

Zef Pergega/
Fondi Humanitar “Trieshi” festoi 10-vjetorin e themelimit në New York dhe në Detroit. U mblodhën 150 mijë dollarë. Askush nuk i ka tepër, por shpirti bujar i malësorit e kap qiellin me dorë.
Parmbrëmë në sallën e kishës së Shën Palit në Detroit u organizua në formën e një akademie 10-vjetori i themelimit të Fondit Humanitar “Trieshi” me qendër në New York dhe në Detroit, ku janë të përqendruar më shumë malësorët e Malësisë së Madhe në trojet e tyre etnike në Mal të Zi.
Referatin kryesor e mbajti atdhetari dhe veprimtari i çështjes kombëtare, nga trungu i një familjeje të njohur në Malësi dhe në diasporë, z. Gjon Gjokaj me cilësinë e kryetarit të këtij fondacioni. Në kornizën e një referati Gjokaj solli në vëmendje historikun e këtij bajraku me 10 fshatra me traditë në historinë e kombit, me figura me rezyme të njohura në botën shqiptare, akademi edhe në vendin tonë e në Amerikë. Ai evidentoi fatosat e dritës në Malësi e Triesh, ku ndërthuret brumi i dijes dhe patriotizmit edhe në dyert e shkollës së parë shqipe me emrin e heroit tonë kombëtar “Gjergj Kastrioti”. Ai theksoi se 10 vjet janë një dekadë, por rrugëtim plot sakrifica dhe ëndrra të realizuara për vendlindjen. Trieshi, tha ai, njihet në historinë e kombit si treva e dijes, heroizmit, luftës, mbijetesës në tradita, gjuhë e zakone, po ashtu edhe për vlera humane. Trieshi ka nxjerrë poetë, priftërinj, shkencëtarë, avokatë, biznesmenë, poetë, shkrimtarë, të cilët me veprat e tyre ia zbukurojnë fytyrën Malësisë dhe atdheut. Ne, – vijoi Gjokaj, kemi arritur të mbledhim rreth 1.5 milion dollarë, të cilat kanë shkuar në rrugën e Trieshit, shkolla, përmendoren e Gjergj Kastriotit, familjet në nevojë, botim librash, donacione për bursa të studentëve për të vazhduar degët e preferencës në universitete. Sensibilizim i çështjes kosovare në Shtëpinë e Bardhë, ku ka trieshianë të dekoruar nga institucionet amerikane dhe trieshianë që kanë marrë pjesë në UÇK. Gjithashtu janë përkujtuar me simpoziume figura trieshiane, siç qe rasti i fundit i Athanas Gegës.
Aktivitetin e hapi aktivisti Marash Lucaj, i cili ndër të tjera evidentoi në fjalën e tij se ky përvjetor është një dëshmi e gjallë e kapacitetit të Fondit Humanitar “Trieshi” për bashkimin e trieshianëve, për ndihmën në vendlindje. Dhjetë vjet kanë bërë histori dhe askush nuk mendoi për lavdi, por për dashurinë me zemër për Trieshin tonë ku kemi le, ku kemi trojet dhe amanetin e vorreve. Trieshi është toka e larë me gjak e djersë, ndaj ne duhet të jemi shtylla e mbrojtjes së tij nga asimilimi. Në jetë disa gjëra maten me para, por dashuria për vendlindje nuk ka çmim. Humanizmi vërtet nuk njeh kufi.
Sekretari Kole Cacaj i njohu të pranishmit me frymën organizuese e kombinuese në këtë fondacion dhe që lidhet me diasporën për çështje kombëtare dhe të Malësisë. Ai foli për unitetin dhe harmoninë e këtij fondacioni, cilësi këto bazë për funksionimin normal të veprimtarisë humanitare, për të plotësuar të gjitha objektivat që tash 10 vjet i kemi vënë vetes. Ky unitet malësorësh duket sot në sytë e të gjithëve edhe në këtë sallë ku janë më shumë se 300 malësorë e miq tanë, të cilët e simbolizojnë me përfaqësimin e tetë shoqatave që veprojnë në komunitetin tonë.
Biznesmeni dhe një nga donatorët kryesorë të këtij fondacioni nga New York-u, Vaso Nikprelaj, foli me fjalë të zgjedhura për traditën malësore në botën e lirë e veçanërisht për frymën bashkëpunuese të trieshianëve që kudo shpalosin vlera unitare.
Në emër të grupit të këtij fondacioni në Detroit, përshëndeti me fjalë të zjarrta dhe të zgjedhura për këtë kuvend, sa shkencor, sa artistik e humanitar, kryetari Noni Nikollaj.
Aktivitetin e përshëndetën Prof. Lulash Palushaj. Në emër të shoqatës “Malësia e Madhe”, kryetari Toni Gojçaj, “Jehona e Malësisë” Zef Berisha, “Kosova” Marjan Gjeta, “Rapsha”, Prof. Anton Lajçaj, “Këlmendi” Av. Ervin Tinaj, “Koja”, Ndue Gjelvokaj. Një program i pasur me këngëtarët Hana Nikprelaj, Marie Lajçaj, Nikoll Nikprelaj, Fran Lucaj. Mbrëmje mbresëlënëse në vlera dhe në organizim.