• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2021

SYLEJMAN GASHI , GAZETAR EMINENT DHE ATDHETAR I DEVOTSHËM

December 27, 2021 by s p

Luz Thaqi, Nju-Jork, 26 Dhjetor 2021

E nderuar familje Gashi, bashkëshorte Tone,vlla Ardian, djem e vajza të të ndjerit Sylejman Gashi,i nderuari minister Prof.DR. Rifat Latifi,i nderuar president i Konf.Panshqiptara,”Vatra” z. Elmi Berisha te nderuar miq, të nderuar bashkëvendës.Shkrimtari i yne i permasave botrore, Ismail Kadare në njërën nga veprat e tij shkruan: ”Jeta është shumë e pabesë, të lë kur se pret fare…”. Kjo e pa pritë, si një mallkim që udhën ta thyen, na ndodhi edhe ne, me mikun tonë, tani në amshim, Sylejman Gashin… Dhe, kur të vdes një mik, të cilin e ke mbajtur në folenë e shpirtit, fshehurazi të prek në ndërgjegje, të drithëron dhimbja e rëndë plumb. Largimi i Syles, nga bota e të gjallëve, na i ka mbush shpirtrat me plot zjarr, na ka dërguar në vorbullën e vajtimit të përhershëm, kujtime, të cilat prore do të frymëzohen nga emri i mikut tonë, gazetarit mbarëkombëtar, familjarit të përkushtuar dhe atdhetarit të denjë, Sylejman Gashi!Në jetën shoqërore, rëndom ndodhë që njerëzit e shquar, të kulturës, politikës, artit e shkencës si dhe të historisë sonë kombëtare, të veçohen nga të tjerët, për aftësitë intelektuale, për përkushtim në çështjet madhore, për veprimtaritë e devotshme dhe pathyeshmëri të vullnetit, idealit të lartë që e kanë në shpirt që frymon me fatin e popullit të vetë. Të tillë njerëz të veçantë lindin në çdo kohë, janë të nevojshëm dhe bashkërisht e forcojnë trungun e historisë së një kombi. Brezat që pasojnë, të kaluarën e rimarrin, pikërisht në përmjet këtyre njerëzve të spikatur, siç ishte Sylejman Gashi. Një nga këto figura që do lë gjurmë në historinë tonë ma të re të kombit për liri dhe pavarësi, e qe do e quaja vazhdimësi e historisë atdhetare e të mëdhenjve Noli dhe Konica dhe patriotëve të tjerë shqiptarë në SHBA, pa dyshim se ishte atdhetari Sylejman Gashi.Është e pamundur që, me disa rreshta të përshkruhet një jetë dhe vepër aq e madhe e një personaliteti të tillë i cili çdo dite ka lëne gjurmë në kohë, por jeta dhe vepra e tij flasin vetë. Këtë më së miri e shpjegon Petro Marko kur shprehet: ”Askujt mos i beso përveç veprës sate. Të gjithë të lënë përpos asaj”.Megjithatë, ndjej obligim shpirtëror dhe miqësor, ose borxh ndaj një fjale për mikun tim në amshim, Sylejman Gashin: Ishte dimër i vitit 1992 , kur ishim të dëbuar nga puna dhe jetonim, sikur i mbarë populli ynë, me shpresa te i Madhi Zot, që të bënte diçka për ne. Të tjerat shpresa ishin të humbura, të thinjura e të tretura. Në një çajtore në Klinë përplot mysafirë e përcillnim Ditarin e mbrëmjes të RTP-se, gjersa e prisnim me padurim raportimin e Sylejman Gashit. Zëri i tij ishte i vetmi zë i shpresës. Njerëzit Sylejman Gashit i besonin. Në veten time, shpesh pyesja, ku e bazonte Syla gjithë atë shpresë? Dhe, dy vite ma pas kur edhe vetë u vendosa ne NY, pata rastin që të shoqëroheshim dhe të bashkëpunonim se bashku, e kuptova qasjen e Sylejman Gashit. Thjesht, Syla me devotshmëri u përgjigjej kërkesave të popullit në përputhje me kohën kur kombit tonë po i përgatitej një kataklizëm i tmerrshëm nga pushtuesi serb. Në stuhitë e atij udhëkryqi, të asaj cope të historisë sonë, shumë të përvuajtur, por edhe krenare, Syla tregonte orientimin e tij shpirtëror që ishte pjesë e qenies së popullit, dhe çdo minutë e çdo ditë të bardhë, ishte i gatshëm për çdo sakrificë, duke e kryer me ndershmëri misionin e tij, para ndërgjegjes kombëtare, duke i dalë zot pareshtur atedheut, duke mbjellë optimizëm.I pandalur ishte Sylejman Gashi në mision e shenjtë të reporterit të devotshëm nga Kryeqyteti dhe vendi më vendimmarrës për fatet e popujve në botë. Duke mos mundur t’i kapërthej bashkëpunimet e tija aq të mëdha, nga themelimi dhe puna si redaktor në gazetën ”Illyrija” në N.Y.,RTP (RTK),RTSH,”Rilindjen”, “Zëri”, e me dhjetëra gazeta e portale anë e mbanë mediave shqiptare, Syla ishte unikal. Dhe në shtëpinë e tij e shumë vite më parë, do më tregoj zyrën, nga e cila raportonte pa ndalur, për të më shtuar kërshërinë se sa orë punonte në ditë dhe, kur nëse pushonte ose jo. Më thoshte: ”Me duhet ta zë kohën dhe raportimet ne mediat në atdhe, punoj ndonjëherë edhe 20 orë në dite, por kjo më jep kënaqësi”.Syla ishte i pranishëm në çdo vend dhe në institucione amerikane ku debatohej për Kosovën, ishte i akredituar në OKB-e, punonte për Departamentin e Shtetit, udhëhiqte dhe moderonte si dhe u përkthente delegacioneve politike, ushtarke, kulturore, qeveritare e tjera nga tërë bota shqiptare që vinin në SHBA. Ai aranzhonte takime, i përgatiste ato, u ndihmonte mysafirëve si të dukeshin sa më në nivel, çfarë të kërkonin…Shumë nga ta i thërriste edhe mysafirë në shtëpi, dhe në fund i intervistonte për mediat në atdhe. Pra, çdo gjë fillonte dhe përmbyllej me angazhimin e pandalur të Sylejman Gashit. Pas çlirimit ai u përcaktua që përvojën e tij shumëvjeçare nga SHBA-te ta praktikonte për disa vite në Kosovë duke i ndihmuar asaj dhe duke e lënë familjen në N.Y.Sylejman Gashi, nuk ishte vetëm një reporter-gazetar, por ishte shumë më shumë se kjo, ai sensibilizonte qeveritarët dhe njerëzit me influencë të SHBA-ve dhe nga mbarë bota në OKB-e për çështjen e Kosovës. Syla nuk e kreu detyrën e Ambasadorit edhe pse nga Qeveria e Kosovës qe emëruar Ambasador i parë pranë OKB-së, por bëri më shumë për Kosovën se çdo ambasador tjetër. Në këtë rrugëtim të tij të madhërishëm, Sylejmani ishte shumë profesional, principial dhe i dinjitetshëm. Thjesht, ishte njeri i madh, me një fisnikëri të paparë, dinjitet të lartë dhe integritet të pakontestueshme. Qëndronte vertikal dhe i papërkulur asnjëherë. Këto virtyte të veçanta ia garantonte niveli intelektual, kultural dhe bontoni i tij i veçantë. Dhe, deri në çastet e fundit të frymës së tij, ai u gjend , brenda qenies dhe shpirtit të popullit, veçmas për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për të cilën aq shumë kontribuoi. Ndaj, Syla, për mbarë shqiptarinë, jo vetëm për botën intelektuale dhe gazetarinë shqipe, përherë do të jetë kujtim i dashur, i respektuar, ashtu siç e meriton, nga historia e popullit tonë, sot dhe nesër. Trupi i tij pushon në tokën iliro-dardane, ndërsa shpirti i tij fisnik shtegton mbi qiellin shqiptar.Një nderim dhe mirënjohje të veçantë dua t’ia shprehi familjes, bashkëshortes, Tone Gashit (e cila me qëndrimin e saj dinjitoz dhe tepër titanik deri në frymën e fundit i qëndroi pranë dhe e pandarë bashkudhëtarit të jetës), si dhe fëmijëve të tyre, të cilët janë shëmbëlltyrë e ndritur e shpirtit dhe e veprës së Sylejman Gashit, atij burri qëndrestar e guximtar të tokës së Kosovës.Përjetësisht i falem kujtimit, punës dhe veprës së këtij atdhetari unikal, vepra të cilën e la trashëgim me frymëzimin e saje do t’i kapërcej shekujt.U prehtë në paqe, dhe i qoftë i lehtë dheu i Kosovës, të përjetësuarit, Sylejman Gashit, i Kosoves per te cilen aq shum beri dhe aq shumë e deshi.

Filed Under: Politike

U përkujtua në New York gazetari Sylejman Gashi

December 27, 2021 by s p

Sokol Paja/

Në nderim të jetës dhe veprës së Zërit të Shpresës, gazetarit Sylejman Gashi u mbaj në New York një tubim përkujtimor në përvjetorin e largimit të tij nga jeta. Tubimin përkujtimor e hapi djali i të ndjerit Sylejman Gashi, Driloni i cili falenderoi pjesëmarrësit dhe solli në vëmendje dhimbjen e të jetuarit pa babain e tyre dhe kontributin e Sulejman Gashit dhe punën në gazetari dhe në dobi të çështjes kombëtare. Ministri i Shëndetësisë së Kosovës Prof. Dr. Rifat Latifi solli për të pranishmit momente nga veprimtaria e Sulejman Gashit dhe çaste nga shoqëria e tyre e ngushtë. Ai i dorëzoi familjes Dekoratën e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu “Medalja Presidenciale e Meritave”. Kryetari i Vatrës Elmi Berisha shpjegoi për të pranishmit lidhjen e hershme të Sylejman Gashit si mësues gjimnazi dhe i akordoi në emër të Vatrës “Mirënjohje” për kontributin në gazetari dhe në dobi të çështjes së Kosovës. Luz Thaçi si mik personal për 25 vite u shpreh se Sylejman Gashi ishte personalitet dhe njeri me vlera të larta perëndimore, kishte kredibilitet moral dhe profesional të lartë.Shqipe Malushi solli për të pranishmit shpirtin poetik dhe kreativitetin e veçantë të Sulejman Gashit. Lek Përlleshi solli për të pranishmit kujtimet që në Klinë me Sulejman Gashin e deri te aktiviteti i lartë në New York. Egzon Gashi lexoi mesazhin e Deanna Douglas, Isuf Hajrizit, Harry Bajraktarit, në përkujtim të Sylejman Gashit si gazetar e veprimtar i shquar në dobi të çështjes kombëtare. Driloni, djali i Sylejman Gashit lexoi në këtë ditë përkujtimi e nderimi mesazhe ngushëlluese nga Ramë Manaj, Muhamet Mjeku, Bekim Sejdiu dhe Ylli Bajraktari. Sylejman Gashi ishte korrespodent i Radiotelevizionit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku raportoi për luftën në Kosovë si dhe për të gjitha zhvillimet nëpër të cilat kaloi shteti i Kosovës. I përjetshëm nderimi dhe kujtimi për kontributin dhe veprën e gazetarit Sylejman Gashi. Shembulli dhe modeli që kultivoi sa ishte gjallë Sylejman Gashi do të jetojë përgjithmonë.

Filed Under: Featured

Dekomunistizimi: çfarë fshihet pas këtij termi?

December 26, 2021 by s p

PhD Artan Hoxha

Fundjava e sprasme e nëntorit 2021 që ishte e gjatë sepse përkonte me festën e Shpalljes së Pavarësisë dhe atë të Çlirimit të Shqipërisë nga ushtritë naziste u festua, të paktën në Tiranë, ashtu si zakonisht kalohen të gjitha festat. Baret, pub-et, birraritë, restorantet u mbushën plot me njerëz të të gjitha grupmoshave dhe paraja u derdh lum. Flirtet nuk munguan: vajzat joshnin me hiret femërore përmes dekolteve dhe minifundeve kurse djemtë, me mjekrat e stiluara dhe flokët me brilantinë ekspozonin muskujt dhe trupat e tyre të palestruar pas bluzave enkas të ngushta. Platformat instagram, facebook e tiktok shpërthyen nga imazhe të shumëllojshme. Duhet të kërkoje shumë mes këtyre pamjeve të mbushura me eros për të shquar ndonjë mesazh patriotik. Politika nuk dukej në horizontin e këtyre festave në një shoqëri që, ashtu si edhe në Europë e Amerikën e Veriut, është e përfshirë katërçipërisht në konsumerizmin dhe hendonizmin e epokës postindustriale. Këto ditë të shënuara të pedagogjisë patriotike dhe ritualit nacionalist, treguan se shoqëria shqiptare po depolitizohet gjithnjë e më shumë. Në pjesën më të madhe të tyre, shqiptarët janë të shqetësuar për të ardhura më të larta dhe për të zgjeruar mundësitë për të zbuluar dhe shpalosur potencialet e tyre; më shumë se sa tek e shkuara ata janë të përqendruar tek e tashmja dhe e ardhmja. Duket sikur thënia e Monteskjesë se “të lumtur janë ata që nuk kanë histori” gjen vend në Shqipërinë e sotme – e në shumë e shumë vende të tjera, gjithashtu – ku, edhe pse historia ka një peshë shumë të madhe mbi të tashmen, ajo gjithsesi zë një vend fare të papërfillshëm në mendjet e shumicës së njerëzve. Por historia, sidomos ajo komuniste, rëndon e shqetëson eksponentë të caktuar brenda forcave kryesore politike në vend dhe festat e 28-29 Nëntorit u dhanë atyre një mundësi të qarkullojnë sërish idetë e tyre. Një fantazmë po u fanitet shpirtrave të këtyre personazheve që lundrojnë mes politikës, medias dhe akademisë. Është fantazma e komunizmit dhe e Enver Hoxhës. 

U bënë disa javë tashmë, që një nga fjalët çelës të debatit mediatik është bërë çështja e dekomunistizimit. Bujar Çela, një deputet i Partisë Socialiste, figurë krejtësisht anonime e politikës shqiptare, gjeti mundësinë të bëhej i njohur duke uruar Ditën e Pavarësisë me një fotografi, ku krahas flamurit kombëtar qëndronte edhe portreti i Enver Hoxhës. Kaq mjaftoi për të vënë në lëvizje Partinë Demokratike, që nëpërmjet nënkryetarit të saj kërkoi fillimin me urgjencë të dekomunistizimit. Në një deklaratë për shtyp, Enkelejd Alibeaj, theksoi se bashkë me nazizmin edhe komunizmi është i dënuar nga Bashkimi Europian. Që prej atij momenti, aktivistë të lidhur me forumet drejtuese të Partisë Demokratike në media dhe akademi, kanë nisur një fushatë të vërtetë kundër të kaluarës komuniste dhe kërkojnë edhe kalimin e një ligji mbi dekomunistizimin duke iu referuar në vijimësi një rezolute të Bashkimit Europian. Besoj se e kanë fjalën për rezolutën e 2 prillit të vitit 2009, që dënon të gjitha krimet e regjimeve naziste apo komuniste si dhe njeh se nazizmi, stalinizmi, regjimet komuniste dhe ato fashiste janë një trashëgimi e përbashkët europiane me të cilat, banorët e kontinentit duhet të ballafaqohen përmes një debati të ndershëm dhe konstruktiv. Pra, Europa nuk bashkohet vetëm nga rrënja e përbashkët qytetërimore greko-romake, kristiano-judaike dhe tradita intelektuale laike e iluminizmit – për të cilën ajo mburret – por edhe nga fatkeqësitë e mëdha që tronditën nga themelet arritjet e humanizmit europian.

Qysh prej 28 Nëntorit, debati në Shqipëri ka marrë një tjetër drejtim. Së pari, asnjë nga ata që bëjnë thirrje për dekomunistizim nuk arrijnë dot të përgjigjen se çfarë kuptojnë me këtë term. E po njëlloj, nuk dinë dhe nuk njohin rezolutën e 2 prillit të vitit 2009. Sipërmarrësit mediatikë e politikë që kërkojnë me forcë dekomunistizimin, nuk shprehen mbi dënimin e krimeve të regjimeve që ndiqnin ideologji ekstreme të majta e të djathta, si një reflektim mbi një të shkuar të përbashkët europiane, që nuk i dallon shqiptarët nga europianët e tjerë por i bashkon ata në një trashëgimi të përbashkët historike. Përpos kësaj, ligjërimi që ata përdorin është në shumicën e rasteve revanshist. Ndërsa kërkojnë vendosjen e drejtësisë, ata trumbetojnë për dënimin e krimeve të komunizmit me një gjuhë urrejtjeje. Por, nëse i referohemi sërish Bashkimit Europian, ky e dënon gjuhën e urrejtjes dhe anatemimin e kujtdo për shkak të besimit fetar apo ideologjik, orientimit seksual, gjinisë, racës, klasës, etj. Në fakt, regjimet komuniste dhe fashiste i kanë mbështetur programet e tyre politike mbi ideologji dhe mbi një fjalor, që ushqente urrejtjen për armikun, qoftë ai klasor apo racor. Ndërkaq, në këto dy javë, topat zbrazen kundër komunizmit duke keqinformuar publikun me dashje ose padashje, se kjo ideologji është e dënuar nga BE-ja. Sesi mund të jetë komunizmi i dënuar nga Bashkimi Europian në një kohë kur thuajse në të gjitha vendet e unionit ka parti komuniste dhe kampuset universitare janë të mbushura me marksistë, për këtë askush nga nismëtarët e dekomunistizimit nuk flet. Ndoshta edhe nuk janë të informuar, nuk i dihet. Padija, ashtu si edhe harresa, i bëjnë njerëzit të lumtur dhe i mbushin plot vetëbesim në atë që mendojnë se është kauza e tyre. Në sjellje, këta janë po njëlloj si edhe ata që dënojnë.

Madje, sipërmarrësit e djathtë të dekomunistizimitas nuk pranojnë, e madje e kundështojnë të skandalizuar faktin seKarl Marksi ka qenë një filozof humanist. Që nga ky pohim del qartë se as nuk e njohin dhe as nuk e kanë lexuar Marksin. Si antikomunistë, ata nuk e marrin mundimin ta lexojnë atin e komunizmit “shkencor”, sepse për ta ai është “largqofti” – tjetër çështje, pastaj, sesa janë në gjendje ta kuptojnë atë. Këtu nuk po bëj apologjetin e Marksit, të cilin kam më shumë se 20 vjet që e lexoj dhe sa më shumë i rikthehem, aq më shumë kuptoj se nuk mbështes idetë e tij, sidomos determinizmin e tij historik dhe mëtimin e historia udhëhiqej në rrugëtimin e saj nga një logjikë dhe ishte drejtuar drejt një destinacioni të pashmangshëm: shoqëria komuniste. Si vinte në dukje me mjaft mprehtësi Albert Kamy “sa më shumë njerëzit besojnë te historia, aq më shumë ata humbasin përgjegjësinë për jetët e qenieve njerëzore”. Por kjo nuk do të thotë se duhet të deklaroj se Marksi nuk ishte humanist apo, edhe më keq, ta shpall armik apo heretik. Filozofi i madh gjerman vijon të jetë një figurë qendrore e historisë së mendimit evropian dhe botëror dhe çdo intelektual i mirëfilltë angazhohet seriozisht me veprën e tij. Në këtë rast, do të ishte e nevojshme të kujtonim Volterin, që në një rast i shkruante një oponenti të tij: “me ty nuk jam dakord dhe mendimet e tua nuk më pëlqejnë, por jam i gatshëm të luftoj deri në vdekje që ti të kesh të drejtën t’i shprehësh ato”.

Në fakt, mënyra se si flasin partizanët e dekomunistizimit të këtij fundiviti dhe sesi e ndërtojnë gjithë ligjërimin e tyre, të bën të kuptosh se ata janë po aq përjashtues, e po aq mohues ndaj “Tjetrit” sa edhe revolucionarët e tipit leninist. Më shumë sesa me ithtarët e lirisë, këta shëmbëllejnë me inkuizitorët. Kërkesave dhe akuzave të tyre u kundërpërgjigjen “specialistë”, “ekspertë”, “studiues” dhe politikanë të së majtës shqiptare apo të lidhur e në shërbim të saj. Në shtyp e televizion ata nisin e rendisin krimet e forcave antikomuniste gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, por pa përmendur krimet që kanë kryer forcat komuniste dhe regjimi i PPSh-së gjatë dyzetë e pesë vjetëve të pushtetit të tij. Mos vallë duan të deligjitimojnë kërkesat e PD-së duke heshtur mbi krimet e PKSh-së dhe të PPSh-së? Kjo heshtje e tyre tregon se ata e legjitimojnë represionin dhe dhunën që ushtroi regjimi komunist mbi kategori të tëra shoqërore. Kështu, debati hyn në rrugë qorre dhe reflektimi i nevojshëm dhe klima e diskutimit prishet përfundimisht nga “profesionistët” e palicencuar të të dy krahëve të spektrit politik.

Edhe më shqetësuese janë kategoritë kolektive që përdorin në zhargonin e tyre “dekomunistizuesit” e këtij fundiviti. Repertori konceptual që ka si njësi analize grupin, në rastin konkret “komunistët” në numrin shumës, tregon se sa të pashkëputur janë ata nga tradita intelektuale e shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Nga sa i njoh, ata janë të pavetëdijshëm për këtë fill që lidh mendimin e tyre më atë të një shekulli e ca më parë, kohë kjo kur u ngjiz komunizmi, nacionalizmi, eugjenizmi, racizmi shkencor dhe të gjitha ideologjitë që kërkesat e tyre, i artikulonin mbi bazën e të drejtave që i takonin grupit ose grupeve dhe jo individit. Ky i fundit humbiste në kategoritë e gjera sociale ku e vendosnin ideologjitë. Deri ne mesin e shekullit XX është folur për të drejta kombëtare, etnike e klasore. Po njëlloj ndodhte edhe me armikun, i cili identifikohej mbi bazën e disa cilësive që i mvisheshin grupit shoqëror ku ai bënte pjesë. Në Europë, situata do të ndryshonte vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, që përkon me rritjen e skajshme të ndikimit amerikan në kontinentin e vjetër dhe kur në këtë të fundit do të depërtonte konceptimi individualist i të drejtave. Tanimë, do të flitej për të drejtat e njeriut dhe jo më të qytetarit, ky i fundit i kuptuar si një subjekt ekskluzivisht politik i angazhuar në jetën politike kombëtare. Individualizimi i të drejtave, i dha fund edhe asaj që është quajtur “tirani e qytetarit” dhe bashkë me të u depolitizua çështja e të drejtave, që i takonte ose i përkiste të gjithë njerëzve, pavarësisht statusit të tyre politik.

Në Shqipërinë e vitit 2021, ata që predikojnë “dekomunistizim” shkojnë në drejtim të kundërt me këtë prirje që ka më shumë se pesëdhjetë vjet që ka hedhur rrënjë në Europë dhe në segmente të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Kodet gjuhësore dhe konceptuale që përdoren janë thellësisht kolektive. Në vend që ta trajtojnë problemin e regjimit komunist si një dukuri historike shqiptare dhe botërore, ata vënë në shënjestër kategori të caktuara sociale të cilat i godasin dhe kërkojnë t’i bëjnë përgjegjës me çdo kusht. Nuk flasin për reflektim por për ndëshkim, ose më mirë për ostracizim shoqëror. Historinë e shkruajnë si kanë qejf, shpesh duke e shitur veten si studiues, ndërkohë që nuk janë dhe nuk kanë asnjë formim për të bërë punë akademike serioze, të paktën jo për periudhën komuniste. Ndaj edhe kur e bëjnë këtë, e vënë në shërbim të agjendës së tyre apo edhe të promovimit të vetes. Kërkojnë të përdorin dekomunistizimin si mjet për të politizuar mjedisin gjithnjë e më të depolitizuar shqiptar dhe problemin e drejtësisë ndaj viktimave të komunizmit synojnë ta shndërrojnë nga një problem mbarëshoqëror, që kapërcen të majtën e të djathtën, në një instrument partiak.Në të vërtetë, depolitizimi i shoqërisë shqiptare që ne shohim sot, është tregues i zbehjes gjithmonë e më të madhe të trashëgimisë komuniste. Regjimi komunist donte të përshkonte çdo pore të shoqërisë dhe të kontrollonte çdo sferë të jetës përmes politizimit.Distancimi gjithnjë e më i madh i shoqërisë shqiptare nga ky politizim dhe debatet që prodhojnë vazhdimisht partitë politike, përfaqësojnë një dekomunistizim spontan e të pakomanduar nga lart.

Në fakt, ata mëtojnë se Partia Demokratike ka të drejtën morale dhe historike të drejtojë dekomunistizimin, kjo me pretendimin se ish të përndjekurit janë elektorati historik i PD-së. E para, pohime të tilla tregojnë qartë se sipërmarrësit politikë dhe mediatikë që kërkojnë dekomunizstimizin, e shohin këtë proces ekskluzivisht si një nismë politike të një partie të vetme duke përjashtuar çdo formë dialogu pluralist që përfshin brenda saj edhe shoqërinë civile. E dyta, ata e rrudhin këtë proces vetëm tek drejtësia për ish të përndjekurit. Sipas këtij arsyetimi, PD ka akaparuar ish të përndjekurit dhe pa të djathtën ata janë jetimë, kurse e majta nuk i sheh si shtetas shqiptar që kanë të drejtën e tyre kushtetuese të dëmshpërblehen moralisht dhe materialisht për të gjitha vuajtjet e tmerrshme që kanë kaluar gjatë regjimit komunist. Nga ky moment, ky problem nuk i takon më shoqërisë dhe të gjithave forcave politike, por vetëm Partisë Demokratike.

Dekomunistizimi dhe monopolizimi i këtij procesi shndërrohet kështu në një mundësi për të fituar kapital politik dhe për të goditur kundërshtarin politik, në këtë rast PS-në, duke e etiketuar atë thjesht dhe vetëm si trashëgimtare të PPSh-së dhe jo si partinë kryesore të së majtës që përfaqëson një pjesë shumë të rëndësishme të elektoratit shqiptar. PS, sipas kësaj logjike, ka ndryshuar emër por jo përmbajtje. Në këtë mënyrë, duke e lidhur dekomunistizimin me rezolutën e vitit 2009 të BE-së dhe europianizimin, PD kërkon të delegjitimojë sa më shumë brenda dhe jashtë vendit PS-në. Përtej padijes dhe zellit të tyre për të ndjekur dhe asgjësuar fantazmën e Enver Hoxhës dhe të komunizmit, arsyeja pse ithtarët e dekomunistizimit flasin dhe përdorin kategori kolektive që vënë në thepin e shënjestrës së tyre grupime të tëra, kanë qëllime të qarta politike të ditës. Duke akuzuar PS-në e vitit 2021 si trashëgimtare të PPSh-së që kishte për ideologji udhëheqëse marksizëm-leninizmin dhe duke deklaruar komunizmin si ideologji të dënuar nga BE-ja, praktikisht kupola e PD-së dhe të gjithë ata që janë në shërbimin e saj, kërkojnë të delegjitimojnë forcën politike që ka pushtetin. Kjo është një nga nismat e shumta që tanimë janë bërë të modës në jetën politike shqiptare, ku opozita kërkon me çdo kusht të polarizojë gjendjen në vend dhe të delegjitimojë partinë që ka fituar zgjedhjet.

Prandaj edhe instrumentalizimi i “dekomunistizimit” ka për të qenë një flluskë sapuni për sa kohë udhëhiqet nga qëllime segmentare që nuk rrokin në gjithë gjerësinë e tyre mbarë shoqërinë shqiptare. Kështu, ndërsa Enkelejd Alibeaj kërkon distancim nga Enver Hoxha, ai nuk sqaron se çfarë do të thotë distancim dhe nëse distancimi është alternativa e duhur për të reflektuar mbi të shkuarën. Përpos kësaj, zëvendëskryetari i PD-së nuk kërkon reflektim dhe hetim të gjithë atyre që kanë kryer krime në këtë vend. Dhe krime nuk kanë kryer vetëm komunistët, por jo rrallë herë edhe ata që e quanin veten si antikomunistë, sidomos në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Atëherë kur nismat e kësaj natyre, që kërkojnë përfshirje të gjerë, sidomos të shoqërisë civile, lindin nga nevoja politike të ditës dhe i përgjigjen interesit të ngushtë dhe të momentit të një partie të vetme, ato përgjithësisht veniten po aq shpejt sa edhe shfaqen.

Reflektimi mbi komunizmin dhe krimet e tij, kërkon pikësëpari të njohim se çfarë e mbajti aq gjatë atë regjim në këmbë. Në çfarë mënyrash dyzet e pesë vjetët e periudhës komuniste kanë farkëtuar modele që riprodhohen sidomos në kulturën politike dhe në korrupsionin e madh politik që ka përfshirë vendin? Cilat janë pasojat e shumta ekonomike, kulturore, shoqërore të atij regjimi? Si e kaluara komuniste rëndon mbi të sotmen? Kjo nuk mund të arrihet duke e nxirë atë periudhë dhe duke i adresuar asaj të gjitha problemet me të cilat ndeshet sot shoqëria shqiptare. Ndryshe, do të përfundojmë si Hrushovi me destalinizmin. Duke i mveshur Stalinit të gjitha problemet e Bashkimit Sovjetik, Hrushovi e shfajësoi sistemin që kishte lejuar Stalinin të kryente krimet që bëri – dhe në realizimin e të cilave ishte përfshirë edhe vetë Hrushovi. Duke u marrë më fantazmën e komunizmit dhe të Enver Hoxhës, e duke i cilësuar mbështetësit e diktatorit stalinist shqiptar si të këqij, nuk do arrijmë asgjë veçse do riprodhojmë, nën një petk tjetër, të njëjtin qëndrim të pakompromistë ndaj kundërshtarit, të cilin intrazigjenca e tipit leninist e shndërron në armik.

Shumë instruktive për këdo partizan të dekomunistizimit është domethënia e obeliksut të Nikita Hrushovit, bërë nga skulptori rus me prejardhje hebatike, Ernst Neizvjestni. Në vitin 1962, Neizvjestni pati një debat shumë të ashpër me Hrushovin. Udhëheqësi komunist e quajti artin bashkëkohor të skulptorit si të degjeneruar, akuzë kjo, të cilës ai iu përgjigj se Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të BRSS-së ishte thellësisht injorant në fushën e artit. Nuk ka nevojë të përshkruaj sesi u shpreh Hrushovi kundër Neizvjestnit. Gjithsesi, në vitin 1972, familjarët e Hrushovit, që kishte vdekur një vit më parë, i kërkuan të bënte qivurin e ish-liderit sovjetik. Neizvjestni pranoi. Obelisku përbëhet nga blloqe graniti të bardhë e të zi, të cilët janë të ngërthyer në pika të ndryshme me njëri-tjetrin. Duke përdorur një konceptim dikotomik dhe kundërvënien midis dy ngjyrave të kundërta, Neizvjestni përmes kësaj vepre vinte në dukje pikërisht kontradiktat e shumta brenda të cilave ishte kapur Hrushovi. Me qëllime reformatore dhe besimtar i utopisë komuniste, i vendosur të shkëpuste vendin nga trashëgimia staliniste, liberalizues i jetës ekonomike dhe sociale, ai në fund shtypi me tanke lëvizjen hungareze të vitit 1956, ndaloi lirinë artistike ku ishte vetë nismëtar, vijoi përndjekjen fetare me të njëjtin zell si Stalini dhe ekonominë e lejoi të qëndronte e mbërthyer në duart e planifikuesve qendror në Moskë. Përballja mes idealeve dhe realitetit, ndeshja me trashëgiminë staliniste që e kishte formësuar edhe atë vetë, bilanci pozitiv dhe negativ, e bënin Hrushovin një figurë tejet komplekse, gjë që Neizvjestni e shprehu edhe në veprën e tij. Përmes artit të tij dhe gjuhës së ngjyrave të granitit, skulptori i talentuar rus, mblodhi në një monument të vetëm historinë e Hrushovit si njeri dhe të vendit ku ai jetoi dhe drejtoi.

Ndoshta, qivuri i ish-liderit komunist mund të na tregojë shumë më tepër sesi t’i qasemi të shkuarës, pa mllef, por të etur për të kuptuar dhe mësuar sa më shumë prej saj, duke respektuar viktimat por duke bërë kujdes se si të identifikohen xhelatët. Mbi të gjitha, të mos e pikturojmë komunizmin si një distopi tmerri. Duhet kuptuar pse pati mbështetje, sepse gjurmimi i legjitimitetit dhe humbjes së tij nga regjimi komunist, na ndihmojnë më shumë për të kuptuar sesi struktura e pushtetit ndërlidhet me shoqërinë dhe sesi këto përshtaten në mënyrë të ndërsjellë me njëra-tjetrën. Kjo do kohë dhe punë. Në pikturën e tij të njohur “E vërteta, koha dhe historia”, piktori spanjoll Fransisko Goja e portretizonte “kohën” si një burrë me krahë engjëlli që mbante nga dora dhe ndihmonte të “vërtetën”, të portretizuar si një grua, të qëndronte në këmbë. Poshtë tyre, e personifikuar si një vashë thuajse e zhveshur dhe e ulur mbi një shkëmb, qëndronte “historia”, e cila regjistronte ngjarjet, gjë që nënkuptonte se me kohën del e vërteta. Goja ishte bir i kohës së tij dhe besonte plotësisht tek e vërteta. Sot jetojmë në epokën e post-modernitetit dhe siguritë e mëdha të iluminizmit janë tronditur shumë rëndë nga Lufta e Dytë Botërore dhe nga diktaturat e egra të shekullit XX. Unë nuk e kam më besimin e Gojas për arritjen e të vërtetës, sikundër jam shumë skeptik në objektivitetin e historisë apo në emërtimin e saj si shkencë. Gjithsesi, “E vërteta, koha dhe historia” zbut pesimizmin intelektual të kohës që jetojmë dhe tregon se me kohë, nëse e kaluara studiohet për sa më shumë të jetë e mundur, e zhveshur nga qëllimet sektare – si edhe vasha që personifikon historinë – atëherë do të jetë e mundur të zbërthejmë më mirë të shkuarën tonë dhe përmes saj të kuptojmë se ku jemi e ku duam të shkojmë. 

Filed Under: Opinion

FESTOHET ME MADHËSHTI 109 VJETORI I KRIJIMIT TË USHTRISË SHQIPTARE

December 26, 2021 by s p

Forumi i Ushtarakëve  Shqiptar të “Bijve të Shqipes” në FILADELFIA

Ushtarakët Shqiptarë të liruar ose në pension, me banim në Filadelfia të SHBA,(nën drejtimin e kryetarit të forumit ushtarak z.Eqerem Murati,n/kryetarit z.Ali Sopi dhe sekretari i këtij forumi z.Lutfi Brami ky dhe moderatori i këtij aktiviteti), përkujtuan dhe festuan me madhështi 109 vjetorin e krijimit të ushtrisë shqiptare 4 dhjetor 1912, në lokalin “AMIÇI resorant në Cerrihill të Neë-Jersit” me pronar birin e Radomirës Kalasë së Dodës të nderuarin z.ASTRIT SHEFIT SELIM DAKU. Në ketë takim entuziast vëllazëror merrnin pjesë antarë të Forumit të ushtarakëve shqiptar të “Bijve të Shqipes”në Filadelfia, bashkë me zonjat e tyre të nderuara,miqë të ftuar nga shoqata e ushtarakëve “Skënderbeg”të Neë-Yorkut të kryesuar nga zv/presidentia e kësaj shoqate kolonele në rezervë zj.Nadire  Xhakolli,me ekipin e saj të përbërë nga antarët e kryesisë të kësaj shoqate, ish Pedagogu i Akademisë Forcave Tokësore dhe mik i shoqates dhe i Forumit të ushtarakëve shqiptar të “Bijve të Shqipes”z.Mihal Jano, veteranët ushtarak Agim Piro, Përparim Sahitaj dhe Veri Taushllari), Kryetari i Shoqatës “Bijtë e shqipes” z.Bujar Gjoka, zv/Kryetari i shoqatës z.Dritan Matraku dhe “Kryetari i Nderit” të kësaj shoqate z.Tajar Domi,ideatori,themeluesi i forumit të ushtarakëve ky dhe “Kryetar Nderi”i shoqatës dhe i Forumit të ushtarakëve z.Petrit Zanaj. Në hyrje të resorantit ishte vendosur një panoramë bukur ku valviteshin flamujt shqiptar dhe Amerikan si dhe një parullë e shkruar “Gëzuar 109 vjetorin e ushtrisë kombëtare shqiptare”, ”Forumi i ushtarakve shqiptar te Filadelfias, kënd i ndërtuar me një kompozim të  bukur nga “Kryetari i Nderit” të Forumit z.Haki “Haxhi” Daut Çollaku. Të gjthë pjesëmarrësitë zunë vend në tavolina dhe ata dukeshin shumë entuziast e të gëzuar që po takonim e festonim së bashku pas një periudhe gati 2 vjeçare që nuk kemi festuar për vetë kushtet që na krijoi e mallkuara Pandemi Covid-19. Vërtetë dukej se do të ishte një ceremoni e bukur, një festë e mirë organizuar në një mjedis të ngrohtë familjar e shoqëror, mes ushtarakësh që vite me radhë kanë punuar e sakrifikuar së bashku në Atdheun mëmë dhe prapë janë bashkë edhe në Atdheun e 2-të”Amerikën e lirisë e demokracisë”. Ketë mbrëmje festive e hapi sekretari i Forumit të ushtarakëve shqiptar të “Bijve të shqipes”k/komisari i rendit publik shqiptar i respektuari z.Lutfi Brami. Ai pasi na uroj mirseardhjen në ketë takim vëllazëror dhe na ftoj që të ndigjonim e të këndonim bashkarisht Tingujt e Hymnit Kombëtar Shqiptar dhe Hymnit e Kombëtar Amerikan,ku të gjithë pjesëmarrësit  u ngritën në këmbë  e me dorë në zëmër ,i përcollëm me shumë emocion. Pas hymneve kombëtare të Shqipërisë dhe Amerikës z.Lutfi ja dha fjalën Kryetarit të Forumit të ushtarakëve shqiptar të Filadelfias z.Eqerem Murati për të përshëndetur pjesmarësit,i cili i  bëri  një përshkrim të rrugës lavdishme të Ushtrisë Shqiptare në këto 109 vite, duke u ndalur në momentet më të ndritshme të kësaj rruge, si në luftratë që ka bërë populli ynë në luftë për liri pavarësi e demokraci, në organizimin strukturor të ushtrisë në vitet e Mbretërisë, organizimin ushtrisë gjatë luftës antifashiste N-Çl dhe fitoren mbi nazifashizmin si pjesë krenare e Aleancës Anglo-Sovjeto-Amerikane, modernizimin në vitet e Luftës së Ftohtë dhe ristrukturimin e saj si pjesë e Aleancës së NATO s. Ai përshëndeti djemtë e vajzatë shqiptare sot nën uniformë, pjestarë të denjë në misionet luftarake e paqeruajtëse në botë, dhe po aq të paepur në detyra në raste emergjencash e fatkeqsishë natyrore brenda vendit dhe mbi sukseset e sotme të ushtrisë shqiptare në përbërje të aleancës atlantike si krenari e ushtrisë shqiptare në NATO. Fjala e tij u dëgjua me kënaqësi dhe u duartrokitë nga pjesmarrësit. Dhe pastaj muzikë, valle e vallzim, përplasje gotash e biseda shokësh e kolegësh, kujtime që shtrihen edhe përtej 50 vjetësh, kur ishin djemë e vajza të reja, skënderbegas e studente e studentë ushtarakë, oficere e oficerë të rinj kudo në Shqipëri. Në emër të shoqatës atdhetare kulturore të “Bijve të shqipes”përshëndeti pjesëmarrësit n/kryetari z.Dritan Matraku,i cili midis tjerash vlerësoi punën dhe kontributin që japin antarët e forumit ushtarak ,duke qenë shëmbull në gjitha aktivitet që organizohen e sidomos në ndërtimin e riparimin e ndërtesës së re të shoqatës. Në emër të shoqatës ushtarake “Skëndërbeg” përshëndeti ketë takim festiv kolonele në pension zv/presidentia zj.Nadire  Xhakolli,e cila falenderoi kryesinë e Forumit për ftesën dhe prezencën e saj e të  ekipit që ajo kryeson ,në ketë takim festiv vëllazëror organizuar për “109 vjetorin  e krijimit ushtrisë shqiptare” si dhe na solli përshëndetjen e Presidentit të kësaj shoqate kolonelit në (R) z.Bujar Hasani me urimin :’Gëzuar festën e ushtrisë shqiptare”dhe kështu festofshim bashkarisht në festat tjera në të ardhmen si dhe përjetofshim vetëm shëndet cilësor,jetgjatësi, mirësi,gëzime e lumturi familjare”. Mes këtij gëzimi familjar e vëllazëror vazhduan të kërcejnë e hedhin valle ish ushtarakët me zonjat e tyre, të cilët me shumë emocion i përjetuan këto 4-5 orë gazmore me këngë e valle,vallzim nga gjitha trevatë shqiptare. Drejtuesit e forumit dhe të Shoqatës kalonin nga një tavolinë në tjetrën, duke u takuar e çmallur me këta  vëllezër e kolegë,ku pati disa përshëndetje e takime e përgëzime me të ftuarit e nderit zotrijtë e shoqatës “Skënderbeg”,ku me rradhë çdo pjesëmarrës erdhi dhe i takoi dhe trokiti gotën e verës ,rakisë apo birrës me këta motra e vëllazër, që na e hijeshuan e shtuan gëzimin e festës sonë.  Nga artopolanti buçet kënga labe “Çobanët mbi Gjeneralë” dhe ajo për trimat e Drenicës,Tropojës, Dibrës dhe krahinava të tjera, ngrihen shëndete për shokë e miq.Mendoj se këtu një meritë të veçantë pati moderatori i këtij aktiviteti  k/komisari veteran Lutfi Brami, i cili me zgjuarësi e kopetencë  drejtoi ketë aktivitet. Sejcili pjesëmarrës kishte dëshirë të bënte foto me shokë e shoqe, sidomos tek këndi mes flamujve kombëtar shqiptar dhe amerikan. Shumë foto u bënë me të ftuarit për t’i patur si kujtim vëllazëror. Në ketë aktivitet u dhanë edhe disa “Çetërfikata Mirnjohje “ dhe “Nderi i Ushtarakut” për antar të forumit të dalluar dhe për kontribut pozitiv në shoqatë dhe në aktivitet e Forumit ushtarak. Moderatori i aktivitetit z.Lutfi Brami fton kryetarin e shoqatës”Bijtë e shqipes”z.Bujar Gjoka që të jap “ ”ushtarakut veteran z.Ahmet Shaban Shahut  “ÇETËRFIKATËN E MIRNJOHJES”,me motivacion:”Për kontributin,sakrificën dhe përkushtimin për të kultivuar virtutet dhe traditat më të spikatura shqiptare në komunitet,duke qenë një model e simbol,i cili duhet të ndiqet në jetën e Forumit e më gjërë”të firmosur nga kryetari e sekretari i Forumit ushtarak. -Moderatori fton “Kryetarin e Nderit” të Forumit z.Haki Çollaku për t’i dhënë “Çetërfikatën e Mirnjohjes “NDERI I USHTARAKUT SHQIPTAR” ,veteranit ushtarak z.Haziz Kuliçi me motivacion:”Për respektin dhe mbajtjen lartë të vlerave e virtuteve më të shejta të ushtarakut shqiptar në gjirin e komunitetit shqiptar të Filadelfia USA”,të firmosur nga kryetari e sekretari i Forumit ushtarak. -Moderatori fton Kryetarin e Forumit z.Eqerem Murati për t’i dhënë “ ÇETËRFIKATËN E MIRNJOHJES” ushtarakut në rezervë z.Rifat Sula me motivacion:” :”Për kontributin, sakrificën dhe përkushtimin për të kultivuar virtutet dhe traditat më të spikatura shqiptare në komunitet, duke qenë një model e simbol,i cili duhet të ndiqet në jetën e Forumit e më gjërë”të firmosur nga kryetari e sekretari i Forumit ushtarak. -Moderatori fton zj.kolonele Nadire  Xhakolli që t’i jap Çetërfikatën e mirnjohjes,”NDERI I USHTARAKUT SHQIPTAR”, veteranit z.Kastriot Hysko me motivacion:” :”Për respektin dhe mbajtjen lart të vlerave e vituteve më të shejta të ushtarakut shqiptar në gjirin e komunitetit shqiptar të Filadelfia USA”të firmosur nga kryetari e sekretari i Forumit ushtarak. -Moderatori fton “Kryetarin e Nderit” të forumit të ushtarakut z.Petrit Zanaj të jap “ÇETËRFIKATËN E MIRNJOHJES” zonjushës Hatixhe Haki “Haxhi “ Çollakut me motivacion:”Për përcjelljen e vlerave dhe virtuteve që na jep ne si veteranë të ushtrisë shqiptare dhe mbarë komunitetit shqiptar të Filadelfias,duke qenë një model e simbol,i cili duhet ndiqet nga të rijtë shqiptar dhe antarët e forumit tonë ,për të qenë qytetar të devotshëm mikut më të  madh të kombit tonë “Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, të firmosur nga kryetari e sekretari i Forumit.  Prindërit  zj.Dhurata dhe z.Haki Çollakut në nderim të vajzës së tyre, Hatixhes, e sapo diplomuar për të shërbyer në radhët e USA Army! Jo vetëm sytë e Dhuratës, por edhe të të pranishmëve mbushen me lotë, lotë krenarie e nderimi. Të dy prindërit krenarë i përqafon edhe kolonelia në (R)Nadire Xhakolli, ushtarake në pension edhe ajo, por edhe djali i saj, Tani dhe bashkëshortja e tij, gjithashtu shërbejnë në FA të SHBA. Ja pra, edhe brezi i ri i emigrantëve shqiptarë, po ecën në shtigjet që hapën brezat e mëparshëm duke u bërë pjesë e FA të SHBA. -Moderatori fton “Sekretarin e Nderit”TË Forumit z.Hys Hasa për t’i dhënë “ÇETËRFIKATËN E MIRNJOHJES”, z.Jakup Domi me motivacion:” :”Për kontributin, sakrificën dhe përkushtimin për të kultivuar virtutet dhe traditat më të spikatura shqiptare në komunitet, duke qenë një model e simbol,i cili duhet të ndiqet në jetën e Forumit e më gjërë”të firmosur nga kryetari e sekretari i Forumit ushtarak. Zotrive te shoqates “Skenderbeg”ju dha nje “Çeterfikate mirnjohje” dhe nje flamur kombetar shqiptar. Në ketë aktivitet poeti e shkrimtari ushtarak Veri Taushllari i dhuroi shoqatës “Bijtë e shqipes”dhe Forumit të ushtarakëve shqiptar të Filadelfias,nga një libër me autografin e tij përfshi dhe bibliotekën “Anastas Dodi”të shoqatës. Një falenderim të veçant meritoi edhe drejtuesi i muzikës e këngës me digjej që na e kënaqi shpirtin me këngë e valle shqiptarie. Ne kete takim vellazeror antari i Forumit te ushtarakeve z.Bujar Çela(ky dhe antar i keshillit drejtues te shoqates”Bijte e shqipes”bashke me zonjen e tij ,sot pikerisht ne kete date kishin dhe 20 vjetorin e marteses,te cilet jane bashkshort,prinder e atdhetar shembullor, te cileve ju uroj edhe edhe 100 vite qofshin e gezofshin familjarisht duke qene te lumtur e te gezuar me femijte e tyre sot nxenes shembullor si ne shkollen shqipe”Gjuha jone “dhe ne shkollat e Filadelfias. Ja kështu u vazhdua dhe u mbyll kjo ditë e bukur gëzimi, nderimi e feste, ku shokë, miq e mikesha,si Ahmeti,Bujari, Tajari,Dritani, Asllani,Xhemaliu,Kastrioti,Lutfiu,Aliu, Përparimi, Jakupi, Luiza, Hysa, Mihali e të gjithë të tjerët ndanë disa orë të këndshme dhe jetuan me kujtime dhe rininë e tyre.

Në ketë festë pjesëmarrësit mbetën shumë të kënaqur nga gatimet ushqimore dhe shërbimi i kulturuar i këtij lokali shembullor me pronar shqiptar në ketë vend të largët.Të gjithë u larguam me respektin e mirnjohjen maksimale për organizimin, drejtimin e moderimin e këtij aktiviteti vëllazëror festiv të 109 vjetorit të krijimit të ushtrisë shqiptare dhe me urimin:”Faleminderit zotrijë drejtues të Forumit të ushtarakëve shqiptar të shoqatës”Bijtë e shqipes”në Filadelfia që na dhatë kënaqësinë të shijojmë e përjetojmë ketë aktivitet emocional vëllazëror.Të gjithë u larguam me përshtypjet më të mira me dëshirën që të gëzohemi e përjetojmë edhe në takimet tona në të ardhmen e përbashkët vëllazërore. Takime e festime të tilla na ulin stersin që përjetojnë gjithë emigrantë kudo në botë largë njerzëve të tyre të dashur të gjakut në vendlindje. Shumë faleminderit për mirkuptimin të dashur z.Eqerem Murati, Ali Sopi dhe Lutfi Brami.Zoti i bekoftë gjithë ushtarakët shqiptar kudo në botë, familjet e njerzit e tyre të dashur.

Akademik Hys Hasa

Filadelfia

Filed Under: Komunitet

EVROPA DHE PUTINI: LOJA E MADHE E GAZIT

December 26, 2021 by s p

Nga PAOLO VALENTINO – “Corriere della Sera”, 19 dhjetor 2021- Përktheu: Eugjen Merlika

Sikur të jenë funksionarët e Brukselit dhe të Berlinit, me shkujdesjen miratuese të qeverisë gjermane, t’i japin shah mat Vladimir Putinit, duke fundosur projektin strategjik që ka më për zemër, pra gazsjellësin Nord Stream 2? Dukej e mbaruar vetëm një muaj më parë, për gazsjellësin ruso-gjerman që vrapon nën detin Balltik, duke i ardhur rrotull Ukrainës, e që kur të hyjë në veprim do t’a bënte udhëheqësin e Kremlinit zotëruesin e vërtetë të furnizimeve energjetike evropiane. Dukej se Putini e kishte fituar ndeshjen, mbasi në maj Joe Biden, n’emër të aleancës me Berlinin, kishte vendosur të mos përsëriste sanksionet jashtëterritoriale kundra ndërmarrjeve që merrnin pjesë në projektin, duke i hapur kështu rrugën plotësimit të strukturës gjatë verës. Dukej se vërtetimi i Autoritetit gjerman për rrjetet dhe provimi i mëtejshëm i Komisionit evropian, do t’ishin vetëm dy kalime vetëm formale.

Sigurisht, ndonjë pengesë e vogël ishte, në kuadrin e ligjëshmërisë së bashkësisë, së cilës i nënështrohet çdo gazsjellës që hyn në territorin e BE. Ajo detyron, ndërmjet gjërave të tjera, t’ashtuquajturin “unbundling”, pra ndarjen e rreptë ndërmjet kompanisë që prodhon, t’asaj që transporton e t’asaj që shpërndan gazin. Është e kundërta e asaj që bën Gazpromi, monopolisti i Shtetit rus. Kështu, më 16 nëndorin e shkuar Bundesnetzagentur-a kishte pezulluar dëshmimin e Nord Stream AG, shoqëria që ndërton impiantin, sepse nuk i është nënështruar së drejtës bashkësore, duke mbajtur selinë ligjore në Zvicër. Megjithatë dukej si një pengesë e parëndësishme dhe e zgjidhëshme: zërat qarkullonin se rregullkërkuesit do të ishin kënaqur me një shoqëri ndihmëse të krijuar enkas nga Gazpromi në Gjermani dhe e caktuar të mbarështonte pjesën gjermane të Nord Stream 2.

Por, pastaj ndodhën dy gjëra. E para që në Berlin u vendos një qeveri e re federale, nën kancelarin Olaf Scholz, me socialdemokratët, liberalët e mbi të gjitha  të gjelbërtit, që prej kohësh kanë kundërshtuar gazsjellësin. E dyta është që kriza ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë përsëri u rëndua, përballë kërcënimit të vërtetë apo të pandehur të mësymjes ushtarake nga ana e Putinit.

Ky skenar lufte ka shtyrë Scholzin dhe rishministren e Jashtëme Annalena Baerbock për të vendosur një “lidhje” ndërmjet krizës ukrainase dhe Nord Stream 2, siç kishin kërkuar aleatët amerikanë: nëse Rusia do të dhunojë integritetin territorial të Kievit, gazsjellësi do të bllokohej përfundimisht. Koncepti është ritheksuar dje nga zëvendës kancelari Robert Habeck, simbas të cilit përballë një agresioni “asgjë nuk do t’ishte e pamenduar” përsa i takon pasojave.

Por fakti i ri  nuk është aq kundërveprimi i mundshëm ndaj një akti lufte (të pamundshëm) të Putinit. Tani kuptohet sepse në 177 faqe të marrëveshjes së qeverisë ndërmjet PSD, PL e të Gjelbërvet Nord Sream 2 as që përmëndet. Në të vërtetë është argumenti juridik formal që e ka vënë në ujdi qeverinë e Berlinit, duke i dhënë të gjithë ortakëve një motivim, në dukje të thatë. Më parë Baerbock, pastaj Scholz e dje së fundi Habeck, kanë përsëritur se gazsjellësi nuk mund të hyjë në veprim, sepse nuk respekton rregullat e konkurrencës në fuqi në BE. Një kryevepër dhelpërie, ajo e Scholz-it, që për këtë dhe tema të tjera si Reforma e Paktit të qëndrueshmërisë do të flasë sot në Romë me Mario Draghin: “Bëhet fjalë për një projekt ekonomik privat dhe duhet të respektojë të drejtën komunitare. Mbi këtë vendos në mënyrë krejtësisht jo politike një autoritet gjerman”. Vetëm me një fjali, kançelari i ri ka hedhur n’erë një copë të Ostpolitikës të dëshiruar nga shoku i partisë Gerhard Schröder  dhe gjashtëmbëdhjetë vjet mos pranimi nga ana e Anxhela Merkel-it për t’a vënë në diskutim projektin.

Konkretisht, Bundesnetzagentur-a ka vënë duart përpara duke thënë se mbi transportin e gazit nuk mund të vendosë më parë se gjysma e vitit tjetër. Pastaj u takon burrecëve të Brukselit të rishikojnë proçedurën gjë që do të kërkojë kohën e saj. Siç thuhej në fillim, janë kode dhe tekste ligjesh të Bashkimit evropian, që po i japin shah matin e parë Vladimir Putinit. Do të shohim cila do të jetë lëvizja e tij e fundit.

“Corriere della Sera”, 19 dhjetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 60
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT