël rajonale, nëpër periudha të ndryshme kohore. Njëra nga karakteristikat kryesore të një treve, krahine, madje edhe të një kombi, pa dyshim se është edhe veshja si pjesë e kulturës popullore. Njëjtë është edhe për trevën e Krajës, e cila karakterizohet me anë të veshjes së nuses krajane. Ato mund të jenë të ndryshme po aq sa janë të ndryshëm edhe njerëzit që i bartin ato. Veshjet popullore janë zhvilluar dhe kanë ndryshuar vazhdimisht nga një epokë në tjetrën. Ky zhvillim i veshjes është bërë në varësi të kushteve konkrete historike, ekonomike dhe shoqërore në të cilën ka jetuar një komunitet. Andaj edhe veshja e nusënisë krajane është një burim shumë i pasur që na ndihmon në studimin e mëtejshëm të entitetit të popullit të Krajës, në periudha të ndryshme historike. Ftohet i gjithë komuniteti shqiptar të marrë pjesë.

Filed Under: Vatra Tagged With: Hamid Alaj

BASHKËSIA DUHET TË SHMANGË HUMBJEN E POLONISË

November 8, 2021 by s p

Nga DANILO TAINO

“Corriere della Sera”, 29 tetor 2021       E përktheu: Eugjen Merlika     

Mos t’a humbasim Poloninë. E mos t’a nënvleftësojmë. Që kur ka hyrë në BE – në majin 2004 së bashku me Vëndet e tjera, një kohë në orbitën e perandorisë sovjetike – e kemi lënë mbas dore, madje e kemi shpërfillur: a thua se ai që arrinte në klubin e pasur të Perëndimit nga një përvojë diktature dramatike kishte më pak tituj për t’u vlerësuar në tryezën e Brukselit e në dhomat e kançelarive evropiane. Sot, papritmas, e gjejmë në qëndër të interest të parlamentit, të Komisionit, të Këshillit evropian, të qeverive, të mediave.

Polonia është protagoniste e një krize të re në BE. Të ndëshkohet Varshava apo të bisedohet, është alternativa mbi të cilën po ndahen të Njëzeteshtatët. Përpara është një shteg i ngushtë. Grindja është e njohur. Qeveria kombëtariste polake është paditur se ka minuar pavarësinë e sistemit ligjor, se nuk respekton Shtetin e së drejtës, pra është jashtë rregullave t’atyre që kanë hyrë në BE. Si përgjigje Gjykata Kushtetuese e Varshavës ka pohuar mbizotërimin e normave kombëtare mbi ato të bashkësisë. Si pasojë Gjykata e Drejtësisë e BE ka gjobitur me një milion në ditë Poloninë, ndërsa shumica e Parlamentit evropian dhe disa qeveri propozojnë të sanksionohet: proçedurë shkeljeje për dhunim të Shtetit të së drejtës dhe pezullim të fondeve evropiane, përfshirë ndoshta edhe 36 miliardë të Recovery Fund, deri sa masat të quajtura iliberale të tërhiqen. Angela Merkel dhe të tjerë drejtues ndërkaq ftojnë për të biseduar, për të kërkuar një ndërmjetësim. Kançelarja gjermane ka thënë se ligji i BE duhet respektuar, por duhet kuptuar “shumë mirë” çështja e identitetit kombëtar për një Vënd që ka jetuar nën diktaturën komuniste të fqinjit sovjetik për dyzet vite. E që në histori – duhet të kujtohet – ka parë të ndryshohet gjeografinë e saj nëpërmjet dorës së armatosur – dhe për marrëveshje pak a shumë të fshehta – nga Moska e Berlini. 

Që demokracia dhe pavarësia e gjykatësve duhen respektuar nga ata që hyjnë në BE është një rregull themelore. Përveç se juridike, çështja është politike: duhet të parashikohen se cilat do të ishin pasojat e masave të dënimit kundër Varshavës, të pazbatuara ndonjëherë më parë. Disa vëzhgues flasin për rrezik “Polexit”, pra të hapjes së një udhe që mund të çonte në daljen e Polonisë nga BE. Jo me gjasë, por as për t’u përjashtuar nëse gjëndja do të rrëshqiste nga duart (edhe për mungesën jo të parëndësishme në Këshillat e Evropës të ndërmjetëses Merkel, në dalje mbas pak javësh). Vënia me shpatulla mbas muri të qeverisë së Varshavës – “na bëni kërkesa me një revole të mbështetur mbi kokën tonë”, ka thënë kryeministri polak Moraviecki – do të krijonte një prishje të një kohe të gjatë, dramatike jo vetëm për Poloninë: do të kthente përmbys një pjesë të madhe të Lindjes evropiane dhe do të ndryshonte edhe pjesë të ADN së BE.

Politika kombëtariste dhe iliberale nuk janë çuar përpara vetëm nga qeveria polake: edhe Hungaria e Viktor Orbanit dhe Sllovenia e Janez Janša-s lëvizin në drejtime të ngjajshme, madje dhe Rumania është nën vëzhgim në Bruksel. Në përgjithësi, në Lindjen e Evropës bindjet demokratike të Perëndimit të kontinentit janë më pak të rrënjosura në disa pjesë të popullsisë. Edhe në Gjermani, në Landert lindorë pjesë të bllokut sovjetik deri më 1989, e djathta skajore e Alternativës për Gjermaninë gjen miratime mbi 20 % e në disa zona është partia m’e madhe. Me fjalë të tjera ka një çështje të Lindjes evropiane, që për vite të tëra është fshehur nën qilim, e së cilës kriza polake mund t’i japë një përmasë politike dhe aktualiteti. Kjo është pjesërisht e shpjegueshme me të kaluarën që përmend Merkeli, me vitet e diktaturës të pësuar nga vepra e Moskës. Zgjerimi i BE në 2004 qe pak “i përzemërt” kundrejt këtyre Vëndeve, pothuajse të pranuar sepse nuk mund të bëhej ndryshe, por kurrë të vlerësuar me të vërtetë e pak të dëgjuar. Janë mjaft qytetarët evropianë lindorë që mendojnë se kanë kaluar nga perandoria sovjetike tek ajo e BE. Nuk është e vërtetë por kështu përceptohet: një Perde Hekuri jo lëndore por shoqkulturore  e pa rënë kurrë.

Këtë ndjenjë ndoshta e ka shpjeguar më mirë se kushdo tjetër Ivan Krastev, kryetari i Qëndrës për strategjitë liberale të Sofies. Simbas tij, nga Vitet Nëntëdhjetë e mbrapa, banorëve të Lindjes u është thënë vetëm të imitojnë Perëndimin, me përfundimin që t’i bëjnë të jetojnë në një gjëndje pa-aftësie dhe prapambetjeje. “imituesit nuk janë kurrë njerëz të lumtur – ka shkruar – Nuk zotërojnë kurrë suksesin e tyre, zotërojnë vetëm dështimet e tyre”. Ka pra, mbas krizës së Varshavës, një gjëndje pakënaqësie më të gjërë, një përfshirje të Vëndeve të Lindjes që Evropa me tërheqje perëndimore i ka ndihmuar pak, shpesh duke menduar vetëm për shtimin e fondeve evropianë, të cilët nuk janë gjë e pakët por nuk janë gjithshka. Është një ripohim i asaj praktike fakti që sot mendohet të çohet ligjshmëria evropiane në Poloni  duke e kërcënuar me përjashtimin e atyre fondeve. 

Mënyra se si qeveritë evropiane do t’a përballojnë “çështjen Varshava” e do                                                                                    orvaten t’a zgjidhin, për të mos e humbur Poloninë, do të ketë pasoja të thella për bashkësinë e BE, për marrëdhëniet ndërmjet Lindjes e Perëndimit e për të matur aftësinë përfshirëse që do të duhej të qëndronte në ADN e Bashkimit. Në të gjithë krizat ka edhe një voli.

“Corriere della Sera”, 29 tetor 2021       E përktheu: Eugjen Merlika                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

Jay Bartlett, nipi i Thomas Nasit pershendeti promovimin “Banda Kombetare VATRA- Nje histori unike shqiptaro-amerikane”

November 8, 2021 by s p

Kjo pershendetje eshte realizuar me rastin e promovimit te librit “Banda Kombetare VATRA”, nje histori unike shqiptaro-amerikane, i autorit Vasil S. Tole. Promovimi u organizua ne Akademine e Shkencave ne Tirane me 4 nentor 2021, ora 11.00 ne sallen Aleks Buda. Teksti i pershendetjes: “Quhem Jay Bartlett. Unë jam një nga shtatë nipërit e muzikantit, dirigjentit, kompozitorit dhe mësuesit të muzikës shqiptaro-amerikane Thomas Nasi dhe gruas së tij pedagoge muzike, Olympia Tsika. Me rastin e botimit të librit “Vatra – Banda muzikore e Vatrës, një histori unike shqiptaro-amerikane” nga profesor Vasil S. Tole, desha të ndaj me ju disa kujtime nga ana amerikane e historisë. Menjëherë pas kthimit nga Shqipëria dhe punës së tyre në mësimdhënie muzike dhe me grupin muzikor Vatra, siç përshkruhet nga profesor Tole, Tomi dhe Oli, siç i thërrisnim gjyshërit tanë, shkuan në Chatham dhe më pas në Orleans në Cape Cod, që është një zonë turistike në bregdetin e Masaçusets në SHBA Familja Nasi u bë e famshme në zonën e tyre në Cape Cod duke filluar nga vitet 1930, për inicimin e arsimit muzikor dhe ansamblet për shfaqje muzikore komunitare. Në shumë mënyra, përpjekjet e tyre ishin paralele me atë që ata ishin përpjekur të arrinin në Shqipëri gjatë viteve 1920. Gjatë gjithë jetës së tyre në Amerikë, familja Nasi mbajti lidhje të shumta me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe treguan një interes të vazhdueshëm për çështjet e vendit të tyre, Shqipërisë. Këtë na e përcollën edhe neve. Edhe pas daljes në pension nga sistemi arsimor publik, Tom dhe Oli vazhduan të jepnin mësim gjatë viteve 1960 për të rinjtë në Cape Cod në muzikë instrumentale. Neve nipërve, na dukej se të gjithë në Cape Cod i njihnin gjyshërit tanë, dhe ne vetë ishim thuajse të famshëm meqë na lidhnin me ta. Fëmijët Nasi, Alberti, Madeline (më pas emri i martesës Watt) dhe Carmen (më pas emri i martesës Bartlett – nëna ime), ishin të gjithë muzikantë të talentuar dhe anëtarë kryesorë të grupeve dhe orkestrave që prindërit e tyre themeluan në Massachusettin lindor. Alberti, ndoshta më i talentuari nga të tre, u shkëput përkohësisht nga studimet e tij për violinë në Kolegjin Rollins në Florida për t’iu bashkuar Forcave Ajrore të Ushtrisë Amerikane në Luftën e Dytë Botërore. Për fat të keq, ai u vra në betejë në vitin 1944. Motrat e tij mbetën muzikante amatore aktive për pjesën më të madhe të jetës së tyre. Të shtatë nipërit e familjeve Watt dhe Bartlett morën mësime nga Tom dhe Oli, pasi shkonin shpesh për vizitë te ta në Cape Cod, në vlerësim muzike dhe mësime për instrumente të ndryshme,. Asnjë prej nesh nuk u tregua aq i aftë sa nënat dhe gjyshërit tanë, por përfshirja jonë në muzikë na ka bërë të gjithëve adhurues të përjetshëm dhe na ka dhënë shumë kujtime të mrekullueshme familjare të veçanta në vlerësim muzike dhe shfaqje muzikore. Së fundi, dua të falënderoj profesor Tolen që mori përsipër të ruajë historinë e zhvillimit muzikor gjatë kësaj periudhe në Shqipëri. Shpresoj se do të kënaqeni duke lexuar rrëfimin e tij për këtë”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Jay Barrtlett

Vatra i jep një dimension të ri Diellit

November 8, 2021 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në përmbushje të misionit të saj historik, detyrimeve ndaj trashëgimisë shekullore, patriotike, kulturore e mediatike, në përgjigje të kërkesave të reja të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Kanadasë, me qëllim për të qenë sa më afër vatranëve, abonentëve dhe kërkesave të kohës që jetojmë ka filluar një proces transformimi me qëllim shtrirjen në të gjitha shtetet e Amerikës, Kanadasë e trojeve shqipfolëse, rritje të bashkëpunëtorëve, miqve të Vatrës e Diellit, shtimit të rubrikave në Diell dhe forcimin e medias më të vjetër në botën shqiptare Diellit, duke afruar gazetarë dhe ekspertë të medias si korrespondentë e bashkëpunëtorë të jashtëm. Për këtë qëllim Federata Panshqiptare e Amerikes Vatra emëroi editorin e gjuhës shqipe z.Sokol Paja si Kryeditor fuqiplotë të Diellit dhe ngarkoi që të udhëheqë me profesionalizem të lartë procesin transformues dhe kualitativ me qëllim që Dielli të vijë sa më i fuqishëm, sa më dinjitoz dhe në përgjigje të kërkesave të kohës që jetojmë, zhvillimeve teknologjike, fenomeneve socio-kulturore me qëllim e synim që Dielli të vazhdojë i sigurtë, i fortë dhe të ndriçojë përjetë botën shqiptare me rrezet e tij të arta.

Filed Under: Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT