• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2022

“UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË

June 27, 2022 by s p

Gazetarja Salie Gajtani-Osmankaq, autore e librit “Unë Jam Anemone” në  bashkautorësi me “Medica Gjakova”, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli të Federatës Vatra në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, ekspozon me detaje për publikun, punën e jashtëzakonshme në mbledhjen e 25 rrëfimeve të personave, të mbijetuar të dhunimeve seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Të gjithë këta persona janë dëshmitarë të gjallë. Rrëfimet e tyre janë të bazuara në ngjarje të vërteta. Mesazhi i këtij libri është kërkimi i drejtësisë, dënimi i kriminelëve  dhe eliminimi i dhunës seksuale në konflikt kudo në botë.

“UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE E KRIMINELËVE SERBË

Ky libër vjen si zë kundër heshtjes së gjatë, ndrojtjes, frikës e stigmatizimit që u është të mbijetuarve të dhunës  seksuale gjatë luftës,  për gati 20 vjet pas saj.  Libri erdhi në kohën kur u përmbushën disa rrethana që rrëfimet e këtyre të mbijetuarve, gra e burra të moshave të ndryshme. Rrethana këto, jo lehtë të kalueshme.  Pra, libri erdhi atëherë kur të mbijetuarit të dhunimeve ishin pajtuar të ndanin rrëfimet e tyre me neve. Kjo gatishmëri erdhi pas trajtimeve që ndër vite ua ofruanprofesionistë të fushës së traumave të dhunimeve nga Organizata gjermane medicamondiale, e cila pastaj barti kompetencat tek partneri i saj vendor “Medica Gjakova”. Këto dy organizata partnere pastaj kishin marrë iniciativën që kjo anë e historisë sonë të rrëfehet, e të sillet në formë libri. Mua mu bë ftesë që ta shkruaja këtë libër. Ftesa më erdhi, pasi që profesionistë të organizatës ishin të bindur se unë jam personi i duhur që mund ta bëja këtë punë, pra të shkruaja rrëfimet e dhunimeve që ishin bërë gjatë luftës. Kështu nisëm bashkë një rrugëtim, unë dhe “Medica Gjakova”, me mbështetjen e vazhdueshme tëorganizatës gjermanemedicamodiale. Rrugëtim, ky që mbase do të mbetet i përjetshëm. Sepse, ne jemi të vetëdijshme për peshën historike të këtij libri, të cilën do ta bartim me vete ndër vite, deri në fund të jetës sonë. Mesazhi i këtij libri është kërkimi i drejtësisë, dënimi i kriminelëve  dhe eliminimi i dhunës seksuale në konflikt kudo në botë.

MBLEDHJA E DËSHMIVE TË KRIMEVE E DHUNËS SEKSUALE NË LUFTËN E KOSOVËS

Janë vetë organizatat ato që kanë kërkuar e gjurmuar në identifikimin e të mbijetuarve të dhunimeve, në mënyrë që ata tëndihmohen. Dhe nuk kanë qenë personat e dhunuar ata që kanë shkuar tek organizatat për të kërkuar ndihmë.  Kjo, për arsye se këta persona kanë pasur ndjesinë e trupit për atë që u ka ndodhur. Janë ndier të paragjykuar, tëvetëmohuar, të izoluar nga bota dhe të stigmatizuar.  Të gjitha këto janë bërë pengesë që ata të besojnë se ekziston dikush, ku ata mund të hapin zemrën dhe të flasin për atë që iu kishte ndodhur, pa i paragjykuar apo fajësuar. Prandaj, edhe ka qenë e vështirë që të këta persona të takohen, e të binden se mund të integrohen në shoqëri, e t’i kthehen jetës normale, pa bërë askush me gisht kah ta. Por, falë këmbënguljes, gatishmërisë dhe profesionalizimit të organizatës medicamondiale dhe “Medica Gjakovës” kjo gjë edhe është arritur.  Dhe tani, përpos ndihmës në aspektin psikologjik, “Medica Gjakova” iu ofron këtyre tëmbijetuarve edhe ndihmë në fuqizimin ekonomik, të punësimit dhe socializmit mes vete. Në Kosovë janë katër organizata joqeveritare që u ofrojnë ndihmë profesionale të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

INSTITUCIONET NË KOSOVË DHE NEVOJA URGJENTE PËR ZBUTJEN E TRAUMAVE TE PERSONAT E PREKUR

Në fakt institucionet janë vonuar së tepërmi për t’iu ofruar ndihmën e nevojshme personave që kanë përjetuar dhunime gjatë luftës. Deri në vitin 2015, institucionet kanë heshtur karshi kësaj anë të historisë së luftës, deri kur u miratua Ligji për njohjen e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Është formuar një Komisioni qeveritar që punon në këtë drejtim, i cili ka nisur punën në vitin 2018, por se deri më tani të drejtën e reparacionit (pensionit mujor prej 230 euro në muaj) e kanë fituar afro 1.000 të mbijetuar të dhunës seksuale, 300 raste të tjera janë në procedurë të shqyrtimit, kurse afro 300 të tjera janë refuzuar.  Gjithsej deri tani për të marrë këtë status kanë aplikuar vetëm afro 1.600 persona, nga rreth 20.000 persona, që thuhet se kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Arsyeja se përse ka aplikuar ky numër kaq i vogël, është se të mbijetuarit e dhunimeve vazhdojnë të refuzojnë të aplikojnë për të marre pensionin, për shkak të frikës se mund tëidentifikohen e pastaj edhe të gjykohen nga familja dhe shoqëria, apo edhe për arsye se marrja e këtij pensioni do t’ua rikujtojë përherë ngjarjen traumatike që iu ka ndodhur.  Nuk ka të dhëna nëse këta persona janëpunësuar apo integruar nëpër institucione. Por, ajo që ne dimë, është se këta persona janë bërë pjesë e fuqizimit ekonomik, si komponentë e punës që po bën “Medica Gjakova”.

KRIMET E SERBËVE KISHIN SYNIM DEPERSONALIZIMIN E INDIVIDIT DHE SHKATËRRIMIN E FAMILJES NË KOSOVË

Se dhuna seksuale është përdorur si armë lufte në Kosovë, kjo nuk do asnjë dilemë. Krimet e dhunimeve, padyshim që janë bërë me paramendim, sepse serbët e njohim mirë mentalitetin tonë, dashurinë dhe ndjeshmërinë që ne e kemi për familjen. Dhe duke atakuar këto vlera, ata kanë synuar shkatërrimin e familjes dhe moralit shqiptarë. Me këtë,do të shkatërronin edhe popullin shqiptarë deri në qelizë, që është familja.

SERBIA DUHET PADITUR PËR GJENOCID NË KOSOVË

Mendoj se Kosova ka bazë dhe arsye për ta paditur Serbinë për gjenocid gjatë luftës së vitit 1998-1999. Ne madje edhe jemi vonuar që ta bëjmë këtë. Por, jam optimiste se kjo gjë do të ndodhë në një të ardhme të afërt.

“UNË JAM ANEMONE” LIBRI ME 25 RRËFIME TË TRISHTA NGA LUFTA

Libri ka gjithsej 25 rrëfime të personave, të mbijetuar të dhunimeve seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë. 24 nga këto rrëfime janë histori që u kanë ndodhur grave dhe vajzave, dhe njëri rrëfim është i një burri. Të gjithë këta persona janë dëshmitarë të gjallë. Rrëfimet e tyre janë të bazuara në ngjarje të vërteta.  Ndërsa, partnerët që kanë  ndihmuar dhe mbështetur realizimin e këtij libri, janë organizatat “Medica Gjakova” dhe “MedicaMondiale”, pa të cilat ky libër nuk do të jetësohej. Falenderuese për jetë atyre!

Filed Under: Analiza Tagged With: SALIE GAJTANI

DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT

June 27, 2022 by s p

Prend Ndoja/

Dritan Abazoviqi është një figurë briliane në politikën e sotme. Kemi shumë çka të mirë të flasim për të. Por, edhe këtë sikurse edhe shumë të tjerë nga mendjet e ndritura sa e sa herë pretendojnë që t’i japin një pamje me ngjyra të ndryshme. Dritanin, që është një zë SHQIP jashtë trojeve të lira,mbi hapësirën e tokës së tij stërgjyshore ende rënkon gjëma e roberisë.Ndërsa disa nga ne,të lirë,në gjuhën tonë,me shkronjat tona,pretendojmë të bëhëmi zë i huaj për Dritanin tonë,shqiptarit të parë Kryeminstër i Malit të Zi.Si duam ta shohim dhe ta pasqyrojmë vëllain tonë Dritanin?

Siç është në fakt,si një politikan që shndërrit në imazhin tonë kombëtar,si një nevojë që mbushi zbrazëtinë e shekujve,si një njeri adekuat në kohën e duhur për kombin tonë.

Apo…ta shikojmë dhe personifikojmë sipas shijës sllave, me emra dhe etiketime të turpshme.

Dritanin,duhet ta kuptojmë

edhe përtej asaj çka ne degjojmë nga ai. Ne dëgjojmë cfarë atij i lejohet nga shteti i tij,që teorikisht ta thot për kombin tonë,pasiqë në realitet ai është Kryministër i Malit të Zi.

Por më e rëndësishme është t’i shërbej kombit që sa të zhurmoj me fjalë “artistike” si patriot.

Duhet ta kuptojmë rrugëtimin e shkollimit dhe edukimit të tij, atë udhë nuk e ka kaluar as në Shqipëri dhe as në Kosovë, por në shkolla ku shumë nga ta nuk donin që as ta dëgjonin emrin „shqiptar“,pra është ngritur në kushte specifike përball me shumë armiq të kombit tonë. Dritani nuk erdhi rastësisht në politikë,as nuk erdhi duke ju përshtatur rrjeteve kriminale me pushtet siç ndodh sot…

Por përmes shkallëve të shkollimit,edukatës dhe kulturës politike,gjë që një përgatitje e tillë politike shumë po mungon sot në hapësirën tonë politike.Mendoj që për t‘i realizuar qëllimet në mes dinakërsië sllaviste që i është dashur të lundroi edhe në ujët e

vështira,të pakëndshme,mund të them që edhe të rrezikshme për të arritur aty ku fjala dhe vepra e tij e bëjnë efektin e vet ne të mirë të kombit,aty ku asnjë shqiptarë nuk arriti gjerë me tani në Kuvendin e Malit të Zi. Një udhë të tillë për mes shtigjeve sllave është vështirë të paramendohet që mund ta kalonte një shqiptar.

 Per pos një lançimi (të korrektuar më vonë,rreth origjinës së Gjergj Kastriotit)në parimet tjera është aktual dhe njohës i mirë i pamjes politike të Ballkanit në të ardhmen.

Bota,e në veçanti Europa po ballafaqohet me një ambient të pakëndshëm politik.

Moska është futur udhës së pa kthim për humbjen e perspektivave të saja,por edhe të ndryshimeve impresive të atmosferes politike në rajon dhe me gjerë.

Natyra në politikën evropiane patjetër që do ta ndërroi pamjen dhe strategjinë e sajë,nga profesionalizmi dhe zgjuarsia e disa njerëzve tonë në pushtet,do te realizohen shumë ëndrra të moçme ne interesin kombëtar.

Me një fjalë ,shqiptarët do të bëhën një faktor i rëndesishëm në sferën politike në Ballkan dhe në Evropë,andaj Dritani, është më se i nevojshëm si një ndër shtyllat qëndrore të politikës, në të mirë të kombit tonë.T’i respektojmë dhe t‘i duam njerëzit tonë,sepse ata janë NE!

Filed Under: Analiza Tagged With: prend ndoja

Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York

June 27, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Si bashkëthemeluese dhe mësuese e Shkollave Shqipe “Alba Life”, që operojnë në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe në Online për një periudhë rreth 15 vjeçare sjellë pranë jush me krenari se Shkolla Shqipe “Alba Life” është  një  histori suksesi për shkak të  misionit kombëtar që mbart dhe rritjes së  numrit të  nxënësve.  Nuk do të bej teori për Gjuhën Shqipe, por do të  flas me fakte dhe vepra reale rreth mësimit të Gjuhës Shqipe në Diasporë, kur tragjikisht miliona shqiptarë  ndër shekuj po e humbasin të  folurën dhe të shkruajturin e Gjuhës Shqipe. Të  gjithë  këta miliona shqiptarë që nuk flasin shqip nuk i kuptojnë dot teoritë, por duan veprim konkret, mësim shqip që t’ju hyjë direkt në  gjak.

Kur në klasa, auditoriume, skena interpretohet gjuha shqipe kam besuar se Zoti është ulur pranë dhe ka prekur zemrat e vogëlushëve për mos ta harruar kurrë Gjuhën Shqipe.

Duke pasur privilegjin të jem mësuese e Gjuhës Shqipe midis dy kontinenteve doemos që jam frymëzuar pa kushte nga thesari i çmuar pedagogjik i elitës kombëtare.  Sa herë jam ndalur para klasës dhe gati duke prekur qiellin kam interpretuar vargjet për Gjuhën Shqipe nga Fishta i Kombit.  Fjala e tij rrjedh e gurgullon nëpër dejet e mësuesit si në këto vargje:

“Nëpër gjuhë shqipe bota mbarë/ Ka me ju njoftë me ç’fis ju keni/ Ka me ju njoftë ju për shqiptarë/ Trima n’za sikurse jeni”

Sigurisht që puna e stafit dhe e mësuesëve të shkollës sonë, nuk ka qenë e lehtë pasi aktualisht gjuha shqipe nuk është pjesë e programeve amerikane të nxënësve si gjuhë e dytë, prandaj ne jemi ndeshur edhe me vështirësi për regjistrimin e nxënësve, por me përkushtim kemi munduar të zgjidhim edhe vështirësitë e shtrirjes së madhe që ka Nju Jorku duke hapur degë në çdo lagje te tij.

Gjatë gjithë aktivitetit të saj shkolla jonë vëmendjen kryesore e ka përqëndruar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies pasi ky është edhe faktori kryesor që e bën nxënësin dhe prindin të jetë i interesuar për mësimin e Gjuhës Shqipe. Dihet mirë që fëmijëve në fundjavë ju pëlqejnë më shumë aktivitetet sportive dhe argëtuese, prandaj ora e mësimit të gjuhës shqipe duhet të bëhet cilësore që të ngjalli interes tek nxënësit. Dhënia cilësore e mësimit dhe përgatitja me metoda didaktike e pedagogjike nga mësuesit e kualifikuar kanë bërë që Shkolla Shqipe “Alba Life” nga një shkollë të vetme që e hapi 15 vjet më parë në Staten Island të bëhet me shkolla në të gjithë Nju Jorkun. Ky është një sukses dhe një sfidë qe ju kemi bërë vështirësive.

Sipas planit të drejtorisë së shkollës çdo vit në javën e fundit të muajit gusht kemi organizuar seminare me mësuesit e shkollës sonë për t’u njohur me të rejat në programet mësimore e regjistrimet e reja si dhe për të shkëmbyer përvojat e mësuesëve, por vitin e shkuar duke patur parasysh që ishte vit i pandemisë punuam më fort dhe bëmë një punë më intensive gjatë gjithë muajit gusht.

Zhvilluam seminare për përgatitjen e mësuesëve për të përdorur platformën “Google Meet” për të dhënë mësim në Online.  Çdo mësues përgatiti dhe prezantoi një mësim të hapur para se të fillonte shkolla dhe e shfaqi para stafit të shkollës. Kjo metodë bëri që secili mësues të ndihej më i sigurtë për t’i përballuar vështirësitë teknike që kishte platforma “Google Meet”.

Gjate vitit mësimor ne zhvillojme pesë programe artistike kushtuar: Pavarësisë së Shqipërisë, festat e fundvitit, Pavarësisë së Kosovës, 7 Marsit dhe mbylljes së vitit akademik. Kete vit themi me krenari se zhvilluam festivalin për herë të parë me shkollat shqipe “Alba Life” nëNew York ku ishte tejet i suksesshëm.  

Përgatitja e mësimit nga mësuesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” është bërë duke përzgjedhur e përshtatur të gjitha materialet didaktike e tekstet e miratuara në ministritë përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës.  Çdo mësues bën një përgatitje për çdo orë mësimore përdor Power Point të shoqëruara me figura dhe vidio të ndryshme.  Ato e kanë bërë më interesante orën e mësimit pasi siç dihet nuk është e lehtë të mbash para ekranit një fëmijë një orë të tërë mësimore pa një përgatitje cilësore.

Une dua të përmend se shumë nxënës që vinë pranë shkollës sonë kur dalin në jetë ata kthehen kur kanë mundësi dhe të takojnë plot nostalgji dhe mall.

Psh. një nxënës në universitet më shkruajti një leter shumë të bukur dhe mallëngjyese që më përloti pasi ndjeva nga afër përvojen e shkollës në mësimin e gjuhës shqipe.

Me njohjen e historisë dhe të figurave të rëndësishme gjatë procesit mësimor kanë ndikuar pozitivisht takimet virtuale si dhe fizikisht me disa figura të rëndësishme.  Po përmend së fundmi vizitën e kryeministrit të Kosovës z.Albin Kurti, të zv/kryeministers Donika Gërvalla të Ambasadores së Shqipërisë ne Washington D.C. znj. Floreta Faber, dhe me mjaft interes nxënësit e shkollës sonë kanë ndjekur përshëndetjet e Presidentit të parë të Kosovës z.Fatmir Sejdiu, Kongresistit Joe DioGuardi, Ambasadorit Amerikan William Walker, Ambasadores së Shqipërisë ne Washington D.C. znj. Floreta Faber, minisrit të jashtëm të Shqipërisë z.Ditmir Bushatit, Ambasadores Teuta Sahaqija, Ambasadorit Frymëzim Isufaj, e shumë të tjerë.

  Mjaft prindër na kanë shkruar dhe përgëzuar se sa shumë ka ndikuar metoda e mësimdhënies në formimin e fëmijëve të tyre duke i përgatitur ata për të njohur rrënjët e të parëve, Atdheun e tyre dhe historinë e lavdishme. Nxënësit kanë fituar shkathtësi dhe shprehi gjuhësore, nëpërmjet kallëzimit, shpjegimit, demonstrimit, vidiove virtuale, përsëritjes si dhe ushtrimet nëpërmjet teksteve përkatëse.  Mësueset në bazë të metodave pedagogjike me formën e të përshtaturit të veçorive të moshës së nxënësve e zbatojnë si një parim te rëndësishëm të didaktikës që mbështetet në teorinë e njohjes.

Kjo përvojë e jashtëzakonshme e Shkollës Shqipe “Alba Life” ka sjellë rritjen e cilësisë në mësimdhënie duke tërhequr vazhdimisht shumë nxënës nga të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe kjo punë profesionale është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me koordinatorët, të gjithë mësueset e Shkollës Shqipe “Alba Life”, të cilat gjej rastin t’i falënderoj publikisht në këtë takim me Pegasianët.

Gjuha Shqipe nëpër këto shkolla ndihet më e zjarrtë, far ndriçues, ndjellëse e zemrave për të  ndihmuar Atdheun nga fëmijët e Diasporës, të cilët ndodhen në çdo cep të globit.

Shkolla është bërë e pandarë me binomin Komb dhe Gjuhë Shqipe. 

GJUHA SHQIPE NA BASHKON!

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj të dashur kolege dhe ju uroj suksese! 

Përgatitur për veprimtarinë ndërkombëtarë në favor të gjuhës shqipe dhe identitetit, organizuar nga Akademia Alternative Ndërkombëtare “Pegasi” dhe platforma “Successful Mothers” Londër,

Autorja ka marrë titullin: Kalorësi i Urdhrit të Flamurit, është shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit.

25 qershor, 2022

New York, USA

Filed Under: Komunitet

Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë

June 27, 2022 by s p

Aleksandër Çipa/

Zoti e krijoi botën për shkak të vetmisë,- shkruan diku rumunofrancezi Emil Cioran. Sepse e ndjeu si askush se çështë të jesh i Vetëm. Dukr ecur në këtë fillim ditësh të vapta nëpër Lunxhëri, lehtësisht në meditim të mbetet konstatimi se përgjithësisht viset janë të Vetme, si bota. Sa të shumta janl të vetmet në përbashkësinë ekzisguese!!!

Lunxhëria është e bukur ai në vetmevete!

Nokova, njç fshat në epiqendrën e shtrirjes fizike të saj në brigjet she pjerinat në rëzë të malit të Çajupit. Përkundruall Gjirokastrës. Lunxhëria është një ndër pasqyrat ky qyteti sheh si në të linjta një botë tjetër shijeje dhe estetike që kanë mishëruar brezat njerëzorë të lunxhiotëve. Një botë me drita të shumta fisnikërie, të zhytura në gjelbërim parqjsor.

Në Nokovë u afrova kësaj here të shquaja diçka më tepër prej vetëmsisë dhe vjetërsisë së kishave. Janë kisha të hershme. Janë të Atëhershme,…. domethënë të një kohe kur nuk kishte ndarje, por vetëm zanafilla e të vetmes pa mbërrit vetmia.

Në murret disa qindra vjeçarë të kishave të Nokovës ka hieroglive dhe gurë që të lenë në ndiesinë e shtatëzanisë me kohën e palindshme të së shkuarës. Ka një fisnikëri si në leximet tona për mesjetën arbërore. Nën pllaka gurësh të vjetër dergjen njerëz të princtë. Heshtja e tyre vetanake, si element kuptimthënës prej natyre, është për ata që ishin. Madje vetmia dhe heshtja e fshatit, të krijon iluzionin se i gjegjet këtij urdhri providencial, pra të perëndishëm. Në sokakë nuk ka njerëz, por ka frymë lirike dhe ajër kangjelik. Si në kangjelet e De Radës, por për një vis pa det. Kambanat janë të rënda, por me heshtjen e tyre e bëjnë edhe më të pranishme dhe më imponuese vetëmsinë e këtij fshati.

Ka një histori me emra të njohur udhëtarësh të përbotshëm, kryeministra, profesorë, klerikë për vilajete e për peshkopata, zejtarë e barinj trëndelinash dhe bija dhe bij me dritë lezetesh si në letërsinë e madhe.

Në rreshtin e portave me dryn dhe vetmi, e gjetëm një të hapur. Në pragun e saj një zonjë me hiret që ia dhuron me mbartje edhe moshës së rëndë. Na fton duke hapur portën me dorezë dhe trokitës. Brenda saj nuk ka vetëm sofa, por është obori i brendshëm me lule. Në këtë fshat të duket sikur fryma e luleve është dhe në jastëkun e dhomave të gjumit. Ndërsa ngjyrat janë segmentet e parajsës në duar zonjëzash e nënash.

Nokova nuk ka shumë njerëz, por kjo vetmi e së Vetmes, nuk është frymë mërzie. Më shumë është vis si imazh i pritjes edhe për ata që s’vijnë e s’mund të vijnë. Gjithësesi është fshati që fle në prehër vetmish, por që zgjon si të vetme, çdo ditë e çdo mbrëmje të vetën. Zërat e ujërave nëpër burimet ndanë vreshtave, janë një kod zanor për jetën që vjen dhe shkel mbi të gjumtën nën gurë e në gjuhëza kambanash. E vetmja thirrje duke ikur, më vjen lehtësisht në gjuhë në formën e një kënge deradiane:” Bini ju kambana, bini!!”

Filed Under: ESSE

Piktorja gjen optimizmin e jetës përmes ngjyrave, stili abstrakt shkon përtej mendimit

June 27, 2022 by s p

Estela Ruka bashkon mjekësinë dhe artin në një qenie unike, hap në shtator ekspozitën me piktura abstrakte, në Nju Jork 

Intervistoi: Eneida Jaçaj Lamçe

Shqipëria vuan plagën e madhe të emigracionit në kushte masive, që nga periudha më e hershme e tranzicionit. Ajka e Shqipërisë ka derdhur “trurin” e saj nëpër botë, për një jetë më të mirë dhe një të ardhme më të begatë. Atje ku shkel këmba e çdo shqiptari, lë gjurmë dhe përshtypje pozitive për ne të gjithë si komunitet, por duke e vendosur kombin në altarin e nderit dhe dijes. Emigrantët shqiptarë nëpër botë, por me shpirt dhe zemër te rrënjët e origjinës, kanë arritur të gjejnë veten duke shënuar suksese të njëpasnjëshme në karrierat e tyre respektive. 

Shumë artistë shqiptarë, nëpër botë, kanë lëvruar artin e tyre të bukur, duke depërtuar në ndjeshmërinë e shpirtit të publikut dhe duke dhuruar emocione dhe gëzim të papërshkrueshëm. Arti është ushqimi i shpirtit, i cili ka fuqinë magnetike për të na çuar peshë dhe për të na dërguar të jetojmë një botë krejt tjetër optimiste, me ngjyra, me pozitivitet dhe energji. Arti ka fuqinë të shpërthejë ato skuta të fshehura të mendjes, që kanë aftësi të çlirojnë atë energjinë e cila të shtyn të bësh gjëra të bukura, që nuk i kishe menduar më parë. Arti është hyjnor, profan, i cili e vendos trurin në një lëndinë me gjelbërim, ndërsa drita e udhëheq drejt së panjohurës, ashtu siç shpirti e dashuron qenien dhe universin; është frymë, jetë, dashuri, ngjyra, emocion! Atë e praktikojnë njerëz guximtarë, që arrijnë të shkojnë përtej imagjinatës të së përditshmes, duke jetuar pafundësinë e së bukurës. Qëllimi i artit është të pastrojë pluhurin e jetës së përditshme nga shpirtrat tanë, thotë Pablo Picasso. Por, çfarë e bën bashkë artin me mjekësinë? 

Estela Ruka, me profesion mjeke stomatologe, ka emigruar për më shumë se tre vite në Nju Jork, në kryeqendrën e botës, dhe si shumë shqiptarë e ka gjetur shumë shpejt veten. Vajza nga qyteti i njëmijë e një dritareve, ka arritur që në profesionin e saj si mjeke, të cilin e ushtron edhe në SHBA, t’i bashkojë qenies së saj edhe artin pamor të pikturës. Pasi e ka ushtruar hobin e saj në kohë të lirë, Estela ka vendosur të grumbullojë punimet e saj dhe të hapë një ekspozitë në muajin shtator, në Nju Jork. Stili i saj është abstraksioni, pasi ajo i jep mundësi lexuesit të shkojë përtej mendimit dhe imagjinatës, duke i lënë hapësirë të kuptojë pikturën sipas dëshirës së shpirtit. Ajo thotë se piktura i jep qetësi, shkarkon stresin dhe e ndihmon ta shikojë jetën veç me ngjyra. Në një bashkëbisedim, Estela rrëfen emigrimin drejt SHBA-ve, profesionin si mjeke dhe hobin e saj, pikturën. I urojmë suksese dhe frymëzim për më shumë punime të bukra për syrin e shpirtit.

-Përshëndetje Estela! Emigrimi është një plagë e madhe për Shqipërinë, pasi në çdo vend të botës do të takosh shqiptarë që flasin shqipen e bukur, të cilët kanë ndërtuar folenë e tyre të dytë, me shumë mundim dhe sakrificë. Me dhimbje duhet ta pranojmë se ajka e Shqipërisë janë larguar për arsye që dihen tashmë, ndërkohë që me intelektin e tyre mund të rindërtonin atdheun, duke hedhur çdo ditë një gur themeli. Çfarë ju bëri të largoheni nga Shqipëria, dhe si keni arritur të gjeni veten e të integroheni në një shtet të ri, me një kulturë ndryshe?

Përshëndetje, e dashur Eneida! Një pyetje të tillë ka mundësi t’i përgjigjem gjatë e gjerë, pasi tē gjithëve besoj se na dhemb emigrimi, por po i bie më shkurt dhe po ju them se, kurrë s’e kam dashur emigrimin, kurrë s’kam dashur të largohem nga vendi im i bukur, me gjithë problematikat që ka. Kur të tjerët largoheshin nga Shqipëria, unë fillova studimet e larta në Mjekësi, në vitin 1992, Dega Stomatologji. Me këmbënguljen e madhe që të bëhesha dikush profesionalisht dhe t’i shërbeja vetes e familjes, por, sigurisht, dhe vendit tim më mirë. Unë kam vetëm 3 vite e gjysëm që kam emigruar në SHBA; kjo u mundësua nga bashkimi familjar me prindërit, të cilët janë qytetarë amerikanë. Meqë m’u dha kjo mundësi, vendosa të vij për të shkolluar vajzën në të Mesmen, ndërsa në të Lartën këtë vit. Nuk mendova shumë për veten, megjithëse, sapo erdha, gjeta punë në një klinikë dentare.

-Ju jeni me profesion mjeke-stomatologe, të cilin e ushtroni tashmë edhe në Nju Jork, në shtetin ku jetoni. Sa e vështirë ka qenë për ju të përshtasni profesionin tuaj, me kushtet e reja, në një vend të ri, me kulturë dhe gjuhë tjetër?

Profesionalisht, dua të theksoj se mjekët shqiptarë janë tepër të përgatitur, pasi në Shqipëri edhe sot klinikat dentare punojnë me teknologjinë e fundit, ndërsa në USA jo të gjitha klinikat janë të pajisura me teknologjinë bashkëkohore. Për mua nuk ka qenë e vështirë ta gjeja veten në profesionin tim, sa për gjuhën dua të theksoj se gjyshi im ka shkruar një fjalor Anglisht – Shqip, të cilin e botuam në demokraci dhe u shkruajt në kushte buru të Burrelit. Njerëzit e kulturuar dhe intelektualët shqiptarë, e kanë mësuar dhe ushtruar anglishten, (si dhe gjuhë të tjera) shumë e shumë vite më parë, do të thosha. Lulëzimi i gjuhëve në Shqipëri ka qenë shumë më parë, se në kohën e Zogut. Si rrjedhojë, anglishtja, për mua ka qenë detyrë shtëpie që nga prindërit e mi. Kultura e popujve me pak fare ndryshim është pothuajse e njëjtë, sigurisht ndryshojnë traditat, dhe, për mua, më të bukurat janë ato shqiptare.

-Estela, unë doja të ndalesha te pasioni juaj për pikturën. Cila është ajo pikë konverguese, që ka bërë bashkë në një qënie të vetme, mjekësinë dhe artin, te ju? Si e keni zbuluar pasionin për pikturën, dhe sa e rëndësishme është për ju, lëvrimi i fushës së artit?

Arti, te unë, pothuajse ka lindur bashkë me mua, jam marrë me aktivitete artistike që në moshën 7 vjeçare, ku më pas spikata si soliste vallesh, prezantuese e këngëtare në Ansamblin “Mirëdita”. Për mua, arti është jetë ku gjej të bukurën! Mësimet e para në pikturë i kam marrë që në shtëpinë e pionierëve; gjithmonë kam dashur ta ushtroj, por impenjimet e ndryshme e të shumëllojshme nuk më jepnin kohën e duhur. Me ardhjen në USA, ndryshoi një pjesë e madhe e rutinës sime, në pasditet e mia mendova të ushtroj pikturën si diçka e parealizuar brenda meje. Fillova të pikturoj, sidomos në kohën e covid-it, ishte jo vetëm një punë e bukur, por dhe një terapi e shëndetit mendor për të kaluar stresin që përjetonim. Unë e zhvillova pikturën, duke pare video në Pinterest për teknikat, dhe zgjodha teknikën time atë, që më pëlqente më shumë. 

-Në cilin zhanër artistik do ta klasifikonit stilin tuaj të të pikturuarit?

Zhanri im është abstraksioni, që do të thotë të tejkalosh mendimin që jep në pikturë, për të lënë shikuesin të mendojë dhe gjejë, sipas mënyrës së tij, kuptimin e pikturës. Nënvizoj këtu se nuk më pëlqejnë punët abstrakte, që shfaqin vetëm ngjyra pa kuptim, si te disa piktorë që shohim rëndom. Çdo pikturë absrakte duhet të ketë mendimin brenda, që mund të zhvillohet në artin pamor. Abstraksioni për mua është më i bukuri. Në lidhje me Stomatologjinë, piktura ndihmon shumë, sepse dentistja në vetvete është shkencë plus art. Nëse do zgjedhim dhe krahasojmë ngjyrën e bardhë, për të përshtatur ngjyrën e çdo pacienti. Dentisti duhet të ketë idenë e ngjyrave, të bardhë me pigment gri , të bardhë në blu, të bardhë në të verdhë, në kafe, etj. 

-Cili është piktori juaj i preferuar, që ju frymëzon?

Ka shumë piktorë që mua më frymëzojnë, që nga ata klasikët e deri te miqtë e mi piktorë. Por mua më frymëzojnë ngjyrat dhe gjetja e tyre, përshtatja me njëra-tjetrën, e cila është gjysma e punës në pikturë. Unë kam zgjedhur të jem vetvetja në pikturë, duke qenë shumë optimiste si natyrë luaj me ngjyrat në atë mënyrë që t’ju përcjell optimizëm shikuesit, dhe pse gjendja e një pikture mund të jetë melankolike, dua të shihet në aspektin pozitiv.

-Piktura përcjell gjendjen emocionale apo dëshirën për ta parë veten dhe botën me sytë e shpirtit. Cila do të ishte tabloja e jetës suaj?

Tabloja e jetës sime në pikturë është optimizmi i përcjellë midis ngjyrave, gjetja e të bukurës midis njëmijë halleve që mund të sjellë jeta, dhe ideja për të ecur përpara për të mos u dorëzuar në asnjë moment të vështirë të jetës. Të bukurën duhet ta shohësh që në momentin kur lind dielli, e të jesh falenderus për çdo ditë që Zoti të mbush me frymë. Te një lule e çelur, te gjethet e vjeshtës, edhe te dëbora që zbardh në kohën e vet. Unë shpesh shkruaj dhe poezi për të gjetur veten në fushën e artit. Kam botuar dhe një libër me poezi, të cilin e kam titulluar “ Poezi në Laminor”. Pra, nota në të bukura.

-Ju, në muajin shtator do të hapni ekspozitën tuaj në Nju Jork. Është e parë ekspozitë për ju, që do të hapet në kryeqytetin e botës. Çfarë do të thotë për ju, realizimi i këtij projekti?

Duke qenë se në këto 3 vite punimet e mia janë bërë shumë dhe janë pëlqyer edhe nga miqtë e mi, shikues apo profesionistë, me të cilet konsultohem herë pas here, mendova të hap një ekspozitë në Nyack, salla m’u dha në muajin shtator (shpresoj që deri atëherë, mos të ketë ndryshime), sigurisht duke menduar situatat në të cilat akoma ndodhemi të covid-it. Sigurisht që është e para ekspozitë, por me këtë, dua t’ju them se nuk ka rëndësi se sa vjeç je, unë sapo kam mbushur 57 vjeç, rëndësi ka që të kesh projekte dhe dëshira e ëndrra në vetvete dhe një ditë t’i bësh realitet.

-Si e shihni veten në të ardhmen, në kuadër të pikturës?

Piktura është një nga zhanret e artit që unë pëlqej shumë. Besoj se lidhja ime me pikturën do jetë e gjatë , derisa duart të më punojnë. Gjej veten bukur në të, dhe ju fal gëzim dhe kënaqësi edhe të tjerëve .

-Estela, të uroj suksese në ekspozitën tuaj. Do të dëshiroja të ndanit një mesazh të shkurtër për 

lexuesit, në formë këshille zemre.

Ju faleminderit për intervistën! Dua t’i them lexuesit, se populli shqiptar është një nga popujt me gjuhën dhe kulturën më të lashtë të botës, se kultura jonë është e larmishme, se dëshira për të ecur në jetë nuk duhet të shterojë, pavarësisht moshës, se ta shohësh jetën me optimizëm është në favorin tënd dhe të shoqërisë. Çdokush duhet të gjejë veten në bukurinë e gjërave të vogla për të kuptuar se ku do të shkojë me realizimet e mëdha. Mos u dorëzoni kurrë!

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT