• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

LIRIA NUK VJEN NGA RILINDJA E FERRIT, POR NGA LINDJA E DIELLIT

January 13, 2022 by s p

NGA  ALFONS GRISHAJ/

Kombet e qytetëruara kanë sakrifikuar miliona martirë për liri. Sakrifica për liri ka koston e vet, sepse është vlera më e lartë për jetën dhe integritetin e njeriut. Liria është luftë, përpjekje dhe djersë, frymë dhe shpirt, lëvizje dhe jetë, rregull dhe disiplinë, platformë e hyut për  qenësinë njerëzore. Herbert Hoover thotë “ Liria është një dritare  e hapur ku hyn drita e diellit dhe shpirti e dinjiteti njerëzor”. Hoover nuk thotë se liria është sinonim i  dritareve të mbyllura  me dyer të blinduara! 

          Imazhet e fundit në Selinë e PD-së (Selia e lirisë ) kanë trishtuar  botën shqiptare dhe ”civilizimin fondamental”. Tragji-komedi e hidhur që e bën ushtarin mbret dhe mbretin eremit. Kolazh depresiv të një  lidershipi të dështuar. 

Bunkerizimi i “ndërtesës së demokratëve” nuk quhet liri, dhe aq më pak dajaku mbi kurrizin e ndërtuesve dhe poseduesve të pronës së përbashkët. Lufta ndaj njëri-tjetrit (brenda llojit) tregon nivelin e karakterit më të ulët egocentrist.

           Vënia dorë mbi shoqi-shojin (vellezër të një ideali) është dhe kulmi i marrëzisë. Tregues depresiv, paburrëri dhe zero logjikë! Tradicionalisht, shqiptari nuk mund të rrahet, se errësira e rinkarnimit hap sirtarin e çdo nënqenie, duke zgjuar një inat mesjetar deri në sakrifikim. Atëherë kujt i shërben krijimi i  një armiqësie të stisur ? Këtu zë vend proverbi latin : “ Njeriu është ujk për njeriun .” = “Homo Homini lupus est”. Proverb që u përdor nga Plautus, dhe më vonë nga filozofi Tommas Hobes .

Kam shkrojtur dhe më parë: Lufta brenda llojit është simptomë e inteligjencës negative. Dhe kjo u vërtetua në “betejën” e PD-së  kundër vetvetes , “betejë” që  pati vetëm humbës  ! 

        Imagjinoni dy vëllezër që rrahen në dritën e diellit për hijet e tyre se cila zë më tepër hapësirë … dhe kur perëndon dielli… shohin se imazhet e rreme janë vanitas (bosh) dhe dashuria ndaj hijeve është vetëm ide fikse.

Ky është instikti egoist arkaik që prodhon gjithnjë nonsens dhe kthim prapa, ku habia  shpërndahet si një vello mjegulle e dendur në mëngjezet e ftohta duke kufizuar hapësirat e shikimit. Prehë e kësaj mjegulle bëhet elektorati demokrat që sillet si çifuti në shkretëtirë. 

        Disa “analistë” thonë se nga  ky nonsens  ka fituar  kreu i PS-së dhe PS… dhe  fatkeqësisht, Rama e pohon këtë me “dhimbje”. Unë mendoj, askush nuk ka fituar!  Të gjithë shqiptarët duhet të ndihen të turpëruar dhe të humbur … socialistë , republikanë, demokristianë  etj…mbasi kjo nuk ka të bëjë vetëm me PD-në, por me të gjithë kulturën pseudodemokratike shqiptare që  përçon  imazhin vetvrasës në kancelaritë perëndimore. 

Kjo ngjarje, pas të keqes ka dhe një të mirë se, do zgjojë Europën dhe Amerikën për të mbrojtur investimet e veta që kanë bërë në ngritjen e PD-së. Ata e kuptojnë mirë se pa një PD të fortë nuk do të ketë një demokraci të vërtetë dhe Shqipëri stabile. Një Shqipëri e destabilizuar mbetet një gozhdë në zemër të Europës dhe një bombë  me sahat në portat e perëndimit.

Politikanët perëndimorë nuk janë leshko që të mos e kuptojnë  se shkatërrimi i PD-së ka një prapavijë konspirative. 

Herët a vonë, komplotuesve do u ngrihet buzëqeshja në buzë. Fillimi do të nisë me kreun e PS-së dhe klanit të vet…

           Politikanët  klasike dhe moderne  perëndimore e dinë fort mirë se liria  nuk vjen nga rilindja e ferrit, por nga lindja e diellit. 

Imagjinoni për një çast çfarë do ndodhte me tokën sikur fuqia e Demiurgut t’a ndalonte rrotullimin e saj rreth diellit …dhe  nëse , Giordano Bruno të ishte gjallë dhe të thoshte : “ Eppur si muove” !! 

Filed Under: Politike

SHKAKU DHE PASOJA” NË KONTEKSTIN E BOTËKUPTIMIT SHQIPTAR

January 12, 2022 by s p

Filip Guraziu/

Tema e këtij shkrimi ndoshta mundet me qenë nji ndër ma të diskutuemet e  filozofisë botnore që ende vazhdon të studjohet, por çka ka të veçantë ose të  randësishme për shoqninë njerëzore ky çift emnash? Pranohet prej të tanëve, se sa  ma shumë njohje në lidhje me këto dy koncepte dhe varësinë që egziston ndërmjet  tyne, aq ma shumë problematika jetësore të sapiensit zgjidhen tue ndikue pozitivisht  drejt përparimit. Vlera dhe randësia që ato marrin, në interpretimin e saktë të  dukunive natyrore dhe ngjarjeve historike, konsiderohen primare për shoqninë  njërëzore për ndërgjegjësimin dhe pozicionimit konstruktiv të sajë. Interpretimi i  gabuem i dukunive dhe i ngjarjeve historike, pasojë e mos dijes ose e tranformimit  të qëllimshëm të fakteve në shërbim të interesave klienteliste, formojnë pengesë për  ecjen përpara të shoqnisë njërëzore.  

 Me përjashtim të kohëve të fundit, historia e njërëzimit dëshmon në drejtim vetem  sisteme shoqnore monarkike dhe diktatoriale, ideologjia e të cilëve, për interesa të  ngushta, transformonte qëllimisht të vertetën historike me pasojë ” mbjelljen” e nji  morali destruktiv. Zhvillimet historike janë plot me shëmbuj të shëmtuet të ” bëmave”  që shkaktuen popuj të ndryshëm, në kohë të ndryshme prej indoktrinimit moral  negativ të ideologjive radikale fetare, diktatoriale, rraciste, kolonialiste, imperialiste.   Si të gjithë popujt e ballkanit edhe shqiptarët “gjinden të mbarsun” me lloj, lloj  mentalitetesh që pengojnë formimin kulturor bashkëkohor; psh. pranohen apriori,  ” pa e lodhë fort mendjen” si të verteta absolute se ” vetem shqiptarët janë populli i  viktimizuem në Europë”; se ” fajin për çka ka shkue e shkon keq në botën shqiptare e  kanë gjithmonë të tjerët ; se shqiptarët nuk janë popull pushtues”; “se vetem  shqiptarët kanë besë ” etj. Personalisht më intrigon psikologjia zotnuese te shqiptarët  se ” fajin e kanë gjithmonë të tjerët”, që ma me shumë fjalë intrpretohet: se  “shkakun” në lidhje me “pasojat” (situata jo të kënaqëshme që kanë përjetue ose që  përjetojnë shqiptarët) nuk duhet t’i kërkojmë mbrenda vetes (shqiptarëve), por jashtë  vetes, te të tjerët…!  

 Çdo aspekt i jetës së përditëshme na ballafaqon me interpretimin e drejtë ose të  gabuem të konceptit të masipërm, p.sh., qytetarët ankohen për mos pastrimin e  mirë të territorit prej Bashkisë, por në veprimtarinë e tyne , janë po ato që hedhin  letra, cingare e mbeturina në vende që nuk lejohen, pra “shkaku” i mospastrimit të  qytetit nuk asht vetem Bashkia, por janë edhe vetë qytetarët ( shkaku mbrenda nesh);  qytetarët ankohen se qeveria nuk po merr masat e duhuna kundër Covidit, por në të  njajten kohë askush nuk e ven masken aty ku asht urdhni me e vue, përsëri pra shkaku 

i përhapjes së virusit nuk duhet ta kërkojmë vetem jashtë nesh ( te qeveria ), por edhe  mbrenda nesh ( te vetëvetja) etj.  

 Shqiptarët kritikojnë kryeministrin e Prusisë, Bismarkun i cili gjatë diskutimeve për  çështjen shqiptare paska pasë thanë se ” Shqipnia asht shprehje gjeografike “, por  kurrë dhe askush prej historianëve nuk sqaroi se pikërisht në atë periudhë, kur  Perandoria Turke ishte shpartallue në luftën kundër Rusisë ( 1877-1878) dhe në  ballkan po skicoheshin territoret e shteteve të reja, me porosinë e autoriteteve turke  shqiptarët organizuen Lidhjen e Prizrenit, vendimi fillesatar i së cilës ( sepse i dyti  ndryshoi pozitivisht…) mbronte tokat islame dhe jo ato shqiptare….! Pra klasës  drejtuese dhe sunduese të shqiptarëve ne vjetin 1878 nuk i binte fort ndërmend për  Shqipninë ( me përjashtime të rralla si shëmbulli i heroit shkodran Hodo Sokolit ), por  ishin gati të jepshin jetën për mbrojtjen e territoreve të perandorisë Turke.  

 Kur në Kongresin e Manastirit, 1908, dijetarë shqiptarë të bashkuem, si kurrë ndonji  herë, zgjodhen alfabetin latin për shkrimin e gjuhës shqipe tue i deklarue mbarë botës  përzgjedhjen e ardhmënisë europiane, në Shkodër ( në nji ndër qytetet shqiptare ma  të zhvilluem e të njoftun ndërkombëtarisht) zanat kundërshtues të alfabetit latin iu  drejtuen qiellit për mallkim në emën të Zotit kundër atyne që kishin ba “mkatin e  madh”…, ate të braktisjes së alfabetit arab|  

 Në vjetin 1912 ishte shpallë pamvarësia e shtetit të ri Shqiptar ( me territore të  cungueme), por situata praqitej problematike prej grykësisë territoriale  ekspansioniste të shteteve kufitarë. Europa , në vazhdim të praktikës së suksesëshme  të vendosjes së nji monarku në krye të shteteve të rij në Ballkani ( Greqi, Rumani dhe  Bullgari), në vjetin 1914 vendosi në krye të shtetit të sapoformuem shqiptar,  gjermanin Princ Vidi, por ç’ka ndodhi ? Dhuna e shqiptarëve “patriotë” me parullën ”  Dum Baben” shkatërroi të ardhmen europiane…, pikërisht kët të ardhme për të cilën  sot shqiptarët po “zhgarraviten” për me qenë pjesë e sajë  

 Konkluzioni ? Kur ti o shqiptar mohon vetëveten, kur ti o shqiptar harron vetëveten,  si të shkon ndërmend se duhet me të nderue e me të kujtue te tjerët ? Ku duhet pra  ta kërkojmë shkakun e të keqes që ndodhi me territoret e banueme historikisht prej  shqiptarëve; mbrenda apo jashtë nesh? Ç’asht e verteta përcaktimi i ” shkakut” në  kët rast nuk asht ” bardh e zi”, mbasi rol kryesor për sa ma sipër, kanë luejtë edhe  interesat ekspansioniste të shtetve imperialiste, por megjithate…, sikur shqiptarët në  atë moment historik do të ishin ma të ndërgjegjësuem e ma të bashkuem për krijimin  e shtetit të tyne, harta e Shqipnisë me siguri do të ishte ndryshe…!  

 Megjithëse mbas 44 vjetëve dhunë të diktaturës enveriste populli shqiptar përjetoi  situatën e nji vorfnie ekstreme, ( aq sa çuditi mbarë botën ; kujtoj braktisjen epokale

masive të vendit amë me anijet e stërmbushuna – ‘ albanian boat people’ prej “njëriut  të ri socialist”) ende sot drejtuesit e politikës, shtetit dhe kulturës akademike  shqiptare nuk demostrojnë në praktikë ndamjen përfundimtare prej asaj ideologjie  përverse. Masivisht shqiptarët ankohen se B.E. nuk na përfillë e nuk po na pranon në  gjiun e sajë, megjithëse ” neve i kem bërë detyrat “. Pra, mosanëtarësimi në B.E që  në kët rast asht “pasoja”, rrjedhka prej ” shkakut” të mos funksionimit të mirë ose  funksionimit burokratik të B.E….! Përsëri ” shkakun ” e kërkojmë jashtë nesh dhe  harrojmë ose bajmë sikur harrojmë se në ç’far gjëndje e ka pozicionue vendin politika  30 vjeçare post diktatoriale. Jo në nji shkrim gazete, por nuk mjafton nji roman me  shumë faqe për me rreshtue gjendjen skandaloze të administrimit të shtetit  shqiptar…. Kush e ka pra fajin se jemi të refuzuem prej B.E.-së ? A e keni pyetë  ndonjiherë vetëveten pse Montenegro që i filloi praktikat e pranimit në B.E. rreth 10  vjetë mbrapa Shqipnisë, sot asht ma afër pranimit në B.E se Shqipnia? Për këdo që ka  sy me pa, veshë me ndigjue e tru me mendue, përfundimi asht i qartë: ” shkakun” që  ende sot mbas 30 vjetëve diktaturë komuniste, Shqipnia nuk ban pjesë në B.E. duhet  ta kërkojme te drejtuesit e pa aftë e me formim të mangët moral, kulturor e patriotik  të politikës e të shtetit shqiptar, pa harrue popullin shqiptar që fatkeqësisht luen rolin  e ” spektatorit” dhe jo të “aktorit” në dramën shqiptare që po përjetojmë…! Shëmbujt  si ma sipër janë të shumtë në botëkuptimin e popullit shqiptar.  

Përfundimi ? Përparimi imponon s’pari ndryshimin pozitiv mbrenda vetes tonë,  mbrenda shqiptarëve!  

 “Shkaku dhe Pasoja” nuk duhen konsiderue ” lojna fjalësh për humor  karnevalesh”…, por korelacion filozofik me të cilët ndërlidhet ngusht përparimi i  qëndrueshëm i nji populli. Kuptimi i drejtë, pozicionimi optimal në raport me shkakun  e nji dukunie materiale apo ideale, thërret, organizon, mobilizon fuqi të  mbrendëshme pozitive kombëtare në funksiontë të projektimit të nji “pasoje” që sjell  përparim për mbarë popullin. ” Kumonat” bijnë për të tanë, por kryesisht për eliten  intelektuale dhe drejtuesit e politikës e të shtetit shqiptar ! Ndërgjegjësimi i drejtë  dhe bashkëkohor i nji populli mundëson analizimin e saktë të “shkakut” në funksion  të “pasojës”. Në kët kandvështrim del urgjente konsolidimi i nji strategjie edukuese  konstruktive ( edhe ligjore) në funksion të ndërgjegjësimit me botëkuptim  bashkëkohor europian të shqiptarëve; bashkimit shpirtnor të tyne, respektimit të  dinjitetit e të simboleve të shqiptarizmit dhe konsolidimit të identitetit kombëtar. 

Filip Guraziu

Filed Under: Analiza

Presidenti Meta, vizitë dhe ligjëratë në ITShKSh të Shkupit

January 12, 2022 by s p

Shkup, 11.01.2022 – Sot Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, e vizitoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, i cili para studentëve të universiteteve shqiptare mbajti një ligjeratë me temën “Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri – sfidat dhe perspektivat”.

Presdenti Meta në fjalën e tij veç tjerash tha se shqiptarët duhet gjetur të gjitha format dhe mundësitë për bashkëpunim të ndërsjellë në rajon, duke i këmbyer aseset kulurore, shkencore dhe ekonomike, për t’u bërë ballë sfidave që na presim në këtë mijëvjeçar të ri. Sipas tij, për të gjithë shqiptarët është shumë e rëndësishme që bashkërisht të punojnë që në këto hapësira të mbisundojë ligji, vlerat evropiane dhe euroatlantike, demokracia dhe bashkëjetesa me të gjitha komunitetet, për të pasur një prosperitet dhe stabilitet të garantuar. 

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se në këtë kohë kur regjistrohen trende shqetësuese të ikjes së të rinjve nga vendi, nga këto duam të përcjellim porosinë deri te politikbërësit që të kenë kujdes më të shtuar ndaj rinisë, e cila duhet të ngelet këtu për të vepruar për vendin tonë. 

Paraprakisht, Presidenti Meta bashkë me delegacionin e Departamentit të Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereza pranë ITShKSh-së, vendosën lule pranë pllakës përkujtimore ku gjendej shtëpia e Gonxhe Bojaxhiut në sheshin e Shkupit. 

Filed Under: Rajon

BUJAR QAMILI PRITET SI AMBASADOR I KËNGËS SHKODRANE NË KOSOVË

January 12, 2022 by s p

Nga Ramazan Çeka

Qejfe, qejfe kjo dynja, qejf ma t’madh kaherë s’kam ba.

   Ky titull kaq i gjetur, kaq gazmor e intrigues ishte edhe lajtmotivi i kësaj mbrëmjeje koncertale që Televizioni prestigjioz “TV 21” në Prishtinë do të sillte para publikut të madh në ekranin e vogël, me rastin e festave të fundvitit, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2022. 

   Në formatin e titulluar “Qejfe, qejfe kjo dynja”, që për nga organizimi ngjason shumë me një odë të gëzuar shqiptare, ku janë ulur miq të nderuar, ishte i ftuar këngëtari shkodran Bujar Qamili “Mjeshtër i Madh”, së bashku me këngëtarët; Mukades Çanga “Mjeshtre e Madhe”, Gëzim Salaj, Egzona Salaj, Edi Ermeni dhe Klinsman Llazani, duke plotësuar kështu në një farë mënyre formatin e një festivali, që do të pasqyronte muzikën popullore qytetare jo vetëm shkodrane, por mbarë kombëtare, pasi zërat e mrekullueshëm që do të performonin do të sillnin edhe këngë nga të gjitha trevat shqiptare.

   Në sofrat shqiptare kënga, humori, gjallëria nuk mungojnë kurrë, pasi ato janë karakteristika vitale të shqiptarit, por si i thonë fjalës “qejfi bahet me shkodranë” dhe me të vërtetë gjallërinë e gazmendin kësaj nate shkodrane ia dha Bujari me zërin e tij të mrekullueshëm, duke performuar mes shumë duartrokitjesh disa këngë nga repertori më i bukur shkodran, i shoqëruar nga kolegët e tij këngëtarë, si dhe nga grupi orkestral mikpritës, i përbërë nga Artan Rexhepi në sint, Sead Muqa në klarinet, si dhe Filonid Nille Gjikolli tupana, i drejtuar nga maestro Gazmend Kraja, ku binte në sy dashamirësia e kolegëve të tij që ishin edhe spektatorët e vlerësuesit e kësaj nate.

   Ky koncert me aromë shkodre, me përmasat e një spektakli të realizuar në perfeksion, organizuar me profesionalizëm nga moderatori dhe këngëtari i mirënjohur Visar Peja, plotësoi kështu më së miri repertorin mbarë kombëtar të këtij aktiviteti. Bujar Qamili ndër të tjera zhvilloi edhe një bisedë shumë miqësore për këngën shkodrane, për këngën popullore shqiptare, për traditrën e saj dhe për trashëgiminë tek brezat e ri.

   U interesova për domethënien e emërtimit të “TV 21” dhe jo vetëm u befasova, por edhe u ndjeva shumë i kënaqur kur më shpjeguan se nr.21 përfaqësonte shekullin e ri. Në shekullin e ri ka hyrë gjithë njerëzimi, por për popullin e Kosovës ai është shekulli i Rilindjes, pasi deri në fund të vitit 1999 ata ishin të shtypur e gjakosur nga pushteti ushtarak nacionalist serb. Prandaj kjo Rilindje që filloi në vitin 2000, pra në shekullin e ri solli në jetë atë që vetë kosovarët e quajtën “NEWBORN” dhe që e përjetësuan në një monument memorial unikal në të gjithë botën.

   Për herë të parë, përmes ekranit të këtij televizioni shpërtheu fjala e lirë dhe në panelet e tij u ngjit mendimi, muzika, opinioni dhe debati i pacensuruar shqiptar duke i treguar botës se Kosova rilindi në duart e Nënës Liri…

   E kush më mirë se kënga shkodrane do t’i jepte jetë spektaklit “Qejfe, qejfe kjo dynja” duke e kthyer atë në një mbrëmje shkodrane me këngën e saj të bukur, e cila që nga lindja e saj ka qenë dhe është një ushqim shpirtëror, një frymëzim në jetën e përditshme, një krenari qytetare e pse jo një institucion artistik e kulturor i përbërë nga poetë, kompozitorë, instrumentistë e këngëtarë, të cilët jo vetëm arrijnë të ruajnë vlerat e kësaj pasurie që nga krijimi, por edhe t’i kultivojnë e trashëgojnë në breza. 

   Prandaj kënga popullore qytetare shkodrane është gjithmonë vitale dhe e kristaltë si një burim me ujë bjeshke që nuk shterron kurrë. Muzikantët dhe këngëtarët i ruajnë dhe interpretojnë motivet e vjetra të këngëve qytetare shkodrane, por njëkohësisht krijojnë edhe këngë të reja, brez pas brezi gjithnjë duke ruajtur karakteristikat që lejon ky institucion.

   Programi më i ndjekur televiziv në TV-21 “Qejfe, qejfe kjo dynja” i qytetit të Prishtinës me stafin e tij organizatorët: Ideatore Xheraldina Vula, Producent Artistik Ben Apolloni, Producentë muzikorë Edona Gjonbalaj dhe Edita Rama, Peod Organizativ Milot Nuraj, Regjia Agron Vula dhe Astrit Idrizi, gjithnjë e më shumë po arrin të marrë vëmëndje dhe audiencë. 

   Atmosfera dhe panorama vizuale festive e skenike, natyrshëm po kthehet në një superspektakël televiziv, jo vetëm për teleshikuesit e Kosovës, por për të gjithë teleshikuesit shqiptarë anë e mbanë botës, në Shqipëri e më gjërë, pasi ky televizion zë vënd tek Mediat Kombëtare të Kosovës.

   E gjithë merita e kësaj vëmëndje i atribuohet këngtarit të mirënjohur Visar Peja, moderator dhe menaxher i këtij programi, i cili me shumë kujdes dhe përkushtim ka mundur të kapë majat e pritshmërive për të plotësuar kërkesat e teleshikuesve, pavarsisht kostos apo rivalitetit që egziston me këtë gamë kanalesh televizive shqipfolëse.

   Dhjetor 2021

Filed Under: Fejton

Qeveria e Kosovës, shumë përkushtim modernizimit të Ushtrisë

January 12, 2022 by s p


-Kryeministri Kurti dhe ministri Mehaj vizituan Regjimentin e parë të Forcave Tokësore të FSK-së në Kazermën “NewBorn”/


PRISHTINË, 11 Janar 2022-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendësministri Shemsi Syla dhe zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, në përvjetorin e 38-të të rënies së heronjve, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, vizituan sot Regjimentin e parë të Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Kazermën “NewBorn”, në Gjilan.
Në fjalimin para pjesëtarëve të Regjimentit, kryeministri Kurti u shpreh i nderuar dhe krenar për vizitën dhe shtoi se nuk ka mënyrë më të mirë për të filluar vitin e ri.
Kryeministri Kurti theksoi se ngritja e ushtrisë është detyrë e përbashkët dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës e merr me shumë përkushtim modernizimin e ushtrisë si me pajisje dhe me armatim, ashtu edhe kushtet e shërbimit, si dhe me ofrimin e mundësive ku ushtarët mund t’i tregojnë shkathtësitë e tyre.
Më tej, ai tha se këmbësoria, si degë më e vjetër e ushtrisë, dëshmon që teknologjia dhe pajisjet ushtarake, sado të sofistikuara dhe precize, nuk mund ta zëvendësojnë vrullin dhe fuqinë e luftarakut të zot.
“Në vitin që lamë pas, FSK-ja tregoi profesionalizëm të lartë, përkushtim në shërbim të paqes e sigurisë, jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe jashtë, si dhe, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe të gjithë ata që kanë nevojë”, tha kryeministri Kurti.
Gjatë fjalimit të tij, ai theksoi si një ndër sukseset më të larta të vitit 2021, pjesëmarrjen në “Defender Europe ‘21”, ku u tregua gatishmëria, profesionalizmi dhe ndërveprimi me ushtarakët e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Pjesëmarrja në ushtrimin ndërkombëtar dhe validimi i suksesshëm i kompanisë tuaj, është testament i arritjeve, të cilët na bëni çdo ditë krenarë të gjithë neve”, tha kryeministri Kurti. Ai shprehu bindjen se sfida e radhës, “Defender Europe ‘23”, do t’i gjejë edhe më mirë, edhe më të përgatitur.
Në të njëjtën ditë, me rastin e 38 vjetorit të rënies së dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, ministri Mehaj, në shoqërim të zëvendësministrit Syla dhe stafit të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, vizituan familjet e tyre në Gjilan.
Ata gjithashtu bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve të komunës së Gjilanit.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT ALBIN KURTI:
I nderuar ministër i Mbrojtjes, z.Armend Mehaj, I nderuar zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Major, Enver Cikaqi, I nderuar Komandant i Regjimentit të Parë të Komandës së Forcave Tokësore, Nënkolonel Albert Kuçi,
Është kënaqësi të jem këtu në kazermën tuaj, në mesin e juve ushtarakëve të përkushtuar për t’ju takuar dhe për të parë për së afërmi punën tuaj,
Ju, Ushtria e Kosovës jeni edhe ëndrra edhe amaneti i brezave ndër vite, që sakrifikuan të vlefshmen për të shtrenjtën, dhanë jetën për lirinë.
Ju, me shërbimin tuaj fisnik, përgatiteni çdo ditë ta mbroni atdheun. S’kam sesi mos të ndihem i nderuar dhe krenar dhe nuk ka mënyrë më të mirë për të filluar vitin e ri. Këmbësoria, si degë më e vjetër e ushtrisë, dëshmon që teknologjia dhe pajisjet ushtarake, sado të sofistikuara dhe precize, nuk mund ta zëvendësojnë vrullin dhe fuqinë e luftarakut të zot. Kjo e shton përgjegjësinë e udhëheqësve tuaj dhe secilit prej juve, që me moral të lartë dhe me përkushtim intensiv, si dhe me punë ekipore dhe stërvitje të rregullt, të veproni bashkë, shumë bashkë, aq bashkë, sa që sikur një. Forca e Sigurisë së Kosovës çdo ditë rritet me kapacitetet e saj, duke dëshmuar, që është gati për përgjegjësitë e reja dhe për detyra edhe më të mëdha. Në vitin që lamë pas, FSK-ja sërish ka treguar profesionalizëm të lartë, përkushtim në shërbim të paqes e sigurisë, jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe jashtë, si dhe, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe të gjithë ata që kanë nevojë. Një ndër sukseset më të larta të vitit 2021, është pjesëmarrja në “Defender Europe ‘21”, ku ju treguat gatishmërinë, profesionalizmin dhe ndërveprueshmërinë me ushtarakët e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pjesëmarrja në ushtrimin ndërkombëtar dhe validimi i suksesshëm i kompanisë tuaj, është testament i arritjeve, të cilët na bëni çdo ditë krenarë të gjithë neve.
Sfida e radhës, “Defender Europe ‘23”, do t’ju gjejë edhe më mirë, edhe më të përgatitur.
Unë jam i sigurt në suksesin tuaj edhe në këtë ushtrim. Prapë do të tregoni që Ushtria e Kosovës, është ushtria e disiplinuar, e trajnuar mirë dhe ushtri e sukseseve.
Këtë do ta arrini me punë të përbashkët ekipore, duke mësuar nga njëri-tjetri dhe nga udhëheqësit tuaj ushtarakë.
Mbi të gjitha, këtë do ta arrini me zell dhe me motiv, për ta lartësuar vendin, shtetin dhe popullin tonë.
Ngritja e Ushtrisë është detyrë e jona e përbashkët. Qeveria e Republikës së Kosovës e merr me shumë përkushtim modernizimin e Ushtrisë, si në pajisje dhe armatim, ashtu dhe kushtet e shërbimit, si dhe në ofrimin e mundësive, ku ju mund të tregoni shkathtësitë e juaja ushtarake.
Arritja e qëllimeve tona shtetërore dhe kombëtare, kërkon shumë punë, disiplinë dhe bashkëveprim. Ushtria këtë e kultivon më së shumti. Ju këtë e tregoni më së miri.
Ju faleminderit dhe urime e gëzuar viti 2022!

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT