• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2022

Në përkujtim të albanologut Norbert Jokli

May 7, 2022 by s p

                         Norbert Jokli (1877-1942)

Bledi Filipi

Më 6 maj 1942 u shua Norbert Jokli.

Albanologu i njohur austriak prof. dr. Norbert Jokli, (që ia kushtoi gjithë veprimtarinë e gjithë jetën studimit të gjuhës shqipe), mbante kontakte të vijueshme me shqiptarë dhe ishte i lidhur me ndjenja miqësie të ngushtë me mjaft prej tyre, studentë universitarë në Vjenë ose figura të shënuara të jetës kulturore e shkencore të Shqipërisë.

(M. Domi, SF 1986/2:157)

Këto fjalë të prof. Domit flasin shumë për një figurë madhore të studimeve albanologjike.

 Norbert Jokli, lindi më 25 shkurt 1877 në Bisenz (Bzenec, Moravi Jugore), ndërsa shumë herët u shpërngul  në Vjenë, ku vijoi shkollimin dhe studimet.

Fillimisht studioi për jurisprundencë dhe u diplomua në këto shkenca më 1901, për të punuar një kohë jo shumë të gjatë në praktikën juridike. Në moshën 25 vjeçare iu kthye studimeve të rregullta për gjuhësi krahasuese indoevropiane dhe sllave, gjermanike, romane.

Në vitet 1903 – 1923 punoi si bibliotekar kryesor në Universitetin e Vjenës dhe paralelisht zhvilloi studime e  mësimdhënie sidomos për fushat e gjuhësisë fino-ugriane dhe filologjisë sllave-baltike-shqiptare. Më 1929 u zgjodh anëtar i Akademisë  Romune të Shkencave, ndërsa më 1936, në kohën kur albanologu dhe indoevropianisti Holger Pedersen ishte kryetar i Akademisë së Shkencave  Daneze, u zgjodh anëtar i saj.

Më 1937 Mbreti Zog i dha “Urdhrin e Skënderbeut”.

Qysh më 1916 Jokli kishte nisur të bashkëpunonte me Vjetarin indoevropian, dhe jepte shënime të begatshme për shqipen.

Norbert Jokli studimet për shqipen i bëri objekt kryesor të punës hulumtuese të tërë jetës së tij.

 Prof. dr Çabej këtë mjeshtër e cilëson si një sjellës së frymës së re  të këtyre studimeve në krahasim me paraardhësit e tij të mëdhenj, solli gjerësinë  e vështrimeve,  solli risi në metodat e hulumtimit, e thelloi qenësisht njohjen e gjuhës shqipe. (Çabej,I-1986:17)

Si specialist për gjuhët sllave, baltike e shqipe, Jokli pati nisur hulumtimin për gradën “Doktor i Shkencave” me titull: “Një ligj i lashtë (para) sllav i denazalizimit” të mbrojtur  më 1907, ndërsa më 1912  “Studime për  etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes”.

Gjatë jetës së tij Jokli pati botuar dy vepra të veçanta: “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortblildung” (1911) dhe “Linguistisch-kulturohistoriche Untersuchungen aus dem Breiche des Albanischen” (1923).

Më 1942, në valën e përndjekjeve naziste për hebrenjtë në Vjenë, Jokli ishte vënë në pozitë të vështirë. Përpjekjet e miqve e të kolegëve austriakë, italianë e shqiptarë (madje dhe të zyrtarëve shqiptarë) nuk kishin qenë të mjaftueshme për ta shpëtuar albanologun shqiptar nga kthetrat e nazistëve…

Për rrethanat e zhdukjes së Joklit, ashtu si dhe për veprat e tij, kanë shkruar shumë studiues të ndryshëm. Mendohet se ndoshta më 6 ose 8 maj 1942 me një transportim hebrenjsh për në kampet e përqendrimit në Poloni , ose të jetë ekzekutuar në Vjenë. Ka edhe disa zëra që mund t’i ketë dhënë fund vetë jetës.

Vdekja e tij e parakohshme qe një humbje e madhe për gjuhësinë shqiptare, pasi ai i pati hyrë hulumtimeve për një fjalor të madh etimologjik dhe  një gramatikë historiko-krahasuese të shqipes.

 Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin shqip

Ai në studimet e tij i jepte përparësi historisë së fjalës, por burimin etimologjik të fjalës synonte ta mbështeste në një pamje sa më të plotë të saj, të formimit dhe të historisë së saj në të gjitha zhvillimet.

Studimet etimologjike të Joklit i shquan, përveç thellësisë së shqyrtimit të gjithanshëm, edhe shoshitja e elementeve të kulturës materiale. 

Vepra e Joklit nuk ishte përfunduar. Vetë Jokli mendonte të përfundonte një gramatikë historike krahasuese të shqipes dhe një fjalor të madh etimologjik.

Prof. Çabej shënon se në gjurmimin etimologjik të fjalëve Jokli zhvilloi me kohë edhe një metodë kërkimore të vetën, në pajtim me kushtet  e veçanta të shqipes pikë së pari ai gjurmoi dhe solli për krahasim gjithë format e fjalës që çojnë peshë  në punë të historisë së saj. Për veç kësaj ai kreu një analizë të thelluar të strukturës  morfologjike të fjalëve që studioi, një tipar metode që mund të thuhet së është karakteristik për punën e këtij dijetari.

(Çabej, I -1986:19)

Qëllimi i kërkimeve të tij  nuk u kufizua vetëm rreth historive të fjalëve e për të gjetur burimin etimologjik të një fjale, por edhe për t’i dhënë një pamje të plotë fjalës, formimit dhe historisë së saj, për ta ndjekur këtë fjalë në të gjitha zhvillimet e saj.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bledi Filipi

Kryeministri i Kosovës nis vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

May 7, 2022 by s p

-Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti  u prit në takim nga Kryeshefja Ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright/

UASHINGTON, 6 Maj 2022-Gazeta DIELLI/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka filluar vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të takohet me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave, si dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.

Në njoftimin e dërguar bëhet e ditur se, në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mirëpritur në takim nga Kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Ky takim shënon fillimin e negociatave me MCC-në për projektin Kompakt, që do të jetë projekti më i madh energjetik në Kosovë që nga çlirimi, i cili kalon shumën e 200 milionë dollarëve dhe parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.

Kryeministri Kurti falënderoi znj.Albright për punën e palodhshme dhe fokusin e veçantë të MCC-së në ekonominë e Kosovës.

Nga ana tjetër, znj.Albright falënderoi kryeministrin Kurti për punën dhe angazhimin për këtë projekt. Ajo rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të ShBA-së për Republikën e Kosovës përmes MCC-së për zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj.

Në takimin e përbashkët me kryeministrin mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington DC, Ilir Dugolli, Koordinatori Kombëtar për Zhvillimin e Programit Kompakt me MCC, Lum Mita, ndërsa nga përfaqësuesit e MCC-së, morën pjesë Jonathan Brooks, zëvendëspresident për programet në Europë, Azi, Paqësor dhe Amerikë Latine,

Thomas Kelly, zëvendëspresident për politika dhe vlerësim, si dhe Paula Garcia Tufro, shefe e stafit të kryeshefes Albright. ​

Filed Under: Analiza

VATRA TAMPA BAY, NGA PROJEKTET KOMUNITARE E PATRIOTIKE TE RISTRUKTURIMI

May 7, 2022 by s p

Piro Poloska,

Anëtar i Kryesisë së Vatra Tampa Bay/

Ditën e shtunë datë 30 Prill, 2022, dega e Federatës Vatra Tampa Bay zhvilloi mbledhjen e saj të zgjeruar me pjesëmarjen e të gjithë anëtarëve të degës sonë. Mbledhja u drejtua nga kryetari i degës z. Isuf Spahija. Ai analizoi aktivitetin e degës në kushtet e vështira të pandemisë dhe falënderoi anëtarët për mbështetjen e plotë që i kanë dhënë në punën e tij duke sfiduar vështirësitë objektive të periudhës së vështirë dyvjeçare që kaloi gjithë njerëzimi. Në kushtet e reja më favorizuese të krijuara, z. Spahija theksoi idenë që puna e Federatës Vatra në degën tonë duhet të intensifikohet. U parashtrua programi i punës dhe drejtimet ku do të përqëndrohet aktiviteti i degës Vatra Tampa Bay. Si prioritete kryesore u parashtruan puna me komunitetin Shqiptar në drejtim te bashkërendimit të ndihmës brenda komunitetit dhe mbajtja gjallë e ndjenjave atdhetare dhe patriotike. Një prioritet tjetër i rëndësishëm ishte edhe synimi i degës për të marrë pjesë aktive në jetën politike të rajonit ku jetojmë dhe njëkohësisht ndjekja  e vazhdueshme e aktualitetit politik në Shqipëri dhe kontributi ynë modest në këtë kuadër.

Të pranishmit diskutuan mbi programin e paraqitur duke sjellë ide dhe propozime të reja për të përmirësuar më tej punën dhe aktivitetin e degës. Spikati këtu diskutimi i kryetarit të nderit të shoqatës z. Tasim Ruko, i cili solli ide të reja për mbarëvajtjen e punës dhe veçanërisht tregoi përvojën e tij për zgjerimin e numrit të anëtarëve të degës.

Në pikën e dytë të rendit të ditës u paraqitën ndryshimet e bëra në Kanunoren e shoqatës Vatra duke u ndalur në faktin që mandati i kryetarit dhe kryesisë se re do të jetë 4 vjeçar.

Më pas me votim të gjthë anëtarëve të degës, u zgjodh kryesia e re me Kryetar z. Isuf Spahija, zv. Kryetar z. Endri Filipi dhe 8 anëtarë të kryesisë së degës.

Në përfundim të mbledhjes z. Spahija falënderoi pjesëmarrësit për besimin dhe premtoi se do të punojë me gjithë forcën dhe energjinë e tij për një ngritje të mëtejshme të punës kualitative të degës së Federatës Vatra Tampa Bay.

Filed Under: Opinion Tagged With: Piro Poloska, Vatra Tampa Bay

Ramush Haradinaj nesër viziton Vatrën

May 6, 2022 by s p

Nesër, ditën e Shtunë më 7 Maj 2022, ora 10 AM, ish – kryeministri i Republikës së Kosovës, heroi i gjallë i luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës Ramush Haradinaj, do të vizitojë Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA. Ai do të zhvillojë një bashkëbisedim të përzemërt me bashkatdhetarët.Ftohet komuniteti të marrë pjesë.

Filed Under: Analiza

Kosova para 23 viteve: Forcat serbe vrasin Akademik Fehmi Aganin. Shqiptarët – mburojë e gjallë…

May 6, 2022 by s p

-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me një dekret të veçantë ka dekoruar bashkëpunëtorin më të afërt Akademik Fehmi Aganin me Urdhrin Hero i Kosovës, për Vepra Trimërie për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës/

-Para 23 viteve në 6 Maj 1999  kam raporuar edhe këtë lajm: Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË,  6 Maj 2022/  Në Kosovë para 23 viteve, në 6 Maj 1999, Akademik Fehmi Agani u rrëmbye e vra nga forcat okupatore serbe derisa po udhëtonte drejt Maqedonisë mes shqiptarëve të dëbuar nga vatrat e veta.

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me një dekret të veçantë ka dekoruar bashkëpunëtorin më të afërt Akademik Fehmi Aganin me Urdhrin Hero i Kosovës, për Vepra Trimërie për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.

Duke e shpallur këtë vendim në 6 Maj 2004, Presidenti Rugova theksonte se, “së bashku me Profesor Aganin i vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funksionimin e tij”.

Serbia – agresioni dhe  agresori nuk duhet shpërblyer, theksonte para 28 viteve Akademik Fehmi Agani në deklaratën botuar në gazetën e rezistencës, të lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, “Bujku”, në 26 Shtator 1994, ku është botuar edhe intervista e parë ekskluzive, që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me titull “Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

 “Agresori nuk duhet shpërblyer” është titulli në faqen e parë të gazetës, ku shkruaja se,

i pyetur lidhur me qëndrimin rreth vendimit të Këshillit të Sugurimit për zbutjen e sanksioneve ndaj Serbisë e Malit të Zi, nënkryetari i LDK-së Dr. Fehmi Agani deklaronte:

 Edhe pse përkrahim të gjitha përpjekjet për arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshje për Bosnjën në bazë të propozimit të Grupit të Kontaktit, megjithatë lajmi për zbutjen e sanksioneve ndaj Serbisë, edhe pse është fjala për një zbutje të përkohshme e të kufizuar, në Kosovë nuk është për t’iu gëzuar.

Pikërisht, në kohën kur Serbia po pret zbutjen e sanksioneve ndaj saj, në Kosovë me brutalitet po zbaton sanksionet që ajo u imponoi Kosovës dhe shqiptarëve.

Megjithatë, shpresojmë se, siç është deklaruar shpesh nga instanca të ndryshme ndërkombëtare, sanksionet kryesore ekonomiko-financiare dhe bojkotimi ndërkombëtar i Serbisë nuk do të mund të suspendohen pa zgjidhjen e problemit të mdh të Kosovës, si dhe problemit të Krainës dhe problemeve tjera të ish-Jugosllavisë. Përndryshe, do të ishte kjo një shpërblim i agresionit dhe i agresorit, përfundonte Dr. Fahmi Agani.

AGANI-16 SHKURT 1996: NË GJYKATËN E HAGËS, DOSJET E KRIMEVE SERBE MBI SHQIPTARËT

Në një nga konferencat për shtyp në Prishtinë, në 16 Shkurt 1996, ku ishte edhe korrespondenti në Kosovë tash i Gazetës DIELLI, duke u përgjegjur në një pyetje rreth asaj se çka është ndërmarrë në Kosovë për dërgimin në Gjyqin e Hagës të të dhënave për autorët e krimeve mbi
shqiptarët në Kosovë, Dr. Fahmi Agani,  nënkryetar i LDK-së, tha se Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut dhe Qeveria e Kosovës i kanë
drejtuar këtij gjyqi dosjet e krimeve serbe mbi shqiptarët. “Shpresoj se ky
gjyq do të punojë drejt dhe do të vijë në radhë edhe dosja e Kosovës”, tha
Agani.

6 MAJ 2004: AKADEMI PËRKUJTIMORE NË KUJTIM TË 5 VJETORIT TË VRASJES SË AKADEMIK PROF. DR. FEHMI AGANI

FJALIMI I PRESIDENTIT RUGOVA

6 maj 2004,

Prishtinë, KOSOVË

E nderuara Familje Agani,

E nderuara Zonja Agani,

I nderuari Kryetar Daci,

Të nderuar akademikë,

Të nderuar deputetë, ministra e kryetarë të komunave,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe Zotërinj,

Jemi tubuar sot këtu, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në këtë Akademi Përkujtimore në kujtim të 5 – vjetorit të vrasjes së Akademik Prof. Dr. Fehmi Agani, Nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Gjendemi sot së bashku në kujtim të përjetshëm të Profesorit tonë të madh, të Profesorit tim dhe të mikut tim të çmueshëm e bashkëpunëtorit, bashkëmendimtarit dhe bashkëvepruesit tim e tonë shumëvjeçar, Profesor Aganit. Ju lutem t’i them disa fjalë në këtë përvjetor përkujtimi.

Zonja dhe Zotërinj,

Profesori ynë Agani, me këtë titull që u bë emër i Tij për të gjithë ne në jetën tonë publike e private, gjithë jetën dhe veprën ia kushtoi vendit tonë Kosovës dhe popullit shqiptar. Për decenie të tëra Profesor Agani ishte i njohur për veprën e Tij arsimore universitare, shkencore e filozofike. Ishte i dashur dhe i çmuar nga të gjithë.

Me themelimin e LDK-së, që ishte njëri ndër themeluesit e saj, Ai dhe të gjithë ne hyri në jetën aktive politike e shtetërore për të mbrojtur vlerat dhe ekzistencën e kombit të Kosovës dhe të popullit shqiptar. Ai mori pjesë aktive në aktet madhore të vendit tonë siç janë: Deklarata e Pavarësisë, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Referendumi për Pavarësi dhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës në bazë të zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të Republikës së Kosovës të vitit 1992. Së bashku me Profesor Aganin i vendosëm themelet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe funksionimin e tij, që sot në botë njihet si “shtet i shqiptarëve të Kosovës” apo si “shtet paralel”, si kontribut yni në historinë e lëvizjeve të botës për pavarësi.

Zonja dhe Zotërinj,

Profesor Agani për një decenie të tërë ishte njeriu më aktiv në lëvizjen tonë për liri, pavarësi e demokraci. Ai ishte gjithmonë në vijën e parë të veprimit në planin publicistik, diplomatik dhe të veprimit në terren. Ishte ndër profesorët e rrallë që kishte pranuar të punonte me studentët e tij dhe me të gjithë njerëzit për të mirën e vendit të vet. Ishte i palodhshëm dhe gjithmonë i gatshëm për të gjetur zgjidhje për çdo problem të veprimit shtetëror e politik si dhe për çdo çështje të veprimit të përditshëm duke ndërtuar dhe mbrojtur lirinë dhe pavarësinë, objektivin tonë madhor. Me këto cilësi Profesor Agani jepte kontribut të madh në formimin e kulturës politike, shtetërore e njerëzore të vendit tonë.

Zonja dhe Zotërinj,

Cilësi tjetër e madhe e Profesor Aganit ishte modestia e Tij njerëzore e morale dhe modestia e Tij e veprimit. Me këtë cilësi që e kanë vetëm njerëzit e mëdhenj, fitonte përkrahjen e miqve tanë dhe respektin për të si burrështeti dhe për Kosovën. Po ashtu me modestinë e Tij në veprimin politik fitonte përkrahjen e qytetarëve dhe të njerëzve për veprim të përbashkët.

Zonja dhe Zotërinj,

Ne edhe sot pas pesë vjetësh në liri, kemi dhembje për Profesor Aganin që nuk është më në mesin tonë që ra nga dora e armikut, por krenarinë e kemi më të madhe, sepse e kemi veprën dhe jetën e Tij të ndritur.

Në këtë përvjetor mund të themi se për ne është një përkujtim krenar i madh për Profesorin tonë të madh, që përmban dhembjen për humbjen e Tij fizike dhe është krenari e madhe për veprën e Tij  që është fitorja e Tij. Për këtë jetojnë njerëzit. Për këtë jetoi dhe veproi Profesori ynë i madh. Profesor Agani me veprën e Tij është i pranishëm në jetën e të gjithë neve. Në familjen time është i pranishëm dhe në momente të mira e të vështira gjejmë mbështetje në jetën dhe veprën e Tij, si mik i shtëpisë. Këtë na e dhurojnë njerëzit e mëdhenj.

Zonja dhe Zotërinj,

Këto ditë isha për vizitë në SHBA. Mund t’Ju them se, si gjithmonë ishte një pritje madhështore nga miqtë tanë amerikanë dhe komuniteti shqiptar. Ishte i fortë kujtimi i mirë për Profesor Aganin. Mund t’Ju them se tash pesë vite të lirisë së vendit tonë, në SHBA po forcohet mendimi për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës sa më shpejt. Pra, një Kosovë e pavarur, demokratike e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Ky ishte testamenti i Profesor Aganit, testamenti ynë, që jam i bindur me përkrahjen e miqve tanë do ta arrijmë së shpejti.

Zonja dhe Zotërinj,

Ky është një lajm i mirë në këtë përvjetor të përkujtimit të Profesorit tonë të dashur, Profesor Aganit dhe lajm i mirë për të gjithë ne.

Zoti e bekoftë Profesor Aganin.

Zoti e bekoftë Familjen Agani.

Zoti e bekoftë Kosovën tonë të shtrenjtë.

Ju falemnderit.

Dr. Ibrahim Rugova

President i Kosovës

PRESIDENTJA OSMANI: PROFESOR AGANI, FIGURË PËRBASHKUESE DHE POLITIKAN KONSISTENT ME VIZION TË QARTË

Në 23-vjetorin e vrasjes, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar Akademik Fehmi Aganin.

“Profesor Agani ishte intelektuali i angazhuar një jetë të tërë në përmbushjen e synimit për shtetin e Kosovës. Ai ishte figurë përbashkuese, politikan konsistent me vizion të qartë për rrugën që duhet të ndiqte Kosova. Si dorë e djathtë e presidentit historik, Dr.Ibrahim Rugova, Profesor Agani dha kontribut të çmueshëm në afirmimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Aktiviteti i tij kombëtar u ndal më 6 Maj 1999, kur forca të regjimit gjenocidal serb e vranë njërin nga strategët e lëvizjes paqësore. Vënia e autorëve para drejtësisë është synimi ynë i vazhdueshëm”, thuhet në përkujtimin e Presidentes Osmani.

LDK-KRYETARI ABDIXHIKU: PROF. FEHMI AGANI ISHTE I URTI I RRUGËTIMIT TË FUQISHËM PËR LIRI E PAVARËSI

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përkujton nënkryetarin e LDK-së e dijetarin e madh shqiptar, Prof. Fehmi Agani, në 23 vjetorin e vrasjes së tij.

“Sot, bëhen 23 vjet nga vrasja e ideologut, intelektualit dhe dijetarit të madh shqiptar, Prof. Fehmi Agani. Si shkrimtar, si gazetar, si politilog, si sociolog e mbi të gjitha si atdhetar i madh, profesor Agani ishte pjesë e gjeneratës së artë intelektuale e politike shqiptare në Kosovë gjatë fundshekullit të kaluar.

Vrasja e tij nga forcat ushtarake e policore serbe ishte hakmarrje e qëllimshme ndaj lëvizjes sonë politike për liri e pavarësi. Ishte vrasje e boshtit intelektual e ideologjik të vet Kosovës. Si e tillë, ajo u shndërrua shenjë e pafuqisë së aparatit represiv serb ndaj idesë sonë kolektive për liri e pavarësi.

Fehmi Agani ishte ndër figurat kryesore në krijimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shërbeu si nënkryetar i saj e si dorë e djathtë e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ai ishte i urti i rrugëtimit të fuqishëm për liri e pavarësi. Jeta e tij, veprimtaria e tij politike, është pasuri kombëtare.

Ai u lind në Gjakovë në vitin 1932, ku dhe mbaroi shkollimin fillor. Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë, ndërsa studimet për filozofi i mbaroi në Universitetin e Beogradit; ku dhe magjistroi në shkenca politike. Gradën doktor i shkencave të sociologjisë e mori në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës më 1973, në temën “Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Gjatë viteve 50-ta e 60-ta, ai punoi si profesor i shkollave të mesme në Gjakovë dhe në Prishtinë, ndërsa më vonë ishte i anagzhuar si gazetar dhe redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Rilindja”. Në vitet 60-ta nisi punën ligjërues i sociologjisë në Fakultetin Filozofik; për të përfunduar si dekan aty. Në vitin 1967, profesor Agani u zgjodh drejtor themelues i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Fehmi Agani ishte themelues i Degës së Sociologjisë dhe të Filozofisë në Fakultetin Filozofik dhe i Institutit të Sociologjisë të këtij fakulteti. Ai ishte kryeredaktor i revistave Studia Humanistica dhe Thema. Në fund të vitit 1989, ai së bashku me intelektualë e patritotë të kohës, themeloi lëvizjen më të madhe politike të shqiptarëve të Kosovës – Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pjesa tjetër është histori lavdie.

Sot, në përvjetorin e rënies së Prof. Fehmi Aganit, ne nderojmë dhe kujtojmë figurën, rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Ai vazhdon të jetë inspirim për rrugëtimin tonë politik drejt të ardhmes.”

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT