• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2022

KOSOVA DUHET T’I DELEGOJË TE SHQIPËRIA DISA ASPEKTE TË PËRFAQËSIMIT NDËRKOMBËTAR

May 3, 2022 by s p

Nga Mehmet PRISHTINA/

Në pritje të përgjigjes , e cila edhe ashtu do të vonohet, për t’u anëtarësuar në NATO, institucionet e Kosovës duhet në periudhën e ardhshme të bashkëpunojnë ngusht me ato të Shqipërisë, në planin e përfaqësimit në organizmat ndërkombëtare, sidomos në sistemin kolektiv të mbrojtjes. Përfshirja e Kosovës në këto organizma, do ta shtonte jo vetëm aftësinë tonë mbrojtëse, por do të ndërgjegjësonte në një shkallë më të lartë bashkëpunimin institucional Tiranë-Prishtinë, i cili duhet të jetë shumë më dinjitoz se ç’është aktualisht 

Ka jo pak njerëz në Kosovë, në Shqipëri dhe në mbarë hapësirën etnike shqiptare që mendojnë gabimisht se mjafton ombrella e NATO-s si zëvendësim i fuqisë ushtarake vendore. Sipas këtij rezoni, Kosova dhe Shqipëria nuk paskan nevojë  fare të kenë aviacionin e tyre dhe sistemin e mbrojtjes raketore, për arsye se të gjitha këto i ka NATO, gjegjësisht KFOR-i. Me fjalë të tjera, ne nuk paskemi arsye të brengosemi nëse Serbia armatoset dhe i shton kapacitetet e saj ushatarake, pasi që ushtarët e NATO-s, gjegjësisht të KFOR-it, do të kujdesen për sigurinë tonë.

Provokimet që ndodhën ditëve të fundit në veri të vendit, që si cak patën patrullat policore të Kosovës, përbëjnë shqetësim për sigurinë e Kosovës, ndonëse u tha se bëhet fjalë për pista të dyshimta kontrabanduesish që përdorin kalime ilegale për mallrat e tyre të padeklaruara. Autoritet policore madje thonë se sulmet po ndodhin për “tensionim të qëllimshëm” të situatës së sigurisë në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe. 

Ekspertët e sigurisë kanë thënë se Kosova vazhdon të jetë cak i provokimeve serbe, andaj kërkohet që ndaj këtyre provokimeve të ndërtohet një strategji gjithëprfshirëse, me një bashkëpunim të ngushtë edhe me aleatët srategjikë të Kosovës. Kjo edhe për faktin se Serbia vazhdon të fuqizojë aftësinë e saj mbrojtëse. Këtë të shtune (30 prill), në aeroportin ushtarak të Batajnicës u organizua një ekspozitë  e ushtrisë serbe me emrin “Mburoja 2022”, ku vend qendror kishte sistemi kinez i raketave kundërajrore  me rreze të mesme veprimi “FK-3”. Aty u shfaqën edhe rreth 60 avionë, më shumë se 300 armë dhe pajisje ushtarake, si dhe trajnimi i njësive speciale të ushtrisë serbe. 

Armatosja e Serbisë po kalon pa ndonjë vërejtje serioze nga qendrat vendimarrëse perendimore, mu në kohën kur Beogradi ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë. Megjithatë jo pak vëzhgues dhe analistë në Perëndim shprehin frikën se armatosja e Serbisë nga Rusia dhe Kina mund të inkurajojë atë drejt një lufte tjetër, veçanërisht kundër  Kosovës apo Bosnjë e Hercegovinës.
Këto shqetësime marrin një dimension real nëse ndërlidhen ambicjet e vjetra hegjemoniste serbe dhe ndikimi rus në Ballkan, një kombinim ky që shkon në dobi të atyre që duan me çdo kusht ta destabilizojnë rajonin. Mjaftojnë disa provokime që mund të shërbejnë si xixa për një konflikt, i cili mund ta ketë komandën dirigjuese në Qendrën Humanitare Serbe-Ruse (SRHC), e vendosur në aeroportin e Nishit. Sikundër dihet, vendimi për krijimin e SHRC u mor gjatë vizitës së Presidentit Medvedev në Beograd në vitin 2009 dhe filloi zyrtarisht në tetor 2011. Për vite me radhë, Moska ka kërkuar që Beogradi t’i japë personelit të SRHC të njëjtin status që gëzojnë trupat e NATO-s nën Marrëveshjen e Statusit të Forcave (SOFA) nënshkruar në 2015,  duke theksuar përfshirjen e SHRC në trajtimin e zjarreve dhe përmbytjet si provë që gjoja ka një mision thjesht humanitar.

Invazioni rus në Ukrainë ka hapur Kutinë e Pandorës dhe janë aktive të gjitha opsionet destabilizuese, ku Serbia me të drejtë targetohet si një prej eksportuesve më të medhenjë të destabilizimit në rajon. Faktet janë të shumta dhe mjafton të ndiqet vetëm ambicja serbe për t’u armatosur, një pasion ky mesjetar që është në shërbim të ëndrrës hegjemonsite serbe për të pushtuar toka të huaja. Ky pasion ishte shprehur më mirë se kudo tjetër në Kosovë, ndërkohë që autoritet tona kanë shprehur haptazi shqetësimet e tyre ndaj këtij kursi militarist të Serbisë. Blerim Vela, shefi i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Twitter tha se Serbia po furnizohet ushtarakisht me shpejtësi dhe po rrezikon paqen në rajonin tonë.“Serbia zbuloi publikisht sistemin e raketave kundërajrore me rreze të gjatë K-3 të marrë së fundmi nga Kina. Serbia është i vetmi vend evropian që pranon dhe operon një sistem të tillë armësh kineze. Serbia po furnizohet ushtarakisht me shpejtësi dhe po rrezikon paqen në rajonin tonë”, ka shkruar Vela.

Në anën tjetër, mundësitë e thellimit të aleancës ruso-serbe në kohën kur po vazhdon konflikti në Ukrainë, janë shikuar me skepticizëm nga diplomatët perendimorë. Ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka thënë se nëse mendohet se Rusia do t’ia zgjidhë problemet e Serbisë në lidhje me Kosovën, atëherë është mendim i gabuar.

“Rusia nuk duhet të merret model tash. Nuk është një vend që do të dëshironit si mik apo aleat. Por, njerëzit në Serbi duhet të vendosin në çfarë drejtimi duan të shkojnë. Ideja se Rusia do t’i zgjidhë problemet serbe në Kosovë apo diku tjetër, vetëm shikoni situatën në Ukrainë dhe më thoni nëse është mirë që Serbia të mbështetet për çdo gjë në Rusinë”, tha Hill.

Pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, institucionet tona janë shprehur pro anëtarësimit të Kosovës në NATO duke kërkuar procedura të përshpejtuara, ndonëse   ekspertët thonë se një anëtarësim në këtë mënyrë duket i vështirë për tu arritur. Por ata sugjerojnë që Qeveria e Kosovës të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë si në planin rajonal edhe në atë të përfaqësimit në organizmat ndërkombëtare, duke aluduar edhe në sistemin kolektiv të mbrojtjes. Përfshirja e Kosovës në këto organizma, do ta shtonte jo vetëm aftësinë tonë mbrojtëse, por do të ndërgjegjësonte në një shkallë më të lartë bashkëpunimin institucional Tiranë-Prishtinë, i cili duhet të jetë shumë më dinjitoz dhe gjithpërfshirës seç është aktualisht .

Prishtinë, 2 maj 2022

Filed Under: Politike Tagged With: Mehmet Prishtina

Kur të thërret historia…

May 2, 2022 by s p

Visar Zhiti/


Mbrëmja e Shoqatës “Uskana” me kërçovarët e Çikagos, – një takim i ngrohtë, ku shpalosej vetëm mirësi…Sa shumë që ishin, nuk do ta besoja! Zonja dhe zotërinj, të moshuar dhe të rinj, fëmijë, familjarë, të gjithë me një qytetari sa amerikane po aq dhe me fisnikëri tradicionale shqiptare, të trevës nga vijnë…Të bukur të gjithë, jo vetëm në veshje. Na uroi mirseardhjen Kryetari i Shoqatës, Dr. Luan Elezi. Flamuj shqiptarë dhe amerikanë në sallën e madhe me shandanë dhe lule, u kënduan dy hymnet, recitime e këngë, me shqipen përmalluese e valle, vallet tona me kostumet folklorike, që janë histori jona. Miku im, Taip Beshiri, që më rrinte pranë, me njohu me shumë bashkëqytetas, mes tyre dhe Dr. Xhabir Alili, pasionant i poezisë, që para të gjithëve lexoi poezinë e tij për vendlindjen dhe vazhdoi me një poezi timen për lirinë. Na bëri bashkë. Po Ilir Zengu përkujtoi aty piktorin kërçovar me famë botërore, Omer Kaleshi, dhe më dhuroi një libër për të, shkruar nga Luan Rama… Vend i vogël, por sa ka dhënë, po bisedonim me njër tjetrin. Ja, nëna e Gjergj Kastrioti – Skenderbeut tonë, nga andej ishte, nga Gradeci, thashë, por dhe Shenjtja Nënë Terezë shkupiane është, po dhe nobelisti tjetër në shkencën e mjeksisë, Ferit Murati, nga Gostivari e kemi, po shkrimtari Luan Starova, i përkthyer në botë, i shkruante romanet e tij në maqedonisht dhe shqip, në Pogradec ka lindur… etj, etj.T’i përkujtojmë, “Uskana”- emri i hershem parasllav i Kërçovës, mund të bëjë shumë e më shumë këtu në bashkëpunim me shoqata të tjera dhe indtitucione. Shoh gjithë këta të rinj e të reja, njëra përballë në tryezën tonë, i shoqi në krah duket si aktor filmash, e ka emrin Abetare, mrekullohem, nuk e dija se kishte një emër të tillë kaq kuptimplotë, me dashuri për gjuhën amë…Do të mjaftonte ky kumt për mua që të besonim më shumë, për më shumë shpresë edhe në metropolet e mëdha si Çikago, mund të japim dhe ne, sado pak, nga kultura jonë në botën e madhe që na jep… Të shkëlqejë dhe guri ynë në mozaikun e pafund…

Filed Under: Komunitet Tagged With: Visar Zhiti

UNIONI I GAZETARËVE SHQIPTARË – QARKU SHKODËR NË EDICIONIN E PESTË TË ÇMIMIT TË NDERIT “HAMIT BORIÇI”

May 2, 2022 by s p

Nga Ramazan Çeka/

Vlerësimi i punës së bukur, të vështirë, por edhe të respektuar të gazetarëve në gjithë hapësirën multimediale ka qenë prej vitesh një prioritet i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në Qarkun e Shkodrës, jo vetëm për ata që prej shumë vitesh kanë krijuar biografinë dhe karrierën e tyre personale, por veçanërisht për ata që i kanë hyrë me pasion kësaj rruge dhe që rëndom quhen gazetarë të rinj. Pas dy vitesh shkëputjeje, për shkak të pandemisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptar në Qarkun e Shkodrës mblidhet sërish, tashmë në edicionin e pestë të tij, për ceremoninë e ndarjes së çmimit “Hamit Boriçi”, një aktivitet i përvitshëm, i cili, siç thamë më lart, ka si qëllim evidentimin dhe vlerësimin e punës së gazetarëve më të spikatur në fushën e medias së shkruar dhe audiovizive. Organizatorët nën drejtimin e z. Gasper Marku, kryetar i Unionit të kësaj dege, ishin kujdesur që takimi të zhvillohej në nivelin e duhur profesional, ashtu siç i ka hije një shoqate, jo vetëm gazetarësh, por edhe miqsh, pasi e veçanta e aktivitetit ishte se personaliteti, emri i të cilit titullonte çmimin ishte edhe vetë fizikisht në sallë. Këtë e bëri të ditur vetë z. Gaspër Marku, që pak çaste para fillimit deklamoi se këtë takim do ta nderonin me pjesmarrjen e tyre dy personalitete të gazetarisë shqiptare: Hamit Boriçi dhe Aleksandër Çipa me cilësinë e kryetarit të UGSH-së, të cilët të shoqëruar edhe nga pedagogia e Gazetarisë, anëtare e këshillit Drejtues të RTSH, zonja Ardita Reçi formuan kështu edhe panelin e nderit të aktivitetit. Po kaq i nderuar ishte edhe auditori i takimit ku merrnin pjesë gazetarë dhe drejtues të mediave lokale, por edhe më gjërë, intelektualë të njohur, qytetarë dashamirës si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Aktiviteti, i cili u zhvillua në Bibliotekën e Qendrës Rinore “Arka”, u hap nga gazetari i mirënjohur Gazpër Marku, i cili kërkoi nga të pranishmit një minutë heshtje, si homazh në nderim të kolegëve gazetarë që ndërruan jetë gjatë periudhës së pandemisë dhe si shkak i saj. Ata edhe në mungesë gjejnë vend në kujtimet e gjithsecilit të pranishëm dhe do mbeten gjatë në memorien e tyre dhe gjithë qytetit të Shkodrës. Më pas z. Marku ia dha fjalën kryetares së Këshillit Bashkiak Shkodër, zonjës Briselda Kadia e cila i dorëzoi Profesor Hamit Boriçit titullin “Mirënjohja e Qytetit” të akorduar nga Bashkia Shkodër që në vitin 2020, por të pamundur për t’ia dorëzuar në një ceremoni si kjo për arsye të pandemisë. Këtë vlerësim Profesor Hamit Boriçi e pranoi me shumë emocion dhe me një nderim të thellë ndaj Qytetit të Shkodrës, qytetarëve të këtij qyteti, institucionit të Bashkisë e në veçanti për gazetarët, të cilët i quajti kolegë të nderuar. Po me kaq emocione filloi edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve nga Kryetari i UGSH – Qarku Shkodër z. Gaspër Marku. Në këtë edicion u akorduan tetë çmime: Gazeta “Dukagjini” u vlerësua me motivacionin: “Që prej vitit 2003, kur u botua numri i parë dhe deri më sot kur është në proces numri i 222-të, Gazeta “Dukagjini”, është sistematikisht e pranishme për lexuesin shkodran, atë kombëtar dhe mbarëkombëtar, me botim në letër dhe online. 3077 artikuj cilësorë dhe professional të botuar në vite nga 575 autor, janë një kontribut me shumë vlerë, jo vetem për promovimin e vlerave të pasura historike dhe turistike të Dukagjinit dhe rajonit verior, por edhe të të gjithë vendit në përgjithësi”. Gazetarja Alma Mehmetaj me motivacionin: “Gazetare, drejtuese e emisioneve dhe prezantuese e edicionit të lajmeve me aftësi të spikatura profesionale, me një karrierë të gjatë mediatike në TV Rozafa dhe Radio Motiv. Por, në të njëjtën kohë, edhe drejtuese e këtij institucioni në kohë të ndryshme, duke dhënë kontributin e saj organizativ të këtij institucioni”. Gazetarja Sidola Osja me motivacionin: “Gazetare, drejtuese e emisioneve dhe prezantuese e spektakleve televizive me aftësi të spikatura profesionale, me një karrierë të gjatë mediatike në TV1 Channel”. Gazetari Luan Kadia-RTSH Shkodra, me motivacionin: “Gazetar, drejtues i emisioneve dhe prezantues i edicionit të lajmeve me aftësi të spikatura profesionale, prej shumë vitesh në Radio Shkodra dhe në vazhdim edhe në RTSH Shkodra. Në të njëjtën kohë me një kontribut të çmuar në kronikat e përgatitura për TVSH-në”. Gazetari Gjon Gjeka-TV A2 CNN me motivacionin: “Korrespondent prej disa vitesh i TV A2 CNN për Shkodrën dhe rajonin verior. I spikatur për lidhjet direkte për ngjarjet më të rëndësishme të kësaj zone. Më herët ka punuar me shumë cilësi edhe në televizionet lokale të Shkodrës në pozitën e operatorit”. Gazetari Dori Gjerga-TV Euronews me motivacionin: “Korrespondent prej disa vitesh i TV Euronews për Shkodrën dhe rajonin verior. I spikatur për lidhjet direkte për ngjarjet më të rëndësëishme të kësaj zone. Më herët ka punuar me shumë cilësi edhe në televizionet lokale të Shkodrës në pozitën e operatorit”. Faik Sadiku, një pasionant i kahershëm i fushës së sportit, por edhe i gazetarisë sportive, i cili edhe pse asnjëherë nuk punoi si profesionist në media, është një penë shumë e vlerësuar nga lexuesit, brenda dhe jashtë vendit. Ajo që e bën të veçantë Faik Sadikun, është edhe botimi i 5 librave për figura të spikatura të sportit shkodran dhe më gjërë, të cilët pritet të pasohen edhe me botime të tjera, që ai i ka në projekt. Tonin Frroku, gazetar dhe drejtues i emisioneve sportive dhe më gjërë, karriera e të cilit nisi rreth 40 vite më parë në qytetin e Shkodrës ku shërbeu për shumë vite me mjaft profesionalizëm. Më pas, edhe pse zhvendoset familjarisht në qytetin e Korçës, ku ka angazhime shumë të rëndësishme mediatike lokale dhe kombëtare, ai asnjëherë nuk e harroi vendlindjen duke vijuar të kontribuojë mediatikisht për Shkodrën dhe rajonin verior. Emocionet ishtn prezente si asnjëherë tjetër pasi prezenca e Profesor Hamitit në panel e bënte këtë ceremoni edhe më dinjitoze dhe motivuese, një frymëzim që nuk ngurruan ta shprehin as gazetarët e vlerësuar me këtë emër të madh në fushën e medias shqiptare, siç u shpreh edhe z. Gaspër Marku kur tha se: “Jemi me fat që e kemi akoma në mesin tonë këtë ikonë të gazetarisë shqiptare”. Përshëndetja dhe vlersimi i z. Aleksander Çipa ishte mjaft mbresëlënës dhe motivues njëkohsisht për gjeneratat e reja të gazetarisë dhe gjithë këtë komunitetin e medias. “Shkodra dhe komuniteti i gazetarëve të Shkodres janë një referencë e shkëlqyer për gjithë komunitetin e gazetarëve profesionistë shqiptarë ndaj dua t’ju falenderoj për punën dhe vullnetin tuaj dhe besoj se është fjala më e çmuar për gjithë këtë ditë po kaq të çmuar”, tha në fjalën e tij z. Çipa. Në këtë aktivitet u bë edhe promovimi i librit “Xhubleta – Pasaportë e Identitetit Kulturor Kombëtar” një përmbledhje me kumtesa e studime që doli në dritë nën kujdesin e studiueses Rita Shkurtaj, njëkohësisht edhe kryetare e shoqatës “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”. Ky aktivitet iu bashkangjit shumë natyrshëm gjithë takimit jo thjesht për të prezantuar punën e një grupi studiuesish, por për vlerat që mbart ai material shkencor dedikuar xhubletës, kësaj pasurie kombëtare, e cila ishte prezent edhe fizikisht edhe në sallë, pasi gjatë kësaj ceremonie performuan me veshjet e tyre dy djem e dy vajza nga Gjimnazi “Dodë Kaçaj” Bajzë, të veshur me çakçir e xhubleta, të shoqëruar nga mësuesja kujdestare Florina Laçaj. Xhubleta Shqiptare është një pasuri me vlera mbarëkombëtare e cila pritet që së shpejti të hyjë edhe në mbrojtje të UNESCO-os, si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore. “Kjo pasuri 4500 vjeçare është pasaporta e identitetit tone kombërar, prandaj meriton të promovohet sa më shumë, sidomos nga mediat, të cilat me forcën e zërit, fjalës dhe pasqyrimit të vlerave të saj zgjon interesin e turizmit kulturor, ndihmon në ruajtjen, kultivimin dhe trashëgimin ndër breza”, tha ndër të tjera znj. Rita Shkurtaj. Për të pranishmit u shfaq dokumentari me të njëjtin titull “Xhubleta – Pasaportë e Identitetit Kulturor Kombëtar”. I gjithë aktiviteti u mbyll me një koktei dhe shtërngim duarsh si një premtim për t’u takuar sërish në aktivitete të tjera po kaq të rëndësishme. Prill 2022

Filed Under: ESSE Tagged With: Ramazan Ceka

NUK MUND TA VJEDH GOVERNËN

May 2, 2022 by s p

Thanas L. Gjika/

Në qershor të vitit 1961, kur rra tërmeti në Korçë, tim eti iu shtuan shumë kërkesat për punë private në ditët e diela. Unë sapo mbarova klasën e dytë të gjimnazit. Gjatë korrikut e gushtit më merrte si ndihmës për të ndërruar tjegullat e çative të dëmtuara të qytetit.

Emocionet më të mëdha atë behar i përjetova kur po ndërronim çatinë e një godine të lartër te sheshi i Mitropolisë. Godina ishte katërkatshe e ndërtuar në vitet e Mbretërisë, kur katet ishin mbi 3 metra të lartë. Ajo godinë kishte dyqane në katin e parë me lartësi katër metra, shto dhe nja 10 metrat e tre kateve, si dhe një e dy metra pjesa mbi çati, bëhej një lartësi rreth 15 metra. Kisha punuar mbi çati dy e trekatshe me nga 6, ose 9 metra të larta, po në lartësi 15 metra nuk kisha punuar ndonjëherë. Njerëzit që ecnin në rrugë më dukeshin të vegjël.

Si gjithnjë babai po punonte në anët e poshtme të çatisë, unë më lart. Kishte frikë të më linte mua t’i afrohesha strehëve, buzëve të çatisë, se mos më merreshin mentë e bija. Por në një moment i ndodhur m’u në buzë e për të mos lëvizur më kërkoi t’i afroja disa tjegulla të mira që duhej t’i përdorte për ullukë në pjesët e poshtme të rreshtave. Ia shpura një tufë me tjegulla të tilla, që i kisha tingvllitur më parv për të provuar mos ishin të plasura, ia lëshova aty pranë dhe kur u ngrita në këmbë, pashë aty poshtë te kopshti i një komshiu. Ishin familja Skendi, ulur nëpër karrike rreth një tavoline, dy prindër e një vajzë me një djalë. Të katër po shikonin me kureshtje ustain pelivan që punonte buzë çatisë. Unë njoha shoqen time të klasës, Najdan. Ajo më njohu e para dhe ma bëri me dorë dhe thirri: “Kujdes Thanas, ulu e mos shiko poshtë!”

Unë i dhashë të njohur duke i tundur dorën dhe u ula. Pastaj kalova duke ecur me duar e këmbë më sipër, prej ku as i shihja e as më shihnin. Thashë me vete: “Ku e gjeti këtë punë im atë majë kokojkës. Lere frikën, po ajde të dëgjoj dhe komentet e shoqeve të klasës, kur të rifilloj shkollën në shtator”. Mirëpo shoqja ime ishte bijë e një familjeje të pasur e të edukuar, as ma përmendi ndonjëherë atë skenë dhe as u tha shoqeve të saj.

Prindërit e saj, kur mbaruam maturën, na bënë në shtëpinë e tyre mbrëmjen e maturës, ku hëngrëm e pimë gatimet e zonjës së shtëpisë e të Najdas. Babai i saj më buzëqeshi, si sikur deshi të thoshte: “Të mbaj mend, puna të ka bërë mirë”. Më ka mbetur në kujtesë ajo buzëqeshje dhe sot…

Në muajin dhjetor të vitit 1961, babait i komunikuan daljen në pension. Unë isha ende nxënës në klasën e tretë gjimnaz, motra e vogël ishte nxënëse në Teknikumi Mjekësor në Tiranë, vëllai i madh sapo ishte kthyer nga Moska dhe kishte filluar punë në Kinostudio, por flinte në hotel e hante në restorant. Motra e madhe ende e pamartuar punonte mësuese te shkolla “7 Nëntori”. Kurse nëna si gjithnjë shtëpiake, pa rrogë e pa pension.

Nëpunësi i Sigurimeve Shoqërore ishte bir i një ish-emigranti të Amerikës, mik i tim eti dhe pasi bëri llogaritjet e viteve të punës, tha:

“Xha Ligor, për kaq vite sa ke punuar në punë shteti, pensioni të bie 2.600 lekë. Me këtë pension nuk mund të ushqesh dot veten, gruan, dhe dy fëmijët e vegjël, prandaj unë do të të shtoj dhe disa vjet pune shtetërore gjatë viteve të Mbretërisë, që të të dalë pensioni të paktën 3.000 lekë, po të lutem mos i thuaj njeriu.”

“Zoti Manol, ia preu im atë, “Më cakto pensionin që më bie. Nuk mund ta vjedh Governën.”

Me fjalën Governë, im atë quante shtetin, si e kishte mësuar në Amerikë, në atë vend ku kishte kaluar rininë dhe kishte mësuar se shteti nuk duhej gënjyer dhe nuk duhej vjedhur…

Manoli mbushi dokumentat dhe i dha librezën e pesionit me 2.600 lekë. Babai erdhi në shtëpi gjithë qejf, kishte marrë pensionin, aq sa e kishte hallall…

Po mbusheshin 16 vjet nga dalja e tij në pension. Në janar të vitit 1987, kisha shkuar nga Tirana ta vizitoja se ishte i sëmurë. Ai hapi këtë bisedë, si për t’u rrëfyer:

“Po bëhem 84 vjet. Bëra mirë që i thashë zotit Manol se nuk doja ta vidhja governën”, më tha, si me mburrje, ndonëse nuk ma kishte përmendur kurrë bisedën e tij me nëpunësin e Sigurimeve Shoqërore dhe vijoi: “Ja po shkojnë aq vjet sa kisha punuar në shtet dhe e hëngra me shëndet pensionin. Po t’i kisha marrë ato 400 lekët më tepër çdo muaj, kushedi që kur do të kisha ikur nga kjo botë, se kur të vret ndërgjegja të shkurtohet jeta.”

Kish të drejtë, por mendoj se shpirti i tij u gëzua dhe më shumë mbas vdekjes, kur gruaja e tij, nëna ime, vijoi të merrte pension prej pensionit të tij 2.200 lekë, pa punuar fare për 14 vjet të tjerë deri në vitin 2001, kur u nda nga jeta në moshën 96 vjeçare…

Filed Under: Analiza Tagged With: Thanas Gjika

Celebrating receiving the “Woman of the Year” Award from the Motrat Qiriazi organization

May 2, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/


Mirenjohje dhe e nderuar qe u vleresova nga Motrat “Qiriazi” si GRUAJA E VITIT 2022
Të dashura motrat “Qiriazi”,
E nderuar presidente e organizatës së mirënjohur “Motrat Qiriazi” znj. Isidoros Tsamblakos dhe gjithë Bordi që ju punoni si motra,
Jam fort e nderuar dhe e pranoj me përulje çmimin e lartë: Gruaja e Vitit 2022 që më keni afruar si Organizatë e mirënjohur “Motrat Qiriazi”. Sa herë lexoj apo dëgjoj për organizatën, në ninëzën e syve të mi vjen një dritëz e përtejme që shndrit midis Motrave Qiriazi dhe Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, apo kudo ku mësohet SHQIP. E kush më shumë se Motrat Qiriazi mund të përmendet pranë mësimit të Gjuhës Shqipe tek ne në NY, për aktin e tyre si zonjat rilindase në Korçë ku filloi historia më e ndritur e mësimit shqip! Sa fatlume jeni motra te dashura të Bordit dhe të gjitha ju anëtaret e kësaj organizate që festoni dhe nderoni nënat, motrat shqiptare kudo ku janë! Me të drejtë Parashqevi Qiriazi duke folur, më 8 mars 1950, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të gruas ne kujtimet e Skender Luarasit shkruhet se: ‘’Sa e gëzuar jam të qëndroj midis jush në këtë sallë…Sot gruaja shkundi zinxhirët e skllavërisë dhe cila zemër shqiptare nuk gëzohet për këtë ditë të shenjtë që nuk e kishim shijuar për shumë shekuj”!Në shkollat tona shqipe në të gjithë Nju Jorkun ato janë histori frymëzuese ndaj dhe ata e këndojnë me krenari Këngen e Alfabetit Shqip, të shkruar prej Sevasti Qiriazit:Armiqëtë o shqipëtarë/ Po përpiqenë/ Shkronjat turçe dhe greqishte/ Të na apënë/ Le t’i mbajnë ata per vetëhe/ Kemi tonatë.Parashqevi Qiriazi, u bë “ylli i mëngjesit” i emancipimit të gruas ne Unesco. Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e parë që shkroi një libër shkollor në gjuhën shqipe dhe e vetmja grua që mori pjesë në Kongresin e Manastirit që kodifikoi Alfabetin e shqipes në nëntor 1908.S’ka emër më të bukur se të quheni të gjitha motra, ndoshta ju mund të jeni në pikëpamje apo lëvizje të ndryshme si yjet në qiell, por së bashku ndriçoni hapësirën shqiptare kudo ku jeni.Dhe ju këtë emër të madh me pagëzimin e organizatës suaj “Motrat Qiriazi” e keni mbajtur me nder dhe ballin lart!Une dua të falënderoj gjithë koleget e mia duke filluar me gruan e vitit artisten e shkollës shiqpe Lindia Mezin Lole që kanë ecur bashkë me ne këto 15 vjet në udhën e ndritur të mësimit të gjuhës shqipe dhe që sot një pjesë të tyre i kemi midis nesh si Arta Xhaferri, Blerim Gjocaj, Majlinda Tafaj, Dr.Manjola Duli, Davida Hasanaj, Anxhela Alushaj, Aferdita Delaj, suportues dhe dashamires si Agim Hasanaj, Perparim dhe Violeta Likollari etj. Ju lutem një duatrokitje për dy tavolinat atje si dhe dy koleget e mia amerikane në Susan Wagner, edukatoret Arlene Amodio dhe Anastasia DiBerardino-Turnbull.Unë dua të falënderoj familjen time të shtrenjtë, bashkëshortin dhe kolegun tim Qemal Zylo, vajzat Valbonen dhe Klodianen që më kanë mbështetur me fuqinë e zemrës dhe durimin në penën time, 8 librat e botuar dhe në aktivitetet në Diasporë. Dua të falënderoj mbesat e mia Sarandën dhe Emmën, si dhe Dean dhe Richard Jon të cilet nuk munden dot, sepse dhe kohë pandemie është…, por me krenari do t’ju them se kurrë të rriten duhet të jenë suporter të Motrave Qiriazi. Une jam e lumtur sot që në krah kam nenen e vitit, miken e penës si Pertefe Leka dhe kolegen edukatoren e vitit zonjushen Jonela Hasani qënderohen dhe cmohen nga organizata juaj me shumë vlera. Une shpreh mirënjohje të pakufishme për ju duke u frymëzuar nga thënia e John Kenedit presidentit amerikan se: “Ndërsa shprehim mirënjohjen tonë, nuk duhet të harrojmë kurrë se vlerësimi më i lartë nuk është të thuash fjalë, por të jetosh sipas tyre”.
Nga fjala e mbajtur ne mbremjen Gala qe u organizua ne Vista Skylounge ne Queens nga Organizata “Motrat Qiriazi”
1 Maj, 2022Queens, New York

Filed Under: Analiza Tagged With: Kozeta Zylo, Motrat Qiriazi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT