• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

Të parin kemi atdheun – Poezi nga Emine S.HOTI

April 11, 2022 by s p

C:\Users\viron\Desktop\ZH.Shtesa Eminja.SNew folder\Bujari 1 unnamed (5).png

Të parin kemi atdheun

Më i shtrenjti për ne është atdheu,

Përvoja shekullore na e ka mësuar,

Historinë e kemi gjithnjë të shenjtë, 

Me gjak dëshmorësh e kemi shkruar.

S`mposhtemi kurrë ne bijtë e shqipeve,

Se jemi të lidhur fort si toka me Anteun,

Në shekuj presim e përcjellim amanetin:

Të parin kemi atdheun!

Kalatë tona

Kur shkonim për vizitë në qytet,

Kureshtarë bënim pyetje pa fund,

Gjithçka na bënte përshtypje,

Makina,karroca, njerëz t`shumtë.

Godina dhe ndërtesa të larta,

Gjithandej zhurmë e gjallëri, 

Shitës të ndryshëm në dyqane,

Na ftonin të blinim plot mirësi.

Gjyshi na e bënte shumë qejfin,

Na shëtiti skaj më skaj me karrocë,

Kuajt hingëllinin, karrocieri thërriste:

“Hej, kam myshterinj të rrallë sot!”

Ajo ishte kështjellë shumë e vjetër,

Për ta mbrojtur trimat kishin luftuar,

Ishin ndeshur me armiq të panumërt,

Kishin rënë dëshmorë, yje të pashuar.

I bënim gjyshit pyetje pa mbarim,

Për çdo kënd t`kalasë që vizitonim,

Të nesërmen do të vinte koha jonë, 

Kalatë tona edhe ne do t`i mbronim.

Qielli i ndritshëm i lirisë

Unë, hipja në lis,

Kapesha fort pas trungut të tij, 

Mendoja se lisi është aq i gjatë,

Sa do ta prekja qiellin n`pafundësi.

Admiroja zogjtë që fluturonin,

Ku shkonin vallë me aq shpejtësi?

Imagjinoja dhe veten zog me krahë,

Doja të shihja të tërën, ty Shqipëri.

Qielli i zbukuruar me rreze diellore,

Ishte i artë, ishte  qielli i fëmijërisë,

Ishte qiell i shqiponjave krenare,

Ishte qielli i ndritshëm, simbol i lirisë…

Meditim

Mendimet venë e vijnë në kokën  time,

Enden si zogjtë në net me erë dhe stuhi,

Zgjohem, ngrihem me ngut, dielli po lind,

Me rreze ai shkruan emrin, Dardani.

I hedh në letër mendimet e dala nga zemra,

Ato janë si ajri, si dita, si zogjtë në shtegtim,

Motivojnë vazhdimisht  të gjithë qenien time,

Brenda vetes ndiej çdo çast atdheun tim.

Kujtime

Kam kujtime për jetën dhe familjen,

Mijëra kujtime për shkollën,shoqërinë,

I sjellë përherë ato në mendjen time,

Janë jeta ime mes stuhisë.

Ato janë nektar dhe aromë e rrallë,

Mendjes i ndezin dritën e dashurisë,

Atje janë prindërit e mi të shtrenjtë,

Janë mësuesit,shoqëria e fëmijërisë. 

Sa ngrihesha,dëgjoja zilen e shkollës,

Ajo thërriste t`shkoja vrap,me nxitim,

Atje mora dije,kulturë edhe arsim,

Mësova  sesi t`i shërbej atdheut tim.

“Poetesha e Stokholmit”

Vargje kushtuar mikeshës sonë 

Teuta Haziri, që s`e kemi më mes nesh

Teuta e  bukur, e mirë, e sinqertë,

Shkëlqente si një xhevahir i rrallë,

Motra dhe vëllezër, vijmë sot këtu,

Bisedojmë për Teutën  me  mall.

Kurdoherë e qeshur dhe miqësore,

Me emër mbretëreshe, e nderuar,

Zemërbardhë, trimëreshë dardane,

Motër dhe mikeshë e paharruar.

Ne gratë e kishim përherë shembull,

Mes nesh ishte një shqiptare – zonjë,

I shkonte plisi dhe veshja kombëtare,

Ndaj e krahasonim me një shqiponjë.

Recitojmë shpesh herë vjershat e saj,

“Poetesha e Stokholmit” për të themi,

E përfytyrojmë përherë si një flutur,

Motrën tonë në zemër e kemi.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: emine hoti

VDEKJA E DIKTATORIT

April 11, 2022 by s p

Kujtese nga Valentin Lumaj/

Në moshën e fëmijērisē, deri kur ra diktatura, unē kam jetuar nē njē fshat tē nēnshkodrēs, Berdicë e Madhe. Me berdicianēt unē kam kaluar vite tē bukura dhe histori tē mrekullueshme. Njē ndër kēto mrekullitē qē fali zoti, ishte edhe vdekja e diktatorit. Atë ditē, meqē isha nē vitin e fundit tē tetēvjeçares dhe iknim nganjëherë nga mēsimi, kishte rreth dy orë qē me Matinē, Mondin, Nadirin dhe disa tē tjerē po luanim penallti me 50-leksha në fushën e futbollit ngjitur me obborin e shkollës, ku dikur zhvilloheshin sportakiada. Rreth orës 11, shohim qē e gjithē nxënësit e shkollēs po dilnin jashtë. Mendova njē herē se mos ishte pushimi i madh, po nxēnēsit nē vend qē tē shpērndaheshin nē fushat e volejbollit, basketbollit apo në kēndin e paraleve, u rreshtuan nē oborr. Ashtu nē rresht pēr dy, u nisën nē njē varg tē gjatē pērgjatē fushēs sē futbollit ku ne po luanim. Ne, me gjithē kuriozin qē kishim, prapē vazhduam lojēn derisa pashē qē po na afrohej mēsuesi i historisë (dritë pastë). “Hajēr e baftë Zoti”, thashē me vehte. 

“Po ju ça bani ktu?”, thotē msuesi.

 Pa lujm penallti”, i thashē. 

“Ju luni penallti me lek, po a e dini ça ka ndodhë, shpejt nē rresht”, shpërtheu mësuesi.

“Hajt mar msus, se ska dekē kush”, i thashe unē, ndērsa nxorra nga xhepi disa fara lulediellit, qē nē atē kohē i kishim tē pērditshme .

“Ça flet mar, ka dekë shoku Enver”.

Mua, ngaqē nuk mu besua, i thashē: “hajt mar me gjithë té”, dhe fryva nga goja njē levozhgē luledielli. Era e kthen levozhgēn dhe ajo i ngjitet nē faqe afēr hundēs sē mēsuesit. Nuk e kuptova nēse ishte ajo çfarē i thashē apo lēvozhga e lulediellit, por mbaj mend qē fytyra e mësuesit mori njē pamje tē llahtarshme, dhe mē shtrēngohet me njē shpullē, qē gjysma e saj mē doli tepēr. “Mirē, mirē”, i thashē, “mbaje mend” dhe u futēm edhe ne nē rreshtin e gjatē qē nē heshtje shkonte drejt Shtēpisē sē Kulturēs.

Shtēpia e Kulturēs nē Berdicē, ishte njē ndērtesē e madhe dhe e lartë, qē dikur kishte qenē Kishē qē vendasit thonin se kishte pasur njē çati tē bukur dhe tavan druri me gdhendje dhe ornamente tē rradha. Komunistēt u munduan qē ta prishnin komplet por mbasi muret qē ishin ndērtuar me hekur dhe beton, nuk arritēn qē ta shembnin por i vunē çati tē re dhe e kthyen nē shtēpi kulture. Tē them tē drejtēn kjo shtēpi kulture, nē atē kohē ishte kthyer vērtet nē njē qendēr tē kulturës me koncerte muzikore, filma artistikē apo shfaqje humoristike tē estradēs sē famshme tē Shkodrës etj.

Kur nuk kishim mbērritur akoma nē Shtëpinē e Kulturēs, mbaj mend njē berdician qē ndalon biçikletēn dhe mē thotē: ” Ça ka ndodhē malcur”,  se kēshtu mē thērisnin disa nga qē isha malēsor jabanxhi nē atē vend.

 “Ka vdekē Enveri”, i thashē

“Ashtu, po i hangērt shpirti mut”, mē tha dhe i dha biçikletēs dhe iku.

Kur u futēm brenda, salla ishtē pothuajse plot dhe vinte era djersë. Dukshēm qē puntorēt i kishin marrē nga puna dhe sjellē aty. Kishte njē qetēsi absolute dhe aty kētu dëgjoheshin dēnesa tē qarash. Njerezit ishin ulur me kokēn tē mbēshtetur mbi grushta mbi mbēshtetēsen e stolave, e vetmja trashēgimi nga ajo qē dikur kishte qenē Kishē. 

Pashē qē dikush solli njē radio, tē cilēn e lidhēn me autoparlantēt e mēdhenj nē dyja anēt e skenēs. Tē gjithē prisnin me mērzi lajmin e tmerrshēn nē emisionin e lajmeve tē ores 12. The ora erdhi:

 “Ju flet radio Tirana, sot, mbas njē sēmundje tē gjatē dhe tē pashērueshme vdiq heroi i lavdishēm i partisē dhe i popullit shqiptar, shoku Enver Hoxha”.

Emocionet shpērthyen, te qarat u shtuan, vajtimet po ashtu….ëëëëë….hhëëë! Shoh njē burrē qē u ngrit nē kēmbē dhe me duart lart nga tavani thoshte “pse mar Zat, pse mar Zat”. Nuk e kuptoja se kujt ja thoshte, Zoti nuk ishte më aty.

Tē tjerët mbanin kokēn ulur, tamam sikur gjatē njē meshe kur çohet kungimi, që dukej sikur luteshin, por nuk luteshin. Te them të drejtën nuk e kuptoja nëse ishin se tē mērzitur vërtet bēnin sikur. Ndērsa shikoja sallēn, ndenjur dhe me trupin drejt, ndjeva njē dorē mbi kokē dhe njē zē tek veshi: “malcur, ulu ndejt dhe ule kryt”.

I thashē: “po une ndejt jam”. Ndoshta, ngaqē isha i gjatē dhe hollak, dukesha sikur të isha nē kēmbē. Ula kokēn me mērzi pēr njē 100 lekēsh qē kisha humbur atē ditē nē penallti dhe për topin e llastikut që kishte mbetur tek fusha. “Po sikur të mos e gjej topin” mendova, “I thonë të humb edhe 100 lek të tjera për sherr të Enverit”. Mbas pak dolëm jashtë dhe u shpërndamë, shumë prej nesh menduam se Enveri mori të keqen me vehte, por që më vonë e kuptuam se ai të keqen e kishte mbjedhur të keqen ndër ne përpara se të shkonte në xhehnem.

Filed Under: Analiza Tagged With: Valentin Lumaj

VATRA PROMOVON MË 20 PRILL 2022 LIBRAT: “DËSHMI E TRISHTË E NJË SHENJTORI”  DHE “LARG ATDHEUT”

April 10, 2022 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra do të promovojë ditën e Mërkurë më 20 Prill 2022 në Selinë Qëndrore dy libra: “Dëshmi e trishtë e një Shenjtori” – monografi kushtuar baba Bektash Aliaj figurë e lartë e besimit Bektashi dhe “Larg Atdheut” – një dorëshkrim të lënë pa botuar nga ish Editori i Diellit Xhevat Kallajxhi. Do të referojnë në këtë promovim: Dervish Eliton Pashaj, Tonin Mirakaj, Idriz Lamaj dhe Dalip Greca.

Ftohet i gjithë komuniteti shqiptar të marrë pjesë.

Filed Under: Opinion

LIBRI I PËRGJAKUR I KUJTESËS SË KOSOVËS…

April 10, 2022 by s p

– Mbresa dhe çështje të një takimi –

Nga Visar Zhiti/

Të kujtojmë. Kujtesa s’është vetëm e së shkuarës, por po aq shumë dhe e së ardhmes… Ne jemi ajo që kujtojmë, e them shpesh këtë varg të një poeti të madh. Dhe u mblodhëm për të kujtuar. Të shtunën në mbrëmje në Çikago, në lokalin “North Star” në Western, kështu ishte adresa në pllakatin e takimit, dera hapej shpesh dhe futeshin njerëz që përshëndeteshin përzemërsisht, njiheshin apo ia paraqisnin njëri-tjetrit. Salla po mbushej, jemi shqiptarë nga të gjitha trevat, po thoshin, më së shumti nga Kosova, edhe nga Shqipëria, nga Maqedoaina e Veriut, (e Jugut për ne), nga Mali i Zi, etj. dhe çfarë do marrësh, kafe, i thoshin njëri-tjetrit, të gatshëm për t’i shërbyer njëri-tjetrit, me mirësi dhe zhurmë. Në krye ishin mbërthyer flamujt, ai shqiptar dhe ai i SHBA, bashkë, kështu ishin dhe në luftë për çlirimin e Kosovës, UÇK dhe NATO, tha një burrë i gjatë, malësor i veshur qytetarçe. Sonte, tani, do të përurohej një libër, madje i madh, i rëndë, ja, po vinin në tryezën përballë kopje të shumta të tij “The terror of Serbian occupier over albanians” dhe pranë një libër tjetër i vogël, xhepi, si vëllai i vogël, i shpërndarë gjithandej, “Never forget”. Kishin ftuar dhe autorin, Prof. Dr. Nusret Pllana, shkruhej mbi pllakat, vinte nga Kosova. kaq befas?Mua më lajmëroi Taip Beshiri, trajner futbolli, banon afër meje si lagje, është nga shqiptarët e Maqedonisë, në fb e tij kishin parë një foto të tij bashkë me mua dhe i kishin telefonuar, që të më thoshte për të marrë pjesë në takim, sot për sot, tamam vrull i bukur shqiptarësh, i orëve të fundit, me bashkëshortet tona nisemi për të mb;erritur në orar. Takohemi përzem;ersisht me autorin, edhe në Romë, vite më pare në Universitetin “La Sapienza” kishim bërë një takim që të tregonim për luftën e Kosovës, qendresën dhe martirizimin, ishte bashkë me Dom Lush Gjergjin. Kujtuam që ambasadori serb në Itali atëhere kishte bërë një letër proteste në universitet, pse ky takim (?!), Serbia, pas kishte mbaruar rolin e saj si pushtuese duke ushtruar një genocid të paparë ndër shqiptarët në trojet e tyre, po bënte tani rolin e viktimës. Këto dëshmonin dhe librat e Nusret Pllanës, këta q;e jane k;etu, para nesh. Takimin e hapi Dr. Avni Thaçi, mjek në Çikago, bujtësi i autorit, që i uroi mirseardhjen atij dhe gjithë të pranishmëve. Fliste thjesht;e, me druajtjen e atij që e vlerëson fjalën dhe ma jep mua fjalën si “njeri i letrave”. Kemi një vepër kujtese, me rëndësi të madhe, thashë unë, e njoh librin, edhe autorin, jemi bashkëvuajtës, ai ka qenë i dënuar nga regjimi i Millosheviçit në lëvizjet patriotike shqiptare në ish Jugosllavi dhe unë në diktaturën enveriste, por që qendër duket se kanë Kremlinin e Stalinit…Ky libër dëshmon masakrën serbe, atë që përfshin një shekull e gjysmë kohë, 1844-1999, së fundmi, por jo e fundit në botë, po përsëritet tani në shekullin XXI në vend tjetër e popull tjetër, në Ukrainë nga ushtria ruse…Nusret Pllana pas luftës la uniformën e UÇK-së, la armën dhe mori penën, edhe ajo është armë, më e fortë, besa po, ka fuqinë e së përhershmes. Të shumta janë botimet e tij dhe përurimet në shumë vende të Europës, një kronikë e përgjakur, tronditëse me emra dhe imazhe të llahtarshme. Të mos harrojmë, për një të ardhme njerëzore, të përbashkët, euroatlantike të vendeve tona në Ballkan. Libri është shkruar me gjak. Është një korale e zërave shqiptarë, që i ndjejmë dhe tani, kushtrimin e Adem Jasharit dhe mençurinë e të urtit Ibrahim Rugova, presidentit të parë të Republikës së Kosovësw, por dhe lutjet e Shenjetes tone Nënë Tereza, që I tha Presidentit të SHBA, Bill Klintonit: “Bir, ndihmoje popullin tim…” Që ky libër përurohet dhe në metropolin e Çikagos mes shqiptarëve, e quaj me domethënie, mirënjohje SHBA-ve për Çlirimin e Kosovës, përkrahja e së cilës ka qenë jetike për kombin shqiptar, ka ndërhyrë për të mos lejuar edhe më copëtimin e Shqipërisë londineze, siç është bërë zakon të quhet nga studiuesit. Me Amerikën shqiptarët kanë aleatin më të fuqishëm dhe mbrojtësin e idealeve të çëshjes kombëtare, etj, etj. Foli dhe një inxhinier kompjuterash nga Kosova, ish luftëtar i UÇK-së, Labinot Maloku, Pastaj iu dha fjala autorit, Prof. Dr. Nusret Pllana. Librin nuk e kam shkruar unë, tha ai ndër të tjera, e kanë shkruar shqiptarët, të gjithë ta që janë në këtë libër, kronika e masakrës së tyre, e mbi 1400 fëmijëve të vrarë, engjëj mbrojtës të Kosovës. “Never forget” e kam shkruar së bashku me Agim Aliçkajn, e përuruam dhe “Vatra”, ishte shumë emocionuese, po kështu na pritën dhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Washingron D.C., e dhuruam librin dhe atje, dhamë dhe intervistë në “Zërin e Amerikës e do të shkojmë dhe në Boston e pastaj në Kanada… Por askush nuk erdhi nga ambasadat tona apo konsullatat, e Kosovës dhe e Shqipërisë, pse ky moskujdes, pse kjo harresë? Kujt i shërben? – pyeti i dëshpëruar autori. Ambasadorët e vërtetë janë gjithë këta shqiptarë këtu, – thashë unë. Duartrokitje të shumta në mbarim të takimit, pasi u shfaq dhe një dokumentar për f:emijët e vrarë të Kosovës, por është ëndrra e tyre, buzëqeshaj e tyre është kudo, thamë. Vonë morëm rrugën e kthimit. Dritat në rrugët e gjera të rrethinave të Çikagos kishin një vezullim, që mua më kujtonin diçka nga plagë. Plagët e popujve bëjnë dritë, thashë me zë. Never forget!. Edhe të kujtuarit është kulturë, që vendet e kulturuara kanë institucionet e saj, me rendësi të dorës së parë. arkiva e shtetit, biblioteka, akademi, muzeume, institute, katedra, tempujt e besimit, shoqata, vepra arti, statuja, teatër, përkujtimore, kuvende, tubime, homazhe, kronika, kujtesë të institucionalizuar etj, etj, dhe mbi të gjitha libra, libra pafund. Ne, shqiptarët, jemi disi spontanë me kujtesën kolektive, edhe emotivë disi, natyrisht të dhëmbshur, dhe dinjitoz:e patjetë, por sikur kemi më të institucionalizuar harresën. Pse? Ku janë shoqatat tona këtu, po ambasadat? Promovimi i librit të plagëve të Kosovës ishte vërtet prekës, pa akademi, i sinqertë, i thjeshtë, serioz, por gati spontan, një dëshirë e disa shqipatrëve t;e mire, por jashtë axhendave të atyre do t’u takonte një veprimtari kësisoj, kulturore dhe shtetërore. Që gjërat të kenë vlerën që meritojnë dhe peshën e duhur. S’është fjala thjesht për publicitet dhe jehonë. Po për kujtesën kolektive, që forcon të kaluarën për një të ardhme me te mire, e thamë dhe atje. Po edhe për culture, që të pasurojmë të përditshmen se bashku. Dhe te mos mbetet “midis nesh”, një grushti shqiptar;esh, por t’u tregohet dhe të tjerëve, në bashkëpunim si një shk;embim përvojash dhe kulturash. Kur po i afrohesha shtëpisë, m’u kujtua porosia e Papa Françeskut që u dha shqiptarëve, kur erdhi në Tiranë: “Mos harroni plagët dhe folenë!”. Plagët – si popull i vuajtur; folene – si zogj shqiponjash. Dhe sikur ngjajnë, plagët janë fole plot me kujtesë dhe foleja është një plagë e bukur jete…

Filed Under: Analiza Tagged With: Visar Zhiti

Emri i Fan Nolit jetësohet në Bronx

April 10, 2022 by s p

Elmi Berisha/

Sot është një ditë e shënuar për kombin shqiptar. At Fan Noli, një prej Shqiptarëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar përjetësohet me emrin e një rruge në New York. Sot për çdo shqiptar është një ditë e pa harruar, një ditë lavdie e krenarie kombëtare e shtetërore. Një ditë e madhe që do mbesë historike në memorien tonë si komb e si mërgatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shërbimi i At Fan Nolit ndaj popullit, e shtetit e kombit të tij është gjeniale. At Fan Noli përktheu në shqip shërbesat e Kishës Ortodokse, përktheu kryevepra të letërsisë botërore, shkroi poezi politike, ishte klerik, themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA, deputet dhe Kryeministër i Shqipërisë në të njëjtën kohë, drejtues i Diellit e themelues i Vatrës, një figurë e padiskutueshme poliedrike e kombit shqiptar. Kjo ditë e shenjtë përkon me 110 vjetorin e Vatrës.At Fan Noli ishte një përkthyes i pashoq, erudit i rrallë, një filozof i mprehtë, poet i zjarrtë, historian i konfirmuar, politikan i shquar dhe një fetar i bekuar. Fan Noli ia kushtoi jetën Zotit dhe kombit të tij. Askush si ai nuk u investua për të mirën e popullit, shtetit e kombit shqiptar. Lavdi përjetë veprës dhe kujtimit të At Fan Nolit.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT