• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2022

KROATI QIRO TRUHELKA – PIONER NË BOTIMIN E LETËRSISË GOJORE SHQIPTARE

June 4, 2022 by s p

Prof.Dr. Musa Ahmeti/

Interesimi i studiuesve dhe krijuesve kroat për shqiptarët është mjaft i hershëm, daton që nga mesjeta, për të arritur kulmin në shekullin e XIX me “Lëvizjen Ilire,”  lëvizje kjo që përpiqej për pavarsi dhe njohje të kombit kroat, e cila shikonte në të kaluarën e popullit shqiptar shumë ngjajshmëri dhe pika takimi. Studiues, historianë e krijues më në zë të Kroacisë, në studimet dhe krijimet e tyre u morën me Gjergj Kastriotin Skenderbeun. Janë të njohura studimet hisotrike por edhe krijimet e shumta letrare, dramat, poezitë e romanet.

Njëri ndër ata që më përkushtim të veçantë studioi etnografinë dhe arkeologjinë e popullit tonë është Qiro Truhelka. Truhelka me një përvojë të madhe në fushën e mbledhjes së folklorit, tregimeve dhe krijimtarisë tjetër nga goja e popullit, për disa dhjetëvejçarë me këmbëngulje të madhe, sfidoi të gjitha albanologët tjerë të kohës, duke mbledhur shumë këngë popullore në gjuhën shqipe, (të cilat mbetën në dorëshkrim dhe ende janë të pabotuara), tregime shqipe, një pjesë të të cilave i botoi në vitin 1905 me titullin “Arnautske priće“ /Përrallat shqiptare/ por kanë mbetur edhe shumë sosh të pabotuara. Tregimet, fjalët e urta popullore, doke e zakone nga krahina të ndryshme shqiptare, veçanërisht nga Pollogu i Maqedonisë, Jugu i Shqipërisë dhe Prizreni i Kosovës, gjëagjëzat, përshkrimete veshjeve popullore të kohës, etj. kanë mbetur në dorëshrkim, të shkapërderdhura nëpër arkive e biblioteka të ndryshme të Kroacisë, të cilat mendojmë ne, janë me mjaft interes për t’u botuar.

Gjatë kërkimeve tona shumëvjeçare në Koraci, kemi shfeltuar pothuajse gjithë krijimtarinë e Qiro Truhelkës që është e pa botuar. Një pjesë të mirë të saj e kemi riprodhuar në mikrofilm, fotokopjuar e kohëve të fundit edhe skanuar. Me qindra faqe nga këto dorëshrkimi i kemi dhuruar para disa vjetësh Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës në Prishtinë, me dëshirën më të mirë që specialistët e fushave përkatëse të mund të merren me to, për t’i studiuar e botuar. Ndërsa vitin e kaluar, Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, i kemi dhuruar poashtu një fletore të skanaur me dorëshkrime të Q. Truhelkës të cilat shpresojmë se një ditë do të shohin dritën e botimit. 

Janë të shumta punimet shkencore të botuara nga ana e Qiro Truhelkës, ku ai është marrur drejtëpërdrejtë  apo tërthorazi me historinë e Ilirëve dhe shqiptarëve. Në veprën e tij me titull “Kujtimet e një pioneri” (Uspomene jednog pionira, Zagreb, 1942),  në f. 90-91, shprehimisht shkruan për motivet dhe qëllimet që e shtynë të merrët me studimin e historsisë së lashtë shqiptare, me traditën, gjuhën dhe folklorin shqiptar: “Që në fillimet e punës sime vërejta mungesën e madhe të studimeve me të cilat në atë kohë merrej shkenca, se mbi të gjitha për studimin e çështjes ballkanike nuk u gjet askush që më përsëafërmi të studionte gjuhën traditën dhe kulturën shqiptare, relikto këto të vetme të banuesve të hershëm Ilirë, të pjesës Perëndimore teë Gadishullit Ballkanik. Duke qenë i vetëdijshëm se pa këtë njohuri fillestare nuk mund të arrihen rezultate të pakontestuara për lashtësinë e Bosnjës, as të ndriçohet drejt problemi Ilir, i cli në vazhdimësinë e gërmimeve arkeologjike në Glasinac, gjithnjë e mës humë imponohej si domosdoshmëri, vendosa të mësoi gjuhën shqipe, në çfardo mënyre. Kjo qe për mua një punë shumë e vështirë, sepse në atë kohë nuk ekzistonte ndonjë gramatikë ose fjalor i përshtatshëm, përveç atyre që në Shkodër, kishin botuar Jezuitët për nevojat e tyre shkollore, por që nuk kishin vlera praktike. Më kishte mbetur vetëm një mundësi: të mësoj gjuhën shqipe përmes ndonjë gurbetçari shqiptar, të cilët në numër të madhe vinin në Sarajevë, në stinën e verës, kurse në vjeshtë ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre me fitimet e tyre si pastiçerë, salepxhi, bozaxhi apo hallvaxhi. Fati më dërgoi te një musliman me emrin Rashid Bexhet Gjoka, i cili ishte nga Tetova (sipas turqishtes Kallkëndelene), pra nga një zonë, në të cilën gjuha shqipe ishte mjaf e pasur dhe ai tregoi gatishmëri të amdhe që të më mësoi gjuhën shqipe. Mirëpo që në fillim lindi një vështirësi, sepse ai nuk dinte mirë kroatishten, kurse njihte shumë mirë turqishten. Atëherë ftova ndërmjetësuesin tim, sheh Mustafë Salihagiqin, që të jetë përkthyes. Kështu filloi një stëvitje e çudtishme gjuhësore, sipas së cilës tekstet shqiptare nëpërmjet turqishtes i përkhenim në kroatishte. Rashidi ishte nga zemra e Ballkanit, nga një zonë, që atëherë hermetikisht ishte e shkëputur nga çfardo ndikimi modern, por që ishte djep i vërtet i thesarit të patjetërsuar autokton folklorik. Në këtë mënyrë filluam të regjistronim këngët shqipe, të cilat unë pasiqë i shënoja i rilexoja me zë, që Rashidi të më konfirmonte se i kisha shënuar drejtë. Pastaj me ndihmën e sheh Mustafait më përkthente fjalë për fjalë këngën, format e ndryshme gramatikore të fjalve, duke u përpjekur t’i qëndronte sa më besnik origjinalit. Kështu pa u vërejtur, për një kohë të shkurtër fitova dy gjëra: materialin leksikor dhe pasqyrën gramtikore të shqipes dhe njëkohësisht regjistrova një numër të konsiderueshëm këngësh, fjalëve të urta, gjëagjëzave etj, e paoshtu m’u dha mundësia të bëja edhe një përshkrim të hollësishëm të zakoneve të ndryhsme popullore shqiptare.” 

Jo pa qëllim zgjodhëm këtë citat nga vepra autobiografi e Truhelkës, sepse na njeh për së afërmi me sfidat që ai kaloi për mësimin përfekt të gjuhës shqipe. 

Në fakt, Qiro Truhelka, sipas dorëshkrimeve autografe që ruhen në Kroaci, kishte filluar që në vitin 1889 të mblidhte në terren, krahinën e Pollogut leksikun dhe folklorin shqiptar, duke qenë mysafirë i Rashid Bexhet Gjokës, ndërsa në verën e viti 1890 kishte qenë dy muaj në jug të Shqipërisë dhe në gusht të po atij viti për një muaj qëndroi në Prizren dhe rrethinë.

Një interes të veçantë për leksikologjinë shqiptare ka fjalori “Gjermanisht – Shqip” i Qiro Truhelkës, në më shumë se katër mijë (4 mijë) fjalë shqipe, që në dorëshkrim ruhej në bibliotekën e sektorit të Romanistikës pranë Universitetit të Zagrebit. Në vitin 1994 ne e zbuluam këtë dorëshkrim krejt rastësisht, i cili për shkak të pakujdesit të bibliotekarës, e cila nuk njihte gjuhën shqipe e as gjemane e kishte vënë në stivën e gjërave që duhej të shkatërroheshin. Pas një pune përgaditore, rreth një vjeçare, ne e përgaditën për botim këtë fjalorë, duke botuar komplet faksimilet e origjinalit, pastaj transkriptimin dhe transliterim në gjuhën e sotme shqipe. (Shih faksimilin e kopertinës që sjellim si ilustrim). Fjalori përveç fjalëve të zakonshme, ka edhe fjali të tëra në gjuhën shqipe, pastaj shprehje e fraza popullore të cilat janë një rariret i vëret ose siç e pohon edhe Truhelka më vonë “thesar i patjetërsuar autokton” i gjuhës shqipe për disa krahina nga ku u vjel lënda leksikore. Për përgaditjen e fjalorit gjermanisht shqip, Qiro Truhelka punoi rreth dhjetë vjetë. Fjalorin e përfundoi në nëntor të vitit 1899. Në fund të fjalorit është edhe një gramatikë e shkurtër, përmbledhëse e gjuhës shqipe.

E tërë krijimtaria e Truhelkës për sa i përket albanologjisë mund të ndahet në dy grupe të mëdha: studimet rreth lashtësisë së iliro-shqipëtarëve, përkatësisht lidhjet iliro-shqiptare, duke filluar nga grëmimet e shumta arkeologjike e deri te botimi i autorëve të lashtë për Ilirët dhe në grupin e dytë: botimi i thesarit të kulturës popullore shqiptar, mbledhja e tij dhe studimet e shumta rreth këtij thesari, pothujase të gjitha të pabotuara.

Truhelka është ndër të parët, duke shfrytëzuar rezulatete e gjetjeve arkeologjike që si edhe disa arkeologë e filologë të tjerët europianë mbrojti me këmbëngulje teorinë e prejardhjes ilire të shqipëtarëve. Ndërsa për vazhdimësinë etnike dhe kulturore iliro-shqiptare ai ishte i bindur se shumë forma të kultursë materiale dhe shpirtërore dhe ato të desimeve të banorëve të sotëm të Gadishullit Ballkanik, sidomos të pjesës perëndimore të tij, ku në rend të parë janë shqiptarët, tërheqin rrënjët e tyre nga thellsëitë e parahistorisë duke qenë popuj autoktonë – vendorë.

Një kontribut të veçantë Truhelka dha edhe në fushën e letërsisë gojore, ku pos që mblodhi, sistemoi e përgaditi për botim disa blej të këngëve shqipe, (një numër jashtëzakonisht të madhe të tyre, në më shumë se një mijë faqe dorëshrkim i la të pabotuara), ai tregoi se njihte në thellësi problematikën e letërsisë gojore shqiptare, duke bërë komente, shkrime e studime të veçanta nga kjo fushë. Është interesant fakti se Truhelka nxjerr si përfundim në studimet e tij origjinën indoeuropiane të përrallave dhe këngëve shqiptare, në bazë të materialit që kishte mbledhur dhe studiuar. Ai ishte i entuziasmuar me letësinë gojore shqiptare, duke shprehur një admirim të veçantë për të. Në mënyrë të posaçm e kanë tërhequr këngët epike për të cilat mendon se ato më së miri pasqyrojnë shpirtin dhe tiparet karakteristike të shqiptarëve, pra ai përmes kësaj letërsie gojore ka dashur të ndrëtojë vazhdimësinë shpirtërore të popujve që jetuan në Gadishullin Ballkanik që nga lashtësia e deri me sot. Si mbledhës dhe botues letërisë gojore dhe përrallave shqipatre ai zë një vend me rëndësi jo vetëm te albanologët kroat por edhe ata botëror, sepse është ndër të parët që provoi të spjegoi rrënjët e saj të thella dhe rëndësinë e saj brenda kornizave indoeurpoiane të letërsisë gojore.

Interesimi i Qiro Truhelkës për albanologji nuk ishte i kufizuar vetëm një fushën e folklorit, prëkatësisht mbledhjes dhe botimit të tij, por ai u interesua në mënyrë të veçantë për gjuhën, të drejten zakonore (kanunet shqiptare, përshkrime të disa normave nga këto kanune ruhen në dorëshkrim që janë para atyre të Sh. Gjeçovit), besimet, doket, ritet e ndryshme, thënë ndryshme ai tregoi interesim për jetën, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, e shqiptarëve, sepse ai te këto elemente vërente momente të lashtësisë së një vazhdimësie të pandërprerë shpirtërore dhe kulturore të popujt që jetuan dhe jetojnë në Gadishullin Ballkanik.

Kush është Qiro Truhelka?

Qiro Truhelka ka lindur në Osjek  më 2 shkurt të vitit 1865 në një familje me traditë intelektuale. Në Osjek ai mbario shkollën fillore dhe gjimnazin. Studimet për arkeologji dhe histori të artit i vazhdoi në Zagreb. Në vitin 1886 emërohet kustos i Muzeut të Sarajevës në Sarajevë. Ndërsa në vitin 1888 themelon “Zemaljski muzej u Bosni i Hercegovini” ku ai emërohet drejtues i tij. Në fillim të punës së tij si arkolog bën kërkime në kompleksin e Debeli Brdos jo larg Sarajevës. Gjatë kërkimeve arkeologjike në vitet 1888- 1897 përgjatë gjithë Bosnës dhe hercegovinës ka zbuluar lokalitete të shumta arkeologjike me vlera të jsatëzakonshme për atë pjesë të Ballkanit. Ndërsa kërkimet më të rëndësishme arkeologjike nën drejtimin e Truhelkës janë bërë në Donjo Dubini jo larg Savës, afër Bosansko Gradishës. Sintezën e zbulimeve të tija e boton në vitin 1904 së bashku me 104 ilsutrime shumë cilësore. Studimet e tija më të rëndësishme nga fusha e arkeologjisë dhe disiplinat tjera ai i boti në revistën prestigjioze që botohej kroatisht dhe gjermanisht njëkohësit, të cilën ai e drejtonte “Glasnik Zemaljskog Muzeja BiH.” Në vitin 1921 pushohet nga puna për shkak se kundërshtoi fomimin e Mbretërisë serbo- kroato-sllovene, ndërsa në vitin 1922 pensionohet edhe pse ishte veteëm 57 vjeç. Duke pasur shpirt këruesi dhe studiuesi ai menjëher pas pensionimit shkon për të punuar në Universitetin e Shkupit, sepse emri dhe fama e tij tashmë ishin ndërkombëtare. Në vitin 1931, Universiteti i Shkupit e falënderon për kontributin e dhënë dhe e pushon nga puna! I mërzitur nga gjithë këto të papritura ikën për të jetuar tek e motra Jagoda, edhe kjo një poete e njohur korate. Vdes në Zagreb, më 18 shtator të vitit 1942.

Disa nga veprat kryesore të dr. Qiro Truhelkës janë: Starobosanski pismeni spomenici (1894), Starobosanski natpisi (1895), Slavonski banovci (1897), Osvrt na sredovječne kulturne spomenike Bosne (1900), Djevojački grob (1901), Državno i sudbeno ustrojstvo Bosne u doba prije Turaka (1901), Kraljevski grad Jajce (1904), Naši gradovi (1904), Arnautske priče (1905), Crtice iz srednjeg vijeka (1908), Dubrovačke vijesti o godini 1463. (1910), Tursko-slavjenski spomenici dubrovačke arhive (1911), Gazi Husrefbeg (1912), Kulturne prilike Bosne i Hercegovine u doba prehistoričko (1914), Historička podloga agrarnog pitanja u Bosni (1915), Das Testament des Gost Radin (1916), Stari turski agrarni zakonik za Bosnu (1917), Konavoski rat 1430. – 1433. (1917), Nekoliko misli o rješenju bosanskog agrarnog pitanja (1918), Sojenica kao ishodište pontifikata (1930), Starokršćanska arheologija (1931), O porijeklu bosanskih Muslimana (1934), Studije o podrijetlu. Etnološka razmatranja iz Bosne i Hercegovine (1941), Uspomene jednog pionira (1942), ndër te tjera Q. Truhelka ka botuar edhe në “Albaninë” e Faikë Konicës studimet e tija.

Filed Under: Politike Tagged With: Musa Ahmeti

TRAKTATI I SHËN STEFANIT DHE KONGRESI I BERLINIT NË DEM TË TOKAVE SHQIPTARE

June 4, 2022 by s p

Dr. Paulin Marku

KRIZA LINDORE DHE LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE

Kriza Lindore e ngjarjeve të vitit 1877-78 shkaktoi përballje të ashpra luftarake midis forcave ruso-turke, sollën ndryshime për Perandorinë Osmane dhe territoret shqiptare. Përplasja ushtarake shkaktoi zhvillime të vrullshme dhe me disfatën e ushtrisë turke, linte të kuptohet se ne nje kohe te afert do te kishte ndryshime në Gadishull. Kjo disfatë impononte otomanet të hiqnin dore nga hapësira territoriale në Rumeli dhe në Anadoll, pasi Rusia e mundi në beteja ushtarake  dhe i rrezikohej edhe Stambolli. Keshtu, Sulltani ishte i detyruar të pranonte kushtet e vendosura në traktatin e Shën Stefanit. Pjese e humbjes së territorit ishin shqiptaret e veriut të Shqipërisë  edhe të jugut po ashtu. Aspekti shqiptar dhe çështja e mbrojtjes së tokave shqiptare në kuadrin e Krizës Lindore ishte problem serioz dhe ngjalli reagime të shumta. Lëvizja kombëtare shqiptare, qysh me Traktatin e Shën Stefanit dhe me Kongresin e Berlinit kishte përpunuar dhe trajtuar një platformë politike gjithëpërfshirese. Veprimtaria patriotike shqiptare u bë një veprues aktiv në arenën ndërkombëtare, i cili iu beri të njohur dhe të merrnin parasysh faktorin shqiptar, pavarësisht se ishte një zë i papërfaqësuar në tryezën e diskutimeve të Fuqive të Mëdha. Në pranvere të vitit 1877, një grup shqiptaresh, nën drejtimin e Abdyl Frashërit u takuan dhe hartuan një program për autonominë  administrative të një krahine të vogël të Shqipërisë si mënyra më e mundshme për të ruajtur të gjitha tokat e banuara nga shqiptarët. Platforma e grupit autonomist shqiptar, të memorandumit të Janinës mbajtur në mars të vitit 1877 në përmbajtje kishte kërkesën themelore të lëvizjes kombëtare shqiptare, bashkimin e të gjitha territoreve shqiptare në një vilajet shqiptar të vetëm me administratë shqiptare, me shkolla në gjuhen shqipe, me milicinë e vet e ligje të veçanta, të ardhurat fiskale të cilat do të shpenzoheshin në vend. Platforma e Janinës, u plotësua dhe u pasurua në vitet në vazhdim nën ndikimin e ngjarjeve politike e gjeopolitike. Fitorja e Rusisë ndaj Perandorisë Osmane, bënte që shqiptaret të bashkuar me emrin “Komiteti Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” të ishin më të mbledhur pasi synimet e fqinjëve ballkanik ishin pranë realizimit të interesit territorial në dem të tokave shqiptare. Si rezultat i faktorëve të ndryshëm dhe interesi për ruajtje tërësisë territoriale, filloi veprimet më 10 qershor 1878 Lidhja Shqiptare me qendër në Prizren. Nëpërmjet një procesi të brendshëm me zhvillime të vazhdueshme u bë e para organizate politike masive kombëtare që vepronte si përfaqësuese e të gjithë kombit shqiptar. Në këtë mënyrë u shfaq shqiptarizmi si rrymë patriotike e politike me synime politike autonomiste.

TRAKTATI I SHËN STEFANIT DHE REAGIMI I SHQIPTARËVE

            Pasi Rusia, ishte shume pranë Stambollit, Porta e Lartë ishte e detyruar t’i pranojë kushtet e saj në mënyrë që të shpëtojë Perandorinë Osmane nga pushtimi. Rusia zgjodhi të kishte përball vetëm Turqinë e mundur dhe të vendoste për çështjen e Lindjes sipas interesave të saj. Gjithashtu, Rusia nuk pranonte asnjë përfaqësues të Fuqive të Mëdha dhe as të aleatëve ballkanik, Rumaninë, Serbinë e Malin e Zi. Kështu, një muaj pas armëpushimi, më 3 mars 1878, u nënshkrua marrëveshja midis Perandorisë Osmane dhe Rusisë. Pasi akti i Shën Stefanit u shpall zyrtarisht në prill të vitit 1878 dhe shqiptarët u njohën me trojet e tyre që do t’i kalonin vendeve ballkanike: Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi pati protesta dhe proklamata drejtuar diplomateve te huaj për te kërkuar ndërhyrje për padrejtësitë në dëm të tokave shqiptare. Traktati, jo vetëm që e linte Shqipërinë në sundimin osman, por i cungonte territorin e saj. Traktati i Shën Stefanit prekte popujt e ndryshëm brenda Portës së Lartë dhe ngjalli reagime edhe në rrafshin ndërkombëtarë. Marrëveshja kishte në përbërje masa territoriale dhe i shkëpuste asaj tokat që deri atëherë ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane duke ndryshuar hartën e gadishullit Ballkanik. Të parët që iu interesonte ky akt ishin popujt e shtypur që mezi ç’prisnin të çliroheshin nga Stambolli, po ashtu shtetet ballkanike shfaqni interes për të përfituar nga marrëveshja që favorizonte Rusinë. Protestat e popullsisë shqiptare ishin të ndryshme me rebelime e beteja si dhe me ankesa drejtuar diplomateve të huaj. Protesta e popullsisë së Dibrës drejtuar ambasadorit të Anglisë në Stamboll kundërshtonin vendimin e padrejtë të Traktatit të Shën Stefanit për aneksimin e krahinës së saj. Citoj dokumentin“Dibra është një vend krejt shqiptar dhe ka përmbi 220.000 myslimanë e 10.000 të krishterë, të cilët të gjithë janë prej një gjaku. Më mirë të shuhemi deri në burrin  më të fundit, sesa të hyjmë nën sundimin e Bullgarisë kundër të drejtave të kombësisë sonë”. Protestat ishin të vazhdueshme gjatë vitit 1878 në krahina të ndryshme shqiptare. Popullsia e Shkodrës, Podgoricës, Shpuzës, Zhabjakut, Tivarit, Ulqinit, Grudës, Kelmendit, Hotit e Kastratit, drejtuar ambasadorit të Francës në Stamboll kundër aneksimit të tokave shqiptare nga Mali i Zi. Në kërkesën e tyre, shqiptaret i drejtoheshin diplomatit francez që t’i përcillte Republikës së Francës shqetësimin e tyre dhe i kërkonin që të mbronin tokat shqiptare nga copëtimi. Në letrën e drejtuar diplomatit francez, shpreheshin se:“katolikët dhe myslimanët, vëllezër që prej shekujsh që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh dhe kemi qenë të bashkuar gjithmonë, duke derdhur edhe gjak për të mbrojtur qytetet dhe fshatrat tona”. Në mbyllje të letrës, përfaqësuesit shqiptar i kërkonin që Republika e Francës të ndërhynte dhe i drejtoheshin me këto fjalë: “Ne kemi ruajtur gjatë pesë shekujsh zakonet dhe fenë tonë; gjuhën dhe kombësinë tonë; prandaj ne protestojmë pranë Fuqive të Mëdha kundër aneksimit të vendit tonë nga Mali i Zi”.

Reagimet e shqiptareve ishin të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe për të mbrojtur krahinat shqiptare që të mos ndaheshin nga kombi dhe për ti kaluar në duart e pushtuesve. Ky ishte një shqetësim i madh me përpjekje të vazhdueshme për t’i mbrojtur nga copëtimi. Proteste drejtuar Ambasadorit të Francës në Stamboll organizoi dhe popullsia e Pejës, Gjakovës, Gucisë kundër vendimit të Shën Stefanit për aneksimin e tokave shqiptare, Bullgarisë, Serbisë e Malit të Zi. Ata i kërkonit diplomatit francez që të ndërhynte pranë qeverise së tij për mbrojtjen nga copëtimi të tokave shqiptare. Reagime me protesta ka patur dhe nga popullsia e Prizrenit drejtuar Sulltanit në Stamboll me kerkesen për të respektuar tërësinë territoriale të tokave shqiptare, dhe i kërkonin për t’i bashkuar të gjitha tokat në një province të vetme si dhe kërkonin respektimin e reformave që nevojiteshin për përparimin e vendit. 

KONGRESI I BERLINIT DHE PROTESTAT E SHQIPTAREVE NË MBROJTJE TË TËRËSISË SË TOKAVE SHQIPTARE  

Kongresi i Berlinit kishte vënë në pikëpyetje çështjen shqiptare, ekzistencën e kombit shqiptar, të gjuhës dhe historisë së këtij vendi. Për pasoje tokat shqiptare mund të ishin objekt i pambrojtur dhe mund të behej çdo gjë me to dhe nuk kishte asnjë përfaqësues që të kundërshtonte çdo venim që dëmtonte tërësinë territoriale të tokave shqiptare ose të mbronte interesat e shqiptareve në Kongresin e Berlinit.  Perandoria Osmane gjendej në kushte të vështira dhe e shikonte veten të pafuqishme për të mbrojtur tërësinë e tokave të banuara nga shqiptarët. 

Më datë 13 qershor 1878 shqiptaret i dërgojnë një memorandum kryeministrit anglez, lordit Bikonsfild, përfaqësues i Anglisë në Kongresin e Berlinit. Ata pohonin se përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha të mbledhur në Kongres për t’u gjetur një zgjidhje të arsyeshme dhe të ligjshme që përbejnë Çështjet e Lindjes, sigurisht që duhet te merret parasysh kerkesat e shqiptareve të cilët kërkojnë drejtësi. Në letrën e tyre, ata shprehin pakënaqësi për mos përfaqësim, pasi kombësitë e tjera nën Perandorinë Osmane kane një qeveri dhe një diplomaci që ua shpreh dëshirat, vetëm Shqipëria nuk ka asnjë lloj përfaqësie. Nëpërmjet memorandumit, shqiptaret i kërkojnë Britanisë së Madhe të mbroje interesat e shqiptareve dhe të kundërshtoje çdo lloj copëtimi të trojeve shqiptare dhe se s’pranojmë te jemi asgjë tjetër: “Ne duam të jemi veçse shqiptare”. Protestat e shqiptareve ishin të vazhdueshme kundër padrejtësisë se Shën Stefanit drejtuar Kongresit të Berlinit. Mund të përmendën, Protesta e Lidhjes Shqiptare të Gegërisë drejtuar Kongresit të Berlinit; protesta e popullsisë së krahinave të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut, të Tivarit etj, drejtuar Fuqive të Mëdha kundër aneksimit të tokave shqiptare, e shume të tjera në mbrojtje të tërësisë territoriale të tokave shqiptare.

Fuqitë e Mëdha i kishin ndjekur me preokupim të veçantë zhvillimet e Krizës Lindore. Britania e Madhe dhe Austro-Hungari nuk pajtoheshin me zgjidhjen ruse dhe pasi u morën vesh ndërmjet tyre e kundërshtuan fort Rusinë, madje deri edhe me përballje nëse nuk do pranonte të ulej në bisedime, ndërsa Italia ishte e dobët ushtarakisht dhe e pafuqishme ekonomikisht për të reaguar në çështjet ndërkombëtare si dhe për faktin se më 9 janar 1878 ndërroi jetë Vittorio Emanuele II dhe pasuesi i tij i biri Umberto I-rë s’kishte eksperiencë në politikën e Jashtme. 

Shqiptarët, edhe pse skeptik dhe pesimist ndaj kongresit që do të mbahej në Berlini, ata vendosen që Kuvendi i Prizrenit të filloi punimet më 10 qershor 1878 me qëllim që kërkesat e tyre të paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej me 13 qershor 1878. Lidhja e Prizrenit shënon organizimin politik, e përfaqësuar nga të gjitha territoret etnike shqiptare, e cila kishte disa qendra ndërkrahinore, si: Janina, Preveza, Dibra, Shkodra, Elbasani, Gjirokastra, etj. Ata hapen punimet e kuvendit në Prizren dhe demonstruan me vendosmëri të patundur për të luftuar së bashku për të drejtat Kombëtare duke dërguar me dhjetëra peticione e memorandume kongresit në Berlin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, si dhe nëpërmjet protestave të ndryshme kundër pretendimeve territoriale të synuara nga fqinjët ballkanik. Përfaqësuesit e kombit të mbledhur në qytetin e lashtë të Prizrenit vunë themelet e asaj organizate politike mbarëshqiptare që prej kohës së Skënderbeut që bashkoi masat popullore dhe luftoi për disa vite për t’u çliruar nga zgjedha shekullore e huaj, për mbrojtjen e trojeve dhe për bashkimin në një shtet të vetëm autonom e të njësuar kombëtar. Shqiptarët nuk prisnin mbështetje nga ndërkombëtarët të mbledhur në Berlin por shpresonin se Anglia* dhe Italia janë të interesuara për frenimin e pansllavizmin në Detin Mesdhe do të ngrinin zërin në favor të çështjes shqiptare.

Traktati i Shën Stefanit që pasoi me Kongresin e Ndërkombëtareve që do të mbahej në Berlin për gjetur një zgjidhje të arsyeshme dhe të ligjshme në lidhje me “Çështjen e Lindjes” ngjallte shpresën e shqiptarëve se dikush mund të ngrinte zërin dhe të kërkonin drejtësi në emër të tyre. 

Shqiptarët, ishin të bashkuar në një qëndrim, si ata që ishin pjesë e territoreve që prekeshin, po ashtu edhe ata që nuk banonin në këto territore ishin në këmbë, pasi akti cenonte shqiptarët si komb. Ata shpresuan se zëri i ndërkombëtarëve do të jetë pozitiv për çështjen e tyre. Abdyl Frashëri shprehej: ne rast se popujve të Lindjes do t’u jepeshin të drejtat e tyre kombëtare, Evropa do të kishte paqe të qëndrueshme, përndryshe do të hapën dyert e një lufte hakmarrjeje të vazhdueshme. Nëse Fuqitë e Mëdha do të heshtin në kongresin e Berlinit ndaj copëtimit të trojeve shqiptare, populli shqiptarë do të qëndrojë siç ka bërë në të shkuarën me luftëra dhe kryengritje.

VENDIMI I KONGRESIT TË BERLINIT

Më 13 qershor 1878 të mbledhur në Berlinit, Kongresin u kryesua nga kancelari i Perandorisë Gjermane Oto fon Bismark, Rusia (Gorcakov Ministër i Punëve të Jashtme), Anglia (Lordin Beaconsfield), Austria (Kontin Andrassy Minister i Punëve të Jashtme), Italia (Corti ministri i Punëve të Jashtëm), Turqia përfaqësohej prej (Karatheodori Pashës, Mehmet Ali Pashes, dhe ambasadorit në Berlin Sadullah Pasha). Në këtë Kongres Anglia dh Austro-Hungaria bashkëpunonin për të frenuar shtrirjen ruse, ndërsa Franca dhe Italia nuk është se dilnin shumë në skenë. Pas 20 seancash protokollare, më 13 korrik 1878 kongresi miratoi “Traktatit të Berlinit”, i cili zëvendësoi atë të Shën Stefanit dhe zvogëlonte përfitimet territoriale të Rusisë. Gjithsesi, aty përfituan shume vende, si: Rusia; Austro-Hungaria; Anglia dhe 5 shtetet ballkanike, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Rumania dhe Greqia. Ndërsa, synimet dhe shpresat e Italisë për të përfitur një kompensim territorial modest rezultuan të pasuksesshme. Po ashtu, Perandoria Osmane që kishte qene e detyruar të pranonte nënshkrimin e Traktatit të Shën-Stefanit për disa arsye pas disfatës në lufte, ku më kryesorja ishte për të mënjanuar pasojat edhe më të rënda nga përparimi i shpejte i ushtrive ruse drejt Stambollit, ajo pranoi traktatin e Berlinit që iu linte otomanëve më shumë territore sesa parashikonte traktati i Shën Stefanit. Përsa i përkiste “çështjes shqiptare” Britania e Madhe dhe Austro-Hungaria ishin mbrojtëse të Status-Quosë por nuk u treguan dashamirëse në favorizimin e autonomisë së Shqipërisë. 

Kështu, Mbledhja e Kongresit të Berlinit dhe vendimet që u morën ishin në interes të Fuqive të Mëdha pjesëmarrëse. Kongresi nuk i mori parasysh kërkesat e shqiptarëve dhe nuk e trajtoi asnjë nga Fuqitë e Mëdha dhe trojet shqiptare ktheheshin sikur të ishin “terra nullius” – një tokë e kurrkujt- në shërbim për të kënaqur shtete e reja Ballkanike dhe as nuk mor në konsideratë se ky komb i ka rrënjët e lashta etnike dhe nuk ishte shkrirë përgjatë shekujve me luftëra e pushtime të ndryshme. Një ndër figurat e shquara të kohës, Abdyl Frashëri e cilësonte: “një dënim me vdekje kundrejt një populli të tërë”. Shqiptarët e konsideronin të padrejtë vendimin e Fuqive të Mëdha dhe vazhdonin të kundërshtonin me çdo mënyrë Traktatin e Berlinit. Ata bënë përpjekje të vazhdueshme për të shpëtuar vendin nga copëtimi, duke zhvilluar protesta në qytete të ndryshme, dërguan peticione Stambollit dhe diplomateve të huaj, si dhe disa përfaqësues shqiptar iu drejtuan Romes, Vjenës, Berlinit, etj, për të paraqitur programin me kërkesat e shqiptareve në mënyrë që të vinin në dijeni Evropës të gjitha padrejtësitë që u bënë në Kongresin e Berlinit. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Paulin Marku

BASHKIM MUSABELLIU DHE MONDA HAMITAJ DHURUAN 500 USD PËR 110 VJETORIN E VATRËS

June 4, 2022 by s p

Me rastin e 110 vjetorit të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, vatranët fisnikë po japin donacionet e tyre si garanci ekonomike dhe patriotike për një organizim model të kremtimi të Darkës solemne dhe Konferencës Shkencore Ndërkombëtare. Së fundmi Bashkim Musabelliu dhe Monda Hamitaj dhuruan 500 usd për 110 vjetorin e Vatrës. Më herët kanë dhuruar Kryetari i Këshillit të Vatrës Kolec Ndoja 2.200 dollarë, Kryetari i Vatrës Elmi Berisha dhuroi 1 mijë dollarë, Nënkryetari i Vatrës Alfons Grishaj dhuroi 1 mijë dollarë, Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Vatrës Dr. Pashko Camaj dhuroi 1 mijë dollarë, Anëtari i Kryesisë Mondi Rakaj dhuroi 1 mijë dollarë, Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu dhuroi 500 dollarë, Presidenti i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj 500 usd, Nicholas C. Pano 500 usd, Ibrahim Kolari 500 usd dhe Agim Aliçkaj 200 usd.

Vatra fton të gjithë bizneset shqiptare dhe patriotët shqiptarë që ti bashkohen festës së Vatrës jo vetëm me prezencën e tyre, por edhe me fisnikërinë e tyre të dëshmuar me anë të donacioneve me këtë rast.

Konferenca Shkencore Nderkombetare organizohet ditën e Dielë, 12 Qershor 2022, Ora 1: 00 PM, Adresa: “Illyria Community and Wellness Center at Jacobi Hospital -1400 Pelham Parkway South, Rotunda (Next to Building 4), Bronx, NY 10461,” (Salla e Amfiteatrit).

Darka solemne do të organizohet ditën e Dielë, 12 Qershor 2022, Ora 7: 00 PM, Adresa: Villa Barone Manor, 737 Throggs Neck Expy, Bronx, NY 10465.

Hyja për publikun për të marrë pjesë si dëgjues në Konferencën Shkencore Nderkombetare është falas.

Pjesëmarrja në Darkën Solemne kushton 150 usd për person, me të gjitha të përfshira. Një tavolinë ka në përbërje 10-12 persona.

Për çdo informacion personat përgjegjës të kontaktit janë: Besim Malota cel: 917 418 3392 dhe Anton Raja cel: 646 594 4747.

Filed Under: Vatra

110 VJETORI I VATRËS, KOMISIONET PËRGATITORE MBLIDHEN NË VATËR TË DIELËN NË ORËN 3.30 PM

June 4, 2022 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA njofton mbledhjen e Komisioneve të përgatitjeve të 110 vjetorit të Vatrës, në Selinë Qëndrore ditën e Diel më 5 Qershor 2022 në orën 3.30 PM.

• Komisioni i Organizimit të Darkës Solemne për 110 vjetorin e Vatrës:

Besim Malota- Kryetar, Nazo Veliu, Mondi Rakaj, Bashkim Musabelliu, Anton Raja, Agustin Mirakaj, Tasim Ruko, Gëzim Nika, Angjelina Nika, Justin Bajrami, Paulin Mrnaçaj, Drita Vushaj, Ylli Dosku – Anëtarë.

• Komisioni i Organizimit të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare:

Dr. Paulin Marku – Kryetar, Dr. Elton Mara, Dr. Pashko Camaj, Dr. Iris Halili, Marjana Bulku, Sokol Paja- Anëtarë.

Vatra fton biznesin shqiptar në Amerikë të dëshmojë fisnikërinë nëpërmjet dhurimit të fondeve për këtë organizim kaq të veçantë për historinë e shqiptarëve të Amerikës.

Vatra inkurajon çdo vatran që ti bashkohet komisionit të Organizimit të 110 vjetorit me qëllim që të përmbushim pritshmëritë e realizojmë objektivat për këtë organizim jubilar.

Kërkohet pjesëmarrje masive dhe angazhim maksimal në mënyrë që të organizohet në mënyrë sa më dinjitoze 110 vjetori i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA.

Filed Under: Featured

GJON MILI – TAKIMI I DYTË ME PIKASON

June 3, 2022 by s p

Kristaq Balli/

Fotografi i përbotshëm shqiptaro-amerikan (nga Korça, 1904-1984), Gjon Mili ka lënë tashëgim një epope të paçmuar prurjesh e përvojash fotografike që përbëjnë zbulime e kapërxime artistike e teknologjike jo të përkohshme e kalimtare, por që shënuan e do të mbeten bëma e ngjarje madhore në Historinë Botërore të Fotografisë.

Ai vetë është produkt akademik në fushën inxhinierike të elektricitetit dhe optikës elektronike i një prej universiteteve më të zëshëm amerikanë i të gjitha kohrave, MIT (Instituti Teknologjik i Massachusets). Pas përfundimit të studimeve, ai punoi për rreth 10 vjet si inxhinier elektrik në korporatën elektrike “Westinghouse”. Por prirjet dhe pasioni i tij për fotografinë si dhe kontakti e bashkëpunimi me shkencëtarin Herëlld Exherton (Herald Edgerton), pedagog i po atij universiteti e nxitën atë t’i kushtohet studimit dhe aplikimit të teknologjive novatore kryesisht në fushën e ndriçimit fotografik si dhe të fotografimit të objekteve në lëvizje duke harmonizuar shpejtësinë e hapjes së diafragmës me impulsin e dritës elektronike flash (blitz), çka rezultonte, gjithashtu, me foto të cilësive të veçanta fantaziste e artistike. Ky kapërxim i madh teknologjik e artistik u njoh përgjithësisht si “fenomeni stroboskopik” dhe pati jehonë e rezultate mbresëlënëse në evolucionin avanguardist imazherik të viteve ’30 e më tej në SHBA e Europë.

Kësisoj, Gjon Mili la profesionin e tij të inxhinierit dhe filloi kapitullin e ri, shumë të gjatë e po aq të suksesshëm të jetës së tij në fushën e fotografisë. Shumë shpejt, më 1938, ai u gjend në një nga revistat më të njohura amerikane “Life” si fotograf, fotoreporter e esseist, një pozicion që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës në një karierë të admirueshme jo vetëm për personalitetin e tij profesional, por edhe për opinionin e gjerë aristik e kritikën pozitiviste të historianëve dhe studiuesve të Historisë Botërore të Fotografisë, disa prej të cilëve do ta epitetonin si “shqiptari gjenial”, “fotografi i dritës”, “magjistari i fotografisë”, etj., ndërsa vetë Gjon Mili është shprehur: “Brezi im ishte me fat që jetonte në një kohë kur fotografia evoluonte shumë shpejt, duke na detyruar ne të eksperimentonim vazhdimisht dhe të synonim qasje të reja”

Fototeka e Gjon Milit është shumë e madhe dhe e larmishme. Ai ka punuar me intensitet të lartë prodhimtarie, por edhe duke eksperimentuar vazhdimisht në fusha të ndryshme të jetës. Madje mund të shprehemi të sigurt se nuk ka pothuajse fushë të veprimtarisë humane në apogjetë e tyre kohore (si politika, arti, sporti, moda dhe show, peizazhi, portreti, personalitete të shquara të eventeve sociale, kulturore, arkeologjia, arti greko-romak reklama, fotomontazhi, ej.) ku ai jo vetëm të mos jetë përfshirë si fotograf e reporter, por edhe të mos ketë lënë modele të përkryer me një fuqi të veçantë shprehëse artistike. Mjaft prej tyre sot gjenden në muze, institucione dhe koleksione të rëndësishme amerikane, apo të botuara në disa prej katalogëve përfaqësues të historië së fotografisë botërore.

Gjon Mili, veç të tjerash, ka shkruar e botuar edhe dy libra të mrekullueshëm në formën e katalogëve, ku ai spikat jo vetëm si fotograf, por edhe si shkrimtar, të mbushura plot me pathos, befasi, origjinalitet, asociacione letrare, filozofike, vërtetësi, sinqeritet, racionalitet e sidomos me një brerore humanizmi të dëlirë shpirtëror. I pari është libri “Picasso’s Third Dimension” (Dimensioni i Tretë i Pikasos) i botuar më 1970 në formën e një katalogu të ilustruar me foto dhe tekste nga përvojat e takimeve, marrëdhënieve e bashkëpuimit të tij me me Pikason, ndërsa i dyti me titull “Gjon Mili, Photographs & Recollection” (Gjon Mili Fotografi dhe Kujtime), botuar më 1980, është një autobiografi intriguese e ilustruar me disa nga fotot e tij pikante që demonstrojnë rrugën e tij në shtigjet e profesionit të fotografit dhe disa nga nyjet e enigmave të mjeshtërisë së tij të adhuruar. Edhe tekstet joshëse, befasuese e të hirshme risjellin bashkëbisedimet interesante të tij me Pikason dhe i shtojnë lexuesit vlerësimin ndaj fotografisë.

Takimet me piktorin dhe artistin polivalent pamor (madje edhe fotograf, poet e dramaturg) Pikaso (1881-1973) paraqitin në vetevete eksperienca të vyera artistike. Kontakti i parë i Gjon Milit me të në vitin 1949 në Rivierën e Franës, propozimi i Milit dhe pranimi entusiast i Pikasos për të realizuar dhe lançuar të ashtuquajturin fotografim të vizatimit me dritë në errësirë u shndrruan në një surprizë fantastike teknologjike e artistike të paparashikuar, por që do të fitonte shpejt famën e qytetarinë e një teknike dhe arti të paimagjinuar deri atëhere. Një cikël fotosh dyfish artistike, të një piktori si Pikaso që vizatonte me dritëz e me shpejtësi të rrufeshme, të pandërprerë figura mitologjike e fantazmagorike në hapësirën e errët dhe e një fotografi si Gjon Mili që, me manovrat e kombinacionet e tij magjike të lenteve, dritës së padukshme dhe shpejtësive stroboskopike, u botuan shumë shpejt dhe befasuan admiruesit dhe vetë fotografët e shquar të asaj kohe.

Rreth këtyre fotove sensacionale u bë jehonë e madhe, mbi to janë shkruar e botuar artikuj të shumtë afirmativë e entusiastë dhe disa nga këto foto janë integruar tashmë në shumë mënyra në Historinë e Fotografisë Botërore. Ato mbetën shprehje të vizionit të brendshëm inovator të artistit.

Suksesi i takimit të parë të Gjon Milit me Pikason në plazhin Golfe-Juan në La Galloise tek shtëpia e tij në Vallarius të Rivierës franceze, ishte sigurisht pikënisja e një bashkëpnunimi dhe miqësie artistësh që do të vazhdonte gjatë e që do të krijonte shumë mundësi e ngjarje të mëtejshme në aktivitetet e tyre krijuese. Gjon Mili do ta kishte “pikë sublime referimi” Pikason, aktivitetin dhe famën e tij të pazakontë dhe për këtë arsye ai, pas shumë vitesh do të finalizonte një takim tjetër, të dytin, shumë më të mirëpërgatitur, më të gjatë e më gjithëpërfshirës, por edhe me objektiva të përcaktuara. Ndërkohë ata, për ta mbajtur gjallë njohjen e miqësinë, shkëmbenin dendur letra. Në librin “Timebends-A life” (1995), autori i tij Arthur Miller i kushton një pasazh interesant portretit fizik e artistik Gjon Milit, ku, ndër të tjera, kujton edhe faktin që gjatë djegjes katastrofike të studios së madhe të Gjon Milit në Madison Square Park, Nju Jork, bashtë me materiale e vepra të vyera u dogjën edhe letrat e Pikasos dërguar Milit… (Arthur Miller: “Timebends-A life” (1995), p. 495-496).

Nëse takimi i tyre i parë i 1949-s rezultoi i shkurtër, por i bujshëm e u bë i njohur thuajse me progresion gjeometrik, takimi i dytë, pas 18 vitesh, ishte më narrativ e meditativ, më shoqëror, më zhbirues e psikologjik, më profesional dhe me lëvizje në vilën e tij dhe në disa prej muzeve e institucioneve ekspozuese të mjeshtrit spanjoll. Midis kësaj ndërkohe ata flisnin gjithashtu rregullisht në telefon, biseda në të cilat Pikaso dukej i ngazëllyer si një fëmijë dhe shumë i sinqertë, konfindencial e mikpritës bujar.

Takimi i dytë, pra ndodhi në vitin 1967 në rezidencën e tij Notre-Dame-de-Vie në Mougins. Gjon Mili do t’ia dedikonte këtë takim fotografimit dhe interpretimit të krijimeve tredimensionale të Pikasos, si dhe krijimtarisë pikturale të tij në periudhën e mugut të jetës

Shtëpia e Pikasos në Notre-Dame-de-Vie, një ndërtesë e madhe gotike e konstruktuar aty nga vitet ’60, ishte vendosur në një kreshtë kodrinore të mënjanuar e të fshehur thuajse plotësisht nga pemët e ullinjve dhe qiparisët qindvjeçarë duke e shndrruar atë në një mjedis të shenjtë për një figurë të gjallë legjendare, si Pikaso. “Unë nuk e urrej artin sepse nuk mund të jetoj dot pa iu përkushtuar gjithë kohën atij. Unë e dua atë si qëllimin dhe fundin e vetëm të jetës sime”, i thosh Pikaso Gjon Milit. Ndërkaq, teksa Mili humbiste edhe ai në nënvetëdijën e tij artistike për të gjetur kuintesencën psikofizike të Pikasos për ta fotografuar, gruaja (e dytë) e Pikasos, Zhakëlin Roque thosh e lumtur: “Pikaso është një mrekulli, një diell, një fenomen”. Energjik, brilant dhe i paparashikueshëm, Pikaso ishte edhe enigmatik. Askush nuk e mohonte magnetizmin e tij, askush nuk i shmangej dot tërheqjes gravitacionale që ndjente nga prezenca e tij. Më energjik se kurrë, gjallëria e lëvizja shfaqeshin të pandryshuara. Kjo lloj energjie ia bënte shumë të vështirë Gjon Milit fotografimin natyral të portretit. Sapo ai e kuadronte Pikason me fjolën tipike të zhdërvjellët të tymit të cigares mbi fytyrë, ai lëvizte rrufeshëm dhe momenti zhdukej, gjithçka duhej filluar nga e para. Dhe ai thosh me humor: “Unë nuk kam arritur kurrë me përpjekjen e parë…, mënyra e vetme është të shkrepni, të shkrepni mijra për të arritur diçka” (Picasso’s Third Dimension”, p.42.)

Në takimin e dytë Pikaso ishte 86 vjeç, pra i shtyrë në moshë, por me një fizik të shëndetshëm, shulak, vital, i zhdërvjellët e sportiv dhe mendje të kthjellët që e tregonin shumë më të ri. Ai tashmë kishte kishte realizuar udhëtimin e tij spektakolar, ekstravagant e të famshëm krijues duke eksperimentuar me sukses në shumë zhanre, lloje, teknika, materiale, hapësira dy dhe tredimensionale artistike pa u velur, por duke kërkuar vazhdimisht. Si një prej artistëve më të spikatur e më influentë të shek. XX, ai u konfirmua për bashkëthemelimin e lëvizjes kubiste (së bashku me Georges Braque (1882-1963), zbulimin e skulpturës konstruktive, bashkëzbulues i kolazhit dhe një varieteje të gjerë stilesh artistike, në të cilat veprat e tij proto-kubike “Les Demoiselles d’Avignon” (1907) dhe “Guernica” (1937) u bënë një dëshmi artistike dramatike e bombardimit të Guernicës nga forcat ajrore gjermane e italiane. Katigorizimi i veprimtarisë së tij në periudha, si Periudha Blu (1901-1904), Periudha Rozë (1904-1906), Periudha e influencave afrikane dhe primitivizmi (1907-1909), Kubizmi Analitik (1909-1912), Kubizmi sintetik (1912-1919) si dhe Neoklasicizmi e Surrealizmi i viteve ’20 do të pasonte më tej me kombinimin e stileve të mëparshme. Pjelloria stereometrike përgjatë jetës së tij po aq të gjatë, do ta bënte atë të arrinte një personalitet artistik unikal përmes thellësisë artistike revolucionare, si dhe artistin më të famshëm modern të gjallë të shek. XX. Robert Hughes, një prej kritikëve më të famshëm kontemporanë në botë (1938-2012) është shprehur për të : “ Të thuash se Pablo Pikaso e dominoi artin perëndimor në shek. XX është e zakonshme, por akoma më shqeto…, asnjë piktor apo skulptor, madje as Mikelanxhelo, nuk ka qenë aq i famshëm se kaq, gjatë jetës së tij…”

Punimet e tij të fundit ishin kryesisht në pikturë, ku ai punoi me stile të përziera, abstrakte, si dhe instalacione moderne abstraksioniste. Një ndër to, “Çikago Pikaso”, ishte skulptura instalacioniste, 15 m.e lartë e porositur nga qytetarët e Çikagos për t’u vendosur në një shesh impozant të qendrës së tij më 1967. E vlerësuar 100.000 $ me vlerën e atëhershme, ai nuk e pranoi shpërblimin, por e konsideroi veprën e tij si dhuratë për qytetarët e Çikagos. Pikturat e fundit të tij, kryesisht erotike, apo të një nostalgjie rinore pararendën fillimin e Neo-ekspresionizmit nga Ekspresionizmi abstrakt.

Kati i poshtëm i shtëpisë së Pikasos në Notre-Dame-de-Vie, i konceptuar si një shpellë, apo zgavër gjigande me mure të trashë gurësh dhe me qemerë e kupola të pasuvatuara, që shërbenin edhe si themelί e bazamente për shtëpinë, me dritare të mëdha me harqe, gjithashtu, ishte përshtatur nga Pikaso si një studio, punishte, depo dhe muze privat, njëheresh. Për Gjon Milin, përballja e parë me këtë pamje ishte e paimagjinueshme, ajo e befasoi dhe i krijoi idenë e një situate fantastike por edhe tepër komplekse e një kakafoni konfuzioni. Por, gjithsesi, ajo i ndezi edhe shkëndijën e një vizioni artistik se kjo guvë e vërtetë pasurish të paçmuara do të ishte, për fatin e tij, objektivi i papërsëritshëm i lenteve dhe imagjinatës së tij.

Prej disa kohësh Pikaso i kishte i kishte zhvendosur të gjitha mobiljet, pikturat dhe skulpturat nga vendbanimet e tjera në Mougins. Një pjesë të madhe prej tyre ishin vendosur përgjatë korridoreve, apo bërë kapicë në çdo hapësirë të mundshme. Një shkallë spirale bashkonte katin kryesor me punishten. GJon Mili e krijon kështu situatën skenografike të studios së Pikasos

“…Gjiganti metamorfik “Gruaja me Karrocë Fëmije”, një stivë pikturash njera pas tjetrës të lëna rrëmujë, tavaloca me piktura, arka të pahapura me vepra të kthyera nga ekspozitat, kuti me libra…, artikuj e letra (një pjesë e të cilave i përkisnin dekadave të shkuara), kuti të tjera të mbushura me mbeturina, një tualet i thyer, forma origjinale e dashit të famshëm të tij, nga e cla kishte mbetur vetëm koka e vendosur në një vazo, statujat, sidomos koka, konstruksione metalike mbi tavolina gjithsoj, apo të shpërndara pa rregull mbi dysheme, një pëllumb dhe një buf, një grumbull monedhash me shkëlqim tundues në një arkë të vjetër të paprekura prej vitesh, një vajzë shkolle krenare mbi një platformë rrotulluese, një model me përmasat e një kukulle e Katerinës, vajzës thjeshtër të Pikasos në rivalitet vëmendjeje të një të të riu me madhësi natyrale, të lidhur me litar, modeli i dorës së majtë të Dora Maar dhe përbri saj një statujë e vogël e një gruaje me kapele, një çift argëtues majmunësh prej metali, një grup i madh modelesh origjinalë apo mbeturina prej allçie që ishin vendosur në një qoshk, mbi dysheme, torse, kallëpi i dyfishtë i një burri me dele, dy versione të një gruaje shtatzënë, një nga dy statujat e “Shërbëtorit” të Mikelanxhelos të destinuara për të dekoruar interierin e punishtes…dhe pluhuri i paprekur që mbulonte gjithçka. Si një balsam qetësues, ai i vishte monumentet me nostalgji, me poezi…Spektakli i objekteve origjinalë, shumica e të cilëve kishin katandisur në mbeturina të thyera e të hedhura pa kujdes në punishten e tij të madhe më tronditën. Unë ndjeva një thirrje të brendshme për të bërë diçka me këto mrekulli, të cilat Pikaso, edhe pse zotëruesi tyre artistik, ishte ngurrues” (Picasso’s Third Dimension”), p.10.

Por, Pikaso e konsideronte këtë konfuzion të përgjithshëm si një akt të mirëfilltë krijimi që nuk duhej ngatërruar me asnjë motiv tjetër dhe as i bëhej vonë.

Kështu, Gjon Mili, i befasuar, por edhe i ngazëllyer për këtë skenografi konvencionale e gjithëkohore filloi punën e tij për fotografimin e veprave të Pikasos. Seancat e gjata me ngarkesë të dyfishtë fizike e mendore, përqëndrimi dhe përpjekja për të reflektuar edhe pikpamjet e tij teknike e artistike mbi mënyrën e fotografimit të pikturave, por sidomos të skulpturave për të dhënë sa më realisht mishërimin konceptual të skulptorit mbi veprën etij, e detyronin atë të mendonte e abstragonte gjatë para se të realizonte fotografitë e tij. Kjo është edhe arsyeja, pse ai qëndroi në shtëpinë e Pikasos më gjatë se sa e kish parashikuar, pasi angazhimi dhe përgjegjësia për të paraqitur vizualisht veprat e Pikasos duhej t’i përgjigjej lartësisë e madhështisë së vetë veprave të tij. Nga ana tjetër, Gjon Mili kishte pikësynimin që të realizonte një libër origjinal mbi Pikason, pasi ai i kishte hyrë në mendje e në zemër jo vetëm për marrëdhëniet dhe miqësinë me të, por sidomos për inspirimin e vazhdueshëm që i krijonte afiniteti i përjetimeve artistike me Pikason, afinitet i cili ishte konfirmuar plotësisht që në takimin e tyre të parë, më 1949 kur të dy realizuan fotot unike “Vizatime me dritë”.

Sipas vlerësimit të Gjon Milit, artisti më i njohur i kohës së tij, Pikaso, më i imituari, më i zhbiruari, vazhdon me intensitet të krijojë vepra më kontraversale se kurrë. Shumë prej veprave të tij të hershme, duke qenë realiste, nuk shfaqën problem në vlerësim. Përkundër, instalacionet dhe konstruksionet e tij të fundit, nudot anormale dhe krijimet metamorfike, në të cilat ai deformon me paramendim natyrën mund të hutojë mendjet. Pikaso është dikush që nuk i bën gjërat të thjeshta. Eshtë e kuptueshme se ai është shokues, në lëvizje dhe të befason, pra në thelb, ju bën të mendoheni. Ai thotë: “Unë dëshiroj të vizatoj shpirtin në një drejtim tek i cili nuk jemi mësuar dhe ta zgjoj atë”(Po aty, p.76). Për shkak të asaj çka Pikaso kish bërë ishte shqetësuese, ajo ngjallte një reaksion, madje zemëratë që binte ndesh me realitetin e tij të pazakontë. Megjithatë kërkimi i vazhdueshëm i tij nuk u zbeh, nuk dështoi të mbajë interesin dhe dhimbjen e thellë me zemrën humane. Madje pasi bashkonte artifaktet e tij të papërputhshme, apo krijonte format surreale, ide të reja i buisnin, mesazhi i tij i përshkëndiste trurin.

Ndërkohë që Gjon Mili fotografonte e meditonte për veprat e Pikasos, apo gjatë pushimeve të shkurtra shplodhëse, Pikaso merrej me një punë tjetër. Në copa të vogla filmash diapozitivë, ai gërvishtte me bisturi, apo gjilpërë, madje duke i kombinuar edhe me ngjyrosje, minivizatime të thjeshta realiste apo abstrakte me shumë fantazi e finesë krijuese, që e shplodhnin atë, por, gjithashtu që krijonin vepra të vërteta arti, që në fotografi duken, madje, si punime me dimensione të mëdha.

Në refleksionet e tij profesionale për mënyrën dhe mundësitë krijuese të fotografimit të veprave të Pikasos, Gjon Mili bluante në kokë argumente të ndryshme për krijimet në pikturë dhe ato në skulpturë. Piktura realiste, duke qenë e sheshtë (dydimensionale) mund të shikohej vetëm nga përpara dhe krijonte një përshtypje të vetme. Kurse piktura kubiste mund të pasqyronte në të njëjtin plan disa dimensione të të njëjtit objekt dhe mund të shmangte perspektivën. Po ashtu, një skulpturë (tredimensionale) duhej vështruar e studiuar nga të gjitha anët. Kjo situatë të fton të jesh në komunikim të pandërprerë; ajo ndryshon nga mënyra e ndriçimit dhe nga këndi i vështrimit. Ajo kërkon të zbulohet. Në skulpturën kubiste, ashtu si në arkitekturë hapësira është e kufizuar me fragmentime, të cilat krijojnë boshllëqe, por edhe pengesa të paevitueshme. Ndaj dhe mënyra e teknikat e fotografimit duhen të përshtaten sa më mirë me zhanrin e artit pamor. Në kolazhet dhe instalacionet, ku konceptet kubiste dominojnë tërësisht nënvetëdijën e tij, Pikaso krijoi fantazinë tredimensionale të kombinimit me materiale të përziera. Kështu, “…punimet e tij prej druri janë fëminore, por idetë e tij ikonoklastike, shijet dhe guximi janë triumfale.”(Alfred H. Barr, JR.: Picasso, Fifty Years of His Art, p.87). Disa prej veprave kubiste me dimensione të vogla origjinale të Pikasos, janë zmadhuar me material guri apo betoni të ngjyrosur dhe janë vendosur në mjedise të jashtme të disa muzeve si skulptura parku e monumente publike. Kështu ka bërë, psh Carl Nesjar, një skulptor norvegjez me veprat “Gruaja me Krahë të Shtrira” dhe “Katër njerëz” (Muzeu i Artit Modern, Stokholm).

Ditë e seanca të gjata pune me ngarkesa e përgjegjësi profesionale ishin të lodhshme e stresuese për Gjon Milin. Për secilën vepër, ai përpiqej të gjente aspektin grafik simbiotik të fotografimit duke diskutur edhe me Pikason, apo duke u rrekur gjatë me vetminë e tij në atë mjedis të tejmbushur me pjellat krijuese të Pikasos. Qëllimi i tij për të shkruar një vepër që do të paraqiste një vështrim të freskët unik ndaj artit tredimensional të Pikasos, e impenjonte atë të punonte në mënyrë metodike të hollësishme e në detaje jo vetëm në studimin artistik, por madje duke kryer edhe të gjitha matjet, detajet e dimensionet e çdo vepre. Fotot penetruese të Milit për statujat, kolazhet, qeramikën, instalacionet, etj. tentonin që nëpërmjet pamjes së jashtme të zbulonin brendinë e intrigën që fshihej mes tyre.

Puna e Milit për fotografimin e veprave të Pikasos në ateljenë e tij në Mougins zgjati disa javë. Më tej ajo u plotësua në Tate Galery, Londër dhe në Muzeun e Artit Modern, Nju York, ku disa prej statujave, kolazheve, konstruksioneve dhe instalacioneve ishin ekspozuar aso kohe. Ai shkoi, gjithashtu, në Stokholm në kërkim të gjigantëve prej betoni, po ashtu edhe në Horta de Ebro – një fshat me “pamje purgatori” në Tarragona në Spanjë për të mbledhur kujtime nga rinia e Pikasos, si dhe në Bateau Lavoir, Montmartre, Paris, ku Pikaso jetoi aty gjatë viteve 1904-1909 në shoqërinë e modelies së tij të preferuar, Fernande Olivier.

Takimet, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi profesional e miqësor i Gjon Milit me Pikason, e në mënyrë të posaçme libri “Picasso’s Third Dimension” i Gjon Milit mbartin vlera e impakte të shumëfishta për opinionin artistik. Pa vendosur shenja barazimi, së pari ato janë dëshmi të një bashkëpunimi midis dy artistëve me famë botërore e shumë karizmatikë, që evidencuan disa prej tendencave të artit avanguardist të kubizmit, surealizmit, skulpturës konstruktive, kolazhit dhe instalacionit tredimensional si risi e rrymave abstraksioniste me përmbajtje filozofike, politike, sociale e spaciale në kërkim të një dimensioni tjetër, pra të kohës . Nga ana tjetër, deri në kohën që Gjon Mili fotografoi skulpurat, Pikaso nuk ishte aq i ekspozuar si skulptor, ndaj fotot e Gjon Milit, pse jo, veçanërisht libri i tij kushtuar Pikasos influencuan në rritjen eksponenciale të promovimit të tyre duke u vendosur përfundimisht në disa ekspozita dhe muze të mirënjohur, si në “Muzeun Picasso” Paris, 1985, në Muzeun e Artit Modern (MoMA, që cilësohet figurativisht si shtëpia që ndërtoi Pikaso), Nju Jork, në Spanjë, Angli, Norvegji, etj. Gjon Mili ishte shpirti binjak artistik i Pikasos. Mili me fotot e tij të famshme “Vizatim në Hapësirë” (1949) dhe Pikaso me pikturën dhe skulpturën e tij abstraksioniste kishin thyer “tabu-në” e gjeometrisë euklidiane jo shkencërisht, por vizualisht e artistikisht. Për Gjon Milin Pikaso është vetëm njëri prej më se 100 artistëve amerikanë e europianë me famë botërore, për të cilët ai ka realizuar cikle fotografike dhe esse letrare. Një prej kryeveprave të Pikasos, “Autoportet”, është bazuar në foton që Mili i ka bërë atij dhe është vendosur mbi kopertinën e librit të Milit kushtuar Pikasos. Guximi dhe pjesa e krijimtarisë së Gjon Milit dedikuar Pikasos është një prej kontributeve të tij madhore në reflektimet e tij për artin pamor modern të shek XX, çka tregon se ai, veç të tjerash, ishte një intelektual dhe artist i niveleve sipërore, me një botëkuptim kërkues e të avancuar drejt të ardhmes. Edhe sot ai cilësohet nga kritika dhe historianët e artit si një prej artistëve shqiptaro-amerikanë që ka rrënjë të thella në artin botëror.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT