
Nga Skifter Këlliçi/
Në ditën e tretë të lojërave olimpike që përfunduan në gusht të vitit 2016 në Rio De Zhaneiro, po ndiqja ndeshjen e futbollit midis Brazilit të madh dhe Irakut, “të vogël” në futboll, që deri tani njihet në botë kryesisht për luftën 10- vjeçare me Iranin në vitet 80-të të shekullit të kaluar, dhe diktatorin gjakatar Sadam Husein. Mirëpo, çuditërisht, skuadra irakene përballoi uraganin brazilan, që hovëzohej nga një stadium i përmbytur nga torsida, siç quhet tifozeria e këtij vendi, dhe e mbylli ndeshjen me barazimin e merituar 0-0. Gjatë ndeshjes pati dhe ndërpreje, siç ndodh jo rallë, që shkaktojnë zgjatjen e lojës për disa minuta pas kohës së regullt. Por këtë radhë gjyqtari dha një shtesë prej plot… 7 minutash! Jo vetëm kaq, por e përfundoi atë pasi shtoi edhe 27 sekonda të tjera. Dihet se “Rregullores Ndërkombëtare të Futbollit”, të hartuar që më 1862 nga anglezi Fring, i cili formuloi 10 rregullat e para, i janë shtuar vazhdimisht rregulla të reja. Një ndër ta është edhe vendosja e kamerave mbi portë për të saktësuar nëse topi ka kaluar ose jo plotësisht vijën e saj, të cilën Anton Mazreku, babai i futbollit shqiptar, e quante “vija fatale” dhe tashmë risia tjetër “Var”, (Video Assistant Referee- Video Ndihmëse e Gjyqtarit), kamera e vendosur pranë fushës, nga e cila gjyqtari sheh pamje të një aksioni dhe merr vendimin përfundimtar, nëse do të japë goditje dënimi, 11-metrëshi, të dëbojë ndonjë futbollist nga loja…Sidoqoftë, ka ardhur koha që futbollit t’i shtohen regulla te reja:
KOHA E LOJES TE SAKTESOHET NGA KRONOMETRI
Sipas “Rregullores së Futbollit” loja shtohet në këto raste:
1-Kur gjatë ndeshjes bëhen ndërrime;
2- Kur një futbollist dëmtohet;
3-Kur ai transportohet nga fusha e lojës;
4-Kur një futbollist kërkon qëllimisht të vonojë lojën;
5-Për arsye të tjera.
Zgjatja e kohës së lojës varet nga gjyqtari. Por, siç e pamë në rastin e mësipërm, ka pasur edhe raste, si në rastin e ndeshjes që përmenda më sipër, Brazil-Irak, kur, edhe pse gjyqtari ka dhënë, p.sh., ose më shumë minuta shtesë, (edhe kjo është e hamendësuar), loja ka zgjatur edhe më shumë, sepse edhe brenda periudhës së shtesës ka ndodhur që ajo të ndërpritet përsëri për shkaqe të ndryshme. Po përse një shtesë tjetër, kur gjyqtarit i duhet më së pari të ndjekë veprimet e lojtarëve në fushë dhe njëkohësisht të shohë kronometrin të mbërthyer në kyçin e dorës?
Por ka ndodhur dhe mund të ndodhë që pikërisht gjatë kësaj “shtese mbi shtesë” të shënohet edhe gol, që logjikisht është i parregullt, përderisa loja po zgjatet më shumë se koha e shtuar dhe e treguar në tabelë nga gjyqtari i katërt. Për mendimin tim, për të mënjanuar raste të tilla, duhet që koha e lojës në futboll të jetë EFEKTIVE, pra ashtu si në basketboll, futbollin amerikan, hendboll, hokei mbi akull , hokei mbi bar, vaterpol…kur pas vërshëllimës së gjyqtarit, ose kur topi del jashtë, koha e lojës ndërpritet, për të rinisur, kur rinis edhe ajo. Me fjalë të tjera, gjyqtari ndjek lojën, kurse kohën e mat kronometristi. Madje koha tregohet edhe në orën e madhe të stadiumit, si në sportet e tjera, me kohë kronometrike që përmenda më sipër. Në këtë mënyrë, do të mënjanohen të gjitha orvajtjet e lojtarëve ose portierëve që vonojnë lojën dhe për të cilat dënohen sipas rregullores me karton të verdhë.
PER POZICIONIN JASHTE LOJE
Deri tani gjyqtari anësor fikson se një futbollist ndodhet jashtë loje, edhe sikur thembra e këmbës, dora, ose koka… nuk kanë kaluar një vijë imagjinare që e veçon atë nga futbollistët kundërshtarë. Mirëpo lindin kështu shumë kundërshti për të ashtuquajturat pozicione jashtë loje “milimetrike”, të “dyshimta”, pra, të diskutueshme. Faktikisht, ne themi se një njeri del nga dhoma, kur ai të ketë kaluar tërësisht derën, pra vijën imagjinare që ndan dhomën nga dhoma tjetër ose nga korridori. E njëjta gjë duhet të ndodhë dhe në rastin e pozicionit jashtë loje. Një lojtar ndodhet jashtë loje, kur lë tërësisht pas lojtarin kundërshtar. Në analogji me regullin se gjyqtari përcakton se nje gol quhet i vlefshëm, kur topi ka kaluar tërësisht vijën e portës. Po ështu edhe në sporte të tjera, si.p.sh., në volejbolli, tenisi… topi konsiderohet jashtë, kur i tërë perimetri i tij ka kaluar vijat kufiuzese të fushës.
EUFORI E TEPRUAR PAS SHENIMIT TE GOLIT
Sipas rregullores, gjyqtari i ndeshjes duhet që të shtojë sekonda gjatë kohës kur futbollisti që ka shënuar gol, jo vetëm që nxjerr fanellën dhe e tund në ajër, (për këtë veprim dënohët me karton të verdhë), por vrapon deri në tribunat e shikuesve, ku nuk mjaftohet me kaq, por kacaviret në hekurat që ndajnë tribunën nga pista, ose hapësira që rrethon fushën e lojës, dhe përshendet tifozët; ose, në mungesë të pistës, shkon të flamuri i këndit, shtrihet atje për shtatë pale qejfe, i mbuluar nga shokë të skuadrës, ndërsa gjyqtari dhe lojtarët kundërshtarë presin si gjynahqarë që ata të kujtohen dhe të renditen në gjysmëfushën lojës, e cila do të nisë kështu nga qendra. Madje, ka pasur raste që një ose disa lojtarë të skuadrës që shënon gol, nga euforia edhe kanë shkulur flamurin e këndit, dhe e kanë e përdorur si kitarë, nën vështrimin e qetë të gjyqtarit. Në këto raste ai duhet duhet t’i japë atij ose atyre kartonin e verdhë. Pas shënimit të një goli, futbollisti me shokët e tij sigurisht ka të drejtë të shprehë gëzim, por brenda vijave kufizuese të fushës, madje të shkojë drejt rrethit të saj. Ndaj, në regulloren e futbollit duhet shtuar shtuar një nen në bazë ,të të cilit gjyqtari të ndëshkojë futbollistët që kryejnë veprime të sipërpërmendura. Gjithashtu, për mbërthimet e futbollistëve kundërshtarë me duar në trup, në krahë, ose pas kapjesme duar të fanellës, në “Rregulloren e futbollit” duhet të shtohet një nen, sipas të cilit futbollistët që kryejnë veprime të tilla, të dënohen drejpërdrejt me karton të kuq. Dhe, nese ky veprim kryhet brenda zonës së rreptësisë, të jepet edhe një 11-metërsh, pavarësisht se aksioni zhvillohet në një hapësirë tjetër brenda saj, pra pa top. Te lojtarët duhet të ngulitet fort mirë mendimi se ata përdorin në fushë këmbët dhe jo duart, se prandaj loja quhet futboll, pra topkëmbë.
JO 11-METERSHA PAS SHTESES 2×15 MINUTA
Mendoj se do të ishte mirë që në “Rregulloren e futbollit” neni i gjuatjes së 11 –metërshave, pasi ndeshja me gjithë shtesën 2×15 minuta përfundon në barazim, të zëvendësohet me aksione vetjake nga një pikë me largësi 20-25 metra drejt portës kundërshtare. Nga pika e 11-mëtrëshit, siç e pamë edhe në europianin e fundit të zhvilluar në Francë, veçanërisht në ndeshjen Itali-Gjermani, nuk arritën të shënojnë edhe futbollistë të mëdhenj të të dyja skuadrave. Mendoj se ne vend të 11-metërshave futbollistët e të dyja skuadrave të nisen nga një largësi e sipërpermendur me top ndër këmbë dhe të përpiqen të shënojne gol ose duke gjuajtur mënjëherë, ose duke mashtruar portierin. Kështu ata do të tregojnë nivelin e tyre teknik në përdorimin e topit.
RIVENIE E TOPIT ME KMBEDHE JO ME DUAR
Siç dihet, kur topi del jashtë vijave fundore, portierët ose lojtarët bëjnë rivënien e tij në lojë me goditje nga vija e zonës së portës. Por kur topi del jashtë vijave anësore, çuditërisht rivënia bëhet… me duar. Eshtë një ‘relike ‘ e habitshme e regullores së ragbisë nga ka lindur futbolli, lojë ku rivënia e topit vezak bëhet me duar. Madje çudia më e madhe është se kur topi përfundon qoftë dhe një milimetër larg flamurit të këndit, tutje vijës fundore, skuadra sulmuese fiton goditje këndi. Kurse kur ai përfundon një… milimetër jashtë vijës anësore, kjo skuadër fiton vetëm rivenie me duar(!?).Dhe më e çuditshmja është se kjo rivënie nuk i jep as më të voglën përparësi skuadrës që e fiton atë, sepse, duke u bërë me duar, topi sa do të hidhet me forcë, nuk përfundon më shumë se 20-25 metra nga vendi nga ku ka dalë jashtë. Ky ështe paradoks!.. Për deri sa loja luhet me këmbë, edhe në këtë rast rivënia duhet të bëhet me këmbë. Ky regull do ta gjallëronte shumë lojën dhe futbollistët e të dyja skuadrave do të tregoheshin më të të kujdeshëm që të mënjanonin sa më shumë çdo nxerrje të topit nga vijat anësore.