• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2022

STRESI DHE MENAXHIMI I TIJ

May 6, 2022 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Stresi, ashtu si teoria e relativitetit të  Ajshtanjit është një koncept shkencor, i cili ka vuajtur nga bekimi i kombinuar i të qenit shumë i njohur dhe pak i kuptuar. Stresi, apo të qenit nën  presion është një pjesë e pashmangshme e jetës sonë. Vetëm kur dëgjoni titujt e gazetave të përditshme, kur shikoni televizor, dëgjoni radion apo lexoni një revistë konstatoni  pashmangshmërinë e termit stres, e si rrjedhim pranohet dhe besohet që është bërë një problem i madh i ditës. Njerëz të profesioneve, moshave, intelekteve të ndryshme përdorin në jetën e tyre fjalën stres, për të karakterizuar një gjendje të tendosur, të ngarkuar psiko–emocionale, kur ballafaqohen me mjedisin rrethues. Stresi sot është më i njohur sa ka qenë më parë, njerëzit janë  bërë më të  vetëdijshëm ndaj ndikimit negativ që ka  stresi në shëndetin e tyre. Pavarësisht nga prania e  informacionit që jepet sot dhe për më tepër bollëku i dijeve për të, stresi mbetet ende një çështje thelbësore në ndikimin e jetës së njeriut. Jeta në shekullin e XXI është bërë  më komplekse se  më parë. Njerëzit nuk kanë jetuar gjithmonë në një botë kaq moderne sa kjo e sotmja. Ne, sot jetojmë në një shoqëri të zhurmshme.  Jeta jonë drejtohet nga afatet, teknologjitë moderne,  celularët, telefonatat,  kompjuterët,  satelitët apo nga qindra presione të tjera.

Shumë personave u duhet  të bëjnë punë të shumta në një kohë të kufizuar si p.sh, të dërgojnë fëmijën  në shkollë (kopsht), kur prindi në të njëjtën kohë është i detyruar të jetë në vendin e punës, të përballen me një trafik të rënduar, me administratorë, shefa apo drejtues të tjerë, të cilët të rëndojnë edhe me tepër gjendjen shpirtërore sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, ne shohim çdo ditë tragjedi familjare, përmbytje, luftëra(deri në kërcënim për përdorimin e armëve bërthamore), krime nga më të paimagjinueshmet,pandemi si kjo e fundit, që  shfaqen direkt në televizorin e shtëpive tona. 

Studimet kanë treguar që jemi më pak aktiv fizikisht,  kemi më pak miq se më parë, jetojmë në një shoqëri më të izoluar dhe me një nivel të ulët ligjor për mbështetje sociale. Të gjitha këto, të marra bashku, kthehen në katalizator për stresin. 

As fëmijët nuk janë të mbrojtur nga  ndikimet rënduese të presionit që shkaktojnë kërkesat e jetës. Ata nuk janë të imunizuar nga efektet dhe presionet e tepërta që ka shekulli XXI. Mjekja pediatre Amerikane Dr. Lori Buffa thotë: “Shumë stresorë që 30, 40, apo dhe 50 vjetëve më parë, me të cilët fëmijët nuk kishin të bënin,  sot janë prezent. Gjithçka ka kaluar shumë shpejt. Niveli i ndikimeve që ata ekspozohen është shumë më i lartë nga ç’ka  qenë më parë”.

Sidoqoftë, stresi nuk është një problem vetëm i shekullit XXI,  njeriu e ka vuajtur stresin gjatë evoluimit njerëzor. Por shoqëria moderne ka pësuar  ndryshime më të mëdha në një hark kohor prej pak vitesh, se sa gjatë gjithë zhvillimit njerëzor. Kjo është në një mënyre, arsyeja përse stresi është më shumë se një problem sot.   

Ka shumë përfitime të jetosh në botën tonë moderne, të industrializuar me ritme të shpejta, por ky zhvillim i shoqërisë  ka krijuar kërkesa komplekse në shëndetin tonë fizik dhe jetën sociale. Sigurisht që nuk është nevoja  të kthehemi në epokën e gurit për të rifituar shëndetin tonë, është e pamundur të zhvendosim gjithë këtë stres nga jeta jonë, por çfarë do të duhej të bënim? Kërkohet  të mësojmë, ç’është stresi, llojet dhe shkaktarët e tij, shenjat fizike dhe psikologjike që shfaqen, ndikimi i tij në veprimtarinë e njeriut, mënyrat e përshtatjes dhe si ta përballojmë atë në jetën tonë të përditëshme.

Pyetja e parë që bëjmë është; Ç’ është stresi? Stresi  është një koncept disi i vështirë për t’u përkufizuar sepse është një eksperiencë subjektive, individuale dhe unike. Kur një situatë konsiderohet si stresuese për një person, nuk do të thotë që kjo situatë konsiderohet e tillë edhe për një tjetër. Ka një numër përkufizimesh për stresin si edhe një numër ngjarjesh që të çojnë në përjetimin e stresit. Faktorë të dëmshëm dhe të papërshtatshëm të mjedisit të jashtëm çojnë në çrregullime fiziologjike. 

Përkundrejt shumë pikëpamjeve që e konsiderojnë stresin si një fenomen vetëm të dëmshëm, njeriu nuk mund të ekzistojë në mungesë të stresit, sepse nuk mund të ruajë ekuilibrin me mjedisin rrethues. Nëse stresi nuk do të gjendej, njeriu nuk do të kishte mbijetuar. Ai mund të përshkruhet, si një kundërveprim i trurit dhe i pjesës tjetër të trupit ndaj atyre kërkesave, sfidave, ngarkesave të cilave, ne i nënshtrohemi në rrethana të ndryshme të jetës. 

Qëllimi i stresit është të kujdeset që aftësia fizike t’i përgjigjet kërkesave, që do t’i paraqiten trupit. Prej lindjes deri në vdekje njeriu dhe stresi janë një binom i pandashëm. Për të qenë aktiv dhe produktiv kemi nevojë për pak stres. Por kur stresi është i tepërt duhet të marrim masa që ta pakësojmë, sepse ai dëmton shëndetin e njeriut. Trupi kundërvepron ndaj Distresit, që është stresi negativ, ose i dëmshëm, ai shfaqet kur njeriu nuk mundet të ndryshojë gjendjen që i parashtrohet dhe ndjen pakënaqësi.  P.sh humbja e një personi të familjes, shkon në shtëpi dhe ndodhesh përballë mungesës së ushqimit, ritja e çmimeve që në këtë kohë është bërë e zakonëshme, të grindesh me një mik etj., si dhe ndaj Eustresit, që është stresi pozitiv,  ose stresi i mirë, që rrjedh nga situata që sjellin kënaqësi, të cilat njeriu i ka zgjedhur vetë ose dhe që e nxisin përpara (martesa, të presësh një fëmijë, të fitosh një lojë apo të dalësh mirë në një provim), një sasi e caktuar stresi është e domosdoshme për stimulim. 

Trupi njeriut i përgjigjet të dy llojeve të stresit në të njëjtën mënyrë. Është e saktë kërkesa për të pasur një sasi të caktuar stresi si nxitës, për ta bërë jetën më interesante  dhe më të frytshme. Nëse trupit i pëlqen puna që bën, trupi nuk mund t’i përballojë ngarkesat e tepërta, si rrjedhim, stresi pozitiv mund të kthehet në stres negativ, atëherë kur njeriu nuk i dëgjon paralajmërimet e trupit (shenjat fizike apo psikologjike). Të gjitha llojet e stresit kthehen në të dëmshme, nëse trupi është i stresuar për një kohë të gjatë pa pasur mundësi për ta marrë veten sërish.

Disa studiues e përkufizojnë atë si ngacmues (stresor) që na kërcënon,  të tjerë e shohin si reagim të organizmit ndaj kërcënimeve të mjedisit, apo si gjithçka që ushtron kërkesa ndaj nesh, të cilave ne duhet t’i përshtatemi. Këto kërkesa mund të jenë të vështira për aftësitë tona. Stresi përfshin kërcënimet ndaj mirëqenies sonë, presionet dhe ndryshimet e tjera të cilat kërkojnë që ne t’i përshtatemi në situata të reja. Stresi mund të shkaktohet prej kërkesave psikologjike ose fizike. Konflikti dhe frustracioni janë shembuj të kërkesave psikologjike. Kërkesat fizike mund të përfshijnë infeksionin, sëmundje ose plagët.

Kur ne përjetojmë stres, mund të shfaqim shenja fizike, psikologjike si dhe sjellje nga më të ndryshmet. Këto simptoma nuk janë shenja sëmundjeje sepse stresi nuk është sëmundje; këto nxisin  gatishmërinë e trupit për të luftuar kundër rrezikut duke na dhënë një shpejtësi dhe energji të veçantë për t’u përballur me kërcënimin. Kur jemi nën stres ne ndiejmë zemrën të rrahë me shpejtësi. Kjo nuk është shenjë sëmundje e zemrës, por shkaktohet nga çlirimi i hormoneve të stresit që e bëjnë zemrën të pompojë më fuqishëm  dhe të rrahë më shpejt që  të marrë oksigjenin ekstra, për të  gjallëruar muskujt dhe organet, në këtë mënyrë ne jemi gati të përballemi ose të largohemi nga rreziku. Pasi situata stresante të këtë kaluar, niveli i hormoneve të stresit në gjak ulet përsëri, dhe zemra kthehet në ritmin e saj normal.  Zemra dhe pjesa tjetër e sistemeve dhe e organeve të trupit tonë mund ta përballojnë me shpejtësi dhe me punë të fuqishme situatën kërcënuese, sepse janë krijuar për të qenë në gjendje ta bëjnë këtë, pikërisht si një makinë e cila ngre dhe ul shpejtësinë e saj me një presion të veçantë në pedalin e gazit dhe pakëson shpejtësinë me një presion të lehtë në frena. Sistemi ynë nervor simpatik dhe ai  parasimpatik shkakton reagimin lufto ose mbathja, të dyja këto funksionojnë në mënyrë të njëjtë. Stresi stimulon sistemin nervor simpatik (pedalin e gazit) duke ngritur nivelin e  hormoneve të stresit në qarkullimin e gjakut, ndërsa për stimulimin e çlodhjes apo të marrjes së vetes, është përgjegjës sistemi nervor parasimpatik (frenat), ky pakëson nivelin e hormoneve të stresit  në qarkullimin e gjakut.

Një nga problemet me stresin është identifikimi i tij. Ndonjëherë jemi të vetëdijshëm për të dhe si pasojë mund të reagojmë. Por stresi mund të jetë dhe i fshehtë, mund të përjetohet stresi ndaj të cilit mund të mos jesh i vetëdijshëm.  Shenjat janë të shumëllojshme, jo të gjithë shfaqin të njëjtat shenja, disa nga ne janë të pavetëdijshëm ndaj tyre. Kërkimet kanë treguar që edhe pse ka simptoma të përgjithshme të stresit, individët ndryshojnë në shfaqen e tyre. Disa individë shfaqin simptoma kryesisht fizike si p.sh tendosje apo dhimbje muskujsh, të tjerë shfaqin simptoma si të qarët apo inatosje, shenja psikologjike. 

Shkaktarët e stresit njihen si stresorë. Ekzistojnë me qindra lloje të ndryshme stresorësh. Çdo ngjarje që një personi i duket kërcënuese, e vështirë për t’u përshtatur ose që shkakton një presion të skajshëm mund të jetë një shkaktarë potencial i stresit. Është e rëndësishme të mbash parasysh, se stresi është një eksperiencë individuale, subjektive dhe si pasojë çfarë është stresante për një person  nuk mund të jetë për një tjetër. Stresorët mund të ndahen në të jashtëm dhe të brendshëm (ose një përzierje e të dyjave). 

Ndryshimet jetësore janë stresorë të fuqishëm. Për shembull,  nëse një person jeton i lumtur në shtëpinë e tij, ai jeton prej vitesh atje,  ka dhe miq  të ngushtë, për këtë arsye, ai nuk do të dëshironte të largohej prej atij vendi. Por ai është i detyruar të lërë atë shtëpi sepse kjo shtëpi është ripronësuar, rrjedhimisht që ky person do të vlerësoj ngjarjen  absolutisht shumë më stresante, se sa do ta konsideronte një person  tjetër i cili, kishte jetuar për një kohë të shkurtër, me komshinj që nuk merrej vesh, në një zonë të zhurmshme, si rrjedhim ai do të dëshironte të largohej sa më parë prej andej.

Shumica e shkaqeve të stresit që ne përballemi çdo ditë kanë një bazë të zakonshme, nuk janë aq ekstreme sa janë ngjarjet e mëdha të jetës. Shkaqet e zakonshme të stresit janë quajtur shqetësime të përditshme; ato janë iritimet të vogla ditore si p.sh mos gjetja e nje vendi për të parkuar makinën, preokupimi se çfarë do të gatuash, trafiku i rënduar, diskutimet në familje apo me kolegët etj. Nga një herë shqetësimet e përditshme që na mërzisin në mënyrë të vazhdueshme shkaktojnë më tepër stres se sa ngjarjet e ndryshimeve të mëdha jetësore (të cilat janë të rralla). Këto irritime të vogla kontribuojnë në nivelin e përgjithshëm të stresit. Shqetësimet e zakonshme shkaktojnë një stres të tillë, i cili ndikon në keqësimin e gjendjes shëndetësore, madje ndonjëherë në një masë  më të madhe edhe se ndryshimet e mëdha jetësore, vërtetë që një ndryshim i madh jetësor është më i fortë se ai i prodhuar nga një shqetësim i zakonshëm por ai ndodh shumë rrallë, ndërsa shqetësimet e zakonshme duke ndodhur shumë shpesh madje janë prezentë çdo ditë bëjnë të mundur akumulimin e tyre me kalimin e kohës. Një pikë ujë që bie rregullisht mbi një shkëmb për një periudhë të gjatë kohe, arrin të gërryej shkëmbin. E njëjta gjë ndodh edhe me trupin e njeriut. 

Ne jemi të pirur të mendojmë se stresi shkaktohet vetëm prej ngjarjeve, situatave të jashtme, dhe njerëzve, por gjithsesi kjo nuk është plotësisht e saktë. Studiuesit e stresit kanë vërtetuar se, stresi shkaktohet gjatë një veprimi, që lind nga bashkëveprimi midis stresorit, pikëpamjes tonë ndaj stresit dhe aftësisë së perceptimit për t’u përshtatur me të. Stresi është kombinimi i besimeve, qëndrimeve, interpretimeve, perceptimeve tona të brendshme dhe faktorëve të tjerë me ngjarjet e jashtme.

Teknikat e përballimit të stresit janë teknikat me anë të cilave ne merremi me stresin dhe ankthin. Së pari, ne mund të ruajmë formën tonë për të qenë më rezistencë ndaj stresit nëpërmjet sportit, një ushqyerje të shëndetshme, trajtimi natyror bimor, etj. Së dyti, ne mund ta përballojmë gjendjen e stresit, duke përdorur teknika natyrore si joga, masazh, relaksim etj. dhe së fundmi, kur ne ndodhemi në një situatë të mundimshme që zgjat, ne duhet të konsiderojmë origjinën e problemit që kemi: përse ndodhemi në një situatë të tillë? Çfarë mund të ndryshojmë ne? Nëse ne nuk mund të ndryshojmë rrethanat në të cilat ndodhemi, ne duhet të korrigjojmë mënyrën tonë të sjelljes dhe të reagimit ndaj tyre. Vetëm kështu ne mund të përfitojmë nga anët “e mira” të stresit dhe të mos pësojmë çrregullime fizike nga anët “e këqija” të tij. Por mbetet për secilin detyra e organizimit të programit antistres, në funksion të normave dhe zakoneve të tij të jetesës. 

Filed Under: ESSE

GJERGJI YNË, QË JE NË QIELL

May 6, 2022 by s p

Ditelindja e 617 në përjetësinë e Gjergj Kastrioti- Skenderbeut, Heroit tonë Kombëtar,Luftëtarit të madh të Europës, Mbrojtësit të kulturës Perëndimore.Një lutje mes shqiptarëve në Miçigan, SHBA.

GJERGJI YNË, QË JE NË QIELL- nga Visar Zhiti –

Gjergji ynë, që je në Qiell,

Atë i Kombit tonë dhe Bir i popullit tonë,

u shenjtëroftë emri yt,ardhtë mbretëria jote,

u bëftë vullnesa jote nga Qielli në tokën,

kudo ku ka shqiptarë,të bashkuar të jemi,

se kështu bëhemi më të fortë,që të fitojë e mira.

Porositë e tua si bukën e përditëshme na i jep sot.

Të duam AtDheun dhe njëri-tjetrin dhe punën dhe virtytet t’i bëjmë tonat.

Na i fal fajet tona dhe mos lejo faje të të tjerëve mbi ne.

Me shpatën tënde të godasim urrejtjen,

me mburojën tënde të mbrojmë dashurinë,kali yt të bëhet Pegasi i muzavedhe mos na lërë të biem në tundimet e egoizmit dhe korrupsionit dhe na liro nga i keqibrenda vetes e përreth nesh,me ndihmën e Zotit, o Zot!Kurora paqeje me lule zemretë vëmë mbi veprat e njeriutja, ashtu si sot në statujën tënde dhe bekime bashkatdhetarëve të tu kudo e përgjithmonë!Amen!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

SHËNGJERGJI DHE DISA TOPONIME NË MAT

May 6, 2022 by s p

Asllan Bushati/

Gjashtë maji, është dita e lindjes se Atit të Kombit tonë dhe Heroit tonë Kombëtar, GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU. Nuk e kuptoj se pse akoma Parlamenti i Shqipërisë dhe i Dardanisë, nuk e shpallin akoma ditë feste zyrtare kombëtare. Apeloj për të disatën herë, që të gjendet një konsensus ndërpartiak e ndërshtetror në Shqipëri e në Dardani, që kjo datë të zyrtarizohet si ditë feste zyrtare kombëtare.Me rastin e 6 majit 2022, “Ditës së Shëngjergjit”, dëshiroj të ofroj për miqt e mi, disa shpiegime për emrat e disa maleve dhe fshatrave të krahinës së Matit, të cilat vijnë që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e të lidhura me veprimtarinë e tij. Kështu për shembull pjesa perendimore e krahinës ndahet me Kurbinin nga vargmali “Skënderbeg” që shtrihet nga takimi i lumejve Mat me Fan (Skuraj) deri në veri të krahinës Tiranës në këmbëzën perendimore të Malit të Erës. Mali Erës ndanë Matin me Tiranën, Kaptina e Martaneshit ndanë Matin me Elbasanin, Mali i Allamanit dhe Dejës ndanë Matin me Dibrën, këmbëza veriore e Malit Dejës deri në kryqëzimin e lumejve Mat e Fan, ndajnë Matin me Mirditën. Por para se të sjellë shpiegimet rreth toponimeve, do të perifrazoj një citim nga fjala e fundit e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, para princa, gjeneralëve, diplomatëve dhe oborrtarëve të tij.” Ftoni mes jush të huaj të arsimuar duke u dhënë një rol këshilltari edhe në rast kur ata nuk janë fisnikë e të pasur. Kompetencat që i akordohen fisnikërisë janë prodhim i politikës. Ju mund të përdorni fisnikët si të dëshironi. Pasanikët injorantë do t’i ledhatoni, kështu do të kurseni pasurinë tuaj për mirëmbajtjen e ushtrisë, dhe do të keni një oborr të shkëlqyeshëm falë krenarëve (të diturve) por dhe budallenjve, që nuk kanë asnjë lloj virtyti përveçse floririt”. Pra, Skënderbeu ka patur këshilltarë ushtarakë, fishikë dhe specialist të fushave të ndryshme pranë tij dhe sygjeron që edhe pasardhësit të kenë të tillë. Kjo e dhënë nënvizohet nga shumë burime perendimore.Mali Skënderbeg (me majën më të lartë Beleg), u emërtu si i tillë, pasi pjesa peremdimore e këtij mali (Cudhi, Shkretë, Mafsheq, Gardhac, Vinjollë, Gallatë e Skuraj), shërbyen si prapavijë e përqëndrim rezervash të Skënderbeut në pesë nga betejat shumë të rëndësishme të tij: tri rrethime të Krujës, Beteja e Albulenës (midis lumejve Ishëm e Mat), dhe Beteja kundër Ballaban Pashës (Qaf Buall- Skuraj). Pra nga veprimtaria luftarake e Skënderbeut e mori emrin edhe mali “Skënderbeg”.Mali i Allamanit, u emërtu i tillë për arsye se aty shërbyen këshilltarët austriak e gjerman,( pra gjermanisht folës-alemanie), specialist për përgatitjen e topave të ushtrisë së Skënderbeut.Mali i Dejës, si emërtim është shumë i hershëm, ndoshta pellazgjik, se do të thotë mali i Deas (perendesha e dritës), sepse lugina e Matit ka si pikë reference për agimin e dritës së mëngjezit, pikërisht Malin e Dejës sic e shqipërojmë sot.Mati ka qenë (sipas dokumentave austriake), qendra më e madhe e përgatitjes dhe stërvitjes së ushtrisë së Skenderbeu. Aty kanë qenë vendosur edhe specialistët e këshilltarërt e huaj. Kryesisht prej këtij vendi fillonte lëvizja për në drejtimet ku do të bëhej ndeshja me forcat osmane. Në pjesën perendimore të luginës së Matit, shtrihen fshatra me emërtime, të vendeve nga vinin specialistët ushtarak të Skënderbeut (të cilat i mbajnë edhe sot). Ata kishin profile dhe specialitete të ndryshme për: kalorsi, harqe, ushta, shpata, shtiza, prazmore, sopata bishtgjata, specialist të luftimit trup me trup, takticienë, strategë etj. Kështu Fshati Baz, do të thotë se aty kanë qenë përqëndruar baza material e ushqimore për njerzit dhe kuaj. Në një farë kuptimi të sotëm “shtabi i prapavijës”. Karica: (kroaci, vendi i specialistëve dalmat), Germani (secialistët gjerman), Midha (fusha e livadhe të mëdha), Muzhaka (vendi i specialistëve të Muzakajve me qendër në Beratin e sotëm). Frankth (francezët, madje edhe sot vazhdon mbiemri Dishani-Dysha). Burrel (burgel- qytezë gjermanisht). Batërr (betejë), Pësum i Batrrës (të mësumit e betejës ose qendër stërvitore), Shul Batërr (këthimi në stërvitje, betejë) etj.Që nga koha e Skënderbeut vijnë edhe disa familje me mbiemra si : Allamani, Valteri (Volteri), Farrici, (Fritz), Klos (Kloze ose Klotz), Dishani (Dysha) etj.Për të mos ju lodhur më me shpiegime, në këtë ditë feste të Shëngjergjit, ju uroj nga zemra GËZUAR ju familjar e bashkatdhetarë. Ju gjetët ma mirë mot.

Filed Under: ESSE Tagged With: asllan Bushati

KUR FAIK KONICA KËRKONTE RRITJEN MENDORE TË POPULLIT SHQIPTAR

May 6, 2022 by s p

Nga Ndriçim KULLA (Nderi i Kombit)

Studiues, publicist

Konica, diti të hedhë bazat e mendimit të përparuar dhe modern shqiptar, të vizionojë një Shqipëri të ardhshme europiane përkrah kombeve të qytetëruara të kontinentit të lashtë. Aq sa fshikulloi ashpër, si rrallëkush, mentalitetin e prapambetur shqiptar, “mendjet e klasit të katërt” siç i quan ai, krejt përgjumësinë pesëshekullore, po aq diti të ngrejë lart, në piedestal glorifikimi, në vetë botën perëndimore, vetitë më të mira të shqiptarëve, doket, zakonet, historinë, krenarinë shqiptare në shekuj, e mbi të gjitha, gjithçka të vyer shpirtërore që shqiptarët dhanë historikisht, krahas gjakut të tyre që rrjedh në damarët e Europës.Është e njohur pena e mprehtë koniciane për të goditur ashpër, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, por edhe me ironinë dhe sarkazmën e tij të rrallë, tërë dukuritë shoqërore regresive të Shqipërisë në kapërcyell të shekujve XIX-XX, botëkuptimin e prapambetur anadollak që kishte përgjumur shqiptarët për pesëqind vjet, kritikë kjo sociologjike e llojit volterian, me forcë e fuqi tronditëse, troshitëse, shkundëse. Në këtë vështrim, kjo lloj kritike koniciane me ashpërsi mbresëlënëse ka karakter të theksuar konstruktiv, tek sendërton hap pas hapi vetëdijen kombëtare, çel sytë e mendjes, e vesh atë me forcë vepruese shoqërore, e orienton dhe e ngacmon drejt një qëllimi fisnik me synime të qarta në kuadër të një perspektive të afërt a të largët.

Që në numrin 1 të Albanias (1897), në kryeartikullin “Armiqtë e Shqipërisë”, Konica mbërthehet fort pas realitetit të zymtë të kohës kur shqiptarit i mungon “buka e barkut”, “buka e mendjes” dhe është i rrethuar nga armiq të jashtëm. Me dy paragrafë të shkurtër, ai shpreh dhimbjen e tij për këtë realitet të hidhur dhe veç kur shpërthen e revoltohet në paragrafin e tretë me ashpërsinë e një heroi homerian duke shpallur, deri dhe me qitje të largët, gjithë rezonancën aktuale: “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në historinë e Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur argjend [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin Shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj”.Nën një qiell të zymtë shqiptar ku përzien e përplasen shtëllunga resh shekullore në hone të vetëdijes e pavetëdijes kombëtare, ai e kërkon fjalën të çiltër, të qëruar, të revoltuar e revoltuese njëkohësisht, që të shpërthejë me gjëmim rrufeje zeusiane.

Topitja ka shkuar nën cakun e flijimit dhe vetëflijimit, të durimit dhe vetëdurimit, dhe lypset tanimë ndërgjegjësim e vetëdije, me shpërthim vullkanik shoqëror.Në numrin 2 të Albanias, kur Konicës i bëhet presion nga një kategori bashkatdhetarësh për të kufizuar në shkrimet e revistës lirinë e pikëpamjeve të veta politike, shoqërore e fetare, pionieri erudit i Rilindjes tregohet i papërmbajtshëm, si një përrua që derdhet nga lartësitë qiellore me shkrimin “Ç’është liria?”. “Dua të marr shpatën”, revoltohet ai, “e t’u çajë kokën gomerëve, e në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë m… njeriu, se të shkrojë për Shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por Shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja: unë i botojë letrat e tyre kur thonë që kanë fe, por nuk duan që unë të shajë fetë e tyre… “s’të lëshojmë lirinë që të shaç fetë…” Dhe Konica përfundon me një thirrje sfidë që të bën të dridhesh ende dhe sot për aktualitetin e saj: “Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit.

Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes (la vie intellectuelle). Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të kuptojmë që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë”. Emancipimin shoqëror si një çështje madhore, Konica e trajton me penë të fuqishme në shkrimin “Rritja mendore e popullit shqiptar” (Albania, prill 1906). Thjesht çështjen e arsimimit shqip dhe të luftës kundër padijes, ai nuk e kufizon aspak te brezi i ri, domethënë të pritet një herë sa të shkollohet brezi i ri që të mund të arsimohet krejt shoqëria. Jo, përveç mësimit të shkrimit dhe leximit të gjuhës shqipe te brezi i vjetër, krahas atij të ri, Konica kërkon “zgjerimin e kufirit të mendjes së tyre”, duke kaluar kështu nga një fazë e parë e domosdoshme, njohja e shkrimit, në një fazë të dytë që ai e quan“lërimin e mendjes”, domethënë kulturimin dhe qytetërimin shoqëror, një tjetërsim pra të njeriut shqiptar të kohës, i prapambetur në mendime apo me botëkuptim të ngushtë. Dhe populli, këmbëngul Konica, e ka dashurinë për “lërim të mendjes”, sepse kërkon të ecë përpara, të mësojë. Por i mungojnë librat, “këtu fle lepuri”, aty është çështja.Gjendjen e librave (metodave) shqipe dhe të abeceve Konica e sheh të mjerueshme (janë për mëshirë!) e as që mund të bëhet fjalë për aritmetikë, gjeografi, trigonometri etj.

Këtu Konica bën dallimin e madh në libra për fëmijë dhe libra për të rritur (për burra me mustaqe!) dhe një abetare e thjeshtë kurrsesi nuk mund t’u adresohet këtyre. Shqiptari për Konicën duhet të hapë sytë e mendjes, të shohë rrotull tij se çfarë bëjnë kombet e qytetëruar që edhe kombi shqiptar të përparojë e të ecë krahas tyre. Pra, përqasja e gjendjes shoqërore të mjerueshme në Shqipëri me gjendjen e përparuar shoqërore, sidomos në vendet e zhvilluara perëndimore, është një pikë referimi konstante në botëkuptimin konician për ndërgjegjësim e veprim shoqëror. Nëse gjetkë, zhvillimi botëkuptimor e shoqëror ka ecur përherë me hapa të shpejta, tek ne, për njëmijë arsye të jashtme e të brendshme, ky zhvillim nuk ka ndjekur ritmet e duhura bashkëkohore, dhe Konica s’përton në këtë mes të fshikullojë ashpër një dukuri të tillë të përgjumjes shoqërore në Shqipërinë e Turqisë europiane. Ky fshikullim i spikatur i viteve të “Albanias”, do të ngrihet në një model të vërtetë të kriticizmit në fillim të viteve ‘20. “E trishtë është jeta, e unë i kam lexuar të gjitha librat”. Me këto vargje nis njëra nga poezitë më të famshme të poetit francez Stefan Malarme. Por po njëlloj, kështu nis edhe njëra nga ato esetë e shkurtra të Konicës me titull “Jeta dhe librat”, e shkruar dukshëm mbi një reliev të qartë shpirtëror. Është ky një çast psikologjik, që e përqendron mendimin e tij te tragjedia “Prometeu i lidhur” i Eskilit, një libër siç shkruan ai “i vjetër për nga mosha 2400-vjeçare”, por gjithnjë i ri për nga mendimet”. Prometeu për Konicën është idealisti që vuan dramën e përjetshme të lirisë së mendimeve, dramën e dashurisë së madhe që ai ka e kërkon të mbizotërojë tek njerëzit. Një hero i tillë, tek i cili ndoshta Konica frymëzohet edhe për veten, ka se ç’t’u thotë shqiptarëve në fillim të viteve ‘20, kur në Shqipëri luftohej pikërisht kundra tiranisë dhe lirisë së mendimit. Është kjo ide një nisje emblematike e një sërë sprovash të cilat shtresëzohen në vite me tipologji e personazhe të rinj, që më tepër përfaqësojnë kategori të vërteta njerëzore, nëpër të cilat Konica do ta shtratëzojë analizën e vet, për të arritur në sprovën më të arrirë “Shqipëria si mu duk”, ku mendimi i tij, nëpërmjet një analize sociologjike e psikologjike, formëson një kategorizim të mirëfilltë antropologjik të shoqërisë shqiptare.

Një fizionomi të tillë trajtimore shpreh Konica që në ciklin “ Katër përralla nga Zullulandi” (1922). Zullutë paraqiten nga autori më shumë sinjë turmë se sa si një popull i ndërgjegjësuar, duke na lënë të nënkuptojmë menjëherë se kemi të bëjmë me njërën nga tipologjizimet ose kategoritë e tij sociologjike, mbi të cilat ai ndërton gjithë ligjërimin e llojit të kriticizmit dhe stigmatizimit. Dy janë udhëheqësit që mund të nxjerrë lëvizja spontane e zulluve. I pari është Denizulla Sepia, një aventurier i paskrupullt, mashtrues e demagog, një njeri i fjalëve boshe dhe përfaqësues i interesave të ngushtë e meskinë. Duket se kjo kategori njerëzore, e përzgjedhur dhe skalitur kaq mjeshtërisht që para 100 viteve, në mesin e politikës shqiptare duket se është më e gjallë se kurrë. Përballë tij, autori vendos plugun, atdhetarin e flaktë dhe idealist, që pa zhurmë e pa bujë, me një mençuri të heshtur, synon të krijojë lëvizjen e vërtetë kombëtare në Zulluland, atë lëvizje që i kthen zullutë nga një turmë e përgjakur në një komb me dinjitet, të lirë, të qytetëruar dhe me nder.

Ndoshta edhe kjo kategori ka një jetë historike në realitetin tonë të sotëm, trashëgimnia më kulmore e veprës gjendet në kategorizimin e tretë. Konica, ky psikolog i hollë i mendësisë individuale edhe kolektive shqiptare, e ka antropologjizuar në mënyrë të qëllimshme dukurinë e rëndësishme sociale të ekzistencës së turmës, si një masë e pavetëdijshme, e zhveshur nga qëllimet dhe aspiratat ndërtuese, që pushtohet shumë shpesh nga instinkte dhe delire. Është ky një projektim gjenial me të cilin do të ndeshen mjaft mendimtarë shqiptarë të kohës, por që askush nuk do të dijë ta shpjegojë dhe përshkruajë më kthjelltësisht se Konica.

Filed Under: Politike Tagged With: Ndricim Kulla

“Lessons from Ukraine for Kosovo”

May 5, 2022 by s p

HOLDEN TRIPLETT

Mr. Triplett is former director of Counterintelligence at the National Security Council and founder of Trenchcoat Advisers, a state advisory firm on Counter-intelligence

Observations

What was unthinkable is now possible. We are witnessing a full-scale invasion of Ukraine with nuclear implications. So far, the international community has had some relative success organizing a multilateral response, but unity is shallow and ephemeral. Domestic issues in the US and among coalition partners will increasingly take away attention from global threats.

So far, the EU and NATO member states have come together and backed strong sanctions. How long will this last? Western countries face much pain ahead, especially regarding their energy transition. Weaning reliance from Russian oil and gas will be a multiyear process. Russia is still an important part of the world economy, providing valuable commodities, such as coal and rare earth minerals. 

Secretary of State Blinken warned that violent conflict could go on until at least the end of 2022. The US Department of Defense has been making plans to support Ukraine for years. The longer war continues, the more cracks will emerge in the coalition. 

Some EU countries have recently expressed concern about the refugee crisis. More than 5 million Ukrainians have crossed a border seeking sanctuary; many have fled to Poland. The number of refugees will continue to increase. 

Focusing on Ukraine risks neglecting other international challenges, including Iran’s nuclear program; North Korea missile tests; and China threatening Taiwan. With the US and other world powers focused on Ukraine, international actors may see this as an opportune moment to address their grievances. 

Russia was emboldened to attack Ukraine because it felt that there would be few consequences, or it could weather the consequences. The international order is not what it was. Russia has been aggressing for decades, using its military in Chechnya, Georgia and Syria. 

Governments feel overwhelmed by the enormity of security and economic challenges. They have limited bandwidth to address global problems such as the COVID-19 pandemic, global warming, and countering violent extremism. 

Many countries are reluctant to join the US-led coalition against Russia. India procures a significant amount of its defense technology from Russia. Israel, most countries in the Middle East, Asia and Africa are on the fence. These countries don’t have the desire or capacity to confront Russia. 

Global inflation has been exacerbated by Russia’s invasion of Ukraine. Inflation, especially increasing energy costs, have a cascading effect on consumer prices. 

There is evidence of increased cooperation between Russia and Serbia. We have already seen Serbia acting as Russia’s proxy disrupting regional stability, deploying a Cyrillic-emblazoned train to Mitrovica and limiting the use of Kosovo license plates. Russia has an intelligence outpost in Nis from where it organizes malign influence operations. Russia is a bad actor, generating crises across the region in Montenegro, Bosnia and North Macedonia.

Many parallels exist between Kosovo and Ukraine. Serbia claims Kosovo, like Russia claims Ukraine. Russia says Ukraine is not a real nation. Serbia asserts the same about Kosovo. Both countries have restive minority populations. 

However, there is a major difference. NATO already has a presence in Kosovo through KFOR. KFOR’s presence dissuades a large-scale invasion. If Kosovo was attacked, KFOR is already positioned to defend Kosovo. Serbia has considerably fewer resources than Russia. Serbia seeks to amplify its influence by playing the US, the EU, Russia and China off against each other.

The EU has failed to achieve mutual recognition between Kosovo and Serbia through the Kosovo-Serbia dialogue. On its side, Serbia has 2 large benefactors, Russia and China, who do not want Kosovo to exist as a nation. 

The international community is experiencing a general fatigue from its involvement in Ukraine. EU countries are likely to pressure Kosovo to cut deals in order to avoid another conflict on European territory. 

Recommendations

Recommendations are directed toward the Government of Kosovo and Kosovo Albanians. 

Counterintelligence

  • Own the information environment by developing strategies that target different audiences (e.g. Kosovo Albanians, Kosovo Serbs and EU Member States). 
  • Get your message out first. By defining the “Truth”, you set the agenda and others will have to respond.
  • Understand Serbia’s intelligence network, influence operations, destabilization efforts, and support for corruption that are intended to undermine faith in government, and tarnish Kosovo’s international reputation.
  • Expose and counterintelligence cooperation between Russia and Serbia (e.g Estonia model).  
  • Develop a capacity within the Government of Kosovo to study malign influence operations and develop a counter-intelligence strategy. 

Security Concerns

  • Develop a mutual defense agreement between the US and Kosovo until Kosovo achieves criteria for NATO membership. 
  • Establish a longer term and permanent presence of NATO at Bondsteel. 
  • Engage Kosovo and Albania in a shared counterintelligence program.
  • Provide sophisticated defensive weapons to deter aggression by Serbia.
  • Expand capacity of Kosovo Armed Forces in accordance with a Membership Action Plan (MAP). 
  • Strengthen cooperation between Kosovo and NATO, through an accelerated MAP, and the transfer of defensive weapons to Kosovo aimed at deterring cross-border aggression. 

Social, Economic and Political Issues

  • Encourage more robust US participation in the Kosovo-Serbia dialogue and efforts to gain greater global recognition.
  • Promote Kosovar identity independent of ethnicity by addressing the economic needs of minorities and creating more opportunities for both Kosovo Albanian and Kosovo Serb youth. 
  • Encourage the US and UK to impose sanctions on Serbia now as part of a conflict prevention strategy.

Note: The discussion was organized by the Institute on Foreign Relations (Kosovo) and the Program on Peacebuilding and Human Rights (PBHR) at Columbia University. This report is a summary of the discussion prepared by PBHR’s David L. Phillips. It is not a comprehensive analysis of the meeting. Following is a recording of the discussion: https://youtu.be/NYBGr71-OTw

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT