• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

NË KËRKIM TË FJALËS SË URTË

January 21, 2022 by s p

Poezi nga Anton Çefa

NË KËRKIM TË FJALËS SË URTË

Me nji shkallë qi m’çon jashtë kohe 

Ngjitem shtat fill mbi qiell

Në kërkim të Fjalës së Urtë,

U ngjall apo s’u ngjall

U mbrue apo s’u mbrue ai brumë i urtë i fjalës

E zbres shtat pash nën dhe, e zbres e ngjitem

Në kërkim të fjalës së urtë

E zbres e ngjitem në nji shkallë qi m’çon jashtë kohe,

Po fjalën e urtë nuk e shqipton askush,

Fjalën e urtë qi dhemb në gjoks

E ther mendimin, atë ma të fismin

E ther mendimin e plagës qi lëngon mu n’zemër të tokës sonë.

A thue nga alkimi e kohës së pakohhë, 

E asaj kohe të çmendun

I ka humbë pesha urtisë së gurtë të fjalës,

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit ?

*

Ju orkauj qi më rrini

Te kambët e kohës sonë të çoroditun

E më flisni me za Kasandre pa pushim

E shpallni me zhurmë e bujë

Se frut i urtë i fjalës ka ra

Siç bie nji frut i kalbun nga degë e pemës

Se guri nuk qenka ma i randë n’ vend të vet

E ai nuk qenka i randë as në dhe të huej

Shporrnju u tham, si Edgard Poe  dikur korbit të zi

Mbi bustin borë të bardhë të Palladë Atenës,

Shporrnju nga busti i bardhë i  fjalës e i kohës.

Po rishtas zani i tyne, ai za Kasandre

Gjimon kërcnues e ndjell kumbonët e vdekjes

E kumbonët bien në nji anë përzishëm

Përzishëm bien për vdekje të fjalës së urtë

Qi ra e bie nga pema si frut i kalbun

Kur unë në zgrip të fjalës sime, mu në zgrip

Pres se po bie nga pema frut i pjekun

I fjalës së urtë, i fjalës së ringjalljes

Për ty, o toka ime e djegun.

A thue nga alkimi e kohës së pakohë

I ka humbë pesha gurit të urtisë së fjalës

I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit?

*

Ju orakuj qi shpallni me zhurmë e bujë

Se s’ka ma peshë urtia e gurtë e fjalës,

Nuk mbin ma bar mendimi t’pjekun

E thahet bima e fisme e fjalës

E urta bimë e fjalës.

Shporrnju prej vargut tim, shporrnju që  këtej

 E qafën thefshi në kapërcyell të shtegut të lig të kohës,

Se mue urtinë e fjalës ma mësoi nji plak i bardhë

Me dy kokrra gruni në çdo qelizë të fjalës.

“Ç’do komb, – tha  ai, – shkon udhës së kalvarit

E zbret e ngjitet prap, Sizif mundimesh të pathana,

çohet e rrxohet golgotave të kohëve

E atje pret kryqzimin e mbas çdo kryqzimi

Vjen fjala e urtë e ngjalljes, bekimi urtë  i saj.

Kështu edhe për ty, o Tokai me e djegun

O toka ime e idhtë, o toka ime e ambel,

Do të rritet nji ditë bima e urtë e ngjalljes,

Bima e urtë e jetës. 

Filed Under: Sofra Poetike

M I K U

January 21, 2022 by s p

Hazir MEHMETI, Vjenë

(tregim i cili fitoi vendin e parë në konkursin letrare Austria 2020)

   Takimet me mikun gjithmonë janë të frytshme, krejt kjo nga dashuria dhe respekti për njerëzoren. Kështu ishte të mërkurën në vizitë shkrimtarit të njohur austriak Prof. Peter Paul Wiplinger. Miqësia e tij me njerëzit e kulturës e artit nga shumë kombe që jetojnë në Austri është e gjerë dhe e sinqertë, e nisur nga ndjenja e respektit në afrimin e njerëzve kulturash e besimesh të ndryshme. Në veçanti tek ai dallohet miqësia me shqiptarët.
    Derisa shfletoja copëz letre me numrin 201, pa u lodhë ashensori na solli lart. Që në hapat e parë ndërtesës të lente përshtypje pastërtia e mirësjellja e personelit, gjë që na ngrohu shpresën për mikun tonë, i cili ishte në dorë të ndihmës së vërtetë profesionale e njerëzore. Në të majtë vazhdonte të rriteshin numrat derisa arritëm cakun. Me kujdes hapëm derën dhe sakaq para nesh u shfaq i buzëqeshur Miku i cili na priste, dhe një pa dy u ngrit nga krevati, pa dëgjuar fjalët tona të drojës, se nuk ka nevojë.
    -Jo, jam më mirë dhe nuk dua të dorëzohem, dua të ju shohë ashtu si gjithnjë në sy e në përqafim, -tha me zë të çiltër e fjalë të rrjedhshme.

     Kjo na gëzoi shumë. Nuk e kishim menduar se pas një operimi shtatorësh, pak ditë më parë, do mund të ecte së bashku me ne deri në mesoren e vizitave, aty ku mund të bisedonim pa penguar të tjerët.
    -Akoma pa u ulur mirë dhe po përshtatnim karriget të uleshim me një zë kujdesi Miku filloi me zë të ulët: Nuk erdha deri këtu vetëm për të biseduar, por do ju njoftoj me një mike të mirë të shqiptarëve, misionaren e njohur, zonjushën Gerdtude dhe, pa e mbaruar fjalë, misionarja, një grua pamja e së cilës para nesh solli Shën Terezën, na u drejtua “Mirëmbrëma” në shqip duke zgjatur dorën me mirësi.  
    -Ja, kjo është misionarja e jonë, e cila shërbeu disa vjet në Shqipëri, i buzëqeshur na u drejtua miku dhe nga xhepi i pizhameve nxori një fletushkë informimi ngjyrë të gjelbër, e thyer në tri pjesë ku dalloheshin foto nga Fushë- Arrëza të shoqëruara me tekst të shkurtër.
    -Ja, fletushka më e re, paska këtu, tha Miku, duke ndërruar të mëparshmen e cila sikur ishte rrudhur ca e ruajtur në xhep kushedi sa ditë për ne, për miqtë e tij. Ky respekt e shtoi akoma më shumë detyrimin tonë vlerësuese, i cili nuk na mungonte, por tani akoma më i prekshëm.
      Njeriu i cili përpëlitet me kuçedrën brenda tij në frymëmbajtje të mendon për miqtë e tij dhe t’i bie ndër mend misioni për njeriun tonë të varfër, – thash me vete. Sakaq, mendja më fluturoi tek Lugina e Fanit, shtëpitë përdhese me tjegulla të vjetra ngjyrë likenesh sa vetë malet. Dy lakesa më poshtë Kisha e Fishtës mbi thepin shkëmbor me rrënjë në Lumin lazdrak në dërdëllitjet e motit. Para syve më erdhi gjithë vendlindja, me tërë ashpërsitë e bjeshkëve ashtu si vetë jeta e jonë, rruga zig-zage luginës mbi të cilën derdheshin mijëra shtigje majtas e djathtas në pafundësinë e tyre prapa vargmaleve kryelarta.
      -Po, thamë, njëzëri unë dhe kryetari, kemi qenë në Fushë- Arrëz, bile disa herë që nga hapja e kufijve të vendit. Mirëdita është rajoni më atraktiv i kombit, si për nga gjeografia ashtu dhe për nga historia e saj, vazhdoi biseda.
      Misionarja vazhdoi zë ulët sikur të kishte frikë mos zgjonte ndonjëri nga gjumi: -Me kënaqësi, misioni ynë ndihmon që nga tetori i vitit dymijë e tetë në Fushë- Arrës, nën këshillimet e Prifitit të përhershëm Petar Andreas Walterman. Ne ndihmojmë në ushqime, veshmbathje dhe kurse higjienike për nëna. Nënat vijojnë kursin me zell, bile ka vijues edhe nga Tirana e qytete tjera. Brenda një viti kemi mbi katërqind kursiste. Kjo na bënë krenarë, -tha ajo dhe fillon shfletimin e informatorit në gjermanisht.


      Më vjen mirë që u njohëm, vazhdoi Misionarja e Krishtit, dhe deshi të largohet nga droja se na pengon në çmallën tonë me mikun për të cilin ishim ardhur.

      – Jo, jeni e mirëpritur, e plotësoi Miku, kemi kohë për të biseduar, mund të njiheni akoma më mirë nëse keni kohë, këta janë miqtë e mi për të cilët ju kam folur.
      Vërtet na vjen mirë dhe iu jemi mirënjohës për ndihmën tuaj në vendin tonë, -thamë njëzëri të kapluar nga ndjenja falënderuese. Kjo në ndjesinë tonë shpirtërore rishfletonte atë qe kishim parë e ditur për gjendjen e rëndë në Mirditën epike shekujve. Tani dukej akoma më dëshpëruese dhe e dhimbshme kur dihet që luksi i pushtetarëve në vendin tonë kalon çdo kuptim njerëzor, në një vend të varfër e të dërmuar. Instinktivisht më erdhi para syve pamja e Fshatit të Pasur dhe vila e kryeqeveritarit me emrin Pirdhu, një nofkë nga goja e tij, bashkë me “prapa më vjen historia” në skamje e mjerim të kohës që ai solli. Derisa mendja kalëronte mbi ndjenja gjithkah andej hapësirave të mundshme, zëri i misionares më riktheu në karrigen përballë Mikut, i cili dëgjonte e pohonte nën buzëqeshjen e rëndomtë të tij.

     -Çdo vit organizojmë kurse rrobaqepësie, – u dëgjua sërish zëri i misionares fytyra e së cilës shprehtë kënaqësi.
    -Misioni ynë financon kampe verore për fëmijë në qytete, financojmë shkollimin e të rinjve në shkollat e Tiranës dhe Shkodrës. Ajo çka na gëzon shumë është ndihma që u japim shtatëdhjetë e pesë fëmijëve tërë ditën në ushqim veshmbathje.
      Ne mbetëm të mahnitur nga ajo që dëgjuam atëherë kur pritnim çmallen me Mikun tonë, të cilin e ndienim dhe njihnim me emrin në shqip për të cilin shpesh mendonim, mos ka ndonjë sinonim tjetër më gjithëpërfshirës në paralelen me veprën e tij në mbrojtje të të drejtave tona në robërinë e errët.
      Derisa Misionarja u largua duke na përshëndetur drejt detyrave të saja brenda Spitalit Rehabilitues, ne kureshtarë shpalosëm informatorin e gjelbër me shkronja të zeza, ku shikimi ynë i përpiktë rroku emra: Ora Internacional, ORA –Österrreich, “Junge Leute helfen”, Humanica dhe “Allianz für Kinder”
    Nuk ishte hera e parë që takonim njerëz human austriakë që kishin ndihmuar vendin tim, por takimi i sotëm ishte i veçantë nga ato të mëparshmet. Rrallë e kishim parë Mikun aq të disponuar për të rrëfyer nga historia e lidhjeve të tij me ne, gjendjen tonë në robëri kur ai e kishte vizituar vendin tonë qysh kur ishte fare i ri. Sikur donte të thoshte: “Sa moti nuk jemi takuar”, për biseda të hapëta ashtu siç bëjnë miqtë mes vete.
    -Mendova, se do më mund sëmundja kësaj radhe, bëra gati harxhimet e varrimit, por si duket varri do pret akoma, -tha Miku duke na shikuar në sy, kanceri nuk të falë, e barta si pjesë të trupit tim disa vjet, por një ditë mjeku më tha se nuk duhet pritur asnjë sekondë, dhe që të nesërmen u realizua operimi. Nuk dua të ju lodh me përpëlitjet e mia tani kur, siç e shihni, jam më i lehtë, e përfundoi fjalinë duke i lëshuar një sy këmbëve, pastaj preku me të dy duart barkun e tij të prerë në gjithë gjerësinë e tij.
    -Po, Mik, ju jeni i fortë fizikisht dhe kryesorja shpirtërisht, si gjithmonë, i themi ne duke dashur të vazhdojmë bisedën e cila gjithmonë njeriu ka çka dëgjon e mëson prej tij, një thesar i gjallë e i përligjur në dyzet vepra letrare, artistike e filozofike.
      -Kosova tani kremton dhjetëvjetorin e lirisë, dhe ne ndihemi të nderuar të ishit pjesë e leximit letrar, sikur të ishte e mundur, e ngacmojmë ndoshta mbi realitetin e mundësive fizike deri në datën e caktuar.
    -Nuk i dihet, ndoshta do jem më mirë, shpresoj, tha duke lëshuar një të qeshur të lehtë që fliste në formën e saj.
  -Do t’iu rrëfej si mblodhëm dokumente e fotografi prej shumë faqesh rreth të burgosurve të fjalës së lirë, atyre që mendonin ndryshe nga sistemi në Jugosllavinë e dikurshme. Ky veprim i ynë nuk ishte aspak i lehtë kur gjithkund ishe i përcjellë nga Veshmëdhenjtë e pushtetit diktatorial dhe shumë lehtë mund të të arrestonin. Këtë asnjëherë nuk i kam nxjerr nga vetja, por e ndiej se duhet ditur e shënuar si pjesë e jetës kur ajo kishte shije rinore, vazhdoi me zë që dridhej, palosi duart lehtas njërën mbi tjetrën sipër pizhameve ngjyrë kafe. Ata gishta të drejtë me thonj në maja që shkëlqenin të kujtonin mijëra vargje në miliona shkronja me gjithë fuqinë e mendimeve rreth Mikut se njeriu është vlerë shpirtërore e jetës. Pikërisht kjo formulë jetësore shndritë tek Miku ynë dhe s rifreskon vlerësimin nga mendimtari i kohës sonë, vlerësues i saktë i njeriut, shoqërisë, politikës, problemeve e ngjarjeve të kohës.
      -Kishim lexuar shumë si krijues të rinj të asaj kohe mbi të drejtat e pakicave kombëtare në kohën e Jugosllavisë, e filloi rrëfimin sërish duke na shikuar të dyve me radhë. E dinim se në burgje të atij shtetit dergjeshin me mijëra intelektualë mes tyre shqiptarë deri në Goli Otok, një ferr mes Detit Adriatik. Njohëm njerëz me emra e mbiemra të atyre që vuanin dhe atyre që shkaktonin vuajtje. I shënuam, i sistemuam si fakte konkrete në dosje disa faqesh dhe ua hodhëm mbi tavolinë delegacionit jugosllav gjatë vizitës së tyre në Vjenë. Ata propagandonin drejtësinë e sistemit të tyre, e cila ishte gënjeshtër e kulluar jugosllave, dhe për një çast u ndal, mori frymë thekshëm sikur donte të mblidhte energji për të nxjerrë gjithë atë histori përpjekje në rrugën e të drejtave tona deri tani kur festojmë dhjetëvjetorin e shtetit.
      Shënuam sukses, natyrisht, këtu ishte mirëkuptimi i drejtë nga ministri i jashtëm i atyre viteve, Alois Mock, i cili kishte këto argumente si diplomat ua përplasi në fytyrë delegacionit gjithë atë konglomerat fatkeq të shkeljeve të të drejtave të njeriut në shtetin e tyre. Nuk do ta harroj kurrë udhëtimin autostop nga Parisi në Kosovë, ishte viti gjashtëdhjetë e dy i shekullit të kaluar. Atje pamë shumë gjëra, mes tjerash një etni me drejta të mohuara që i duhej ndihma bashkë me guximin e zërit të së vërtetës, çka çdo krijues e ka detyrim moral. Ne e dinim se ishim të përcjellë nga organet e sigurimit jugosllav, andaj kujdesi dhe triku ynë duhej të ishin të përgatitura mirë. Më kujtohet një herë kur ne e shmangem kalimin kryesor të kufirit ku kalonin me shumicë, në rrugët kryesore, kurse ne morëm drejtimin e pikës së vogël kufitare , i futa disa monedha letre në dinarë brenda pasaportës, dhe kufitari pa asnjë vonesë ne kaluam. Ishim të veshur thjeshtë dhe paraqiteshim si turistë me qëllim soditje vendesh e jo ndonjë veprimtari tjetër. Dhe, kjo ka funksionuar shumë mirë disa herë.
      Për një çast ai u ndal, shikoi orën duke e mbërthyer me dorën e djathtë. Në murin djathtas ora shënonte, e mërkurë tetëmbëdhjetë e dymbëdhjetë minuta, duke vazhduar me ngjyrë të gjelbër, njëzet e një shkurt. Koha kishte ikur shpejtë me Mikun, me të cilin po të rrinim me javë e muaj ke çka bisedon. Miqësia jonë ka kohë që kishte zënë rrënjë në gjithë ato takime letrare viteve që nga themelimi i rrethit tonë të krijuesve, pastaj PEN-Klubi austriak ku Miku hapi portën për njohje të reja gjithandej hapësirave në botën e krijimtarisë letrare.
      Shqetësoheshim mos e zgjasim dhe mundojmë Mikun, por një çerek ore u gjashtëfishua aq shpejt sikur të ishin vetëm dy minuta. U gëzuam për përmirësimet e gjendjes së tij shëndetësore, por na vinte keq që po ndaheshim prej tij, kurse nga brenda ziheshim unë dhe Antoni, se a do mund t’i propozonim për një fotografi që ta kemi së bashku nga vizita e sotme ashtu siç ishim mësuar herëve tjera. Pa e mbaruar mirë të fshehtën tonë brenda nesh, Miku nuk harroi, nxori nga xhepi celularin, e përshtati për funksionin e klikimit duke iu drejtuar një të riu në tavolinë pranë.
    -Mund të na fotografoni ju lutem, iu drejtua me mirësi Miku duke e porositur që ta shkrep disa herë.
    Fotografitë nga takimet tona i ruanim me dashuri dhe së bashku me shkrime të shumta u botuan në shumë gazeta të kohës. Njëra nga ato që mbahet gjithmonë në kujtesë ishte nga takim ynë në kafenë e preferuar prej tij përballë Hofburgut, prej nga dukej dritarja e zyrës ku kishte punuar dikur në stafin këshillues të kryetarit të shtetit.

  U ngritëm ngadalë duke mos harruar t’u dëshironim shërim të shpejtë atyre që na rrethonin në mesoren e mbushur me tavolina e karrige. Korridorit të gjatë deri tek ashensori numrat e dhomave zvogëlofshin vazhdimisht. Kaluam derën e dhomës ku ishte krevati i Mikut, por ai as që e shikoi duke vazhduar tutje me hapa të kujdesshëm të tij në përcjelljen tonë deri në portën e fundit ku ndahej ngrohtësia e miqësisë brenda nesh me të ftohtit e mbrëmjes së dimrit           
      Takimet e miqve i përcjell gjithmonë malli e dashuria të cilat për krijuesin janë kurdo burim frymëzimi. Dhe, këtu me Mikun në katin e lartë prej nga përballë dritareve ndriçimi i qyteti thyente errësirën deri në majë të katedrales së vjetër në zemër të qytetit. Anash qelqanave u duk hëna me shkëlqimin e saj errësirës dimërore me porosi dielli në ecjen e tij Paqësorit drejtë rrethimit të Tokës. Ngadalë mbi qytet shtrihej hija e natës duke fshehur shkëlqimet e dëborës së mbetur pullazeve të thepisura. Kambanat nga katedralja lëshuan tinguj e qetë në paralajmërim të mbretërisë së natës. 

Filed Under: ESSE

Eni Lena nderua me çmimin “Artistja e Vitit” në Uashington DC

January 21, 2022 by s p

Nga: Artemisa Kastrioti/

Eni Lena e nisi vitin e ri 2022 me një bujë të madhe, duke bërë histori si një grimere tepër e talentuar që gjeti sukses të madh në Shtetet e Bashkuara. Me 10 janar 2022 ajo fitoi çmimin “Best Make Up Artist” nga New York Nil Gallery (NYNG) në Sh.B.A. Gjithashtu Eni fitoi çmimin “Best Make Up Artist” në eventin prestigjioz Nentori Shqiptar, të mbajtur nga Fondacioni i Bamirësisë Artteam në Nju Jork në Capitale NYC më 26 nëntor 2021 për projektin “Buzëkuqi i kuq – Tetori nuk mjafton!”. 

Ky projekt ishte një nismë solidare me impact socio-kulturor, që në thelb të saj kishte ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit. Finalizimi i kësaj nisme u zhvillua gjatë mbrëmje galeri në ambjentet e COD, në Kryeministri. Aty u paraqitën portretet e 12 grave të prekura nga kjo sëmundje ku produkti i kësaj nisme ishte kalerndari me 12 portretet për çdo muaj të vitit. Secila prej këtyre vajzave dhe zonjave jepnin mesazhin e tyre sensibilizues. Mbrëmja Galeri me fotot e këtyre portreteve u hap në 15 nëntor 2021 dhe më pas u prezantua sërish edhe në New York në datën 26 nëntor 2021.

“Jam shumë e lumtur që 12 portretet të përzgjedhura për kalendarin ‘Buzëkuqi i kuq’ dhanë një mesazh të fortë sensiblizimi dhe vetëbesimi. Tetori nuk mjafton për këtë kauz. Pata vlerësimin dhe falenderime nga çdo institucion shtetëror apo edhe ato private,ku me mirënjohje e duartrokitën këtë nisëm time artistike,” tha Eni Lena. 

“Eventi që u zhvillua në Nju Jork ishte një nga mbrëmjet që do mbeti gjatë në kujtime. Ishte pikërisht kjo mbrëmje Galeri që u zhvillua në Tiranë që do më çonte ne dimensione te tjera profesionale, për të cilën pata ftesë nga autori i “Nëntori i Shqiptarëve NY” Eduart Deda. 

Ky projekt “Red Lipstick” u prezantua në NY, ku u përgezova me çmimin si Make Up Artistja më e mirë e Shqiperisë dhe jashtë saj. Jam shumë e lumtur që vlerat e artit dhe eksperinca ime vlerësohet përtej kufijve tanë. Kjo mbrëmje në NY bashkoi të gjithë shqipëtarët e të gjithë trevave nga fusha të ndryshme profesionesh ku vlerësimet ishin për vlerat e tyre profesionale,” shtoi ajo. 

Në dhjetor 2021 dhe janar 2022, Eni Lena fitoi dy nominime të fuqishme: Artistja gjysmëfinaliste në kategorinë më të mirë të fytyrës së plotë në IBI Awards 2022 në Nju Jork dhe finaliste në kategorinë e Artistes më të Mirë të Make Up në Galerinë Nil të Nju Jorkut (NYNG), edicioni i 5-të, ku edhe fitoi çmimin “Best Make Up Artist”.  Të dy çmimet janë shumë të lakmuara me artistë nga 45 vende që hynë në 2022 International Beauty Industry Awards dhe mbi 1236 aplikime për NYNG, nga të cilat 85 projekte ishin përzgjedhje zyrtare të programit 2022.

Një tjetër nderim erdhi në dhjetor 2021, ku Eni Lena u nderua me çmimin “Artistja e Vitit” në Washington DC. Me kërkesë të Senatorit të nderuar Charles E. Schumer, Flamuri Amerikan u valvit në ndërtesën e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara në Uashington DC më 10 dhjetor 2021, “duke nderuar artisten Eni Lena (Eneida Hoxhaj), Artistja e Vitit, për “arritjet e saj të jashtëzakonshme dhe kontribute të rëndësishme në artet krijuese në Evropë dhe SHBA. Faleminderit për frymëzimin dhe fuqizimin e grave sipërmarrëse”.

“Ky çmim dhe nderim nga Kongresi American ishte një nga emocionet e ralla. Jam krenare per këtë çmim ku vlerësimi ishte maksimal duke marrë në duar edhe flamurin American si shenjë falenderimi. Vazhdoj e motivohem akoma më shumë për Artin tim kur e shoh që  jap kontribut për të gjithë shoqërinë në mbarë botën. Stimujt dhe vlerësimet që marrë deri më sot pa kufij më bëjnë që  ti amplifikoj në maksimum vullnetin dhe deshirën për të vazhduar rrugëtimin tim artistik dhe profesional,” theksoi Eni Lena. 

Lindur dhe rritur në Tiranë, Eni Lena mori famë si një nga grimeret më të kërkuara të personazheve të famshëm dhe të spektaklit televiziv. Ajo është e njohur për bashkëpunimet e saj me markat luksoze të modës dhe shfaqjet e famshme televizive si Supermodel of the World dhe Miss Universe Pageants. Sot, Eni Lena është po aq e famshme, si në fillim të vitit 2000, kur la shenjën e saj në industrinë e bukurisë dhe botën e argëtimit për teknikat e saj të shkëlqyera të grimit. Gjithashtu anëtare jurie si make up artistia më e mirë, ku ka gjykuar në 16 javë garën për talentet e make up-it tek Beteja e Bukurisë “E Diell,” Top Channel, si dhe anëtare jurie në Miss Universe Albania and Kosovo ku dha çmimin Miss Best Model 2020.

Kontributet e Eni Lenës në industrinë e bukurisë dhe të modës kanë fituar çmime të shumta të jashtëzakonshme në Evropë dhe SHBA, duke përfshirë: Artistja e Vitit (2022) në Uashington DC; Make Up Artistja më e Mirë (2022) nga New York Nil Gallery; Artistja më e mirë e Make-up-it e vitit 2021 nga NY Elite Magazine, duke zënë kopertinën e revistës qershor 2021; Makeup Artistia më e famshme nga NY Glamour Magazine (qershor 2021); Çmimi Kombëtar i Arteve nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj; Top Make Up Artist nga Geraldina Sposa Albanian Fashion Company (maj 2021); Master i Profesionit (tetor 2020); dhe ekselencë dhe arritje të jashtëzakonshme në industrinë e bukurisë dhe modës në Shqipëri nga Teatri Metropolitan (Nëntor 2020).

Filed Under: Komunitet

110 VJET ECJE N’TERR

January 21, 2022 by s p

Discover Albania: GJERGJ KASTRIOTI - SKENDERBEU (1405-1468)

GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU

DHE FLAMURI I DED GJO’ LULIT 

Pergatiti: Fritz RADOVANI:

Zoti njëherit me ballin e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut shndriti edhe mendjen e të gjithë Atyne Shqiptarve që e mbajtën me nderë këte Emen në gjakun e vet, Atdheun dhe Flamurin, me Shqipen Dykrenare dhe Gjuhen e Bekueme të Imz. Pal Engjullit. 

Ajo Gjuhë Shqipe e Bekueme mbi ballin e çdo Shqiptari, provoi se nuk shuhet as, nuk fshihet dhe as nuk humbet as edhe qinda e mija vjetë, nga Toka Ilire! E prova ma e sakta e Historisë së lavdishme të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, asht edhe sot, Ajo rrenojë e vjeter shkodrane, ku u formue Shoqnia Atdhetare “Bashkimi” në 1899. 

E nder shkambijt e Shirokës, në shtëpinë e Tom Mark Radovanit, camerdhokët e atij fshati nën kujdesin e Dom Zef Ashtës, mësonin prej vitit 1874 me shkrue Shqip. (Ky material historik i saktë me mësuesa dhe nxanësa u shkrue nga mësuesi i nderuem Gjush Sheldija në vitin 1933.) 

Mbas vitit 1902 Françeskanët e vendosun në Shqipni që në Shekullin XIII, i japin një drejtim të posaçëm arsimit, kulturës, shkrimit, revistave, dokumentave historike dhe në bashkpunim me Jezuitët italianë, Shkodra asht nder qendrat kulturore t’Europës. 

Në vitin 1908 asht At Gjergj Fishta, që na dha Alfabetin e Gjuhës Shqipe, aprovue ky alfabet nga Shqiptarët e të gjithë Trojeve të Shqipnisë në Kongresin e Manastirit. 

Kishin kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta, martina e huta; tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e kulumrija…Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të parëvet Kryqat e drunit të lisit e të çamit.  Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue shenjat e pushimit, vue me dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë, përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem e ba rrafsh me tokë. 

Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri, po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e burrave ishin bashkue e ba hudhi si t’ u kishte shkrepë rrufeja në votër e shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi. Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur, ku, tashma as dallëndyshat nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat rrumbullake “felëshuesëve”. 

Tue shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë së Mbishkodres filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1911, ku nuk duhen lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut t’Asizit. Këta fretën asnjë ditë nuk pranuen me jetue në mëshiren e malazezëvet, por iu drejtuen Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqit, i cili pat qendrue dorjashtë për disa kohë, e ma vonë, me ndikimn e Imz. Luigj Bumçit dhe Don Ndre Mjedjes, Famullitar në Kukël, vunë në dijeni Vatikanin, njëkohsisht edhe me konsullin Austriak në Shkodër, u lidhën në Austri me Arqiduken Franc Ferdinandi, tue i vue në dukje prirjen politike të Kryengritjes së Malësorëve të Mbishkodrës.

Kleri Katolik Shqiptar që ishte ndër Ato Malësi, kishte arrijtë deri aty sa me deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times, Wednesday, May 10, 1911.)

110 vjet ma parë, me 6 Prill 1911, me Dedë Gjo’ Lulin.

I madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë! Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt Emnin e pushken e Tij!

Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë! 

Fitorja e shpërblyeme me gjak prej Shqiptarve ndër shekuj erdhi! 

Urata, lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin! 

Sejcili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës.

Pikë lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët.

Edhe gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!

Aty pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë…

Sa andej këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma  të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore me ushtimën e tyne ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut, tue zgjue nga kllapia shekullore mbarë një Europë: “Oooo… Burra bre.., çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!” 

Në vitin 1994 Profesor Gjon Sinishta, në revistën e drejtueme prej Tij, Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco USA, botoi një dokument që u pat shkrue nga amerikani Profesor Dr. Stephen Schwartz: 

“On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.” Që në gjuhën shqipe domethanë: “Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani At Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij.” U ngrit për mos me zdrypë kurrma, kurrma!

Tingujt e Lahutës.., vazhdonin Kangët e veta…Ky dokument i randësishëm Historik ka të shenueme datën që u firmue nga Atdhetarët: Gërçe, 23 Qershor 1911.  

Sigurisht, kjo lejon me pranue pa kushte edhe pjekuninë e Tyne  politike dhe kulturore, të cilën sot fatkeqsisht e dishrojmë në të gjitha hallkat Shtetin Shqiptar, deri tek Presidenti, që kur pret qeveritarë turq heqë nga zyra e vet bustin e Heroit kombëtar Gjergj Kastriotit..                                                             

Me 28 Nandor 1912 Shqipnia fitoi Pamvarsinë vetem me kambnguljen burrnore të Luigj Gurakuqit, i cili me revole mbi tavolinë u tha të gjithë pjesmarrësve n’ Vlonë: 

“Sot me 28 Nandor 1912, o do të Shpallet Pamvarsia e Shqipnisë, ose nuk del i gjallë asnjeni prej këtu ku jemi të mbledhun!” Dhe, ashtu u ba! 

Eshtnat e Ded Gjo’ Lulit i treguen Shqiptarëve e Shqipnisë mbarë, se: 

“Për Ty vdiqa, Për Lirinë tande! Nuk kam dashtë tjetër!”

Shqiptarët dolën nga robnia Turke me armë në dorë dhe janë të gjithë tradhëtarët e vendit që po me armë e vrasje të pabesa u shërbyen serbëve me sjellë një okupacion tjetër, vetëm pse nuk arrijtën asnjëherë me u çveshë nga fanatizmi anadollak, i cili ndër shekuj e ka tregue këtë qendrim të tyne antikombëtar, tue i shërbye kujtdo përveç Atdheut! E persa vite, mbas 1912, nuk u gjet asnjë Shkodranë me drejtue  një ditë të vetme Shtetin Shqiptar?

***

Qeveria e parë e Shqipnisë u krijue në vitin 1912 me kryeministër Ismail Qemal beu, nga data 29 nëntor 1912 deri më 1914. 

Mbas qeverisë së tij radhiten 44 kryeministra të tjerë deri tek kryeministri i sotëm të cilët kanë ushtrue këtë detyrë për periudha të ndryshme kohore:

Mehmed Fevzi bej Alizoti; janar-mars 1914.

Turhan Pashë Përmeti; 15 mars deri më 3 shtator 1914, dhe 1918 deri në vitin 1920.

Esat pashë Toptani; 5 tetor 1914 – 27 janar 1916.

Sulejman bej Delvina; 30 janar 1920 – 14 nandor 1920.

Iljaz bej Vrioni; 10 dhjetor 1920 deri 19 tetor 1921

Pandeli Evangjeli; 19 tetor 1921 deri 6 dhjetor 1921

Qazim Koculi; 6 dhjetor 1921 deri 7 dhjetor 1921

Hasan Prishtina; 7 dhjetor 1921 deri 12 dhjetor 1921

Idhomene Kosturi; 12 dhjetor 1921 deri 30 dhjetor 1921

Xhafer Ypi; 30 dhjetor 1921​ deri 4 dhjetor 1922

Ahmet Zogu; 4 dhjetor 1922 deri 5 Mars 1924

Shefqet bej Vërlaci; 5 Mars 1924 deri 2 qershor 1924

Iljaz bej Vrioni; 2 qershor 1924 deri 16 qershor 1924

Fan Noli; 16 qershor 1924 deri 26 dhjetor 1924

Ahmet Zogu; 26 dhjetor 1924 deri 30 janar 1925

Koço Kota; 10 shtator 1928 deri 5 Mars 1930

Pandeli Evangjeli; 5 Mars 1930 deri 22 tetor 1935

Mehdi bej Frashëri; 22 tetor 1935 deri 9 nandor 1936

Shefqet Vërlaci; 12 prill 1939 deri 4 dhjetor 1941

Mustafa Kruja; 4 dhjetor 1941 deri 19 janar 1943

Eqrem bej Libohova​; 19 janar 1943 deri 13 shkurt 1943

Maliq Bushati; 13 shkurt 1943 deri 12 maj 1943

Eqrem bej Libohova​; 12 maj 1943​ deri 9 shtator 1943

Ibrahim bej Biçaku; 9 shtator 1943 deri 24 tetor 1943

​Mehdi bej Frashëri; 24 tetor 1943​deri 3 nandor 1943

Rexhep bej Mitrovica; 3 nandor 1943 deri 18 korrik 1944

Fiqri Dine; 18 korrik 1944​ deri 26 tetor 1944

​Enver Hoxha;​1 janar 1946 deri 20 korrik 1954​

Mehmet Shehu; 20 korrik 1954 deri 18 dhjetor 1981

​Adil Çarçani ;18 dhjetor 1981 deri 22 shkurt 1991

​Fatos Nano; 22 shkurt 1991 deri 5 qershor 1991

​Ylli Bufi; 5 qershor 1991 deri 10 dhjetor 1991

Vilson Ahmeti; 10 dhjetor 1991 deri 13 prill 1992

​Aleksandër Meksi; 13 prill 1992 deri 11 Mars 1997​

Bashkim Fino; 11 Mars 1997 deri​ 24 korrik 1997​

Fatos Nano; 24 korrik 1997 deri 2 tetor 1998​

Pandeli Majko; 2 tetor 1998​ deri 29 tetor 1999​

Ilir Meta; 29 tetor 1999 deri 22 shkurt 2002

Pandeli Majko; 22 shkurt 2002 deri 31 korrik 2002

​Fatos Nano;31 korrik 2002 deri 11 shtator 2005

​Sali Berisha; 11 shtator 2005 deri 8 shtator 2013​

Edi Rama; 8 shtator 2013 -​Kryeministër në detyrë…

Nga viti 1939 e deri në vitin 1944, 29 Nador Shqipnia asht e pushtueme.

PRESIDENTA TË SHQIPNISË:

  1. AHMET ZOGU, president i 1-rë i Republikës

Ditëlindja: 8 tetor 1895

VENDLINDJA: Burgajet, Mat.

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 30 janar 1925  deri më 1 shtator 1928

ARSIMIMI:I paarsimuem në Turqi dhe Austri dhe i padiplomuar në Akademi. PËRKATËSIA FETARE: Musliman

DETYRA TË TJERA SHTETËRORE: Mbret, kryeministër, ministër i Brendshëm, deputet.

VDEKJA: 9 prill 1961, I daignostikuem me kancer. Vorroset në Francë.

  1. OMER NISHANI, presidenti i 2-të i Republikës (President i presidumit të Kuvendit Popullor)

Ditëlindja: 1887

VENDLINDJA: Gjirokastër.

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 10 janar 1946 deri më 31 korrik 1953

ARSIMIMI: Mjek, i diplomuar në Stamboll, Turqi.

PËRKATËSIA FETARE: Orgjinë muslimane. Ateist

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Jashtëm, deputet.

VDEKJA:  25 maj 1954 me vetëvrasje.

  1. HAXHI LLESHI, presidenti i 3-të i Republikës (Kryetar i presidumit të Kuvendit Popullor)

Ditëlindja: 19 tetor 1913

VENDLINDJA: Dibër,

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 1 gusht 1953 deri më 21 nëntor 1982.

ARSIMIMI: Arsimim fillor, i padiplomuem.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Brendshëm, deputet.

PËRKATËSIA FETARE: Me orgjinë muslimane, atesit.

VDEKJA: 1 janar 1998, natyrore. 84 vjeç, 9 muaj e 18 ditë.

  1. RAMIZ ALIA, presidenti I 4-ët I republikës (Kryetar i presidumit dhe president)

Ditëlindja: 18 tetor 1925.

VENDLINDJA: Shkodër. (Ardhë nga Bosnja)

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: Që nga 22 nëntori 1982 deri më 2 prill 1992.

ARSIMIMI: Diplomuar në shkollën e Partisë, Moskë, Rusi.

PËRKATËSIA FETARE: Me orgjine muslimane, ateist.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Arsimit, deputet.

VDEKJA: 17 tetor 2011, natyrore.

  1. SALI BERISHA, presidenti I 5-të i Republikës.

Ditëlindja: 15 tetor 1944.

VENDILINDJA: Vuçidol, Tropojë.

MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrën në moshën 47 vjeç, 5 muaj e 25 ditë dhe e la 52 vjeç, 8 muaj e 26 ditë.

ARSIMIMI: I diplomuar për Mjekësi në universitetin e Tiranës.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Kryeministri i 32-të i shtetit shqiptar, deputet.

  1. REXHEP MEIDANI, presidenti i 6-të i republikës.

Ditëlindja: 17 gusht 1944.

VENDILINDJA: Tiranë

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 1997 deri më 24 korrik 2002.

ARSIMIMI: I diplomuar për fizikë në universitetin e Tiranës.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Deputet.

  1. ALFRED MOISIU, presidenti i 7-të i republikës

Ditëlindja: 1 dhjetor 1929.

VENDLINDJA: Shkodër. (Me origjinë nga Jugu)

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2002-24 korrik 2007.

ARSIMIMI: I diplomuem ushtarak.

PËRKATËSIA FETARE: Ortodoks

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Mbrojtjes.

  1. BAMIR TOPI, presidenti i 8-të i Republikës.

Ditëlindja:24 prill 1957

VENDLINDJA: Durrës.

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: Nga 24 korriku 2007 deri më 24 korrik 2012 

MOSHA KUR MORI DETYRËN: E mori detyrën 50 vjeç e 3 muaj.

ARSIMIMI: I diplomuem si mjek veteriner në Universitetin Bujqësor, Kamëz.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje mulsimane.

DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Bujqësisë, deputet.

  1. BUJAR NISHANI, presidenti i 9-të i Republikës.

Ditëlindja: 29 shtator 1966.

VENDLINDJA: Durrës

KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2012–24 korrik 2017

ARSIMIMI: I diplomuar ushtarak dhe jurist.

PËRKATËSIA FETARE: Familja me prejardhje muslimane.

DETYRA TJERA SHTETNORE: Ministër i Brendshëm, ministër i Drejtësisë, deputet.

  1. ILIR META, presidenti i 10-të i Republikës

Ditëlindja: 24 MARS 1969

VENDLINDJA: ÇEPAN, SKRAPAR.

DITA KUR U ZGJODH PRESIDENT: 28 PRILL 2017, ORA 18.00.

ARSIMIMI: DIPLOMUAR PËR EKONOMI NË UNIVERSITETIN E TIRANËS.

PËRKATËSIA FETARE: Musliman Bektashi.

***

Janë plot 110 vjetë që Shqiptarët kujtojnë se kanë fitue Pamvarsinë Kombtare, me 28 Nandor 1912. Por prej asaj ditë, me 29 Nandor 1912, Shtetin Shqiptar e ka drejtue Ismail Qemal beu i Vlonës që s’ishte dakord me  “Pamvarsi të plotë nga Turqia”.

E Shqiptarët tash 110 vjetë vazhdojnë të qeverisen nga disa“mbeturinat anadollake”! 

Shteti ma i mbrapambetun i Europës, dhe gjithnjë jashta Saj, ku sundon korrupsioni, hajnia, imoraliteti, vllavrasja, shfarosja, pabesia, paburrnia, urrejtja, ateizmi, shperdorimi i detyrës, injoranca, mendjemadhsia, kapadailleku, trafikantët e drogës. E gati harrova: Shkatrrimtarët e vertetë të Shtetit Shqiptar!

Melbourne,  21 Janar 2022.

Filed Under: Komente

“AMANETI” I PRESIDENTIT RUGOVA

January 21, 2022 by s p

NGA DALIP GRECA*

Eshtё zbuluar dhe njё ndёr amanetet e fundit tё presidentit tё ndjerё tё Kosvёs, Dr. Ibrahim Rugova.Ndёr kёrkesat e fundit tё tij ka qenё edhe sjellja e njё arkivoli nga Amerika pёr ta pёrcjellё nga kjo botё.Kjo kёrkesё ёshtё mёsuar nё çastet e pasvdekjes dhe ёshtё pёrcjellё nga presidenca e Kosovёs pёr nё Amerikё.Amaneti i dr. Rugovёs i ёshtё besuar miqёve tё tij kёtu nё Nju Jork, familjes te vellezёrve Lek dhe Pashk Gojçaj.Ka qene John Gojçaj, i biri Pashkut, qё ka marrё mesazhin prej Prishtinёs.Kёshilltari i Presidentit Rugova, Sali Cacaj, pёrmes telefonit, e ka njohur John Gojçajn me kёrkesёn e fundit tё presidentit, njё ditё pasi kishte ngjare morti, pra te dielёn mё 22 janar. Kёshilltari e ka lёnё amanetin e presidentit tek familja Gojçaj dhe ka mbyllur telefonin, i bindur se arkivoli-amanet do tё vinte nё Prishtinё nё kohёn e duhur.Djemtё e Gojçajve u morёn me plotёsimin e amanetit qё u pёrcolli Prishtina. Nuk ishte aq i lehtё plotёsimi i kёsaj kёrkese, po tё kemi parasysh se ajo mbёrriti nё Nju Jork tё dielёn, njё ditё pas vdekjes. Edhe John-i, thotё se ka qenё shumё vёshtirё qё tё realizohej ky amanet pёr arsye kohe, pasi u pёrcoll nё njё kohё tё vonё dhe se ishte shumё vёshtirё qё tё gjendej njё mundёsi transportimi pёr nё Prishtinё nё mёnyrё emergjente. Pёrfundimisht arkivoli ёshtё gjetur nё njё shёrbim funerali nё -Nju Jork.Pasi u realizua blerja nga Vincenti dhe Agustini, u bёnё pёrpjekje pёr tё gjetur njё linjё fluturimi drejt Tiranёs e mё pas tё kalonte nё Prishtinё.Kjo mundёsi nuk u realizua pasi nuk u gjёt asnjё fluturim i lirё nё atё linjё. U zgjodh rruga tjetёr, arkivoli u dёrgua nё Milano dhe qё andej pёr nё Prishtinё. Leka mё tregoi se arkivoli mbёrriti nё Prishtinё nё kohёn e duhur, falё pёrpjekjeve tё djemeve tё familjes, tё cilёt nuk e lanё amanetin nё rrugё.Ndёrkohё miqtё e Rugovёs, Leka dhe Pashku u nisёn pёr nё Prishtinё pёr tё marrё pjesё nё funeralin e presidentit sё bashku me njё delegacion tё madh tё LDK-sё me nё krye kryetarin Agim Rexha.Lek Gojçaj thotё pas kthimit nga varrimi se ishte detyrim moral qё amaneti i presidentit tё Kosovёs tё mos mbeste nё rrugё por tё plotesohej.Kur e pyes Lekёn se çfarё mendon pёr arsyen qё e ka shtyrё presindentin apo kёshilltarёt e tij tё pёrcillnin njё amanet tё tillё, ai m’u pergjigj:Presidenti Rugova iku nga kjo botё duke e lёshuar tё gjithё besimin e tij tek Amerika. Ai besoi se Amerika, vendi i lirisё dhe demokracisё do t(ia silltё pavarёsinё Kosovёs sё martirizuar, ashtu siç i hoqi nga shpina represionin serb.Ai pёr gjithaçka i besonte Amerikёs sё bekueme dhe sa herё kthehej pёr nё Kosovё pas vizitёs, ndjehej i lumturuar. Kjo mund tё jetё njё nga arsyet pse edhe arkivolin e kёrkoi nga Amerika. Unё mendoj se kjo ёshtё njё kёrkesё simbolike, aq edhe shpirtёrore., ёshtё mё shumё njё mesazh sa sa njё dvshirё. Ne na vjen mirё-, shton Leka, qё amaneti i presidentit na u adresua neve si familje. Ne jemi miq tё kahershёm tё tij dhe e ndjejmё tё lehtёsuar veten qё e plotёsuam njё nga amanetet e tij, ndryshe do tё na mbeste plagё nё shpirt.Shpesh nuk m’i kanё kuptuar mesazhet qё kam pёrcjellё pёr presidentin Rugova, edhe nё ato urimet qё kam bёrё nё gazetёn Illyria, me rasin e festive tё Flamurit, çdo 28 Nёntor. Unё kam thёnё shpesh se Dr. Ibrahim Rugova ёshtё nga ata qё perёndia ia kishte dhёnё kombit tonё, siç i kishte dhёnё nё njё kohё tё caktuar Nёnё Terezёn, shenjtoren shqiptare, siç i pat dhёnё nё kohёt mё tё hershme edhe Gjergj Kastriotin(Skenderbeun). Dr. Ibrahim Rugova erdhi tamam si shenjt dhe iku si i tillё. Ai besoi se njё ditё liria e Kosovёs do tё vinte dhe nuk e humbi kurrё shpresёn. Ai iku me pavarёsinё nё prag tё dyerve tё Kosovёs, ai iku por i la popullit tё vet njё vёmendje shumё tё madhe ndёrkombёtare.E pamё me sy se sa madhёshtore ishte ikja e tij. Edhe me vdekjen e vet dr. Rugova i shёrbeu kombit tё vet, ia rriti shpresat Kosovёs. Kurrё nuk na kanё parё sytё njё vёmendje aq tё madhe ndёrkombёtare nё raste tё tilla.Se si e ndjeva veten kur preka arkivolin e tij, arkivolin prej Amerike. Sikur ndjeva shpirtin e tij tё lehtёsuar.Mbaj mend se nё ato çaste pershperita me vete:Prehu i qetё nё dhe’un e Kosovёs sё lirё, i shtrenjti president! Ti e kreve detyrёn tende!Ti u sakrifikove pёr t’i shёrbyer popullit tёnd!Nuk mё harrohet shprehja e njё plaku qё takuam atje. Ai se ç’formuloi nje fjali qe mё mbeti nё mendje.Selim Spahiu ia thonin emrin. Ai,kur u takua me ne, tha:” Edhe strajcёn mё bajtё nё krah, mos iu ndani rrugёs sё dr. Ibrahim Rugovёs, vetёm ajo ёshtё rruga e drejtё, qё nuk humb nё pyll.Ndёrsa Pashku, kur shkroi nё Librine Zi tё vdekjes, i dridheshin duart, por ama fjalinё qё i tha shpirti, e shkroi:Ghandi i dytёYlli i dritёs. Shenjti shqiptarNёnё Terezёs i pёrngjan…Edhe unё,shton Leka- shёnova me dridhje dore fjalinё qё mё tha zemra ato çaste dhimbjeje. Tek shkruaja ato fjalё mё vinte nё mendje portreti i tij, miqёsia e tij e sinqertё, takimet e panumerta qё nga viti 1991.Mё pas Leka mё tregoi se ishte e pazёvendёsueshme miqёsia me dr. Rugovёn. Mbaj mend thotё ai se nё shumё intervista qё dhashё pёr radiot e televizionet e atjeshme,ia rrita nderёn, nё njerёn e krahasova Gjergj Kastriotin, nёnё Terezёn dhe Ibrahim Rugoven. E quajta te helmuar shekullin qe shkoi se na mori nёnё Terezёn, po kёshtu kёtё fillimshekulli se na la pa Rugovёn, por jemi krenarё se kemi fituar njё shenjtёreshё, siç ёshtё Nёnё Tereza dhe njё symbol Kombёtar, qё ёshtё Rugova…. Humbёm njё mik tё rrallё, ndёrsa Kosova dhe kombi shqiptar, humbёn njё udhёheqёs tё pazёvendesueshёm.Kush ishin vellezёrit Gojçaj?Lek & Pashko Gojçaj kanё emigruar nё Amerikё nga Malёsia, fshati Sukrugj ne mesin e viteve (70 tё shekullit tё kaluar. Jetuan pёr dekada sё bashku dy familja tё mёdha nё rrethinat e pasura tё Nju Jork-ut, nё njё shtёpi moderne, nё zonat mё tё pasura tё kёtij shteti. Sipas librit”Shqiptarёt e Amerikёs “ tё Vehbi Bajrami, nё vitin 1999 shtёpinё e vёllezёrve Gojçaj e kёrkuan pёr ish presidentin Klinton. Madje u bё dhe disa emisione televizive ne kanale prestigjioze te Nju Jork-ut. Gazetari komentonte:” Kjo ёshtё njё shtёpi ideale pёr presidentin Klinton.Ka shumё dhoma, ndodhet mes njё gjelbёrimi magjepёs, ka liqenin e vet, ka dhe pompёn e benzinёs nё oborr. Çfarё i mungon tjetёr kёsaj shtёpie”?Ato ditё u shkrua nё shtypin serb se shqiptarёt po ia falnin shtёpinё presidentit Klinton si dhuratё pёr bombardimin e Serbisё. Ndёrsa Leka sqaroi po ato dite median; nuk ёshtё e tamam e vёrteta ashtu:” Ne i thamё kompanisё qё u interesua se vёrtetё shtёpia ёshtё vlerёsuar me mё shumё se 4 milionё dollare, por pёr presidentin Klinton ne nuk i vёmё çmim, le ta marrё sa tё doje ai! Nё tё vёrtetё presidenti bleu nё tё njёjtёn zonё, por njё shtёpi nё pёrmasa mё tё vogla; ai ёshtё fqinjё me njё tjetёr familje shqiptare nga Kosova, me njerin prej vёllezёrve Osmani.Gojçajt, pёr tё qёndruar tё lidhur me rrёnjёt e vendlindjes, kanё rindёrtuar edhe njё shtёpi nё vendlindje, nё Malёsi. Shtёpia ёshtё e madhe, dykatёshe. Madje kur u pёrurua ajo u mblodhёn pёr ta festuar mё shumё se 100 tё ftuar, tё krishterё e myslimanё.Çdo vere familja shkonte atje pёr pushime.Familja Goçaj pёrmendet edhe pёr atdhetarizmin e saj ndaj çёshtjes kombёtare. Ata janё ideatorёt, realizuesit dhe sponsorёt e shtatoreve tё Nёnё Terezёs, tё ngritura nёpёr vendbanimet e shqiptarёve. Kjo shtatore , vepёr e tre skulptorёve nga tre besimet; katolik, orthodoks dhe musliman; Vasil Rakaj, Sadik Spahija dhe Vasiliev Nini nga Shqipёria, sё pari u pёrurua nё vendlindje, nё Tuz tё Malit tё Zi, nё tetor tё vitit 1997. Mё pas, mё 10 shtator 2000, shtatorja u vendos nё Nju Jork. Mё 2 korrik 2002 njё shtatore tjetёr u vendos nё Prishtinё. Kjo ishte njё perpjekje e vёllezёrve Gojçaj pёr t’i bashkuar shqiptarёt me anё tё simboleve kombёtare. Pёrpjekja nuk mbaron kёtu, njё shtatore e Nёnё Terezёs ёshtё vendosur nё qytetin problematik tё Mitrovicёs, njё tjetёr nё atё tё Strugёs, njё nё Michigan. Kёsisoj vёllezёrit Gojçaj u kthyen nё institucion kombetar. Atё qё nuk e ka bёrё njё shtet e kanё realizuar dy vёllezёrit atdhetar.Ata kanё tentuar qё shtatoren e Nёnё Terezёs ta vendosin edhe nё mjediset e Kombeve tё Bashkuara por nuk ia arriten pvr shkak te procedurave dhe rregullave burokratike.PS: Vellezerit Gojçaj nuk jetojne me. Pashko Gojaçaj u nda nga jeta me 9 Janar 2018, ndersa Lek Gojçaj u nda nga jeta me 4 Gusht 2020. Pushofshin ne Paqe!

*21 Janar 2006(Botoi Gazeta Illyria ne Nju Jork, Koha Jone ne Tirane.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT