Nga Ramazan Çeka
Qejfe, qejfe kjo dynja, qejf ma t’madh kaherë s’kam ba.
Ky titull kaq i gjetur, kaq gazmor e intrigues ishte edhe lajtmotivi i kësaj mbrëmjeje koncertale që Televizioni prestigjioz “TV 21” në Prishtinë do të sillte para publikut të madh në ekranin e vogël, me rastin e festave të fundvitit, Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2022.
Në formatin e titulluar “Qejfe, qejfe kjo dynja”, që për nga organizimi ngjason shumë me një odë të gëzuar shqiptare, ku janë ulur miq të nderuar, ishte i ftuar këngëtari shkodran Bujar Qamili “Mjeshtër i Madh”, së bashku me këngëtarët; Mukades Çanga “Mjeshtre e Madhe”, Gëzim Salaj, Egzona Salaj, Edi Ermeni dhe Klinsman Llazani, duke plotësuar kështu në një farë mënyre formatin e një festivali, që do të pasqyronte muzikën popullore qytetare jo vetëm shkodrane, por mbarë kombëtare, pasi zërat e mrekullueshëm që do të performonin do të sillnin edhe këngë nga të gjitha trevat shqiptare.
Në sofrat shqiptare kënga, humori, gjallëria nuk mungojnë kurrë, pasi ato janë karakteristika vitale të shqiptarit, por si i thonë fjalës “qejfi bahet me shkodranë” dhe me të vërtetë gjallërinë e gazmendin kësaj nate shkodrane ia dha Bujari me zërin e tij të mrekullueshëm, duke performuar mes shumë duartrokitjesh disa këngë nga repertori më i bukur shkodran, i shoqëruar nga kolegët e tij këngëtarë, si dhe nga grupi orkestral mikpritës, i përbërë nga Artan Rexhepi në sint, Sead Muqa në klarinet, si dhe Filonid Nille Gjikolli tupana, i drejtuar nga maestro Gazmend Kraja, ku binte në sy dashamirësia e kolegëve të tij që ishin edhe spektatorët e vlerësuesit e kësaj nate.
Ky koncert me aromë shkodre, me përmasat e një spektakli të realizuar në perfeksion, organizuar me profesionalizëm nga moderatori dhe këngëtari i mirënjohur Visar Peja, plotësoi kështu më së miri repertorin mbarë kombëtar të këtij aktiviteti. Bujar Qamili ndër të tjera zhvilloi edhe një bisedë shumë miqësore për këngën shkodrane, për këngën popullore shqiptare, për traditrën e saj dhe për trashëgiminë tek brezat e ri.
U interesova për domethënien e emërtimit të “TV 21” dhe jo vetëm u befasova, por edhe u ndjeva shumë i kënaqur kur më shpjeguan se nr.21 përfaqësonte shekullin e ri. Në shekullin e ri ka hyrë gjithë njerëzimi, por për popullin e Kosovës ai është shekulli i Rilindjes, pasi deri në fund të vitit 1999 ata ishin të shtypur e gjakosur nga pushteti ushtarak nacionalist serb. Prandaj kjo Rilindje që filloi në vitin 2000, pra në shekullin e ri solli në jetë atë që vetë kosovarët e quajtën “NEWBORN” dhe që e përjetësuan në një monument memorial unikal në të gjithë botën.
Për herë të parë, përmes ekranit të këtij televizioni shpërtheu fjala e lirë dhe në panelet e tij u ngjit mendimi, muzika, opinioni dhe debati i pacensuruar shqiptar duke i treguar botës se Kosova rilindi në duart e Nënës Liri…
E kush më mirë se kënga shkodrane do t’i jepte jetë spektaklit “Qejfe, qejfe kjo dynja” duke e kthyer atë në një mbrëmje shkodrane me këngën e saj të bukur, e cila që nga lindja e saj ka qenë dhe është një ushqim shpirtëror, një frymëzim në jetën e përditshme, një krenari qytetare e pse jo një institucion artistik e kulturor i përbërë nga poetë, kompozitorë, instrumentistë e këngëtarë, të cilët jo vetëm arrijnë të ruajnë vlerat e kësaj pasurie që nga krijimi, por edhe t’i kultivojnë e trashëgojnë në breza.
Prandaj kënga popullore qytetare shkodrane është gjithmonë vitale dhe e kristaltë si një burim me ujë bjeshke që nuk shterron kurrë. Muzikantët dhe këngëtarët i ruajnë dhe interpretojnë motivet e vjetra të këngëve qytetare shkodrane, por njëkohësisht krijojnë edhe këngë të reja, brez pas brezi gjithnjë duke ruajtur karakteristikat që lejon ky institucion.
Programi më i ndjekur televiziv në TV-21 “Qejfe, qejfe kjo dynja” i qytetit të Prishtinës me stafin e tij organizatorët: Ideatore Xheraldina Vula, Producent Artistik Ben Apolloni, Producentë muzikorë Edona Gjonbalaj dhe Edita Rama, Peod Organizativ Milot Nuraj, Regjia Agron Vula dhe Astrit Idrizi, gjithnjë e më shumë po arrin të marrë vëmëndje dhe audiencë.
Atmosfera dhe panorama vizuale festive e skenike, natyrshëm po kthehet në një superspektakël televiziv, jo vetëm për teleshikuesit e Kosovës, por për të gjithë teleshikuesit shqiptarë anë e mbanë botës, në Shqipëri e më gjërë, pasi ky televizion zë vënd tek Mediat Kombëtare të Kosovës.
E gjithë merita e kësaj vëmëndje i atribuohet këngtarit të mirënjohur Visar Peja, moderator dhe menaxher i këtij programi, i cili me shumë kujdes dhe përkushtim ka mundur të kapë majat e pritshmërive për të plotësuar kërkesat e teleshikuesve, pavarsisht kostos apo rivalitetit që egziston me këtë gamë kanalesh televizive shqipfolëse.
Dhjetor 2021