• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2022

GËZUAR 70 VJETORIN E MARTESËS RINA DHE NAUM PRIFTI!

July 28, 2022 by s p

Julika Prifti

27 korriku është datë e rëndësishme në kalendarin e familjes Prifti, të cilën e kemi festuar pa ndërprerje, aty ku kemi qenë dhe me ato mundësi që kemi patur.

Që kur e mbaj mend veten time, në datën 27 korrik të çdo viti, shtëpia merrte një atmosferë gazmore prej tingujve e ngjyrave festive të kombinuara me meloditë e lejuara apo “të ndaluara” të kohës që jetonim. Veç këngëve vlonjate e kolonjare, çifti Prifti, shoqëruar nga bijat, këndonte kompozime të njohura italiane e angleze, si edhe kërcente aq bukur tango, valz, mambo e më vonë ‘rock and roll’. Shtëpia zbukurohej me lule e fotografi të reja, tavolina shtrohej për festë dhe për ne, vajzat, nuk kishte vend më të lumtur në botë se apartamenti ynë në rrugën Bajram Curri në Tiranë. Nuk lakmonim asnjeri dhe nuk krahasoheshim me kërkënd sepse ndiheshim të lumtura që ishim pjesëtare të përvjetorit të martesës së prindërve. Në fantazinë tonë na dukej sikur na ishte dhuruar një udhëtim në kohë që e bënte të mundur të ishim me ju në ditën e dasmës.

27 korriku i vitit 2022 është përvjetori i shtatëdhjetë i jetës bashkëshortore, i klasifikuar si jubile madhështor dhe aq i çmuar sa platini. Në fakt kur babin e pyesnin sesa vjet kishte martuar, ai, me humorin e tij origjinal, përgjigjej: “Më duket se unë kam lindur i martuar”. Koha dhe fati deshën që kjo thënie të jetë mëse e vërtetë në këtë përvjetor i cili lehtësisht mund të barazohet me një jetë të tërë!

70 vjetori i martesës është i rrallë për çdo çift, por në kohën e pandemisë është një triumf i vërtetë sidomos pas shërimit nga Coronavirus-i dhe sëmundje të tjera të moshës. Padyshim, në harkun kohor të shtatë dekadeve ku përfshihet një ndërrim shekulli dhe kapërcim oqeani nga Shqipëria në Amerikë, ka pasur plot peripeci dhe dallgë e stuhi jete. Në ditët e vështirësive të mëdha dhe të vogla, në rastet kur ishte fjala për çështje shëndeti apo buxheti, në momente të tensioneve politike apo psikologjike, ju mbetët të pastër dhe të patjetërsuar. Prandaj nuk na jepnit leksione apo teori edukate sepse ato buronin nga vëzhgimi i sjelljes suaj me miqtë e shokët e vjetër e të rinj, njerëzillëku me fqinjët madje edhe me ata që kishin qenë partizanë, si teta Ollga e xhaxhi Tasi, ndihma që ju jepnit miqve me halle financiare apo të tjerëve që kishin nevojë për mbështetje shpirtërore, pritjet e vizitorëve të lajmëruar si edhe ardhjet e mysafirëve që trokisnin në derë papritur.

Në shtëpi priteshin e përcilleshin njerëzit e damkosur “politikisht” apo të cilësuar “armiq ” të sistemit socialist, sistem në të cilin u rritëm edhe ne, vajzat tuaja. Kështu, ne mësuam leksionin më të madh të jetës: Të mos kemi frikë nga e vërteta dhe nga e drejta e të mos mashtrojmë apo të ulim poshtë dikë për të ngritur lart veten tonë në çfarëdo rrethane qofshim.

Jeta nuk fillon nga Uni e nuk mbaron me vdekjen e Unit, sado i madh të jetë ai. Një koleg në Institutin e Monumenteve në Tiranë thoshte shpesh se “për shqiptarin bota fillon me mua e mbaron me mua”. Psikologjia e Uni-t që është thellë e rrënjosur dhe e theksuar nuk ishte e rëndësishme për ju. Parimi juaj ishte krejt i kundërt sepse ju vlerësonit çdo zanat e punë, sa kohë që kryhej mirë. Ngaqë ishte rritur në fshat për 14 vjet, babi e njihte mirë punën e rëndë të bujkut dhe blegtorit siç ia dinte vlerën edhe zanateve të tjera të familjes së Priftëllarëve dhe përgjithësisht kolonjarëve, si gurgdhendja e muratoria. Pra, tek ne ishte rrënjosur me kohë mirënjohja për “essential workers” që në Amerikë kaloi vetëm si një fazë kalimtare gjatë pandemisë por shpejt u zëvendsua nga rendja pas fallsitetit të statuseve sociale të ndërtuara me famë dhe pasuri materiale, por jo me vlera.

Nga ju, morëm prirjet për recitimet dhe gjuhët e huaja, letërsinë dhe artin botëror, mendimin e lirë dhe lirinë e shprehjes por edhe kërshërinë e guximin për të provuar gatime ‘ekzotike’ pa shtrembëruar buzët për specialitete si chicharon, ox tail, pa gjykuar dhe pa vënë etiketa ‘moderne”, ‘të mbrapshta’ dhe “primitive” kulturave të vendeve të tjera. Çfarë kuptimi njerëzor për planetin në të cilin jetojmë!

Meqë po cek temën e ushqimit, dua të falënderoj mamin nga fisi i Caushëve, e cila për mua gatuante qofte pa qepë e pa piper, apo makarona e fasule pa salcë domatesh, ngaqë unë kisha stomak të ndjeshëm. Me kalimin e viteve dhe në kohën studentore, u mësova të ha gati çdo gjë, përfshirë edhe fasule me salce të kuqe, sepse gjatë muajit të aksionit apo të shërbimit ushtarak nuk doja të bija në sy si “vajzë e përkëdhelur”. Faleminderit për durimin e gjatë!

Nga ju, ne të tria, kemi emra shumë të bukur. Unë isha e vetëdijshme se emri që më dhatë mua ishte në një variant të ri, të padëgjuar më parë në Shqipëri. Ndryshimi ishte i vogël, veçse një shkronjë më shumë nga varianti i njohur e shumë i përdorur, Julia. Po shkronja K-ja në rrokjen e fundit e bënte emrin më tingëllues e më përkëdhelës, sikur të donte të tregonte se unë do të isha e tillë përgjithmonë. J U L I K A në vend të J U L I A! Mesa di unë, jam Julika e parë në Shqipëri në vitin 1960. Ju prutë një emër të ri për vajzat shqiptare. Për vite të tëra, unë isha e vetmja Julikë. Po nuk mbeta e vetmja se ky variant u pëlqye shumë së pari nga komshia që banonte vetëm ca kate më poshtë në të njëjtën shkallë të pallatit. Moshatarja ime ndryshoi emrin. As sot nuk e di me dokumente apo vetëm në thirrjen nga prindërit, por për fat, ata u larguan në një banesë tjetër dhe unë mbeta Julika origjinale. Sa herë vizitoj Shqipërinë dëgjoj shumë “Julika”, por tani e kam kuptuar sesa përpara kohës ishit ju, që zgjodhët variantin e emrit i cili fitoi popullaritet.

Gëzuar e për shumë vite e festofshi përvjetorin e martesës!

Me dashuri vajzat,

Loreta, Julika, Rafaela

Filed Under: Komunitet Tagged With: Julika Prifti

CILA DO TE ISHTE FILOZOFIA POLITIKE QE DO ARRINTE BASHKIMIN E SHQIPTAREVE DERI NE PIKEN KRITIKE PER NDRYSHIM?

July 28, 2022 by s p

Perparim Gjeka/

Ka një rregull të pashkruar midis fuqive atomike, ato nuk hapin luftë direkt me njëra tjetrën sepse i tremben përdorimit të bombës e cila bëhet kështu paqeruajtëse. Ky rregull u provua këtë vit në luftën e Ukrainës ku NATO nuk sulmon dot direkt Rusinë. I njëjti rregull ka funksionuar me krerët politikë shqiptare të caktuar si të tillë nga diktatori i fundit Alia; duke pasur në dorë materiale bombë për njëri tjetrin nuk sulmonin njëri-tjetrin deri në asgjësim të plotë duke ruajtur kështu statusquonë e tranzicionit dhe të interesave të tyre të kryqëzuara e duke varfëruar shqiptarët.

Me zhvillimet e këtij viti, duket se kësaj klase politike i ka ardhur fundi derisa në degradimin e gradës së fundit nuk po kursejnë as njëri-tjetrin me tre bomba politike të plasura rresht, nga një për secilin kapo: non-grata për Berishën, dosja korruptive e inceneratoreve etj. për Ramën dhe mazhorancën e tij si dhe e fundit Meta si bashkëpunetor i ish Sigurimit famëkeq të diktaturës. Me këto zhvillime ku asnjë prej kapove politikë të sotëm me këto damka nuk mund të jetë kryeministër pas zgjedhjeve të ardhshme, jo vetëm hapet loja politike, por në fakt kërkohet një opozitë e re që do të bënte kalimin në demokracinë e vërtetë të Shqipërisë, opozitë e cila kërkohet me kohë jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga ndërkombëtaret së fundmi me ndërhyrjet e tyre në bombat që po plasin.

Me të drejtë shtrohet pyetja se çfarë filozofie, strategjie e narrative politike duhet të ndjekin forcat e reja politike që të mundin establishmentin.

Një tentim në këtë drejtim do ishte logjika e thjeshtë se opozita e re duhet të bëjë shumëçka ndryshe nga kjo politike e deritanishme për të thithur shumicën e votuesve dhe arritur pikën kritike të 50%+1 të votave. Por, përtej atyre që janë thënë shpesh në mendimin politik në rrafsh taktik, si antikorrupsioni, njerëz të rinj, program ekonomik për alternativë qeverisje etj., duket se ka rëndësi të madhe rrafshi ideologjik për të bërë të mundur bashkimin e sa më shumë shqiptarëve me bindje, prejardhje dhe interesa të ndryshme.

PER NJE REPUBLIKE JO TE NGRITUR MBI URREJTJEN

Për të mos folur për bazat e urrejtjes klasore mbi të cilën u ngrit Republika Popullore e Shqipërisë në 11 Janar 1946 dhe u forcua më shumë me ligj në vitin 1976 si diktaturë e proletariatit, demokracia e fituar me votë popullore në vitin 1992 gjithashtu nuk u zhvillua mbi baza parimesh të shëndosha si në Francë përshembull liri, barazi, vellazeri. Tek ne filloi një gjueti shtrigash kundër komunizmit, komunistëve, kripto-komunistëve e veprave publike të ndërtuar në kohën e komunizmit pa një praktikë të vërtetë e të shëndoshë administrative për të minimizuar ndikimin real të njerëzve me dëm real gjatë diktaturës komuniste e mendësi të rrënjosur diktatoriale me masa që do duhej të ishin marrë si hapja reale e dosjeve të Sigurimit të shtetit, lustracioni, ndjekja penale e abuzuesve me ligjet e diktaturës etj. Kjo bazë urrejtjeje e klasës politike që erdhi në pushtet kundër afer gjysmës së popullit dhe opozitës së ligjshme ndonëse ish-komuniste e shprehur në goditjen deri fizike në zgjedhjet e vitit 1996 krijoi kushtet për vazhdimin e urrejtjes dhe plasjen e saj pak muaj më vonë këtë radhe me protagonistë nga krahu tjetër, ku ish komunistë, ish sigurimsa ish kuadro e të privilegjuar në kohën e diktaturës udhëhoqën rebelimin dhe orkestruan trazirat e vitit 97 duke manipuluar një masë të madhe të popullit të intimiduar si komunistë, ose si të deklasuarit e rinj.

Republika me kushtetuten e vitit 1998 të cilën e kemi në përdorim edhe sot, e formuluar nga ajo klasë politike me prejardhje thuajse plotësisht ish-komuniste dhe e urryer përsëri nga gjysma tjetër e shoqërisë me bindje demokratike u votua në një atmosferë urrejtjeje e cila vazhdon edhe sot në luftën politike derisa dy liderët e po atyre forcave kryesore politike e quajnë njeri-tjetrin armik, jo kundërshtar politik. Ndërkohë shqiptarët tashmë vërtetojnë me fakte se votojnë kundër armiqve politike dhe jo sepse pëlqejnë aq shumë partitë politike dhe liderët e tyre. Në vitin 2019 për zgjedhje lokale ku PS nuk kishte armik qe do rrezikonte zgjedhjet, dolen per votim vetëm afer 10% (me shkresa pas mbushjes së kutive afër 16%). Nuk ka arsye të besohet se edhe për PD në rast të mosparaqitjes së armikut do të votonin më shumë se 10%.

Pra fusha e lirë politike reale shkon hipotetikisht deri në 80% të votuesve përfshirë Diasporën. Një fakt tjetër në këtë linjë tregon që megjithëse PD merr afër 600 mijë vota në zgjedhje, në tubime mezi arrin të mbledhë 6000 protestues. Kjo tregon se shumica e të tjerëve votojnë PD për inat të PS dhe ngaqë nuk kanë alternativë tjetër se sa sepse pëlqejnë vetë PD.

Ekuilibrat e mësipërm qartësojnë se një ofertë politike pa dallime të forta ideologjike majtas apo djathtas, pa anatemuar grupe të caktuara shoqerore, me gjuhë të moderuar politike me motiv patrotik, respektimi dhe mbrojtja e interesave të sa më shumë grupeve të interesit, reforma ekonomike as të majta e as të djathta për vetë faktin që ekonomia është në gropë, duhet ta nxjerrim njëherë nga gropa dhe pastaj të mendojmë ku do ta vendosim majtas apo djathtas, me një ndërhyrje të vendosur reformash dhe rol të shtuar të shtetit si rregullator ekonomik si fillim, etj. do të ishte një terren pjellor për ushqimin e masës më të madhe të votuesve. Shqiptarët kanë nevojë të ushqehen me dashuri e respekt dhe jo me urrejtje dhe denigrime shpesh pa fakte.

LARTESIMI I KOMBIT PER NGRITJEN E KRENARISE DHE NDERGJEGJJES KOMBETARE

Ndihet apati e një tulatje për të drejtat e tyre e popullsisë në Shqipëri. Përveç faktorëve politike si mosqarkullimi i elitave politike tash 30 vjet, shtypja me gaz e protestave, varfërimi ekonomik, emigracioni i detyruar etj. ka edhe një vektor socio-psikologjik që ndikon thekshëm në mosorganizimin e të shtypurve dhe ai është pikërisht investimi më i madh mediatik i klasës politike në ikje: trushpëlarja se ky vend nuk bëhet, se këta që janë nuk e lëshojnë, se nuk ka të tjerë më të mirë që mund t‘i dalin për zot vendit, se ky popull inferior pa gjak, këta horra meriton në pushtet etj. etj. të kësaj natyre, narrativë që shpesh për efekt deziluzionimi pas përpjekjesh të vazhdueshme për ndriçim e organizim, fatkeqësisht gjen vend edhe në ligjërimin publik të figurave të shquara e me vlera të shqiptarisë brenda dhe jashtë vendit. Shumë prej tyre, në të kundërt shumë të respektuar, në vorbullën e mjegullën e dëshpërimit janë bashkuar ose mbështesin mediatikisht dhe në rrjete sociale ndonjë nga bashkëfajtorët kryesorë të gjendjes pa shpresë ku kemi arritur si shtet. Dhe kjo sepse ata nuk shohin një shpresë tjetër dhe nuk kanë durimin të presin daljen e një alternative të pastër opozitare si imperativë e kohës si u shpjegua më lart.

Pra del detyrë e atyre që shohin qartazi të ardhmen pa këtë klasë politike të degraduar të bëjmë luftën ideologjike për lartësimin Kombit dhe fuqizimin ideor të sa më shumë shqiptarëve se kapot e sotëm nuk kanë më shpresë, shpresa besimi dhe e ardhmja na takon ne, më të mirëve të Kombit dhe jo më të fortëve që kanë zaptuar burimet tona të jetesës, e ardhmja i takon shumicës së ndershme dhe jo pakicës perverse, zullumi kur trashet keputet nga pesha e vet, ne jemi bijtë e bijat e popullit më të vjeter në Mesdhe dhe kemi mbijetuar perandori gjakatare, si nuk mund të prosperojmë me perandoritë demokratike aleate?

Ajo ide që zgjon shpirtin e fjetur të një kombi, që zgjon shpresën dhe vret frikën, që bashkon më së pari shumicën e elitës së kombit në shkencë, edukim, fe, biznes, art, shoqeri civile, ajo ide do të bashkojë edhe shumicën e popullit. Kemi nevojë për më shumë njerëz që përçojnë vlerat, traditat e mira të popullit tonë, virtutet, evokimin e trimërive dhe kujtimin e heronjve, sakrificat dhe mbijetesën në këto brigje të lakmuara të Mesdheut. T’u kujtojmë shqiptarëve se ne jemi në fakt si komb më të fortë se serbët përshembull. Pse? Sepse ata e kanë ëndërruar më shumë se çdo gjë kurdoherë daljen në detin Adriatik, por ja që asnjëherë nuk ia kanë arritur si rezultat i vitalitet të popullit tonë. Të jemi krenarë që jemi shqiptarë, por të kuptojmë që këto vite nuk kemi ditur të zgjedhim njerëzit e duhur në drejtim dhe kjo është e fundit punë që na mbetet të bëjmë për ngritjen e kombit dhe prosperitetin e familjeve tona.

BASHKEPUNIMI I DOMOSDOSHEM TRIUMVIRAT: ATMEMEDHE-TROJE SHQIPTARE NE BALLKAN-DIASPORE E RE DHE E VJETER

Ka një dakordësi të qartë tashmë në trojet tona të banuar ende nga shqiptarë se:

Tirana zyrtare nuk ka qenë asnjëherë në lartësinë e duhur si ndihmë për faktorin shqiptar në pesë shtetet ballkanike Kosovë, MV, Mali i Zi, Serbi, Greqi. Që nga thyerja e embargos së naftës me Jugosllavinë e Millosheviçit, mosndihma e organizuar për UCK dhe UCK në Maqedoni, lënia në mëshirë të fatit e komuniteteve shqiptare ne Preshevë, Malin e ZI, mosinteresimi për çeshtjen çame dhe arvanite në Greqi, e deri te hartat për copëtimin e Kosovës së fundmi. Nga ana tjetër, dobësia ekonomike, ushtarake, diplomatike e një vendi të varfër si Shqipëria londineze ka pasur një efekt të drejtpërdrejtë në zhvillimine dobët ekonomik, krenarinë e dobësuar kombëtare dhe infiltrimin e lehtë të gjithfarë rrymash antishqiptare në këto troje. Për të kuptuar se çfarë është humbur në këtë drejtim mjafton të mendojmë e krahasojmë punën që ka bërë shteti i fortë serb për pakicat e tij të pakta në Kosovë, Bosnje dhe Mal të Zi.

Nga ky konkluzion kuptojmë se sa i domosdoshëm është ndryshimi patriotik i kursit të qeverisë shqiptare për gjithë faktorin shqiptar në rajon dhe sa të interesuar do të jenë forcat progresiste atje për bashkëpunim dhe bashkerendim me forcat në atmëmedhe dhe Diasporë. Nga ana tjetër, forcat në trojet shqiptare janë jo vetëm të nevojshme, pjesë e një fuqie të përbashkët kombëtare, por edhe të sprovuara në luftëra e beteja për liri, barazi, prosperitet me atë vetëmohim e organizim që nuk e kemi parë asnjëherë në Shqipëri.

Pra janë forca që duhen jo vetëm ingranuar me seriozitetin e duhur por nga duhet marre shembull për veprime konkrete, si në grumbullime financiare për kauzën shqiptare, në lobime nderkombëtare e deri në luftë maleve e dhënie gjaku për liri.

Diaspora shqiptare nga ana tjetër me forcën e saj ekonomike, pavarësinë relative nga politika klanore e Tiranës dhe aftësitë lobuese në shtetet e fuqishme perëndimore është një pasuri tjetër e domosdoshme. Të mos harrojmë ndihmën e shembullit Dioguardi për Kosovën nga Diaspora e vjetër dhe të marrim parasysh forcën elektorale të Diasporës së re në ndryshimin e ekuilibrave politike në zgjedhjet e ardhshme me votën nga vendet ku jetojnë që pritet të ekzekutohet. Prandaj vlerat diasporake duhet të ingranohen në fuqi të plotë, për të arritur kështu aktivizimin e gjithë faktorit shqiptar dhe gjithë burimeve të ndryshimit me triumviratin; forcat antiestablishment (antitranzicion) në atdhe me faktorin e dalluar patriotik shqiptar në Ballkan e me gjerë si dhe me Diasporën aktive e cila duhet thënë se në masë të madhe mund të përkufizohet si e përndjekur politike si ajo e vjetër nga regjimet e kaluara edhe ajo e re nga politika e mbrapshtë e pas diktaturës.

ALEANCA E PATRAZUAR EUROATLANTIKE

Qoftë pozita aktuale që detyrohet të pohojë se po bëjmë këtë apo atë reformë, emërim, qëndrim diplomatik apo ekonomik ngaqë na detyrojnë ndërkombëtarët, qoftë opozita aktuale që fajëson ndërkombëtarët se pse mbajnë në këmbë një qeveri të korruptuar në thelb na thonë të njëjtën gjë; faktori euroatlantik është vendimtar në jetën politike të një shteti të vogël rrethuar me armiq historike kombëtarë si ne. Fakti që si opozita dhe pozita janë acaruar kohët e fundit më shumë me faktorin ndërkombëtar dhe po gjejnë strehë të fundit te sovranizmi dhe patriotizmi si maskarenj të provuar që janë na bëjnë të besojmë se ata janë në fakt aleatët tanë, të shqiptarëve të mirë që nuk pëlqejnë këtë klasë politike dhe që jemi shumica.

Edhe faktori nderkombëtar në këtë prizëm është në kërkim të aleatëve të rinj derisa nuk i gjen te kjo klasë politike. Narrativa që shkojnë bashkë me sovranizmin donkishotesk të liderëve të shplarë e me damkë të tranzicionit shkojnë ndesh me interesat e shqiptarëve. Si mund të dalim ne sovranistë që nuk pyesim për Amerikë kur na vjen serbi brenda ditës në Durres me shoqatën e gjuetarëve të vet pa NATOn? Si mund të guxojë një lider tjetër shqiptar të thotë Amelika Amelika kur Albin Kurti, lideri me mbështetje popullore të madhe, por njëkohesisht edhe lideri më i pakorruptuar ku Amerika nuk gjen ku ta kapë, shkoi me një kembë në Washington e firmosi ç’deshte Amerika? Nëse liderët shqiptarë janë Don Kishotë që luftojnë mullinjtë e erës, ata që i mbështesin nuk janë veçse Sanço Pança. Kush do qëndrojë sa më larg Don Kishoteve dhe sa me afër Servantesit të madh, do jetë edhe më afër pushtetit.

PERDORIMI I SISTEMEVE DIXHITALE BASHKEKOHORE DHE INNOVACIONIT NE POLITIKE

Patjetër që një ide e re politike kërkon kohë të piqet, patjetër që një grupim i ri me të njejtën ide ose ide të afërta politike kërkon kohë të formohet, këto ide duan kohë, energji, financa, media, struktura në bazë etj. që të vihen në veprim. Por asnjë ide që i ka ardhur koha nuk mund të ndalet. Kryesore pra është që të gjendet filozofia politike më e mirë dhe më e përshtatshme për gjendjen social-psikologjike të shumicës së votuesve, ajo filozofi që ngjit.

Në kushtet e sistemeve dixhitale, mediave sociale të lidhura LIVE me çdo person me vetëdije politike, është tepër e lehtë komunikimi virtual me njerëz me të njëjtën ide. Të gjithë i kanë të shprehura qartë idete e tyre. Këta njerëz po lidhen instiktivisht midis tyre, në kohë reale, për të shprehur të njëjtën ide me mënyrën e tyre si mesazhe kundrejt nje lajmi.

Mekanizmi i mbledhjeve online janë tashmë të provuara si efikase dhe me rezultate konkrete, jo si disa vjet më parë kur duhej të shkoje fshat më fshat të përhapje “lajmin e mirë”.

Lajmi tjetër i mirë është se kemi një brez të edukuar në epokën dixhitale, shumë projekte konkrete, platforma sociale, ekonomike, edukative etj. implentohen nga ne në një kohë rekord dhe me eficiencë maksimale. Kjo përvojë e fituar kalohet shpejt në sferën politike dhe ua merr në kthesë manovrave politike të politikës së vjetër të shekullit të kaluar. Na jemi t’birt e shekullit të ri në edukim, në eksperiencë, në gjallëri, por edhe në trimëri. Sepse kemi një armë që qëllon në shenjë, integritetin moral në radhë të parë dhe innovacionin.

Perparim Gjeka

27.07.2022

#lartesimiikombit

Filed Under: ESSE Tagged With: Perparim Gjeka

SPECIAL MESSAGE FROM U.S. PRESIDENT JOE BIDEN

July 28, 2022 by s p

Of all the people of Albania i send my best wishes and enduring friendship of the United States as we celebrate 100 year anniversary of our country’s establishing diplomatic relations. When the united states defended albania’s independence after world war one it launched a lasting friendship between our people a shared love of liberty and of the values of democracy that was

never broken even when the people of albania endured decades of dictatorship. Today Albania and the United States are allies in NATO and partners working together to defend freedom and  democracy in Europe and around the world including through our work of the UN Security Council. Albania has also made critical contributions to supporting humanitarian and security needs of the Ukrainian people as they defend their country against russia’s brutal war. And I want to thank the people of Albania for your hospitality and hosting thousands of afghans over the past year and we look to the future the united states going to continue to stand with

albania as you carry forward the work to fortify democratic institutions fight corruption strengthen the rule of law and complete your journey to join the European Union. May our two nations continue to build all that we have accomplished together and deliver a brighter more hopeful future for our children.

Filed Under: Politike Tagged With: Joe Biden

FJALA E AMBASADORES SË SHBA KIM NË CEREMONINË E 100-VJETORIT TË DITËS KUR SHBA DHE SHQIPËRIA VENDOSËN MARRËDHËNIET DIPLOMATIKE

July 28, 2022 by s p

President Begaj, Kryeministër Rama, Ministre Xhaçka, ish Presidentë, ish Ministra të Jashtëm, të nderuar miq: Si sot një shekull më parë – disa vite pasi Presidenti Woodroë Wilson deklaroi në Konferencën e Parisit se Shqipëria duhet të jetë një komb i pavarur dhe sovran – komisioneri amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake, pati nderin t’i përcjellë kryeministrit Xhafer Ypi njohjen zyrtare të Shqipërisë si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara. Me njohjen e njëra-tjetrës si shtete në 28 korrik 1922, Amerika dhe Shqipëria ndezën një pishtar të shenjtë që është përcjellë ndër breza. Gjatë ditëve më të errëta të komunizmit, ai pishtar i shenjtë u ruajt nga shqiptarët dhe amerikanët, i fshehur por pa u lejuar kurrë që të shuhet. Ne që jemi mbledhur sot këtu kemi nderin e madh ta trashëgojmë atë pishtar dhe ta mbajmë atë më lart, duke bërë që ai të ngrohë miqësinë mes popullit amerikan e shqiptar dhe të ndriçojë rrugën përpara shtegut tonë të përbashkët si aleatët më të ngushtë. Ndërsa shënojmë një shekull marrëdhëniesh diplomatike, e shfrytëzojmë këtë rast për të nderuar të gjithë amerikanët dhe shqiptarët që erdhën para nesh dhe kontribuan për partneritetin SHBA-Shqipëri, sidomos ata shqiptarë të cilët paguan për lirinë dhe miqësinë me jetët e tyre. Shumë ka ndryshuar në 100 vjet, por ja çfarë mbetet e pandryshuar dhe e vërtetë: Shtetet e Bashkuara nuk janë lëkundur kurrë nga besimi në një Shqipëri të pavarur dhe sovrane.  Ne nuk jemi lëkundur kurrë nga besimi tek ju. Ne nuk jemi lëkundur kurrë nga besimi në miqësinë tonë. Ne ishim krenarë që ju mbështetëm kur këputët vargonjtë e diktaturës komuniste në vitin1991; krenarë që mbështetëm aplikimin tuaj për t’u anëtarësuar në NATO në vitin 2009; krenarë që ndoqëm udhëheqjen tuaj si Kryesues në detyrë të OSBE-së në vitin 2020; krenarë t’ju mirëprisnim si partner anëtar i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në janar të këtij viti; dhe krenarë të festojmë me ju këtë muaj ndërsa filluat zyrtarisht negociatat për të zënë vendin tuaj të merituar si një komb i begatë dhe demokratik brenda familjes europiane. Shtetet e Bashkuara nuk janë lëkundur kurrë – dhe ne nuk do të lëkundemi kurrë – nga mbështetja e aspiratës së popullit shqiptar për sovranitet, demokraci, begati dhe drejtësi. Ndërsa festojmë 100 vjet së bashku, sot kam nderin të ndaj me ju mesazhet e dy presidentëve amerikanë: George W. Bush, Presidenti i parë amerikan në detyrë që vizitoi Shqipërinë dhe Presidenti Biden, i cili ka një vend të veçantë në zemrën e tij për popullin shqiptar.

Filed Under: Analiza

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj: Me ndihmën e SHBA shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan

July 28, 2022 by s p

Kënaqësi e veçantë që sot, kremtojmë 100-vjetorin e lidhjeve të marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerin tonë më të madh strategjik. Një moment i historisë sonë, lidhet me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtyre marrëdhënieve. Këto 100 vite konfirmojnë vendosmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin, në kohë të vështira e të mira, në momente kyçe të historisë, në sfida të sigurisë e paqes në rajon dhe në botë. Sot ne qëndrojmë krah për krah partnerit tonë strategjik amerikan dhe punojmë së bashku në fusha me rëndësi jetike. Rezultatet në reformimin, transformimin dhe mirëqeverisjen, si dhe në forcimin e institucioneve të drejtësisë, diplomacisë, sigurisë e mbrojtjes dhe sundimin e ligjit, e kanë shndërruar vendin tonë në një partner i cili përmbush rolin koherent, konstruktiv dhe diplomatik. Falë mbështetjes bujare dhe pa asnjë rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan. Mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare. Me të njëjtat principe dhe me të njëjtën vendosmëri me të cilën u mbështet Shqipëria 100 vjet më parë, u mbështet edhe Kosova për shpalljen e pavarësisë. Marrëdhëniet do vazhdojnë të forcohen edhe qindra mijëra vite të ardhshme. Gëzuar 100 vjetorin.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT