Sokol Paja/
Në nderim të jetës dhe veprës së Zërit të Shpresës, gazetarit Sylejman Gashi u mbaj në New York një tubim përkujtimor në përvjetorin e largimit të tij nga jeta. Tubimin përkujtimor e hapi djali i të ndjerit Sylejman Gashi, Driloni i cili falenderoi pjesëmarrësit dhe solli në vëmendje dhimbjen e të jetuarit pa babain e tyre dhe kontributin e Sulejman Gashit dhe punën në gazetari dhe në dobi të çështjes kombëtare. Ministri i Shëndetësisë së Kosovës Prof. Dr. Rifat Latifi solli për të pranishmit momente nga veprimtaria e Sulejman Gashit dhe çaste nga shoqëria e tyre e ngushtë. Ai i dorëzoi familjes Dekoratën e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu “Medalja Presidenciale e Meritave”. Kryetari i Vatrës Elmi Berisha shpjegoi për të pranishmit lidhjen e hershme të Sylejman Gashit si mësues gjimnazi dhe i akordoi në emër të Vatrës “Mirënjohje” për kontributin në gazetari dhe në dobi të çështjes së Kosovës. Luz Thaçi si mik personal për 25 vite u shpreh se Sylejman Gashi ishte personalitet dhe njeri me vlera të larta perëndimore, kishte kredibilitet moral dhe profesional të lartë.Shqipe Malushi solli për të pranishmit shpirtin poetik dhe kreativitetin e veçantë të Sulejman Gashit. Lek Përlleshi solli për të pranishmit kujtimet që në Klinë me Sulejman Gashin e deri te aktiviteti i lartë në New York. Egzon Gashi lexoi mesazhin e Deanna Douglas, Isuf Hajrizit, Harry Bajraktarit, në përkujtim të Sylejman Gashit si gazetar e veprimtar i shquar në dobi të çështjes kombëtare. Driloni, djali i Sylejman Gashit lexoi në këtë ditë përkujtimi e nderimi mesazhe ngushëlluese nga Ramë Manaj, Muhamet Mjeku, Bekim Sejdiu dhe Ylli Bajraktari. Sylejman Gashi ishte korrespodent i Radiotelevizionit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku raportoi për luftën në Kosovë si dhe për të gjitha zhvillimet nëpër të cilat kaloi shteti i Kosovës. I përjetshëm nderimi dhe kujtimi për kontributin dhe veprën e gazetarit Sylejman Gashi. Shembulli dhe modeli që kultivoi sa ishte gjallë Sylejman Gashi do të jetojë përgjithmonë.