
Me dhimbje e morëm këtë lajm të ikjes së parakohshme të poetit të mirënjohur Demir Gjergji.
Si homazh po hedh intervistën e realizuar prej meje me poetin dhe gazetarin e mirënjohur të Radio Tiranës.
AJRI QË BËHET FRYMË DHE FRYMA QË SHENJTËROHET NË FJALË DASHURIE
Bisedë me poetin dhe gazetarin e mirënjohur të Radio Tiranës, Demir Gjergji
Bisedoi Keze Kozeta Zylo
Krijimtaria e poetit Gjergji është vlerësuar me çmimin e dytë kombëtar për poemën në vitin 1986, me çmim në “Ditët e poezisë Shqipe” në vitin 2001, çmimin “Skampini” etj.
Poeti Gjergji ka për mburoje të vetëm, dashurinë njerëzore, çka e ka bërë dhe më interesante poezinë e tij qysh në moshën e hershme të rinisë.
Demir Gjergji ka qenë dhe vazhdon të jetë mjaft aktiv në faqet e shtypit të shkruar dhe në medien e folur. Ka 12 vjet që punon si gazetar në Radio Tirana, duke realizuar një nga emisionet më jetëgjata dhe më interesante “Fjala si Fillim. Fjala si Flijim”, i cili i kushtohet tërësisht letërsisë dhe autorëve të saj.
Me këtë emision mjaft tërheqës ai ka fituar respektin e mijëra dëgjuesve shqiptarë anë e mbanë globit.
Poezitë tuaja janë të legjitimuara në dashurinë me “Biblën e Buzëve”, është kjo vetja juaj, apo diçka e fshehtë që e ndjen vetëm Bibla e buzëve në librin tuaj poetik?
Ndjehem mirë që këtë bisedë po e fillojmë me ndjenjën më të bukur: dashurinë. Pa të cilën s’do të ishe as ti që të më pyesje e as unë, që të përgjigjesha. Jam krejt i bindur se zanafilla e artit ka nisur me ndjenjën e dashurisë, madje mendoj se përpjekja e parë për të komunikuar dhe fjala, si mjet i parë i kësaj përpjekjeje ka lindur prej fuqisë së dashurisë. Pa më pyet pak: pse lulet kanë ngjyra dhe aromë? Për të tërhequr vëmendjen e bletëve, – na përgjigjet Biologjia. Dhe ne vazhdojmë përsiatjen. Të dashuruara me këto ngjyra dhe aroma, bletët rendin lule më lule. Si pasojë lulet mbarsen, bletët mjaltëzojnë, pra lind jeta dhe ëmbëlsia e saj. Kështu ndodh edhe me ne, njerëzit. Vajzat i verbojnë pasqyrat duke qëndruar para tyre për t’u bërë të bukura që t’u pëlqejnë djemve… Dhe djemtë rendin pas tyre. Vajzat ikin…Djemtë i ndjekin, u bëjnë shenja, këndojnë për to.
Letërsia dhe arti në përgjithësi do të ishin një djerrinë me ca trungje e cungje gungaçë, të djegur nga luftërat dhe urrejtja, nëse nuk do të ishte kjo lojë dashurie. Kur kam qenë i vogël, para se të shihja ëndrrën e parë erotike, përballë shtëpisë sime të varfër banonte një fqinjë e bukur perri (të paktën kështu më dukej mua). Ditët me të këqija të fëmijërisë për mua, nuk ishin ato me brymë, re apo shi ose kur isha i uritur, por pikërisht ato ditë, kur nuk arrija ta shihja atë. Sa herë ajo shfaqej, unë bëja lëvizje të çuditshme, vrapoja, këndoja, bërtisja, që t’i bija në sy asaj. Madje prisja kallama dhe bëja pipëza e iu bija vetëm që të më dëgjonte ajo. Ndonëse krijimi im i parë lidhjet me tjetër gjë dhe është krejt tjetër motiv, e them me bindje se kjo poezi ishte ngjizur brenda meje pikërisht nga ajo fqinjë. Rrjedhimisht, e gjithë poezia dhe krijimtaria ime ka një
qëllim, të tërheqë vëmendjen e dashurisë dhe ka si kryemotiv vetë dashurinë. Edhe libri “Bibla e Buzëve” që është shkruar disa dhjetëravjeçarë larg asaj fëmijërie dhe kilometra të tëra larg asaj fqinje, në plazmën e vet ka ato vegime fëmijërie, të cilat ditë pas dite, vit pasi viti, dashuri pas dashurie, kanë plazmuar te kjo “Bibël” e thënë, pra Bibël e buzëve. Emocioni më i madh që kam marrë prej këtij libri ka qenë ai i paradisaditëve, kur një djalosh i ri, më ndali në rrugë dhe këmbënguli të më jepte një kafe. Ndërsa pinim kafenë ai më tha se ishin dy vargje të këtij libri, me të cilat ai kishte arritur të hynte në “zemrën-kështjellë të së dashurës.
Sa është ndikuar poeti Gjergji nga poezia me motive popullore?
Shumë. Sidomos në formë. Është e tepërt të flasim këtu për artin e madh që ndërton folklorin. Poezia, padyshim si krijesa më e hershme e këtij folklori, veç elementeve të paarritshëm përmbajtësorë, ka një strukturë që vetëm vetë virgjëria e botës mund ta ketë. Të vijmë prapë te lulet dhe te bletët. Shihni hojzit e tyre. Një strukturë prej nga kanë mësojnë arkitektët më të mëdhenj për të ndërtuar mrekullitë e botës. Dhe fill pas kësaj, ktheni vëmendjen e hetoni strofat e poezive popullore. Në arkitekturën e tyre ka farfuri metaforash, gdhendje marramendëse aliteracionesh, përmasa harmonike rimash e ritmesh. Ti hyn aty dhe harron që ka një tjetër botë jashtë, me dete, pyje, ura, qiej, rrugë, aventura, tempuj… Kështu ka ndodhur edhe me mua. Kam hyrë aty dhe nga brenda kam filluar të belbëzoj poezinë time. Për shembull, kam thënë kështu, kur më ka bërë të vuaj malli për të
dashurën: Ngrijmë në akujt e harrimit,/Ndërsa lemë takim në maj…/ Hapat mbaj pranë fundfillimit…/Hiqem mënjanë e qaj. Dhe për të folur kështu, natyrisht që më ka mësuar “poezia me motive popullore”.
Poezitë tuaja herë të çojnë në udhë të panjohura dhe herë ta japin direkt hartën e udhëtimit duke parë nga afër djegien e Yllit të ikur, si ta kuptojmë këtë?
Më ka pëlqyer gjithnjë të udhëtoj në udhë që nuk i kam shkelur më parë. Ka qenë aq tunduese kjo dëshirë, sa kur më dhanë mundësinë në rininë e hershme të punoj në minierë, m’u duk se do të fluturoja në qiell nga gëzimi. Aty isha i sigurt se do të ecja në rrugë kurrë ta shkelura më parë. Në fundin e tyre, ishte terri i tokës, por edhe fëshfërima e pyjeve prehistorikë. Nuk më hiqet nga mendja, kur në ato thellësi, llamba e minatorit që mbaja në ballë, ndriçoi befas një formë gjetheje të karbonizuar. Atë çast në vetëdije më gjëmuan të gjithë pyjet e lashtësisë. Sot shkeljen nëpër rrugë të reja e shoh krejt ndryshe: autostradat e mëdha, flurudhat e avionëve, miljet detare, avenjutë, aeroportet e botës gjithë më joshin si aventurë dhe si lëndë poetike. Megjithëse dua të shënoj që poeti më parë ato i ka përvijuar mbase më bukur në fantazi në ndjekje të atij “Ylli të
ikur”, që juve ju ka bërë përshtypje. Poezia është një udhëtim drejt së panjohurës, ashtu si dashuria, të cilën vetëm enigma e mban si frymë gjallë. Dua të shtoj këtu se me dashurinë ndodh si me mumjen. Sa është thellë në terrin e së panjohurës, ajo e ruan veten, formën. Me të dalë në dritë, zhbëhet. Pra, atë krim që nuk kanë mundur ta bëjnë dot shekujt, e bën në një grimë kohe drita. Pra po të mos ishte e panjohura, po të mos ishin rrugët e pashkelura, poezia do të kthehej në një bejte vulgare
Sa kanë zënë vend Zanat e bukura shqiptare në librat tuaja me poezi dhe çfarë do të çmonit më shumë tek gruaja shqiptare në veçanti?
Zanat? E çuditshme! Asnjë vajzë e adhuruar prej meje nuk ka mbajtur një emër të tillë. Megjithatë, si personazhe legjendash ato më kanë mahnitur, si gjithë të tjerët dhe mua për këtë i kam pasur frikë dhe tani që më pyetët vë re, se nuk i paskam në poezinë time!!!
Mbase nga frika se mund të më gurëzonin si krushqit e Eposit!
Mendoni se librat e tu janë strehuar në folezën e ngrohtë të zemrave të lexuesve dhe për rrjedhojë ndjeni se s’do të ikin kurrë nga kjo strehëz?
Po. Gjithë e mendoj këtë. Vazhdimisht përpiqem që të flas sa më bukur dhe rrjedhshëm përpara të tjerëve, qoftë edhe në një bisedë fare të zakonshme e të rastësishme një mik ose me një të panjohur. Nuk i kushtoj rëndësi veshjes po aq sa të folurës. Mbase kjo shtysë ka qenë në gjenin tim dhe kjo si duket më ka çuar te ligjërimi poetik. Kurse tani synimi për të krijuar te tjetri një ndjenjë të bukur, një emocion, një shkak për të medituar, më është përforcuar më shumë. Kjo është e shpjegueshme. Duke qenë një gazetar mikrofoni, e ligjërimi i rrjedhshëm, ku duket edhe kujdesi për t’i nxjerrë fjalët me një zë sa më të ngrohtë, më është bërë “sëmundje profesionale”, si i thonë. Ndërsa kur shkruaj, natyrisht që së pari, jam “vetëm për vetëm” dhe harroj se dikush ka për ta lexuar krijesën time poetike, por pasi e kam përfunduar, ndjehem lexuesi i parë i atij krijimi dhe
kështu më vijnë parasysh të gjithë ata që do të ndeshen me të, që do të shpenzojnë jetë nga jeta e tyre e shtrenjtë për ta lexuar. Dhe për këtë arsye, pastaj kujdesi dhe përgjegjësia arrijnë shkallën kulmore. Në procesin e shkarkimit ndjenjësor dhe shpirtëror, krijuesi mund të hedhë në shkrim gjithçka që e trondit, por për mendimin tim, lexuesit i duhet dhënë pjesa më e realizuar e kësaj krijimtarie. Mendoj se, jo çdo gjë e çastit mund të ketë të drejtën e botimit. Mediokriteti në letërsi është dëmi më i madh që mund t’i shkaktohet letërsisë dhe librit. Një krijimi i dobët hedh në erë urat e shenjta të komunikimit me lexuesin, krijon te ky i fundit një shije të keqe, që e çon atë deri në armiqësi me librin. Sot shkrimi përhapet (Lexo edhe “trafikohet”) lehtësisht edhe përmes internetit, prandaj një lexues i kualifikuar mund të bjerë pre e meduzës mediokritet, po aq sa edhe
një lexues i pajisur me shqisa e shije të një niveli të denjë mund të ketë luksin për të shkuar lehtësisht te letërsia e vërtetë. Ky lexues do të doja të ishte imi dhe për këtë besoj vazhdimisht dhe gjithnjë kontrolloj veten. Miqtë që më ka dhënë poezia, nuk do të m’i jepte askush në botë, prandaj nuk dua t’i humb ata!
Si ka qenë fëmijëria e poetit Gjergji dhe a ëndërronit se një ditë do të merreshit me letërsi?
Fëmijëria ime është nga më të vështirat e një fëmije, nga më të çuditshmet dhe mbase, për këtë arsye, sa herë ndodhem keq në jetë, thërras për të më bërë shoqëri dhe për të më mbështetur, atë fëmijën e Bregut të Sharrës, që vraponte nën ullinjtë dhe përmes baltës e erës, atë fëmijë të uritur, të trysnuar, i cili kishte vetëm një ëndërr të bëhej: pilot! Por mjaftoi një ditë një lajmërim në Këndin e Letrarit të Ri të shkollës që ky fëmijë të merrte vërtete fluturimin, veç jo me krahët e avionit, po me ato të letërsisë. Atëherë ky fëmijë dinte vetëm, se ka ca kodra, ka ca pemë e drurë, ka ca zogj, ka shtëpi të varfra dhe njerëz të mirë, ka errësirë nate dhe dritë qielli, se ka yje dhe ujë që rrjedh në një përrua të vogël, se ka një kaltërim të çuditshëm në horizont, të cilin do ta takonte si në ëndërr, vetëm kur e shkëputën një herë nga prindërit
dhe vendlindja për ta adaptuar në prindër të tjerë, dinte edhe se ka ca gurë varresh, mbi të cilët luante pa frikë me top, dinte… por nuk i kishte si ta merrte me mend se ka qytete gjigante, se ka sheshe qytetërimi, se ka skena ku bëhej art, se ka një Hollivud, se ka aeroporte etj, etj. Megjithatë ai u ngjit në qiell pikërisht kur lexoi atë lajmërim që e ftonte të shkruante një vjershë. Që nga ajo ditë ky fëmijë vrapoi marramendshëm drejt letërsisë, si drejt arit të botës, si drejt kurorave të perandorëve, pa ditur se do të mbetej gjithnjë një skllav i patjetërsueshëm i krijimit. Ky fëmijë isha unë.
Si shkrimtar ndjeheni i lirë brenda krijimit tuaj, dhe a keni një farë presioni të brendshëm, në se do të shkruani në publik, çfarë ndjeni brenda shpirtit tuaj poetik?
Në ka një mënyrë për ta shijuar lirinë dhe për t’i zotëruar plotësisht hapësirat e saj, këtë e gjej te krijimi, te poezia. Aty ndjehesh Zot, ndjehesh i gjithëfuqimshëm. Gëtja thotë diku, se edhe nëse Zoti nuk ekziston, njeriu bëri mirë që e krijoi atë! Në shkrim e sipër të një poezie vetja më duket si krijues zotash. Dhe pastaj kur këtë liri e kam të gjithën timen, pa menduar se i kam hyrë në hise lirisë së tjetrit e sidomos kur mendoj se liria ime (krijimi në këtë rast) bëhet përmasë lirie për të tjerët, më duket se jam pushtuesi më antipushtues i kësaj jete dhe bote.
Ju keni gati 12 vjet që punoni si gazetar në Radion kryesore të kombit shqiptar, Radio Tirana, cila është filozofia juaj në emisionet që transmetoni?
Para se të vija në Radio Tirana, kam kaluar në punë nga më të ndryshmet, ku gjithnjë grindesha me shefat e mi, të cilët merrnin masa ndaj disiplinës time të dobët. Kur kam hapur së pari mikrofonin për të folur si gazetar në këtë radio, menjëherë e kam çuar veten time përsëri në minierën e Manzës, kur me një shinë 80-kilogramshe në krahë, ngjitesha kodrave për te galeritë ajrore. Ajo shinë më dukej vetëm 8 kile. Dhe e dini pse? Sepse në dorë mbaja një tranzistor të sinkronizuar te Radio Tirana që transmetonte muzikë ose faqe libri. Një ditë brigadieri që këtë gjë e quante thyerje të disiplinës në punë, ma fshehu radion. Dhe unë atë ditë e lashë shinën në gjysmë të rrugës, nga që më mundi pesha e saj. Kanë kaluar 12 vjet nga ajo e folur e parë si gazetar në mikrofonin e kësaj radioje dhe sa herë nis e transmetoj më del përpara vetja ime me shinë në krahë. Ajo, “vetja ime”,
sot mund të jetë një bari, udhëtar, rojë etj. Asnjëherë nuk kam për t’u lodhur nga kjo punë, sepse pasioni mund çdo lodhje. Në ka gjë të shenjtë në këtë botë për mua, ai është mikrofoni i radios, i cili në çastin kur unë transmetoj, është veshi i dëgjuesit.
Ju drejtoni një nga emisionet kryesore letrare dhe më jetëgjata: “ Fjala si fillim, Fjala si flijim”, një titull shumë i gjetur për letërsinë dhe autorët, si e realizoni këtë?
Po të bëjmë një llogari të thjeshtë, këtë emision kam 12 vjet që e realizoj dhe e drejtoj çdo javë. I thonë afro 150 muaj, për nga 4 orë në javë. Pas shenjës së barazimit del shifra: mbi 600 orë program për letërsi nga biseda dhe krijimtaria e pothuaj të gjithë autorëve të letërsisë shqipe. Të gjitha këto biseda e them pa modesti, se mund të jenë lënda e mjaftueshme për një student që studion këtë shkencë. 90 për qind e këtyre emisioneve janë të drejtpërdrejta. Përvojë, emocione jetë shkrimtarësh, sekrete nga studiot e tyre, debate, thënie e kundërthënie, krijimtari. Të gjitha këto të përcjella me përkushtim vetëm për dëgjuesin e radios. Them se krijimtaria ime do të ishte e përgjysmuar, nëse nuk do të përfshija në të edhe këtë pjesë të veprimtarisë radiofonike.
Gjatë punës në Radio Tirana, cilat janë përshtypjet me mbresëlënëse?
Janë të shumta përshtypjet. Përshtypja që nuk do ta harroj kurrë dhe qe do ta rrëfej me siguri edhe në botën tjetër, është çasti kur përshëndetem me dëgjuesit. Do të doja që në atë çast të kisha mundësinë t’i dëgjoja të gjitha ata se si do të ma kthenin përshëndetjen. Sa herë ngjit shkallët e këtij institucioni më duket sikur ngjitem lart në dinjitetin dhe personalitetin tim prej krijuesi dhe gazetari, të cilat nuk kisha ku t’i gjeja më të plota se këtu. Ndërsa, sa herë hap derën e studios, më duket sikur hap derën e çdo shtëpie shqiptare për të bujtur aty.
Si i prisni vërejtjet që ju bën dëgjuesi i rregullt?
Vërejtjet gjithnjë i pres më mirë se sa vlerësimet. Ata që më bëjnë vërejtje më shumë se vlerësime i mbaj gjithnjë më afër. Rrallë gjen të tillë miq sot.
Cili shkrimtar ka qenë ai që ju ka dhënë më shumë dhimbje në emisionin tuaj?
Janë shumë: Jamarbër Marko, Bedri Myftari, Fatos Arapi. Xhevahir Spahiu, Ali Podrimja, Bardhyl Londo, Kolë Jakova…, por sidomos Pani Taçi. Një poet i kthjellët dhe i pastër si qiell prilli që sot pikon dhimbje, zhgënjim dhe tragjedi, sepse pjesën më të bukur të jetës e ka kaluar në burg. Dhe pse? Sepse në rininë e tij i kishte dhuruar një trëndafil të kuq një vajze që e dashuronte. Në burg ai kishte dashur të vriste veten duke prerë damarët. Në emision ai më tregonte se si thika ishte ngulur në mish dhe prej andej kishte shpërthyer gjaku. “Ai gjak më kujtoji atë trëndafilin e kuq që më mori në qafë,-tregonte Panoja … dhe vazhdonte: Në kllapi më doli përpara fytyra e asaj vajze. Ajo fytyrë më rrëmbeu atëherë nga kthetrat e vdekjes dhe ja tek jam”. Ky rrëfim më ka tronditur thellë. Tri ditë rresht, pas atij emisioni, nuk arrija ta merrja veten. Gjithkund shihja njollën e gjaktë
të…trëndafilit.
Bëni përzgjedhje të veprave të autorëve dhe si konkretisht?
Natyrisht që bëj një përzgjedhje. Shkruhet aq shumë sot. Më e vështirë është të zgjedhësh se sa të lexosh. Kjo përzgjedhje duhet të jetë gjithkund në botën e botimeve. T’ju them një rast, megjithëse po më vjen trup tani që ta kujtoj: një ditë më takon një nga ata shkrimtarët që shkruajnë fjalë, duke kujtuar se bëjnë letërsi.
“Dua të më ftosh në emisioni tënd”- më tha duke më zgjatur një tufë kartëmonedhash… Bëra sikur nuk e dëgjova….Edhe sot e kësaj dite, ndërroj rrugë, kur ai më del përpara. Ndjehem vërtet keq kur e kujtoj këtë rast…
Keni censurë kur realizoni emisionet tuaja?
Në asnjë rast. Radio Tirana më ka dhënë mundësinë të jem vetvetja, sidomos në emisionin për letërsinë. Këtë ia di për nder këtij institucioni. Mikrofoni i atij emisioni është hapur për vlera letrare, jo për pasione dhe krahë politikë. Këtë e them me bindje të thellë. Në të janë ftuar që nga më të djathtët e deri te më të majtët dhe kanë thënë e shenjtëruar fjalën si fillim e si flijim.
Cilat janë dhimbjet dhe pengjet e poetit Gjergji?
Pengjet e mia? Diku në një intervistë tjetër kam thënë se pengu më i madh është nëna ime, që nuk është më në këtë botë. Po kam edhe një peng tjetër: është koha e jetës sime, që më kalon në gjumë. Është e tmerrshme të mendosh se njeri është i detyruar t’ia dorëzojë “vdekjes” gjysmën e jetës së tij!
Kurse dhimbja më e madhe është ajo që më ka shkaktuar ikja nga kjo jetë e tim biri, Everesit. Është plaga përherë e freskët, dhimbja që nuk mund të përballohet.
Çfarë keni në dorë duke shkruar?
Tani kam në dorë duke shkruar këtë intervistë. Po u përgjigjem pyetjeve tuaja interesante. Ndërsa po e mbaroj, e ndjej se po më thërret motivi i një poezie…
Së fundi, cili është mesazhi juaj për Diasporën, gazetarët dhe shkrimtarët e saj?
Gjithkush që ndodhet larg atdheut ka një zbrazësi të madhe në shpirt: është mungesa e Atdheut. Kjo mungesë është e ngjizur me ndjenjën e mallit, e cila ushqen vazhdimit ndjenjën e nderimit e të dashurisë për vendlindjen. Lum Shqipëria që është e rrethuar me një mall dhe dashuri të tillë. Ky mall e kjo dashuri, ky idealizëm e përgjërim për këtë atdhe, është si atmosfera për planetin Tokë, ku jetojmë të gjithë.
Bashkatdhetarëve të mi nëpër botë, sidomos bashkëshkrimtarëve do t’u thosha: mungesa është prania më tronditëse. Ju që jeni larg. e keni Shqipërinë më pranë se ne që jemi brenda saj.
Për këtë jam i sigurt.
Ju faleminderit z.Gjergji,
Ju faleminderit juve znj.Zylo
New York, Janar 2010