• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2022

GERALDINA, KONTESHA QË “KRISHTEROI” DHE EUROPIANIZOI MBRETËRINË SHQIPTARE, ME SHTATORE NË TIRANË

February 2, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

Me 01 shkurt 2022 në Tiranë u vendos shtatorja e Mbretëreshës Geraldinë, me financimin e  qeverisë së Republikës të Hungarisë. Meqense media të ndryshme e transmetuan këtë eveniment, unë mendova që me këtë rast të “ndalëm”te një histori e shkurtër e mbretërisë, dhe të konteshës që u bë mbretëreshë e shqiptarëve. 

NË VEND TË HYRJES, NJË HISTORI E SHKURTËR E MBRETËRISË SHQIPTARE

 Me 01 shtator 1928 Asambleja Kushtetuse e dalë nga zgjedhjet e 17 gushtit 1928, vendosi që forma qeverisëse në Shqipëri të ishte Mbretëri (Royaume) Demokratike, Parlamentare dhe e Trashëgueshme, dhe Mbreti i shqiptarëve ishte Zogu I. Deri atëherë “tradita” qeverisëse e shqiptarëve kishte kaluar rreth  katër shekuj e gjysëm e “mbështjellë” me vellon e errësirës , kerbaçit dhe kulaçit  që serviri sundimi Turko-Osman në Shqipëri, si dhe në kalvarin e intrigave e luftrave që sillte pa prerë grykësia e fqinjëve sllavë që kërkonin të shkyenin sa të mundnin nga trojet shqiptare… Mbretëria shqiptare përveç shpresës kishte brenda edhe mjaft element të perandorisë turkoshake, ku spikasin rreth këtij oborri mbretëror shumë përfaqësues në zë të familjeve feudale e të “nderuar” me tituj nga Turqit si ,”beg”, “aga” ,”bajraktar”, “pasha” ,”vezir” e të tjer të “zgjedhur”, kur në fakt këto tituj nuk ishin rrjedhim i formimit historik, por në shumicë i përkisnin atyre familjeve që me zellin shpesh edhe të tepruar i kishin shërbyer lakunisë së pushtuesit Aziatik  turko-osman i cili i kishte shpërblyer në kohën e tyre , por që mjerisht disa nga këta ende ishin “mina” me sahat për kombin tonë (kujtojmë Esat Pashë Toptanin e tjerë). Mbreti i kurorëzuar ishte në fakt një malësor i shkolluar nga Mati , i cili rrjedhte nga një familje (Zogollëve) që ndonëse kishin kohë që kishin ndërruar fenë (duke u bërë musliman), por që kishin vërtetuar se nuk kishin ndërruar  atdheun e detyrimet ndaj tij. Këtë mund ta ilustrojmë të paktën me vetë mbretin Ahmet Zogu, i cili ishte një ndër pjesëmarrësit aktivë në Kongresin e Lushnjes (1920) dhe qeverinë e saj, por edhe pjesëmarrës në drejtimin e luftërave mbrojtëse të këtyre viteve (kujtojmë luftën e Koplikut 1920…). Gjithsesi  zhvillimet e mëvonshme, para dhe pas mbretërisë ende “rrezatonin”  çehre të verdhë aziatike, ndërsa armiqtë e ndërgjegjshëm dhe të “pandërgjegjshëm” të Shqipërisë me “furçën” në dorë (në të shumtën sllavo-bolshevike) kërkonin t’ja shtonin ngjyrën e verdhë aziatike mbretërisë, ku edhe në mes kësaj “mjegullnaje” si për inat të armiqve të vjetër e të rinjë të kombit tonë kishte arritur mjaft suksese në krijimin e një shteti jo pak “modern” për kohën. Për të plotësuar këtë ia vlen të theksohet se në Europë kishin filluar të hedhin shtat dy ideologji e sisteme të kundërta në dukje por të përafërta në qeverim e mjerim, Komunizmi dhe “alternativa” e ekstremit tjetër Fashizmi. Natyrisht në këto kushte mbretëria shqiptare ishte më e sulmuar se kurrë, madje pika më e goditur ishte ajo se duke qenë musliman nga besimi mbretin Ahmet Zogu shpesh e akuzonin si Turko-Osman , anadollak dhe epitete të tjera të cilat jo pak e dëmtuan në arenën kombëtare dhe atë ndërkombëtare Shqiperinë. Roli i fqinjëve sllavë nuk kishte aq rëndësi sa roli i “ambasadorëve”, disa dhe me orientim Bolshevik që ishin shpërndarë nëpër botë, nën pretekstin e përndjekjes politike nga mbretëria… Në këto kushte aspak të favorshme, madje kur kishte filluar të fabrikohej edhe justifikimi i pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste (në atë kohë ende ishte sekret i fashistëve…), një ndër “justifikimet” e pushtimit siç do të merrej vesh më vonë kishte qenë edhe pushtimi i trojeve shqiptare për t’i çliruar gjoja nga mbretëria “anadollake” e Ahmet Zogut , shqiptarët e “robëruar”, ku si çlirimtarë do të “priteshin” fashistët. Pikërisht  në këto ditë të vështira mbretit Zog  I  ju “servirën” tre fotografi të konteshës së re Hungareze me emrin Geraldina nga një gjeneral dashamirës i mbretërisë, ku ju dërgua dhe jetëshkrimi i shkurtër i kësaj konteshe katolike, që pas njohjes reciproke më 10 janar të vitit 1938, Kontesha Geraldinë Appony pranoi të bëhej bashkëshortja e Mbretit Shqiptar, ndonëse ai ishte i besimit musliman ,dhe ajo katolike.. Oborri mbretëror e shpalli këtë fejesë më 30 janar 1938, dhe të nesërmen edhe parlamenti shqiptar e miratoi këtë fejesë pa asnjë kundërshtim, duke i dhënë një “leksion” të mirë Europës plakë e cila ende e shihte mbretërinë me syze turkoshake, por pas kësaj jo më kot disa gazeta të Europës fejesën e Konteshës katolike me mbretin musliman e quajtën më shumë se civilizim i mbretërisë…Por përpara se të shkojmë tek martesa po paraqesim një jetëshkrim fare të shkurtër të kësaj konteshe që do të vinte kurorën e mbretërisë sonë:  

PAK NGA CURRICULUMI I KONTESHËS GERALDINË… 

Kontesha Geraldinë lindi më 6 gusht 1915 në Gjenevë të Zvicrës, ajo ishte e bija e kontit Hungarez Xhula Appony, dhe e konteshës Gledis Stjuart nga Amerika e largët. I ati i Geraldinës konti Xhula, në fillim të luftës së parë botërore kishte marrë pjesë në forcat Austro-Hungareze duke luftuar kundër Serbëve. Mbarimi i luftës së parë botërore, dhe shpërbërja e perandorisë (Austro-Hungareze) shkaktoi probleme për këtë familje dhe vetë shtetin Hungarez i cili u copëtua jo pak në bazë të traktatit të Trianonit, ku pjesë të bukura të Hungarisë së bashku me tre milion e gjysëm hungarezë u lanë jashtë kufinjve etnikë të Hungarisë (“fat” i përbashkët me shqiptarët). Çifti Appony kishte pasur edhe dy fëmijë të tjerë, një djalë dhe një vajzë. Pas vdekjes së babait të tyre, kontit  Xhula Appony në vitin 1924, “jetimët” shkuan në kolegjin “Sacre Coeur” të Petersburgut, Austri, ku edhe mbretëresha e ardhëshme Geraldina do të arsimohej duke kryer fakultetin e shkencave shoqërore dhe financiare. Për Geraldinën e motrën e saj u kujdes halla e saj (motra e babës), kontesha Karoly, e cila zotëronte një nga kështjellat më të bukura dhe më të famshme të Hungarisë në Zebegeny. Thonë se kjo konteshë e kishte bërë zakon që në periudhën verore të priste të gjitha mbesat e saja, ku për to kishte përgatitur një “fshat” ku kishte të mbjellura të gjitha llojet e luleve e dekoracionet më fantastike të gërshetuara me mjaft fantazi e bukuri. E mbesat e kësaj konteshe që kalonin verën këtu të gjitha kishin marrë një emër luleje. Për shkak të bukurisë të bardhësisë së saj natyrale Geraldina kishte marrë emrin Trëndafili i Bardhë i Hungarisë… Që pa vonuar do të “zbardhte” me ngjyrën e bardhë të krishtërimit, mbretërinë disi të “verdhëcitur” të shqiptarëve. E kjo ndodhi me martesën e Geraldinës me Mbretin shqiptar me datën 27 prill 1938, ku kjo datë “koinçidonte” me martesën e prijësit legjendar të shqiptarëve dhe europianëve Gjergj Kastriotii, Skënderbeut me Donikën nga Vlora (më 27 prill 1451).. e kjo “koinçidencë” nuk fliste pak për kohën… Kjo datë e “njëjtë” martese  dhe vetë martesa flasin mjaft po të kujtojmë të gjithë personalitetet e botës që kishin uruar fejesën dhe uruan martesën e Mbretit Zog me konteshën Geraldinë, si Presidenti amerikan Ruzvelti, mbretëria e Italisë, Anglisë, Suedisë, Norvegjisë, Egjyptit e tjerë. “Krishtërimi” i çiftit mbretëror filloi që në mënyrën e organizimit të dasmës, celebrimit të vetë dasmës, si dhe mënyrën origjinale të kalimit të natës së parë të çiftit mbretëror, ku siç kujton bashkëkohësi, gjimnazist që ka marrë pjesë në dasëm, Beqir Ajazi në një shkrim të tij, se atë natë në hotelin që priti çiftin mbretëror nuk qëndruan çehrerëndët e tij për të ruajtur, por u ruajt nga të rinjtë (gjimnazist) që ishin ftuar edhe në dasëm, nga ku filloi një erë e re në lëvizjet e daljet publike të mbretit e mbretëreshës, të cilët u afruan më shumë me popullin e hallet e tij, nga ku do të fillonte një epokë e re e mbretërisë shqiptare. Duhet theksuar se Fan Noli një nga kundërshtarët permanent të mbretërisë e vetë Mbretit në vitin 1937 i kishte shkruar Mbretit  për t’u “pajtuar” , dhe për të fituar një pension , të cilin mbreti si për “rastesi”, që në fillim të vitit 1938 kur ai fejohet me konteshën Geraldinë fillon t’i japë pensionin e kërkuar Nolit, madje dhe shumë kundërshtarëve të tij politikë, çfarë tregon për një shpirt më paqësor, më sentimental, e pse jo më kristian që ka në themel mëshirën e faljen të cilat ishin disi më të kufizuara në të shkuarën. Gjithsesi me këtë martesë kundërshtarëve të mbretërisë (shpesh edhe të Shqipërisë) u iku nga “dora” argumenti “kryesor” se mbretëria shqiptare është një derivat i rëndomtë i perandorisë anadollake, madje fillimi i një jete më moderne europiane i mbretërisë ishin disa nga premisat që rrisnin shpresat që shqiptarët të hynin më shtruar në sofrën europiane, nga ku për hirë të vërtetës duhet thënë se asnjëherë nuk qëndruam të përbuzur e braktisur si shpesh herë sot në shekullin e ri…(Kujtojme se me pasaporten e mbreterisë  shqiptare udhtojë pa vizë (si sot) në Europë , madje edhe në Amerikë, ndërsa leku shqiptar ishte një monedhë e shkembyeshme e me vlerë në të gjithë Europën…). Pas kësaj martese fatlume e të bardhë për mbretërinë e vetë shqiptarët, nuk ishte thënë prej Zotit të zgjaste më shumë se rreth një vit, kur fashizmi (Italian) më 7 prill 1939 ndërmori aktin barbar të pushtimit të Shqipërisë, ndërsa mbretëria si të gjithë shoqet e saja në Europë u detyruan të lënë vendin e tyre, për të mos u bërë “graso” për grasatimin e ingranazheve të shtetit 40 milionësh fashist, e ndërsa Shqipëria kishte  më pak se një-milion banorë. Kujtojmë se kishte dhe shtete të tjera që , për të mos prishur qytetet dhe  historinë e tyre  “lejuan” pushtimin pa luftë, e këtu vlen të përmendim Francën që dorëzoi Parisin… Gjithsesi shqiptarët qëndruan, por qëndresa nuk dha rezultat për arsye që dihen. Por me këtë rast shqiptarët lëshuan toka e troje, por jo shpirtin liridashës e trimërinë e tyre, të cilët e demostruan vazhdimisht në luftën e paprerë, si me fashistët italian  dhe ata gjerman.  Ndersa  në keto kushte  mbretëria u detyrua të marrë rrugët e kurbetit, që nga Greqia, Turqia, Anglia, Franca, Spanja, Egjypti, Afrika e Jugut e gjetkë. Mjerisht për Shqipërinë në këtë luftë që quhet lufta e dytë botërore , Mbretëria nuk arriti të bëhet palë bindëse në agjendat ndërkombëtare, për shumë arsye, por dy janë më kryesoret. E para sepse “ambasadorët” emigrant politik me të filluar lufta trumbetuan me shtypin e miqësinë e tyre antimbretërinë, duke e paraqitur si mbretëri tradhëtare e që kishte shitur vendin. Madje u arrit deri aty sa ti ngjiten të pabëra sikur ka vjedhur thesarin e tjerë e tjerë. Së dyti “Bota” sllavo-ortodokse ku po hidhte shtat komunizmi ishte bërë faktorë në luftë kundër fashizmit, pasi disa grupime anarshiste që dalngadalë Moska e Beogradi do t’i bashkonte e emërtonte si Partia Komuniste Shqiptare, që siç u provua më vonë ishte vegla më e mirë jo vetëm për të shtypur shqiptarët brenda kufirit 1913, por edhe për të ndihmuar në eleminimin e nacionalistëve dhe shpirtit kyrengritës të trevave shqiptare që sllavët i kishin gllabëruar prej vitesh.. Duke realizuar kështu ëndrrën e kahershme që Shqipëria të mos jetë “kurrë” një shtet i bashkuar e i zhvilluar. Gjithsesi Mbretëria në mërgim nuk qëndroi duarkryq, por aktiviteti i saj erdhi duke u zbehur fill pas marrëveshjes së Jaltës e konferences së Teheranit , kur kompromiset politike të forcave fituese e lanë Shqipërinë në duar të Stalinit e Titos, për t’u gllabëruar edhe kjo që kishte mbetur, por edhe për të vazhduar eksperimentet antinjerëzore të komunizmit deri shumë vonë. Natyrisht në kushtet e një emigrimi të pashoq mbretëria shqiptare mbijetoi, edhe pse më 24 maj 1944 komunistët kishin marrë vendimin “historik” të ndalimit të kthimit të Mbretit në Shqipëri. Mbreti Zog u sëmur dhe vdiq në vitin 1961, për t’u trashëguar nga djali i tij Leka i parë i cili u largua nga Shqipëria vetëm dy ditësh. Tashmë kollonisja e Mbretërisë në mërgim bëhej kryesisht nga Mbretëresha Geraldinë, e cila për të mos humbur dinjitetin e saj e të Mbretit sakrifikoi jo vetëm pasurinë që i mugnonte, por edhe kujtimet e fejesës e martesës, si relike, unaza e tjerë. E këto i bënte që edhe djali i saj, mbreti trashëgimtar të shkollohej e aftësohej që një ditë t’i shërbente Shqipërisë… Dinjiteti i Mbretëreshës që tashmë quhej Nëna Mbretëreshë, ishte më i larti i të gjitha mbretërive në mërgim, aq sa shkrimtari i shquar Ismail Kadare do të thoshte:  “Mbretëresha Geraldinë është sovrania e vetme në Botë që pas përmbysjes së të shoqit nuk u përgojua ansjëherë , dhe gjithë jeta e saj është një model për mua…”. E përsëri kjo Mbretëreshë e Bardhë ka tërhequr vëmendjen e Papa Gjon Palit të dytë, i cili i kishte thënë Geraldinës: “Me kontributin tënd, me shpirtin tuaj Kristian do të mbeteni e nderuar për Brezat”. Dhe për këtë Papa ka të drejtë, pasi kjo mbretëreshë në tërë kalvarin e saj të mërgimit 63 vjeçar, asnjëherë nuk mendoi apo shprehu një fjalë të keqe për shqiptarët e Shqipërinë, përkundrazi ajo mijëra herë i ka “bekuar” dhe është  lutur për ta  në kisha e faltore të ndryshme, duke u dëshmuar jo vetëm mbretëreshë e devotshme, por edhe si kristiane e bindur. Madje ajo asnjëherë nuk kaloi kufijtë njerëzorë e kulturorë në mallkimin apo përgojimin e klyshëve të kuq sllavë që kishin ndaluar jo vetëm mbretërinë, por një popull të tërë… Gjithsesi kur mosha e mbretëreshës po bënte “detyrën”, dhe ajo si çdo qenie njerëzore e tokësore filloi të mendonte për të ndërruar jetë, në shpirtin e saj vlonte dashuria për tja “besuar” trupin e saj  tokës së shenjtë shqiptare për të cilën ishte sakrifikuar pa kursim.. Ketë deshirë të saj të fundit mbreteresha Geraldina do të shprehte me fjalet : “Do të vdes si shqiptare, në tokën shqiptare, në mes të shqiptarëve”. Me sa duket ketë dshirë të saj Zoti bëri emer tja plotësojë, pasi  me 28 qershor 2002 ajo u rikthye përfundimisht në Shqipërinë e ëndërruar e dëshiruar gjatë. Por pa kaluar veçse pak muaj (me 22 tetor 2002) ajo ndërroi jetë, por tashmë e qetë, pasi do të prehet përgjithmonë në tokën që i kushtoi jeten e saj… Në perjetsim të emrit saj  të mirë maternitetit (qendror) të Tiranës i është dhënë  emri i mbretereshes Gelardinë. Ndërsa me datën 01 shkurt 2022 në Tiranë, në krah të godinës së Ministrisë së Drejtësisë, Bulevardi Zogu I, u përurua vendosja e shtatores të Mbretëreshës Geraldinë, një perjetësim i bukur e domethënës , në të cilin muaren pjesë perveç disa personaliteteve shqiptare me në krye kryetarin e bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, nipin e Geraldinës Princin Leka etjerë edhe Gjinia e saj , përfaqesues nga Republika Hungareze, bijë fisnike e të cilës është, dhe me të cilen krenohen…

ME 01 SHKURT 2022

Filed Under: Histori

Homazh për ndarjen nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare Guri Stefani në Quincy të Masacucesit

February 2, 2022 by s p


Namik SelmaniAnëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë -Boston


Mbase për Mhill Velaj, kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe anëtërin e Kryesisë së Federatës Panshqiptare VATRA në Njy Jork dhe miqtë e tij për Prend Qettën, njohës i shkëlqyer i politikave ndërkombëtare, aktivist i çështjes kombëtare dhe përkthyes, veprimtarin Islam Vatoci, intelektualit të shquar shqiptaro-amerikan Kolë Mirdita dhe për mua, ishte udhëtimi më i gjatë dhe meditues.Atë mbrëmje të fillimshkurtit të këtij viti ata po vinin në Quincy të Masacusesit për të bërë më nga afër një ngushëllim dhe për të nderuar kujtimin e atdhetarit e poetit Guri Stefani që u nda nga jeta më datën 26 janar 2022 në moshën 88-vjeçare.Në funeralin e Quncit kishte mjaft njerëz familjarë të afër, miq të tij.Në çdo kohë ndarja nga jeta është e dhimbshme po, kur je brenda një ngjarjeje të tillë është një lloj obligimi njerëzor, shqiptar dhe nder pë rata që marrin pjesë e pë rata që presin këta njerëz.Vështirë që të gjesh ndonjë shqiptar në Boston e në rrethinat e tij të mos e ketë njohur Gurin. si poet, prozator dhe veprimtar i njohur i çështjes kombëtare.Ka lindur në fshatin Shtikë të Kolonjës. Pas mbarimit të studimeve, ka punuar arkitekt në Durrës për 28 vjet. Në vitin 1992 vjen në SHBA.Për mjaft vite ai ishte një anëtar aktiv i Federatës Pan Shqiptare “VATRA”. Ai ka qenë aktiv në Katedralen Ortodokse Shqiptare të “Shën Gjergjit” në Boston si dhe në kishën tjetër shqiptare “Shën Trinia”.Një model punëtori dhe aktivisti. Ishte poet e shkrimtar e ka botuar disa libra dhe ka qenë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane që në themelimin e saj.Një “veteran” i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane dhe në vitet e fundit edhe President i Shoqatës Atdhetare “Besa-Besë”.Pasi u bë takimi me familjarët, zoti Mhill Velaj mbajti një fjalë të rastit para atyre dhe pjesëmarrësve të tjerë të shumtë që ishin në këtë ceremoni:-Kam ardhur me dhjetra herë në Boston. Është lumturi, krenari dhe mençuri të vish në këtë shtet që quhet ndryshe “Shpirti i Amerikës” Kam bërë mjaft aktivitete në këtë qytet me mjaft tradita në Amerikë, por edhe për shqiptarët në gati një shekull. Bostoni është selia e parë e Federatës “Vatra” është vendi ku ka punuar Noli e Konica Po veç këtyre arritjeve, nuk harroj kurrë pritjen e ngrohtë që nna bënte miku e patrioti Guri StefaniAi do të mbetet për ne e për dhjetra shqiptarë njeriu i qeshur, poeti zëëmbël, mikpritësi i rrallë do të mbetet në kujtesën tonë për shumë kohë.Grupi i të ardhurve nga larg në emër të VATRËS dhe të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikëë mori falenderime nga ana e familjes së tij dhe nga kryetari i Shoqatës Atdhetare BESA-BESË zoti Petrit Alibej. Quincy, 1 shkurt 2022

Filed Under: Komunitet

EDHE NJËHERË PËR SKAVICËN

February 2, 2022 by s p

Nga Dr. Adriatik Balla


Çfarë janë S-443 dhe S-485 dhe cilat janë fshatrat që fshihen nga harta?


Në vend të hyrjes


Kundër ndërtimit të Skavicës shprehen intelektualët, arkeologët, gazetarët, specialistët e çdo fushe, qytetarët e përgjegjshëm, thuajse i madh e i vogël. Pro tij shprehen dy-tre fshatarë të cilëve u kanë thënë se me ndërtimin e Skavicës mund të kultivojnë pafundësisht troftën (Salmo Trutta). “Peshq” të tillë që e hanë “karremin” ka në çdo vend, apo siç thotë populli “pyll pa derra s’ka”, por kulmi i ironisë arrin kur pushtetarët nuk dëgjojnë zërin e ajkës së mendimit dhe qytetarisë në Dibër. Si ka mundësi që asnjë krah politik në qarkun e Dibrës, në garë për zgjedhjet e prillit, nuk e përmend Skavicën?Në kohën e monizmit u bënë, për hir të së vërtetës, disa vepra të mira, përfshi këtu dhe hidrocentralet. Do të ishte ndërtuar edhe “Skavica”, sigurisht, por edhe pse i frikshëm ai sistem kishte, sidoqoftë, logjikën e peshores (sa fitojmë e sa humbasim). Kam folur me inxhinierë që kanë firmosur për hidrocentralet e tjerë dhe thonë që ky projekt u la për një kohë tjetër, sepse, nëse ndërtohej, më shumë kishte humbje se fitime. Tani që politikës po i shteron retorika e dalë boje prej 30 vjetësh (tranzicion ekzemplar me pasoja të rënda për shoqërinë), del dhe një herë në skenë “Skavica”. Dhe, siç ndodh zakonisht, pas këtyre projekteve fshihen plane korruptive e të errëta.
Disa të dhëna për hidrocentralet mbi lumin Drin dhe pikëpyetjet e Skavicës
Hidrocentrali i Vaut te Dejës, vënë në punë në nëntor 1971, ka 5 agregate dhe një fuqi 250 MW. Prodhimi vjetor i tij është 1.1 miliard kilovatorë (Pano N., “Pasuritë Ujore të Shqipërisë”, 2015).Hidrocentrali i Fierzës është vënë në shfrytëzim në nëntor 1978. Ka fuqi të vendosur prej 500 MW dhe punon me 4 agregate. Prodhimi vjetor i tij është 1.8 miliard kilovatorë (po aty).Hidrocentrali i Komanit filloi ndërtimin më 1979 dhe përfundoi më 1985. Ka fuqi të vendosur 600 MW dhe punon me 5 agregate. Prodhimi vjetor i energjisë është 2 miliard kilovator (po aty).Nuk ka të dhëna të sakta se sa do të jetë fuqia e hidrocentralit të Skavicës, sepse deri tani është ecur me supozime e hamendësime ordinere. E njëjta gjë vlen dhe për hidrocentralin e Ashtës, deri tani imagjinar. Hidrocentrali i Skavicës, për shumë arsye, nuk do të ketë prodhim që do të shpëtojë dhe zgjidhë përfundimisht çështjen e energjisë, prandaj këtu dalin disa përfundime e ngrihen disa pikëpyetje që kërkojnë sqarim.
1.Hidrocentrali, nëse ndërtohet, nuk do të ketë prodhim të mjaftueshëm të energjisë elektrike që të plotësojë përfundimisht nevojat e vendit, kjo është më se e sigurt.
2.Nuk ka argument të mjaftueshëm që do të shpëtojë Shkodrën dhe Lezhën nga përmbytja, të gjithë ata që i mëshojnë këtij fakti abuzojnë.
3.Nëse vihet në balancë përfitimi ekonomik midis produkteve bujqësore e blegtorale krahasuar me hidrocentralin, peshorja anon nga e para dhe këtë e ka vërtetuar edhe sistemi i kaluar dhe specialistët seriozë të atyre viteve.
4.Mund të fitohet një hidrocentral me jetëgjatësi 100, 200 ose 300-vjeçare, por përmbytet një histori mijëravjeçare.
5.Kryesorja: Si do të mund të shpërngulen mijëra familje, si do të kompensohet dëmi i tyre ekonomik, ku do të vendosen ata, çfarë pune do të bëjnë?
6.Kush do të përfitojë nga hidrocentrali? Sa prej këtyre përfitimeve shkojnë në interes të publikut?
7.Cilat do të jenë pasojat (efektet) anësore fiziko-gjeografike pas ndërtimit të Skavicës, në aspektin gjeologjik-hidrogjeologjik, gjeomorfologjik, klimatik, në florë dhe në faunë?
8.A është marrë parasysh mendimi i publikut? Nëse po, a ka pasur një referendum dhe cili ka qenë rezultati i tij?
9.Kush janë specialistët që kanë firmosur “pro”, si i kanë emrat, ku kanë punuar dhe çfarë botimesh paraprake kanë bërë ata për këtë çështje. Cili ka qenë argumenti i tyre?
10.Më mirë një Dibër pa hidrocentral, apo një Shqipëri pa Dibër? – Të jesh apo të mos jesh, kjo është çështja.
Çfarë janë S-443 dhe S-485?
Për ndërtimin e Skavicës po qarkullojnë lloj-lloj variantesh, njëri me kuotë më të ulët, i cili do të ishte krejtësisht katastrofë pasi nuk do të kishte rendimentin e kërkuar si dhe një kuotë të digës më të lartë që do të shkaktonte një katastrofë akoma më të madhe, një fatkeqësi kombëtare, pasi do ta zhdukte luginën e Drinit të Zi. S-443 ose h=443 m është kuota (izoipsi) e projektuar e digës së hidrocentralit në variantin e parë. Kjo kuotë e sjell liqenin që do të krijohet mbi urën e Topojanit. Pra e pushton edhe grykën e Hoteshit, që ndan pellgun e Dibrës në jug nga ai i Peshkopisë (Dibrës së Poshtme) në veri. Me këtë kuotë zhduket Dibra e Poshtme. Po S-485? h=485 është kuota (izoipsi) e projektuar për digën e Skavicës në variantin e dytë (sipas inxhinierëve partiakë pas 10 ose 15 vjetësh). Në këtë variant përmbytet komplet fusha e Gjoricës, aty ku është shkruar historia e Dibrës (kundër Hajredin Pashës), pra përmbytet edhe Dibra e Sipërme deri afër fshatit Bllatë.I pashë me kujdes hartat topografike, një për një, dhe u përpoqa të krijoj vetë izoipsin e liqenit të ardhshëm në variantin e parë dhe të dytë. Nëse zbatohet edhe varianti i dytë është një fatkeqësi e madhe kombëtare, sepse praktikisht i bie të zhbëhet Dibra, zemra e atdheut etnik.
Vendbanimet që zhduken nga harta
Ja disa prej fshatrave të njohur, të ndodhur pranë lumit Drini i Zi, që përmbyten nga “Skavica”(mos harrojmë se mbi këto kuota vihen në diskutim edhe shumë fshatra të tjerë që kanë tokën e bukës nën kuotën e digës, si dhe një brez 5-10 m lartësi mbi digë që bëhet i papërdorshëm):-Draj-Reç dhe Zall-Reç (340 m)-Zall-Dardhë (350-400 m)-Lugjaj-Shenlleshi-Zall-Kalis-Fushë-Cidhna (360-400 m), si dhe lagjet që shtrihen në anët e përrenjve Shtumbat, Blliçe, Laçaj etj.-Arrasi (370m)-Mustafe (disa lagje)-Kishaveci (390-500 m)-Kandri (Fusha e Thatë)-Vajmëdhenj dhe Kalaj-Disa lagje të Sinës (vendlindja e Kastriotëve), 450-500 m -Bresti i Poshtëm dhe Fushë-Kastrioti (450-550 m)-Kuben dhe Rreth-Kalaj-Fushë-Muhuri (400-500 m)-Fusha e Brezhdanit (400-420 m tek ish-stallat)-Katundi i Ri (430 m)-Një lagje e Selanit dhe një lagje e HoteshitMe S-485 dëmtohen edhe:-Gradeci dhe Kovashica (480 m)-Homeshi, Okshatina, Boçeva, Gjorica (450-550 m)-Izoipsi 500 m i afrohet fshatit Bllatë e Poshtme
D. Përfundimi: “Po” hidrocentraleve, “Jo” atij që varros Dibrën

Hidrocentralet janë gjë e mirë, energji e pastër, por ato ndërtohen atje ku logjika ekonomike është e shëndetshme. Të përmbytësh Dibrën ka pasoja të rënda.

1.Detyrohen të shpërngulen mijëra banorë (afro 20 mijë). Edhe sikur t’u ndërtohet gratis një qytet, shkohet në kolaps, pasi kjo popullatë nuk është e përgatitur (kualifikuar) për treg pune tjetër nga bujqësia dhe blegtoria, plus shërbimet që nevojiten kudo që t’i akomodosh.

2.Zhduken fshatra të tërë dhe krejt toka e tyre bujqësore dhe lugina e Drinit të Zi është nga më pjelloret e Shqipërisë. Një hidrocentral më shumë nuk është më mirë sesa një hambar më pak. Mos harroni, hidrocentralet kanë një jetëgjatësi të caktuar (sepse vjen një ditë e mbathen nga depozitimet), kurse fusha (lugina) është brez pas brezi.

3.Dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme lidhja shpirtërore e banorëve me zonën.

4.Varroset historia e lavdishme e Dibrës, histori mijëravjeçare, ku spikat si “Olimpi”, Historia e Skënderbeut, heroit të vetëm kombëtar të shqiptarëve. Nuk ka Skënderbe pa Dibër e pa Dibër nuk ka Shqipëri.

5.Në luginën e Drinit të Zi, nuk do të oshëtijnë më këngët e Azis Ndreut, Qerim Sulës e shumë e shumë artistëve me nam të kësaj toke, por nën mjegullën që do të krijohet dhe nga thellësia e liqenit do të dëgjohet vetëm zëri i bretkosave. Shpata e Kastriotit do të zëvendësohet me kallamat buzë kënetës. Këtu vdes dhe mbyllet historia.
Në vend të mbylljes…
Që të mos dëgjojmë nesër bretkosat, duhet ta ngremë zërin sot, ndryshe “Skavica” e varros Dibrën. “Këshillat” se me ndërtimin e liqenit do të vijë jeta përrallore, me turizëm unik, peshkim fantastik dhe udhëtim biblik, janë përralla që nuk i hanë as budallenjtë.
P.s. Ky status shpreh mendimin tim personal, të bazuar në disa fakte. Mund të jetë një gjykim emocional, por nxitimi për të bërë projekte pa i analizuar mirë dhe pa marrë mendimin e banorëve është, në pikëpamjen time, abuziv.

Filed Under: Opinion Tagged With: adriatik balla, Skavica

ZËRI I AMERIKËS NË 80-VJETORIN E THEMELIMIT: NJË FAQE E LAVDISHME NË HISTORINË E MARRËDHËNIEVE AMERIKANO-SHQIPTARE

February 2, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli
See the source image

Zëri i Amerikës (VOA) shënon 80-vjetorin e themelimit.  Transmetimet e këtij gjidanti mediatik ndërkombëtar kanë filluar në shkurt të vitit 1942, si një mjet për të luftuar propagandën naziste me lajme dhe infiormacion të saktë, objektiv dhe të pa anshëm. Për 80-vjet, Zëri i Amerikës i ka shërbyer botës – në kohë lufte dhe në kohë paqeje — duke ofruar shpresë dhe frymëzim në mbrojtje të vërtetës, me përhapjen e lajmeve dhe të informacionit gjatë dekadave, në dyzina gjuhësh të huaja, anë e mbanë botës, përfshir gjuhën shqipe.

Nga themelimi i tij e deri më sot, Zëri i Amerikës vazhdon të jetë i angazhuar për të raportuar të vërtetën me mbulimin e lajmeve, ngjarjeve dhe zhvillimeve politike, ekonomike dhe ushtarake, anë e mbanë botës, duke dhenë shembull për parimet e një shtypi të lirë. Kështu ka qenë duke filluar nga Lufta e dytë Botërore, Lufta e Ftohtë, lufta kundër terrorizmit, konfliktet dhe përpjekjet e sotëme për liri e demokraci, anë e mbanë globit.

Edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e këtij gjigandi të lajmeve ndërkombëtare, duke filluar nga Lufta e Dytë Botërore – me një ndërprerje të shkurtër – por duke rifilluar transmetimet në vitin 1951.  VOA shqip gjatë gjithë këtyre viteve – falë dyzina gazetarëve shqiptaro-amerikanë dhe përkushtimit të tyre ndaj të vërtetës dhe dashurisë së tyre për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, ka kontribuar në përhapjen e të vërtetës dhe në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, sidomos në periudhën e errët gjysëm shekullore të komunizmit shqiptar, kur dy vendet tona nuk kishin marrëdhënie dy-palëshe dplomatike. Ishte një periudhë, kur Shtetet e Bashkuara, komunikonin me kombin shqiptar, nepëmjet Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe. 

Në atë atmosferë tensionesh ndërkombëtare, më 13 maj, 1951 rifillon radio transmetimet edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, transmetime, të cilat kishin filluar më 1943, por që ishin ndërprerë më 1945.  Ishte ky një ri-fillim i transmetimeve të shërbimit shqip të VOA-s, i cili qe inauguruar me një mesazh të posaçëm, drejtuar popullit shqiptar, nga Sekretari Amerikan i Shtetit në atë kohë, Dean Acheson.  Ishte ky një mesazh i ngrohtë, i cili ritheksonte miqësinë tradicionale dhe të hershme midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar, mesazh, i cili përsëritej shpesh dhe në forma të ndryshme, pothuaj çdo vit, nepërmjet Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe nga zyrtarë të lartë amerikanë, megjithë vrerin anti-amerikan që vinte nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, gjatë dekadave.

Ndonëse, ishte kulmi i Luftës së Ftohtë, mesazhi i ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Dean Acheson, për nga theksi i miqësisë amerikano-shqiptare, nuk ndryshon as nga deklaratat e mëparshme as nga ato të mëvonshme të zyrtarëve amerikanë, gjë që lë të nënkuptohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pasur dhe kanë vazhduar të kenë një politikë pro-shqiptare dhe konsekuente megjithë, armiqësinë e regjimit komunist të Tiranës, për pothuaj një gjysëm shekulli, ndaj Zërit të Amerikës dhe Shteteve të Bashkuara. 

Megjithëse sot, në këtë 80-vjetor të VOA-s, si enti më i madh ndërkombëtar mediatik i Amerikës në gjuhë të huaja, gjërat kanë ndryshuar dhe ndërkohë që vitet e fundit, falë zhvillimeve politike në Shqipëri, po zhvillohet një debat i vazhdueshëm dhe deri diku i ashpër deri në ditët tona në media dhe në qarqet politike, mbi statusin aktual të këtyre marrëdhënieve dhe luhatjet që mund të vihen re sot në marrëdhëniet dy palëshe.  E kam thënë shpesh dhe vazhdoj të besoj se — megjithë aktorët e sotëm nga të dyja palët – dhe megjithë pyetjen: “Quo Vadis” marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, si rezultat i veprimtarive të këtyre aktorëve aktualë, unë besoj se ato janë aq të forta në themel, sa që askush nuk mund t’i dëmtojë ato në mënyrë përmamente.  Mund t’i ngadalsojnë dhe mund të hedhin dyshime, madje të bëhen edhe kërcënime nga persona të caktuar dhe burokratë miopë aktualë nga të dy palët – besoj se nga pikëpamja historike, deklarata e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Dean Acheson, në kulmin e periudhës më të errët të marrëdhënieve midis dy vendeve tona — pasqyron gjithnjë këtë angazhim, se “Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e hershme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re.  Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi”.  Si i tillë,  ia vlen që kjo deklaratë të sillet në vëmendjen e lexuesit, në këtë 80-vjetor të themelimit të Zërit të Amerikës, si dh rolin e rëndësishëm që ky ent amerikan i lajmeve ka luajtur në ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane – popull me popull.  Pason mesazhi i Dean Acheson drejtuar popullit shqiptar me rastin e rifillimit të transmetimeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, me 13 Maj, 1951.

“Është një kënaqësi e madhe për mua që me këtë rast t’i dërgoj një mesazh popullit shqiptar në emër të Qeverisë dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara. Me rihapjen e programeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan edhe njëherë shprehin interesimin e tyre tradicional për popullin shqiptar.  Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e hershme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re.  Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.  Gjatë viteve, Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan i kanë konsideruar këto përpjekje me simpati dhe mbështetje, duke ditur se ato pasqyrojnë aspiratat e juaja të vërteta.

Që prej Konferencës së Versajës më 1919-n, kur Presidenti Woodrow Wilson mori përsipër duke treguar interesimin e tij personal për ri-vendosjen e një Shqipërie të pavarur, Qeveria e Shteteve e të Bashkuara ka mbështetur përpjekjet e patriotëve shqiptarë.

Gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar marrëdhënie të ngushta dhe miqësore me popullin shqiptar. Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar institucionet humanitare dhe arsimore private, siç janë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar për të Rinjtë, Fondacioni për Lindjen e Afërt dhe Fondacioni Rockefeller, për të ndihmuar shqiptarët në përpjekjet e tyre në themelimin dhe në zhvillimin e institucioneve të veta.  Shtetet e Bashkuara ishin të parat nga fuqitë aleate të Luftës së Dytë Botërore, të cilat bënë deklaratën e parë zyrtare për rivendosjen e një Shqipërie të lirë, duke deklaruar se një gjë e tillë ishte në përputhje me parimet e Kartës së Atlantikut.

Por kjo tani është pjesë e historisë, e së kaluarës suaj.  Tani e tutje, Zëri i Amerikës do t’u flasë juve mbi të tashmen dhe mbi të ardhmen. Tani për tani, ju e dini më mirë se unë se shpresat e tuaja për një vend të lirë dhe sovran, nuk janë realizuar. Me qëllim për t’u ndihmuar që të realizoni një të ardhme për veten tuaj, si një vend i lirë dhe i pavarur dhe anëtar i komunitetit të kombeve, Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet kësaj radioje do ju sjellë mjetet ose instrumentet për të gjykuar dhe vlerësuar gjërat- d.m.th, faktet.  Zëri i Amerikës do ju sjellë atë që u është mohuar për një kohë të gjatë – të vërtetën nga bota e lirë.  Me këtë rast, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan u dërgojnë përshëndetjet e tyre dhe Zëri i Amerikës u dëshiron mirëseardhjen në radhët e dëgjuesve të tij.” Dean Acheson, 13 Maj, 1951.

Ky mesazh nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Dean Acheson pasqyron ndjenjat miqësore, simpatinë dhe mirëkuptimin që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan kanë treguar gjatë dekadave për aspiratat e kombit shqiptar për një ekzistencë kombëtare, të lirë dhe të pavarur, jashtë influencave të huaja.  Janë këto aspirata të ngulitura thellë në traditën dhe psikozën amerikane, por njëkohësisht janë edhe pjesë e idealeve universale për liri e demokraci dhe njëherazi janë edhe burimi dhe prirja e shqiptarëve ndaj qytetërimit perëndimor.  Andaj, gjatë dekadave të regjimit komunist në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë, pritshin me ankth dhe me shpresë ditën kur Shqipëria dhe kombi shqiptar do të jetonte në liri, zot në tokën e vet dhe i lirë për të vendosur vet fatin e tij.  

Vizioni i ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Dean Acheson-it për “një Shqipëri të lirë e të pavarur, anëtare e komunitetit të kombeve”, sot anëtare e NATO-s – është bërë realitet. Roli që ka luajtur Zëri i Amerikës në realizimin e këtij vizioni ishte i konsiderueshëm, sepse sipas Dean Achesonit, VOA gjatë dekadave të kaluara, u solli shqiptarëve lajmet objektive, të vërtetën dhe faktet, për zhvillimet e mbrendshme dhe të jashtme — si mjete dhe instrumente të nevojshme për të vlerësuar dhe gjykuar drejtë — duke shërbyer, njëkohësisht, edhe si një lidhje e pa-ndërprer dhe pa ndërhyrje komunikimi midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar – në ditë të mira dhe në ditë të vështira.

Gëzuar 80-vjetorin e themelimit, VOA!

Frank Shkreli

See the source image

Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Dean Acheson, mbështetës i zjarrët i Zërit të Amerikës, 1951

See the source image
See the source image

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli

NËSE JEFF BEZOS ZGJAT JETËT TONA

February 2, 2022 by s p

Nga PAOLO FALLAI – “Corriere della Sera”, 21 janar 2022 – Përktheu: Eugjen Merlika

Këta dy vite pandemie, me numërin e llahtarshëm të vdekjeve që po i afrohet 6 milionëve, i kanë përplasur në fytyrë vdekjen një bote që donte t’a harronte. Megjithatë jemi bij të qytetërimeve tepër të lashtë, që kanë ditur të ndërtojnë rite, kulte, tradita mbi përfundimin. Për mijëvjeçarë jemi ngushulluar me jetën e përtejme, vetëm në dhjetëvjeçarët e fundit e këtejshmja  fitoi, duke fshirë nga përfytyresat tona jo vetëm vdekjen, por edhe pleqërinë, rënien e pashmangëshme. 

Ja, e pashmangëshme është një mbiemër që Jeff Bezos nuk mund t’a durojë. Miliarderi amerikan që me Amazonin ka përdredhur të gjithë zakonet tona të blerjes (duke i vërtetuar postave të gjithë botës që po, pakot mund edhe t’arrijnë), nuk është mjaftuar me Tokën tonë të shkretë. E dini që projekte të rëndësishme private të hapësirës mbajnë emrin e tij. Nuk është mjaftuar të fitonte shumë më tepër se një Shtet, 81 miliardë vetëm gjatë kësaj pandemie, sa do të mjaftonin për tre doza vaksinash për të gjithë banorët e tokës. Jo, tashmë ka vendosur të investojë 3 miliardë në një sipërmarrje të re që merret me “luftën kundër pleqërisë” dhe “ripërtëritjen qelizore”. Don të zgjasë jetën së paku për 50 vite, sa për të filluar. 

Për të mos zhgënjyer ngazëllimin e tij do t’ishte mirë që këshilltarët e tij të mos i thonin që pavdekësia është një mit i ndjekur nga Shumerët e mbrapa, duke kaluar përmes Platonit, duke mënjanuar Frankenshtainin dhe duke u ulur mbi  Portretin e Dorian Gray. Madje do t’ishte interesante të dihej se çfarë do të dëshironte të bënte me përfundimet e hamendësuara të një kërkimi kaq të pasur. Një e milionta e atij fondi do të mjaftonte për të filluar kërkimet mbi sëmundjet e rralla  që pak i mbështesin. Besojmë që Bezos recetën e hamendësuar kundër pleqërimit do t’a verë në dispozicion të njerëzimit kokëfortë që kundërshton pleqërimin. Jemi të gjithë me të, njeriun e mundësive të pafundme, sepse edhe ne mendojmë se vdekja është një bezdi e padurueshme.

“Corriere della Sera”, 21 janar 2022    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT