• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2022

TASHMË NË NJË LIBËR VEPRIMTARIA E LIGES QYTETARE SHQIPTARO- AMERIKANE DHE ISH- KONGRESISTIT JOSEPH. J DIOGUARDIT

February 1, 2022 by s p

Të gjithë bashkë le të bëjmë thirrjen për t’i ngritur një monument në Prishtinë e Tiranë për z.Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, heronjëve të gjallë të kombit shqiptar

LEONORA LAÇI- NEW JERSEY/

Duke lënë pas motin e keq të këtyre ditëve, retë i lanë vend diellit për të shndritur edhe më fortë teksa Liga Shqiptaro-Amerikane në ambientet e RP Prime Steak and Seafood Restorant bëri promovimin e librit “The quest for albanian freedom and the end of Yugosllavia”(botuar në vitin 2021) Hon. Joseph J.DioGuardi and the Albanian American Civic League 1985-1993, një libër me dokumente historike të mbledhura dhe edituara nga dr.Faton Bislimi. Zbardhja e veprimtarisë së ish kongresistit z.Joseph J.DioGuardi dhe znj.Shirley Cloyes DioGuardi këshilltare për çeshtjet ballkanike që është konsideruar dhe si Shote Galica, nuk është e vështirë, vështirësia e këtij libri qendron tek ajo se çfarë duhet ndarë si më e rëndësishme pasi për të shkruar për Ligen Qytetare shqiptaro-amerikane mund të dalin libra vëllimor.

Ky aktivitet i kaloi përmasat e një promovim libri pasi vet prania e Senatorit të njohur amerikan Robert Menendez i shoqëruar nga bashkëshortja simpatike znj. Nadine Arslanian, si dhe Ambasadori i Misionit Shqiptar në Shtetet e Bashkuara në Nju York z.Ferit Hoxha Ambasadori i Kosovës në Uashington z.Ilir Dugolli, Ambasadori Frymzim Isufaj, historiani i njohur Jusuf Buxhovi, biznesmene, dhe anëtarë të kryesisë së Liges na dëshmuan për rendësinë që ka historia që mbanë mbi supe kjo organizatë, po ashtu u përcollë aktiviteti dhe nga gazetarë të ndryshëm.

Ish- kongresmeni z.Joseph J.DioGuardi dhe znj.Shirley Cloyes DioGuardi i uruan mirëseardhje pjesëmarrsëve duke i dhënë fjalen Senatorit Robert Menendez, pasi uroj një vit sa më të mbarë për të gjithë, ai i falenderoj organizatorët për ftesën dhe vlerësoi punën e z.Joseph DioGuaridi dhe z.Shirley Cloyes DioGuardi për çështjen e Kosovës konkretisht, por dhe për shqiptarët në përgjithësi. Senatorit Menendez iu drejtuan pyetje nga Joe DioGuardi dhe z.Agim Aliçkaj, pyetjet ishin rreth qendrimeve të përfaqësuesve special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perendimor, qartësimi i qendrimeve të tyre dhe nevoja për mbajtjen e një degjese në Kongres. Senatori Menendez vuri në pah që politika zyrtare Amerikane është e përqendruar aktualisht tek konflikti në Ukrahinë por së shpejti do merremi me çështjen e Ballkanit Perendimor  dhe do kërkohen sqarime nga  zyrtarët e  Depertamentit të Shtetit në lidhje me qendrimet e tyre.

Në fjalët e mbajtura nga të ftuarit u fol për rëndësinë e Liges Qytetare dhe se sa e rëndësishme ka qenë veprimtaria e kësaj organizate për të ndikuar në arenen ndërkombëtare. Folën dy anëtar të kryesisë të Ligës z.Faik Lita dhe z.Agim Aliçkaj. Anëtari i Kryesisë së Ligës z.Agim Aliçkaj ndër të tjera: “ Populli i Kosovës luftoi për lirinë e tij nga pushtimi serb për më shumë se një shekull. Në 30 vitet e fundit ishin tre faktorë vendimtarë që sollën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, rezistenca paqësore e Lëvizjes Demokratike të udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova, rezistenca e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me në krye Adem Jasharin dhe heronj të tjerë, si dhe aktiviteti lobues në Uashingtoni i udhëhequr nga Joe DioGuardi. Ndihma amerikane dhe bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë erdhën si rezultat dhe kombinim i këtyre tre faktorëve.

         Historia e pavarësisë së Kosovës do të jetë e mangët nëse një monument për Joe-n dhe Shirley-n nukë ngritet në Prishtinë. Ata nuk do të pranonin mirënjohje nga politikanë të korruptuar e të shitur. Pritet që Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti ta bëjnë këtë. Ose kjo do të bëhet një ditë nga qeveritë e mëvonshme.

         Puna profesionale, e pavarur dhe e fuqishme e Ligës në Uashington do të vazhdojë  deri në mundjen përfundimtare të Serbisë kriminale. Për mua dhe miliona shqiptarë në mbarë botën, Joe dhe Shirley janë personalitete dhe heronj të vecante. Është një nder I madh që i njoh dhe punoj ngushtë me ta në të mire të kombit të jashtëzakonshëm shqiptar për më shumë se 31 vjet. Faleminderit Joe, Shirley dhe Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane!”- permbylli fjalen e tij anëtari i kryesisë z.Aliçkaj.

Ndërsa dr.Faton Beslimi u ndal tek libri i botuar dhe thelbi i këtij librit. Ky libër nuk do ishte realizuar pa mbështetjen e ngushtë me Joe dhe Shirley si dhe anëtarët e kryesisë së Ligës. Pas këtij libri do të pasojë një tjetër që do të përfshij harkun kohorë 1994-2008.

Libri fillon me historikun sesi DioGuardi filloi të punoj për çështjen shqiptare, për të vazhduar me relacionet e paraqitura para Kongresit Amerikan që na njohin me përpjekjet e z.DioGuardi për cështjen shqiptare. Libri përfshin periudhën nga viti 1985, vit kur DioGuardi u zgjodh Kongresist në USA për herë të parë dhe i pari kongresmen që u mor me çështjen shqiptare dhe përmbyllet me vitin 1993 kur filloi shpërbërja e Jugosllavisë. Një punë kolosale e paimagjinueshme për të qenë zëri i shqiptarve në Uashington, aty ku zëri i shqiptarve nuk ishte dëgjuar më parë, ose ishte mbytur si përherë nga lobet e shteteve ballkanike që e donin kombin shqiptar të përçarë që ta sundojnë më mirë. DioGuardi nuk u bë vetëm zëri i Kosovës por dhe i Shqipërisë së dalë nga një sistem diktatorial që e kishte shkatërruar dhe ndjenjën e kryengritjes, një popull që ecte pa drejtim tek e panjohura. Ky libër është vetëm maja e ajsbergut të një veprimtarie më shumë se 30-vjeçare të Liges Qytetare Shqiptaro-Amerikane që pa Joe dhe Shirley do ishte e pamundur të kishte rezultatet e deshiruara. Po ashtu pa mbështetjen e pakufishme të veprimtarve shqiptar që nuk kursyen asgjë për lirinë e Kosovës.

Filed Under: Fejton Tagged With: Leonora Laçi

Evropa është kontinenti ynë dhe Bashkimi Evropian e NATO-ja, janë fati ynë

February 1, 2022 by s p

Deklarata e kryeministrit Kurti pas takimit me emisarët Lajčák dhe Escobar/


Prishtinë, 31 janar 2022 Të nderuar përfaqësues të mediave,Të dashur qytetarë,Sot pata kënaqësinë që bashkë me Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe me bashkëpunëtorët e mi, të mirëpres në një takim të përzemërt e përmbajtjesor dy emisarët, evropian dhe amerikan z. Lajčák dhe z. Eskobar dhe shkëlqesitë e tyre ambasadorët, ambasadorin amerikan Hovenier dhe atë evropian Szunyog.Në këtë takim, unë i informova zotërinjtë Eskobar dhe Lajčák, me reformat që i kemi nisur në ekonomi edhe në drejtësi, me stabilitetin institucional në Kosovë dhe me rritjen ekonomike të cilën e kemi shënuar. Me sundimin e ligjit i cili ngelet prioritet i qeverisë sonë dhe përpjekjet tona për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, që duhet të shoqërohen edhe me një prokurori efektive e gjyqësor efikas, që të garantojmë drejtësi për të gjithë qytetarët.Qeveria e Republikës së Kosovës po e menaxhon edhe pandeminë COVID 19, me ç ‘rast duhet theksuar se kemi arritur që t’i kemi 60 për qind të popullsisë të moshës mbi 16 vjeçare me dy doza të vaksinës dhe gjithashtu vazhdimisht ju bëjmë thirrje qytetarëve që ta marrin edhe dozën e tretë përforcuese.Kemi shënuar në vitin e kaluar 10 mijë vende pune të regjistruara rishtas dhe gjithashtu kemi pasur rritje ekonomike prej 9.9 për qind, sipas Bankës Qendrore të Kosovës. Pastaj, rritje të të hyrave doganore për mbi 1/3, rritje të të hyrave tatimore për mbi 1/4, krahasuar me vitin paraprak, rritje të buxhetit për këtë vit për 12 për qind krahasuar më vitin që shkoi dhe gjithashtu edhe rritje prej afër 60 për qind të investimeve të huaja.Jemi të vendosur që t’ju shërbejmë të gjithë qytetarëve pa dallim. Pa dallim sa i përket përkatësisë kombëtare apo asaj religjioze dhe gjithashtu pa dallim sa i përket prejardhjes së tyre apo vendit ku banojnë.Qeveria e Republikës së Kosovës, e mbështet dhe është e angazhuar në procesin e bisedimeve në Bruksel për dialogun parimor e të balancuar nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve. Ne jemi të vendosur që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo të ngelen të pacenuara nga çfarëdo përpjeke e ndokujt.
Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve pa dallim, prandaj edhe jam i gatshëm që t’iu përgjigjem të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës, edhe të qytetarëve serbë, me që rast do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat të cilat i zbaton Serbia sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitet që janë të privilegjuar e diku tjetër të diskriminuar. Gjithashtu, angazhohemi edhe për bashkëpunimin rajonal, ne e mbështesim fuqishëm procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal dhe e ritheksova që integrimet evropiane dhe euroatlantike nuk kanë alternativë.Evropa është kontinenti ynë dhe Bashkimi Evropian e NATO-ja, janë fati ynë.Në këtë kuptim ne dëshirojmë ndihmën e Bashkimit Evropian, ndihmë kjo e cila do të hasë në vendin tonë respektin më të lartë për vlerat evropiane. Pra, fondet evropiane dhe vlerat evropiane ne i shohim si të lidhura pashkëputshëm prej njëra-tjetrës.E falënderoj edhe njëherë zotin Lajčák dhe zotin Escobar për praninë e tyre në Kosovë, për vizitën e tyre në vendin tonë dhe për rolin dhe kontributin që po e japin edhe sa i përket raportit midis Kosovës dhe Serbisë, edhe sa i përket mbështetjes për vendin tonë por edhe paqes së qëndrueshme, stabilitetit afatgjatë dhe sigurisë rajonale.

Filed Under: Politike

KRONIKA E VERDHE E FESTES SE PYLLTAREVE

February 1, 2022 by s p

Dr. Selman Meziu/

Festa është një moment gëzimi. Dallohet nga veshjet plotë shije të pjesmarrësve.  Nga e buzëqeshura që zbukuron buzët, fytyrën e të ftuarëve. Përshëndetjet, përqafimet dhe urimet gurgullojn si ujëvarë. Kur organizohen në grupime të mëdha, ka programe të veçanta. Zgjidhet presidiumi. Një drejtues drejton veprimtarinë.  Flitet që nga më të vjetërit të cilët kanë kontribuar e deri nga me të rinjtë. Përshëndet ministri/a drejtori ose i deleguari i qeverisë. Pastaj shpërndahen edhe fletë lavderimi e shtrohet një koktei. Pjesmarrësit grupe grupe takohen shkëmbejn mendime. Mund t’i përcillen edhe qeverisë, ndonjë përshëndetje, ose edhe notë proteste.  Bëhen fotografi të shumta. Shkruajn gazetat. Jepet si lajm në radio televizione. 

    Feste apo rrufe në qiell pa re

     Erdhi ministria, erdhi ministria,- u dëgjua zëri i një studenteje. Ajo u ndal në sheshin qëndror. Disa student të Fakultetit të Pyjeve u mblodhën spontanisht. E prisnin rektori i Universitetit Bujqësor, Dekani i Faklutetit të Shkencave Pyjore, disa pedagog. Pasi i përshëndeti në këmbë, filloi të flas. E dëgjuan me kujdes  Mirela Kumbaron. Nuk e di përse pylltarëve që i morën vesh nga FB iu dukën fjalë në boshllëk. Ndër të tjera ajo tha:‘’Në Universitetin Bujqësor të Tiranës, erdha jo vetëm për të kujtuar 99-vjetorin e Shërbimit Pyjor, por mbi të gjitha për… bashkëpunime e… punës së përditëshme të strukturave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me sektorin e arsimit të lartë.,,  Ju tingëlluan mjaft keq shprehja ‘’por mbi të gjitha….bashkëunim….me sektorin e arsimit të lartë,,  Ministria që ka futur në një qoshkë, administrimin e një pasurie pyjore mbarë kombëtare prej një milion e 197 mije hektar pyje, me volum në këmbë 57.7 milion metro kub, i harroi, i injoroi, i shpërfilli.  Duhet falenderuar sepse, si përfaqësues të Shërbimit Pyjor Shqiptar, ftoi drejtorin e Axhensisë Kombëtare të Pyjeve dhe disa specialist të saj. 

     Cilit do pylltar shqiptar, natyrshëm iu lindin pyetejet: Vallë ministria nuk kishte çfarë fliste për pyjet shqiptare që jane katandisur si mos më keq? Të paktën dy fjale për inventarizimin e fundit të pyjeve dhe javën para festës të pyllëzime, të fliste.  E pastaj ajo hodhi tollumbacen tjetër kur u shpreh:

‘’Mundi i pedagogëve dhe punimet shkencore të studentëve s’mund t’i ngelen vetëm dosjeve apo arkivave, por duhen përkthyer në projekte konkrete …. tani, me rritjen e sipërfaqes së zonave të mbrojtura, …për hartimin e planeve të menaxhimit, ndaj ekspertiza e universiteteve s’ka të paguar,, Sa e pa pregatitur na paska  ardhur ministria e mjedisit. Sa punime shkencore na qenkan’’dosjeve e arkivave,,? Po pse u dashkan përkthyer a nuk janënë shqip?  Pastaj nuk e di nëse ndonje pedagog ia sqaroi ministres se kemi një disipline shkencore që mësohet në Fakultetin e Pyjeve, që quhet ‘’Mbareshtrimi i pyjeve,, se fjala menaxhim eshte fjale e vjedhur, e huaj, jo e teminologjise se shkencave pyjore. Me sa duket jo, sepse ashtu si e tha në kambë  e shkruajti.  Meqë i përmendi Zonat e Mbrojtura, vetëvtiu lind pyetja: A duhet të ishte në krahë të saj edhe Drejtori i tyre, biologu Zamir Dedei? Pra Ministria Kumbaro u interesua për ekspertët ndërsa per inxhinierat e mabreshtrimit që bëjnë pjesë në Sherbimin Pyjor Shqiptar që sot kanë festën as nuk u interesua. Paradoks!   E çuditshme! E habitshme për një ministre e ardhur në një auditor pedagogësh universitar e studentësh me këtë pregatitje mbi pyjet. Literatura në këtë fushë është e pafund, specialistë me përvoje, edhe gjysëm shekullore që kanë shkëlqyer në pylltari nuk mungojn.

  Së fundi, Ministria e nderuara Kumbaro krijon rrufenë në qielin pa re, kur thekson: ‘’Agjencia Kombëtare e Mjedisit të përdorë laboratorët shkencor për matjet, që specialistët duhet të kryejnë.,, Vallë ku jana këto laboratore? Ndoshta në tunelet e nëndheshme të Gjadrit ose të Skraparit, se tjetër kund ato nuk janë? Ato ishin dikur para njëzetë vjetësh, fuksiononin, por ato janë zhdukur nga politika e mbrapsht mbi pylltarinë.  Eh si ta dijë ministria këtë, kushedi se ku i livadhis mendja për turizmin malor! 

Nuk dimë nese fidani i mbjellur i ministres Kumbaro u mboll brenda kopshtit botanik përurimi i fillimit të tij, u bë para shtatë vjetësh, po me 27 janar,  nga ish Ministri Lefter Koka?

              Festa në gjelbërimin e ‘’Tokës së vdekur.,,

    Pylltarët janë mishërim i së gjelbërtës. Në qelizat e saja janë ideologjia, shkenca dhe filozofia.  Praktikën dhe dashurin e hedhin në mes pigmentit të gjelbërt.  Aty ku gjallesa nuk ka mbi tokën ranore. Ndoshta ndonjë qënje e nëndheshme jeton.  Pikërisht këtu inxhinieri Fadil Shahini feston ditëlindjen. Ai me lulet, fidanat zbukurues të shkurreve e drurëve zbukuron  mjediste e qyteteve. Tanima ai është arkitekt lulishtar ku çdo ditë zbukuron mjediset e reja të qyteteve, shton kenaqasine esteike, rrit përmbajtjen e oksigjenit. 

   Këtu është marthonomaku i gjelbërt, Dr. Abdulla Diku me belin duke mbjellur pisha.  Aparatin e tij e ka, por sot nuk e përdor. Ai është krijuesi, i kartotekës të peisazheve të pyjeve shqiptare dhe jo vetëm. Sot, në festën e pylltarëve do të mbjellin 99 fidana.  Artur Kaja ka ardhur për t’iu treguar për fidanishten ‘’Arzan ,, krijesa e tij me gjithë forcën e diturisë, fizike e pasionin e një pylltari.  Ai shkruan se çdo vit,festën e Shërbimit Pyjor e bëjmë në’’token e vdekur,, Fidanat janë plota shëndet, edhe ato të mbjella para gjashtë vjetësh.  Po sepse Ardian Koçi me skuadrën e tij, kujdeset me shërbime kulturale në Parkun kombëtar Divjak- Karavasta.

  Ja pra ku jana pylltarët. Ato ju japin jete edhe sipërfaqeve të vdekura edhe lumit të vdekur që ka skalitur mjeshtërisht shkrimtari Jakov Xoxe te romani ‘’Lulja e kripës.,,   Por mjerisht politikbërsit, nuk i njohin, nuk ua dinë vperat e gjelbërta që dot’iu shërbejnë brezave të ardhshëm. Sa keq! Njëkohesisht sa turp!

               Mushkëritë tona të aksidentuara

   Çfarë fatkeqsie kur dëmtohen mushkritë? Te njeriu i dëmton ftohja.  Edhe te kafshët e njëjta gjë e shkakton.  Kjo ndodh kur flenë në baraka. Kur nuk vishesh me rroba të trasha në dimër. Kur punon në turne nate në miniera nën e  mbi tokë. Ato ushqehen me oksigjen. Ku ky gaz ndodhet edhe në gjak. 

  Ndërsa shkruesi, inxhinier pyjesh shprehet: ‘’Mushkritë tona i kemi dëmtuar, por edhe zhdukur, sipërfaqe të tëra pyjesh dhe kullotash me prerje, zjarrvënie të qëllimshme etj.,,  Lind pyetja: Për cilët mushkëri është fjala? Natyra në përgjithësi, pyjet në veçanti prodhojn oksigjen. Ato thithin gaz karbonik e nxjerrin atë. Pra kryejn frymarrjen me gojzat e tyre në gjethe. Ky oksigjen shërben për mushkëritë tona të kafshëve e shpendëve. Prandaj kur shkojm në pyje, thonë: Si më hapen mushkëritë në mes pyllit.

  Prandaj shkruan autori pylltar: ‘’Federata e Pyjeve në bashkëpunim me Shkollën e Mesme Pyjore Shkodër mbollëm 300 fidana pishe të butë (Pinus pinea) dhe selvie (Cupressus sempervirens) në pyllin e Vilunit, Velipojë.,, Sa kënaqësi ndjen, kur të shprehurit është me korrektësi shkencore! Ndërsa veprimi është, zbukurim mjedisi, mbrojtje nga gërryerjet, popullim gjallesash, mushkëri të reja.  Kuptohet pas kujdesimeve të herë pas hershme për të vegjëlit, që quhen shërbime kulturore.

  Homazhe, respekte, ju falem o pyje!

   Sejcili pylltar shprehet lirshëm para festës që nuk u festua. Ato janë plotë ngjyrime. Ato janë të dlirta e mbushur me sinçeritet, ndershmëri, përkushtim, pasion. Dikush i thur ato emocionueshëm. Dikush tjetër prek majat e urimit plotë eleganc. Inxhinieri Sami Numani  shprehet: ‘’Homazhe për themeluesit e shërbimit pyor shqiptar, homazhe për ata që hodhën hapat e para, drejt trajtimit të organizuar të këtij sektori jetik të ekonomisë (dhe jo vetëm)! Homazhe për mësuesit tanë të mrekullueshëm, që u blatuan pa u lodhur duke trasmetuar, dijet dhe dashurinë  e tyre për pyjet, mijëra të rinjve!,, Respekt me fuqi të shprehuri. Një diellëzim i atyre që duhet të rrezatojn nga hera.

   Dhe më tej, një tjetër gjest, mirënjohje, dashurie ku inxhinieri shkruan: ‘’Respekt e nderim të veçantë për punonjësit e mrekullueshëm anekënd vendit, që me pasionin dhe sakrificat e tyre pa fund, kanë mbrojtur e zhvilluar plot sukses këtë pasuri të paçmuar…,,  Dhe së fundi ndër të tjera kujdestari i pyllit shprehet: ‘’Ju falem o PYJE, që më dhatë mundësinë të njihem e bashkëpunoj me kolegët, shokët dhe miqtë e mi të respektuar…,,  Këto janë pylltarët, që dinë të respektojn, të vlerësojn, të jenë mirënjohës.

             Dyzetë e pesë vjet lidhur fort pas pyjeve

  Emocionet shpërthejnë edhe në takime të tilla. Ato vijnë natyrshëm kur njeh problemet e punës. Këto janë të shumta. Zgjuarsia qëndron në përzgjedhjen e bashkë biseduesëve. Zgjedhja e tyre, ndikon fuqishëm në ndërgjegjen e njeriut, qoftë edhe pylltar.  Almira Zebi e ka shprehur bukur dhe qart: ‘’ Sot në ditën e Shërbimit Pyjor, jam e lumtur që sjell në vëmendje një veteran i cili meriton respect, për kontributin që ka dhënë në mbrojtjen e pyjeve në Librazhd, dhe pyllëzimin e 700 hektarë pyjesh me pishë, që sot janë grumbuj pyjor 100% të ringritura në tokat e eroduara dhe shkëmbore.,,  Heronjt në pylltari duken të vegjël. Por monumentet i kanë të gjalla. Ata frymojn, ato të ushqejn, ato të frymëzojn, ato zbulojn heroiken, tiparet e pylltarëve, shtatoret e tyre të gjelbërta.

  Ka shumë rëndësi edhe kur je udhëheqës, të ulesh kamb kryq me ato. Sejcili prej tyre din të tregoi me veprime, me dije, me sjellje me vepra.  E këto mbeten drejtues që lenë gjurmë në popull, në histori, në ekranin e gjelbërt të kohës. Kjo është zëvendëse ministre që njihet me teknikun e pyjeve librazhdas, Bashkim Koçi, i cili ‘’edhe pse në pension përsëri e shikon në rrugët e pyllit duke u kujdesur për shtigjet malore.,,

Marrëdhëniet e shoqërisë shqiptare me pyjet janë përkeqësuar

    Pylltarët dinë të bëjnë projekte. Ato gjenden si monumnete kudo në shpate malesh, në lugina përrenjësh,  ne mijëra hektar pyje të ripërtrira, në mijëra  hektar pyje dushqesh të ricunguara kthyer në prodhues. Por ama pylltarët janë piktor, sportistë, muzikant, poet, gazetar, shkrues librash etj. Edhe inxhinieri i pyjeve Mehmet Meta është një luftëtar i paepu me penën e tij.  Ai gjëmoi fuqishëm në prag të 99 vjetorit: ‘’Pyjet po zhduken…dhe ne rrimë e vështrojm,,(Gazeta ‘’Dita,, 24.01.2022)              

           Një analizë e thellë e udhëtimit të pyjeve. Faktet në shifra ngjizen mrekullueshëm me argumentet, shkaqet, kritikat dhe së fundi udhëzgjidhjet e kësaj gjëndje katastrofike. Një artikull që duhet mbajtur nga Kryeminstri Rama në tavolinën e tij. Kuptohet edhe në atë të ministres Mirela Kumbaro Furrrxhi.

     Lexojm një pjesëz:‘’Gjatë tranzicionit janë prerë dhe shfarosur rreth 150 mijë hektar pyje dhe parqe kombëtare siç është parku Kombëtar i Lurës, gjë s’do ta benin as vandalet prehistorikë.,,  Ky është zëri revoltues i një pylltari. Ai ve në dukje një rrezik që i rrin si shpata e domokleut hidrocentraleve mbi lumin Drin:’’Nga prerjet e pyjeve në zonat e larta, kodrinore dhe malore, kanë ndodhur dy-përmbytje masive në zonat Shkodrës e Lezhës, kemi mbushje të baseneve ujëmbledhës të hidrocentraleve në masën mbi 30 % për rreth 40 vjet dhe ato po shkojnë drejtë skadencës ( nga 100 vjet të parashikuara në projekt)etj.,,  Kjo është gjendja reale. Qeveria i ka fshehur pyjet, këtë pasuri të gjallë nën një skutë të errët të Ministrisë të Turizmit dhe Mjedisit. Malet nuk bëjnë za. Kur të bërtasin do të jetë tepër vonë.

    Mësojuni brezave të trajtojn mjedisin me dashuri!

   Rinia çliron mjaft energji. Duhet me ditë me e vjelur. Ato duhen drejtuar në shtigje drejt dijes e punës. Kur ato janë të vullnetshëm, janë frutë dhënës. Edhe inxhinier Kreshnik Alcani si i ri duket një ujë var. Ka marrun diplomën master më 29.09.2021. Ai shkruan me rastin e urimit për festën e Shërbimit Pyjor:’’Si një njeri(inxhinier pyjesh) i apasionuar pas natyres, mjedisit, pyllit,…deshiroja të kontriboja pozitivisht dhe për të vënë në dispozicjon vullnetin tim për punë…,, Një mendim i kthjellët, premtues, plotë shpresë, tregues i një udhëtimi të sigurt. Shpresojm të jenë sa më të shumtë të tillë. Inxhinieri përdor një thënie në fillim të kumtit, mjaft kuptim plote: “Një person le një gjurmë në pyll, njëqind njerëz një shteg, një mijë një shkretëtirë”

  Sepse pylli ndjell qetësi, pylli prodhon me qetësi pa zhurmë, banorët e tij lëvizin qetësisht, njeriun me sopata motosharra e skavatora nuk i dëshiron.

Kemi profesionin më të bukur

    Vërtet të jetë. Po ja ajri i pastër. Gjelbërimi është qetësues për syrin. Nuk kemi dëgjuar pylltar të vuaj nga azma.  Ajri i pastër plotë oksigjen ia pret udhën për në mushkri. Por të jesh pylltar, teknik apo inxhinier pyjesh duhet të jesh i durueshëm. Sepse është lodhja për të arritur objektivin, dhe marrdhëniet me dëmtuesit me sopat e motor sharra. Tani që ka hyrë mafia e gjelbërt n’a është shuar  vullneti për punë, jemi kalbur moralisht,  lotët e dhimbjes n’a janë shtuar. Mirëpor inxhinier Genc Haxhiu na ushqen me optimizëm.  Dhe ja si shkruan ne urimin e 99 vjetorit:‘’Kemi mbjellur rreth 20 ha me fidanë akacie (Robinia pseudoacacia) në Ekonominë Pyjore Kërrabë – Gurrë, Bashkia Tiranë.,, Kemi pylltar që punojn, projektojn, gjelbërojn e shohin të ardhmen plote dritë e suksese. 

   Gencit nuk i mungon të na jap edhe këshilla:’’Uroj që 100 vjetori të na gjejë në unitet me njëri-tjetrin. Kjo është mënyra më e mirë për ta çuar përpara misionin tonë.,, Një urim vërtet për tu kujdesur qa t’a arrijm. Duhet të marrim shembullin e drureve, të cilët ndajn ushqimin në brendësi të tokës e hapsirën ajrore në mes tyre pa zënka e mbetje qejfi. Shpresojm!

              Festa në llogoren e gjelbërt.

    Bregu i mates. Tokë primitive. Prurje e ngurta të lumit Mat. Peisazh që të vret sytë. Vërshimet e lumit, kërcënuese serioze për të mbjellat bujqësore. Pyetja shtrohet: Si zbukurohet e popullohet kjo lloje panorame trishtuese? Zgjidhja gjëndet te profesioni i pylltarit.  Mbjellja me plep. Hartohet projekti nga inxhiner pyjesh. Dakortësohen me kryetarin e bashkisë Lezhë dhe ‘’ Fillojn pyllezimet nga Bashkia Lezhë në bregun e Mates, date 27 janar 2022. Kjo punë e nisur, është  punë për t’u lavdëruar.,, Mirë por është edhe një  tjetër shprehje vullneti, pasioni që ka gjetur vend dhe shkëlqen:’’Në staf kemi edhe inxhinierin Prenga Vorfi. Ai e ka patur pasion punën në pyje, si specialiste i vjetër.  Edhe pse në pension, pasioni për profesionin e pylltarit nuk e lenë dot.,,( Ded Mema fb)  Nuk ke se si të mos shkruash e thurësh lavdi të tillë pylltarëve, që i kemi të shumtë në gjithë shqipërinë. Qeveritarët nuk i njohin. Sa dritë shkurtër! Kjo është edhe një arsye që pyjet po shkretohen. 

     Gjinari pyje dhe  ballkon

     Relieve me livadhe e pyje pishash.  Cicërimat e zogjve dhe shuhsurima e gjetheve, përbëjn sinfoninë e kandshme të pyllit. Lulet shumë ngjyrshe shpërndar në barin si qylym i gjelbërt, krijojn peisazhe unike mahnitëse. Bora në dimer, rrin pezull mbi degët me hala të pishave, duke krijuar onde bardhësie e arkitektur mrekulluese. Nuk duhet të harrojm se zjarret ia prishin qetësinë pyllit. Ai e masakron me gjithë çka, këtë ekosistem gjallesash duke prishur baraz peshat ekologjike. E atahere!

    Inxhinieri Gledian Llatja do të shkruaj më 27 janar: ‘’1000 rrënjë pisha, po i shtohen masivit të madh të Gjinarit.,,  Po përse po mbillen? Dhe ja përgjigjja:’’ Pyllëzojmë një pjesë të dëmtuar vite më parë, nga zjarrvënia e qëllimshme në masivin pyjor.,,  Plagët e pyllit i shërojn pylltarët. Ato janë doktorat e tyre. Kjo duhet të ndodh kudo e kurdoherë.  Duhet t’i shtohen bukuritë, ballkonit të qytetit të Elbasanit.

 Tempulli ku duhet të falemi për ditë

   Njeriu i ditur, inxhinieri me përvoi, Kristo Kauri, din të zgjedh pozicionin si të fotografohet. Kuptohet në mjedisin bukruri ndjellës të një pylli shtatë lartë. Me synimin, të shpreh domethënje të shumëfishta.  Kryesorja dashuria deri në hyjni për ekosistemin pyjor.  E konsideron si shtëpi të dytë pyllin. Pse jo si doktori që e shëron atë. Inxhjnier Kristua brenda tij fiton energji të reja për t’i shërbyer atij gjithnjë. Ai flet, projekton, shkruan me përkushtim për pylltarët dhe pyllin.  Ky i fundit e rrëmben, e fut në gji. Kristua magjepset e fillon ti këndoi me zë e penë. 

    Ai me një vrull kënaqsia, duke ngritur duart e lutur pyllit, zbulon përjetësinë e pronës private mbi pyllin. Lexojm:’’Unë kisha pyllin e përzier, ndër më të bukurit në Pellgun e Tropojës, që quhej me emrin e kastragjyshit tim, Pylli i Isuf Ukës, me mbi 300 hektar. Nga shtëpia ime, ai fillonte me më pak se 100 m. Kishte 4 lloje dushqesh: Qarr, bung të zi, bung të bardhë dhe shpardh.,,  shprehet Mustafa Danaj i emocionuar nga pozicionimi në pyll i inxhinierit.

   Zaten frymëzon Thimjo Cohon duke u shprehur me një gjuhë poetësh emocionuese dhe njëkohesisht shpreh pezmatueshëm keqardhjen. Dhe ja: ‘’Atje ku rrezet e diellit, në kontakt me klorofilën e drurëve, krijohen tullat e botës shtazore. Sigurisht ky është tempulli ku duhet të falemi për ditë. Pylli është një mekanizëm, që zoti e ka ndërtuar për krijimin e jetëve brenda tij. Aty është, kisha dhe xhamia e vërtetë.  Ndërsa ne shqiptarët, me ndërgjege po e vrasim për ditë. Duke bërë mekatin më të madh.,,

    Së fundi fotografia e inxhinier Kristo Kaurit në mes pyjeve të luginës së Valbonës frymëzon paqësisht, ngrohtësisht, Eleni Çili Haxhi e cila si një doktoresh shprehet:’’Kur qelizat e trupit, trurit, shpirtit janë të hapura. Sigurisht kur ndodhesh në vënd të prodhimit të oksigjenit, të energjisë… edhe rinohesh.,,

*                         *

           *

     Lodrova me penën time lule më lule pylltarësh. Kërkova atje pjalmin e tyre.  Të të shumtin e gjeta. Të 2000 inxhiniera pyjesh e 5300 teknikë që janë, nuk mund ti gjeja.  Qartë që ato janë kudo në pension, në punë, pa punë, në Shqipëri, emigrantë në gjithë rruzullin e dheut. Ato kanë ndërtuar hojet e mjaltit të profesionit, të dashurisë, pasionit e përkushtimit për arin e gjelbërt. Jam i sigurt se vitin jubilar, 100 vjetorin do t’a gjejnë veten, me një projekt, me njëqind fidana të mbjellë, me një piktur, me një punim artistik në gdhendje në dru, me një artikull ose libër të shkruar etj, etj. Do t’a shpërfillin politikën, do të bashkohen duke u pregatitur për një festim dinjitoz. Kurrë, si 99-shi.

   01.02.2022                                                       Dr. Selman Meziu

Filed Under: Komente

PRO ARMENIA (1901) / THIRRJA E ISMAIL QEMAL BEUT PËR EUROPËN DHE FRANCËN : “SHPËTONI KOMBET E SHTYPURA NGA REGJIMI HAMIDIAN!”

February 1, 2022 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Shkurt 2022/


“Pro Armenia” ka botuar, me 10 nëntor 1901, në f.186-187, një shkrim në lidhje me thirrjen e Ismail Qemalit drejtuar asokohe qeverive dhe popujve të Europës dhe në veçanti Francës për t’u ardhur në ndihmë të gjithë kombeve të shtypura nga regjimi hamidian, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Një thirrje për Europën dhe Francën
Ismail Qemal beu, në bashkëpunim me krerët e tjerë të partisë reofrmatore osmane, u drejton qeverive dhe popujve të Europës dhe në veçanti Francës një thirrje në emër të të gjithë kombeve të shtypur nga regjimi hamidian. Ai tregon në të njëjtën kohë të keqen (sëmundjen) dhe ilaçin dhe fjala e tij bëhet dhe më e besueshme se ai është mysliman dhe kështu zhduken parandjenjat e këqija të masakrave, në rast se një ndërhyrje evropiane do të çlironte “fanatizmin mysliman”.
Këtu është ky dokument i rëndësishëm :
“Ne, myslimanët dhe të krishterët e Turqisë, mirënjohës ndaj Evropës për të mirat e saj, dënojmë politikat e regjimit aktual në një kohë kur, duke kulmuar në devijimet e tij, ai hedh një sfidë të pakonceptueshme ndaj asaj të kombeve të mëdha, mosinteresimi i të cilëve gjithmonë na ka inkurajuar më së shumti që të kërkojmë mbrojtje.
Dinastia osmane u vendos nga Traktatet e Londrës dhe Parisit mbi themelet solide të së drejtës ndërkombëtare, por me kushtin e shprehur që ajo do të njihte, siç ka njohur nga Perandoritë e Larta, të drejtat civile dhe politike, me barazinë absolute të të gjithë subjekteve të saj, si dhe heqjen e abuzimeve të lënë trashëgim nga një e kaluar e dënuar përgjithmonë.
Perandoria, e cila ishte në prag të humbjes, u shpëtua për herë të dytë nga Evropa, e cila i imponoi njohjen dhe zbatimin e dispozitave të Traktatit të Berlinit. Ne e dimë vlerën që iu dha në Kostandinopojë këtyre klauzolave të pranuara kaq solemnisht në Berlin. Drejtësia u shfuqizua, ligjet u shkelën, taksapaguesit u shtypën nën taksat e padrejta dhe arbitrare, konfiskimet u rivendosën, thesari publik u plaçkit, nëpunësit e shtetit u privuan nga rroga e tyre, ushtria nga paga e saj, popullata të pambrojtura u shfarosën në masë, i gjithë vendi u zhyt në mjerim ekstrem.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de FranceBurimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de FranceA do të lejohet që kjo gjendje e anarkisë, e nihilizmit zyrtar të vazhdojë më? A do të vazhdojnë qeveritë të qëndrojnë në heshtje ndërsa ndodhin keqbërje të paprecedenta? Franca, e cila ka marrëdhënie shekullore me Lindjen, e cila pa dyshim është e vetëdijshme për detyrimet që ka kontraktuar ndaj nënshtetasve të sulltanit duke kundërshtuar, nga të plotfuqishmit e saj në kongres, që ekzekutimi i klauzolave të parashikuara në favor të tyre u vu nën kontrollin e fuqive kontraktuese, do të dijë të mbetet e denjë për veten duke kërkuar, me autoritetin që i takon, ilaçet më të përshtatshme për plagët që brejnë Turqinë. Këto ilaçe (mjete juridike), për më tepër, janë të gjitha të shënuara në Traktatin e Berlinit dhe në protokollet që janë jurisprudenca. Nenet 23, 61 dhe 62 dhe rregulloret organike të hartuara në përputhje me dispozitat e tyre, përcaktojnë të gjitha të drejtat e fituara, si për popullsinë e Turqisë në Evropë, ashtu edhe për atë në Azi.
Moszbatimi i përcaktimeve të traktatit përbën një vepër penale e cila, sipas mendimit të shprehur nga presidenti i kongresit në seancën e 9 korrikut, do t’i detyronte Fuqitë të shqetësoheshin për të dhe të bien dakord për takimet e reja diplomatike. Prandaj është takimi i një konference apo komisioni ndërkombëtar që është thelbësor sot dhe misioni i të cilit do të ishte rishikimi i rregulloreve të shpallura tashmë dhe që kanë mbetur një letër e vdekur, për të hartuar të tjera të përshtatura më mirë me rrethanat dhe nevojat aktuale, pasi të ketë mbledhur opinionet e popullatave në fjalë dhe duke u kujdesur që të mos lihen vend për intriga me të cilat dikush do të kërkonte të shtrembëronte synimet e Fuqive në sytë e myslimanëve. Vetëkuptohet se një nga masat që kërkon situata do të ishte administrimi nga ky komision, bashkë me Portën Sublime, i financave deri në përfundimin e organizimit që do të futet. Dhe kur Europa të ketë kryer kështu detyrën e saj deri në fund, myslimanët dhe të krishterët, popujt e Turqisë së Evropës dhe Azisë, duke përfituar në të njëjtën bazë nga drejtësia e barabartë për të gjithë, do të pushojnë së ndari për t’u dërrmuar më mirë, por të gjithë, të ribashkuar në të njëjtën ndjenjë mirënjohjeje, ata do të bekojnë çlirimtarët të cilëve do t’u detyrohen të jetojnë në paqe dhe të gëzojnë punën e tyre.”ISMAIL QEMAL BEU

Filed Under: Histori

Diplomacia përpara luftës; E vërteta përpara gënjeshtrave

February 1, 2022 by s p

Nga ambasadori Xhef Hovenier/


Bota po e shikon agresionin e paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës. Veprimet e Rusisë paraqesin kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën dhe për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Synimet tona janë të thjeshta. Qëndrojmë me aleatët dhe partnerët tanë në mbështetje të kohezionit evropian, për të fuqizuar marrëdhëniet transatlantike dhe për të forcuar shtetet dhe institucionet demokratike. E bëjmë këtë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të qytetarëve të Kosovës.
Dhe e bëjmë këtë së bashku. Sekretari i Shtetit, Antoni Blinken, ka qenë i qartë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të negociojnë për Evropën pa Evropën. Nuk do të negociojmë për Ukrainën pa Ukrainën.
Kërcënimi i vërtetë
Gjatë dy dekadave të kaluara, Rusia i ka pushtuar dy vende fqinje, ka ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tjera, ka përdorur armë kimike për të kryer atentate në tokë të huaj, ka përdorur dërgesën e gazit si vegël politike dhe ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare të kontrollit të armëve.
Në vitin 2014, pasi miliona ukrainas protestuan me kërkesën për të ardhme demokratike, Rusia shkaktoi një krizë, pushtoi dhe okupoi Krimenë, territorin e Ukrainës, dhe orkestroi luftë në Ukrainën lindore me personel rus dhe me mbështetësit e saj që i drejton, stërvit, furnizon dhe financon. Në këtë luftë kanë humbur jetën më shumë 14.000 ukrainas. Rusia edhe sot vazhdon të okupojë pjesë të Gjeorgjisë dhe Ukrainës dhe nuk iu ka përmbajtur zotimeve për t’i tërhequr forcat nga Moldova. Veprimet e Rusisë tani, duke përfshirë përqendrimin e më shumë se 100.000 trupave në kufirin e Ukrainës, po shkaktojnë krizë të përtërirë jo vetëm për Ukrainën, por për tërë Evropën.
Presidenti Putin në mënyrë jo të sinqertë fajëson Ukrainën për agresionin e paprovokuar të Rusisë. Por, për nga natyra, qëndrimi ushtarak i Ukrainës dhe i aleancës së NATO-s gjithmonë ka qenë vetëm mbrojtës. Për dallim nga Rusia, Ukraina ka respektuar zotimet e saj në përputhje me marrëveshjet e Minskut, të arritur ndërmjet Rusisë, Ukrainës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që synonin për të siguruar armëpushim në Donbas.
Putini në të vërtetë frikësohet se vlerat demokratike dhe ushtrimi i të drejtave themelore të njeriut do të vazhdojnë që gradualisht të gërryejnë kontrollin e tij të pushtetit. Në reagim ndaj kësaj frike, Rusia ka qenë e paepur në përpjekjet e saj për të minuar demokracinë ukrainase përmes dezinformimit dhe frikësimit ushtarak. Shkurtimisht, veprimet e Rusisë janë të rrezikshme dhe destabilizuese.
Mbështetja për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova janë të përkushtuara për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, ne do ta ndihmojmë Ukrainën në përpjekjet e saj për tu mbrojtur nga agresioni i mëtejmë rus. Do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e Ukrainës për avancimin e reformave demokratike dhe kundër korrupsionit dhe rikthimin dhe sigurimin e kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Interesat e sigurisë të Evropës dhe të ShBA-së janë në rrezik
Siç e ka thënë sekretari Blinken kur foli në Berlin më 20 janar, shumë gjëra janë në rrezik. Njëmend po flasim për të ardhmen e Ukrainës, por edhe për parimet që e kanë bërë botën më të sigurt dhe më të qëndrueshme për dekada me radhë.
Ne jemi thellësisht të investuar në atë që po ndodh në Ukrainë, sepse i respektojmë parimet, të cilat mbështesin paqen dhe sigurinë ndërkombëtare: që kufijtë dhe integriteti territorial i një shteti nuk mund të ndryshohen me forcë; se është e drejta e natyrshme e qytetarëve në një demokraci të marrin vendime për vendin e tyre dhe të përcaktojnë të ardhmen e vendit të tyre; se të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare duhet t’iu përmbahen rregullave të përbashkëta dhe duhet të përballen me kosto nëse nuk i përmbushin zotimet solemne që i bëjnë.
Nëse Rusia lejohet që t’i shkelë ato parime pa u ndëshkuar, atëherë kjo do t’ju dërgonte të tjerëve porosinë se këto parime janë pavlerë.
Thirrja për veprim
Shtetet e Bashkuara duan të vazhdojnë ndërtimin e koalicionit ndërkombëtar të partnerëve në Evropë dhe gjetkë, të cilët e shohin këtë kërcënim me sy të qartë. Miqtë tanë në Kosovë janë thelbësorë në këtë përpjekje. Uniteti dhe vendosmëria jonë e përbashkët transatlantike janë mjeti më efektiv që kemi për të kundërshtuar agresionin rus. Jemi të përkushtuar ndaj diplomacisë dhe e kemi bërë të qartë se rruga diplomatike mundëson zgjidhjen e vetme të qëndrueshme për të gjithë.
Por, nëse Rusia zgjedh atë rrugën e dytë dhe pushton edhe më thellë Ukrainën, jemi të gatshëm dhe në vijë me partnerët dhe aleatët tanë për të vënë pasoja masive ndaj Rusisë, siç është konfirmuar së fundmi nga G7, BE-ja dhe NATO-ja. Këto do të ishin sanksione të rëndësishme – financiare, ekonomike dhe të tjera që nuk i kemi vënë në të kaluarën. Sipas nevojës, ne gjithashtu do të forconim mbrojtjen e Ukrainës dhe NATO-s, duke bërë pikërisht atë që Putini pretendon se nuk e dëshiron.
Kërcënimi i Rusisë ndaj Ukrainës është kërcënim ndaj vlerave demokratike kudo. Amerikanët dhe kosovarët duhet të qëndrojnë së bashku me Ukrainën për të siguruar një Evropë të lirë dhe të qëndrueshme, e cila është në interesin më të mirë të popujve të demokracive, qofshin ata amerikanë, kosovarë apo të tjerë anembanë globit.

Filed Under: Featured Tagged With: Jeffrey Hovenier

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT