• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

Nuk mund dhe nuk duhet të jepet falje për krimet!

April 8, 2022 by s p

Alma Liço/

Nxitur nga libri titulluar “Lulja e diellit” i Simon Wiesenthalit, hebreut të mbijetuar në kampin e Auschwitzit, mbështetur edhe në disa përkufizime/prononcime personalitetesh botërore, specialiste të kësaj fushe bërë në këtë libër, vite më parë jam përpjekur modestisht në një shkrim timin të trajtoj temën aq shumë të diskutuar “Mbi mundësitë dhe kufijtë e faljes”.

Sot e kësaj dite flitet e komentohet dendur për faljen, si një proces purifikimi dhe ringjalljeje, si një qëndrim fisnik që më së shumti garanton paqen sociale dhe paqëton shpirtin e viktimave!!!

…Por pak kush kujtohet të përmendë se nuk mund të ketë falje për individë apo grup individësh që jo vetëm nuk denjojnë të kërkojnë falje për bëmat e tyre, por përkundrazi, nuk shprehin asnjë grimë pendese për padrejtësitë dhe krimet që kanë kryer. Madje me të njëjtin zell vijojnë trajtimin mizor ndaj viktimave të dikurshme, sigurisht aq sa u mundësojnë kushtet dhe aktualiteti në të cilin jetojmë. Institucionalisht, ata ende shpërblehen e dekorohen për zellin e tyre diabolik!

Do të shtoja se falja, nëse një dite do të bëhet e mundur, duhet të jepet vetëm për gabimet. Aspak për krimet, me viktima mijra të vrarë, burgosur e internuar të pafajshëm.

Eshtë shumë e gabuar, sipas meje, të konsiderohet “hakmarrje” bërja e drejtësisë, ashtu sic përpiqen rëndom ta etiketojnë autorët e masakrave dhe të tragjedive që shkaktoi regjimit komunist. Krimet nuk mund dhe nuk duhet të amnistohen, aq më pak të falen. Ato duhen gjykuar dhe dënuar në përputhje me legjislacionin vendas dhe atë ndërkombëtar të ratifikuar, sic u veprua me krimin nazist. Por vullneti politik në Shqipëri për dënimin e krimeve të këtyre përmasave, për fat të keq nuk ekziston.

(Të obliguar nga marrëveshje ndërkombëtare, në muajin tetor të vitit 2006, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”, në votimin e së cilës, deputetët e Partisë Socialiste, tashmë prej nëntë vitesh në pushtet, dolën nga salla duke e bojkotuar atë. Për fat të keq, pothuajse asnjë prej 17 pikave te saj pikave të renditura nuk është realizuar, megjithëse kanë kaluar më shume se 16 vjet nga miratimi i saj).

Gjithashtu, me gjendjen korruptive dhe të kapur në të cilën ndodhen institucionet e drejtësisë, ky proces bëhet akoma më i pamundur.

Pasojë evidente që e jetojmë dhe vuajmë sot e kësaj dite është mbajtja gjallë e pandëshkueshmërisë dhe frymës përçarëse e armiqsore ndërmjet shqiptarëve. 

Deri kur?

Filed Under: Interviste Tagged With: Alma Lico

NATO-ja NË KOSOVË E KOSOVA JASHTË SAJ

April 8, 2022 by s p

ASLLAN  BUSHATI/

Lufta e Ftohtë qe një ballafaqim disa dekadash midis demokracive perendimore e totalitarizmit komunist, midis NATO-s e Traktatit të Varshavës (TV). Ajo konsumoi shumë gjenerata armatimesh  dhe një sasi të madhe mjetesh monetare. Konsumoi doktrina të mendimit ushtarak, nerva, stres ndërkombëtarë të përditshëm  deri sa përfundoi me shembjen e komunizmit, prishjen e TV-së e rënien e Bashkimit Sovjetik (BS) si fuqia e dytë botrore.

Tranzicioni i pas Luftës së Ftohtë, solli luftën në ish Jugosllavi, ku NATO-ja  si organizëm ushtarak, për herë të parë zbrazi armët  kundër regjimit gjakatar serb, duke cuar kështu në krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. NATO-ja vazhdon të jetë prezente në Kosovë, por Kosova juridikisht është jashtë saj(kontraversalitet).

Në dekadën e tretë të tranzicionit, në gjeopolitikën botrore filluan të cfaqen disekulibra diplomatik, ekonomik, politik dhe ushtarak. Kina kërkon një pozitë më të fortë e me fuqi vendim marrëse në gjeopolitikë botrore. Njëkohësisht krahas me zgjerimin e një ekspansioni ekonomik botëror, po fuqizon një makinë gjigande ushtarake. Në këtë situatë Rusia u ndje inferiore dhe kërkon vendin e ish BS. Por tashmë ky vend është i varrosur në analet e historisë se Rusia nuk është as ushtarakisht dhe as ekonomikisht BRSS dhe TV. Por ajo për të treguar se ushtarakisht është akoma e fortë, provokon NATO-n në një hapsirë neutral e në kufijtë e saj, duke sulmuar ushtarakisht pa asnjë arsye Ukrahinën. Që nga  ky moment tranzicioni i pas Luftës së Ftohtë ka përfunduar dhe një etapë e re  ka filluar e cila me siguri do të cojë edhe në ndryshime të organizimit politik, ekonomik e ushtarak botëror.

Rusia në avanturën për pushtimin e Ukrahinës, dukshëm është  në dështim e sipër. Por prej saj dalin disa përfundime si: roli i NATO-s në Europë jo vetëm nuk është zvogluar, por është cimentuar. Rreziku i luftës nuk është zhdukur, ai ekziston, është real dhe në të ardhmen mund të trasferohet në vendet balltike dhe në  Ballkan.  E në se lufta vjen në Ballkan, historia ka treguar se ajo bëhet botërore. Këtë situatë e ndihmon qëndrimi dyfytyrësh i Serbisë e cila nga njera anë thotë do të shkojmë në BE, nga ana tjetër armatoset ushtarakisht nga Rusia. Por që të mos ndodh kjo situatë ku Kosova  të provokohet dhe të përfshihet në zjarrin e luftës, duhet të cohemi të gjithë në këmbë që ajo zyrtarisht të pranohet anëtare e NATO-s. Dikush mund të thotë se hyrja në këtë organizëm ushtarak ka shumë procedura që duhen kaluar një pas një. Ne lypset të ju përgjigjemi atyre se është kohë lufte , dhe në luftë ka procedura të përshpejtuara.

Pra e thënë më shkoqur, këtu në SHBA, vatranët, drejtuesit e shoqatave, biznesmenët, intelektualët, gazetarët e cdo shqiptaro amerikan të kontaktojë me kongresmenët e senatorët e shteteve përkatëse  dhe me një copë letre me dhjetë rreshta, të kërkojë prej tyre pranimin e menjëhershëm e pa kushte të Kosovës në NATO. Këtë gjë lypset ta bëjnë edhe shpitarët në diasporën europiane, diplomatët e Kosovës e Shqipërisë, parlamentet e Kosovës e Shqipërisë, cdo shtetar shqiptar e kosovar dhe cdo shqiptar që ka kontakte e miqësi me personalitetet euroatlantike. Ne si komb shpesh e kemi humbur kohën e duhur të veprimit, por tash lypset të ngihemi në këmbë e të bëhemi më të përgjegjshëm e të vetëdijshëm për të sotmen e të ardhmen tonë kombëtare.

ASLLAN  BUSHATI

Filed Under: Vatra Tagged With: asllan Bushati

JA ÇFARË ËSHTË NJË DIKTATURË

April 8, 2022 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/

U desh agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës për të na kujtuar se çdo të thotë një diktaturë. Për t’ i a kujtuar opinonit publik evropian e veçanërisht atij italian. Mbas shëmbjes së regjimeve komuniste dhe Bashkimit Sovjetik, tridhjetë vite më parë, kemi menduar se pak a shumë kudo – si  në kontinentin tonë ashtu edhe në Vendet kryesore të botës – ishin vendosur tashmë regjime afërsisht të ngjajshme me atë që ishte në anët tona.

Ndoshta me ndonjë dozë lirie më pak, me më pak liri shtypi ose mbledhjesh, makar me zgjedhje jo të paqortueshme si ato me të cilat jemi mësuar neve, por në përgjithësi gjithmonë regjime në të cilët mund të jetohet në siguri, ku Shteti nuk është zot në fakt i jetës së qytetarëve të tij siç ndodhte në kohët e Stalinit e të Maos. Për të përforcuar këtë ide jo pak ka ndikuar hapja e botës ish komuniste të një bindjeje marksiste-leniniste ndaj sipërmarrjeve kapitaliste, logjikave të tyre, allishverisheve të tyre: tregut, siç thuhet rëndom. Një hapje simbolizuese në fillimin e viteve 2000 nga hyrja e Kinës në Wto, Organizata botërore e tregëtisë. Ekuacioni i rremë liberalizëm ekonomik = liberalizëm politik i ka mbyllur sytë shumëve. E kështu jemi bindur se në praktikë kishte mbetur vetëm radikalizmi islamik, talebanët, ose në një drejtim tjetër, ajatollahët, duke i shtuar ndonjë tirani të errët afrikane , të përfaqësonin në botë diktaturën, mohimin e lirisë. Me kohë madje edhe përndjekja e egër e të krishterëve në Pakistan dhe moria e dhjetra ekzekutimeve kapitale nga ana e Arabisë Saudite nuk na janë dukur të denja aq sa të tërhiqnin vëmëndjen tonë. Në fakt e kemi quajtur si një gjë normale që shumë shtetarë të ndritur e më pak të ndritur të shkonin rregullisht në Riad apo në Pekin a kudo gjetiu, për të ndriçuar ato   qeveri me mendimin e tyre të lartë: natyrisht kundrejt një shpërblimi të kënaqshëm prej mijra dollarësh.

Gjatë viteve, shumë marrëdhënie politike dhe ekonomike me një seri Vëndesh kanë qënë gjithmonë e më shumë të shprehura me një farë vetësigurie. Me një harresë të dëshiruar se çfarw ishin ishin regjimet e atyre Vëndeve. Sa deputetë italianë për shembull, gjatë gjithë kësaj kohe kanë shkuar në Rusi të lumtur sepse priteshin me të gjithë vëmëndjen e duhur, por duke harruar ndonjëherë se dhomat e hoteleve kanë sy dhe veshë? Indiferentë ndaj faktit që ekzisojnë shumë mënyra për të mos shpërndarë në erë fjalët e një bisede e që nuk ka nevojë për një faturë të firmosur për të vërtetuar ekzistencën e një kontributi për çështjen? Në të njëjtën mënyrë shumë vetë kanë vazhduar qetësisht të bëjnë allishverishe me Kinën, duke u shtirur se nuk e dinin se në çdo këshill mbarështimi të cilësdo ndërmarrjeje kineze qëndron një funksionar i Partisë komuniste e që synimi kryesor i sistemit industrial t’atij Vëndi, kur lidh marrëdhënie me ndërmarrje të huaja, është zotërimi i know how teknik të tyre; duke u shtirur se  sikur nuk kuptonin se çfarë mesazhi i egër përmbahej në kërkesën e faljes në të cilën qenë të detyruar Dolce &Gabbana për të shlyer fajin e tmerrshëm të zgjedhjes së një reklame të papëlqyer për Pekinin: duke u shtirur se nuk e shihnin fatin që i rezervohej Hong kongut: një shembull i mahnitshëm i asaj se si i respektonte Perandoria e Kaltër, e kthyer në të Kuqe, zotimet ndërkombëtare të nënëshkruara prej saj.

Por një nga karakteristikat më të shëmtuara të këtyre realiteteve është që shpejt a vonë del në shesh për inat të gjithshkaje e të gjithëve. Agresioni rus i Ukrainës ka patur pikërisht këtë funksion. I ka hequr maskën shumë hipokrizive, po i detyron shumë koka të kthyera nga ana tjetër të rrotullohen e të shohin përpara. Të shohin në fytyrë  kush është Putini, se ç’është sistemi i tij i qeverimit e i vlerave. 

Sigurisht, kur bëhet fjalë për një gjë tmerrësisht serioze si lufta, është mirë të gjykojmë faktet, e të shmangim moralizimin me gishtin e drejtuar kundrejt atyre që në gjithë këtë kohë  janë treguar syleshë me fuqinë e diktaturave dhe mundësitë që ato ofrojnë. Por është e vërtetë se ky qëndrim sylesh, kjo gatishmëri për të harruar, të themi kjo indiferencë nga ana e opinionit publik perëndimor (do të thosha së pari italian) kundrejt natyrës së pushtetit  të Vëndeve si Rusia o Kina, ka favorizuar madhërisht në kryetarët e këtyre Vëndeve shfaqjen e një ndjenje të paturpësisë e të pandëshkueshmërisë, që ka të bëjë me shpërthimin e mësymjes ruse një muaj më parë.

Dijmë me siguri, për shëmbull, se pikërisht konstatimi i mungesës së Perëndimit  në një protestë  kundër sipërmarrjeve të tij agresive në Çeçeni, Gjeorgji, Siri, Krime, konstatimi se karriera e jashtzakonëshme e helmuesit të kundërshtarëve politikë, ka lënë indiferentë rrjeshtimin e simpatizantëve – lutës të tij para derës ose t’atyre që donin të bënin allishverishe me Rusinë, pikërisht nga e gjithë kjo ka ardhur duke u pjekur tek ai përçmimi më i thellë për botën tonë. Për mungesën tonë, në sytë e tij, të shtyllës kurrizore, për mungesën tonë të besimit në vlerat tona në vullnetin për t’i mbrojtur. Që këtu në një shkallë të madhe, që këtu buron vendimi i marrë lehtësisht për të shfarosur Zelenskin dhe ukrainasit. E mund të jemi të sigurtë që Xi Jinping nuk e mendon shumë ndryshe.

Do t’ishte mirë që shumë njerëz të mendoheshin dy herë para se të porosisnin një fluturim për në Moskë apo për në Pekin.

“Corriere della Sera”, 30 mars 2022    Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

NË DOBI TË KOMBIT DHE KOMUNITETIT SHQIPTAR NË AMERIKË

April 8, 2022 by s p

Imer Laçaj, kryetar i shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc., në një rrëfim ekskluziv për gazetën Delli, Organ i Federatës Panshqitare të Amerikës Vatra në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, rrëfen veprimtarinë e shoqatës dhe objektivat për të ardhmen si shoqatë në dobi të komunitetit shqiptar dhe çështjes kombëtare. Nga bashkëpunimi me Federatën Vatra dhe shoqatat tjera në Amerikë deri te ruajtja e identitetit kombëtar, zhvillimi i shkollës shqipe, ndihmat në projektet e komunitetit shqiptar dhe mbajtja ngushtë e lidhjeve me Shqipërinë, Kosovën e trojet shqipfolëse.

GJUHA SHQIPE, KULTURA DHE IDENTITETI KOMBËTAR

Në vazhdimësi të veprimtarive në dobi të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në Amerikë e kryesisht në New York, do ta kem primare në veprimtarinë time si kryetar dhe si shoqatë atdhetare ruajtjen e traditave dhe vlerave të popullit shqiptar, dhe veçanërisht  të gjuhës shqipe, identitetit kulturor dhe kombëtar, nëpërmjet organizimit të takimeve me karakter patriotik dhe kulturor në komunitetin shqiptar, festimin e ngjarjeve të shënuara të historisë së popullit e kombit tonë si: shpalljen e pavarësisë, etj. dhe promovimin e figurave të shquara të popullit tonë në shekuj. Respekti ndaj heronjve e martirëve të kombit tonë lartëson çdo shqiptar. Heronjtë dhe martirët tanë janë pika kryesore e historisë sonë të lavdishme dhe e identitetit tonë historik e kulturor autentik.       

SHQIPTARË TË BASHKUAR, SHQIPTARË MË TË FORTË

Është domosdoshmëri që shqiptarët të jenë të bashkuar, kudo ata veprojnë e punojnë. Nuk mund të jemi një zë i fuqishëm nëse forcat tona nuk bashkohen për qëllimin e përbashkët të angazhimit ndaj çështjes kombëtare dhe mirëqënies së komunitetit shqiptar në Amerikë. Si kryetar bashkë me shoqatën tonë do ta kemi objektiv parësor bashkëpunimin e ngushtë dhe të pandërprerë me të gjitha shoqatat që veprojnë në SHBA, dhe më gjërë, veçanërisht me VATRËN, për arritjen e misionit të shoqatës tonë si dhe forcimin e miqësisë shqiptaro-amerikane. Si shoqatë do të mbështesim përpjekjet e popullit heroik shqiptar të Kosovës për njohjen e pavarësisë, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në NATO, do ndihmojmë në demokratizimin e mëtejshëm dhe promovimin e Shqipërisë turistike dhe do të bashkëpunojmë me bisnesmenët shqiptarë dhe jo vetem, për rritjen e donacioneve që do të vihen në shërbim të misionit të shoqatës tonë e aktiviteteve në dobi të komunitetit e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Ne duhet ti jemi përjetë mirënjohës popullit e kombit mik amerikan. Falë mbështetjes së Amerikës ne ekzistojmë si shtet e si komb. Pa mbështetjen amerikane shqiptarët nuk janë të sigurtë në Ballkan. Lavdi përjetë SHBA dhe ndihmës së pa kursyer tash e më shumë se një shekull për popullin shqiptar e për dy shtetet tona Kosovën e Shqipërinë. Këtë vit ne festojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe duhet të jetë një festë mbarë kombëtare për të gjithë shqiptarët si shenjë mirënjohjeve dhe vlerësimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.                      

E ARDHMJA E SHOQATËS SHQIPTARO-AMERIKANE “SKENDERBEJ” INC

Një drejtues që nuk sheh nga e ardhmja është një një drejtues i dështuar. Me qëllim që shoqata jonë të forcohet dhe të kryejë misionin e saj, të gjithë bashkë do të punojmë fort që dhe gjithë energjitë tona do ti bashkojmë me qëllim që të punojmë me përkushtim për rritjen e aktiviteteve në komunitet, për pjesëmarrje masive në aktivitetet e komunitetit shqiptar, për rritje numrit të antarësisë, dhe veçanërisht të të rinjve, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, si biseda të lirë, shëtitje me biçikletë, vizita në muzeume si dhe piknik në natyre dhe në parqet e ndryshme në NYC dhe më gjërë. Kryesia o shoqatës sonë atdhetare e përbërë nga patriotë dhe ekspertë të fushave të ndryshme si Lekë Preçi Nënkryetar, Alketa Veshi Ktona Sekretare, Adrian Tahiri Financier, Arta Xhaferri, Bujar Sadikaj dhe Qerim Gjocaj anëtarë, kam bindjen se do të jenë një mbështetje e fortë dhe përfaqësues dinjitozë të shoqatës dhe komunitetit shqiptar në New York. Do të përkrahim dhe mbështesim mësimin e gjuhës shqipe dhe do të bashkëpunojmë veçanërisht me shkollën shqipe AlbaLife, duke motivuar jo vetëm fëmijët e anëtarëve të shoqatës, por edhe të komunitetit shqiptar për mësimin e gjuhës mëmë. Ne do të jemi aktivë në çdo organizim dhe mbështetje për talentet shqiptare në New York e më gjërë me qëllim që bijtë e bijat tona të krenojnë jo vetëm veten e tyre me arritjet e tyre por edhe komunitetit e kombin tonë.

MIRËNJOHJE TË VEÇANTË PËR PATRIOTIN MARK QEHAJA E BASHKIM SHEHU

Patrioti Mark Qehaja dhe Bashkim Shehu për punën e bërë dhe kontributin e dhënë meritojnë respekt të veçantë jo vetëm nga si shoqatë: kryetari, kryesia e deri te anëtari më i ri por edhe nga komuniteti për punën e jashtëzakonshme që këta drejtues kanë bërë nën udhëheqjen e tyre në krye të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc. Pa lidershipin e tyre, pa forcën dhe energjitë e tyre të jashtëzakonshme ne nuk do kishim arritur të shkëlqenim dhe të mbesim në memorien e komunitetit për aktivitetet e arritura dhe sukseset e shënuara. Për vitin 2021 aktivitetet kanë qenë të kombinuara. Ato të karakterit patriotik me aktivitete argëtuese, sportive e kulturore. Megjithëse Pandemia e Covid-19, ka përfshirë gjithe globin edhe gjatë vitit 2021, nuk e ka penguar shoqatën tonë të zhvillojmë aktivitete të ndryshme në shërbim të anëtarëve dhe komunitetit në përgjithësi si: Është përkujtuar, on line 13 vjetori i pavarësisë së Kosovës me 21 shkurt 2021,  me të ftuar nga diaspora dhe aktivistë të diasporës, duke mbajtur disa kumtesa, mbi luftën heroike të popullit të Kosovës kundër agresorëve serbe, më 29 Gusht 2021, kemi organizuar me klubin e çiklistëve të shoqatës, marrjen pjesë në maratonën e lëvizjes me biçikletë në 5 lagjet e NYC (Bike marathon) 40 mile (60Km), më 20 Nëntor 2021 kemi organizuar me madhështi festimin e ditëlindjes së Heroit Legjendar të Kosoves, Adem Jashari, me pjesëmarrjen e shumë aktivistëve patriotike e politikë në diasporë dhe më gjërë, kemi marrë pjesë në festimin madhështor të 109 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, organizuar nga Federata Panshqiptare Vatra, me 28 Nëntor 2021 e shumë aktivitete të tjera të cilat i dhanë kuptim veprimtarive tona në dobi të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar.   

KUSH ËSHTË IMER LAÇAJ?

Ka mbaruar shkollën e mesme ushtarake Skënderbej në vitin 1978 dhe akademinë e lartë  ushtarake në Tiranë, dhe është diplomuar në vitin 1983, në specialitetin  e artileri  tokësore. Nga viti 1983 deri në vitin 1992 ka punuar në divisionin e Shkodrës me detyra të ndryshme, nga komandant baterie, komandant grupi artilerie, asistent shef zbulimi artileri brigade, dhe në vitin 1992 është transferuar në Divizionin e 5- të, në Tiranë. Ka emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1995, përqendruar në lagjen Staten Island, të New York City, si resident i rregullt dhe ka fituar nënshtetësinë amerikane në vitin 2000. Ka vazhduar studimet e larta në universitetin e qytetit të NY në Staten Island. Në vitin 2005, është graduar me Associate degree në Acounting dhe në vitin 2006 graduar me bachelor’s degree në Economiks dhe financë. Tani punon në administratën e një spitali në Staten Island dhe përkatësisht në departamentin e rakordimit dhe të manaxhimit të informacionit të pacientëve. Ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të komunitetit shqiptar në New York City, deri ne Washington DC, është pjestar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc. që nga krijimi i saj në vitin 2017, prej më shumë se 4 vitesh dhe zgjedhur si anëtar i kryesisë, që në krijimin e saj.

Filed Under: Opinion Tagged With: bahskim shehu, Imer Lacaj, Mark Qehaja, Sokol Paja

Në Nju Jork promovohen dy libra të poetit Idriz Çelaj

April 7, 2022 by s p

Besim Muhadri, New York/

Në pasditën e 3 prillit, në Bronx, Nju Jork, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, mbajti aktivitetin e vet letrar, me ç’rast u promovuan dy libra me poezi të poetit Idriz Çelaj: “Për ty dhe Arbanën” dhe “Arti i Fjalës”, për të cila floën krijues dhe studiues shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në SHBA. Në Nju Jrok, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, ka zhvilluar një aktivitet letrar, me çrast ka promovuar dy vepra të anëtarit të saj, poetit nga Rugova, Idriz Çelaj: Vëllimet petike “Për ty dhe Arabanën” dhe “Arti i fjalës”, të botuara kohë më parë. Aktivitetin letrar, i cili u zhvillua në në sallën e Amfiteatrit të Community and Wellness Center at Jacobi Hospital, Bronx,  e udhëhoqi kryetari i Shoqatës, Mhill Velaj, ndërsa për veprën letrar të poetit Çelaj folën Adnan Mehmeti(president i Shoqatës), dr. Bexhet Asani, Dalip Greca, Idriz Lamaj, Besim Muhadri, Kozeta Zylo, Ramiz Mujaj, Bujar Alimani, Çelë Çelaj etj., ndërkaq, vargje nga krijimtaria e poetit deklamuan aktorët e komuntetit, Shaban Lajçi e Isa Breçani.

Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan, z. Adnan Mehmeti, këtë veprimtari letrare e quajti si një ogur të mirë, sepse, bashkë me pranverën si stinë, ky aktivet paralajmëron edhe pranverën e promovimeve të veprave të  krijuesve shqiptarë, anëtarë të Shoqatës.

Nga ana e folësve në këtë promovim, poezia e Idriz Çelajt u vlerësua si një poezi që i qëndron kohës, ndërsa autori i saj si një poet i cili talentin e tij për poezinë mëton ta sublimojë përmes temave të larmishme, të cilat në fokus kanë fatin e njeriut të mërguar, por edhe atë atdheut dhe të vendlindjes, ku hasim të shkrirë shpirtin e njeriut të mërguar, që përbën edhe fatin e shqiptarit, rugovanit e njeriut të larguar, për të cilin lumturia, në të shumtën e herave, është e huaj dhe e mbytur në thellësi harrese e largësie. 

Poezia e Idriz Çelajt u vlerësua edhe si një poezi e dhimbjeve dhe e përjetimeve, e frymëzuar nga ngjarje dhe histori të cilat kanë lënë gjurmë në jetën dhe veprimtarinë e tij. Largimi nga atdheu dhe mërgimi shumëvjeçar, kanë nemitur ndjeshëm shpirtin e poetit, duke e shndërruar atë në një ëndërrimtar të përjetshëm të ëndrrësë së kthimit. Kthimi dhe thellimi nëpër kohë, poezisë së tij i japin sharmin e një poezie plot shije që shpëfaqet nëpër vargjet e skalitura me kujdes nga një figuracion i zgjedhur stilistik, ku dominon metafora.

U tha se përmes poezive të tij në këto dy vëllime, Idriz Çelaj na shfaqet si një poet i meditimit, por edhe i përjetimit të thellë artistik. Krijimet e tij, të shkruara brenda një harku të gjatë kohor, na bëjnë të kuptojmë se ai, pavarësisht situatave jetësore, asnjëherë nuk e ka braktisur poezinë, e cila në rrugëtimin e tij jetësor ishte shoqëruesja dhe mikja  më e mirë, edhe atëherë kur ai ndjehej i braktisur. Refereuesit gjatë këtij promovimi thanë se figurat e shquara të historisë kombëtare, por edhe familjare, që ishin pjesë përbërëse të kësaj historie, përbëjnë veçantitë e artit poetik të Çelajt. 

Në fund, poeti Idriz Çelaj falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë aktivitet, që u shoqërua edhe me shkëmbime mendimesh për letërsinë dhe inicitiva të tjera, të cilat do të jenë në të ardhmen në vazhdën e aktiviteteve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. 

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT