• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

NË PRITJE  PËR FORMIMIN E PUSHTETIT LOKAL NË ULQIN

April 22, 2022 by s p

Në krahasim me zgjedhjet e mëparshme lokale në zgjedhjet e 27 marsit numri i subjektëve politike ishte me i vogël, përkatësisht pesë lista zgjedhore, dy subjekte të veçanta dhe tre koalicione, duke iu mundësuar qytetarëve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, ku rezultatët dëshmuan  se asnjë koalicion apo subjekt politik nuk arriti shumicën, andaj janë të obliguar për koalicione paszgjedhore,  ku FORCA  do të jetë “çelësi” i pushtetit lokal 

Nail  Draga/

Në zgjedhjet lokale në Ulqin të mbajtura me 27 mars, në 38 vendvotime, të drejt vote  kanë pasur 20.392 qytetar, ndërsa   kanë votuar 11.692 qytetarë apo   57.33 %: E dhëna e tillë dëshmon  se kësaj here kanë dalë  me pak votues së në vitin 2018, ku kanë votuar 12.393 votues apo 63.14%. Një konstatim i tillë dëshmohet   se dy vite më parë në zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 30 gusht 2020, kanë votuar 13.371 qytetar apo 65.60 % që  paraqet çështje për analizë të veçantë. 

Në sajë të dhënave të publikuara nga Komisioni Zgjedhor Komunal listat përkatëse kanë fituar këto vota dhe mandate të këshilltraëve: UDSH-LDMZ 2036(17.54%) vota, 6 këshilltarë, Demokratët 833(7.14%) vota, 2 këshilltarë, URA 4962(42.74%)vota, 14 këshilltarë, FORCA 1676(14.42%)vota, 5 këshilltarë dhe DPS-BS 2108(18.16%) vota 6 këshilltarë.

Ndërsa sipas subjektëve politike kemi këtë ndarje të mandatëve të këshilltarëve: FORCA 5, DPS 5, PD 5, URA 5, UDSH 4, Demokratet 2, LDMZ 2, SD 2, BS 1, SDP 1, ASH 1.

Koalicioni “Fillimimi ri”

Në këto zgjedhje lokale në Ulqin, bie në sy formimi i koalicioneve parazgjedhore që ishin tre : “Fillimi i ri”(URA, PD, PSD,SD dhe ASH), koalicioni UDSH-LDMZ dhe DPS-BS, ndërsa dy subjekte politike garuan të veçanta(Forca dhe Demokratët) 

Koalicioni i madh “Për fillim të ri” sipas parashikimeve ishte në përparësi ndaj të tjerëve, sepse ka bashkuar pesë subjekte politike, andaj ishin të shumtë ata të cilët i kanë vlerësuar me mundësi të fitojnë shumicën e këshilltarëve për të formuar vet pushtetin lokal. Por, zgjedhjet demantuan një vlerësim të tillë, sepse arritën të fitojnë 14 këshilltarë(42.74%) e votave, që ishte maksimumi i mundshëm. Pas zgjedhjeve ky koalicion i ushlhequr nga URA, është penalizuar nga qytetarët sepse përbërja ka qenë heterogjene dhe me një të kaluar jo të pranueshme! Kishte qenë me e qelluar që URA të kishte dalur vet, duke dëshmuar peshën e tyre politike, ku pa dyshim do të kishte qenë subjekti i parë politik në këto zgjedhje.

Befasia e zgjedhjeve koalicioni UDSH-LDMZ

Në këto zgjedhje befasoi koalicioni UDSH-LDMZ,  duke qenë subjektët ma të vjetra të shqiptarëve në Mal të Zi(1990,1993). Në zgjedhjet lokale UDSH, ka kohë që është pozicionuar në tre këshilltarë, por kësaj here çështja qendronte ne ate se sa do të jetë ky numër, kur iu është bashkangjitut LDMZ, e cila ga viti 2010, nuk ka dalë në zgjedhje si subjekt i veçantë, por duke qenë pjesë e koalicionëve të ndryshme. Por, ndodhi befasia e zgjedhjeve, sepse u tejkalu çdo parashikim sepse  ky koalicion fitoi 2036 vota, përkatësisht  6 këshilltarë, ku nga to 4 do jenë nga radha e e UDSH dhe 2 nga LDMZ.  

Trendi i rënie s së  DPS-it edhe në Ulqin 

Se DPS-i do të ketë rënie të elektorati votues  askush nuk ka dyshuar, por çështja ishte se sa do të jetë  një rënie e tillë. Por, duke marrë parasysh se ata kësaj here dolen në koalicion ne Partinë Boshnjake(BS), është menduar se rënia do të jetë më e vogël, por ndodhi e kundërta. Sepse nëse marrim parasysh zgjedhjet parlamentare (30 gusht 2020) ku së bashku në Ulqin kanë pasur 4368 vota, kësaj here së bashku kanë fituar  2108 vota, që do të thot 2260 vota më pak  apo  51.73% %. Dhe nga një rezultat i tillë ata fituan së bashku 6 këshilltarë, ku nga to 5 do jenë nga DPS-i e 1 për BS-in. Një rënie e tillë nuk është befasi sepse nga humbja e pushtetit qendror në vitin 2020, DPS-i, ka pasur rënie në disa zgjedhje lokale qe janë mbajtur në disa komuna në Mal të Zi, trend i cili ka vazhduar edhe në Ulqin.

Forca, megjithate “çelësi” i pushtetit lokal

Nëse analizojmë rezultatin e Forcës nga viti 2018, del qartë se ky subjekt politik ka pasur rënie të vazhdueshme nga elektorati votues. Kështu nga 2925 vota në zgjedhjet lokale në vitin 2018, dy vite më pas në zgjedhjet parlamentare(30 gusht 2020)  kanë rënë ne 2336 vota, ndërsa me 27 mars  në 1676 vota. 

Të dhënat e tilla dëshmojnë se rënia e tillë prej 1249 votave apo tre këshilltarë paraqet çështje për analizë dhe diskutim të veçantë, sepse pak kush ka mundur të parashikoj një rënie te tillë të elektorati votues, e cila është me e madhja nga zgjedhjet e vitit 2006, kur ky subjekt politik mori pjesë në zgjedhje për herë të parë.  Por, pavarësisht, së Forca ka pësuar rënie nga 8 në 5  këshilltarë ajo do të jetë “çelësi” në formimin e pushtetit lokal në Ulqin 

Përseritja e një vendvotimi nuk ndryshoj rezultatin

Nga 38 vendvotime sa janë gjithsej në komuninën e Ulqinit, në zgjedhjet lokale të mbajtura me 27 mars, vetëm në një vendvitim kishte kontestime të rezultatit, ku KZK, vendosi që të përseritet votimi. Fjala është për vendvotimin numër 5, që ka të bëjë me BL nr.II, e cila ka 772 votues. Rezultati i votime me 27 mars ishte: UDSH-LDMZ 147 vota, “Fillimi i ri”142 vota, FORCA 67 vota, DPS-i 67 vota dhe Demokratët 16 vota. 

Duke marrë parasysh se rezultati i përgjithshëm mund të ndryshojë nëse “Fillimi i ri” fiton një mandat të këshilltarit më tepër nga 14 në 15, që do të ketë mundësi të ndikoj përbërjen e koalicionit për qeverisjën lokale, në ripërseritjen e këtij vendvotimi, të gjithë  me kureshtje kanë pritur rezultatin final. Por, edhe pas rivotimit (6 prill 2022) rezultati nuk ndryshoj sepse mbeti i njëjti nga 27 marsi. 

Duhet cekur se në këtë vendvotim, nga 438 votues që votuan me 27 mars, kësaj here numri u votuesve u rrit në 501, duke përcaktuar këtë rënditje: UDSH-LDMZ 207 vota, “Fillimi i ri” 204, Forca 76, Demokratët 6 dhe DPS 2 vota. Ndërsa për të ndryshuar rezultati “Fillimi ri” i kanë munguar 61 vota.

Në këtë vendvotim bie në sy rënia e numrit të votuesve të DPS-it të cilët  65 vota ia kanë dhënë UDSH-LDMZ, duke e vendosur këtë koalicion  të parin në këtë vendvotim dhe siguruar mandatin e gjashtë të këshilltarit. Një veprim i tillë, të përkujton vitin 2018, kur me 18 shkurt  u përseritën dy vendvotime(Darzë e Komunale), ku UDSH i dhuroi DPS-it 55 vota, duke i ndihmuar që të jetë partia e parë në zgjedhjet lokale në Ulqin. 

Zhgënjimi i qytetarëve 

Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet lokale dëshmuan  së një numër i tyre i kanë refuzuar apo bojkotuar ata, që krahasuar me zgjedhjet parlamentare(30.8.2020) është me pak për 1679 votues apo 12.5%, që është  përqindje e lartë për një mjedis të vogël siç është komuna e Ulqinit. 

Një e dhënë e tillë është e veçantë sepse deri më tash në Ulqin, në krahasim më zgjedhjet parlamentare në zgjedhjet lokale vazhdimisht është votuar më tepër. Por,pse, ka ndodhur një ndryshim i tillë në afat prej dy vitesh mund të shpjegohet vetëm   në sajë të zhgënjimit  te qytetarëve nga raportët e përgjithshme shoqërore e politike. 

Në këtë aspekt duhet një analizë e përgjithshme nga subjektët pjesëmarrëse   në skenën politike  e në veçanti nga ata të cilat kanë pësuar rënie te elektorati votues,  sepse çdo pësim duhet të jetë mësim, nëse duan të reflektojnë për të qenë faktor në skenën  politike në Ulqin, edhe në të ardhmën. 

Nga ana tjetër, qytetarët presin dhe janë kureshtar të dijnë se si do të jetë pushteti lokal pas tyre zgjedhjeve, sepse në opcion janë dy koalicione të mundshme, sepse   çdo zvarritje në këtë drejtim nuk është në favor të qytetarëve dhe të  parimeve demokratike.

(Prill  2022)

Filed Under: Analiza

Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor

April 22, 2022 by s p

Akademia e Shkencave të Shqipërisë/

Sot më 22 prill 2022 çelet panairi i parë mbarëkombëtar i librit akademik. Do të marrin pjesë 33 ente botuese, do të mbahen mbi 50 përurime dhe do të prezantohen mbi 2000 tituj për lexuesit e interesuar. Panairi do të zgjasë deri më 24 prill 2022.Akad. Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave dhe kryeorganizator tha se Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor ka për qëllim t’i bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në të gjithë hapësirën shqiptare, duke synuar një prani përfaqësuese sa më të gjerë.Kjo ngjarje është një mundësi unike për të bërë bashkë autorët, botimet, institucionet e kërkimit që merren me botimet dhe studimet dhe mbi të gjitha është një mundësi për publikun e gjerë që së bashku të çmojmë rëndësinë që kanë studiuesit, autorët, shkenca për një shoqëri moderne. Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor zhvillohet sivjet, në kuadër të Vitit të Akademizmit Shqiptar, shpallur në nderim të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si nismë e përbashkët e saj dhe e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. E veçantë e këtij panairi është se vendi i zhvillimit do të alternohet: një vit në Tiranë e një vit në Prishtinë, me periodicitet të rregullt. -tha akad. Tole. Akad. Shaban Sinani sekretari shkencor i Akademisë së Shkencave tha se nga vetë natyra e tij, libri akademik dhe shkencor e ka më të vështirë rrugën për të mbërritur tek lexuesi. Një panair i dedikuar për të ka si qëllim që libri shkencor dhe akademik t’i afrohet lexuesit të vet dhe të lehtësojë komunikimin me të. Panairi i librit akademik dhe shkencor do të ketë gjithashtu dhe karakter promovues e manifestues, sepse do të mundësojë pranëvendosjen në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga gjithë hapësira shqiptare, duke synuar që në një të ardhme të jenë të pranishme edhe botimet nga qendrat albanologjike në botë, ku do të kenë vendin e tyre të merituar edhe botimet cilësore nga ente jopublike. Panairi do të të ndikojë për të krijuar një rrjet kombëtar të botuesve të librit shkencor, para së gjithash të universiteteve dhe institucioneve të tjera të specializuara që do të lehtësojë marrjen e informacionit dhe më tej shkëmbimet, sidomos të periodikëve shkencorë, që tani për tani kanë funskionuar brenda institucioneve që i botojnë., tha Akad. Sinani duke theksuar se në kohën e sotme synohet që botimet të jenë të arritshme me liri të plotë komunikimi jo vetëm brenda për brenda gjuhës, por edhe në shkallë ndërkombëtare. Ky panair i parë do të jetë një faktor tjetër nxitës për të përuruar arritjet e përvitshme në këtë fushë, tha akad. Sinani. Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, bashkorganizatore e panairit, tha se për herë të parë në Akademinë e Shkencave do të kemi një histori të shkencës dhe mendimit shqip, përmes botimeve më të mira të botuara në vite nga akademikët, studiuesit, profesorët shqiptarë, pasi duke u mbështetur fort te shkenca, ne do të kemi një shoqëri dhe një komb më të mirë nesër. I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe z. Skënder Durmishi, ambasadori i Kosovës në Shqipëri. Ai përshëndeti Akademinë e Shkencave për këtë nismë dhe shprehu kënaqësinë e tij për bashkëpunimet me Akademinë e Kosovës e më gjerë në botimet e librit dhe për punën e përbashkët që ka ndërmarrë ASHSH në dobi të botimit të librit shqip dhe që bashkon studiuesit e trevave ku jetojnë shqiptarët. Panairi i parë do të hapet më 22 prill, që përkon me Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit dhe do të do të zgjasë deri më 24 prill 2022. Në ditët e panairit do të ketë promovime të botimeve akademike shkencore dhe universitare: monografi dhe periodikë shkencorë të institucioneve dhe qendrave kërkimore etj. Panairi i parë i librit akademik dhe shkencor, përveç ekspozimit të literaturës shkencore e informuese për veprimtarinë kërkimore shkencore në hapësirën shqiptare, përmes promovimeve të arritjeve në nivel akademik; përmes paraqitjes së disa botimeve të kërkuesve shkencorë, studiuesve, trupave pedagogjike, do të krijojë hapësira dhe mundësi diskutimi mbi çështje e tema specifike të dijeve shqiptare. Libri shkencor për herë të parë në këtë panair sjell pranë e bashkon në një eksperiencë të veçantë akademikët, kërkuesit, studiuesit, pedagogët, lexuesit e specializuar, duke ofruar mundësi më të drejtpërdrejta kontaktesh, duke krijuar hapësira bashkëpunimi dhe ndërveprimi të mendimit dhe kërkimit akademik universitar.Promovimet do të zhvillohen me pjesëmarrje të hapur, me mundësi diskutimi. Në dispozicion të përfaqësuesve të institucioneve pjesëmarrëse do të jenë tri salla: dy mjedise në Akademinë e Shkencave dhe një mjedis në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.Shih këtu edhe programi i plotë në JPG: www.akad.gov.al

Filed Under: Kulture

Te jesh shqiptar neper bote, krenari dhe nje obligim per vendin nga kemi ardhur

April 22, 2022 by s p

Intervistoi: Resmi Corbaxhi/

Te kontaktoje me Anila Cenollin ishte e veshtire por jo e pamundur. Fale njohjes me te megjithese shume e zene, gjeti kohen per te na dhene gjate nje interviste anen e pazbuluar te shqiptareve qe jetojne ne anen tjeter te Adriatikut, perpjekjet e tyre per evidentimin e historise, kultures dhe artit shqiptar. Afer dhe larg per nje gjysem shekulli, koha per ringjalljen e lidhjeve te vjetra. Kjo nepermjet nje ure, emigranteve shqiptare qe kane lene vendin e tyre per nje jete me te mire. Njezet e nje vjet me pare edhe ajo e la Shqiperine dhe u vendos ne Mantova te Italise. Mbaron stdimet e larta per Letersi dhe Filozofi ne universitetin e Verones dhe me pas masterin per projektet europiane. Punon si cicerone ne disa muze te Mantoves, ne Shtabin e policise dhe Prefektures per me shume se dhjete vjet. Themelon shoqaten e shqiptareve ne Mantova dhe mbas disa vitesh zgjidhet Presidente e Federates ku marrin pjese 41 shoqata shqiptare nga gjithe Italia. Punon si koordinatore e Zyres se Mareveshjes te Sindikatave dhe gjashte muaj me pas Sekretariati Rajonali i Mantoves, i beson pergjegjesine per Mundesi te Barabarta dhe Imigrim. Qe ne fillim te vitit 2020 i besohet posti i Drejtoreshes se Pergjitheshme kategoria Uil Tucs.Pershendetje Anila, si quhet shoqata qe ju drejtoni, dhe ku shtrihet veprimtaria e saj.Pergjigje: Nuk ka nje shoqate ne te gjithe Italine ka mbi 41 shoqata shqiptare aktive, te cilat jane organizuar dhe kane krijuarFederaten Shqiptare ne Itali (FNAI) te cilen une e kam drejtuar deri ne vitin 2020, para se te levizja nga Mantova ne Bergame per shkak te punes. Pjesmarrja ne shoqate eshte vullnetare dhe me pjesmarrjen e emigranteve nga te gjithe trevat; Shqiperia, Kosova, Maqedonia e Veriut. Duhen falenderuar gjithe antaret e shoqatave per perkushtimin e tyre ne transmentimin e kultures, tradites dhe vlerave me te mira shoqerore dhe shpirterore te trevave nga vijne. Jo vetem ne perhapjen por edhe ne ruajtjen e tyre, fillimisht brenda familjes, ne grupe shoqerore dhe me pas ne shoqatat ku bejne pjese. Qellimi eshte me i madh; mbrojtja e te drejtave te gjithe shqiptareve qe jetojne dhe punojne ne Itali dhe emigranteve qe jane ne proces legalizimi. Gjithashtu ka dhe shoqata te arberesheve te cilat jane organizuar dhe ata ne Federate.Pyetje: A keni ndonje bashkepunim me Federaten e tyre?Pergjigje: Sigurisht qe po.Ne prill te vitit 2019 kemi neneshkruar marreveshjen e bashkepunimit midis dy Federatave ne ambientet e komunes se Gardone del Garda ne Breshia te Italise. Kemi shume per te mesuar nga njeri tjetri. Jane shume puntore dhe kembengules. Ka nje fakt; ne keto tre dekada shpesh here shprehim shqetesimin se gjeneratat e reja kane filluar te humbasin interesimin per gjuhen shqipe. C’ndodh me arbereshet?! Per me shume se pese shekuj kane ruajtur gjuhen shqipe. Mos ju duket pak?! Eshte nje element i patriotizmit dhe dashurise se tyre per te paret nga kane ardhur. Eshte e mrekullueshme si kane ruajtur traditen kulinarine, veshjet, mikpritjen aq sa mendon ; Ku jam ketu? Te duket sikur je ne shtepine tende. Persa u takon veprimtarive Federatat perkatese paraqesin nje program me aktivitetet domethenese e kryesore, por shoqatat jane te lira te organizojne edhe veprimtari te tjera ne ne territorin ku jetojne.Pyetje: A keni nje grup kordinues te veprimtarive ne Federata?Pergjigje: Nuk ka nje grup kordinues, pasi paraqitja e programeve, jep hapesire qe shoqatat te bashkeveprojne a te organizojne edhe veprimtari te perbashketa, atje ku e shohin te arsyeshme.Pyetje: Kemi degjuar qe ju keni shtrire bashkepunimin edhe jashte kufijve te Italise, madje edhe ketu ne Amerike.Pergjigje: Po eshte e vertete.Dua te falenderoj mikun e madh te shqiptareve, kryetarin e Misionit Amerikan ne Kosove z William G Walkerper ndihmesen e madhe ne kordinimin e veprimeve tona. Ai mundesoi lidhjen midis shoqatave shqiptare ne te dy anet e oqeanit. Ne 24 Prill 2016 ne New Jersey kemi mbrritur ne Amerike dhe ne lokalin Casa Bianca te New Jersey jemi takuar me nje grup shqiptaresh perfaqesues te emigranteve shqiptare si Sabadin Gashi, Mimoza Ferraj, Lulezin Shabiu dhe perfaqesues nga Europa (Itali, Greqi, Austri) te cilet perfaqesoheshin nga; Fatmir Osmani, Eneida Sauli, Erio Korani, Anila Kaja, Ilda Pinari, Migreda Miterezi, Ndue Lazri si president I Konfederates. Na nderuan me pjesmarrjen e tyre edhe antaret e American- Albanian Council for Justice and Dispute Resulucion te nderuarit Alex Sragow, Marvin Schokdrner, Mitchel Herman, Elena Gonzales. Nga shqiptaret e Amerikes kishte perfaqesues nga Washington DC, New York, New Yersey, Virginia. Ambasadori William Walker i cili ishte edhe nismetar i ketij organizimi, foli per platformen e punes se Federatave, qellimin dhe tregoi arsyet perse shoqatat e shqiptareve jane te domosdoshme per zgjidhjen e problemeve qe kane shqiptaret si ne Shqiperi, Kosove, Maqedoni por edhe ne diaspore. Ai thekesoi se takimi ishte hapi i pare i nje inisiative te rendesishme si pjese e ceshtjeve kombetare shqiptare. Ne takim u shpreh gadishmeria per te njohur nga afer organizimi i shqiptareve ne shoqata kudo ne Europe. Takimin e pershendeten pefaqesuesi nga Vatra z Gjon Bruqaj, presidenti I FNAI Ndue Lazri, Eneida Sauli nga Greqia, z Fatmir Osmani nga Austria. Ne kete takim qe zgjati disa dite , u organizua nepermjet platformes Skype lidhja me lobin Euro Antlantik, i formuar ne 20 Shkurt 2016, ku shprehen mendimet e tyre Skenderbeg Klaqi, Gjermani, Xhaferr Ahmetaj, Norvegji, Avni Dervishi Suedi. Fatkeqesisht per kohen e limituar nuk mund te shprehej z Shiqer Sejdiaj nga Australia, per te na dhene nje pasqyre te punes se shoqatave ne ate kontinent qe me sa di une jane shume aktive.Pyetje: A mund te flasim konkretisht cila eshte hapesira e veprimtarive te ketyre shoqatave?Pergjigje: Si e permenda edhe me lart veprimtarite jane te shumta e te larmishme, te cilat zhvillohen ne Itali edhe jashte kufijve te saj, kur eshte fjala per ceshtjet kombetare. Veprimtarite jane te pavarura nga shoqatat por kur eshte fjala per ceshtjet kombetare ka nje unifikim te punes se tyre. Po permend disa prej tyre, duke filluar nga festivali i perhershem i shqiptareve te Mantoves. Bashkesia shqiptare aty ka nje perparesi fale dhe dashamiresise se autoriteteve lokale te ketij qyteti dhe ne vecanti te kryetarit te Bashkise Mattia Palazzi. Eshte pare me shume se festival, duke shfaqur haptaz interesimin dhe vleresimin per Shqiperine. I jemi shume mirenjohes per dashamiresine e treguar qe ne fillim, per nismen e Federates dhe shoqates “La aquile”te Mantoves ne organizimin e Festivalit te kultures shqiptare. Per kete qellim jane vene ne dispozicion ambiente, njerez dhe fonde, qe festivali te kurorezohet me sukses dhe te behet nje ure miqesie, bashkepunimi e shkembimesh te herepashereshme,te vlerave te ndersjellta te artit dhe kultures.Pyetje: Festivali ne Mantova eshte pare thjesht si nje koncert kengesh dhe argetim per pjesmarresit apo gjithperfshires, ne kostumografi, kulinari ekspozita…Pergjigje: Ana argetuese eshte vetem nje pjese e vogel. Aty paraqitet shpirti i popullit ne veshje, ne kenge, ne kulture, e ne trasmentimin e vlerave me te mira patriotike qe ne shume aspekte jane te peraferta me vendin ku kemi nderuar jeten tone te re. Ne keto festivale ka pjesmarres dhe shume shqiptare qe kane bere emer ne skenat italiane si kengetare, balerine, piktore, shkrimtare,… Perdoren edhe per promovimin e vendeve turistike dhe historike te Shqiperise te cilat mund te vizitohen.Pyetje; Po per gjuhen shqipe?Pergjigje; Do te flas edhe per gjuhen shqipe per tu kthyer perseri ne festivalet pasi nuk kemi mbaruar. Jane hapur jo nje por ne dijenine time shume shkolla aq sa lindi nevoja e krijimit te nje komisioni te kultures ne Federate e drejtuar nga znj Kristina Xhakolli.Ka qene mesuese e shkolles shqipe ne Rovereto te Italise . Eshte e lehte kur ke nje shkolle per sigurimin e lendeve kryesore dhe librave por kur jane shume shkolla duhet siguruar baza materiale. Ky komision dhe znj Kristina Xhakolli kane trokitur ne te gjitha dyert, ne Ministrine e Arsimit, ne shtepite botuese te librit shkollor dhe cdo vit ne hapjen e vitit te ri shkollor jane siguruar librat e domosdoshem. Ne punojme qe gjuha shqipe te ruhet ne te folur dhe ne te shkruajtur, sidomos per gjeneraten e re. Arjana Kosova eshte mesuese qe ka marre persiper barren e koordinimit te gjithe shkollave shqipe ne Itali. Aktualisht ajo ndodhet ne Macerata te Italise dhe eshte mesuese gjithashtu ne shkollen “Il Nido delle Aquile” Eshte mesuesja qe ka bere te mundur sjelljen e librave shkollore dhe jashte shkollore fale dhe ndihmes se pakursyer te znj Mimoza Hysa, pergjegjese e Qendres se Botimeve ne Tirane. Aktualisht puna e palodhur ka mundesuar te zgjidhet presidente e lidhjes se mesuesve ne Itali.Sot duket normale deshira dhe ngritja e shkollave shqipe, dhe te gjitha per te ndihmuar kumunitetin shqiptar te ruaje gjuhen shqipe si pasuri kombtare trasheguar nga te paret tane.Pyetje: Tani te kthehemi te veprimtarite kulurore dhe artistike….Pergjigje: Ah po do te vazhdojme atje ku e lame. Ne Mantova ka nje eksperience te vecante, kjo dhe fale lidhjeve te shkelqyera qe ka komuniteti shqiptar me vendasit dhe autoritetet komunare. Per tre vjet rresht kemi mundur te organizojme Festivalin e Kultures Shqiptare, ku kane qene te ftuar dhe Ansambli Folklorik i Tiranes, shkrimtare qe jetojne dhe botojne ne Itali dhe Shqiperi, kemi arritur te hapim ekspozita me piktura dhe skulptura te artisteve shqiptare. Nje falenderim duhet thene edhe per te gjithe muzete e Mantoves, te cilet kane hapur dyert dhe kane mirepritur keto ekspozita. Edhe ne faqet e shtypit lokal eshte pasqyruar gjeresisht veprimtaria e tyre. Kemi shkuar deri aty sa ne teatrin Bibiena te organizojme koncert te artisteve shqiptare me muzike klasike dhe piano. Gjate diteve te festivalit amvisat e shoqates se Mantoves pergatitin dhe prezantojne pjatat me ushqime tradicionale, te cilatterheqin vemendjen e vendasve. Etnografia eshte pjese e festivalit, ku prezantohen edhe kostumet popullore kombtare. Ne nje nga ditet e festivalit ne prani te kryetarit te Bashkise se Mantoves Mattia Palazzi bashkeatdhetari yne Petrit Kozeli i dorezoi Ambasadorit te Shqiperise ne Vatikan z Visar Zhiti nje pale kepuce te krijimit te vet me ngjyrat e dhe shqiponjen e Shqiperise dhurate per Papen shoqeruar se bashku me fjalet e tij; “ Ecni se bashku per paqen”… Ishe moment emicionues.Pyetje: Ju bashkepunoni edhe me shoqatat e tjera jashte Italise por ne disa raste jeni bere edhe inisitore te ruajtjes se vlerave historike dhe kontributit te shqiptareve gjate luftes se dyte boterore. A ka ndonje rast konkret?Pergjigje; Me lart folem per koordinimin e punes se shoqatave branda dhe jashte Italise. Ne kemi qene nismetaret e vendosjes se nje pllake perkujtimore ne nderim te viktimave qe humben jeten ne kampin e internimit ne Dachau te Gjermanise. Eshte i pari kamp i ngritur ne perfiferi te Mynihut, ku u internuan 206,206 vete nga gjithe Europa, prej te cilet 41.000 vete gjeten vdekjen por mendohet qe kjo shifer te jete edhe me e larte. Te gjithe vendet europiane qe kane pasur shtetasit e tyre aty kane nga nje pllake perkujtimore. Shqiperia nuk kishte. Federata e shoqatave shqiptare ne Itali, u interesua ndoqi rruget ligjore, te cilat u desh kohe te miratoheshin. Me se fundi bashke me miqte tane Erio Korani, nje vajze dibrane qe luajti rolin e perkthyese dhe zoteruese e disa gjuheve te huaja, mbaj mend vetem emrin Lule quhej, dhe ishte aktiviste e shoqates se shqiptareve ne Riva dek Garda, antarja e fondacionit “Neriman Vlora” Vitore Stefa Leka.Ne nje nga sallat e muzeut te Dachaut, ku ndodhen pllakat e gjithe shteteve ne kujtim te shtetasve te shfarosur, u vendos edhe pllaka e punuar nga skulptori shqiptar Llesh Biba. Ne ceremoni mori pjese edhe drejtoria e seksionit shkencor te muzeut Andrea Riedle. Kengetarja Aida Hisku, e persekutuar nga sistemi totalitar, vendosi nje tufe me lule prane pllakes perkujtimore. Kemi ndjere emocione te fuqishme, ne pefaqesues te shoqatave shqiptare ne emigracion, si pefqasues te vendit tone ne kampin me te eger ku edhe te denuarit perzgjidheshin. E quajtem detyrim ndaj bashkeatdhetareve tane martire te shfarosur ne kampet naziste. Eshte vetem nje fakt qe tregon se shoqatat punojne dhe jane te dobishme kur bashkepunojne me njera tjetren. Kur veprimtarite e tyre prekin emigrantet ne diaspore patjeter ngjall dhe ineteresin e tyre. Ndaj tani nuk eshte dicka e mistereshme te jesh shqiptar ne gjithe boten por te pasqyrosh vlerat, traditen, zakonet, gjuhen, etnografine, eshte obligim per te gjithe ne kudo qe jemi. Te punosh per kombin eshte kenaqesi, kur mendon nga kemi ardhur.

Filed Under: Reportazh Tagged With: resmi corbaxhi

“ERRËSIRËN”, MESJETËS DHE ARBËRORËVE NË TE, IA KA KRIJUAR QASJA JOSHKENCORE NDAJ SAJ

April 22, 2022 by s p

Jusuf BUXHOVI/


Akademik Pëllumb Xhufi, në një leksion me temën “Mesjeta arbërore e shek. XI-XIV: një vështrim mbi problematikën” paraqiti një varg problemesh që pengojnë në ndriçimin e historisë së mesjetës së hershme. Mes tyre, u përmend metodat e studimit. U theksua “se ka një material të ngjeshur dokumentesh të botuara në gjuhën latine dhe italishten mesjetare, e më gjerë për të cilat duhet përdorur origjinali krahas përkthimit”. Ajo që bie në sy te hapja e kësaj çështje gjithsesi ka të bëjë me nxjerrjen në pah te një fakti tejet të rëndësishëm – të Arbërve në Bizant, ku, pos tjerash, thuhet se “burimet bizantine pohojnë se ekzistonte një marrëdhënie e rregulluar me marrëveshje të veçanta, ku Arbrit gëzonin njohjen e një autonomie politiko-administrative të tyre nga Perandoria Bizantine. Shqiptarët nuk quheshin bizantinë, por quheshin aleatë.” Natyrisht se këtu dhe te kjo çështje fillojnë keqkuptimet, që historiografia institucionale shqiptare ia ka krijuar vetes prej më shumë se një gjysmë shekulli ngaqë është ndjekur blanco metodologjia e njohur e shkollës vieneze të shekullit XIX dhe diktati i saj me mangësi shkencore, ku vendi i shqiptarëve në historiografi nga antikiteti, mesjeta hershme, ajo e mesme dhe koha më e re, nuk është parë në qendër të saj, siç ka qenë në të vërtetë me ndërlidhjen me Pellazgët dhe fuqinë e trinomit mbretëror ilir (Maqedoni, Dardani, Epir) që e ka dominuar atë në periodën para dhe pas heleniste, por në periferi, gjithnjë në kuadër të tërësive “të huaja”, pra të grekëve, romakëve, sllavëve, osmanëve dhe të tjerëve! Kjo pikëpamje, që ka dominuar historiografinë prej gati dy shekujsh nga shkolla sllaviste e Vjenës, e ndërtuar kryekreje mbi koncepte politike dhe në emër të interesave të caktuara të ridizajnimit të hartës shtetërore europiane nga Kriza Lindore e këndej dhe e përqafuar me zell të madh nga propaganda hegjemoniste ruso-sllave, është pranuar edhe nga historiografia institucionale shqiptare nga themelimi i saj thuajse me inferioritet të plotë. Ngjashëm ka ndodhë edhe me teorinë indoeuroiane si dhe vendin e shqipes në të, ndonëse e përcjellë me dyshime të mëdha nga shumë studiues të njohur ndërkombëtarë pikërisht për këtë arsye. Nëse dikur si alibi ka shërbyer faktori ideologjik dhe ai i diktatit të historiografisë serbomadhe, gjithnjë i lidhur me faktorin e parë në rrethanat e sistemit komunist në Shqipëri dhe Jugosllavi, megjithatë, eliminimi i këtyre faktorëve është dashtë të përcjellët edhe me rishqyrtime, korrigjime si dhe me rishkrime historiografisë.Dhe, tash, kur hapen këto çështje në nivel të një Akademie të Shkencave, që deri më tani e ka përfaqësuar këtë diskurs me mjaft fanatizëm, madje edhe duke i anatemuar përpjekjet që ato të shihen “ndryshe” nga studiues jashtë saj si dhe ndërkombëtarë, shtrohet nevoja për rishqyrtime të gjithmbarshëm historiografike të atyre nga antikiteti, mesjeta e deri te koha më e re, mbi konceptin e pamjes së iliro-arbërorëve-shqiptarëve në të si pjesë e qendrës dhe jo e shkapërderdhur tek të tjerët, si periferi, siç pretendon shkolla sllaviste e Vjenës, që edhe sot e gjithditën me perfiditet, përfaqëson këto qëndrime nga historiani kontrovers Olivier Shmitt dhe disa të tjerë.Ndryshimi i kësaj paradigme, krahas rishqyrtimit të lidhjeve të ilirëve me botën pellazge si dhe raportet me helenizmin, pa mëdyshje nënkupton përqendrimin te rishikimi i vendit të Arbërve në Bizant, si pjesë shpirtërore (me krishterimin), asaj institucionale – në ngrehinën e saj në kuadër të strukturave administrative-vetëqeverisëse (me Ilirikun dhe themat në kuadër të statusit të qytetarisë bizantine romarios), ku Arbrit bashkë me Grekët dhe Latinët shkrinë identitetin e tyre etnik në dobi të atij perandorak. Ndriçimit të kësaj çështje, po ashtu, i ndihmon vendi dhe roli i Arbërve edhe në kuadër strukturave feudale dhe të asaj që Shufllay me të drejtë e quan “separatizëm feudal” nga koha e procesit të shthurjes së Bizanit (midis shekujve XII-XIV), sidomos nga kryqëzata e katër e këndej, kur shfaqet edhe Despotati i Epirit, si alternativë e përjashtimit të qendrës së Bizantit nga Kostandinopoja në Nike pas vendosjes në të Perandorisë Katolike nga 1204-1267 dhe më vonë edhe “Mbretëria e Arbërisë” Anzhue (1272-1296) dhe garës së njohur e despotëve për krijimin e strukturave autonome-feudale, në kuadër të hapësirës perandorake. Në këtë proces dezintegrues, rol të madh luan edhe ndriçimi i dinastisë Nemanjane të Rashës, si një faktor hegjemon force në Ilirik, që për dy shekuj, në hapësirën e Dardanisë, atë të Maqedonisë dhe pjesërisht të Epirit, në kohën e Stefan Dushanit, u vetëshpall “perandor” me pretendimin që ta zëvendësojë kurorën e Bizantit. Në bulat e tij dhe të paraardhësve, jo rastësisht përmendën dhe Arbrit bashkë me grekët, vllehët dhe të tjerët. Shumë nga këto bula janë falsifikuar nga Kisha ortodokse serbe si dhe Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve në përputhje me konceptin e përvetësimit të Rashës Nemanjane si “shtetit mesjetar serb”, prej nga përjashtohe koncepti i “Ilyricum Magnum”. Interpretimi i drejtë i raporteve të Rashës Nemanjane në Ilirik ka rëndësi jo vetëm për Arbrit, por në përgjithësi për ndriçimin e zhvillimeve në kuadër të Bizantit, meqë kjo dinasti luajti rol tejet të rëndësishëm në garën midis krishterimit lindor dhe atij perëndimor si dhe luftë së vendeve katolike kundër atyre ortodokse nën kurorën e Bizantit. Rasha dhe, mbretëria e Bullgarisë para saj, po edhe feudalët e shkapërderdhur arbëror, patën një vend të veçantë në këtë garë. Meqë aty përcaktohej hegjemonia midis tyre, në rrethanat e shfaqjes së osmanëve, të cilët ndikuan që Bizanti, në kohën e Paleologëve të kthehet në aleatë të tyre, gjë që përshpejtoi ngritjen e osmanëve në fuqi në dëm të krishterimit katolik. Në këtë kthesë të rëndësishme, Rasha, pati një ndikim të madh, ndonëse fillimisht ishte në anën e Vatikanit. Stefani i I, më 1219, u kryqëzua “mbret” nga Papati, në mënyrë që më vonë, siç veproi Dushani, të marrë anën e Bizantit me pretendimin që ta fitojë kurorën e tij. Në këtë proces, pra të luftës së dy kishave, përfshirja e Arbërve është aktive me anën e formacioneve shoqërore-shtetërore të një rë ndësie të madhe strategjike, me Despotatin e Epirit në anën e Bizantit dhe të krishterimit ortodoks dhe, me Mbretërinë e Arbërisë Anzhue, në pjesën e tyre më të madhe, në anën e katolikëve të perëndimit. Në këtë zhvillim historik, me kapërcime dramatike dhe e përcjellë me luftëra të ndërsjella në dobi të njërit apo tjetrit kryq, që është minimizuar nga historiografia shqiptare për arsye që u cekën më lartë, Rasha Nemanjane inkorporohet si faktor hegjemon me pretendimin që ta fuste në konceptin e vet faktorin arbëror, ndonëse të shkapërderdhur nëpër feude, në përputhje me raportin e forcave të kohës, që do të ishte kompatabil edhe me interesat e veta. Raportet ndërlidhëse në vend të atyre përjashtuese të arbërve me Nemanjajt në kuadër të kësaj gare midis Lindjes dhe Perëndimit, kanë rëndësi të madhe për ndriçimin e një kornize komplekse historike që ka të bëjë kryekreje me Arbërinë Mesjetare në kuadër të Mesjetës dhe të faktorëve kyç në të. Kjo fiton peshë edhe më të madhe nga fakti se historiografia hegjemoniste serbe dhe ajo ruse-sllave në përgjithësi është munduar që despotatin e Rashës, nga shfaqja e paqartë si zhupani në shekullin XI e deri te forcimi në shekullin XIII dhe XIV, ta konvertojë në “shtet mesjetar” serb, ndërsa rasianët t’i konvertojë në serbë, përkundër fakteve të shumta historike nga autorë bizantinë (përfshirë këtu edhe perandorin Kantakuzen) ku ata paraqiten si Tribal (sipas autorëve antikë fis ilir),ndërsa Rasha si Tribalia,të cilën filologu serb Budimir, krahas etimologjisë së emërtimit Rasa nga Arsa në shqipe, jo rastësisht e quan “kështjellë e fundit të Bizantit në Ilirik”. Konvertimi i tribalëve në serbë, është i pranishëm edhe në gjashtë vëllimet e “Historisë së popujve të Jugosllavisë në dokumentet bizantine” të botuar midis viteve 1953-1974, por me një ndërhyrje flagrante kur emërtimi tribal i rasianëve “shpjegohet” si “hutim” i perandorit të Bizantit dhe të tjerëve nga Herodoti! Historiografia institucionale shqiptare, ka sot mundësi të shumta që të kundërshtojë, madje edhe ta demantojë konvertimin e Rashës Nemanjane në “shtet mesjetar serb” që është bërë me falsifikimin e dokumenteve kishtare nga Beogradi (kristobulat dhe zhititë – përshkrimet fetare nga Hilandari) dhe të tjera. Këto falsifikime pranohen edhe nga historianë objektivë serbë (Ruvarac, Budimir dhe, edhe rusi Jastrebov). Kundërshtohen, po ashtu edhe nga shumë e shumë relacione diplomatike të Vatikanit, të Vendikut, Raguzes dhe atyre hungareze, në të cilat Rasha quhet vetëm Rasia, Rascia dhe assesi “mbretëri serbe”. Ky veprim madje mund të gjendet edhe te historiani serb S. Novakoviq, i cili, në parathënien e veprës “Zakonik Stefana Dushana cara srpskog” pranon se në studimin e tij nuk mbështetet mbi “Kanun mesjetar të shekullit XIV”, por të sajuar në shekullin XIX nga disa rrëfime të priftërinjve rus në Prizren! Në parathënien e kësaj vepre, Novakoviq pranon se ato rrëfime që ai sjell në libër, fillimisht “si rrëfime” nga priftërinjtë rusë në Prizren janë bartur te A. Shafariku në Vjenë dhe ai i ka plasuar te “Documenta slavica”. Të tilla pastaj janë pranuar edhe nga Jiriçek dhe sllavistë të tjerë të Vjenës, bashkë me falsifikime të tjera nga punëtoria e rishkrimeve të dokumenteve mesjetare në Odesë dhe Hilandar. Përballë këtyre argumenteve dhe të tjerave që mund të zbulohen nëpër arkiva meritore, thyhet “miti” rreth Rashës “serbe”. Ndërkohë që del në pah pikërisht ana tjetër e saj, ajo e krijimit të një “Illyricum Magnum” nga vendet katolike (Hungaria, Gjermania e të tjera), që lidhen me kryqëzatën e katër e këndej (1204-1353), bartëse e së cilës ishte paraparë të jetë Rasha Nemanjane, pasi që ajo të zgjerohet nga Nishi për në Prizren dhe Ohër, gjithandej Ilirikut në hapësirën e Dardanisë mesjetare atë të Maqedonisë dhe pjesërisht të Epirit, e ku do të përfshihen edhe shumë nga feudalët arbër: (Balshajt, Kastriotët, Topiajt e të tjerët). Se thyerja e “mitit” të “shtetit mesjetar”, nuk paraqet ndonjë vështirësi shkencore, këtë, madje, e pranon edhe V. Çubrilloviqi në librin e tij “Politička misao Serbije” me atë që thotë se “ekziston një shpërputhje e madhe, thuajse e papërballueshme nga aspekti historik, midis etnisë serbe me qendër në Bosnjen Qendrore dhe Sllavoni, siç e paraqet edhe Porfirogeniti Serbisë politike, të shekullit XIX.” Nëse kësaj i shtohen edhe ato që thotë Jagidiq se “Serbia etnike i ka gjurmët në pjesën perëndimore të lumit Drina, ndërsa kultura serbe dhe nacionalizmi serb, që do të pranohet ndërkombëtarisht në Kongresin e Berlinit më 1878, bërthamën e ka në pjesën hungareze të Vojvodinës (Karlovc dhe Temishvar) dhe jo në Kosovë”, atëherë përballimi i kësaj çështje, në përputhje me dokumentet e shumta nga autorë mesjetar, nuk do të duhej të paraqiste ndonjë vështirësi. Kësaj duhet t’i paraprijë heqja dorë e historiografisë shqiptare nga dogma e “shtetit mesjetar serb” në Kosovë dhe të Rashës qendër të saj dhe aprovimi i një plani hulumtues-shkencor afatgjatë (nga studimet multidisciplinare), në të cilin do të përfshiheshin që të gjithë historianët shqiptarë (institucionalë dhe jashtë tyre) për kompleksitetin e mesjetës, me theks të veçantë te roli i Dardanisë mesjetare dhe i krishterimit , ku ai u zyrtarizua në shekullin IV, atij të ndarë në shekullin XI (në ritin lindor dhe atij perëndimor), pastaj të gjuhës së liturgjisë kishtare (greke dhe të sllavishtes së vjetër kishtare) dhe faktorëve që krijuan që në shekullin XIX, etnitë fetare mbi bazat e liturgjisë kishtar (të sllavishtes së vjetër – në serbë dhe malazias, dhe të greqishtes – në grek), të kthehen në etni kombëtare. Natyrisht se te trajtimi shkencor i këtyre çështjeve, i përcjellë me simpoziume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, me botime komplekse shkencore si dhe te përkthimi i veprave të autorëve shqiptarë në anglisht dhe depërtimi i tyre në universitetet prestigjioze botërore, institutet dhe bibliotekat e tyre, gjendet edhe përgjigjja rreth përvetësimit të krishterimit ortodoks nga kisha ortodokse serbe që ajo e ka përvetësuar jashtë realiteteve historike në dëm të shqiptarëve dhe të trashëgimisë së tyre të krishterë – nga shfaqja në Ilirik si dhe Rashës dhe dinastisë Nemanjane -jashtë përvetësimit serb me çka i hiqet velloja “errësirës mesjetare” të Arbërve.

Filed Under: Emigracion

BURGJET RUSE (DHE TURKE) TË STËRMBUSHURA

April 22, 2022 by s p

Nga GIAN ANTONIO STELLA/

A I keni parasysh tmerret e burgjeve ruse të denoncuara nga Amnesty international, nga OJQ të ndryshme e më shumë nga sito gulagu.net? Rrahjet, shtazëritë, të burgosurit të hedhur nga dritaret, poshtërimet, përdhunimet në burgun e Saratovit e burgje të tjera të dokumentuara nga filmime rrënqethëse, të mbledhura nga ish i burgosuri Sergej Saveljev dhe të postuara on-line në mijra siti, gazeta e televizione të gjithë botës (I frikshëm shërbimi i Le Iene) me një të tillë ndikim sa të detyrojë Moskën të premtojë korigjime?

Ndoshta nuk do të jenë të gjithë kështu, burgjet e Shën Petërsburgut e të Petropavlovskit, por trullos  njohja e faktit se sa janë njerëzit e burgosur në Rusi: gati gjysëm milioni. Një e treta e 1.414. 172 burrave e grave që në janarin 2021, e dhëna më e vonë, figuronin të burgosur në 49 administratat burgosëse të Shteteve antarë të Këshillit t’Evropës. Janë numëra të nxjerra nga dosia  Prisons and Prisoners in Europe 2021 nën kujdesin e Marcelo F. Aebi, Edoardo Cocco, Lorena Molnar&Mélanie M. Tiago e sapo botuar nga Universiteti i Lozanës, në të cilën lexohet pikërisht se në vitin 2021 të burgosurit ishin 53.329 n’Itali, 59.045 në Gjermani, 62. 673 në Francë, 87.035 në Britaninë e Madhe kundrejt 275.115 në Turqi dhe 478.714 në Rusi. Nëntë herë më shumë se tek ne.

Ndërsa në raport me popullsinë, në çdo 100.000 banorë (pak a shumë ata të Andrias) ishin 90 të burgosur në Itali, 162 në Shqipëri, 176 në Estoni, 179 në Poloni, 180 në Republikën Çeke, 190 në Lituani, 192 në Sllovaki, 215 në Azerbaixhan, 231 në Gjeorgji, 325 në Turqi (i vetmi Vënd pa një të shkuar komuniste) dhe 328 në Federatën Ruse. Një e dhënë, me gjasë e rritur me rrjetatat e fundit të atyre që i janë kundërvënë mësymjes së Ukrainës.

Të kërshërishme, nëse nuk do të fusnin të dridhurat, fjalët e thëna nga Matteo Salvini  në marsin 2017, mbas njërit nga arrestimet e Aleksei Navalnit, i paracaktuar të humbiste pjesërisht pamjen sepse i goditur në sy nga hedhja e zeljonkës, për t’u helmuar më pas me gazin nervin e së fundi i kthyer në Moskë, për t’u përplasur në burg për nëntë vite: “Më duket e tepruar të krijohen heroj të rinj. Është e sata sajesë mediatike. Un jam për lirinë e mendimit. Dhe jam gjithmonë për manifestimet e autorizuara. Por nuk më duket se kjo ishte e autorizuar”. Akoma më e rëndë do t’i duket, në kohën e Covidit përdorimi i pompave të ujit mbi neofashistët e Forcës së Re….

“Corriere della Sera”, 12 prill 2022    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT