• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2022

RËNDËSIA E LIRISË SË SHTYPIT PËR DEMOKRACINË DHE PAQËN   

September 19, 2022 by s p

Mbrojtja e lirisë së shtypit, mbron demokracinë!    

Nga Frank Shkreli

15 shtatori 2022 shënoi 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, e përcaktuar si e tillë qysh në vitin 2007, me anë të një rezolute nga Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara, (OKB) me qëllim që të promovohen dhe të zbatohen parimet e demokracisë dhe të lirisë. Në këtë ditë,  njëherazi, u kërkohet shteteve anëtare të OKB-së që të shënojnë këtë ditë, në mënyra sa më të përshtatshme, duke promovuar vlerat dhe parimet e demokracisë dhe të lirisë, në vendet e tyre. Sipas OKB-së, Dita Ndërkombëtare e Demokracisë ofron një mundësi për të shqyrtuar gjendjen e demokracisë në botë dhe poër të promovuar vlerat demokratike, lirinë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës.  Demokracia është po aq proces sa edhe një qëllim dhe vetëm me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e plotë, nga bashkësia ndërkombëtare, organizmat qeverisëse kombëtare, shoqëria civile dhe individët, mund të realizohet ideali i demokracisë dhe lirisë, për të gjithë dhe kudo, pa dallim, thuhet në njoftimin e OKB-së. Si temë e e këtij viti për të shënuar 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë është zgjedhur Liria e Shtypit dhe Demokracia.  Liria e shprehjes është njëra nga të drejtat themelore të njeriut, e mbrojtur nga neni 19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.  A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Në deklaratën e OKB-ës në këtë përvjetor thuhet se ndërkohë që kriza e COVID-19 ka shkaktuar sfida të mëdha globale, një krizë e re në Evropë na kujton se parimet tona demokratike gjënden përballë kërcënimeve të ndryshme, anë e mbanë botës.  OKB-ja paralajmëron me këtë rast se, sot më shumë se kurrë, Demokracia po tkurret, hapësira për debat shoqëror po ngushtohet, mosbesimi dhe keq-informimi po shtohen, ndërkohë që kërcënimet, kundër lirisë së gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias vijnë duke u shtuar, nga ditë në ditë. Prandaj, si përfundim i kërcënimeve ndaj lirisë së medias në botë, OKB-ja ka vendosur që në këtë 15-vjetor të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë të përqendrohet mbi rëndësinë dhe rolin që luan liria e shtypit në zhvillimet demokratike dhe në sigurimin e paqës në botë. Media e lirë, e pavarur dhe pluraliste, e aftë për të informuar shoqërinë mbi çeshtje të interesit publik, është një pjesë përbërse e Demokracisë së mirëfilltë.  OKB-ja thekson me këtë rast se, gjithnjë e më shumë, vihet re se gazetarët, anë e mbanë botës, përballen me pengesa të llojllojshme ndaj lirisë së tyre për të kryer detyrën si gazetarë – gjë që ka pasoja të rënda për të drejtat e njeriut dhe për zhvillimet demokratike kudo.  

Në mesazhin e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres shprehet se “Demokracia nuk mund të mbijetojë pa lirinë e shtypit dhe pa lirinë e të shprehurit.”  Kjo është edhe arsyeja që mbrojtja e lirisë së medias konsiderohet si një pjesë përbërse — kritike — për ndërtimin e një demokracie të shëndosh, ka thënë ai. “Pa lirinë e shtypit, demokracia nuk mund të mbijetojë. Pa lirinë e të shprehurit, nuk ka as liri të tjera”, theksoi udhëheqsi i organizatës botërore, ndërsa u bëri thirrje qeverive të mbarë botës që të “sigurohet liria dhe të mbrohen të drejtat e të gjithë njerëzve, pa dallim dhe kudo në botë”. International Day of Democracy | Messages | United Nations.

Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden bëri një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë — Statement by President Joseph R. Biden, Jr. on the International Day of Democracy – The White House — “15-vjet më parë, shtetet anë e mbanë botës janë bashkuar për të deklaruar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë – një ditë kjo për të treguar mbështetjen tonë të përbashkët për qeverisje përfaqsuese, transparente; për të reflektuar mbi barazinë, respektin për të të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor dhe për shtetin e të drejtës”, tha ndër të tjera, Presidenti Biden. Udhëheqsi amerikan pranoi se vitet e fundit, “demokracia anë e mbanë botës ka pësuar disa sfida të dukshme”, ndërsa ai fajësoi ata që i quajti “autokratë dhe forca të tjera, të cilat bëjnë trysni ndaj atyre që luftojnë në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore.”  Në 15-vjetorin e shpalaljes së Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë nga OKB-ja, Presidenti Biden shtoi se, “Shtetet e Bashkuara po bashkpunojnë me shtetet e tjera demokratike në mbarë botën për të zgjidhur sfidat më të mëdha me të cilat përballet bota”sot, ndërsa përmendi “luftën brutale dhe të pajustifikueshme të Rusisë kundër Ukrainës”, si një nga ato sfida.   

Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një deklaratë të tijën nga Departamenti i Shtetit, kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë — Commemorating the International Day of Democracy – United States Department of State — u shpreh se në “Këtë Ditë Ndërkombëtare të Demokracisë, ne theksojmë angazhimin tonë ndaj demokracisë ndërsa përpiqemi për një botë më gjithëpërfshirëse, më të barabartë dhe më paqësore.  Siç ka theksuar edhe Presidenti Bajden, shtoi diplomati lartë amerikan, “… ne duhet të fillojmë me diplomacinë e rrënjosur në vlerat demokratike më të dashura dhe më të shtrenjta të Amerikës, e që janë: mbrojtja e lirisë, mbështetja e mundësive të barabarta për të gjithë, respektimi i të drejtave universale, respektimi ndaj sundimit të ligjit dhe trajtimi me dinjitet i çdo personi… Duke vendosur të drejtat e njeriut në zemër të politikës sonë të jashtme, Shtetet e Bashkuara avancojnë respektin për liritë themelore, edhe në nivel global.  Ne e dimë se respekti, për të drejtat dhe dinjitetin e njeriut, është thelbësor për paqën e qëndrueshme dhe begatinë e vazhdueshme në botë. Ky respekt bazohet në përvojën tonë si shtet demokratik, ndonëse jo i përsosur, por, vazhdimisht, duke punuar për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë”, për të gjithë, është shprehur, ndër të tjera, Kryediplomati amerikan Antony Blinken me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, me 15 shtator, 2022.

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënohet  çdo vit më 15 shtator me qëllim për të rritur ndërgjegjësimin publik vlerave të demokracisë dhe lirive të njeriut, në përgjithësi. Veprimtari të ndryshme të sponsorizuara nga ente qeveritare dhe ente jo-qeveritare zhvillohen anembanë botës për të promovuar demokracinë në këtë ditë dhe gjatë gjithë vitit. Udhëheqës shtetesh si Presidentët e Amerikës dhe të tjerë anë e mbanë botës, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, e shënojnë këtë ditë me deklarata në mbështetje të demokracisë dhe lirive bazë të njeriut. 

Ashtu ndodhi edhe sivjet. Por m’u duk se përjashtim këtë vit, ashtu si në të kaluarën, Shqipëria dhe Kosova, bënin pjesë me vendet që nuk e shënuan Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, zyrtarisht, dhe jo me vendet demokratike si Shtetet e Bashkuara, ku kjo ditë u shënua nga udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe qeverisë. Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, në deklaratën e tij pranoi se megjithë përvojën e gjatë demokratike – megjithëse jo të përsosur — është e nevojshme që edhe Amerika ta kujtojë Ditën Ndërkomëtare të Demokracisë, si një angazhim i përherëshëm ndaj vlerave demokratike, përfshir promovimin e të drejtave të njeriut, përfshir lirinë e shtypit dhe lirinë e të shprehurit për individët.

Fatkeqsisht, më duket se, në këtë tranzicion tepër të zgjatur prej 32- vitesh, dielli i demokracisë së vërtetë shqiptare, të ketë humbur rrugën në vranësirat e jetës konfliktuale politike të korruptuar shqiptare. Ose të pakën të ketë devijuar shumë keq nga rruga që duhej të ndiqte në zhvillimin e demokracisë dhe lirive bazë të

njeriut, në tranzicionin e pafund “post-komunist” në Shqipëri, e deri diku edhe në Kosovë. Për fat të keq, paralajmërimi im jo aq i kahershëm se, “Demokracia Nuk Pret”, vazhdon të jetë aktual sot e kësaj dite, kur bota shënon 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë dhe lirisë së shtypit, në Shqipëri as nuk përmendet fjala Demokraci. Në vend të Demokracisë së vërtetë, kemi autoritarizëm, jo përmirësim të vlerave të lirisë e demokracisë, përfshir lirinë e shtypit. Por një përkeqësim të tyre – ashtu siç reflektohet në shumë raporte ndërkombëtare të të drejtave të njeriut —   ndoshta më keq se kurdoherë në këto tre dekada “post-komunizëm. Kapja e drejtësisë Në 15-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, jo vetëm që “Demokracia Nuk Pret”, por sipas vlerësimeve të analistëve të brendëshm dhe të jashtëm, demokracia — sidomos në Shqipëri — është në rrezik. Kapja e drejtësisë nga qeveria, nepëmjet një “reforme” që mbështetet dhe financohet nga ndërkombëtarët, nuk i shërben thellimit të demokracisë as mbrojtjes së vlerave të lirisë e demokracisë dhe të drejtave të njeriut për të gjithë shqiptarët, padallim.

“Demokracia nuk mund të mbijetojë pa lirinë e shtypit dhe pa lirinë e të shprehurit”, porositi Sekretari i Përgjithëshpëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 15 shtator, 2022.  Demokracia Nuk Pret! 

Frank Shkreli

See the source image

               Jo vetëm që Demokracia nuk pret më, por duket se ajo është në     rrezik…”Mbrojtja e lirisë së shtypit, mbron demokracinë”!

See the source image

        Në një demokraci të vërtetë, qytetarët ushtrojnë pushtetin duke votuar

protest march

         Mesazhet e tyre me rastin e Ditës ndërkombëtare të Demokracisë

António Guterres
A person in a suit and tie

Description automatically generated with low confidence

   Presidenti Joe Biden                            Antonio Guterres                                Antony Blinken

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

I R E N A  P A P A S  … LEGJENDA GREKO-SHQIPTARE … IN MEMORIAM 

September 19, 2022 by s p

Nga Skender SHERIFI/

Ka momente, që i thua vetës në jetë: « Bullshit, po pse të gjithë ata Persona, të cilët  i kam dashur dhe më kanë përcjellur në jetë, po na kalojnë njëri pas tjetri, si në ligjin e serialëve, në botën tjetër … duke na lërë neve të shkretit tokësorë, pak a shumë jetim, nostalgjik dhe të mërzitur ? » Ma sillni një dubël Ekspreso që të kthjellohemi !

E dashura IRENË : të erdhi tani rralla ty në moshën 93 vjeçare, për ta përfaquar misterin e pafundësisë ? M’i lejon disa fjalë, e nderuar, se nuk mund të harroj aq lehtë. Që në fillim, me ka pas prekur shpirtërisht, gati emocionalisht silhueta e jote aq e veçantë, ajo bukuri klasike e tipit greko-romak, do kisha shtuar edhe malësore, e ardhur nga alpet tona, një bukuri plot fisnikëri, madhështi dhe karakter, siç janë nënat dhe gjyshet tona anonime, por dikund edhe legjendare. Diçka estetike, të nivelit sublim dhe të lartë, si në pikturat apo skulpturat e antikiketit, e cila na  imponon menjëherë respektin e plotë, dhe jo lazdrimin e papërmbajtur të tipit   post-adoleshent. Je përjetësisht e bukur dhe madhështore, e dashura Irenë …

Do e kisha ëndërruar një darkë rituale me ty, në Sofrat tona malësore, për ta marrur një erë të lashtë poetike, një lidhje me të kaluarën tonë të përbashkët, të cilën me Silikon Valejt kaliforniane, me botën e ekraneve dhe të bixhozeve të ndryshme, alla Las-Vegas, e kemi shkelur me kohë dhe po e vazhdojnë Jetën tonë të quajtur

moderne, pa asnjë trashëgimi, pa asnjë busull, pa asnjë vijë drejtuese, pa asnjë

rrënjë, pa asnjë kujtesë … në një improvizim patetik alla Beckett dhe Ionesco.

Te ti, e madhja Irenë, kam shijuar parfume historie, shije traditash antike, diçka që me ka lidhur me pikënisjet tona … të falënderoj përjetësisht !

Je me siguri sikurse unë, poeti frankofon, por malësorë i odave, por edhe i të gjitha aventurave avanguardiste planetare, një koktel përzierjesh greko-shqiptarë, por ti vet mundesh për ta ndarë atë punë siç duhet. Mirëpo, mua, më ke frymëzuar me vlerat e tua njerëzore dhe artistike. Ma ke dhënë një shembull unik … që mundesh me qenë super e bukur si Femër, por edhe super fisnike, antike, burrërrore, tradicionale, dhe me karakter të pamposhtur … me një frymë gati kanunore dhe zakonore të lashtë, ashtu siç ke qenë në rolët e tua si tragjediane greke antike.

Antigona (1961) e regjisorit Tzavellas, – Elektra (1962) – Trojanet (1971) – Ifigenia (1977 ) të regjisorit tënd të preferuar dhe ikonik zoti Michael Cacoyannis, pa e harruar filmin tënd mitik – ZORBA, i vitit 1964, të cilin çdokush e ka akoma në memorie, ngaqë ka hyr si vepër filmike, në referencat tona kolektive, ose në shpirtin tonë koshient apo subkoshient. 

Në një farë mënyre, e dashura IRENË … me bukurinë tënde magjike dhe hyjnore,    aq dinjitoze dhe gati të përjetshme, ke qenë mund të themi : « anti Marilina dhe Brixhidë Bardot » dhe kjo gjë të nderon jashtë mase. Edhe pse, po e pohoj që i kam dashur të dyja edhe unë, por për arsye pak më të rëndomta, të rangut më tepër fantasmatik dhe erotik. Mirëpo si aventurist i ri, pa limite, besoj që do më falish !

Të imagjinoj duke e ndarë një pite apo një flijë në një fshat të Tropojes, të Dibrës, apo të Malit të Zi bashkë me nënën time, dhe pastaj duke dëgjuar këngë të vjetra  me sharki dhe çifteli, disa rapsodi tradicionale, duke qeshur nga gëzimi i momentit.

Përkundër meje, i lindur pa xenxhirë, as vargojnë dhe në improvizim autodidakt permanent, gjer në ditën e sotit, e nderuar IRENA, ti ke ardhur nga një familje mjaft e shkolluar, intelektuale. Nëna e jote : Elena Lelekou, e lindur Prevezanou, ishte Profesore që në atë kohë, ndërsa Babai juaj zoti Stavros Lelekos,me origjinë nga Epiri, ishte Profesor i Teatrit klasik dhe i gjuhës greke antike.

Mund ta supozoj krejt intuitivisht, që do keni pasur dikund ndonjë origjinë shqiptare nga njëri prej prindërve të tu. Nëse e heq për qejfin tim poetik prapashtesën e emrit tuaj ( ou – dhe os ) a mos është nëna e juaj Elena Leleku ose Preveza ? Por nuk ka aq rëndësi, se çdokush e përjeton dhe e definon vetën e tij, siç donë vetë, siç e ndien shpirtërisht ? Nuk mund të vijmë neve të jashtëmit, për të vendosur në filan apo filan kategorie, se nuk ka shumë sens, ajo punë ! Tek e fundit, ngelet problemi im personal dhe intim, a e ndiej unë vetën shqiptarë, apo francez, apo belg. Nuk është problemi i shqiptarëve ! Rezulton që unë e ndiej vetën si shqiptaro frankofon ! Pikë !

Tani, si e ke përjetuar ti vet qenien tënde, e dashur Irena, origjinën tënde, përkatësinë tënde : sinqerisht nuk e di, por kjo punë të takon vetëm ty !

Por e ndiej shpirtërisht, që je e afërt dikund me mua, që kemi diçka të përbashkët,   që komunikojmë me ndonjë frymëzim apo antenë të lashtë. Dhe kjo më mjafton.

Më kujtohet spontanisht filmi politik francez « Z « i vitit 1969, kundër regjimit të kolonelëve grec, i gjiruar nga franko-greku Costa-Gavras, të cilin e kam takuar disa vite më vonë në Paris. Po ashtu, « Topat e Navarones » 1961 nga regjisori J.Lee Thompson, me të madhin Anthony Quinn. Nuk e di pse, as nga vjen ajo ndenjë, por te pamja jote estetike, mbretëron dikund, esenca e përjetshme e qenies femërore, diçka e paluhatshme, që i tejkalon të gjitha periudhat, modat dhe shekujt, diçka që imponohet me një  kualitet maksimal dhe që mbijeton. A thua, jam i qartë ?

Ma sillni një birrë belge me pak djathë … që ta përfundoj këtë retrospektivë intime, këtë aventurë imagjinare me motrën dhe nënën time kinematografike nga Epiri i lashtë Irena Papas … Waou 93 vjeçare … çfarë Jete. Ke pas lindur në Korinti nga

Chiliomodi, në vitin 1929 dhe na u largove gati bashkë me mikun tim Jean-Luc Godard. Një surrealizëm total … Ha … ha … ha … Më kujtohet rrushi tipik dhe vëra    e Korintisë greke. Me vite kam pas qenë i abonuar me disa miq dhe fanse të mia të shthurrura, pak rock and roll dhe provokante, në Kinematekat e Parisit dhe të

Brukselit, ku i kam pa të gjitha veprat e regjisorëve kryesorë botërorë.

Më rivjen tani filmi i Francesco Rosit ( 1979 ) « Krishti u ndal në Eboli « i cili ma ka pas inspiruar edhe një tekst poetik. Disa filma pak më autorial dhe margjinal të regjisorit madhor portugez Manoel de Oliveira : Party ( 1996 ) – Shqetësimi ( 1998 ) –

Film i folur ( 2003 ) … Por filmi yt i parë, ka qenë ai i vitit 1948 i regjisorit grek Nikos Tsiforios me titullin « Engjujt e humbur ». Më erdhi një pyetje spontane, e nderuar Irena : pse nuk ke punuar kurrë me regjisorin grek të famshëm, që unë e konsideroj në topin planetarë, të cilit ja kam pas prezantuar në Bruksel, një aktore franceze

e cila fillonte atëherë karrierën e saj me emrin Elsa Zylberstein ( sot është aktore super e konsoliduar në Francë ), po flas për Theo Angelopoulos ? Kam kaluar momente interesante me atë kineast në Bruksel, një intelektualë super i përgatitur, një kinefil dhe një frankofil i vërtetë. Por keni qenë me siguri në botëra kulturore dhe në kërkesa artistike të ndryshme ? Por ai takim, jam i sigurt që do kishte qenë i bukur dhe i frytshëm mes jush ! Tani, mund të flasim për karrierën tënde gjigante në teatër, kur ke lënë gjurma të forta në Greqi, në Itali duke luajtur Pirandellonë nën drejtimin e Mauro Bologninit, në Portugali, ku ke jetuar disa vite, por edhe në Amerikë, pasi që ke luajtur edhe në lagjen e famshme BROADWAY me aktorin Jon Voight, i cili më ka pas bërë përshtypje të parën herë , në filmin sublim të John Bormanit « Delivrance »

Pastaj, e dashura Irenë, pak kush e dinë që ke marrur pjesë edhe në disa projekte

muzikore, duke kënduar ti vetë disa tekste apo duke i recituar me një sfond muzike,

me artistat më të njohur grekofon të asaj fushe, siç janë Mikis Theodorakis për shembull, Demis Roussos, Vangjelis, Lucas Sideras, etjerë …

Ke qenë 100 përqind mesdhetare, moderne dhe antike, ndoshta edhe mesjetare pse jo ? Por fabuloze, e mrrekullueshme … Ah, sa do ishim kuptuar mirë së bashku !

Do e kishim adoptuar njëri-tjetrin me siguri ! Greke, Shqiptare, Italiane, Portugeze, djepi i civilizmit evropianë …  Muzikë, meze dhe pije për shpirtin e Irena PAPAS !

Të kërcejmë së bashku, ti thejmë disa pjata, gota dhe sahana për ta rikujtuar

ZORBËN … Oh IRENA : kam marrë lajmin e fundit për ty, çka nuk e kam pas ditur fare deri sot … Keni përjetuar një lidhje dashurie të fortë me aktorin më mitik botërorë, zotin Marlon Brando, një dashuri sekrete, jashtë cirkut mediatik dhe paparavize parazitë, të cilët na helmosin apo na argëtojnë jetën me thash e të theme …

Jeni njohur në Romë në vitin 1954, tamam kur kam pas lindur unë …

Ja pra, edhe një FILM në vete, e dashur dhe e përjetshmja IRENA !

Përqafime aty ku je dhe ku do të shkosh më vonë … Na i thuaj Zotit nëse e takon :

që të kenë pak mëshirë për neve mbi këtë tokë, sepse jemi çoroditur për të tepërmi, e kemi humbur sensin real të gjërave, respektin e vlerave, dhe nuk e dimë as vet se çka jemi duke bërë, të shtyrë nga një puls freudian i thanatosit, një energji super

shkatërruese dhe vetëvrasëse … Stop motherfuckers … respektoni jetën, vlerat,

humanitetin, planetin tokësorë, natyrën, se sinqerisht na turpëruat !

Një gotë vere greke apo franceze të fundit për shpirtin e IRENA PAPAS … ajo Penelopa e jonë që priste Bekim Fehmiun ( Ulisin ) në serialin sublim televiziv i vitit

1968 – ODISEJA – e Franco Rosit … kurse unë me rrymat anarshiste planetare

mjedis Parisit dhe Brukselit, i shijoja të gjitha deliret dhe orgjitë e improvizuara, nën tingujt e Jimmy Hendrix, Eric Clapton, Santana, the Who, Led Zeppelin, the Beatles, the Stones, the Doors, Dire Straits, Bluesmenëve amerikanë legjendarë, Jazzmenëve si Miles Davis, Duke Ellington, Charlie Parker, Keith Jarret, Chet Baker … Waou shit, na shkuan kujtimet dhe gati JETA !

                                                                         SKENDER  SHERIFI – në improvizim …   

Bruksel, me daten 17 sht ator 2022   –      nga Poeti shqiptaro- frankofon i odave     

në Planetin tokësorë aq të dëmtuar.        Malësore dhe i Mërgatës së Qyqëve.  

Filed Under: Kulture Tagged With: Skender Sherifi

Dita e Kushtetutës Amerikane

September 17, 2022 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Sot SHBA feston Ditën e Kushtetutës. Më 17 shtator 1787 delegatët në Konventën e Filadelfias firmosën Kushtetutën e SHBA, dokumentin më jetëgjatë deri më sot, ndërkohë me tekstin më të shkurtër që ekziston nga të gjitha kushtetutat e vendeve të tjera, të cilat u bënë me një të tillë duke marrë shembull atë të SHBA.

SHBA është shembulli i demokracisë në veprim për mbarë globin. Por, eksporti më i rëndësishëm i Amerikës në botë ka qenë Kushtetuta e saj. Ajo u hartua si kushtetuta e parë në një dokument të vetëm. Është dokumenti me jetëgjatësinë më të madhe. Dhe gjatë dy shekujve të fundit çdo komb e ka pranuar nevojën dhe vlerën e të pasurit një kushtetutë. Dhe në rastet kur vendet kanë hartuar një të tyren, referenca ka qenë pikërisht Kushtetuta Amerikane. Madje ka pasur shumë përpjekje për të importuar Kushtetutën dhe sistemin e qeverisjes së SHBA-së dhe për t’i zbatuar ato në pjesë të tjera të botës, por ato kanë qenë të pasuksesshme. Kjo ka ardhur për faktin se Kushtetuta dhe sistemi i qeverisjes amerikane janë pasqyrim i mentalitetit, vlerave dhe identitetit amerikan. Shumë vende, veçanërisht ato në Amerikën Latine, u përpoqën të imitonin qeverinë dhe Kushtetutën e SHBA, por dështuan. Bolivia e provoi, dhe si rezultat pësoi gjashtëdhjetë revolta, dhjetë kushtetuta të rishkruara dhe gjashtë presidentë të vrarë midis viteve 1826 dhe 1898. Simon Bolivar (1783-1830), i njohur si George Washington i Amerikës së Jugut, vdiq një idealist i zhgënjyer nga dështimi për të zbatuar kushtetutën e vendit të tij, të modeluar sipas asaj amerikane. Arsyeja e dështimit nuk ishte gjë tjetër veçse fakti se Kushtetuta Amerikane u hartua për popullin dhe shoqërinë amerikane, e cila qëndron e bazuar mbi disa parime të caktuara.

Kushtetuta e SHBA-së ka një sërë amendamentesh specifike për të drejtat e njeriut të njohura si Bill of Rights. Hartuesit dhe ratifikuesit e Kushtetutës së SHBA-së i mësuan botës se nuk mund të ketë kushtetutë pa një seksion të veçantë që rendit të drejtat individuale.

Gjithashtu, në hartimin e Kushtetutës amerikane, u krijua një emër dhe ofiq i ri që nuk kish ekzistuar më parë: Presidenti. Për herë të parë në histori u krijua figura dhe detyra e Presidentit. Një shembull një u mor më pas nga shtete të tjera.

Kushtetuta i dha ofiqit të Presidentit kompetencën të ishte “Komandanti i Përgjithshëm i Forcava të Armatosura dhe Marinës, të bënte falje, të nënshkruante marrëveshje me kombe të tjera (nën këshillimin e Senatit), si edhe të caktonte ambasadorë, konsuj, gjyqtarë të Gjykatës Supreme.” Presidenti ishte drejtues lufte por nuk mund të shpallte luftë dhe as të paguante për luftën pasi këto pushtete i kishte legjislativi.

Kushtetuta i jepte legjislativit, pushtetit me shumë individë më shumë kompetenca, ndërsa ekzekutivit, pushtetit që drejtohej nga një njeri i vetëm shumë pak prej tyre.

Në këtë kushtetutë Presidenti i SHBA ka më pak pushtet se pushtetet e tjera. Në fakt, themeluesit e kushtetutës nuk lejuan që një njeri i vetëm, apo edhe një grup njerëzish të mernin në dorë fatet e një kombi. Kjo do ndryshonte më vonë në shekullin e njëzetë me zgjedhjen e drejtëpërdrejtë të senatorëve dhe me pushtetet që do i kalonin presidentit, sidomos shpallja e luftës pa miratimin e Kongresit, të cilat do e bënin një individ të vetëm njeriun me pushtetin më të madh në SHBA dhe si rrjedhojë edhe në botë.

Kushtetuta amerikane ka një ndarje pushtetesh e cila funksionon në mënyrë të përkryer. E jo vetëm kaq, por qeverisja amerikane ka një dinamikë dhe një formulë rotacioni të paprecedentë.

Përpjekjet e etërve amerikanë për të mos lejuar asnjë individ të bëhej mbret apo Zot duken qartë në ekuacionin e rotacioneve të kongresmenëve, senatorëve, kolegjit elektoral, dhe mandatit të gjykatësve të Gjykatës Supreme.

Themeluesit e Kushtetutës caktuan që pushteti legjislativ, Kongresi, të përbëhej nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Në Dhomën e Përfaqësuesve çdo shtet do dërgonte një numër përfaqësuesish sipas numrit të popullatës së çdo shteti. Ndërsa në Senat, dy përfaqësues nga çdo shtet pavarësisht numrit të popullatës. Kjo u bë për të ruajtur balancën midis demokracisë popullore dhe drejtimit të elitave.

Për më tepër kushtetuta vendosi se zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të bëhen çdo dy vjet, për President çdo katër vjet, për Senat çdo gjashtë vjet, ndërsa mandati i gjykatësve të Gjykatës Supreme të jetë i përjetshëm në mënyrë që gjykatësit të mos ndikoheshin nga rotacionet politike. Në këtë mënyrë kushtetuta siguron qarkullimin e elitave dhe rotacionin e pushtetit.

Por, sikur të mos mjaftonte kjo ndarje, edhe mënyra e zgjedhjes së senatorëve apo e presidentit kalonte përmes një procesi rotacioni edhe më filtrues. Neni 1, Pika 3, e Kushtetutës së SHBA thotë: “Senati do ndahet në tre Kategori. Karriget e Senatorëve të Kategorisë së Parë do jenë të lira në përfundim të vitit të dytë, dhe Kategoria e dytë do përfundojë në vitin e katërt, ndërsa Kategoria e tretë në vitin e gjashtë.” Ndërsa Presidenti, me mandat katër vjeçar, nuk do zgjidhej drejtëpërdrejtë nga populli por nga një grup përfaqësuesish, që njihet si Kolegji Elektoral, nga çdo shtet.

Etërit amerikanë krijuan një Republikë të bazuar mbi parimet më të shëndosha të demokracisë.

Sistemi politik dhe qeverisës në SHBA është i balancuar dhe unik. Ndarja horizontale e pushtetit në Shtetet e Bashkuara është tërësisht e ndryshme nga vendet e tjera, sado demokratike qofshin ato. Asnjë shtet tjetër nuk është kaq i obsesuar me ndarjen e pushteteve si në Amerikë. Në sisteme presidenciale dhe parlamentare të ngjashme përsa i përket ndarjes horizonatale të pushtetit është presidenti, parlamenti apo kryeministri ai që kanë pushtet mbi të tjerat. Edhe një institucion kolegjal si parlamenti mund të shndërrohet në absolutizëm pasi si kryeministri ashtu edhe ministrat e qeverisë dalin nga parlamenti për aq kohë sa ka një shumicë të thjeshtë. Një qeveri parlamentare nuk has aq shumë vështirësi sa presidentët amerikanë për të shndërruar në ligje propozimet e tyre. Qeveria paraqet direkt legjislaturën e vet në parlament. Zakonisht kontrollon kalendarin dhe axhendën legjislative. Situata është tërësisht ndryshe në sistemin amerikan. Axhenda legjislative nuk kontrollohet nga presidenti. Shumica e ligjeve që miratohen janë më shumë produkt i negociatave midis dy dhomave të Kongresit sesa Kongresit dhe Presidentit. Ky sistem balancash e ka bërë SHBA vendin më të zhvilluar dhe udhëheqës në botë.

E pluribus unum (Nga shumë, një). Kjo është motoja e Vulës së Madhe të Shteteve të Bashkuara. 50 shtete në një.

Një vend me mbi 56 mijë qeveri. Me mijëra njësi qeverisje të ndara në 36 mijë qytete e qyteza, dhe 35 mijë distrikte të veçanta!

Vendi me diversitetin më të madh njerëzor por të gjithë të bashkuar në një qeveri, një komb dhe një flamur! “Nga shumë, një” është një markë unike amerikane e cila u arrit falë atij dokumenti që u firmos në Filadelfia më 17 shtator 1787, Kushtetutës, për të cilën Presidenti dhe zyrtarët e lartë të SHBA betohen në marrjen e detyrës se do ta respektojnë, ruajnë e mbrojnë me të gjithë forcën dhe aftësinë e tyre.

Filed Under: Politike Tagged With: bledar kurti

LAMTUMIRË YLL,  IRINI PAPA LELEKU (IRENA  PAPAS)!    

September 17, 2022 by s p

Hazir Mehmeti, Vjenë 

Irena është një nga aktoret më të mira në historinë e kinemasë – K. Hepburn.

Aktorja e madhe me origjinë arvanitase kaloi në amshim në moshën nëntëdhjetë e gjashtë vjeçare.  E ëma e saj ishte nga Epiri kurse i ati nga Shqipëria.   Ajo u lind në Athinë më 3 shtator 1926. Që nga mosha fëmijërore e nisi karrierën artistik si këngëtare dhe kërcimtare e talentuar. Talenti i saj i dha mundësi të regjistron studimet në Shkollën e Teatrit Kombëtar në Athinë.  Që nga roli i saj parë në vitin 1950 në “Engjëjt e humbur” deri në fund të jetës, Irena luajti në shumë filma të producentëve të njohur botëror Italian, italo-amerikan, anglo-amerikan, pra thjesht në kinematografinë botërore, duke u bërë e famshme në gjithë botën.  

           Irene Papas gebürtig Iríni Lelékou (griechisch Ειρήνη Παππά Iríni Pappá, * 3. September 1926 in Chiliomodi bei Korinth als Ειρήνη Λελέκου Iríni Lelékou; † 14. September 2022 ebenda[1]) war eine griechische Film- und Theaterschauspielerin und Sängerin mit arvanitischen Wurzeln, wie sie selbst in einem Gespräch mit ihrem Kollegen Bekim Fehmiu aus der Verfilmung  “Die Odyssee“ bekannt gab. Sie gehörte zu den führenden Tragödiendarstellerinnen ihres Landes und wirkte auch an internationalen Filmproduktionen mit“ (Wikipedia)

                 Irena luajti në 80 filma role të karaktereve të ndryshme duke ngritur lartë figura të heroinave nga tragjeditë e klasikes greke. Me bukurinë e saj, zgjuarsinë e saj, përkushtimin e saj, ajo shkëlqeu si yll në kinematografinë botërore krahas aktoreve të mëdha të kohës, si Katin Paksinou, Melina Merkuri, Greta Garbo, Sofia Loren… .    Irena Papas luajti shumë role në filma të njohur në botë ku luajtën aktorë me famë botërore,  mes tyre Marlon Brando, Katerinë Hepbërn, Zhan Maria Volonte, Antoni Kuin, Bekim Fehmiu.  Ishte pjesë e filmave të regjisorëve të njohur botëroe Mihail Kakojanis, Robert Wise, Elio Petri, Alberto Latuada, Ay Guerra Françesko Rosi, Kosta Gavra… Ein Bild, das Person, Haar, darstellend, starrend enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

      Irini Papa Leleku la pas një botë të tërë veprash filmike e tetrore që e bëjnë të pavdekshme gjeneratave . Për rolet e saja mori çmime të shumta ndërkombëtare: Në Selanik (1962) Ajo shpallet aktorja më e mirë për rolin e saj të Elektres në festivalin ndërkombëtar; aktorja më e mirë në rolin e dytë në filmin “Z” nga New York-u. Aktorja më e mirë e filmit “The Trojan Women” nga National Board of Rewiew, 1971. 1985; aktorja më e mirë në filmin “Island” nga Australian Film Institute, 1989.   Çmimin Distinguished Achievement Award nga Hamptons International Film Festival (1993); çmimin e karrierës për interpretim në Teatër, (1993) “ Flaiano” ; çmimin e karrierës nga Madrid National Arts Institution, viti 2000. Çmimin e karrierës nga International Festival Women’s films, (2000). Në vitin 2001, merr titullin Doktor i Arteve nga Universiteti i Romës. Në vazhdim sërish me çmimin e karrierës Woman of Europe. Çmimin ndërkombëtar “Fennecus”, si aktorja në filmin “Into the Night”etj.  Irini u dekorua me titull nderi “Gruaja e Evropës”  si grua e suksesshme duke ndihmuar civilizimin evropian. 

       Aktroja e madhe Katherinë Hepburn, fituese e dy titujve “Oskar” me të cilën Irini luajti në filmin “The Trojan Woman”, rreth Irenës mes tjerash tha: “Irena është një nga aktoret më të mira në historinë e kinemasë”

     “I ngjaj sime mëje. Nëna ime, është esmere si unë. Ajo vjen nga Epiri, ndërsa im atë vinte sipas gjasave nga Shqipëria. Ndoshta jam Shqiptare, ose gjysmë Shqiptare. Peloponezi është përplot me Shqiptarë. Edhe nëna ime, mësonte greqishten”.

Është krenari për secilën shqiptare e shqiptar kur dy aktorët me famë botërore Irini Papa Leleku dhe Bekim Fehmiu luajnë në filmin “Odiseu”.  U treguan shumë episode nga intervistat e dy aktorëve të mëdhenj gjithë andej shtypit shqiptar e botëror.    Që të dy vepruan në shtete ku jetojnë miliona shqiptarë të robëruar e persekutuar nga urrejtja më e ulët shoviniste.    Vet jeta e këtyre dy aktorëve flet shumë mbi tragjiken shqiptare shekujve e shoqëruar me asimilim.  Irini një arvanitase, kurse Bekimi një kosovarë që të dy shqiptarë që provuan kthetrat e urrejtjes shoviniste greke e jugosllave.      Vet jeta e tyre është tregues i jetës së vështirë e të qenit shqiptar, vet jeta e tyre porosi gjeneratave për të mos harruar kurrë truallin e dheun e të parëve tanë.  

      Prehu e qetë në altarin e veprave tuaja me vlerë për njerëzimin! 

Filed Under: Kronike

Udha e mbarë Lazër Stani!

September 17, 2022 by s p

Gëzim Zilja/

U largua nga Shqipëria një nga shkrimtarët  më të mirë shqiptar, mjeshtër i tregimit dhe fjalës shqipe, njeriu i ditur dhe i mirë Lazër Stani! Do na mungosh aq shumë o Lazër! Zëri yt, buzëqeshja jote e veçantë, ironia e hollë si fija e flokut, këshillat e mendimet plot vlerë, thjeshtësia dhe eleganca e lindur, kafja dhe rakia 60 lekëshe te klubi i lagjes, mezja te bulmetorja dhe pendesa e përherëshme të nesërmen se dje e tepruam, (pimë shumë,) që përsëritej me Galipin tonë fisnik dhe Flamurin artist,  kush e di nëse do të ndodhë më. Do na mungojnë  diskutimet për shoqërinë shqiptare të molepsur nga e keqja dhe veset, për politikën, e për këtë shtet karagjoz që ngritëm këto tridhjetë vjet. 

Shumë boshllëk krijon largimi i një miku e të mbulon trishtimi. Se janë kaq të pakët e vazhdojnë të mbeten edhe më pak duke u larguar çdo ditë. Nuk të lanë rrugë tjetër i dashur Lazër veç largimit. Nuk të lanë të punoje megjithëse shoqëria ka aq nevojë për njerëz si ty, sidomos kultura, historia dhe letërsia shqiptare. Qysh nga viti 1992 punësimi yt qe “problem.” Ishe i papranueshëm se kudo që shkoje thoshje atë që mendoje dhe rrezatoje dituri e drejtësi. Nuk e pranon dot shoqëria e sotme njeriun si ty. Je nga shkrimtarët më të mirë në këto tridhjetë vite ( për mua më i miri) por duke qenë antikonformist i lindur asnjëherë njerëzit në pushtet nuk të donin afër. Pushtetarët e sotëm të heqin nga puna nëse nuk bindesh, shkruan e firmos gjithçka që të japin. Osh e branë u hoqe kur në qeveri ishin blutë por nuk e gjunjëzove. Po të kuqtë as që donin t’ia dinin. Të flakën nga puna me një letër të pistë pa kuptim. Po ti si njeri plot vlera nuk hape gjyq duke thënë: nuk i dua paratë e tyre. Njerëz potencial si ty, pushtetarët e sotëm nuk i kanë fare në listat e të gjallëve. Edhe në televizionin shqiptar, edhe në ministritë e arsimit e të kulturës edhe në drejtoritë e librit, për ty  njeriun plot kulturë, tregimtar i shkëlqyer dhe vizionar (ashtu si për Bardhyl London, mikun tonë të paharruar) nuk u gjend një vend pune qoftë dhe inspektor i thjeshtë. Sot ministritë e drejtoritë e librit, kulturës e historisë gëlojnë nga të paaftët, nga të paditurit, intrigantët, patronazhistët dhe të pakulturuarit. Kishe një libër të ri nëpër duar që unë të përgjërohesha ta botoje. Dikur ti më dhe atë përgjigjen klasike, të ngjashme me Konicën kur e pyeti Noli, që pse nuk i mbledh shkrimet e boton një libër. Ti mu përgjigje: Ja e botova more Gëzim, po kush do ta lexojë? Sot libri lexohet fare pak ose aspak dhe kjo është nga dramat më të rënda të shoqërisë shqiptare.…

 Udha e mbarë miku im, shkrimtari që rrezaton në letërsinë shqiptare, Lazër Stani! Diell tu bëftë andej nga do të shkosh në Amerikën e largët. Po dije, se pa ty dhe të tjerë si ty, vendi i shqiponjave shkretohet e varfërohet çdo ditë. Zoti e di nëse do takohemi sërish! Udha e mbarë…  

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gezim Zilja, lazer Stani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT