Kristaq Balli/
Fotografi i përbotshëm shqiptaro-amerikan (nga Korça, 1904-1984), Gjon Mili ka lënë tashëgim një epope të paçmuar prurjesh e përvojash fotografike që përbëjnë zbulime e kapërxime artistike e teknologjike jo të përkohshme e kalimtare, por që shënuan e do të mbeten bëma e ngjarje madhore në Historinë Botërore të Fotografisë.
Ai vetë është produkt akademik në fushën inxhinierike të elektricitetit dhe optikës elektronike i një prej universiteteve më të zëshëm amerikanë i të gjitha kohrave, MIT (Instituti Teknologjik i Massachusets). Pas përfundimit të studimeve, ai punoi për rreth 10 vjet si inxhinier elektrik në korporatën elektrike “Westinghouse”. Por prirjet dhe pasioni i tij për fotografinë si dhe kontakti e bashkëpunimi me shkencëtarin Herëlld Exherton (Herald Edgerton), pedagog i po atij universiteti e nxitën atë t’i kushtohet studimit dhe aplikimit të teknologjive novatore kryesisht në fushën e ndriçimit fotografik si dhe të fotografimit të objekteve në lëvizje duke harmonizuar shpejtësinë e hapjes së diafragmës me impulsin e dritës elektronike flash (blitz), çka rezultonte, gjithashtu, me foto të cilësive të veçanta fantaziste e artistike. Ky kapërxim i madh teknologjik e artistik u njoh përgjithësisht si “fenomeni stroboskopik” dhe pati jehonë e rezultate mbresëlënëse në evolucionin avanguardist imazherik të viteve ’30 e më tej në SHBA e Europë.
Kësisoj, Gjon Mili la profesionin e tij të inxhinierit dhe filloi kapitullin e ri, shumë të gjatë e po aq të suksesshëm të jetës së tij në fushën e fotografisë. Shumë shpejt, më 1938, ai u gjend në një nga revistat më të njohura amerikane “Life” si fotograf, fotoreporter e esseist, një pozicion që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës në një karierë të admirueshme jo vetëm për personalitetin e tij profesional, por edhe për opinionin e gjerë aristik e kritikën pozitiviste të historianëve dhe studiuesve të Historisë Botërore të Fotografisë, disa prej të cilëve do ta epitetonin si “shqiptari gjenial”, “fotografi i dritës”, “magjistari i fotografisë”, etj., ndërsa vetë Gjon Mili është shprehur: “Brezi im ishte me fat që jetonte në një kohë kur fotografia evoluonte shumë shpejt, duke na detyruar ne të eksperimentonim vazhdimisht dhe të synonim qasje të reja”
Fototeka e Gjon Milit është shumë e madhe dhe e larmishme. Ai ka punuar me intensitet të lartë prodhimtarie, por edhe duke eksperimentuar vazhdimisht në fusha të ndryshme të jetës. Madje mund të shprehemi të sigurt se nuk ka pothuajse fushë të veprimtarisë humane në apogjetë e tyre kohore (si politika, arti, sporti, moda dhe show, peizazhi, portreti, personalitete të shquara të eventeve sociale, kulturore, arkeologjia, arti greko-romak reklama, fotomontazhi, ej.) ku ai jo vetëm të mos jetë përfshirë si fotograf e reporter, por edhe të mos ketë lënë modele të përkryer me një fuqi të veçantë shprehëse artistike. Mjaft prej tyre sot gjenden në muze, institucione dhe koleksione të rëndësishme amerikane, apo të botuara në disa prej katalogëve përfaqësues të historië së fotografisë botërore.
Gjon Mili, veç të tjerash, ka shkruar e botuar edhe dy libra të mrekullueshëm në formën e katalogëve, ku ai spikat jo vetëm si fotograf, por edhe si shkrimtar, të mbushura plot me pathos, befasi, origjinalitet, asociacione letrare, filozofike, vërtetësi, sinqeritet, racionalitet e sidomos me një brerore humanizmi të dëlirë shpirtëror. I pari është libri “Picasso’s Third Dimension” (Dimensioni i Tretë i Pikasos) i botuar më 1970 në formën e një katalogu të ilustruar me foto dhe tekste nga përvojat e takimeve, marrëdhënieve e bashkëpuimit të tij me me Pikason, ndërsa i dyti me titull “Gjon Mili, Photographs & Recollection” (Gjon Mili Fotografi dhe Kujtime), botuar më 1980, është një autobiografi intriguese e ilustruar me disa nga fotot e tij pikante që demonstrojnë rrugën e tij në shtigjet e profesionit të fotografit dhe disa nga nyjet e enigmave të mjeshtërisë së tij të adhuruar. Edhe tekstet joshëse, befasuese e të hirshme risjellin bashkëbisedimet interesante të tij me Pikason dhe i shtojnë lexuesit vlerësimin ndaj fotografisë.
Takimet me piktorin dhe artistin polivalent pamor (madje edhe fotograf, poet e dramaturg) Pikaso (1881-1973) paraqitin në vetevete eksperienca të vyera artistike. Kontakti i parë i Gjon Milit me të në vitin 1949 në Rivierën e Franës, propozimi i Milit dhe pranimi entusiast i Pikasos për të realizuar dhe lançuar të ashtuquajturin fotografim të vizatimit me dritë në errësirë u shndrruan në një surprizë fantastike teknologjike e artistike të paparashikuar, por që do të fitonte shpejt famën e qytetarinë e një teknike dhe arti të paimagjinuar deri atëhere. Një cikël fotosh dyfish artistike, të një piktori si Pikaso që vizatonte me dritëz e me shpejtësi të rrufeshme, të pandërprerë figura mitologjike e fantazmagorike në hapësirën e errët dhe e një fotografi si Gjon Mili që, me manovrat e kombinacionet e tij magjike të lenteve, dritës së padukshme dhe shpejtësive stroboskopike, u botuan shumë shpejt dhe befasuan admiruesit dhe vetë fotografët e shquar të asaj kohe.
Rreth këtyre fotove sensacionale u bë jehonë e madhe, mbi to janë shkruar e botuar artikuj të shumtë afirmativë e entusiastë dhe disa nga këto foto janë integruar tashmë në shumë mënyra në Historinë e Fotografisë Botërore. Ato mbetën shprehje të vizionit të brendshëm inovator të artistit.
Suksesi i takimit të parë të Gjon Milit me Pikason në plazhin Golfe-Juan në La Galloise tek shtëpia e tij në Vallarius të Rivierës franceze, ishte sigurisht pikënisja e një bashkëpnunimi dhe miqësie artistësh që do të vazhdonte gjatë e që do të krijonte shumë mundësi e ngjarje të mëtejshme në aktivitetet e tyre krijuese. Gjon Mili do ta kishte “pikë sublime referimi” Pikason, aktivitetin dhe famën e tij të pazakontë dhe për këtë arsye ai, pas shumë vitesh do të finalizonte një takim tjetër, të dytin, shumë më të mirëpërgatitur, më të gjatë e më gjithëpërfshirës, por edhe me objektiva të përcaktuara. Ndërkohë ata, për ta mbajtur gjallë njohjen e miqësinë, shkëmbenin dendur letra. Në librin “Timebends-A life” (1995), autori i tij Arthur Miller i kushton një pasazh interesant portretit fizik e artistik Gjon Milit, ku, ndër të tjera, kujton edhe faktin që gjatë djegjes katastrofike të studios së madhe të Gjon Milit në Madison Square Park, Nju Jork, bashtë me materiale e vepra të vyera u dogjën edhe letrat e Pikasos dërguar Milit… (Arthur Miller: “Timebends-A life” (1995), p. 495-496).
Nëse takimi i tyre i parë i 1949-s rezultoi i shkurtër, por i bujshëm e u bë i njohur thuajse me progresion gjeometrik, takimi i dytë, pas 18 vitesh, ishte më narrativ e meditativ, më shoqëror, më zhbirues e psikologjik, më profesional dhe me lëvizje në vilën e tij dhe në disa prej muzeve e institucioneve ekspozuese të mjeshtrit spanjoll. Midis kësaj ndërkohe ata flisnin gjithashtu rregullisht në telefon, biseda në të cilat Pikaso dukej i ngazëllyer si një fëmijë dhe shumë i sinqertë, konfindencial e mikpritës bujar.
Takimi i dytë, pra ndodhi në vitin 1967 në rezidencën e tij Notre-Dame-de-Vie në Mougins. Gjon Mili do t’ia dedikonte këtë takim fotografimit dhe interpretimit të krijimeve tredimensionale të Pikasos, si dhe krijimtarisë pikturale të tij në periudhën e mugut të jetës
Shtëpia e Pikasos në Notre-Dame-de-Vie, një ndërtesë e madhe gotike e konstruktuar aty nga vitet ’60, ishte vendosur në një kreshtë kodrinore të mënjanuar e të fshehur thuajse plotësisht nga pemët e ullinjve dhe qiparisët qindvjeçarë duke e shndrruar atë në një mjedis të shenjtë për një figurë të gjallë legjendare, si Pikaso. “Unë nuk e urrej artin sepse nuk mund të jetoj dot pa iu përkushtuar gjithë kohën atij. Unë e dua atë si qëllimin dhe fundin e vetëm të jetës sime”, i thosh Pikaso Gjon Milit. Ndërkaq, teksa Mili humbiste edhe ai në nënvetëdijën e tij artistike për të gjetur kuintesencën psikofizike të Pikasos për ta fotografuar, gruaja (e dytë) e Pikasos, Zhakëlin Roque thosh e lumtur: “Pikaso është një mrekulli, një diell, një fenomen”. Energjik, brilant dhe i paparashikueshëm, Pikaso ishte edhe enigmatik. Askush nuk e mohonte magnetizmin e tij, askush nuk i shmangej dot tërheqjes gravitacionale që ndjente nga prezenca e tij. Më energjik se kurrë, gjallëria e lëvizja shfaqeshin të pandryshuara. Kjo lloj energjie ia bënte shumë të vështirë Gjon Milit fotografimin natyral të portretit. Sapo ai e kuadronte Pikason me fjolën tipike të zhdërvjellët të tymit të cigares mbi fytyrë, ai lëvizte rrufeshëm dhe momenti zhdukej, gjithçka duhej filluar nga e para. Dhe ai thosh me humor: “Unë nuk kam arritur kurrë me përpjekjen e parë…, mënyra e vetme është të shkrepni, të shkrepni mijra për të arritur diçka” (Picasso’s Third Dimension”, p.42.)
Në takimin e dytë Pikaso ishte 86 vjeç, pra i shtyrë në moshë, por me një fizik të shëndetshëm, shulak, vital, i zhdërvjellët e sportiv dhe mendje të kthjellët që e tregonin shumë më të ri. Ai tashmë kishte kishte realizuar udhëtimin e tij spektakolar, ekstravagant e të famshëm krijues duke eksperimentuar me sukses në shumë zhanre, lloje, teknika, materiale, hapësira dy dhe tredimensionale artistike pa u velur, por duke kërkuar vazhdimisht. Si një prej artistëve më të spikatur e më influentë të shek. XX, ai u konfirmua për bashkëthemelimin e lëvizjes kubiste (së bashku me Georges Braque (1882-1963), zbulimin e skulpturës konstruktive, bashkëzbulues i kolazhit dhe një varieteje të gjerë stilesh artistike, në të cilat veprat e tij proto-kubike “Les Demoiselles d’Avignon” (1907) dhe “Guernica” (1937) u bënë një dëshmi artistike dramatike e bombardimit të Guernicës nga forcat ajrore gjermane e italiane. Katigorizimi i veprimtarisë së tij në periudha, si Periudha Blu (1901-1904), Periudha Rozë (1904-1906), Periudha e influencave afrikane dhe primitivizmi (1907-1909), Kubizmi Analitik (1909-1912), Kubizmi sintetik (1912-1919) si dhe Neoklasicizmi e Surrealizmi i viteve ’20 do të pasonte më tej me kombinimin e stileve të mëparshme. Pjelloria stereometrike përgjatë jetës së tij po aq të gjatë, do ta bënte atë të arrinte një personalitet artistik unikal përmes thellësisë artistike revolucionare, si dhe artistin më të famshëm modern të gjallë të shek. XX. Robert Hughes, një prej kritikëve më të famshëm kontemporanë në botë (1938-2012) është shprehur për të : “ Të thuash se Pablo Pikaso e dominoi artin perëndimor në shek. XX është e zakonshme, por akoma më shqeto…, asnjë piktor apo skulptor, madje as Mikelanxhelo, nuk ka qenë aq i famshëm se kaq, gjatë jetës së tij…”
Punimet e tij të fundit ishin kryesisht në pikturë, ku ai punoi me stile të përziera, abstrakte, si dhe instalacione moderne abstraksioniste. Një ndër to, “Çikago Pikaso”, ishte skulptura instalacioniste, 15 m.e lartë e porositur nga qytetarët e Çikagos për t’u vendosur në një shesh impozant të qendrës së tij më 1967. E vlerësuar 100.000 $ me vlerën e atëhershme, ai nuk e pranoi shpërblimin, por e konsideroi veprën e tij si dhuratë për qytetarët e Çikagos. Pikturat e fundit të tij, kryesisht erotike, apo të një nostalgjie rinore pararendën fillimin e Neo-ekspresionizmit nga Ekspresionizmi abstrakt.
Kati i poshtëm i shtëpisë së Pikasos në Notre-Dame-de-Vie, i konceptuar si një shpellë, apo zgavër gjigande me mure të trashë gurësh dhe me qemerë e kupola të pasuvatuara, që shërbenin edhe si themelί e bazamente për shtëpinë, me dritare të mëdha me harqe, gjithashtu, ishte përshtatur nga Pikaso si një studio, punishte, depo dhe muze privat, njëheresh. Për Gjon Milin, përballja e parë me këtë pamje ishte e paimagjinueshme, ajo e befasoi dhe i krijoi idenë e një situate fantastike por edhe tepër komplekse e një kakafoni konfuzioni. Por, gjithsesi, ajo i ndezi edhe shkëndijën e një vizioni artistik se kjo guvë e vërtetë pasurish të paçmuara do të ishte, për fatin e tij, objektivi i papërsëritshëm i lenteve dhe imagjinatës së tij.
Prej disa kohësh Pikaso i kishte i kishte zhvendosur të gjitha mobiljet, pikturat dhe skulpturat nga vendbanimet e tjera në Mougins. Një pjesë të madhe prej tyre ishin vendosur përgjatë korridoreve, apo bërë kapicë në çdo hapësirë të mundshme. Një shkallë spirale bashkonte katin kryesor me punishten. GJon Mili e krijon kështu situatën skenografike të studios së Pikasos
“…Gjiganti metamorfik “Gruaja me Karrocë Fëmije”, një stivë pikturash njera pas tjetrës të lëna rrëmujë, tavaloca me piktura, arka të pahapura me vepra të kthyera nga ekspozitat, kuti me libra…, artikuj e letra (një pjesë e të cilave i përkisnin dekadave të shkuara), kuti të tjera të mbushura me mbeturina, një tualet i thyer, forma origjinale e dashit të famshëm të tij, nga e cla kishte mbetur vetëm koka e vendosur në një vazo, statujat, sidomos koka, konstruksione metalike mbi tavolina gjithsoj, apo të shpërndara pa rregull mbi dysheme, një pëllumb dhe një buf, një grumbull monedhash me shkëlqim tundues në një arkë të vjetër të paprekura prej vitesh, një vajzë shkolle krenare mbi një platformë rrotulluese, një model me përmasat e një kukulle e Katerinës, vajzës thjeshtër të Pikasos në rivalitet vëmendjeje të një të të riu me madhësi natyrale, të lidhur me litar, modeli i dorës së majtë të Dora Maar dhe përbri saj një statujë e vogël e një gruaje me kapele, një çift argëtues majmunësh prej metali, një grup i madh modelesh origjinalë apo mbeturina prej allçie që ishin vendosur në një qoshk, mbi dysheme, torse, kallëpi i dyfishtë i një burri me dele, dy versione të një gruaje shtatzënë, një nga dy statujat e “Shërbëtorit” të Mikelanxhelos të destinuara për të dekoruar interierin e punishtes…dhe pluhuri i paprekur që mbulonte gjithçka. Si një balsam qetësues, ai i vishte monumentet me nostalgji, me poezi…Spektakli i objekteve origjinalë, shumica e të cilëve kishin katandisur në mbeturina të thyera e të hedhura pa kujdes në punishten e tij të madhe më tronditën. Unë ndjeva një thirrje të brendshme për të bërë diçka me këto mrekulli, të cilat Pikaso, edhe pse zotëruesi tyre artistik, ishte ngurrues” (Picasso’s Third Dimension”), p.10.
Por, Pikaso e konsideronte këtë konfuzion të përgjithshëm si një akt të mirëfilltë krijimi që nuk duhej ngatërruar me asnjë motiv tjetër dhe as i bëhej vonë.
Kështu, Gjon Mili, i befasuar, por edhe i ngazëllyer për këtë skenografi konvencionale e gjithëkohore filloi punën e tij për fotografimin e veprave të Pikasos. Seancat e gjata me ngarkesë të dyfishtë fizike e mendore, përqëndrimi dhe përpjekja për të reflektuar edhe pikpamjet e tij teknike e artistike mbi mënyrën e fotografimit të pikturave, por sidomos të skulpturave për të dhënë sa më realisht mishërimin konceptual të skulptorit mbi veprën etij, e detyronin atë të mendonte e abstragonte gjatë para se të realizonte fotografitë e tij. Kjo është edhe arsyeja, pse ai qëndroi në shtëpinë e Pikasos më gjatë se sa e kish parashikuar, pasi angazhimi dhe përgjegjësia për të paraqitur vizualisht veprat e Pikasos duhej t’i përgjigjej lartësisë e madhështisë së vetë veprave të tij. Nga ana tjetër, Gjon Mili kishte pikësynimin që të realizonte një libër origjinal mbi Pikason, pasi ai i kishte hyrë në mendje e në zemër jo vetëm për marrëdhëniet dhe miqësinë me të, por sidomos për inspirimin e vazhdueshëm që i krijonte afiniteti i përjetimeve artistike me Pikason, afinitet i cili ishte konfirmuar plotësisht që në takimin e tyre të parë, më 1949 kur të dy realizuan fotot unike “Vizatime me dritë”.
Sipas vlerësimit të Gjon Milit, artisti më i njohur i kohës së tij, Pikaso, më i imituari, më i zhbiruari, vazhdon me intensitet të krijojë vepra më kontraversale se kurrë. Shumë prej veprave të tij të hershme, duke qenë realiste, nuk shfaqën problem në vlerësim. Përkundër, instalacionet dhe konstruksionet e tij të fundit, nudot anormale dhe krijimet metamorfike, në të cilat ai deformon me paramendim natyrën mund të hutojë mendjet. Pikaso është dikush që nuk i bën gjërat të thjeshta. Eshtë e kuptueshme se ai është shokues, në lëvizje dhe të befason, pra në thelb, ju bën të mendoheni. Ai thotë: “Unë dëshiroj të vizatoj shpirtin në një drejtim tek i cili nuk jemi mësuar dhe ta zgjoj atë”(Po aty, p.76). Për shkak të asaj çka Pikaso kish bërë ishte shqetësuese, ajo ngjallte një reaksion, madje zemëratë që binte ndesh me realitetin e tij të pazakontë. Megjithatë kërkimi i vazhdueshëm i tij nuk u zbeh, nuk dështoi të mbajë interesin dhe dhimbjen e thellë me zemrën humane. Madje pasi bashkonte artifaktet e tij të papërputhshme, apo krijonte format surreale, ide të reja i buisnin, mesazhi i tij i përshkëndiste trurin.
Ndërkohë që Gjon Mili fotografonte e meditonte për veprat e Pikasos, apo gjatë pushimeve të shkurtra shplodhëse, Pikaso merrej me një punë tjetër. Në copa të vogla filmash diapozitivë, ai gërvishtte me bisturi, apo gjilpërë, madje duke i kombinuar edhe me ngjyrosje, minivizatime të thjeshta realiste apo abstrakte me shumë fantazi e finesë krijuese, që e shplodhnin atë, por, gjithashtu që krijonin vepra të vërteta arti, që në fotografi duken, madje, si punime me dimensione të mëdha.
Në refleksionet e tij profesionale për mënyrën dhe mundësitë krijuese të fotografimit të veprave të Pikasos, Gjon Mili bluante në kokë argumente të ndryshme për krijimet në pikturë dhe ato në skulpturë. Piktura realiste, duke qenë e sheshtë (dydimensionale) mund të shikohej vetëm nga përpara dhe krijonte një përshtypje të vetme. Kurse piktura kubiste mund të pasqyronte në të njëjtin plan disa dimensione të të njëjtit objekt dhe mund të shmangte perspektivën. Po ashtu, një skulpturë (tredimensionale) duhej vështruar e studiuar nga të gjitha anët. Kjo situatë të fton të jesh në komunikim të pandërprerë; ajo ndryshon nga mënyra e ndriçimit dhe nga këndi i vështrimit. Ajo kërkon të zbulohet. Në skulpturën kubiste, ashtu si në arkitekturë hapësira është e kufizuar me fragmentime, të cilat krijojnë boshllëqe, por edhe pengesa të paevitueshme. Ndaj dhe mënyra e teknikat e fotografimit duhen të përshtaten sa më mirë me zhanrin e artit pamor. Në kolazhet dhe instalacionet, ku konceptet kubiste dominojnë tërësisht nënvetëdijën e tij, Pikaso krijoi fantazinë tredimensionale të kombinimit me materiale të përziera. Kështu, “…punimet e tij prej druri janë fëminore, por idetë e tij ikonoklastike, shijet dhe guximi janë triumfale.”(Alfred H. Barr, JR.: Picasso, Fifty Years of His Art, p.87). Disa prej veprave kubiste me dimensione të vogla origjinale të Pikasos, janë zmadhuar me material guri apo betoni të ngjyrosur dhe janë vendosur në mjedise të jashtme të disa muzeve si skulptura parku e monumente publike. Kështu ka bërë, psh Carl Nesjar, një skulptor norvegjez me veprat “Gruaja me Krahë të Shtrira” dhe “Katër njerëz” (Muzeu i Artit Modern, Stokholm).
Ditë e seanca të gjata pune me ngarkesa e përgjegjësi profesionale ishin të lodhshme e stresuese për Gjon Milin. Për secilën vepër, ai përpiqej të gjente aspektin grafik simbiotik të fotografimit duke diskutur edhe me Pikason, apo duke u rrekur gjatë me vetminë e tij në atë mjedis të tejmbushur me pjellat krijuese të Pikasos. Qëllimi i tij për të shkruar një vepër që do të paraqiste një vështrim të freskët unik ndaj artit tredimensional të Pikasos, e impenjonte atë të punonte në mënyrë metodike të hollësishme e në detaje jo vetëm në studimin artistik, por madje duke kryer edhe të gjitha matjet, detajet e dimensionet e çdo vepre. Fotot penetruese të Milit për statujat, kolazhet, qeramikën, instalacionet, etj. tentonin që nëpërmjet pamjes së jashtme të zbulonin brendinë e intrigën që fshihej mes tyre.
Puna e Milit për fotografimin e veprave të Pikasos në ateljenë e tij në Mougins zgjati disa javë. Më tej ajo u plotësua në Tate Galery, Londër dhe në Muzeun e Artit Modern, Nju York, ku disa prej statujave, kolazheve, konstruksioneve dhe instalacioneve ishin ekspozuar aso kohe. Ai shkoi, gjithashtu, në Stokholm në kërkim të gjigantëve prej betoni, po ashtu edhe në Horta de Ebro – një fshat me “pamje purgatori” në Tarragona në Spanjë për të mbledhur kujtime nga rinia e Pikasos, si dhe në Bateau Lavoir, Montmartre, Paris, ku Pikaso jetoi aty gjatë viteve 1904-1909 në shoqërinë e modelies së tij të preferuar, Fernande Olivier.
Takimet, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi profesional e miqësor i Gjon Milit me Pikason, e në mënyrë të posaçme libri “Picasso’s Third Dimension” i Gjon Milit mbartin vlera e impakte të shumëfishta për opinionin artistik. Pa vendosur shenja barazimi, së pari ato janë dëshmi të një bashkëpunimi midis dy artistëve me famë botërore e shumë karizmatikë, që evidencuan disa prej tendencave të artit avanguardist të kubizmit, surealizmit, skulpturës konstruktive, kolazhit dhe instalacionit tredimensional si risi e rrymave abstraksioniste me përmbajtje filozofike, politike, sociale e spaciale në kërkim të një dimensioni tjetër, pra të kohës . Nga ana tjetër, deri në kohën që Gjon Mili fotografoi skulpurat, Pikaso nuk ishte aq i ekspozuar si skulptor, ndaj fotot e Gjon Milit, pse jo, veçanërisht libri i tij kushtuar Pikasos influencuan në rritjen eksponenciale të promovimit të tyre duke u vendosur përfundimisht në disa ekspozita dhe muze të mirënjohur, si në “Muzeun Picasso” Paris, 1985, në Muzeun e Artit Modern (MoMA, që cilësohet figurativisht si shtëpia që ndërtoi Pikaso), Nju Jork, në Spanjë, Angli, Norvegji, etj. Gjon Mili ishte shpirti binjak artistik i Pikasos. Mili me fotot e tij të famshme “Vizatim në Hapësirë” (1949) dhe Pikaso me pikturën dhe skulpturën e tij abstraksioniste kishin thyer “tabu-në” e gjeometrisë euklidiane jo shkencërisht, por vizualisht e artistikisht. Për Gjon Milin Pikaso është vetëm njëri prej më se 100 artistëve amerikanë e europianë me famë botërore, për të cilët ai ka realizuar cikle fotografike dhe esse letrare. Një prej kryeveprave të Pikasos, “Autoportet”, është bazuar në foton që Mili i ka bërë atij dhe është vendosur mbi kopertinën e librit të Milit kushtuar Pikasos. Guximi dhe pjesa e krijimtarisë së Gjon Milit dedikuar Pikasos është një prej kontributeve të tij madhore në reflektimet e tij për artin pamor modern të shek XX, çka tregon se ai, veç të tjerash, ishte një intelektual dhe artist i niveleve sipërore, me një botëkuptim kërkues e të avancuar drejt të ardhmes. Edhe sot ai cilësohet nga kritika dhe historianët e artit si një prej artistëve shqiptaro-amerikanë që ka rrënjë të thella në artin botëror.