• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

Kryeministri Kurti u prit në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës

January 13, 2022 by s p

Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, z.Hekuran Murati dhe Zëvendës ministri i Ekonomisë, z.Mentor Arifaj, u pritën nga akademiku z.Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave Akademik, akademike znj.Justina Pula, nënkryetare dhe anëtarët e AShAK-ut.

Në pritjen e sotme, Kryeministri Kurti u shpreh mirënjohës për kontributin dhe rolin historik e kulturor, por gjithnjë edhe politik e akademik të anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK).

Ne besojmë se progresi socio-ekonomik, jeta e dinjitetshme e qytetarëve në Republikë, varet sa nga demokracia, përfaqësimi e vendimmarrja me integritet e kompetencë, po ashtu edhe nga konsiderata e pazëvendësueshme për shkencën, tha kryeministri Kurti. Në këtë fushë për shkencën, por në të tjerat edhe për artin e kulturën, shtoi ai.

Gjatë takimit u potencua interesimi i Qeverisë dhe AShAK-ut, për bashkëpunim të ngushtë. Kryeministri theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit jo vetëm në sektorin e energjisë, por edhe në fusha të tjera.

Ai veçoi rëndësinë  e qëndrueshmërisë së furnizimit dhe konsideratën gjeopolitike, meqë energjia sot është bërë kryefjalë e politikës dhe gjeopolitikës, jo vetëm në vendin tonë.

Duhet të kemi parasysh konsideratat mjedisore, meqenëse siç thotë një fjalë e urtë, të tashmen e kemi jo vetëm trashëgimi nga paraardhësit tanë, por në një farë mënyre edhe hua nga brezat e ardhshëm, për shkak se çfarëdo që bëjmë ne, kemi kosto për brezat që do të vijnë pas nesh, tha kryeministri Kurti.

Në këtë takim, akademik z.Fejzullah Krasniqi, prezantoi raportin e AShAK-ut për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, një dokument për analizën dhe sugjerimet për zhvillimet e ardhshme në sektorin e energjisë. U theksuan të gjeturat e raportit për opsionet për furnizim të qëndrueshëm e me çmim të arsyeshëm për konsumatorët.​

Filed Under: ESSE

ISMAIL QEMALI, VEPRIMTARIA E TIJ POLITIKE-DIPLOMATIKE NË SHËRBIM TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

January 13, 2022 by s p

Dr. Paulin Marku/


Vijon nga numri i kaluar…


Ismail Qemali ishte një ndër figurat kryesorë të veprimtarisë politike, diplomatike e organizative në fillim të shekullit XX. Veprimtaria e tij nuk mbeti vetëm ne suazën politike por pati jehone te madhe dhe ne qarqet ndërkombëtare. Diplomatet e huaj interesoheshin dhe mblidhnin informacione për situatën ne Perandorinë Osmane dhe për rrjedhojat dhe per ngjarjet ne ballkan, përfshirë edhe viset shqiptare. Kancelaritë e huaja i ndiqnin me interes zhvillimet politike te Portës se Larte, kabinetit qeverisës xhonturk si dhe te gjitha lëvizjet e kontaktet e Elitës politike shqiptare, dhe te krerëve te ndryshëm te krahinave shqiptare. Një nder personalitet e kohës qe kishte peshe ne politiken zyrtare te Stambollit dhe ndikim ne krahina te ndryshme shqiptare si dhe ne qarqet diplomatike, ishte Ismail Qemali. Ai ishte një zë i forte ne mbrojtje te interesave te shqiptareve ne parlamentin e Stambollit për vitet 1908-1912, si dhe ishte njeri prej ideatorëve ne realizmin me sukses te aktit te Pavarësisë se Shqipërisë, për te vijuar me shtetformimit dhe ngritjen e institucioneve ne Shqipëri…Ismail Qemali shprehej se, shqiptarët reaguan pas shtypjes dhe forcës që ushtruan Turqit e Rinj ne vitin 1910 ne Vilajetin e Kosovës, 1911 ne Malësi te Mbishkodrës për të imponuar me çdo kusht implementimin e reformave. Kjo situate pakënaqësie përshkallëzoi dhe ne vitin 1912. Ne janar te vitit 1912 ndodhen dy ngjarje te rëndësishme qe ndryshuan rrjedhën politike ne viset shqiptare, se pari, shpërndarja e parakohshme e parlamentit dhe, se dyti, mbledhja e taksimit në janar të 1912-ës. Ne zgjedhjet e parakohshme qe u zhvilluan ne vitin 1912 xhonturqit bene te pamundurën qe Ismail Qemali, te mos te fitonte mandatin e deputetit sepse ata e konsideronin një prej kundërshtarëve me te forte politik dhe influence te madhe tek shqiptaret Brenda dhe jashtë vendit. Ismail Qemali nuk arriti të fitonte mandatin e II-të, të deputetit por gjithsesi ai nuk e ndaloi veprimtarinë politiko-diplomatike nëpër kancelaritë Evropiane për të lobuar në mbrojtje të drejtave kombëtare të popullit shqiptarë. Ai përpiqej që të binte diplomacinë e Vjenës, Romës, Londrës, etj, se ishte në dobi jo vetëm të shqiptarëve por edhe të Perandorisë Osmane dhe të Fuqive Evropiane që të njihen sa më parë kufijtë dhe t’i jepej autonomia Shqipërisë. Veprimtaria e Ismail Qemalit ndiqej me interes nga diplomatët e huaj, të cilët nëpërmjet relacioneve, njoftimeve dhe telegrameve të ndryshme raportonin tek eproret e tyre rreth gjendjes së shqiptarëve në prag të Pavarësisë së Shqipërisë. Sipas burimeve diplomatike situata ishte ne përkeqësim me daljen e pranverës se vitit 1912. Me e tensionuar ishte popullata në verilindje të Shqipërisë. Fuqitë e Mëdha dhe fqinjët ballkanikë e ndoqën me shumë kujdes situatën dhe mbajtën qëndrime të ndryshme ndaj kërkesave të shqiptarëve. Në një takimin që Ismail Qemali pati me diplomatin italian Labia, ishte shprehur se shqiptarët nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga Italia edhe pse gjithmonë kishin shpresuar shumë tek ata. Ismail Qemali i kishte kërkuar konsullit që shteti i tij, Italia te mbështeste shqiptaret dhe t’iu shpërndante një sasi të konsiderueshme armësh. Në atë takim, Ismail Qemali i kishte folur se i frikësohej rrezikut të ndonjë ndryshimi territorial në dëm të programit shqiptar sepse Lufta Italo-Turke e kishte dobësuar Perandorinë Osmane. Ai ishte takuar dhe me përfaqësuesit e lartë të qeverisë greke, përkatësisht Kryeministrin Venizelos dhe ministrin e Jashtëm, Lambros Koromilas. Gjatë bisedimeve Ismail Qemali iu kishte kërkuar mbështetje në të holla dhe armatim për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Përgjigjja e qeverisë greke për të mbështetur kërkesën e I. Qemalit rezulton negative për shkak se binte ndesh me interesat e saj në vilajetin e Janinës. Ai vijonte te zhvillonte takime te ndryshme me përfaqësues te Perandorisë Austro-Hungareze, Britanike dhe Italiane duke iu kërkuar mbështetje dhe ndihma për Lëvizjen Kombëtare. Sipas mbledhjes se Taksimit ne janar 1912, Hasan Prishtina do te organizonte Kryengritjen qe do te inicionte ne Kosove per t’u shtrire ne te gjitha viset shqiptare dhe Ismail Qemali ishte caktuar te lobonte ne Evrope për te fituar mbeshtjen e ndërkombëtareve dhe takonte komunitetin shqiptar për te mbledhur fonde. Me 11 tetor 1912 kryediplomati Berchtold kishte deklaruar përpara delegacionit hungarez: “politika jone ne Ballkan nuk është një politike pushtimi, por kjo nuk do te thotë se nuk interesohemi per ngjarjet qe ndodhin ne këtë krahine. Ne kemi ne Gadishullin Ballkanik interesa jetësore dhe ne do t’i mbrojmë sido qe te ndodhe”. Me 26 tetor 1912 Ismail Qemali niset nga Stambolli dhe arriti ne Bukuresht se bashku me Luigj Gurakuqin për tu takuar me patriot shqiptare, te cilët kishin punuar për çështjen kombëtare dhe kishin mbledhur edhe fonde. Pas këtij udhëtimi te rendesishem, qellimi i Ismail Qemalit ishte te arrinte te konludonte me sukses dhe te merrte bekimin e diplomacive Evropiane, kryesisht te Perandorisë Austro-Hungareze. Ne Vjenë Ismail Qemali u takua me ambasadorin britanik, italian dhe ajo qe ishte me e rëndësishme për te dhe te ardhmen e Shqipërisë, takimi me Ministrin e Jashtem te Austro Hungarisë, Berchtoldi. Ismail Qemali arriti te binte Vjenën qe te ngarkonte shoqërinë “Llojd” per t’i dhënë një anije qe ta dërgonte ate se bashku me patriot te tjerë ne Durres. Ai insistonte qe te nisej sa me pare për ne Durrës, pare se Shqiperia te pushtohej nga fqinjet ballkanik. Ne Trieste te Italisë, Ismail Qemali u takua me Luigj Gurakuqin dhe patriot tjere shqiptare dhe u nisen per ne Durrës. Sipas raportit te policisë, Ismail Qemali se bashku me 14 patriot shqiptar u nis nga Trieste për ne Durrës. Per disa arsye te ndryshme ishte e pamundur shpallej Pavarësia nga Durrësi dhe ata iu drejtuan Vlorës. Me 26 nentor 1912, Ismail Qemali se bashku me delegate te tjerë arriti ne Vlore dhe u priten me entuziazëm dhe gezim te madh. Ismail Qemali bashke me patritot te tjerë bene përgatitjen për Hapjen e Kuvendit Kombëtar. Kështu, me 28 nentor 1912 Shqipëria shpallet e Lire dhe e Pavarur. Konsulli austriak ne Vlore, Lejhanec njoftonte se me 28 nëntor: “Kongresi shqiptar shpalli sot ne oren 4 pasdite Pavarësinë e Shqipërisë“. Kështu, me mbledhjen e Kuvendit ne Vlore dhe me shpalljen e pavarësisë iu hap rruga e shtetformimit dhe parlamentarizmit ne Shqipëri. Delegatet në Vlorë zgjodhën Qeverinë e Përkohshme, të kryesuar nga Ismail Qemali.

Filed Under: Opinion

DUHEN PËRSËRI RREGULLA TË REJA NË FUTBOLL

January 13, 2022 by s p

Nga Skifter Këlliçi/

Në ditën e tretë të lojërave olimpike që përfunduan në gusht të vitit 2016 në Rio De Zhaneiro, po ndiqja ndeshjen e futbollit midis Brazilit të madh dhe Irakut, “të vogël” në futboll, që deri tani njihet në botë kryesisht për luftën 10- vjeçare me Iranin në vitet 80-të të shekullit të kaluar, dhe diktatorin gjakatar Sadam Husein. Mirëpo, çuditërisht, skuadra irakene përballoi uraganin brazilan, që hovëzohej nga një stadium i përmbytur nga torsida, siç quhet tifozeria e këtij vendi, dhe e mbylli ndeshjen me barazimin e merituar 0-0. Gjatë ndeshjes pati dhe ndërpreje, siç ndodh jo rallë, që shkaktojnë zgjatjen e lojës për disa minuta pas kohës së regullt. Por këtë radhë gjyqtari dha një shtesë prej plot… 7 minutash! Jo vetëm kaq, por e përfundoi atë pasi shtoi edhe 27 sekonda të tjera. Dihet se “Rregullores Ndërkombëtare të Futbollit”, të hartuar që më 1862 nga anglezi Fring, i cili formuloi 10 rregullat e para, i janë shtuar vazhdimisht rregulla të reja. Një ndër ta është edhe vendosja e kamerave mbi portë për të saktësuar nëse topi ka kaluar ose jo plotësisht vijën e saj, të cilën Anton Mazreku, babai i futbollit shqiptar, e quante “vija fatale” dhe tashmë risia tjetër “Var”, (Video Assistant Referee- Video Ndihmëse e Gjyqtarit), kamera e vendosur pranë fushës, nga e cila gjyqtari sheh pamje të një aksioni dhe merr vendimin përfundimtar, nëse do të japë goditje dënimi, 11-metrëshi, të dëbojë ndonjë futbollist nga loja…Sidoqoftë, ka ardhur koha që futbollit t’i shtohen regulla te reja:

KOHA E LOJES  TE  SAKTESOHET  NGA KRONOMETRI

Sipas “Rregullores së Futbollit” loja shtohet në këto raste:

1-Kur gjatë ndeshjes bëhen ndërrime;

2- Kur një futbollist dëmtohet;

3-Kur ai transportohet nga fusha e lojës;

4-Kur një futbollist kërkon qëllimisht të vonojë lojën;

5-Për arsye të tjera.

Zgjatja e kohës së lojës varet nga gjyqtari. Por, siç e pamë në rastin e mësipërm, ka pasur edhe raste, si në rastin e ndeshjes që përmenda më sipër, Brazil-Irak, kur, edhe pse gjyqtari ka dhënë, p.sh., ose më shumë  minuta shtesë, (edhe kjo është e hamendësuar), loja ka zgjatur edhe më shumë, sepse edhe brenda periudhës së shtesës ka ndodhur që ajo të ndërpritet përsëri për shkaqe të ndryshme. Po përse një shtesë tjetër, kur gjyqtarit i duhet më së pari të ndjekë veprimet e lojtarëve në fushë dhe njëkohësisht të shohë kronometrin të mbërthyer në kyçin e dorës?

Por ka ndodhur dhe mund të ndodhë që pikërisht gjatë kësaj “shtese mbi shtesë” të shënohet edhe gol, që logjikisht është i parregullt, përderisa loja po zgjatet më shumë se koha e shtuar dhe e treguar në tabelë nga gjyqtari i katërt. Për mendimin tim, për të mënjanuar raste të tilla, duhet që koha e lojës në futboll të jetë EFEKTIVE, pra ashtu si në basketboll, futbollin amerikan, hendboll, hokei mbi akull , hokei mbi bar, vaterpol…kur pas vërshëllimës së gjyqtarit, ose kur topi del jashtë, koha e lojës ndërpritet, për të rinisur, kur rinis edhe ajo. Me fjalë të tjera, gjyqtari ndjek lojën, kurse kohën e mat kronometristi. Madje koha tregohet edhe në orën e madhe të stadiumit, si në sportet e tjera, me kohë kronometrike që përmenda më sipër. Në këtë mënyrë, do të mënjanohen të gjitha orvajtjet e lojtarëve ose portierëve që vonojnë lojën dhe për të cilat dënohen sipas rregullores me karton të verdhë.

PER POZICIONIN JASHTE LOJE

Deri tani gjyqtari anësor fikson se një futbollist ndodhet jashtë loje, edhe sikur thembra e këmbës, dora, ose koka… nuk kanë kaluar një vijë imagjinare që e veçon atë nga futbollistët kundërshtarë. Mirëpo lindin kështu shumë kundërshti për të ashtuquajturat pozicione jashtë loje “milimetrike”, të “dyshimta”, pra, të diskutueshme. Faktikisht, ne themi se një njeri del nga dhoma, kur ai të ketë kaluar tërësisht derën, pra vijën imagjinare që ndan dhomën nga dhoma tjetër ose nga korridori. E njëjta gjë duhet të ndodhë dhe në rastin e pozicionit jashtë loje. Një lojtar ndodhet jashtë loje, kur lë tërësisht pas lojtarin kundërshtar. Në analogji me regullin se gjyqtari përcakton se nje gol quhet i vlefshëm, kur topi ka kaluar tërësisht vijën e portës. Po ështu edhe në sporte të tjera, si.p.sh., në volejbolli, tenisi… topi konsiderohet jashtë, kur i tërë perimetri i tij ka kaluar vijat kufiuzese të fushës.

EUFORI E TEPRUAR PAS SHENIMIT TE GOLIT

Sipas rregullores, gjyqtari i ndeshjes duhet që të shtojë sekonda gjatë kohës kur futbollisti që ka shënuar gol, jo vetëm që nxjerr fanellën dhe e tund në ajër, (për këtë veprim dënohët me karton të verdhë), por vrapon deri në tribunat e shikuesve, ku nuk mjaftohet me kaq, por kacaviret në hekurat që ndajnë tribunën nga pista, ose hapësira që rrethon fushën e lojës, dhe përshendet tifozët; ose, në mungesë të pistës, shkon të flamuri i këndit, shtrihet atje për shtatë pale qejfe, i mbuluar nga shokë të skuadrës, ndërsa gjyqtari dhe lojtarët kundërshtarë presin si gjynahqarë që ata të kujtohen dhe të renditen në gjysmëfushën lojës, e cila do të nisë kështu nga qendra. Madje, ka pasur raste që një ose disa lojtarë të skuadrës që shënon gol, nga euforia edhe kanë shkulur flamurin e këndit, dhe e kanë e përdorur  si kitarë, nën vështrimin e qetë të gjyqtarit. Në këto raste ai duhet duhet t’i japë atij ose atyre kartonin e verdhë. Pas shënimit të një goli, futbollisti me shokët e tij sigurisht ka të drejtë të shprehë gëzim, por brenda vijave kufizuese të fushës, madje të shkojë drejt rrethit të saj. Ndaj, në regulloren e futbollit duhet shtuar shtuar një nen në bazë ,të të cilit gjyqtari të ndëshkojë futbollistët që kryejnë veprime të sipërpërmendura. Gjithashtu, për mbërthimet e futbollistëve kundërshtarë me duar në trup, në krahë, ose pas kapjesme duar të  fanellës, në “Rregulloren e futbollit” duhet të shtohet një nen, sipas të cilit futbollistët që kryejnë veprime të tilla, të dënohen drejpërdrejt me karton të kuq.  Dhe, nese ky veprim kryhet brenda zonës së rreptësisë, të jepet edhe një 11-metërsh, pavarësisht se aksioni zhvillohet në një hapësirë tjetër brenda saj, pra pa top. Te lojtarët duhet të ngulitet fort mirë mendimi se ata përdorin në fushë këmbët dhe jo duart, se prandaj loja quhet futboll, pra topkëmbë.

JO  11-METERSHA PAS SHTESES  2×15 MINUTA

Mendoj se do të ishte mirë që në “Rregulloren e futbollit” neni i gjuatjes së 11 –metërshave, pasi ndeshja me gjithë shtesën 2×15 minuta përfundon në barazim, të zëvendësohet me aksione vetjake nga një pikë me largësi 20-25 metra drejt portës kundërshtare. Nga pika e 11-mëtrëshit, siç e pamë edhe në europianin e fundit të zhvilluar në Francë, veçanërisht në ndeshjen Itali-Gjermani, nuk arritën të shënojnë edhe futbollistë të mëdhenj të të dyja skuadrave. Mendoj se ne vend të 11-metërshave futbollistët e të dyja skuadrave të nisen nga një largësi e sipërpermendur  me top ndër këmbë dhe të përpiqen të shënojne gol ose duke gjuajtur mënjëherë, ose duke mashtruar portierin. Kështu ata do të tregojnë nivelin e tyre teknik në përdorimin e topit.

RIVENIE E TOPIT ME KMBEDHE JO ME DUAR

Siç dihet, kur topi del jashtë vijave fundore, portierët ose lojtarët bëjnë rivënien e tij në lojë me goditje nga vija e zonës së portës. Por kur topi del jashtë vijave anësore, çuditërisht rivënia bëhet… me duar. Eshtë një ‘relike ‘ e habitshme e regullores së ragbisë nga ka lindur futbolli, lojë ku rivënia e topit vezak bëhet me duar. Madje çudia më e madhe është se kur topi përfundon qoftë dhe një milimetër larg flamurit të këndit, tutje vijës fundore, skuadra sulmuese fiton goditje këndi. Kurse kur ai përfundon një… milimetër jashtë vijës anësore, kjo skuadër fiton vetëm rivenie me duar(!?).Dhe më e çuditshmja është se kjo rivënie nuk i jep as më të voglën përparësi skuadrës që e fiton atë, sepse, duke u bërë me duar, topi sa do të hidhet me forcë, nuk përfundon më shumë se 20-25 metra nga vendi nga ku ka dalë jashtë. Ky ështe paradoks!.. Për deri sa loja luhet me këmbë, edhe në këtë rast rivënia duhet të bëhet me këmbë. Ky regull do ta gjallëronte shumë lojën dhe futbollistët e të dyja skuadrave do të tregoheshin më të të kujdeshëm që të mënjanonin sa më shumë çdo nxerrje të topit nga vijat anësore.

Filed Under: Sport

Dr. Ibrahim Rugova – Ky burrë i madh i shqiptarisë dhe mik i çmuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

January 13, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Nderohet nga Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë

Të hënën, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani pranoi letër kredencialet e Ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Z. Jeff Hovenier. Duke i uruar atij mirëseardhjen në detyrën e re, Presidentja Osmani tha se Ambasadori Hovenier e njeh mirë Kosovën dhe dinamikat e saja politike dhe shoqërore, pasi ai ka shërbyer atje, vite më parë.

This image has an empty alt attribute; its file name is image.png
Ambasadori i ri i SHBA-ve në konferencë shtypi me Presidenten e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani

“Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori Hovenier, sepse ajo ka ecur përpara. Mirëpo një gjë ka qëndruar konsistente, gjatë gjithë kësaj kohe. Kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi rritur e zhvilluar si vend, si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, sepse jemi të bekuar të kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë”,- ka theksuar Presidentja Osmani. E para e vendit ka vlerësuar se roli i ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është thelbësor, për të garantuar që marrëdhëniet midis dy vendeve do të vazhdojnë të lulëzojnë. Presidentja e Kosovës e siguroi Ambasadorin e ri të Amerikës në Prishtinë se Republika e Kosovës, “beson dhe i promovon vlerat, të cilat i përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy popujt tanë besojnë në liritë demokratike dhe ne jemi të vendosur t’i mbrojmë ato gjithmonë, meqenëse i kemi fituar ato liri me shumë mund e sakrificë. Kam besim të plotë se duke punuar ngushtë me ju Z. Ambasador, ne mund të arrijmë qëllimet tona të përbashkëta. Dua t’ju siguroj se nuk do të gjeni asnjëherë aleatë më të përkushtuar dhe më besnik sesa Republika e Kosovës”, -ka thënë Presidentja Osmani.

Takimi i fundit i autorit me Presidentin Ibrahim Rugova, 2005 në Presidencën e Kosovës

Angazhimi i Zonjës Osmani dhe mbëshetja e saj ndaj vlerave të përbashkëta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është, në të vërtetë, një kopje e pasqyrimit të angazhimit të Presidentit historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës, arkitektit të “miqësisë së përhershme”,- siç shprehej ai, midis Kosovës dhe Amerikës.

Prandaj nuk ishte për t’u çuditur që pas takimit dhe konferencës së përbashkët për  median në Prishtinë, Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier, së bashku, kanë vendosur kurorë lulesh te shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë. Me atë rast, Presidentja Osmani u shpreh se si themelues i shtetit të Kosovës, Presidenti Rugova diti të hedhë, jo vetëm, hapat e duhur drejt shtetit tonë të pavarur dhe sovran, por të ndërtojë gjithashtu edhe miqësi të sinqerta, miqësi të forta, të cilat i kanë rezistuar kohës dhe do të vazhdojnë të ujiten dhe të lulëzojnë edhe më tej nga ana e secilit prej nesh. “Në nderim të këtij njeriu të madh të kombit tonë, i cili dha shumë për Kosovën e pavarur dhe sovrane dhe për miqësitë që ne sot i gëzojmë – së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – deshëm që sot, si simbolikë e kësaj miqësie të fortë, ta vendosim këtë kurorë këtu së bashku”,- ka thënë Presidentja Osmani.

“Në nderim të këtij njeriu të madh të kombit tonë, i cili dha shumë për Kosovën e pavarur dhe sovrane, dhe për miqësitë që ne sot i gëzojmë së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës deshëm që sot si simbolikë e kësaj miqësie të fortë ta vendosim këtë kurorë këtu së bashku”,- ka thënë Presidentja Osmani.

Ndërsa, Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, theksoi angazhimin amerikan për Kosovën duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë dhe do të mbeten partner i palëkundshëm i Kosovës. Ai i bëri këto komente pasi i dorëzoi letrat kredenciale presidentes së Kosovës, Z. Vjosa Osmanit. “Shtetet e Bashkuara janë partneri i palëkundshëm i Kosovës dhe kjo do të vazhdojë. Një përkushtim që dua të ndaj me ju”, vazhdoi diplomati amerikan,  “është një përkushtim nga ambasada e Shteteve të Bashkuara; para se gjithash dhe mbi të gjitha, ne jemi miqtë tuaj, ne jemi në anën tuaj, ne do të punojmë me ju, qeverinë tuaj, njerëzit tuaj, shoqërinë civile, qytetarët, për të çuar përpara përparësitë që përfshijnë promovimin e demokracisë, që përfshijnë mbështetjen e mëtejshme për zhvillimin e institucioneve të pavarura, gjyqësorit dhe sundimit të ligjit, që janë aq të rëndësishme sikurse janë përpjekjet tona të vazhdueshme globale për të luftuar korrupsionin dhe për të vendosur drejtësi dhe në këtë rast drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës”,- shtoi ai duke nënvijuar se do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e qeverisë së Kosovës për t’u afruar me institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Presidentja, Vjosa Osmani, tha gjithashtu se Kosova beson dhe promovon vlerat, të cilat i përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara, e që mbështeten në liritë demokratike.  “Kosova sot është shumë ndryshe nga Kosova të cilën e kujton ambasadori Hovenier sepse ajo ka ecur përpara. Mirëpo, një gjë ka qëndruar konsistente gjatë gjithë kësaj kohe, kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi rritur dhe zhvilluar si vend si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, sepse jemi të bekuar të kemi SHBA-të pranë nesh në çdo hap të rrugëtimit tonë. Roli i ambasadorit të Shteteve ë Bashkuara të Amerikës në Kosovë është thelbësor për të garantuar që marrëdhënia jonë të vazhdojë të lulëzojë”, -shtoi ajo.

Ambasadori i ri i SHBA-ve në konferencë shtypi me Presidenten e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani

Me këtë rast, Presidentja Vjosa Osmani dhe Ambasadori i ri amerikan në Prishtinë, Z. Jeffrey Hovenier vendosen kurora lulesh te shtatorja e ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në nderim të kontributit të tij për shtetformimin dhe pavarësinë e Kosovës. “Këtë doja ta bëja që në ditën time të parë si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, për respektin që kam për Presidentin Rugova dhe për atë që ai përfaqëson. Unë pata nderin ta njoh atë në procesin e Rambouilletit (Rambuje) dhe e di se çfarë ai përfaqëson dhe besoj se është shumë e rëndësishme që ta kujtojmë e ta nderojmë”, Presidentin Ibrahim Rugova, ka theksuar ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Z. Jeff Hovenier.

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Z. Jeff Hovenier, i shoqëruar nga Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani vendosën të hënën kurorë me lule te Monumenti i Presidentit historik të Republikës së Kosovë, Dr. Ibrahim Rugovës në Prishtinë

Kjo nuk është hera e parë që Ambasada Amerikane në Prishtinë nderon dhe respekton Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, duke venë në dukje vetitë e tija prej burrë-shteti dhe për vlerat njerëzore pro-perëndimore: Frank Shkreli: KUJTOHET DR. IBRAHIM RUGOVA SI NJË KAMPION I LIRISË DHE NJË BURRË SHTETI QË NDANTE VLERAT AMERIKANE | Gazeta Telegraf —  Duke marrë parasysh zhvillimet politike të fundit të botës shqiptare, sidomos absurditetin aktual të zhvillimeve politike në Shqipëri, figura e Dr. Ibrahim Rugovës sa vjen e rritet dhe shkëlqen, si një udhëheqës ndryshe. Ndërsa është kujtuar dhe kujtohet si udhërrëfyesi i Kombit. At Zef Pllumi e ka cilësuar Presidentin historik të Kosovës, “Një ndër burrat e rrallë të kombit”, ndërsa Ismail Kadare, është cituar të ketë thënë se, “Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, i botës shqiptare. Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet.” Fatkeqësisht, Presidenti Rugova ka ikur nga kjo botë tepër herët, atëherë kur Kosova dhe Kombi shqiptar kishin më së shumti nevojë për një njeri si ai dhe për një zgjim dhe hov të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri të sinqertë, për një zëdhënës dhe për një përfaqësues autentik të vlerave stërgjyshore kombëtare, pro-perëndimore të shqiptarëve: pas një periudhe errësire, të zezë sllavo-komuniste prej gjysëm shekulli. Të bazuar në një ideologji sllavo-aziatike, e cila zbatonte brutalisht, si parim kryesor, shlyerjen – pikërisht – të këtyre vlerave kombëtare dhe të identitetit autentik kombëtar të shqiptarëve – një ideologji enveriste, trashëgimia tragjike e të cilës shihet qartë edhe sot në zhvillimet politike shqiptare, sidomos, në Shqipëri. Shikoni rreth e rrotull dhe më thoni kush nga të ashtuquajturit liderë aktualë të shqiptarëve, mbron sot cilësitë burrënore të Rugovës, për të cilat ka shkruar At Zef Pllumi, ose për “aspiratat dhe qytetërimin” e botës shqiptare të Dr Ibrahim Rugovës, të cilave u referohet Ismail Kadare? Shpresojmë në Presidenten e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa e Osmani, e cila sot për sot duket se beson në ato vlera dhe po i promovon ato kurdoherë që i paraqitet rasti.

Ishte kjo vizita e parë (dhe takimi im i parë me Presidentin e ardhëshëm të Republikës së Kosovës në Washington), por jo e fundit. Dr. Ibrahim Rugova, autori dhe Dr. Engjëll Sedaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në Washington, Tetor 1989.

Ndryshe nga politikanët e sotëm shqiptarë dhe partive të tyre politike – pjellë e Partisë së Punës (komuniste-enveriste), sidomos atyre në Shqipëri. Presidenti Ibrahim Rugova besonte në vlera kombëtare dhe vizion të qartë historik që ai i artikulonte edhe me të huajt, sidomos me miqtë e tij amerikanë, për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar, në liri dhe demokraci, si dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara dhe me perëndimin, në përgjithësi. Si asnjë udhëheqës tjetër i këtyre 30-viteve të fundit, ai ishte i bindur për rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar, nëqoftëse dëshironte të hynte dhe të pranohej ndërshmërisht, në radhët e kombeve të përparuara të perëndimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj rruge për shqiptarët, e sidomos në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës drejt bashkimit dhe integrimit të Kombit shqiptar në aleancat me vendet perëndimore, ku sipas tij, aty ku, historikisht, e kishin vendin e vet shqiptarët.

Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar.  Me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur – mbi të gjitha – edhe nderin dhe respektin e emrit shqiptar: një mesazh ky shumë i përshtatshëm dhe tepër i nevojshëm edhe sot, sidomos, për politikanët aktualë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kjo është dhe mbetet edhe njëra nga trashëgimitë e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës: përfaqësimi me nder, burrëni dhe respekt i të drejtave dhe pëgjegjësive kombëtare, duke qenë i bindur në drejtësinë e kërkesave historike të shqiptarëve, përballë padrejtësive shekullore.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë

Ç’prej se e kam njohur Ibrahim Rugovën – nga fundi të viteve 80-ta të shekullit të kaluar – ai asnjëherë nuk u lëkund nga vija e drejtë e shqiptarizmit dhe as nga idealet e tija.  Fatkeqësisht, ai ka ndërruar jetë 16 vjetë më parë, pa qenë dëshmitar i fruteve të punës së tij, përfshirë shpalljen dhe njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të botës, e sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilat kurdoherë që fliste për Amerikën, përfundonte me fjalët, “Zoti e bekoftë Amerikën” dhe në “Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara”. Nderimi dhe respekti i treguar për Dr. Ibrahim Rugovën në ditën e parë në detyrë të ambasadorit të Amerikës në Prishtinë, Z. Jeff Hovenier i shoqëruar nga Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, tregon se epopeja e Rugovës nuk ka vdekur me të.  Ai është duke lëshuar dritë përherë e më tepër për brezat, duke lulëzuar e duke dhënë fryte agimesh të reja e fatlume për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar ashtu siç i ka hije një udhërrëfyesi dhe burri historik të një Kombi, madje edhe pas shkuarjes së tij në amshim. Një udhërrëfyes, një, “Hero kombëtar, madhështor e mendjemprehtë”, siç e ka cilësuar para disa vitesh, Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, Presidenti i Amerikës, Xho Bajdën. Kjo është edhe arsyeja që Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Z. Jeff dhe Presidentja e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, e shihnin si një detyrim moral që të shkonin e të vendosnin një kurorë me lule pranë monumentit të arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës; mbështetësit dhe mbrojtësit të vlerave të përbashkëta shqiptaro-amerikane,  këtij burri të madh të shqiptarisë dhe mikut të çmuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Featured

Parashikimet amerikane mbi Jugosllavinë e pas Titos (1972-1980)

January 13, 2022 by s p

Prof.dr. Memli Shaip Krasniqi, Instituti Albanologjik-Prishtinë/

Gazeta amerikane “The Daily Herald” e 6 korrikut të vitit 1970 shkruante për përshtypjet e gazetarit amerikan nga vizita e bërë Kosovës, që, sipas tij, quhej “Shqipëria tjetër” dhe e cila po përjetonte një rilindje të vërtetë kulturore dhe politike. Ndonëse ky zhvillim i ngjarjeve nuk i shkonte për shtati qarqeve serbe, Beogradi, njëherë për njëherë, nuk mund të bënte asgjë për të ndaluar ose së paku për të penguar këtë proces. Për më tepër, shqiptarët në Jugosllavi, edhe pse të ndarë nga një kufi i hekurt me shtetin Shqiptar, kishin filluar hapur të flisnin për kombin shqiptar dhe dëshirën e tyre për bashkim me Shqipërinë. Shtresa e re intelektuale e kësaj “Shqipërie tjetër” nuk fshihte admirimin për udhëheqësin e fuqishëm të Shqipërisë, Enver Hoxhën. Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, vërehej një interesim i madh i rinisë shqiptare për librat e shumtë të përkthyer në gjuhën shqipe. Rinia shqiptare dëgjonte muzikën perëndimore,“Beatles”ose Bob Dilanin, por edhe muzikën popullore shqiptare. Kosova në këtë kohë kishte marrë nga Shqipëria rreth 17.000 libra, disa nga të cilët, ishin të një cilësie të lartë artistike, sikur që ishin veprat e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadaresë. Po kështu kishin filluar të lejoheshin edhe vizitat e grupeve të ndryshme artistike dhe turistike në Shqipëri, gjatë të cilave, personat më të moshuar ishin të impresionuar nga ndryshimet e mëdha që kishte bërë Shqipëria. Nga ana tjetër, gjenerata e re shqiptare nga Kosova, të cilët për herë të parë kishin vizituar Shqipërinë, nuk ishin ndarë me përshtypje të mira për kushtet e jetesës në shtetin amë. Në një artikull tjetër bëhej fjalë për përpjekjet e Jugosllavisë për të investuar më shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Udhëheqja jugosllave theksonte se Kosova paraqet hapësirën bujqësore me densitetin më të madh të popullsisë në botë, si dhe një nga zonat më të prapambetura ekonomike në Federatën Jugosllave, ku 2/3 e popullsisë merren me bujqësi. Prandaj Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë kishte vendosur që zhvillimit ekonomik të Kosovës t’i jepet prioritet në planin ekonomik të Jugosllavisë për periudhën 1971-75. Jo zyrtarisht flitej për një shumë të investimit prej 600 milionë dollarësh deri në vitin 1975, çka kishte sjellë jo pak kundërshtime nga njësitë e tjera të Federatës Jugosllave. Gjithashtu në këtë artikull theksohej se tensionet politike në Kosovë kishin rënë në shkurt të vitit 1969, atëherë kur udhëheqja partiake jugosllave vendosi kundër bërjes së Kosovës republikë e shtatë e federatës. Arsye e mospërkrahjes së kësaj kërkese të shqiptarëve ishte se kjo kinse do të shpinte në shpërbërjen e Jugosllavisë. Në të vërtetë, nëse Kosova do të bëhej republikë, ajo do të mund të shkëputej nga Jugosllavia duke u bashkuar me Shqipërinë, çka do të pasohej me shkëputjen e Sllovenisë dhe të Kroacisë. Ky do të ishte fundi i RSFJ-së.

Institucionet amerikane, përfshirë edhe Shërbimin Sekret Amerikan (Central Intelligence Agency-CIA), përcillnin me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve në RSFJ-në dhe përpilonin raporte dhe analiza mbi Jugosllavinë e pas Titos. Kështu në raportin e CIA-së të 13 tetorit 1972 , theksohej se problemet e këtij shteti në politikën e tij të ekuilibrit ndërmjet lindjes dhe perëndimit, si dhe kundërthënieve dhe urrejtjeve etnike, do të dalin më shumë në pah në periudhën e pas Titos. Sipas këtij raporti, kryetari Tito, në përpjekje  për të siguruar funksionimin dhe mbijetesën e federatës jugosllave edhe pas tij, krijoi sistemin e  udhëheqjes kolektive në parti, pra në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, si dhe në institucionet shtetërore. Ky sistem politik, i njohur si vetëqeverisje – një përzierje e liberalizmit perëndimor dhe komunizmit, ishte kundërshtuar nga sovjetikët, konfuz për perëndimorët, por edhe i pakuptueshëm nga qytetarët e Jugosllavisë. I vetmi element unifikues i RSF të Jugosllavisë ishte ushtria, e cila edhe sipas këtij raporti ishte kërcënuar se do të ndërhynte në rast të shpërbërjes së federatës. Në përshkrimin e aftësive politike të Titos, shërbimi sekret amerikan theksonte aftësinë e tij që rreth vetes të përfshinte njerëz të aftë e profesionalisht të përgatitur. Në të vërtetë, Tito kishte vendosur sistemin kolektiv të udhëheqjes (sipas modelit të Zvicrës), si një formë kjo e parandalimit që një njësi federale të koncentrojë në duart të veta pushtetin qendror. Pra ishte një përpjekje e drejtuar kundër tendencave hegjemoniste të RS të Serbisë. Një fushë tjetër problematike pas periudhës së Titos, sipas këtij raporti, ishin edhe dallimet ekonomike dhe sociale ndërmjet republikave veriore dhe perëndimore të zhvilluara me njësitë më pak të zhvilluara të jugut dhe të lindjes. Fuqia botërore që do të mundohej të përfitonte në periudhën pas Titos ishte BRSS-ja, e cila shpresonte ta rikthente Federatën Jugosllave në përqafimin e socializmit ortodoks të tyrin. Moska mbështetej në faktin se problemet e brendshme ekonomike dhe rivaliteti etnik, do t’i mundësonte asaj që të gjente mbështetës brenda strukturës shtetërore dhe partiake të Jugosllavisë së pas Titos. BRSS-ja, ashtu si vendet perëndimore, shfrytëzonte rastin që si shkëmbim për kreditë e mëdha të anashkalonte organet federale, duke bërë marrëveshje të drejtpërdrejta me institucionet republikane dhe ato lokale. Sigurisht, vazhdonte raporti, disa vjet pas Titos, si rezultat edhe përzierjes nga jashtë, do vinte deri te koalicioni ndërmjet liderëve konservativë dhe ushtarakëve në përpjekjen për të rivendosur pushtetin qendror, me ç’rast mund të dalë në skenë edhe ndonjë lider, i cili do të mundohet t’u imponohet njësive të tjera federale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke pasur parasysh të gjitha këto zhvillime të mundshme pas Titos, do të përkrahnin një Jugosllavi të bashkuar dhe të decentralizuar, ngase çdo përkrahje për njësi të veçanta të federatës vetëm do të përforconte ndikimin e BRSS-së në Jugosllavinë e pas Titos.

Në vitin 1977 Kosova kishte marrë 56 milionë dollarë kredi nga Banka Botërore, të cilat do t’i investonte në sistemin e ujitjes dhe të drenazhimit, me çka do të ndihmoheshin rreth 35.000 bujq të Kosovës. Se sa Jugosllavia ishte e rëndësishme për Perëndimin tregonte fakti se Banka Botërore, me seli në Uashington, deri në vitin 1979 i kishte huazuar RSFJ-së rreth 12 miliardë dollarë. Madje në vitin 1979 Jugosllavia ishte huazuesi i pestë më i madh i Bankës Botërore. Pas vdekjes së J.B.Titos, më 1980, ekspertët perëndimorë dhe ata të Jugosllavisë parashikonin se vështirësitë ekonomike mund të nxisnin procese politike të cilat do të destabilizonin Federatën Jugosllave. Prandaj, sipas tyre, në rast të ndonjë krize të brendshme politike në Jugosllavi, nuk do të kishte rrezik të drejtpërdrejtë nga ndonjë invazion i BRSS-së, por më shumë të rritjes së ndikimit rus duke ndihmuar disa grupe të caktuara në Jugosllavi. Raporte me përmbajtje të njëjta i vinin udhëheqjes së Jugosllavisë edhe nga kryeqyteti sovjetik (Moska), në të cilat shprehej brengosja e BRSS-së lidhur me kërcënimet për kryengritje që kinse vinin kundër RSFJ-së nga ana e emigracionit politik jugosllavë (flitej për rreth 50.000 persona të armatosur). Njëkohësisht, Todor Zhivkovi (udhëheqësi bullgar), gjatë takimit me Santiago Karillon (liderin e Partisë Komuniste të Spanjës), kishte deklaruar se ishte i drejtë çdo intervenim ushtarak që shërbente për të ruajtur sistemin socialistë dhe se në rast nevoje, duhet të ndihmohet Jugosllavia, që edhe pas vdekjes së Titos të mbetej vend socialistë. Me fjalë të tjera BRSS-ja shfrytëzonte edhe emigracionin djathtist kroat si presion për të mbajtur ose edhe për të kthyer Jugosllavinë e pas Titos në kuadër të sistemit socialistë të Lindjes. Prandaj nuk habit fakti se në Londër, gjatë kongresit të Këshillit Kombëtar Kroat (Hrvatskog narodnog vijeća), pikëpamja dhe parulla që dominonte ishte: më mirë një Jugosllavi jo e unifikuar dhe e pushtuar nga Rusia, sesa një Jugosllavi e bashkuar dhe e mbështetur nga Amerika. Kjo tezë e Këshillit Kombëtar Kroat mbështetej edhe me spekulimet se pas vdekjes së Titos, BRSS-ja dhe SHBA-ja, do të ndanin sferat e ndikimit në RSFJ. Sipas këtyre parashikimeve Bashkimi Sovjetik do të vendoste zonën e vet të ndikimit në RS të Serbisë, RS të Malit të Zi dhe në RS të Maqedonisë, përderisa SHBA-ja ndikimin e tyre do ta shtrinin në pjesën tjetër të Jugosllavisë. Sipas pikëpamjeve perëndimore, pas vdekjes së Titos, ata do të duhej të përkrahnin udhëheqjen kolektive për të parandaluar shpërbërjen e Jugosllavisë dhe luftën qytetare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës parashikonin se në periudhën e pas Titos, institucionet e Federatës Jugosllave dhe sidomos Armata Popullore e Jugosllavisë do të  intervenonin në rast të ndonjë përpjekjeje për shkëputje të Kroacisë ose të Kosovës. Në kushte të luftës qytetare, Armata Popullore e Jugosllavisë, do të kërkonte ndërhyrjen e BRSS-së. Në një skenar të tillë të ngjarjeve, SHBA-ja parashikonte se në rast se RPS e Shqipërisë do të rezistonte kundër intervenimit të mundshëm ushtarak të BRSS-së në Jugosllavi, atëherë amerikanët mund të merrnin parasysh të përkrahnin politikisht dhe me ndihma të kufizuara ushtarake bashkimin e Kosovës me Shqipërinë (“In these circumstances, if the Albanians gave some promise of being prepared to resist Soviet intervention, the USA might consider extending political support and even limited military assistance to Greater Albania.” Shih: A. Ross Johnson and Arnold L. Horelick, Communist Political Succession, A Report prepared for Department of State-June 1972, 65). Gjithashtu, edhe në skenarin kur BRSS-ja do të sulmonte Jugosllavinë, pa pasur si shkas luftën qytetare, pra kur Kosova do të vazhdonte të ishte pjesë e SFRJ-së, RPS e Shqipërisë nëse do të kërkonte mbështetjen dhe ndihmën ushtarake perëndimore kundër BRSS-së, përsëri SHBA-ja do t’ia afronin. Ndërkohë prishja e marrëdhënieve shqiptaro-kineze (1978) nxiti shqetësimin e SHBA për mundësinë e rikthimit të Shqipërisë në Paktin e Vrashavës. Prandaj amerikanët u interesuan për t’u njohur me potencialin ekonomik e ushtarak të Shqipërisë dhe vendosmërisë së Tiranës për t’u ballafaquar me një agresion të mundshëm të Bashkimit Sovjetik, vetëm apo me Jugosllavinë. Njohuri mbi plane të tilla të BRSS-së kishte edhe shteti shqiptar, për të cilën u bë e qartë se pushtimi i Jugosllavisë nga Pakti i Varshavës do të thoshte se këto forca ushtarake (disa nga njësitë speciale të këtyre vendeve mësonin edhe gjuhën shqipe) nuk do të ndaleshin pa sulmuar edhe RPS të Shqipërisë. Prandaj, Tirana zyrtare, duke kuptuar se SHBA-ja dhe NATO, në rast të agresionit të BRSS kundër RSF të Jugosllavisë ose RPS të Shqipërisë, nuk do të intervenonin hapur por do të ofronin ndihma ushtarake dhe ekonomike, deklaronte se nëse sulmohet Jugosllavia, Shqipëria do të hynte gjithashtu në luftë.  

Qëndrimin e tillë dhe interesimin e NATO-s për Shqipërinë, në rast të hyrjes së BRSS në Jugosllavi, ia kishte konfirmuar ambasadorit jugosllavë në Tiranë, Branko Komatinës, edhe ambasadori italian. Prandaj pas prishjes së raporteve me Kinën, Shqipëria, ndonëse mbronte dhe propagandonte rrymën ideologjike të pastër komuniste, përsëri për nevoja të sigurisë ishte orientuar për mbështetje dhe lidhje më të forta me Francën kapitaliste, e cila vazhdonte të ishte një nga fuqitë nukleare dhe më me ndikim në arenën ndërkombëtare. Ndërsa, pas refuzimit të heshtur të Shqipërisë për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA, qëndrim të cilin qeveria amerikane e toleronte, për sa kohë që Enver Hoxha dhe shteti Shqiptar vazhdonin të ishin kundër pranisë ruse dhe Paktit të Varshavës në territorin shqiptar, Washingtoni nxiste vendet perëndimore për t’u afruar me Tiranën, sidomos RF të Gjermanisë dhe Britaninë e Madhe.

Në raportin amerikan të vitit 1979 lidhur me problemin e Kosovës do të theksohej se për mbijetesën e Jugosllavisë, ku pos raporteve kroato-serbe, rëndësi do t’u kushtohej edhe raporteve shqiptaro-serbe. Potencohej se udhëheqësi i Shqipërisë, Enver Hoxha, Kosovën e konsideronte vetëm përkohësisht pjesë të Jugosllavisë. Prandaj, pas Titos, shpërthimi konfliktit shqiptaro-serb do të nxiste shpërthimin e konflikteve etnike në pjesë të tjera të Federatës Jugosllave dhe në një mënyrë zgjidhja e problemit të Kosovës mund të ishte element kyç për mbijetesën e saj. Po kështu theksohej se nacionalizmi shqiptar do të ballafaqohej me dy rryma: atë me ngjyrime islamiste, i orientuar kah vendet arabe, në të cilat shkollohej elita fetare myslimane shqiptare dhe rinia studentore, që do të drejtohej për inspirim kah Tirana. Ndërkohë, BRSS-ja kishte filluar të ndërhynte në Kosovë, pikësëpari me ndihmën e elementit serb në Kosovë, disa nga të cilët kishin krijuar Partinë e re Komuniste të Jugosllavisë. Njëkohësisht me rastin e prishjes së Shqipërisë me Kinën më 1979, BRSS-ja kishte filluar të shikonte mënyra për afrim me Shqipërinë, duke shfrytëzuar edhe Kosovën si mundësi.

Nga ana tjetër, Enver Hoxha, duke u nisur nga qasjet pragmatike, ashtu si udhëheqësi i RSF të Jugosllavisë, J. B. Tito, në politikën e jashtme objektiv kryesor kishte ruajtjen e pavarësisë së RPS të Shqipërisë, sidomos nga BRSS-ja dhe Pakti i Varshavës. Kurse në planin afatgjatë, shteti Shqiptar dhe Enver Hoxha, llogarisnin se në periudhën e pas-Titos, RSF e Jugosllavisë do të  shpërbëhej dhe në atë rast Kosova dhe vendbanimet e tjera shqiptare do t’i bashkoheshin shtetit amë. Ndërkohë organizatat ilegale shqiptare por edhe pjesë të elitës institucionale të Kosovës, ishin për krijimin e një republike shqiptare në kuadër të Federatës Jugosllave, ku në kuadër të Kosovës do të përfshiheshin të gjitha vendbanimet shqiptare në RS të Serbisë, RS të Malit të Zi dhe RS të Maqedonisë. Ky ishte, së paku, edhe synimi dhe dëshira që prof.dr. Ymer Jaka, sekretar i Arsimit, i Shkencës dhe i Kulturës së KSA të Kosovës, ia deklaroi Tefta Camit, ministres së Arsimit të RPS të Shqipërisë me rastin e vizitës zyrtare në Tiranë të organizuar gjatë fundit të vitit 1979. Ndërsa Enver Hoxha shprehte brengën se në periudhën e pas-Titos në Kosovë mund të nisnin trazirat, qoftë si rezultat i vlerësimeve të gabuara të vetë shqiptarëve të Kosovës ose edhe të provokimeve serbe me qëllim që të nxisin urrejtjen e kombeve të tjera të Jugosllavisë kundër shqiptarëve. Kjo do të thotë se shteti Shqiptar nuk ishte i interesuar për shpërbërjen e Jugosllavisë në rrethanat e një rreziku permanent sovjetik dhe në anën tjetër që procesi i fillimit të dezintegrimit të brendshëm të Jugosllavisë si një domosdoshmëri e kohës, mos të fillonte në kurriz të shqiptarëve dhe të Kosovës. 

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT