• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

HAPJA E SHKOLLËS SË VËRBENIT MË 1889 NË REKË TË EPËRME ME MËSUESIN OLIMPIA SAVA ISHTE SHKOLLË LAIKE

March 6, 2022 by s p

Avzi MUSTAFA

Një fshat që është shumë interesant, i cili mbijetoi, por edhe sot e kësaj dite është me banorë që jetojnë aty, është Vërbeni. Ky fshat gjendet pas fshatit Duf, menjëherë në të djathtë para Mavrovës, në kilometrin e pestë nga rruga Gostivar-Dibër. Në bazë të dokumenteve qëndron se kisha e parë është ndërtuar më 1831 dhe e mban emrin, siç i thonë banorët, “Shum Nikolla”, ose “Shën Nikolla”, siç i thonë sot në gjuhën maqedonase.

Në Vërben, për shkak të kushteve të mira dhe rrugëve që të çonin, si në Gostivar, ashtu edhe në Dibër, kanë jetuar një numër më i madh i popullatës në krahasim me fshatrat tjerë të Rekës së Epërme. Sipas statistikave që na i prezanton historiani bullgar Kënçov, ky fshat, në fillim të shekullit XIX, ka numëruar 660 banorë, prej të cilëve 300 shqiptarë të krishterë dhe 360 shqiptarë të konvertuar në fenë islame. 

Fshati Vërben është një ndër fshatrat më të gjallë në krahasim më fshatrat tjerë të Rekës së Epërme jo vetëm tani, por edhe në kohët e mëparshme. Dikur, por edhe sot, ata janë marrë me blegtori dhe me përpunimin e bulmetit e të brumërave, sidomos të prodhimit të kadaifit e koreve të ndryshme, por edhe me ndërtimtari ose punëtorë krahu në tërë Ballkanin, si në Bullgari, Rumani, Serbi, Rusi, Stamboll.

Gjatë Perandorisë, ashtu si çdo shqiptar, edhe këta banorë shkonin në vendet e Ballkanit për kurbet. Ata shkonin në Bullgari, Rumani, Stamboll e gjetiu. Edhe pse shumica ishin krahë pune dhe mundoheshin të fitojnë për t’i mbajtur familjet e tyre, ata nuk e kursyen atë fitim të vogël që t’i formojnë edhe shoqatat e tyre për ta ndihmuar vendin e tyre të robëruar. Një shoqëri, që ishte më e madhja në tërë Ballkanin, ishte Shoqëria e Bukureshtit, e cila edhe ishte më aktivja. Me kontributin dhe angazhimin e kësaj Shoqërie u realizua edhe Mësonjëtorja e Korçës.

Hapja e “Mësonjëtores shqipe të Korçës” është një kontribut shumë i madh, që do të ndikojë në mënyrë pozitive në mbarë trojet e shqipfolëse për të hapur shkolla në gjuhën amtare. Kjo shkollë ishte e para që e mori karakter kombëtar dhe laik. Kjo shkollë u dha zemër të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh se ku jetonin, që ta vazhdojnë punën e tyre që sa më parë ta arsimojnë popullatën në frymën e shqiptarizmës, por edhe në të njëjtën kohë ajo do të jetë mburojë për t’ia ndërprerë rrugën përçarjes dhe fanatizmit fetar.

Pas hapjes së shkollës së Korçës pas pak muajsh u hapën një numër i madh shkollash në shumë zona, si në: Korçë, Kolonjë, Pogradec, Dibër, Ohër, Gjakovë, Pejë, Manastir, Shkup, Rekë e Epërme etj. Sipas të dhënave të historianit të arsimit shqip, prof. Hysni Myziri, i cili flet për vrullin e hapjeve të shkollave në gjuhën shqipe, “një shkollë në gjuhën shqipe u hap në Rekën e Epërme në fshatin Vërbgjan”. Siç duket në dokumente, në këtë fshat është hapur një shkollë shqipe, por kohëve të fundit, me shfrytëzimin e arkivave të ndryshme dhe shtypit të kohës, duket se është bërë një gabim, sepse shkolla është hapur në VËRBEN e jo në Vërgjan. Fshati Vërbgjan ndodhet në mes dy Rekave, sepse Reka ndahet në pesë (5) pjesë: Reka e Vogël, Reka e Poshtme, Reka e Epërme dhe nga tre fshatrat të Mavrovës, ku bëjnë pjesë Lenonova, Niqiforova e Mavrova, kurse fshati Vërgjan është ndërmjet Rekës së Poshtme dhe Rekës së Epërme. 

Për ta justifikuar pohimin se shkolla e parë në Rekë të Epërme është hapur në Vërben, unë do të ndalem në një shkrim nga një udhëpërshkrim i Peter Elezit, që i bëri Malësisë së Dibrës dhe Gostivarit me rastin e hapjeve të shkollave të gjuhës shqipe në Rekë të Epërme më 10 korrik të vitit 1941. Në udhëpërshkrimin me titull: “Në bisedë me gjind që flasin në gjuhë të vet”, që e boton në gazetën “KOSOVA” më 27 shtator 1941, në f. 4-5, ai do të shkruajë: 

“….Me 10 korrik bashkë me z. Selim Alliun u- nisëm me shkue e me pamë krahinën REKË E EPËRME. Automobili na përcolli deri në Tërnicë. Komuneja e fundit e kësaj krahine. Hymë mbrenda në zyrë: aty gjetëm sekretarin Z. Damjan Beliçin. E pyetëm se ç’gjuhë dinte, që të merreshim vesh. Kur na tha se dinte shqip e ishte shqiptar nga Reka e Epërme, gëzimi i ynë që i madh. Ai na gjeti disa katundarë për me na shoqnue deri në nji katund të Rekës. Sipas një skice të bame nga ne vetë, katundi i parë, që kishim me pamë, ishte Vollkovia, që ndodhet nga e djathta e udhës që të çon nga Dibra në Gostivar e në faqe të një mali”.

… “kur mbërrijtëm në katund kërkuam shkollën; si e pamë u-nisëm me shkue në punën t’onë. Po plaku Z. Zylfi Fazliu na tha “ Zotni, do të vini me marrë nga një gotë qumësht në shtëpi t’eme…Ngulte kambë dhe e quante shpërçmim po të mos i shkojshim…… Zoti Zylfi na tha: “Dotë shkojmë tek shtëpija e Avllakum Gligorit…. Sikur shifet banorët e këtyne viseve janë të besimit Orthodoks e Muhamedan, Shqiptarët kanë nji dashni të madhe me njani tjetrin….. Kur shkuem në shtëpi të Z. Avllakum Gligorit, ai u bani za s’amës, grues dhe njerzvet të tjerë të shtëpistue u thanë”… Eja mori nanë, se na kanë ardh gjind që flasin në gjuhë të vet…”… Pasi mbetëm nji orë aherë kërkuam leje dhe u nisëm në punën t’onë se nuk priste koha…. Plaku Zylfi don me na shoqnue deri në katundin e afërm e të behesh udhërrëfyes i ynë… Mbas nji ore udhtëtimi mbërrijitëm në katundin e afërm që thohet Be’shnicë (Beliçicë). Shkuem drejtë në shkollë. Mbas pak erdhi shërbetori i shkollës, çeli shkollën dhe hymë mbrenda. Por sa u-hap shkolla u-mblodhën edhe katundar të tjerë. Edhe këta ishin të habitun e të gëzuar. E flisnin mirë gjuhën Shqipe… Pas Vollkovis mbërrijitëm në qafën që ndan të dyja lagjet e këtij katundi, një grup njerëzish nga parija e vendit, tue pas në krye edhe priftin, po ngjiteshim. Prifti Papa Maneja, Z. Gavril Andereja e të tjerë. Si u folëm me ta dhe plaku Zylfi u- u nisëm për në VËRBEN… Shërbetori i shkollës z. Jakov Metanija, shkonte përpara…; tregonte hallet e jetës dhe familjes… Shtëpijat e katundit VËRBEN, ku mendojshim me kalue të parën natë… Shkuam drejt në shkollë, që ishte e mirë dhe e re… Shërbetori u tha “Folu në gjuhë të vet; këta janë si na pi Albanije…”…. Kanardh pi Albanije dhe janë nazarnik” po i pëshpërisin njani me tjetrin në vesh… Po bisedojnë se si me e regullue fjetjen në shkollë, hyni në derë një plak madhshtuer, me një shkop në dorë mbi të cilin mbështetesh se i dhimte një kambë. Ishte z. Vllagun Filipi, nji nga paria e vendit……. “Zotni, sonte keni me fjet tek unë; mir-keq kemi me kaluekët natë së bashku”… E njihte mirë jetën dhe Shqipnin, ku kishte jetue si nënpunës në kohë të Turqis. Na tregoi shumë sende; ndër të tjera na tha: “Katundi i ynë e tanë Reka e Epërme kanë qenë mendueshum që të bëhesh ky vend Albani . Ka qenë edhe nji mësues nga ky katund, qe ka qenë mundue me përhap mësimin e gjuhës Shqipe; por asht largue nga katundi i ynë më 1914; ka pas marrëveshje me z. Xheladin Seferin që hapeshin shkolla Shqipe…”.. Të nesërmen në mëngjes shkuem tek vorri i këti mësuesi: kishte pas emrin OLIMBIA SAVA”.

Në bazë të kujtimeve, edhe pse të pakta, përsëri disa banorë të Vërbenit e mbajnë mend, duke fol e duke plotësuar njeri-tjetrin, se kjo shkollë në gjuhën shqipe duhet të ketë filluar diku në maj të vitit 1889. Në Vërben ishte hapur kjo shkollë shqipe kombëtare dhe ajo kishte gëzuar përkrahje shumë të madhe si nga populli, ashtu edhe nga kolonia shqiptare që vepronte në Rumani. Kjo shkollë, edhe pse u hap për fëmijët që të mësojnë shkrim e këndim në gjuhë amtare, në të njëjtën kohë ajo i hapi zemrat edhe të shumë prindërve të nxënësve, që ta ndjekin këtë shkollë. Shkolla ka qenë e financuar nga vetë shqiptarët e Rekës, Dibrës e Kërçovës, si dhe patriotët e Korçës e të Pogradecit, që punonin në Vllahi (Rumani). Kontributin më të madh e kishte dhënë banori i këtij fshati, Vllagun Filipi, i cili kishte punuar në administratën turke dhe kishte qenë në kontakt edhe me shqiptarët e Stambollit. Ai e ka njohur personalisht Koto Hoxhin, Naim dhe Sami Frashërin, Jani Vreton, Ismail Qemalin, Pashko Vasën, si dhe disa patriotë nga Dibra e Reka e Epërme, si: Sait Najdeni e Faik Vildani, Josif Bageri e Llazar Siljani, si dhe pronarët e disa furrave në Stamboll, si: Manajllovët, Matejtë e Leountinët.  

KUSH ËSHTË MËSUESI OLIMBIA SAVA?

Për biografinë e këtij mësuesi patriot, përveç atyre kujtimeve që janë bartur brez pas brezi, njohuri të tjera nuk ka. Atë që e dimë është varri i tij, që gjendet në varret e kishës së Dingozit. Ajo që është përcjell dhe mbahet në kujtesën e fshatrave është se emri i tij është i fshehur, kurse mbiemri mund të jetë i saktë, sepse mbiemra me Savën edhe në Vërben ka edhe në Strazimir. Këtu, nga banorët e vjetër të fshatit thuhet kur ka ardhur nga Rumania, i ka pasur afër 40 vjet. Ka ardhur në fshat me republikë (sheshir), me frak dhe me qostek sahati. Thuhet se çdoherë ka mbajtur këmishë me ngjyrë të zezë, që të duket se është prift. Kohën më të madhe e ka kaluar në kishën e fshatit dhe ka qenë i angazhuar si pitrop (personi që ua tregon ikonat familjeve që janë shpërngulur nga ky fshat). Pas ritualeve kishtare, ai i ka mbledhur fëmijët dhe “u ka mësue gjuhën Shqype, të bejnë hesap (arifemtikë) edhe ua ka mësu edhe drzhavat, bujqësi qysh me u punu toka dhe kanë kënduar këngë”. (bëhet fjalë për vjersha – A.M.).

Abetaren, siç e quan banori “bukvarin”, e ka sjell nga Bukureshti dhe i ka pasur vetëm 5 copë. “Germat i kanë gdhendë prej thuprave dhe i kanë shtrua në pod” (dysheme).

Shkollën e kanë ndjekur më shumë në kohën e dimrit, kurse në pranverë dhe në vjeshtën e parë, siç i thonë ata, numri i nxënësve ka qenë më i vogël. “Në kohën e dimrit numri ka qenë i madh, bile këtë shkollë e kanë ndjekur edhe banorët e “rritur për me ndie se qysh difton daskali”.

Olimpia Sava është shkolluar nga klerikët shqiptarë që i kishin përfunduar studimet e larta jashtë vendit. Një shkollë e tillë, sipas banorëve të vendit, ka qenë në Manastir, në Kishën e “Shën Mërisë”. Kjo kishë i pranonte fëmijë nga të gjitha krahinat ku i mbante me strehim, me ushqim e me fjetje. Në këtë kishë prania e klerikëve shqiptarë ka qenë e madhe. Nevoja për t’ua mësuar gjuhën shqipe në këtë manastir ka ardhur si revoltë ndaj priftërinjve grekë dhe serbë, që propagandonin se “vetëm gjuhët e tyre i njeh Zoti!”. Klerikët shqiptar, në pamundësi që publikisht t’ua mësojnë gjuhën amtare fëmijëve, sepse këtë nuk e lejonte as shteti e as kanunet fetare, ndjenjën për shqiptarizëm, si dhe shkrim-leximin, ua mësonin fëmijëve fshehtas në dhomat e strehimores. 

Olimbia Sava një kohë qëndron edhe në manastirin serb në Selanik, “Sveti Sava”. Më vonë ai e braktis këtë manastir dhe shkon në Sofje e pastaj në Bukuresht. Ai hyn në lëvizjen patriotike të shoqatës që vepronte në Bukuresht. Meqenëse ishte shumë i zgjuar dhe dinte shkrim e lexim, kolonia e Bukureshtit e dërgon në Rekë të Epërme, në Vërben, në fshatin më të madh ku banonin shqiptarët, për ta hapur aty shkollën në gjuhën shqipe.

Emri Olimbia, si duket, është emër kishtar, që të mos bie në sy prej pushtetit dhe priftërinjve fanatikë. Prifti Manej nga fshati Vërben dhe komuniteti kishtar ia japin Olimbisë edhe dokumentin se ai është i punësuar në kishën e fshatit për t’i kryer punët e kishës si pitrop. 

Mësuesi Olimbia Sava duhet të jetë lindur rreth viteve 1849/1850. Nga bashkëvendësit, që ishin nga Shtirovica, Vërbeni, Zhuzlje, Sence etj., ai është dërguar që ta hapë shkollën në këtë fshat me një pagesë prej disa napolonave – afër 500 grosh.

Në fillim shkolla punoi në një nga dhomat e kishës. Meqenëse numri i nxënësve ishte i madh, atëherë paria e fshatit, në krye me Vllagun Filipin, e nisin shkollën. Ndërtimi i shkollës ka zgjatur gati dy vjet dhe është ndërtuar sipas një modeli të një shkolle të Stambollit. Shkolla ka qenë me një klasë dhe një dhomë banimi në katin e dytë, por klasa ka pasur hapësirë shumë të madhe, ku ka pasur katedër, përreth murit disa ndarje në formë gjysmë harku për nxënës të veçantë dhe banka në mes të dhomës. 

Në ndërtimin e shkollës, përveç fshatarëve dhe anëtarëve të kolonisë së Bukureshtit, kontribut kanë dhënë edhe esnafët, sidomos “esnafi i terzive” në Dibër. Esnafi, denbabaden, furnizohej me produktet e leshit dhe të shajakut nga banorët e Rekës dhe atyre ua kishin borxh atë ndihmë.

Kjo shkollë, përveç arsimit elementar për djem dhe vajza, ka dhënë edhe arsim për të rriturit. Ajo i ka pasur katër klasë. Sipas plan-programit, nxënësit në klasën e parë i kanë mësuar shkronjat, në të dytën lexim, në të tretën Matematikë dhe në të katërtën Dheshkronjë, Punë dore dhe Muzikë. Fondi i orëve ka qenë më i madh në përvetësimin e shkrim-leximit dhe të arifmetikës, kurse në orët tjera kanë mësuar edhe Dheshkronjë, Muzikë (këndim) e Punë dore, sidomos vajzat, që kanë mësuar qëndisjen dhe gatimin, kurse djemtë i kanë mësuar çështjet e blegtorisë dhe të bujqësisë.

Metoda e mësimit që ka dominuar në përvetësimin e shkronjave ka qenë metoda e rrokjezimit dhe ajo fonetike, si dhe të lexuarit në kor dhe leximi “stafetë”, kjo për shkak të mungesës së librave. Prandaj mësuesi e ka ndarë mësimin në paragrafë, sepse ashtu iu ka dhënë mundësia çdo nxënësi që të përfshihet në lexim.

Për hapjen e shkollës në këtë fshat, si dhe për përpjekjen për hapjen e shkollave të tjera në këtë zonë, ka ndihmuar shumë edhe patrioti Luzian nga Dibra e Poshtme, Xheladin Seferi.

Po ashtu nga udhëpërshkrimi i Peter Elezit kuptojmë se kjo shkollë ka punuar deri në fillim të vitit 1914, kur forcat e ushtrive aleate të monarkive ballkanike, gjoja në emër të dëbimit të ushtrisë turke, e vritnin dhe masakronin popullin e pambrojtur shqiptar. Ishte koha kur shtetet ballkanike me turr bënin plane se kush do të gllabërojnë sa më shumë tokë shqiptare, sepse tek ata mbretëronte mendimi se tokat shqiptare janë pa zot – “tokë e askujt”. Prandaj ata nuk zgjidhnin as mjete e as metoda – ushtria serbe hynte nga disa drejtime dhe bënte kërdi, masakrime të papara. Sipas gazetave të Evropës, “aty ku kishte kaluar ushtria serbe, sidomos në tokat shqiptare, si në Kosovë, Dibër, Lumë, Lezhë, Elbasan, Durrës, ajo kishte vrarë më tepër se 25.000 shqiptarë (burra, gra e fëmijë)”.

Kjo shkollë, me disa ndërprerje të kushtëzuara nga shumë faktorë, ka punuar deri në vitin 1914. Pas këtij viti kjo shkollë me mësim në gjuhën shqipe zëvendësohet me mësues serbë. Pas këtij viti nuk dihet asgjë as për mësuesin Olimbia Sava – a ka vdekur nga ndonjë sëmundje apo është likuiduar për punën e shkollës në gjuhën shqipe. 

Se sa ka qenë interesimi i mësuesit serb për t’i mësuar fëmijët shqiptarë të kësaj zone në mënyrë shumë të qartë dhe konkrete e kuptojmë nga fjalët e shërbëtorit Jakov Matenija, që e udhëhiqte grupin. Ai do të shprehet kështu: “se këtej bie borë; si i thoni ju? Dhaskallt bajnë ski: ata nuk kujdesn fort për kalamajt. Nji vit ma parë ka qenë njidaskal i ri:ai nuk dinte me rreshqitë mirë mbi borë:i thash: Dëgjo more daskall: ke me thy ndoj kambë e më thonë në shkollë: Vdiq daskalli… Dola një herë e shkova në vendin e skis. Atje e gjeta daskallin të shtrimë në borë e pa frymë i rashë disa herë me pllambë fytyrës dhe e shkunda e deri sa erdhi m’vete. Oh, kam thye kambën, priti daskalli… Pastaj ai iku për me e shërue këmbën e fëmijët mbetën pa mësim… daskallët sllav nuk kanë pas tregua asnjë kujdes për arsimin dhe edukimin e popullit: fëmijët që kishin mbarue katër klasë fillore, nuk dijshin me shkrue”.

Këtë shkollë e karakterizojnë disa veçori: ajo është shkolla e parë laike për djem dhe vajza në gjuhën shqipe; këtë shkollë e kanë ndjekur edhe të rriturit; ajo ka punuar me plan dhe program mësimor me abetare nga autorë shqiptarë; dhe ka pasur objekt shkollor të ndërtuar nga kontributet e fshatarëve, patriotëve dhe arsimdashësve shqiptarë jashtë atdheut. 

Me mbylljen e kësaj shkolle në Rekë të Epërme, në këtë krahinë asnjëherë më nuk do të mësohet gjuha shqipe. Si pushtuesi bullgar, ashtu edhe pushtuesi serb, para Luftës së Dytë Botërore, ngjashëm si edhe pushteti maqedonas pas LDB-së, do të zhvillojnë një politikë shkombëtarizuese ndaj shqiptarëve të Rekës së Epërme. Edhe pse kërkesa për shkollë në gjuhën shqipe ka pasur, bile janë mbajtur edhe referendume, kjo nuk ka gjetur miratim asnjëherë.  

Në një dokument të vitit 1969, dërguar Kryesisë së KQ të LKJ në Beograd, ku përshkruhet gjendja dhe kërkesa e banorëve të Rekës së Epërme për arsim në gjuhën shqipe, thuhet: “Nëpër fshatra me popullsi shqiptare të besimit mysliman “mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase, me motivacion se nuk e njohin gjuhën shqipe, ndërsa të njëjtën gjuhë, përkatësisht në gjuhën maqedonase, mësimi zhvillohet edhe nëpër fshatra shqiptare (të besimit ortodoks), të cilët e flasin vetëm gjuhën shqipe, kësaj here për shkak se janë të besimit ortodoks. Kjo duket si shaka, mirëpo e gjithë kjo është vendosur në atë mënyrë, saqë askush nuk guxon të thotë asgjë për këtë çështje, ndërsa një ditë të thuhet: “Çfarë faji ne kemi këtu, ata nuk e njohin gjuhën e tyre amtare?!”.

Sot fshatrat e Rekës së Epërme janë boshatisur, të rinjtë janë asimiluar, ndërsa pleqtë, edhe pse e flasin gjuhën shqipe, deklarohen si maqedonas.

Filed Under: Histori

Kryeministri Kurti: Sulmet ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë

March 6, 2022 by s p

Prekaz, 6 mars 2022

Në vazhdën e aktiviteteve për nder të 24- vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

I shoqëruar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e bashkëpunëtorë të tjerë, kryeministri Kurti tha se ishin sot në Prekaz, në 24-vjetorin e flijimit të tre brezave të familjes Jashari të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e bashkuan popullin dhe i dhanë hovin përfundimtar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Teksa kujtonte sulmet e njëpasnjëshme që iu bënë familjes Jashari nga Serbia që udhëhiqej prej regjimit të Millosheviqit, edhe në dhjetor të vitit 1991 edhe në janar të vitit 1998, kryeministri Kurti tha se të gjitha këto sulme ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen”, u shpreh kryeministri derisa shtoi se jo vetëm që nuk e harrojmë prej nga vijmë, por në të njëjtën kohë pikërisht nëpërmjet përgjegjësisë sonë për këtë të shkuar sa të dhimbshme aq edhe të lavdishme e dimë se si të ecim mbarë edhe drejt përpara.

Pas nderimit që iu bë familjes Jashari për flijimin dhe sakrificën sublime për shtetin e Kosovës,  krerët e shtetit, u pritën nga Rifat Jashari, vëllai i Adem dhe Hamëz Jasharit.

Deklarata e plotë e kryeministrit Kurti në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz:

Së bashku me Presidenten e Republikës dhe me Kryetarin e Kuvendit dhe me kolegë të tjerë, bashkëpunëtorë nga Qeveria dhe Parlamenti, me aktivistë e me qytetarë të Republikës erdhëm sot këtu në 24-vjetorin e flijimit të tre brezave të familjes Jashari të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, e bashkuan popullin dhe i dhanë hovin vendimtar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jasharajve, ata u patën sulmuar nga Serbia që udhëhiqej prej regjimit të Millosheviqit edhe në dhjetor të vitit 1991 edhe në janar të vitit 1998 dhe që të gjitha këto sulme ndaj Jasharajve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen. Gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura dhe ne si institucione të Republikës, si krerë të këtyre institucioneve, si përfaqësues politikë, si qytetarë të Republikës jo vetëm që nuk e harrojmë prej nga vijmë por në të njëjtën kohë pikërisht nëpërmjet përgjegjësisë sonë për këtë të shkuar, sa të dhimbshme aq edhe të lavdishme, e dimë se si të ecim mbarë dhe drejt përpara.

Lavdi kryekomandantit Adem Jashari, Bacës Shaban, Hamzës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!

Filed Under: Featured

ME 13 MARS 2022- FAMILJA BUÇPAPAJ HAP TË PAME NË ROYAL REGENCY HOTEL

March 6, 2022 by s p

Familja Buçpapaj njofton bashkatdhetarët se më 13 Mars 2022, ditën e Dielë, nga ora 10 AM deri në 4 PM hap të pame për të dashurin e saj Ilir Buçpapaj.Familja Buçpapaj do të presë vizita ngushëlluese në Royal Regency Hotel, që ndodhet në adresën:165 Tuckahoe Rd, Yonkers, NY 10710 *** Mjeshtri i kamerës, regjisori dhe publicisti i njohur, skenaristi, Meshtri i Madh Ilir Buçpapaj, ndërroi jetë të dielën me 23 Janar 2022 në Nju Jork. Komuniteti shqiptar në SHBA e nderoi gazetarin e shquar me homazhe, me pjesmarrje masive me 26 Janar 2022, nga ora 3 PM-8 PM. Familja Buçpapaj priti ngushëllime në në Shtëpinë Mortore LUCIA BROS-FUNERAL, në adresën:569 EAST 184 Street, Bronx, NY 10458.Trupi i Ilirit që nga 5 shkurti 2022 pushon në vendlindje, në TPLA të Krasniqes së Tropojës sipas amanetit që ai pat lënë familjes.

Filed Under: Opinion

AMBASADOR FERIT HOXHA URON ELMI BERISHËN PËR RIZGJEDHJEN NË KRYE TË VATRËS

March 6, 2022 by s p

Zoti Kryetar,

I dashur Elmi,

Dëshiroj t’ju përgëzoj ngrohtësisht për rizgjedhjen tuaj në krye të Federatës Panshqiptare të Amerikës, VATRA, në zgjedhjet e organizuara në punimet e Kuvendit të Përgjithshëm Zgjedhor të Federatës, të mbajtur në New York, më 26 Shkurt 2022. Jam i inkurajuar nga përmbajtja e programit që ju paraqitet në kuvend dhe në vecanti angazhimet për të freskuar e rinuar anëtarësinë e Federatës, duke u hapur ndaj brezit të ri por edhe ndaj ideve të reja, alternativave e krijuese që nxisin, mbrojnë dhe përfaqësojnë vlerat tona më të mira kombëtare dhe që e forcojnë e cojnë më tej trashëgiminë 110 vjecare të Federatës. Dëshiroj të nënvizoj po ashtu gatishmërinë tuaj për të bashkëpunuar ngushtë me Qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës si dhe me përfaqësuesit shqiptarë të zgjedhur nga vota e lirë në të gjitha vendet fqinjë, për të mirën e të gjithë bashkëkombasve, në funksion të bashkërëndimit dhe bashkëpunimit për të mbështetur përpariminin ekonomik, arsimor e kulturor të kombit shqiptar. Duke ju uruar suksese në ushtrimin e mandatit të ri dhe me bindjen se VARTA do të jetë Vatër e bashkimit të shqiptarëve për të mirën e përbashkët, përtej e mbi idetë, qendrimet, përkatësitë dhe debatin politik, dëshiroj t’ju siguroj për gatishmërinë e Misionit që drejtoj për të bashkëpunuar me Federatën për gjithcka që shkon në interest të shqiptarëve pa dallim.

Lutem pranoni shprehjen e ndjenjës time më të mirë,

Sinqerisht

Ferit HOXHA

Ambasador

Përfaqësues i Përhershëm

Filed Under: Politike

SERBIA, EKSPORTUESJA MË E MADHE E DESTABILIZIMIT BALLKANIK

March 5, 2022 by s p

Nga Mehmet PRISHTINA/

Kosova nuk bën përjashtim në këtë kontekst të zhvillimeve pasi që siguria e saj varet kryesisht nga ambicjet destabilizuese të Serbisë. Duke qenë një mjedis të favorshëm për ndikimin rus në Ballkan, Serbia mund ta përdorë Kosovën si alibi për aventurat e saj të papërfunduara militariste. Kjo është edhe arsyeja se pse Kosova një orë e më parë duhet të bëhet anëtare e plotfuqsihme e NATO-s, duke ia pre Rusisë kanalet e ndikimit në këtë pjesë të Evropës Juglindore, e cila nuk guxon të mbetet e pambuluar nga ombrella e sigurisë së Alenacës Vetriatlantike.

Beogradi vazhdon të gjendet në një pozitë shumë të vështirë – mes marrëdhënieve të ngushta me Moskën dhe detyrimeve ndaj Bashkimit Evropian, veçanërisht në lidhje me sanksionet që BE vendosi ndaj Rusisë. Prova e re për Serbinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian është bërë kriza ukrainase, e cila është kthyer në një luftë të ashpër.Ndërkohë që Bashkimi Evropian solli masa të forta kundër Rusisë, Serbia priste dhe peshonte.
Më shumë se 36 orë pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, autoritetet në Beograd kanë shprehur qëndrimin e tyre se mbështesin integritetin territorial të Ukrainës, por edhe se nuk duan të vendosin sanksione ndaj Rusisë. Presidenti Aleksandar Vuçiq tha se Serbia udhëhiqet ekskluzivisht nga mbrojtja e interesave të saj jetike ekonomike dhe politike.
“Angazhimi strategjik i Serbisë është rruga evropiane, por ne nuk do të nxitojmë në armiqësi vetëm sepse dikush na kërkon”, tha Vuçiq. Me këtë, Beogradi këmbëngul në politikën e vet tradicionale ndaj Rusisë, pa i prishur raportet me të për hirë të Perendimit.
Carl Bildt, bashkëkryetar i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, i ka vënë menjëherë nën vëzhgim deklaratat e Vuçiqit në një postim në llogarinë e tij në Twitter.
“Me këtë qëndrim Serbia de facto është skualifikuar nga procesi i anëtarësimit në BE.
“Nuk duhet të ketë vend për anëtarët e rinj të BE-së që nuk ndajnë vlerat dhe interesat tona thelbësore”, shkroi ai. Qëndrimin e Serbisë dhe vendeve përreth që presin në pragun e BE-së ndaj Ukrainës e ka përmendur edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josef Boreli Ai i bëri thirrje BE-së të monitorojë ndikimin e mundshëm të Rusisë jashtë Ukrainës, në vendet fqinje, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, por edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor dhe t’i kushtojmë vëmendje asaj që po ndodh me qëndrimet dhe harmonizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë kandidate për anëtarësim në BE, me politikën tonë të jashtme”, tha Boreli. Para luftës në Ukrainë, Serbia ishte në provim kur u ngrit çështja e vendosjes së sanksioneve ndaj Bjellorusisë. Në vitin 2021, pasi regjimi bjellorus devijoi një fluturim të avionit për të arrestuar blogerin Roman Protashevich, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Minskut. Së pari, Serbia hezitoi dhe më pas iu bashkua paketës së sanksioneve të BE-së. Lufta në Ukrainë hedh një dioptri krejtësisht të ndryshme në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe Serbia duhet të përcaktohet nëse është për demokracinë apo tirani. Pas arritjes së një konsensusi në Bashkimin Evropian për tëndihmuar  Ukrainën, Serbia ende nuk po kthjellet, sepse ende nuk e ka të qartë se në çfarë momentihistorik po jeton. Në vend se ta kthejë integrimin evropian në krye të listës së prioriteteve, Serbia po mundohet të mbajë pozicion të dyfisht, duke mos i kthyer shpinën Rusisë, por duke qenë deklarativisht me BE-në. Politika e jashtme aktuale e Serbisë, sidomos qëndrimi ndaj inavizionit rus në Ukrainë,  mund të demotivojë vendet e BE-së për të avancuar politikat e zgjerimit.Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia e ka harmonizuar më së paku politikën e saj të jashtme me BE-në dhe kjo dikordancë po shpërfawet edhe tani ndaj krizës në Ukrainë.  Por politikat e tilla konfuze e joevropiane  janë një sinjal i keq, sepse askush nuk dëshiron një vend që mban qëndrim të kundërt dhe që nesër mund të votojë ndryshe në BE nga anëtarët e tjerë. Disponimi prorus asnjëherë nuk ka munguar në popullatën serbe, por kohëve të fundit ai është ngritur disa shkallë më lartë.Me mijëra qytetarë serbë u mblodhën në Beograd të premten në mbështetje të pushtimit rus në Ukrainë. Korrespondenti i Wall Street Journal, Bojan Pancevski i ka komentuar këto protesta, duke thënë se grupet e djathta në Serbi kanë mbledhur një turmë të madhe për ta mbështetur sulmin rus. “Në pjesën tjetër të Evropës, shohim protesta kundër pushtimit. Në Serbi, disa parti të djathta ia dolën ta mbledhin një turmë goxha të madhe për ta mbështetur agresionin”, ka shkruar ai. Folësit në tubim ishin udhëheqës të një lëvizjeje zyrtarisht të ndaluar të së djathtës ekstreme dhe ekstremiste Obraz.Demonstruesit brohorisnin “Serbë, rusë, vëllezër përgjithmonë” dhe “Lavdi Serbisë, lavdi Rusisë”, disa prej tyre mbanin shenjën famëkeqe “Z”, një simbol që shpesh shfaqet në tanket dhe automjetet ruse gjatë pushtimit. Përgjatë këtij tubimi, siç raporton TV N1, u dëgjuan edhe thirrje “Vuçiq, shqiptar, na tradhtove”. Madje disa skena janë parë në Beograd teksa protestuesit e kanë përdhosur flamurin e Bashkimit Evropian, duke e shkelur atë. Këto janë shpërndarë në rrjetin social Twitter. “Ukraina po çlirohet nga neonazistët, nuk ka asgjë më shumë për të thënë. Sistemi perëndimor depërtoi në Ukrainë, rusët, vëllezërit tanë, po e çlirojnë atë. Shpresojmë se po çliron të gjithë botën”, thane folësit në këtë tupim që mbësteste haptazi pushtimin rust ë Ukrainës.
Ndaj këtyre protestave ka reaguar edhe njohësi i çështjeve politike të Ballkanit Perëndimor, Florian Bieber, duke thënë se këto protesta janë produkt i, siç e quan ai, glorifikimit të Putinit nga “mediat e Vuçiqit”. “Vendet fqinje pro-sulmuese dhe bombardimet e tyre turma protestuese në Serbi.Ato janë produkt i promovimit dhe glorifikimit sistematik të Putinit dhe Rusisë nga regjimi dhe media e Vuçiqit për një dekadë rresht”, ka shkruar njohësi i çështjeve politike. Dhe sikur nuk mungoi ky solidarizim prorus, ndërkohë që një mural me figurën e presidentit rus,Vladimir Putin, është pikturuar të premten në orët e vona në rrugën e Njegoshit në Beograd. Serbia duhet të sanksionohet nëse nuk i zvogëlon lidhjet ushtarake me Rusinë, është qëndrim unanim i shumë organizatave e qeverive në botë të cilat e kundërshtojnë invazionin rus në Ukrainë si një goditje flagrante ndaj rendit global të drejtësisë. Për rrjedhojë, Serbia me dinakëri po largohet nga Perëndimi dhe po i thellon marrëdhëniet me sabotuesit e demokracive perendimore – me Rusinë dhe Kinën, prandaj është momenti që Brukseli dhe Washingtoni të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre ndaj Serbisë duke mos e trajtuar atë si një fëmijë i llastuar të cilit i ka humbur lodra. Serbia nuk meriton më kurrfarë përkëdheljeje sepse qëndrimet e saj aspak korrekte ndaj krizës në Ukrainë dhe mosslidarizimi me sanksionet kundër Rusisë, mund ta shndërrojnë atë në një ekpsortues të rrezikshëm të destabilitetit në rajon, aq më tepër kur gjashtë shtete të NATO-s, duke përfshirë katër që janë gjithashtu anëtarë të BE-së, kufizohen me Serbinë dhe janë gjithnjë e më të kujdesshëm rreth asaj se si po forcohet ajo ushtarakisht me ndihmën e Rusisë. Kosova nuk bën përjashtim në këtë kontekst të zhvillimeve dhe vlimeve pasi që siguria e saj varet kryesisht nga ambicjet destabilizuese të Serbisë. Duke qenë një mjedis i favorshëm për ndikimin rus në Ballkan, Serbia mund ta përdorë Kosovën si alibi për aventurat e saj të papërfunduara militariste. Kjo është edhe arsyeja se pse Kosova një orë e më parë duhet të bëhet anëtare e plotfuqsihme e NATO-s, duke ia pre Rusisë kanalet e ndikimit në këtë pjesë të Evropës Juglindore, e cila nuk guxon të mbetet e pambuluar nga ombrella e sigurisë së Alenacës Vetriatlantike.  Në të kundërtën  Serbia do të ngelë një ombrellë besnike e politikës pansllaviste të Rusisë në Ballkan.

Prishtinë, 05 Mars 2022

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT