• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2022

GUVERNATORJA E NJU JORKUT TAKOHET ME SHQIPTARO- AMERIKANËT NË RRUGËN GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBEU NË NJU JORK

July 26, 2022 by s p

 Nga Frank Shkreli/

Gjatë viteve, komuniteti shqiptaro-amerikan është takuar me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të niveleve të larta vendore,shtetërore dhe federale për të qarë hallet dhe për të kërkuar ndihmë për komunitetin e këtushëm por edhe për mbështetje më të mëdha dhe më të rëndësishme që kanë pasur të bëjnë me fatin e bashkatdhetarëve tanë anë e mbanë trojeve shqiptare – në përpjekjet dhe luftën për sigurimin e të drejtave të njeriut, lirisë, drejtësisë dhe demokracisë së vërtetë. Është kjo një e kaluar e shkëlqyer në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Por komuniteti shqiptaro-amerikan vazhdon të bëjë histori. Ishte një kohë që komuniteti ynë këtu në Nju Jork dhe në Amerikë, përgjithësisht, dikur kërkonte vëmendjen e udhëheqësve më të lartë të atdheut tonë të adaptuarShteteve të Bashkuara të Amerikës –për të na ndihmuar, në të kaluarën, sidomos, përball sfidave të diktaturave të shekullit të kaluar – shëmbjen e komunizmit në Shqipëri dhe çlirimin e pavarësinë e Kosovës nga zgjedha e regjimit terrorist serb të Millosheviçit, ndër të tjera.  Por, sot ka ardhë koha politikanët amerikanë janë ata që kërkojnë vëmendjen e komunitetit shqiptaro-amerikan, gjë që tregon – se megjithëse i vogël në numër, në krahasim me komunitetet e tjera etnike më të mëdha,  komuniteti ynë ka arritur të luaj një rol të rëndësishëm, jo vetëm në ekonominë vendore por edhe në qarqet politike amerikane. Një rast konkret.

Të shtunën mbrëma më telefonoi Z. Mark Gjonaj, bashkvendasi im nga rrethi i Ulqinit — aktivisti i palodhëshëm i komunitetit tonë këtu në Nju Jork dhe jo vetëm, ish-asambleisti dhe anëtar i Këshillit të Qytetit të Nju Jork, realizues i shumë projekteve shoqërore shumë përfituese për komunitetin shqiptaro-amerikan këto vitet e fundit –për të më njoftuar se posa kishte folur me Guvernatoren e 57-të e shtetit të Nju Jorkut, demokraten(e para femër guvernatore e këtij shtetit),ZonjënKathy Hochul, e cila i kishte shprehur dëshirën që të takohej me komunitetin shqiptaro-amerikan ditën e nesërme, të dielën. Marku, natyrisht, vihet në lëvizje të shpejt — ashtu siç e ka zakon për raste të tilla — për të organizuar brenda disa orësh takimin e Guvernatores Hochul,për ditën e nesërme, me komunitetin shqiptaro-amerikan. Megjithëse ishte një kërkesë e “minutit të fundit”, që takimi të bëhej ditën e dielë, Mark Gjonaj ia doli që vetëm, brenda disa orësh, të organizonte një pritje të mrekullueshme mysafirës së lartë e shtetit Nju Jork, e cila po takohej – me ftesën e ardhur prej saj – për herë të parë si guvernatore me komunitetin shqiptaro-amerikan.

Unë nuk jam në dijeni – megjithse mund të ketë ndodhur më parë – por nuk mbahet mend që një guvernator/re e shtetit të Nju Jork-ut të bëjë thirrje të takohet dhe të organizohet miting mekomunitetin shqiptaro-amerikan këtu në Nju Jork.  Zakonisht, ndodh e kundërta, komuniteti ynë fton politikanët për takime ose për pjesëmarrje në ndonjë ceremoni me rëndësi.

Por, ja Guvernatorja Hochul erdhi të dielën për takim me komunitetin shqiptaro-amerikan – në lagjën e banuar nga shumë shqiptarë në Bronx – po aty, ku disa javë më parë është zhvilluar ceremonia e emrimit të rrugës Gjergj Kastrioti- Skenderbeu – një realizim tjetër ky i aktivistit të njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan, Z. Mak Gjonaj.Mu aty në rrugën e Gjergj Kastriotit – Skenderbeu, në Bronks të Nju Jorkut, komuniteti shqiptaro-amerikan i udhëhequr nga Mark Gjonaji ofroi mirëseardhjen të parës së shtetit të Nju Jorkut, Guvernatores, Kathy Hochul, me mikpritjen tradicionale shqiptare.

Duke mirëseardhur Guvernatoren në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork në veçanti dhe në Amerikë, në përgjithësi, Mark Gjonaj tha se shqiptaro-amerikanët i gjenë kudo të punësuar, “Në radhët e para të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, në radhët e policisë e të arsimit; ata janë zjarrëfikës, mjekë e infirmjerë në spitalet tona, janë anëtar bordesh dhe japin mësim në shkolla dhe universitetet tona. Kur flasim për shqiptarët, kemi të bejmë me njujorkezë të vërtetë të cilët janë mirënjohës për të mirat dhe mundësitë që u janë dhenë dhe për privilegjet që gëzojnë në këtë vend.”

 Z. Mark Gjonaj vazhdoi duke thenë se qyshë në kohën që ai ishte anëtar i Asamblesë së shtetit të Nju Jorkut kishte punuar me Guvenatoren Kathy Hochul – kur ajo ishte zevendës-guvernatore dhe se ajo i kishte premtuar që atëherë se ajo donte të njihej më mirë me komunitetin shqiptaro-amerikan dhe se ajo “donte të dinte më shumë edhe për nevojat dhe shqetësimet tona”, në përgjithësi. Ajo e mbajti fjalën”, tha Z. Gjonaj. “Ajo me kontaktoi dhe më pyeti nëse mund të takoheshim me komunitetin shqiptaro-amerikan, me qëllim për tu përshendetur me njëri tjetrin, një takim ku ju të beni pyetjet tuaja dhe që guvernatorja tu përgjigjet pyetjeve dhe shqetësimeve tuaja”. Ja ky është objektivi i vizitës dhe i takimit me ju sot”, shtoi Z.Mark Gjonaj dhe ia dha fjalën Guvernatores Kochul.

Guvernatorja Hochul, nga ana e saj, përshëndeti përzemërsisht të pranishmit dhe me këtë rast shpalosi vizionin e saj për banorët e Nju Jorkut ndërsa ofroi edhe ndihmën e saj për komunitetin shqiptaro-amerikan.  Duke ku drejtuar Z. Mark Gjonaj, Guvernatorja Hochul e cilësoi Z. Gjonaj si një, “Zyrtar publik i shkëlqyeshëm me të cilin kam patur rastin të punoj në të kaluarën”, tha ajo. “Ky është një luftëtar, gjithmonë kishte në zemër dhe në mendje interesin e komunitetit shqiptaro-amerikandhe zonës së tij elektorale, duke i ndihmuar ata që përvojën amerikane t’a bëjnë pjesë të përvojës së tyre peronale. Ju falënderoj për rolin tuaj udhëheqës”, i tha ajo Z. Mark Gjonaj.  Ndërsa duke iu drejtuar përfaqsuesve të komunitetit në atë takim, “këtij komuniteti të madhërishëm këtu, mbi 100-mijë, përqëndruar këtu në këtë zonë që quhet “Shqipëria e vogël”, ku celebrohen disa prej traditave dhe zakoneve më të mira, ku nderohen dhe kujtohen njerëz të dalluar e kontribues, shumë prej të cilëve janë arratisur nga rrethanat të vështiranë atdheun e tyre të prejardhjes, por në kërkim të asaj “ëndrrës amerikane”, si shumë e shumë të tjerë, përfshir gjyshin e gjyshe time. Unë shpresoj që ju të kini gjetur këtu, jo vetëm “ëndrrën amerikane”, por edhe “endërren njujorkeze” në këto hapësira, në këtë komunitet, sepse ky komunitet është më i mirë dhe më i bukur dhe më interesant, pikërisht, për arsye të pranisë së juaj këtu.  Dhe vullneti juaj për të punuar duke hapur tregti të reja, për të na ndihmuar që të ndërtojmë një Nju Jork më të mirë, nepërmjet punës tuaj, siç përmendi edhe Marku, për të na ndihmuar të luftojmë krimin, ndër të tjera. Përparësia ime, numër një, si guvernatorja juaj, është që t’ju garantojmë shëndetin, sigurinë juve dhe familjeve tuaja…kjo është përgjegjësia ime numër një…”, ka thënë guvernatorja e Nju Jorkut në takimin me shqiptaro-amerikanët në rrugën Gjergj Kastrioti -Skenderbe, në lagjën  Bronks të Nju Jorkut, të dielën që kaloi.

Dua të përfitoj nga ky rast i vizitës së Guvernatores së shtetit të Nju Jorkut të djelën në komunitetin shqitaro-amerikan në Bronks, një vizitë kjo që tregon rolin e shtuar politik dhe ekonomik të shqiptarëve në këtë vend. Kam theksuar shpesh nevojën e angazhimit të brezit të ri të shqiptaro-amerikanëve në politikën vendore dhe të niveleve të tjera shtetërore dhe federale. Unë jam munduar që të pasqyroj në të kaluarën, sadopak lëvizjet pozitive në këtë drejtim – siç është angazhimi i Z. Mark Gjonaj në proceset politike të Nju Jorkut. Çdo fillim është i vështirë, sidomos angazhimi në arenën politike amerikane nuk është i lehtë.  Por mundësitë të janë të mëdha që të rinjtë dhe të rejat e këtij komuniteti të angazhohen më seriozisht për tu bërë pjesë e  procesit politik të këtij vendi.  Mark Gjonaj, ka luajtur një rol model për këtë brez të shqiptaro-amerikanëve, se çdo të thotë angazhimi i vetëm i një personi për komunitetin që bëhet pjesë e procesit politik, si përfaqsues politik i një komuniteti, siç është komuniteti shqiptaro-amerikan – në çfardo detyre qoftë. Nëqoftse dëshironi të kontriboni për komunitetin tuaj shqiptaro-amerikan ndiqni shembullin e Z. Mark Gjonaj, “shërbëtorit të shkëlqyer publik”, siç e cilësoiZ. Mark Gjonaj, Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, para një grupi shqiptaro-amerikanësh në rrugën Gjergj Kastrioti-Skenderbe në Bronks, të dielën që kaloi, në takimin e saj me ta.Duhet vetëm të shikoni përfitimet e shumta që i kanë ardhur komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë disa viteve të fundit — falë angazhimit serioz dhe punës së rëndë të Z. Mark Gjonaj — në procesin politik të këtij vendi të madh e demokratik për të parë nëse,vërtetë, ia vlen. Unë them se po!

Frank Shkreli

Më poshtë fotot nga aktiviteti i ditës së dielë:

Z. Mark Gjonaj duke bërë simbolin e shenjtë të shqiptarëve, shqiponjës dy-krenare me Guvernatoren e shtetit të Nju Jorku, Kathy Hochul

Këmisha me mbishkrimin nga Guvernatorja: “Më takoni tek Gjergj Kastrioti-Skenderbe në Bronx, Nju Jork”

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

Nikollë Mernaçaj, e dënuan dy herë, jetoi vetëm 5 ditë pasi doli nga burgu

July 26, 2022 by s p

Kujto.al

Historia e Nikollës, që diktatura e dënoi dy herë. Herën e parë pak kohë pas martese, kur vajza e vogël ishte vetëm një vjeç dhe të dytën pasi kishte dalë në pension. Një jetë në burgje, internim dhe survejim, e mbyllur vetëm pesë ditë pas lirimit. I biri tregon historinë e përndjekjes së pandalur ndaj babait dhe familjes 

65-vjeçari, atë ditë janari, ishte duke marrë pensionin para postës së Lushnjës, në fshatrat e së cilës jetonte i internuar, kur e ndaluan me parrullën “në emër të popullit je i arrestuar”. E akuzuan për agjitacion dhe propagandë dhe e dënuan me 10 vjet burg. I kreu në Ballsh, në Zejmen dhe në Shën Vasil të Sarandës. Siç tregon i biri, Mark Mernacaj, në librin “Zërat e kujtesës Vëllimi VII”, botim i ISKK, gjatë kohës që i ati vuante dënimin u bënë tri amnisti nga të cilat, pavarësisht moshës, nuk përfitoi nga asnjë. Vetëm në amnistinë e katërt të vitit 1986, Nikollës iu fal 1/ 4 e dënimit të mbetur që do të thoshte 1 vit. U lirua pas 9 vitesh burg më 15 janar të vitit 1989. Jetoi vetëm pesë ditë dhe ndërroi jetë në spitalin e Tiranës. Kishte kryer, bashkë me dënimin e parë 17 vite burg dhe periudhën midis dy dënimeve e kishte kaluar i internuar në fshatrat e Lushnjës.

“Babai nuk ka qenë fashist. Ai ka qenë në ushtrinë e Gardës Mbretërore në Itali, Romë. Në atë kohë, ne ishim pushtuar nga Italia. Babai ishte ushtar në Elbasan dhe prej aty, një pjesë të ushtarëve i kanë dërguar në Itali për shërbimet mbretërore. Babai ka pasur disa revista nga ajo kohë dhe për këtë arsye e akuzuan si fashist dhe për “agjitacion e propagandë”, po ashtu dhe si spiun. Ai ka qenë në burg nga 1952 deri në janar 1960”, tregon Marku për “Zërat e kujtesës”. Nikollën e dënuan jo shumë kohë pas martesës, një vit pas lindjes së vajzës së parë, Diellës. Gruaja e tij, Drania, ishte një nga ish-fëmijët e kampit të Beratit dhe Tepelenës, internuar atje me gjithë pjesën e mbetur të familjes, pasi dy vëllezërit e saj, Toma dhe Frani ishin arratisur në vitin 1948.  Gjatë kohës që bashkëshorti i saj vuante dënimin në burg, prindërit dhe vëllezërit e tij u arratisën të gjithë fillimisht në Mal të Zi e më pas në SHBA. Kjo bëri që rreth një muaj pasi Nikolla doli nga burgu, ndërkohë që komunistët i kishin sekuestruar gjithë pasurinë pas largimit të prindërve, ta internonin bashkë me gruan dhe vajzën Diella, në Savër të Lushnjës. Atje lindën dy fëmijët e tjerë, Maria dhe Marku, që tregon këtë histori. “Në Savër kemi kaluar pjesën më të madhe të jetës, deri në vitin 1991”, tregon ai. Për një periudhë kohe i zhvendosën në fshat tjetër internimi, siç ishte Gradishti, kjo për arsyen se një nga mushkat e sekuestruara familjes, i kishte humbur të zotit të ri. Fajtorë u bënë menjëherë vëllezërit e Nikollës dhe meqë nuk kishin me kë të hakmerreshin tjetër, vendosën që Nikollën me gjithë familje ta zhvendosnin nga Savra për në Gradisht. Më pas, kur mushka u gjet në një humnerë, Nikollës i thanë se me anë të një kërkese mund të ktheheshin sërish në Savër, siç edhe bënë. Pas një aksidenti me makinë, ai u shtrua 6 muaj në spital, qëndroi dy vjet pa punë dhe iu rikthye sërish punës në bujqësi deri sa doli në pension, kur do të vinte dënimi i dytë.

“Arsyeja e dënimit të dytë ishte se, në vitin 1976, pasi gjyshi vdiq, gjyshja shkoi në Amerikë, sepse kishte djemtë.

Në atë kohë, ajo ishte 105 vjeç. Ikja e saj bëri bujë të madhe. Ajo, në fakt, shkoi për vizitë në Amerikë, jo për të qëndruar. Vetëm pas disa kohësh vendosi dhe vajti për të plotësuar letrat, siç ishin rregullat për emigracion. Kur po merrej me këto procedura, e merr vesh një kongresmen amerikan, që ishte në Bronx…se kishte një rast, një grua që kërkonte shtetësinë në moshën 105-vjeçare. Kjo ngjarje, shkoi deri te presidenti i asaj kohe, Gerald Ford, i cili bëri një dekret të posaçëm për t’i dhënë direkt nënshtetësinë nënës, pa qenë nevoja për rezidencë. Ky rast bëri një bujë të madhe. Shkruajtën shumë gazeta. Shkoi deri tek mediat australiane lajmi. Kjo ishte pra akuza e dytë për babain duke i thënë se nëna e tij, kishte shitur nënshtetësinë shqiptare dhe ka marrë atë amerikane”, tregon Marku.

Nikolla do ta kalonte në burg gjithë jetën e mbetur, pasi ndërroi jetë vetëm 5 ditë pasi u lirua. “Babai kishte shumë sëmundje në trup, po jo deri në atë gjendje, sa ta çonte drejt vdekjes. Sipas shokëve të burgut, është sëmurur 15 ditë para se të lirohej. Në librin e Patër Zef Pëllumbit (ai) tregon se ka qenë I shtruar në infermierinë e burgut. Aty tregon me detaje, ku bashkë me babën, ka qenë i shtruar edhe Dom Pjetër Gruda, i cili vdiq dy ditë përpara se të lirohej babai. Ndërsa im atë arriti të lirohej, të dilte gjallë. Patër Zef Pëllumbi dëshmon se të dy janë mbytur nga infermieri i burgut, Kosta, i cili ishte dhe vetë i burgosur…Patër Zef Pëllumbi tregon se ky, Kosta bënte çmos që të burgosurit mos të dilnin nga burgu. Më ka treguar dikush që kishin shkuar për inspektim nga Tirana. Babai në atë kohë kishte qenë i shtruar. Panë ambientet, panë edhe dy të sëmurët që ishin Dom Pjetër Gruda dhe babain. Ata pyesnin se pse ishin aty, pse nuk i kishin çuar në spital për mjekim më të specializuar? Për babain, ai u thotë se lirohet tani, kur për Dom Pjetrin përgjigjet se nuk ka gjë, është mirë, por në fakt, të dy vdiqën”, thotë Marku në intervistën për Luljeta Lleshanakun përfshirë në botimin “Zërat e kujtesës”, Vëllimi VII. Ai kujton se babanë ia prunë me barrel, kur shkoi ta nxirrte nga burgu, ditën që i mbaronte dënimi, madje sipas tij, e vonuan deri sa të shkonte ora 13.00, ora kur edhe e kishin arrestuar 9 vite më parë. “Nuk i falën as gjysmë ore”, komenton ai. I ati nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, kështu që Marku mori rekomandim në Savër dhe me makinë e çoi në spitalin e Tiranës, ku doktor Vangjel Todri i tregoi gjendjen e rëndë të atit. Pas pesë ditësh ai ndërroi jetë. Marku tregon se e sorrollatën gjatë për ta transportuar trupin e tij në Shkodër, ku familja kishte vendosur që të prehej Nikolla, pasi e prunë një herë në Savër. “Kur mbërritëm në Shkodër ishte ora 8 e ca e darkës. Gjithë njerëzit kishin ikur dhe, ne, e varrosëm babanë në errësirë vetëm me 6 persona, me të cilët erdhëm nga Lushnja”, tregon ai.

Vetë do të ktheheshin në Savër, aty ku jetuan deri në vitin 1991.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Mark mrnacaj

MIKU I MIRË NË DITË TË VËSHTIRA

July 26, 2022 by s p

Më 26 korrik të këtij viti bëhen 59 vjet nga tërmeti katastrofal që e goditi Shkupin, që la pas vetes më shumë se 1.000 viktima, diku 4.000 të tjerë të lënduar, ndërsa 200.000 njerëz i la pa kulm mbi kokë. Përnjëherë, nga një dridhje e tokës, që zgjati 20 sekonda, Shkupi u gdhi mbi rrënoja, dhimbje e vaj. Gati 80% e qytetit ishte rrënuar. Pamjet që janë ruajtur, disa nga të cilat do t’i shihni edhe në këtë ekspozitë, dëshmojnë për një hapësirë gërmadhë.

Por, në çastet e dhimbjes dhe rënies, gjithnjë qëllon edhe një dorë e solidaritetit, për të na dëshmuar se megjithatë ne nuk jemi të vetmuar dhe të braktisur. Kështu, kur Shkupi dhe shkupjanët po e vajtonin atë që e kishin humbur, u ngrit pjesa më e madhe e botës për ta dëshmuar solidaritetin dhe humanizmin në vepër. Deri atëherë shkupjanët kishin pasur përshtypjen se a thua e di bota se ata ekzistojnë, por vera e vitit 1963 dhe disa vite më vonë ishin dëshmi se bota kishte respekt të veçantë për këtë qytet dhe për banorët e tij. Madje, Shkupi u bë pikëtakimi i botës bipolare, duke i bërë të ndihmojnë pranë njërit-tjetrit edhe kundërshtarët e Luftës së Ftohtë. Siç duket, ngrohtësia shpirtërore që fle në këtë qytet i zbuti edhe ato dallime, sepse në Shkup të gjithë filluan të ndjehen si shkupjanë. Shkupi po ribëhej. Dhe, vërtet, përveç angazhimit të shtetit në të cilin atëherë bënim pjesë, e rëndësishme ishte edhe ndihma që rrodhi gjithandej në Shkup, qoftë ndihmë në ushqime, në veshmbathje ose në ndërtimtari, duke bërë që në Shkup plot kombe ta lënë gjurmën e tyre të bamirësisë.

Në këtë kontekst pa dyshim ndër ndihmat më të mëdha që Shkupi i pranoi atëbotë ishte ndihma amerikane, që erdhi pas letrës së Kabinetit të Presidentit Kennedy, ndërsa bëri që Shkupi ta ndjejë se edhe Amerika e largët, me të cilën ishim ndarë pas Luftës së Dytë Botërore, përsëri na kujtuaka. Shkupjanët për herë të parë panë qumësht në pluhur, që ata e quanin “qumësht Amerike”, por pranuan edhe ndihmë mjekësore, veshje e pajisje shtëpiake, ndërsa edhe disa lagje e ndërtesa, që sot i gëzon Qyteti, janë pikërisht në saje të kësaj ndihme amerikane.

Duke qenë në këtë përvjetor të tërmetit dhe të solidaritetit, por duke pasur edhe një arsye tjetër, atë të ftesës për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, që sigurisht erdhi pas ndihmës dhe mbështetjes amerikane, Shkupi ka të drejtë ta regjistrojë proverbin “Miku i mirë – në ditë të vështirë”. Atëherë kur rrezikohej mbijetesa fizike e Shkupit ishin amerikanët ata që erdhën përtej Atlantikut për të na ndihmuar dhe përsëri sot, kur Shkupi ishte në udhëkryqin e ri historik, u shfaq përsëri dora amerikane për të na dhënë mbështetje drejt perspektivës, stabilitetit dhe mirëqenies. Mund të jetë koincidencë, por gjërat e mira nuk janë vetëm koincidencë.

Të gjendur në këtë përvjetor, duke gjurmuar në Arkivin e Qytetit të Shkupit, kemi gjetur dokumente dhe fotografi të vlefshme që e dokumentojnë ndihmën amerikane para 59 vjetëve, ndërsa janë freski e kujtesës kolektive, se jorastësisht SHBA-të edhe sot janë në anën tonë. Nga ky material është krijuar edhe ekspozita e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me titull “55-vjetori i ndihmës amerikane për Shkupin”.

Le të jetë kjo ekspozitë falënderimi që po e bëjmë ne në emër të Shkupit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e para gjysmëshekullit, por edhe për atë që e bën sot ky vend mik për ne!

Dr. Skender Asani,

drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve

Shkup, 26 korrik 2022

Filed Under: Rajon

Rikthimi në Shtëpinë e përbashkët Evropiane ose shtegtimi i sprapsëm i idesë evropiane mes shqiptarëve

July 26, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Miti i Evropës i ngjizur këtu në Ballkan ku ajo e gënjyer nga Zeusi i shndërruar në një dem pranon ti hipi sipër për të rendur me të , duke mos marrë kështu vetëm një vendim personal por duke filluar dhe bazat e një ideje evropiane që do ngazëllonte dijetarë të shumtë që nga Herodoti e deri tek etërit e Evropës së bashkuar, përfshi dhe ata shqiptarë.

“Jakë o dritë e bekuar që lind andej ku perëndon” do të shkruante Naim Frashëri duke shprehur qartë jo vetëm adhurimin e tij për Perëndimin por dhe influencën e kulturës evropiane, që kish influencuar aq shumë në botëkuptimin e një plejade të tërër atdhetarësh shqiptarë.

Shqipëria tashmë nis udhëtimin drejt “tokës së premtuar” ashtu si Evropa në mitin e vjetër. Shqiptaret besojne ne idene evropiane, ne po i rikthehemi andej prej nga na kane shkeputur dhunshem…

Ilustrimi është hartë e vjetër e Europës e shekullit te XVI, vepër e humanistit Heinrich Bünting dhe është realizuar ne vitin 1582. Harta mban titullin Europa Regine (Europa Mbretëreshë)dhe simbas traditës klasike është e paraqitur si grua e kurorëzuar mbretereshë.

Harta e Buntingut, e cila mbështetet mbi një paraqitje më të hershme te saj nga hartografi Johannes Putsch e vitit 1537, paraqet mes atyre pak vendeve europiane, edhe Arbërinë (Albania) e cila gjatë asaj epoke kishte emër të madh në Europë, si rezultat i rezistencës antiosmane.

Kjo hartë ndodhet ne hollin e Parlamentit Europian dhe është shprehje simbolike e bashkimit të kontinentit tonë qysh me fillimin e epokës moderne (e cila fillon me Rilindjen Europiane). Arbëria në mesjetë nuk ishte e njohur vetëm nga rezistenca antiosmane, pasi harta me përfishirjen e saj, respekton një mit të vjetër të kontinentit tonë. Një nga vëllezërit e Europës ishte Kadmi, themeluesi i Tebës( Thiva e sotme në Greqi). Ai u vu në ndjekje të motrës së vet dhe pasi nuk e gjeti , u ndal duke themeluar qytetin e Thives. Ai konsiderohet si shpikësi i alfabetit grek dhe ndërtuesi i mureve të mëdhenj të qytetit.

Sipas Bibliotheca, libër që përmblidhte në tre vëllime gjithë mitet e antikitetit, botim shekullit të II pas Krishtit, në moshë të madhe ai u tërhoq nga pushteti si mbret i Thivës dhe sëbashku me Harmoninë, duke u shndrruar në gjarpërinj, u vendosën në brigjet e liqenit të Lyhnidës( liqeni i sotëm i Ohrit). Nga martesa e tyre lindi një djalë Illyrion që u bë paraardhësi i gjithë fiseve ilire.

Iliria dhe Arbëria ishin pjesë përbërëse e memories kulturore dhe historike e qytetërimit europian, ndaj Arbëria , imazhi i së cilës qe përforcuar dhe nga betejat e Gjergj Kastriot Skënderbeut zë një vend të rëndësishëm në hartë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dorian Koci

Kosova e lirë të mbetet borxh, Adem Demaçi

July 26, 2022 by s p

Dr. Lulzim Nika/

(Në kujtim të Adem Demaçit, simboli i lirisë së Kosovës)

Partitë politike, një pjesë e tyre, pa një strukturë të mirëfilltë kombëtare, duke u sunduar nga njerëz të fuqishëm e që nuk ishin në shërbim të Kosovës, por në sundimin e lirisë se saj, nuk denjuan, nuk deshën a nuk patën guxim, një Zot e di, që ta propozonin e lëre më ta zgjidhnin president të Kosovës, simbolin tonë të rezistencës, Adem Demaçin.

Liria i verboi dhe për më keq i bëri të harrojnë edhe të kaluarën, duke vrapuar pas përfitimeve personale dhe duke krijuar rrethe servilësh, që iu thurnin lëvdata se ju jeni vetë historia e Kosovës.

President u zgjodh askushi e gjithkushi, por jo veprimtari më i pathyeshëm i lirisë së Kosovës. Shumica e krerëve te partive politike nuk e kishin përjetuar as edhe një ditë burg të pushtuesit serb, por kjo nuk ishte arsyeja se pse nuk e donin Adem Demaçin president, ju pengonte qëndrueshmëria e bindjeve të tij dhe e idealit të tij, për Kosovën sovrane!

Vazhdimësia dhe qëndrueshmëria politike e Adem Demaçit, ishte farkuar me kohë dhe e gjejmë të ndërlidhur me idealin e shqiptarizmës, që qysh pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur udhëheqësit e Organizatës Nacionale Demokratikë Shqiptare, filluan aktivitetin politik për liri e Kosovës, u vranë, u ekzekutuan, e u burgosën dhe u ndoqën nga Kosova, shumë anëtarë të saj do të vazhdojnë aktivitetin politik e patriotik në organizata të tjera. Edhe pse parimet politike, strategjike dhe organizative të ONDSH-së nuk do të kenë ndikim të madh në organizatat e mëvonshme ilegale në Kosovë, megjithatë idetë dhe qëllimet politike do të mbesin të njëjta; çlirimi i tokave të robëruara shqiptare dhe bashkimi i tyre në një shtet shqiptar.

Baza e riorganizimit të veprimtarisë ilegale në Kosovë ishin vendosur në vitet 1956-1963. Në këtë periudhë veprojnë dy udhëheqësit më të shquar të lëvizjes ilegale në Kosovë, Adem Demaçi dhe Metush Krasniqi. Që të dy, pavarësisht nga trysnitë ideologjike, aktivitetin e lëvizjes kombëtare ilegale e mbështesin në platformën kombëtare, duke krijuar një strategji të re për një luftë a rezistencë më afatgjate të popullit shqiptar të robëruar, duke mbajtur gjallë idenë e lirisë, gatishmëria e flijimit për të dhe besimin e pathyeshëm në çlirimin e pjesës së ndarë të popullit shqiptar.

Kështu, Adem Demaçi, u shndërrua në simbol, në shpirt dhe në shpresë të lëvizjeve ilegale. Përkundër dhunës dhe burgosjeve ndaj anëtarëve të lëvizjeve ilegale e patriotike të kohës, veprimtaria e tyre ishte e pandalshme drejt lirisë.

Askujt më mirë se sa Adem Demaçit dhe veprimtarisë së tij, nuk i rri, ky përshkrim i Presidentit Regan, që në nderim të Ditës s Përkujtimit të ushtarëve të rënë amerikanë, më 1988, tha: “Për të mbajtur besimin me të vdekurit tanë të shenjtë, le të jemi të sigurt dhe shumë të sigurt, sot dhe çdo ditë të jetës sonë, se ne e ruajmë kauzën e tyre, shpresën e tyre, lutjen e tyre, përgjithmonë të vendit tonë.”

LAVDI VEPRËS SË ADEM DEMAÇIT!

Filed Under: Opinion Tagged With: Lulzim Nika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 50
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT