• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

NEVOJA PER NDRYSHIM…FILLON NGA VETVETJA

January 24, 2022 by s p

Alma N. Lico/

Nuk ka budallallëk me te madh se te besh e përsëritësh te njëjtat gjera dhe te presësh rezultate te ndryshme. Kjo thënie e Albert Einsteinit, brilante per te gjitha kohërat vlen per te gjithë ne, qe nëpërmjet statuseve publike ne FB, bëjmë prezente shume nga problemet me te cilat perballemi, te cilat per fat te keq nuk mundemi t´i ndryshojmë. Marrim disa klikime apo komente dhe këtu mbyllet ndikimi i tyre. Sakaq djajtë e politikes te patrazuar vazhdojnë te rrënojnë cdo dite e me shume Shqiperine dhe qytetaret e saj pa iu hyre asnjë gjemb ne kembe. Por edhe kjo hapesire e vogël qe na eshte dhene shpesh here censurohet si gjithçka tjetër propagandistike qe kontrollohet e serviret ne menyre te dhunshme e arrogante nga politika.Si mund te ndryshohet kjo situate qe cdo dite e me tepër po robëron te drejtat dhe jetën tone? Qe po na varfëron, dhunon, grabit, mashtron…etj…etj… Kete nuk di ta them, per me tepër qe shoqëria civile e cila duhej te ishte ne krye te lëvizjeve per mbrojtjen e te drejtave te shtypura eshte e ndervarur dhe ne shërbim te politikes qe drejton Shqiperine dhe me tej. Organizimet qytetare janë pothuajse inekzistente. Si trashëgim te epokës se komunizmit ku shumica dërmuese e qytetareve ishin skllevër kokeulur dhe pranonin ne heshtje, madje shume prej tyre edhe duartrokisnin cdo represion te shtetit, mendoj se problemin me te madh dhe përgjegjësitë qe lidhen me situatën, i kemi me vetveten. Ne nje shoqëri ku individi mendon se eshte i pafuqishëm perballe instrumentave te shtetit, e tere shoqëria eshte e gjunjezuar. Pra nevoja per reagim duhet te linde brenda nesh. Sa eshte e mundur kjo kur ka qytetare qe shiten per pak gje, si dhe nga ata qe nuk e kane problem t´u vdesin fëmijët nga uria, vetëm e vetëm qe partine ta kenë te forte!!!… Jemi larg, shume larg!

Filed Under: ESSE

PREND QETTA SHPALL KANDIDATURËN PËR KRYETAR TË VATRËS

January 24, 2022 by s p

Dielli/

Eksperti i shkencave politike Prend Qetta, shpall zyrtarisht kandidaturën për kryetar të Vatrës në zgjedhjet që do mbahen më 26 Shkurt 2022. Prend Qetta ka lindur më 4 Mars 1959 në Pejë dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga data 24 Maj 2001. Është anëtar i Kryesisë së Degës së Vatrës Hartford, Connecticut dhe gjithashtu mban pozicionin e Arkëtarit të kësaj dege. Prend Qetta jep kontributin e tij të lartë në Vatër prej 6 vitesh duke qenë shumë aktiv në çdo aktivitet dhe nismë të organizuar nga Vatra. Prend Qetta ka studiuar për Filozofi-Sociologji në Prishtinë dhe në Amerikë ka mbaruar Mastër në Shkenca Politike në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare në vitin 2008 në Univeristetin “Southern Connecticut State University”, në New Haven, CT. Platforma për drejtimin e Vatrës, vijon si më poshtë: 1. Hapja e Degëve të reja të Vatrës në të gjitha shtetet e Amerikës dhe në Prishtinë, Tiranë, Preshevë, Shkup dhe Tuz.2. Pjesëmarrja e femrave dhe meshkujve në organet drejtuese të Vatrës të jetë 50% me 50%.3. Rritja e kuotës së anëtarësisë 100 usd për Vatrën dhe 200 usd për gazetën.4. 50% të kuotës së anëtarësisë ta mbajë dega dhe 50% ti shkojnë Selisë qëndrore.5. Krijimi Redaksisë së gazetës me staf të kualifikuar dhe nxjerrjen e gazetës çdo 2 javë.6. Organizimin në çdo vit të konferencave shkencore për ngjarjet jubilare.7. Gjetja e fondeve për Shtypshkronjën e Vatrës.8. Një Bibliotekë dinjitoze për Vatrën.9. Vazhdimi dhe thellimi i marrëdhenieve mes Vatrës dhe Organeve shoqërore e politike të SHBA-ve.10. Rregullimi dhe modernizimi i të gjitha Raporteve brenda Federatës Vatra në mënyrat më të mira të mundshme.

Filed Under: Politike

Lamtumirë kolegu ynë Ilir Buçpapaj

January 24, 2022 by s p

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndan dhimbjen e përbashkët për humbjen sot, të kolegut të mirë, reporterit dhe operatorit të njohur të Tropojës, Ilir Buçpapaj. Prej disa vitesh kolegu ynë banonte në Amerikë, duke qenë fizikisht larg Atdheut, por Tropoja, miqtë e tij të shumtë, kolegët e vjetër dhe të rinj, do ta kujtojnë me nderim për kontributin dhe punën e palodhur, për mirësinë njerëzore, dashurinë dhe paepjen për të raportuar ndër vite për rajonet e veriut të vendit dhe për hapësirën shqiptare. Iliri ndau një përvojë raportuese të gjatë në vite, për disa media, mes të cilave edhe për median audiovizive publike të Shqipërisë.Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i shpreh familjes Buçpapaj ngushëllime për humbjen e pazëvendësueshme!I paharruar do të mbetesh kolegu dhe miku ynë Ilir! U prehsh në paqe!

Zyra InformueseUnioni i Gazetarëve Shqiptare

Filed Under: Komunitet

Rigjallërimi i vlerave të Boboshticës, një fshat me histori unike

January 23, 2022 by s p

Dr. Ardiana MIÇI

Kur studiuesi gjerman Gelzer vizitoi Boboshticën në fillim të shek XX (1903), e përshkruan me mjaft delikatesë peizazhin që iu shfaq përpara. Shenjat që të çonin drejt një vendbanimi me jetë kulturore dhe sociale të zhvilluar fillonin me gjurmët e një kishe të vjetër, Shën e Diela. Lisat e lartë ishin për udhëtarët e banorët, që kryenin ato 7 km në këmbë nga Korça, sinjali se pothuajse kishin mbërritur. Atëherë, veç lisave kishin ngelur edhe disa gjurmë të kishës së dikurshme, ndërsa sot as lisat nuk janë më. Kjo ishte për Gelzer përshëndetja e parë me Boboshticën, ndërsa vendi që ai kërkonte ishte Manastiri i Shën Kollit, ku në vitin 1709 ishte mbajtur Sinodi i Shenjtë në të cilin u ngrit në nivelin e Kryepeshkopit të Korçës, Joasaf Gondu, nga Voskopoja (i cili më vonë u zgjodh Patriark i Patrikanës së Ohrit). Manastiri i Shën Nikollës ishte pozicionuar rrëzë asaj pjese të Moravës, që vendasit e quanin Skërka. Boboshtica shfaqej ngadalë hap pas hapi duke befasuar mysafirët me peizazhin dhe thesaret që fshihte në brendësi të rrugëve të lakuara me kalldrëm. Herë pas here shfaqej pema shekullore e manit që jo vetëm bënte hije dhe zbukuronte fshatin por ishte burimi i një pije delikate që quhej rakia e manit. 

Vendosur në krah të Mborjes dhe Drenovës, rrëzë kodrave në perëndim të vargmalit të Moravës, aty ku Gryka e Vogël krijon gjarpërimin e rrugës për në Dardhë, fshat-qyteti gjallonte me jetën e tij komunitare përpara se Korça të merrte udhë si qyteti më i madh dhe më i rëndësishëm i juglindjes. Në Defterin e Korçës dhe Përmetit (1431), Boboshtica numëronte 80 shtëpi dhe 200 mana, ndërsa Korça 26 shtëpi. Prej atëherë fshati u zgjerua duke vendosur lidhje të forta me qytetin e ardhshëm për arsye të afërsisë gjeografike, jetës kishtare të lidhur me Mitropolinë e Korçës, zhvillimit të zejeve dhe dëshirës së flaktë të banorëve për arsim dhe përparim. Për këto arsye, thotë Mazon (1936), Boboshtica u zhvillua shpejt dhe ndërtoi një aristokraci e cila dallonte dukshëm nga fshatrat e Prespës me të cilat kishte ngjashmëri gjuha kajnas që flisnin boboshtarët. Është pikërisht kjo gjuhë e cila ka nxitur mjaft kërkime dhe studime për të gjetur origjinën e banorëve.

Ndër mendimet që janë hedhur, dy janë variantet më të pranueshme që shpjegojnë origjinën e banorëve. Varianti i parë lidhet me zgjerimin më të madh të shtetit bullgar gjatë shek. X-XI, qendra e të cilit ishte në Prespë e pastaj në Ohër, ku u vendos dhe qendra e Patrikanës Bullgare. Ishte koha kur treva e Korçës me fshatrat e saj dhe qytetin Selasfor njihej me emrin Kutmiçevica, emër që gjithsesi ashtu si dhe pushtimi nuk jetoi gjatë. Por si pasojë e tij shumë familje, kryesisht feudalë bullgarë u vendosën përfundimisht duke përfituar toka dhe tituj. Bullgarët tashmë ishin sllavizuar, kishin përqafuar bujqësinë, fenë ortodokse, të drejtën për liturgji në gjuhën sllave dhe po mësonin kulturën bizantine. Rikthimi i pushtetit bizantin pas vitit 1019, me një politikë pajtuese ndaj tyre, u lejoi organizimin e kishës dhe e uli Ohrin në nivel peshkopate, nën varësinë e të cilës Korça dhe rrethinat qëndruan deri në vitin 1767. Në rrethana të tilla është e mundur që një komunitet bullgarësh të jetë vendosur në Boboshticë dhe Drenovë si bërthama e parë e dy kolonive që ruajtën edhe zhvilluan gjuhën në mënyrë të pavarur dhe të izoluar nga grupimet e tjera sllave ndërkohë që integroheshin në mënyrë natyrale dhe paqësore me komunitetin shqiptar përreth. Gelzer dhe Mazon, i konsiderojnë këta banorë të mbetur këtu që nga lëvizjet e popujve sllavo-bullgarë.

Varianti i dytë i lidh banorët e Boboshticës me kryqëzatën e katërt (1204). Shumë prej kryqtarëve, nuk u kthyen më nga erdhën, por u ngulitën atje ku shkuan, përvetësuan zakone, gjuhë dhe mënyrë të re jetese për tu përshtatur në situatat e reja ekonomike. Ka mundësi që kolonë sllavë të perëndimit, mes të cilëve polakë, të kenë mbetur të vendosur në Boboshticë dhe Drenovë gjatë kësaj kohe. Nuçi Naçi (1923), e mbështeti këtë variant duke shkruar në librin “Korça dhe katundet e Qarkut”: “thuhet se të parët që themeluan Drenovën dhe Boboshticën kanë qenë fëmijë të ikura a të dëbuara nga Pollonia prej 1100 a 1200 vjet më parë”. Më vonë, te Gazeta Hylli i Dritës (1939), shkruhet se në Manastirin e Shën Marisë në Boboshticë gjendej një papirus në gjuhën sllavo poloneze që shpjegonte origjinën e banorëve. Klerikët dëshmuan se këtë e mori ambasadori rus në Kostandinopojë dhe e dërgoi në Rusi. Kurorëzimi i një princi polak ishte bërë në kishën e vjetër të Shën Jovanit, ku sipas zakonit dera ishte mbyllur. Gjurmët e kësaj janë të dukshme në mur edhe sot. 

Në pamundësi për të nxjerrë përfundime shteruese me kaq burime, të dhënat gjuhësore hedhin më shumë dritë mbi këtë çështje. Banorët e dy fshatrave flisnin gjuhën kajnas (si ne) ose si e quanin ndryshe ata bullgarçe (kjo për ta nuk kishte lidhje me termin bullgar, që nënkupton një shtetas të huaj). Dy studiuesit francezë, Andrea Mazon (1936) dhe Marsel Courtiadhes (1990), në kohë të ndryshme e kanë vizituar Boboshticën dhe i kanë kushtuar studime të veçanta gjuhës, përrallave dhe këngëve dhe i kanë dokumentuar ato. Mazon e shihte gjuhën kajnas të shkonte drejt zhdukjes, ndërsa Courtiadhes pas gati 50 vitesh vërejti se kjo ishte duke ndodhur. Gjuha kajnas ishte një gjuhë e vjetër, e veçantë e grupit të gjuhëve sllave të jugut, që e zhvilluar në mënyrë të izoluar në një mjedis shqipfolës kishte dallime të dukshme si me gjuhën bullgare ashtu dhe atë maqedonase dhe rrjedhimisht dhe me atë polake. Sot, këtë gjuhë e flasin shumë pak banorë nga Boboshtica. 

Pavarësisht origjinës së tyre, interes më të lartë shfaq zhvillimi i mëtejshëm i këtij komuniteti dhe mënyra se si ata u integruan në jetën dhe problemet kombëtare shqiptare. Në fakt, Boboshtica ka një histori edhe më të hershme sesa shek X, ajo ka qenë e banuar që në prehistori. Të dhënat arkeologjike sjellin dëshmi të një vendbanimi të fortifikuar, që ndodhet tek kodra e kishës së Shën Ilias dhe dy tuma. Bazuar në gjetjet e sipërcituara, gjurmët më të vjetra të popullimit i takojnë periudhës së bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm. Deri tani këto tuma nuk janë gërmuar, ndërsa është e pritshme që prej gërmimeve arkeologjike në të ardhmen të dalin të dhëna të rëndësishme që të plotësojnë historinë e lashtë të fshatit.

Vazhdimësia e jetës në këtë vendbanim është siguruar nga burimet natyrore të bollshme. Tre përrenj dhe shumë burime nga Morava plotësonin nevojat për ujë, ndërsa fshati dikur rrethohej nga pylli me lis. Kështu, mbështetur rrëzë Moravës në lindje, që furnizonte me pyll dhe ujë nga njëra anë dhe duke punuar tokat e buta në fushë nga ana tjetër, banorët i dhanë udhë zhvillimit të fshatit. Mbi të gjitha kanë ndikuar aftësitë dhe kompetencat organizative e teknike, kultura e dëshira për arsimim e përparim dhe prirja e tyre për të bërë ekonomi. Prania e këtyre elementëve ngjizte një jetë socio-ekonomike dhe komunitare të pasur, ku herë pas here vihej në provë aftësia e banorëve për të zgjidhur vetë problemet me mbledhje fshatçe (të mbajtura në hajatin e Shën Kollit), dhe iniciativa për të marrë fatet e qeverisjes në dorë në kohë anarkie.

Ndonëse dinin një gjuhë sllave, boboshtarët nuk kishin të zhvilluar ndonjë ndjenjë të fortë etnike; ata kishin të fortë ndjenjën e solidaritetit mes tyre dhe vetë kajnas do të thotë si ne. Ekzarkizmi bullgar nuk arriti të kishte ndikim dhe në vazhdimësi ata qëndruan nën patrikanën që ishin edhe shqiptarët dhe liturgjia kryhej në greqisht. Polet e migrimit të hershëm ishin Greqia dhe Rumania, ndërsa në fillim të shek XX Amerika. Edhe pse nuk patën ndonjëherë iniciativë për të hapur shkollë në gjuhën bullgarçe boboshtarët kanë shfaqur historikisht interes të fortë për arsimimin. Që nga vitet 50-60 të shek XIX, ishte hapur një shkollë fillore me metodë alilodidaktike, ku mësonin rreth 110 nxënës. Mësimi zhvillohej në gjuhën greke, ndërsa gjuha kajnas përdorej më shumë brenda familjes dhe në diskutimet pas meshës të së dielës. Boboshtarët e shihnin gjuhën greke si gjuhën e lejuar të kulturës dhe arsimit në atë kohë, që i kishte ndihmuar të përparonin. Turqishtja zotërohej aq sa për të zgjidhur punët administrative, ndërsa gjuha shqipe flitej pastër dhe lehtësisht. Kjo situatë vazhdoi derisa shqipja u bë gjuha bazë e arsimimit. 

Shkolla e parë në shqip u hap në vitin 1917 me mbështetjen e Themistokli Gërmenjit dhe mësuesit të fshatit Kristaq Manço (1892-1962). Në fillim të shek XX në Boboshticë mes banorëve dygjuhësh nuk kishte asnjë burrë analfabet. Shoqëria “Vëllazëria Boboshtare” e Bukureshtit ndihmoi hapjen e shkollës shqipe edhe për vajzat e fshatit. Arsimin e mëtejshëm në gjuhën shqipe dhe përparimin boboshtarët e gjetën tek Liceu Kombëtar (francez). Këtu, gjatë periudhës 1917-1939, kanë studiuar rreth 16 nxënës nga Boboshtica, nga të cilët Sotir Kuneshka u shpall dy herë nxënësi më i mirë i liceut. Në kohën kur studionin në Francë, së bashku me Gjergji Canco, komunikonin me Mazon në lidhje me studimin e gjuhës kajnas, që Mazon ishte duke shkruar. Veç studentëve dhe familjeve të tyre, Mazon falenderon ministrat shqiptarë Dhimitër Berate e Myfit bej Libohova si dhe prefektin e Korçës Ismet Kryeziu për lehtësirat që iu krijuan gjatë qëndrimit përreth tre muaj në Boboshticë për studimin e gjuhës. Gjatë periudhës komuniste në Shqipëri këto elementë gjuhësorë dhe studimet lidhur me to u zbehën dhe nuk përmendeshin pothuajse fare. 

Shënimet kronikale të Kodikut të Korçës dhe Selasforit tregojnë për migrim të popullsisë së këtij fshati në vende të afërta dhe të largëta; në Anadoll, Egjipt, Greqi, Rumani, Bullgari, Rusi, Amerikë, ndërsa pas LIB edhe në Australi dhe Argjentinë. Rumania ishte vendi që tërhoqi shumë boboshtarë, që nga vitet ‘20 të shek XIX. Viktor Eftimiu (1889-1972), poeti dhe shkrimtari i madh me origjinë nga Boboshtica shkruante: Në Pitesht të Rumanisë 150 vjet e këtej janë ngulur mjaft familje, krerët e të cilave kishin ardhur nga Boboshtica. Vetë Viktori ishte larguar në moshën 9 vjeçare pas tre vite shkollë fillore në fshat drejt Bukureshtit ku më parë ishte vendosur i ati Gjergo Çavo, ku iu desh të punonte, të mësonte e të gjente fatin e tij. Ndonëse Boboshtica ishte blerë nga banorët prej sulltanit në ankand si emlaq, në vitin 1874, pas një situate ekonomike të mirë, burimet shteruan dhe shumë banorë iu drejtuan emigracionit. Për Boboshticën, Viktori do të shkruante  “as ato pyje nuk i kam parë më, janë prerë qëkur. Bimë e lartë nuk rritet dot në shpinën e Gramozit dhe të Lisecit, veç vllastarëve që njerëzit i presin porsa lëshojnë shtat për tu ngrohur”. Në një mënyrë ose tjetër boboshtarët migronin për të siguruar një jetë më të mirë pasi gjendja në atdhe ishte e vështirë. Albanologu, J.G. Hahn, ish konsulli austriak në Janinë shkruante se “të gjithë ata që rrëmojnë, ndërtojnë, sharrojnë, djegin qymyr në Turqinë evropiane dhe Greqi janë shqiptarë”.

Viktori vinte nga fisi Çavo nga babai dhe nga fisi Ekonomi nga nëna. Gjysh Teodor Ekonomi një njeri fisnik, që merrte vesh nga të gjitha ishte një tregimtar mjeshtër, ndërsa gjyshi Timko Çavo kishte vdekur duke bërë dru në mal, ende pa e njohur. Ai ndihet i kënaqur që zhvilloi dashurinë për leximin, shkrimin dhe aktrimin të nxitur nga gjysh Ekonomi dhe nuk ndoqi rrugën e tregëtisë si stërgjyshi i tij Jovan i cili udhëtonte në Vjenë nga i sillte gjyshe Jovankës copa atlasi të bardhë. Përmes kësaj familje, vihet re se prirjet e boboshtarëve nuk ishin vetëm ndaj të bërit ekonomi por ishin të forta edhe ndaj artit dhe të shkruarit ashtu si edhe ndaj filantropisë. Ilo Mitkë Qafzezi në autobiografinë e tij e përmend familjen Çavo, si një familje që i kishte dhënë Korçës, një varg mirëbërësish arsimorë dhe shoqërorë. Në Kodikun e Korçës dhe Selasforit ka dëshmi të ndihmave që boboshtarët kanë dhënë ndaj kërkesave për shkollat në Korçë dhe Voskopojë.

Sipas Gelzer (1904), fshati me 200 shtëpi mbështetej fort tek emigracioni dhe lidhja e fortë e migrantëve me vendlindjen. Ky kohezion në vend të huaj sipas tij ishte me vlerë të madhe për individin dhe në të njëjtën kohë ishte dëshmi se sa e gjallë dhe e fortë ishte ndërgjegjja e komunitetit tek ata, duke kontribuar në shkolla, vepra publike, në rritjen kulturore dhe çështjen kombëtare. Sipas gazetës “Shqipëri e Re”, botuar në Konstancë, shoqëria “Vëllazëria Boboshtare” e Bukureshtit kujdesej për martesën e vajzave të varfra të fshatit, për shkollat, rregullimin e rrugëve, ndërtimin e çezmave dhe kronjve të gurtë dhe për të sjellë ujin nga mali me kanalizim modern. Gjatë gjysmës së dytë të shek XIX, migrantët nga Rumania mbështesnin financiarisht pagesat për shkollën dhe mësuesit. 

Po kaq e fortë ishte krijuar ndër ta edhe ndërgjegjia kombëtare. Emigracioni ishte një mundësi jo vetëm për të bërë ekonomi por edhe për të patur hapësirë për të zhvilluar prirjet dhe liritë që popujt fqinjë i gëzonin tashmë. Boboshtarët të përfshirë në shoqëritë shqiptare në Rumani kontribuan fort për zgjimin e shqiptarëve dhe çështjen kombëtare. Që në fazën e parë të Rilindjes në Rumani vepronin shoqëritë “Drita” dhe “Diturija” dhe më 1899 shoqëria “Shpresa” e studentëve shqiptarë të Rumanisë. Thanas Kantili, nga Boboshtica (kishte një kafene në qendër të Bukureshtit) ishte zëvendës kryetar i Shoqërisë “Diturija”, dhe e përfaqësoi këtë komunitet si delegat në Kongresin e Triestes në vitin 1913. Në vitin 1919, Viktor Eftimiu, Dhimitër Canco (i riu), Stavri Kuneshka, Mandi Korda, Kristaq Antoniu, etj nga Boboshtica i dërguan një telegram proteste Konferencës së Paqes në Paris, ku tërhiqnin vëmendjen për mbrojtjen e integritetit territorial të Shqipërisë. Për mënyrën sesi shqiptarët e mërguar ndiheshin e vepronin në shtetet ku gjetën liri, mundësi arsimimi dhe ndihme për vendlindjen, është shumë domethënës vargu i V.Eftimiut: “si një rrënjë lisi e shkulur që tok me vete merr dhe plisin e dheut…”

Mjaft boboshtarë që emigruan në SH.B.A u përfshinë në shoqëritë e atjeshme dhe mjaft prej tyre edhe te Federata Panshqiptare “Vatra”. Shoqëria mirëbërëse “Bashkimi” e migrantëve nga Boboshtica që kishte qëllim ngritjen e veprave publike mbështeti financiarisht ndërtimin e urës në mes të fshatit, ndërtoi një km rrugë dhe këmbanaren e kishës së Shën Kollit të fshatit. Me kërkesë të qeverisë shqiptare, për të zgjuar ndërgjegjen e shqiptarëve dhe për të siguruar fitoren e plotë të Shqipërisë, 37 anëtarë  të Bandës “Vatra”, kthehen në atdhe  në vitet 1920-1925. Katër prej tyre, Kosta Shosho, Miti Melko, Kristaq Koço dhe Stavri Boboshtica ishin nga Boboshtica. Ndërsa Themistokli Gramatiku, ishte pjesë e Gardës Vullnetare që erdhi së bashku me bandën. Në Argjentinë, në gjirin e komunitetit shqiptar të organizuar në shoqatën “Vllazënia shqiptare”, kishte edhe disa boboshtarë të cilët ishin aktivë për çështjet e atdheut. Boboshtarët u organizuan edhe brenda fshatit në shoqëri që kërkonin të nxisnin përparimin përmes arsimit, zhvillimit të edukatës shtetërore dhe leximit të shtypit. Shoqëria “Shpresa” që u krijua në Boboshticë në vitin 1926, kërkoi abonim në gazetën “Zëri i Korçës”, në mënyrë që ajo të lexohej në fshat.

Siç e theksuam edhe më lart, veç prirjes për të bërë ekonomi, boboshtarët kishin një dëshirë të fortë për arsimim që i çoi në dyert e disa universiteteve të njohura të kohës ku zhvilluan fort të shkruarin dhe publicistikën, artet, muzikën, shkencën dhe kontribuan në atdhe me themelimin e disa institucioneve me rëndësi kombëtare. Historia e tyre ishte mes atdheut dhe migracionit, dhe në disa raste përfundoi tragjikisht, por kontributi i tyre mbeti.

Mësuesi i parë i fshatit, Dhimitër Canco (1814-1904), i shkolluar në Stamboll, ishte i pari njeri me autoritet që jo vetëm nxiti dëshirën për arsim tek fëmjët por udhëhoqi komunitetin në organizimin e tij për të zgjidhur problemet. Kujtimet e tij që ruhen në Bibliotekën Kombëtare janë burim i rëndësishëm për të njohur historinë e fshatit.

Viktor Eftimiu (1889-1972) lindur në Boboshticë, akademik, poet e dramaturg që jetoi në Rumani, nuk e harroi atdheun e punoi e shkroi për të. Në hyrjen e “Doktor Faustit magjistar” botuar në shqip ai shkroi: “ e ndiej veten të lumtur që do të përkëdhelem në gjuhën shqipe e që do të lexohem nga bashkëatdhetarët e mi, të cilët i kam kujtuar gjithmonë”.Vëllai i tij, Stilian Eftimiu ka lënë disa kujtime lidhur me historinë e fshatit Boboshticë që ruhen në Bibliotekën Kombëtare.

Gjergj Bubani (1899-1950), pas liceut francez në Korçë dhe studimeve për kimi në Athinë, migroi në Rumani ku në 1921 punoi si kryeredaktor i gazetës “Shqipëri e re”, në Konstancë ku u dallua për shkrime me interes kombëtar; në 1922 publikoi gazetën “Dodona”, ku shkruajtën edhe Eftimiu, Asdreni, Lasgushi, etj; e më pas gazetën “Kosova”. Në 28 Nëntor 1938 me inagurimin e Radio Tiranës, u thirr nga mbreti Zog për tu bërë drejtor i saj, nga ku një vit më pas do të demaskonte në disa gjuhë pushtiminn fashist të Shqipërisë. Arrestohet dhe burgoset pas vitit 1944.

Dhimitër Canco i riu (1904-1990), pasi studioi në vendlindje në vitin 1922 shkoi në Konstancë, ku angazhohet në rrethet patriotike shqiptare duke botuar artikuj në gazetën “Shqipëri e re”. U angazhua si sekretar i seksionit artistik i shoqatës kulturore-sportive “Flaka” që organizoi mjaft veprimtari kulturore me ndjenja kombëtare. Në Tiranën e vitit 1930, një ngjarje me impakt ishte hapja e librarisë “Argos”, pranë shkollës Harry Fultz. Kjo iniciativë e tij solli për herë të parë literaturë bashkëkohore perëndimore në Shqipëri.

Gjergji Canco (1906-1971), lindur në Boboshticë, pas Liceut Francez, në gazetën e të cilit u angazhua me shkrime, studioi në Francë për matematikë dhe punoi si mësues në shkollën teknike amerikane Harry Fultz, në Tiranë, të cilën më vonë e drejtoi me sukses deri sa doli në pension. 

Kristaq Antoniu (1907-1979), lindur në Rumani, në familje boboshtare, me talent në muzikë, u kthye në atdhe në 1932, ku pas shumë koncerteve dhe shkollimit në Austri iu dedikua themelimit dhe suksesit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Kristaq Koço (1912-1949) lindi në Greqi nga Evridhiqi Çavo dhe Sotir Koço, nga Boboshtica. Në 1921 emigroi në Rumani ku zbuloi rastësisht zërin e rrallë tëbaritonit. U kthye në Shqipëri për ti dhënë mundësi talentit dhe pas studimeve në Milano punoi në Radio Tirana. Është bashkëshorti i Tefta Tashko Koço dhe babai i Eno Koço.

Eftim Canco(1915-1982), u shkollua në Bukuresht për drejtësi, me rezultate të shkëlqyera e u angazhua me artikuj tek gazeta “Oshëtima”, organ i studentëve shqiptarë në Rumani. Ndonëse u ftua të qëndronte si professor në universitetin ku u diplomua, u kthye në atdhe e punoi si avokat deri në vitin 1967, deri kur ekzistoi institucioni i avokatisë.

Sotir Kuneshka (1912-1991), pas shkollimit në Liceun Kombëtar të Korçës dhe studimeve universitare në Paris, themeloi në Tiranë katedrën e fizikës dhe kontribuoi në hedhjen e themeleve të shkencës në Shqipëri. 

Evans Liolin me origjinë nga Boboshtica emigroi në fillimet e shek XX në Amerikë. Angazhimi i familjes së Evans dhe Helena Liolin, në jetën kishtare të ortodoksëve shqiptarë në Amerikë u pasua edhe nga tre fëmijët e tyre, dy nga të cilët u bënë klerikë të shquar dhe vazhdues të kishës së Nolit në Boston. Kryepeshkopi Nikon Liolin (1945-2019) shërbeu si kreu i Kishës Ortodokse të Kryepeshkopatës Shqiptare të Amerikës dhe Dioqezës së Anglisë së Re dhe At Artur Liolin, kancelar i Kishës së Shën Gjergjit në Boston, studiues dhe udhëheqës i bashkësië shqiptare në Boston. 

Aktualisht Boboshtica, pjesë e njësisë administrative Drenovë dhe ka 1466 banorë duke u renditur pas Mborjes, Drenovës dhe Dvoranit. Kjo shifër përfaqëson popullsinë e regjistruar në gjendjen civile ndërkohë që për shkak të lëvizjeve migratore popullsia faktike është shumë më e vogël. Pas vendosjes së regjimit komunist dhe mbylljes së Shqipërisë, popullsia prirej të lëvizte kryesisht drejt Tiranës dhe Korçës, ndërsa pas viteve 1990 edhe jashtë shtetit. Gjatë kësaj periudhe shumë boboshtarë ndoqën studimet jashtë vendit sipas linjës së politikës së jashtme të Shqipërisë dhe brenda vendit, duke u dalluar sërish. Që më herët por kryesisht prej viteve 60 të shek XX atje janë vendosur familje vllehe të ardhur nga zonat përreth të cilat janë integruar në jetën e vendbanimit gradualisht. Këtu kanë ndikuar edhe reformat e ndërmarra nga shteti për gjithë vendin. Struktura moshore e popullsisë shfaq një prezencë të popullsisë së moshuar në fshat. Vitet e fundit duket se lëvizja e popullsisë është stabilizuar në krahasim me dy dekadat e mëparshme duke shënuar edhe kthime nga emigracioni. Popullsia e kthyer nga emigracioni ka investuar në sektorët e bujqësië, blegtorisë, argopërpunimit etj. Banorët e Boboshticës punojnë kryesisht në ekonomitë e tyre private familjare, në administratë, kanë investuar në turizëm ose janë ende në emigracion.

Shtrirja dhe potenciali turistik i fshatit Boboshticë

C:\Users\user\Downloads\Boboshtica fshat janar 2022.jpg

Një fshat që kishte 12 kisha e ndofta më shumë, doemos që do të kishte edhe një jetë sociale dhe kishtare mjaft të gjallë. Kjo pësoi goditje pas vitit 1968, kohë kur shteti komunist filloi fushatën kundër fesë. Nga 12 kishat e dikurshme dy prej tyre arritën ti mbijetonin shkatërrimit falë sensibilizimit për vlerat arkitekturore, artistike dhe historike përmes punës së studiueses Puzanova dhe u shpallën trashëgimi kulturore në vitin 1963. Sot janë restauruar dhe dokumentojnë arkitekturën dhe pikturën murale të shek XIV-XVI. Dy manastiret u dëmtuan shumë duke u përdorur si magazina, disa kisha kanë mbetur vetëm rrënoja ndërsa disa të tjera janë rikonstruktuar nga e para. Shtëpitë me gurë por me komoditete dhe zbukurime si nga brenda e jashtë ishin tipike për boboshtarët që sillnin kulturën edhe nga vendet që kishin vizituar (një pjesë prej tyre u dogjën gjatë LIIB). Burimet dhe çezmat si elemente dekorative dhe funksionale të peizazhit mbajnë ende emrat e njerëzve që i kanë ndërtuar si burimi i Milovit, i Cifkës, i Turckës, i Greçkës, çezma e Padhamidhit, dhe burimi i Kokës. 

Nuk është rastësi që Boboshtica ka hedhur hapat e para në fushën e turizmit, qysh me ndryshimin e sistemit, përmes zhvillimit të strukturave të shërbimit të ushqimit dhe pijeve. Sot kjo ofertë është zgjeruar edhe në fushën e hotelerisë. Në Boboshticë funksionojnë 9 restorante të njohura për kulinarinë tradicionale dhe 6 hotele, të cilat përfaqësojnë një bazë të mirë për suportin e turizmin kulturor dhe turizmit bazuar në natyrë. Megjithëse qeveria shqiptare e ka përfshirë Boboshticën në projektin e 100 fshatrave, ende nuk ka një plan zhvillimi të mirëfilltë për të nxitur rigjallërimin e këtij vendbanimi. Një planifikim dhe studim i mirë do të ishte me vlerë të madhe për të ndërhyrë me sukses në nxitjen e turizmit pa dëmtuar vlerat ekzistuese. Asfaltim i një rruge të izoluar duket më shumë si një përpjekje për të treguar vullnet, por praktika ka treguar se pa planifikim të mirë, çdo ndërhyrje ka rrezikun e gabimit brenda saj. 

Rigjallërimi i vendbanimeve rurale, vjen edhe përmes evokimit të periudhave më të larta të organizimit të tyre, pasi kultura që mbart popullsia dhe menaxhimi tradicional i resurseve janë një burim i çmuar për planifikimin e projekteve të zhvillimit. Për të rigjallëruar jetën dhe ekonominë e tyre është e dobishme vlerësimi dhe tërheqja e të gjitha burimeve që mbart territorri. Në ditët e sotme, për arsye nga më të ndryshmet, format e kontributeve komunitare që përmendëm më lart janë dobësuar shumë. Filantropia është harruar si fenomen si nga njerëz të pasur e të sukseshëm brenda vendit ashtu edhe nga ata që vlera e ekzistencës dhe nostalgjisë mund ti risjellë në viset e të parëve. 

Shqipëria dhe fshatrat e saj kanë nevojë për përvojën dhe mësimet që vijnë nga vende me demokraci të zhvilluar. Nevoja më e madhe këtu ndihet në modelet e ruajtjes së mjedisit, në projekte të mira zhvillimi që lidhen me turizmin dhe në rizgjimin e kulturës së filantropisë në mbështetje të veprave publike, në ato fusha ku komunitetet nuk kanë aftësi investuese ndërsa shteti nuk u jep prioritet asnjëherë. Duket sikur forma të sofistikuara të korrupsionit dhe ryshfetit marrin atë pjesë të të ardhurave që individët e pasur, me dashuri do i dhuronin për vepra publike. Përballë të sotmes ku kanë humbur këto vlera ndriçon e kaluara e njerëzve të zakonshëm ose jo që filantropia dhe puna për përparimin e atdheut i ka bërë të mëdhenj dhe vendi ynë i mban në zemër e memorie. 

Dr. Ardiana MIÇI

Filed Under: Kronike

Mendime për romanin “Shtatori i gjëmës së madhe” të shkrimtarit Skifter Këlliçi

January 23, 2022 by s p

Nga Fani Bufi Boston/

Vështrim i përgjithshëm për romanin Autori Skifter Këlliçi i shmanget ndërtimit traditor të romanit, si: hyrja, pikëlidhja, zhvillimi, pika kulmore, zgjidhja dhe mbyllja, por na dhuron një ndërtim krejt ndryshe, si: pikëlidhja e menjëhershme, zhvillimi i ngjarjeve në lartësinë e pikës kulmore, pra zhvillohen ngjarjet si në një rrafshnaltë tejet të zgjatur deri në fund të romanit. Në grafikun e emocioneve përngjan me grafikun e fjalisë pyetëse, e cila përfundon me intonacion të lartë. çdo roman me ndërtim(kompozicion) të thjeshtë tek grafiku përngjan me grafikun e fjalisë dëftore, që fillon me intonacion të ulët, arrin pikën kulmore dhe gjatë zgjidhjes bie. Tek ky roman, kur lexuesi përjeton tmerret e pikës kulmore dhe pret të bienë tensionet, që shkaktojnë emocione të larta, nuk bienë, ato mbeten në rrafshnaltën e pikës kulmore. Zhvillimet qëndrojnë kulminante në emocione. Kompozicioni i ndërlikuar bën që lexuesi të përjetojë emocione të forta dhe ta çojë deri në fund leximin e romanit, në pritje të tmerreve, që mund të ndodhin. Të papriturat e shumta dhe të ndërlikuara, shtojnë interesin për të mësuar se çfarë do të ndodhë pas çdo çasti intrigues, se ç’zgjidhje do t’u jap autori ngjarjeve të reja shqetësuese me mëdyshjet e personazheve. Në vështrimin e përgjithshëm romani”Shtatori i gjëmës së madhe” mbetet një roman tepër tërheqës për lexuesin si për temën shqiptaro-amerikane që trajton, por edhe nga niveli letraro-artistik i paraqitjes në tërsinë e vet. Niveli i ligjërimit Në të gjithë romanin”Shtatori i gjëmës së madhe” kushtuar ngjarjes gjëmëmadhe të 11-të shtatorit 2001, kujtimit të 2981 viktimave tek Qendra Ndërkombëtare e Tregtisë, Nju Jork, autori ka përdorur një ligjërim të lartë dhe të tensionuar artistik të realizuar përmes sinonimeve të fjalëve të përdorura, të fjalëve të reja dhe ndërtimit sintaksor të fjalisë. Ligjërimi i përpikët i personazheve të trevave të shqiptarisë, bëjnë lokalizimin historik dhe trevëror. Ligjërimi i Marko Muzakës për historinë e dhimbshme të shqiptarëve, pas vdekjesë së Skëndërbeut, na çonë në More dhe në kolonitë arbëreshe në Itali. Po ashtu tregimet e Besmirit nga Kosova që lidhet me Martën nga Mali i Zi, na njohin dhimbshëm me luftën e shqiptarëve jashtë kufijve politik të Shqipërisë për të mbijetuar nga genocidi sërb dhe malazezë. Endjet: Kosovë, Shqipëri, Greqi, Itali, Amerikë janë përshkruar me fjalor të pasur dhe me figuracion artistik, ndërkohë përdorimi i fjalëve krahinore në të dy dialektet, japin një tablo të gjallë të zgjuarsisë, guximit, papërulshmërisë, para çdo vështirësie, japin ruajtjen e dashurisë për vendlindjen me shpresën e madhe që të kthehen një herë në vendlindjen e dashur.Pellgmbledhja e prurjeve krahinore Pellgmbledhja e prurjeve të pesonazheve, tepër veprues në jetën e tyre në etapa të ndryshme historike brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, i japin romanit një frymëmarrje mbarë kombëtare. Nëpërmjet telereportierit Stivi Ferguson, si personazh lidhës dhe përçues i veprimtarisë së dy shqiptarëve, realizohet subjekti i romanit në tërësinë e vet. Me veprimtarinë dhe historinë vetjake të personazheve shpaloset historia e dhimbshme në kohë të ndryshme, përfshirë edhe kohën e monizmit dhe të demokracisë së Shqipërisë. Zhaklina jepet me nota dhe tone tepër të qytetruara, jepet si një punonjëse e përkushtuar, që nxit dhe hovon veprimet e personazheve. Përpjekja për të realizuar një dokumentar mban gjallë gjithë zhvillimin e subjektit. Përjetimet e Zhaklinës në punë, në jetën shoqërore dhe atë dashurore rritin emocionet, ndërkohë çastet e bisedave bëhen më gazmore dhe të prekshme. Në përjetimet e saj lexuesi njihet dhe përjeton tmerret e fundit tragjik. Një kundërvënie e padëshiruar: dasmë-vdekje, antitezë tepër e dhimbshme, tragjike. Marko Muzaka është arbëresh. Nëpërmjet këtij personazhi njihemi me historinë e dhimbshme të shqiptarëve të mërguar pas vdekjesë së Skënderbeut. Shumë shqiptarë për t’i shpëtuar terrorit të pushtuesve turq morën rrugën e arratisë. Me sjelljen në kujtesë, me ndjenja të forta dhimbjeje endjet për shkak të persekutimit, mbetet gjallë atdhetaria dhe përçohet brez pas brezi. Besimi nga Kosova me rrëfimet e tij emocionalisht të dhimbshme shpalos egërsinë e genocideve sërbe, që synojnë pastrimin etnik të trevave të Kosovës me popullësi shqiptare. Endja e dhimbshme e Besimit drejt Shqipërisë, e mbushur me zhgënjim në Jugosllavi, me besim se në Shqipëri do merrnin fund vuajtjet, nuk i dha kënaqësi, zhgënjimi në Shqipëri i dha goditjen më e madhe. Lidhja e Besmirit me Martën, vajzë nga Mali i Zi, i jep mundësi autorit, Skifter Këlliçi, të njehësojë mendimin famkeq të shpopullimit të trevave shqiptare edhe në Mal të Zi. Endjet nga përndjekjet: Kosovë, Shqipëri, Greqi, flasin dhimbshëm për vuajtjet dhe tragjedinë e shqiptarëve në kohë të ndryshme të historisë së tyre. Shpërnguljet dhe degëdisjet e shqiptatëve nga trevat e tyre historike përshkruhen me një ligjërim të pasur në fjalor, me fjalë të reja dhe sinonime me kuptime të larmishme. Në ligjërimet e personazheve shkrimtari Skifter Këlliçi, ruan fjalorin krahinor për ta bërë romanin gjithëpërfshirës të trevave të shqiptarisë. Besim Istrefi nga Prishtina, Rrok Camaj nga Gruda, Marko Muzaka abëresh, gazetari Sokol Kama nga Tirana etj. janë prurje të një pellgmbledhjeje në mbështetje të temës shqiptaro-amerikane kushtuar ngjarjesë gjëmëmadhe të 11-të shtatorit 2001. Kohështrirja e veprimtarisë së përbashkët, e përshkruar me emocione të forta, i bënë më njerëzore marrëdhëniet midis tyre. Të papriturat në roman Të paprituat, gjatë zhvillimit të ngjarjeve në roman, sjellin emocione të shumta, të cilat të nxitin të vazhdosh leximin për të përjetuar e njohur sfidat për çdo ngjarje. Në zhvillimet e përshkruara bukur të jetës së zakonshme me plotë vrull e përkushtim ndodh diçka e papritur. E papritura prish humorin, qetësinë dhe rrjedhshmërinë e çastit, shton dyshimin, trishtimin, frikën, se diçka s’po ecën mirë. Dyshimet e personazheve: Sokoli dhe Fetia, gjatë kontrollit të pranimit të udhëtarëve, shkjaktojnë, për çudi, përplasje me bosin. Ai do vetëm imazhin e mirë të kompanisë dhe nuk do të dijë për rrezikshmërinë, që u kanoset udhëtarëve. Bosi jo vetëm që nuk shqetësohet nga informacioni që merr, por i kërcënon për pushim nga puna. Në kulmin e gëzimit dhe të haresë, kur po ngrihej dolli për dasmën e Stivit me Zhaklinën, gjat fluturimit në avion, ndodh e papritura makabre: terroristët sulmojnë. çdo gjë përmbyset katrastrofikisht. Kur pasagjerët të befasuar kërkonin të dinin se çfarë po ndodhte, u gjendën para thikave dhe shisheve me sprait djegës. Kënaqësisë së udhëtimit dhe të dollive për dasmën e pritshme, befasisht, i shfaqet tmerri për jetë a vdekje. Këto dhe të papritura të tjera krijojnë drama shpirtërore tepër të dhimbshme. Mosvlerësimi i tolerimeve në rregullore Pakujdesia apo mosvlerësimi sa duhet i tolerimeve në rregulloren e pranimit të sendeve të udhëtarëve në pikën e kontrollir, solli gjëmën e madhe. Kontrollorët vërenin se futeshin brisqe jo më të mëdhenj sa fotodokumenti, shishe erëmbajtëse, që mund të shkaktonin viktima. Dyshimet e Sokolit, të përshkruara me një hamendësim të rrezikshëm, nxjerrin në pah zgjuarësinë në vlerësimin e mjeteve që mund të abuzohej dhe tregojnë korrektësi në kryerjen e detyrës me përgjegjësi të lartë. Mangësitë e rregulloresë përshkruhen në luftëmotivet e kontrollorëve, të cilët përjetojnë emocione të forta, që e bëjnë tepër tërheqës romanin. Autori, Skifter Këllici, përjetimin e pasojave, që mund të vinin nga tolerimet, i përshkruan me ndjenja të forta dhimbjeje, të cilat e bëjnë tepër tërheqës romanin për lexuesin. Lexuesit, gjatë përjetimit të emocioneve, krijojnë simpati për kontrollorët e përpikët në detyrë. Bosit i janë errur sytë nga ruajtja e imazhit të mirë të kompanisë, ndaj e qorton dhe e kërcënon Sokolin. Dyshimet e kontrollorëve qenë lajmëtare të gjëmës së madhe, që ndodhi tek kullat binjake. Luftëmotivet e kontrollorëve janë të gjalla plot ngarkesë emocionale, që tek lexuesi krijojnë respekt për ata punonjës të rregulltë në detyrë.Përdorimi i fjalorit Romani”Shtatori i gjëmës së madhe”, në tërësinë e vet, përbëhet nga llojshmëri ngjyrash të bukura, si lulnajat e një pëllaje në një ditë të bukur pranvere, nga përdorimi i fjalëve me kuptim të larmishëm, të përzgjedhura për çka dëshiron autori të shpreh fuqishëm ndjesitë shpirtërore, në mënyrë të veçantë: gëzimin, harenë, trishtimin dhe dhimbjen. Autori përdor fjalë të rralla që mbartin, nga ana semantike, ngjyrime që përdoren në krahina të ndryshme shqiptare, duke u përpjekur t’u japë qytetarinë e përdorimit në gjuhën shqipe normative. Duhet vlerësuar edhe për krijimin e fjalëve të reja me brumë nga të dy dialektet e gjuhës shqipe.Lartësia emocionale e zhvillimit të ngjarjeve pas pikës kryekulmore Kush mendon se, me goditjen e kullave binjake, me përjetimin e dhimbjesë së madhe, ngjarjet e mëpastajme do të ulin emocionet, ato do të jenë në rënie të forces së përjetimit, gabon. Fill pas tmerreve brenda avionëve, lindin ndjesi të reja tronditësre. Nuk ka rënie të kurbës së zhvillimit të ngjarjeve. Lufta për të mbijetuar fatkeqët në brendësi të kullave, ndesh me qëndresën e terroristëve, të cilët mashtrojnë dhe masakrojnë. Tensionet mbeten të ngritura si në brendësi të kullave edhe në avionët e rrëmbyer nga terroristët. Lufta për jetë a vdekje e mban të ndezur ndjenjën e urrejtjes, e cila u jep forcë udhëtarëve të çajnë përpara për t’i shpëtuar vdekjes së sigurtë. Përshfaqja e përfytyrimit të ditës së dasmës tek Stivi në hotel, është përshkruar me nota kënaqësie dhe dhimbjeje. Përfytyrimi shërben si një mesazh për të vepruar në kohën e duhur, që në të ardhmen të mos përsëritet kurrë.Pse duhet lexuar romani?Në vazhdimësi të atyre që thamë më parë, tema shqiptaro-amerikane është një thirrje e fortë për t’u lexuar nga shqiptarët brenda kufijve politik dhe jashtë tyre për t’u njohur e përjetuar emocionalisht gjëmën e madhe të 11-të shtatorit 2001, pasi është i vetmi roman, që e ka trajtuat këtë temë, njëherazi është një kamban alarmi për ata që hartojnë rregullat e pranimit në pikat e kontrollit. Nëpërmjet romanit përçohet mesazhi: terrorizmi nuk ka synim vetëm Amerikën, terrorizmi është vdekjeprurës për çdo liri njerëzore dhe, veçanërisht, për të mbajtur në skllavëri femrën. Romani”Shtatori i gjëmës së madhe” i shkrimtarit të mirënjohur Skifter Këlliçi, me temë shqiptaro-amerikane, është një dritare plotë dritë për të parë fitoren e përparimit mbi skllavërinë e tmerrshme të terroristëve, të cilët nuk ndalen kurrë para marrjes së jetës masive njerëzore.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT