• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2022

Julia Gjika- Poezi kushtuar luftës Rusi-Ukrahinë

February 25, 2022 by s p

TI, MOSKE

Nën një qiell me dëborë,
një grua vrapon,
me një kuti në dorë.
Duket një dhuratë,
e thjeshtë nga jashtë.
Hape! – i thonë fëmijët,
Hape! – i thonë të gjithë.
Kur e hapi të gjithë panë,
bombën me sahat.
Kish ardhur momenti
Lufta filloi.
U steros qielli,
shtëllunga flake u ngritën mbi re.
e radhës, Ukraine je!
Po digjen qytetet,
po digjen lumenjtë.
Ti Moskë nuk pyet,
në se është prag pranvere
në se gonxhet po buisin nëpër peme.
Njerëzia brenda portave,
bënin plane për të festuar
ti Moskë
ke planet e tua të “bekuara”
të vrasësh në gjumë,
ëndrrat e popullit tënd!

Worceser MA. 2/24/2022

Filed Under: Kulture

Lufta në Ukrainë dhe sa janë shqiptarët të përgatitur?

February 25, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Po shoh në një studio televizive që një gjeneral shqiptar thotë, mos hapni panik se rezistenca ukrainase do fitoj. Shoh televizorët që thonë se nuk po rezistojnë ukrainasit. Përse përhapni panik. Luftën Ukraina do ta fitoj, etj. Nëse Shqipëria ka vërtetë gjeneralë të tillë, pika atyre që ua kanë dhënë gradën. Thua se paniku jonë po ndikon tek morali i popullit ukrainas. Këto me siguri janë ato mendje që bunkerizuan Shqipërinë kur nuk kishte armiq. Dhe sot janë pikërisht po këto mendje që e shkatërruan Shqipërinë kur ka me shumicë armiq. Edhe brenda Rusisë pati kundërshtime. Madje Shën Petërburgu, u mbush sot me protestues kundër pushtimit të Ukrainës. Kurse në Tiranë një grusht të rinjsh mbajtën një protestë modeste përpara ambasadës së Rusisë. Megjithatë bëni mirë t’i vini gishtin kokës. Nuk mjafton një mbledhje e sforcuar që bën presidenti të cilin deri dje donit ta shkarkonit. Nuk mbrohet kombi me mbledhje të sforcuara. As me tema bajate se përse Amerika nuk ndërhyn? Përse nuk ndërhyn Nato etj. Dhe përse Nato dhe Amerika u futën në Kosovë etj. Shumë fare e thjeshtë, Ukraina nuk është anëtare e Natos. Biles për këtë aspiratë të saj, po ndëshkohet sot nga Rusia. Dhe Amerika nuk ndërhyn dot me gishtin e dorës. Pavarsisht pretendimit apo perceptimit mbi Amerikën, vet Amerika nuk është ajo e kohëve të 20 viteve më parë. Kjo në kuptimin e ruajtësit të rendit në botë. Ka plot probleme të brendshme. Sado të bërtasin trampistët apo këta të Bidenit, Amerika ka një rënie nga formati i udhëheqësve si Regan, Bush, Klinton. Kjo u duk qartë edhe me dorëzimin e shëmtuar të Afganastanit gushtin e vitit 2021. Për sa i përketë ndërhyrjes në Kosovë, realiteti ishte ndryshe. Kosova ishte akoma nën Serbinë, po ndodhnin krime kundër njerëzimit. Po masakroheshin fshatra. Po ndodhte ajo që ne sot e kemi harruar për shkak të mllefit politik që aq me shumicë e kemi. Bëni mirë që të harroni një orë e më parë konfliktet për gjithçka. Mblidhuni kombëtarisht pavarsisht rehatisë që u ka zënë se keni Naton. Kur them kombëtarisht, kam fjalën Tiranë-Prishtinë. Shikoni nëse keni akoma ndonjë depo, a ndonjë tunel për të strehuar popullatën. Përpiquni ta hiqnin qafe atë politikën gjoja shtet më vete Kosova dhe shtet më vete Shqipëria. Kujtohuni dhe pyesni veten, a keni ushtri. A keni mundësi të rezistoni? A keni mundësi të mbroheni? Se jemi shqiptarë dhe është më mirë bashkë se veç e veç. Nuk mbrohet vendi me bukurinë e Olta Xhaçkës a me atë çunin nga Korça. Zgjohuni kombëtarisht se lufta nuk është vetëm luftë, pasqyrë ballafaqimi.

Filed Under: Kronike

Që në fëmijëri Azem Bejtë Galica u përcaktua në rrugën e lavdisë

February 25, 2022 by s p

Nga XHAVIT ÇITAKU

Në vargun e librave që pasqyfrojnë figurën e ndritshme të heroit, luftëtarit të paepur kundër mbretërisë serbe, Azem Bejtë Galicës, erdhi edhe vepra e Prof. Rexhep R. Jasharit e titulluar “ Azem e Shotë Galica  në këngët popullore dhe në letërsinë e shkruar”. Që në fillim do theksuar se ky libër dallohet nga të tjerët, ngaqë ai ngërthen në vete detaje të shumta që nuk do të mund t’i hasësh  në libra të tjerë, sidomos me përmbajtjen e të gjitha këngëve popullore që janë kënduar deri me tash, dhe kësisoj pasuron në mënyrë përmbajtësore sfondin e veprave që i kushtohen këtij trimi e trimëreshe të Drenicës. Ky libër është i ndarë në pesë pjesë në të cilat autori në mënyrë profesionale shtjellon elemente të veçanta dhe të përgjithshme, për të cilën gjë shton interesimin e lexuesve për të marrë informacione nga një varg burimesh të bazuata në fakte e argumente të pamohueshme historike, kulturore, por edhe shkencore. Rexhep R.Jashari është një rapsod i njohur, profesor i gjuës dhe letërsisë shqipe dhe njohës i mirë i historisë së Drenicës, ndaj ai me kompetencë të plotë i ka hyrë botimit të këtij libri me detaje të reja dhe të tjera të dëgjuara nga goja e popullit dhe studiues të ndryshëm që u morën me figurën e Azem Galicës. Si rapsod ai këndoi në qindra oda të Drenicës e më gjerë dhe në këto gazmende merrnin pjesë edhe shumë dijetar të kohës, por edhe bashkëluftetar të këtij trimi të paepur, që tregonin për të bëmat patriotike kundër pushtuesve të tokave shqiptare. Këto ishin raste të mira për të mbledh material të bollshëm për të plasuar më pastaj në një vepër të rëndësishme për këtë patriot të madh shqiptar. Ndërkaq, si profesor i gjihës dhe letësisë shqipe, autori pa u lodhur dhe me dëshirë të madhe mbodhi të gjitha këngët popullore, në të cilat madhërohet figura e Kryekaqakut të Drenicës, Azem Galica. 

En bild som visar text, whiteboardtavla, visitkort

Automatiskt genererad beskrivning

Drenica njihet si krahina më kryengritëse gjatë shekujve të kaluar

Në pjesën e parë Prof. Rexhep R. Jashari ofron disa të dhëna për Drenicën dhe fshatin Galicë, vendlindje e Azemit si dhe të Radishevës, vendlindje e Shotës. Sipas të dhënave që ka arritur t’i mbledh autori i këtij libri, Drenica në historinë tonë kombëtare njihet si territor i qendresës sonë mbarëkombëtare dhe si Krahinë më kryengritëse gjatë shekujve të kaluar, që kurrë nuk iu nënshtrua asnjë sundimtari dh se secilit pushtues gjithënjë i rezistoi me armë në dorë. Kjo qendresë u dëshmua shumë herë gjatë historisë, ndërsa kulmin e arriti me pesë, gjashtë e shtat mars të vitit 1998, në Prekaz të Poshtëm kur ndodhi epopeja e UÇK-së në krye me Komandantin Legjendar, Adem Jashari. Pra, Drenica njihet si rajon që historikisht i ka dhënë Kosovës shumë trima e heronjë të luftës, por kjo pjesë e Kosovës njihet edhe si mjedisi më i pasur me krijimtari folklorike, prozë popullore, përralla, anekdota, mesele, fjalë të urta etj. Me një fjalë, Drenica është djep i mençurisë gojore  dhe i një filozofie popullore, sidomos, dallohet me muzikën e saj folklorike, me këngë epike legjendare e historike për shumë trima e luftëtarë të saj.

Kështu i këndonte populli trimave, trimereshave dhe luftëtarëve të Drenicës:

Ka pasë trima n’Drenicë përherë,

Për vaan luftuen me nerë,

Saherë që i sulmoi anmiku,

Këtu gjet trima si çeliku

Azem Galica zë vend nderi në vargun e figurave më të shquara kombëtare

Azem Bejtë Galica ishte në moshë të re kur me gjithë qenien e tij ishte përcaktuar për të luftuar kundër pushtuesve barbar serb, ndaj kontributi i tij i dhënë për çlirimin dhe bashkimin kombëtar zë vend nderi si një ndër figurat më të shquara të kombit hqiptar. Ai i shte prijes popullor i Levizjes Kaqake, organizator i Levizjes së Armatosur në Kosovë kundër pushtuesve të ndryshëm gjatë viteve 1912- 1924. Pa dyshim, shkruan në këtë libër autori, Azem Galica është personaliteti dhe simboli numër një i luftës dhe qendresës së shqiptarëve të Kosovës kundër Serbisë pushtuese gjatë shekullit XX, deri n ë Epopën e e UÇK-së 1997- 1999. Ai është luftëtar i shquar popullor për çlirim e bashkim kombëtar, për një regjim shtetor demokratk në Shqipëri, ndaj trimëria guximi, vendoshmëria dhe viktimizimi i pashembulltë në aksionet e punumërta luftarake gjatë dy dhjetëvjetshave të shekullit XX, para luftërave ballkanike dhe pas luftës së parë botërore bënë që ai të rreshtohet ndër personalitetet e shquara të historisë kombëtare shqiptare. Ky patriot i madh kishte deklaruar: “ Do të luftojë për vendin ku kanë lindur e jetuar të parët tanë, ku kam lindur unë e bashkëkohësit e mi. Do të luftoj për bashkimin e trojeve të copëtuara shqiptae dhe për bashkimin e poppullit tim, deri ku i thonë bukës bukë e ujit ujë”. 

Çfarë i tha Isa Boletini këtij trimi të rrallë?

Babai i Ayzemit, Bejta, kishte edhe tre djem të tjerë Seferin, Zenelin dhe Ademin, mirëpo Azemi ishte më i dalluari, më i zgjuar, besnik dhe shumë i shkathët. Ende nuk i kishte mbushur njëmbëdhjetë vjet, por me pushkën e dajes së tij, Kurt Selaci, nga fshati Selac, vret kriminelin serb, Stojanin, i cili bënte zullum në atë anë dhe shkaktonte frikë tek familjet shqiptare. I rritur në një familje me tradita luftarake e atdhetare, që në fëmjëri u përcaktua në rrugën e lavdisë. I ati, Bejtë Galica, ishte ndër luftëtarët më të njohur të Drenicës, i cili ra heroikisht në betejën e njohur kundër satrapit Shemsi Pasha, më 1907, në mes Rezallës dhe Deviqit. Kjo ngjarje dhe ndejat e shumta në oda e burrëruan Azemin para kohe.

Gjatë viteve 1910- 1912 shpërthyen kryengritjet e përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare. Më pesë maj 1912, Hasan Prishtina kishte ardhur në kullën e Ahmet Delisë në Prekaz të Drenicës dhe dha kushtrimin për një luftë mbarkombëtare kunër Perandorisë Osmane dhe i shpalli luftë asaj Perandorie. Edhe Azem Galica, 20 vjeçar, u radhitë në çetat kryengritëse të udhëhequra nga Ahmet Delia i Prekazit. Kur Drenicakëtdhe shaljanët ishin nisur për në luftë, përbri tyre marshonte Isa Boletini, hipur mbi kalë e i shoqëruar nga shumë trima. Në mesin e tyre i ra në sy një djalosh sypatrembur e i etshëm për luftë çlirimtare. Kishte pyetur se i kujt ishte ai djalë. I kishin thënë se është i Bejtë Galicës. Iu kishte afruarr dhe pasi ia kishte vu dorën në krah e përgëzoi dhe i kishte thënë: “ Të lumtë ore djalosh trim! Ti e pase vendosur ta dërgosh në vend amanetin e babait tënd, të vazhdosh rrugën e tij luftarake…” 

Duke u bazuar edhe në të dhënat e autorëve tjerë, në këtë libër mësohet se Azem Galica ka marrë pjesë edhe në luftën e Merdarit, në të cilën kishte lënë përshtypje të jashtëzakonshme, ndërkaq pjesëmarrësi i asaj beteje togeri vullnetar shqiptar, Hamëz Shtubullova, kishte deklaruar se “ Trimi më i madh në luftë të Merdarit ishte djaloshi 21 vjeçar, i biri i Bejtë Galicës, Azemi. Për shkak të veprimtarisë së tij patriotike e luftarake, Azemi se bashku me dy vëllezëritë e tij ishte arrestuar nga xhandarmëria serbe dhe për disa muaj kishte vuajtur në Kampin Famkeq në Baltën e Runikut. Këtë vuajtje të këtyre të burgusurëve nuk e duruan trimat e kësaj ane dhe një ditë e sulmuan me pushkë në dorë dhe i liruan të gjithë. Mirëpo, Azemi ishte i përndjekur këmba- këmbës nga xhandarët serb dhe sërish u arrestua dhe u dërgua në thellësi të Serbisë në Zajeçar, përkatësisht në Pozharevc. Pas kthimit nga burgu në pranverën e hershme të vitit 1915 ai pa humbur kohë formoi Çetçn e tij luftarake, e cila më vonë do të bëhet nëna e çetave të Kosovës. Në çetën e tij kreshnike kishte edhe shoqen e tij të jetës e të pushkës, nusen e maleve- Shotë Galicën, me të cilën vazhdoi betejat e shumta kundër armiqëve të ndryshëm deri në plagosjen e tij për vdekje në Galicë, më 1924.

Rrethimin e xhandarmerisë serbe e priste i qetë dhe e shpërthente pa pasoja

Azem Bejtë Galica ishte i pakapshëm nga xhandarmeria serbe. Në shumë raste ishte i rrethuar nga shumë kriminel serb, bile, edhe shumë më mirë të armatosur, por ai ishte shumë i qetë në këto raste. Nuk i frikësohej askujt dhe çfarëdo situate dramatike të jetë ajo. Gjithnjë përeriste refrenin: “ Të gjithë pas meje”. Më pas me zërin e tij të fuqishëm bërtiste: Urra, urra…” Kjo klithmë e tij si e zanave të malit, shkatonte frikë tek xhandarët dhe ata mbetëshin me “ gisht në gojë” pa pasur shansin më të vogël për ta për ta vrarë e aq më pak për ta kapur. Ishte vpërhapur informacioni, sigurisht nga frika e atyre që e rrethonin, se Azemi me kalin e tij po “ fluturonte”. Autori i këtij libri permend shumë raste të shpërthimit të rrethimit nga çeta e Azemi dhe rrëfimet e pjesëmarrësve për guximin e trimërinë që tregonte udhëheqësi i tyre. Ndërkaq rasti i Çikatës ishte goxha specifik sepse atje ishte ngritur një postbllok i xhandarmerisë serbe, në të cilin bënin zullum ndaj popllatës së asaj ane. Në të vërtetë, në ato familje ku Azemi me bashkëluftëtar hante bukë, të nesërmen ata i merrnin në pyetje burrat dhe i mundonin shumë. Ky lajm e kishte prekur thellë Azemin. Menjëherë e kishte dërguar një neri për t’i thënë naçallnikut se të nesërmen dëshiron ta takoj. Në atë takim me 40 luftëtar, në postbllok. Ishte dërguar Lutë Gllanasella dhe pas një debat të zhvilluar me naçallnikun ky postbllok ishte larguar dhe me xhandarët nuk ishin parë aty. Betejat e zhvilluara dhe pritat e shumta që Azemi me çetën e tij ua bënte xhanarëve serb janë pjesë e madhe e shtjellimit dhe e dokumentimit në këtë libër.

Heroina e popullit- Shotë Galica

Një ndër  luftëtaret dhe trimereshat më të njohura të Drenicës, por edhe në gjithë shqiptarinë, padyshim se është Heroina e Popullit- Shotë Galica. Pra,“ Në mesin e gjithë atyre grave e vajzave shqiptare, që bënë emër në histori, qendron si një kurorë lavdie Nusja e maleve, Heroina e Popullit, amazona shqiptare, Qerime Radisheva e skalitur në faqet e historisë me emrin Shotë Galica, thuhet më tej në këtë libër kushtuar kësaj bije të madhe shqiptare. Pa përfillur terrorin e armikut, por edhe ligjet e ashpra të fesë dhe kanunit, e veshur në rroba meshkujsh, luftoi heroikisht për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serb, austro-hungarez dhe bullgar. Nuk ishte pritur mirë dalja e Shotës në ale dhe hasi në reagime të shumta. Por, ajo kishte përkrahjen e burrit të saj, edhe pse kishte të tillë që ishin larguar nga çeta shkaku i saj. Megjithatë, dalja në male e Shotës, e veshur si burrë, kishte rëndësi të dyfishtë: e luftonte armikun, që u kishte marrë lirinë dhe, në anën tjetër i lutonte zakonet prapanike, të cilat femrën shqiptare e kishin robëruar dyfish. Krahas burrit të saj edhe emri i saj u bë tmerr për armiqtë.Heroizmi i saj u pa, posaçërisht, në vitin 1921, kur pa e treguar Azemit, e veshur si grua i kishte hyrë brnda në shtëpi naçallnikut të Mitrovicës dhe e nxjerr jashtë qytetit dhe në Shipol e vret duke i thënë:

Naçallnik, he faqezi,

Boll ke dalë shpi për shpi!

Boll me gra ke ba mahi,

Ke vra fëmijë tue pi n’gji,

Tash po sheh grue me sy,

E djeg veten të vret ty!

Rreptë po qet Shota allti, 

Dekun n’tokë e ka shtri!

Shotë Galica mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme kundër armikut. Po ashtu, më 1919  mori pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa më 1922- 1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë  për kryengritjen e Kosovës dhe të Malësisë. Në korrik të vitit 1924 mori pjesë në mbrojtjen e Zonës së lirë të Drenicës, Arbanisë së vogël, Në korrik të po atij viti, pas vdekjes së të shoqit, Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij. Humbi në luftime nga masakrat e shovenistëve serb 22 anëtarë të familjes. Pas varrosjes së Azemit Çetën do ta kryesojë Shota, e cila zhvilloi edhe disa beteja fitimtare. Pas betejës së fundit në Llaushë të Skenderajt, në vjeshtën e vitit 1926, ku edhe plagoset rëndë, ajo me disa fëmijë të shokëve të vrarë, shkoi në Shqipëri. Në fillim u vendos në Shullaz e më vonë në Derven të Fushë- Krujës. Plaga e rëndë, mërzia për Kosovën e robëruar e të lënë në mjerim, dhembja për jetimët kosovarë, që po hiqnin të zitë e ullirit e dobësuan shumë. Gishtat e dorës së djathtë ia prenë mjekët se iu kishin ngrirë në male duke e mbajtur pushkën. Mezi e siguronte bukën për vete dhe jetimët që i rriste. Nga skamja u detyrua që ta shes edhe pasurinë e fundit, e shumë të shtrenjtë për të, kalin e Azemit, Allçin. Vdiq me 10 korrik 1927, në moshën 32 vjeçare, në gjendje të mjerueshme. Përkundër dëshirës së regjimit zogist që varrosja e kësaj herione të bëhej në heshtje, kjo nuk ndodhi, përkundrazi në përcjelljen e saj të fundit morën pjesë shumë njerëz që kishin ardhur nga rrethe të ndryshme.

Frymëzimi i letërsisë, folkloristikës, publicistikës dhe i historiografisë për këto dy figura emblematike

Të bëmat patriotike, lufta heroike për liri e bashkim kombëtar e Azem e Shotë Galicës, u bënë frymëzim letrërsie, folklori, publicistike e fistoriografike. Për ta u shkruan monografi, romane, tregime, poezi, drama, artikuj publicistikë e shkencor, vepra të tëra, si dhe u thurën legjenda, anekdota, tregime e këngë popullore. Po i veçojmë disa vargje të poetit Nuhi Potoku, i cili shkruan:

Gjëmë kanë malet nuk hesht Drenica,

I ka bashkuar çetat Azem Galica,

Herë bëhet Kosovë, herë bëhet Arbëri, 

Nuse bëhet Shota në secilën shëpi,

-Ç’të mori shpella Nuse Shotë Galica

Gjithë nusërinë ta përtëriu Drenica.

Po ajo plagë pa bukë pa ujë,

Gjëmë e madhe e jotja doli në Fushë- Krujë.

Në pjesën e katërt ky libër përfshinë një analizë ë gjerë të këngëve popullore që iu kushtohen këtyre dy figurave të shquara të historisë sonë kombëtare, ndërkaq në pjesën e pestë përfshihen pothuajse të gjitha këngët popullore që janë krijuar e kënduar për Azem e Shotë Galicën.

Filed Under: Fejton

Imzot Nikë PRELA dhe Nëna TEREZE 

February 25, 2022 by s p

                   (1918 – 1996 – 26 vjetori i vdekjes) 

Dom Lush Gjergji/

Njerëzit e mëdhenj dhe të shenjtë njihen menjëherë mes veti, prej së largu apo prej së afërmi, sepse e kanë një burim të përbashkët, ZOTIN DASHURI dhe VËLLAU NJERI. Ata po ashtu së shpejti i njohin edhe të tjerët, sepse bartin dhe rrezatojnë dritën e mirësisë dhe ngrohtësinë  e dashurisë, Zotin, si dhe vëllazërinë gjithënjerëzore, njeriun, njëri-tjetrin. 

Kështu ndodhi edhe me Imzot Nikë PRELEN (1918-1996) dhe Nënën TEREZE (1910-1997). 

Qysh në vizitën e parë  të Nënës Tereze Kosovës, ipeshkvisë Shkup-Prizren, më 8-13 qershor 1970, u takuan dy viganat e Kishës dhe të Popullit shqiptar. Dhe prej asaj dite nuk u ndan më, e tani lumturojnë së bashku në amshim. 

Mons. Nikë Prela, së bashku me Mons. Nikollë Minin, Dr. Don Gaspër Gjinin, Don Damjan Kurtin, Don Mark Sopin dhe të tjerët, themeluan revistën tonë fetaro-kulturore DRITA, e cila gati në çdo numër kishte ndonjë shënim, shkrim, lajm kushtuar Nënës Tereze. 

Imzot Nikë Prela e kishte takuar personalisht Nënën Tereze për të parën herë gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë. Më kujtohen fare mirë fjalët dhe vlerësimi i tij rreth këtij takimi: “Gonxhja jonë – Nëna Tereze, është Lulja më e bukur e Kishës shumshekullore dhe martire, Përfaqësuesja më e lartë dhe më e denjë e krishtërimit, kulturës dhe traditës sonë kristiane dhe shqiptare”. 

Herën e dytë Nëna Tereze erdhi në Kosovë më 28 mars 1978. Me atë rast Imzot Nikë Prela, në përshëendetjen dhe pretkun e rastit në Shkup ndër të tjera tha: “O e dashura Nëna Tereze, edhe një tërmet tjetër jehoi anembanë botës (duke parafrazuar tërmetin e 26 korrikut 1963, vr. ime), kur Zoti të zgjodhi Ty për një vepër të vlerës botërore, qysh kur je nisur prej këtij qyteti, për t’i kushtuar Zotit një mision dashurie, për të hapur zhvillimin e Zotit, fjalën e Zotit, dashurinë e Zotit… 

Bashkë me Ty, o Nëna Tereze, unë sot në këtë meshë i falënderoj të madhit Zot për tërë të mirat që i ka derdhur anembanë botës nëpërmjet duarve tua… 

Oh, sa jemi të kënaqur me dhuratat e Nënës Tereze të cilën e kemi në mesin tonë!… A thua kam arsye, a kam guxim për të thënë edhe unë: O ti Shkup, sidomos pas tërmetit të parë, edhe pas tërmetit të dytë, që e ke lëvizur Ti, Nëna Tereze, o ti komb prej të cilit ke dalur Ti, nuk je më më i vogli në botë, se mbarë bota të njeh përmes Nënës Tereze…” (Dr. Lush Gjergji, Nëna jonë Tereze, botimi i dytë, Drita, 1990, fq. 239-240). 

Vizita e tretë e Nënës Tereze, si Nobeliste e Paqes, ishte më 27 qershor 1980. Imzot Nikë Prela në pretkun e rastit ndër të tjera tha: “Ne e presim Nënën Tereze si e pret edhe mbarë bota, si Nënën tonë, por unë do të shtoja edhe më tepër, si Zonjën e shtëpisë sonë. Ajo ka treguar edhe gjer më tani se do ta luajë këtë rol në dioqezën tonë, sepse Zonja e shtëpisë kujdeset për përparimin e shtëpisë, për të gjithë anëtarët e familjes, që tërë shtëpia të shkojë mbarë përpara.. (Dr. Lush Gjergji, vep. e cit. fq. 261-262). 

Më 28 qershor 1980 Nëna Tereze ishte në Binçë për t’u takuar me meshtarë, rregultarë dhe rregulltare, si dhe me popull. Në pretkun e rastit gjatë meshës Imzot Nikë Prela ndër të tjera tha: “Më së pari e mbi të gjitha, Nëna Tereze, me shembullin dhe jetën e saj, dëshiron të ndikojë që ta shpallim, ta dërgojmë, ta dëshmojmë virtytin e amshuar, i cili kurrë s’mbaron, as pas vdekjes, dashurinë… Në çdo njeri për ta parë vëllaun, vetë Krishtin, i cili edhe na mësoi ashtu, dhe si nënvizon Nëna Tereze duke vënë në të parin vend ata të cilët janë në fund të jetës, fëmijtë jetima etj…” (Po aty, vep. e cit. fq. 274-275). 

Dhe së fundi ja vlerësimi i Imzot Nikë Prelës mbi Nënën Tereze edhe në dy botime, në librin “Lule për Nënën”  ku ndër të tjera shkruan: “Ajo është ndërgjegja e njerëzimit. Ajo është Ambasadorja e së Vërtetës dhe e Dashurisë, e Drejtësisë. 

E Vërteta e saj është aq e qartë, Drejtësia e saj është aq e mprehtë dhe Dashuria e saj është aq tërhiqëse sa që nuk mund t’u kundërshtosh qortimeve të jetës së saj të njëmendët dhe nuk mund të mos admirosh të prumët e saj ndaj Mjerimit të gjallë…” (Dr. Lush Gjergji, Lule për Nënën, Drita, 1985, fq. 7-8). 

“Mendoj se shembulli i Nënës Tereze është simptomatik, sepse në bashkësinë e saj gjejmë edhe klauzurën rigoroze edhe aksionin e hapur veprues, pendesë të rëndë dhe gëzim buzëqeshjeje….  

Nuk mund të mos përmend shembullin e nënës së Nënës Tereze, e cila qysh më moshën  e re i printe bijës së vet në rrugën e mëshirës, deri në themelimin e shoqërisë “Misionaret e dashurisë” (Imzot Nikë Prela, Vështrime dhe meditime, Drita, 2006, fq. 91; 98).

Do ta përfundoj këtë paraqitje të shkurtë me një pjesë të librit  kushtuar Imzot Nikë Prelës, që e kam shkruar së bashku me teologun dhe shkrimtarin e madh italian, dr. Valentino Salvoldin, ku ndër të tjera thuhet kështu: “Kjo Shenjtëreshë e Madhe, Bija e Kosovës, ishte simboli, fuqia dhe shpirti i pajtimeve në Kosovë dhe më gjerë. Në të ishte mishëruar martirizimi  shumëshekullor i Kishës dhe Popullit tonë. Ajo ishte frymëzimi ynë për shumë veprimtari dhe qëndrime, në veçanti në pajtime dhe  në bamirësi.  

Nga ajo kemi mësuar se nëse e duam paqen, duhet ta mësojmë artin e faljes, ta ndërtojmë pajtimin nëpërmjet strategjisë jodhunore, gandiane, edhe më mirë, tereziane. 

Këtë strategji e ka përkrahur dhe përhapur gjithnjë Imzot Nikë Prela, presidenti Ibrahim Rugova, shumë intelektualë, sidomos rinia jonë, për ta ndalur shpirtin e urrejtjes dhe dhunës, për ta favorizuar takimin, bisedimin, dialogun dhe komunikimin ndërnjerëzor dhe ndërkombëtar”.  

Më 3 maj 1990, me rastin e hapjes së Kuvendit të parë të “Misionareve të Dashurisë” në Bukuresht,  ipeshkvi Nikë Prela, Don Lush Gjergji dhe Don Dodë Gjergji, tani ipeshkvi i Kosovës, ishin pjesëmarrës në këtë ceremoni. 

Nënës Tereze, në hollësi i treguam për ngjarjet e Kosovës, sidomos për pajtimin e gjaqeve dhe bamirësinë, me fjalë, me fotografi dhe incizime, aq sa kishte atëherë. Nëna Tereze ishte dukshëm e prekur, dhe me lot gëzimi tha: “Oh Zot, sa bukur, populli im shqiptar po pajtohet, po falën gjaqet! Kjo është mrekullia e Zotit”.  Pastaj, e mori një letër dhe me dorën e vet e shkroi këtë porosi:  

“Gjithmonë shpirtnisht jam e lidhun me uratë dhe dashni me popullin tem shqiptar, sidomos në kohë të vlështira. Mbas shumë hjekave dhe rreziqeve, me gëzon pamasë lajmi i pajtimeve. Urime rinisë shqiptare kosovare që e nisi këtë vepër, si dhe të gjithë atyne që marrin pjesë në këtë punë të madhe dhe shenjte. 

Lutem gjithmonë për ju. Zoti ju bekoftë. Lutuni për mue – edhe motrat e mija dhe fukarat e jonë. 

Në Krishtin M. Tereze MC.  

Pastaj si post scriptum shtoi edhe këtë: 

“Dëshiroj që dashnijën në vepër të kallzoni për njeriun nevojtar”. 

Në të njëjtën ditë e shkroi edhe këtë porosi: “Pranoj thirrjen e ipeshkvit tonë Zotni Nikë Prelës dhe dëshiroj të vij në Kosovë për të mirat që me ka dhanë Zoti jetës teme. 

Dëshiroj të festojmë së bashku Pajtimin e mbarë popullit tem Shqiptar. 

Zoti kjoft me ju dhe dashnija e pagja e Zotit gjithmonë kjoft me ju. 

Zoti ju bekoftë. 

M. Tereza MC”. 

Mësuesi i strategjisë jodhunore 

Ipeshkvi Nikë Prela besonte vendosmërisht në paqe me mjete paqësore. Ai nuk kishte dëshirë të fliste për strategjinë gandiane, por më tepër për atë tereziane, duke u mbështetur në Nënën Tereze.

Me shpirtin dhe metodologjinë e kësaj Motre, ai përcillte skenat e ndryshme të dhunës dhe të luftës në Kroaci, Në Bosnje dhe Hercegovinë. Dhe vuante shumë për masakrime dhe dhembje. Shpeshherë e kam gjetur me sy të përlotur, në gjunjë në lutje, apo me duar të hapura drejt qiellit. Ai e urrente luftën dhe armët dhe shpesh thoshte se ku “flasin armët”, aty mendja e njeriut “bllokohet”, zemra “ndrydhet” dhe nuk mund të bëhet më asgjë përpos uratës dhe paraqitjes së vuajtjeve Zoti… 

Shpeshherë njerëzit nuk e kanë kuptuar, sepse ai ishte vizionar, profet, shikonte shumë përpara, kishte parandjenja të mrekullueshme, dhe gjithnjë fliste për të mirën e përbashkët, e cila nuk është as serbe, as shqiptare, por universale, e të gjithëve dhe për të gjithë, si dhe guximi apo trimëria e paqes dhe pajtimit dhe “qyqëria” e urrejtjes dhe hakmarrjes…  

Kur fliste me popull, gjithnjë e përsëriste këtë: “Mos shikoni çka bëjnë apo nuk bëjnë të tjerët, sepse kështu vetëm humbim kohe, jemi në rrezik ta humbim edhe shpirtin. Të kërkojmë, përkundrazi, që ne të jemi përgjegjës për jetën dhe veprimet tona,  jo për atë që nuk mund apo nuk duam ta bëjmë! Ne duhet të jemi të mirë dhe të pastër në shpirt, në zemër, si parakusht paqeje dhe pajtime, bashkëjetese…”. 

Dhuratat nga Kosova 

Si përfundim Don Valentino SALVOLDI shkruan kështu: 

“Familjariteti me Imzot Nikë Prelën, miqësia me Vikarin e Përgjithshëm të Kosovës, Don Lush Gjergjin, bashkëpunimi me presidentin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, na kanë mundësuar neve  që të pasurohemi me vlera të mirëfillta në Kosovë, tokë kjo vërtet martire, por edhe vend i pëlleshëm dhe i bekuar për strategjinë paqësore jodhunore, për paqe dhe pajtim, për ide dhe ideale të larta për mbarë njerëzimin. 

E keqja është mjaft mirë e organizuar në botë, mirëpo nuk duhet kurrë pranuar sfidat për të keqe, sepse vetëm e mira, paqja, pajtimi, e vërteta dhe dashuria do ta çlirojnë botën.  

Të gjithë jemi të ftuar që ta japim “pjesën tonë më të mirë”,  e jo ta sundojmë njëri-tjetrin. Fuqia e dashurisë është shumë më e madhe se ajo e armëve, sepse ajo është e amshuar. 

Të kërkojmë gjërat të cilat na afrojnë dhe bashkojnë, e jo ajo ato që na ndajnë dhe përçajnë”, thoshte Papa i mirë, Gjon XXIII.. 

Pajtimi duhet të jetë i pakusht dhe i vazhdueshëm, për të gjithë, sepse vetëm kështu vërtet do të jemi të mirë dhe të lirë.  Kush  di të falë, i përngjan vetë Zotit në mirësi dhe në dashuri. 

 Falja, domethënë hapi më i lartë dhe më i thellë i dashurisë. 

Duhet doemos të çlirohemi nga urrejtja, tirani i brendshëm i çdo njeriut. Me  botimet tona mbi Kosovën, ne e kemi bartë këtë përvojë të çmueshme të këtij vendi dhe populli të vogël, por me vlera të mëdha. 

Falja është hiri i Zotit, por edhe bashkëpunimi me njerëz të mirë. Këtë më së miri e kemi kuptuar në Kosovë. 

Shqiptarët,  të udhëhequr nga presidenti Ibrahim Rugova dhe Imzot Nikë Prela, të frymëzuar nga Nëna Tereze, e kanë shpëtuar Kosovën nga përgjysmimi apo zhdukja e tërësishme, me mençuri, lartëpamësi, profetizëm. Kështu, të them disi në mënyrë alegorike dhe figurative , “e kanë detyruar”  Zotin, por edhe mbarë botën, për t’iu ndihmuar dhe për t’i shpëtuar. Kjo është vepra e Zotit në ditët tona! 

… por dhurata më e madhe e Kosovës, së paku për ne, është e Lumja Nëna Tereze, dhe së bashku me të, edhe Imzot Nikë Prela, Ipeshkvi i dashur nga të gjithë, Njeriu vërtet i Zotit, Kishës dhe Popullit! (Don Lush Gjergji – Don Valentino Salvoldi, Imzot Nikë Prela njeriu i Zotit, Kishës dhe Popullit, Velar-DRITA, 2010, fq.44-45). 

Zoti e shpërbleftë Imzot Nikë Prelën me pavdekësi dhe lumturi, kurse ne, populli dhe Kisha e tij, gjithnjë e kujtofshim dhe kurrë  mos e harrofshim. Pushoftë në paqe! Amen.  

Filed Under: ESSE

KOSOVA SANKSIONE RUSISË

February 25, 2022 by s p

-Qeveria e Republikës së Kosovës do të zbatojë sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sanksionet e vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian… Mbledhja e 64-të e Qeverisë/
PRISHTINË, 25 Shkurt 2022 – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhje në të cilën ka miratuar vendimin për vendosjen e sanksioneve në përputhje me sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Këshillit të Bashkimit Evropian ndaj  veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin  territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

Me këtë vendim Qeveria e Republikës së Kosovës do të zbatojë sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sanksionet e vendosura nga Këshilli i Bashkimit Evropian përmes Rregullores së Këshillit (EU) Nr. 269/2014 të datës 17 mars 2014, amandamentuar me Rregulloren e Këshillit (EU) Nr. 2022/259, dhe zgjeruar me Rregulloret Zbatuese të Këshillit Nr. 2022/260, Nr. 2022/261, të datës 23.02.2022, respektivisht Vendimit të Këshillit 2014/145/CFSP të datës 17 mars 2014 amandamentuar me Vendimet e Këshillit (CFSP) 2022/241; (CFSP) 2022/265; (CFSP) 2022/267, lidhur me masat shtrënguese ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

Sanksionet konsistojnë në:

·         ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara;

·         ndalim udhëtimi në territorin e Republikës së Kosovës për individët e sanksionuar;

·         ndalim për individë dhe entitete në Republikën e Kosovës, që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte, për individët dhe entitetet e sanksionuara.

Emrat e individëve dhe entiteteve të sanksionuara janë ato të listuara në anekset e akteve rregullative të lartpërmendura të Këshillit të Bashkimit Evropian. Këto sanksione do të jenë në fuqi, deri në një vendim tjetër dhe varësisht nga rrethanat mund të përditësohen.

ADRESIMI I KRYEMINISTRIT KURTI NË MBLEDHJEN E 64-të TË QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Adresimi i plotë i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 64-të të Qeverisë, ku është miratuar vendimi për vendosjen e sanksioneve në përputhje me sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Këshillit të Bashkimit Evropian, ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës:

Të nderuar zëvendëskryeministra Bislimi, Gërvalla dhe Rexhepi,

Të nderuar ministra dhe zëvendësministra të kabinetit qeveritar, 

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Dje ditën e filluam në një botë të re. Kërcënimet e Federatës Ruse për tash e disa muaj ndaj Ukrainës demokratike u bënë agresion ushtarak që për çdo orë po e rrit numrin e viktimave. I njëjti agresion po vazhdon edhe sot. Ushtria ruse tashmë është futur në kryeqytetin e Ukrainës. Ushtria ruse është ajo e cila këtë agresion e bëri Evropën të tronditet dhe arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare të rimendohet.

Pushtimi rus, tashmë me pasoja tragjike, përveçse sulm ndaj integritetit territorial dhe sovranitetin të Ukrainës dhe të popullit ukrainas, është edhe sulm ndaj demokracisë dhe lirisë. Është sulm ndaj vlerave universale të paqes dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje. Është sfidim i rendit dhe i unitetit të botës demokratike. Është cenim i sigurisë së përbashkët ndërkombëtare.

Sot ditën po e fillojmë duke iu bashkangjitur partnerëve tanë, BE-së dhe ShBA-së në kundërpërgjigjen ndaj agresionit ushtarak të Rusisë, duke miratuar një pako të sanksioneve ndaj saj. Kjo nuk është hera e parë që Republika e Kosovës, duke qenë e rreshtuar me botën demokratike, i vë sanksione Federatës Ruse. E në të dy rastet për shkak të agresionit dhe atë ndaj po të njëjtit shtet, Ukrainës. Dëshmi që kjo Rusi që po e shohim sot, nuk është një Rusi e re, por edhe paralajmërim që ajo nuk synon të jetë e re. Në fakt ajo dëshiron të jetë prapë e vjetër madje të bëhet edhe më e vjetër se Bashkim Sovjetik, pra të bëhet perandori ruse.

Prandaj, përgjigjja e botës perëndimore dhe demokratike duhet të jetë e unifikuar dhe e vendosur. Dhe e tillë ka qenë. Si pjesë e saj, vendimi i ynë i sotëm është bindje vlerore e jona,  bashkërendim dhe bashkim me botën e lirë dhe paqedashëse dhe solidarizim me shtetin dhe popullin ukrainas.    

Reagimi jonë i menjëhershëm dhe i pa rezervë ndaj pushtimit të Ukrainës nga Rusia duhet të lexohet edhe si një mesazh i qartë i orientimit tonë politik dhe diplomatik. Por, kemi tregues edhe të orientimit të fqinjit tonë në veri të paralajmëruara më herët. Përafërsisht në të njëjtën kohë kur Kosova ishte një nga 16 shtetet mikpritëse në mesin e 27 vendeve pjesëmarrëse të ushtrimeve ushtarake të NATO-s të kryesuara nga ShBA, “Defender Europe 21”, Serbia dhe Rusia zhvillonin ushtrime të përbashkëta ushtarake të quajtura “Joint Response 21” dhe më pas ”Slavic Shield 21”. Pra kur Kosova e aleatët e saj stërviteshin se si të jenë mbrojtësit të Evropës, fqinji ynë verior dhe Rusia përgatiteshin për kundërpërgjigje të përbashkët dhe për atë që ata e quajnë mburojë sllave. Le të jetë ky një rikujtim për të gjithë.Qeveria e Republikës së Kosovës është e bashkërenduar dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Bashkimin Evropian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Mbretërinë e Bashkuar, për të kundërshtuar luftën pushtuese të Rusisë, por edhe për t’u përballur me ndikimin e pasojat e mundshme në rajonin tonë. Qëndrojmë bashkë e të bashkuar për paqe dhe siguri, dhe për mbrojtje të demokracisë e të lirisë.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT