• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

LIKUIDIMI I PARISË SË SHESTANIT

December 16, 2021 by s p

Dosja: Krimet e komunizmit

(75-vjetori i vrasjës së Lekë Macit Përkolaj)

Si në asnjë zonë e banuar me popullsi shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore(1941-1944), zona e  Shestanit në veri-perëndim të Krajës  kishte status neutral e udhëhequr nga Komiteti i Shestanit, në mbrojtje të popullsisë vendase, me qeverisje lokale, por me të përfunduar lufta e vendosjës së pushtetit të komunistëve, paria e zonës u burgos dhe u dënua me pushkatim duke i trajtuar ata  si armiq të pushtetit dhe të ideologjisë komuniste 

Nail  Draga

Ndër personalitetet më të njohura në Shestan në shek.XX, bën pjesë  Lekë Maci Përkolaj(1890-1046), i cili  ka lindur në vitin 1890 në Ndrekaj(sllavisht Karanikiq) në Shestanin Poshtë, në veri-perëndim të Krajës. Në sajë të kushteve të pavolitshme sociale, si shumë bashkëmoshatar të tij, mori rrugën e emigrimit në moshën 18 vjeçare, duke u vendosur në Stambollë, ku ma parë këtu ishte vendosur vëllau i tij Kola. Duhet cekur se në këtë kohë vendi me i preferuar për emigrimin e shqiptarëve  ishte Stambolla, vend ku ishin vendosur më parë edhe shumë banorë nga Shestani e tërë krahina e Krajës. Pas një kohe filloi të punojë në ambasadën e Francës  në Stambollë. Por, pas pesë viteve sa punoj aty Leka, në sajë të transferimit të ambasaorit francez në Tiranë(Shqipëri) ai e mori Lekën me vete, duke qenë pjesë e stafit të ambasadës. Leka dallohej me punë e korrektësi në shërbim, ndërsa përveç gjuhës shqipe e serbishte njihte edhe gjuhën franceze e ate spanjolle. Këtu punoi deri në vitin 1939, koha kur filloi Lufta e Dytë Botërore,kur Gjermania e pushtoi Francën, ndërsa ambasadori francez u largua nga Tirana dhe u vendos në Egjipt. Aty i ofroi mundësi edhe Lekës të jenë së bashku, por Leka e refuzoi sepse kishte vendosur të ishte pranë familjes dhe në vitin 1940, pas shumë viteve u rikthy në vendlindje në Shestan(Krajë).

Zona neutrale dhe Komiteti i Shestanit

Pas sulmit të Gjermanisë ndaj Mbretërisë së Jugosllavisë në prill 1941 dhe shkatërrimit të saj, populli i Shestanit në sajë të përvojës së hidhur nga e kaluara prej çetnikëve malazezo-serbë të njohur si “bjellashi” nga viti 1918-1929  të cilët vranë, djegën dhe  plaçkitën  popullsinë vendase vendosën të organizohen në vetëmbrojtje,  me qëllim që mos të përsëriten vuajtjet e tyre ma herët.

Pikërisht nga përvoja e hidhur  nga e kaluara populli i Shestanit, por edhe nga Muriqi e Ljarja në një tubim vendosën të shkojnë në Shkodër për të prezantuar shqetësimet e tyre, ku pushteti iu dha armë për mbrojtje e po ashtu u mbeshet idea për formimin e Zonës Neutrale të Shestanit, që u formu në fillim të vitit 1942, ku kryetar i së cilës u zgjodh Lekë Maci Përkolaj. Në kuadër të Komitetit të Shestanit çdo katund kishte përfaqësuesin e vet: 1.Lekë Përkolaj, kryetar, 2.Jakov Vresku, prif-sekretar, 3.Gjon Gjokmarkaj(Bardhaj-Gurrzë), 4.Maci Nikpalaj(Pecaj), 5.Gjon Malaj(Gjuraç), 6.Haxhi Murati(Muriq), 7.Isuf Osmani(Bes) dhe 8.Lekë Nilaj(Ljare). 

Kemi të bëjmë me periudhën 1941-1944, kohë e cila dëshmoi se statusi i zonës neutrale ka qenë pozitiv për Shestatin me qeverisje autonome lokale, sepse qytetarët nuk kanë qenë të rrezikuar nga gjendja e luftës e cila ishte në viset tjera, pa prani të fashistëve apo të partizanëve ku populli lëvizte lirishëm, kanë shkuar për tregti në Shkodër, e Tivar për furnizime me ushqime e çështje të tjera të nevojshme. Për të parën herë u hapën shkollat në gjuhën shqipe, në Dedaj mësues ishte Gjergj Vata ndërsa në Muriq Qazim Kraja. Ishte koha e  lirisë  së munguar dhe të  shpalosjës së identitetit kombëtar shqiptar.

C:\Users\123456\Desktop\Dokument për Krajën, Memorandumi i parisë së famullisë së Ljarës e Shestanit 1941\Komiteti i Shestanit dokumente\12A.jpg

Vula e Komitetit  dhe nënshkrimi i kryetarit Lekë Përkolaj

Në rrethan të tilla shoqërore, me 10 prill 1942 një delegacion i Komitetit të Shestanit shkon për vizitë në Tiranë të ministri i Punëve të Brendshme Maliq Bushati  dhe i paraqesin  Memorandumin nga paria dhe kleri i Famullisë së Ljarës dhe Shestanit i nënshkruar nga 13 persona që ishin paria e këtyre fshatrave. Kemi të bëjmë me kërkesa të ligjshme të popullsisë shqiptare të kësaj zone, të drejta të mohuara nga viti 1878, kur kjo zonë në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit iu dhurua Malit të Zi. Në këtë Memorandum prej tetë pikash  në mes tjerash kërkohet edhe bashkimi me Shqipërinë(VI). 

Ndonëse gjatë Luftës së Dytë Botërore nga komunistët për të përfituar mbeshteje popullore  kundër pushtuesëve theksohej se si të  përfundoj  lufta do të lejohet deklarimi i lirë i qytetarëve se me cilin vend do të bashkohën. Madje një ide e tillë garantohej  edhe nga  Karta e Atlantikut,  por realiteti dëshmoj të kundërtën sepse të gjithë ata që kërkonin realizimin e idesë së tillë akuzoheshin  dhe janë ndjekur si armiq të pushtetit komunist. 

Burgosja dhe dënimi

Se pushtetit të ri i pëngonin  personat me autoritët e në veçanti paria e Komitetit të Shestanit  u dëshmu   me 29.6.1945,  ku OZN-a arrestoi fillimisht kryetarin e Komitetit, Lekë Perkoliqin, e dy shestanas tjerë prej Gjuraçit , Vuk Pjetër Malaj dhe Gjon Zef Malaj anëtar të Komitetit dhe i dërguan në burgun e Cetinës. Ndërsa  pas disa ditësh OZN-a përsëri  në Shestan  arrestoi dhe i dërgoi në burgun e Cetinës edhe katër shestanas të tjerë. Të gjithë këta u mbajtën në qeli e u torturuan plot katër muaj, duke u munduar t’i bëjnë të pranonin se kanë punuar për shkëputjen e Shestanit nga Jugosllavia dhe bashkimin e tij me Shqipërinë.

Ndonëse pushteti i ri ishe civil dhe udhëhiqej nga komunistët, realisht drejtohej nga policia politike, përkatësisht sigurimi i shtetit OZNA(UDBA). Ishte pikërisht UDBA e cila kishte përgatitur aktpadinë për prokurorin publik të qarkut kundër Lekë Macit Përkolaj dhe të akuzuarëve të tjerë(nr.197/133, 31.X.1945). Pas dëgjimit të të pandehurve dhe shumë dëshmitarëve të rrejshëm, në mesin e të cilëve shquhej shqiptari Vasi Pjetrit Macit, gjegjësisht Vasilije Llukiq, i cili veten nuk e konsideronte shqiptar, më 26 maj 1946 Gjykata Popullore e Rrethit në Cetinë shpalli aktgjykimin me të cilin Lekë Perkolaj, Gjon dhe Vuk Malaj u dënuan me vdekje,  ndërsa Kolë Nrekoviqi me 20 vjet burg, Palë Margjonoviqi me një vit burg, Pjetër Gjokgjuriqi me 18 muaj burg, ndërsa Gjon Vuçetiqi u lirua nga aktakuza.

Populli ishte në mbrojtje të Lekës

Duke marrë parasysh se kishte të drejtë në ankesë në këtë aktvendim, djali i Lekës Zefi për të paraqitur ankesën mbledh  280 nënshkrime nga shestanas, ljaras e muriqas e shestanas që jetojshin në Tivar dhe përgatitet për ta dërguar në  gjyq në Cetinë e ata me tutje në Gjykatën Supreme në Beograd. Por, një ditë para se  Zefi  të shkojë në Cetinë,  nga komiteti i Tivarit  e ftojnë dhe e kërcënojnë se ke vepruar gabim sepse nuk duhet të mbrohet një trathtar i popullit. Ishte ky një kërcënim, ku me pas ia morën lutjen, por, Zefi kishte pasur kopje të lutjës dhe një ditë më pas shkon në gjyq në Cetinë, duke i treguar gjyqtarit për ngjarjën e ndodhur. Nga gjyqi i Cetinës lutja është dërguar në Beograd, e ata më pas e kanë dërguar në Komitet të Tivarit  për të vërtetuar nënshkrimet e qytetarëve. Me të ardhë kërkesa nga Beogradi, nga komiteti i Tivarit angazhohen nga UDBA, dhe bashkëpuntorët e tyre vendas, duke friguar popullin dhe kërkuar nënshkrimin nga ana e tyre për të dënuar Lekën, ku arritën të mbledhin vetëm 20 nënshkrime(!?). Ishte kjo një dëshmi se populli ishte në mbrojtje të Lekës, se ai nuk kishte bërë krime por ka mbrojtë popullin si në Shestan dhe me gjerë. Por, gabimi i tij  ishte se ka qenë shqiptar, demokrat e  antikomunist dhe ndikoi në zgjimin e vetëdijës kombëtare shqiptare  në këtë zonë, që ishte e pa pranueshme për pushtetin e ri.  

Dhe nga një gjyq i tillë politik i dirigjuar nga OZNA në bashkëpunim me pushtetin komunist të instaluar, gjyqi la në fuqi vendimin për vdekje të cilin e realizoi me 16.9.1946, duke i pushkatuar të tre në Cetinë  në vendin Bjellashka Papratina. Ishte ky vendi i kobshëm për shqiptarët sepse dy ditë më parë aty ishte pushkatuar dom Nikollë Tusha, prifti i kishës së Shën Zefit në Ulqin.

Rivarrimi pas 56 viteve 

Ndonëse ka pasur nisma edhe më parë në lidhje mbi  rivarrimin e Lekë Macit në vendlindje,  deri më rënien e sistemit komunist ishte e pamundur! Por, në sajë të kërkesës së familjarëve me së fundit pas 56 viteve, pikërisht në vjeshtë të vitit 2002, u realizua rivarrimi në vendlindje në varrezat e kishës së Tuçilës në Gjuraç! 

Pasojat për popullsinë e Shestanit.

Vendosja e pushtetit të komunistëve në këtë  mjedis dëshmoi  se populli u ballafaqu me një realitet të ri të  imponuar. Shkolla shqipe e hapur në vitin 1941-44 u mbyll, duke u hapur në gjuhën serbe, njëjtë si në kohën e mbretnisë jugosllave. Se propaganda politike ishte kundër identitetit të shqiptarëve  u dëshmu edhe në sajë të regjistrimit të popullsisë të mbajtur më 1948. Të dhënat e publikuara se në Shestan nga  popullsia e përgjithshme prej 1461 banorëve si shqiptar    janë deklaruar vetëm 6 persona, ndërsa të tjerët  malazez, është dëshmi e politikës shkombëtarizuese, kundër  shqiptarëve në Mal të Zi e dirigjuar nga pushteti komunist! Dhe një politikë e tillë me pas pati efektet e veta negative  sepse popullsia shqiptare u asimilu në heshtje  duke u deklaruar si malazeze apo kroate kryesisht në Tivar.

Pikërisht duke marrë parasysh një qendrim të tillë të pushtetit deri më tash nuk kemi dëgjuar se ndonjë person nga Shestani është shkolluar  apo  ka bërë emër në profesionin e tij. Ndërsa e kundërta ka ndodhë me shqiptarët në pjesën tjetër të Krajës, ku është zhvilluar arsimi në gjuhën shqipe. Nuk ka dilemë se  eliminimi i parisë së Komitetit të Shestanit kishte këtë mision, ku pushteti ia ka arritur qëllimit, ku të dhënat e prezantuara në vitet më pas e dëshmojnë një konstatim të tillë! 

Përfundim 

Gjatë LDB(1941-1944) Shestani ishte me status të veçantë  që  drejtohej nga Komiteti i zonës neutrale duke qenë rast i veçantë, në viset shqiptare. Roli i tij ishte mbrojtja e popullsisë vendore nga sulmet e ndryshme serbo-malazeze e cila nga e kaluara ka pasur përvojë të hidhur nga viti 1918-1929, si dhe mos lejimin e pranisë së çetnikëve e partizanëve në këtë mjedis. Pikërisht ky status dhe qeverisja autonome nuk është pritur mirë nga komunistët të cilët këtu nuk kanë pasur mbështetjen e tyre ideologjike. Andaj pas përfundimit të luftës u realizua plani djallëzor i tyre për të eliminuar udhëheqësit e Komitetit të Shestanit, ku pasi i burgosën iu organizuan procesin gjyqësor politik duke i dënuar me pushkatim si armiq të pushtetit komunist. Eliminimi i parisë së Shestanit pati pasoja të mëdha për popullsinë vendore  që u dëshmu  sidomos në procesin e asimilimit  kombëtar.     (Dhjetor 2021)

C:\Users\123456\Desktop\img038.jpg

Lekë Maci Përkolaj(1890-1946)

Filed Under: Histori

SHQIPËRIA: NJË SHEMBULL TRAGJIK I DËSHTIMIT TË DEMOKRACISË

December 16, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidenceA e patë funeralin e demokracisë shqiptare të martën? A e shikuat paradën e 6 ambasadorëve — 6 vendeve më demokratike perëndimore, aleate të Shqipërisë — duke shkuar tek selia e Partisë Demokratike në Tiranë?

Nuk dua të merrem më me subjektin e ndërhyrjeve të ndërkombëtareëve në punët që nuk u takojnë, sepse kam reaguar dyzina herë me shkrimet e mia modeste gjatë viteve të fundit.  Frank Shkreli: Diktatura më e rrezikshme, është ajo që, paraqitet me maskën e demokracisë! | Gazeta Telegraf  Për këtë, fajin e ka, kryesisht, klasa politike shqiptare e dështuar, por edhe ndërkombëtarët duhen t’a dinë më mirë rolin e tyre. Se një shfaqje e tillë si kjo e ditës së martë, nuk është diplomatike, se i kalon të gjitha vijat e kuqe, se vërtetë përben një shkelje flagrante dhe është një ndërhyrje, e paskrupullët, në punët e mbrendshme të një partie. Unë shpesh e kam shprehur përbuzjen time ndaj klasës politike shqiptare, të periudhës, gjoja “post-komunitse” të këtyre tre dekadave të fundit, pa dallim partie.  Por, në saje të lirisë së fjalës që gëzoj si shtetas amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam kritikuar, me arsye besoj unë, shpesh edhe sjelljet e diplomatëve të huaj në Tiranë, përfshir ambasadoren amerikane atje. 

Prandaj në këtë vijë, dua të them edhe kësaj heres se vizita e djeshëme e diplomatëve përendimorë – të ftuar ose jo — në selinë e Partisë Demokratike ishte gjithashtu e papranueshme dhe e njëanshme.  Kjo shkelë të gjitha normat diplomatike! Në sytë e një personi si unë që jetoj në Amerikë, një akt i tillë si ai, që u luajt në kryeqednrën e Partisë Demokratike të Shqipërisë ditën e martë më bindi se ju të nderuar diplomatë, përfaqsues të Amerikës dhe të Evropës në kryeqytetin e Shqipërisë, jeni në përplasje dhe në konflikt të drejt për drejt me realitetin politik me të cilin pëballet vendi ku ju shërbeni – në Shqipëri.

Një shfaqje e tillë, nga ana e juaj, nuk ndihmon zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri — kredibilitetin tuaj si ndërmjetës të paanshëm midis palëve, jo se jo, ndërsa  në radhët e shqiptarëve, qoftë përkrahësve të opozitës, qoftë edhe të pozitës keni humbur besueshmërinë plotësisht. Kur humb kredibilitetin, ke humbë çdo gjë, thotë një fjalaë e vjetër. “Nëqoftse humbë pasurinë, nuk ke humbur asgjë; nëqoftse humbë shëndetin, ke humbur diçka; por nëqoftse humb karakterin, ke humbur gjithçka.”  Woodrow Wilson 

Prandaj të nderuar diplomatë, një thënje tjetër, autori i të cilës nuk po më kujtohet, tani për tani, por thotë përafërsisht: Kur njerzit nuk kanë asgjë për të humbur, pasi kanë humbur çdo gjë, ata vërtetë e humbasin…Shumë shqiptarë, fatkeqësisht, po e “humbasin”, dhe me përbuzje ndaj zhvillimeve të këtyre viteve në vendin e lindjes, kryesisht, për arsye të mosaftësisë qeverisëse dhe konflikteve midis liderve tyre, por edhe për shkak të sjelljeve të ndërkombëtareve ndaj kësaj klase politike, shqiptarëve nuk u ka mbetur tjetër alterantivë veçse të largohen nga dheu i të parëve.

A group of people sitting at a table with flags behind them

Description automatically generated

Ambasadorët e vendeve mike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve shkuan dje për të shprehur “ngushëllimet” e rastit – një gozhdë tjetër në arkivolin e demokracisë së vdekur në Shqipëri, sado e brishtë që ishte. Duket ambasadorët shkuan dhe dolën prej andej pas një ore e pak minuta, duke mos bërë as një deklaratë se kush i ftoi, se pse ishin aty, për çfarë u folë dhe kush ishte objektivi i takimit. Aq, sa për transparencën e diplomatëve përendimorë në Tiranë, duke ngritur një shkallë më lartë mosbesimin e shqiptarëve ndaj sjelljeve të diplomatëve të huaj dhe marrëdhënive të tyre me përfaqsuesit e kësaj klase politike të dështuar, e cila dita ditës por zbrazë atë vend, duke detyruar arratisjen e shqiptarëve nga atdheu i tyre si në kohën e komunizmit, por me të vetmin ndryshim se tani numri i të larguarve arrinë në qindra mijëra shqiptarë. Shqiptarët me të cilët unë bisedoj, më thonë se shumë prej tyre janë të bindur se perëndimorët kanë arritur në përfundimin e të pranuarit të Shqipërisë — jo si një demokraci e vërtetë – por si një shtet autoritar,  erdoganist ose putinist.

Ky takim i ambasadorëve në selinë e PD-së, ashtu si edhe të tjera takime të kësaj natyre në të kaluarën me politikanët shqiptarë, kaloi pa asnjë koment.  Sidomos në këtë periudhë krize të madhe politike në Shqipëri, shqiptarët duan të dinë se ç’po ndodhë në vendin e tyre, dhe për ke po bien këmbanat, gjë që më kujtoi atë frazën anglisht, “For Whom the bell tolls”,  që i referohet kambanës së kishës që bie kur vdes një njeri, por për të cilin nuk duhet të jemi aq kuriozë se kush është njeriu i vdekur. Shqiptarët duan të dinë nëse kjo kambanë po bie për të paralajmëruar “vdekjen” e demokracisë në Shqipëri, apo të ndonjë personi.  Por, ama, sipas predikuesit anglez të shekullit XVI,  “No man is an island, entire of itself; every man is a piece of the Continent, a part of the main… Any man’s death diminishes me, for I am involved in mankind. Any therefore never send to know for whom the bell tolls; it tolls for thee.”

Që pak a shumë – diplomatët perëndimorë duhet ta dinë domethënien e kësaj: mos pyet se për ke bie kambana, mos pyet se kush ka “vdekur”, sepse kambana bie edhe për ty, pasi edhe ju jeni pjesë e kësaj bote që e quajmë njerëzim, ashtuqë kur “vdes” dikush ose diçka, siç është demokracia, edhe një pjesë e juaja vdes, edhe e demokracisë tuaj. Ky është shpjegimi i kësaj thënjeje pra, se nëqoftse vdes demokracia shqiptare, pa dyshim, se do vdes edhe një pjesë e demokracisë në vendin që ju përfaqësoni në Republikën e Shqipërisë.

Atëherë, në minimum, nëqoftse nuk mund të ndihmoni në zhvillimin e një demokracie të vërtetë në Shqipëri, atëherë të pakën mos e pengoni një gjë të tillë.

Demokracia nuk pret për shqiptarët, të nderuar diplomatë.

Frank Shkreli

Demokracia e vërtetë në Shqipëri u lodh duke pritur, për 30-vjet. E destinuar të dështonte që nga fillimi, fatkeqësisht, pasi demokracia e vërtetë, nuk ka asgjë të përbashkët me trashëgiminë enveriste — zhduke kundërshtarin — që mbrohet edhe sot nga kjo klasë politike e cila refuzon të distancohet nga krimet e regjimit komunist, përballë heshtjeve arrogante të ndërkombëtarëve ndaj atyre krimeve. Shikoni pak më imësisht atë të kaluar dhe do të zbuloni shumë shpejt se pse Shqipëria gjëndet në situatën në të cilën është sot. 

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion

15 DHJETORI 1944 DITA E ÇLIRIMIT APO E RIPUSHTIMIT TË TUZIT

December 15, 2021 by s p

NGA NDUE  BACAJ

Tuzi me rrethinat (troje të Malësisë Madhe të mbetura nën Malin e Zi, që nga kongresi i Berlinit 1878 dhe Konferenca e Londres 1913), me çfardo organizmi (komunë e varur nga Podgorica apo  komunë me të drejta të plota si çdo komunë në Mal të Zi…), perkujton e feston  15 dhjetorin, si ditën e çlirimit nga nazifashistët. Kjo ditë perkujtimi e festimi i perket vitit 1944 , kur  forcat gjermane në terheqje largohen nga Tuzi e troje të tjera për-rreth të Malësisë së Madhe. Per hirë të vertetës duhet të themi se këto troje të Malësisë e Shqiperisë Etnike, pas pushtimit fashist , dhe memorandumit të 12 majit  1941 të parisë së Tuzit e trojeve të tjera të Malësisë Madhe, me dekretin e dates 7 gusht 1941 të Francesko Jakomonit, (mbëkëmbësit  të mbretit të Italisë Fashiste në Shqipëri) , keto troje u ribashkuan me Malësinë e Shqiperinë, ku qendra e N/Prefekturës së Malësisë Madhe u transferua nga Kopliku në Tuz , ku edhe u vendos N/Prefekti, administrata perkatëse, dhe institucionet të tjera në sherbim të Trojeve të bashkuara me Shqipërinë nanë. Siç dihet bashkimi i ketyre trojeve me Shqiperinë , ndonse kishte edhe qellime propogandistike nga pushtuesi fashist , ai u bë  realitet i prekshëm nga malësorët e ketyre trojeve etnike shqiptare të pervluem me u ribashkua me Shqipninë nanë. Një ribashkim i till solli jo pak gëzim ndër malësor , pasi kufiri i padrejtë me miratimin e Europës plakë, kishte ndarë vëllan prej vëllaut dhe votren prej votres. Këtë ribashkim të trojeve etnike shqiptare e urrenin hapur çetniket mbretëror të Jugosllavisë, të kapitulluar e dorzuar para pushtimit fashist, por e urrenin fshehtas edhe kumunistët e partizanët e tyre serbo-malazez e jugosllav. Këtë e tregojnë disa beteja luftarake, që u është dashur  të zhvillojnë në mbrojtje të trojeve të tyre etnike  malësorve shqiptar , kundër çetnikëve  dhe partizanëve komunist malazez , që kerkonin tu prishnin “endërren” e ribashkimit që po jetonin me Shqipninë nanë, si dhe ti friksonin për të ardhmen. Betejat janë konkrete, me data, me emra luftëtaresh , por edhe të rënësh malësorë në luftë me çetniket mbretëror dhe partizanët komunist malazez-jugosllav, që per nga  antishqiptarizmi nuk ndryshonin thuajse aspak. Komunistët jugosllav pasi krijuan bijen e tyre , Partinë Komuniste të Shqiperisë, per tu dukur si “bashkohorë” kishin hellur për konsum rrenën e madhe, se pas fitores mbi fashizmit , edhe shqiptarët e ketyre trojeve (Tuzit , Malësisë e më gjërë) , kanë të drejten e vetvendosjes per t’u bashkuar me Shqiperinë. Dhe këtë e  deklaronin se ua garantojnë të drejtat e liritë njerzore të popujve dhe lufta antifashiste, luftë që sipas rrënës sllavo-komuniste i kishte vëllazëruar malazezët pushtues dhe malësorët e pushtuar… Pati mjaftë malësor e shqiptar që besuan këtë rrenë me bisht sllave, madje edhe luftuan e dhanë jetën së bashku me partizanët (komunist) malazez e jugosllav , kunder pushtuesve fashist italian e gjerman. Si për ironi të fatit me datën 15 dhjetor (1944) , (që perkujtohet e festohet si dita e çlirimit të Tuzit), kanë ra duke luftuar kundër  ushtrisë gjermane pesë malësor (nga Hoti e Gruda), të cilët besonin në premtimet e komunistëve malazez-jugosllav-shqiptar, e si per inatë të historisë kjo  betejë zhvillohet në Deçiqin e Flamurit Kombëtar të 6 prillit 1911… Edhe pas kësaj date  bien duke luftuar (me18 dhjetor) kundër ushtrisë gjermane dy grudas e tjerë.  Besimin në rrenën-premtim të komunisteve jugosllav e shqiptar e forcuan për ta besua , forcat partizane komuniste shqiptare që erdhen në ndihmë të atyre jugosllave,  me në krye general Gjin Markun. Këto forca partizane në të vertet zhvilluan disa beteja kundër ushtrisë gjermane në terheqje , ku dhanë jetën edhe  partizan shqiptar.  Si simbol kujtese i kësaj ndihme të ushtrisë partizane shqiptare ndaj “vëllezërve” jugosllav, do të qendronin deri në vitin 1991 dy pllaka në Hot (në anën e shtetit shqiptar),  njëra pllakë kishte shkrimin: këtu me 28 nëntor 1944 kaloi brigada e VI-të sulmuese  e ushtrisë nac-çl të Shqipërisë per të ndihmuar çlirimin e popujve të Jugosllavisë , ndersa në pllaken tjetër shkruhej : në fillim të dhjetorit 1944 këtej kaluan forcat e brigades VII-të sulmuese të ushtrisë nacional-çlirimtare  të Shqiperisë , të cilat luftuan dhëmb për dhëmb me armikun deri në Vishegrad… Si çdo rrenë që  thotë populli i ka këmbët e shkurtëra edhe kjo i pati të tilla… 

Me daten 07 shkurt 1945 , në fushë të Tuzit do të detyronin të mblidhen të gjithë burrat e aftë për armë të Tuzit e Malësisë. Në tribunë do të zejshin vend Shfeqet Peçi me shokë të shtabit të tij nga ana e qeverisë Shqiptare dhe Gjeneral Gjoku Mirasheviç me një sasi të madhe autoritetesh civile e ushtarake jugosllave. Takimin e hapi Shefqet Peçi, i cili me fjalë të parë i lajmëroi malësorët se janë të rrethuar nga çdo anë prej divizioneve Shqiptaro – Jugosllave, dhe i porositi për qetësi duke i ftuar të dorëzojnë armët aty për aty. U komunikoi shkuarjen e kufirit prapë në Han të Hotit, ndersa i porositi ata burra shqiptarë t’i duan Serbo – Malazezët, me të cilët gjoja i kishte vëllazëruar lufta… Mandej u kthye  Shefqet Peçi nga gjeneral Gjoku Mirasheviç me shokë e u tha: “Qe ku po ua dorëzojmë këta derra reaksionarë që t’i bani turbiet, pse neve nuk na duhen gja, prandaj mos u kurseni me ta. Qe dajakun që t’i rrihni, qe fishekun që t’i vrisni në qoftë se nuk ju duan e nuk ju ndigjojnë. Ky tubim do të pasohej nga një tjetër ku vet  Mehmet Shehu në Tuz do tu komunikonte Malësorve shkuarjen e kufirit në Han të Hotit e ribashkimin me Malin e Zi… E pas këtyre takimeve ku komunistët shqiptar i bënë “lanet” malësorët , ustadharet malazez me në krye Bajo Stankoviçin, Aleksandër Rankoviçin “viça e viqa” të tjerë do të pushkatonin e masakronin dhjetra nacionalista malësorë , me të vetmin “faj” se i donin trojet e tyre me nanën Shqiperi e jo me Jugosllavinë e Malin e Zi. Ndersa shqiptarët e Kosovës do ti “gostisnin” me masakren e Tivarit , ku rreth 5000 shqiptar do ti bënin “kurban” të dashurisë Tito-Enver… Enveri si shperblim do të dekoronte ata malazez, serb e jugosllav që  kryen masakrat mbi shqiptaret nën Malin e Zi , nën Serbi dhe në Kosovë… Pas ketij akti malësorët e Tuzit , Grudës , Trieshit , Kojes , Traboinit e tjerë u lanë në doren e atyre me të cilët  i ndanin lumej gjaku e dete mjerimesh . Se si u katandisen këto troje per 45 vite nën hyqametin e komunzmit jugosllav , këtë e tregojnë banoreët që u detyruan të lënë të shkreta shtepi , kulla e troje per të cilat kishin luftuar e qëndruar mote e shekuj. Këtë e tregon edhe sot gjendja ekonomike e sociale, dhe standarti i të drejtave kombëtare të shqiptarëve në trojet e veta etnike, që zbatohet edhe sot në Mal të Zi. E tregoi edhe fitorja e veshtirë (e 2019-tës) , që u arrit pas disa viteve në zgjedhjet lokale për  komunën e Tuzit, me rezultatin 50% , kur banorët shqiptar në ketë komunë janë realisht mbi 80% .  

Për këto të “mira me thes” që u solli data 15 dhjetor 1944, Tuzit e trojeve të tjera nën Malin e Zi , duke i çliruar nga pushtuesi gjerman (që po ikte) , por njëkohësisht edhe duke i çliruar  nga bashkimi me Shqiperinë nanë, per ti ribashkuar (perdhunshëm) me Malin e Zi dhe ish Jugosllavinë , mua më shkon mendja “për dreq” që këtë “çlirim” ta quaj ripushtim të Tuzit e trojeve të tjera të Malësisë nga Mali i Zi (e ish Jugosllavia)…  Me gjithë këtë vështrim ndryshe për datën 15 dhjetor, nuk kam qellim t’ju prish sado pak “festen” e “çlirimit” të Tuzit , atyre që e kujtojnë e festojnë ditën për diell , por as atyre që diten per diell hiqen si atdhetarë shqiptar… , ndersa naten hiqen para malazezëve zvarrë… Qofshin këta me banim në Tuz, në troje të tjera apo në dhenat e botës… 

Voo: Të gjitha ato që cilësova “kalimthi” në këtë veshtrim per 15 dhjetorin (si diten e “çlirimit” të Tuzit…), më hollesisht, me data , emra e mbiemra,  me referenca dhe dokumente janë të shënuara në librin tim me titull: Malësia e Madhe Kundër…, botuar në vitin 2018.

Filed Under: Komente

Pas 69 vjetësh në Lezhën e Kastriotit e të Besëlidhjes Shqiptare, përjetësohet busti i të përndritshmit, mons. dr. Zef Oroshit

December 15, 2021 by s p


Shkruan: Lekë Mrijaj 


Busti i përjetësuar i Prelatit e intelektualit Merditor, mons. dr. Zef Oroshi, veç tjerash është edhe një mbamendje e rikujtesë e përgjegjësisë për shqiptarët si dhe për gjeneratat pas nesh për të rikujtuar përjetësisht dhe shprehur mirënjohjen tonë të thellë ndaj figurës madhore të këtij studiuesi e atdhetari monumental shqiptar.

Ndaj sot, me 13 dhjetor, apo pas 69 vjetësh në “Lezhën e Besëlidhjës – Besa Besë”, falë nismës dhe kontributit kyç të studiuesit të mirënjohur, Tomë Mrijaj, Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit, sot, në sheshin: Papa Gjon Pali II, është përjetësuar në bronz busti i të përndritshmit, mons. dr. Zef Oroshi. 

Një kontribut tjetër rreth bustit ka dhenë edhe mjedologu shqiptarë e studiuesi i mirënjohur, dom Nikë Ukgjini etj. Vepra e skalitur në fjalë është realizuar nga mjeshtri i mirënjohur, maestro prof. Sadik Spahia.

Mons. dr. Zef Oroshi, ishte bashkëpuntor i ngushtë i Fan S. Nolit, me Arqipeshkvin e Bostonit, Eminencën e Tij Kardinal Cushing, njëkohësisht edhe klerin e bashkësisë islame shqiptare të diasporës amerikane si dhe bashkēpunonte dhe kishte letërkēmbime me prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep Krasniqin, prof. Martin Camaj, fra Daniel Gjeçaj O.F.M..  Mons.dr. Zef Oroshi perveq një krijuesi e studiuesi të rrallë, ishte edhe një poliglot që zotëronte latinishten, italishten, greqishten e vjetër e të re, serbokroatishten, gjermanishten dhe anglishten.

Vlen të thuhet flas nga këndveshtrimi im se mons Zefin, e kam njohur edhe më shumë përmes bashkfamiljarit tim, veprimtarit e studiuesit, Tomë Mrijaj nga Nju Jorku, i cili për afro 15 vite të fundit me radhë më ka rrëfyer gjerë e gjatë për historikun e tij (pasi ishte edhe një njeri besnik e kumbarë të familjes), i cili përherë më thoshte: “Lekë i dashtun, mons. dr. Zefi, nuk ishte i lidhur ngushtë veç me besimin fetar të Kishës Katolike Shqiptare, por edhe me kulturën dhe historinë e re dhe të lavdishme të kombit shqiptar e njerēzimit vullnetmirë në botë”. 

Pra, ky korife, bazuar në plotni me deshmit e hulumtuara dhe të dhënat e studiuesit Mrijaj, e shohim qartë në majat e një atdhetari tamam të mirëfilltë dhe vertetë ishte një klerik, katekist e teolog i kishës apostolike, erudit karizmatik e atdhetar i shquar i kulturës dhe i shqiptarizmit. Veç tjerash, ishte edhe një Pionier i Bashkimit të Shqiptarëve pa dallim feje (deshmi sipas “New York Times”), themelues dhe udhëheqës i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, përkthyes në gegnishtën shqipe të Shkrimeve Shenjte – “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujvet”, të cilën vepër menjëherë pas shqipërimit në vitin 1979, Ati i Selisë Shënjt-Papa Pali VI i dhuroi me autograf Selisë së Shenjtë në Vatikan ndaj edhe më vonë nga Papa mori titullin : Monsinior. Veq tjerash përktheu edhe një doracak me uratë “Visarthi Shpirtnuer”, “Ungjillin e Shen Mateut” si dhe drejtoi për shumë vite revistën “Jeta Katholike Shqiptare”.

Edhe unë përmes një shkrimi reflektues të artikuluar disa muaj më parë (botuar në “Bota Sot”, në shumë media të tjera shqiptare, me datën, 15 mars 2021), të titulluar: “Mons. dr. Zef Oroshi, kam konstatuar veç tjerash se: mons. dr. Zefi, ishte një mozaik me vlera shumdimensionale i historisë shqiptare e qe kishte një taban të lartë fetar, kombëtar e kulturor”, qe do të thotë se në historinë e një vendi, jo të gjithë personazhet, shtetërorë, apo klerik të kishës katolike që janë pjesë e saj, lënë gjurmë dhe realizojnë kthesa shumëdimensionale historike, fetare, kombëtare e kulturore. Pra në këtë mozaik të historisë së kulturës mbarë Shqiptare, hyjnë edhe një nga personalitetet komplekse siq ishte mons. dr. Zefi, që la një protokol e arkiv historik, kulturor, patriotik, diplomatik në historinë tonë të lavdishme. Për këtë korife të fesë e shqiptarizmit siq ishte mons. dr. Zefi ( i cili kishte kerkuar statusin e azilit politik qe vëndosur i plagosur në trajtim në Mitrovicë), kam dëgjuar edhe nga axha i babait tim-Nikolla (Zyrtar i Lartë në Zyrën e vendit në ish Komunën e Zllakuqanit) i cili sbashku me françeskanin, fra Tom Xhaja, famullitar i Kishës “Shën Gjon Pagëzuesi” e kishin vizituar në fund të vitit 1952 në Mitrovicë. Madje Nikolla, edhe me krenari nëpë shumë takime thoshte: “Dom Zefi, ishte një antikomunist i përbetuar kundrejt bandave enveriane e pasardhësve të tij komunistë”, sepse edhe vet familjarët e tij – mons. Zefit, ia kanë burgosur, persektuar, internuar e vrarë në kampet e përqëndrimit në shumë skëterra mesjetare. 

Në Amerikë mons. Zefi, bashkëpunonte me personalitet të shquara të diasporës antikomuniste duke veçuar shtëpin e Kapidanit të Merditës- Ndue Gjon Markut si dhe me shumë të tjerë, prof. Zef Luka, prof. Zef Neka, Rexhep Krasniqi, kolonel Xhemal Laçi, Kolë dhe Pal Mirakaj, Pal, Nue e Martin Lalaj, Bardhok Ndreu, Ndue Mëlyshi, Kolë Çuni, Gjon Gjini, Gjon dhe Zef Çupi, Pjetër Gjoci, Pjetër Kimza , Llesh Tarazhi, Nikollë e Pjetër Shkoza, Kolë Bajraktari, Prendush Gega, Fran Sokoli etj. Njëkohësisht pas kalimit në amshim të mons. Zefit, autorit e studiuesit Tomë Mrijaj, (bazuar në librin “Një jetë i përgjuar” f. 14,15), i cili ishte edhe kumbarë me dom Zefin, vetë Kapidani i Merditës-Ndue Gjon Marku, ia kishte shtërnguar dorën duke i thenë: “Tomë, ti me kumbarën tand mons.dr. Zef Oroshin, ke krye nji detyrë sa njerëzore aq edhe hyjnore. Të kam shqetësue shumë herë në netë e vona, për me përcjell meshtarin tonë deri te Kisha katolike dom Zefin,, sepse e disha se asht në vezhgim të vazhdueshëm nga spiunat e enverit këtu… Nëse do ta kishin vra dom Zefin, do tu bante nji gjakderdhje e madhe mes shqiptarve në Nju Jork, gjakderdhje qe do ta gëzonte Qeverin Komuniste në Tiranë. Edhe pse u vritshin njerëzit e tyne aty këtu (spiunat), ata nuk kanë pas problem, vetëm që të vritet dom Zefi dhe të nderpritet veprimtaria e tij antikomuniste në ShBA…”

Vlen të potencohët se falë fisnikërisë, bujarisë e atdhetarizmit të Kapidanit të Merdites-Gjomarkajve, ishin ata të cilët mons. Zefit i ofruan garanci administrative, financiare e ligjore për ta zhvendosur në mënyrë legale nga Kosova për Itali e deri në Amerikë. Ai, pas shkuarjës në Amerikë e kishte themeluar edhe Kishën e parë katolike shqiptare “Zoja e Kshillit t’Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës” Nju Jork dhe pas plotë shtatë vitesh arriti që në Natën e madhe-Krishtlindjes së vitit 1969 të bejë kremtimin e Meshës së Shenjtë të përuruar në Kishën e parë katolike shqiptare në Amerikë, atë të “Zonjës së Shkodrës” . Mons. Zef Oroshi, kaloi në amshim me  15 mars 1989 në Bronx të Nju Jorkut. Ndaj bazuar edhe në librin “Monsinjor Zef Oroshi, Një jetë e shkrirë për fe e atdhe” të autorit Tomë Mrijaj, pikërisht aty gjejmë veq tjerash edhe të dhenat e ish të burgosurit politik e studiuesit të mirënjohur shqiptar , Bep Kuqani, të cilit po ia citoj fjalët e tij për veprimtarin e dom Zef Oroshit, i cili veq tjerash thotë:- E tash në lidhje me nji shënim të Z. Ndue Melyshi, ku thuhet: “Meqenëse ishte Komitet klandestin, nuk mund të zgjidhej kryetari me vota të lira të popullit, prandaj antarët në brendësine e Komitetit caktojshin nji kryetar…”, dishroj të plotësoj këtë mendim, tue shtue, se ne “brendësinë e këtij Komiteti”, kje zgjedhë si Kryetar Dom Zef Oroshi dhe Sekretar Jak Perjaku, i cili, kje vra në mal, në përpjekje me forcat e ndjekjes të Sigurimit. Këtë ma ka thanë përveç të tjerëve, që do t’i permendi ma poshtë, edhe vetë i vëllai: Gjon Perjaku, që u kap n’atë përpjekje, i plagosun randë dhe me të cilin kam ndejtë në burgun e Burrelit. Veç kësaj, kam pasë rastë me njohë personalisht edhe katër antarë të këtij Komiteti, nga të cilët per Karlo Çoben, avokat, i biri i Ndoc Çobës, që ka kenë Kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar dhe Sulë Hafizin, Kryemyfti i Lezhës, nuk e kam ditë se ka kenë Antar i Komitetit të Maleve; ndërsa për Haki Bushatin, i vëllai i ish – Kryeministrit Maliq Bushati, që u pushkatue bashkë me At Anton Harapin O.F.M, dhe Lef Nosin dhe Ndrek Kakarriqin e kam dijtë dhe, edhe këta më kanë thanë se “kena pasë për Kryetar Dom Zef Oroshin”.  Njëkohësisht e ka përmendur edhe Haki Bushatin të cilin thotë se e kam njoh vetëm për nji periudhë të shkurtë kohe në burgun e Tiranës; ndersa Ndreken e kam njohë qysh se kam kenë në moshë adolishente, se ka kenë mësues në Kolegjin Saverian, kryetar i Shoqatës “Rrethi Don Bosco” (krijue nga At Pjetër Meshkalla); kam ndejt në burg të Burrelit, mbasi kje denue 17 vjet si antar i atij Komiteti, i arrestuem në Lezhë, vetëm pak muej mbasi kishte fillue punën si avokat. Miqësinë e kena vazhdue edhe mbas daljes nga burgu, deri në ditën që vdiq. Për Dom Zef Oroshin, duhet dijtë edhe kjo: Qysh nga dita e arratisjes, që hoqi veladonin e doli në mal, e deri që iku në Jugosllavi, banorët e Mirditës dhe të malësisë së Lezhës e kanë njohë ma fort se prift, si Kryetar të Komitetit të Maleve, si organizator i “Çetave të Shpagimit”, si luftëtar shumë trim dhe si antikomunist i vendosun” (pjesë e një deshmie studimore nga ish i burgosuri, studiuesi, Bep Kuqani) 

Edhe njëherë mirënjohje për të gjithë mbështetësit e sipërpërmendur, pa perjashtuar edhe Bashkinë e Lezhës, e gëzofshim bustin e këtij kleriku, katekisti, i cili ishte një personalit shumdimensional qe mbetet një enciklopedi e gjallë e qe pas 69 -vjetësh kthehet vëndin e tij qe aq shumë e deshti pra Lezhën e Gjergj  Kastriotit – Skendërbeut e të Besëlidhjes Shqiptare.

Filed Under: Komunitet

Kosova, vendi më pro-NATO-s dhe BE-së në rajon

December 15, 2021 by s p


 -Ministri Mehaj mori pjesë në konferencën e Ministrave të Mbrojtjes të Organizatës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore: Kosova sot është plotësisht e përkushtuar për të demonstruar solidaritetin e saj dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë globale/ 

PRISHTINË, 15 Dhjetor 2021-Gazeta DIELLI/

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, sot mori pjesë në konferencën e Ministrave të Mbrojtjes të Organizatës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (CEDC).Temat e kësaj konference ishin “Çështja e kredibilitetit: Nxitja e partneritetit të ngushtë si mënyrë për të avancuar Integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor” dhe “Akordimi i duhur në orientimin strategjik drejt BE-së”.Në fjalën e tij, gjatë sesionit të parë përmes video-lidhjes, ministri Mehaj theksoi angazhimin dhe të arriturat e Republikës së Kosovës në menaxhimin e sfidave të sigurisë rajonale siç ishte pandemia me COVID-19, si dhe vizionit shtetëror për ofrimin e kontributit në parandalimin, reagimin dhe menaxhimin e sfidave tjera që cenojnë mjedisin e sigurisë rajonale dhe më gjerë.Gjithashtu, ministri Mehaj theksoi edhe angazhimin e tij në zbatimin e konceptit “Smart Defense” në bashkëpunim me homologët e tij rajonalë, si formë shumë e suksesshme dhe racionale për reagim dhe menaxhim të krizave që mund të cenojnë sigurinë e vendeve dhe qytetarëve të rajonit.Ndër të tjera, në këtë konferencë ministri Mehaj theksoi se: “Republika e Kosovës me ndihmën dhe mbështetjen e vendeve mike, është ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Kjo është arsyeja pse, përkundër propagandës së ashpër anti-perëndimore dhe dezinformatave, Kosova është ende vendi më pro-NATO-s dhe BE-së në rajon. Kjo është arsyeja pse Kosova sot është plotësisht e përkushtuar për të demonstruar solidaritetin e saj dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë globale”.Në konferencën e sotme, të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Mario Banozic, morën pjesë ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare të CEDC si: Austria, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Sllovenia dhe Kroacia, vendet me status të vëzhguesit si Polonia si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT