• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

SOT, NË ZLLAKUQAN TË KLINËS JANË PËRURUAR TË DY LIBRAT E MESHTARIT TONË DIOÇEZAN DHE KULTUROLOGUT SHQIPTARË, DOM PASHK DANIT

January 17, 2022 by s p

Shkruan: Lekë Mrijaj 

Dom Pashk Dani njihet me angazhimet e tija të mira në misionin e Kishës Katolike njëkohësisht dhe të çështjes kombëtare njihet jo vetëm si një misionar por më konkret e them edhe si ambasador i denjë i kulturës sonë mbarëkombëtare në përgjithësi. Tek ky meshtarë e kulturolog buron tamam arsimimi i tij klasik e teologjik dhe dikur oratoria e tij ishte tejët kulminante që e karakterizon një klerik shqiptar, por edhe me një kulturë me rrënjë, thjeshtë kulturore e kombëtare. Nëpërmjet pasqyrimit të një kaptine të veçantë për figurën e dom Pashkut identifikohet jo vetëm një një pjesë e kulturës por edhe të vuajtjeve të popullit shqiptar nëpër dekadat e shekullit të kaluar, ku përgjithësisht këto vuajtje të kombit shqiptar, rrënjët i ka të ngulitura thellë.

Ndaj sot, me 15. 1. 2022, në Qendrën Rinore “Dom Lush Lazri” në Zllakuqan të Klinës janë përuruar dy veprat e Dom Pashk Danit, qe titullohen: “Jeta e një meshtari – (Kujtime) dhe “Mitrovica me rrethinë ndër shekuj”.
Në këtë event promovimi morën pjesë shumë intelektual, miq dhe admirues të artit dhe të kulturës si dhe mediat tjera elektronike.

Manifestimin e drejtoi shkrimtari, Vilson Culaj i cili tha : Pra jemi sot  këtu në këtë tempull të kulturës ,, Dom Lush Lazri ‘’ ku falë angazhimit të Forumit të intelektualëve të Klinës ,,Luigj Gurakuqi”, i cili forum është promotor i shumë ngjarjeve kulturore në komunen tonë dhe Zyres Famullitare të Kishës Katolike Shqiptare “Shën Gjon Pagëzuesi” në Zllakuqan,  qe ti promovojmë dy vepra studimore të Dom Pashk Dant me titujt bosht : “Jeta e një meshtari – (Kujtime) dhe “Mitrovica me rrethinë ndër shekuj”. 

Njëkohësisht moderatori Vilson Culaj, permëndi edhe profilin jetësor dhe veprimtarinë meshtarake, studimore, atdhetare dhe kulturore të Dom Pashk Danit, duke shtuar se të kesh motivacione, tema e arsye të shumta qe shpalosin përkushtimin, gjithherë në shërbim të popullit  dhe të kombit. Dom Pashku po ashtu qysh herët u  imponua në hapësirat tona dhe në vende të ndryshme të Europës e deri në Australinë e largët me aktivitete të ndryshme dhe veprimtari të shumta, që paraqesin interes jo vetëm për komunitetin  e brendshëm, por edhe të jashtë vendit, që kanë frymë ekskluziviteti, perkushtimi e vizioni human. Gjitha këto veprimtari të gjëra të drejtuara nga dom Pashku, për qëllim kishin mbajtjen gjallë të shpirtit kulturor dhe qenësinë shqiptare, këtu dhe në diasporë. 

 Paraprakisht me nga një fjalë rasti për këtë event promovimi librash foli edhe nikoqiri apo famullitari i Kishës së “Shën Gjon Pagëzuesit” në Zllakuqan, Dom Alfred Sokoli si dhe dom Fran Sopi.

Nē këtë takim mori pjesë edhe nën/kryetarja e Komunës së Klinës, znj. Marqe Tanushi-Selmanaj, e cila me një fjalë rasti e përgëzoi autorin e librave Dom Pashk Danin. Njëkohësisht morën pjesë edhe drejtori i administratës publike z. Binak Syla dhe drejtoresha e DKRS, znj. Fatjona Gashi, si dhe shumë meshtarë të Kishës Dioçezane të Kosovës e struktura të tjera të pushtetit lokal, profesor universitarë, drejtorë e sekretar shkollash si dhe miq dhe intelektual të kulturës nga Klina, Mitrovica, Peja, Podguri, Gjakova, Prizreni pra Dukagjini, Drenica e trevat tjera shqiptare nga Republika e Kosovës dhe Shqipëria.

Paneli drejtues i këtij eventi ishte në përberje prej: Dom Pashk Dani, dr. Bajram Preteni, Prend Buzhala, Fatjona Gashi (drejtoreshë e DKRS-së), Dom. Alfred Sokoli, Dodë Ndrecaj. 

Për librat e autorit Dom Pashk Danit, ligjëruan: dr. Bajram Preteni, Prend Buzhala, Arben Arifaj, Mikel Gojani, Pal Canaj, Lekë Mrijaj.

Me një pikë artistike deklamimi poetik është paraqitur edhe mjeshtri i muzikës popullire, z. Gjergj Tunaj. 

Pak para fundit të këtij promovimi, autori i të dy librave i falenderoj të gjithë pjesmarrësit e këtij eventi promovues së cilëve ua dhuroj kopjet e librave të tij.

Krejt në përfundim të eventit, moderatori Vilson Culaj tha se në emer të forumit të intelektualeve të Klinës  në krye me me prof. Pal Canaj , prof Prend Buzhala, prof. Mikel Gojanit, prof Dodë Ndrecaj, Krijuesin e mirënjohur Lekë Mrijaj,  dhe Famullitarit të Zllakuqanit Dom Alfred Sokoli  i’u falenderojmë nga zemra të gjithë të pranishmëve që e keni zbukuruar dhe bërë të dinjitetshëm këtë promovim duke jetësuar edhe ëndrrën e dom Pashkut që të jetë gjithmonë i pranishëm me krijuesit, studijuesit , besimtaret, dhe njerëzit që e kaloj jetën plot me fryte e angazhime pozitive, hera heres edhe e stuhishme. 

Në fund për të gjithë të pranishmit u shtrua një koktel rasti.

Filed Under: Fejton

Lamtumirë Demir Gjergji, lamtumirë Poet

January 17, 2022 by s p

Me dhimbje e morëm këtë lajm të ikjes së parakohshme të poetit të mirënjohur Demir Gjergji.

Si homazh po hedh intervistën e realizuar prej meje me poetin dhe gazetarin e mirënjohur të Radio Tiranës.

AJRI QË BËHET FRYMË DHE FRYMA QË SHENJTËROHET NË FJALË DASHURIE


Bisedë me poetin dhe gazetarin e mirënjohur të Radio Tiranës, Demir Gjergji

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Krijimtaria e poetit Gjergji është vlerësuar me çmimin e dytë kombëtar për poemën në vitin 1986, me çmim në “Ditët e poezisë Shqipe” në vitin 2001,  çmimin “Skampini” etj.
Poeti Gjergji ka për mburoje të vetëm, dashurinë njerëzore, çka e ka bërë dhe më interesante poezinë e tij qysh në moshën e hershme të rinisë.
Demir Gjergji ka qenë dhe vazhdon të jetë mjaft aktiv në faqet e shtypit të shkruar dhe në medien e folur.  Ka 12 vjet që punon si gazetar në Radio Tirana, duke realizuar një nga emisionet më jetëgjata dhe më interesante “Fjala si Fillim. Fjala si Flijim”, i cili i kushtohet tërësisht letërsisë dhe autorëve të saj.
Me këtë emision mjaft tërheqës ai ka fituar respektin e mijëra dëgjuesve shqiptarë anë e mbanë globit.

Poezitë tuaja janë të legjitimuara në dashurinë me “Biblën e Buzëve”, është kjo vetja juaj, apo diçka e fshehtë që e ndjen vetëm Bibla e buzëve në librin tuaj poetik?

Ndjehem mirë që këtë bisedë po e fillojmë me ndjenjën më të bukur: dashurinë.  Pa të cilën s’do të ishe as ti që të më pyesje e as unë, që të përgjigjesha.  Jam krejt i bindur se zanafilla e artit ka nisur me ndjenjën e dashurisë, madje mendoj se përpjekja e parë për të komunikuar dhe fjala, si mjet i parë i kësaj përpjekjeje ka lindur prej fuqisë së dashurisë.  Pa më pyet pak: pse lulet kanë ngjyra dhe aromë?  Për të tërhequr vëmendjen e bletëve, – na përgjigjet Biologjia.  Dhe ne vazhdojmë përsiatjen.  Të dashuruara me këto ngjyra dhe aroma, bletët rendin lule më lule.  Si pasojë lulet mbarsen, bletët mjaltëzojnë, pra lind jeta dhe ëmbëlsia e saj.  Kështu ndodh edhe me ne, njerëzit.  Vajzat i verbojnë pasqyrat duke qëndruar para tyre për t’u bërë të bukura që t’u pëlqejnë djemve… Dhe djemtë rendin pas tyre.  Vajzat ikin…Djemtë i ndjekin, u bëjnë shenja, këndojnë për to.
Letërsia dhe arti në përgjithësi do të ishin një djerrinë me ca trungje e cungje gungaçë, të djegur nga luftërat dhe urrejtja, nëse nuk do të ishte kjo lojë dashurie.  Kur kam qenë i vogël, para se të shihja ëndrrën e parë erotike, përballë shtëpisë sime të varfër banonte një fqinjë e bukur perri (të paktën kështu më dukej mua).  Ditët me të këqija të fëmijërisë për mua, nuk ishin ato me brymë, re apo shi ose kur isha i uritur, por pikërisht ato ditë, kur nuk arrija ta shihja atë.  Sa herë ajo shfaqej, unë bëja lëvizje të çuditshme, vrapoja, këndoja, bërtisja, që t’i bija në sy asaj.  Madje prisja kallama dhe bëja pipëza e iu bija vetëm që të më dëgjonte ajo. Ndonëse krijimi im i parë lidhjet me tjetër gjë dhe është krejt tjetër motiv, e them me bindje se kjo poezi ishte ngjizur brenda meje pikërisht nga ajo fqinjë.  Rrjedhimisht, e gjithë poezia dhe krijimtaria ime ka një
qëllim, të tërheqë vëmendjen e dashurisë dhe ka si kryemotiv vetë dashurinë.  Edhe libri “Bibla e Buzëve” që është shkruar disa dhjetëravjeçarë larg asaj fëmijërie dhe kilometra të tëra larg asaj fqinje, në plazmën e vet ka ato vegime fëmijërie, të cilat ditë pas dite, vit pasi viti, dashuri pas dashurie, kanë plazmuar te kjo “Bibël” e thënë, pra Bibël e buzëve. Emocioni më i madh që kam marrë prej këtij libri ka qenë ai i paradisaditëve, kur një djalosh i ri, më ndali në rrugë dhe këmbënguli të më jepte një kafe.  Ndërsa pinim kafenë ai më tha se ishin dy vargje të këtij libri, me të cilat ai kishte arritur të hynte në “zemrën-kështjellë të së dashurës.

Sa është ndikuar poeti Gjergji nga poezia me motive popullore?

Shumë.  Sidomos në formë.  Është e tepërt të flasim këtu për artin e madh që ndërton folklorin. Poezia, padyshim si krijesa më e hershme e këtij folklori, veç elementeve të paarritshëm përmbajtësorë, ka një strukturë që vetëm vetë virgjëria e botës mund ta ketë.  Të vijmë prapë te lulet dhe te bletët.  Shihni hojzit e tyre.  Një strukturë prej nga kanë mësojnë arkitektët më të mëdhenj për të ndërtuar mrekullitë e botës.  Dhe fill pas kësaj, ktheni vëmendjen e hetoni strofat e poezive popullore. Në arkitekturën e tyre ka farfuri metaforash, gdhendje marramendëse aliteracionesh, përmasa harmonike rimash e ritmesh.  Ti hyn aty dhe harron që ka një tjetër botë jashtë, me dete, pyje, ura, qiej, rrugë, aventura, tempuj… Kështu ka ndodhur edhe me mua. Kam hyrë aty dhe nga brenda kam filluar të belbëzoj poezinë time.  Për shembull, kam thënë kështu, kur më ka bërë të vuaj malli për të
dashurën: Ngrijmë në akujt e harrimit,/Ndërsa lemë takim në maj…/ Hapat mbaj pranë fundfillimit…/Hiqem mënjanë e qaj.  Dhe  për të folur kështu, natyrisht që më ka mësuar “poezia me motive popullore”.


Poezitë tuaja herë të çojnë në udhë të panjohura dhe herë ta japin direkt hartën e udhëtimit duke parë nga afër djegien e Yllit të ikur, si ta kuptojmë këtë?

Më ka pëlqyer gjithnjë të udhëtoj në udhë që nuk i kam shkelur më parë.  Ka qenë aq tunduese kjo dëshirë, sa kur më dhanë mundësinë në rininë e hershme të punoj në minierë, m’u duk se do të fluturoja në qiell nga gëzimi. Aty isha i sigurt se do të ecja në rrugë kurrë ta shkelura më parë. Në fundin e tyre, ishte terri i tokës, por edhe fëshfërima e pyjeve prehistorikë.  Nuk më hiqet nga mendja, kur në ato thellësi, llamba e minatorit që mbaja në ballë, ndriçoi befas një formë gjetheje të karbonizuar.  Atë çast në vetëdije më gjëmuan të gjithë pyjet e lashtësisë.  Sot shkeljen nëpër rrugë të reja e shoh krejt ndryshe: autostradat e mëdha, flurudhat e avionëve, miljet detare, avenjutë, aeroportet e botës gjithë më joshin si aventurë dhe si lëndë poetike.  Megjithëse dua të shënoj që poeti më parë ato i ka përvijuar mbase më bukur në fantazi në ndjekje të atij “Ylli të
ikur”, që juve ju ka bërë përshtypje.  Poezia është një udhëtim drejt së panjohurës, ashtu si dashuria, të cilën vetëm enigma e mban si frymë gjallë. Dua të shtoj këtu se me dashurinë ndodh si me mumjen.  Sa është thellë në terrin e së panjohurës, ajo e ruan veten, formën. Me të dalë në dritë, zhbëhet.  Pra, atë krim që nuk kanë mundur ta bëjnë dot shekujt, e bën në një grimë kohe drita.  Pra po të mos ishte e panjohura, po të mos ishin rrugët e pashkelura, poezia do të kthehej në një bejte vulgare   

Sa kanë zënë vend Zanat e bukura shqiptare në librat tuaja me poezi dhe çfarë do të çmonit më shumë tek gruaja shqiptare në veçanti?

Zanat?  E çuditshme!  Asnjë vajzë e adhuruar prej meje nuk ka mbajtur një emër të tillë. Megjithatë, si personazhe legjendash ato më kanë mahnitur, si gjithë të tjerët dhe mua për këtë i kam pasur frikë dhe tani që më pyetët vë re, se nuk i paskam në poezinë time!!! 
Mbase nga frika se mund të më gurëzonin si krushqit e Eposit!

Mendoni se librat e tu janë strehuar në folezën e ngrohtë të zemrave të lexuesve dhe për rrjedhojë ndjeni se s’do të ikin kurrë nga kjo strehëz?

Po.  Gjithë e mendoj këtë.  Vazhdimisht përpiqem që të flas sa më bukur dhe rrjedhshëm përpara të tjerëve, qoftë edhe në një bisedë fare të zakonshme e të rastësishme një mik ose me një të panjohur.  Nuk i kushtoj rëndësi veshjes po aq sa të folurës.  Mbase kjo shtysë ka qenë në gjenin tim dhe kjo si duket më ka çuar te ligjërimi poetik.  Kurse tani synimi për të krijuar te tjetri një ndjenjë të bukur, një emocion, një shkak për të medituar, më është përforcuar më shumë. Kjo është e shpjegueshme. Duke qenë një gazetar mikrofoni, e ligjërimi i rrjedhshëm, ku duket edhe kujdesi  për t’i nxjerrë fjalët me një zë sa më të ngrohtë, më është bërë “sëmundje profesionale”, si i thonë.  Ndërsa kur shkruaj, natyrisht që së pari, jam “vetëm për vetëm” dhe harroj se dikush ka për ta lexuar krijesën time poetike, por pasi e kam përfunduar, ndjehem lexuesi i parë i atij krijimi dhe
kështu më vijnë parasysh të gjithë ata që do të ndeshen me të, që do të shpenzojnë jetë nga jeta e tyre e shtrenjtë për ta lexuar.  Dhe për këtë arsye, pastaj kujdesi dhe përgjegjësia arrijnë shkallën kulmore.  Në procesin e shkarkimit ndjenjësor dhe shpirtëror, krijuesi mund të hedhë në shkrim gjithçka që e trondit, por për mendimin tim, lexuesit i duhet dhënë pjesa më e realizuar e kësaj krijimtarie. Mendoj se, jo çdo gjë e çastit mund të ketë të drejtën e botimit. Mediokriteti në letërsi është dëmi më i madh që mund t’i shkaktohet letërsisë dhe librit. Një krijimi i dobët hedh në erë urat e shenjta të komunikimit me lexuesin, krijon te ky i fundit një shije të keqe, që e çon atë deri në armiqësi me librin.  Sot shkrimi përhapet (Lexo edhe “trafikohet”) lehtësisht edhe përmes internetit, prandaj një lexues i kualifikuar mund të bjerë pre e meduzës mediokritet, po aq sa edhe
një lexues i pajisur me shqisa e shije të një niveli të denjë mund të ketë luksin për të shkuar lehtësisht te letërsia e vërtetë.  Ky lexues do të doja të ishte imi dhe për këtë besoj vazhdimisht dhe gjithnjë kontrolloj veten.  Miqtë që më ka dhënë poezia, nuk do të m’i jepte askush në botë, prandaj nuk dua t’i humb ata!

Si ka qenë fëmijëria e poetit Gjergji dhe a ëndërronit se një ditë do të merreshit me letërsi?

Fëmijëria ime është nga më të vështirat e një fëmije, nga më të çuditshmet dhe mbase, për këtë arsye, sa herë ndodhem keq në jetë, thërras për të më bërë shoqëri dhe për të më mbështetur, atë fëmijën e Bregut të Sharrës, që vraponte nën ullinjtë dhe përmes baltës e erës, atë fëmijë  të uritur, të trysnuar, i cili kishte vetëm një ëndërr të bëhej: pilot!  Por mjaftoi një ditë një lajmërim në Këndin e Letrarit të Ri të shkollës që ky fëmijë të merrte vërtete fluturimin, veç jo me krahët e avionit, po me ato të letërsisë.  Atëherë ky fëmijë dinte vetëm, se ka ca kodra, ka ca pemë e drurë, ka ca zogj, ka shtëpi të varfra dhe njerëz të mirë, ka errësirë nate dhe dritë qielli, se ka yje dhe ujë që rrjedh në një përrua të vogël, se ka një kaltërim të çuditshëm në horizont, të cilin do ta takonte si në ëndërr, vetëm kur e shkëputën një herë nga prindërit
dhe vendlindja për ta adaptuar në prindër të tjerë, dinte edhe se ka ca gurë varresh, mbi të cilët luante pa frikë me top, dinte… por nuk i kishte si ta merrte me mend se ka qytete gjigante, se ka sheshe qytetërimi, se ka skena ku bëhej art, se ka një Hollivud, se ka aeroporte etj, etj.  Megjithatë ai u ngjit në qiell pikërisht kur lexoi atë lajmërim që e ftonte të shkruante një vjershë.  Që nga ajo ditë ky fëmijë vrapoi marramendshëm drejt letërsisë, si drejt arit të botës, si drejt kurorave të perandorëve, pa ditur se do të mbetej gjithnjë një skllav i patjetërsueshëm i krijimit.  Ky fëmijë isha unë.

Si shkrimtar ndjeheni i lirë brenda krijimit tuaj, dhe a keni një farë presioni të brendshëm, në se do të shkruani në publik, çfarë ndjeni brenda shpirtit tuaj poetik?

Në ka një mënyrë për ta shijuar lirinë dhe për t’i zotëruar plotësisht hapësirat e saj, këtë e gjej te krijimi, te poezia.  Aty ndjehesh Zot, ndjehesh i gjithëfuqimshëm.  Gëtja thotë diku, se edhe nëse Zoti nuk ekziston, njeriu bëri mirë që e krijoi atë!  Në shkrim e sipër të një poezie vetja më duket si krijues zotash.  Dhe pastaj kur këtë liri e kam të gjithën timen, pa menduar se i kam hyrë në hise lirisë së tjetrit e sidomos kur mendoj se liria ime (krijimi në këtë rast) bëhet përmasë lirie për të tjerët, më duket se jam pushtuesi më antipushtues i kësaj jete dhe bote. 

Ju keni gati 12 vjet që punoni si gazetar në Radion kryesore të kombit shqiptar, Radio Tirana, cila është filozofia juaj në emisionet që transmetoni?

Para se të vija në Radio Tirana, kam kaluar në punë nga më të ndryshmet, ku gjithnjë grindesha me shefat e mi, të cilët merrnin masa ndaj disiplinës time të dobët.  Kur kam hapur së pari mikrofonin për të folur si gazetar në këtë radio, menjëherë e kam çuar veten time përsëri në minierën e Manzës, kur me një shinë 80-kilogramshe në krahë, ngjitesha kodrave për te galeritë ajrore.  Ajo shinë më dukej vetëm 8 kile.  Dhe e dini pse?  Sepse në dorë mbaja një tranzistor të sinkronizuar te Radio Tirana që transmetonte muzikë ose faqe libri. Një ditë brigadieri që këtë gjë e quante thyerje të disiplinës në punë, ma fshehu radion.  Dhe unë atë ditë e lashë shinën në gjysmë të rrugës, nga që më mundi pesha e saj.  Kanë kaluar 12 vjet nga ajo e folur e parë si gazetar në mikrofonin e kësaj radioje dhe sa herë nis e transmetoj më del përpara vetja ime me shinë në krahë.  Ajo, “vetja ime”,
sot mund të jetë një bari, udhëtar, rojë etj.  Asnjëherë nuk kam për t’u lodhur nga kjo punë, sepse pasioni mund çdo lodhje.  Në ka gjë të shenjtë në këtë botë për mua, ai është mikrofoni i radios, i cili në çastin kur unë transmetoj, është veshi i dëgjuesit.

Ju drejtoni një nga emisionet kryesore letrare dhe më jetëgjata: “ Fjala si fillim, Fjala si flijim”, një titull shumë i gjetur për letërsinë dhe autorët, si e realizoni këtë?

Po të bëjmë një llogari të thjeshtë, këtë emision kam 12 vjet që e realizoj dhe e drejtoj çdo javë. I thonë afro 150 muaj, për nga 4 orë në javë. Pas shenjës së barazimit del shifra: mbi 600 orë program për letërsi nga biseda dhe krijimtaria e pothuaj të gjithë autorëve të letërsisë shqipe. Të gjitha këto biseda e them pa modesti, se mund të jenë lënda e mjaftueshme për një student që studion këtë shkencë. 90 për qind e këtyre emisioneve janë të drejtpërdrejta.  Përvojë, emocione jetë shkrimtarësh, sekrete nga studiot e tyre, debate, thënie e kundërthënie, krijimtari. Të gjitha këto të përcjella me përkushtim vetëm për dëgjuesin e radios. Them se krijimtaria ime do të ishte e përgjysmuar, nëse nuk do të përfshija në të edhe këtë pjesë të veprimtarisë radiofonike.   


Gjatë punës në Radio Tirana, cilat janë përshtypjet me mbresëlënëse?

Janë të shumta përshtypjet. Përshtypja që nuk do ta harroj kurrë dhe qe do ta rrëfej me siguri edhe në botën tjetër, është çasti kur përshëndetem me dëgjuesit.  Do të doja që në atë çast të kisha mundësinë t’i dëgjoja të gjitha ata se si do të ma kthenin përshëndetjen.  Sa herë ngjit shkallët e këtij institucioni më duket sikur ngjitem lart në dinjitetin dhe personalitetin tim prej krijuesi dhe gazetari, të cilat nuk kisha ku t’i gjeja më të plota se këtu.  Ndërsa, sa herë hap derën e studios, më duket sikur hap derën e çdo shtëpie shqiptare për të bujtur aty.

Si i prisni vërejtjet që ju bën dëgjuesi i rregullt?

Vërejtjet gjithnjë i pres më mirë se sa vlerësimet. Ata që më bëjnë vërejtje më shumë se vlerësime i mbaj gjithnjë më afër.  Rrallë gjen të tillë miq sot.

Cili shkrimtar ka qenë ai që ju ka dhënë më shumë dhimbje në emisionin tuaj?

Janë shumë: Jamarbër Marko, Bedri Myftari, Fatos Arapi. Xhevahir Spahiu, Ali Podrimja, Bardhyl Londo, Kolë Jakova…, por sidomos Pani Taçi.  Një poet i kthjellët dhe i pastër si qiell prilli që sot pikon dhimbje, zhgënjim dhe tragjedi, sepse pjesën më të bukur të jetës e ka kaluar në burg.  Dhe pse?  Sepse në rininë e tij i kishte dhuruar një trëndafil të kuq një vajze që e dashuronte.  Në burg ai kishte dashur të vriste veten duke prerë damarët.  Në emision ai më tregonte se si thika ishte ngulur në mish dhe prej andej kishte shpërthyer gjaku. “Ai gjak më kujtoji atë trëndafilin e kuq që më mori në qafë,-tregonte Panoja … dhe vazhdonte: Në kllapi më doli përpara fytyra e asaj vajze.  Ajo fytyrë më rrëmbeu atëherë nga kthetrat e vdekjes dhe ja tek jam”. Ky rrëfim më ka tronditur thellë. Tri ditë rresht, pas atij emisioni, nuk arrija ta merrja veten.  Gjithkund shihja njollën e gjaktë
të…trëndafilit.

Bëni përzgjedhje të veprave të autorëve dhe si konkretisht?

Natyrisht që bëj një përzgjedhje.  Shkruhet aq shumë sot.  Më e vështirë është të zgjedhësh se sa të lexosh.  Kjo përzgjedhje duhet të jetë gjithkund në botën e botimeve.  T’ju them një rast, megjithëse po më vjen trup tani që ta kujtoj: një ditë më takon një nga ata shkrimtarët që shkruajnë fjalë, duke kujtuar se bëjnë letërsi.
“Dua të më ftosh në emisioni tënd”- më tha duke më zgjatur një tufë kartëmonedhash… Bëra sikur nuk e dëgjova….Edhe sot e kësaj dite, ndërroj rrugë, kur ai më del përpara.  Ndjehem vërtet keq kur e kujtoj këtë rast… 

Keni censurë kur realizoni emisionet tuaja?

Në asnjë rast. Radio Tirana më ka dhënë mundësinë të jem vetvetja, sidomos në emisionin për letërsinë.  Këtë ia di për nder këtij institucioni.  Mikrofoni i atij emisioni është hapur për vlera letrare, jo për pasione dhe krahë politikë.  Këtë e them me bindje të thellë.  Në të janë ftuar që nga më të djathtët e deri te më të majtët dhe kanë thënë e shenjtëruar fjalën si fillim e si flijim.

Cilat janë dhimbjet dhe pengjet e poetit Gjergji?

Pengjet e mia?  Diku në një intervistë tjetër kam thënë se pengu më i madh është nëna ime, që nuk është më në këtë botë.  Po kam edhe një peng tjetër: është koha e jetës sime, që më kalon në gjumë.  Është e tmerrshme të mendosh se njeri është i detyruar t’ia dorëzojë “vdekjes” gjysmën e jetës së tij!
Kurse dhimbja më e madhe është ajo që më ka shkaktuar ikja nga kjo jetë e tim biri, Everesit. Është plaga përherë e freskët, dhimbja që nuk mund të përballohet.

Çfarë keni në dorë duke shkruar?

Tani kam në dorë duke shkruar këtë intervistë. Po u përgjigjem pyetjeve tuaja interesante.  Ndërsa po e mbaroj, e ndjej se po më thërret motivi i një poezie…

Së fundi, cili është mesazhi juaj për Diasporën, gazetarët dhe shkrimtarët e saj?

Gjithkush që ndodhet larg atdheut ka një zbrazësi të madhe në shpirt: është mungesa e Atdheut. Kjo mungesë është e ngjizur me ndjenjën e mallit, e cila ushqen vazhdimit ndjenjën e nderimit e të dashurisë për vendlindjen.  Lum Shqipëria që është e rrethuar me një mall dhe dashuri të tillë. Ky mall e kjo dashuri, ky idealizëm e përgjërim për këtë atdhe, është si atmosfera për planetin Tokë, ku jetojmë të gjithë.
Bashkatdhetarëve të mi nëpër botë, sidomos bashkëshkrimtarëve do t’u thosha: mungesa është prania më tronditëse.  Ju që jeni larg. e keni Shqipërinë më pranë se ne që jemi brenda saj.
Për këtë jam i sigurt.

Ju faleminderit z.Gjergji,

Ju faleminderit juve znj.Zylo

New York, Janar 2010




Filed Under: Reportazh

Gazeta që sfidonte ndalimin e të vetmes së përditshme shqipe në Kosovë

January 17, 2022 by s p

-Në Prishtinë para 31 viteve, me datë 18 Janar 1991, nisi të dalë gazeta “Bujku”, gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, isha themeluesi-kryeredaktori i parë, e nxirrnim gazetarët e punëtorët e tjerë të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të ndaluar nga Serbia okupatore. Në ballinë emri i gazetës “Bujku” shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen, sfidonte ndalimin…/

-“Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast më dha edhe një intervistë ekskluzive…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 17 Janar 2022/ Para 31 viteve, me datë 18 Janar 1991,  në Prishtinë nisi të dalë gazeta e përditshme “Bujku”, kryeredaktori i parë-themelues i së cilës isha,  e cila ishte gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, e nxorëm gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja të ndaluar nga Serbia okupatore.

Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës “Bujku”, ku do botoheshin edhe lajme dite, kishin dalë disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës tradicionale Rilindja, të përditshmes së vetme në gjuhën shqipe në Kosovë, e cila që nga 7 Korriku i vitit 1990 ishte ndaluar e mbyllur me dhunë nga regjimi okupues i Beogradit.

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrim “Bujkun”, jo si revistë, por si gazetë dhe të përditëshme “përkohësisht”.
Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek, për të cilën Presidenti Amerikan Xhorxh Bush i drejtohej kombit, me një deklaratë të cilën gazeta e botoi në ballinë me titull “Tërheqje pas fitores”…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen… fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.
Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës “Bujku” shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen…

“Bujku” ishte një revistë e përdymuajëshme që trajtonte kryesisht tema nga bujqësia, e që nuk kishte dalë fare një kohë, dhe duke e marrë atë emër nisi gazeta e përditshme, e paregjistruar te autoritetet okupatore serbe.

Gazeta “Bujku”, me të cilën nisëm e themeluam  edhe bashkëpunimet e para të medias Prishtinë-Tiranë, në numrin e parë në ballinë theksonte “proceset demokratike në Shqipëri” mbi titullin “Zgjedhjet u shtynë për 31 Mars”. Në ambientet e kësaj gazete u bë edhe zyra e parë e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtarë të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare, prej nga me lidhje telexi, e vetmja e mundëshme atëherë nga Kosova në Shqipëri, nisa raportimet nga  dita e 24 Majit 1992 e zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale në Kosovë, në rrethana të rënda të okupimit  e të mbylljes së dhunëshme edhe të mediave kosovare në gjuhën shqipe. Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në Pallatin Rilinda – zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Në numrin e parë të gazetës “Bujku”, e cila u botua me tirazh të madh prej mëse 50 mijë ekzemplarësh, që e shfletoj edhe sot, shkrime të tjera nga Shqipëria ishin për tre këngëtare të Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, Irma Libohova, Morena Reka e Redina Tili, si dhe reportazhi “Tirana e trishtuar”, në faqet e mesme, ku botohej edhe “Kalendari historik”, që  përkujtonte arritjen në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren, në Dhjetor të vitit 1880, të Abdyl Frashërit…

E shkrimet për Kosovën e okupuar nga regjimi ushtarako-policor i Beogradit ishin raportime për masa të dhunëshme, për dëbimin e shqiptarëve nga institucionet, nga puna, për shkatërrimin e sitemit arsimor në gjuhën shqipe, për dhunën edhe kundër kulturës shqiptare, për burgosjet e keqtrajtimet nëpër qytete e fshatra, për vrasjet e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave, protestat e indinjatën e thellë…

Gazeta e përditshme “Bujku” doli deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova.

Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.
Ashtu siç kisha raportuar për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare një ditë më parë herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare, në faqen e parë të Rilindjes në kryetitull shkruhej: “Dje në orën 5.17 Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”. Në Kosovën e lirë me popullin u kthye edhe gazeta Rilindja, që nuk  u ndal edhe kur u ndalua… Gazeta “Bujku” sfidoi ndalimin…

Gazeta tradicionale e historike e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 77 viteve, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja shqipe prej plumbi që u sollën me arka nga Tirana…

“Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, me ç’rast më dha edhe një intervistë ekskluzive.

Në intervistë, i pyetur se si e shihte të ardhmen, zgjidhjen e çështjes shqiptare, Presidenti Rugova mes tjerash theksonte: Kosova e pavarur, shtet i njohur, i integruar në Bashklimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është një vend që i pari është interesuar për ne dhe na ka ndihmuar, dhe që na ndihmon vazhdimisht.

Gazeta Rilindja – botim special në ditën e 31 Dhjetorit 2002  për festën e Vitit të Ri 2003 intervistën ekskluzive me Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova,  e botoi në pesë faqe – 1,2,3,4 dhe 5, duke nisur me kryetitullin në ballinë “Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”. 

Derisa zhvillonim intervistën Presidenti Rugova në Rezidencën Presidenciale në lagjen Velania të Prishtinës kishte në tavolinë dhe mbante në duar gazetën tradicionale e historike shqiptare të Kosovës Rilindja që kishte kryetitull “Kosova për herë të parë feston 28 Nëntorin me institucionet e saja të njohura ndërkombëtarisht”.

Ishte ajo gazeta Rilindja që në jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, doli me botim special festiv, siç theksonte në ballinë, me shkrime të autorëve dhe personaliteteve të shquara nga gjithë bota shqiptare, ndërsa u shpërnda në të gjitha trojet etnike shqiptare – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Ulqin e lokalitete tjera në Mal të Zi…

Filed Under: Kronike

KUSHTRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT

January 17, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/

See the source image Me 15 Janar, 1975 ndërroi jetë në Romë,  shkrimtari, poeti, profesori dhe përkthyesi,  Ernest Koliqi. Ndërsa me 17 Janar, 1468 shkoi në amshim në moshën 62-vjeçare, Heroi historik kombëtar, i përgjithëmonshmi i Shqiptarëve, Zot i Arbërisë, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. Njëri i shpatës e tjetri i penës.

Frank Shkreli: Me rastin e 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbe | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Amaneti i Koliqit për Shkollën Shqipe | Gazeta Telegraf

Në këtë ditë të 17 Janarit që shënon kalimin në amshim të Gjergj Kastriotit-Skënderbe, sjellim një vjershë – në përvjetorin e ndarjes prej nesh edhe të Poetit e shkrimtarit, Ernest Koliqit, (1903–15 Janar, 1975), që ai i ka kushtuar Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, poemë e cila thuhet se ishte e para vepër letërare e Ernest Koliqit, botuar në vitin 1924.

ERNEST KOLIQI: Kushtrimi i Skanderbeut

Ç’asht moj Zanë kjo gjamë nga malet,
Ç’asht kjo ushtimë që kurr nuk ndalet,
L’shon kushtrimin Skanderbeu,
Dridhet toka, tundet dheu.

N’kambë shqiptarë ju me u çue,
Me ngjesh armët me luftue,
Ka ardhë dita e Lirisë,
Dërmen me ia dhanë Turkisë.

N’kala t’Krujës valon krenar,
Njaj flamuri fitimtar,
Njaj flamuri kuq e zi,
Që në shekujt veç ka pri.

N’Lezhë shpejt mblidhet nji kuvend:
Flasin princat rend me rend,
Skanderbeu nji fjalë ka thanë:
Të bashkuem t’jemi të tanë.

Lezhë qytet i Ilirisë,
Mblodhe burrat e Shqipnisë,
N’krye qëndron GJERGJ KASTRIOTI,
I Shqiptarve Princ Kryezoti.

Pa ndigjo Sulltan Murati,
Për njat kryq që mbaj në gji,
Me marrë Krujën je ba gati,
Gjithë ushtrinë kam me ta gri!

Fort tërbue asht Sulltani,
E ka dyndun gjithë ushtrinë,
Rrethim Krujës veç i bani,
Ban hesapet pa hanxhinë.

Se jo, Kruja nuk dorzohet,
Skanderbeu fort e mbron,
Njaj Murati krejt tërbohet,
Prej trishtimit ma nuk rrnon.

Gjith Evropa n’kamb asht çue,
Mbretën, Roma e Venediku,
Skanderbeu qoftë nderue,
Na ka mbrojt prej çdo rreziku.

Emni i tij me shkronja t’arta,
Rrin i shkruem në Histori,
Me levdatat ma të larta,
Përjetsisht i qoftë lavdi!

Çdo shqiptar për të krenohet,
Për kët Princ e luftëtar,
Brez pas brezi do të kujtohet,
Si Heroi ma i madh Kombëtar!

1924

A child standing next to a statue

Description automatically generated with medium confidence

            Fotoja e marrë nga facebook , “Gjergj Kastrioti -Skenderbeu”

Me rastin e “kremtimeve kastrotjane”, (1968 në Romë) në 500-vjetorin e kalimit në amshim të Kryeheroit të Shqiptarëve, poeti i shekullit të kaluar, Ernest Koliqi do shkruante, ndër të tjera se, “Skënderbeu derdhi mund e gjak. Me mijëra Shqiptarë u bënë flije në luftime të udhëhequra prej Tij. Megjithëkëtë Shqipëria ra në një robëri shekullore. (Por) Ai la të mbjellur në zemër të popullit, dëshirën e lirisë dhe në mendje vegimin e një Shqipërie të bashkuar…”.  Por, Koliqi shpreh shqetësim dhe paralajmëron se, “Ne nuk i njohim forcat e fshehta brenda gjakut arbënuer”, ndërsa shton se megjithëkëtë, “duhet të bindemi se kur ndiesitë vëllazërore çlirohen nga fundi i shpirtit tonë, ato davarisin tymnajën e ndeshtrashave të zeza, duke ndezur në natën e mjerimit, hyjtë xixëlluesa të shpresës”.   

Kam drojë se duke marrë parasysh se si trajtohet sot Gjergj Kastrioti -Skenderbeu nga vet shqiptarët, por dhe nga të ashtuquajturit “miqtë e tyre strategjikë”, (kujt i duhen armiqët, me miq të tillë strategjik!?) — Koliqi mund të ketë qenë tepër optimist në entuziazmin e tij, “për hyjtë xixëlluesa të shpresës”.  Uroj në këtë përvjetor të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit– Skenderbe se Perendia nuk e ka harruar Kombin shqiptar, se më në fund, me një “marrëveshje vëllazore”, do të mund të plotësohej porosia që ka lenë Skënderbeu.  Sot me 17 Janar, 2022, në këtë përvjetor të vdekjes së Kryetrimit, më ka mbuluar “duhma e qelbur e kënetës së dyshimeve”, se shqiptarët mbrenda dhe jashtë trojeve të veta do të ruajnë, besnikërisht, porositë e Gjergj Kastriotit – Skenderbe.  Atij Skenderbeu, i cili shqiptarëve u dha “Atdhe, Arbërin dhe shqiponjën, si simbol fluturimesh të lira dhe la nji trashëgiumi të çmueshme nderi e fisnikërie”.

Edhe në këtë përvjetor të 17 Janarit të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeu — normalisht, tragjeditë që ka pësuar Kombi shqiptar gjatë historisë, do duhej të ishin një shkak bashkimi dhe fuqizimi mbarëkombëtar — dhe jo shkak përçarjeje për shqiptarët në rrënjët e tyre të identitetit arbëror mija-vjeçar.  Në një përvjetor si ky, duhej të kishte dhe një mësim, që as sot të mos humbet as të mos harrohet drejtimi as rruga që njerzit e mëdhej të Kombit shqiptar – si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, i kanë përcaktuar Kombit. 

Sot, në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga kjo botë, shekuj më parë, Skënderbeu i Madh jep kushtrimin duke bërë thirrje për rrugën që duhet të ndjekin sot Shqiptarët, para se të jetë tepër vonë!

Frank Shkreli

See the source image

                                    Besëlidhja e Lezhës, Mars, 1444

A picture containing wall, indoor

Description automatically generated

                   Në Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Filed Under: Politike

Figura e Skënderbeut në një baladë angleze të shekullit XVII

January 17, 2022 by s p

Ikonografi skënderbegiane – Pjesa IV

Me rastin e 554 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit

Nga Fotaq Andrea & Dritan Muka

1. Skenderbeu nga Bellini.jpgQë figura madhështore e Heroit Kombëtar Shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeut është trajtuar dhe glorifikuar historikisht nga emra të shquar të klasicizmit, humanizmit e iluminizmit europian e botëror, në mbushulli veprash historike, letrare e artistike – të cilat qëndrojnë në themel të shkencës skënderbegiane –, kjo përbën, me të drejtë, ajkën e krenarisë sonë kombëtare. Por që figura e tij të vihet edhe në qendër të baladës angleze të shekullit XVII Shën Gjergji dhe Dragoi, recituar e kënduar si litani në kishat anglikane, duke e bërë Skënderbeun tonë të barabartin e mbi 50 heronjve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, – ja një veçanti e madhërishme për ikonografinë skënderbegiane. Për më tepër që kjo baladë angleze përbën në vetvete një lloj himni për kombin e ndritur anglez që ka për shenjt mbrojtës pikërisht Shën Gjergjin.

Dita e Shën Gjergjit – përcaktuar dikur 23 prilli, ka qenë festa tradicionale angleze dhe vetë kryqi i kuq i Shën Gjergjit në sfond të bardhë është flamuri i Anglisë. Deviza anglo-normande që e shoqëron “Hony soit qui mal y pense”  – Mallkuar qoftë kush keq mendon, përbën emblemën e Urdhërit të Zharëtierës, urdhri më i lartë i kalorësisë britanike. Tepër i habitshëm është edhe fakti që Shekspiri (1564-1616), dramaturgu më i madh anglez e botëror, lindi dhe vdiq pikërisht më 23 prill, ditën e Shën Gjergjit.

Ballada angleze “Shën Gjergji dhe Dragoi” vë në dukje para së gjithash madhështinë e Shën Gjergjit, tek tingëllon si një rivendikim identiteti anglez. E shfaq Shenjtin Mbrojtës përmbi Heronjtë e mëdhenj të të gjitha kohërave duke shprehur në formë refreni ndjenjën e fuqishme të krishterë se vetëm kreshnikëria e Shën Gjergjit që u përball e mposhti Dragoin, simbolin e së keqes e të djallit është bëma më e lartë fisnike kalorësiake, e pakrahasueshme me kurrfarë tjetër dhe se të mohosh një gjë të tillë është e turpshme, mjaft që ta shkosh nëpër mend.

Balada apo romanca kalon kësisoj në “revistë” tërë heronjtë mitikë, antikë, klasikë e figura të ndritura të kombit anglez, francez dhe kombeve të tjera, gjithësecili me bëmën e vet karakteristike, me kreshnikërinë e vet të mahnitshme, por përsëri të pakrahasueshme me Bëmën e Lartë të  Shën Gjergjit. 

Pa u ndalur në karakteristikën fisnike të çdo Heroi a Princi, të çdo lloj kohe, që la gjurmë të pashlyeshme në Histori me Bëmën e vet, në emër të humanizmit e njerëzimit, ja ku na shfaqet në Baladë figura e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut për bëmën e tij madhështore, atë luftë çerekshekullore kundër ish superfuqisë së kohës Perandorisë osmane. Brenda një vargu, në formë sintetike e me kundërvënie të fuqishme shfaqet, thjesht e prerë vetë kreshnikëria kastriotine: “Skanderbegun e madh Pasha Muhameti frikë e kish”(!) 

Krejt qëndresa heroike shqiptare përfshihet këtu, brenda këtij vargu esencial: Një Pasha Mehmet II, në krye të hordhive të tij 130-150 mijë vetëshe, në luftë të pareshtur 25 vjeçare me Skënderbeun e Madh në krye të gardës së tij pretoriane me 5 mijë kalorës dhe me një ushtri që nuk i kalonte më shumë se 20 mijë këmbësorë. Shpërpjestime të tilla numerike të kujtojnë me të drejtë luftën e Davidit kundër Goliatit, kur cilësia, virtyti, ndjenja e mbrojtjes dhe vetëdija kombëtare marrin përparësi e ngadhënjejnë ndaj sasisë numerike, vesit dhe ndjenjës për pushtim, gllabërim, mposhtje e poshtërim. Është kjo, përballja historike në dualitetin “E mirë – E keqe” sintetizuar gjatë kristianizmit në luftën e Shën Gjergjit kundër Dragoit. 

Dy vargje të tjera që pasojnë vargun e mësipërm janë po aq kuptimplota: “Eshtrat e tij fitimtare, hajmali u bënë si u varros në kishë;/ Bejlerbegët e tij mbi krye mbanin brirët e dhisë, tek e quanin Gjergj Kastriot.” Nuk ka më bukur! Heroi shqiptar ngadhënjimtar Gjergj Kastrioti, shpallur nga papati “Atleti i Krishtit”, në paralelizëm të plotë me Heroin  e krishtërimit Shën Gjergjin! Këtë paralelizëm e kemi shtjelluar tashmë në studimin tonë “Figura e Skënderbeut që bashkoi Nolin me Konicën”, botuar në këtë forum të Zemrës Shqiptare/Zemra jonë: 

http://www.zemrashqiptare.net/news/40298/fotaq-andrea-skenderbeu-bashkoi-nolin-me-konicen.html 

Nga ana tjetër, kemi në këto vargje edhe dy elementë themelorë simbolizues që përjetësojnë lavdinë kastriotine: “eshtrat hajmali të Skënderbeut” dhe “brirët e dhisë në përkrenaren e tij”. Balada angleze duket sikur e thotë açik: “ushtarët turq mbanin në gjoks eshtra hajmali të lavdisë skënderbegiane”, eshtra këto që na shfaqen si “të shenjtëruara”, teksa “kreshnikët shqiptarë (bedjlerbegët) mbanin mbi krye brirët e dhisë”, ato brirë që të kujtojnë historikisht Pirron e Epirit, Aleksandrin e Madh, vetë “dhinë mitologjike Amaltea”. 

Është e njohur se arma simbol e Shën Gjergjit është ushta. Është po aq e njohur se edhe arma kryesore e stradiotit shqiptar  – në themel të Kalorësisë së Lehtë Europiane me Gjergj Bastën në krye, që bëri Histori në shekujt XIV-XVII – është gjithashtu ushta, nga ku madje edhe fjala e bukur shqipe “ushtar”, “njeriu i ushtës”, “njeriu i zanatit të luftës”, siç është cilësuar historikisht vetë shqiptari. Gjë që nënkupton se çdo “ushtar” shqiptar ka mishëruar në vetvete një “Gjergj Kastriot”, një “Shën Gjergj”, nga ku edhe guximi i tij i pamatë dhe shpërthimi i ndjenjës së tij të fuqishme të Mbijetesës së lavdishme historike shqiptare.    

Po japim më poshtë romancën lutësore angleze, pa hyrë në hollësitë domethënëse të bëmave të Heronjve të Mëdhenj apo të gjesteve të tyre mitike e simbolike, si guri i hobesë së Davidit të Vogël, apo nofulla e gomarit të Samsonit, e më tej preshi i simbol i Shën Davidit, shenjtit mbrojtës të Vendit të Galëve, etj. Janë simbole kuptimplota, po aq sa eshtrat-hajmali të Skënderbeut dhe brirët e dhisë që përmenden në baladë. Po e japim përkthimin e kësaj balade të plotë në nderim të popullit anglez dhe të kujtimit të Bajronit të Madh që i bëri të njohur shqiptarët në botë me vargjet e tij të pavdekshme, me kostumin shqiptar që mbajti të veshur aq hijshëm.

Më në fund, një recitim i shkëlqyer artistik i baladës në gjuhën origjinale angleze, me një zë melodioz sublim, që mbush kubetë dhe kupolat e kishave anglikane për të oshëtirë në pafundësi si lutje e mesazh hyjnor, që depërton për t’u mishëruar në çdo pore të besimtarit të krishterë dhe të vetë qenies njerëzore, mund të ndiqet me dëgjim në rrjetin: 

isize-reduced.php.jpg

Baladë angleze e shekullit XVII për Shën Gjergjin dhe Dragoin

kënduar si lutje në kishat anglikane

Përse u dashka mburrë Artur e kalorës të tij,

Kur ua njohim ato luftëra plot bëma e kreshnikëri ;

Përse u dashka folë për Sir Lansëlo të Liqerit,

A për Tristan të Leonisë, që për zonjëza u ndeshën ndezur nga dashuri; 

Lëçitini ato të lashta histori dhe do shihni për bukuri,

Se vetëm Shën Gjergji, Shën Gjergji dragoin e mposhti gjithë trimëri,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Palé për mbretër e monarkë sa gjatë do mund të flisni,

Apo për Romakët e lashtë që vetes i dhanë shkëlqim,

Me Hanibalë e Skipionë që luftuan plot guxim;

Palé të flisni për kalorësin kreshnik Rolandin Tërbimë;

Për Remin e Romulin që Romën ngritën në këmbë; 

Por vetëm Shën Gjergji, Shën Gjergji dragoin vu nën këmbë;

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Njerëzit në luftë se ç’i shpunë Jefte e Gideon,

E të gjithë muarrën arratinë, Gibonitë e Amonitë,

Bëmë e Herkulit ndodhi aty, në luginën Bass; 

Me nofull gomari njëmijë të vrarë Samsoni la pas; 

E kur u verbua, Tempullin rrafshoi nga dhéu,

Por Shën Gjergji, Shën Gjergj dragoit shpinën ia theu 

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Valentin e Orson gjak të Pepinit kishin në vena, bënin hata,

Alfred e Aldrikus kalorës kreshnikë qenë, plot bëma të mëdha;

Katër bijtë e Amonit me Karlin e Madh luftuan, 

Fisniku Hugh i Byrdosë dhe Godfrej i Bujonit,

Të tërë kalorës frëngj qenë, paganëve fenë ua ndryshuan;

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji zemrën ia shkuli dragoit,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Henri V, Francën nën këmbë e vuri, e pushtoi, 

E duke marshuar plot lavdi, krejt armët ia dërrmoi,

Shembi kala, shembi  e shkretoi mbarë qytete,

Kurorë të dyfishtë e trefishtë në krye vu mbi vete,

Frëngjit i theu e në dhé të vet u kthye krenar pa njohur tutë

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji, e bëri dragoin qingj të urtë

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Shën Davidi, siç e dini, djathë të shkrirë e preshin do, 

E Jasoni ish ai që bashkën e artë e solli, kërkuar ngado;

E Patriku –  mirë e dini -, Shën Gjergjit i shërbeu, 

E, para se t’ia vjedhë, plot shtatë mote kalin ia ruajti, ia ushqeu, 

Për këtë vepër aq të ndyrë, skllav mbet, e skllav të tillë askund nuk has;

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji Dragoin goditi, e vrau,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Tamberlani, perandori, brenda në kafaz kurorëzuar,

Flamuj të përgjakur shpaloste qytete më qytet të rrënuar;

Skanderbegun e madh, Pasha Muhameti frikë e kish,

Eshtrat e tij fitimtare, hajmali u bënë si u varros në kishë;

Bejlerbegët e tij mbi krye mbanin brirët e dhisë, tek e quanin Gjergj Kastriot;

Po Shën Gjergji, Shën Gjergji Dragoin coptoi atë mot,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Otamon Tartari nga racë e Persëve ish,

Mongoli i madh gjoksin gjithë hekur dhe gozhdë e kish;

I riu grek Bucefalin kalëronte gjithë krenari,

Por ata nëntë kreshnikët Shën Gjergji i shihte me qesëndi;

Gustav Adolfi, i Suedisë ishte mbret, luftëtar i rreptë, të tërë i theu,

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji, bishtin plot helm Dragoit ia preu,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Poldragon e Cadwallader, për gjakun anglez ishin krenarë,

Por edhe pse Xhon i Gandit armiqtë i tmerroi, veç Shën Gjergji  triumfoi;

Agamemnoni, Klemedoni e Maqedoni bënë tërë ato kreshnikëri,

Por përmbi ta, veç kampioni ynë shkëlqeu në trimëri;

Kalorësit guximtarë të Maltës, në luftë me turqit, shpatat i vringëllinë,

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji, me Dragoin u ndesh, aty në shesh;

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, përjetë mallkuar qoftë, siç e nisi.

Amazona Bidia, me bëmën e vet, Poetusin e mposhti, pa njohur tutë,

Me po aq egërsi sa një vandal, got, saraçin e çifut,

Të fuqishmit Holofernus, nderur në shtrat,

E urta Judit, kokën ia fluturoi me shpatë,

Trimi Qiklop me Jupterin u ndesh pa pyetur për rrufetë e tij,

Por Shën Gjergji, Shën Gjergji e vrau Dragoin, a s’është kjo një mrekulli?

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Që Mark Antoni u ndesh me mbretëreshë të Egjiptit, s’ka dyshim,

Sir Eglamori, ky kalorës kreshnik, s’kish njohur dështim;

Fuqi e Gorgonës kish marrë dhenë, e plakun Bevis kush nuk e kish frikë,

Mirmidonët e Prester Xhonët, përse vallë s’u njohën kalorës fisnikë?

Trimi Spinola qytetin Breda shtiu në dorë, Nassau, krahët ia mbuloi,

Po Shën Gjergji, Shën Gjergji Dragoin e dërrmoi,

Shën Gjergji qe për Anglinë, për Francën Shën Denisi,

Kush keq mendon, mallkuar përjetë qoftë, siç e nisi.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT