• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

SHKOLLA E PARË E STUBLLËS DHE DON MIKEL TARABULLUZI

March 7, 2022 by s p

Hazir Mehmeti/


7 Marsi – Dita e Mësuesit, moment i rikujtimit të figurave madhore shqiptare në historinë kombëtare. Shumë intelektual patriotë nga të gjitha trevat shqiptare u flijuan për shkronjat shqipe, fjalën shqipe të mohuar e shkelur nga pushtuesit grek, turq, serb e sllavët tjerë. Sot jemi krenar me historinë tonë të ndritur nga emra të tillë para të cilëve përulemi me respekt. Ndër ta pa dyshim ishte edhe Don MIkel Tarabulluzi. Don MIkel Tarabulluzi u lind në Prizren. Mësimet fillestare i mbaroi shkollën për famullitar tek mësuesi Mati Logoreci. Në Shkodër mbari kolegjin Shën Françeskan Saverian dhe studimin për papnor. U dërgua në Austri ku studio filozofinë dhe teologjinë. Imzot Anderua Logoreci kishte meritat kryesore në shkollimin e Dom Mikelit, formimin e tij si prift dhe intelektual me vlera në themelimin e shkollave dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Dom Mikeli shërben në Pejë, kurse në fillim të vitit 1896 emërohet famullitar i Karadakut, përkatësisht i Letnicës, ku gravitonin Stublla Epërme, Binça dhe disa katunde të tjera Me angazhimin e tij, por edhe të bamirësisë së familjes së Sedovytëve (sc. Sedaj), është siguruar shtëpia në pasurinë e kësaj familje, që do të shërbejë për kishë dhe më vonë për shkollë. “Kështu, në vend që besimtarët e Stubllës dhe të disa katundeve të tjera të shkojnë të dielave në Letnicë, nga Letnica vinte dom Mikeli te ata, jo vetëm për t’iu meshuar dhe për t’ju bërë shërbesat e tjera fetare. Misioni i tij u tejçua deri aty sa për t’i hapur Stubllës një shkollë shqipe“. Mikel Tarabulluzi është themelues i Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë. Ai krahas punës si famullitar ishte edhe mësues i devotshëm e kombëtar pjesë e lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të një lëvizjeje të përgjithshme të popujve ballkanikë për t’u çliruar nga zgjedha turke. Është konstatuar se pikërisht dom Mikeli, i frymëzuar nga kërkesat e Lidhjes së Prizrenit, iu kishte, bashkangjitur aradhes së Idriz Seferit, krahas luftetërëve tjerë nga Stublla e rrethina sikurse ishin Gjon Koliqi, Engj Pali, Gjon Andrea e shumë tjerë që marrin pjesë aktivisht në Luftën e Kaçanikut më 1910. Natyrisht, nxënës të tij dhe të vëllait të tij Jakut janë edhe Mark Lorenci, Zinë Demaj, Pal Ramaj, Gjergj Ramaj të cilët jetonin në Stubëll, por edhe disa stubllanë të tjerë, si të thuash, të një gjenerate më të re, siç është Ndue Ballabani, i biri Jozës, bashkëpunëtorit dhe mikut të ngushtë të dom Mikelit, i mbajnë të gjalla në kujtesë punët pastorale dhe arsimore të famullitarit dhe mësuesit të tyre. Shkolla e parë ku mësohej gjuha shqipe ishte meritë e Don Mikel Tarabulluzit.

Filed Under: Kronike

ELBASANASI MEHMET GJEVORI – MËSUESI I MËSUESVE SHQIPTARË NË KOSOVË

March 7, 2022 by s p

-“Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari”, shkruante mësuesi i mësuesve shqiptarë në librin e madh të përshtypjeve, të pafund e të përjetshëm, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz/

Gazeta DIELLI, sot në Ditën e Mësuesit – 7 Mars 2022,  riboton shkrimin e korrespondentit në Kosovë Behlul Jashari të para 12 viteve – 7 Marsit 2010:

KUJTESË – MEHMET GJEVORI, I LINDUR NË ELBASAN PARA 100 VJETËVE, MËSUESI I MËSUESVE TË KOSOVËS

PRISHTINË, 7 Mars 2010/  Elbasanasi Mehmet Gjevori, mësuesi i mësueve të Kosovës, këtë vit do mbushte 100 vjet. “Ndonëse jam i lindur në Elbasan, vendlindje të dytë kam Kosovën”, thoshte ai.

Autori i abetarës së parë në gjuhën shqipe në Kosovë, botuar në vitin 1946, dhe i shumë teksteve shkollore e të tjera, veterani e njeriu i kontributit shumë të madh në arsimin kosovar, Mehmet Gjevori, i lindur më 1910 në Elbasan, ka ndërruar jetë më 1 maj 2007 në moshën 97-vjeçare në Prishtinë.

Në shtator të vitrit 1941 iu përgjegj vullnetarisht apelit të ministrit të atëhershëm të Arsimit të Shqipërisë Ernest Koliqi për të ardhur në shërbim në Kosovë. Në atë kohë, misionarët e arsimit në trojet shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë u bënë 400 normalistë, shumica e tyre djem dhe vajza të Elbasanit.

Emrin e Mehmet Gjevorit, sot në Ditën e Mësuesit dhe në këtë 12-vjetor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e gjejmë edhe në librin e madh të përshtypjeve, të pafund e të përjetshëm, në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.

Në atë libër, në Prekaz të Drenicës, në vendin e shenjtë të pavdekësisë së Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare, Kryemësuesi i Kosovës ka shkruar:

“Më 11. 8. 2002

Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari. Pikërisht gjatë atyre ditëve kam pas buajtur në disa familje, emrat e të cilëve mjerisht nuk më kujtohen, e më kanë pas pritur përzemërsisht.

Një ndër mësuesit e parë, që ka pas ardhur e ka shërbyer vullnetarisht në dy shkolla fshatrash të Drenicës, ka qenë edhe Ahmet Meha Kelmendi, …Geci e të tjerë. Më kujtohet se të gjithë nxënësit e katër shkollave fillore të Drenicës i kanë pas ndjekur mësimet me zell të madh dhe pasi shumë nxënës ishin edhe pak të rritur, ne i kalonim edhe nga dy klasë disa, pra prej klasës II në klasën IV. Të paharrueshme kanë qenë ato ditë të atyre dy viteve që i kam pas kaluar në rrethin e Drenicës.

Lavdi u qoftë Adem Jasharit si dhe të gjithë anëtarëve të familjes Jasharaj!

Mehmet Gjevori”.

Pas ardhjes nga Elbasani, fillimisht, Gjevori emërohet në Prizren si drejtor i shkollës fillore “Abdyl Frashëri”, ndërsa nga 1944 deri më 1950 shërbeu si kryeinspektor i shkollave shqipe të Kosovës, e pastaj redektor në shtpinë botuese “Mustafa Bakija” në Prishtinë. Nga viti 1958 e deri në pensionim më 1975 ka punar redaktor e kryeredaktor në Redaksinë e Botimeve Rilindja.

Gjevori tregonte: “Krahas detyrës kryesore  si redaktor i botimeve kam  bërë  edhe  detyrën  e lektorit  në gazetën Rilindja. Para  dite punoja  në Redaksinë  e Botimeve kurse pasdite  në  redaksinë  e gazetës Rilindja… Kontrolloja  gjuhësisht  shkrimet  e  gazetës  që do të jipeshin për botim.”

Mehmet Gjevori ka marrë shumë dekorata, mirënjohje dhe falënderime, por ai, gjithnjë veçonte dy nga ato: “Nga të gjitha dekoratat që kam marrë deri më tani, unë veçoj këtë të Presidentit të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës, dhënë më 10 qershor 2003, si dhe medaljen e artë ‘Naim Frashëri të klasit I” të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Dr.Sali Berishës, dhënë në Tiranë, më 11 prill 1994, për shërbimin në shkollat shqipe në Shqipërinë Veriore e Lindore, jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar”, ka shkruar Gjervori.

“Me sinqeritetin më të madh njerëzor veçoj e theksoj se këto dy dekorata të arta i konsideroj jo vetëm si sukses timin personal, por edhe të të gjithë punonjësve të arsimit, që kanë shërbyer e kontribuar në Kosovë e në viset e tjera shqiptare”, shkruante Gjevori në një letër falënderimi drejtuar Presidentit historik Ibrahim Rugova për dekorimin me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, për kontributin e dhënë në fushën e arsimit të Kosovës, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj në mbarëvajtjen e shkollës në Kosovë, në fushën e hartimit të teksteve shkollore, si dhe të përkrahjes së Lëvizjes Demokratike të Kosovës për liri e pavarësi.

“Mironjohje të veçantë, jam i informuar këto ditë, do të më bëjë edhe Bashkia e Elbasanit për kontributin tim gjatë gjatë këtyre gjashtë dekadave e gjysmë në arsimin në Kosovë”, ka thënë Gjevori në një intervistë për numrin jubilar të 60-vjetorit të gazetës Rilindja më 12 shkurt 2005. Atë vit në dhjetor Bashkia e Elbasanit ka nderuar me “Certifikatë Mirënjohjeje” 149 normalistë të qytetit të Elbasanit, ndër të cilët Mehmet Gjevorin, për shembullin që kanë dhënë për përhapjen e arsimit shqip.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e shuarjes së Mehet Gjevorit ngushëllonte:

“Mehmet Gjevori është nga emrat e rrallë të arsimit shqip në Kosovë, i cili gati një shekull të plotë jetën ia kushtoi edukimit dhe arsimimit të brezave në Kosovë. Erdhi në Kosovë atëherë kur na u desh më së shumti dhe qëndroi në Kosovë për gjithë kohët e vështira që kaluam si popull për të qenë këmbëngulës në misionin e tij të shenjtë. Si autor i abetares së parë shqipe në Kosovë, Mehmet Gjevori me përkushtim të rrallë shpërndau shkronjën shqipe gjithandej nëpër Kosovë.
E gjithë krijimtaria edukativo-arsimore dhe botuese e Mehmet Gjevorit ka një mision të përbashkët në përhapjen e dijes dhe të kulturës shqiptare.
Për rolin e veçantë të tij prej mësuesi dhe atdhetari, Presidenti Rugova e ka dekoruar me Medaljen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u jepet personaliteteve të rralla për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në veprimtari atdhetare.
I falemi përgjithmonë përkushtimit të tij jetësor!”

Filed Under: Interviste

Duhet një armëpushim brenda opozitarizmit

March 7, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Dëmi më i madh që ka vendi sot është çarja e opozitës. Këtë e tregoi edhe pjesëmarrja e ulët në votime me rreth 30% në ato 6 Bashki, ku përjashto Shkodrën të tjerat ishin rrëzuar nga skandalet. Logjikisht duhej të kishte një revansh opozitar por kjo nuk ndodhi. Arsyeja e parë është pikërisht çarja fatale e opozitës, e dyta reforma territoriale dhe e treta largimi i pjesës më vitale nga vendi. Por le të ndalemi tek opozita pasi po shoh që shumë zëra e konsiderojnë këtë garë jo politike, jo si pjesëmarrje për të fituar, pasi qeveria kështu e ashtu, por si një barometër për të kuptuar se cila është opozita reale, Lulzim Basha apo Sali Berisha? Me një fjalë, kush duhet tashmë ta drejtojë opozitarizmin në Shqipëri, Lulzim Basha apo Sali Berisha etj.? Sinqerisht më vjen keq të justifikosh sot humbjen me preteksin se hymë në garë për të zbuluar opozitën reale apo liderin real. Me këto shifra që po shohim, edhe sikur t’i mbledhësh, pra shifrat e PD-ës së Bashës dhe Shtëpisë së Lirisë së Sali Berishës, prapë opozita nuk ka fituar. Përjashto Shkodrën, ku nëse votat e kandidatit të Bashës do i ishin shtuar kandidatit të Berishës, hendeku do ishte i madh. Dhe Shkodra ka arsye, pasi në këto 9 vite qeverisje ka qënë me e denigruara publikisht se çdo metropol tjetër në Shqipëri. Rama ia kërkoi po publikisht të ndryshonte, por ai kurrë nuk ia kërkuar vetes se tij një gjë të tillë. Sot opozitarizmi si fitues, si ai i vendit të tretë, kanë humbur. A është Lulzim Basha një nga shkaktarët. As nuk luan topi që po. Megjithatë nuk mund të themi që u futëm në këto zgjedhje për të zbuluar se kush është lideri real! Shpresoj që brenda kampeve të kenë mbetur nga pesë burra me mend në kokë, siç e themi ne, që t’i kërkojnë qoftë Lulzim Bashës por edhe Sali Berishës, hapjen e krahut. Për Bashën nuk ia vlen të diskutosh më. Nëse do të rrijë një anëtar i thjeshtë, e ka në dorë ai. Sali Berisha bëri një betejë për t’u admiruar, e para për moshën, e dyta për futjen e primareve dhe kolegjialitetit në një forcë politike. Forcat politike në Shqipëri nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 vdiqën, mori një hov brutal kulti i individit, aq sa sot socialisti e shikon Edi Ramën si klasa punëtore dikur Enver Hoxhën. Kështu edhe demokratët Sali Berishën apo ata mendjembushurit në sektorin e tretë, Lulzim Bashën. Duhet një hapje krahu frontale, një qilizëm intelektual se zgjedhjet e vitit që vjen janë në prag. Një ide e kam ofruar edhe unë, më i votuari a më të votuarit, i, e, 25 prillit të vitit 2021, pra zgjedhjeve të fundit, sidomos ata që thyen edhe herësin, të jenë kontigjenti nga ku duhet të dali lidershipi i ri. Dhe më kryesorja, jo më aleanca bizarre me kryetarë partish që kanë si anëtarë vetëm veten. Vendi ka nevojë për një epokë të re si ajo viteve 90-të. Mjaft i dhatë mandate dikujt vetëm pse flet bukur studiove. Madje nëse kanë mbetur edhe aty me pesë pare mend në kokë, nuk kanë pse rrinë deputet asnjanjës me votat e demokratëve të braktisur. Keni kampionin Fatmir Mediu përshembull. Ata 30% që kanë votuar janë me kuota të larta nga e majta. Këtu duhet kërkuar dështimi. Sali Berisha për sa bëri bravo i qoftë, duhet ta vazhdoj betejën e tij jo për veten, por për demokratët. Eshtë historia e tyre dhe suksesi i tyre. Arsyeja që Basha është sot sektori i tretë, është pikërisht kundërvënia karshi historisë së demokratëve. Sali Berishën e quajnë kriminel ajo shtresë sociale që quan normale vrasjet, internimet, persekutimet, varret e humbura të një shpure të tërë shqiptarësh nga Enver Hoxha, kësaj aradhe, iu shtua sot edhe Basha me shpurën e tij. Pra kjo është kundërvënia karshi historisë. Ka ardhur koha e rrotacioneve, e ndjesës, e hapjes së krahut. Ndryshe Shqipëria po pason sektorin e Lindjes nga ku me mjetet e demokracisë po prodhojnë gjoja liderë të fortë. Në fakt po prodhojnë ca mini statuja nga Stalini deri tek Enver Hoxha. Faktet i keni të gjallë. Lindja  është në një luftë të pashpresë, deri sa avionë e tanke luftarakë shkelin civilët në rrugën e madhe. Shkurt është koha për një armëpushim të madh brenda opozitarizmit. 

Filed Under: Ekonomi

DITËT QË BASHKOJNË MIQTË

March 7, 2022 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Çaste të paharruara nga Jubileu i dhjetë i “Ditës së Miqësisë së Gazetarëve”

S’ka si të ndodhë më bukur se kaq, kur gjendesh mes gazetarësh profesionistë për dy ditë rradhazi, mbështjellur me petkun e ngrohtësisë së miqësisë së ndërsjelltë të kolegëve. Do ta quaja jo vetëm një takim pune frytdhënëse, ku secili prej nesh shkëmben eksperiencën e tij, por edhe një takim vëllazëror mes kolegësh nga Shqipëria e Kosova, me të cilët miqësia merr kuptim akoma më shumë, sepse ka një mision të përbashkët e të shenjtë: qënien gardjanë e përçues të fjalës së lirë dhe të medias së pavarur. 

   Në “Ditët e Miqësisë”, organizuar në Republikën e Kosovës, ishin të përfshira brënda harkut kohor dy ditor, një mori aktivitesh të mirëorganizuara nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, të inicuara nga Unioni i Degës së Elbasanit dhe Ress Egnatia përfshirë këtu edhe Unionin e Gazetarëve të Kosovës. Të gjitha këto aktivitete, sipas programit, ishin të përqëndruara në qytetet e Prishtinës, të Mitrovicës dhe në Prekazit si destinacionet kryesore të udhëtimit, akomodimit dhe vizitave tona më të rëndësishme. 

   Ky eveniment i rëndësishëm i UGSH-së ka qarkulluar këto 10 vjet në shumë qarqe të vendit dhe rajonit. Nga Saranda deri në Shkodër, Shkup, Preshevë e Bujanoc ku UGSH-ja ka përcjellur mesazhet e tij të miqësisë dhe të bashkëpunimit mes komunitetit të gazetarëve, i cili si destinacion të jubileut të 10-të kishte zgjedhur të mbahet në Prishtinë dhe Mitrovicë. 

   Si inciatorë kryesorë kreu i UGSH-së dega Elbasan, Besim Dybeli, Shoqata Ress Egnatia e drejtuar nga Xhimi Vila dhe kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Aleksandër Çipa, u vlerësuan si “truri dhe vula” e këtij aktiviteti të rëndësishëm të UGSH në këtë jubile të 10-të të miqësisë dhe bashkëpunimit. Duke dashur që “Dita e Miqësisë” të prekte çdo cep teritorial të trungut etnik, organizatorët janë kujdesur vit pas viti që përgjatë gjithë kësaj dekade, ky aktivitet të zhvendosej në qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, në Shkup, në Preshevë e Bujanoc ku vitin e kaluar u mblodhën së bashku më shumë se 100 gazetarë shqiptarë. Ndërsa këtë vit në përvjetorin e 14-të Pavarësisë së Kosovës ky aktivitet u zhvillua në Prishtinë e Mitrovicë me pikësynimin tematik pasqyrimin e realitetit aktual të këtij shteti në marrëdhënie me “Ditën e Miqësisë”. 

   Ndërkaq, falë kontributit dhe këmbënguljes së kryetarit të UGSH-së Aleksandër Çipa, kryetarit të UGSH-së në Elbasan Besim Dybelit si dhe Xhim Vilës, kryetar i Shoqatës “Ress Egnatia”, pjesë e këti eventi u bënë edhe gazetarët nga Lugina e Preshevës. Kontribut të veçantë solli edhe gazetari Valon Gashi, krytar UGLP-së, i cili arriti të ndërtojë urën lidhëse mes Luginës dhe Shqipërisë në bashkëpunim me Nexhat Behlulin, presidentin e kompanisë mediale “Spektri”.  

   Ndër aktivitetet kryesore gjatë këtij aktiviteti dy ditor spikatën: -Pritja nga autoritete zyrtare të Republikës së Kosovës. -Përurimi i librit “Hotel Bejruti”, botim i UGSH të gazetarit të mirënjohur dhe reporterit të luftës Nehat Islami. -Tryeza me temë “Skenat mediatike në kërkim të një tregu mediatik”. -Ndarja e çmimeve nga organizatorët, ku mund të veçoj Sejmen Gjokolin nga Vlora, i cili prej disa dekadash është një veprimtar i shquar i kulturës kombëtare, duke krijuar modelin e veçantë të reportazhistit kulturor dhe mikut të gazetarëve ndërkombëtarë në mediat kulturologjike. Botime të shumta në formate dhe zhanre të ndryshme të gazetarisë kulturore, e evidentojnë Sejmen Gjokolin si një ndër më aktivët e kësaj fushe në krejt hapsirën shqiptare. 

   Gjithashtu në këtë shkrim dua të veçoj edhe z.Bahri Cani, reporter dhe moderator i njohur i radiotelevizionit dhe për një periudhë shumëvjeçare gazetar i Deutsche Welle në shqip. Me punën dhe raportimin e vet shumëvjeçar ka ndikuar mbi audiencat shqipfolëse dhe ia ka dalë të investojë në krijimin e profilit të gazetarit profesionist, të besueshëm dhe solidar. Kontributi për gazetari cilësore dhe aktivizimi i tij në rrjetin e reporterëve ndërkombëtarë, janë përfaqësim dinjitoz i gazetarit shqiptar në tërësi.   

   Mrekullia e kësaj veprimtarie ishte edhe prezantimi i përkryer nga gazetarja dhe moderatorja simpatike Alketa Gashi Fazliu, që me aftësitë e saj brilante, me buzqeshjen e saj të bukur dhe të sinqertë, me finesën e saj, me profesionalizmin dhe improvizimet që ajo krijoi në mënyrën më të përkryer, i dha larmi këtij evenimenti, duke na dhuruar kënaqësi dhe emocione të jashtzakonshme.

   Të nesërmen u organizua një takim në Mitrovicë në ambjentet e radio-televizionit të drejtuar nga Nexhmedin Spahiu, ku morëm një sërë informatash para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës, për ndarjen e Mitrovicës në Veri e Jug etj. Më pas vizituam shtëpinë muze të Xhafer Devës, duke vijuar me vizitën në Prekaz në Kullën e familjes heroike Jashari. 

   Ajo që i dha më shumë kuptim miqësisë sonë ishte dreka bujare e vëllazërore e shtruar nga drejtori i televizionit të Mitrovicës z. Nexhmedin Spahiu, një drekë në nderim të miqve e përcjellur me atmosferë, muzikë dhe diskutime, të cilat farkëtuan me shumë dinjitet miqësinë tonë të ndërsjelltë. 

   Lidhur me këto ditë të veçanta të Miqësisë, gjej rastin të falenderoj kryetarin e Unionit të Gazetarëve dega Shkodër z. Gaspër Marku për mundësinë dhe veçantinë që i dha pjesmarrjes time në këtë aktivitet mbarë kombëtar. Po kështu i shpreh mirnjohje tejet të sinqerta kryetarit të UGSh z. Aleksandër Çipa për organizimin e këtyre aktiviteteve të jashtëzakonshme, të cilët na lidhën në miqësi reciproke me kolegët tanë nga të gjitha trojet tona etnike. Suksese të gjithë gazetarëve shqiptarë kudo ku e zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe mirë u takofshim në të tjera aktivitete të tilla frytdhënëse. 

Filed Under: Emigracion

Presidentja Osmani: Ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës si gjenocidi i Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës në vitet ’90

March 7, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, ka marrë pjesë në tubimin dhe marshin solidarizues me Ukrainën, që është organizuar sot në Prishtinë nga organizatat e shoqërisë civile. Presidentja Osmani ka falënderuar të gjithë për prezencën, por mbi të gjitha organizatat e shoqërisë civile për këtë organizim, që sipas saj, edhe një herë e dëshmon se Kosova qëndron fuqishëm me popullin e Ukrainës, siç ka qëndruar përgjatë gjithë historisë me popujt liridashës anekënd botës.
“Natyrisht, se ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës në këto momente na rikthen kujtimet e plagëve të rënda që janë shkaktuar mbi secilin qytetarë të Kosovës gjatë viteve të ’90 nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Prandaj, edhe i jemi bashkuar botës demokratike, i jemi bashkuar aleatëve tanë jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën, por në të njëjtën kohë për të kërkuar përgjegjësi për krimet që po i kryen krimineli i luftës, diktatori Putin. Do të qëndrojmë të bashkuar, do të bashkojmë zërin dhe veprimet tona sikurse edhe deri më tani, dhe jam e bindur që sikurse në rastin e Kosovës në vitin ’99, edhe tani në Ukrainë në vitin 2022 do të triumfojë liria dhe demokracia”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, Kosova me të gjitha kapacitetet e saj është e gatshme të pres refugjatë nga Ukraina.
“Që nga dita e parë e agresionit të Rusisë në Ukrainë e kemi iniciuar këtë çështje me institucionet relevante. Tashmë ju e dini që është miratuar edhe një rezolutë e Kuvendit të Kosovës, dhe institucionet tona kanë treguar gatishmëri që të gjitha ato kapacitete që i kemi dhe që janë ndërtuar në ndërkohë për pritjen e refugjatëve nga Ukraina t’i shfrytëzojmë. Në të njëjtën kohë, natyrisht që këtë ia kemi bërë të ditur edhe shteteve të cilat tani kanë më shumë refugjatë, por edhe shteteve tjera aleate. Për më tepër Kosova, ka treguar gatishmëri që t’i jap mbështetje dhe mikpritje edhe gazetarëve nga Ukraina, në mënyrë që ata jo vetëm të vendosen në Kosovë, por edhe të vazhdojnë ta kryejnë punën e gazetarisë dhe raportimit këtu nga një vend i sigurt, pra nga Republika e Kosovës. Gjithçka që është në dorën tonë e kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë edhe më tutje brenda kapaciteteve që një shtet i vogël si Kosova i ka. Por, të jemi të qartë se është me rëndësi që zëri ynë të dëgjohet në çdo kënd të botës se çfarë ndodhë kur diktatorët ledhatohen dhe se sa e nevojshme është ndihma e aleatëve tanë perëndimor dhe shteteve të tjera paqedashëse në raport me popullin e Ukrainës që tani po bombardohen nga ana e Rusisë”, ka theksuar Presidentja Osmani. E para e vendit, po ashtu ka bërë të ditur se si institucione kanë komunikuar me ambasadat e Ukrainës anekënd botës, sidomos në shtetet ku edhe Kosova ka ambasada. “Ne natyrisht që kemi komunikuar me ambasadat e Ukrainës anekënd botës, sidomos në shtetet ku edhe Kosova ka ambasada. Kemi dërguar mesazhet tona edhe të institucionet qendrore të Ukrainës. Natyrisht, që ata janë të vetëdijshëm për të gjitha masat që i ka ndërmarrë Republika e Kosovës në përkrahje të popullit të Ukrainës, si dhe të sovranitetit dhe integritetit territorial të këtij shteti. Po ashtu, janë të vetëdijshëm se cili është shteti në rajonin tonë, i cili po vazhdon të qëndrojë përkrah Putinit dhe Rusisë, dhe natyrisht ajo është Serbia”, ka thënë Presidentja Osmani.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT