• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2022

Ineptokracia në mes nesh

July 25, 2022 by s p

Shqiprim Pula/

Sistemet politike njihen si koncept bashkëjetese politike dhe se demokracia njihet si më pak e dëmshme për lirinë e individit apo grupit të caktuar, sepse fakti i bërjes së kritikave apo kundërshtimit të aspekteve të caktuara të saj, tregon nivelin e ulët të dëmshmërisë kundrejt diktaturave apo regjimeve totalitare. Jo rrallë, kemi parë e identifikuar se disa politikanë të caktuar të cilët ngrisin zërin kinse për të mbrojtur liritë individuale dhe demokracinë, rrëshqasin në të tillë, që heshturazi kufizojnë liritë individuale e cenojnë demokracinë.

Po ҁfarë në të vërtet është ineptokracia në mes nesh? Partitokracia ka bërë që veprimi civil qytetar edhe të ngulfatet hera herës, e një lloj manuali rezistence sikur ka munguar qoftë edhe për të definuar të ardhmen civile, politike, sociale e kulturore; kjo, për shkak të mospërcaktimit të qartë të koncepteve politike ndër nesh e mes nesh. Madje partitë politike (partitokracia) kanë krijuar makineri të shumta që të sjellin në pushtet kandidatë të paaftë, dhe u kanë dhënë vlerësim për rëndësinë në jetën politike më tepër se sa për dobishmërinë e tyre. Për shkak të paaftësisë së tyre jemi gjendur përpara skenareve e shqetësimeve serioze shoqërore, por, duke mos i kritikuar e denoncuar!. Jo rrallë, jemi gjendur të zhytur në paaftësinë politike por në fuqinë politke të politikanëve të caktuar, të cilët kanë qenë të paidentifikuar konceptualisht, të deklaruar si të djathtë por në shumë gjëra si të majtë, të deklaruar thellësisht si zë mbi barazinë midis grave e burrave por praktikisht të bazuar në kuota e përqindje, apo të deklaruar si fetar por me plotë dyshime mbi fenë. Prandaj, si shoqëri, jemi ndodhur para një teatri politikë pa skenar e me aktorë amatorë.

Ineptokracia i atribuohet grupit apo grupeve të politikanëve të paaftë, politikanë që nuk zotrojnë cilësitë e nevojshme për të qenë në gjendje të qeverisin me vendin në mënyrë të kënaqëshme, por, të krijuar për një sistem i llojit të riprodhimit të demagogjisë, për shkak të paaftësisë për të siguruar jetesën pavarfëri e me një mirëqenie në tërrësinë e saj, po mbi të gjitha, të mbështetur e votuar nga ajo kategori votuesish të paemancipuar politikisht apo me një nevojë financiare kundrejt votës. Përkufizim më përbajtësor e të plotë mbi ineptokracinë e ka dhënë shkrimtari dhe filozofi francez, Jean d’Ormesson, i cili thotë; “ineptokracia është sistemi i qeverisjes në të cilin ata që janë më pak të përgaditur për të qeverisur zgjidhen nga ata që janë më pak të përgaditur për të prodhuar”. Këtë lloj sistemi nga të paaftët në politikë, duhet shmang si koncept jetese politike, për hir të ardhmërisë, ashtu sikur, zgjidhja e ҁdo problemi është t’a gjejmë, t’a vlerësojmë e propozojmë si mënyrë për t’a zgjidhur atë. Ineptokratëve politikë, nuk duhet dhënë mbështetjen që e kërkojnë por atë që e meritojnë, largimin e tyre përmes votës, sepse, vendi gjindej prej vitesh ndërmjet premtimeve të brendshme e karshi dobësisë së jashtme.

Të përkufizohet saktësisht situata në të cilën gjendemi është e vështirë!!! ngase, gjendemi të zhytur në momente kritike si komb e shoqëri, mbase, edhe mund të ketë zgjidhje politike, por jo pa bindje politike të të gjithëve mbi parimet dhe qëllimet pankombëtare shqipëtare.

Filed Under: ESSE

Guvernatorja e Shtetit të New York Kathy Hochul u takua me komunitetin shqiptar në Bronx, New York

July 25, 2022 by s p

Sokol Paja/

Guvernatorja e Shtetit të New York, zonja Kathy Hochul zhvilloi një takim shumë të përzemërt me komunitetin shqiptar në Bronx, New York. Nën organizimin special të ish Këshilltarit të Bashkisë Mark Gjonaj dhe nën përkujdesjen e veçantë të Vera dhe Ismer Mjekut, Guvernatorja Hochul vlerësoi komunitetin shqiptar si qytetarë model dhe të shkëlqyer në sipërmarrjet dhe shërbimet e tyre në qytet. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe gazeta Dielli mori pjesë aktive në këtë takim duke ruajtur traditën e bashkëpunimit me faktorë dhe aktorë të rëndësishëm politik në të mirë të komunitetit shqiptar e çështjes kombëtare.

Mark Gjonaj ndër të tjera u shpreh se komuniteti shqiptar është në radhët e para të ushtrisë, policisë, edukimit etj. Ata janë newyorkez të vërtetë që e vlerësojnë me të vërtetë mundësinë që u është dhënë. Në kohën kur unë punova me guverantoren Kathy Hochul, ajo më bëri një premtim për ta njohur më shumë komunitetin shqiptaro amerikan, ndaj organizuam sot këtë takim sepse ajo do të njohi nevojat tona, shqetësimet dhe problemet tona përfundoi Mark Gjonaj duke i dhënë fjalën guvernatores Hochul.

Guvernatorja Hochul u shpreh e gëzuar të shohë komunitetin shqiptar aty, dhe e cilësoi Z. Mark Gjonaj një njeri të jashtëzakonshëm që gjithmonë ka shërbyer dhe vendosur në zemrën e tij komunitetin shqiptar. Guvernatorja Hochul u shpreh se shpreson që komuniteti shqiptaro amerikan ka gjetur jo vetëm endrrën amerikane por ëndrrën newyorkeze pikërisht këtu në këto rrugë dhe këto komunitete. Ky komunitet është më i mirë, më i gjallë dhe më magjepses nga prezenca juaj sot dhe gatishmëria për të ndërtuar biznese dhe për të na ndihmuar neve të bëhemi një New York më i mirë përmes punës tuaj siç e permendi edhe Mark, ne te gjitha sherbimet, duke ndihmuar luftimin e krimit, tha nder te tjera Guvernatorja Hochul. Gjithashtu guvernatorja Hochul deklaroi se prioriteti numer nje i saj është te mbajë te gjithë te sigurte dhe te mbrojë bizneset nga grabitja. Kjo duhet te marre fund dhe eshte nje nga prioritet e mia, u shpreh me tutje Guvernatorja Hochul e cila shprehu falenderimin e saj komunitetit shqiptaro amerikan qe me punen dhe sherbimin e tyre ne sektore te ndryshem tregojne qe nuk heqin dore nga shteti dhe komuniteti, duke sjelle ne vemendje edhe kohën e vështirë të pandemisë. Në fund Guvernatorja Hochul e mbylli fjalën e saj duke thënë se roli i saj është të mbrojë shëndetin tonë, sigurinë tonë, familjet tona, bizneset tona çdo ditë.

Filed Under: Politike Tagged With: kathy hochul, Sokol Paja

KUSHTETUTA E EVROPËS DHE SHQIPËRIA

July 25, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika

Pjesa e I

Evropa ishte emri i një vajze të bukur që, në një lëndinë diku në brigjet aziatike të Mesdheut, mblidhte lule kur Zeusi  me pamjen e një kau të mahnitshëm e rrëmbeu për t’a sjellë përgjithmonë në një tokë që ndodhej në veri të detit që do t’i jepte qytetërimit emrin e tij, ashtu sikurse ajo tokë do të merrte emrin e vajzës së zgjedhur të Zeusit.

Kështu legjenda na shpjegon origjinën e emrit të kontinentit ku bëjmë pjesë gjeografikisht e të cilin, për kohë shumë të gjata që herët e kemi zënë në gojë si Vendin nga do të na vinin liria, drita, qytetërimi, mirëqënia. Në përfytyresën kolektive të shqiptarëve në qindvjeçarë Evropa fillonte duke kapërcyer detin prej nga na vinte “bajlozi”, apo duke kaptuar malet që gjogu  i Kostandinit përshkonte për të sjellë Dhoqinën e “martuar larg”…Në terma konkrete gjeografike kjo përfytyresë çuditërisht përputhet me kufijtë që sot Evropa e Bashkuar ka në Jugë e Juglindje.

Më 29 tetor 2004, në Romën e lashtë të Qezarëve e të Papëve, në sallën e Horacëve e Kuriacëve, një nga më të bukurat e më të njohurat e Bashkisë së saj, 25 kryetarë shtetesh e qeverish, së bashku me ministrat përkatës të punëve të jashtëme, vunë firmat e tyre në një libër të trashë prej 450 faqesh që ishte Traktati Kushtetues i Bashkimit Evropian. Në atë sallë luksoze, përfaqësuesit e zgjedhur me votat e lira të popujve të Evropës, nëpërmjet firmave të tyre, i vunë çatinë godinës së nisur 47 vite më parë në të njëjtin mjedis ku Burra Shteti si Alçide de Gasperi, Konrad Adenaueri, Robert Shumani, Pol Anri Spaku etj. patën guximin dhe largpamësinë t’i hapnin themelet.

Ishin dashur mijëvjeçarë të mbushur me luftëra, shkatërrime, urrejtje mes bashkësive të ndryshme të kontinentit, republika, mbretëri e perandori të fuqishme të ngritura e të shkërmoqura nën vringëllimën e shpatave e malet e kufomave, deri në shifrën makabre të 30 milion viktimave të luftës së dytë botërore, për të bindur përfaqësuesit e shteteve të Evropës se kishte ardhur koha të kthehej fleta e historisë. Lufta, me të gjithë përbërësit e saj, duhej të fshihej si term nga praktika e shteteve dhe psikologjia e popujve evropianë e vëndin e saj duhet t’a zinte Paqja, si ide parësore, sipërore dhe e patjetërsueshme në marredhëniet mes tyre. Ky vendim shënonte fillimin e një epoke të re jo vetëm në marredhëniet mes popujve e shteteve të pjesës perëndimore të Kontinentit, por edhe ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve që drejtonin jetën e tyre politike, shoqërore dhe ekonomike.

Filloi kështu sendërtimi i idesë së bashkimit të Evropës, që kishte qënë synimi i Romës Perandorake, i Karlit të Madh, i Napoleon Bonapartit, por kësaj here jo nëpërmjet forcës së armëve siç ishin përpjekur t’a bënin ata. Kësaj here do të zotëronte forca e arsyes, që do të ngrihej mbi trashëgiminë shumë shekullore të armiqësive, mosbesimit, urrejtjes, interesave të kundërta, prirjeve për pushtim e mbizotërim, motive që kishin përcaktuar epoka të tëra luftërash shkatrrimtare. U hap kështu një periudhë kohe e gjatë në të cilën demokracia, e sajuar mbi dymijë vite të shkuara në Athinën e lashtë të Perikliut e të Platonit, do të gjente sendërtimin e saj në Evropën Perëndimore. Fatkeqësisht pjesa tjetër e saj, në lindje të Oderit e të Adriatikut deri në hapësirat e pamata të Azisë e brigjet e Paqësorit, do të kthehej në “Perandorinë e së keqes”, në një sistem që Paqen do t’a trumbetonte me bujë si një flamur të reckosur, për të ndërtuar një botë ku fjalët “luftë”, “dhunë”, “diktaturë” do të lakoheshin në të gjitha format e mënyrat, duke shkaktuar tragjedi të pafundme brezash e popujsh të tërë.

Kjo qe tablloja e Evropës së ndarë në mes nga muret dhe perdet e hekurta, ku armët nuk do të luanin më simfonitë e tyre të tmerrit, por ku lufta pa to do të vazhdonte e ashpër, “e ftohtë”, mes dy sistemeve shoqërore e mes dy mënyrave të konceptimit e të sendërtimit të botës. Ky qe përfundimi i marrëveshjever të fituesve mes tyre, e ndarjes së “plaçkës”, e shpërblimit që një sistem diktature gjakatare do të kishte për ndihmesën e dhënë për thyerjen dhe asgjësimin e një tjetër sistemi diktature, të ngjyrosur tjetër soj. Kjo “luftë e ftohtë” mes dy sistemesh që kishin idhtarët e tyre edhe në fushat kundërshtare vazhdoi deri në vitin 1989.

Atëhere komunizmi, i brejtur nga krimbi i paaftësisë për t’u përtërirë në ide e për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme, në përputhje me parimet bazë të shkencës së saj, i infektuar në qelizat e tij nga urrejtja dhe dhuna e mbjellë e kultivuar për tre të katërtat e shekullit, u shëmb. Mbi gërmadhat e tij mbinë filizat e pemëve të lirisë së popujve të skllavëruar. Shpejt ata filiza do të rriteshin e zhvilloheshin, duke u pasuar nga ndryshimet e shpejta e rrënjësore në ecjen drejt modeleve të Shtetit të së drejtës, të demokracisë së zhvilluar, të kalimit nga varfëria në rrugën e gjatë e të vështirë drejt mirëqënies.

Rrëzimi i mureve dhe perdeve të hekurta i kujtoi evropianëve se ishin të gjithë banorë të të njëjtit kontinent, se ndanin së bashku historinë, kulturën, përparimin, se sfidat e botës së sotme e të ardhme i bënin thirrje të ecnin në të njëjtën rrugë, në atë të vlerave njerëzore të respektuara në Perëndim e të nëpërkëmbura në Lindje. Perëndimi i lirë dhe i kamur i kishte një detyrim moral Lindjes së skllavëruar e të varfër. Ai detyrim fillonte që në tryezat e Jaltës e të Teheranit e vazhdonte me vënien në jetë të vendimeve të tyre, që ishin sinonime të heqjes së lirisë e të drejtave njerëzore për popujt e Lindjes. Vazhdonte me indiferencën ndaj tankeve ruse në Budapest apo Pragë, me injorimin e gulagëve, të gjyqeve pa fund, të miliona viktimave, me përkrahjen e hapur apo nën rrogoz të regjimeve të diktaturës së kuqe si pasoje e Ost-politikës apo real-politikës, me marrëzinë e turmave shumëmilionëshe që mbushnin herë pas here sheshet e rrugët, duke mbajtur në dorë portretet e Çe Gevarës apo librushkat e Maos, duke sharë e mallkuar imperializmin amerikan, që në Vietnam, nëpërmjet gjakut të bijve të tij, mundohej të ndalonte sulmin e përgjithshëm komunist në botë.

Kështu Evropa që merrte frymë me dy mushkëri të ndara vendosi të bashkohej në një trup të vetëm, pa i vënë re me imtësi të gjitha detyrimeve të Traktatit të Mastrihtit që është Ungjilli ekonomik i saj. 29 tetori, mbas një majit të të njëjtit vit 2004, qe data e shënuar në historinë e Evropës që sanksionoi bashkimin e saj juridikisht, nëpërmjet një Kushtetute që do të shërbejë si ligji themeltar i saj.

Organizatorët e ceremonisë kishin menduar të ftonin jo vetëm përfaqësuesit e 25 vendeve firmuese por edhe ata të vendeve që presin të hyjnë si Rumania dhe Bullgaria ose të atyre që janë në paradhomën e bisedimeve si Turqia e Kroacia. Qëllimisht apo rastësisht ishin lënë jashtë kësaj ceremonie Shqipëria, Bosnja, Serbia, Kosova e Maqedonia, një lloj “trekëndëshi sunit” i Ballkanit, “fuçia e barotit” e Evropës Juglindore. Përfaqësuesit e këtyre Vendeve, që prej vitesh kanë shprehur vullnetin e synimin për t’u përfshirë në Evropë, nuk do t’a kishin prishur aspak dekorin e ceremonisë. Pjesëmarrja në të, qoftë dhe në rolin e vëzhguesit, do të kishte qënë një stimul për popujt e tyre, për të shtuar përpjekjet në rrugën e plotësimit të atyre kërkesave të domosdoshme për të “hapur” dyert e BE.

Si shqiptar, që jeton në Vendin organizator të ceremonisë së nënëshkrimit të Kushtetutës, mbeta keq kur, në më shumë se tri orë transmetim, dëgjova vetëm një herë emrin Shqipëri. E përmendi komentatori i njohur, shkrimtari italo-dalmat Enco Betica, kur diskutonte për problemin, aqë shumë të rrahur në opinionin publik evropian, atë të fillimit të bisedimeve për hyrjen e Turqisë në Evropë. Ishte fjala për aspektin fetar të problemit, që nxirrte si rrjedhojë dhe praninë e popullsisë myslimane në shumicë në Shqipëri e Bosnje, gjë që për mjaft evropianë përbën sot një shkëmb që frenon idenë e pranimit të këtyre vendeve në Bashkësinë.         

Në një artikull të ditëve të fundit në të përjavëshmen italiane Panorama, të titulluar “Mrekulli në Ballkan”, kushtuar përfundimeve të votimeve për Kuvendin e Kosovës, vlen të vihet në dukje qëndrimi polemik i shkrimtarit e publiçistit të mirënjohur karshi një pjese të shtypit Perëndimor që, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe ndërhyrjen e NATO-s më 1999 në të, kërkojnë t’a paraqesin atë si një veprim që ka sjellë vetëm të këqia. Ja si shprehet Betica:

“ ….Veç asaj media të ndryshme perëndimore kanë vazhduar t’a përshkruajnë Kosovën si një Far West të Evropës: një pështjellje bandash kriminale, kontrabandistësh, luftëtarësh të UÇK-së, të kthyer në kusarë, shkurt, një tokë të dëshpëruar, pa emër, pa shtet, pa ligje.

Por nuk kanë parë, nuk kanë dashur të shohin anën tjetër të medaljes. Nuk kanë parë për shembull maturinë e shumicës së një popullsie, në pjesën më të madhe myslimane që, megjithëse e nëpërkëmbur prej së paku një shekulli nga zotërues të krishterë, nuk ka rënë kurrë në prehrin e fanatizmit fetar, nuk ka ngatërruar kurrë fenë me luftën politike. Rruga kryesore e kryeqytetit Prishtinë është emëruar Klinton avenue, si falënderim për ndërhyrjen e NATO-s, me nxitjen e amerikanëve, në mbrojtje të shqiptarëve. Së fundi nuk i është dhënë gjithë pesha që meritonte suksesit të jashtzakonshëm zgjedhor të një njeriu të ekuilibrit e të marrëveshjes si Rugova, të cilit shumica e kosovarëve i ripohoi besimin e saj me 45% të votave….”

Një objektivitet i tillë na jep shumë kënaqësi kur e hasim në opinionin publik të huaj. Sigurisht do të kishim qënë edhe më të kënaqur sikur në Kosovë të mos ishin djegur e shkatërruar kishat dhe banesat e serbëve në këto vite, megjithëse jemi të ndërgjegjshëm se ai vandalizëm është vepër e një pakice shumë të vogël të kosovarëve që nuk duhet marrë si masë vlerësimi e tyre, ashtu sikurse nuk merret ofensiva e organizuar në shkallë planetare nga një pjesë e vogël e botës myslimane, që gjen shprehjen e saj në veprime terroriste të papranueshme e të papërligjura. Por nuk mund të mohohet se këto veprime ndikojnë për keq e përcaktojnë atë opinion që kundërshton Betica e që, për fat të keq, është ai i shumicës së evropianëve.

Duke lënë mënjanë konsideratat për problemin konkret që, simbas mendimit tim, nuk duhet të paraqesë vështirësi të pakapërcyeshme, po të mbahet parasysh fakti se në vetë nenin 2 të Traktatit Kushtetues thuhet: ” Shpallet respekti i jetës private e familjare, të lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të besimit, përveç barazisë ndërmjet burrave e grave dhe së drejtës për t’iu drejtuar një trupi gjykues apo një gjykatësi të paanshëm.”, “mungesa” e Shqipërisë në panoramën evropiane është motiv shqetësimi. Kjo “mungesë” është e përcaktuar nga dy faktorë: imazhi i Vendit dhe interesi për të. Faktori i parë varet kryekëput prej nesh, i dyti më pak.

Imazhin e ndërtojmë jo vetëm nëpërmjet Shtetit, politikës e institucioneve të tij, por edhe përmes sjelljes së përditëshme si qytetarë, në Shqipëri apo kudo ku jetojnë shqiptarët. Deri para pesëmbëdhjetë vitesh Shqipëria deri diku ishte një e panjohur për opinionin evropian. E mbyllur në sprovën e saj frymëmarrëse të komunizmit enverist ishte lënë në harresën e përgjithëshme, në absurditetin e regjimit të saj. Ballafaqimi i parë i madh me botën e huaj qe 2 korriku 1990, kur mijra qytetarë shqiptarë mësynë ambasadat e Vendeve më të mëdhenj evropiano-perëndimorë e iu desh Sekretarit të përgjithshëm te OKB-së të vinte në Shqipëri, për të bindur Qeverinë shqiptare të lejonte largimin e nënshtetasve të saj në drejtim të Vendeve që kishin zgjedhur për të mërguar. Më pas mësymja e detit në perëndim dhe e kufirit tokësor në jugë nga turma shumë mijra vetësh i tregoi Evropës se shqiptarët ishin një popull i mbajtur në zinxhirë e me t’u hequr ata kishin vetëm një synim: të largoheshin sa më shumë nga Vendi i tyre. Sigurisht përshtypja e parë nuk ishte e pëlqyeshme. Më tingëllojnë ende në vesh fjalët e gruas së ish Ambasadorit të Italisë në Tiranë, zotit Kardili, që në një bisedë të rastësishme në Shkodër, në prag të së parës meshë mbas ndalimit me Kushtetutë të besimit, u shpreh: “ Ju doni të gjithë të largoheni nga Vendi juaj, po kush do t’a rindërtojë atë?” Ka shumë për të diskutuar për këtë temë por nuk është në synimin e këtij shkrimi…Ky këndvështrim i dukurisë i la shkas opinionistëve keqdashës të instrumentalizonin ngjarjet duke ngjallur dyshime e mosmirëdashje. 

Ja çfarë shkruante aso kohe regjizori i njohur italian Amelio edhe për filmin “ L’America” me subjekt pikërisht eksodin shqiptar:”…Ja Shqipëria, këta janë shqiptarët. Një popull i tërë i trumatizuar për dhjetëvjeçarë nga regjimi i kaluar i cili, të gjithë urrejtjen e grumbulluar kundër sistemit e shpreh me mohimin e atdheut dhe të origjinës së tij. Nuk kam takuar kurrë një shqiptar që, sinqerisht ose dhe me fjalë të jetë i lidhur me Shqipërinë…” Fjalë të rënda si shkëmbinj, përgjithësim i rasteve të veçanta me të cilat mund të jetë hasur autori, një tregues prirjeje për të paraqitur shqiptarët në një dritë të errët në sytë e opinionit publik italian e evropian. Do të quhej një shprehje bindjeje vetiake, e mund të pranohej edhe si një gjë normale, po qe se shtypi do të ishte i hapur edhe për opinione të kundërta apo të ndryshme nga ai. Fakt është se e përjavëshmja e së majtës “Avvenimenti” (Ngjarje), që kishte botuar artikullin, nuk pranoi të botonte përgjigjen time e në bisedën telefonike që pata me redaksinë, kjo e fundit u justifikua se ia kishte dërguar shkrimin tim z.Amelio…Domethënia ishte e qartë: rruga jonë për në Evropë do të ishte në të përpjetë…

Psikoza e mërgimit me çdo kusht u ushqye tërthoraz edhe nga strategjia e udhëheqjes komuniste që, në synimin të siguronte pushtetin në forma të tjera nga diktatura e hapur, nuk nguroi të bëjë çmos për të nxjerrë jashtë Vendit të gjithë ata që mendohej se mund të merrnin ndonjë copë prej tij. Interesa të mëdha e të vogla të pushtetarëve e kastës së tyre shtynin të përcillnin në Evropë dhe gjithë llumin e rrugaçërisë dhe të kriminalitetit sigurimas. Masa heterogjene që doli nga Shqipëria në vitet e para të ndrrimit të regjimit, me sjelljen e saj në Vende të ndryshme, përcaktoi dhe përshtypjet e para që popujt e Evropës krijuan për ne. Me keqardhje duhet të pranojmë se këto përshtypje nuk qenë të mira në sajë të akteve të rrugaçërisë, të përsëritura në mjaft Vende të kontinentit nga shqiptarët, nga prirja e mjaft prej tyre për të zgjedhur rrugët e lehta në fitimin e jetesës, nga shtypi që i jepte përparësi paraqitjes së këtyre dukurive, edhe nëse nuk ishin zotëruese në kontekstin e përgjithshëm të integrimit të tyre.    

Nga ana tjetër imazhi i Shqipërisë ndjente zbrazësinë dhe mungesat e theksuara që një klasë politike e improvizuar, pas komuniste me fjalë, komuniste në mendësi, shpaloste çdo ditë në qeverisjen e Vendit. E paaftë të kapte çastin politik apo e detyruar të zbatonte një skenar famëkeq e të paracaktuar, nuk pati as zgjuarsinë, as kurajon dhe as vullnetin të kryente ato reforma rrënjësore e të domosdoshme për të vënë bazat e zhvillimit, nëpërmjet thithjes së kapitaleve të mëdha të huaja, rrjedhojë e një politike largpamëse konçesionesh. Ballafaqimi me botën e huaj në këtë drejtim nxori në pah një klasë drejtuese që e shikonte gjithë strategjinë e praktikën e daljes së Vendit nga gjendja katastrofale, në të cilën ndodhej, jo nëpërmjet vënies në shfrytëzim të aftësive potenciale ekonomike të tij, por nëpërmjrt “lëmoshave”, në formën e ndihmave, që institucionet ndërkombëtare apo shtetet e huaja do t’i jepnin Shqipërisë. Bilanci i tyre mbas gati pesëmbëdhjetë vitesh është “avullimi” i më se një miljard dollarësh në asistencën e një populli pa punë, pagesat e një administrate të fryrë dhe pa rendiment, ndoshta dhe në xhepat e pushtetarëve. Këto para, që janë një barrë në shpinën e brezave të ardhshëm që duhet t’i paguajnë, nuk u përdorën për të krijuar pasuri, por për të ruajtur një gjëndje palëvizshmërie ekonomike që duket se e ka paralizuar Vendin. Ajo që ishte më e rëndësishmja dhe më e keqja në sytë e të huajve që vinin në Shqipëri, ishte ideja se haptas ose tërthoras, përfaqësuesit e Shtetit shqiptar, në pjesën e tyre më të madhe, krijonin përshtypjen se interesoheshin më tepër për të mbushur xhepat e tyre se sa për të ringjallur Vendin e tyre të paralizuar nga një gjysëm qindvjeti keqqeverimi. Vite më parë një imprenditor italian, mbasi kishte qëndruar dhjetë ditë në Shqipëri për të parë mundësinë e ndonjë investimi, kur u kthye më tha: “ Në Vendin tënd populli merret me politikë e politikanët me biznes.” Ishin një përgjithësim i goditur ato fjalë për realitetin shqiptar, që paraqiste një pamje aspak joshëse për kapitalin e huaj.                    

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

Angjelina Nika dhuroi 300 libra për Bibliotekën e Vatrës

July 23, 2022 by s p

Anëtarja e Këshillit të Vatrës Angjelina Nika “Mjeshtër i Madh”, dhuroi 300 libra për Bibliotekën Shkencore të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. E shoqëruar nga patrioti Alban Laska, në prani të Editorit të Diellit, koreografja Angjelina Nika bëri aktin human të dhurimit nga Biblioteka e familjes, me qëllim që t’u vijë në ndihmë studentëve shqiptarëe të huaj, kërkuesve shkencorë dhe hulumtuesve të ndryshëm. Libra të fushës së gjuhësisë, letërsisë, historisë, ekonomisë, albanologjisë, shkencave politike, marrëdhënieve ndërkombëtare, fjalorë të ndryshëm e periodikë të shtypit plotësojnë në cilësi shkencore Bibliotekën e Vatrës.

Federata Vatra e Gazeta Dielli i shprehin mirënjohje dhe falenderim të veçantë për këtë kontribut të jashtëzakonshëm me qëllim kthimin e Vatrës në një pikë referimi për komunitetin shqiptar e kërkuesit shkencor.

Filed Under: Analiza Tagged With: Angjelina Nika

QEN-SHËTITËSI: “SA MË SHUMË NJOH NJERËZIT, AQ MË SHUMË I DUA QENTË”

July 23, 2022 by s p

Orest Çipa/

Mëngjesin e të martës që lam pas, u zgjova me vonesë për në punë dhe teksa po rendja këmbshpejtazi për të marrë trenin e linjës 2, që të çon në Manhattan, në hyrje të metros, një “korrier” gazetash më zgjati një kopje duke i bashkëngjitur togfjalëshin “është falas” !

Duhet të jesh me shumë fat të gjesh një ulëse në këtë orë të ditës. Vagonat janë të tejmbushura me njerëz dhe hera-herës të merret fryma nga kjo katrahurë që përsëritet e ripërseritet ç’do ditë.

Pasi u rehatova nisa ta shfletoj këtë “fletërrufe” mëngjesi .

Ishte buletin javor me reklama punësimi, shtëpish me qera dhe oferta shit-blerjesh për zonën e Pelham Parkway.

Mu duk e mërzitshme ta nisja ditën duke lexuar promocione pa kuptim dhe instiktivisht u përpoqa që këto fletushka ti fusja në çantë.

Teksa hapa zinxhirin e xhepit të parë, syri më zuri një foto mjaftë interesante e cila më tërhoqi deri në rishikim të buletinit.

Ishte një pozicion pune mjaftë i veçantë, ndoshta në Shqipëri apo edhe në shumë vende të tjera të botës nuk egziston.

-Dog walker -ose shëtitës qeni ose si mund ta themi ndryshe kujdestar qeni apo qenshëtitës.

“Gjatë fundit të viteve 1800 dhe fillimit të viteve 1900, ishte krejtësisht normale të shihje zonjat e shoqërisë së lartë, elitës, ose shoqëruesit e tyre të shëtisnin qentë në trotuarët e “Fifth Avenue” ose përmes “Central Park”. Megjithatë, nuk ishte normale të shihje një vajzë të klasës së ulët duke ecur me një qen të madh në “rreshtin” e milionerëve. Në këtë shëtitje jo të veçantë, vajza me sa duket po argëtohet më shumë sesa qeni, i cili vrehet lehtësisht se është tmerrsisht i pa kënaqur. Kjo nuk është për t’u habitur, sepse cili është ai qen gjuetie me “reputacion” dhe me “respekt” për veten, që do donte të detyrohej të ecte përgjatë kësaj avenue ç’do mëngjes me një shoqërues për t’i dhënë atij një privilegj që ai mund t’ja japi vetvetes? – New York Times, 15 janar 1899 “”.

Ky artikull i marrë nga gazeta njujorkeze i shkruar gati 123-re vite më parë, ishte bashkengjitur ofertës për punësim, ç’ka ta shtonte edhe më shumë kurjozitetin për ta lexuar.

Ilustrimi i “qëndisur” me foton e shkrepur 1 shekull më parë, me intrigoi dhe doja të mësoja pak më shumë për këtë profesion të rrallë.

Pasditen e po asaj së marte, pasi mbarova punë, dola në “Centeral Park” të takoja ndonjë qenshëtitës për ta pyetur rreth kësaj “bote” të pazakontë!

Ende nuk kishin kaluar 7-8 minuta nga rrugtimi për në park dhe para meje u shfaq një djalosh rreth 36-vjeç i cili mbante me të dy duart litarët e 6-të qenve. Ishte i raskapitur, por në fytyrën e tij mund të shquaje lehtësisht një buzëqeshje e cila dukej se po buronte nga kënaqësia që i jepnin këto krijesa të brishta.

Ju drejtova dhe e pyeta se si ja bënte me kaq shumë qen dhe ma ktheu se i kam shok dhe gjithçka shkon mirë.

-A të kafshojnë i thash

Jo, janë miqësor, por mos haro se sot janë njerzit që kafshojnë qentë dhe jo qentë që kafshojnë njerzit

-Pse e thua këtë fjalë, ja ktheva

Nga eksperienca!

-Si e ke emrin ? Si është të kujdesesh për qentë?

Rajmond, të kujdesesh për qentë është një punë e lodhshme, interesante, argëtuese por edhe shumë shpërblyese. Ka shumë lekë!

-Sa vite keni që e bën këtë punë?

Unë kam 8-vjet që punoj si qen-shtëtitës. Koha kalon shpejt por ç’do ditë më duket sikur është dita e parë

-Sa qen shëtisni ç’do ditë, ku i çon?

Unë shëtis rreth 20-30 qen në ditë, për gati 8 orë. Ky profesion kërkon kohën e vet, është si profesionet e tjera.

Këtu në Manhattan ka shumë vende ku mund të shkosh, qentë kanë parkun e tyre në ç’do zonë, në ç’do park. Është e pamundur të ketë park që nuk ka hapsirë për qentë. Ka ndertesa që kanë 40-50 qen dhe është e domosdoshme..

-Pse ka kaq shumë qen?

Epo është shoku më i mirë i njeriut, kot nuk i thonë! Ka njerëz që i duan kafshët, ka njerëz që e mbajnë se j’ua ka këshilluar mjeku, për ankth apo për stres, ka nga ata që e duan se janë të vetmuar, ka çifte që nuk bëjnë femijë dhe e kanë qenin si femijën e tyre. Ka shumë arsye. Po ti a ke qen?

-Jo, kam mace ja ktheva unë

-A janë të gjithë këta qentë e tu apo punon për ndonjë kompani

Unë ponoj për veten time, kompania është e imja , qentë janë të klientëve të mi

-Si lindi ideja për të krijuar një kompani?

-Fillova të punoja si shëtitës qensh kur isha në kolegj, mbuloja shpenzimet që kisha si student por më pas doli të ishte një biznes argëtues dhe i suksesshëm.

-Cili është qeni më i vështirë për t’u kujdesur?

– E beson apo jo është Çivava (Chihuahua). Janë qen që duan llastim dhe lehin shumë kur janë nervozë.

-Si reagoni ndaj qenve agresivë?

Zakonisht qëndroj i qetë dhe përpiqem të fitoj besimin e tyre. Duhet pak kohë, bëj disa shëtitje për të fituar plotësisht besimin e tyre. Ja kështu është.. është e lehtë me qentë. Nuk të kërkojnë as maskë, as lek, as makinë, asgjë ! Sa më shumë njoh njerëzit, aq më shumë i dua qentë. Është më e lehtë të punosh me qentë sesa me njerzit !

-A keni ndërtuar ndonjë lidhje “sentimentale” me këtë profesion?

Unë jam shumë i lidhur me qentë. Kohët e fundit ka ngordhur një qen për të cilin jam kujdesur për pothuajse 6 vite dhe kjo ishte shumë e trishtë për mua, është njësoj sikur ndahet nga jeta ndonjë pjestar i familjes.

-A të mërzit fakti që duhet të pastrosh jashtqitjen e tyre ç’do ditë apo le të themi 20-30 herë në ditë

– ha ha ha- Është punë që duhet bërë… po më mirë të pastroj jashtqitjen e qenve këtu në park sesa të pastrosh “jashtqitjen” e ndonjë drejtori, pronari apo ndonjë politikani arogant, që kutërbon më shumë se jashtqitja e vetë !

Filed Under: Fejton Tagged With: Orest Cipa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT