• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2022

Një rrugë për Fan Nolin në New York

February 25, 2022 by s p

Filed Under: Analiza

Të marshojmë në emër të paqes

February 24, 2022 by s p

Jona Koprencka/

Në këtë kohë të trazuar nga pandemia, krizat individuale, sociale dhe politike mbahet një marshim në emër të paqes, të vlerave, të harmonisë dhe vëllazërisë. Marshime të tilla përkujtojnë data dhe ngjarje të caktuara që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë. Problematikat si papunësia, emigracioni dhe tranzicioni i tejzgjatur politik zënë pjesën më të gjërë mediatike duke lënë në hije aktivitetet social- kulturore dhe duke zhvendosur vëmendjen të debatet politike. 

 Një qendër komunitare në qytetin e Elbasanit ftoi për herë të 12-të qytetarët në 8 janar, përfaqësues të pushtetit lokal/qendror, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të komuniteteve fetare si dhe qytetarët të marshonin në emër të paqes. Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan, që sjell sëbashku përfaqësues nga katër komunitet fetare kryesore, po i ndihmon të rinjtë e këtij qyteti të shembin paragjykimet duke promovuar traditën e harmonisë fetare. Qendra u krijua falë vullnetit të drejtuesve të komuniteteve fetare në Elbasan dhe mbështetjes së USAID-it. Në këtë qendër aderojnë katër komunitetet kryesore fetare në Shqipëri Komuniteti Mysliman, Kisha Katolike, Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare si dhe Komuniteti Bektashi.  

Tolerance fetare, harmonia dhe vëllazëria nuk duhen marrë për të mirëqena

Vlerat për të cilat dallohemi dhe krenohemi si toleranca, harmonia fetare, besa, mirëpritja, i marrim për të mirëqëna, nuk i kujtojnë dhe as i promovojmë. Media na servir vec politike, kronikë të zezë dhe showbizz. Mungesa e theksuar e aktiviteve social-kulturore na e mbush kohën e lirë dhe na orienton vemendjen drejt konsumit të cështjeve politike të rendit të ditës, pakënaqësive dhe lënies në harresë të vlerave tona kombëtare.

 Ne jetojmë në një vend me harmoni dhe tolerancë fetare, por ka shtete në të cilat besimtarët nuk janë të lirë të praktikojnë religjionin e tyre; ne jetojmë në një vend ku komunitetet etnike kanë të njëtat të drejta, fatkeqësisht ka ende shtete ku komunitete të caktuara etnike janë të diskriminuara; ne jetojmë në një vend ku nuk shkelet e drejta e votës, e punës, e përfaqësimit, por fatkeqësisht ka vende ku këto të drejta themelore nuk janë ose nuk respektohen. 

Në kuptimin social, paqja zakonisht përdoret për të nënkuptuar mungesën e konfliktit (si lufta) dhe lirinë nga frika e dhunës ndërmjet individëve ose grupeve heterogjene.  Deri më sot kemi qenë dëshmimtarë të marshimeve mbi një kauzë të caktuar si të drejtat e njeriut, e drejta e votës së lirë, mosdiskrimimimi me  bazë etinke/fetare/gjinore, mbarimi i një lufte, kujtimi i gjenocideve ose masakrave të ndryshme anë e mbanë botës.   

 Në këtë kontekst, në mungesë të konfliktit (luftës) në territorin shqiptar, Marshimi i Paqes, bën thirrje për tolerancë dhe harmoni në mbarë botën. Përpara Zotit dhe ligjit shtetasit e cdo kombi janë njësoj të barabartë. Është tepër vonë të promovosh paqen kur konflikti të qëndron në ‘dyert e shtëpisë’. 

Edit Durham i bën jehonë traditave dhe zakoneve tona në librat e saj, duke na shquar për besën dhe mirëpritjen. 

 “Traditat e forta kombëtare frymëzuan shqiptarët që të shpëtojnë jetët e hebrenjve gjatë Holokaustit”, shkruan Qendra e Studimeve të Holokaustit në Izrael.

“Shqipëria, vendi i vetëm europian me shumicë myslimane, ishte njëkohësisht edhe i vetmi vend europian që doli nga Holokausti me një popullsi më të madhe hebrenjsh se sa më parë”, citon artikulli i shkruar në “AISH”, portali më i madh i çështjeve hebrehe në botë. 

 “Të drejtët mes Kombëve” është titulli i marrë për strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve. 

Vital Voices Global Partnership në SHBA, nderoi Shqipërnë për mirëpritjen që i’u bëri refugjatëve afganë, duke ofruar për ta strehim, arsimim, shërbime mjekësore e mbështetje psikologjike. 

Aktivitete të tilla sensibilizuese si Marshimi i Paqes, i bëjnë thirrje qytetarëve, shoqërisë civile dhe klasës politike të kthejnë vëmendjen nga tradita, vlerat tona për të mos i lënë në harresë, si dhe që t’i jepet më shumë përkrahje politikave sociale dhe projekteve që promovojnë kulturën, harmoninë dhe tolerancën fetare, vëllazërinë, besën dhe mikëpritjen, duke vendosur theksin te vlerat për të cilat njihemi dhe nderohemi në tërë botën. 

Filed Under: Interviste

Një emër kumbues, një njohje nga larg

February 24, 2022 by s p

Në nderim të shkrimtares Eglantina Mandia (2 dhjetor, 1936 – 11 shkurt, 2022), e cila para disa ditësh u nda nga kjo bote.

Më 11 shkurt në Ëindsor të Kanadasë u nda nga kjo botë shkrimtarja dhe intelektualja e nderuar, zonja Eglantina Mandia. Nuk e kam patur rastin që ta njihja personalisht, por njohja jonë nga larg ka filluar që nga një kohë e largët. Kur isha në klasën e pestë të shkollës fillore në Suharekë/Therandë të Kosovës, viti shkollor 1967/1968, në librin tonë të leximit ishte edhe një tregim me autore, Englantina Mandia. Ishte ky një emër që nuk e kisha dëgjuar më parë, një emër disi i veçantë, kumbues, i bukur e mjaft tingëllues, që më ka ngelur në kujtesën timë që nga ajo kohë e largët e fëmijërisë sime. Dhe që nga ajo kohë e largët nuk e kisha dëgjuar më emrin e saj. Nëpër librari e biblioteka nuk e kisha parë ndonjë libër të saj. Në vitet e mia të gjimnazit (1971 – 1975) në bibliotekën e shkollës sonë kisha rastin që t’i lexoja gazetën “Drita” dhe revistën letrare, “Nëntori”, por as aty nuk e kisha hasur emrin e saj. Në vitin 1988 kam ardhur në Amerikë dhe për një kohë të gjatë nuk kisha informata për shumë personalitete të artit, letërsisë e kulturës sonë, për shumë ngjarje që po ndodhnin në Shqipëri. Atëherë niveli i informimit nuk ishte siç është sot. Dhe shumë vite më vonë, në vitin 2005 apo 2006, në shkollën tonë shqipe në Filadelfia erdhi një çift shqiptar dhe kërkonin një dokument nga shkolla jonë për vajzën e tyre, për të dëshmuar nivelin e saj të njohjes së gjuhës shqipe. Kur i pyetëm për emrin e mbiemrin zonja tha se e kishin mbiemrin Mandia (emri nuk po më kujtohet, por në këtë rast nuk ka rëndësi). Unë menjëherë e pyeta se çka e kishte Eglantina Mandinë, ndërsa ajo m’u përgjigj se e kishte kunatë dhe se Eglantina tani ishte duke jetuar në Kanada. Kaq ishte biseda jonë.

Vite më vonë, herë pas here i lexoja shkrimet e saj në gazetën “Dielli”, sidomos fragmentet e librit “Sonate e hënës – rrëfim për një jetë”, që është një rrëfim artistic për jetën dhe veprën e Musine Kokalarit, shkrimtares, intelektuales mendjendritur, politikanes guximtare, të cilën diktatura komuniste e varrosi për së gjalli. Një ditë marsi të vitit 2019, z. Llazar Vero, ish kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes” më tha se shkrimtarja Eglantina Mandia i kishte dërguar disa libra për bibliotekën e shoqatës sonë dhe një libër, “Sonata e hënës”, ma kishte dërguar mua personalisht me këtë përkushtim: “Z. Sadik Elshani, një falenderim për aktivitetin e Musinesë. Eglantina”. Në tetor të vitit 2017 shoqata “Bjtë e Shqipes” në Filadelfia organizoi një veprimtari me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit dhe 105 vjetorit të lindjes së Sabiha Kasimatit. Materialin kryesor e mbajta unë dhe pastaj e bëra një shkrim për këtë veprimtari. Shkrimi është botuar në disa gazeta e portale dhe zonja Eglantina kishte patur rastin që ta lexonte shkrimin dhe të njoftohej për veprimtarinë tonë. Në paraqitjen time dhe në shkrim kam pasqyruar jetën dhe veprën e këtyre dy zonjave të jashtëzakonshme, shembëlltyrë e intelektualit të angazhuar me ndërgjegje të lartë kombëtare dhe kisha bërë këtë vlerësim për to: “Janë përmendore, simbole të qëndresës, fisnikërisë, trimërisë shqiptare. Janë mishërim i fjalës “burrneshë”, që populli ynë e ka krijuar për gra të tilla… Ato e meritojnë nderimin dhe adhurimin e çdo shqiptari, jo vetëm për të arriturat e tyre profesionale, por edhe qëndresën, guximin e tyre për t’u përballuar me diktaturën dhe vetë diktatorin. Kur diktatura i kishte gjunjëzuar edhe burrat, intelektualët e shquar të Shqipërisë, ishin pikërisht këto dy gra që e sfiduan regjimin komunist, duke e sakrifikuar edhe jetën e tyre… Populli ynë i ka borxh Sabiha Kasimatit, Musine Kokalarit dhe shumë të tjerëve. Le të jetë kjo veprimtari e shoqatës sonë një shënjë mirënjohje e respekti për jetën dhe veprën e tyre të ndritur.”

Zoti Llazar më tregoi se bashkëshortin e saj, pedagogun Qemal Mandia e kishte patur profesor të pedagogjisë në unversitet. Pas një kohe të shkurtër me zonjën Eglantina u bëmë miq në Facebook dhe komunikonim hërë pas herë, i dërgonim shkrimet tona njëri – tjetrit. Dhe që në komunikimin e parë ishte mesazhi që më dërgontë për veprimtarinë e organizuar për Musine Kokalarin e Sabiha Kasimatin: “Zoti Sadik, ju falenderoj për dashamirësinë për heroinen Musine Kokalari dhe shkencëtaren e shquar, Kasimati. Janë një krenari kombëtare, ashtu sikurse Aleksander Moisiu për të cilin keni shkruar aq bukur”. Kishim këmbime mendimesh për shkrimet tona, për gjendjen në Shqipëri e Kosovë. Më nxiste që shkrimet e mia t’i përmbledhi në një libër: “Z. Sadik, i lexoj herë pas here shkrimet tuaja që dalin tek Illyria. Nuk e di nëse i keni mbledhur në ndonjë libër, por do ishte me shumë interes ta bënit, sepse janë me të vërtetë shumë të bukura e reale, disi mahnitëse për mënyrën e të shkruarit e mbresëlënëse për pasurinë e jetës suaj. Me nderime, Eglantina”. Nuk është për t’u vetëmburrur, por nuk kam fjalë të përshkruaj atë që ndjeja unë kur lexoja këto vlerësime për shkrimet e mia nga një shkrimtare e nderuar emrin e së cilës e kisha dëgjuar qysh në fëmijërinë time të hershme. Edhe në mesazhet e tjera e përsëriste këtë këshillë për t’i përmbledhur shkrimet e mia në një libër: “Kultura e një kombi nuk krijohet tak fak, ditën që kam lindur unë, siç ndodh me ca pipistrelo. Shkrimet tuaja janë mozaikë që krijojnë një vepër të denjë. Kjo është bindja ime”. 

Një herë më dërgoi një shkrim nga Bardhyl Selimi që e kishte bërë për pedagogun e nderuar, Qemal Mandia, baskëshortin e saj. Në atë shkrim mësova se profesor Mandia kishte qenë mësues në Kosovë në vitin 1943, në fillim në fshatin Kabash (afër Prizrenit) dhe pastaj në Rahovec. Ishte ajo koha kur në Kosovë me nismën dhe këmbënguljen e ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi (1903 – 1975) u hapën shkollat e para shqipe në të gjitha trojet shqiptare të çliruara (tokat e lirueme) nga zgjedha serbe. Këtij misioni të shenjtë kombëtar iu përgjigjen shumë mësues nga Shqipëria. Ja, në mesin e tyre paska qenë edhe profesor Mandia. Pastaj më dërgoi edhe një fragment nga libri me kujtime të profesor Mandisë dhe në atë shkrim profesori i përshkruante përjetimet e tij për atë kohë: “U gjendëm kështu midis njerëzve bujarë, krenarë e patriotë me plot fëmijë të zgjuar, të dashur e të etshëm për dije, i respektonin me venerim mësuesit e parë të gjuhës shqipe. Prindërit gjithashtu na pritën në Odat kosovare. Istitucione kuvendi,respekti vetëpërmbajteje,plot shpoti gjith mend. Dëgjonin njëri – tjetrin,e vlerësonin veçanërisht zgjuarësinë e burrërinë. Nxënësit, të zellshëm përparonin çdo ditë në mësime. Gjithë jetën i kam patur në zemër ata fëmijë të etur për dije,që ma përcaktuan njëherë e përgjimonë drejtimin e jetës, mësuesinë. Më mbyshën edhe sot sytë me lot,ku larg nga rëmuja e rremeti.recitonim vargje të Fishtës e Naim Frashërit,të cilët zgjodhën pikërisht atë qytet, kryeqender të Lidhjes së Prizrenit”. Unë në vitin 2016 e kam bërë një shkrim për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, me titull: “Hapja e shkollave shqipe në Kosovë 75 vite më parë, mision i shenjtë kombëtar”. Ia dërgova këtë shkrim zonjës Eglantina dhe ajo më dërgoi këtë përgjigje: “Shumë bukur, Sadik. Prandaj, të kam thënë përmblidhi në një libër, se libri, aq mq tepër i ilustruar me dokumenta, është vetë pavdekësia, jo aq personi që e shkruan, por gur themeli nga forcohet ngrehina e një ndërtese. Pra, historia e një kombi”. Zonja Eglantina përmes shtypit dhe rrjeteve sociale i ka përcjellur me vëmendje veprimtaritë e shoqatës sonë dhe mbarëvajtjen e shkollës shqipe në Filadelfia. Në fillim të korrikut të vitit të kaluar ajo për të gjitha mësueset e shkollës sonë dërgoi disa kopje të librit të saj, “Sonata e hënës”, në shenjë mirënjohjeje e falenderimi për punën e tyre të palodhshme e të përkushtuar për ruajtjen e gjuhës sonë.

Tek i lexoja mesazhet e zonjës Eglantina dhe tani kur jam duke i shkruar këto radhë po reflektoja se sa befasi të këndshme ka jeta. Tani shmë koha pasi e kisha dëgjuar atë emër kumbues, po komunikoja me një zonjë, shkrimtare të nderuar që ishte bërë aq e afërt për mua. Nga mesazhet që kemi këmbyer, nga portrëti i saj fizik dalohen menjëherë tiparet e një zonje fisnike me vlera të larta kombëtare e njerëzore. Nuk është e rastësishme që menjëherë pas rënjes së diktaturës ajo me tërë qenjen e saj iu përkushtua zbardhjes së figurës së Musine Kokalarit, shkrimtares disidente të cilës diktatura ia shkatërroi jetën, por kurrë nuk arriti që ta përkulte, që ta thyente shpirtin dhe karakterin e saj të fortë. E tillë ishte zonja Eglantina Mandia, u njëjtësua me veprën, vuajtjet dhe qëndresën e Musine Kokalarit. Dhe ishte pikërisht figura e Musine Kokalarit që u bë një nxitëse, shkas për vendosjen e kontakteve tona, njohjes sonë. Eglantina Mandia nuk mbeti vetëm një emër kumbues në kokën time nga një kohë e largët, por ajo u bë një figurë shumë e afërt dhe e dashur për mua. Nuk ke si të mos ndiesh dhimbje njerëzore kur dëgjon për largimin e personaliteteve të tilla nga kjo bote. Ngushëllimin duhet ta gjejmë te ajo se kanë qenë pjesë e jetës sonë, nga afër, apo nga larg, dhe se na kanë lënë trashëgim vepra të vlera.

Philadelphia, më 23 shkurt, 2022

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Reportazh

Merita dhe Raif Hyseni ambasadorë të kulturës sjellin pranverë shqiptare në Montclair State University, NJ

February 24, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Tradita që po krijojnë në këtë universitet elitar janë si mbjellja e ullinjve nga të moçmit, janë rrënjë që s’do të shkulen kurrë. E mërkura e Nju Xhersit ishte një ditë e vërtetë pranvere me temperatura si në muajin e trëndafilave të Majit.  Ajo që e bënte dhe më të bukur këtë ditë fundshkurti për ekipin tonë si TV “Alba Life” nga Nju Jorku për të shkuar atje, ishte koncerti pranveror i Ansamblit Shqiptar organizuar nga dy Ambasadorë të kulturës Shqiptare në botë Merita Halili dhe Raif Hyseni.  

Që në fillim më duhet të theksoj se ky Ansambël është krijuar nëntë vjet më parë nga ky çift artistësh dhe është një histori suksesi në këtë Universitet.  

Ecja me kamera në ndorë e qetë dhe krenare në mjediset universitare një universitet elitar ne Amerikë, fotografoja në “Cali School of Music” historinë e shumë personaliteteve të shquara që kanë bërë emër.  Dhe ja pikërisht në një prej këtyre skenave madhështore do të ngjiteshin dy artistët me studentet amerikanë që i kanë bërë të këndojnë shqip dhe të ndihen krenar me kulturën shqiptare.  

Merita Halili kjo kanarinë e Kombit që intepreton mjeshtërisht, me një nivel të lartë artistik këngët e Shqipërisë së mesme dhe më gjerë dëgjohet me endje për nëntë vjet në këtë universitet, çka i shtohet fondit të kulturës muzikore të këtij universiteti.  Ajo vjen me një përvojë të gjatë nga skena kombëtare e Shqipërisë në të cilën kanë lenë gjurmë të arta si Fitnete Rexha, Zan Zyberi, Hysni Zela, Irini Qirjako e shumë të tjerë.  Ajo së bashku me Maestron Hyseni sjellin kudo hare e gëzim, sjellin aromë shqipërie, aromë si “Lule të bukura ka Tirana”…  

Koncerti pranveror

Me duartrokitje u mirëpritën nga të pranishmit dalja në skenë e studentëve të Universitetit, solistë të Ansamblit Shqiptar drejtuar nga virtuozët Merita Halili dhe Raif Hyseni.  Skena ndriti e tëra me veshjet kuq e zi me ngjyrat e Flamurit Kombëtar të siguruara nga dy artistët.  Pas përshëndetjes së Maestros Hyseni ata intepretuan folk instrumental nga Shqipëria e Mesme si “Vallja e kufirit”.  

Me shumë emocion e mirëprita këngën “Kur më del në derë”, një këngë aq të dashur për ne në dasma, aktivitete të ndryshme dhe fillova të kërcej ndonëse ishja e vetmja grua shqiptare në këtë sallë madhështore. Eshtë një lirikë e ngrohtë dashurie, një monolog i brendshëm i djalit për vashën që e dashuron me shpirt.  Dhe ja si i këndon: Kur më del në derë/ Belin me qemer/ Oh medet jaman/ Ndaq o më duj, o ndaq mos më duj/ Dashuninë për ty sja kallxoj kërkuj/ Oooo nji sahat me bahet nji muj…

Repertori i tyre i pasur është kënga e Atdheut tim, janë legjendat e së kaluarës si në këngën e Shqipërisë së Jugut “Do të dal dhe unë në mal” qe u interpretua mjeshterisht nga studentët, të cilët kishin një ekspresivitet të dukshëm dhe fytyre ëngjëllore.  Teksti është i mahnitshëm është kroi i burimeve ku në të mërguarit vemë buzët për të shuar etjen dhe mallin që djeg si prush në gji.  Po sjellë disa vargje prej tyre si:  Ç’ben moj bij atje përposht/ laj fustanin e tim zot/ laj fustan o laj fustan/ aman laj fustanin e tim zot

her me ujë e herë me lot/ aman erdhi dje dhe iku sot/ e mjera se po qan dot…

Koncerti u mbyll me këngën qytetare gjakovare: Dola n/bahce.  Solistët e Ansamblit dukeshin si trëndafila plot aromë shqipërie në skenë dhe fantazoja sikur na hidhnin nganjë petale në sallë.  Vargjet formonin një spektakël të magjishëm si: Dola me shetit në bahqe pash ni pëllum të shkrum/ sa m’ka marr malli për zotnin tonë hajde të rrish me mu/ bahqja mush me drranofille vend për tu dashunu.   

Këngët shoqëroheshin nga Maestro Raif Halili, në flautë Briana Jackson dhe Amor Hirsch, në klarinet Jason Nicolaou, në saxophone Luci Zeoli dhe Stephaen Schwarz, në kitar Matt Schwarz, në tube Vito Cakarogly dhe në daulle prof.Robert Levin. Në korin e Ansamblit Shqiptar ishin: Vanessa Silva, Stephanie Stolarz, Kimberly Jarret, Anjanika Villa, Shelby Wood dhe Sabina Kunze.  

Pas koncertit të Ansamblit Shqiptar në skenë u shfaqën artistët e Ansamblit Afrikan nën drejtimin e Profesor Robert Levin.

Pas përfundimit të koncertit, TV “Alba Life” mori disa intervista si me artistët e shquar, dy ambasadorët e kulturës kombëtare, Nderi i Kombit: Merita Halili dhe Raif Hyseni, këngëtarët e Ansamblit dhe pjesëmarrës në këtë koncert.  

Ajo që do të më emociononte pamasë në këto intervista ishte Profesori Arbëresh Dr.Vincenzo Bollettino që tha se jam nip i Isa Boletinit.  Ai ishte së bashku me zonjën e tij. Dr. Bollettino.  Prof.Bolletino ka qenë Drejtor Katedre për gjuhët latine në këtë universitet për 50 vite, ku në këtë katedër kishte fatin të punonte për disa vite dhe një shqiptare tjetër Dr.Valbona Zylo Watkins.  Profesori arbëresh tha gjatë intervistës me plot krenari se jam nipi i Isa Boletinit dhe kam gjak shqiptari. Ne nuk e harruam kurrë gjuhën shqipe dhe pse i lindur në Itali, ardhur në Amerikë në moshën 20 vjec vazhdoi profesori.  Profesori tha se Gjuhën e Perëndisë ua kishte mësuar dhe fëmijëve të tij që ishin integruar po me kaq kulturë si prindërit e tyre.  

Amaneti i tij ishte që të mos e harronim Gjuhën Shqipe, t’jua mësonim brezave që po largohen si lumë nga Shqipëria.  Ai foli fjalë miradie për çiftin artist Merita Halili dhe Raif Hyseni dhe tha se ata kanë arritur të sjellin në këtë universitet elitar muzikën dhe kulturën shqipare që mua më bën të ndihem shumë krenare për rënjët e gjakut tim.

E dëgjoja, frymëzohesha, projektoja vetëtimthi dhe betohesha se s’do të lodhem kurrë për t’ju mësuar fëmijëve në Diasporë Gjuhën e Perëndive.  

Si staf i TV “Alba Life” së bashku me gazetarin Valon Gërbeshi, u larguam nga ky universitet me krenarinë e ligjshme se në këtë universitet elitar kemi pemë ulliri që do të rrojë përjetësisht. 

Koncerti do të transmetohet së shpejti në kanalet televizive. 

23 Shkurt, 2022

Montclair State University, New Jersey    

Filed Under: Kulture

Deklaratë e përbashkët e krerëve të institucioneve të Republikës së Kosovës pas agresionit ushtarak dhe invadimit të Ukrainës nga Federata Ruse

February 24, 2022 by s p

Presidentja e Republikës se Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur takim me krerët e institucioneve të Kosovës për të diskutuar zhvillimet pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe implikimet për sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë dhe rajonit.

Në takim kanë marrë pjesë: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, Kryeministri Albin Kurti, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj.

Pas takimit, krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës lëshojnë këtë deklaratë të përbashkët pas agresionit ushtarak dhe invadimit të Ukrainës nga Federata Ruse:

Republika e Kosovës dënon fuqishëm agresionin ushtarak dhe invadimin e Ukrainës nga Federata Ruse që shpërfaqë hapur qëllimin rus për të minuar të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. Gjithashtu, Republika e Kosovës dënon njohjen ilegale të “pavarësisë” së regjioneve ukrainase të Luhanskut dhe Donetskut nga ana e Federatës Ruse.

Strategjia e ndjekur nga Moska për të krijuar përmes agresionit ushtarak entitete fantome brenda territorit të Ukrainës, grumbullimi masiv i forcave ushtarake në kufijtë e Ukrainës dhe sulmi masiv dhe i paprovokuar kundër qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës është një ndër goditjet më të rrezikshme që i është bërë arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore.

Përpjekjet revizioniste të diktatorit Putin për të minuar parimet themeltare të mishëruara në Kartën e OKB-së e që janë parimi i sovranitetit dhe barazisë së shteteve, integriteti territorial dhe e drejta e kombeve për të vendosur në mënyrë të pavarur për fatin e tyre, gërryen themelet e rendit ndërkombëtar.

Agresioni ushtarak kundër Ukrainës nuk mund të përmbysë triumfin e vlerave të lirisë dhe demokracisë që shënuan përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe shembjen e Bashkimit Sovjetik, që më shumë se çdo gjë tjetër ishte një burg i kombeve dhe shtypës i lirisë njerëzore.

Sot, në Ukrainë nuk mbrohet vetëm sovraniteti dhe e drejta për vetëvendosje e një populli të lirë dhe e një shteti të pavarur. Por, në Ukrainë mbrohen vlerat universale të paqes, demokracisë dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje.

Askush më mirë sesa populli i Kosovës nuk e njeh fuqinë e vlerave të lirisë, dinjitetit njerëzor dhe të drejtës për vetëvendosje.

Ishin këto vlera dhe parime që motivuan botën demokratike që në vitin 1999 të ndërhynte për të shpëtuar popullin e Kosovës nga rreziku i shfarosjes nga regjimi gjenocidal i Serbisë së Sllobodan Milosheviqit.

Tendenca e diktatorit Putin për t’iu referuar rastit të Kosovës dhe për të tërhequr paralele janë tërësisht të paqëndrueshme, abuzive dhe përpjekje për të kamufluar mungesën e çfarëdo baze dhe arsyetimi të sulmit barbar të forcave të tij kundër një shteti sovran.

Procesi i pavarësimit të Republikës së Kosovës ka qenë rezultat i shpërbërjes së përgjakshme të Federatës Jugosllave, suprimimit të dhunshëm të statusit federativ të Kosovës, zbatimit të politikës së aparteidit ndaj popullit shqiptar përgjatë një dekade, luftës çlirimtare kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit, ndërhyrjes ndërkombëtare për ta ndalur gjenocidin, administrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe procesit negociator me ndërmjetësim ndërkombëtar për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Për më tepër, ligjshmëria e pavarësisë së Kosovës është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si trupi më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare.

Federata Ruse jo vetëm që nuk ka kundërshtuar asnjëherë luftërat pushtuese dhe fushatat gjenocidale të Serbisë në hapësirën e ish-Jugosllavisë, por ka vazhduar të luaj rol negativ duke mbështetur pa rezervë tendencat destabilizuese dhe politikat anti-evropiane në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke shfrytëzuar shtete dhe liderë që i ka nën kontroll, për të penguar integrimin euro-atlantik të rajonit tonë.

Republika e Kosovës është përballur vazhdimisht me përpjekjet e Federatës Ruse për ta minuar sovranitetin dhe progresin e saj, qoftë duke bllokuar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke armatosur Serbinë dhe duke ndërtuar baza të kamufluara ushtarake në Serbi, në afërsi të kufirit me Kosovën, apo duke orkestruar luftë speciale dhe hibride përmes propagandës dhe formave të tjera që Moska në vazhdimësi ka ndërmarrë kundër Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës shprehë solidaritetin dhe mbështetjen e saj të parezervë me Ukrainën dhe popullin e saj. Në mbështesim të drejtën e patjetërsueshme të Ukrainës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial.

Ne shprehim shpresën dhe besimin tonë se vetëm reagimi i vendosur i bashkësisë ndërkombëtare, kundër agresionit ushtarak dhe invadimit të Ukrainës nga Federata Ruse është vendimtar për t’i dhënë fund këtij agresioni.

Republika e Kosovës mbështetë plotësisht reagimet e shteteve demokratike dhe organizatave ndërkombëtare dhe iu bashkohet atyre në ndërmarrjen e veprimeve dhe masave që ndëshkojnë agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke përfshirë shqiptimin e sanksioneve, masave dhe veprimeve të tjera.

Republika e Kosovës do t`i bashkërendojë ngushtë veprimet e saj me shtetet liridashëse të rajonit dhe aleatët strategjik euro-atlantik, veçanërisht SHBA-të dhe BE-ja, për ta kundërshtuar fuqimisht luftën pushtuese të Rusisë në Ukrainë dhe për t’u përballur me pasojat, të cila mund t`i prodhojë agresioni i Moskës në rajonin tonë nëpërmjet shteteve mike të Rusisë dhe aktorëve joshtetëror. Tendencat destabilizuese të Rusisë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor tashmë janë të qarta dhe atyre do t’i kundërvihemi së bashku me aleatët tanë.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT